-Kryeministri Mustafa: Kosova e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike. Komandanti Suprem i NATO-s, Gjenerali Philip Breedlove viziton Kosovën/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shkurt 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot pasdite në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Philip Breedlove, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend, situatën dhe sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe procesin e integrimit të vendit në NATO.
Presidentja Jahjaga falënderoi gjeneralin Breedlove për kontributin e mijëra ushtarëve të rreshtuar në KFOR për të krijuar ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë që u ka mundësuar institucioneve dhe qytetarëve të vendit të ndërtojnë një shtet demokratik dhe funksional.
Presidentja Jahjaga kërkoi gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve formale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s si përmbushje e aspiratave të vendit për të realizuar integrimin euroatlantik dhe anëtarësimin eventual në NATO, bën të ditur njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim Komandantin Suprem të NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove.
Njoftimi dërguar nga Kryeministria thekson se, duke e falënderuar për përkrahjen e tij dhe të NATO-s për Kosovën, kryeministri Mustafa, shprehu vlerësimet më të larta të qytetarëve për kontributin e KFOR-it për proceset në Kosovë.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, e njoftoi Gjeneralin Breedlove për progresin që po arrihet në Kosovë në avancimin e gjendjes së sigurisë, për proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe reformat tjera.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin dhe rezultatet konkrete të Kosovës në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe hapat e mëtejmë në kuadër të luftës së përbashkët të koalicionit global kundër këtyre dukurive.
Gjatë takimit u bisedua edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe dialogut politik me NATO-n.
“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara në rrugën e tyre euroatlantike dhe ky proces nuk ka alternativë tjetër për Kosovën”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Komandanti Suprem i NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur optimizmin e tij për zhvillimet e mëtejshme.
Gjenerali Breedlove, po ashtu, shprehu përkrahje për Kosovën në hapat e ardhshëm, duke vlerësuar lidershipin e Qeverisë së Kosovës dhe fokusimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera zhvillimore.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, Gjenerali Philip Breedlove po viziton sot Kosovën.
Nga Shtabi qendror i KFOR-it, Zyra për marrëdhënie me pvublikun, në njoftimin e dërguar, përfaqësuesit e mediave janë të ftuar të marrin pjesë sot në një konferencë për shtyp me Gjeneralin Philip Breedlove, Komandant Suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), dhe Gjeneral Majorin Guglielmo Luigi Miglietta, Komandant i Forcës së Kosovës (COMKFOR) në shtabin qendror të KFOR-it, kampin “Film City”, në Prishtinë.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë do të ndajnë informacione me gazetarët mbi misionin e KFOR-it në Kosovë dhe operacionet e NATO-s.
Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende. Pjesëtarët dhe partnerët e NATO-s, nën mandatin e Kombeve të Bashkuara (OKB-së), vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt e liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.