• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mediat e huaja përcollën simpoziumin për Nënë Terezën në Shkup

September 17, 2015 by dgreca

Më 12 shtator 2015 Komuna e Çairit, nën kujdesin e Kryetarit Izet Mexhiti, organizoi simpoziumin shkencor me temë “Shkupi Nderon Bijën e Saj Nënë Terezën”. Ky aktivitet u zhvillua në Shkup në Holiday Inn për të kremtuar 65 vjetorin e themelimit të urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë, që Nënë Tereza themeloi në Kalkuta të Indisë më 10 shtator 1950.

Në simpozium morrën pjesë studiues të Nënë Terezës nga Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Republikën e Maqedonisë, intelektualë, politikanë, personalitete të komuniteteve fetare, dhe përfaqësues të mediave. Në këtë akivitet u mbajtën kumtesa nga Profesor Gëzim Alpion dhe Dr Dom Lush Gjergji. Sociolog në Universitetin e Birmighamit në Angli, Alpion është cilësuar nga kritika botërore si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Dom Gjergji është Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, aktivist i palodhur për faljen e gjaqeve, dhe biografi më i shquar i murgeshës shqiptare ne Ballkan.

Në fjalën e tij Alpion ndër të tjera theksoi se “rebelimi” i Nënë Terezës në vitin 1947 dëshmoi vizionin e kësaj vajze shqiptare për rolin e aktivitetit misionar në Indinë e pavarur.

Në kumtesën e tij Dom Gjergji u ndal në të veçantën dhe të përbashkëtën e murgeshës shqiptare kur ajo njihej si Gonxhe Bojaxhiu, Motra Terezë dhe Nënë Tereza.

Në fund Alpion dhe Gjergji iu përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve në lidhje me tematikën e kumtesave të tyre, për aspekte të ndryshme të aktivitetit fetar dhe bamirës të Nënë Terezës si dhe të situatës në të cilën gjendet komuniteti katolik shqiptar në Shkup.

Simpoziumin e përshëndeti në emër to Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Simpoziumi tërhoqi vëmendjen e disa mediave në Indi, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shkrimin me titull “Shkupi nderon bijën e tij Nënë Terezën”, botuar tre ditë para aktivitetit në New Delhi, C. M. Paul nxjerr në pah disa nga arritjet e murgeshës shqiptare gjatë aktivitetit të saj 69 vjeçar.

Në shkrimin e datës 16 shtator, të titulluar “Akademiku britanik shpjegon përse Nënë Tereza paraqitet si një fetare e lajthitur”, botuar në “Matters India”, theksi vihet veçanërisht në kritikën që Alpion i bëri në fjalën e tij në simpozium injorimit qe studiuesit i bëjnë fëmijërisë dhe adoleshencës së Nënë Terezës.

Ndërsa ish-gazetarja e BBC-së Rashmee R. Lall, e cila tani shkruan për disa gazeta ndërkombëtare si “The Guardian” dhe “The Economist”, në shkrimin e saj me titull “Feja dhe politika: Shkupi feston ditën e shënuar të Nënë Terezës”, thekson se sivjet 12 shtatori është i rëndësishëm pasi atë dite mësuam kush është udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste Britanike, dhe se për herë të pare Shkupi kremton një përvjetor të rëndësishëm që ka të bëj me Nënë Terezën.

Gazetarja britanike thekson se politika dhe feja janë të ndërlidhura pasi u japin njerëzve shpresë dhe mundësojnë ndryshim. Në këtë kontekst, nënvizon ajo, është mirë të kujtojmë fjalët e Mahatma Gandhi-t se “kush thotë se feja nuk ka të bëj fare me politikën nuk e ka idenë se çfarë është feja”.

Gazetarja Lall e gjen me interes komentin e Alpion se aktiviteti përkujtimor i Shkupit e vendos në kontekstin e duhur murgeshën trup vogël shqiptare pasi rrënjët kristiane të vendlindjes së saj datojnë që nga koha e apostujve.

Në shkrimet e tyre gazetarët i referohen edhe lobimit që Alpion po bën prej disa vitesh për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe ndërtimin e Rrugës sëArbërit, që do të shkurtoj distancën ndërmjet Tiranës dhe Shkupit, vendlindjes së misionares shqiptare. Alpion vizitoi disa vende në Maqedoni dhe Kosovë që patën influencë tek Nënë Tereza gjatë 18 viteve të para të jetes së saj. Ai vizitoi në Shkup varrin e babait të Nënë Terezës, Nikollë Bojaxhiu, vdekja e parakohshme dhe në rrethana misterioze e të cilit pati efekt të madh tek ajo. Në Kosove Alpion vizitoi kishën e Letnicës që Nënë Tereza e vizitonte çdo vit para se të bëhej murgeshë në vitin 1928 dhe ku në moshën 12 vjeçare vendosi të bëhej misionare. Ndërsa në kishën e Stubllës, Alpion vizitoi varrin e Dom Zef Ramaj, pagëzuesit të Nënë Terezës, i cili u vra nga serbët në Shkup më 25 dhjetor 1914.

Gjatë vizitës në Maqedoni Profesor Alpion pati takime me një numër politikanësh shqiptar. Alpion u prit edhe nga Ali Ahmeti, Kryetari i Bashkimit Demokratike për Integrim, me të cilin ndër të tjera u diskutua gjendja e arsimit të lartë në Maqedoni, çështja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë, shqetësimi për të ardhmen e Lumit Radika, si dhe mundësitë për investime në Dibër të Madhe.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Alpion, Mediat e huaja, Nene Tereza, percollen, Shkup, Simpoziumin

Kosova i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon

September 14, 2015 by dgreca

– Zëvendëskryeministri Thaçi në takim me komandantin e KFOR-it,  për protestat e paralajmëruara në Kosovë tha se vetëm dhuna është e papranueshme-/

PRISHTINË, 14 Shtator 2015/ Kosova i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, i cili priti në një takim njoftues komandantin e ri të KFOR-it, gjeneral majorin Guglielmo Luigi Miglietta, i cili ka marrë postin në muajin gusht 2015. Zëvendëskryeministri Thaçi i ka uruar mirëseardhje komandantit Miglietta dhe ka shprehur gatishmëri që të vazhdohet me fuqizimin e bashkëpunimit të shkëlqyer me KFOR-in. Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi komandantin e KFOR-it Miglietta për të arriturat në Kosovë, me theks të veçantë për të arriturat në muajin e fundit.“Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët dhe ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për mundësitë që vala e refugjatëve të prekë Kosovën, për çështjen e pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në luftërat e huaja dhe për protestat e paralajmëruara në Kosovë, për të cilat zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se vetëm dhuna është e papranueshme.

Komandanti i KFOR-it Miglietta është shprehur në favor të vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer që ka KFOR-i me institucionet e Kosovës dhe ka vlerësuar se gjendja në Kosovë mbetet e qetë dhe stabile./b.j/

Filed Under: Kronike

Kosovë, Kuvendi në seancën e parë të sesionit vjeshtor informohet për 4 marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel

September 13, 2015 by dgreca

Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare mblidhen të hënën për përgatitjet e seancës plenare dhe shqyrtimin e propozimeve e kërkesave/

Kuvend-Kosove-seance-foto-ATSH-Behlul-JashariPRISHTINË, 13 Shtator /ATSH-B.Jashari/ -Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme nis sesionin vjeshtor. Sezoni nis me mbledhjen e parë të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare nesër dhe me seancën e parë plenare, datën dhe axhendën e së cilës do të përcaktohet. Ndërkohë që tre komisione parlamentare – për integrimet evropiane,  për punët e Jashtme dhe për legjislacion kanë zhvilluar këtë javë mbledhjet e para pas pushimeve të verës.

Përgatitjet për seancë plenare dhe shqyrtimi i propozimeve e kërkesave, janë dy pikat e axehndës së të hënës të Kryesisë dhe të kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, të premtën Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për të informuar deputetët lidhur me marrëveshjet e arritura në 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar Kuvendin që në seancën e parë të tij për këto marrëveshje është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të gjitha marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, shpreh gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Pas kësaj kërkese të Kryeministrisë kosovare, seanca e parë plenare e sesionit vjeshtor e Kuvendit të Kosovës pritet të ketë në axhendë informatën e paralajmëruar edhe më parë nga qeveria kosovare për katër marrëveshjet, të cilat, në 25 gusht, janë arritur në Bruksel në raundin e 28-të të dialogut me Serbinë në nivel të lartë kryeministror.

Isa-Mustafa-dhe-Edita-Tahiri “Në seancën e parë të sesionit vjeshtor do ta informojmë Kuvendin për katër marrëveshjet, të cilat, më 25 gusht, i arritëm në Bruksel”, ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa, pasi ka nënshkruar marrëveshjet.

“Presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Para pushimeve të verës, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror me seancën e jashtëzakonshme të nisur pak para mesnatës së 3 gushtit, që ishte e treta brenda ditës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet drejt krijimit të Gjykatës Speciale.

Derisa qeveria ka vazhduar me punë edhe gjatë verës, pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.

“Marrëveshjet janë arritur dhe janë nënshkruar nga kryeministrat e të dy vendeve, nga unë dhe kryeministri i Serbisë, dhe poashtu nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka theksuar se, këto marrëveshje sikurse edhe dialogu në Bruksel, janë arritur në bazë të bashkëpunimit të ngushtë për një periudhë të gjatë kohore me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të një studimi të thellë që i është bërë të gjitha këtyre dokumenteve, të konsulencës dhe ekspertizës profesionale që e kemi zhvilluar këtu.

“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur ai.

Ne, ka vijuar Mustafa, konsiderojmë se këto marrëveshje kontribuojnë për paqe, për fqinjësi të mirë, për stabilitet rajonal dhe i japin fund ndërhyrjeve të Serbisë në punët e Kosovës, përmes shuarjes së strukturat paralele në veri të vendit, përmes heqjes së pengesave për integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës, në ekonominë e Kosovës dhe në institucionet sociale të Kosovës dhe janë në dobi politike, ekonomike dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.

Marrëveshja për Asociacionin, në harmoni me dokumentin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia

CNRikyXVAAAN_ls“Të gjitha parimet themelore që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e vendit. Mund të them poashtu se kjo marrëveshje është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe është pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia, më datën 25 gusht. Serbia nuk e ka pranuar këtë dokument, por përmes pranimit të kësaj, do të thotë ka pranuar elementet qenësore të këtij dokumenti”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Kryeministri kosovar ka shtuar se, kjo marrëveshje në gjithë rrjedhën e saj i adresohet ligjeve të Kosovës.

“Po ashtu, marrëveshja parasheh që me aktin për themelimin e asociacionit, dhe me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e Statutit për asociacionin, të jepet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjë që prapë argumenton se pala serbe i ka pranuar ligjet e Kosovës, dhe e ka pranuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ka nënshkruar një marrëveshje të tillë”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka thënë se, Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës, poashtu nuk mund të ofroj shërbime për qytetarët, por vetëm ofron shërbime për komunat anëtare të këtij asociacioni.

“Është një strukturë e përbërë nga komunat me shumicë serbe, që veprojnë në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të ndihmojë këto komuna në realizimin e çështjeve lokale dhe në rritjen e efiçiencës së punës së tyre. Marrëveshja mundëson integrimin e serbëve në  institucionet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Ligjet e Kosovës, ka vijuar ai, lejojnë krijimin e më shumë asociacioneve për komunat, prandaj edhe themelimi i këtij asociacioni është në harmoni të plotë me këto ligje, dhe në harmoni të plotë me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

“Përmes themelimit të këtij asociacioni, Kosova e forcon sovranitetin dhe unitaritetin e vet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon sistemin politik të Kosovës me dy nivele, atij qendror dhe lokal, dhe nuk prodhohet asnjë pushtet tjetër jashtë këtyre dy pushteteve.

Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore. Ajo mund të përfitoj nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm dhe nga anëtarësia e komunave, ashtu siç përfitojnë edhe asociacionet tjera.

Asociacioni i nënshtrohet ligjeve të Kosovës, në procedurat e auditimit dhe në procedurat e prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim i këtij Asociacioni, pa marrë parasysh a bëhet nga brenda apo nga jashtë, duhet të bëhet në suaza të dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka shtuar se, Asociacioni poashtu nuk ka karakter njëetnik, siç po paraqitet, sepse përbërja e këtyre komunave nuk është përbërje krejtësisht njëetnike, nga arsyeja se 15 % nga pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë, jetojnë në këto komuna. “Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e Asociacionit”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka përkujtuar se, është përmend këto ditë se Asociacioni ka organet e veta, ka kryetarin e asociacionit, dikush i thotë kryetar dikush president, ka Kuvendin e asociacionit, ka Këshillin Drejtues, ka administratën, dhe këto janë organe të cilat i kanë të gjitha asociacionet tjera.

“Unë kam qenë nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe ne kemi vepruar përmes këtyre organeve. Kemi pasur Statutin tonë, kemi pasur Kuvendin tonë të Asociacionit, kemi pasur Këshillin Drejtues, kemi dhe është administrata e Asociacionit”, është shprehur Mustafa.

Ai ka thënë se, objektivat e Asociacionit janë të nivelit lokal, kryesisht të përkufizuara në rritjen e demokracisë lokale, të përkufizuara në sigurimin e një pamje të plotë të Asociacionit në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e zhvillimit urban dhe rural.

“Dhe kjo nuk duhet ta frikësojë dhe nuk duhet ta shqetësojë asnjërin, sepse është një e drejtë e cila është shumë normale që këto komuna dhe asociacioni i tyre të kujdesen për mbarëvajtjen e tyre. Mirëpo, Asociacioni asnjëherë nuk do të marrë vendim për komunat, por komunat i marrin vendimet vet. Dhe asnjë vendim i Asociacionit nuk është vendim i obliguar dhe nuk do të detyrojë komunat që të veprojnë sipas tyre”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, është paraparë poashtu që Asociacioni mund të ketë pasuritë e saj të tundshme dhe të patundshme dhe mund të jetë bashkëpronar i kompanive që kryejnë shërbime lokale.

“Po e theksoj, kompanive që kryejnë shërbime lokale. Kjo nënkupton se mund të jetë bashkëpronar i kompanive që merren me pastrimin e qyteteve, fshatrave, me mbarëvajtjen e varrezave, me gjelbërim ose hortikulturë, me tregje të qytetit që ofrojnë shërbime për qytetarë, por nuk do të jetë pronare e kompanive publike e as e pasurive natyrore. Pasuritë e tundshme dhe të patundshme që i referohen këtyre parimeve kanë të bëjnë me ndërtesat administrative ose me zyrat administrative të cilat mund t’i ketë Asociacioni dhe ato mund të jenë pronë e Asociacionit, me infrastrukturën teknologjike që mund ta shfrytëzojë, por asgjë më shumë”, është shprehur Mustafa.

Ai ka vijuar se, me Ligjin mbi ndërmarrjet publike në Kosovë është paraparë që ndërmarrjet të cilat kryejnë shërbime në më shumë se tre komuna, te ato Asociacioni ka të drejtë të jap propozimin për një anëtar të bordeve, që nënkupton se edhe Asociacioni ekzistues i komunave të Republikës së Kosovës kryen përgjegjësinë e qeverisjes koorporative të ndërmarrjeve publike lokale, që nënkupton se kryen përgjegjësinë e bashkëpronësisë të ndërmarrjeve publike lokale, sepse nuk mund të kesh të drejtë në qeverisjen e tyre në qoftë se nuk e ke të drejtën e bashkëpronësisë së tyre.

Kosova me kodin telefonik shtetëror 00383

Më tej, kryeministri kosovar ka bërë të ditur se, sa i përket telekomunikacionit, Kosova me marrëveshje e ka marrë kodin telefonik shtetëror 00383 nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit.

“Austria do të aplikojë në emër të Kosovës për të kërkuar në ITU dhe kodi që ne e marrim do të jetë pronë e Republikës së Kosovës. Dhe me këtë do të arrihet që të gjitha kodet ekzistuese që deri më tani i kemi përdorur në Kosovë, 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 00383 dhe do të shlyhen të gjitha kodet tjera të cilat do të jenë të pavlefshme në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se, kemi përfitime të drejtpërdrejta nga kjo marrëveshje, sepse sipas të dhënave që ne i kemi marrë këto ditë, arritja e kësaj marrëveshje do të ndihmojë në kursimet e mjeteve financiare vjetore ndërmjet shtatë dhe tetë milionë euro, që janë kosto direkte e përdorimit të kodeve të huaja shtetërore, ku janë përfshirë edhe kostot e numeracionit dhe trafikut ndërkombëtar.

“Sipas vlerësimeve tona dhe vlerësimeve të auditimit, nga viti 2000 deri në vitin 2014 operatorët tanë, veçmas Vala, ka paguar shpenzime dhe ka regjistruar kosto operative në lartësi prej rreth 200 milionë euro. Ne i kemi shpenzuar këto kosto për përdorimin e kodeve të huaja shtetërore dhe më nuk do t’i kemi këto shpenzime në të ardhmen”, ka theksuar Mustafa.

Kufi  energjetik mes Kosovës e Serbisë

Kryeministri kosovar ka shtuar se, sa i përket marrëveshjes për energjinë, që ka të bëjë me heqjen e pengesave të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së energjisë, vlerësojmë se kjo marrëveshje rikonfirmon kufirin  energjetik të Kosovës me Serbinë dhe është kufi ky i përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit për energjinë.

“Marrëveshja i jep fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Mustafa ka pasqyruar edhe cilat janë tani përfitimete Kosovës nga kjo marrëveshje për energjinë.

“Sipas llogarive të përafërta që janë bërë nga ekspertët që mbulojnë këtë fushë,  përfitimet e drejtpërdrejta do të jenë 25 milionë euro në vitin e parë pasi të implementohet marrëveshja në tërësi dhe në vitet në vijim do të kemi çdo vit nga 5 milionë euro përfitim të drejtpërdrejtë si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje. Përfitimet e tërthorta do të jenë 20 milionë euro për vitin e parë dhe rreth 8 milionë euro për çdo vit në vazhdim, që për kushtet tona flitet për mjete shumë të rëndësishme financiare, që ne, përpos pjesës politike, i kemi arritur me këto marrëveshje”, ka thënë ai.

 Heqja e barrikadave mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë

Kryeministri i Kosovës ka theksuar se, marrëveshje është bërë edhe për heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën Jugore prej asaj Veriore.

“Me marrëveshje jemi përcaktuar që me datën 15 tetor të fillojë lirimi i urës dhe ura të shndërrohet në kantier, në mënyrë që të rikonstruohet me dy rrethrrotullime, njëri në pjesën jugore, tjetri në pjesën veriore, me staza për këmbësorë dhe për biçiklistë, dhe me pjesën në të cilën do të qarkullojnë automjetet e lehta dhe të rënda. E gjithë kjo do të zgjasë deri në fund të qershorit 2016 kur parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet në qarkullim ura mbi Ibër dhe me këtë do ta kemi lidhjen e pjesës jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, ka vijuar ai, poashtu do të arrihen edhe marrëveshjet e domosdoshme ndërmjet dy kuvendeve komunale të Mitrovicës, ndërmjet dy kryetarëve të komunave, lidhur me kufirin që ndan këto dy komuna, sepse ajo është e lidhur edhe me ndërtimet infrastrukturore dhe ndërtimet tjera që do të bëhen në atë pjesë të vendit.

“I vlerësoi shumë të dobishme këto marrëveshje për Kosovën. Edhe njëherë po e nënvizoj se të gjitha këto marrëveshje janë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, dhe s’ka arsye asnjëri të shqetësohet”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Opozita kosovare është shprehur kritike e kundër të katër marrëveshjeve, veçmas asaj për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke organizuar edhe “aksone simbolike” e paralajmëruar edhe protesta. Fjalori i ashpërsuar i opozitës dhe pozitës në “replikat” në distancë pritet edhe seancën e Kuvendit të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, informim, kater marrveshjet, Kuvendi, seanca e pare

Sqarim i Zyrës së Presidentes

September 12, 2015 by dgreca

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik se shkrimi në portalin Telegrafi.com me titullin “Presidentja vet e 11-ta në Amerikë” është plotësisht i pavërtetë dhe i bazuar në insinuata.

Presidentja Jahjaga nuk do të jetë me një delegacion super të madh në javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së por me një numër, si zakonisht të arsyeshëm dhe të vogël të ekipit të saj edhe politik edhe mbështetës. Në ekip do jenë vetëm 2 këshilltar politik, që është minimumi marrë parasysh javën dinamike gjatë Asamblesë së përgjithshme të OKB-se. Thirrja në burime anonime dhe të pakonfirmuara, që flasin për telegrafi.com, shtrembërojnë faktet, keqinformojnë opinionin publik dhe inskenojnë situata të paqena përmes ofrimit  të informacioneve të rrejshme që nuk kanë asnjë bazë të vërtetësisë.

Presidentja Jahjaga gjatë gjithë mandatit të saj ka treguar kujdesin dhe respektin më të madh në shpenzimin e parasë publike dhe edhe njëherë theksojmë se për vite me radhë Zyra e Presidentes ka bërë kursime çdo vit nga mbi 20 për qind te buxhetit të saj që është rreth 1 milion e 700 mijë euro. Zyra e Presidentes e konsideron se shkrimet e këtilla bazuar në burime të paverifikuara, janë qëllimkëqija, të rrejshme dhe plotësisht denigruese.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Zyrës së Presidentes, sqarim

Kosovo secures support from a record number of countries for the accession process in UNESCO

September 12, 2015 by dgreca

Kosova drejt UNESCO-s, kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria/

Prishtina, 12 September 2015 – The Ministry of Foreign Affairs of the Republic of Kosovo held an extraordinary conference today where Deputy Foreign Minister Petrit Selimi revealed new details on the process of Kosovo’s membership in the United Nations Organization for Education, Science and Culture (UNESCO), after the inclusion of Kosovo’s application for membership on the agenda of UNESCO’s Executive Board signed by a record number of member states.
Foreign Minister Selimi said that Kosovo has applied for membership in UNESCO this summer via New York, in accordance with the recommendations from the respective UN agency. Selimi stressed that “the UN in New York has authorized the UNESCO with its mechanisms to lead the process independently” and added that UNESCO’s Director General, Irina Bokova has now passed Kosovo’s application to the Executive Board. This development, according to Selimi, has opened the door for Kosovo’s inclusion on the agenda of the Executive Board.Kosovo has already secured votes from 19 member states of the Executive Board, which is a good news given that the country will need a simple majority in the Board which would then enable the voting process in the General Assembly of UNESCO.

“Kosovo’s request has been submitted by Albania and is signed by 44 UNESCO member states which is a record number of co-sponsors in the recent history of UNESCO”, Selimi said. Deputy Foreign Minister recalled that the Executive Board of UNESCO will consider Kosovo’s application for membership on October 3rd, while the General Assembly of UNESCO is expected to vote in the first week of November where the country will need two thirds of the vote for admission to this UN agency.

****

Kosova drejt UNESCO-s, kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria/

 PRISHTINË, 12 Shtator /ATSH-Behlul Jashari/.-Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaroi sot Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi i pyetur nga ATSH tha se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.

“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksoi zv/ministi i Jashtëm kosovar, Selimi.

“Ambasadorja në delegacionin e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare ka luajtur një rol thelbësor. Ekipet tona, imi dhe i saj, kanë qenë të ngjizura, prej tre muajsh kemi kontakt ditor, madje gati çdo orë, sidomos në periudhën e fundit dyjavore, kur për shkak të mosqasjes së Kosovës në UNESCO, Shqipëria ka marrë një rol shumë aktiv të mbledhjes së nënshkrimeve”, tha Selmi.

Më tej në deklaratën për ATSH, numri dy i MPJ-së kosovare për ambasadoren Kadare vlerësoi se është “një diplomate që ka emër, eksperiencë dhe reputacion të mirë, është zëvendëspresidente e Komitetit Ekzekutv dhe si e tillë mund të them se ka luajtur një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara”.

Zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi shpalosi detaje të reja rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën -UNESCO, pas futjes se kërkesës së Kosovës për anëtarësim në axhendë të Bordit Ekzekutiv, të nënshkruar nga një numër rekord i shteteve anëtare.

Zv/ministri Selimu u shpreh se Kosova ka aplikuar për anëtarësim gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vetë agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.

“OKB-ja në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, tha ai. Selmi bëri të ditur se drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellë më tej aplikimin e Kosovës në Boordin Ekzekutiv të UNESCO-s. “Ky zhvillim ka hapur dyert që Kosova të futet në axhendën e Bordit Ekzekutiv”, tha ai.

MPJ kosovare thekon se, Kosova tani ka siguruar votën e deklaruar haptas nga 19 shtete anëtare, e kjo bën një lajm pozitiv marrë parasysh se në Këshillin Ekzekutiv vendit do t’i duhet shumica e thjeshtë për t’u votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s.

Selimi rikujtoi se Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në 3 tetor, ndërsa Asambleja e Përgjithëshme e UNESCO-s pritet të votojë në javën e parë të nëntorit, me ç’rast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin e Kosovës në këtë agjenci të OKB-së.

Filed Under: Kronike Tagged With: a record number of countries, Kosovo secures, Petrit Selimi, support from

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 353
  • 354
  • 355
  • 356
  • 357
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT