Dy gra franceze dhe 4 shqiptarë kanë rënë në rrjetën e agjentëve të fshehtë të Policisë kufitare, pasi ata trafikonin shqiptarë që kërkonin të kalonin nga Franca për në Britani përmes Portit të Kalesë (Calais).
Ky rrjet ka dërguar rreth 100 shqiptarë për në Britani, së fundmi, duke u marrë nga 5 mijë stërlina secilit për hipjen e tyre në mënyrë klandestine nëpër maune, që mbërrinin në terriorin britanik. Hetimi ndaj këtij rrjeti kriminal ka zgjatur 5 muaj dhe dy francezët jetonin me 4 shqiptarët, të cilët mendohet se kanë qenë truri i kësaj skeme trafikimi, që ka filluar të operojë në fillim të këtij viti. Sipas burimeve policore, të cilave u referohet tabloidi britanik “the Daily Mail”, trafikantët operonin në bashkëpunim me shoferët e mauneve, të cilët paguheshin me parà në dorë (cash) për çdo emigrant, që hipte në pikat e pushimit nëpër autostrada dhe më pas transportoheshin fshehurazi nga Franca për në Britani, të cilët më tej priteshin në territorin britanik nga bashkëkombas të tyre, që jetojnë në ishull.
Nuk janë vetëm rrjetet shqiptare të trafikantëve, por njoftohet edhe për grupe kriminale britanike, që organizojnë trafikimin jo me maune e kamiona, por me automjete me targa angleze dhe makina të tonazheve të vogla, për t’iu ikur dyshimit nga policia.
Pavarësisht situatës së nderë në portin francez të Kalesë (Calais), vazhdojnë të vijnë çdo ditë me dhjetëra shqiptarë në Britani në mënyrë ilegale, ku shumë prej tyre tashmë vijnë nga Gjermania, apo edhe shqiptarë të rikthyer më parë në Shqipëri apo Kosovë, nga Britania.
Edhe pse autoritetet britanike të emigracionit kapin jo pak emigrantë ilegalë, mendohet se një numër më i madh të rinjsh dhe minorenësh arrijnë që të depërtojnë në terroritin britanik.Sh.K
Top 10: Pasaportat Botërore më të vlefshme për të udhëtuar pa viza
NEW YORK (12 Gusht 2015) : Indeksi Kufizimet Henley & Partners -“The Henley & Partners Visa Restrictions Index” simbas portalit Infografiks – ka nxjerr rezultatin e 10 pasaportave më të vlefshme në të gjithë botën- ku njerëzit udhëtojnë pa regjimin e vizave. Kjo thuhet se është një renditje vjetore globale i vendeve në përputhje me lirinë e udhëtimit që qytetarët e tyre nuk u duhet viza për në asnjë vend të botës.
Kjo renditje simbas Infografiks – është marr duke analizuar rregullat e vizave të të gjitha vendeve dhe territoreve në botë, duke paraqitur një indeks i cili renditet çdonjërin vend nga numri i vendeve të tjera që qytetarët e tyre mund të udhëtojnë kudo nëpër botë pa pasur nevojë për të marrë një vizë – pa iu nënshtruar rregjimit të vizave.
Vende me rezultatin më të lartë janë renditur në vendin e parë, në bazë të një koficienti me pikë./B.S/
1. 174 Pikët
Finlandë
Gjermani
Suedi
SHBA
Angli
2. 173 Pikët
Kanadë
Danimarkë
3. 172 Pikët
Belgjikë
Francë
Itali
Japoni
Korea e Jugut
Luksemburg
Holandë
Portugali
Spanjë
4. 171 Pikët
Austri
Irlandë
Norvegji
5. 170 Pikët
Zelanda e Re
Singapor
Zvicra
6. 169 Pikët
Greqi
7. 168 Pikët
Australi
8. 166 Pikët
Malajzia
Maltë
9. 165 Pikët
Islandë
10. 162 Pikët
Czezh Republika
Hungari
Tetovë, një javë pas përmbytjeve fillon vlerësimi i dëmeve
Një javë pas përmbytjeve që goditën rajonin e Tetovës, në zonat e prekura ka filluar të bëhet vlerësimi i dëmeve. Anëtarët e komisionit për vlerësim thonë se, po bëjnë regjistrimin e të gjitha dëmeve, me qëllim që të mos mbetet asgjë pa u kompensuar. Ata kërkojnë nga banorët t’iu paraqesin të gjitha dëmet që kanë pësuar.
“Ekipet tona kanë për detyrë të kryejnë vlerësimin e dëmeve, që kanë pësuar shtëpitë, makinat dhe gjërat e tjera. Shpresoj që brenda ditës së sotme, të mund të evidentojmë dëmet në Reçicë të Vogël, ndërsa duke nisur nga e hëna, pasi të pastrohet terreni, do të bëjmë regjistrimin e dëmeve edhe në fshatin Shipkovicë. Për gjithçka që është dëmtuar duhet të informohen ekipet vlerësuese. Edhe nëse diçka është larguar nga vendi ku është dëmtuar, mjafton që banorët të na njoftojnë për dëmin”, tha Deni Gjorçevski, përfaqësues i Byrosë për ekspertizë gjyqësore.
Sipas të dhënave të para, nga përmbytjet janë dëmtuar 500 shtëpi dhe dhjetëra makina, ndërsa dëme kanë pësuar edhe tokat bujqësore. Shteti premton se do të kompensohet i gjithë dëmi, por banorët janë skeptikë pasi – sipas tyre, – evidentimi i dëmit në terren nuk po bëhet si duhet.
“Ne kemi pësuar një dëm prej rreth 10 mijë eurosh. Ekspertët thonë që vendi duhet të pastrohet, kurse nga komuna thonë se nuk duhet të pastrohet. Këtu kanë qenë kompjuteri, televizori, kuzhina dhe gjëra e tjera që kanë pësuar dëme. Nuk po dimë çfarë të themi, sepse ata nuk e pranojnë atë që themi ne”, tha një banor. Në terren kanë dalë edhe ekipet e Institutit për Mbrojtjen Shëndetësore, për të kryer dezinfektimin e vendbanimeve, që u prekën nga përmbytjet. Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë se janë marrë të gjitha masat kundër epidemive.Sh.K
Kosova, përgatitje teknike dhe lobuese për procesin e anëtarësimit në UNESCO
– Thaçi u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s. Selimi takon ambasadorët e Kuintit-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Gusht 2015/ Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës po vazhdon me përgatitjet teknike dhe lobuese për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).
Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, është takuar sot me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Kuintit në Kosovë në vazhdën e konsultimeve gjithëpërfshirëse rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO si dhe në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në takim u diskutuan sfidat dhe strategjitë e përbashkëta të komunikimit, nevoja që Republika e Kosovës të vazhdojë të respektojë standardet më të larta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore si dhe aspekte të tjera teknike të procesit të anëtarësimit.
Ambasadorët e Kuintit konfirmuan mbështetjen e tyre të plotë Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESCO. Javën që shkoi zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s për t’i informuar rreth mbarëvajtjes së procesit dhe për të kërkuar votën e tyre në takimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të zhvillojë punimet në tetor si dhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor të këtij viti.
Kohë më parë, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO ndërsa do të përmbyllë aplikimin në disa organizma të tjerë të rëndësishëm multilateralë deri në fund të këtij viti.
Në 17 korrik, MPJ kosovare bënte të ditur se, Kosova sapo kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, agjencionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë, ndërsa anëtarësimi pritet në nëntor.
QEVERIA PER SIGURINE E KOSOVES
PRISHTINË, 11 Gusht 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik lidhur me pretendimet e prezantuara nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), përmes një hulumtimi të opinionit publik në lidhje me besueshmërinë ndaj institucioneve në çështjet e sigurisë.
Qeveria e Kosovës sqaron opinionin publik se të gjitha dikasteret relevante të Qeverisë së Kosovës, dhe bartësit e tyre, janë të angazhuara plotësisht në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në territorin e Kosovës.
Udhëheqësit më të lartë të Qeverisë së Kosovës janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e thirrura për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë, për të bashkërenditur veprimet me qëllim të garantimit të sigurisë në vend.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka bashkëpunim dhe koordinim të afërt me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të luftuar çdo formë të mundshme të cenimit të rendit dhe të sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.
Në këtë kontekst, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar maksimalisht, duke qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e të gjitha formave të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Andaj, përtej perceptimeve të plasuara nga anketat apo format e tjera të hulumtimeve të pjesshme, Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Kosovës se institucionet e shtetit janë në nivel të detyrës së tyre për ruajtjen e plotë të rendit dhe të sigurisë në vend./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 369
- 370
- 371
- 372
- 373
- …
- 599
- Next Page »