PRISHTINE, 4 Shkurt/-Shkarkimi i djeshëm i ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq ka bërë që të mërkurën në sheshin Skënderbeu të dalin vetëm dhjetëra protestues.
Sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress, askush nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të AAK-së dhe Nismës, nuk ishin sot në shesh. Në protestë morën pjesë disa qytetarë që kësaj radhe kërkonin më shumë se shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.
Qytetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ranë dakord që protesta tjetër të jetë të shtunën me 7 shkurt, ndërsa nesër do të listojnë kërkesat. Rron Gjinovci, i cili kishte dalë si qytetarë në këtë protestë, tha se ka qenë e qartë që protestat që janë mbajtur deri tani nuk kanë qenë vetëm kundër Jabllanoviqit, që sipas tij, shkarkimi i Jabllanoviqit nuk ka ndryshuar diçka në këtë aspekt. “Unë nuk po mendoj që qytetarët dolën në protesta vetëm për Jabllanoviqin, por kanë dal për ato pamje që ne shohim çdo natë që ju po i raportoni, që kaë të bëjnë me largimin e njerëzve nga Kosova. Mendoj se ka plot arsye për të vazhduar protestat”, tha Gjinovci.
Të shtunën pritet të mbahet protesta e radhës, e cila do të jetë e organizuar nga shoqëria civile dhe qytetarët Ndërsa, protesta e paralajmëruar për sot kundër Aleksandër Jabllanoviqit dhe sjelljen e ligjit për Trepçën, u anulua me arsyetimin se kërkesa e parë u realizua.
BE: Shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Duke komentuar valën e fundit të migrimit ilegal nga Kosova, Zyra e BE-së po ashtu ka thënë se “kosovarët rrezikojnë të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, vetëm për t’u rikthyer në Kosovë”.
Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, përfaqësia e Bashkimit Evropian ka thënë se nuk është në interes të Kosovës “nëse numri i kërkesave për azil në BE, nga shtetas kosovarë, vazhdon të rritet”.
Zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë, por edhe njohës të fushës kanë shprehur po ashtu shqetësimet e tyre për ndikimin e këtij problemi në procesin e liberalizimit të vizave.
Në të njëjtën kohë, ata kanë thënë se pa zhvillim ekonomik të Kosovës, migrimi do të jetë vështirë të ndalet.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.
Pasojat e përmbytjes në Shqipëri
…Pasojat e përmbytjes janë edhe këto bagëti të ngordhura/
Përmbytjet e fundit në disa qarqe të vendit janë me pasoja të rënda në ekonomitë e vogla të fermerëve. Shumë bagëti nuk kanë mundur të shpëtohen as nga vetë banorët e as nga grupet e shpëtimit. Fotografia që shihni është marrë nga një fshat i Fierit…., ku dalja nga shtrati e Vjosës shkaktoi një përmbytje që siç thonë banorët kanë vite pa e parë. Ministria e Bujqësisë dhe kryeministri Rama kanë premtuar dëmshpërblim të të gjithë banorëve të prekur nga kjo katastrofë natyrore. Pritet që nesër të vijë një tjetër valë reshjesh të dendura, cka do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën.
EMRI I KRYEPESHKOPIT JANULLATOS, KANDIDAT PER PRESIDENT I GREQISE?!
Janullatos: Kam detyrë kishtare, nuk mund të marr poste politike
TIRANË, 3 Shkurt/-Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka deklaruar të martën se nuk do të pranojë propozimin për marrjen e një detyre politike, duke theksuar se ai e ka një detyrë kishtare.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Thoma Dhima thekson: “Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i pyetur nga gazetarë të ndryshëm, si në Greqi ashtu edhe brenda vendit, lidhur me lajmet e përhapura gjerësisht mbi propozimin e tij për president të Greqisë, u përgjigj në mënyrë lakonike: “Hierarku orthodhoks ka një detyrë të caktuar kishtare. Ai nuk mund të marrë poste politike.”
Mediat shqiptare kanë bërë të ditur se Kryeministri i grek, Aleksis Cipras ka propozuar emrin e zotit Janullatos si President ri i Greqisë.
Qeveria e Kosovës shkarkon ministrin serb Jabllanovic
Jabllanoviq nuk e ka pranuar vendimin për shkarkimin e tij/
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar nga detyra ministrin serbe Aleksandër Jabllanovic. Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga Kryeministri Isa Mustafa. Mustafa ka thënë se Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës Jabllanovic nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar, por nuk ka bërë me dije nëse e ka shkarkuar atë apo ka dhënë dorëheqje.
Ministri që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, u vu në qendër të tubimeve popullore në Kosovë pas fyerjeve që bëri në adresë të grave kosovare që protestuan disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminsitrit serb në Kosovë, Aleksandar Vuçiç, duke i quajtur ato “egërsira”.
“Nga sot, ministri Jabllanoviç nuk bën më pjesë në kabinetin qeveritar”, ka deklaruar Mustafa.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, shefi i qeverisë ka prekur edhe çështjen tjetër të nxehtë, atë të ndërmarrjes së Trepçës. “Për pasurinë tonë nuk debatojmë me të tjerë”, ka thënë ai. Duke kaluar në problematika të tjera, për të cilat në javët e fundit ka pasur edhe protesta, Mustafa ka thënë se janë probleme të trashëguara të cilat kërkojnë kohë të zgjidhen.
“Ditët e fundit jemi ballafaquar me greva dhe protesta të ndryshme. Më duhet të them se nuk jemi në gjendje të përballojmë rritjen e pagave, duhen edhe 130 milionë euro në buxhet, të cilat nuk i kemi”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se pagat në Kosovë nuk janë të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit, duke vënë në dukje se ato janë mbi mesataren e pagave në Ballkan, përkatësisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Jabllanoviq nuk e pranon vendimin për shkarkimin e tij
Prishtinë, 3 shkurt 2015 – Aleksandar Jabllanoviqi ka thënë se nuk e pranon vendimin e kryeministrit Isa Mustafa për shkarkimin e tij nga posti i ministrit dhe se gjatë ditëve në vijim do të shohin se si do të veprojë Lista Srpska.
Ai ka thënë se do të vazhdojë takimet me kryeministrin Isa Mustafa, duke thënë se shpreson se nesër nuk do të ketë protestë në Prishtinë.
“Gjatë ditëve në vijim do të shohim se si do të funksionojë koalicioni qeverisës i Listës Srpska me PDK-në dhe LDK-në”, tha ai për Klan Kosova.
- « Previous Page
- 1
- …
- 421
- 422
- 423
- 424
- 425
- …
- 599
- Next Page »