Ministria e Kulturës bëri sot publike detajet dhe mënyrën se si do të jetë e organizuar vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, më datë 21 Shtator 2014, një ditë kjo e veçantë dhe historike për shqiptarët.
Në këtë kontekst është hartuar e vënë në zbatim një plan i posaçëm masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë dhe të gjithë institucionet e përfshira me përgjegjësi për sigurinë e vizitës së Papës në Shqipëri.
Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit.
Policia e Shtetit bën me dije publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës.
Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.
Lëvizja e automjeteve që do të transportojnë pelegrinët
Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen tek Sheshi Shqiponja përmes Unazës së Re, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori”, ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.
Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.
Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së madhe dhe më pas tek Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.
Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet tek Fakulteti Filologjik.
Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyj në qytet.
Lëvizja e qytetarëve që do të marrin pjesë në aktivitet
Në të gjithë perimetrin që rrethon Sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Sheshin Nënë Tereza janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje.
U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave do të shoqërohen në Komisariatet e policisë.
Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore.
Lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq
Aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 10:30.
Të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në ora 19:00.
Aksi Bubq – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 17:00 deri në 20:30.
Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas.
Asistenca mjekësore
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin ”Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në mënyrë që qytetarët të asistohen nga:
Çadra me staf mjekësor të specializuar
15 ambulanca
helikopter mjekësor
dy qendra mjekësore të ndihmës së shpejtë do të ngrihen në Pallatin e Kongreseve dhe përgjatë Blv „Dëshmorët e Kombit”
vullnetarë në pikat e ujit përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit;
vullnetarë me çanta uji përgjatë Blv „Dëshmorët e Kombit;
Në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit” dhe përreth tij do të vendosen 60 tualete të lëvizshme, me akses edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Vullnetarët, e vendosur përgjatë gjithë bulevardit „Dëshmorët e Kombit” do t’i identifikoni nga shenjat dalluese (bluza dhe baxha).
Ekrane LIVE
Ardhja, takimet dhe Mesha e shenjtë që do të mbajë Papa Françesku do të transmetohen LIVE në ekrane të vendosur përgjatë gjithë Bulevardit „Dëshmorët e Kombit”, sheshi „Nënë Tereza” dhe Pallatit të Kongreseve.
Pallati i Kongreseve do të transformohet në një qendër mediatike ku agjencitë ndërkombëtare të medias të akredituara për këtë vizitë do të transmetojnë LIVE vizitën e Papa Françeskut.
Programi i vizitës së Papa Françeskut në Tiranë
Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Nënë Tereza”, shoqëruar nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj.
Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë një fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmesore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni
Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.
Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.
Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.
Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.
Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në meshë, duhet të afrohen drejt sheshit para orës 09.00. Pas kësaj ore do të jetë e pamundur hyrja në Sheshin ”Nënë Tereza”. Meshën mund ta ndjekin të gjithë.
Sheshi “Nënë Tereza” është një hapësirë e limituar për arsye sigurie, ku vendi i pjesëmarrjes do të jetë i përcaktuar nga Kisha dhe autoritetet e protokollit të Shtetit.
Përgjatë Bulevardit mesha mund të ndiqet nëpërmjet ekraneve që transmetojnë direkt.
Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e qetë dhe sigurinë përgjatë gjithë ditës, jo vetëm në zonën e qendrës, por në të gjitha vendet ku do të zhvillojë takime Papa Françesku.
Për qytetarët janë vënë në dispozicion dy numra:
Numra emergjence: Telefononi në numrin 129 për të gjitha rastet kur do të konstatohet diçka të dyshimtë.
Telefononi për ndihmë mjekësore në numrin 127 dhe 042222235(Kortezi ATSH-Almarina Gegvataj)
Arrestohen 12 imamë në Kosovë dhe të tjerë
* Shefqet Krasniqit iu gjetën edhe dokumente të Serbisë/
* Thaçi Naim Tërnavës: Jep dorëheqje/
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Urdhër bastisje dhe ndalim dhe pas vendimit të Gjyqtarit të procedues paraprake të Gjykatës Kompetente, sot është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës, me ç’rast janë bastisur dhe janë arrestuar 15 persona.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.
“Pas veprimeve të ndërmarra sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
====
Kush janë 12 imamët e BIK’ut që u arrestuan sot
Policia e Kosovës ka kryer të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit një aksion policor në tërë vendin, në ndjekje të personave të dyshuar për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe përçarjes kombëtare, që bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Derisa vazhdon aksioni policor, deri më tani janë arrestuar 13 persona, prej tyre përveç liderit të partisë islamike LISBA, Fuad Ramiqit, të tjerët janë hoxhallarë nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.
Më poshtë lexoni emrat e të gjithë të arrestuarve deri në këto momente, të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe shkuarjes të të rinjve nga Kosova për të luftuar “në emër të Zotit” përkrahë organizatave terroriste ISIL dhe Al Nusra.
1. Sabahudin Selimi,
hoxhë nga Vitia.
2. Enes Goga,
kryeimam në Këshillin e Bashkësisë Islame (BIK) në Pejë.
3. Eroll Nesimi,
hoxhë dhe administrues i poratalit perkujtimi.net
4. Idriz Bilibani,
hoxhë i komunitetit boshnjak dhe administrator i portalit stazomislama.com
5. Leonard Ruli,i vetëquajturi Ebu beker Ruli, hoxhë nga Prizreni.
6. Dardan Gjuka,
imam nga Peja, ligjërues në radio radio-udhezimi.com
7. Shefqet Krasniqi,
i lindur më 20.6.1966, në fshatin Sibovc të Obiliqit, ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, njëherësh edhe imam në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
8. Shefki Koraçi,
imam në Kaçanik.
9. Mazllam Mazllami,
jeton në Prizren, imam në xhaminë e “Jeni Mahallës”.
10. Bedri Robaj,
imam në xhaminë e improvizuar në lagjen Dardani të Prishtinës.
Ajo është jashtë juridiksionit të BIK-ut. Xhamia pa emër e vetëm me mbi shkrimin “XHAMI”, gjendet në lokalet e Ndërmarrjes Shoqërore (NSh) “Auto-Prishtina”, ndërsa qiraja e hapësirës financohet nga Fatos Rizvanolli, biznesmen nga Peja.
11. Ekrem Avdiu,
i lindur më 18 Korrik të vitit 1971, në qytetin e Mitrovicës, aktualisht imam dhe ligjërues në xhaminë e lagjes ‘Tavnik’ dhe është anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës.
12. Enis Rama,
i lindur më 12 Qershor 1976, në qytetin e Mitrovicës, jeton dhe vepron në Mitrovicë, ku mban edhe ligjërata të rregullta javore si imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë, si dhe është kryeredaktor në televizionin Peace TV Shqip.
13.Fuad Ramiqi,
i linduar më 26 mars 1960, në Pozharan komuna e Vitisë. Aktualisht kryetar i Lëvizjes Islame Bashkohu – LISBA.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit njësiti antiterrorist ka filluar operacione policore në tërë Kosovën, dhe se ka arrestuar disa persona të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe përçarjes kombëtare – vepra penale që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për lajmi.net se operacioni policor po ndodh në disa rajone të Kosovës, dhe se janë arrestuar disa të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar. Ai ka thënë se derisa operacioni është ende duke vazhduar, Policia nuk mund të jep detaje të tjera rreth këtyre arrestimeve.
====
Të arrestuarit, Shefqet Krasniqi dhe Fuad Ramiqi, po intervistohen
Burime të Policisë së Kosovës, kanë konfirmuar arrestimin e Shefqet Krasniqit dhe Fuad Ramiqit.
Poashtu, të njëjtat burime, pohojnë se Krasniqi dhe Ramiqi, janë duke u intervistuar.
====
Përpos imamit Shefqet Krasniqi nga Prishtina e Enes Goga nga Peja, arrestime imamësh ka pasur sot edhe në Mitrovicë.
Siç konfirmoi Policia e Kosovës, operacioni policor përfshin disa rajone në Kosovë.
Mësohet se arrestime të imamëve ka pasur mëngjesin e së mërkurës edhe në Mitrovicë.
Policia në këtë rajon ka arrestuar imamin Enis Rama, imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë dhe kryeredaktor i televizionit ‘Peace TV’ në shqip.
Një tjetër emër i njohur pos tij është edhe Ekrem Avdiu, që, aktualisht shërben si imam dhe ligjërues i xhamisë në lagjen Tavnik njëkohësisht është anëtar i BIK-ut në Mitrovicë.
====
Sot në mengjes është arrestuar në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, hoxha Ekrem Avdiu.
Këto burime kanë treguar se arrestimi është bërë në shtepinë e tij.
Policia e Kosovës në aksionin e saj ka arrestuar edhe imamin e Pejës Enes Goga
Burime të lajmi.net nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, kanë bërë të ditur se të mërkurën në mëngjes është arrestuar krye-imami i Pejës, Enes Goga.
Motivet e këtij arrestimi janë të njëjta me të Krasniqit; nxitja e urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizmi Islam.
====
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është arrestuar të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës. Ndër të arrestuarit mësohet se është edhe drejtuesi i partisë LISBA, Fuad Ramiqi.
Sipas burimeve të lajmi.net, sot (e mërkure) para pak çastesh Policia e Kosovës ka vënën nën arrest imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin.
Motivet e këtij arrestimi nga policia, kanë qenë nxitja e urrejtjes ndërfetare e ekstremizmi Islam.
Ndryshe, para një muaji, janë arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra, duke kryer me këtë vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Shefqet Krasniqit iu gjetën edhe dokumente të Serbisë/
Policia e Kosovës, gjatë bastisjes të shtëpisë së Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, përveç parave kanë konfiskuar edhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.
Në shtëpinë e Krasniqit, i cili gjatë një aksioni të gjerë policor në shkallë vendi, u arrestua të mërkurën së bashku me 11 imamë të tjerë, janë konfiskuar 8 mijë euro kesh, mbi 7 mijë franga zvicerane, 2 mijë e 300 dollarë, denarë – shuma e të cilave nuk dihet, monedha arabe, rupi të Pakistanit, si dhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.Imami, njëherësh ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, në fillim të këtij muaji, pas arrestimit nga policia dhe intervistimit nga prokuroria, ishte liruar pas disa orësh, për tua arrestuar sërish sot, kësaj radhe me shumë kolegë, si të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar, përçarjes kombëtare dhe veprimtari të tjera që bien ndesh me sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Krasniqi, prej kohësh njihej në opinion me ligjëratat e tij nxitëse të ekstremizmit fetar ndër shqiptarë, të cilët, qoftë myslimanë, të krishterë a ortodoks, historikisht njihen për bashkëjetesë dhe tolerancë fetare.
Thaçi Naim Tërnavës: Jep dorëheqje
Eksperti i arsimit, Jusuf Thaçi, i ka quajtur hipokrizi të pështira, deklaratat e BIK’ut të Naim Tërnavës se askush nuk është mbi ligjin.
Në vend të deklaratave që ai i quan hipokrizi të pështira, ai i bën thirrje Tërnavës të japë dorëheqje, duke i thënë se heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve, ndërsa dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve.
Këto komente ai i ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Me gjithë sugjerimet e shumë miqve që për shkak të ndjeshmërisë së temës të mos shprehem publikisht, megjithatë nuk po më zë vendi-vend pa e thënë qëndrimin tim në lidhje me zhvillimet e sotme rreth arrestimit të disa imamëve e zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe qëndrimit të BIK-ut në lidhje me këtë.
Andaj po i drejtohem publikisht kryetarit të BIK-ut, z. Naim Tërnava.
Z. Tërnava, sot u arrestuan më shumë se 10 imamë të xhamive (kryesore) e zyrtarë të BIK-ut, pra punëtorë dhe vartës tuaj. Qëndrimi zyrtar neutral i BIK-ut me fraza demagogjike “askush mbi ligjin” shpërfaqë një hipokrizi të pështirë që nuk i ka hije një institucioni, që para së gjithash do të duhej të ishte institucion moral.
Jo ore zotëri, merrni kurajon dhe:
– Nëse besoni në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e mbroni publikisht dhe mobilizoni të gjitha burimet profesionale e financiare të BIK-ut për t’i mbrojtur ligjërisht të arrestuarit, pavarësisht presionit publik, medial e politik.
– Nëse besoni në fajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e denonconi publikisht dhe jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të paaftësisë tuaj për të parandaluar kryerjen e veprave ligjërisht të dënueshme nga vartësit tuaj.
– Nëse nuk keni qëndrim (nuk besoni as në fajësinë e as në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar), atëherë jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të papërgjegjshmërisë tuaj, si person që e udhëhiqni BIK-un për gati një dekadë e nuk i njihni ende vartësit tuaj.
Z. Tërnava, heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve! Dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve!
P.S: Për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe mundësisë së shtrembërimit të mesazhit tim, nuk do të lejoj komente emocionale në këtë postim, as pro as kundër askujt!” ka shkruar Thaçi në Facebook.(Kortezi: Gazeta “Bota Sot”
Ndërron jetë Kico Fotiadhi
Ndërron jetë spikeri i parë shqiptar/
Ka ndërruar jetë në moshën 74 vjeçare folësi i parë i lajmeve në Televizionin Shqiptar, Kiço Fotjadhi. Ai ka marrë frymë për herë të fundit në banesën e tij në Tiranë. Mësohet se Fotjadhi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Ai mbante titullin “Naim Frashëri i artë”. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta është konfirmuar nga të afërm e familjarë të spikerit 74 vjeçar.
Papa përshëndet shqiptarët: Vuajtën regjimin e tmerrshëm ateist, shembull i tolerancës
Dy ditë nga vizita e tij në Shqipëri, Papa Francesku ka përshëndetur sot gjatë meshës shqiptarët dhe është shprehur se ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë si një popull që ka vuajtur për një kohë të gjatë nga regjimi i tmerrshëm ateist.
Papa ka falenderuar popullin shqiptar për përgatitjet me rastin e vizitës së tij, ndërsa i ka vlerësuar shqiptarët si shembull i tolerancës fetare.
“Të dielën, me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes popullin shqiptar dhe i falenderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, tha Papa.
Papa Francesku mbërrin të dielën rreth orës 9:00 në Tiranë, në një vizitë historike përgatitjet për të cilën kanë nisur 2 muaj më parë.
17 shtator 2014
Finalizohet stërvitja e përbashkët “Imponimi-2014”
Nga Shefqet Kërcelli/
Sot paradite, data 17 shtator, nga ora 09.00 deri më 14.00, në rajonin e Gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja e përbashkët “Imponimi-2014”. Qëllimi i kësaj stërvitje ishte bashkërendimi i veprimeve të Forcës Detare, Forcës Ajrore dhe Trupave Speciale në realizimin e operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë detare. Stërvitjen “Imponimi-2014” e ndoqi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral-major Jeronim Bazo, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral-brigade Qemal Shkurti, Komandanti i Policisë Ushtarake, Kolonel Xhevdet Zeneli, etj. Për zhvillimin normal të stërvitjes u zhvilluan dy konferenca paraprake nga kordinatorë t e FD, FA dhe Batalionit Special. Kështu në stërvitje morrën pjesë 4 anije të Flotiljes Detare Pashaliman, konkretisht anija P-132 Oriku, Anija P-134, Butrinti, Anija P-116, Bora, Anija P-02, Mati, bashkë me dy gomonet e anijeve Oriku dhe Butrinti, Forcat Ajrore kishin një helikopter Cougar 633 dhe një helikopter BO-105, ndërsa Forcat Speciale me një skuadër të trupave të saj. Gjatë stërvitjes u zbatuan dy skenarë të përcaktuar më parë. Fillimisht mjete të Rojes Bregdetare{RB} në përbërje të Forcës Detare, përkatësisht P-116, P-02, Oriku dhe Butrinti kërkojnë dhe tentojnë të kapin një mjet me lëndë narkotike pranë rajonit Kala-Radhimë, por nisur nga rrezikshmëria e lartë dhe të shtënat me armë nga skafi me drogë , në ndihmë të mjeteve të RB vijnë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Kështu këto mjete duke bashkë renduar veprimet me njëra tjetrën bënë të mundur neutralizimin e mjetit dhe personave trafikantë .Në skenarin 2 të stërvitjes u realizuan veprime praktike për kryerjen e një bordimi jo-konsesual të Motonavës “Pafata”, e cila është marrë peng nga një grup terroristësh të cilët po e detyrojnë anijen dhe ekuipazhin e saj të lundrojnë drejt Portit të Vlorës. Për neutralizimin e terroristëve u jepet urdhër anijeve të gatëshme P-116 në Sazan dhe P-132 në bazën e Pashalimanit për të bllokuar anijen”Pafata”.Gjatë bordimit terroristët ju kundërpërgjigjën me armë grupeve tona të bordimit, kështuqë ju kërkua ndihmë Trupave tona Speciale, të cilat mbrritën menjëherë ne vëndngjarje. Duke u kordinuar veprimet det-ajër u bë i mundur kontrolli i Urës së Komandimit nga trupat speciale dhe shpëtimi i pengmarësve në anije. Veprimet të shkathta, të shpejta e eficente të trupave tona bënë të mundur realizimin me sukses të dy operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë detare. Theksojmë se trupat tona si ato të Rojes Bregdetare dhe ato të Forcave speciale më parë janë trajnuar me specialistë amerikanë. Në fund të stërvitjes Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral-major Jeronim Bazo përgëzoi efektivat pjesmarrës për përkushtimin, disiplinën dhe profesionalizmin e treguar në realizimin me sukses të objektivave e tematikës së stërvitjes. Më pas gjatë intervistës me mediat vlonjate, Gjeneral Bazo vlerësoi përpjekjet e Forcave tona të Armatosura për shtimin e kapaciteteve operacionale në luftën kundër trafigjeve detare si dhe gatishmërinë e këmbënguljen e shtetit shqiptar për parandalimin dhe eleminimin e shkeljeve të ligjshmërisë detare në ujërat tona territoriale.
- « Previous Page
- 1
- …
- 442
- 443
- 444
- 445
- 446
- …
- 599
- Next Page »