Mbahet sesioni i 10-të i konferencës mbarëbotërore për besimet fetare/
Në kryeqytetin Doha të Katarit, ka nisur dje punimet konferenca 3-ditore me temë: Dialogu Ndërfetar – sesioni i 10-të, me moton: “Eksperienca të suksesshme në dialogun ndërfetar”. Në këtë konferencë marrin pjesë rreth 500 përfaqësues të feve kryesore monoteiste në botë: Islamit, Krishterimit dhe Hebraizmit, nga 75 vende të botës.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Katarit (Kana) bëhet e ditur se, në këtë konferencë marrin pjesë ekspertë e specialistë në fushat e shkencave teologjike dhe teologjisë së krahasuar, si dhe përfaqësues të organizmave fetare dhe universiteteve të njohura, që punojnë në fushën e dialogut ndërfetar, për të prezantuar arritjet dhe eksperiencat e shënuara në këtë fushë.
Në fjalën e hapjes, ministri i drejtësisë së Katarit u shpreh se punimet e kësaj konference 3-ditore do të përqendrohen në katër fusha kryesore: fushën akademike, atë të drejtësisë, paqes dhe zgjidhjes së konflikteve, si dhe në fushën e kulturës dhe medias.
Dr. Ibrahim Naimi, kryetar i bordit drejtues të Qendrës Ndërkombëtare të Dialogut Ndërfetar të Dohas, tha për mediat se kjo konferencë, së bashku me sesionet e kaluara në këtë fushë, plotëson objektivat e dialogut ndërfetar të filluar në kryeqytetin katarian që në vitin 2003. Më tej, ai falënderoi Emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani, për përkujdesjen e tij të veçantë ndaj këtyre sesioneve të dialogimit, përmes së cilave synohet gjetja e mirëkuptimit dhe vendosja e nocioneve të përbashkëta të dialogut mes feve me bazë hyjnore në gjuhën e përshtatshme shkencore, ku diskutohet mbi çështje që i shërbejnë të gjithë njerëzimit.
Gjatë ditëve të konferencës do të mbahen edhe sesione të posaçme për t’u njohur me eksperienca të suksesshme të teologëve në katër fushat e dialogut. Gjithashtu, në këtë konferencë do të ligjërojnë: sekretari i përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Shejh Muhjidin El-Kara Dagi; At Migel Anhel Xhaksob, zv.presidenti i Këshillit Politik për Dialogun Ndërfetar në Vatikan; Dr. Reshad Husejn, përfaqësuesi i presidentit Barak Obama në OKI; Shejh Ikrima Sabri, imami i xhamisë Al-Aksa; kryetari i Organit Suprem Islam në Palestinë; Tarik Ramadan, ekspert i shkencave islame, si dhe Geri Kampbell nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vlen të përmendet fakti se, në këtë konferencë vendi ynë përfaqësohet nga Besnik Mustafaj ish-ministër i jashtëm, si dhe Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC).
Qendra Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar u krijua si rezultat i një rekomandimi të ardhur nga Konferenca Ndërfetare në sesionin e saj të pestë në vitin 2007, ndërsa u hap zyrtarisht në maj të vitit 2008. Misioni i kësaj qendre është përpjekja për të arritur dialog konstruktiv mes ndjekësve të besimeve të ndryshme, në drejtim të mirëkuptimit dhe shfrytëzimit të parimeve të ndryshme fetare për të mirën e të gjithë njerëzimit. Vizioni i kësaj qendre është që të shërbejë si model kryesor në arritjen e bashkëjetesës paqësore në mesin e pasuesve të besimeve të ndryshme, si dhe të shërbejë si një referencë ndërkombëtare për dialog ndërfetar.
Ndër qëllimet kryesore të kësaj qendre përmendim: Aktivizimin e vlerave fetare në gjetjen e zgjidhjeve për problemet dhe çështjet që shqetësojnë njerëzimin; zgjerimin e fushave të ndikimit të dialogut ndërfetar, të cilat përfshijnë aspekte të jetës që ndërveprojnë me fenë; rritjen e numrit të studiuesve, akademikëve dhe të atyre që kontribuojnë me punimet e tyre në marrëdhëniet mes vlerave fetare dhe çështjeve të jetës bashkëkohore; të qenit një institucion ndërkombëtar që siguron të dhëna akademike, arsimore etj.