• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja se çfarë i tha “Radio France” në vitin 1939 për përvojën e saj gjatë vizitës në Shqipërinë e Veriut, etnologia, Jacqueline Benezech

October 28, 2023 by s p

“Gjatë qëndrimit tonë në malet e Shqipërisë së veriut, unë jetova gjatë në një familje barinjsh ku u krijuan lidhje shumë të fuqishme midis tyre dhe meje, aq sa ata më kërkuan të bëhesha “nuna” e fëmijës së tyre. Nuk e di, nëse në këtë jetë të thjeshtë e të ashpër do mendoja kaq shumë për këtë familje shqiptare. Që nga ajo kohë, kjo gjë ka qenë për mua një nga gëzimet dhe emocionet e mia më të sinqerta, ku asgjë nuk mund ta trondisë këtë lidhje me ata malsorë aq krenarë e të mirë. Ngjarje të mjerueshme politike do më pengojnë padyshim t ‘i takoj edhe pas shumë vitesh të tjera… për aq kohë sa vendi i tyre i shtrenjtë nuk do të ketë fituar pavarësinë e vet. “

Filed Under: Kronike

NJOHJE E PAPRITUR NË SUL TË DEVOLLIT ME MOTRËN E POETIT MARTIR, VILSON BLLOSHMI

October 27, 2023 by s p

Rrëfime tronditëse të Alida Blloshmit (Perona) për vëllanë e saj.

Nga Fuat Memelli/

Ishte befasi për mua të takoja në fshatin Sul të Devollit, motrën e poetit martir të diktaturës, Vilson Blloshmi. Kjo njohje zuri fill rastësisht. Dhe ja si ndodhi…

Kur isha me pushime në fshatin tim të lindjes,Sinicë të Devollit, një ditë vjen aty Fatmir Sejdo me origjinë nga Suli, bashkë me dy djemtë e tij, Arti dhe Orion Sejdo si dhe disa miq të tyre që kishin erdhur nga Australia. I them Fatmirit që kam dëshirë të shkoj në fshatin Sul, pasi dua të njoh pasardhësit e gjyshes sime nga babai.- Shkojmë megjithë qef, më tha Fatmiri. Pas një dite ai erdhi më mori me makinë dhe u nisëm për në Sul. Kishte vite që nuk kisha qënë në atë fshat. Aty kishim dy palë miq nga ana e babajt, fisin Pajo dhe Perona. Nga Peronat ishte gjyshja. Duke patur “ njolla” në biografi, te ky fis të parët e mi kishin qëndruar më larg, ose shkonin rrallë, niseshin në mbrëmje e ktheheshin herët në mëngjes që mos i shihte njeri. Pasi bëmë një shëtitje në kodrat mbi fshat për të fiksuar pamje të bukura, shkuam te vëllezrit, Hytbi dhe Fahri Perona. Biseduam gjatë për të parët tanë, për “ gardhet” që kishte vendosur regjimi pasi kishin qënë me Ballin Kombëtar dhe ishin shpallur kulakë pasi kishin shumë pasuri. Për të treguar peripecitë e tyre, duhet shkrim tjetër, prandaj po ndalem te njohja me Alida Blloshmin ( Perona), e cila

ishte martuar me Fahri Peronën.

Pasi dolëm nga familja e Hytbiut, qëndruam për t’i thënë “ mirupafshim” njerëzve të Fahriut. Aty na priti Alida. Në bisedë e sipër te obori i tyre nën tendën e rrushit, mësoj se ajo ishte motra e Vilson Blloshmit. E përqafova për së dyti dhe i thashë të më tregojë se çfarë mbante mënd për të vëllanë. ( Për dy poetët martirë, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, është folur dhe shkruar shumë, por unë do ndalem te fjalët e Alidës, ku mund të ketë ndonjë përsëritje nga ato që janë shkruar.) Ajo më tregoi…

SAKRIFICAT E VILSONIT PËR TË MËSUAR DHE PËR TË BLERË LIBRA

“Qysh i vogël ai ishte i dhënë pas librave. Duke parë këtë dëshirë babai e dërgoi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit. Vazhdoi si i jashtëm pasi nuk i dhanë bursë sepse na kishin shpallur kulakë. Babai e sistemoi te një familje në Elbasan, duke i dhënë detyrimet kësaj familje. Vilsoni ndenji pak kohë aty. Pastaj iku dhe flinte te një bankë në shkollë. Lekët që i dërgonte babai i blinte libra. Nga që kursente lekët libra, ishte dobësuar shumë. Në shtëpinë tonë kishim dy dollapë të mëdhenj me libra. Familja jonë ishte e madhe, bëheshim rreth 20 vetë. Në darkë ne mblidheshim rreth Vilsonit e ai na fliste për shkrimtarët që kishte lrxuar, na lexonte pjesë nga librat dhe ne kënaqeshim. Me që ishte mirë me mësime, herë pas here në shtëpinë tonë vinin nxënës të shkollës Pedagogjike për t’i ndihmuar Vilsoni. Ata pastaj mernin nota të mira dhe e

falenderonin vëllanë. Pasi mbaroi shkollën, deshte të fillonte punë si mësues por nuk i dhanë punë. Për të larguar mërzitjen, i binte fyellit. E caktuan në punë të vështira, si në minierë, në sharra, në kooperativë, etj.”

ARESTIMI DHE TORTURAT QË IU BËNË

“Arestimi i tyre ishte përgatitur. Një ditë e njoftojnë se duhet të shkojë në zbor. Vilsoni i thotë se zborin e kishte bërë. Nëna e cila kishte hall mos pësonte gjë po mos shkonte, i përgatiti

ushqim dhe i tha: “Shko bir i nënës, shko në zbor.“ U nisën bashkë me një fshatar tjetër. Kjo ishte sajuar për mos rënë në sy që kishin thirrur vetëm Vilsonin. Duke ikur për në zbor, e arestojnë në Qukës dhe e futin në një gas. Fshatarin tjetër e lanë të lirë. E mbajtën një vit në hetuesi. Aty e kishin torturuar dhe i kishin thyer njërin krah si dhe dëmtime të tjera. Kur shkonim për t’i çuar ushqime dhe për t’i marrë rrobat për t’i larë, ato ishin gjithë gjak. Nëna i lante dhe qante. Më në fund i bënë gjyqin dhe Gjykata e Librazhdit e dënoi me vdekje.

Dënimi ishte vendosur me kohë nga lart. Një ditë vjen në shtëpinë tonë një polic dhe i thotë nënës se Vilsoni dhe Genci do pushkatohen. Nënës i ra të fikët. Me shpresë se mund t’i falej jeta, bashkë me nënën e Gencit shkuan në Tiranë në Presidiumin e Kuvendit Popullor si dhe te Nexhmije Hoxhapor i pritën me përçmim. Pasi mbriti aprovimi për pushkatim nga Gjykata e Lartë dhe Presidiumi i Kuerndit Popullor, më 17 korrik të vitit 1977 i pushkatuan në mesnatë në vendin e quajtur Përroi i Firarit. Kur korrej gruri, ata i futën në dhe’. I kishin lidhur të dy dhe i varrosën diku pranë një përoi ku kishte edhe një lis. Familjen tonë e internuan dhjetë vjet në Polis Mirakë.”

“PO TREGOVE, DO TË ZHDUKIM DERI NË SHTATË BREZA”

Duke vazhduar tregimin për Vilsonin dhe Gencin, Albina vazhdoi :“ Atë natë që u pushkatuan, një familjeje nga ajo zonë i kishin humbur dy bagëti. Për t’i kërkuar shkon gruaja e asaj shtëpie bashkë me një nga fëmijët. Kishin dëgjuar krismat dhe tok me fëmijën shkojnë te vëndi nga erdhën ato. Aty shohin dy trupat pasi nuk i kishin mbuluar mirë. Të nesërmen gruaja shkon në policinë e Librazhdit dhe i tregon për dy trupat që kishte parë.” Ikë!- i thanë dhe po tregove do të zhdukim deri në shtatë breza.” Iku gruaja e trembur dhe në fillim nuk trego, i por më vonë i kishte treguar familjes së Vilsonit se çfarë kishte parë.

***

“Trupat e tyre i nxorrëm në vitin 1991. Aty u gjet një plumb të cilin e kemi ruajtur. Çorapet nailon të Vilsonit nuk ishin tretur. U rivarrosën me nderime për të cilat është folur dhe shkruar. Për ta është është ngritur edhe një memorial në qytetin e Librazhdit.” Në fund të bisedës, Alida më tha: “ Prit një minutë.” Shkoi në dhomë e më solli 3 libra kushtuar Vilsonit e Gencit. “ Këtu i ke të gjitha”-më tha. E falenderova për këtë dhuratë të veçantë. Kur po ndaheshim më dha “ urdhër”: ”Këtë rradhë ndenje pak. Kur të vish herë tjetër do qëndrosh dy ditë te ne. Do rrish si te motra e si te vëllai jot.”

Për t’i mbyllur këto rradhë, po veçoj një frazë nga parathënia e Ismail Kadaresë nga libri “ Vilsoni dhe Genci” përgatitur aq bukur nga poeti Sadik Bejko:” Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij.”

Boston, tetor, 2023

Filed Under: Kronike

“NËNA TEREZE, DASHURIA NË VEPRIM”, NJË UDHËTIM I SHKURTËR JETËSHKRIMOR I DOM LUSH GJERGJIT

October 24, 2023 by s p

Libri “Nëna Tereze, dashuria në veprim” e risjell autorin Dom Lush Gjergji në një rrafsh më të gjerë komunikimi gjuhësor dhe për rrjedhojë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup si dhe Revista “Drita”, si botues të këtij libri, shpalosin para një publiku tregjuhësh një grusht margaritarësh në formë reminishencash jetësore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, të latuara nga dora mjeshtërore e teologut, shkrimtarit, biografit e filozofit Dom Lush Gjergjit.

Autori na e risjell figurën e Nënës Tereze në një trajtë të përpunuar të rrugës jetëshkrimore të saj, duke ndarë këtë rrugë në katër pjesë: a. Gonxhe Bojaxhiu – jeta familjare (1910-1928); b. Motra Tereze (1929-1948); c. Nëna Tereze Bojaxhiu (1948-1997); d. Përshpirtëria e Nënës Tereze.

Një liber si ky nuk mund të shkruhet pa dashuri dhe përkushtim dhe kur këto dy komponenë kombinohen, atëherë gërmimi në shtresat e dukshme dhe të padukshme të një botë komplekse brenda trupit të një gruaje me shpirt të madh, është më shumë se një aventurë hermenutike e filozofike.

Që në kapitullin e parë të kësaj aventure (Nëna e botës së mjerimit, Nëna Tereze (1910-1997), autori as pas tridhjetë vjetëve të hulumtimit, të njohjes dhe të miqësisë me Nënën Tereze, nuk mjaftohet me pyetje shtesë të karakterit biografik, filozofik, teologjik, gnoseologjik që ndërlidhen me fillimin dhe mbarimin e jetës tokësore të kësaj shenjtoreje.

Duke shtruar pyetje, Dom Lush Gjergji e sporovon veten në ballafaqimin më qenësor me të thënat dhe të pathënat e korpusit të madh tematik e përmbajtësor të jetës dhe veprës së Nënës Tereze.

Nëse për shumëkënd, si edhe për shumë gazetarë, shkrimtarë, Nëna Tereze ishte dhe mbeti një “kështjellë” e mbyllur, enigmatike, që nuk ka paraplqyer shumë të flasë për vetveten dhe të kaluarën e saj, ajo megjithatë para Dom Lush Gjergjit, siç e thotë edhe vet ai, ishte paraqitur krejt ndryshe: e hapur, miqësore, si një nënë e vërtetë.

Për një lexues me njohuri të pamjaftueshme mbi jetën e Nënës Tereze, sidomos mbi fëmijërinë dhe vendlindjen e saj, ky libër është një minienciklopedi që ofron të dhëna autentike dhe përmbledhëse mbi jetën familjare të Gonxhe Bojaxhiut brenda periudhës së viteve 1910-1928.

Duke filluar nga shpjegimi i emrit të saj të fëmijërisë, autori jep shpjegime etimologjike, duke sqaruar se Gonxhe apo edhe Anjeze, është emri familjar dhe i pagëzimit për Nënën Tereze, dhe si i tillë ky emër ka një kuptim simbolik – lulja në “zbërthim” apo edhe në “lulëzim”, ndërkaq Bojaxhiu është mbiemri i Nënës Tereze, duke u ndalur në zbërthimin treshtresor të kuptimit të këtij mbiemri.

Në vazhdim të librit, autori na e paraqet portretin e Kolë Bojaxhiut (1873-1919), duke sjellë edhe një kujtim të Nënës Tereze për babanë e saj: “Baba Kolë më thoshte: “Bija ime, mos e merr e mos e ha asnjë kafshatë të gojës pa e ndarë me të tjerët”. Ose: “Egoizmi është një sëmundje shpirtërore, që të robëron dhe nuk të lë të jetosh dhe t’u ndihmosh të tjerëve!”.

Saga familjare e Bojaxhinjëve në këtë libër do të ishte e paplotë pa Dranen, nënën e Gonxhes, plasticiteti shpirtëror e njerëzor i së cilës na bëhet më i qartë përmes vetë gojës së Nënës Tereze: Nëna Tereze tregonte: “Kurrë nuk e harroj nënën time. Ajo ishte tërë ditën e zënë me punë, por pastaj, në mbrëmje, pasi t’i kryente të gjitha punët, e kishte zakon ta priste babanë tim… Ne, atëherë nuk e kuptonim, nganjëherë edhe qeshnim, bënim hoka me të. Sot, nuk mund të mos e kujtoj atë takt madhështor, të cilin ajo e përdorte për trajtimin e tij. Çfarëdo që ndodhte, ajo ishte e gatshme ta priste me buzëqeshje…”.

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910, si fëmija i tretë i kësaj familjeje, dhe të njëjtën ditë qe pagëzuar nga Dom Zef Ramaj në kishën e “Zemrës së Krishtit” në Shkup. Thuhej se këtë emër e kishte zgjedhur baba Kolë, shkruan autori në pjesën mbi Fëmijërinë dhe rininë e Gonxhe Bojaxhiut.

Duke shkuar gjurmëve të jetës së Nënës Tereze, autori nxjerr në pah dimensionin e saj shpirtëror, teksa na e bën më të përfart Farën e thirrjes përmes vetë Gonxhes, e cila autorit i kishte treguar: “Isha ende shumë e re, kisha afro 12 vjet, kur në rrethin familjar e kam hetuar për herë të parë dëshirën për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Kam menduar dhe jam lutur gjashtë vjet! Ndonjëherë më dukej se nuk kisha fare thirrje. Së fundi u binda se më kishte ftuar vetë Zoti. Në këtë kërkim, më ka ndihmuar shumë Zoja e Letnicës, apo si e quanim ne me shumë dashuri në gjuhën shqipe “Zoja Cërnagore”.

Vendimin përfundimtar e mori në Letnicë, para Zojës së Bekuar, natën e

festës, më 14 gusht 1928, shkruan autori.

Gonxhe Bojaxhiu po bëhej gati shpirtërisht të nisej për mision në Indi dhe kjo do të bëhet e mundur pasi që ajo kishte arritur t’i shndërrojë në aksioma shenjtërie tri shprehje: Të dalësh – të shkosh – të nisesh, të cilat, siç e thotë autori, për Gonxhe Bojaxhiun kishin kuptimin e realitetit të ri të thirrjes misionare, sepse ajo po e ndiqte thirrjen e Zotit, për t’u bërë motër misionare e rregullit “Motrat e Loretos” me seli në Irlandë.

Përshkrimin më autentik që i atribuohet formimit të Gonxhe Bojaxhiut në vitet e saja fëmijërore dhe rinore, autori na e pikturon përmes një skalitje brilante fjalësh që i përshaten karakterit të personazhit të tij: “Gonxhja e kishte “kryer shkollën e “mirësisë” në rrethin familjar dhe famullitar, sepse kishte lindur dhe ishte rritur në një familje ku jetohej dhe ushqehej dashuria, bamirësia, bujaria dhe kujdesi për të afërmin”.

Dom Lush Gjergji me këtë libër ka arritur të kondenzojë në pak faqe një rrugëtim të gjatë të Nënës Tereze, duke përzgjedhur për lexuesit segmente më të domosdoshme të veprimtarisë së saj, pa e lënduar autenticitetin e linjës biografike.

Në vazhdim do të shohim se kjo linjë kalon brigje e oqeane, sidomos pas largimit nga vendlindja e saj, përmes Zagrebit, ku Gonxhe Bojaxhiu bën një jetë të rishtarisë, një përgatitje kjo për misionin rregulltar, për punën dhe jetën misionare.

Stacioni i saj i radhës ishte Dublini, aty ku ajo kishte qëndruar tre muaj për të mësuar anglishten. Më pas Gonxhja kishte udhëtuar për Kalkutë dhe mbërrin më 6 janar 1929. Më pas e kishte bërë edhe një udhëtim Kalkutë – Darjeeling, sepse duhej të vazhdonte rishtarinë. Këtu emri i saj pëson transformim – nga Gonxhe në Maria Teresa, të cilën tashmë e thërrisnin, thjesht Motra Tereze e Krishtit Fëmijë.

Puna e parë për Motrën Tereze, shkruan autori, ishte shërbimi si motër medicinale, përkujdesja për të sëmurët. Ajo ishte tejet e lumtur për t’i ndihmuar dhe shërbyer të tjerët. Më vonë, Motra Tereze ishte e angazhuar në studime, dhe njëkohësisht ishte edhe mësimdhënëse në shkollën e njohur St. Mary të Kalkutës.

Në shiritin e kohës, Nënën Tereze e shohim të lëvizë sipas vullnetit të Hyjit, sepse vetëm atij ajo i përkulej, pa harruar edhe punët dhe shërbimet e përditshme që ajo i kryente. Për rrjedhojë motra Tereze e kishte vazhduar punën në mësimdhënie dhe së shpejti ishte bërë edhe drejtoreshë e shkollës. Midis viteve 1937 e 1938, ajo ikishte shkruar një letër nënës dhe motrës në Tiranë si vijon: “Më vjen keq që nuk mund të jem pranë jush, por je e lumtur, nënë e dashur, sepse Gonxhja jote e dashur është e lumtur… Kjo është një jetë e re. Jam mësimdhënëse, dhe kjo punë më pëlqen. Jam edhe drejtoreshë e tërë shkollës dhe këtu të gjithë më duan shumë…”.

Nënë Tereza duke qenë Misionare e Dashurisë, gjithë përkushtimin e saj ndaj të vetmuarve, të pastrehëve e të sëmurve e kishte përqëndruar në Indi, apo siç thoshte ajo në “tokën e ëndrrave”. Duke zbërthyer misionin e Nënës Tereze, autori na e bën të përafërt edhe historinë e Indisë si dhe peripetitë politike, sociale e ekonomike nëpër të cilat kaloi ajo.

Rruga e shenjtërimit të Nënës Tereze kishte kaluar nëpër momente e sprova nga më të ndryshmet. Duke përshkruar këtë proces, autori na jep disa detaje mbi një udhëtim me tren të Nënës Tereze, e cila ishte nisur për ushtrime shpirtërore në Darjeeling, me ç’rast pati një përvojë të thellë shpirtërore. Pas ushtrimeve shpirtërore, autori transmeton fjalët e Nënës Tereze: “O atë, e tëra ndodhi kështu: duke udhëtuar në tren për Darjeeling… e dëgjova zërin e Zotit. Ishte “thirrja në thirrje”, thirrja ime e dytë. Porosia ishte e qartë: duhej ta lija kuvendin e Loretos që të isha në gjendje t’u përkushtohesha plotësisht, me tërë jetën time, të varfërve”.

Koncizitetin përmbajtësor të këtij libri e bëjnë edhe disa detaje interesante nga jeta dhe vepra e Nënës Tereze, të cilat autori me pedantëri i sjell, duke mbajtur llogari për ato më të qenësishmet, siç ishin: Shpërblimet kombëtare e ndërkombëtare, Dëshmitë për Nënën Tereze, Përshpirtëria e Nënës Tereze, Urata, Eukaristia, Të ftuar në shenjtëri, Përshpirtëria mariane, Lumturimi i Nënës Tereze.

Përmbylljen e librit autori e bën përmes një urate të vetë Nënës Tereze, nga goja e së cilës del një mesazh kuptimplotë:

“Ti e di, o Zot, se unë i urrej armët.

Unë dua të jem vetëm arma jote

Për ta sjellë paqen në botë…”

Shkup, tetor, 2023

Prof.dr. Skender ASANI

Filed Under: Kronike

In memoriam: Akademik Luan MULLIQI (1953 – 2023)

October 23, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Vetmia shoqëri dhe shoqëria vetmi.

Papritmas më 22 tetor, në ora 13. 30 mora lajmin që edhe një shok, mik, vëlla, kishte braktisur këtë jetë dhe botë dhe kishte kaluar mbrëmë në amshim, skulptori i madh dhe tejet i njohur në botën e vogël shqiptare, por edhe më gjerë, akademi Luan MULLIQI, që unë e quaja me simpati dhe dashuri “Mjekra”.

U befasova, u shtanga, më erdhi shumë keq, sepse dy ditë më parë kisha komunikuar me të nëpërmjet telefonit WhatsApp, duke e bërë pjesëmarrës të promovimit të librit tim: Nëna Tereze, dashuria në veprim, DRITA, Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, 2023, por në heshtje, pa përgjigje dhe reagim. Nuk e kam ditur që ai e kishte një front dhe “luftë” tjetër, shumë më të vështirë dhe të rëndësishme, mes jetës dhe vdekjes…

Dhe si duket, ka fituar vdekja, por nuk është ashtu. Vërtet ai mbrëmë vdiq, iu ndal frymëmarrja, iu mbyllen sytë, iu shtagën duart me të cilat një jetë të terë kishte “gdhendur” portrete, fytyra, figura, shtatore, buste, ndër të cilat dallohen: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Nëna Tereze, Ismail Qemaili, Fehmi Agani e shumë të tjerë…

Dhe pikërisht këto vepra, si dhe vullneti për jetë dhe krijimtari, me të cilat ka begatuar, gjallëruar dhe fisnikëruar kohën dhe botën tonë, dëshmojnë bindshëm për pavdekësinë e tij, për shpirtin e madh dhe bujar, për zemrën e hapur dhe fisnike, për duart mjeshtërore dhe në veprim – gdhendje, për sytë e tij të vegjël, por gjithnjë të hapur dhe në kërkim te të bukurës, të mirës, të drejtës, të vërtetës, të jetës dhe të Dashurisë, duke “mbjell” farën e mirë të amshimit dhe të pavdekësisë kudo, ndër ne, në trojet tona ilir, arbërore dhe shqiptare, por edhe në hapësira tjera, me një stil tashmë tejet të shquar dhe shumë të dalluar, karakteristik, “mulliqian”.

Reagimi im i parë ishte dhembja, pikëllimi, mërzia, konstatimi: edhe një vëlla dhe krijues i mirëfilltë më la, na la, iku, kaloi në amshim, apo në stilin e Shën Nënës Tereze: u kthye në Shtëpinë e Atit. Pas kësaj vijova të lutëm, dhe thënë të vërtetën, u qetësova. Si faza e tretë e përjetimeve, ishte “lundrimi në kohë dhe në hapësira”, ku gufonin shumë kujtime, takime, afrime, bashkime, bashkëpunime, sidomos pas Luftës 1998 – 1999.

Ishte një krijues i mirëfilltë, gjenial, me mendje të ndritur dhe zemër të madhe, duke iu gëzuar çdo lloj veprimtarie, botimi, suksesi.

Galeria e Arteve të Kosovës gjatë udhëheqjes së tij pas Luftës ishte bërë pikë e shumë takimeve kulturore dhe shpirtërore kombëtare dhe ndërkombëtare, me figura dhe personalitete të shquara ndër ne dhe në botë, si Sekretari i Kombeve të Bashkuara – OKB-së Koffi Annan, Bill Clinton, Tony Bler, Altisari dhe shumë të tjerë.

Luan Mulliqi ishte “avokati” i çështjes sonë kombëtare – shqiptare, dhe pa kurrfarë kursimi apo përfitimi, dëshmonte, shpjegonte, dhurohej në çdo kënd dhe vend, me shumë përkushtim, atdhedashuri dhe bindje, me përgatitje njerëzore, kombëtare dhe profesionale.

Kur ia dorëzova librin tim të parë “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”, pas e shfletoi pak botimin, ma shtriu dorën dhe më tha: “E paske prekur një plagë të madhe shqiptare…, shpresoj me urti, mirësi dhe shumë dashuri, sepse vetëm kështu ne mund ta shërojmë vetveten dhe të tjerët…”

Dhuratën e monografisë së parë time “Nëna jonë Tereze”, e cilësonte si “Ungjilli shqiptar”, dëshmi e madhe e urtisë, bujarisë, mikpritjes dhe bamirësisë sonë, prandaj edhe si përgjigja më e mirë, tejet bindëse dhe jetësore, kush jemi ne, çka duam dhe duam atë ta zbatojmë. Më tha: “Të falënderoj, Don Lush, që Nënën Tereze ia solle botës shqiptare, dhe më gjerë, mbarë njerëzimit… Më ke ngacmuar dhe prekur në damar të zemrës, në zemër, pra, do ta punoj një shtatore të saj për aeroportin e Tiranës…, në shenjë shigjete, rrënje dhe trekëndëshi, simbole këto që flasin dhe dëshmojnë vetvetiu…”

Skulptori Luan Mulliqi e bëri të pavdekshëm ideatorin e Kosovës demokratike, bashkëpunëtorin e ngushtë të Dr. Ibrahim Rugovës, prof.. Fehmi Aganin, para Universitetit të Prishtnës, si dhe shumë miq dhe figura ndërkombëtare, si Madeline Albright dhe Bob Dole…

Populli ynë thotë bukur: Ku preku, shkrepi, ne do të themi në stilin tonë laik, “qëlloi”, la gjurmë, mbolli të mirën, bëri përshtypje, begatoi dhe aktualizoi historinë të lashtë, martire dhe të lavdishme.

Në bibliotekën time kam dy dhurata të akademikut tonë Luan Mulliqi: shtatoren e Shën Nënës Tereze dhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Nuk guxoj të harroj dhe të mos përmendi dy ngjarje kulmore tona: lumturimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze në Romë, në Vatikan, (19 tetor 2003 dhe 4 shtator 2016), ku edhe ai, si dhe shumë shqiptarë intelektualë, krijues, autoritete publike, morën pjesë.

“Luani i madhe dhe i mirë”, si e kam quajtur ynë me simpati dhe dashuri, ishte i stër-kënaqur, gati edhe euforik… Më tha: “Ti duhet të jesh njeriu më i lumtur ndër ne dhe në botë, se ke pasur rastin, fatin, kënaqësinë të takohesh shpesh me Nënën tonë Tereze, e ke njohur për së afërmi, e ke përshkruar në mënyrë mjeshtërore, neve shqiptarëve na e ke kthyer dhe dhuruar… Je vërtet vëlla i mirë dhe i madh., së bashku me Te dhe me ne…”

Unë iu përgjigja: “I madh është Zoti, populli ynë, familja Bojaxhiu, Gonxhja jonë, tashmë Shën Tereza, ne së bashku me Të”.

Sot kujtimet gufojnë, gërshetohet, qarkullojnë pa ndonjë renditje dhe kontrolle, dhe mua, përpos këtyre, veprave tua të mëdha dhe të pavdekshme kombëtare dhe ndërkombëtare, me mbetet Zoti, kanali pashtershëm i komunikimit me Ty dhe me shumë miq të mi në amshim.

Pusho në paqe dhe gëzoje amshimin e lumtur!

Filed Under: Kronike

Si e pengoi shteti shqiptar hapjen e bankës jugosllave në Shkodër në vitin 1923

October 18, 2023 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Një nga politikat e shteteve ballkanike për të shtrirë influencën e tyre ekonomike mbi shtetin e shqiptar ishte hapja e bankave. Kështu, më 5 janar 1923, prefekti i Shkodrës Rauf Fico informonte Ministrinë e Brendshme se, nënshtetasi jugosllav Pashko Kraja kishte mbërritur nga Cetina për të hapur një filial me emrin “Harvatska-Jugosllavenska-Albanska-Banka”. Për këtë qëllim, ai kishte marrë me qira një lokal në qendër të Shkodrës.

Pasi kishte qëndruar tre ditë, Pashko Kraja ishte rikthyer në Cetinë për të tërhequr mobiliet e nevojshme, duke lënë si zëvëndës nënshtetasin shqiptar nga Shkodra, Lolko Vuçiniç. Për drejtimin e këtij filiali, ai kishte ftuar edhe Pjetër Bumçin, i cili në këtë periudhë ndodhej në Fiume. Rauf Fico kërkoi udhëzime nga MPB nëse kishte informacion për bankën jugosllave. Kjo e fundit kërkoi mendimin e Ministrisë së Ekonomisë si dikasteri i cili merrej direkt me çështjet financiare.

Në letrën e ministrit të Ekonomisë, Kol Thaçi, drejtuar kryeministrit thuhet se në aspektin juridik ligjet ndërkombëtare nuk e pengonin asnjë shtet për të hapur bankë në një shtet tjetër. Megjithatë, ai kërkoi rregulloren dhe statutin mbi të cilin do të funksiononte dhe do të administrohej filiali i bankës jugosllave. Në përfundim të përgjigjes së tij, Kol Thaçi i sugjeroi kryeministrit se, për momentin hapja e këtij filiali nuk ishte në interes të shtetit shqiptar. Kjo pikëpamje iu bë e ditur edhe prefektit të Shkodrës.

Arsye kryesore ishte se pa u krijuar Banka Kombëtare, nuk mund t`i jepej leje asnjë filiali të huaj që të operonte në sistemin bankar. Kjo për shkak të influencës politike dhe ekonomike që shtete të ndryshme mund të ushtronin nëpërmjet kapitalit të tyre.

Si pretekst për të penguar hapjen e filialit të bankës jugosllave në Shkodër u gjet “kapitali i saj i pamjaftueshëm”.

Që këto tentativa kishin një prapaskenë politike vihet re dhe nga ndërhyrjet e konsullit jugosllav. Kështu, në një letër tjetër për Ministrinë e Brendshme zëvendësprefekti i Shkodrës informonte për takimin me konsullin e mësipërm, i cili i kishte deklaruar dëshirën e disa nënshtetasve jugosllavë për të hapur një filial të bankës serbo-shqiptare me qendër në Cetinë. Kjo, sipas tij, ishte themeluar me miratim të Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë së Jugosllavisë.

Në vazhdën e kësaj politike, Beogradi kërkoi gjithashtu që nëpërmjet një malzezi të themelonte në Shkodër edhe një agjenci tregtare. Por edhe kjo tentativë u pengua nga Ministria e Brendshme, me justifikimin se, ajo duhej të përmbushte kriteret e parashikuara nga ligji për shoqëritë e huaja.

Pavarësisht problemeve të shumta të Shqipërisë së këtyre viteve, elita politike përpiqej që të ruante sovranitetin ekonomiko-financiar të shtetit të sapo krijuar të shqiptar.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT