• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U nda nga jeta nga jeta gjuhëtari Bahri Beci anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

August 21, 2023 by s p

#AShSh

#InMemoriam

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve.

Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.

Në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra / “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës. Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës.

Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së Atlas Linguorum Europae (ALE).

Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).

Bahri Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.

Bahri Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.

Homazhet e lamtumirës për akad. Bahri Becin do të bëhen ditën e martë, 22 gusht 2023, nga ora 09.00-11.30, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda, dhe në orën 12.00 përcjellja për në banesën e fundit.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kronike Tagged With: Bahri Beci

E Bukura është e shëmtuar, e shëmtuara është e bukur. Shtrigat e Macbeth-it

August 12, 2023 by s p

Gjergj Hani/

Shpesh, këto kohë, kam folur për përmbysjen, rrënimin e vlerave e të principeve. Kjo jona është një kohë e përmbysur, që filloi 81 vite më parë, e që nuk po e këthejmë dot së mbari. Është fitorja e shtrigave të Macbeth-it, tragjedia e Shakespeare-it mbi pushtetin, ambiciet, errësirën.

Shtrigat janë motori, me profecitë e tyre të errëta dhe frazën me të cilën hapin tragjedinë : fair is foul, and foul is fair. E bukura është e shëmtuar, dhe e shëmtuara është e bukur, fërshëllejnë nëpër dhëmbë mes së qeshurës cinikisht të hidhur ndërkohë që dalin nga skena “mbështjellë nga mjegulla e ajri I ndyrë”.

Ka dicka të ligë, të sëmurë, në atë që thonë, e që përmbys cdo kuptim e arsye : e bukura është e shëmtuar dhe e kundërta e saj. E mira bëhet e keqe e mashtrimi sundon mbi të vërtetën.

Në tragjedinë e rapsodid anglez bota e përmbysur mundet në fund të betejës finale që zbardh dhe profecite e errëta të shtrigave, por në të tashmen bëhet buka e përditshme, ushqim i helmuar që infekton e përmbys shkallën e vlerave.

Këtë rrealitet e shohim ngado. Simbol emblematik janë bërë kullat. Kulla që mbijnë si kërpudha të helmuara edhe në ato pak hapësira identitare që i shpëtuan sopatës së rrealizmit socialist. Kulla që ngrihen nga pushteti, por edhe nga familiarë të atyre që tashmë thjesht e ëndërrojnë pushtetin. E sikur kjo të mos mjaftonte, e shohim shëmtinë në rrugët e pista, ku fuoristrada e atyre që ngrenë kullat, lënë pas vorbulla pluhuri që të merr frymën. E shohim dhe e pësojmë dhunshëm në muret e zhgarravitur nga shkrime e grafite që gjithcka mund të jenë vec art jo. E shohim në selfie-t, në të cilat protagonisti kryesor është egoja jonë e pa matë, e njëkohësisht mikroskopike; në gjuhën e përditëshme që është aq e varfër sa nuk e di as vetë; që është aq e pa turp sa turpi ka humbur kuptimin; e shohim në indiferencën për të vërtetën, që tejkalohet nga mashtrimi që përsërit vetveten si refren pa fund; e dëgjojmë nga mëngjesi në darkë në muzikën e tallavasë që përjetëson idiotësinë kolektive, gjithmonë e vetëm, në vetën e parë njëjës, si vetë idiotësia.

Të gjithë duket se sillen në të njëjtën mënyrë, në braktisjen e përbashkët, në veshje, në mënyrën e sjelljes, në preferencat: vështirë të dallosh mes plebejve të pasur e plebejve të varfër.

Mbi të gjitha, është “heroike” të gjesh gjurmë të së bukurës. Shëmtia lulëzon në cdo cep, duke u bërë kështu trashëgimtare e vetvetes. Pejsazhe të mrekullueshme, shpërfytyrohen nga paralelopipedë të tmerrshëm, kuba e ndërtesa të pa formë. Një askund i frekuentuar nga breza të dorëzuar injorancës, të pa ndjeshëm, të shëmtuar e të përcudnuar me gjithë silikonin, trukun e rëndë, e rrobat firmato fallco si vetë aspiratat e tyre. Qëndrat tregëtare, dritat e reklamave, lokalet e lluksit që zbehen bashkë me periferitë, bëhen pika takimi social, skenari i jetës, vetë njohja e një turme identike e zënë dhe e vëmëndëshme të kalojë kohën me telenovela turke e pasione vulgare.

Arkitektura – mbyllur lojën me zbukurimin – nuk ka më ambicie mbi të bukurën e të qëndrueshmen. Ndryshe nga e shkuara që tashmë nuk e kujtojmë më, athere kur të ndërtoje ishte për njerëzit mënyra më e mirë për të lënë një gjurmë e për të përcjellë një model qytetërimi.

Mbi të gjitha e të gjithë, dominon sistemi i komunikimit masiv, rreklama e zbavitja, që ndryshe edhe nga e shkuara e afërt, imponojnë modele e personazhe të karakterizuar nga shëmtia, nga anormaliteti i nxjerrë në shesh, nga arroganca e të demostruarit cdo deformim e eksentricitet.

E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht. Bëhet me dashje e imponohet si elementi kryesor i de-identifikimit, regresit, shëndërrimit në rangun e kafshës ku prej 82 vitesh politika e politikanët përpiqen të na shtyjnë, pasi gjithcka duhet të shërbejë për dicka, që për ta është thjesht pushteti si qëllim në vetvete, pasi mendojnë se me të do të mbushin humnerën që kanë brënda vetes.

Ata që po na shtyjnë në oqeanin e shëmtisë e urrejtjes, duan të na shuajnë vetëdijen, që së bashku me të bukurën e të vërtetën, con drejt lartësimit. E dinë mirë armiqtë e njeriut, armiqtë tanë. Ata që në kohët e mashtrimit universal e nihilizmit të pështirë, synojnë të shuajnë njëherë e mirë, të bukurën e të vërtetën, për të na shtyrë drejt omologimit gjitpërfsirës e anonim, në barazinë e llumit që mbulon gjithcka e nuk njeh kufij. Ashtu sic nuk ka kufij dominimi i volgaritetit, i pengmarrjes e i cfilitjes që ushtron mbi ne brezi i njerëzve të fundit. Politikanët. Tipologji njerëzore kjo e fundit, aq e përcmuar, pasi nuk di më të përcmojë vetveten. Ndaj dhe beteja për të bukurën e të vërtetën, edhe pse na duket e pakuptimtë, të zënë sic jemi eskluzivisht ne suksesin që e masim vetëm me para, është vendimtare pasi nuk pranon idene e një qënijeje kafshërore, e dobishme, e hedhur mbi tokë vetëm për të grumbulluar sende e para si i vetmi peng i lumturisë që nuk vjen kurrë. Gjithmonë tek njeriu ka një tendencë që e shtyn poshtë, drejt volgares së shurdhër, por kurrë më parë ishte ngritur në princip fitues, në moral të pamoralshmes, si në kastën tonë politike.

Duhet kthyer koka pas herë pas here, për ti shkuar deri në fund memories e për të dëgjuar dridhjet rrënqethëse ideologjike të kohëve që kurrë nuk shkuan, e akoma e sot na mbajnë të ankoruar në fundin e llumtë të kënetës nga e cila nuk po dalim dot, për të marrë frymë si njerëz të lirë, e për të parë e kuptuar që jeta egziston vetëm përtej të gjithë kësaj që na kanë bindur se është jeta.

Shëmtia dhe mashtrimi, që kasta politike ka ngritur në rang modeli unik për të gjithë, është arsyeja e vetme e degradimit që jo rrallë shpërthen në akte cnjerzore. Janë plot kronikat e zeza që zenë ekranet per dite e muaj, deri sa të kryhet një tjetër krim edhe më cnjerëzor, edhe më i zi, për ti lënë radhën një tjetri e një tjetri akoma, si në një breshëri pa fund, që shton frikën e vret habinë. Tashmë gjithcka është e mundur, si në një video lojë. Vrasim, vjedhim, grabisim, vëllain, komshiun e të panjohurin, a thua se pas një ore mund ti japim fund kësaj loje, e kur të luajmë sërish mund ta fillojmë sërish nga e para. Ne marrim jetë se nuk e njohim jetën. Jetojmë në një spirale dhune barbare që na shtyn ti nënshtrohemi pushtetit të fitimit, të materiales e vetëm asaj, të banales prozaike që ka sjellë e mban në pushtet të shëmtuarën, të trishtën e të pistën klasë politike që na sundon përmes urrejtjes që mbjell mes nesh si farë e së keqes që atyre u garanton pushtetin.

Është koha për një kryengritje. Kryengritje morale e morali, që të mund të mbetemi në këmbë në këtë botë të rrënuar. Të qëndrueshëm në të mirën e të vërtetën për të njohur të keqen. Na duhet e mira dhe e vërteta për të mundur të keqen. Na duhet e mira dhe e vërteta për të mos gabuar në momentet e pasigurisë e dyshimit. Na duhet e mira dhe e vërteta për të kuptuar. E verteta dhe e mira për të jetuar rrealitetin ashtu sic e duam, përtej projeksioneve të shtrembëra të pushtetit. Na duhet e mira dhe e vërteta per të ecur pa peshën e kompromisit mes ndërgjegjies e së keqes.

Na duhet trinia e se bukurës, së mirës e së vërtetës që kjo kastë politike e urren aq shumë. Trini që është më e masakruara nga mendimi sundues, që nuk fsheh më kultin e së shëmtuarës, të shkëputjes nga e mira, e të mohimit të së vërtetës. E bukura është edhe e mirë, edhe e vërtetë. Këtë e dinin mirë romakët, baballarët e qytetërimit që kemi shpërdoruar. Kur mjegulla e mashtrimit universal fsheh konturet e së vërtetës, është koha për tu këthyer tek esencialja, tek e pandryshueshmja, tek të vetmet gjëra të rëndësishme: e mira, e bukura, e vërteta. Janë detyra dhe shpëtimi ynë. Pasi, nëse nuk është e qartë se si e vërteta do ta shpëtojë botën, është mëse e qartë se mashtrimi po e shkatërron atë.

Na duhet një kryengritje morali me vetëdijen se: “E verteta egziston pa një përse. Jeton sepse është jeta. Ajo nuk kujdeset për vetveten, pasi i mjafton vetvetja për atë që është. Nuk kërkon që ta pranosh, por nëse e pranon, zbulon se nuk mund të jetosh më pa të. Nuk ka Zot mbi të vërtetën, pasi e vërteta është atributi kryesor i Zotit, e kjo nuk varet nga besimi yt apo i imi. Thjesht është.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjergj Hani

Psikika…

August 10, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Por shumë më lart,

me shkëlqimin e ndritur,

Shqiponja qiellore mbante

Sykën e ëmbël të përhumbur

pas punës së saj endacake,

derisa perënditë të miratonin

Zbritjen në mbretërinë e saj.

Një herë e një kohë, në gadishullin në perëndimit, jetonin një mbret dhe një mbretëreshë që kishin tre vajza të bukura. Dy më të mëdhat ishin vërtet kaq të bukura, saqë kur u rritën dhe u shfaqën së bashku në gjyq – sepse ishin në moshë – asnjë nuk mund të krahasohej me to dhe të gjithë ata që i panë thanë se ato ishin vajzat më të bukura në botë.

Por kur princesha e tretë dhe më e re, emri i së cilës ishte Syçke, pesëmbëdhjetë vjeç, u soll në gjyq , ajo i tejkaloi motrat e saj për nga bukuria dhe madhështia, aq sa hëna ia kalon yjeve. Dhe dy motrat u mbushë me xhelozi, sepse nuk u lavdëruan më; askush nuk kishte sy për to kur ‘Psyche’ ishte pranë; dhe fama e bukurisë u përhap në qytet dhe në mbarë vendin. Qindra njerëz, qytetarë dhe të huaj, u dyndën në pallatin e babait të saj për të parë këtë mrekulli; dhe kur e panë, u pushtuan nga frika dhe habia, saqë u përkulën dhe e adhuruan, duke bërtitur se vetë Ve(ne)ra kishte ardhur mes tyre. Së shpejti thashethemet u përhapën në vendet fqinje, dhe prej andej në një pjesë të madhe të botës, se Çupa e lavdishme sa Vera dhe e pakrahasueshme nuk ishte e vdekshme, dhe as tjetër veç perëndeshës së dashurisë dhe bukurisë, e lindur nga shkuma e detit, e cila quhej Afërdita, kombet e tjera e quajnë Venus. Dhe udhëtarë të panumërt nga vende të largëta erdhën nga deti dhe toka për të mësuar të vërtetën, të cilët, pasi panë Psikën, shkuan në shtëpi dhe deklaruan se ajo ishte me siguri Venusi, ose përndryshe një perëndeshë e re dhe më e adhurueshme ishte shfaqur në tokë. Dhe kështu adhurimi i Venusit të vërtetë ra në përbuzje dhe u neglizhua; tempujt e saj të famshëm ishin të shkretë, shëmbëlltyrat e saj u lanë pa kurora dhe altarët e saj nuk tymoseshin më me flijime të djegura. Sepse të gjitha nderimet e saj tani i ishin për Psykën, e cila u detyrua kundër vullnetit të saj t’i merrte ato nga populli; çdo mëngjes, turmat e adhuruesve mblidheshin përpara pallatit dhe, kur ajo shfaqej, ata digjnin temjan të ëmbël dhe i ofronin me përulësi lule dhe kurora myrte. Tani, kur Afërdita (Venusi) e vërtetë i pa të gjitha këto, u tërbua shumë kundër Psikës së gjorë. “Çfarë!” tha Afërdita me vete. “Mos më dha çmimin si më e bukura nga perëndeshat e pavdekshme, bariu Pa (më vonë Paris), të cilin Jove e konsideroi të denjë ta gjykonte? A duhet të jem e përbuzur nga perënditë dhe njerëzit, sepse një e vdekshme e mjerë guxon të tregojë veten si më e shkëlqyer për nga bukuria? Jo, kjo vajzë, cilado qoftë, që më rrëmben nderet, do të pendohet ashpër, ose unë nuk jam perëndeshë e vërtetë.”

Me këtë, Afërdita thirri pranë saj djalin e saj Kupidin dhe iu lut me pasion, nëse kishte ndonjë dashuri për nënën, të hakmerrej për dëmtimin e rëndë që i ishte bërë nga një e lig dhe e pabesë. Dhe pasi i tregoi të gjithë historinë dhe vendin ku jetonte Psika, e urdhëroi të fluturonte menjëherë për ta ndëshkuar siç e meritonte. “Me gjithë zemër, nënë e ëmbël,” u përgjigj Kupidi. “Më thuaj vetëm se çfarë duhet të bëj. Sepse ti e di se unë nuk kam rrufe, si Jove, dhe shigjetat e mia nuk vrasin, si ato të Apollonit.” “Jo,” tha Afërdita, “nuk dua ta vras. Vdekja ështe shumë e shkurtër dhe dënim i lehtë për të – do ta bëja që ajo të vuante sa do të dëshironte të vdiste. Pra, me një nga shigjetat tuaja magjike djegëse shpoja zemrën dhe bëje të dashurohet me njeriun më të varfër, më të shëmtuar dhe më të poshtër në mbretërinë e babait të saj.” Kupidi premtoi të bindej; dhe kur Afërdita e armatosi me harkun e artë dhe kurorën e kristaltë, fluturoi në perëndim.

Ndërkohë, Psikika, me gjithë bukurinë dhe famën e saj, kishte vetëm një jetë të trishtuar. Dy motrat, që ishin krijesat më krenare dhe më vanitoze në jetë, e kishin zili dhe e urrenin fëmijën e gjorë për nderin dhe adhurimin që i bënin njerëzit; por ajo pak kënaqej me to, sepse ishte me natyrë të butë, shumë e dashur, dhe e ndrojtur. Lavdërimi dhe admirimi që iu bë bukurisë së saj e hutuan, dhe sinqerisht mendonte se motrat e saj ishin shumë më të bukura se ajo; për sa i përket adhurimit nën emrin e Afërditës u tremb aq shumë sa asgjë tjetër, veç bindjes ndaj prindërve e bëri të duronte. Por ata, me krenarinë e marrë të zemrave të tyre, vazhduan t’i bënin një shfaqje, e zbukuruan dhe e kurorëzuan me lulet e Venusit dhe e detyruan të luante perëndeshën sa më mirë. Megjithatë, nuk kaloi shumë dhe këta prindër filluan të pendoheshin për marrëzinë e tyre. Shumë kërkues erdhën për dy vajzat e tyre të mëdha, të cilat shpejt u martuan me dy zotër të mëdhenj; por asnjë burrë, i lartë apo i ulët, nuk kërkoi të martohej me Psikën. Mbretit, babait të saj, kjo i dukej e jashtëzakonshme, dhe dyshoi se perënditë e kishin zili lavdinë e vajzës së tij. Kështu, vendosi të merrte këshillën e një orakulli. Tani ishte në ato ditë një orakull i famshëm i Apollonit. Mbreti shkoi atje; dhe pasi u lut dhe ofroi flijim, pyeti orakullin se çfarë duhet të bënte për të marrë një burrë për vajzën e tij. Dhe Apolloni i dha këtë përgjigje me gojën e priftëreshës së tij:

“Le të vishet Psika e bukur me vello të zezë dhe të qëndrojë në shkëmbin më të lartë të gjejë bashkëshortin e saj, sepse ajo nuk duhet të martohet me asnjë lloj race njerëzore, por me një gjarpër të rënë; që lundron në qiejt me yje duke nënshtruar të gjitha gjërat në fluturimin e tij; vetë zotat, kërkuesi dhe i mençuri, i nënshtrohen fuqisë së tij. Lumenjtë zihen, edhe Kaosi”.

Mbreti u kthye përsëri në shtëpi në pikëllim të madh dhe i tregoi gruas së tij fatin e tmerrshëm që ishte caktuar për vajzën e tyre, dhe ata qanë dhe vajtuan së bashku shumë ditë. Pastaj, duke mos guxuar të mos i binden orakullit, filluan të përgatiteshin për martesën e Psikës me gjarpërin, ose më mirë, siç dukej shumë qartë, për fundin e saj të mjerueshëm. Pallati dhe i gjithë qyteti kumbuan nga tërbimet dhe vajtimet; në vend të himneve të martesës; u ndezën pishtarë të zinj; vetë nusja ishte e mbuluar dhe e veshur me të zeza, dhe gjithë vargu i nusërisë ishin veshur si vajtore. Lotët dhe përgjërimet e të gjithë popullit e detyruan mbretin ta shtyjë për pak ditën fatale; por më në fund nuk vonoi më, që të mos zemëroheshin perënditë.

Pranë qytetit Ishte një mal i thepisur dhe i lartë, i cili kurorëzohej nga një shkëmb i madh në formë altari; këtu ata sollën Psikën e pafat në procesion të zi; pranë saj ecnin babai dhe nëna, të ndjekur nga familja dhe miqtë e tyre dhe një turmë e madhe e njerëzve të thjeshtë, të gjithë duke qarë dhe duke vajtuar me hidhërim. Kur arritën në majë të kodrës, mbreti dhe mbretëresha filluan të largoheshin nga fëmija i tyre; duke qarë, ata rrihnin gjoksin dhe shkulnin flokët në një furi hidhërimi. Por Psikika u tha: “Oh, prindërit e mi të dashur dhe të nderuar, pse ma thyeni zemrën me pamjen e fytyrave tuaja të qara dhe me shkuljen e flokëve tuaj të thinjur? Mjerisht, tani është tepër vonë për lot. Kur njerëzit më bënë perëndeshë dhe më quajtën Afërdita e Re, atëherë ishte koha që duhet të kishit qarë për mua, duke e ditur se bukuria së shpejti do të bëhej rrënimi im. Tani ju mund ta shihni, se zemërimi i Venusit të ofenduar e ka sjellë fëmijën tuaj në këtë fund të mjerueshëm. Por meqenëse nuk ka zgjidhje, ju lutem që të më lini në fatin tim. Unë jam gati… jo, kam dëshirë të takoj dhëndrin – sepse mendoj se emri i tij i vërtetë është Vdekja.”

U largua Psikika e gjorë dhe u ngjit në mal, megjithëse më tepër me qëllim për të vrarë veten. Dhe kur arriti në majë, e dinte se ajo detyrë ishte e pashpresë. Sepse pa një shkëmb të madh, nga i cili doli një katarakt që hidhej poshtë në një luginë shumë më poshtë. Dhe në të dyja anët e përroit ajo pa dragonj të mëdhenj—rojtarët pa gjumë të burimit – dhe vetë uji i zhurmshëm dukej se nxirrte një zë të ngjirur:

“Larg, larg, çfarë do të bësh?

Fluturo, përndryshe do të vritesh!”

Por Psika nuk mund të lëvizte, as të mendonte, as të derdhte lot, ishte aq e mpirë nga tmerri; aty qëndronte, sikur të ishte kthyer në gur. Dhe tani me të vërtetë dukej se ajo do të vdiste në atë mal të shkretë, larg nga çdo ndihme. Por zogu hyjnor i Jupiterit të madh, Shqiponja, e pa nga shtëpia qiellore dhe zbriti drejt saj me krahët e fuqishëm. Ishte një pamje madhështore teksa u ul në një shkëmb pranë saj, me pendën kafe që shkëlqenin në diell; megjithëse dukej mjaft e egër, Psika nuk kishte frikë, por u ngushëllua kur pa se Shqipja ishte mes saj dhe dragonjve.

“Oh, më e thjeshta dhe më e paditura e vajzave,” tha, duke folur ashpër, siç është mënyra e Shqiponjave:

“Ulu në shpinë time, më vendos krahun në qafë dhe unë do të të zbres nga mali. Eja, nuk duhet të kesh frikë; Do t’ju mbaj të sigurt si dikur Ganymedin – por guxoj të them se nuk keni dëgjuar kurrë për të, sepse ju duket se nuk dini asgjë fare.”

Atëherë Psikika (siç njihet sot) u bind me kënaqësi. Në një çast, siç iu duk, ajo u hodh butësisht në tokë; hyri mes njerëzve, mendjeve të tyre – Shqiponja u ngjit lart në retë larg syve të saj – dhe vendi u quajt Fole e Shqipes.

Filed Under: Kronike Tagged With: Astrit Lulushi

Qeveria e Kosovës financon tekste mësimore në gjuhën shqipe për Luginën e Preshevës

August 9, 2023 by s p

PRISHTINË, 9 Gusht 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka ndarë 254,562.30 € për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore, në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për vitin shkollor 2023-2024.

“Edhe vitin e kaluar kemi ndarë mjete financiare në qëllim të pajisjes me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ndihma jonë për bashkëkombësit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni, që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare”, thekson Qeveria e Kosovës në një komunikatë të dërguar.

Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, sot ka zhvilluar mbledhjen e 154-të, ku ka plotësuar dhe ndryshuar Programin Legjislativ për vitin 2023. Axhendës së plotësuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës i shtohen katër projektligje të reja, ndërksa afati i miratimit në qeveri shtyhet për 13 projektligje.

Mes tjerash, Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. “Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë numrin e anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmes saj, fushëveprimit të Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar punët sociale, kurse Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Ekonomisë, duke u nisur nga rëndësia e punës së tyre karshi qytetarëve, i janë shtuar kompetencat”, thekson komunikata.

Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Kurti është shprehur: “Fillimisht le t’i urojmë së bashku mirëseardhje anëtarit tonë më të ri të kabinetit, kolegut tonë të ri, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Punë të mbarë. E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e të pashoq, ish-ministrin Armend Mehajn, ndërkaq bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë”.

Filed Under: Kronike

Pemët simbol…

August 5, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Tre pemë janë simbol dhe me traditë historike në brigjet e Akrokerauneve:

Ulliri

Rrapi

Valanidhi.

Të tri pemët kanë specifika, vlerë, dallesë, kurora dhe sidomos hije të ndryshme.

Ulliri, sikundër e thotë regjisori më i madh në kohëra, nga këto brigje, Dhimitër Anagnosti, është: ” pema e jetës”. Adhurimi për këtë pemë është trashëguar si kult, por edhe si jetëdashje. Shëmbëllane kjo trashëgimi me atë që thotë Barleti tek ” Histori e Skënderbeut” për martesat e çifteve të reja që duhen shoqëruar me mbjellje ullinjsh. Ulliri, në këto brigje, kërkon një grusht dhe, dhe shumë shkëmbënj. Kurora e tij, mbulon shkëmbinjtë ose ledhet e thata me gurë dhe kokrrat në stinën e fundvitit i hedh, për t’i gjetur ose ullinjmbledhëset e Bregut, ose zogjtë e brigjeve që lodrojnë bashkë me pulëbardhat me tramundanat në dimër e sidomos në vjeshtë.

Rrapi nuk bëhet ku është ulliri. Rrapi kërkon lartësi, ose një terren përkarshi detit. Fshatrat e Bregut kanë nga një rrap, kryesisht në qendrat e fshatrave. Të tillë gjen deri në lartësitë e Labërisë, si në luginën e Lumit të Vlorës, ashtu edhe më sipër, në Kurvelesh. Me rrepet është e lidhur shpesh poezia orale dhe veçanërisht polifonia, Kënga Vënçe Labe. Metaforat dhe baladat e kësaj treve që dëshmojnë raportin e trimave me hijet dhe degët e rrepeve janë unike, janë pjesë e papërsëritshme e simbolizmit dhe epicitetit si vjershëronjës ashtu edhe këndonjës…Marrëdhëniet njerëzore me hijen dhe degët e kësaj peme, në këto vise, shprehin një raport antroponatyror dhe antropoflorues si me asnjë pemë tjetër. ” Jemi si gjethja në erë/ që s’e dimë se ku do bjerë”…

Pema e tretë është valanidhi.

Është një pemë e mikroklimës. Nuk gjendet kudo, por përgjatë krejt shtrirjes gjeografike të vargmaleve të Vetëtimës, që nga fillesa e gadishullit të Karaburunit dhe deri në Kepin e Stillos, madje në zgjatimin matanë kufirit shtetëror, në skajin e poshtëm jugor të Çamërisë. Një pemë që bëhet vetëm në një mjedis zgjatues nëpër brigjet e Jonit. Hijerëndë dhe zogjmbledhës, pemë me bohçe dhe me lotime lëngjesh të rënda, sikundër edhe durues ndaj goditjeve të vetëtimave të shumta. Gjelbëron edhe kur merr zgafella zhurritjesh prej vetëtimash…

Janë tri pemë me cilësi dhe karakteristika qëndrese, autenticiteti, tiparesh dhe hijesh të cilat nuk do të ishin të tilla, së paku, jashtë këtij visi dhe natyrshëm, matanë kësaj njerëzie lokale që ekzistencën e vet e mishëron vetëm në tri forma materieje me tokë, me det dhe me qiej…Njeriu në atë vis, i shkel kohët e ardhme, si i pandryshuar, në formën e tri pemëve që do, veç ajo tokë.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT