Dr. Lulzim Nika/
Po bëhen 25 vjet, nga masakra e Abrisë, pa u dënuar krimi serb. Masakra e forcave serbe ndaj familjes Deliu të Abrisë, sidomos pamja e fëmijëve kishte shokuar administratën e presidentit Klinton.
Edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë.
Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.
Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija”e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, i cili ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe. Këto ambicie kishin filluar të sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.
Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1998-99, ku shteti serb, kundër shqiptarëve të Kosovës, përdori metodat më mizore, barbare dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova. Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë, morën përmasa tragjike për tërë botën e civilizuar, saqë tmerruan opinionin publik vendës dhe të huaj, si dhe vunë në lëvizje qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Krimet dhe masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Verbofc dhe Izbicë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.
Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan, por ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe.
Masakra e Abrisë dhe Reçakut “vrau” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-s, sollën paqen në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar. Me mijëra të vrarë e masakruar në shtëpi të tyre, shumë fëmijë, gra, dhe pleq, pra në gjithë Kosovën.
E sot, pas 25 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u dënuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli.
Qoftë i paharruar kujtimi dhe vlerësimi për të rënët që u bënë themel i lirisë së Kosovës.
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë së Kosovës.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Sot në përvjetorin e masakrës së familjes Deliu takova mikun tim, Kryefamiljarin Ymer Deliu dhe një mik të veçantë që luajti rol shumë të rëndësishëm në informimin e opinionit ndërkombëtar për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gazetarin e BBC-së, Vaughan Smith që gjatë luftës kishte informuar opinionin ndërkombëtar për Kosovën, vuajtjet e popullit dhe luftën çlirimtare dhe me plotë të drejtë mund të quhet edhe heroi i pasimit të së vërtetës për luftën e Kosovës.