• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Anagnosti si krenari e Vunoit dhe artisti i madh i kombit shqiptar

March 11, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Të enjten në Muzeun Historik Kombëtar, shoqata Vunoi organizoi një aktivitet aq zemërmbushës për regjisorin e madh, Nderin e Kombit dhe Artistin e Popullit Dhimitër Anagnosti, sa rrallëkush me aq dashuri. Është një organizim bijsh e bijash të këtij fshati të Bregdetit të Himarës, i cili nuk ka nevojë për t’u rrëfyer, pasi është i shumëshfaqur në krejt historinë e vendit. Por artisti, Mjeshtri Anagnosti, më i madhi i filmit shqiptar, i vetëmjaftueshëm për çdo krahasim me mjeshtra të filmit nëpër botë, u shfaq në atë sallë të mbushur me bashkëvendas të vet, si një bir i moshuar, por tepër bir.Ka aq shumë vepër sa harresa në të ardhmen nuk e cek dot.Ka aq shumë identifikim të identitetit dhe tipologjive, mendësisë dhe karaktereve shqiptare, sa dhe kur ndoshta të humbasë e prekshmja, mjafton e shfaqshmja në filmat e tij. Artist i madh dhe, për ne bashkëkohësit, qytetar i madh. Model si një i madh dhe i shquar i Bregut shqiptar.Falenderimi i tij aq njerëzor, pas dekorimit me një titull simbolik por aq kuptimplotë; ” Krenari e Vunoit” nga organizatorët dhe njësia Kryepleqërore e Vunoit, të sjell natyrshëm në mendje një lutje për Bashkinë e Himarës:Në buxhetin dhe fondet për kulturën, lutemi shënoni posaçërisht një mundësi për bronxin e shtatores që meriton Dhimitër Anagnosti! Artisti i madh që ka fituar nderimin e madh të popullit dhe brezave, artistëve dhe kulturës së madhe Mesdhetare, e meriton të ketë det dhe valë përballë, në përjetësi. Ju punën duhet të bëni, vendin e ka zënë vetë.Rrofsh e gëzofsh Mjeshtër i madh i vendit tim, Dhimitër Anagnosti! Faleminderit zonja e bukur dhe e vyer e artit dhe skenës shqiptare, Roza Anagnosti! Faleminderit familja Anagnosti!

Filed Under: Kulture

PËRSËRI BASHKË, PËR TË PËRFUNDUAR PROJEKTIN E QENDRËS SË RE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR NË FILADELFIA

March 9, 2023 by s p

Lead architect Lluka Lakuriqi, left, Tajar Domi, center and Bujar Gjoka of the Albanian American Association are seen outside of the historic Lower Dublin Academy in Northeast Philadelphia. (Brad Larrison for WHYY)

Tashmë objekti i ri i shqiptarëve në Filadelfia, që do të destinohet për Qëndër komunitare e shkollë shqipe për fëmijtë tanë, është një realitet prej më shumë se 4 vitesh. Bijtë e Shqipes këtu janë të zotët e ketij vëndi, pasi e blenë atë, falë angazhimit e kontributit të disa qindra familjeve shqiptare. Në atë kohë për të gjithë që një gëzim i madh, dhe ishte e menjëhershme puna e shumë bashkatdhëtarëve, si përgjigje e këtyre emocioneve që u krijuan. Eshtë shkruar shumë për këtë vrull të jashtëzakonshem. Megjithatë gjërat nuk ecen sic qenë parashikuar. Pandemia dhe statusi historik i këtij objekti, krijuan vonesa disa vjecare për të realizuar punimet për restaurimin e tij. 

Por tani gjithcka nga ana ligjore është gati, për të filluar punën së bashku. Dhe për të mos humbur kohë, kryesia e shoqatës “Bijtë e Shqipes” nëpërmjet kryetarit të saj, z.Bujar Gjoka, përcolli një Mesazh drejtuar bisneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Filadelfia e rreth saj, për një takim ditën e Premte, me datë 3 Mars 2023 në oren 6 të mbrëmjes, që të përcaktohen hapat konkret që duhet të ndërmarrim për të përfunduar punën e nisur. Megjithë angazhimin që ka dita e premte për bisneset, disa prej tyre së bashku me një pjesë të kryesisë të shoqatës e veprimtar të saj, gjetën kohë për tu bërë pjesë e këtij takimi. 

Kryetari i shoqatës z. Bujar, hapi takimin duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe duke informuar ata për nevojen që kemi të bëhemi bashkë përsëri e të realizojmë atë project që kemi nisur vitë me parë, por që pavaresisht perpjekjeve tona nuk u arrit të bënim atë që mund të bëhej që në vitin e parë pas blerjes. Sigurisht, për punë të mira asnjeherë s’është vonë. Vecanërisht kur fjala është për Qëndrën tonë që do të jetë shumë funksionale e në radhë të parë si shkollë shqipe. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë cdo dollar të dhuruar nga cdo pjestar i komunitetit dhe të ruajmë transparencën para tyre. Më tej z. Bujar sqaron: Në bisedë paraprake me z. Arti Ismailanji, që si shumë të tjerë zotëron një kompani ndërtimi si General Construction e që njeh ligjet e kësaj fushe, ja bëmë present shqetësimin e nevojën tonë për të marrë përsipër menaxhimin e punimeve deri në përfundim të projektit. Ai e mirëpriti këtë, prandaj e falenderojmë. 

Pas fjalës së z. Bujar, në takim filloi biseda ku fryma e dëshira e cdo njerit ishte që sa më parë të vetë organizohemi për të kryer atë cfarë kërkohet në një afat sa më të shkurtër. Arti, i cili ka dhënë një kontribut jo të vogël për demolimin e pastrimin e godinës që në fillim, u tha pjesëmarrësve se kjo punë na perket neve, bisneseve shqiptare këtu në Filadelfia, dhe unë mendoj se duhet të bëhemi të gjithë pjesë e kësaj fushate, me mundësitë që ka secili. Dikush mund të marrë përsipër kryesimin e grupeve të punës sipas specialiteteve, dikusht tjetër të jap ndihmesën me fuqi punëtore e ndonjë tjetër të kontribojë financiarisht. Të gjithë duhet të humbim nga pak kohë për ti dhënë emër komunitetit tonë, me një Qëndër model që do ndërtojmë e që afërsisht do të kërkojë rreth $ 250 – $300 mijë dollarë. Unë pranova të jem ligjërisht i ngarkuar në këtë punë, por në se dikush nga shokët nuk e shikon me vënd angazhimin tim këtu, unë tërhiqem. Por nuk kishte se si të mos mbështetej nga të gjithë shokët e miqtë tanë aty, duke ja njohur edhe aftësitë organizuese e patriotizmin që manifeston Arti. Ai kërkoj që të jemi konkret në angazhime. Dhe ashtu u procedua në vazhdim. Bisnesmenët Mexhit Koboci (i cili është i zgjedhur edhe anetar i kryesisë) e Roland Ismailanji, morën përsipër, që duke thithur edhe ndihmën e bisneseve të tjera të fushës elektrike, të përfundojnë totalisht këtë lloj servisi në object. Bedri Allaraj, premtoi të drejtojë punën për instalimin e sistemit të ngrohjes e të ftohjes, duke u bërë thirrje edhe  shokëve te tjerë që nuk ishin të pranishëm, por që menaxhojnë bisnesin e kësaj fushe, të bëhemi bashkë për ta përfunduar sa me shpejt. Ndërsa për punimet hidraulike (plumbing), do të bisedohet me bisnesmenin e suksesshëm Ferhat Ferko, i cili për aresye të forta nuk ishte i pranishëm, që të udhëheqë punimet e këtij lloj duke bashkëpunuar edhe me të tjerë.  Dëshirën për të ndihmuar në këtë process ka shprehur më parë edhe bisnesmeni Astrit Hoxha, i cili u kontaktua në telefon nga kryetari i shoqatës, dhe premtoi që me kompaninë e tij të përfundojë framing e objektit.  Me një ndjenjë të lartë përgjegjësie diskutoi edhe dibrani me banim në Nju Xhersi, z.Imer Dedja, duke bërë thirrje që të angazhohemi të gjithë në këtë aksion atdhetar. Ai dhuroi një check prej një mijë dollarësh, që hapi këtë fushatë. Shumë të tjerë si Agim Bajrami, Bastri Bajo, Dhimo Xhorxhi, Eldion Pajollari, Defrim e Ajet Pajollari, Besim Fana, Sokol Allaraj, Gezim Tafa, Ruzhdi Karaj, Vullnet Agolli etj.. i dhanë mbështetje të fuqishme fushatës me diskutimet e mendimet e tyre, që do të kthehen në kontribut konkret në object. 

Ky takim bashkëatdhetarësh, anëtar ose jo të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, shprehu më së miri dëshirën e shqiptarëve për ti parë ato bashkë kudo, të lartësuar e të fuqishëm gjithmonë, e sidomos me një Qëndër dinjitoze që do të na bëjë të njihemi e të jemi të kërkuar.  

Pra është koha ta përgatisim këtë Qëndër. Dhe mundësinë e kemi. Janë mbi 350 subjekte bisnesi të shqiptarëve në Filadelfia, që po rriten nëpërmjet punës së tyre të ndershme e të lodhëshme, sigurisht. Ndoshta të gjithë duhet ta ndjëjnë veten si detyrues, për të vendosur një tullë me kontributin e tyre në këtë projekt, për të qënë krenar nesër me të. 

Kontributi është pjesë e brendshme e qënies tëe cdo shqiptari. Shumë prej tyre kanë dëshirë të madhe të shohin jo vetëm familjet, por edhe të gjithë komunitetin të jetë krenar me arritjet e tij. Kjo i shtyn një grup pensionistësh, anëtar e veprimtar të shoqatës, të jenë ndër kontribuesit e parë në cdo fushatë, qoftë për fatkeqësi, për tërmetin, për Godinën e re etj. Një pjesë e tyre ishin edhe në takimin me bisneset. Dukeshin plot deshirë për tu shprehur. Por nuk folën, për të mos ua prishur vrullin e bukur më të rinjve. Shtërnguan duart me to, ne shenjë urimi.  E megjithatë nuk harruan që në fund, nga kursimet e tyre, të dhuronin dicka. Dhuruan pra, Sami Zaimaj $100, Lutfi Brami $100, Niko Bani $ 100, Hys Hasa $100, Vangjel Haxhistasa $100 e Eqerem Murataj $100 (dy te fundit nuk ishin present, por i dërguan dollarët) si dhe Llazar Vero $200.

Eshtë pak për ti falenderuar këta njerëz të mirë, dhe kjo nuk mjafton. Ata duhen ndjekur. Dhe këtë, bashkatdhetaret tanë e kanë bërë sa herë që u është kërkuar ndihma e tyre. Do ta bëjnë edhe këtë herë, sigurisht. 

Ndërsa bisnesmenët do të mblidhen përsëri në mbrëmjen e dhurimit të fondeve që do të organizohet me dt 25 Mars 2023, e për të cilën do të këtë njoftim të vecantë. 

Deri atëhere, gjithkush mund të dhurojë për godinën e re të shoqatës duke bërë pagesa me check ose para cash tek godina e shoqatës, ose nëpermjet aplikacionit Venmo për Bijtë e Shqipes Philadelphia ose online në llogarinë e shoqatës “Bijte e Shqipes”, të cilën do ta gjeni lehtësisht në WEB-in e saj  www.bijtëeshqipes.org. 

Tajar DOMI

Filadelfia , 5 Mars 2023

Filed Under: Kulture

Me rastin e “8 Marsit” – Ditës së Grave

March 8, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli

DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE

Në Gjermani, në një pllakat për Ditën ndërkombëtare të grave, të datës 8 mars 1914 shkruan: “Këndej, me të drejtën e femrës për të votuar. Dita e grave, 8 marsi 1914. Grave, të cilat si punëtore, nëna dhe qytetare e plotësojnë detyrën e vet, të cilat tatimet e veta duhet t’ia paguajnë, si shtetit ashtu edhe komunës, për shkak të paragjykimeve dhe qëndrimeve reaksionare, u mohohen shumë të drejta qytetare. Lufta për këtë të drejtë të natyrshme të njeriut duhet të bëhet me vullnetin e fortë, të palëkundshëm të çdo femre, të çdo punëtoreje. Kjo luftë nuk duhet të ndërpritet apo të ndalet në asnjë çast. Prandaj ejani të gjitha, ju gratë dhe vajzat, të dielën më 8 mars 1913, në orën 3 pasdite, në tubimin e 9-të publik të grave“.
Dita ndërkombëtare e grave, në forma të ndryshme shënohet në shumë vende të botës. Me fjalë të tjera, është në datë me shtrirje ndërkombëtare.
Qarqe të caktuara konsiderojnë se kjo ditë ka rëndësi për Ditën e vetëdijes qytetare, për Ditën e grave dhe të vajzave, për Ditën e antiseksizmit dhe për Ditën e diskriminimit pozitiv. Kjo ditë festohet një herë në vit, më 8 mars.
Me Ditën ndërkombëtare të grave (Ditën e grave) ndërlidhen edhe festat: Dita universale e fëmijëve, Dita ndërkombëtare e meshkujve dhe Dita ndërkombëtare e punëtorëve.
* * *
Dita ndërkombëtare e grave (shkurtimisht Dita e grave) shënohet më 8 mars të çdo viti. Atë ditë festohen arritjet ekonomike, politike dhe shoqërore të pjesëtarëve të gjinisë femërore. Lindi si nismë e organizatave socialiste në periudhën para Luftës së Parë Botërore në luftën për barazi, për të drejtë vote si dhe për emancipimin e femrave. Për herë të parë Dita e grave është shënuar më 28 shkurt 1909 në ShBA, me deklaratën që e nxori Partia Socialiste e Amerikës. Me shënimin e Ditës së grave përkujtoheshin edhe ngjarje historike të rëndësishme, duke përfshirë edhe tragjedinë e shkaktuar nga zjarri në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork (New York) në vitin 1911, me ç’rast humbën jetën mbi 140 gra.
Pasqyra historike – Figura të njohura që ndërlidhen me Ditën ndërkombëtare të grave janë socialistja gjermane Klara Cetkin (Clara Zetkin, 1857-1933) dhe komunistja gjermane me prejardhje hebraike Roza Luksemburg (Rosa Luxemburg, 1871-1919).
Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda pune, shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork (New York). Punëtoret e tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njohur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote.
Në vitin 1910 u mbajt në Kopenhagë konferenca e parë ndërkombëtare e grave. Kjo konferencë u organizua nga Internacionalja Socialiste. Me propozimin e socialistes së famshme gjermane Klara Cetkin* (Clara Zetkin) u përcaktua “Dita ndërkombëtare e grave“.
Një vit më vonë, d.m.th. më 1911, Ditën ndërkombëtare të grave e festuan mbi një milion njerëz në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe në Zvicër. Këto ngjarje përkonin me zjarrin në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork, me ç’rast, për mungesë masash përkatëse të sigurisë, pati numër të madh viktimash. Në prag të Luftës së Parë Botërore, më 8 mars 1913, femrat e mbarë Evropës organizuan demonstrata paqeje.
Demonstratat me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave në Rusi ishin hap i parë i revolucionit rus. Pas revolucionit të tetorit, revolucionarja dhe feministja bolshevike ruse, teoricienia e marksizmit Aleksandra Kolontaj i kërkoi Vladimir Iliç Lenininit (1870-1924) që 8 marsi të shpallet festë shtetërore. Gjatë periudhës sovjetike kjo datë përdorej për të shënuar „heroizmin e punëtoreve“.
Por, në shumë shtete komuniste kjo festë e humbi bazën e vet ideologjike dhe u shndërrua në rast për meshkujt për të shprehur dashurinë dhe respektin ndaj pjesëtarëve të gjinisë së kundërt. Në shtetet perëndimore Dita ndërkombëtare e grave ka shërbyer si amalgamë tipike e Ditës së nënës dhe e Ditës së Shën Valentinit.
“Dita e grave” në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist u shndërrua në parodi, kështu që pas revolucionit të plishtë – u hoq. Në Hungari ndërkaq, tradita për t’u dhuruar lule femrave, u ruajt edhe pas rënies së komunizmit.
“Dita e grave” sot – Në shumë shtete, femrave sot, krahas urimit zakonisht u dhurohet edhe lule. Simbol i Ditës së grave në Itali është mimoza.
Dita ndërkombëtare e grave në botën perëndimore kryesisht pushoi të shënohet në vitet ’30 të shekullit XX, pjesërisht edhe për faktin se e ndërlidhnin me komunizmin. Në këto vende, çdo të dytën javë të muajit maj, shënohet “Dita e nënës” për nder të nënës dhe të të qenit nënë.
Dita e grave ka mbetur festë shtetërore në Rusi, në Bjellorusi, në Ukrainë, në Kazakistan, në Kirgizi, në Moldavi, në Mongoli e në Taxhikistan dhe shënohet me lule e dhurata.
Por, në vitet ’60 të shekullit XX feministet përsëri filluan ta festojnë. Në vitin 1975 që u shpall si Vit ndërkombëtar i gruas, Ditën ndërkombëtare të grave Kombet e Bashkuara nisën ta festojnë zyrtarisht.
Ditën ndërkombëtare të grave sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa prej tyre kërkojnë që kjo ditë të jetë festë shtetërore në të gjitha vendet.
* * *
Shënim: Roza Luksemburg lindi në vitin 1871 si Rozalia Luksemburg në Zamoshq afër Lublinit, në Poloni, në një familje hebraike. Ishte shtetase gjermane. Studioi në Universitetin e Cyrihut. Teoriciene e marksizmit dhe e socializmit demokrat, teoriciene e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, më vonë e Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë.
Roza Luksemburg, Karl Libkneht* (Karl Liebknecht) dhe Franc Mering* (Franz Mehring) themeluan në Gjermani organizatën komuniste ilegale – Lidhja Spartakus (Lidhja Spartakiste). Nga ky grup marksist revolucionar-demokratik lindi Partia Komuniste Gjermane. Në janar të vitit 1919 Roza Luksemburg mori pjesë në revolucionin e pasuksesshëm në Berlin. Kryengritja shpërtheu përkundër mospajtimit të saj. Revolucioni u shua nga mbetjet e ushtrisë monarkiste dhe nga formacionet paraushtarake djathtiste, të njohur si frajkorë. Roza Luksemburgu, Karl Libknehti dhe qindra të tjerë u zunë, u torturuan dhe u pushkatuan. Teoria revolucionare e veçantë e marksizmit dhe e socializmit demokratik – luksemburgizmi, buron nga emri i saj.
Karl Libkneht (Karl Paul August Friedrich Liebknecht, 1871-1919) studioi drejtësisnë. Ishte eksponent i ideve marksiste, bashkëmendimtar dhe bashkëpunëtor i Roza Luksemburgut dhe i Franc Meringut. I përket Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, është një ndër themeluesit e Partisë Komuniste Gjermane. U pushkatua pas kryengritjes së pasuksesshme në Berlin.
Franc Mering (Franz Erdmann Mehring; Slawno, Poloni, 1846 – Berlin, 28.01.1919) sociolog gjerman, historian dhe historian i letërsisë, marksist dhe politikan radikal. Një prej udhëheqësve të krahut të majtë dhe teoricien i socialdemokracisë gjermane. Një prej themeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Komuniste të Gjermanisë.
* * *
Shënim: Klara Cetkin, mbiemri i vajzërisë Ajzner (Clara Zetkin, Eißner, Viderau, Konfederata Gjermane, 1857 – Arhangelskoje, afër Moskës, 1933) ishte politikane majtiste gjermane me ndikim dhe luftëtare e të drejtave të grave. U shkollua për arsimtare. Bashkëmendimtare e Roza Luksemburgut. E mori mbiemrin e partnerit të saj, revolucionarit rus Osip Cetkin (Ossip Zetkin, Odesë, 1850 – Paris, 1889) me të cilin kishte dy djem. Në vitet 1899-1928 ishte e martuar me piktorin gjerman Georg Fridrih Cundel (Georg Friedrich Zundel, 1875-1948).
Prej vitit 1874 u lidh me lëvizjen e grave dhe të punëtorëve në Gjermani. Në vitin 1878 u bë anëtare e Partisë Socialiste Punëtore (Sozialistische Arbeiterpartei, SAP). Kjo parti u themelua më 1875 me bashkimin e dy partive paraprake: Asociacionit të Përgjithshëm Gjerman të Punëtorëve (ADAV), të themeluar nga Ferdinand Lasal* dhe Partisë Socialdemokrate Punëtore (SDAP) të August Bebelit* dhe të Vilhelm Libknehtit*. Më 1890 partia e ndryshoi emrin dhe u quajt Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD).
Në debatin mbi revizionizmin në fillim të shekullit XX, Klara Cetkin, bashkë me Roza Luksemburgun mban vijën revolucionare ekstreme dhe sulmon tezat reformiste të Eduard Bernshtajnit*. Gjatë qëndrimit në Paris luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Internacionles Socialiste. Zhvilloi lëvizjen e femrave socialdemokrate në Gjermani.
Klara Cetkin ishte aktive në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më vonë hyri në Partinë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD). I përkiste krahut të ekstremit të majtë të partisë – Lidhjes Spartakiste nga e cila më vonë lindi Partia Komuniste Gjermane (KPD). Gjatë Republikës së Vaimarit (Weimarer Republik), në vitet 1920-1933 ishte deputete popullore në Rajhstag (Reichstag).
Më 8 mars 1911 organizoi kremtimin e parë të Ditës ndërkombëtare të grave. Në vitin 1915, krahas veprimtarive të tjera kundër luftës, organizoi në Berlin konferencën ndërkombëtare të grave kundër luftës. Gjatë luftës, për shkak të qëndrimeve kundër luftës, u burgos disa herë. Në vitin 1916 Klara Cetkin është një prej bashkëthemeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD) e cila, në vitin 1917 u nda nga partia nënë – SPD. Në janar 1919, pas revolucionit gjerman të nëntorit të vitit paraprak (1918), u themelua Partia Komuniste Gjermane (KPD). Klara Cetkin u bë anëtare e saj. Në vitet 1920-1933 ishte deputete e popullit në parlamentin gjerman. Më 1920 e intervistoi Vladimir Iliç Leninin (1870-1924) për “çështjen e femrës”. Në vitet 1921-1933 ishte anëtare e Komitetit ekzekutiv të Kominternit. Vdiq në Arhangelskoje afër Moskës. U varros në muret e Kremlit në Moskë.
Shënim: Ferdinand Lasal (Ferdinad Lassalle, 1825-1864) është jurist, filozof pruso-gjerman, veprimtar socialist dhe socialdemokrat. Lindi në Vrocuav, të Polonisë. Vdiq në Carouge të Zvicrës. U varros në Old Jewish Cemetery, në Vrocuav të Polonisë. August Bebel (1840-1913) është shkrimtar dhe politikan gjerman, socialist, socialdemokrat. Lindi në Deutz, Këln të Gjermanisë. Vdiq në Passugg të Zvicrës. Vilhelm Libkneht (Wilhelm Martin Philipp Christian Ludwig Liebknecht, 1826-1900) socialist dhe marksist gjerman, udhëheqës politik, bashkëthemelues i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Eduard Bernshtajn (Eduard Bernstein, 1850-1932) – politikan, ekonomist dhe sociolog gjerman. Socialdemokrat dhe propagandues i ideve socialdemokrate, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SDAP), teoricien marksist dhe revizionues i ideve marksiste.
Prof.Xhelal Zejneli

Filed Under: Kulture

Parashqevi Simaku, këngëtarja që u shfaq si një shkëndi që na ndezi në ëndje

March 7, 2023 by s p

Albert Vataj/

Ishte koha kur s’kishim shumë mundësi të mbështesnim shpirtin në një një prehje më të magjishme se kënga. Ishte kohë privimesh e lirish krahëkëputura. Ngado ndihej ftohti i hekurave, kudërbonte myk, jetonim me frikën dhe frika kish frikë nga ne. Por diku atje në një skutë ku hynte pak diell, fare pak, aq sa për të vënë flakën shpirtrave krijuese, bëhej art. Poezive u blatohej vetë hyjnia e muzikës dhe kënga lindte në shpirtje të mbushur përplot pasion dhe ëndrra. Pak gjë guxonte të ndihej gjallë si kënga asokohe. Jetuam me këngën si me një vullnet qiellor, që na lejohej të përjetonim dritshëm në errësirën që zvargej në agoni.Dilemë e kryqtarëve inkuizitorë ziente! Kishte lindur art tjetër përpara muzikës, apo shpirti ynë kërkonte vetëm aty, dehje dhe prehje?!Ishte koha kur begatimi i shpirti nën zgjedhë, krijimin kish besim dhe atij i blatonte zemrën e tharë në etje, epjen që u shpërblue me shërim. Kjo ishte koha kur lindi humori, arti skenik, filmi, piktura, poezia, kur pasioni po zgjonte shpirti, koha kur s’mund të guxojë për bukë e miradina, por s’të bënte syri tërt të luftoje për të bukurën. Ishte koha kur kishte lindur ëndrra nën rrënoja, vinte në skenën e “gozhduar” nga sy qielli e shpirtje drite, kënga, me gjithë lartësinë e atij kontaktie etern, vinin dhjetra zëra magjik, u shfaq edhe ajo, Parashqevi Simaku.Parashqevi Simaku ishte jo vetëm e bukur, dhe e donim kaq shumë të bukurën e natyrshme, por edhe e suksesshme. Ishte jo vetëm rrezatuese në skenë, por edhe shprehëse në krijimin e magjisë së komunikimit artistik dhe emocioneve. Gjithçka e saja në skenë ishte si një shpërthim drite, por as ajo dhe askush nuk mund të shihte kaq thellë dhe të përjetonte kaq fuqishëm.Ajo i përkiste atij brezi këngëtarësh, të cilët erdhën për të mbetur shembulli më domethënës i sfidës dhe suksesit, për të treguar se atë që bën talenti dhe pasioni nuk mund ta ndalojë çdo diktat e nënshtrim. Ndoshta Zoti ishte më bujar se sa mundësia dhe fati ishte më dorëlëshuar se talenti, ajo ishte e bukur dhe gjithçka tjetër prej saj ishte magjepsëse. Parashqevi Simaku ka qënë padyshim një nga ikonat e muzikës së lehtë, por edhe asaj popullore shqiptare. Ajo ishte një nga më të preferuarat e skenës së këngës në kohën e diktaturës, por edhe më pas. E bukur, sharmante dhe me një zë melodioz, ajo fitoi shumë shpejt zemrat e artdashësve për të mbetur në panteonin e këtij adhurimi atëditë e sot. Kishim shpirt të fuqishëm të ndjenim, më shumë se sa ambicie të egos për të gjykatuar. Por ajo ishte ajo, Parashqevi Simaku, unike! Edhe unë i përkisja atyre admiruesve që pëlqyen zërin, performancën, bukurinë dhe sensualitetin e Parashqevi Simakut, asaj që mbeti në kujtesë një vezullim i traditës sonë të muzikës së lehtë.Parashqevi Simaku ka lindur në shtatorin e 1966 dhe ka dalë për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1983, kur ishte 17 vjeçe. Vinte nga Kavaja, nga një familje e thjeshtë, për të fituar besimin dhe admirimin e publikut që në daljet e para.Këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”, gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.Jo për shkak të emigrimit të saj në SHBA, por për shkak të një sëmundje, ajo nuk është më e pranishme në performimet e kujtesës dhe kremtimet festive, ku nuk mungojnë këngëtarë që bënë emër në muzikën shqiptare të erës së diktaturës, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe ajo. Gjithsesi ajo është memuar i skenës së këngës shqiptare dhe emocioneve që ndezën sallat e koncerteve dhe festivaleve. Edhe pse kanë kaluar kaq vite që Parashqevi Simaku nuk është më në skenë, në dalje in memoriam apo në grishje kujtimesh dhe nostalgjie, ne që përjetuam fuqishëm artin dhe virtuozitetin e saj, ne s’mund ta lëmë ta marrë harrimi. Sepse ne nuk e shesim shpirtin.

Filed Under: Kulture Tagged With: ALBERT VATAJ

Historik i shkurtër i shkollës shqipe

March 7, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

7 Marsi-Dita e Mësuesit apo ndryshe siç quhet edhe Ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe e Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës, e vitit 1887.Kujtojmë historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror për liri dhe rezistencë kundër pushtuesve. Në fund të shekullit XIX kundër shkollës shqipe ishte pushtuesi osman, Rusia, Serbia dhe Greqia. Në të katër vilajetet shqiptare kishte shumë shkolla në gjuhën osmane, serbe dhe greke, por jo edhe shqiptare. Në fund të shek.XIX, në të katër vilajetet (të Shkodrës, Kosovës, Manastirit e të Janinës), kishte 1187 shkolla osmane, dhe asnjë nuk ishte në gjuhën shqipe. Në Kosovë në vitin 1878 kishte 87 shkolla serbe. Në vitin 1900, numri tyre shkoi në 200 shkolla serbe. Në fund të shkullit XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1000 shkolla greke. Diplomatët austro-hungarezë ishin për përkrahje dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, në vendbanimet ku popullsia shqiptare ishte shumicë. Dritarja e diturisë për shkollën shqipe ishte në mendjen e shumë patriotëve shqiptarë, që më vonë e bënë realitet. E para shkollë ku mësohej gjuha shqipe u hap në vitin 1887 në Korçë, ndërsa shkolla e parë shqipe për vajza, u hap në vitin 1891.Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë, ishte hapur nga Dom Mikel Tarabuluzi në vitin 1905 në Stubëll të Vitisë. Kjo shënon një ditë historike të arsimit shqip në Kosovë. Në vitin 1941, Ministri i Arsimit në Qeverinë Shqiptare të kohës, mbështetur nga italianët, Ernest Koliqi, mori vendimin e madh për dërgimin e mbi 200 mësuesve në Kosovë, për të hapur shkollat shqipe dhe për t’i dhënë fund analfabetizmit të përgjithshëm, në të cilin ndodheshin shqiptarët e Kosovës, për shkak të sundimeve të gjata brutale osmane dhe serbe. Shumë tekste në gjuhën shqipe u nisën në drejtim të Kosovës. Brenda një viti u hapën 173 shkolla fillore dhe 3 shkolla të mesme. Për herë të parë në histori, fëmijët shqiptarë të Kosovës, morën librin e abetares. Sot kujtojmë me respekt sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT