• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOTIM ME VLERË PËR VESHJEN KOMBËTARE TË KRAJËS

August 24, 2022 by s p

Hamid Alaj, VESHJA E NUSËNISË   KRAJANE, Art  Club, Ulqin, 2021

Në hapësirën etnogjeografike shqiptare të rralla janë ata krahina etnografike  sikurse është ajo e Krajës, e cila dallohet me veçoritë e saja etnokulturore. Kemi të bëjmë  kryesisht me kulturën materiale, përkatësisht veshjet popullore  të grave të njohura si  shestanesha dhe ajo krajane, që janë autentike duke qenë pjesë e thesarit të veshjeve kombëtare shqiptare.

Në lidhje me këtë çështje ja vlen të cekim një thënie të Faik Konicës i cili ka thënë së ”ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina”, që dëshmon për mozaikun e veshjeve kombëtare shqiptare me  shumë së të  asnjë popull tjetër në Evropën Juglindore dhe më gjerë. Në gamën e tyre veshjeve bën pjesë edhe veshja krajane, apo e nusënisë krajane siç e ka definuar Hamid Alaj në librin e tij, që paraqet një kontribut me vlerë për etnografinë shqiptare.

Pas rënies së socializmit si rend shoqëror dhe komunizmit si ideologji, në lidhje me krahinën etnografike të Krajës u kriuan mundësi  për të organizuar takime të ndryshme shkencore, kulturore e shoqërore. Kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve shoqërore ku autor të ndryshëm si çështje preokupimi kanë pasur të kaluarën e krahinës së Krajës nga kohërat me të hershme e deri në ditët tona. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse në kohën e monizmit, çdo gjë kishte qasjen ideologjike, ndërsa trajtimi i çështjeve të identitetit kombëtarë shqiptarë  ishte e ndaluar dhe me pasoja. 

Por, në rrethana të reja shoqërore një numër i konsideruar autorë vendas janë paraqitur me botime të ndryshme me qasje shumëdimensionale, duke prezantuar çështje të panjohura  të cilat janë mirëpritur nga  opinioni i gjerë. 

Në këtë gamë të autorëve bën pjesë edhe Hamid Alaj, i cili kohë më parë opinionit i paraqitet me botimin më të ri “Veshja e nusenisë krajane”.

Veshjet tradicionale përkatësisht popullore  dëshmojnë  identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi,  po ashtu  përfaqësojnë edhe një krahinë  apo një zonë të vogël , duke qenë të ndryshme  me tërë përmbajten e tyre. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht  në sajë të rrethanave shoqërore në mjedisin përkatës,  në varësi të kushteve  ekonomike dhe shoqërore. 

Duke lexur këtë libër del qartë se “veshja e nusënisë krajane” dallohet me tiparët  e saj të veçanta, të cilat nuk i hasim te veshjet tjera të krahinave etnografike shqiptare, që ka tërhequr kureshtjen  edhe të udhëtarët e rastit kur kanë vizituar këtë krahinë, apo në takime të ndryshme të rastit. Ajo është treguesi autentik i krahinës së Krajës, duke mbetur simbol i identitetit kombëtar deri në ditët tona. Veshja krajane nga tipologjia është e këmishës së gjatë ku dominuese janë ngjyra e bardhë dhe e kuqe.

Përbërja  dekorative, forma, ngjyrat dhe elementet tjera te kësaj veshjeje, përmes talentit dhe mjeshtërisë së punuar nga dora e vashave krajane, shprehin dhe krijojnë ndjenjat shpirtërore të popullit tonë. Të gjitha këto elemente përbërëse shërbejnë për të shqyrtuar në detaje përbërjen e kësaj veshjeje. 

Krahina etnografike e  Krajës ruan tradita të pasura të kulturës popullore, si në fushën e folklorit po ashtu edhe në atë të veshjes, të cilat janë ruajtur me fanatizëm duke dëshmuar respektin e trashëguar nga të parët deri në ditët tona.

Botimi i një libri paraqet moment të veçantë për autorin, por kur nga tema dhe përmbajta të cilën e trajton i tejkalon ata përmasa atëherë ka  vlerë të veçantë për popullsinë e mjedisit përkatës. Kemi të bëjmë me identitetin etnokulturor të krahinës së Krajës, përmes veshjes popullore e cila është e veçantë në hapësirën etmogjeografike shqiptare. 

Autori në detaje trajton origjinën e veshjës popullore, duke vazhduar me materialin e veshjës,strukturën artistike të veshjës, motivet dhe vizatimet   dekorative, mjeshtritë popullor,veglat e punës në përgatitjen e veshjës,endja  dhe  prerja e pëlhurës dhe e elementeve tjera të veshjes ,  stolitë  dekorative , ngjyrat,  qëndisjet, qepja e disa elementeve të veshjes , duke përfunduar me renditjën e elementeve të veshjes të  nuses krajane.

Autori ka qenë i vetdjshëm se përgatitja e një libri të tillë nuk ka qenë punë e lehtë, sepse në këtë apekt krahina e Krajës ka qenë pak e hulumtuar. Por, në sajë të angazhimit dhe pasionit për vendlindjën e sidomos për veshjen popullore të nusënisë  krajane, ai ia ka arritur qellimit duke i dhuruar opinionit një botim me interes sa  kulturor dhe shkencor.

Nuk ka dilemë se libri do të lexohet me kureshtje jo vetëm nga krajanet në vendlindje, por edhe nga ata të cilët janë vendosur në mjedise të tjera e sidomos ata në diasporë, sepse ata kanë bartur me vete edhe veshjen popullore krajane e cila është si pasaportë e identitetit kombëtar shqiptar. 

Nuk ka dilemë se në ruajtjën e kësaj veshje, meritë të veçantë kanë familjet krajane të cilat e kanë trasheguar brez pas brezi, që si e tillë vjen deri në ditët tona. Kjo veshje është bërë traditë të prezantohet në ceremoninë e dasmës por edhe në raste të tjera familjare apo shoqërore.

Veshja e nuseve krajane për nga forma dhe përmbajtja mbetet unike në mozaikun e veshjeve popullore shqiptare. Si e tillë ajo dëshmon së është autentike dhe vlerë e padiskutueshme e identitetit kombëtar shqiptar. Ajo së bashku me veshjen e xhubletës, shestaneshës  dhe të anamaleshës mbesin emblematike në  veriperëndim të hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Botimi në fjalë paraqet një kontribut të veçantë për veshjen popullore të Krajës, jo vetëm në nivel lokal por edhe ate mbarëkombëtar. Si i tillë ky botim do të jetë referencë e nevojshme për studiuesit e ndryshëm të cilët do të trajtojnë veshjen popullore  të krahinës së Krajës. 

Përfundimisht, autori ka kryer një obligim moral ndaj vendlindjës duke dëshmuar se ndonëse fizikisht ka tre dekada qe ka emigruar nga ajo, ai ate e ka bartur me vete, që dëshmohet përmes këtij botimi që është një dhuratë për të gjithë krajanet në vend dhe ne mjediset tjera ku jetojnë e punojnë.

Dr.Nail  Draga

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ostros-Krajë, me 2 gusht 2022)

C:\Users\123456\Desktop\298676468_459447735823778_5256155447088678651_n.jpg

Filed Under: Kulture

MIHAL STEFA…

August 19, 2022 by s p

Mevlan Shanaj/

Me aktorin e madh të karaktereve të vogla kam një lidhje shumë të veçantë! Më kishte goditur interpretimi i tij te “Hamleti” në rolin e varrmihësit! Dhe dihej ajo qetësia vetmia e tij ! Më erdhi rasti ta kem pranë në studio gjatë xhirimit të filmt “I teti në bronx” Unë isha i shtrirë në shtrat i plagosur, sipas skenarit vijnë prindërit natën për të takuar djalin, nga një trajstë leshi nxori dy kokrra mollë duke më qëndruar pranë shtratit. Mënyra e afrimit të tij zgjatja e dorës me ato dy mollë, për mua që nuk kisha njohur një dashuri babai,më dha emocion jo si në film, por si një xhest jete që po e provoja për herë të parë! Ai ishte një aktor që të sillte jetën! Në mbyllje të filmit,në epsodin e fundit ai thoshte: Sikur ta marrim sonte në shtëpi djalin, duke u drejtuar nga busti i bronxuar! Unë edhe në këtë episod sa herë që e shikoja përjetoja një emocion tjetër që ma shkaktonte interpretimi i gjallë i “ babait” Mihal Stefa. Më ngjiti ai personazh i tij sikur ma risollli babanë e ikur që në moshën 3 vjeçare. Pata në jetë një si dhuratë prej filmit, po e shikoja si baba!!!!Ja kisha këtë “si borxh “dhe pasi kisha filluar punë në TVSH vendosa të bëja portretin e parë të një artisti!Ky do të ishte Mihal Stefa.U interesuam dhe në një zonë krejt të varfër te Vorri i Bomit mes disa vjetërsive gjetëm “ banesën” e Mihal Stefës. Njerëzit që pyetëm na drejtuan te një gjë që as shtëpi nuk ishte, një si haur me qerpiçë apo si me kartona. Të dukej si e përshtatshme për ndonjë bagëti! Nuk ishte vetëm habi, por krejtësisht e pabesueshme ajo që po shikonim.Më priti me një dashuri të veçantë dhe duke gërrmuar nxori nga një si kuti gazetat e hershme që kishte filluar me grupet amatore në Korçë deri në fotot e ditëve të fundit! Mihal Stefa jetonte i vetëm i izoluar , nuk kishte krijuar familje. Bibla, Librin që e kishte shoqëruar gjithë jetës e mbante nën jastëk, i thënçin. Këtë libër e lexonte për natë dhe ngjitur me të kishte me shkrim dore rolin e radhës! Ky do ishte dokumentari im i parë që nuk arrita dot! Është peng i jetës sime , më pas kam bërë për artista rreth 10 dokumentarë, por për atë që u nisa nuk arrita.Pengun nuk e shlyej dot! Çfarë trishtimi më dha jeta e artistit të vetmuar! Më të madhit në rolet e vogla! Ndoshta thënia: Se nuk ka rol të madh apo të vogël, por ka artist të madh apo të vogël me siguri është thënë për këta aktorë që kanë mbetur të pavdekshëm!Do doja të ishte thënë për asketin tim Mihal Sefa , artisti që nuk arriti të krijonte familje, që jetonte në vetminë e tij me Biblën , të vetmen mike të përnatëshme besnike! Nuk mësova gjë pse kishte bërë atë zgjidhje. Ai nuk tregonte, ai nuk dinte të ankohej!

Filed Under: Kulture

Napoleon-i dhe trojet shqiptare… mbi dy shekuj pas vdekjes së tij

August 17, 2022 by s p

Luan Rama/

Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe të Napoleonit vija buzën në gaz, duke menduar se imagjinata e atyre që mbronin këtë tezë shkonte aq larg sa merrte përmasat e një legjende, apo trilli romanesk. Në fakt, ata që e kanë hedhur këtë tezë janë mbështetur siç duket në librin me kujtime të dukeshës d’Abrantes si dhe një thënie të presidentit francez Adolph Thiers se „Napoleon-i ka qënë me origjinë arbëreshe“. Deri më sot, biografët më të mëdhenj të Napoleon-it e kanë lënë jashtë interesit këtë tezë, duke mos dashur të shkojnë gjer në rrënjë të largëta të shekullit XV-XVI. Për ata është e rëndësishme se ai ishte një korsikan që e deshi Francën dhe iu përkushtua asaj, duke u bërë heroi më i lavdishëm i të gjitha kohrave. Informacionet e historianëve shkojnë gjer në prejardhjen gjenoveze, atëhere kur Korsika varej nga Republika e Gjenovës (ku ishin dozhë disa shqiptarë të familjes Durazzo, për dy shekuj me rradhë), si dhe nga një dokument i vjetër që lidhet me përçapjet e babait të Napoleon-it për të marrë një dëshmi titulli fisnikërie nga pushtetarët e atëhershëm të Toskanës, si fisnik i atyre trojeve. Pra historianët francezë asnjëherë nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur prejardhjes së largët të Napoleon-it, pasi bëmat e tij ishin aq të mëdha, betejat ishin aq të lavdishme, dhe themelimi i një shteti të ri ishte aq vendimtar, saqë asnjë biograf deri më sot nuk ka arritur ta japë të plotë figurën e tij në gjithë dimensionin e vet. Si të thuash ky personazh është identifikuar me historinë e Francës që nga momenti kur shkoi në betejat e para e gjer në fundin e tij tragjik dhe enigmatik në ishullin e Shën Helenës ku mbahej rob nga anglezët, armiqtë e tij të përjetshëm dhe ku vdiq në mënyrë të çuditshme.

Por a ka bazë ideja se Napoleon-i kishte prejardhje të largët nga gjaku i shqiptarëve? Personalisht nuk do ta hidhja poshtë si një pyetje që i bëhet historisë, por skeptik rreth kësaj pyetje unë do ta formuloja se „prejardhja e Napoleon-it ka mbetur enigmë“. Edhe një nga biografët më të mëdhenj të Napoleon-it, francezi André Castelot, duke iu referuar dëshmive të dukeshës d’Abrantes, nënvizon thëniet e saj se „nëna e Napoleonit, Laetizia Ramolino, kur binte fjala për prejardhjen e tyre, humbiste në një mori emrash që s’kishin të sosur…“ Asnjë historian nuk e thotë me siguri se ai ishte korsikan, gjenovez, toskanas, apo nga Mani i Greqisë i banuar atëherë dhe nga arvanitë, siç e thotë dhe shkrimtari e historiani francez Michel de Grèce në librin e tij „Bubulina“. Natalie Petiteau, historiane dhe mjeshtre konferencash, pohon se „Bonaparti kishte një prejardhje gjenoveze, familje e cila ishte shpërngulur dhe ishte vendosur në Ajaccio të Korsikës në shekullin e XV“. Librat Memoires (Kujtimet) e dukeshës d’Abrantes janë pra në zanafillë të prejardhjes arvanitase të familjes së Napoleonit. Po cila ishte kjo dukeshë dhe ç’lidhje kishte me Bonapartin.

Historiani francez Gerard Walter, në një botim të „Pleiade“-s , shkruan se „Laure Permon, emri i saj i mëparshëm – (1784-1838), ishte vajza e një tregetari ushqimesh që u pasurua nga tregëtia e mallrave ushtarake gjatë fushatës ushtarake të Amerikës. Në kthim, ai iu fsheh terrorit që u vendos më vonë dhe shkoi të fshihej në Bordeaux, ku dhe vdiq. Zonja Permon mbeti e ve bashkë me vajzën e saj Laure. Ato bënin një jetë mondane në Paris dhe shpejt, Laure do të njihej me një nga besnikët e Bonapartit, kolonelin Junot.“ Junot, i cili kishte luftuar me Bonapartin (Buonaparte) që në orët e para, e ndoqi atë dhe në Fushatën e Egjiptit. Në kthim Bonaparti që firmosi martesën e tyre duke u dhuruar një prikë prej 100 mijë frangash si dhe një shportë të mbushur me 40 mijë franga. Ajo ishte veçse 17 vjeçare dhe shpejt ishte bërë një nga femrat më spikatëse të Parisit: pra ajo u bë gruaja e komandantit ushtarak të Parisit!

Disa historianë të tjerë flasin për marrëdhëniet intime që ajo kishte patur më parë me Bonapartin, i cili në atë kohë kalonte plot aventura të tilla. Bonaparti ishte një „xhentëllmen“ dhe dinte t’i nderonte mikeshat e veta dhe madje edhe t’i shpërblente. Por le të kthehemi tek zonja Laure Permon, (e cila ishte nga familjet e njohura në trevat e Albanisë që në kohën e Bizancit, pra nga familja Comnene, siç e pranojnë shumë historianë) dhe koloneli Junot, i cili ishte një njeri mjaft trim dhe që në Fushatën e Italisë kishte marrë gjashtë plagë shpatash. Pas martesës më 1800, Junot filloi të bënte një jetë disi skandaloze. Pinte shumë dhe Bonaparti u detyrua ta largonte nga Parisi, duke e çuar ambasador në Lisbonë të Portugalisë. Kur perandori shkoi të luftonte në Austri, çuditërisht Junot e la ambasadën e tij, ngjeshi shpatën dhe shkoi drejt shtabit të tij për të luftuar në krah të Perandorit. Për këtë shëmbull besnikërie, Napoleon-i e bëri guvernator të Parisit. Meqë Napoleon-i shkoi drejt luftrave të mëdha nëpër Europë, Junot u bë personazhi më i rëndësishëm ushtarak i perandorisë, pas Napoleon-it. Por ndërkohë pati lidhje me Karolinën, të motrën e Napoleon-it, e cila ishte gruaja e gjeneralit të famshëm Marat. Kur Napoleon-i u kthye dhe e mori vesh kete gjë, e largoi atë përsëri duke e çuar drejt frontit, siç kishte bërë dhe me një të dashur të gruas së tij, Josephine-s, i cili dhe ai përfundoi në front. Junot shkoi të luftonte kundër portugezëve dhe e pushtoi Portugalinë. Pas betejes në Abrante, Napoleon-i i dha titullin duk i Abrantes. Për këtë fitore Napoleon-i e caktoi komandant të “Armatës së Westfalisë”, por ylli i ushtarakut trim filloi të zbehej dhe ai filloi të bënte përsëri një jetë të çthurur. Në kthim, Napoleoni ia ndaloi qëndrimin në Paris. Ai u detyrua të shkonte në shtepinë e të atit, ku disa ditë më vonë u hodh nga dritarja dhe vdiq.

I shkruajtëm këto rradhë për të treguar se familja d’Abrantes ishte mjaft e lidhur me Bonapartin dhe familjen e tij. Madje dukesha d’Abrantes ishte nga më të afërtat e motrave të Napoleon-it dhe e nënës së tij Laetizia. Pra një dëshmi e saj duket se nuk është një trill, por një realitet që e ka gjetur brënda familjes dhe në tregimet e tyre familjare, edhe pse Napoleon-i nuk ka folur asnjëherë për një prejardhje të tillë. Historia njeh shumë personazhe që gjatë jetës së tyre nuk e kanë patur të nevojshme të pohojnë origjinën e tyre të vërtetë, duke u mjaftuar me atë që përjetonin për së gjalli. Në Memorialin e Shën Helenës, të kronistit Las Casas, i cili e ndoqi perandorin në ishullin e Shën Helenës, ai shkruan dhe për fjalët që i kishte thënë Napoleon-i mbi dukeshën d’Abrantes: «Zonja Junot ishte princeshë e familjes Comnene. Ishte nga Korsika dhe jetonte pranë nesh. Madje familja e saj kishte mjaft detyrime ndaj nënës sime. Në fakt ishin gjenovezët që kishin sjellë nga Mani i Greqisë një familje maniotësh dhe i kishin vendosur në Ajaccio. Njëri nga ta, fermier, shkoi në Versajë dhe u lidh me gruan e ish ambasadorit francez në Konstantinopojë, zonjën de Vergennes. Pikërisht nga kjo familje rridhte zonjusha Junot…»

Vetë Napoleon-i na jep një dëshmi mjaft interesante: që ajo rridhte nga arvanitasit e fshatit Mani, ç’ka na vërteton dhe shkrimin e d’Abrantes për historinë e takimit të maniotëve me Napoleonin. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë? Në kujtimet e saj, duke folur për «Fushatën e Italisë» të Bonapartit (ai ende nuk ishte bërë perandor), dukesha d’Abrantes tregon se dy nga shefat luftëtarë të Manit, kishin ardhur të takonin Bonapartin. Beu i Manit i kujtonte Bonapartit prejardhjen e tij nga ato anë (pra Bonaparti kishte gjak maniot), duke i kërkuar ndihmë për të sulmuar turqit në trevën e Peloponezit. Njëkohësisht, Bonaparti do të gjente përkrahjen totale të tyre. Pas kësaj, Bonaparti, që atë kohë gjëndej në Milano dha urdhër të niseshin drejt Manit dy vëllezërit Stefanopuli nga Korsika, të quajtur Dimo dhe Nikola. Ata u nisën dhe u pritën nga prijësi i Manit të lirë, Zanet Beu». Se ç’ka ndodhur pas atij takimi nuk kemi ndonjë të dhënë, por dimë angazhimin e Napoleon-it për të shtënë në dorë ishujt e Qefalonisë dhe Peloponezin, edhe pse atje ishin flotat ruse dhe angleze. Por nuk duhet harruar se dhe zonja d’Abrantes ishte nga familja Stefanopuli (Josephine Laura Permon Stephanopuli De Comnene).

Askush nga historianët nuk ka shkruar për këtë takim, pasi askush nuk ka patur kohë të rrëmojë në morinë e arkivave të ushtrisë, të cilat janë të pafund dhe jeta e një njeriu nuk do të mjaftonte për t’i parë të gjitha ato. Eshtë historia e një epopeje legjendare dhe e krijimit të shtetit të vërtetë, të cilin e trashëgojnë sot francezët: Shtetin e së Drejtës!

Napoleoni dhe shqiptarët

Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleon-it, të vendosur në Korfuz është tashmë e njohur. Historiani A. Bopp në librin e tij Napoleoni dhe shqiptarët tregon dhe për marrëdhëniet e Napoleon-it me Ali Pashën. Megjithatë fakte të reja dhe të panjohura tregojnë se Napoleon-i i vlerësonte shqiptarët dhe tregonte një interes të veçantë për pozicionin gjeografik e strategjik të Shqipërisë. Madje për një periudhë mjaft të shkurtër, vetëm në muajin qershor 1806, shumë letra të Napoleon-it përmëndin dhe Shqipërinë. Sigurisht, atëherë Napoleon-i, që kishte shtabin e tij në pallatin e Saint-Cloud, pranë Parisit, kërkonte të siguronte zotërimet në Adriatik. Eugène, birin e Josephine-s, Napoleon-i e kishte caktuar Mbret të Italisë. Më 11 qershor 1806 ai i shkruan të birit, princ Eugene-in për organizimin e ushtrisë: «Jam i informuar se mjaft ushtarë në Dalmaci, në Istri dhe në Friul janë të pa armatosur. Veç tyre duhet të jenë dhe dy regjimente në Shqipëri si dhe një kompani artilierësh francezë dhe një tjetër me italianë… Forcat tona duhet të zënë pozicion në Kotorr… Gjenerali Lauriston është guvernator i Dalmacisë dhe i Shqipërisë. Ai do të lidhet drejtpërdrejt me ju. Ai do të ketë nën urdhërat e tij gjeneralin Bourbon, që do komandojë në Kotorr, dy gjeneralë të tjerë si dhe një shef batalioni. Meqë ka 18 oficerë, ai duhet të formojë 6 kompani me nga 100 ushtarë secilën, të cilët do të rekrutohen në Shqipëri. Kështu do të kemi një trupë prej 600 ushtarësh. Drejt Shqipërisë dërgoni dhe një shef karpentier me dhjetë ndihmësa francezë e italianë…”

Një ditë më vonë, po nga Saint-Cloud, ai i shkruante gjeneralit Lemarois, ku i kërkonte ndër të tjera t’i dërgonte Lauriston-it barut, transportuar me barka të vogla, të cilat duhej të shmangnin kryqëzorët rusë. “Nëse mbreti i Napolit të kërkon ndihmë, dërgoi polakë e korsikanë. Vendosni postblloqe në Pescara dhe patrulloni nëpër Dalmaci e Shqipëri.” Më 19 qershor, ai i shkruan ministrit të tij të jashtëm Talleyrand: “Ja përgjigja që duhet t’i bëni letrës së Ali Pashës, ku duhet t’i thoni se: – Jam i informuar për dëshirat e tij të mira; – se e mora me shumë kënaqësi shpatën e tij; – se jam mik i Portës së Lartë dhe se e vlerësoj atë; – se duhet menduar se si t’i bëjmë zap serbët dhe t’i përmbajmë grekët, të cilët janë ndihmës të vërtetë të Rusisë; – se ai mund të mbështetet në ndihmën time; – se duke qënë se një pjesë e Flotës është nisur drejt Amerikës dhe nga nevoja për të bërë një inkursion të mundshëm drejt Anglisë, aktualisht nuk mund të çojë para Korfuzit një flotë të barabartë me flotën ruse dhe angleze dhe se për këtë nuk duhet nxituar; – se Rusia ka vendosur të ma lërë Kotorrin dhe se në këtë mënyrë unë do t’i jap pashait gjithë ndihmën e duhur; – se anijet e tij janë të mirëpritura në portet e perandorisë dhe se urdhëroj t’i bëhen dhurata atij që i shërbeu anijes “Ylli i Bonapartit”. Mbi dhuratat, për të cilat kam akorduar 60 mijë franga të bisedohet me Marescalshi. Për këtë t’i shkruani dhe Pouqueville-it dhe t’i theksoni se nëse Korfuzi bie në duart e mia nuk mund t’ia besoj me mirë se sa Ali Pashës. Duhet që letra dhe instruksionet e mia të bëhen të tilla që të mos kuptohen qartë nëse bie në duart e agjentëve. Besoj se Ali Pasha shumë gjëra i bisedon dhe me Portën e Lartë».

Napoleon-i e ndjente se sigurimi i Adriatikut ishte një nga kushtet për fitoren. Më 20 qershor, ai i shkruante sulltanit Selim për tentativat e rusëve që t’i shkëpusin nga perandoria Serbinë, Moldavinë dhe Valakinë dhe se për këtë duhet t’i pengojë anijet ruse që të kalojnë nga Bosfori. “Ne do ta ndihmojmë hirësinë tuaj si shpërblim të zotërimeve dhe interesave tona në Dalmaci dhe Shqipëri”. Po atë ditë, ai i shkruante ndër të tjera gjeneralit Lauriston “Më dërgoni disa informacione rreth Dalmacisë dhe Shqipërisë”. Një ditë më vonë ai shtote se “duhet të mbani lidhje me agjentët e mij pranë Ali Pashës dhe pashait të Shkodrës. Interesohuni që të keni të dhëna se ç’bëhet në Serbi dhe provincat rrotull…”

Napoleoni ndiqte në ethe dhe veprimet në zonën e Ballkanit. Më 28 qershor, ai i shkruante princit Eugène për veprime të ndryshme ushtarake. “Qëllimi im është që të shtyp malazezët që s’janë më shumë se 30 mijë frymë. Ata mund të kenë veç 4-5 mijë forca. Për këtë mund të merremi vesh me pashain e Shkodrës. Kur ta gjykojë të nevojshme, gjenerali Lauriston të dërgojë gjeneralin Guillet që të depërtojë në trevat malazeze, t’i çarmatosë ata dhe me katolikët e Kuvendit të mbushë rradhët e tij dhe të ngrejë një fortesë në pikën strategjike, duke bërë që territori të mbrohet nga pashai i Shkodrës… Paqja me malazezët është e pamundur, nëse nuk i shtypim dhe të mbjellim tmerr në shpirtin e tyre…”

Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleoni me dy pashallarët shqiptarë. Madje faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri, ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenjerët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe tu bësh luftë malazezëve…” Po atë ditë, ai i shkruante dhe mareshallit Berthier, mikut të konsullit francez Poucqueville në Janinë dhe njeriut që u morr me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer, edhe pse shume i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”.

Sigurisht, shkrimet për Shqipërinë janë të shumta. Ato janë gjetur nga lexime të rastësishme, por një punë e vërtetë studimore meriton të bëhet në këtë drejtim.

Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleoni me dy pashallarët shqiptarë prej shumë vitesh, veçanërisht që nga viti 1796. Madje faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenjerët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe t’u bësh luftë malazezëve…” Po atë ditë, ai i shkruan dhe mareshallit Berthier, mikut të Pukëvilit dhe njeriut që u muar me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer edhe pse shumë i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”.

Në muajin e «fructidor» të vitit V, shkruhet në historinë e Bonapartit, «(Histoire de Bonaparte, premier Consul de la République Française) qarkullonte në Paris një letër që pashai i Scutari-t (Shkodrës) i kishte dërguar gjeneralit Bonaparti, si dhe përgjigja e këtij të fudit dërguar pashait. Ja letrat në fjalë:

Letra e Ibrahim Pashës: «Zoti është i madh dhe veprat e tij të mrekullueshme.

Kryegjeneralit Bonaparti, mbrojtës i ligjit të shenjtë, njeriut të fuqishëm të Republikës franceze; gjeneralit të gjeneralëve, fitimtarit sublim të krahinave të Italisë, krye gjeneralit, besnikut, të shumëvyerit dhe mëshirëplotit, mirëbërësit Bonapart: atij ia drejtoj këtë letër të shkruar: «Princit të gjeneralëve, që të plotësohen urimet tona që miqësia jonë të jetë e përjetshme, dhe përshëndetja ime tu vijë e sinqertë dhe të informohem për gjëndjen e lumtur të shëndetit tuaj, etj. I kërkoj mirësisë tuaj mbrojtjen e njerëzve të mi, tregëtarë që udhëtojnë drejt Venedikut, që të mos cënohen si ata ashtu dhe mallrat e tyre nga ndonjë njeri; që tregëtarët e Shkodrës, njerëzit e mi, të trajtohen mirë, të mbrohen dhe të nderohen. Dëshiroj tu jap provat e miqësisë së vazhdueshme. Kjo letër le të jetë për ju shprehje e mirënjohjes time ndaj jush. Zoti është i madh dhe veprat e tij të mrekullueshme. Që miqësia që na bashkon të mos ndalojë kurrë!

Në ditët e para të Mabaram, viti 1272 i hegire.»

Bonaparti Pashait të Shkodrës (Ibrahim Pasha):

«E lexova me shumë kënaqësi letrën tuaj dhe shprehjet lavdëruese në fjalët e Shkëlqesisë suaj. Republika franceze është vërtetë një mike e Portës Sublime, por ajo vlerëson në mënyrë të veçantë kombin shqiptar që është nën pushtetin tuaj. Shkëlqesia juaj do të gjejë bashkangjitur kësaj letre urdhërat që kam dhënë që në të ardhmen, flamuri osman të respektohet në Atlantik. Turqit do të trajtohen jo vetëm si kombet e tjera, por në një mënyrë prioritare. Në çdo rast unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të kem kënaqësinë t’i jap Shkëlqesisë suaj një provë të vlerësimit që u bëj si dhe të konsideratës që kam për ju.

I lutem Shkëlqesisë suaj të pranojë si shprehje e miqësisë time këto katër arka me pushkë që ju dërgoj».

Dalmacia, brigjet më poshtë të Shqipërisë, nga Tivari e Kotorri gjer në Korfuz, duke zbritur pastaj drejt Prevezës e Artës, ishin pjesë e shtrirjes së influencës së tij. Oficerë të shumtë zbarkuan si në Janinë pranë Ali Pashës, ashtu dhe në Shkodër. Madje në luftën e Karamahmut Pashës kundër malazezëve, pashai ishte shoqëruar nga një grup oficerësh të zgjedhur të Napoleonit, të cilët u vranë në befasi, bashkë me Pashain. E kësaj kohe është dhe letra e shumë kohëve më parë, dërguar nga shtatmadhoria e tij në Milano, më 16 gusht 1797, drejtuar Ibrahim Pashës, vëllait të Karamahmutit, që pas vdekjes së tij mori frenat e pashallëkut të Shkodrës: “Lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme lëvdimet tuaja në letrën e dërguar. Republika Franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë. Por ajo çmon në mënyrë të veçantë kombin trim shqiptar, i cili është nën pushtetin tuaj. Me dhimbje mora vesh atë çfarë i ndodhi vëllait tuaj të famshëm. Ky luftëtar i patrembur e kurojoz meritonte një vdekje të denjë si vetë ai. Ai vdiq nga një vdekje që vdesin veç trimat. Madhëria juaj do të gjejë bashkangjitur me letrën dhe urdhërin që kam dhënë tashmë që anijet me flamurin otoman të udhëtojnë nëpër Adriatik. Jo vetëm që turqit do të trajtohen si kombet e tjera, por ata do të trajtohen në një mëyrë të veçantë… Megjithatë, në të gjitha rastet, unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të ishte kënaqësi për mua t’i jepja Madhërisë suaj një shenjë të vlerësimit tim dhe të konsideratës time të lartë. Si shenjë miqësie, do të dëshiroja të pranonit këto katër arka me pushkë, që po ju dërgoj”. Bonaparte. Të njëjtën kopje të letrës ai ia dërgon dhe ministrit të tij të Jashtëm, Talleyrand me shënimin: “Pushtimi ynë i Korfuzit, Zantes dhe Qefallonisë kërkon që të lidhemi me pashallarët e ndryshëm të Shqipërisë. Ky popull i simpatizon shumë francezët.”

Po nga shtatmadhoria e ushtrisë në Milano më 30 korrik 1797, Bonaparte i shkruante gjeneralit Gentili: “Do doja të viheshit në kontakt me Pashain e Shkodrës në mënyrë që ta ndihmonim nëse Sulltani do të ndërmerrte diçka kundër tij…” Më 23 dhjetor të po atij viti, Bonaparte i shkruan presidentit të Direktoratit Ekzekutiv francez, zotit Barras: “Që kur kemi shtënë në dorë disa nga ishujt jonianë, ne jemi mirëpritur nga ana e Ali Pashës së Janinës dhe pashait të Shkodrës, nga turqit në Moré, por dhe nga vetë Porta e Lartë dhe kanë shfrytëzuar rastin që të na bëjnë të qartë vlerësimin e veçantë që kanë për francezët…” Disa muaj më vonë, më 19 shkurt, ai i shkruan gjeneralit Berthier që është dhe ministër i Luftës: “Porositeni Murat-in që t’i shkruajë Ali Pashës në Janinë për t’i bërë të njohur se kam një ndjenjë miqësie për të dhe se dua të kem një korrespondencë direkte me të…”

Napoleoni dhe ndihma shqiptare për mbrojtjen e Korfuzit

Në vitin 1808, një nga frontet e luftës për Napoleonin ishte mbrojtja e Korfuzit nga një sulm i mundshëm i marinës angleze. Për Napoleonin, brigjet shqiptare kanë një rëndësi strategjike jo vetëm për forcat shqiptare që mund të angazhohen por dhe për drithërat dhe ushqimet që mund ti shërbejnë ushtrisë napoleoniane. Francezët kanë garnizonin e tyre në Korfuz dhe ndërkohë kanë krijuar Republikën e Shtatë Ishujve, e cila i është bashkuar perandorisë franceze dhe përfaqësuesi i saj, Theotoki, është pjesë e qeverisjes së tyre. Në shumë letra të kësaj kohe ndihet shqetësimi i Napoleonit për mbrojtjen e ishullit të Korfuzit nga anglezët si dhe vendosjen e një baze ushtarake në jugun shqiptar. Ja çfarë shkruante Napoleoni të dërguarve të tij ushtarakë në janarin e vitit 1808.

“ 26 janar 1808. Gjeneralit Marmont, komandant i ushtrisë së Dalmacisë.

I kam shkruar prej kohësh një letër gjeneral Sebastianit që në rast të rrethimit të Korfuzit, Porta e Lartë tu krijojë mundësinë e kalimit të një trupe prej 8.000 ushtarësh të cilët do të shkojnë në Butrint. Në Korfuz kam mjete transporti dhe ushtarët që ju mund të shtoni deri në 12.000, të përbërë nga tre divizione që do të hidhet në Korfuz për tu bashkuar me garnizonin që të hedhin në det anglezët… Filloni të dërgoni përmes tokës 50 mushka me barut (çdo mushkë me dy barilë, çka do bëhen 300 barilë. Negocioni me pashain e Shkodrës dhe të Beratit që të keni kalimin e lirë dhe u shkruani atyre. Dërgoni gjithashtu shumë barka të ngarkuara me barut të cilat përgjatë bregut mund të kalojnë drejt Korfuzit përmes kryqëzorëve anglezë. Eshtë e mundur që nga pesë anije me 300 barrilë të arrijnë tre apo katër. Jam dakort me dërgimin e një përfaqësuesi tonë në Berat. Kjo rruge duhet njohur mirë dhe në detaje për çdo vend dhe kjo më intereson shumë. Më dërgoni informacione mbi gjirin e Durrësit e të Vlorës. A mund të hyjnë aty anije lufte dhe fregata? Meqë ju keni në dorë gjithçka atje, dërgoni inxhinjerë dhe marinarë. Mblidhni informacion nga njerëzit e atjeshëm dhe më dërgoni vizatime dhe raporte që ti njoh më mirë këto dy gjire.»

Dy ditë më vonë, nga Parisi, një tjetër letër ai i dërgon komandantit të divizionit të brigjeve të Adriatikut, gjeneralit Lemarois:

«Zoti gjeneral Lemarois. Dua të më shkruani çdo ditë. Më njoftoni për gjithçka që do të niset drejt Korfuzit dhe se me çfarë anijesh. Dërgoni drejt këtij ishulli gjyle të formatit 20,18 dhe 14 si dhe 20 shtretër topi, disa kuintal hekur dhe 1000 vegla për punimet xhenjere. Nuk di nëse dy anijet «brick» italiane janë në Ankona dhe nëse janë gati pëdr tu nisur drejt Korfuzit të ngarkuara me barut dhe municione. Më duket se barkat që do të shkonin deri në gjirin e Durrësit përgjatë bregut, natën do të futen në Korfuz, pavarësisht nga kryqëzorët anglezë. Bëni gjithçka të jetë e mundur pasi Korfuzi padyshim që do të sulmohet në pranverë gjatë prillit.»

Eshtë interesante gjenia e Napoleonit në veprimet ushtarake, çka dëshmohet në gjithë betejat e tij gjer në fundin e apogjeut të vet. Ai merrej me çdo front në mënyrën më skrupoloze dhe në detaje, çka do ishte e pamundur për një tjetër perandor. Më 29 janar ai i dërgon një letër dhe guvernatorit të Shtatë Ishujve ku ndër të tjerë i shkruan:

«Ju do të keni në Korfuz arradhën e gjashtë me gjithë detashmentet e veta që janë në Otranto, detashmentin e lehtë 14 si dhe të pestin italian, përfshi përforcimet e dërguara nga depot, pothuaj 250 «milliers» me barut, bashkë me atë që do të dërgohet dhe nga mbreti i Napolit, çka duhet të jetë nisur nga Ankona. Po kështu dhe 10.000 kv. grurë, 5000 kv. miell që do të sjellë admirali Ganteaume. Shpresoj që vetëm në Korfuz ju do të keni 5000 ushtarë francezë e italianë si dhe 1000 shqiptarë e korfiotë. Eshtë e pamundur që me 5000 ushtarët e tyre, anglezët të zbarkojnë në ishull. Nëse anglezët u sulmojnë dhe ju detyrojnë të tërhiqeni në fortesë, duhet të mbaheni për gjashtë muaj, pasi anglezët nuk janë aq të shkathët në rrethime dhe ndërkohë ju padyshim do të ndihmoheni. Sulltani (Le Grand Seigneur) duke më lënë të lirë Butrintin, qëllimi im është që ju të vendosni menjëherë forcat atje për ta përforcuar atë bastion dhe për të vendosur një bateri topash që të jetë i nevojshëm për mbrojtjen e Korfuzit. Qëllimi im është që të pushtoni Qefalloninë dhe Zanten veçse nga shqiptarët, si dhe Pargën, dhe që në Saint-Maure të kemi shqiptarët dhe vetëm 500 ushtarë francezë e italianë. Meqë do u dërgohen karpentierë dhe puntorë, nuk do të jetë e vështirë për ju të ndërtoni 3-4 anije «chaloupe» të armatosura me topa për të ndihmuar në mbrojtjen e radës. Veç kësaj po jap urdhër që në Korfuz të qëndrojnë 4 fregata dhe 3 «brick»…

Në këtë kohë një tjetër letër i dërgon dhe të vëllait, Joseph Napoleon, i cili është mbret i Napolit.

«Vëllai im! Një nga eskadrat e mia nuk do të vonojë të shfaqet para Korfuzit. Ajo do të jetë aq e fortë sa do ti përndjekë kryqëzorët armiq dhe të jetë e zonja e detit përgjatë shumë ditëve. Bëj të mundur që ajo çka mbetet nga formacioni i lehtë 14 e arradhës 16 dhe në depot italiane me gjithë barutin dhe municionet e luftës, e destinuar për Korfuzin, të jetë gati në Brindizi dhe në Otranto që të jetë aty me shfaqjen e eskadrës sonë. Qëllimi im është që në rast zbarkimi të jenë në Korfuz 4000 francezë e italianë, 1000 ushtarë korfiotë dhe shqiptarë. Porta e Lartë më ka lënë të lirë dhe që 2000 ushtarë ushtarë mund të jenë në Butrint brenda 8 ditëve…»

Vallë ka qenë Napoleoni në Shqipëri

Deri më sot nuk dimë nëse Napoleon-i ka qënë në Shqipëri apo jo. Por disa të dhëna historike të fundit pohojnë se kjo mesa duket është e vërtetë. Por data nuk është saktësuar. Madje as vëndi konkret se ku, në ç’vënd të Shqipërisë. Sigurisht, periudha njihet: është ajo e vitit 1796, si dhe më pas, gjatë “Fushatës së Italisë” kur Bonaparti ishte komandant gjeneral. Por cilat janë këto fakte?

Në shënimet e mia, dy janë faktet e deritanishme që flasin për këtë dhe që lidhen me botimin e kronistit Las Casas, Memoriali i Shën Helenës, i mbajtur nga ai gjatë kohës së burgimit të Napoleon-it në Shën Helenë. Por së pari, cili është Las Casas, i cili i ka lënë historisë franceze një nga botimet më autentike dhe të treguar nga vetë Napoleon-i? Në fakt ai nuk ishte një nga besnikët e tij më të mëdhenj, apo një nga gjeneralët e tij më trima. Madje ai u gjënd rastësisht në mjedisin e pushtetit dhe pikërisht atij i ra roli që të negocionte me anglezët (kapitenin Maitland) ikjen e Napoleonit nga Parisi për në portin francez Rochefort, nga ku bashkë me 30 personalitete të tjerë, ai e shoqëroi atë më pas në anijen “Bellerophon” drejt Shën Helenës.

Las Casas nuk kishte dhunti letrare. Ai veçse ka mbajtur shënim çka i thoshte Napoleon-i. Por sidoqoftë, ai nuk mungon të shkruajë për gjëndjen e perandorit, marrëdhëniet e tij me anglezët dhe njerëzit e ishullit. Perandori lexonte “Ungjillin” dhe recitonte pjesë nga Corneille që e dinte përmëndësh. Nga Racine çmonte Andromakën dhe Britanicus, nga Homeri Odisenë…. Kishte gjithnjë besim në Revolucionin francez për të cilin thoshte: ”Asgjë nuk mund t’i shuajë principet e mëdha të Revolucionit”. Napoleon-i kishte dëshirë të rrinte me fëmijët dhe tu tregonte atyre përrallën Qëngji dhe ujku. Kur Las Casas i sillte me ceremoni supën që do të hante, ai i thoshte “Mjaft më me ceremoni, pasi ne të dy jemi tashmë si ushtarët që hanë në të njëjtën gavetë”. Megjithatë nuk janë të pakta përshkrimet e dëshpërimit të madh të tij për Francën, familjen…

Ja çfarë shkruan Las Casas në kronikat e tij lidhur me Shqipërinë: „E premte, 17, (1816). “Gjithë natën kam qënë sëmurë. Perandori hëngri në kopësht. Pastaj më thirri pranë. Kishte një pamje të trishtë dhe të dërmuar. Nuk ishte mirë aspak. Pas drekës, për një kohë të gjatë ne shëtitëm rreth shtëpisë. Nuk fliste. Nga vapa e madhe, aty nga ora një u detyrua të kthehej në shtëpi. I vinte keq që rrotull nuk kishte aspak hije. Nga ora katër pasdite, dërgoi dikë që të më shihte nëse isha ende sëmurë. Shkova dhe e takova në kopësht, ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrand-it (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Kostantinopojë në vitin 1796, udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selimin e III… “

Në një pasazh tjetër, Las Casas mban shënim historitë që tregon Napoleon-i për jetën e tij dhe luftrat e shumta. Një të djelë, duke kujtuar me të Greqinë dhe ngjarjet rreth saj, Napoleon-i i thotë: «Greqia priste një çlironjës. Dhe kjo do të ishte një kurorë e bukur lavdie…“ Las Casas shton: „Ai donte ta shkruante emrin e tij krah Homerit, Platonit dhe Epaminondës… Dhe nuk ishte larg kësaj.“ Napoleoni vazhdon: „Kur isha buzë Adriatikut gjatë „Fushatës së Italisë”, i shkrova Direktoratit se para syve të mij shtrihej perandoria e dikurshme e Aleksandrit… Më pas krijova lidhje dhe me Ali Pashën. Përgatita kështu hartat e Maqedonisë, Serbisë dhe të Shqipërisë…“

Napoleon-i ishte një strateg i madh dhe ai e dinte mirë se Adriatiku ishte një avant-post i fuqishëm kundër austriakëve dhe gjermanëve, prandaj dhe donte ta kishte nën këmbët e tij. Akoma më i jashtëzankonshëm është një shkrim deri tashmë i panjohur i Napoleonit që lidhet me kohën kur ai ndërmori “Fushatën e Spanjës”, të pasqyruar njëkohësisht në tablotë e Goya-s. Në një moment kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosa-s, ai kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga është e keqe. Fshatarët të kallin frikën dhe kanë në kokë një kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errta dhe kanë këpucë si ato të shqiptarëve…“

Sigurisht, Napoleon-i nuk mund t’i njihte këpucët e shqiptarëve, nëse nuk do të kishte qënë në Shqipëri. Padyshim rruga e kthimit nga Athina nëpër Shqipëri i kishte dhënë mundësi të vizitonte viset e jugut shqiptar e të dilte në bregdet, nga ku me anije është larguar drejt brigjeve të jugut të Francës. Nuk ka veçse pak vjet që një botim i shtëpisë botuese franceze “Seuil”, botoi ditarin e Napoleonit që pretendohet se është origjinal. Një specialiste e Mesjetës, Odette Dossios Pradat, e kishte gjetur atë dorëshkrim me shkrimin e Napoleon-it në një antikuar ku ishte mbyllur në një sunduk të “Kompanisë së Indisë” dhe për shumë e shumë vjet kishte qëndruar në errësirë dhe i panjohur. Dorëshkrimi nuk kishte emrin e Napoleon-it, por ai fliste në vetën e parë dhe tregonte bëmat e tij. Ajo mundi t’ia merrte për pak ditë dhe të kopjonte me shpejtësi një pjesë të mirë të dorëshkrimit të vjetër, por antikeri ia kërkoi shpejt, pasi dyshonte se ishte ndonjë gjë e vyer. Sigurisht, i premtoi se do ta lejonte ta shihte përsëri, por çuditërisht disa ditë më pas ai vdiq dhe bashkë me të u zhduk dhe dorëshkrimi enigmatik.

Libri është mjaft interesant. Napoleon-i ndjehet tejet i vetmuar dhe i fyer… Perandori shkruan: “2 maj 1816. Një ishull i humbur në mes të oqeanit nën një qiell pa fund. Një ishull i varfër dhe i xhveshur, i mbrojtur më mirë nga një kryqëzor anglez, sesa nga përbindëshat e tmerrshëm të humbëtirave. Një ishull pa mure, pa hekura e zingjirë, por që është një nga më të pathyeshmit. Një ishull ku robi duhet ta braktisë shpresën që mbajnë në zëmër të gjithë të burgosurit e botës: ajo për të shpëtuar. Një ishull që një ditë mund të jetë varri im: Shën Helena…“ Në vazhdë të këtij ditari, interesant është shënimi për birin e tij ku ai shkruante: “Kur në gusht të viti 1810, Maria Walevska më njoftoi se priste një fëmijë, e falenderova atë nga thellësia e zëmrës. A do ta kisha më së fundi atë trashëgimtar aq të dëshiruar? Më së fundi, më 20 mars 1811, lindi “mbreti i Romës”. Me lot në sy e falenderova gruan time të shtrenjtë. Edhe ajo qante nga dhimbja dhe gëzimi, pasi lindja e atij fëmije e kishte bërë të vuante shumë. Njëqind e një të shtëna topi i njoftuan parizianët për lindjen e Princit, atij që pas vdekjes sime do të bëhej perandori i tyre me emrin Napoleon… Tashmë vetëm im bir më ka mbetur. Ai është i vogël, por vitet do të bëjnë të vetën. Ai do të rritet dhe do të mësojë historinë; do të zbulojë fatin tim dhe atë të atdheut të tij, Francës. Ndoshta një ditë ai do të angazhohet ashtu siç bëra dhe unë në rrugët e nderit dhe të lavdisë. Atëhere uroj që Zoti ti japë atë pjesë tëmënçurisë që mua më mungoi…”

Ky botim dhe të tjera botime të reja rreth Napoleon Bonapartit tregojnë se edhe pse kanë kaluar dy shekuj, jo gjithçka është shkruar rreth figurës së tij, veçanërisht për origjinën e familjes së tij. Padyshim që piktakimet e tij me Shqipërinë dhe shqiptarët meritojnë një studim të veçantë nga ana e historianëve tanë, duke hulumtuar veçanërisht në kronikat ushtarake dhe letërkëmbimet e shumta të Napoleon-it me gjeneralët e tij.

Filed Under: Kulture

V I K T O R G J I K A…

August 16, 2022 by s p

Mevlan Shanaj/

Njeri i çuditshëm ky emër i madh i ekranit! I përkushtuar në çdo hap të jetës! Pas viteve 90. E kuptova këtë njeri! E ëma kishte qenë besimtare Ungjillore që kryente ritualin çdo ditë dhe kishte paguar taksën çdo muaj. Kur erdhën Ungjillorët , mamaja e tij ishte një çudi botërore! Kishte hequr mënjanë taksën për tërë vitet e ndalimit të fesë! Aty kuptova dhe besimtarin e fshehur Viktor Gjika! I devotshëm ky besimtar i skajshëm i mbyllur brenda vetes . Kurrë në jetë nuk e kisha dëgjuar të fliste për fenë, por për një respektim të shtetit! Nuk dua të tregoj për regjisorin e parë timin ( të cilit i mbeta mirënjohës përjetësisht, pasi më besoi në kryerol duke qenë student, kështu më mori mua dhe Kujtim Laro, kompozitor , të dy në bangot e shkollës, kjo tregon guxim dhe guxim kanë të talentuarit) Dua të them se me Viktor Gjikën e kam njohur më 1961, të sapo kthyer nga jashtë, vinte takonte të motrën në shkollën e mesme mjeksore në Tiranë. Binte në sy si një gjerman apo suedez i pashëm, veshur bukur me çantë në dorë, të linte përshtypjen e një njeriu të sapo dalë nga kutia. Vetëm i bukur ! Gjithë jetës me energji dhe ambicje të pamatshme! Dhe me këtë njeri më rastisi të kalonte me mua më së shumti tre vitet e fundit të jetës! Shkonim bashkë kudo pasi i filluan problemet shëndetësore! Diagnozën fatale , me mjekun “ komplotova” të mos ja themi! Përgatitëm dy receta të vërtetën jo për të , po për ta dërguar në Itali së bijës për konsultime të specializuara! Me tre mjekë ( Dr Ilir Kajo , i pari që e diagnostikoi , Dr Shahin Kadare RIP,për biopsinë dhe Dr Gjergji RIP. Scaner. Me të tre këta veprova me nga dy versione recetash! Dielli nuk mbolohet me shoshë! Vajti në Itali kreu operacionin dhe për tre vjet mbeti njeriu model i mos ankimit. I bindur se e flamosura kishte punën e vetë, me Viktorin kishte punë optimizmi! Gjithë jetës më kishte krijuar bindjen se dinte edhe centimetrat që shkelte. Në këto dreq halle u shtrua Flora, një grua e bukur e përkushtuar ndaj tij, si asnjë grua tjetër kineasti në botë sipas meje.Deri më sot nuk kam gjetur një model tj. Flora e bukur dhe krenare erdhi një

ditë pas vitesh dhe u shtrua në spital për ndërhyrje në herniediscale. Po e shoqëronim Vitjan, me Natashën në korridore deri në përfundim të operacionit. Pas gati 4 orësh nga fundi i korridorit u dëgjua një zë: Viktor! kush është Viktori! Vrapoi i shkreti, pas tij edhe unë. Gruaja që doli i tha: Ne jemi tri gra këtu! Viktori i tronditur nga operacioni i Florës, i thotë: Po Flora si është? Ato: Aha ajo në rregull ! Po më falni, u thotë Viktori: unë e kam bërë pagesën siç më kanë thënë! – Jo, jo , ne nuk përfshihemi në atë pagesë! Ikëm të trishtuar. Në njërën nga këto ditë qe rënduar nga shëndeti.Të shoqen e kishte ende në spital! Më mori në tel dhe për herë të parë shprehu pasiguri për jetën! Më tha me zë të trembur, si më thua ta le derën hapur se nuk dihet çmë ndodh gjatë natës, ku i dihet !!!! Mos ta dëgjoj këtë fjalë , i them! Mos mendo për derën! Dhe i vajta më vonë në shtëpi! Ishte kalimtar ai mendim , kurrë nuk u dorëzua?Viktori kishte fituar kudo dhe kurdo në jetë! I thoshim që emri yt do të thotë Fitues. Ashtu ishte gjithë jetën e tij fitimtar: Në shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera po kështu u kthye nga studimet me Diplomë Nderi. Që në fillimet e punës me kamera në filmat artistikë ishte një shpërthim i ri në ekranin shqiptar. Cv e tij është ndoshta nga kineastët më të shquar . Ka filluar me dokumentarët dhe filmat që erdhën njëri pas tjetrit. Po ti rendisja do gaboja po ja po them: “Gjeneral gramafoni” “ Rrugë të bardha “ , “ Nëntori i dytë” e tj e tj etj. Viktor Gjika njeriu që pavdekësoi kinemanë shqiptare! Katër orë para se të ikte bëri vetëm një xhest disaprovues për vazhdimin e jetës! Një pulitje të syve dhe një tundje të kokës! Hera e parë dhe e fundit që u dorëzua! Nuk më ka rastisur në jetë një i dytë për nga rezistenca!Çudia ndodhi se tek ai nuk erdhi pleqëria , iku i bukur siç kishte qenë gjithë jetës! Viktori do të mbetet si krijues monumenti më i bukur i filmit shqiptar! Ka krijuar imazhin e së shkuarës artistike historike, të njeriut patriot,të fshatarit të ndershëm , të qytetarit fisnik. Të shqiptarit të papërkulur Karakteret e personazheve në filmat e Viktor Gjikës nuk dinë të vdesin, me kalimin e viteve janë gdhendur në koshiencën e çdo shikuesi. I përjetshëm emri i njeriut që erdhi prej Korçës së dijes për të ndriçuar gjithë Shqipërinë! Është shumë pak të ketë një statujë për të në ish Kinostudio apo në Korçë apo kudo tj në Shqipërinë që na ka dhënë përmes ekranit!Më pëlqenin energjitë e tija. Nuk e imitova, nuk e mora inat! E çmoja! E pata mik! Nuk jam bindur që nuk jemi përsëri së bashku!( Sa shumë

e lartësove Korçën me veprën tënde))!!!

Filed Under: Kulture

Lamtumirë Diregjenti i regjisurës së filmit shqiptar

August 15, 2022 by s p

Mevlan Shanaj/

Kristaq Dhamo, si duhet të thotë sot Shqipëria e mënçur, jo ajo që ka ikur në drejtim të paditur! Sot o miq të ekranit na ka ikur burri më i ditur i ekranit shqiptar, ka ikur një profesor! Sot Shqipërisë i iku truri i filmit shqiptar! Dhe kur të ikën truri është më keq se sa çdo e keqe tj. Po sot duhet të qahet me oooiiii në gjithë mediat shqiptare, për humbjen e një

mendje të artë! Këtë pranverë më në fund u kujtuan të jepnin titullin “ Nderi i Kombit” më more në telefon dhe biseduam shumë gjatë si edhe shumë herë të tjera. Po këtë herë 47 min duke kujtuar me objektivitet kohën që përjetuam. Ti ishe me kulturën e shkollës hungareze që gjatë viteve kishe fituar përvojat e jetës të të gjitha sistemeve dhe si artist dije aq mënçurisht ti klasifikoje. Ti dije jo më për sistemet , po ti dije kush ishtë është dhe do të jetë njeriu! Çdo takim me ty qoftë edhe telefonik mbetej i arkivuar si një leksion jete nga Kristaq Dhamo. Po pse ike pa u takuar, e kishim biseduar se këtë verë do takoheshim. Më kërkove, të vija dhe të të përfaqësoja duke tërhequr çmimin. Ishte nderi më i madh që më është bërë në jetë! Njeriu që na ka mësuar ABC e filmit, më ngarkonte mua me këtë nder! Mik i mënçur edhe sot “ Nderi i Kombit” ndodhen në shtëpinë time, ti nuk munde të vije këtë verë siç shpresonim! Çdo kush që të ka njohur në jetë kujton kulturën , urtësinë, mënçurinë, përmbajtjen dhe padyshim kujtesën fenomenale deri javët e fundit delikatesa jote që nga familja dhe trashëgimia artistike kulturore ishte marramëndëse! Po si o burrë nuk harrove një herë gjithë bashkëpunëtorët duke ndërtuar historinë e filmit shqiptar deri në mirënjohjen e pafundme të trevës tënde!Ti krenoheshe me Dhorkën dhe familjen siç dije të jepje dashuri pa kursim. Nuk kishe shumë dëshirë të ishe në kontakt me median pas 90 po mua nuk më refuzove në intervista në dokumentarët për Ndrekë Lucën dhe Xhanfise Kekon! Më the : Nuk di pse ty nuk mundem të mos bindem. Të falënderoj për çfarë më ke dhënë jo vetëm mua, por çfarë i ke dhënë Shqipërisë! Myzeqeja krenohej me ty, Vaçe Zelën, Vath Koreshin, Margarita Xhepën! Po e theksoj ti ishe dhe do mbetesh krenari e Shqipërisë!Kështu jeni ju mësuesit e mirë të vrisni me pambuk!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT