• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH

May 16, 2025 by s p

Akad. Vasil S. Tole/

🎶Dua të them dy fjalë për të shprehur respektin për orkestrën simfonike të RTSH, në këtë përvjetor të themelimit të saj.

• Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral simfonik më i madh i kohës. Rrënjët e saj shkojnë më tej se kjo datë dhe lidhen me vitin e largët 1938, kohë kur u krijua Radio Tirana dhe pranë saj funksiononte edhe një formacion orkestral që quhej Orkestra e Radio-Tiranës nën dirizhimin e dirigjentit italian Umberto Rampi e pas viteve 1944 nga dirigjentët Mustafa Krantja, Bojan Adamiç etj.

Me riorganizimin e saj në vitin 1962, ajo u quajt “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografise” duke shenjuar kështu një tjetër etapë të rëndësishme, si për të ashtu edhe për muzikën shqiptare mbarëkombëtare.

Krijimtaria muzikore shqiptare për orkestër dhe jo vetëm, prej fundit të viteve 1930 u interpretua prej saj.

– Krijues si Kristo Kono, Pjetër Dungu, Dhora Leka etj ishin ndër të parët që u interpretuan. Pas tyre orkestra simfonike e RTSH ka interpretuar krijimtarinë e pothuajse gjithë kompozitorëve shqiptarë prej At Martin Gjokës, At Fan S. Nolit, Murat Shehut, Çesk Zadejës, Tish Daisë, Tonin Harapit, Kozma Larës, Pjetër Gacit, Feim Ibrahimit, Limoz Dizdarit, Shpëtim Kushtës, Kujtim Laros, Thoma Gaqit, Hajg Zaharianit, Spartak Tilit, Gazmend Mullahit, Thomas Simakut, David Tukiqit, Josif Mingës, Zef Çobës, Aleksandër Peçit, Sokol Shupos, Ermir Dergjinit, Fatos Qerimit, Endri Sinës etj, e deri tek brezat më të rinj. Po ashtu krijimtarinë e krijuesve shqiptarë të Kosovës Rexho Mulliqi, Lorenc Antoni, Rauf Dhomi, Zeqirja Ballata, Fahri Beqiri etj.

🎵Nga vitit 1964 e deri në vitet 2000, dirigjenti Ferdinand Deda luajti një rol thelbësor në jetën e orkestrës dhe nga vitet 1978 e deri në vitet 1990 dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, si drejtues i shumë koncerteve simfonike, vokale, regjistrime të muzikës së filmave, koncerteve jashtë vendit etj.

Veprat e mia simfonike janë kryesisht të interpretuara prej orkestrës simfonike të RTSH, më e fundit syresh edhe simfonia ALBANOI, premiera botërore e së cilës u bë më 9 maj 2025.

• Mirënjohje për mbështetjen e krijimtarisë sime në vijimësi! 🙏

🏆Orkestra Simfonike RTSH është nderuar me çmimet “Naim Frashëri Artë” në vitin 2007, “Çmimin e karrierës” në vitin 2009, si dhe “Nder i Kombit” në vitin 2017.

Shih https://www.vasiltole.com/?page_id=14

Filed Under: Kulture

Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…

May 14, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Shtegtimi i vargut dhe filozofisë naimiane në letërsinë shqipe mund të ndihet fuqishëm në poezinë e Lasgush Poradecit “Poradeci” dhe “Tomorri” të Vehxhi Buharajës, ku pasioni për natyrën shenjtëron peizazhin dhe të bukurën. Në pamje të parë, ky adhurim mund të lexohet si një ndjenjë romantike ndaj ambientit, por në thelb ai buron nga një frymëzim më i thellë filozofik dhe atdhetar, që e kthen natyrën në një pasqyrë të qenies kombëtare. Nga ky ndjenjë estetike e lidhjes me natyrën, rrjedh një patriotizëm i brendshëm dhe i natyrshëm, që nuk predikon me slogane, por që rrezaton nga përjetimi intim dhe spiritual i vendit.

Patriotizmi poetik i Lasgushit dhe Buharajës nuk është i zhurmshëm, por i përshkruar me një ton të përmbajtur, meditativ dhe shpirtëror. Lumi Drin te “Poradeci” dhe Mali i Tomorrit te “Tomorri” nuk janë thjesht elemente gjeografike, por bëhen simbole të atdheut të përjetshëm, që jeton në kujtesën, frymën dhe mitologjinë e shqiptarëve. Ato janë pikat e përbashkëta të identitetit tonë, qendra energjie shpirtërore përmes së cilave ndjenjat nacionaliste marrin formë poetike dhe të shenjtë. Në vargjet e tyre, natyra nuk është vetëm sfond, por një entitet i gjallë, që bashkëjeton me njeriun dhe e ngjiz identitetin e tij; një natyrë që përmes shpendëve, maleve, ujërave dhe heshtjes, i jep një ton mistik, panteist dhe metafizik frymëzimit lirik kombëtar.

Poradeci

=======

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,

Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…

Zotëroj më katër anë errësira…

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…”

Lasgush Poradeci

PËRPARA TOMORIT

=============

Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,

Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashterie,

Si shkëndi, si rreze dielli po afrohet valë – valë,

Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë

Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:

Gjer në fund të natës sime…

Dhe kjo dritë dhe kjo flakë, që po ndez një qiell floriri,

Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,

Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu

është gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu

Nga dy buz’ si trëndafili edhe ranë ëmbëlsime;

Gjer në fund të natës sime…

Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!

Shpuz’ e mallit po valvitet, trete helmin, ligjëro

Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit,

Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,

Qesh si qesh një shtize hëne përmbi faqen e dëbores,

Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës

Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërimë:

Gjer në fund të ditës sime…

Dhe pasi të këçë marrë frym’ e shpirt nga bukuria

Dhe pasi te keçë parë ca shkëndi nga dashuria,

Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pëndëshkruar,

Sesi nga Osum’ i jetes buçet këng’ e amëshuar,

Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e urtë mençurie,

Si buçet nga buz’ e Muzës fjal’ e ëmbel bukurie,

Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…

Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit

Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’ gjumit,

Pastaj ngjitet lart’ lartë ku ndez jeta në shkëlqime:

Gjer në front të ditës sime…

Vexhi Buharaja

Filed Under: Kulture

GJON MILI: REQUIEM PËR BERTOLT BRECHT

May 13, 2025 by s p

KRISTAQ  BALLI

Në aradhën e pafundme të artistëve dhe personaliteteve të shquar botërorë në të gjitha fushat e krijimtarisë intelektuale, falë të cilëve fotografi ynë gjenial Gjon Mili krijoi një prej kulmeve të fizionomisë së vet artistike, ishte edhe Bertolt Breht  (Brecht).

Bertolt Breht (1898-1956)-poet, dramaturg, skenarist, studiues, kritik  dhe drejtor teatri gjerman i shek XX ka dhënë kontribut të dukshëm individual e origjinal   në prodhimin dramaturgjik e teatror të shek. XX. 

Fillimisht, ka studiuar mjekësi të cilën thuajse nuk e ushtroi, si dhe privatisht  dramë me themeluesin e lëvruesin më të madh të studimeve të dramaturgjsë gjermane, Arthur Kutscher.

“Ju mund ta keni hasur  atë, ndoshta disa dekada më parë duke luajtur në benxho (mandolin) në një tavernë të mbushur plot tym në Mynih, apo  Berlin, duke kënduar një nga baladat e tij “Legjenda e ushtarit të vdekur” ose “Balada e Baal-it”. Ai vishte një xhup shoferi, një kravatë lëkure dhe  qethej  allosoj me balluke. Dukej si një kryqëzim hibrid i një studienti  jezuit dhe një gangster” 1) 

Ai  filloi të shfaqet në shtyp me emrin Bert Brecht  në vitin 1916 me poezi dhe disa artikuj kritikë rreth teatrit. Dramën e parë të plotë, “Baal”  e shkroi më 1918, ndërsa të dytën “Tamburët e Natës” në vitin 1919.

Sipas studiuesve, ai ka qenë i sëmurë nga simptoma të mungesës së ndjeshmërisë pozitive shpirtërore. Ai urrente luftën, padrejtësinë, urrente ndjenjën false. Ai dashuronte të urrente. Dhe, sajë kësaj, u shfaq karakteri i jashtzakonshëm i krijimtarisë së tij, amalgama e hudhurimit (zemërimit) dhe mëshirës (keqardhjes). Kaosi i varfërisë së Gjermanisë pas  Luftës I Botërore i kishte ngacmuar atij telat drithëruese të shpirtit  dhe kështu ai u gjend në botën e krijimtarisë së tij. Fillimisht ai shkroi poezi, pamflete, tregime, ndonjë balet, opera dhe disa drama.

Gjatë vitit 1922 Brehti tërhoqi vëmendjen e kritikut të njohur  berlinez, Herbert Ihering: “Në 24 orë, shkrimtari Breht ka ndryshuar fizionominë letrare gjermane”- shprehej ai me entusiazëm për dramën e parë të inskenuar të Brehtit Tamburët e Natës; ai i ka dhënë kohës sonë  një kumbim të ri, një melodi të re, një vizion të ri…Ajo është një gjuhë që ju do ta ndjeni në gjuhën tuaj, në veshët tuaj, në shtyllën tuaj kurrizore.”          

 Po atë vit atij iu akordua çmimi prestigjioz Kleist Prize për tre dramat e para (“Baal”, “Tamburët e Natës” dhe “Në Xhungël”, megjithëse  vetëm “Tamburët” ishte vënë në skenë) 

Motivacioni ishte ky: “Gjuha e Brehtit është e gjallë, pa qenë qëllimisht poetike dhe simbolike, pa qenë pothuajse letrare. Breht është një dramaturg sepse gjuha e tij ndjehet fizikisht shqeto.”  Më 1923 Breht shkroi një skenar për një film të shkurtër, “Misteret e një Berberane”. Për nga aspekti krijues eksperimental, ai konsiderohet sot si një nga  filmat më të rëndësishëm në historinë e filmit gjerman. 

Ndërkohë studionte  Marksizmin dhe shprehej  “Kur lexova Kapitalin e Marksit, kuptova veprat e mia. Marksi ishte i vetmi spektator që mund t’u përshtatej atyre.” 

Tendenca ekstravagante eksperimentuese, herë e suksesshme, apo jo, ishte motoja krijuese teatrore e punës së tij krijuese. (“…betejë e madhe  për supremaci midis fjalëve, muzikës dhe produksionit”). 

Kur Hitleri mori pushtetin, më 1933, duke parashikuar rrezikun e  persekutimit, Brehti me familjen e tij emigruan fillimisht në Danimarkë, më pas  në Suedi, Finlandë, dhe, së fundi, në SHBA. Gjatë viteve  të  Luftës II Botërore Brehti u bë një shkrimtar i spikatur i letërsisë së ekzilit politik. Ai  shprehte oponencën e tij rebele ndaj  lëvizjeve nacional socialiste dhe fashiste në  dramat e tij më të famshme: “Jeta e Galileut”, “Nënë Kurajo”, “Arturo Ui”, “Rrethi prej Shkumësi i Kaukazit”, “Frikë dhe Mjerim i Rajhut të Tretë” dhe shumë të tjera. Në SHBA ai shkroi të vetmin skenar për filmin hollivudian “Xhelatët gjithashtu vdesin”,  si dhe    skenarët e tjerë “Vizionet e Simone Makard”, “Shvejku në Luftën II Botërore” dhe  “Duka i Malfit”. 

Pas mbarimit të Luftës II Botërore, ai vërtetoi më 1947 mes shakave e ironive  para një komisioni investigativ në SHBA se nuk kishte aderuar ndonjëherë në Partinë Komuniste; po këtë vit u kthye në Europë, fillimisht në Zvicër e më pas, më1949, në Berlin për të vazhduar drejtimin e kompanisë të teatrit të tij “Berliner Ensemble”. Ai shkroi shumë pak gjatë viteve të fundit në Berlin. Ai ia dedikoi veten drejtimit të dramave talenteve të reja të një gjenerate tjetër të regjisorëve  dhe dramaturgëve të rinj. Dialektika marksiste kishte influencuar shumë tek Brehti në të dy aspektet teorike  e praktike teatrale të  tij. Brehti mori Çmimin Stalin të Paqes më 1954.

Bertolt Breht ndërroi jetë në vitin 1956 nga një atak në zemër në moshën 58 vjeçare. 

Bertolt Breht mbetet një shkrimtar, dramarurg, estet e drejtues teatri origjinal dhe antikonformist i teatrit të deriatëhershëm kontemporan gjerman. Ai zbatoi idetë e vizionet e tij artistike të influencuara edhe nga zhvilimet politike e ekonomike  të kohës duke qëndruar në frontin kundër nacional-socializmit dhe nazizmit dhe aleat në frontin antikapitalist.         Veprat e tij sollën një këndvështrim të ri në prodhimtarinë dramaturgjike gjermane e botërore, sidomos në marrëdhëniet midis synimit të artit në raport me zhvillimet historike, ekonomike e sociale në shoqërinë gjermane gjatë periudhave të social-nacionalizmit, nazizmit e Luftës II Botërore, si dhe Luftës së Ftohtë. Brehti shkelmoi të gjitha kornizat  e pothuajse krejt klisheve teatrore. Ai dëshironte që një teatër të ishte objekt debatesh, jo i ëndrrave. Ai nxiste audiencën e tij të mendonte, të mbante një qëndrim konfliktual, si tifozat gjatë një loje. Nuk ka asnjë të dhënë që një dashamirës i Brehtit të ketë hedhur ndonjë shishe birre në skenë, por nqs do të kishte, Brehti do ta kishte dëshiruar atë.2) 

Gjon Milit, në vitin 1963, i duhej të fotografonte në Berlinin Lindor për  revistën “LIFE”  disa shfaqje dramatike të Bertolt Brehtit të performuara nga kompania “Berliner Ensemble” që drejtohej  tashmë nga gruaja e tij Helene Weigel.3)

Si zakonisht, për të realizuar këtë angazhim, ai ishte përgatitur paraprakisht me shumë seriozitet, por mbi të gjitha me ide artistike që i përshtateshin botëkuptimit konsekuent politik  dhe personalitetit artistik e estetik të Bertolt Brehtit si një krijues i vështirë,  kondraversal.

Në kuadrin e këtij udhëtimi “të vështirë ideologjikisht” (sidomos për revistën), lidhur me pasionin dhe koherencën morale e profesionale të Gjon Milit, jo vetëm në këtë rast, por  gjatë gjithë angazhimeve të tij artistike për  revistën “LIFE” e gjetkë, na vijnë në ndihmë disa mbresa përgjithësuese të vyera të botuesit të njohur të kësaj reviste, George P. Hunt, i cili, në të vërtetë, sipas meje,  i ka bërë Milit një nga portretizimet më realiste, më sintetike,  më pikante, më argumentuese, më të sinqerta, ku shprehet me  dashamirësi të jashtëzakonshme profesionale e humane, por edhe me pak humor  dhe  që, tek ne, s’ka qenë e njohur deri sot. Nuk ka nevojë për komente veçse ta perifrazojmë : “E kam shumë të vështirë  për ta përshkruar Gjon Milin në një rubrikë   të tillë  të  shkurtër. Ai është më shumë se 6 këmbë (1.85 m.) i gjatë me gjithë flokë, por edhe arritjet e tij janë po aq të larta. Kur ai erdhi të punojë me revistën LIFE, 25 vjet më parë, ai kishte qenë gjetkë për shumë kohë; pat lindur në Shqipëri, kreu shkollën e mesme në Rumani, u diplomua në M.I.T në degën e inxhinierisë dhe punoi për 10 vjet në Westinghouse Lab.,  duke u specializuar  në teknikat e ndriçimit. Gjatë viteve në Westinghouse ai shpenzoi një pjesë të mirë të kohës duke ndihmuar në zbulimin e një drite me fuqi të fortë – blic (flash) që do të quhej stroboskop (dritë stroboskopike-KB). Ai ishte i pari që njohu potencialet e saj të zbatimit dhe  shumë nga ju duhet të kujtoni fotografitë e tij të  mrekullueshme të atletëve dhe kërcimtarëve në apogjeun (kulmin) tejet të shkurtër e shumë të hijshëm të lëvizjeve, të ngrira gjatë shkrepjeve të shumëfishta në një çast (frizë) shumë të hijshëm të veprimit.

Fotoja e portretit të Milit (që shoqëron shkrimin e G. P. Hunt – K.B.)  shfaq një anë tjetër të tij. Këtu ai është prapa murit në Berlinin Lindor  duke bërë gjeste se si ai po punon për realizimin e një pune (foto-eseje) mbi dramat e Bertolt Brehtit. Në këtë rast ai është duke punuar jo me strobe, por me situatat, njerëzit dhe idetë, duke u përpjekur të distilojë në mendjen dhe aparatin e tij fotografik esencën e mprehtë të kësaj dramaturgjie. Dhe ai e ka përkryer këtë ushtrim intelektual në mënyrë dinjitoze, si mund ta shikoni në esenë e  faqeve 112B-122 të këtij numuri.

Njerëzit e shikojnë Milin në mënyra të ndryshme. Koncepti i tij konstant për fotografinë kuptimplotë të kujton, sipas Zhan – Pol Sartrit atë të një brejtësi milingonash (pra me fytyrë të zgjatur e të mprehtë-KB) duke nuhatur botën për subjektet dhe për të kapur (në çarkun e aparatit të tij – J.P. Sartri) njerëzimin. Një reporter në Konferencën e Paqes së Parisit shkruanrte që Mili i dukej atij si një zog që fluturonte para e pas, midis dritave dhe  aparatit fotografik. Ne ishim duke folur për të prapa shpinës së tij ditën tjetër dhe dikush tha se ai ishte më shumë redaktor sesa fotograf. Ishte e vërtetë: Mili paramendon bërjen e fotografisë më shumë se asnjë tjetër. Dikush thoshte se Mili është një profesionist i vërtetë. Edhe kjo, gjithashtu, është e vërtetë. Mili e di se çfarë do, di gjithashtu se çfarë duam ne, ndaj shumë rrallë ndodh të mos i përfshijë të dyja. Ai  i shqyrton nëpërmjet idesë kryesore të një historie dhe mund të përkthejë atë  ide në fotografi që kanë veprim domethënës, elementë të rëndësishëm kompozimi dhe kontraste dramatike të dritës.

Në Berlinin lindor Mili i kërkoi Helene Wiegel – së vesë së Brehtit, e cila është jo vetëm një nga aktoret e mëdha botërore por edhe një nga idhujt personalë të tij – të pozonte për të. Pasi ia kish refuzuar kërkesën, ai e gjeti atë në bufenë e teatrit ku ajo mbizotëronte rreth një grumbulli aktorësh të rinj admirues të  saj. Ai iu bashkua grupit dhe i propozoi zonjës nëse ai mund t’i qeraste të gjithë me nga një pije. Ajo e miratoi dhe ai porositi disa herë. Por kur ardhi fatura, zonja  Wiegel këmbënguli që ajo të paguante. Mili  bëri, atëhere  një veprim të habitshëm. Duke ia rrëmbyer  faturën kamerierit, iu kthye  aktores: “Ju keni dy zgjedhje, i tha ai, ose unë paguaj, ose ju nuk mund ta keni faturën.” Ajo pëshpëriti “Ç’do të  thotë kjo?” Ai futi faturën në gojën e tij dhe filloi ta përtypte. Tavolina shpërtheu nga të qeshurat brohoritëse dhe mëngjesin tjetër Helen Wiegel pozoi për të.4) 

Situatën e fundit, por më  shkurt e modestisht e tregon me fjalët e tij  edhe vetë Gjon Mili në vitin 1980, në librin e tij “Gjon Mili Photographs & Recollections” : “Një person më shpëtoi nga situata: Helene Weigel, e veja e dramaturgut, “Nëna Kurajo”, e famshme ndërkombëtarisht dhe drejtuese e kompanisë që nga vdekja e tij (Bertolt Behtit). I përsëritja  lutjet me shumë kujdes  për t’i bërë një foto-portret fisnik, por  ajo refuzonte. Ishte dita ime e fundit në Berlinin Lindor. Në mbrëmje, pas përfundimit të shfaqjes “Opera për Tre Grosh” takova Madam Weigel dhe kolegët e saj në bufenë e ansamblit për një pije ceremoniale para lamtumirës. Kur ne u ngritëm të largoheshim, unë insistova të paguaja, por sigurisht ajo kishte të njëjtën ide e nuk pranoi. Unë isha i vendosur të bëja zgjidhjen time. Zgjata dorën për të rrëmbyer faturën, e cila ishte vendosur në një pjatë dhe iu ofrua Madamës për ta firmuar, e shukosa, e futa në gojë dhe e përtypa sakaq. Të gjithë shpërthyen në të qeshura, ndërkohë që rivalja ime me një buzëqeshje kënaqësie që luante në fytyrën e saj, me shumë takt u ngrit e u largua. Kur arrita në hotel, gjeta këtë mesazh: “Madam Weigel ka kënaqësinë të pozojë për ju  në orën dhjetë para dite”.5)

Fotografitë, disa prej të cilave fotomontazhe (të vetmet e artistit),  që ka realizuar Gjon Mili në Berlin me trupën teatrore të Brehtit, të botuara në revistën Life disa muaj më vonë,  pasqyrojnë jo vetëm aftësitë e tij fotografike por edhe depërtimin psikoanalitik në botëkuptimin kompleks ideologjik e artistik të Brehtit. Ato janë, le të themi module apo matrica të Brehtit, që Gjon Mili i zbërthen figurativisht nëpërmjet “diçiturave” dramatike që ai i vendos (si asnjëherë tjetër)  jo poshtë fotos, por  brenda kuadratit të tyre (sikur Mili të ketë hyrë brenda lëkurës së Brehtit), pra  si pjesë organike e revoltës së Brehtit, i cili pasqyron fenomene të njerëzimit: luftën, heroizmin, qëndresën, mbijetesën,  dinjitetin,  (“Nëna Kurajë”), diktaturën, çmendurinë, vulgaritetin (“Shvejku në Luftën II Botërore”), tradhtinë (“Corolianus”), intrigat, demagogjinë, korrupsionin (“Arturo Ui”), hipokrizinë (“Mahagonia e  Vogël”), grykësinë (Opera për Tre Grosh), etj. 

□ □ □

Referenca:

__________________

1) Tom Prideaux: A  Poet who Lovet to Hate, “LIFE”, September    18, 1964, f. 122

2) In Death a Playrigh Grows into a Great Figure of the Theater” LIFE, September 18, 1964, f.113

 3) Po aty. “…komunistët… i dhanë Brehtit një shtëpi dhe një teatër (bashkë me trupën e tij të shkëlqyer të aktorëve,  të quajtur Berliner Esemble, për të luajtur  pjesët e tij) në Berlinin Lindor.  f.113

4) Po aty: George.P. Hunt, Managing Editor:  Trapping Mankind  With His Camera” ”, f. 3

5) Gjon Mili, Photographs & Recollection, f. 94

Filed Under: Kulture

Kush është Robert Prevost, Papa i ri Leoni XIV?

May 9, 2025 by s p

Përgatiti Rafael Floqi/

Papa Leoni XIV e ka mbështetur paraardhësin e tij – dhe vëmendja do të përqendrohet në veprimet e tij të hershme. Edhe para se emri i tij të shpallej nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, turmat poshtë brohorisnin “Viva il Papa” – Rroftë Papa. Robert Francis Prevost, 69 vjeç, do të jetë banori i 267-të i fronit të Shën Pjetrit dhe do të njihet si Leoni XIV. Ai është amerikani i parë që mbush rolin e papës, megjithëse konsiderohet po aq shumë një kardinal nga Amerika Latine për shkak të shumë viteve që kaloi si misionar në Peru. I lindur në Çikago në vitin 1955 nga prindër me prejardhje spanjolle dhe franko-italiane, Prevost shërbeu si djalë altari dhe u shugurua në vitin 1982.

Edhe pse u transferua në Peru tre vjet më vonë, ai u kthye rregullisht në SHBA për të shërbyer si pastor dhe prift në qytetin e tij të lindjes. Ai ka kombësi peruane dhe kujtohet me dashuri si një figurë që punoi me komunitetet e margjinalizuara dhe ndihmoi në ndërtimin e urave. Ai kaloi 10 vjet si pastor i famullisë lokale dhe si mësues në një seminar në Trujillo në Perunë veriperëndimore. Në fjalët e tij të para si papë, Leoni XIV foli me dashuri për paraardhësin e tij Françeskun. “Ne ende dëgjojmë në veshët tanë zërin e dobët, por gjithmonë të guximshëm të Papa Françeskut që na bekoi”, tha ai. “Të bashkuar dhe dorë për dore me Zotin, le të përparojmë së bashku”, u tha ai turmave që brohorisnin.

Kardinali Prevost ndan një moment të qetë me Papa Françeskun (R) në shkurt 2025. Papa foli gjithashtu për rolin e tij në Urdhrin Augustinian. Në vitin 2014, Françesku e bëri atë Peshkop të Çiklajos në Peru. Ai është i njohur për kardinalët për shkak të rolit të tij të profilit të lartë si prefekt i Dikasterit për Peshkopët në Amerikën Latine, i cili ka detyrën e rëndësishme të përzgjedhjes dhe mbikëqyrjes së peshkopëve. Ai u bë kryepeshkop në janar 2023 dhe brenda pak muajsh Françesku e bëri atë kardinal. Nga tymi i bardhë te fjalimi në ballkon, shikoni Papa Leoni XIV të zbulohet si papë i ri.

Cilat janë pikëpamjet e Papa Leoni XIV?

Vëmendja e hershme do të përqendrohet në deklaratat e Leoni XIV për të parë nëse ai do të vazhdojë reformat e paraardhësit të tij në Kishën Katolike Romake. Besohet se Prevost ka ndarë pikëpamjet e Françeskut mbi migrantët, të varfrit dhe mjedisin. Një ish-shoku i tij i dhomës, Reverendi John Lydon, e përshkroi Prevostin për BBC-në si “të hapur”, “të thjeshtë” dhe “shumë të shqetësuar për të varfrit”. Lidhur me të kaluarën e tij personale, Prevost i tha rrjetit italian Rai para zgjedhjes së tij se u rrit në një familje emigrantësh. “Unë kam lindur në Shtetet e Bashkuara… Por gjyshërit e mi ishin të gjithë emigrantë, francezë, spanjollë… Unë u rrita në një familje shumë katolike, të dy prindërit e mi ishin shumë të angazhuar në famulli,” tha ai. Edhe pse Prevost ka lindur në SHBA, Vatikani e përshkroi atë si papa i dytë nga Amerika (Françesku ishte nga Argjentina). Gjatë kohës së tij në Peru, ai nuk mundi t’i shpëtonte skandaleve të abuzimit seksual që kanë mbuluar Kishën, edhe pse dioqeza e tij e ka mohuar me forcë se ai ka qenë i përfshirë në ndonjë përpjekje për mbulim të ngjarjeve.

Me zgjedhjen e emrit Leoni, Prevost ka treguar një angazhim ndaj çështjeve dinamike sociale, sipas ekspertëve. Papa i parë që përdori emrin Leoni, papati i të cilit përfundoi në vitin 461, u takua me Attilën Hun dhe e bindi atë të mos sulmonte Romën. Papa i fundit Leoni udhëhoqi Kishën nga viti 1878 deri në vitin 1903 dhe shkroi një traktat me ndikim mbi të drejtat e punëtorëve. Ish-Kryepeshkopi i Bostonit Seán Patrick O’Malley shkroi në blogun e tij se papa i ri “ka zgjedhur një emër të lidhur gjerësisht me trashëgiminë e drejtësisë sociale të Papa Leoni XIII, i cili ishte papë në një kohë trazirash epike në botë, kohën e revolucionit industrial, fillimin e marksizmit dhe imigracionit të përhapur”.

Pikëpamjet e Papës së ri për LGBT janë të paqarta, por disa grupe, përfshirë Kolegjin konservator të Kardinalëve, besojnë se ai mund të jetë më pak mbështetës se Françesku. Leo XIV ka treguar mbështetje për një deklaratë nga Françesku për të lejuar bekimet për çiftet e të njëjtit seks dhe të tjerët në “situata të parregullta”, megjithëse ai ka shtuar se peshkopët duhet t’i interpretojnë direktiva të tilla në përputhje me kontekstet dhe kulturat lokale.

Duke folur vitin e kaluar për ndryshimet klimatike, Kardinali Prevost tha se ishte koha për të kaluar “nga fjalët në veprime”. Ai i bëri thirrje njerëzimit të ndërtojë një “marrëdhënie reciprociteti” me mjedisin. Dhe ai ka folur për masa konkrete në Vatikan, duke përfshirë instalimin e paneleve diellore dhe miratimin e automjeteve elektrike. Papa Leoni XIV ka mbështetur vendimin e Papa Françeskut për të lejuar gratë të bashkohen me Dikasterin për Peshkopët për herë të parë. “Në disa raste kemi parë se pikëpamja e tyre është një pasurim”, tha ai për Vatican News në vitin 2023. Në vitin 2024, ai i tha Shërbimit Katolik të Lajmeve se prania e grave “kontribuon ndjeshëm në procesin e dallimit në kërkimin e atyre që shpresojmë se janë kandidatët më të mirë për t’i shërbyer Kishës në shërbesën episkopale”.

Filed Under: Kulture

Simfonia “Albanoi”

May 7, 2025 by s p

www.vasiltole.com

1. Si lindi ideja për simfoninë ALBANOI dhe çfarë simbolizon titulli?

Më 9 Maj, në Ditën e Europës, është planifikuar premiera e veprës sime më të re, Simfonia Albanoi. Kjo është një vepër sfiduese për mua, sepse, siç dihet, simfonitë janë krijime që kërkojnë një angazhim të jashtëzakonshëm. Në këtë rast, simfonia është gjithashtu simbolike, sepse emri Albanoi është përmendja më e hershme në burimet antike për vendbanimin ku jetonin shqiptarët, dhe ky emër evoluoi më vonë në Albanians, Arbër, dhe më në fund te Shqiptarët e sotëm. Ajo përfaqëson një përgjithësim të tipareve muzikore të shqiptarit ndër vite, duke reflektuar vlerat më të mira të krijuara gjatë trashëgimisë së tij historike, kulturore dhe artistike.

⸻

2. Cilat janë temat kryesore të përfaqësuara në katër kohët e simfonisë?

Për të arritur te kompozimi i ALBANOI-t (2 vite punë, 45 minuta muzikë), kam kaluar një rrugëtim të gjatë krijues dhe formues, i cili besoj se më ka dhënë përvojën e nevojshme për t’u përballur me një vepër të madhe si simfonia. Duke synuar të krijoj një vepër autentike dhe bashkëkohore, mbështetem në evolucionin natyror të teknikave muzikore të ndërlidhura. Titujt e katër kohëve (EPOS, ISO, PARAKORI-VALLE dhe GËZIM-FINALE) nuk tregojnë një program të mirëfilltë, por shërbejnë si orientues. Në cilësinë e tyre simbolike, ata mbartin kuptime mbarëshqiptare që flasin qartë për të gjithë, si gurë kilometrikë që tregojnë përparimin e bërë në një udhëtim.

⸻

3. Si i ndërthurni polifoninë shqiptare dhe elementet tradicionale në një gjuhë simfonike bashkëkohore?

Është një proces thellësisht i lidhur me rrënjët e muzikës sonë kombëtare, parimet e së cilës — si teorike ashtu edhe praktike — i ka hedhur kompozitori ynë i shquar Çesk Zadeja. Ne kemi një pasuri të madhe në muzikën popullore, dhe është krejt natyrshëm që kompozitorët tanë të ndihen të tërhequr prej saj. As unë nuk bëj përjashtim. Në këtë simfoni, të cilën e quaj simfonia e tipareve muzikore të shqiptarit, kam ndërthurur gjithçka të vlefshme që mbart folklori ynë muzikor. Në kohën e dytë, të titulluar ISO, kam synuar të realizoj teksturën e iso-polifonisë, ku iso-ja interpretohet nga orkestra me tela, ndërsa zërat solo të marrësit, kthyesit dhe hedhësit interpretohen përkatësisht nga fagoti solo, korno në Fa solo dhe tromba në Si bemol solo. Sigurisht, gjuha muzikore është ndërtuar në një idiomë bashkëkohore, por ajo që ka rëndësi është se folklori ynë është i aftë të mbështesë dhe të frymëzojë edhe një trajtim modern brenda muzikës klasike.

⸻

4. Cilat ishin sfidat kryesore në kompozimin e kësaj vepre?

Një shpikje e mrekullueshme artistike e klasikëve, cikli simfonik me katër kohë, është përshkruar emocionalisht si një kalim nga errësira në dritë. Të gjithë komponentët muzikorë varen nga ky koncept filozofik, përfshirë dramaturgjinë muzikore dhe sidomos ndërtimin formal, ku koha e parë dhe e dytë janë me tempo të ngadalta dhe tonalitete minore, për t’u pasuar nga koha e tretë dhe e katërt me tempa më të shpejta dhe tonalitete të ndritura, madhore.

⸻

5. Çfarë rëndësie ka që premiera botërore të ndodhë në Ditën e Europës, më 9 Maj?

Mund të quhet një rastësi e qëllimshme. Dita e Europës na kujton se ne jemi pjesë e pandarë e identitetit të saj kulturor, gjeografik, gjuhësor dhe më gjerë — siç reflektohet edhe në hartën e shekullit XV të njohur si Europa Regina. Ndërsa integrimi politik dhe ekonomik kërkon kohë, në art, kulturë dhe trashëgimi ne jemi tashmë pjesë e pandashme e saj. Është një e vërtetë e bukur që simfonia — një krijesë thelbësisht europiane — vijon të jetojë në muzikën bashkëkohore shqiptare. Simfonia ALBANOI është një dëshmi e gjallë e kësaj.

⸻

6. Si ishte bashkëpunimi juaj me dirigjentin Eno Koço dhe Orkestrën Simfonike të RTSH-së?

Simfonia ka katër kohë dhe i kam kushtuar secilën prej tyre katër individëve që më kanë ndikuar në forma dhe vende të ndryshme gjatë viteve. Me këtë dedikim, shpreh mirënjohjen më të thellë për ta:

• Koha I – EPOS, dedikuar Ismail Kadaresë

• Koha II – ISO, dedikuar Wolfgang Hufschmidt

• Koha III – KTHESA, dedikuar Eno Koços

• Koha IV – HENG, dedikuar Çesk Zadesë

Dirigjenti i shquar Eno Koço zë një vend të veçantë në rrugëtimin tim muzikor, pasi ishte i pari që solli në skenë një nga veprat e mia simfonike që në vitin 1990, në fillesat e karrierës sime. Që atëherë, bashkëpunimi ynë ka vazhduar pandërprerë, me besim artistik dhe respekt të ndërsjellë. Lidhja jonë shkon përtej muzikës. Eno është biri i sopranos së njohur shqiptare Tefta Tashko Koço, me origjinë nga Frashëri i Përmetit — vend që edhe unë e quaj me krenari vendlindje. Ky trashëgim i përbashkët e ka thelluar lidhjen tonë, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë artistik. Përveçse dirigjent me integritet të lartë, Eno është edhe studiues i përkushtuar i traditave muzikore klasike dhe popullore shqiptare. Angazhimi i tij për hulumtimin dhe ruajtjen e këtyre trashëgimive rezonon fuqishëm me rrugën time krijuese. Jam thellësisht mirënjohës për profesionalizmin dhe miqësinë e tij të çmuar.

⸻

7. Çfarë reagimi emocional apo intelektual shpresoni nga publiku?

Shqipëria ka një traditë të gjatë dhe të gjallë të vlerësimit të muzikës, sidomos në fushën e interpretimit simfonik, koncertal dhe skenik. Kjo traditë është formuar që me krijimin e Orkestrës Simfonike të Radio Tiranës në fund të viteve 1930, dhe më pas me themelimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në vitin 1956. Gjithashtu, programet muzikore të Radio Tiranës dhe rrjeti i shkollave të muzikës në vend kanë luajtur një rol jetik në edukimin dhe përfshirjen e publikut në artin muzikor. Me besim të plotë presim një pritje të ngrohtë për këtë koncert, pasi publiku shqiptar ka qenë gjithmonë përkrahës i palëkundur i artit dhe kulturës, veçanërisht i krijimtarisë muzikore.

⸻

8. Si lidhet apo ndryshon ALBANOI nga veprat tuaja të mëparshme?

Simfonia ALBANOI përfaqëson konsolidimin e tipareve kryesore të krijimtarisë sime muzikore, tashmë në një nivel më të lartë — atë të simfonisë. Kjo vepër vjen pas një rruge të gjatë krijuese që përfshin muzikë dhome, vokale, koncerte për instrumente dhe orkestër, pjesë të ndryshme për orkestër me tela dhe orkestër simfonike, si dhe dy opera. Në thelb, ALBANOI shtron një urë midis së kaluarës së krijimtarisë sime dhe e çon atë në një fazë të re dhe të ngritur.

⸻

9. Çfarë roli shikoni për muzikën shqiptare në skenën më të gjerë europiane?

Muzika shqiptare ka shfaqur praninë e saj në skenën europiane në forma të ndryshme dhe në nivele të ndryshme. Ajo që bie më shumë në sy janë interpretuesit, sidomos në zhanrin e operës, ku spikasin emra si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Enkelejda Shkoza, Inva Mula, Eva Golemi, Josif Gjipali, Artur Vera, Klodian Kacani dhe të tjerë. Për më tepër, Shqipëria ka një plejadë të shkëlqyer instrumentistësh që jetojnë dhe punojnë në Europë, duke shkëlqyer në zanatin e tyre. Disa nga emrat më të njohur janë Tedi Papavrami, Jonian Kadesha, Florian Vlashi, Kostandin Tashko, Krist Gjezi, Laura Llozi, Jonela Golemi, Dhurata Lazo e të tjerë. Gjithashtu, kompozitorët shqiptarë janë të pranishëm në skenat europiane. Emra si Thomas Simaku dhe Endri Sina spikasin jo vetëm për interpretimin e veprave të tyre, por edhe për çmimet prestigjioze europiane që kanë fituar për krijimtarinë dhe kontributin e tyre në muzikën bashkëkohore.

⸻

10. Çfarë projekte apo drejtime të ardhshme muzikore po eksploroni aktualisht?

Jam vazhdimisht i angazhuar në krijimtari artistike dhe punë studimore. Sapo të kem diçka më konkrete për të ndarë, do të jemi sërish në kontakt.

Faleminderit për intervistën.

www.vasiltole.com

⸻

Një reflektim mbi simfoninë ALBANOI nga kompozitori Vasil S. Tole

Prof. Dr. Fatmir Hysi, Muzikolog

Pas një periudhe të gjatë stagnimi dhe dominimi të muzikës komerciale, arti simfonik — dhe simfonia në veçanti — po rikthehet me një gjallëri të re. Vepra më e fundit e Vasil S. Toles, simfonia ALBANOI, është një shembull mbresëlënës i këtij rilindjeje, duke e vendosur zhanrin në një dritë të re dhe bashkëkohore.

Simfonia të surprizon që në momentin e parë me tingujt e saj kompleksë dhe të papritur, si dhe me qartësinë e konceptit. Ajo digjet nga një zjarr i brendshëm, duke u frymëzuar nga dhe duke iu kushtuar kompozitorëve dhe figurave të rëndësishme kulturore. Megjithatë, ajo shkon përtej thjesht homazhit. Në vend që të ndjekë format tradicionale epike apo rrëfimtare, ALBANOI sfidon audiencën të kalojë nga dëgjimi pasiv në përfshirje emocionale aktive — duke ftuar çdo dëgjues ta përjetojë muzikën si një udhëtim personal e bashkëkohor.

Forma e disiplinuar e simfonisë, gjuha e freskët harmonike — e ndërtuar në ndërthurjen midis teknikës profesionale të kompozimit dhe idiomave folklorike — dhe orkestracioni i kthjellët dhe kuptimplotë, i japin veprës një energji të gjallë dhe në zhvillim. Ngjyrat dhe teksturat e ndryshme timbrike shtojnë praninë dinamike dhe fuqinë shprehëse të saj.

Me ALBANOI-n, Vasil S. Tole hap një rrugë të re për muzikën simfonike shqiptare — një rrugë që përqafon traditën dhe risinë, dhe riafirmon simfoninë si një medium të gjallë të shprehjes artistike bashkëkohore.

— Prof. Dr. Fatmir Hysi

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT