Nga Shefqet Kërcelli/
U cel sot në pallatin e Kongreseve panairi i librit “Tirana 2015”. Nga data 11 deri më 15 nëntor 2015, dhjetra shtëpi botuese e botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia po ekspozojnë botime të tyre, si të viteve të kaluara dhe ato më të fundit, me tematike, zhanre e gjini të ndryshme. Është fakt që numuri i botimeve gjatë këtyre viteve është përmirësuar ndjeshëm në sasi e cilësi. Por c’po ndodh me lexuesin shqiptar? Me keqardhje konstatojmë se numuri i vizitorëve dhe lexuesve shqiptarë po pakësohet ndjeshëm nga viti në vit, më e theksuar kjo tek të rinjtë shqiptarë. Nga një vëzhgim i thjeshtë, por dhe nga takimet me botues të ndryshëm, të gjithë ma shprehën këtë shqetësim të tyrin. Tashmë është fakt që situata e librit është në krizë, më thotë një botues. Botimet po bien, mjaft shtëpi botuese e librari po falimentojnë. Kjo lidhet jo vetëm me situatën ekonomike dhe internetin, por dhe me politikat zhvillimore dhe fiskale të shtetit ndaj botimeve. Nuk ka subvencione dhe investime nga shteti në këtë fushë të rëndësishme, që ka të bëjë me të ardhmen e kombit shqiptar. Dhe këtu në panair, taksa për truall është marramendëse. Ne me shitjet tona nuk mund të mbulojmë as ¼ e kësaj që po paguajmë. S’dimë si do shkojë kjo punë, thotë një botues tjetër. Ndërkohë për hir të së vërtetës duhet të pranojmë që janë botuar e përkthyer plot libra të mrekullueshëm, por mjaft blerës shkojnë drejt politikanëve të cilët reken ti japin librat me autografe. Kjo sepse politikanët tanë kanë mundësi financimi, reklamimi e marketingu, më shumë se kushdo në panairet tona të librit. S’lamë gjë pa politizuar ne shqiptarët. Në këtë grup të priviligjuarish futen dhe disa gazetërë që fillojnë reklamën e librit pa e botuar ende. Këto lloj politikash e demagogjish e c’orientojnë lexuesin tonë për të përzgjedhur librin e duhur, me ato pak lekë që ka ndarë për të blerë nonjë libër, sipas traditës së lëxuesit e dashamirësve të librit. Natyrisht mjaft lexues janë të prirur drejt librave bestseller, librave historikë e filozofikë. Këtë vit, për herë të parë në këtë panair u ekspozuan dhe libra dixhitalë. Gjithsesi kjo risi teknologjike nuk ka për të ndryshuar situatën e librit në Shqipëri. Tashmë nuk mund të fshihet fakti që shqiptarët i janë larguar librit. Ndaj është domosdoshmëri që si në fusha të tjera dhe për librin, duhet një strategji e vecantë ku të bashkërendojnë punën e tyre institucionet shtetërore dhe subjektet private. Ka disa vite që po ndjek panairet e librit, por pamja që të afron ky aktivitet mbarëkombëtar, nga viti në vit bëhet më trishtuese për librin. Kjo vihej re dhe në fytyrat e botuesve të ndryshëm që i vinin qark eksponateve të tyre por dhe të kolegëve. Gjatë vizitës sime të fundit në SHBA, shkova dhe tek biblioteka publike e New Yorkut. Madje i dhurova një libër nga botimet e mija kësaj biblioteke, ku mora qindra falenderime e urata nga personeli i saj. Ata e vlerësonin tej mase kulturën e dhurimit të një libri. Por ajo që vura re të paktën për 5 ditë qëndrimi atje ishte frekuentimi i kësaj biblioteke. Në cdo orë të ditës pashë qindra njerëz të grupmoshave të ndryshme që nuk rreshtin duke hyrë e dalë në këtë bibliotekë madhështore. Sigurisht për kushtet e ndryshme social-ekonomike dhe kulturore nuk mund të bëjmë krahasime mes dy vendeve, por libri është një, ai i ndricon mëndjen cilido njeriu, kudo që të jetë. Por c’po ndodh me ne shqiptarët në raportin me librin?! Kjo situatë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Rrugë e mundësi për ta përmirësuar ka sa të duash, mjafton të jetë dëshira dhe vullneti i mirë i të gjithëve. Gjithsesi le të shpresojmë që ditët e tjera numuri i dashamirësve të librit do rritet në panairin “Tirana-2015”.
Blerim Destani, aktori më i mirë në New York
Fundjavën e kaluar ka përfunduar festivali Java e Filmit Shqiptar në Manhattan të Nju Jorkut. Në kinemanë prestigjioze “Bow Tie Cinema” në Manhattan, u ndan 10 shpërblime nga juria profesionale e përbëre nga Louis Romano, Gjilberta Lucaj, Xhevat Limani dhe Shpend Xani.
Festivali simbas organizatorit shënoi edhe një edicion të suksesshëm të radhues, ku me këtë rast u përcjellë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe pati një interesim shumë të madh për kinematografinë shqiptare.
Gjatë një jave të këtij festivali u prezantuan 32 filma të kinematografisë shqiptare, ndërsa u ndanë dhjetë shpërblime në kategori të ndryshme.
Gjithashtu festivali ndau edhe dy shpërblime inkurajuese për dy regjisore të rinj – Sabri Pajaziti dhe Fisnik Muji, ndërsa eventi u përmbyll duke shënuar kështu një sukses të madh në prezantimin e kinemasë shqiptare në Nju Jork, duke ushtruar kështu një ndikim të madh që kultura e filmit shqiptar të pëlqehet dhe pranohet edhe nga audienca amerikane.
Aktori shqiptar Blerim Destani është shpërblyer me një çmim për të arrituar në karrierën e tij si aktor. “Java e Filmit Shqiptar” në New York ka nderuar aktorin shqiptar me çmimin e aktorit më të mirë, transmeton Telegrafi. Megjithëse ky event thuhet nga ekspertët e kinemasë nuk mund të konsiderohet me përmasa ndërkombëtare, Destani, u shpërblye për punën jashtë kufijve shqiptar madje në metropolin e botës Nju Jork, qytetin ku mbahen disa fetivale të kinematografisë botërore me jehonë të madhe ndërkombëtare.
Ndryshe filmi më i ri “ Soko 5113” ku merr pjesë aktori shqiptar, ka premierën sonte në kanalin e njohur gjerman, ZDF. /B.Sina/
“TRI DRITARE DHE NJË VARJE” NË SCOTTSDALE INTERNATIONAL FILM FESTIVAL
Nga Hajro Hajra/ Arizona/
Është hera e dytë në 5 vjet që shfaqet një film shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit (Scottsdale International Film Festival), në qytetin Scottsdale të Arizonës (SHBA). Më 2010 qe shfaqur filmi “Koha e kometës”, i regjisorit Fatmir Koçi, kurse sivjet, në Festivalin XV jubilar (nga 5 deri më 9 nëntor 2015), nga 42 filma, sa janë shfaqur në këtë festival, përfshirë dhe filma nga shtete europiane, si Gjermania, Finlanda, Irlanda, Rusia, Greqia e Turqia, u shfaq dy herë radhazi, më 7 e 8 nëntor filmi shqiptar nga Kosova “Tri dritare dhe një varje”, i regjisorit Isa Qosja, me skenar të Zymber Kelmendit, me aktorët Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Xhevat Qorraj, Mirjana Karanoviq, Aurita Agushi, Leonora Mehmetaj, Orik Morina, Doresa Rexha, Granit Ukaj etj.
Ndryshe nga festivali i para 5 vjetëve, kur qe shfaqur “Koha e kometës” dhe në shfaqjen e filmit ishte i pranishëm regjisori, Fatmir Koçi, i cili në fund të shfaqjes së filmit pati bashkëbiseduar me shikuesit dhe kur në mesin e shikuesve qenë dhjetëra shqiptarë, sivjet, në shfaqjen e parë të filmit, më 7 nëntor, nga nja 50 shikues që e ndoqën me interesim filmin, në sallën e kinemasë ku u shfaq filmi “Tri dritare…” ishin vetëm 2 shqiptarë(?!), ndonëse në shtetin Arizona të SHBA-ve jetojnë më shumë se dy mijë shqiptarë, të cilët në forma të ndryshme kanë qenë njoftuar që më parë për shfaqjen e këtij filmi.
Prania e ndokujt nga ekipi i filmit (qoftë ai regjisori, skenaristi, producenti, apo ndonjëri nga aktorët) që do të kontaktonte me publikun pjesëmarrës në shfaqjen e filmit do t’ia shtonte edhe më shumë peshën pjesëmarrjes së filmit në një festival ndërkombëtar, sikurse ky i Arizonës. Megjithatë, vetë prania e filmit në këtë festival është edhe një mirënjohje më shumë për filmin dhe për ekipin që realizoi këtë vepër kinematografike me mjete mjaft modeste e në kushte aspak të favorshme, çfarë ofron Kosova që sot po ballafaqohet me një mijë halle.
Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Xhevat Qorraj, Mirjana Karanovic, Aurita Agushi, Leonora Mehmetaj, Orik Morina, Doresa Rexha, Granit Ukaj
Presidenti Nishani nderon aktorin e humorit Muharrem Hoxha
Nga Shefqet Kërcelli/
Mbrëmjen e djeshme në një ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”, presidenti i Republikës Bujar Nishani nderoi aktorin e humorit Muharrem Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në këtë aktivitet kulturoroartistik krahas presdientit Nishani morren pjesë qytetarë dhe intelektualë të Durrësit, familjarë të aktorit, personalitete dhe aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare, të filmit, teatrit, estradës dhe muzikës, nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Vlora, Korca, etj. me të cilët aktori ka bashkëpunuar në vitet e karrierrës së tij artistike. Fillimisht Presidenti Nishani vlerësoi qytetarinë dhe intelektualizmin e banorëve të Durrësit dhe përpjekjet e tyre në vite për të mbajtur gjallë një traditë të spikatur kulturore artistike ku gjinia e humorit zinte të vecantë. Më pas ai evidentoi kontributin që kanë dhënë plejada e aktorëve, regjizorëve, muzikantëve, skenaristëve e personelit të institucioneve kulturore të qytetit të Durrësit në jetën artistike të qytetit por dhe në mbajtjen e një klime humori në realitetin e asaj kohe. Ishin këto shfaqje skenike të niveleve të ndryshme amatore dhe profesionale që me humor, satirë, sarkazëm, batuta, situate groteske etj, vrisnin frikën e diktaturës dhe lehtësonin dhimjen dhe gjendjen shpirtërore të njerzve. Estrada e Durrësit dhe simotrat e saj në qytete të tjera të vendit, si një strukturë e vecantë e artit skenik, përmes humorit, në vite kanë thyer mjaft tabu të jetës shoqërore. Vend të vecantë në fjalën e vet zoti Nishani i kushtoi vlerave njerzore, familjare dhe aktoriale të zotit Muharrem Hoxha. Mbas marjes së titullit zoti Hoxha falenderoi presidentin per këtë vlerësim dhe theksoi se, “këtë çmim ja dedikoj kolegëve të mi të estradës, me të cilët ndava mbi tre dekada punë në skenë”. Mbrëmja bashkoi mjaft humoristë dhe muzikantë, kolegë të Remës, të cilët i dhuruan pjesmarrsve emocione të vecanta nëpëmjet muzikës dhe disa numurave humoristike ku interpretuan dhe humoristët nga Estrada e Durrësit e Shkodrës si dhe këngëtarët Reshit Gjini, Luan Zhegu, Irma Libahova dhe Bujar Qamili. Muharrem Hoxha ose Rrema, siç e njeh publiku dhe miqtë e tij, gjatë 40 vjetëve pa ndërprerje, në Pallatin e Rinisë dhe estradën e qytetit, ka sjellë mbi 80 role të spikatura. Dhënia e këtij titulli përkon me daljen në pension të Muharrem Hoxhës , ndërkohë, aktorë të tjerë bashkëkohës të tij, kanë dalë më parë në pension. Ata gëzohen për çmimin e Muharrem Hoxhës, por njëkohësisht shprehin dhimbje, për tkurrjen e kësaj gjinie të artit skenik. Janë miqtë e tij Roland Koca, Aishe Stari, regjisori Haxhi Rama, Fadil Hasa, Zyliha Miloti, humoristët e Vlorës, Cekja i Beratit, Bujar Kapexhiu, aktori Robert Ndrenika, Xhelal Tafaj, etj. të gjithë që i bashkohen festës. Aktori Muharrem Hoxha ka lindur me 18 janar 1954. Ka punuar për një periudhë të gjatë nga ’73 deri ’86 tek “Pallati i Rinisë” në qytetin e Durrësit, ku ka bashkëpunuar me aktorët e humorit si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Enver Likmeta dhe Gani Kalaja. Në estradën e Durrësit ai ka punuar dhe me aktorë të tjerë si Roland Koça, Sanie Hoti, Xhelal Tafai, Hysen Bashkhysa etj. Ai ka marrë pjesë tek Teatri i Kukullave për 14 vjet, po kështu është angazhuar në mbrëmjet e Vitit të Ri, si në programet për fëmijë dhe në ato për të rriturit. Rrema ka luajtur dhe në filmin për femijë “Velat e Bardha”, i cili është xhiruar në Itali.Aktivitetet dhe bashkëpunimet e tij me aktorë dhe regjisorë të disa qyteteve tona kanë bërë që ai të jetë një ndër humoristët më të pëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit ku ai punon, por dhe për qytete të tjera. Në Shkodër ai ka bashkëpunuar me aktorë të tillë si Zyliha Milotin, Paulin Prekën, Zef Dedën, Gëzim Kruja, Drane Xhoi. Gjithashtu ai ka luajtur dhe me aktorët e qytetit të Korçës ku do të veçonim Zamira Kita, Aleko Prodani, Petrika Riza, Klaudeta Riza, Marko Bitraku, Albana Prodani etj. Me trupën e Korçës vecojmë shfaqjen “Ju ftojmë në dasmën e babait”. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe bashkëpunimin me aktorë të humorit në qytetin e Elbasanit si Ilmi Belshaku, Dimitraq Topuzi, Antoneta Doka. Në vitin 1983 në qytetin e Lushjes nderohet me çmimin “Laureat i festivalit”. Të njëjtin çmim e merr dhe në Fush-Arrëz, në 1989. Në vitin 1996, në festivalin kombëtar të humorit është vlerësuar si aktori më i mirë. Ai është vlersuar në vitin 2000 si “Njeriu i shekullit”, “Krenaria e qytetit”, për Durrësin, ka fituar cmimin “Qemal Hajdini”, si “Aktori me i mirë” në festivalin e Dibrës së Madhe në vitin 2008. Në vitin 2003 është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Argjendë”, nga presidenti Moisiu, ndërsa në vitin 2010 ka marrë “Naim Frashëri i Artë”. nga presidenti Bamir Topi, etj. Një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Muharremit, aktori Roland Koca që bashkë me Fadil Hasën e Rremën përbënin tre muskëtierët e Estradës së Durrësit shprehet se, Rrema me ndjenjën e humorit, shpirtin human e finik, këmbënguljen në realizmin e roleve e karaktereve njerzore mbetet simbol i humorit në Durrës dhe një përfaqsues tipik i kësaj gjinie në rang kombëtar. Si aktor karakteresh të shtresave të ndryshme Rema ka pasur një komunikim të vecantë me spektatorët, jo vetëm në sallë por dhe në komunitet. Ai mban mend qindra persona të cdo niveli, një vecori e tij që ja mundësonte skalitjen e roleve e personazheve në shfaqjen e radhës. Estrada e Durrësit u fuqizua mbas vitit 1974, kur u bënë pjesë e saj, një sërë aktorësh e regjizorësh të talentuar, të cilët ndoqën shembullin dhe trashëgëminë e pioniervë të kësaj gjinie Ramazan Ngjala, Nikolin Xhoja, Spiro Strati, etj. Nga viti në vit niveli artistik dhe pjekuria profesionale e trupës sonë ka shënuar rritje, tha ai. Ne dhe në fushën e parodisë patëm sukses me angazhimin e zonjës Liri Lushi, ndërsa del në pah dhe madhështia e Haxhi Ramës si regjizor për mëse dy dekada. Mendoj se në shfaqjen “Tre burra kërkojnë një grua” në të tre si aktorë, pra Rema, Fadili dhe unë kemi bërë një nga perforamncat më të mira skenike. Përpjekjet tona për të sjellë para publikut dicka të re, kanë qenë një vecori tjetër e punës sonë, përpiqeshim me orë të tëra për të zbërthyer një personazj, karakter, për të mos e lënë spektatorin të mërzitej. Por mbi të gjitha ne kemi pasur një kolektiv të mrekullueshëm, ku miqësia e sinqeriteti mishëronin një bashkëpunim të frutshëm në shfaqje dhe jashtë saj. Ndaj dhe kjo mbrëmje ka kaq shumë pjesmarrje.Të gjithë i gëzohen faktit që një koleg i tyre nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ta gëzojë këtë titull Miku dhe kolegu ynë “Muharrem Hoxha”! Por njëkohësisht uroj që kjo traditë e spikatur e humorit durrsak të ketë vijimësi në të ardhmen. Më gëzon fakti që në këtë mbrëmje ka dhe plot aktorë të rinj të kësaj gjinie, theksoi aktori durrsak Roland Koca.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris, Kosova, Të Hënën Votimi
*Kumbaro: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, i merituar/
*Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit/
TIRANË, 7 Nëntor/Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
“Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, nënvizoi Kumbaro.
Kisha ortodokse serbe, vijoi ajo, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.
Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.
“Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit”, u shpreh Kumbaro.
Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. “Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova , por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë”, tha Kumbaro.
“Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja Kumbaro deklaroi se “është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si “fuçi baruti në Europë”, sot të kthehet në “ fuçinë e Kulturës” në Europë. Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.
“Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës”, vazhdoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit”.
Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.
Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.
Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim(Sipas ATSH-se)
- « Previous Page
- 1
- …
- 251
- 252
- 253
- 254
- 255
- …
- 544
- Next Page »