• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

February 19, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Prof. Emeritus Injac Parrino është një nga studiuesit më të shquar arbëreshë të albanologjisë, një personalitet i njohur dhe i respektuar në botën akademike dhe shkencore për kontributet e tij në fushën e arkivistikës, gjuhësisë, historisë kulturore dhe studimeve arbëreshe. Me një karrierë të gjatë dhe të pasur, ai ka ndikuar në thellimin e kuptimit të marrëdhënieve historike, kulturore dhe gjuhësore mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh të Italisë.

Formimi i Injac Parrinos si albanolog është i lidhur ngushtë me rrënjët e tij familjare, kulturore dhe fetare, një përvojë që ka ndikuar në mënyrë të thellë në zhvillimin e tij si studiues dhe albanolog.

I lindur më 3 shkurt 1938 në Palazzo Adriano në provincën e Palermos në Siçili, në një familje arbëreshe, Parrino u rrit në një mjedis ku gjuha shqipe dhe traditat arbëreshe përbënin pjesë të përditshmërisë. Trashëgimia e tij familjare ishte një shtysë e fortë për angazhimin në studimet shkencore dhe kulturore, si pikënisje për kërkimet e tij albanologjike.

Parrino ka shkruar dhe hulumtuar shumë për gjuhën historinë dhe traditat arbëreshe, duke u fokusuar në ruajtjen e pasurisë kulturore të këtij komuniteti, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin kombëtar shqiptar. Parrino formësoi që herët një vetëdije të thellë identitare, e cila do ta shoqëronte dhe udhëhiqte gjatë gjithë veprimtarisë së tij intelektuale dhe kulturore. Ky mjedis, i pasur me histori, kujtesë kolektive dhe trashëgimi i ofroi atij një fond të vyer përvoje shpirtërore, duke e ndihmuar të kuptonte më thellë rrënjët e tij dhe të ndërtonte një lidhje të fortë me traditën dhe kulturën arbëreshe.

Në moshën dhjetëvjeçare, Injaci hyri në seminarin e njohur dhe me përvojë të gjatë, të themeluar që në vitin 1734 në Palermo nga At Gjergj Guxeta, duke u bërë njëri nga nxënësit e fundit të këtij seminari, i cili në atë kohë drejtohej nga rektori Papa Pal Matranga. Seminari italo-arbëresh i Palermos u ngjiz dhe funksionoi që në krye të herës si qendër e filologjisë italo-arbëreshe dhe e albanologjisë në përgjithësi dhe në rrjedhën e viteve u bë vatra e parë e studimeve albanologjike në Europë, e pakrahasueshme me institute të tjera të ngjashme, për nga shumëllojshmëria dhe cilësia e prodhimit intelektual. Kështu, mjafton të sjellim për ilustrim këtu krahas emrit të themeluesit të tij, emrat e një aradhe të tërë intelektualësh të shquar arbëreshë që u morën intensivisht me kërkime në fushat e historisë, kulturës e të filologjisë arbëreshe si: Pal Maria Parrini, Nikollë Filia, Nikollë Keta në shek. XVIII; Sepë Krispi në shek.XIX, Pal Skiro në fillim të shek. XX etj. Në atë seminar filloi studimet edhe burrështetasi Françesko Krispi.

Veprimtaria e Seminarit që në fillim u orientua drejt edukimit fetar të seminaristëve të rinj, të ardhur nga të gjitha kolonitë shqiptare të Siçilisë, të cilat në atë kohë ishin të lidhura me njëra-tjetrën përmes shkëmbimeve shumë të dendura, jo vetëm të natyrës kulturore dhe shpirtërore, por edhe të natyrës sociale dhe ekonomike. Në atë Seminar, boshtet kryesore pedagogjike të mësimit përbëheshin nga njohuritë teologjike dhe liturgjike të ortodoksisë katolike në Perëndim dhe praktikave të saj, si dhe kanunet gjuhësore të arbëreshëve e të gjuhës së tyre.

Pas dy vjetësh, Seminari u mbyll dhe u transferua: klasat gjimnaziale u zhvendosën në Horën e Arbëreshëve, ndërsa ato liceale në abacinë e lashtë dhe të famshme të Grottaferratës, pranë Romës, e cila deri pak vite më parë kishte qenë një qendër e madhe dhe e njohur e bizantinologjisë. Për shekuj me radhë, Grottaferrata kishte formuar klerikë, studiues dhe intelektualë të ritit greko-bizantin, përfshirë shumë figura të botës arbëreshe. Për komunitetet arbëreshe, manastiri kishte një rëndësi të veçantë: ai ishte një pikë referimi shpirtërore dhe kulturore, ku ruheshin gjuha, liturgjia, zakonet dhe identiteti lindor, në harmoni me kishën katolike.

Vazhdimi i studimeve në Abacinë e Grottaferratës, e pajisi Parrinon me njohje të thellë të traditës bizantine, ku bën pjesë edhe kultura shqiptare mesjetare, si dhe me aftësi për të kuptuar kontekstin historik, kishtar dhe kulturor të dokumenteve që lidhen me shqiptarët. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për albanologjinë historike dhe arkivistike, sepse shumë burime për historinë shqiptare ruhen në arkiva kishtare dhe ata bizantine.

Pas përfundimit të studimeve, Injaci u kthye në Horw, ku iu besua detyra e zëvendësrektorit të Seminarit të atjeshëm, një funksion që dëshmonte vlerësim për formimin dhe aftësitë e tij intelektuale e organizative. Paralelisht me këtë agazhim, Injaci vijoi rrugën e përparimit akademik, duke u regjistruar në kursin universitar të letërsisë, që shënoi kalimin e qartë drejt albanologjisë si disiplinë shkencore. Letërsia dhe filologjia janë shtylla kryesore të kësaj fushe, që i mundësuan Parrinos të merrej me përkthime, botime kritike dhe studime historiko-letrare, duke i dhënë status akademik të plotë, për të vepruar si studiues i albanologjisë.

Në moshën 30 vjeçare, Parrino fitoi liber docenza (një titull akademik i lartë) në gjuhë dhe letërsi shqipe. Me këtë arritje, ai u emërua profesor në Universitetin e Palermos, ku filloi të kontribuonte në fushën e albanologjisë dhe të studimeve rreth trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë e komunitetit arbëresh në Itali.

Pas dy vjetësh, Parrino shkoi sërish në Kolegjin Grek të Romës dhe u regjistrua në Institutin Papnor Lindor për kursin universitar në Shkencat Teologjike Lindore, duke kaluar provimet përkatëse, por pa përgatitur tezën e diplomës, e cila në atë moment nuk përfshihej në interesat shkencore të tij. Sidoqoftë, ato studime i dhanë Parrinos formim të plotë në histori, filologji, hermeneutikë dhe studim tekstesh, si dhe e përgatitën për analizën shkencore të burimeve të shkruara, veçanërisht atyre fetare, që janë shumë të rëndësishme për historinë shqiptare. Në fakt, nga bashkëpunimi me profesorët Giuseppe Valentini dhe Ernest Koliqi, të cilët jepnin të njëjtën lëndë në Universitetin “La Sapienza” të Romës, lindën diskutime dhe iniciativa të rëndësishme për forcimin e bazës shkencore të Albanologjisë, si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë arbëreshe të Italisë. Ky angazhim u shfaq si një nevojë urgjente për të sistematizuar dhe për të institucionalizuar studimet mbi gjuhën, historinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke i dhënë një dimension akademik dhe shkencor.

Puna me Valentinin dhe Koliqin nuk ishte thjesht një mundësi për shkëmbim idesh dhe përvojash, por edhe një mundësi e paçmuar për të thelluar njohuritë mbi kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare. Ky bashkëpunim i ka mundësuar Parrinos të zhvillonte një pikëpamje më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse rreth historisë dhe kulturës shqiptare, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën sesi albanologjia shikohej dhe më pas zhvillohej në Itali, Shqipëri e më gjerë. Injac Parrino e përdori këtë përvojë të çmuar për të avancuar në kërkimet e tij shkencore dhe për të ofruar një kontribut të rëndësishëm në shpjegimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

I angazhuar pranë Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos dhe në Qendrën e Studimeve Shqiptare atje, Parrino ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kërkimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare. Trashëgimia kulturore arbëreshe, e pasur me tradita dhe histori, i ka mundësuar Prof. Parrinos të zhvillojë një kuptim të thellë në lidhjen mes kulturave dhe të shqyrtojë mënyrat, me të cilat ndikimet e ndryshme, si ato shqiptare dhe ato bizantine janë ndërthurur dhe kanë formuar identitetin dhe traditat e komunitetit arbëresh.

Përkushtimi i Parrinos në studime dhe kërkime akademike bëri të mundur që ai të integrojë metodologjitë e ndryshme, të zhvillojë një qasje tërësore në analizën e teksteve dhe të kërkojë lidhje midis teorive të ndryshme filozofike, teologjike dhe historike, duke krijuar një qasje të thelluar dhe të më larmishme akademike.

Veprimtaria shkencore e Prof. Parrinos, e zhvilluar përgjatë disa dekadave, kombinon analizën historike, filologjike dhe ndërdisiplinore, duke ofruar një qasje rigoroze dhe sistematike.

Prof. Parrino ka kryer studime të thelluara mbi elementët bizantinë që janë ruajtur dhe zhvilluar nëpërmjet trashëgimisë arbëreshe, dhe ka ofruar një analizë të thelluar të lidhjeve mes Kishës Ortodokse Bizantine dhe komunitetit arbëresh. Ky angazhim ka përfshirë, ndër të tjera, ruajtjen dhe promovimin e traditave liturgjike bizantine dhe krijimin e mundësive për edukimin teologjik dhe filozofik të arbëreshëve në Itali. Puna e tij ka kontribuar ndjeshëm në ruajtjen e një lidhjeje të fortë në mes të kaluarës fetare të komunitetit arbëresh dhe paraqitjes së kësaj trashëgimie në një kontekst modern e të përditshëm.

Angazhimi i Profesor Parrinos në studimin e kulturës, gjuhës, historisë dhe identitetit të arbëreshëve është padyshim një nga shtyllat më të forta të veprimtarisë akademike dhe kërkimore të tij, duke i siguruar atij një vend të veçantë nderi ndër studiuesit më të njohur të kësaj fushe.

Ky angazhim është jo vetëm shembull i pasionit dhe përkushtimit të tij për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe një kontribut i jashtëzakonshëm për të pasur një kuptim më të thellë dhe të plotë të lidhjeve historike mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh, në periudhën që pasoi pushtimin osman. Kjo qasje ka pasur një rëndësi të madhe për studimin e marrëdhënieve të arbëreshëve me Selinë e Shenjtë, si dhe për të kuptuar rolin që arbëreshët luajtën në mbështetje të çështjes shqiptare.

Komunitetet arbëreshe të Italisë, të cilat kanë një histori të pasur dhe të ndërlikuar, në lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë, ishin objekt i veçantë i kërkimeve të tij. Prof. Parrino u angazhua për t’i dokumentuar dhe interpretuar këto lidhje kulturore dhe historike, duke krijuar mundësi të reja për të kuptuar më mirë identitetin dhe historinë e shqiptarëve, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.

Përmes kërkimi arkivor, Parrino ka zbuluar dokumente dhe materiale që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe të identitetit të shqiptarëve jashtë atdheut, duke i dhënë mundësinë shkencës dhe historiografisë shqiptare të kuptojnë më thellë se si komunitetet shqiptare kanë mbijetuar dhe kanë ecur përpara gjatë shekujve. Kjo ka qenë një përpjekje për të zbuluar dhe ruajtur atë që mund të quhet një pjesë e pandashme e trashëgimisë, duke nxjerrë në pah forcën e lidhjeve kulturore dhe historike që kanë mbajtur të bashkuar këto grupe, pavarësisht largësisë fizike nga atdheu.

Bashkëpunimi i Injac Parrinos me Giuseppe Valentinin ishte i frytshëm dhe shumë intensiv në kuadrin e përgatitjeve për të përkujtuar 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Ky bashkëpunim e ndihmoi të thellohej më tej në fushën e albanologjisë dhe kërkimeve historike lidhur me Shqipërinë dhe Skënderbeun. Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte mbledhja, transkriptimi dhe studimi i burimeve të shumta, përfshirë dorëshkrimet dhe burimet arkivore të papublikuara.

Ky projekt ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të hetuar marrëdhëniet midis Papës Kalisti III dhe Skënderbeut, si dhe për të dokumentuar përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin nga rreziku i pushtimit osman. Libri “Papa Kalisti III, Skënderbeu, Shqipëria dhe Kryqezata: 1455-1458”, me autorë Giussepe Valentini, Matteo Sciambran, Ignac Parrino bazohet në dokumente dhe dëshmi të vlefshme nga arkivat e Vatikanit, të cilat hedhin dritë mbi përpjekjet e bashkërenduara ndërmjet Papës dhe Skënderbeut. Këto burime përmbajnë korrespondencë, udhëzime dhe vendime të rëndësishme që dëshmojnë përkushtimin e Kalistit III dhe vendosmërinë e Skënderbeut për të organizuar Kryqëzatën dhe për ta çliruar Ballkanin nga sundimi osman. Libri ofron një pasqyrë të thelluar të marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit dhe Shqipërisë gjatë kësaj periudhe të rëndësishme dhe përshkruan përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur Europën dhe krishterimin nga kërcënimi osman.

Në studimin “Skënderbeu në veprimin papnor të mbrojtjes evropiane, paraqitur në Konferencen e Pestë Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare’, Palermo 1973, Parrino shqyrtoi rolin e Papatit në mbështetje të Skënderbeut dhe ngjarjet që lidhen me organizimin e një Kryqëzate për ta shpëtuar Ballkanin.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë shkencore të Prof. Parrinos ka qenë hulumtimi arkivor dhe dokumentar për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë gjatë periudhës mesjetare. Ai mblodhi, transkriptoi dhe botoi vëllimin “Acta Albaniae Vaticana. Në këtë vepër janë përfshirë 563 dokumente dhe letra papale, që lidhen me Arberinë, ku shumica prej tyre i referohen Gjergj Kastriotit. Përmes këtyre dokumenteve, vihet në dukje ndikimi që Skënderbeu kishte në këtë kontekst, si dhe mënyrat që ai përdori për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për luftën antiosmane të popullit të tij. Ky libër sjell punën e jashtëzakonshme kërkimore të Prof. Parrinos, i cili jo vetëm që i organizoi dhe redaktoi këto dokumente, por edhe kontribuoi në dhënien e një kuptimi më të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë me Perëndimin në periudhën mesjetare. Libri paraqet një arritje të madhe, sepse përveçse pasuron arkivat historike, kontribuon në formimin e një pamjeje të qartë të lidhjeve diplomatike dhe historike të Shqipërisë me Vatikanin në një periudhë të rëndësishme të historisë së vendit. Me këtë vepër shkencore, Parrino u ka dhënë një mundësi të shkëlqyer studiuesve të ardhshëm për të hulumtuar më tej marrëdhëniet ndërkombëtare të shqiptarëve dhe ndikimin e kishës katolike në formimin e historisë së Shqipërisë.

Në veprën “Mbi origjinën e kulturës siculo-shqiptare, botuar në Palermo në vitin 1973, Parrino trajtoi origjinën e kulturës shqiptare në Sicili dhe të greko-shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Italisë. Parrino ofron një studim të hollësishëm të ndikimeve bizantine dhe shqiptare në kulturën e këtij rajoni dhe kontribuon në pasurimin e njohurive për diasporën shqiptare.

Prof. Parrino ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën e gjuhësisë historike, duke studiuar zhvillimin e gjuhës shqipe dhe ndryshimet e saj në komunitetet arbëreshe në Itali. Ai ka trajtuar me kujdes mënyrën se si gjuha shqipe është ruajtur dhe zhvilluar brenda këtyre grupeve, dhe ka shqyrtuar ndikimet e gjuhëve të tjera mbi të.

Prof. Injac Parrino ka kontribuar edhe në studimin e letërsisë kombëtare në përgjithësi. Ai është përqëndruar veçanërisht në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcís, duke kryer përkthimin e plotë të kësaj vepre dhe ka ofruar komente kritike, që ruajnë integritetin e tekstit origjinal, duke analizuar aspektet stilistike, gjuhësore dhe strukturore. Puna e tij ka theksuar dimensionin psikologjik dhe filozofik të epopesë fishtiane dhe ka interpretuar figurat dhe ngjarjet në dritën e Kanunit, si një sistem normativ dhe etik shqiptar. Puna e tij nuk përmbahet thjeshtë në përkthime, por përbën një lexim shumëplanësh, që përfshin analizën letrare, antropologjike, juridike dhe estetiko-filozofike. Parrino ka kontribuar në zgjerimin e kuptimit të Lahutës, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë, të lidhur me identitetin kombëtar dhe kulturor shqiptar, sidomos në aspektin e moralit dhe etikës tradicionale. Ai ka përdorur një metodë që përfshin analizë gjuhësore, stilistike dhe semantike, dhe ka ofruar një lexim antropologjik dhe juridik të Kanunit. Prof Parrino e ka vlerësuar Lahutën e Malcís si pasqyrë të shpirtit kombëtar shqiptar dhe si një dokument historik, ku historia dhe letërsia janë të pandashme.

Puna e Prof. Emeritus Injac Parrinos ka një rëndësi të jashtëzakonshme për studiuesit e sotëm dhe ata të ardhshëm të albanologjisë dhe fushave të lidhura me historinë dhe kulturën shqiptare. Angazhimi i tij i palodhur në kërkimin arkivor dhe dokumentimin e trashëgimisë shqiptare, si dhe thellimi në studimin e komunitetit arbëresh dhe emigrimit shqiptar, ka hapur horizonte të reja për hulumtime të mëtejshme. Përmes punës së tij, ai ka ndihmuar në forcimin e lidhjeve kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e bërë të mundur një kuptim më të thellë të identitetit shqiptar në diasporë. Trashëgimia e tij shkencore vazhdon të shërbejë si një pikë reference për studimet dhe hulumtimet e sotme dhe ato që do të ndërmerren në të ardhmen, duke e ruajtur dhe vlerësuar kulturën dhe historinë shqiptare për brezat që do të vijnë.

Filed Under: Kulture

KARTOLINË TJETËR MBAS VDEKJES…FREDERIKU SI M’U SHFAQ

February 18, 2026 by s p

Nga Visar Zhiti

Gjithmonë çohem herët

në mëngjes,

por botën e gjej zgjuar…

Gjithë ditën kam mërmëritur me vete këto vargje të Frederik Rreshpjes, jo vetëm pse sot është difa e ikjes së tij, por e kam bërë dhe herë të tjera, i dija këto vargje që kur isha student në qytetin e tij, në Shkodër dhe ai ishte poet i njohur. Pata fatin të bëheshim miq…

Desha të thosha sot diçka për atë, shkruajta gjatë paradites dhe befas më humbën fjalët të gjitha dhe u trishtova. Kur erdhi mbrëmja, sërish e kujtova dhe vargjet e mëngjesit i mërmërita të ndryshuar:

Gjithmonë fle vonë netëve,

por bota kurrë s’është

në gjumë.

Shoh dritat në rrugë dhe plot dritare të ndezura. Ç’kisha humbur, nuk e ribëja dot më. Deshi, pa humbi, po mërmërisja. Dhe kjo s’është vetëm për fjalët. Megjithatë unë kisha shkruar për Frederikun. Ai ishte një humbje e dhimbshme, me thyerje, e shndërruar në poezi…Në burgologjinë time “Rrugët e ferrit” kam rrëfime nate për atë, ai vjen fantazmë, po risjell njërin:

KARTOLINA NË DOSJEN E FERRIT

​- Po kjo kartolinë armiqësore dërguar poetit armik Frederik Rreshpja? – Hetuesi tundte një kartolinë, e vetmja gjë me ngjyra aty, që nga ajo dhomë shkretane, në korridorin e gjatë dhe të errët e deri te biruca jote. Por ajo ulërimë e papërcaktuar nga vinte ashtu? Ti mbaje vesh për ta gjetur dhe shqetësimi shtohej. Zjarrmia e ulërima nga s’avitej, qasej, derisa e kuptoje se ishte tjetër, jo ajo te birucat e anës sate, as e asaj, e treta nga këtej, por ishte brenda tek ti. Të erdhi radha të ulërish. Ndërsa hetuesi mbante në dorë një copë nga ulërima, me ngjyra, e ruajtur mirë, me fanatizëm, një kartolinë me të cilën një Vit të Ri të shkuar, kur kishte të tillë, të largët, apo që s’kishin ardhur ende, uroja një njeri.​

​- A mund ta shoh? – thashë.

​- Patjetër, është e drejta jote, – ma zgjati kartolinën hetuesi, duke kujtuar se desha të shihja vërtetësinë e saj, teksa nga buzët e tij derdhej ngazëllimi që të jep prova e pakundërshtueshme, aq e çmuar dhe po aq e panevojshme, por boll që i shton andrallat të hetuarit.

Në të vërtetë unë desha ta shihja për të përftuar një çast timin, të përjetoja të shkruarit, fjalët, vajtjen në postë dikur, ngjyrat e kartolinës etj.

​- Yti është shkrimi? – u bë i vëmendshëm hetuesi.

​- Patjetër, – buzëqesha, – por s’ia kisha dërguar organeve të Sigurimit. Ç’do kjo këtu?

​- Atë e dimë ne! Mos harro, ta kam thënë, jo vetëm unë, por edhe polici më i rëndomtë, pyetjet i bëjmë ne dhe jo ti, aq më keq kur ato janë edhe provokuese. Kemi konfiskuar 32 fletore nga ato të tuat. I mori një koleg yni gjatë kontrollit në shtëpinë tënde në Lushnjë, një kalendar, 4 blloqe, ditarë, poezi, prozë. Dhe 5 fletore të tjera të kapura atje ku punoje, në fshatin Vilë. Në rregull?

​(- Obobo! – thashë me vete.)

​- Jemi duke i studiuar. Nuk të kemi arrestuar gabim.

​- Por këto që përmendët, i keni marrë pasi më arrestuat, – kundërshtova i pafuqishëm. – Pra, provat tani po i kërkoni, tani. Nuk është e drejtë, – rënkova.

​- Po i shtojmë provat, i pandehur, – bërtiti. – Dhe drejtësinë e vendosim ne! I kemi dhënë dhe për ekspertizë tjetër dorëshkrimet e tua, ditarët. Do të ta them edhe se kujt. Një profesorit tënd në Shkodër, ka qenë edhe imi, gjuhëtar i njohur. Shef katedre…

​Ndjeva hidhësirë në gjuhë. Dhe zhgënjim. Po ai pse m’i thoshte emrat? Që dhe unë ta kisha të lehtë të thosha emra? T’u kundërvihesha. Nëse ishin profesorë të mi, unë nuk jam student i tyre…

​- E ç’do të bëhet…? – mërmërita i hutuar.

​- Me profesorin, me ty, me ditarët? – më hetoi hetuesi buzagaz. – I ruajmë ne më mirë… të gjitha. As kur të lirohesh nga burgu, nuk do t’i kesh.

​- Është vendosur “burgu” për mua?

​- Po. Nga ti varet masa e dënimit. Sikur një ditë të dalësh më parë, s’është pak. Na ndihmo, të të ndihmojmë. Po nuk kuptove, ka edhe metoda të tjera. Më kupton?… Vazhdojmë. E lexove kartolinën tënde? – dhe ma mori vrik me merakun se mos unë e zhdukja provën, e haja p.sh., si në një roman të realizmit socialist. – Të ta lexoj unë?… Të kujtohet?

​- Po.

​- E di që Frederik Rreshpen do të ta sjellim dëshmitar që nga burgu politik, ku është? Të ka marrë malli për miqtë e tu? Vazhdo mbroji. – Hetuesi u bë i rreptë. Shpejt e shpejt hapi një dosje tjetër nga ato që kishte shpërndarë mbi tryezë, në fakt s’kishte nevojë për aq shumë, por që të ndihesha sa më i sulmuar. – Këtu kam ekspertizën që i ka bërë objektit-kartolinë shkrimtari Th. Fr. Ndër të tjera, ai thotë se qysh nuk u gëzuaka shkrimtari te ne?! Pse, nuk e gëzon shkrimtarin në socializëm rendimenti i lartë i grurit, shtimi i qumështit të lopëve në kooperativat bujqësore? “Të uroj romane mermeri”, shkruan ti dhe ekspertizuesi e zbërthen: Mermeri është nëpër varre dhe i ftohtë. Pra, ke bërë urim që ndjell vdekje.

​- Është edhe te varret e dëshmorëve, – e ndërpreva. – Ata janë gjallë përjetësisht. Edhe te statujat e udhëheqësit e…

​Hetuesi ndali. Picërroi sytë. Mbase mendoi modifikimet në akuzë, por edhe unë përgjigjet e tilla t’i lija për në gjyq. Hetuesi vendosi të më shpartallonte aty për aty, edhe fizikisht, po u desh.

​- Pse nuk gëzohet shkrimtari te ne? – të pyes. Përgjigju dhe mos dredho! – m’u vërsul tërë hakërrima. – Të duruam shumë! I poshtër! Maskara! Dredharak! Qelbësirë! Pse nuk gëzohet, pse? – Po bërtiste aq shumë, sa po tmerrohesha, për fjalën “gëzim” po përdoreshin të kundërtat e saj, sharje, nëpërkëmbje, pranga. – I biri tët eti! Ti… – më shkundulloi. S’doja të dëgjoja, kur më shante babanë. Të paktën të shpëtoja pa ma sharë nënën këtë radhë. – Fol, f-o-o-o-l! Çohu në këmbë! Jo, ulu. Çohu! Ulu, ulu! Poshtë e më poshtë ti! Shpjego, pse nuk gëzohet shkrimtari te ne. Çohu, – më kapi nga jaka e mbetur. E shqeu edhe atë. – Ulu! – Dihaste, kërcëllinte dhëmbët e veta e të miat kur më rrotullonte nofullën e ënjtur. Ulu-çohu! Ulu-çohu! Uuuuuuçççççç!

​- P-o-o, si? Shpjegohu! Dalja e një libri nuk e gëzuaka shkrimtarin?!

​- Po fillon tortura për librin tjetër, prandaj, – përçarta.

​- Jo, ende s’i kemi filluar torturat, por do t’i fillojmë, po vazhdove kështu, me sofizma…

* * *

Dhe i lashë kujtimet e tjera, portretin, mitomaninë, aq të bukur për në skrivani, po aq e rrezikshme larg saj, që armiq i shtoi Fredit, thyerjet dhe zhgënjimet dhe humbjet, takimet në liri që i ngjanin lirisë, mashtrimeve të saj, etj, etj. Frederik Rreshpja i braktisur, edhe nga vetja.

Do të ishte një i ri nga qyteti i tij, Shkodra, shkrimtari Shpetim Kelmendi, biri i një bashkëvuajtësi burgjeve, që do t’i gjendej pranë si strehë dhe bukë dhe shpirt…

Por po hap një libër tjetër, një sprovë imja e gjatë, për një detyrim kujtesës kolektive:

​

NGA KARTELA E GRISUR NË REALIZMIN E DËNUAR

Frederik Rreshpja

(1940 – 2006)

Kur mua më çuan në Spaç, ai u lirua, kështu që s’u ripamë dot në burg…Dikur më dukej si i pakallur ende në burg dhe jashtë tij si i padalë ende nga burgu.

Dukagjinas i lindur në Shkodër në vitin 1940. Bëri dhe gjimnazin po në Shkodër dhe me korrrespondencë ndoqi studimet universitare pedagogjike në Tiranë, teksa punonte në Gjendjen Civile në Dajç të Bregut të Bunës e më vonë në Shkodër si përgjegjës kulture në Kombinatin e Drurit.

Në vitin 1967 del përmbledhja e tij poetike “Rapsodi shqiptare” dhe më pas disa libra për fëmijë. Romani i parë “Zëri i largët i kasolles” 1972 si dhe drama e parë “Ëndrra e tokës”. Përsëri poezi, “Në këtë qytet” 1973. Në vitin 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi “për shkak të qëndrimeve të autorit”. Arrestohet dhe dënohet me 4 vjet burg, që në Shqipëri shihej si dënim jo i rëndë, madje gati fare. Pasi del, e ridënojnë me nene të tjera ordinere.

Në vitin postdiktatorial 1991 Frederiku bëhet kryeredaktor i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste në Shkodër si dhe kandidat për deputet i po kësaj partie. Vjen në Tiranë në vitin 1992 dhe bëhet themelues e pronar i shtypshkronjës “Europa” si dhe drejtor i revistës po me këtë emër. Shtyp dhe trakte kundër Presidentit të atëhershëm. Falimenton me gjithçka, përveçse me poezinë. Bie në një varfëri të skajshme, teksa shkruan vargjet më të bukura në jetë, me një trishtim brilant, me një hënë që vezullon si plagë.

Takoheshim sërish, kur burgu na e kishte thyer të dikurshmen. Në 1994 nxjerr librin “Erdhi ora të vdes përsëri”.

​ Unë kam qenë trishtimi i botës.

…erdhi ora të vdes përsëri.

Më pas boton “Lirika”, 1996, “Vetmi” në 2004. Poezi antologjike. Dhe ashtu vdes në vetmi në shkurt të vitit 2006. Prehet në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.

Poezia e tij duket si e shkruar pas vdekjes, me një bukuri mortore, farfuritëse, me metafora dëshpëruese qe të këpusin shpirtin. Fjala kumbon si në një pus me qiell, ku lëkundet e pasqyruar një copëz eliptike stine: ​

​ …e kam kuptuar se kisha lindur

i mallkuar me art…

​

Ai ka shumë vetmi dhe asgjë më shumë se veten e thyer…

PA EPILOG,

ME TRISHTIM…

Tani s’e ka më as atë, veten. Ka 20 vjet i ikur në qiell dhe i la poshtë të gjitha, trishtan magjepsës, që edhe burgun e përjetoi si mitomani të tjj, si romanin që nuk e shkruajti kurrë, traumën e kishte dhe më parë, aq trishtimgëzueshëm si askush, si poezinë e tij…

Kur isha me pranga në duar, mes dy policëve në bankën e të akuzuarit, gjykatësi thirri emrin tënd, Frederik, do vije si dëshmitar nga burgu i Spaçit. Me pranga dhe ti, mes dy policëve, edhe më i dobët, fantazmë, por jo, për fat, nuk të sollën. Po a do të përqafoheshim si dy miq të dikurshëm? Unë kisha mall dhe ngashërim, isha gjithë falje. Gjykatësi më pyeti nëse do të doja të lexohej në sallë dëshmia e tij. Po, thashë, megjithëse e dija sa e rëndë ishte, ma kishin bërë të njohur në hetuesi.

Frederik,

fjalët e tua tashmë ishin antipoezi, shpupuriseshin në ajër si zog i sëmurë.

Dikur ti kishe shkruar në një poezi që e doja, se kafazet gjihmonë i bëje të hapur, ne tani na kishin mbyllur në kafazë me tela me gjemba e hekura të trashë sa prokurori e policët e tij, sa kritikët e Realizmit Socialist, që edhe të bezdisnin ca si shumë…

Fredi,

unë qesh hidhur tani me dëshminë tënde, qesh dhe ti, të lutem, në qiell, e gjitha ishte një lojë tragjike, edhe për t’na përçarë përjetë…

Gjithsesi ti u le të tjerëve poezinë tënde si peizazhe të pikëlluara shpirti, ato janë dhe si kartolina nate të tuat…

Po poezi të burgut tënd pse nuk guxove të shkruash? Të mungonte ajo përvojë apo traditë apo çfarë? Apo nuk deshe ta shqetësoje poezinë shqipe? Duhej të ecje dhe atje ku nuk ecej! Ta shpikje…

Më kishe treguar një herë se Llazar Siliqi, sekretari i lidhjes së shkrimtarëve, të kishte thënë:

“- Pse nuk e lë duhanin, të bën keq për shendetin?”.

“- Po më bën mirë për poezinë” – ia kishe kthyer ti, pak a shumë kështu. E Siliqi ta ktheu se “as Dante Alighieri nuk kishte pirë duhan” e ti ia ktheve se “po të pinte duhan, ‘Komedia hyjnore’ do të kishte qenë ende më e mirë”.

Dhe qeshnim të dy.

Po pa “Ferrin” si do të ishte Dante?

Po ti, Fredi, pa ferrin tënd?…

Ndiej dhimbje dhe trishtim të madh…

Ku po ikën ashtu me flatrat e thyera prej allçie të engjëllit mbi shpinën e kërrusur të një demoni të mirë, që befas kthehet dhe pyet, jo pa shpoti: Erdhi ora të ngjallem përsëri…

Filed Under: Kulture

18 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS, MIRËNJOHJE SHBA-SË DHE BRITANISË SË MADHE

February 17, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari/

Kosova historikisht ka qënë ka dhe mbetet djepi i shqiptarizmit dhe i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por dhe faktori themelore i krijimit të shtetit të sotëm shqiptare dhe i fitores së pamvarsisë me 28 nëntor 1912 në Vlorë. Historia nuk mund të harrohet se shqiptarët e Kosovës kanë derdhur gjakun e tyre në shekuj për të mbrojtur lirin dhe pamvarsin e Kombit Shqiptare.Prandaj dhe çlirimi i Kosovës ,me ndrëhyrjen ushtarake të NATO-së, me 12 qershor 1999 dhe shpallja e pamvarsisë me 17 shkurt 2008, janë dy ngjarje me rëndësi të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë Kombin Shqiptarë.

Posta e Kosovës, për të nderuar vendet alealte të cilat ndihmuan në çlirimin e Kosovës, ka emetuar një emision me pesë pulla postare kushtuar udhëheqsve të shteteve aleate, miqve të mëdhenj të popullit shqiptar, Presidentit të SHBA, Bill Clinton, dy Sekretareve të Shtetit, Znj. Madeleine Albright dhe Znj.Hillary Clinton, Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, z.Tony Blair, si dhe Komandantit Suprem të NATO-së, Gjeneralit Wesly Clark në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Vendet aleate të NATO- së, sidomos SHBA e Britania e Madhe, kanë meritën e madhe sepse përkrahën luftës e drejtë të popullit Kosovës, dhe morën vendimin për fillimin e bombardimeve të NATO-së, me 24 mars 1999 ndaj ushtrisë pushtuese serbe, dhe arritën të shpëtojnë popullin shqiptar të Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi sllav shekullorë.

Me datën 10 qershor 1999 trupat e NATO-së hynë në Kosovë, dhe pas 78 ditë bombardime ajrore me datën 12 qershor 1999 arritën të çlirojne tërsisht territorin e Kosovës. Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ku Kosova shpallet si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Posta e Kosovës me datën 11 qershor 2019, emetoi një emision me pulla postare kushtuar kësaj date, me titull : “20 Vjet Liri”. Ky emision përmban pesë pulla postare me vlera të njëjta monetare si më poshtë:

Pulla e parë:

Ka vlerën 2 euro, paraqet një portret të Presidentit SHBA, Bill Klinton i cili është dhe ideatori dhe arkitekti i pamvarsisë Kosovës. Me rastin e fillimit të sulmit të NATO-së, Presidenti amerikan Bill Clinton në një fjalim drejtuar popullit amerikan argumentoi shkaqet e ndërhyrjes së NATO-së, ku theksoi : “Arsyet që ne sulmuam Serbinë janë: humanitare, të perspektivës dhe strategjike….”

Pulla e dytë:

Ka vlerën 2 euro,paraqet një portret të Kryeministrit Britanisë Madhe, Tony Blair i cili mbeshteti pa rezerva, Presidentin Clinton dhe bombardimet e Natos në Kosovë duke dhënë një kontribut madhor në arrtjen e pamvarsisë Kosovës. Kryeministri, Tony Blair i bëri të njohur po atë mbrëmje kombit të tij, arsyet e ndërhyrjes së NATO-së ku theksoi: “ Bota e qytetëruar nuk mund të lejojë akte të tilla dhune dhe agresioni në zemër të Evropës….”

Pulla e tretë:

Ka vlerën 2 euro, paraqet një portret të ish Sekertares Shtetit të SHBA ,Znj. Madeleine Albright e cila ka meritën e madhe me punën e saj diplomatike dhe me aftesitë e saj profesjonale arriti të bindin Presidentin Klinton për çeshtjen e drejtë të domosdoshmërisë të ndërhyrjes armatosur të NATO- së për çlirimin e Kosovës.

Pulla e katërt:

Ka vlerën 2 euro,e paraqet një potret të Gjeneralit NATO-së Wesli Clark cili me guxim dhe trimëri, zbatoi me mjeshtëri parimet taktike dhe strategjike të artin ushtarak në kushte e reja të luftës, duke arritur fitoren dhe çlirimin e Kosovës vetem me bombardime ajrore pa futur në luftim forcat toksore dhe me humbje minimale në forca dhe mjete luftarake.

Pulla e pestë:

Ka vlerën 2 euro, paraqet një portret të ish Sekertares Shtetit të SHBA, znj.Hillary Clinton, ish Sekretare e Shtetit, senatore amerikane, dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 2001. Nga viti 2009 deri në vitin 2013, ajo ishte sekretarja e 67-të e SHBA. Zonja Clinton është e njohur dhe admiruar në gjithë botën për mbeshtetjen e saj në mbrojtje e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kontributi i saj qëndron në mbeshtetjen që ajo i ka dha Kosovës gjatë vitit 1999 dhe sidomos si Sekertare e Shtetit gjatë viteve 2009-2013, në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.

Mirënjohje dhe falenderime të përjetshme këtyre përsonaliteteve dhe veçanarisht për SHBA dhe Britanis Madhe për ndihmen e tyre në çlirimin dhe fitoren e pamvarsisë të Kosovës.

Filed Under: Kulture

ALBANOLOGËT E HUAJ DHE NORBERT JOKLI

February 15, 2026 by s p

Norbert Jokli ishte albanolog. Me albanologjinë nënkuptohet tërësia e studimeve për historinë, gjuhën dhe kulturën e popullit shqiptar. Shqipëria dhe populli shqiptar, historia, gjuha dhe kultura e tij prej shekujsh kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Ata janë bërë objekt kërkimesh nga albanologë të shquar të vendeve të ndryshme. Albanologjia lindi si një drejtim i veçantë studimesh për Shqipërinë dhe për shqiptarët në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. U konsolidua sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në fillim, albanologët u morën kryesisht me historinë e lashtë të shqiptarëve, sidomos me çështjen e prejardhjes së popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe.

Një nga figurat kryesore të fillimeve albanologjike ka qenë historiani suedez Jan Tunma (Hans Erich Thunmann, 1746-1778). Ky është një nga albanologët e partë, profesor në Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Në veprën “Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” (Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore”, Lajpcig, 1774) Tunman bëri përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre.

Në fillim të shekullit XIX studimet albanologjike u zgjeruan. Studiuesit si: ushtaraku anglez dhe përfaqësuesi politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës (Tepelenë, Shqipëri, 1740 – Janinë, Greqi, 24.01.1822) në fillim të shekullit XIX Martin Uiljam Lik* (William Martin Leake, 1777-1860); mjeku, natyralisti, diplomati, historiani dhe arkeologu francez Fransua Pukëvil (François Charles Louis Pouqueville, 1770-1838); etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881); konsulli i Francës në vilajetin e Shkodrës në vitet 1853-1862 Lui Jasin Hekard (Louis Hyacinth Hecquard, 1814-1866) bënë përpjekje për të njohur më nga afër rrugën e formimit dhe të zhvillimit të popullit shqiptar, traditat e tij etnokulturore, duke trajtuar edhe probleme të historisë mesjetare të Shqipërisë.

Shënim: Uiljam Martin Lik është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, kate vëllime, 1835).

* * *

Në mesin e shekullit XIX vepra që shënoi një etapë të rëndësishme në fushën e albanologjisë qe “Albanesische Studien”, Jenë, 1854 (Studime shqiptare, 1853-1854) në tre vëllime, e albanologut gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë Johan Georg fon Han (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869). Vepra e Hanit konsiderohet si një nga punimet shkencore më me vlerë shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Në vitet 1847-1850 Hani ishte nënkonsull i Austrisë për “Shqipërinë e Poshtme”, në Janinë, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe me ndihmën e lëvruesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës, Kostandin Kristoforidhit (1827-1895) dhe të mjekut nga Labova e Madhe (Gjirokastër) Apostol Meksit (1825-1879). Kur Meksi mësonte në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, u njoh me albanologun Johan Georg fon Han, i cili e cilëson si “mësuesin e tij toskë” të gjuhës shqipe.

Hani përshkroi në veçanti Tepelenën, Luginën e Gjirokastrës, Kurveleshin dhe Malësinë e Shkodrës. Dha njoftime për bujqësinë, blegtorinë, mjeshtëritë popullore, qendrat qytetare, rrugët dhe shkëmbimet tregtare të krahinave të Shqipërisë së brendshme dhe me shtete të Evropës. Trajtoi historinë dhe dha statistika edhe për arbëreshët në Greqi dhe në Itali.

* * *

Pas Johan Georg fon Hanit, studiues të tjerë trajtuan një varg çështjesh të historisë mesjetare dhe të historisë së re të popullit shqiptar. Arkeologjia dhe etnografia në këtë periudhë fillojnë të përvijohen si degë të veçanta në gjirin e shkencave historike. Gjetjet arkeologjike bëhen objekt studimi të mirëfilltë vetëm në fillim të shekullit XX. Në qendër të vëmendjes të këtyre studimeve ishte kultura antike. Me këtë çështje janë marrë sidomos arkeologu dhe historiani austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë ilire, Karl Paç (1865-1945) dhe arkeologu austriak, pjesëtar i grupit të gjashtë dijetarëve austro-hungarezë që u dërguan në vitin 1916 në Shqipëri për të kryer hulumtime në disa degë të shkencave historike, Kamilo Prashniker (Camillo Praschniker, 1884-1949). Prashnikeri është autor i librit “Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro”, Vjenë, 1919 (Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe në Mal të Zi) si dhe i librit “Muzakhia und Malakastra” Vjenë 1920 (Myzeqeja dhe Mallakastra).

U bënë përpjekje për të zbuluar kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe për t’i vështruar ato në planin ballkanik, në lidhje me kulturën e popujve fqinjë. Në këtë fushë shquhen gjeologu, paleontologu dh e etnografi hungarez, baron Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) dhe artistja, antropologia dhe shkrimtarja britanike Edit Durham (Mary Edith Durham; Londër, 08.12.1863 – Londër, 15.11.1944). Ajo ishte shkolluar në Bedford College, Londër në vitet 1878-1882. Njihet për rrëfimet e saj antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit XX.

Nga viti 1903 deri në vitin 1922 Franc Nopça erdhi disa herë në malësitë e veriut të Shqipërisë. U mor me studimin e ndërtimit gjeologjik të Shqipërisë Veriore.

Në lëmin e gjuhësisë trashëgimia albanologjike është më e pasur. Lindja e gjuhësisë historike-krahasuese, që prej mesit të shekullit XIX e vuri studimin e shqipes mbi baza shkencore. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, gjuhëtari gjerman Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) provoi në mënyrë të argumentuar karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Bopi është albanolog, themelues kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane studio edhe gjuhën shqipe. Që më 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre. Në vitin 1854 botoi studimin “Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj) ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Bopi zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Bopit qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe.

Pas tij, një varg dijetarësh të njohur të shkollave të ndryshme gjuhësore, ndër të cilët u shquan Gustav Majeri, Holger Pedersen, Norbert Jokli – dhanë ndihmesë me rëndësi për studimin e aspekteve të veçanta të gjuhës shqipe.

Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) është albanolog austriak, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Në fushën e studimeve për shqipen u mor me etimologji, fonetikë dhe me gramatikën historike. Më 1891 botoi veprën “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe). Botoi gjithashtu 6 vëllime me studime shqiptare (Albanesische Studien, I-VI; Vjenë 1883-1897). Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe përcaktoi shkencërisht pozitën e saj si një gjuhë që zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane. Vuri në dukje praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke.

Holger Pedersen (1867-1953) është gjuhëtar danez, indoevropianist, keltolog dhe albanolog. Ka botuar studime për gjuhë të caktuara, përfshi edhe shqipen. Gjatë një qëndrimi në Korfuz në vitin 1893 u interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore shqiptare dhe me atë rast bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë dhe Delvinë. Materialin e mbledhur e botoi në vitin 1895 në veprën me titull “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqiptare me fjalor). Pederseni ka botuar disa studime me vlerë për gjuhën shqipe: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), “Tingujt l dhe ll të gjuhës shqipe” (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret në gjuhën shqipe” (1900), “Albanesisch 1905” (Shqip 1905) etj. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Sipas Pedersenit “Dallimi midis dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël sesa dallimet dialektore që vihen re në shumë gjuhë të tjera.”

Studimet dhe artikujt e tij për gjuhën shqipe janë përkthyer dhe janë përmbledhur në një vëllim të veçantë me titull “Studime për gjuhën shqipe”, botuar nga AShAK, Prishtinë 2003.

* * *

Norbert Jokli (Norbert Jokl, 25 shkurt 1877 – 6 maj 1942) është gjuhëtar austriak me prejardhje hebraike. Filolog, indoevropianist dhe një ndër themeluesit e albanologjisë. Lindi në Bzenec të Moravisë. Ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave. Studioi për gjuhësi indoevropiane, sllavistikë dhe romanistikë. Diplomoi për drejtësi në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1908 diplomoi edhe për gjuhësi. Në vitin 1907 filloi ta studiojë shqipen si autodidakt. Punoi si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës, duke dhënë njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen dhe për baltishtën. Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste (1938) u përndoq dhe u dërgua në një kamp përqendrimi ku edhe vdiq. Krejt jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Pyetjes përse nuk martoheni, i ishte përgjigjur: “Jam martuar me gjuhën shqipe”. Punoi sidomos në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete botoi:

– “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe

– “Linguistisch kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig 1923 (Gjurmime gjuhësore dhe historike-kulturore nga lëmi i shqipes”.

Hartoi studime të shumta që u botuan në përmbledhje dhe në organe shkencore, disa edhe pas vdekjes. Me artikullin “Naim Be Frashëri e pasunimi i gjuhës shqipe” (1925) vlerësoi punën e Naimit dhe të rilindësve për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe dhe ndikoi për vijimin e saj me baza filologjike. Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indigermanisches Jahrbuch (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht, me vlerësime dhe analiza, të gjitha botime albanologjike të atyre viteve.

Në punimet e tij Norbert Jokli trajtoi çështje të rëndësishme të historisë së jashtme dhe të brendshme të gjuhës shqipe. Hulumtoi çështjen e burimit të gjuhës shqipe. Shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten dhe trakishten dhe shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së gjuhës shqipe, duke u përpjekur të bëjë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, por duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme). Vëmendje të madhe i kushtoi elementit vendës, në radhë të parë elementit trashëgimor indoevropian. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare. Rishikoi mjaft etimologji dhe hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të shumë elementeve të mbajtura si huazime.

Mbante lidhje të rregullta me gjuhëtarë shqiptarë bashkëkohës. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë.

* * *

Fundi tragjik i albanologut të shquar – Duke qenë hebre, Jokli ishte shënjestër e nazistëve gjermanë. Ish-studenti i tij, poeti lirik Lasgush Poradeci (1899-1987, pseudonim letrar i Llazar Sotir Gushos) i drejtoi një letër qeverisë shqiptare të kohës për ta ftuar që të punonte në Shqipëri. Përpjekja e tij u ndërpre nga pushtimi italian. Pas pushtimit, autoritetet shqiptare dhe filologu italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, Bolonjë, Itali, 18.06.1903 – Bolonjë, Itali, 31.05.1982) u angazhuan ta ftonin në Shqipëri duke i ofruar punësim, ku do ta merrte edhe bibliotekën e vet. Jokli u arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë. Disa studiues austriakë pohojnë se vdiq nën tortura në kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë thonë se vdiq në kampin e përqendrimit të Maly Trostinec-it, rreth 12 kilometra në juglindje të Minskut. Datë zyrtare e vdekjes së tij konsiderohet 6 maji i vitit 1942.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Kulture

LIN DELIJA, ART, BESIM DHE IDENTITET NË MËRGIM

February 10, 2026 by s p

Figura e Lin Delijës përfaqëson një nga rastet më domethënëse të ndërthurjes së artit, historisë dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare në shekullin XX. Ai i përket atij brezi artistësh që u formuan në një Shqipëri kulturore ende të gjallë, por që u detyruan ta zhvillonin krijimtarinë e tyre larg atdheut, për shkak të dhunës ideologjike dhe shkatërrimit sistematik të lirisë shpirtërore pas vitit 1945. Në këtë kuptim, Lin Delija nuk është vetëm piktor, por dokument historik i gjallë i një kulture të ndërprerë dhe të zhvendosur në mërgim.

I lindur më 3 shkurt 1926 në Shkodër, Delija u formua në një qytet që përfaqësonte sintezën më të arrirë të qytetarisë shqiptare, ku bashkëjetonin tradita mesjetare, ndikime perëndimore, humanizëm fetar dhe ndjenja e fortë kombëtare. Shkodra e gjysmës së parë të shekullit XX ishte një qendër ku arti pamor, muzika, letërsia dhe mendimi filozofik ushqeheshin nga institucionet arsimore dhe fetare, veçanërisht nga trashëgimia françeskane. Ky mjedis ndikoi drejtpërdrejt në formimin estetik dhe etik të Lin Delijës. Mungesa e të dhënave të dokumentuara për emrat e prindërve të tij nuk e zbeh aspak këtë formim; përkundrazi, ajo pasqyron fatin kolektiv të një shoqërie që do të përjetonte shkatërrimin e kujtesës arkivore dhe të elitave të saj.

Largimi i Lin Delijës nga Shqipëria, i ndodhur në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste, duhet kuptuar në kontekstin e spastrimit kulturor që po ndodhte në vend. Në një regjim ku arti duhej t’i shërbente ideologjisë dhe ku besimi fetar shpallej krim, Delija zgjodhi mërgimin si formë mbijetese krijuese. Italia, dhe veçanërisht Roma, u bënë hapësira ku ai mundi të zhvillonte potencialin e tij artistik në liri, pa hequr dorë nga identiteti i vet.

Formimi akademik në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë e vendosi Lin Delijën në kontakt të drejtpërdrejtë me traditën e madhe të pikturës evropiane: nga ikonografia bizantine dhe arti mesjetar, te Rilindja italiane dhe zhvillimet moderne të shekullit XX. Ky formim nuk prodhoi një imitues, por një sintetizues. Delija përvetësoi disiplinën kompozicionale, trajtimin e figurës njerëzore dhe ndjeshmërinë kromatike, duke i shndërruar këto elemente në një gjuhë personale, ku përvoja shqiptare dhe besimi i krishterë zënë vend qendror.

Analiza e stilit të Lin Delijës tregon një prirje të qartë drejt figuracionit ekspresiv. Figura njerëzore në veprën e tij nuk idealizohet sipas kanoneve klasike, por ngarkohet me peshë psikologjike dhe morale. Trupat shpesh janë të zgjatur, të përkulur, të tensionuar, çka krijon ndjesinë e vuajtjes së brendshme. Kjo nuk është thjesht zgjedhje estetike, por reflektim i një përvoje historike kolektive: vuajtja, persekutimi dhe qëndresa e njeriut përballë dhunës.

Ikonografia fetare përbën boshtin kryesor të krijimtarisë së tij. Në pikturat e Krishtit, Delija shmang triumfalizmin barok dhe patetizmin sentimental. Krishti i tij është Krishti i vuajtjes, i heshtjes dhe i sakrificës, i afërt me figurën e martirit. Ky Krisht ikonografik mund të lexohet edhe si metaforë e popullit shqiptar të kryqëzuar nga historia, por që nuk e humb dinjitetin dhe shpresën. Në këtë aspekt, arti i Delijës merr një dimension të thellë teologjik dhe politik njëkohësisht, pa rënë në propagandë.

Ngjyra tek Lin Delija ka funksion simbolik. Paleta e tij është e përmbajtur, shpesh e errët, me thekse të forta drite që çajnë errësirën. Kjo dialektikë mes dritës dhe hijes është thelbësore për të kuptuar botëkuptimin e tij artistik. Drita nuk është efekt estetik, por shenjë shprese dhe shpëtimi, ndërsa errësira përfaqëson vuajtjen historike dhe ekzistenciale.

Në planin historik dhe kulturor, Lin Delija përfaqëson tipologjinë e artistit të mërgimit, i cili bëhet ruajtës i kujtesës kombëtare jashtë kufijve të atdheut. Ai nuk u asimilua, por mbeti i vetëdijshëm për rolin e tij si përfaqësues i një kulture të ndaluar në vendin e origjinës. Kjo e bën veprën e tij një arkiv alternativ të historisë kulturore shqiptare gjatë diktaturës.

Vdekja e Lin Delijës më 9 prill 1994 në Romë shënon fundin biologjik të një jete të përkushtuar artit, por jo fundin e ndikimit të tij. Sot, krijimtaria e tij kërkon një rivlerësim të plotë akademik dhe institucional, si pjesë e pandashme e historisë së artit shqiptar dhe evropian. Ai nuk është thjesht piktor fetar, por një mendimtar vizual që e shndërroi pikturën në akt dëshmie historike dhe shpirtërore.

Lin Delija mbetet një nga figurat më serioze dhe më të thella të artit shqiptar të shekullit XX, një artist që e kuptoi artin si përgjegjësi morale, si shërbim ndaj njeriut dhe si formë të mbijetesës kombëtare.

Gjon F. Ivezaj

Foto: tiranatimes.com

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 552
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT