• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sopranoja kosovare soliste në “Deutche Oper Berlin”

February 14, 2014 by dgreca

Nga Megi Zonja/. Sopranoja 22 vjeçare nga Mitrovica,(Kosovë) Elbenita Kajtazi, do të jetë soliste e shtëpisë operistike “Deutche Oper Berlin”, .Ajo rrëfen se gjithçka nisi në një audicion të realizuar në 16 janar të këti viti.

Sopranoja nga Kosova, e cila nga maji do të jetë soliste e shtëpisë operistike gjermane, tani e ka të planifikuar axjendën.

Ajo do të fillojë sezonin  në  maj, për të kënduar  me pas operat, ‘Traviata’, ‘Die Zauberflute’ , ‘Turandot’, ‘Tannhäuser’, ‘E leiris damour’, ‘La Rondine’”, ka shpjeguar ajo per Kohen Ditore.

Sopranoja Elbenita Kajtazi ka fituar çmimin special “Burs”, në festivalin e njohur “Riva Del Garda”, në Verona të Italisë.  Në edicionin e 29-të të këtij festivali, zëri i saj u krahasua me atë të sopranos së mirënjohur italiane, Mietta Sighele Elbenita Kajtazi është studente e vitit të tretë në Degën e Muzikës në Universitetin e Prishtinës, Gjithashtu Kajtazi është pjese e Korit të Filarmonisë së Kosovës, ku këndon shpesh edhe si soliste. Ajo ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme të rëndësishme në Kosovë, ku është prezantuar në festivalet te ndryshme si “Remusica”, “Chopin Piano Fest”, ndërsa ka pasur rol edhe në veprën “Requiem” të Mozartit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Elbenita Kajtazi, ne "Deutche Oper Berlin', Sopranoja

Letërsia te Ardian- Christian Kyçyku: pak para se të lindte/pak para se të vdiste

February 14, 2014 by dgreca

Nga Flora Nikolla/- Një zë i njohur i letërsisë shqipe bashkëkohore, Ardian Chrihstian Kyçyku është një krijues polivalent që lëvron me sukses të gjitha gjinitë, romanin, tregimin, dramën, esenë…! Deri më sot është krijues i mbi 30 veprave të botuara në shqip dhe rumanisht, të vlerësuara me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Më i fundit është çmimi kombëtar i letërsisë “Penda e Argjendtë” 2012 për vëllimin me tregime “Perla”, me motivacionin “Për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit”.

Bashkëthemelues dhe president ekzekutiv i European Academy of Performing Arts, shkrimtari shqiptar i cili prej gati dy dekadash jeton në Bukuresht ka botuar së fundi në rumanisht “Comunicare in-humanum est” (ese dhe studime interdisiplinore), “My last Million”- antologji dhe spektakël i poezisë ballkanike; “Outizëm dhe pagjumësi” – studim imagologjik, letrar dhe semiotik mbi disa autorë të shqipes. Të tjerë presin radhën për botim, pasi sikurse shprehet Ardian Kyçyku “herë presin librat radhën, herë unë…”

Pak para se të lindte dhe pak para se të vdiste ai thotë se ka kuptuar dashurinë e tij për letërsinë. Tregon se romanet e tij, “Mortët”, “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, “Engjëjt e tepërt”, “Kristali dhe hienat”, “Home”, “Puthmë, skelet”, “zv.Libri”, “Vdekja shkruan me dy duar” kanë nisur njëherësh me titujt. Kurse “Sy”, “Nata pas vitit zero”, “Vend për një kukull të vetme”, “Qielli në zarf”, “Një botë më tutje” etj., janë mbyllur nga titujt. Por, gjithsesi, në këtë odise veprash kur e pyet se cilën do të veçonte thotë se ndoshta epopenë “Mahnitja e papagajve” që e ka shkruar në vitin 1991 në shqip dhe që ende nuk është botuar. Në historinë shumëshekullore të arsimit të lartë rumun, Ardian Kyçyku është i pari rektor i huaj i Universitetit Rumun. Sipas mediave shqiptare, Senati i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve (URSA) “Gheorghe Cristea” në Bukuresht, me një staf prej 25 pedagogësh, e zgjodhën njëzëri rektor të këtij universiteti… Bashkëthemelues i revistës Haemus në Rumani ai tregon se ”tim eti dhe mua na e fali Zoti këtë hapësirë kulturore që mban emrin Haemus dhe ne mundohemi ta çojmë deri atje ku mundet njeriu”. Por, në një farë mënyre, historia e shkurtër e revistës Haemus mund të kqyret edhe si një dramë e disave që nuk qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu…

Si dhe kur e kuptuat dashurinë tuaj për letërsinë?

Më duket se përgjigja më e ndershme, në frymë letrare, do të ishte: pak para se të lindesha- pak para se të vdisja.

Cilët janë elementët që në tërësi përbëjnë dhe formëzojnë jetën e një shkrimtari profesionist?

Je shkrimtar kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot. Nga gërshetimi i këtyre dy jetëve të skajshme më duket se fitohet ai vështrim që përshkon kohërat dhe muret e së dukshmes dhe së tashmes.

Cilët janë personazhet tuaja, si lindin dhe si zhvillohen ata? A ju interesojnë personazhet nga pikëpamaja psikanalitike, apo …?

Pas një çasti të caktuar, po e quaj edhe numër faqesh të shkruara, është e vështirë ta ndash personazhin nga gjendja. Letërsia e ka zhvendosur tashmë forcën e rëndesës. Në thelbin e vëmendjes së saj nuk ka si të jetë më tipologjia, ndoshta ngaqë njeriu i sotëm ka kapërcyer çdo cak që e ruante brenda njeriut dhe shpesh kopjon gjendjet nëpër të cilat jeton, ose vdes pa e kuptuar. Psikanaliza u quajt me të drejtë një sëmundje që e pandeh veten ilaç. “Ata mburreshin se i kanë të gjitha ilaçet, unë nuk vuaja nga asnjëra prej sëmundjeve”. Më qartë se ç’e kam shkruar këtu, zor ta them.

Si lind një vepër tek ju? Çfarë ju nxit të shkruani…?

Për mua një vepër nuk lind, por vjen të vdes sa më hijshëm. Më duken teatrale dhe të pagëlltitshme shprehjet për librin që është si fëmija, dhembjet e krijimit si ato të lindjes etj, etj. Ngaqë shpesh ajo që kam në shpirt e në kokë ndryshon prej asaj që më del nga pena. Më tepër se një mamie, unë i ngjasoj një prifti që ndihmon t’i dalë shpirti sa më bukur dikujt (librit përkatës) dhe të lërë në kujtesë gjurmë të bukura.

Si dhe kur e përcaktoni titullin e librit? Komentoni me miqtë kur shkruani?

Varet nga libri. Romanet “Mortët”, “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, “Engjëjt e tepërt”, “Kristali dhe hienat”, “Home”, “Puthmë,  skelet”, “zv.Libri”, “Vdekja shkruan me dy duar”, për shembull, kanë nisur njëherësh me titujt. Kurse “Sy”, “Nata pas vitit zero”, “Vend për një kukull të vetme”, “Qielli në zarf”, “Një botë më tutje” etj., janë mbyllur nga titujt.

Keni shkruar mbi 30 vepra në shqip e rumanisht. Cilën prej tyre do të veçonit?

Ndoshta epopenë “Mahnitja e papagajve”, që e kam shkruar në vitin 1991 në shqip dhe që nuk është botuar ende.

Në veprat tuaja ka edhe nota të realizmit magjik, nota që janë pa kursim në qytetin tuaj të lindjes, Pogradec… Sa i pranishëm është ky qytet në krijimtarinë tuaj?

“Realizmi magjik” është koncept i kritikës letrare dhe i është ngjitur stilit të disa prej librave të mi në mungesë të një togfjalëshi më të frymëzuar. Në trajtën e vet të kulluar “realizmi magjik”, të cilin gjithmonë e kam quajtur “mbijeta, ose jeta që nuk shihet me të parën”, gjendet në folklorin ballkanik, veçanërisht në atë shqiptar. Shumicën e librave e kam shkruar nga brenda Pogradecit, atij të përjetshmit, ku në moshën 4 vjeçare shkrova për herë të parë në shqip dhe ku për fat ende nuk më ka shterur fëmijëria. Sa i përket historisë së letërsisë, trajta të Pogradecit të përhershëm gjenden në të gjithë librat e mi, në disa gjuhë, përtej çdo mitizimi të vendlindjes dhe brenda së vërtetës se “shumë e do Zoti botën që ndryshon pak” (në krahasim me botën siç e ka krijuar Ai).

Kritika rumune e ka vendosur veprën tuaj në një vend nderi, pranë emrave si Markezi, Gogoli, Kafka, Istrati, Dostojevski, etj, ndërsa praninë tuaj në letërsinë rumune e ka vlerësuar edhe si një hapje të kulturës rumune ndaj bijsh që vijnë nga kultura të tjera, që kanë kaluar mes përvojash të hidhura Ballkanike… Si do t’i komentonit analizat e tyre? Me cilën shprehje jeni më dakord?

Padyshim që vlerësimet më nderojnë, por jam kujdesur që të mos i afrohen rrezikshëm punës sime të përditshme.

Jeni specializuar në Universitetin e Bukureshtit për letërsi të krahasuar dhe botërore. Si ndiheni kur shkruani në rumanisht dhe si kur shkruani në shqip, dy gjuhë për të cilat thuhet se kanë përafrime në strukturën e tyre të brendshme?

Shqipja dhe rumanishtja janë dy gjuhë të rralla dhe vërtet kanë të përbashkëta, por janë të paktën nga ana letrare mjaft të ndryshme. E shkruara në dy gjuhë të qarkullimit të kufizuar, – ndonëse bëhet fjalë për mbi 30 milionë lexues të mundshëm, – është një ngjarje tejet vetjake, pak a shumë si dashuria, ose vdekja, dhe çdo përcaktim do të mbetej i pakapërdishëm për lexuesin. Tema e doktoratës sime ishte “Drejtime të modernizmit evropian dhe jehona të tyre në letërsinë shqipe në mes dy luftrave”. Ishte studimi i parë dhe më i zgjeruari në rumanisht i disa prej klasikëve të shqipes (Konica, Poradeci, Koliqi, Kuteli, Fishta, Migjeni) në marrëdhënie me letërsinë evropiane. Nga periudha e doktoraturës në universitetin e Bukureshtit pata fatin të mësoja shumë gjëra duke nisur me mekanizmat që kritika përdor për të nxjerrë dhjamë nga pleshti, duke vijuar me mangësitë e brendshme të disa autorëve dhe letërsive “të mëdha” e duke mbaruar me sprovat që u janë dashur të përballojnë letërsitë e ashtuquajtura “të vogla” gjatë një globalizimi (gloBanalizim e kam quajtur diku), që ka nisur shumë më herët nga sa duket.

Shqipëria dhe Rumania, tradicionalisht, kanë pasur marrëdhënie shumë të mira kulturore dhe historike mes tyre… Aktualisht si i shihni këto marrëdhënie? A ka bashkësi shqiptarësh në Rumani dhe cili është komenti juaj për këtë bashkësi?

Unë nuk kam asnjë lidhje e marrëdhënie me politikën e sot-it dhe kam pasur fatin të jetoj vetëm në vijim të lidhjeve të kahershme shqiptaro-rumune. Thuhet me të drejtë se bashkësia e këtushme shqiptare, dikur, ka ndikuar thelbësisht në bërjen e Shqipërisë moderne. Kjo mjafton që çdo bashkësi e tanishme të bëjë aq sa mundet vetëm për të mos njollosur kujtimin, ose amanetet e paraardhësve. Për fat të keq, edhe këtu shumica e anëtarëve janë si puna e brirëve në thes: secili pandeh se i përket një tjetër koke, ose se është koka e të gjithë brirëve. Prandaj ata që janë zgjedhur të kryejnë diçka me vlerë mund të punojnë në paqe.

Në historinë shumëshekullore të arsimit të lartë rumun, për herë të parë një i huaj zgjidhet rektor universiteti në Rumani. Sipas mediave shqiptare, Senati i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve (URSA) “Gheorghe Cristea” në Bukuresht, me një staf prej 25 pedagogësh, ju zgjodhi (njëzëri, me vota të fshehta) rektor të këtij universiteti. Mesa di, Mitrush Kuteli ka qënë drejtor i Bankës Bujqësore të Rumanisë. Duket si një vazhdim fisnik i traditës poradecare e gjitha kjo…?

Arritjet e shqiptarëve në Rumani asnjëherë nuk kanë qënë të pakta. Mitrush Kuteli arriti drejtor në Bankën Bujqësore të Rumanisë; Vangjel Zhapa, – një ndër më të pasurit shqiptarë të Evropës, – ndihmoi Veqilharxhin për botimin e abetares, dhuroi të holla për themelimin e Akademisë Rumune, për hartimin e të parit fjalor enciklopedik rumun etj; familja Gjika i fali Rumanisë plot 11 princër e sundimtarë, një humaniste të rangut evropian, Elena Gjikën, një prift e martir, Monsinjorin Vladimir Gjika etj; Viktor Eftimiu nga Boboshtica ishte drejtor i Teatrit Kombëtar Rumun dhe anëtar i Akademisë Rumune. Shembujt janë të shumtë. Po për mua ka po aq rëndësi fakti se Himni Kombëtar i Shqipërisë u krijua këtu, që Lasgushi e Mitrushi shkruan e botuan këtu disa nga kryeveprat e letërsisë shqiptare moderne, që disa nga veprat e Naimit u botuan së pari në Bukuresht, por edhe që tim eti dhe mua na u dha të shkruanim e botonim këtu mbi 40 tituj librash shkencorë e letrarë, në të dyja gjuhët, që revista Haemus erdhi në numrin e saj të 50-të, me mbi 5 mijë faqe, që Shtëpia Botuese Librarium Haemus ka nxjerrë tashmë nga shtypi disa kolana letrare, historike, dialogje, kujtime, antologji autorësh e poezish, në radhë të parë nga kulturat shqiptare dhe rumune.

Cila është marrëdhënia juaj me botën e studentëve, këtë herë si pedagog pasi ju jepni lëndët Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, Fenomeni Audio-vizual, Imagologjia etj…

I kam quajtur gjithmonë studentët “kolegë të ardhshëm”. Shumica e tyre punojnë tani në pika kyçe të shoqërisë rumune, ose evropiane. Ndjek prej vitesh një parim të cilin e kam emërtuar “tryeza e rrumbullakët me një cep të vetëm”, ku gjithçka mund të diskutohet hapur, por pa u harruar se atje ku hyjnë shumë mamí, siç thotë populli, foshnja del e gjymtë. Në lëndën Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, vite më parë hartova dhe mbajta një cikël leksionesh kushtuar folklorit dhe letërsisë shqipe që njiheshin shumë pak, ose shumë shtrembër.

Jeni anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë prej vitit 1998. Si funksionin kjo organizatë dhe sa të lidhur janë shkrimtarët rumunë mes tyre?

Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë është themeluar në vitin 1908 nga një grup shkrimtarësh që jetonin në Bukuresht. Shoqata e atëhershme ndryshonte nga e sotmja. Statuti i tanishëm është përpiluar dhe pranuar në vitin 1949. Gjatë diktaturës jo pak shkrimtarë rumunë, në një mënyrë ose në një tjetër, bënë qëndresë. Disa u dëbuan nga Rumania, ose hoqën dorë nga shtetësia rumune dhe u arratisën. Vështirë të gjesh në Ballkan shkrimtarë që të mos qahen nga dobësia dhe pabesia e sivëllezërve, por autorët rumunë më duken mjaftueshëm të lidhur me shoshoqin. Bashkimi i Shkrimtarëve i mbështet anëtarët e vet sipas mundësive. Në varësi të secilit rast, autorit i paguhen dy udhëtime jashtë shtetit kur është i ftuar në ndonjë veprimtari ndërkombëtare; i shlyhen shpenzime të ndryshme mjekësore dhe ka si dhuratë një gropë varri. Nuk është për të qeshur po të kihet parasysh sa kushton sot një “banesë e amëshuar”. Gjithashtu, Salla e famshme e Pasqyrave, ku bëhen promovime e tubime letrare, i vihet në dispozicion falas çdo anëtari nëse ai bën kërkesë, sa herë të jetë nevoja. Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë organizon për vit edhe disa festivale, konkurse e veprimtari të tjera letrare të nivelit të lartë. Mjafton të përmendet Festivali “Ditë dhe Netë Letërsie” që zhvillohet në qytezën Neptun, buzë Detit të Zi, dhe ku marrin pjesë autorë të shquar nga e gjithë bota.

Jeni bashkëthemelues dhe një nga drejtuesit e revistës dygjuhëshe (shqip e rumanisht) për kulturën dhe traditat evropiane “Haemus”, që botohet në Bukuresht nga viti 1998 . Cili është qëllimi i kësaj reviste dhe sa e ka arritur në këto vite?

Nëse do të krenohesh për ndonjë gjë, ji krenar për atë që bëri Zoti, thoshte Shën Pavli. Tim eti dhe mua na e fali Zoti këtë hapësirë kulturore që mban emrin Haemus dhe ne mundohemi ta çojmë deri atje ku mundet njeriu. Numri i parë doli më 28 Nëntor 1998. Me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Haemus-it, në një ese që ruan të paprekur idealizmin e fillesave, shkruajta se “… kur ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjalë e fjalë jete; kur ishte jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd kaosi, mbeti më e dukshmja pasuri e patundshme. Në njëfarë mënyre, historia e shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si një dramë që prekte hera-herës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e përktheu dalëngadalë në një përmasë të re vështrimi.  Jo pak vetë e shihnin ndërkaq kulturën si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë me kufij, zyra, roje, shefa, zëdhënësa, ministrí, diplomatë, qenër kufiri etj. Haemus-i qëndroi jashtë përfytyrimeve të këtij lloji, por jashtë rri zakonisht edhe ajri, sidomos jashtë kufijve. Mjegulla që mbushi mushkëritë dhe trutë e Ballkanit gjatë këtyre dhjetë viteve lypi jo rrallë hartimin e një programi kulturor falë të cilit, në përputhje me një filozofi të mangët, popujt e vegjël në numër duhet të zmadhojnë kulturat e tyre se vetëm kështu do të mund të përfillen (jo të milen pa mëshirë, të shpalcërohen) nga kulturat e mëdha të popujve të mëdhenj. Ky ishte, në fakt, një tjetër mjet i kulturave që po ligen dhe s’kanë me çfarë të mbahen gjallë për të zhvatur frymën e “të vegjëlve”. Ishte një tregti e tipit: më jep shpirt- të jap lekë dhe ca emër. Nuk iu lëviz asnjë presje këtyre që përmenda. Dua të shtoj vetëm se përkushtimi, frymëzimi dhe mjeshtëria me të cilat im atë, Kopi Kyçyku, e nisi dhe po e vijon veprimtarinë në Haemus, mbetet një shembull për vlerat që mund të nxjerr bota shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare.

Si e cilësoni nismën AE? Mendoni se do të mund t’i afrojë shqiptarët këtej dhe andej kufirit?

Nisma më duket me vlerë dhe ju uroj nga zemra, duke ditur që puna juaj do të trandë ca tabu e krenarira të pashëndetshme. Por me kohë, shpresoj dhe uroj që nisma të sjellë mirëkuptim dhe ta vonojë sadopak vrasjen e shkallëzuar që u bëhet vlerave të gjalla duke ngritur në qiell vetëm vlerat e atyre që kanë vdekur, ose të atyre që vetëm janë gjallë. Nëse pranoni një mendim të çiltër: duhen ftuar edhe ata shqiptarë që, për shumë arsye, kanë jetuar e krijojnë në vendin e tyre si me qënë në vend të huaj. Se nuk mjafton vetëm të mos jetosh në Shqipëri për të krijuar vlera të rralla. Nga ana tjetër, vetëdija e fëmijëve të sotëm duhet çliruar nga modeli i atij që mërgon dhe bën çudira jashtë kufijve, duke i lënë të skërmiten e të fiken në anonimat ata që nuk ikin… Historikisht Shqipëria është shfaqur si një rrjet ëndrrash jashtë kufijve, pastaj ka nisur të ngjizet si realitet brenda tyre. Këto ëndrra janë dhembje nga ato që nuk i rrëfen dot as letërsia, nuk janë qenër që lehin rreth një çifligu. Përgjegjësia e atyre që drejtojnë në (çdo) të tashme fatet e Shqipërisë më duket tejet e madhe. Dhe ata që e kanë parë të paktën një herë vdekjen me sy e dinë mirë sa i pafuqishëm është njeriu, pavarësisht se sa i madh e i pushtetshëm mund të duket e ta shohë veten. Vdekja nuk është shaka, ose është nga ato shumë të paktat shaka që nuk i bën ti. Para saj të gjitha duhen dhe do shlyhen gjer në qindarkën e fundit. Shkrimtarët dhe artistët do ta kryejnë misionin e tyre më së miri jashtë a brenda, ose thjesht në letrat pa kufij, kurse politikanëve u mbetet të bëjnë çmos për të afruar ëndrrën më jetëgjatë me realitetin më të prekshëm që askush të mos ndihet në atdhe si hije e as jashtë si jetim me prindërit gjallë, ose më keq akoma: si fatzi të cilit ia kanë vjedhur e përdhosur shtëpinë nga themelet, në mungesë.(ATSH)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Flora Nikolla, Letersia te Ardian Kycyku

120 objekte familjes së Adem Jasharit rikthehen në Kosovë

February 14, 2014 by dgreca

TIRANË- 120 objekte të familjes së Adem Jasharit, të cilat u restauruan në Shqipëri, i janë dorëzuar të martën Fondacionit “Adem Jashari” për t’u ekspozuar në Prekaz, të Kosovës. Objektet janë kryesisht veshje dhe orendi shtëpiake, të mbetura pas djegjes së kullës së Jasharëve, gjatë luftë për liri në vitin 1998. Këto objekte janë restauruar dhe konservuar në Muzeun Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Laboratorin e Institutit të Kulturës Popullore.

Puna për restaurimin e veshjeve të Adem Jasharit dhe familjes kishte kohë që kishte filluar. Objektet janë gjetur në familjen Jashari në Prekaz pas luftës. Në kohën kur janë sjellë në MHK ato ngjanin me një grumbulli rreckash të dëmtuara, ku dalloheshin ende shenjat e djegjeve, të përlyerjes me baltë, por edhe të luftës. Triko grash, mëngë rrobash, këmisha burrash, triko e këmishë fëmijësh, çorape burrash e grash, por edhe pjesë të djegura perdesh apo jorganësh që janë përdorur nga familja Jashari gjenden mes tekstileve që sot, janë restauruar. Është dashur shumë punë për pastrimin dhe restaurimin e tyre, disa prej të cilave kanë qenë mjaft të dëmtuara.

“Një vit më parë, nuk dinin nga t’ia fillonim, pasi ndër objektet e familjes Jashari ne zgjodhën ato që ishin tejet të dëmtuara. Një pjesë e këtyre objekteve që ne restauruam ishin dëmtuar në mënyrë ekstreme. I depozituam në Muzeun Historik, ku i lamë për një periudhë të gjatë për ajrim, më pas filluam t’i tërheqim pak nga pak dhe pas restaurimit po i kthejmë sërish në Prekaz. Ishte punë e vështirë”, shprehet për mediat restauratori Frederik Stamati.

Në Kosovë janë mbledhur rreth 240 objekte tekstili që i përkisnin familjes Jashari, prej të cilave gjysma u sollën në Tiranë për t’u restauruar. Këto objekte erdhën në MHK në bazë të një marrëveshje me drejtorin e fondacionit “Adem Jashari”, Shaban Hoxha pasi në Kosovë nuk ka një laborator të specializuar për të bërë ndërhyrje të tilla. Ceremonia e dorëzimit të objekteve u zhvillua sot, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Fondacionit “Adem Jashari”. (Besi Londo-ATSH)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 120 objekte te familjes, Adem jasharit, rikthehen ne Kosove

Shqipëria konkurente për çmimin e letërsisë europiane

February 13, 2014 by dgreca

Shqipëria përzgjidhet për herë të parë si një ndër vendet që konkurojnë për çmimin e letërsisë europiane. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Ettore Sequi deklaroi se ky projekt  ka si synim promovimin kulturor të vendeve Europiane. Sipas diplomatit europian kultura është pararendëse e ekonomisë dhe politikës në rrugën drejt integrimit.

“Për herë të parë Shqipëria është një ndër vendet që është përzgjedhur për cmimin europian të Letërsisë. Kjo është pjesë e politikë sonë për të promovuar kulturën e vendeve të Europës. Fondi për bashkëpunimin kulturor midis vendeve ku përfshihet edhe fondi për letërsinë 6 vitet e ardhshme është rreth 1.6 miliard euro. Ky konkurs për Shqipërinë është një mundësi për të treguar talente të reja në botën e letërsisë të cilët tashmë do të njihen edhe përtej kufijve. Në rrugën e Shqipërisë për në BE kultura do të jetë pararendëse e ekonomisë dhe politikës” tha Sequi.

Kryetari i Shoqatës së botuesve Shqiptar Petrit Ymeri deklaroi se ende ekzistojnë një sërë problemesh dhe pikërisht për këtë duhet mbështetje.

Shkrimtarët që mund të marrin pjesë në këtë konkurs mund të paraqesin pranë jurisë 2 deri në katër libra të botuar të paktën në 3 apo 4 gjuhë të huaja. Fituesi zgjidhet nga juritë e vendeve përkatëse dhe më pas çmimi për letërsinë europiane shpallet në Frankffurt në panairin e librit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: europiane, per cmimin e letersise, Sequi, shqiperia konkurente

PERCJELLJA E MJESHTRIT TE HUMORIT, SKENDER SALLAKU

February 12, 2014 by dgreca

Skënder Sallaku, personazhi spontan i roleve të mëdha/

Nga Edmond Prifti/.Ishin të shumtë miqtë dhe artdashësit që u “përshëndetën” për herë të fundit me mjeshtrin e humorit shqiptar, Skënder Sallaku, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 79 vjeçare.Homazhet në nderim të “Artistit të Popullit” u mbajtën të mërkurën për dy orë në Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku kolegët e tij ndanë me ATSH-në disa nga kujtimet dhe vlerësimet për karrierën artistike 50 vjeçare të Skënder Sallakut.

Aktori dhe ish-drejtori i Estradës së Tiranës, Sulejman Dibra vlerëson se “Skënder Sallaku ishte i lindur për të qënë artist. Nuk kishte përfunduar asnjë shkollë për aktrim, por Skënderi ishte tip kërkues ndaj vetes. Për të nuk kishte rol të keq. Edhe sikur roli të ishte i dobët, ai do ta sillte atë në formë të mrekullueshme”.

Dibra thotë se “Skënderi diti të gjente detajin dhe spontanitetin artistik e kjo e mbajti ngaherë të freskët. Ishte aktori i barsoletave deri në ditët e fundit të jetës. Ndër aktorët më të mirë shqiptarë”.

Për Bujar Kapexhiun, Skënder Sallaku ishte si puna e atyre njerëzve që dhurojnë gjak,..! “Pra Skënderi dhuronte buzëqeshje, e në këtë lumturi që u dha njerëzve, e kujtojmë ne sot”, thotë Kapexhiu.

“Me batutat e tij u dha gëzim, e ashtu si humori që është privilegj i të mençurve edhe Skënderi ishte një nga të mençurit që kishte një zemër të madhe”, shton për ATSH-në Bujar Kapexhiu. Për të “janë të rrallë ata njerëz që do t’i ngjajnë Skënderit, si për kapacitetin artistik, ashtu dhe për forcën e tij.

Merita Dabulla, ish-balerinë, e më pas akrobatja, prezantuesja dhe aktorja e Cirkut dhe Estradës së Tiranës, e vlerëson Artistin e Popullit si aktorin e dimensioneve të mëdha.

“Ashtu siç tha Dritëroi (Agolli) ai është një Çarli Çaplin shqiptar…”, citon ajo, ndërsa kujton se ka interpretuar disa role me mjeshtrin e humorit.

“Ka qenë aktor i spontanitetit dhe e ndjente publikun si reagonte. E merrte, e rrëmbente rolin dhe e bluante atë…”, thotë Dabulla, për të cilën mimika e tij ishte e jashtëzakonshme, sidomos si kloun.

Me Skënderin ka shumë kujtime…veçanërisht, në dhënien e diplomës kur interpretoi përkrah tij. “Isha shumë e emocionuar…Ishte Skënderi ai që më qetësoi”, thotë ajo.

Aktorja Marjana Kondi e kujton Skënder Sallakun si një aktor liberal dhe si një njeri që s’dinte të mbante mëri kurrë…

“Ai vërtet ka vdekur, por ne jemi duke buzëqeshur me të, e kjo ka një kuptim mjaft të madh. Ai ishte si Çarli Çaplin…”, shprehet Kondi, ndërsa shton se lindja dhe vdekja, është hyjnore…e Zoti bëri më të mirën për Skënder Sallakun”.

Aktori dhe prezantuesi Veli Rada ka punuar për dekada me radhë me Skënder Sallakun… “Ishte modeli i artistit. Ne, kishim orarin e punës në orën 9.00, por Skënderi vinte ngahera në nëntë pa dhjetë. Në krahun e djathtë qëndronte gjithmonë i ndjeri Vasillaq Vangjeli e në të majtë, i qëndroja unë. Isha 22-vjeç asokohe, ndërsa Skënderi kënaqej që ne po ecnim si aktorë të rinj, si fëmijë që po hidhnim hapa të sigurt”. “Kemi udhëtuar një herë nga Zyrihu në Gjenevë. Në ato 2 orë e gjysmë rrugë, na dhembnin brinjët nga batutat e Skënder Sallakut”, kujton Veli Rada. Nuk lë pa përmendur dhe një batutë të Skënderit në kohën e komunizmit. “Në krizën e ’89, e pyetën si është gjendja! E ai u përgjigj: Vallaji, andej nga lagja ime është një dyqan ku shkruan sipër mish, e aty gjejmë veçse kasapin. Ky ishte Skënder Sallaku!”, tha pë ATSH-në Rada.

Aktori i komedisë Fadil Hasa, kujton jo vetëm rolet, por edhe shfaqjet e 10 sportistëve më të mirë të vitit me Skëndër Sallakun. “Ato kanë mbetur shfaqje te papërsëritshme. Skënderi ishte ylli i atyre shfaqjeve”, shprehet Fadil Hasa. Për të Skënder Sallaku ishte një shkollë e madhe . “Sot është shkëputur një yll i madh. Humorit shqiptar i ka ikur një personalitet i jashtëzakonshëm. Drithërohem, pasi e kam pasur një nga miqtë e mi më të shtrenjtë”, shton ai.

Thanë politikanët

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta: Është e dhimbshme të ndahesh nga një artist i madh, aq më tëpër nga një artist i humorit si Skënder Sallaku. Artistë të tillë kanë lënë vlera që i bëjnë të përjetshëm dhe na bëjnë të gjithëve t’u jemi mirënjohës. Skënder Sallakut do të ndihmojë brezat më të rinj për të ecur në traditën e shkëlqyer që ai la pas.

Kryeministri Edi Rama në një vlerësim të tij në rrjetin social “Facebook”shkruan: “Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë. Ngushëllime familjes”.

Sali Berisha: “Po i themi lamtumirë një prej personaliteteve si Skënder Sallaku, një prej personaliteteve më popullorë të kohës së tij. Korifeut të pavdekshëm të humorit e satirës shqiptare, artistit të shquar Skënder Sallaku. Me rolet, interpretimet dhe humorin e tij, Skënder Sallaku në kohën e territ të vërtetë e ngricës, sillte gëzim dhe shpresë në zemrat dhe vatrat e shqiptarëve. Një humbje e madhe për artin tonë”.

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha: Skënder Sallaku ia doli mbanë gjatë viteve më të vështira të ekzistencës së shqiptarëve, duke i falur atyre buzëqeshjen dhe humorin, e duke i bërë të harronin qoftë edhe për momentin çastet e vështira që po kalonim…Ikonë e humorit, një artist me talent të jashtëzakonshëm, frymëzimi i të cilit buronte nga të qenit qytetar dhe familjar shembullor. Do na mungojë shumë”.

Zemra e “Artistit të Popullit” ndaloi së rrahuri në mëngjesin e ditës së djeshme, në moshën 79-vjeçare. Një nga aktorët më popullor të humorit,  Skëndër Sollaku u lind në Tiranë më 25 janar 1935. Në vitet e rinisë ishte kampion kombëtar në mundjen klasike, ndërsa karrierën si artist e nisi me lëvizjet amatorë të cirkut, pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në grupin akrobatik punoi deri në vitin 1972, kur Cirku I Tiranës u shkëput nga Estrada e Shtetit. I konsideruar si klouni i parë në Shqipëri, Skënder Sollaku është aktivizuar në pjesë të ndryshme akrobatike, në numra zhonglimi, ku shpalosi aftësitë e tij të mrekullueshme. Si pantomimist ka interpretuar në pjesët “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri”, “Pjatat”, “Bojaxhiu”, etj. Më pas Skëndër Sallaku shkëlqeu në Estradën e Shtetit, ndërsa gjatë karrierës së tij mbi 50 vjeçare si artist, ka intepretuar edhe në disa filma, mes të cilëve përmenden “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Cirku në fshat”, “Gjuetia e fundit” etj.  Pengu i i tij më i madh në këto vite demokraci ishte mbyllja e Estradës. “Tani që në demokraci jemi shkëputur nga ideologjizmat, ku partia nuk ndërhynë në krijimtari, Estrada e Tiranës nuk funksionon”, ka thënë “Artist i Popullit” në një nga intervista e tij të fundit. /k.sh/

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: percjellja e Skender Sollakut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT