• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aktivitet kulturor në Vjenë- Ekspozitë dhe orë letrare në gjuhën gjermane nga autorët shqiptarë në Austri

January 29, 2014 by dgreca

Austriakët organizojnë ekspozitë dhe lexim letrar nga autorë shqiptarë në ambientet e  Osteria Allora. Franz Pfeffer: “Hera e parë zëri i shqiptarëve në ‘‘Galerie Studio 38‘‘ të Vjenës. Krijuesit shqiptarë në Austri hapin horizonte të reja afirmative në Austri. Piktori, Gazmend Freitag me ekspozitë personale në Vjenë” /

Hazir MEHMETI , Vjenë/
Aktivitet kulturore me karakter letrar e pamor janë gjithnjë e më të shumta, më kualitative dhe prezantuese para artdashësve në Austri. Lidhje e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”  bënë një aktivitet me vlerë në Vjenë dhe qytetet tjera austriake. Bashkëpunimi me PEN-klubin e shkrimtarëve austriak dhe klube tjera e afirmuan krijimtarinë e poetëve, shkrimtarëve, piktorëve e krijuesve tjerë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Austri. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve ishte edhe organizimi i orës letrare dhe ekspozitës së pikturave nga Gazmend Freitag, në ambientet e klubit Osteria Allora dhe nën organizimin e shoqatës austriake ‘‘Galerie Studio 38‘‘.   Aktivitetin letrar e artistik e pasuruan me pjesëmarrjen e tyre edhe dy përfaqësuesit e komunës së Vjenës, sektorit për kulturë të lagjes së 20-të të Vjenës znj. Christine Maly, këshilltare e bashkisë dhe kryetare e komisionit për kulturë Brigittenau dhe z. Wolfgang Bauer zv. kryetar i këtij komisioni si dhe shkrimtari austriak me prejardhje turke Serafettin Yildiz, të cilët u ndanë të kënaqur me artin e ofruar nga krijuesit shqiptarë.

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Franz Pfeiffer, menaxher i ‘‘Galerie Studio 38‘‘ me seli në Vjenë, i cili theksoi se shoqata që përfaqëson ka një traditë 10 vjeçare në organizime të projekteve artistike, ndërsa kjo ishte hera e parë që si mysafirë kishte krijues shqiptar.
Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti kryetari i saj z.Besim Xhelili.  ‘‘Jemi mbledhur që të promovojmë artin e autorëve shqiptarë të cilët veprojnë në këtë vend mik të kombit tonë. Në Vjenë shekuj me radhë janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen shpata dhe helmeta e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Prandaj edhe ne jemi vazhdimësi e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë, të përkushtuar që këtë bashkëpunim ta fuqizojmë edhe më tepër, kësaj radhe në fushën e letërsisë dhe arteve vizuale.             Në emër të shtëpisë botuese ‘‘Platform Verlag‘‘ nga Vjena e cila edhe publikoi në gjuhën gjermane antologjinë e parë të autorëve shqiptarë në Austri ‘‘Illyricum‘‘ foli Johannes Martinek, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij botimi për publikun gjermanofolës. Mbrëmja letrare filloi me prezantimin e antologjisë ‘‘Illyricum‘‘ të cilin e bëri Anton Marku, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu‘‘. Ai tha se ‘‘Ky është libri i parë i këtij lloji në Austri. Në të janë përfshirë 26 krijues shqiptarë që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vendet tjera të Ballkanit, Fjalët hyrëse i kanë shkruar ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, Dr. Vili Minarolli dhe Dr. Sabri Kiqmari si dhe Dr. Helmuth A. Niederle, president i PEN Klubit të Austrisë. Me këtë publikim po dëshmohet se çdo ditë e më tepër ne jemi duke u bërë pjesë aktive e skenës kulturore austriake, duke prezantuar veprat e krijuesve shqiptarë edhe në gjuhën gjermane, në mënyrë që artin dhe letërsinë tonë ta ofrojmë publikut vendas.
Me krijimet e tyre u paraqiten disa nga anëtarët e  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksander Moisiu‘‘ , ku vargjet dhe tregimet e tyre në gjuhën gjermane i lexuan poeti,  Ragip Dragusha; krijuesi dhe përkthyesi nga Graz-i, Dr. Kurt Gostentschnigg i cili dhe ka bërë përkthimin e antologjisë ‘‘Illyricum‘‘. Lexuan nga krijimtari poetët: Dan Kosumi, Mërgim Osmani, Anton Marku dhe Besim Xhelili. Artdashësit nga radhët e kombeve të ndryshme i duartrokitën paraqitjen e poetëve të cilët krijuan emocione me artin e tyre dhe interpretimin e bukur. Puna e mirë organizative brenda LSHKSH “Aleksandër Moisiu” në Austri e ka fituar besimin e shumë klubeve e asociacioneve vendore të cilat ofrojnë bashkëpunim dhe ndihmë me vlerë për ofrimin e vlerave krijuese nga shqiptarët që jetojnë e krijojnë në Austri. Vlen të përmenden aktivitetet letrare të organizuara më parë ku ishin edhe figurat si: Sidonia Gall, kryetare e Shkrimtarëve të Austrisë, Helmuth A.Niederle, president i PEN-klubit në Austri, shkrimtar i njohur. etj. Krijuesit e Lidhjes janë nga radhët poetëve, piktorëve, skulptorëve, publicistëve etj. Ata janë veprimtarë të vyer krahas artit që ata ofrojnë.
Padyshim njëri nga artistët mjaftë aktiv në Austri është piktori z.Gazmend Freitag nga Linci, Hapjen solemne të ekspozitës së tij personale këtë mbrëmje e bëri Ursula Pfeiffer, përfaqësues i galerisë “Galeriestudio 38” . E cila foli për biografinë e piktorit duke u fokusua në stilin e veçantë, motivet nga vendlindja dhe ato moderne në punimet e tij. Po ashtu dha një historik të shkurtër të popullit shqiptar që nga pavarësia e këtej.  Ajo tha se pikërisht këtu i ka lindur ideja e ekspozitës me temën “Impresione Shqiptare” (mbresa shqiptare). Pastaj, iu referua disa thënieve rreth piktorit tonë nga shtypi e kritika. Po ashtu foli edhe zj.Elisabeth Birngruber, bashkëstudiuese me piktorin dhe pianiste. Mes tjerash piktori ynë shtoi: “Janë të ekspozuara 14 eksponate reprezantive të punuara në vaj dhe grafikë, kryesisht me motive shqiptare. Me “galeriestudio38” në Vjenë, pos kësaj ekspozite aktuale, shpresoj të bashkëpunoj prapë dhe të paraqitëm në ekspozita kolektive këtë vit si në  “Paradise”. Organizatorët menaxher zj. Ursula dhe Franz Pfeiffer janë shumë të zellshëm,  janë  kompetentë dhe me përvojë shumëvjeçare në Vjenë.”  Në fund u dha koktej rasti ku pjesëmarrësit biseduan nga afër, shkëmbyen mendime dhe ide lidhur me projektet e mundshme të përbashkëta në të ardhmen.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite ne Vjene, Hazir Mehmeti

Bebe Rexha një Rita Ora e re Shqiptare – në Hollivud

January 28, 2014 by dgreca

NGA BEQIR SINA, New York/

Bebe Rexha, ylli shqiptar që premton shumë në të ardhen e saj në botën e muzikës botërore/

BENSONHURST BROOKLYN NY  : Emri më i ri shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, që po bën bujë të madhe në botën e muzikës , mbas artistes me famë botërore Rita Orës nga Kosova, duket sikur është një tjetrë talent edhe ky shqiptare, por nga Dibra e Madhe, e cila deri tani ka “përmbytur’ shtypin amerikan, dhe rrjete sociale , facebook, twitter, youtube e tjer.Ajo është Bleta ose aka Bebe Rexha banore e qyteti Brooklyn në New York.

Megjithëse, të gjitha mediat amerikane, e kan nënvizuar se Ylli i ri i muzikës, ka origjinë shqiptare, por thuhet se edhe ajo vet kurr nuk e mohon atë për të bër të ditur faktin se Bebe Rexha, është shqipëtare dhe nga Dibra e Madhe. Prandaj gjithmonë në faqen e saj në rrjetin social Facebook, shpesh ajo publikon statuse ku ajo flet me krenari se ajo është shqiptare.

Adhuruesit e saj të shumtë në facebook – përmendin vizitat e saj në Dibër të Madhe vendleindjen e prindërve të saj që ajo i ka vizituar. “Ylli” në ngjitje me origjinë shqiptare, kohët e fundit është shumë e suksesshme shkruajn mediat amerikane, aq sa ato për ditë shkruajn për aktivitetin e saj në botën e muzikës. Duke përmendur faktin se ata e kan zbuluar talentin e saj qysh kur ajo ishte 4 vjeç.Mirëpo, ato theksojnë se me rritjen  e saj u frocua edhe lidhja e saj me muzikën – duke shënuar vetëm ngjitje….prej kur ajo vazhdoi shkollën e mesme në Brooklyn në degën e muzikës.

Bebe Rexha u shfaq fillimisht në shfaqjet e saj muzikore si Hay Doll, ku përveçse si një këngëtare shumë e mirë, ajo shfaqi edhe talentin e saj në kompozimin e këngëve dhe tekstë-shkruarjen e tyre. Ajo ka deklaruar se inspirimi i saj e mori nga këngët dhe ka  thotë se i ka ardhur nga emra të till : Stivi Wonder , Amas, John Legend, emra këta që e kan bërë atë, t’a dojë muzikën dhe t’a kthej ëndrrën e saj në realitet.

Kënga e fundit që ka shkruar ajo është “The Monster’, e cila është një përpunim i suksesshëm mes dy yjeve botërore të muzikës. Përveçse si kompozitore edhe tekstë – shkruese, ajo është edhe një “back -vocal” në këtë produksion . Kënga “The Monsters”, është “për ata që ndihen të errët në brendësin e tyre dhe që duan të gjejnë një rrugëdalje nga labirrinthi në të cilin ndodhen” ka deklaruar ylli shqiptarë i muizkës Bebe Rexha.Bebe Rexha, thuhet se premton shumë në të ardhen e saj në botën e muzikës botërore.

Bleta Rexha (e lindur më 30 gusht 1989), i njohur në Amerikë, si Bebe Rexha, është një këngëtare, kompozitore dhe tekst-shkrujatëse amerikane me origjinë shqiptare nga Dibra. Ajo është bër e njohur për të qenë këngëtare kryesore nëpërmjet grupit amerikan Black Cards krijuar nga Pete Wentz, dhe për shkrimin e një numri 1 të hitit -Billboard Hot 100 –  “Përbindëshi – The Monster” nga Eminem shfaqur nga Rihanna.

Biografia :Rexha u lind më 30 gusht, 1989 në lagjen e njohur njujorkeze Brooklyn – Nju Jork, nga prindërit shqiptarë me origjinë nga Dibra e Madhe, Republika e Maqedonisë. Rexha filloi qasjen e saj në muzikë, qysh në moshën 4 vjeç, dhe vazhdoi të ndjekë dashurinë e saj për muzikën përmes shkollës së mesme, duke marrë pjesë në preformancat muzikale Hello, Dolly!, Jesus Christ Superstar, Fiddler dhe asaj Roof. Ajo tregon se ishte frymëzuar nga muzikantë të till si Stevie Wonder, Tori Amos, John Legend, dhe tundimet e tjera të yjeve të muzikës. Rexha fituar di çmime mes tyre edhe çmimin “”Best Teen Songwriter” në Akademinë Kombëtare të Arteve & e Shkencave të Recording – një ngjarje vjetore prestigjoze në New York e cila thirret  “Dita Grammy”, çka i ka dhënë mundësinë asaj të takohet me shumë prodhues të suksesshme të muzikës së saj.

“Debutimi” 

Në mars 2010, Fall Out Boy basisti Pete Wentz pati formuar një grup alternativ elektro me Rexhën si këngëtare e parë, Grupi qe quajtur Black Cards. Wentz vendosi të formojnë grupin e tij gjatë një pauuze të tij nga muzika në vitin 2009, kur ai vendosi të përqendrohen më shumë dhe ‘ti jap kohën e tij në ngritjen e familjes së tij. Gjatë kësaj periudhe, Wentz, kishte filluar duke u frymëzuar nga muzika Xhamajkës, dhe vendosi të kontaktoni prodhuesin Sam Hollander për të diskutuar një ide “mash up ska”, pop pra valle dhe muzikë tipike, e atyre të stilit të viteve ’80s në Britaninë e Madhe, për të krijuar një tingull eksperimentalë. Hollander ishte i rëndësishëm në futjen e Bebe Rexhës në Grupin e tij . Wentz dhe Rexha do të kalojnë shumë kohë në studion e tij me shkrimin e teksteve dhe regjistrimin e këngëve të reja. Wentz kishte vendosur të nënshkruajë me Bebe Rexhë nën etiketën e tij me Grupin  Decaydance me Island Def Jam, dhe dhanë të dy një intervistë të gjatë në MTV. Ku ai njoftoi se albumi ishte gati për publikun nëmesin e vitit 2011. Në të njëjtin vit, Rexha lëshoi një DVD tjetër me këngëtarin me famë Dr Jekyll por albumi u shty deri në mars 2012, sipas raporteve nga një intervistë që Wentz bëri me revistën Spin, se “duhej “korregjiuar”. Më 12 janar 2012, grupi njoftoi me anë të Facebook që Rexha nuk ishte më anëtare e grupit.

Karriera e saj “Solo – Vetëm”

Në vitin 2012, Rexha filloi karrierën e saj solo – vetëm. Ajo filloi të botojë disa tekste këngësh dhe ” clipe akustike dhe origjinale të muzikës pop në kanalin e saj YouTube. Në 2013, ajo nënshkroi me Warner Bros Records, pasi pati një sukses si një kompozitore profesioniste, me këngë të tilla :Like a Champion për Selena Gomez dhe në albumin Stars Dance, Glowing për South African-born – Island Def Jam,duke regjistruar për artistin Nikki Williams, dhe ka qenë numër 1 në hitin e saj Billboard Hot 100 –  “The Monster” për Eminem prefermouar nga Rihanna. .Prefermonaca “The Monster – Përbindësh” me  Eminem dhe Rihanën ka qenë hit i klasës së parë, dhe është quajtur fillimisht “Përbindëshi nën shtratin tim”. Ajo është regjistruar nga Rexha si një nga këngët e saj më të mundshme për albumin solo në debutimin e saj. Por pas regjistrimit të tij, Rexha dhe bashkëpunëtorët tjerë, të saj patën vendosur se kjo këngë do të jetë e përkryer për Eminem, kështu që ata e ngritën kampin në etiketën e tij në një version tjetër të këngës, që kur u rekordua më vonë u quajt “The Monster PërbindëshI”. Në të njëjtin vit, Rexha nxorri një album origjinal pop në faqen e saj SoundCloud, kënga “Comeback Kids”,  në të cilën ajo është paraqitur me grupin Roseland, në New Jersey, muzikë me bazë “EDM Cash Cash” dhe albumi “Take Me Home”, e cila arriti kulmin hitet në numrin 94 në Billboard Hot 100 . Rexha është duke punuar në albumin e saj debutues, dhe tashmë ka hyrë në një studio me prodhues të tilla si David Guetta, dhe Frekuenca, dhe disa të tjera.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bebe Rexha, ne Hollivud, nje Rita Orae re shqipatre

NDJESI E PËRJETIMIT POETIK

January 27, 2014 by dgreca

Duke përjetuar vargjet e poetit Jeton Kelmendi/

NGA VIOLETA ALLMUÇA/ Shkrimtare/

 Sa herë më shfaqet fjala e një krijuesi në të shkuarën dhe në të sotmen, e di se brenda saj më lind një mendim i hershëm ose i tanishëm, lidhja e poezisë me kohën dhe jetën. Kam dashur të besoj se këto reflekse të veçanta letrare brenda për brenda tyre kishin një formë sa të brendshme po aq edhe të jashtme estetike që përbënin atë çka quhet sot në artin e fjalës poetike harmonizimin artistiko- estetik. Poeti që ka jetën dhe vargun e përjetësisë në tërësinë e të bukurës, specifike për një shkrimtar që hyn në oazin e gjerë të poezisë universale, na tregon një zë të fuqishëm në realitetin e botës dhe jetës, pasi tek poeti Kelmendi vargjet lindin me ëndrrën. Kjo dukuri ndryshe e një krijuesi në sytë e lexuesit kthehet në një perceptim të thellë si për poetikën, ashtu edhe për letërsinë.   

Sapo lexon librin më të ri të tij « Thërras Gjërat e Harruara » me ndjesi nga imagjinata tek realiteti ku temë të kahershme ka dashurinë dhe vetveten, më ngjan se autori e ndan me të gjithë shpirtin e tij poetik me një zë ndryshe, i cili dëgjohet deri thellë në rrashtin e asaj çka poeti krijon.

Në këtë poezi ndjenja e mendimit është sa origjinale po aq edhe meditative në ritmin e frymëzimit, e cila grish atë që quhet bota e madhe emocionale me një kulturë të domosdoshme për një poet. Universalizmi i poezisë së Kelmendit  komunikon jo vetëm me « Unin » e poetit që udhërrëfen jetën e dashurisë njerëzore, por edhe me universin e tij tokësor të mëvetësishëm përjetësues. Nëpër vargje lëvizin idetë e njohura dhe të panjohura në kohë dhe hapësirë, motivet e ndjenjave njerëzore në larminë e figurave letrare, simbolet e metaforat me nuanca të pafundme semantike.Ai di të zbulojë jo vetëm botën vetjake në poezi, por edhe të përbotshmen që e fut në përjetimet e tij. Ky përcaktim i realizimit të vargut të drejtpërdrejtë e lidh ndjesinë njerëzore me artin, funksionin e misionin e tij, në dobi të të shkruarit dhe mendimin e përhershëm të realitetit estetik brenda njeriut.

Duke qenë një shkrimtar idealist i përfshirë mes atdheut të vet dhe perëndimit Jeton Kelmendi kërkon të gjejë në poezinë e tij atë krijesë unike të formësuar nga vargjet. Ai ngjan i papërsëritshëm, i mirëfilltë, shpirtëror, ekzistues në deshifrimin e mistereve të poetikës në kontekstin e të tashmes. Me aftësi krijuese e ndërkohore qenia e shfaqjes së poezisë është vetëm një formë e lirisë dhe funksionit kulturor për të vlerësuar fjalën e autorit. Hipotezën se fjala mbetet një përshkrim me domethënie të larmishme për njeriun, atdheun e poetit, dashurinë, gjendjen, sharmin tokësor, ku harmonizohet jeta metafizike brenda jetës universale e gjen si provë, ku së pari flet krijuesi me materjen e tij. Aty Kelmendi gjen atë çka e quan të « paemërt » ose dilemë. Në jetën e tij shpirtërore gjallojnë mitet e epokës kulturore, idetë se universalja është po aq e madhe sa edhe madhësia e lëvizjes në legjendat e vendlindjes, të cilin ai nuk e ndan nga universalizmi. Edhe pse vetëdija e poetit vargëzohet mes gjendjes dhe ëndrrës ai emërton gjithsesi kahun e ligjërimit. Në krye të herës figura e njeriut dhe e vetvetes, konceptuar nga dinamika e njëkohshme e ritmikës lirike nëpërmjet lidhjes së njeriut me jetën, dhe autorit me realitetin, na sjell këtë strukturë në hapësirën letrare nëpërmjet gjuhës së poezisë. Kjo gjuhë përbën një bashkësi mes shpirtërores e mendimit, ku lindin themelet e shfaqjes së brendashkrimit së poetikës dhe evoluimit letrar.

Ashtu si shtrirja e rrezeve mbi tokë, Jeton Kelmendi dukurinë e vargjeve e quan jetësore,  (Poezia : Peja në pesë të mëngjesit), ku ai sundimin e jetës e riemërton « ikje » nga ëndrrat. Ripohimi i ëndrrës si një identifikim i lindjes dhe qenies në mendimin e poetit na bën ta quajmë çdo ëndërr, « kujtim ëndërrues » ose meditim i thellë i jetës dhe realitetit jetësor. Gjatë ngadhënjimit të qenies njerëzore letrare, aty kur vijnë shkuarjet e poetit ndihet fryma që e mban poezinë në shpirtin e tij, me shenjtërinë e fjalës së dashurisë. (Poezia : Afrohmu pak). Është ky dualitet mes shpirtërores dhe dashurisë që i prin Kelmendit deri në fund të veprës poetike dhe që përbën thelbin e tij poetik.  (Shpirtin ta shpaloj si librin e shenjtë, të mësoj ty, qysh me të dashtë thekshëm).

Duke e kërkuar dhe gjetur materjen  tek krijesat njerëzore apo dëshmimin e kohës Kelmendi trupon të thënat e të pathënat për atë që ai e quan ëndërr apo zhgjëndërr. Ai identifikon me anë të perceptimit të tij realitetin e botës poetike me intonacion nëpërmjet krijimit filozofik, me një delikatesë dhe një komunikim universal. ( Brenda saj, në mendimet e mia, pa format të caktuar, m’i nxjerr parametrat e materies. (poezia Materje). Estetika ose ajo çka duam të përjetojmë si lexues brenda kompleksitetit të mënyrës së të shkruarit na bën të ndjejmë atë çka shpërthen në vargjet poetike dhe ku na shfaqet origjinaliteti si mision i veçantë i Jeton Kelmendit.

Teksa ripohon « meditimin » në poezinë e tij, si një krijim letrar ose një kuptim për artin e fjalës që përkon edhe me hapësirën si përkufizim të lirisë, ai depërton në çlirimin e vargut si akti i depërtimit të poezisë tek lexuesi, përkatësisht për vetjakësimin e krijimit artistik. Kelmendi nëpërmjet lirisë është frymëzuar dhe dashuruar me poezinë ashtu siç është pasuruar me kohën e jetës letrare ku ka përfshirë edhe jetën njerëzore. Ai e ka pasuruar e kthyer vargun në një dashuri të madhe edhe me lajtmotive humane për lexuesit e tij. Tematika e zgjedhur nga motivet origjinale të përjetimeve të jetës plotëson unitetin e veprës letrare me elementë të mbizotërimit jetësor, të atdheut ku ka lindur dhe të poetit në hapësira të tjera duke lëvizur edhe brenda qenies së tij poetike. Poeti Kelmendi di të zbulojë të panjohurat si një element që i ndjek vargjet për t’i bërë të njohura para vetes dhe lexuesit. (Nanë është, më e bukura gjë për të cilën flitet, ajo i ka dy kuptime: ky që e marrim vesh të gjithë dhe kuptimi i saj për mua: Jeta në kuptimin e parë (poezia Fjala Nanë). E panjohura për poetin lind e shfaqet tek vetvetja. Fjala pra, nëpërmjet një gjuhe të kthjellët, si përkatësi e madhe e krijimit letrar vjen si mendim e rishfaqet krejt e re, selektive, duke u formuar nga filli i së njohurës si një zëdhënëse për shtjellimin ku kohët nuk humbin por vijojnë.  (S’më pret pak kohë, Koha, tutje nuk shkohet vetëm, marr me vete kohën, dita po shkon drejt mesdite, sërish bashkë vazhdojmë, ecim, dita po shkon drejt mesdite). (Poezia, Ecje Lirike).

Bashkimi i të panjohurës me të njohurën tek Jeton Kelmendi është një element i ri i poezisë sonë bashkëkohore shqipe, që dëshmon se kjo arritje kulmore vetjakëson me fuqinë e saj bashkimin e dy kohëve, të së kaluarës dhe të së ardhmes. Duke hyrë në kryqëzatën e poezisë mes kohëve, për një autor, vargu mbart atë çka është më shumë sipërthënës, burimin poetik dhe Kelmendi na sjell prurje të reja mbi vështrimin e botës shpirtërore të fenomeneve letrare si një krijues mjaft i talentuar.

Atëhere kur autori kalon nga ëndrra për të takuar realitetin të cilin e shpall nëpërmjet vargjeve, ai thërret gjërat e harruara, për të mos harruar ardhjet e reja të tashme që do të ndodhin brenda botës së tij. Poetin e thith jeta me lëngun e vargjeve plot ndjenjë në fronin e shkrimit të planetit njerëzor. Udhëtimi i tij për të gjetur të panjohurën nëpërmjet vargjeve është zgjedhur si i tillë, pasi vetë poezia vezullon edhe në ditën kur bëhet natë, apo kur errësira vjen e ikën në pikënisje. Duke pasur si shkallë përjetimin e tij në botën e dashurisë, temë e cila në këtë libër ze pjesën më të prekshme sa intime aq edhe si mesazh poetik vjen edhe nga një filtrim i thellë i vargjeve që marrin kuptimin ekzistencial. I pari akt i domosdoshëm për mënyrën e shtrirjes së vjershërisë, është perfeksionimi i saj në konotacionin e realitetit të jetës dhe diskursit poetik ku shfaqet pesha e fjalës. Kelmendi e percepton botën sipas vetes dhe mendimit të tij. Përdorimi i figurave letrare, në veçanti i metaforës me të cilat perfeksionon stilin dhe vetë poezinë vjen nga përvoja e hershme e autorit në botimet e kaluara, të cilat për hir të së vërtetës e kanë ngjitur poezinë e këtij autori dukshëm në lartësinë e poezisë shqipe, ku përveç magjikes autori përcjell edhe harmoninë e vlerës së artit poetik.

Po aq e vërtetë është kjo sa emri i tij tashmë intuitivisht është përcjellë edhe në poezinë europiane e më gjerë, një parandjenjë kjo që ishte vërejtur edhe nga kritika shqiptare dhe ajo botërore. Poeti i ardhur nga një vend me legjenda të njohura, ka sjellë edhe në poezinë universale kodin e poezisë së atdheut nga i cili vjen, duke i kthyer motivet në nuanca të gërshetuara me universalen, nga një akt abstrakt në vlim shpirtëror. Kjo poezi mbetet frymëzuese, me vetëdije origjinale në mjeshtrinë e vargut, një zbulim ekzistencial deri në pikën e mendimit të shpirtit të tij shqiptar me frymëmarrje dhe ndjenjë që e përafron poezinë me botën e jashtme. Duke shijuar esencialisht një poet që na bën të përjetojmë thellësisht edhe mendimin estetik me ide të dallueshme, autori ka gjetur kodin e përjetimit në poezinë e së ardhmes që mesa duket është bërë jeta e dytë e Jeton Kelmendit.

 

                                                                                                               

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jeton Kelmendi, ndjesi e perjetimit poetik, Violeta Allmuca

NJË FILM PËR NËNË TEREZEN

January 24, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Nga e majta, Frank Shkreli, autor i shkrimit, Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington/

Duket se së shpejti jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës do të shfaqet si film dokumentar në ekranet amerikane dhe botërore të filmave. Revista amerikane “Variety” që mbulon industrinë e filmave të Hollivudit, muzikën dhe artin amerikan, në një artikull që botoi të ënjtën në faqën e saj elektronike, korrespondenti i filmave, Dave McNary shkruan se regjisorët e pavarur të filmave, Tony Krantz dhe Jamey Volk janë duke bashkpunuar me “Qendrën Nënë Tereza” për të bërë një film me titull “Kam Etje”, një dokumentar ky mbi jetën e Nënë Terezës, bamirëses dhe humanistes së njohur mbarë botërore dhe bijës së gjakut të Arbërit, me të cilën mburret dhe krenohet kombi shqiptar.

Artikulli thotë se pritet që filmimi të nisë nga fundi i këtij viti, ndërkohë që për tekstin e filmit është angazhuar ta shkruaj Keir Pearson, i cili ka shkruar tekstin për filmin e njohur “Hotel Rwanda”. Sipas artikullit të revistës Variety, filmi do të përqëndrohet në punën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës në qytetin e Indisë Kalkuta gjatë dekadës së 1950-ave, kur ajo njëkohësisht themeloi Urdhërin e Motrave Misionare të Dashurisë, me misjonin për tu kujdesur për të varfërit e më të varfërve të Indisë. Eventualisht Nënë Tereza veprimtarinë e saj e përhapi anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare në Balkan, por edhe në vende të mëdha e të pasura të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Artikulli nënvijon faktin se për veprën dhe punën e saj, Nënë Tereza ishte shpërblyer me dekorimin më prestigjoz në botë — Çmimin Nobel për Paqë të vitit 1979  dhe thotë se urdhëri i Motrave Misionare të Nënë Terezës, të cilat, ndër të tjera, punojnë në qendra për fëmijtë jetimë, shtëpi të moshuarve dhe qendra të tjera bamirësie, kishte arritur si numër në më shumë se 4000 në vitin 1997, kur ai ndërroi jetë.

Regjisori amerikan Tony Krantz tha për revistënVariety se filmi, “Kam Etje”, është filmi i parë dhe i vetmi film i autorizuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës që do të çfaqet në ekranet e filmave anë e mban botës.” Ai u shpreh gjithashtu se “jemi jashtzakonisht shumë të kënaqur për këtë film mbi një grua, jeta dhe vepra e së cilës është një pasqyrim i një angazhimi të plotë, besimi, bamirësie dhe dashurie për të tjerët.” Sipas artikullit të revistës së hollivudiane Variety, regjisori Tony Krantz dhe shkrimtari i teksteve të filmave, Keir Pearson do të shkojnë në Indi muajin që vjen, për të përfunduar hulumtimet mbi jetën e Nënë Terezës dhe të fillojë të shkruaj skenarin e filmit. Regjisori Krantz shprehu shpresën, sipas revistës Variety se, shpreson se projekt-filmi do të tërheq një drejtor dhe aktore me famë botërore e cila do të luaj rolin e Nënë Terezës. Ndërsa regjisori tjetër i filmit, Jamey Volk tha për revistën Variety se “mezi presim që filmin të ja paraqesim një audience botërore, ndërkohë që pritet që filmi të jetë gati për ekranet anembanë botës verën e vitit 2015.” Regjisori Krantz shtoi gjithashtu se për këtë film dokumentar ata kanë marrë miratimin e plotë nga përfaqsues të Motrave të Nënë Terezës, madje ai tha se kishte arritur një mirëkuptim me to, “mbrenda 15 minutash”. Ai nënvijoi gjithashtu se filmi, “Kam Etje” do të përfshijë edhe episode personale nga jeta e Nënë Terezës, si për shëmbull episodin e “krizës së dyshimeve”, duke thënë se filmi mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës , “nuk do të jetë një film për Katolicizmin, por do të përqëndrohet mbi veprat e saj.”

Në artikullin e revistës Variety thuhet gjtihashtu se regjisorët kryesorë të filmit do të jenë Reece Pearson i entit të filmave “Flame Ventures” dhe Dick Lyles i entit “Origin Etntertainment”, ndërkohë që “Qendra Nënë Tereza” do shërbejë si këshilltare teknike për filmin. Gjatë gjithë jetës së saj Nënë Tereza, për dashurinë e saj në veprim dhe në jetë kushtuar më të varfërve dhe më të harruarve të kësaj bote, mori lëvdata dhe çmime ndërkombëtare nga më të dalluarat, përfshirë edhe Çmimin prestigjoz më të lartë botëror Nobel për Paqë. Qindra libra e

mijëra artikuj janaë shkruar dhe shkruhen duke mbajtur gjallë fjalët dhe mesazhin e dashurë të Nënë Terezës. Filmi që ka në plan të bëj Holivudi për Nënë Terezën është vetëm një vazhdim i respektit që bota po tregon për Nënë Terezën dhe për veprën e saj edhe pas vdekjes së saj.

Një ndër mesazhet e saja aktuale është mesazhi i saj për rolin dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Në një fjalim drejtuar një konference të Kombeve të Bashkuara në Pekin më 1995, Nënë Tereza u tha grave të botës që “Në vend të vdekjes dhe mjerimit le të sjellim në botë paqë, gëzim e kënaqësi duke iu lutur Perëndisë për dhuratën e paqës dhe për dhuratën e mundësisë për të dashur dhe për të pranuar njëri tjetrin si vëllezër e motëra, si bijë e bija të Perendisë. Ne  e dimë se vendi më i mirë dhe atmosfera më e përshtatshme ku fëmijtë mund të mësojnë se si të dashurojnë njëri tjetrin është pikërisht familja, ku ata shohin prindërit e tyre duke dashur  njëri tjetrin dhe duke iu lutur Perendisë. Kur familjet shkatërrohen dhe nuk janë të bashkuara, shumë fëmij rriten duke mos ditur të dashurojnë të tjerët”. Nënë Tereza vazhdoi duke thënë se, “një vend ku shumë familje janë shktatërruar në këtë mënyrë, do të ketë shumë probleme.” Një mesazh aktual ky, jo vetëm për familjet e ngushta shqiptare, por edhe për familjen më të madhe dhe më gjërë të kombit shqiptar, duke theksuar se “Kur familjet janë të forta dhe të bashkuara”, përfundoi Nënë Tereza mesazhin e saj drejtuar grave të botës në vitin 1995 në Pekin, “Fëmijtë shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë në çfaqjen e dashurisë midis prindërve të tyre, dhe si të tillë rriten që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë atdheun e tyre në një shoqëri më të mirë dhe më të dashur për të gjithë”.Në një artikull mbi Nënë Terezën disa muaj më parë, me rastin e njoftimit të Lumturimit të saj nga Vatikani pata shkruar se ne shqiptarët kudo, me të drejtë mburremi shumë me Nënën tonë Tereze, bijë të një gjaku. Me krenari e themi, përfshirë edhe udhëheqsit e tanishëm më të lartë të kombit shqiptar të të gjitha trojeve, se Nëna Tereze është simbol dhe bartëse e vlerave më të mira e më të bukura të kombit shqiptar. Por ama, megjithë adhurimet dhe krenarinë që tregojmë në sipërfaqe për ‘të – kur të merret parasyshë gjëndja politike dhe shoqërore në të gjitha trevat shqiptare unë nuk mund të durohem pa iu bashkuar cinizmit dhe skepticizmit të të ndjerit Profesor Peter Priftit, i cili disa vjetë më parë është shprehur për librin e Genc Lekës mbi Nënë Terezën duke bërë pyetjen: “A mos ishte lindja e Nënë Terezës në rrethin tonë një gabim, një devijim gjenetik ndofta, apo një sinjal hyjnor, një paralajmërim paraparak për një të ardhme madhështore për kombin shqiptar? Kur shoh gjendjen në Shqipërinë e sotme, mendoj të parën; por më pëlqen të besoj të dytën”, qe shprehur Profesor Peter Prifti dhe vazhdoi: “Pyes veten, kemi të drejtë si shqiptarë të mburremi me motrën tonë të bekuar? Mendoj se Nënë Tereza nuk nderohet me levdata, me konferenca shkencore, me shërbime përkujtimore, as edhe me lutje e pelegrinazhe te varri i saj. Sa kohë që neve nuk bëjmë ndryshim, asnjë përmirësim në marrëdhëniet tona shoqërore e politike, atëhere përsa na përket neve si shqiptarë, ajo jetoi kotë në këtë botë. Atëherë do jetë më mirë të mbyllim gojën dhe të mos guxojmë kurrsesi të themi se jemi njerëz të një gjaku e të një gjuhe me Nënë Terezën”, përfundon profesori i nderuar, i ndjeri Peter Prifti.

Duke marrë parasyshë sulmet e kohëve të fundit nga disa qarqe sado të vogëla, kundër Nënë Terezës, ky cinicizëm dhe skepticizëm, të cilin e ka shprehur aq bukur i ndjeri Profesor Prifti vite  më parë, megjithëse unë personalisht nuk besoj se është gjithëpërfshirës — fatkeqsisht sa vjen e shtohet. Por, të pakën Holivudi po e bën të vetën duke përjetësuar jetën dhe veprën e kësaj bije të Arbërit, të cilën ish-Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Perez de Quellar e pat quajtur si, ”më të madhe se të gjithë ne”.

Nga e majta, autori me Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington, një takim që asnjëri  prej nesh nuk do ta harrojë kurrë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli, Nje film per Nene Terezen

Rikthim i suksesshëm i Andamion Murataj dhe Shqipërisë në skenën e filmit Europian

January 24, 2014 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta, New York / 

Skenaristi dhe regjizori i talentuar Andamion Murataj e bëri të njohur artin shqiptar në shkallë ndërkombëtare. Me filmin “Fjala e Gjakut” (The Forgiveness of Blood) Andamion arrit të fitojë çmimin prestigjioz “Ariu i Argjendë” për Skenarin më të Mirë në Festivalin Nduerkombëtar të Filmit në Berlin 2014.

Skenari i tij i rradhës mban titullin “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) dhe e merr temën nga burrneshat shqiptare. Ky skenar ka tërhequr vëmendjen e shumë figurave të njohura të kinematografisë botërore duke shënuar sukses që në hapat e tij të parë. Andamioni sapo ka shënuar edhe një përfaqësim dinjitoz në Trieste të Italisë ku filmi i tij është  ndër 12 projektet e filmit artistik të përzgjedhur prej 200 filmave konkurues, për tu prezantuar para forumit të rëndësishëm të producetëve europianë “Kur Lindja Takon Perëndimin” ( When East Meets West). Ky sukses vjen disa muaj pas arritjes së tij të mëparëshme ku skenari u përzgjodh si një ndër 10 projektet internacionale më premtuese për zhvillim nga një juri që përfshin disa nga figurat më të larta të skenarit botëror, filamt e të cilëve janë të vlerësuar me çmimin Oskar siç janë David McGee (Jeta e Pi, Finding Neverland), James V. Hart (Drakula, Hook), etj.

“Skenari i filmit ‘Burri i Shtëpisë’ një histori shumë origjinale, emocionalisht ngërthyese e shkruar shkëlqyeshëm që na dërgon në një botë të panjohur. Është një skenar mrekullisht ndjellës për një botë të çuditëshme dhe misterioze të mbushur me karakteret krejt unikë. Është një rrëfim me potencial të mrekullueshëm kinematografik” thotë Clarie Dobbin, drejtore e Festivalit të Filmit Ndërkombëgtar të Melbourne dhe mentor i Laboratorit të Zhvillimit të Skenarit:  Eksperienca Puljeze 2014.    “Unë besoj që një skenar i mirë është “basti” më i sigurt për suksesin e një filmi. Filmi i mëparshëm nuk e pati fillimin e “Burrit të Shtëpisë” dhe do më pëlqente të thoja që fillimi i mbarë është gjysma e punës, por nuk është krejt kështu. Në film, çdo hap është përpjekje intensive. Shpresoj që në momentin e duhur të më bashkangjiten njerëzit dhe institucionet e duhura në këtë rrugë, të cilën deri më tash e kam bërë i vetëm. Është pjesë e punës si ‘filmmaker’ të kërkosh mbështetje, por është po aq pjesë e detyrimeve institucioneve kombëtare të identifikojnë dhe mbështesin projektet që dëshmojnë cilësinë në konkurrimet ndërkombëtare,” thotë Andamion Murataj.Kualiteti i projektit “Burri i Shtëpisë” ishte premtues që në Laboratorin e Puljas. Mbas experiences në Pulja, regjizori Murataj u kthye në Shqipëri për të thelluar kërkimet mbi temën dhe për ta zhvilluar më tej. Sukseset më të fundit te projektit më të ri të regjizorit dhe skenaristit të shquar Andamion Murataj, shënojnë arritje të re për kinemanë Shqiptare e cila së fundi po vlerësohet në rangun e lartë të arritjeve të artit europian. Eshtë një moment historik që kërkon trajtim dhe vëmendje të veçantë te institucioneve të artit dhe filmit në Shqipëri, sidomos pas dështimit të institucioneve të filmit në shqipëri për tu rradhitur ndër mbështëtësit e filmit “Falja e Gjakut” që rezultoi të ishte suksesi më i madh i kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare.   “Unë shpresoj që institucionet e filmit në Shqipëri të kenë nxjerrë mësimet e duhura e të mos përsëritet sërish ajo çka ndodhi me filmin “Falja e Gjakut”. Do të ishte fatkeqësi t’i rikthehemi sërish në pikën zero. “Burri i Shtëpisë” është fitues në shumë evente ndërkombëtare dhe institucionet europiane të filmit e kanë kriteret përzgjedhëse shumë të qarta. Është koha që filmat shqiptarë të kalojnë nëpër të njëjtat filtra konkurues dhe për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare në vendin e origjinës” shtoi regjizori Andamion Murataj.Burri i Shtëpisë (Man of the House) rrëfen historinë e një burrneshe shqiptare në ditët e sotme, e cila duhet të zgjedhë nëse duhet të vazhdojë jetën e saj prej burri apo të rigjejë ndjenjat e ndrydhura femërore për tu bërë nëna që i mungon mbesës së saj, Zanës.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adamion Murataj, ne skenen e filmit Europian, rikthen Shqiperine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 354
  • 355
  • 356
  • 357
  • 358
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT