• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERMONELA JAHO- DALLËNDYSHJA E PUCINIT(LA RONDINE), NE COVENT GARDEN OPERA HOUSE, LONDËR

July 22, 2013 by dgreca

Shkruan: MAL BERISHA*/

La Rondine (Dallëndyshja) Premjerë/

17 korrik 2013.  Teatri londinez – Covent Garden Opera House – vazhdon jetën e tij të përditshme. Në njerën anë të tij, në skene ka mbledhur artistë nga më të mirët e globit. Nga ana tjetër mbushet me spektatorët më sqimëtare  të botës, me shijen më të hollë për muzikën, me elitën e ndjekësve të muzikës klasike londineze të cilët nuk falin as gabimin më të thjeshtë, as rrëshqitjen më të vogël zanore. Për Teatrin Mbretëror kjo është një ditë e rëndësishme si çdo ditë premjere. Është shfaqja e njërës prej operave më të bukura  të një autori me emër të madh, Xhiakomo Puçini. Është La Rondine (Dallëndyshja). Në këtë natë të shënuar, ku një numër i pafund teatrosh londinezë hapin siparin e tyre, në Covent Garden Opera House ka diçka të jashtëzakonshme, jo vetëm për audiencën e kësaj shfaqje por më shumë se për këdo, për ne shqiptarët e Britanisë së Madhe. Kjo natë është e jashtëzakonshme sa për artisten Ermonela Jaho aq edhe për Ambasadën Shqiptare në Londër dhe lidhet me emrin dhe reputacionin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Është Diva Globale e cila këtë skenë ka vite që e shkel, dhe sa herë që vjen, aq herë e shton numrin e pasonjësve të vet. Sa here që vjen, aq herë ua rrit krenarinë shqiptarëve në këtë vend ku arti çmohet ndoshta më shumë se çdogjë tjetër. Po kush është Ermonela në fakt, ashtu siç i është paraqitur ajo publikut londinez në përshkrimin e bërë në librin shoqërues të biletës për artistët interpretues të kësaj Opere në rolin e Magda de Civry?

“E lindur në Tiranë ajo studjoi muzikë në vendin e saj e pastaj në Romë. Ajo ka debutuar në Tiranë që e vogel duke interpretuar rolin e Violetës që kur ishte 17 vjeçe. Paraqitjet e saj të viteve të fundit para publikut përfshijnë Violetën në Royal Opera, Berlin State Opera, Opera de Lyon, Hamburg State Opera, Arena di Verona, Vienna State Opera, Deutche Opera Berlin, Bavarian State Opera, Sour Angelica Royal Opera; Cio-Cio-San e Baterflait në Filadelfia, Koln, Liceo, Barcelona; Mimin e Bohemës në Berlin State Opera, La Monnaie, Bruksel; Liun  e Turandove në Filadelfia, San Diego; Luisa Millerin dhe Anna Bolenën në Opera de Lyon; Magda de Civryn e La Rondine në Trieste Vitella, La Clemenza di Tito dhe Xhulietën në Capulleti e i Montechchi në Avignion; Micaealan në Glyndbporne, Romë, Arena di Verona; Margaritën e Faustit në Helsinki;  Massenet’s Manon në La Scala, Milan, Marsjejë; Madamë Baterflain e ka luajtur në operat e Hamburgut, Avinjonit, Champs Elize, Paris; Violetën në Operan e Vjenës, Mimin në Londër dhe në Lyon e sa e sa tjera”.

Nëse do të vijonim  me emrat e veprave dhe vendeve ku ka interpretuar Ermonela Jaho, kjo listë  do të ishte shumë e gjatë. Por le të kthehemi tek “Dallëndyshja” e 17 qershorit në Covent Garden Opera House në Londër.

 

                Opera apo Operetë?

 

Opera Dallëndyshja (La Rondine) e Puçinit është shkruar në vitin 1915. Ajo ishte porositur nga Caritheater i Vjenës si një opera me një libret gjerman. Puçini e shkruajti atë bazuar në libretin e Xhuzepe Adamit në gjuhën italiane. Por pikërisht atë vit Italia hyri në luftën e Parë Botërore duke patur në anën tjetër të frontit Austrinë. Të shkruante një opera për Austrinë, për patriotin italian, kompozitorin e madh Puçini, ishte e pamundur. Prandaj ai zgjodhi ta ekzekutonte veprën në premjerë në një vend asnjanës,  në Monte Carlo. Premjera u dha në vitin 1917. Që prej asaj kohe kjo vepër është interpretuar shumë herë por gjithmonë është diskutuar nëse ishte opera apo operetë. Ajo nuk është as opera komike as tragjike por ka ndoshta mbylljen më melankolike në historinë e skenës operistike. Diskutimi për të vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ermonela Jaho i jep Veprës një pamje dhe kuptim të ri.

Artistët e mëdhenj lenë gjurmë ne çdo paraqitje para publikut. Puna e artistit është përherë një punë krijuese, kërkuese elementësh të rinj, gjetjesh të mjeteve artistike të pa përdorura më parë. Ndryshe gjërat do bëheshin të zakonshme. Parë në këtë plan, ajo që sjell këngëtarja jonë në skenën mbretërore është diçka e re, diçka e dallueshme, e veçantë. Në natën e 17 qershorit ajo e mbajti publikun londinez
pezull, në ajër, me frymë të ndalur. Në sallën mijëra vetësh dëgjohej vetëm tingulli i zërit të saj i shoqëruar nga një orkestër që nuk ka asgjë më pak se ajo çfarë bëhët në Mbretërinë e Muzikës – Operan Mbretërore Londineze. Zëri i saj i kthjellët, magjik, deri në prekje fundore të çdo ndjenje njerëzore me timbrin e tij është në një harmoni gati hyjnore me orkestrën, levizjet skenike, dekorin, dritat dhe tërë pamjen spektakolare të sallës. Lëvizjet e stërmenduara në skenë, kujdesi ndaj çdo detaji, aktrimi me këngen alternohen deri në atë masë sa kur bie perdja, njeriu nuk dallon dot se sa orë, vite apo jetë ka kaluar në atë sallë magjepsëse.

Shfaqja vjen me një rritje të vazhdueshme për të ardhur tek triumfi i padiskutueshëm që shpërthen në duartrokitje, mallëngjim, dhimbje, vaj, reflektim individual të çdo njeriu që gjëndet në atë sallë. Është një triumf i padiskutueshëm. Një lloj ndërthurje ndjesishë, admirimi, një lloj katarsisi ku çdo njeri e gjen veten në mënyrën e vet, një lloj meditimi emocional që përkthehet në lotë dhimbjeje, dashuri njerëzore, hyjnizim artisti, nevojë për të parë mbrapa tek e kaluara e vetvetes. Minuta të tëra duartrokitjesh, dhe zbrazëtim i asaj salle për t’i lënë vendin shfaqjes së të nesërmes.

Duke e parë Operan La Rondine në interpretimin e trupës së Covent Garden Opera House me Divë Ermonela Jahon, mendja më vajti tek rregjisori i famshëm gjerman Rejnhard i cili drejtonte Burgteatrin e Vjenës ku luante Moisiu ynë i Madh. Kritika e asaj kohe hamendësonte rreth disa shpërthimeve në interpretimin e Moisiut të karaktereve të tilla si Hamleti dhe që shfaqeshin tek artisti ynë i madh papritur, jashtë natyrës austriake. Këtë veti të tij, kritikët ia lanë origjinës së tij shqiptare. Ky konstatim kritik ndaj Moisiut tonë vjenez më çoi të mendoja dhe të shihja në skenë një temperament tjetër, një Magda de Civry e cila i sjell Londrës një natyrë tjetër të këtij personazhi, një sjellje tjetër, shumë më të kujdesshme ndaj vlerave familjare dhe morale.

Madgi da Civry, e luajtur nga Ermonela Jaho solli para spektatorit londinez një karakter shumë të ngjashëm me një shqiptare. Puçini dhe Adami e kanë sjellë deri në fund të shfaqjes Magdan në jetën e saj aventureske dhe ata janë autorët e veprës. Por ka gjithmonë diçka të fortë, jo vetëm emocionale por edhe filozofike që artisti interpretues i vesh rolit që luan. Në këtë rast, i tërë dramaciteti i veprës ndërtohet prej artistes tonë bazuar në konfliktin e njohjes së vlerave morale, dashurisë së fortë pasionante që kërkon të ndërtojë një jetë të bukur bashkëshortore me pëlqimin e familjes, nënës së Rugeros në këtë rast nga njëra anë, dhe pengun moral të së shkuarës së saj në anën tjetër. A duhet thënë e vërteta dhe pastaj gjërat të rrjedhin si të rrjedhin? A duhet të ndërpritet ajo dashuri, që sado në dukje e panatyrëshme, ka forcë të jashtëzakonshme? A duhet marrë dashuria e çmendur e Rugeras që nuk merr parasyshë asgjë nga e kaluara, apo duhet “vrarë” ajo dashuri që pa lindur që mos të ndodhë e njejta gjë kur gjithçka të merret vesh? E tërë kjo betejë shpirtërore a Madgës – Ermonelë ka në vetvete dilemën e madhe që zakonisht e mbartin përfaqësues të kombeve me traditë ende shumë të forte morale, ku e ardhmja nuk mund të ndahet kurrësesi nga e shkuara dhe në këtë rast e dyta bëhet pengesa më serioze ndaj së parës. Kjo është tejet shqiptare në të vërtetë. Dilema deri në vendim për të lënë Rugeron, pikërisht sepse e donte atë, e trajtuar vërtetë në një mënyrë që të kujton ende një mentalitet shqiptar, e mbajti sallën në një gjëndje të plotë “kontrolli” emocional deri sa gjithçka u shkri, u tret dhe humbi thuajse në lotët e çdo spektatori përfshirë autorin e këtij shkrimi.

Mbyllje:

Performanca e Ermonela Jahos në Teatrin Mbretëror të Londrës ishte për artin shqiptar në përgjithësi,  për bashkësinë shqiptare në Britani dhe për vetë Ambasadën Shqiptare në Londër në veçanti, një ngjarje e madhe artistike. Për këta të fundit, prania e saj në veprimtari të tilla e çon akrepin e opinionit britanik për shqiptarët drejt nordit të ndritshëm duke zbehur deri në zhdukje opinionin se shqiptarët dinë vetëm të emigrojnë dhe kur e bëjnë këtë e bëjne edhe me shumë problematikë për vendasit që i presin.

Ambasada në Londër pati nderin dhe krenarinë ta mirëpresë artisten e madhe në mjediset e saj dhe po ashtu ta ndjekë në shfaqje duke marrë edhe urimet më të mira nga vetë Covent Garden Opera House për arritjet e kësaj artistje të madhe shqiptare.

*Mal Berisha : është Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut,

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dallendyshja e Pucinit, Ermonela Jaho, Mal Berisha, ne Operen e Londres

KJO BOTË NUK ËSHTË E PËRJETSHME, PRANDAJ JEPI VLERË E KUPTIM CDO DITË

July 21, 2013 by dgreca

*Këtë filozofi lexuesi do e gjejë në librin e saj met ë ri “30 vjet lumturi”, qe botoi shtëpia botuese Milosao-Gjirokastër./

Shkruan: Sokol Demaku/

Jeta e lumtur, dashuria dhe idili në jetë ruajnë kujtimet më të bukura në jetën e njeriut qoftë edhe nga rinia e hershme. Shkrimtarja e re Dhurata Ramadan Lezo me përvojën e saj krijuese ka sjellur për lexuesin tonë copëza jete të ruajtura në arkivin e saj, të cilat komunikojnë edhe sot me dëlirësi rinore me lexuesin kur kemi të bëjmë me jetën idilike, rinore të kohës në të cilën autorja ka jetuar dhe  ka ruajt dhe sot bart ngjarjet dhe prezenton tek lexuesi përmes  tregimeve të prezentuara në librin e saj më të ri me titull „30 vjet lumturi”. Të gjitha tregimet e shpalosura në këtë libër në vete kanë ruajtur momentet më  karakteristike të jetës rinore të shfaqur përmes tregimeve të shkruara thjeshtë dhe me plotë ndjenja rinore të vet autores.

Autorja e re, pra Dhurata Lezo, e cila për ne deri me tani ka qenë  njohur përmes botimeve aty këty të tregimeve të saja në të perditshme  nga më të ndryshmet, e ja tani edhe me tufën e  tregimeve të përmbledhura në vëllimin e saj „30 vjet lumturi” përmes këtyre tregimeve ajo të kthen në tërërsinë e kësaj bote, në retrospektivën idilike, që nuk ka përfundim.

Dashuria mund të ketë  ndryshim në shfaqjen e saj, por si përjetim e ndjenjë gjithmonë të rrëmben, është ajo cka shumë poet por edhe shkrimtar i ngriten lapidar në shkrimet e tyre, e një gjë të till do e gjejmë edhe tek shumë tergime në këtë vëllim. Në  këtë botë vjen ndnjenja e kënaqësive rinore përmes përjetimeve të ruajtura në thellësi të shpirtit dhe të arkivuara në arka të helmetuara të cilat se vështirë do lejojnë që dicka të humbas, do ruhet e lexohet me kujdes kjo kujtesë e shprehur me filozifin e autorës dhe me ndjenjen e saj pesimiste te jetës por që në fund të fundit autorja shef një dritë e që edhe ia ngorhë zemren dhe shpritin. Ndnjena e shfaqur nuk pasqyron vetëm dashurinë e dy të rinjve, ajo ngreh  në lartësi  përjetimin si objektivë të asaj periudhe e cial ruhet thellë në shpirtin rinor me të gjitha dallgët e pengesave që vinin nga koha e përjetuar për të gjithë të rinjtë, ajo kohë e cila ndoshta ishte paksa jo e zakont. Por nese njeriu analizon si edhe autorja nuk ka fuqi që mund ta betonojë në pengesa këtë dashuri të sinqertë.  Dhe këtë lexuesi do e ndjej përmes leximit të tergimeve të së resë Dhurata. Do bindet lexuesi përmes këtyre perjetimeve të autores e shprehur në rrefimet e saj se të rinjtë, kur dashurohen ata magjepsin tërë ambientin.

E autorja në tergim e saj „Atje ku mban trupi” thotë:

A mund të betoheshe për dashuri të përjetshme në një botë kur cdo gjë qe e përkohshme, kur mbaronte së ekzistuari njeriu, qoftë edhe në mendjen e tjetrit, pastaj, ai tjetri, për një gtimë kohe, vazhdonte të shpresonte qoftë edhe me një shåresë të turbullt.

Nga ajo që prezentohet në këtë libër, kuptojmë se e reja Dhurata Lezo shkruan me ndjenjën e dinjitetit personal duke prezentua ate çka ajo ndjen dhe mabanë në shpirtin e saj dhe me një stil të veçantë bënë përshkrim të gjithanshëm të gjërave të thjeshta e të bukura që njeriu përjeton në jetën e tij, por nuk mungon as ana tjetër e medlajes pra edhe vujatja, hidhërimi, sepse autorja është vetë ajo që në shpirt përjetoj këto çaste edhe hareje edhe deshprimi.

Dhe shton se:

Ai mall, që, po të të braktiste, kishte rrezik të mos i duhesh askujt.

Të njohësh, të përjetosh, dashurinë, duhet të jesh me mendje e shpirt me tregimet e saj në librin ”30 vjet lumturi”, por duhet ta them edhe këtë se fillozofija e shprehur në këto tregime është aq e fortë sa që lexuesi duhet koncentrim gjatë leximit dhe se me siguri cdo  tregim do ta  rilexoj disa herë.

Para nesh kemi një autore që i jep rëndësi filozofisë moderne të  të menduarit për jetën dhe dashurinë duke patur si personazh qëndror ne tregimet e saja dashurinë, relacionet mes të rinjëve dhe ndjenjat e shprehura në këtë aspekt e ku ajo thtë.

Dashuria, ajo e plota, e madhërishmja tragjikisht, s`egzistonte, ose, ose s`kuptohej për besë!

Pra kjo është ajo ana  filozofike e të menduarit dhe të shprehurit të ndnjenjes dhe asaj cka njeriu mban në shpirtine  tij. Folozofija e jetës ka kuptimin e  plotë në tregimet  e Dhuratës. Ate lexuesi e ndjenë në komponim dhe me metaforën e përdorurë për mrekulli nga autorja pothuaj në të gjitha tregimet e këtij vëllimi. E hasim këtë pothuaj në shumicën e poezive të këtij vëllimi.

Autorja i qaset jetës shpirt hapur, me entuziazëm të pashoq e këtë e vërejmë tek tregimi “Varrosja e lumturisë”. Qëndrimet janë kufizime, ashtu si autorja i pranon kufizimet në shijimin e jetës, në përvojën, në jetë dhe filozofin e jetës, në vuajtjet, në ato vuatje që dashuria i sjellë cdo të riu. Ku autorja thotë:

Si një zjarr i vockël digjeshin dëshirat e mia të topitura nëpër natën vetmitare aq sa s`qe zor të më treteshin një ditë ndër duar. Pastaj u binda, nbase ashto kotazi, se ëndërrat ishin mashtruese me plot kuptimin e vërtetë të fjalës, se në jetë dashuria s`ishte kurrë aq e përsosur, pa gabime brutale të pafalshme e pendimsjellëse.

Intelektuali i vërtetë jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret. Jeta është e mbushur me befasi, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e papritur mos të na befasojë, kjo është një qasje reale e jetës e asaj cka njeriu ka në mendje dhe ndjen në vetëvete. Mirepo autorja shprehë pesimizmin e saj për jetën përmes tregimit të saj „Kohë që vdiste” kur thotë:

Kishte mendua se lumturia qe gjendje mendore!

Jeta jonë është e mbushur me befasi, është një histori në vete, është një sprovë, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e papritur mos të na befasojë në jetë sepse atëhere edhe jeta humbë qellimin. Mendimet filozofike për jetën janë të lidhura aq ngusht me religjionin dhe njeriu i ndjenj aq sa që njeriu do konkludoj në këtë se fillimi i mençurisë është frika ndaj Zotit dhe frika ndaj fjalës. E autorja e tregimit „Kohë që vdiste”thotë se Bibla thekson:

Prisnin një ditë kur frika nuk do ua grryente më shpirtin dhe do merrnin frymë lirshëm. Jezusi thotë se secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet. Njeriut i duhej shpresë, gëzim, qeshje. Për shkak të përendisë ishim në jetë, permes rrebeshit të saj, lodhjes së mendimit.

Vazhdojmë me ecjet e leximit, vazhdojmë me bezdisjet  e autores nepër tregimet e saja, pra autorës në shëtitje pa e larguar asnjëherë shikimin nga ngjarjet magjepse, dashuria, famililja,vuajtjet në vend të huaj, nëpërkëmbjet.  Por si duket autorja është pakëz sa e ndrojtur dhe e prekur nga kjo, sepse na shpreh një pesimizëm të saj. Në përshtypje të parë të duket kjo një gjendje humbjeje. Në një moment mundohet ta kapë këtë madhështi, dhe se ia arrinë ta paraqes ashtu si ajo e ndjenë në shpirt gjendjen e saj, ndjenjen e miqesisë dhe humanizmit të shpirtit. Por nuk është e lehtë jeta. Gjithçka e bukur është vështirë të pasqyrohet ashtu siç është në esencë dhe ajo në tregim e saj nga edhe vet libri merrë titullin “30 vjet lumturi” thot:

Kjo botë nuk është e përjetshme, prandaj jepi vlerë e kuptim cdo ditë!

Por autorja e këtyre copëzave dashurie mendon dhe shkon më tutje me filozofin e  saj dhe shton:

Disa lloj dashurie i kishte refuzuar vetem per te provuar magjine e largeses. Ishin te destinuara te te mbanin te gozhduar pas. Jeta, vazhdonte, te tjeret lumturoheshin, kurse ti, ngeleshe me koken kthyer pas. Kishe kaq raste ku mund te perkushtoheshe, te dashuroheshe e te dashuroje…por, nderkohe, e kishe bere zgjedhjen…te ishe perjetesisht e TIJA. Vetem ate te gjente, s’do te qetesohej kurre. “Sa te thjeshta e te nderlikuara qene gjerrat nganjehere!Puna ishte te gjeje njeriun e zemres. Po e kerkonte e do e kerkonte deri ne perjetesi. …..Ti, i thyen te gjitha ligjet e normat…Ti je kulmi i krijimtarise letrare, pse jo, edhe fundi…Nje dashuri e plotesuar. C’tjeter mund te donte njeriu ne jete po te kishte ATE? Vetem me te, mund te provoje dridhje gjunjsh, stomaku e zemre…Djali i mrekullive tek i cili s’kishte asnje te mete, djali i perkryerjeve, i vetmi gezim, i vetmi shtrenjtesi….qe e shtynte ne dliresi. Djali pa emer,i jetes se saj…i humbjes….nga  ”30 VJET LUMTURI”….

Qe e paperseritshme ajo kohe…sepse i kishe te dy, prinderit, plot 30 vjet lumturi, ndersa tani, te duhej t’i perballoje te gjitha vetem. Dhe kish kaq shume skena para syve qe i gervishtnin plaget. Portrete qe shuheshin, shtepi qe s’do shikonte me dy njerez te dashur, deshira te paplotesuara, pengje te lene gjysem…I kishte humbur e s’dinte ku t’i gjente, nuk dinte c’bente ne kete dynja.Si te vinte ajo ne shtepi tani e te mos e priste kush?Si rronte valle kjo zemer, s’i bente pa perqafimin e mamase, pa doren e bukur te te atit, kur shkruante ne bllokun e shenimeve te tre emrat e tyre….NJE LIDHJE E PERJETSHME. Me nje thirrje qe nuk degjohej , por, as shuhej brenda shpirtit…PRINDERIT….tere jeta e saj.

Dhurata Ramadan Lezo na vjen me krijimtartin e saj si një dhuratë lexusit i cili nuk mund të ndahet se lexuari terë vellimin edhe pse në te ka tregime të ndryshme, por kur se lexuari fillon i duket se ngjarjet janë të lidhura ngusht njëra me tjetrën e dhe atëhere ato bëhen edhe më te lexueshme dhe interesante.

Krijimtaria e saj shprehë optimizëm, filozofinë e jetës dhe dashurinë ndaj njeriut e këto ne mund ti quajmë edhe parimet elementare në krijimtarinë e saj.

TAKIM PAS VITESH….Shikoje nje njeri qe dikur e kishe hyjnizuar, e, s’ndjeje gje me. E shumta, vetem mall i perzier me dhimbje per kohet qe kishin ikur. E vetmja qe i rezistonte kohes, ishte lidhja me prinderit. Ajo, s’shuhej, behej me e prekshme deri ne kocke.
E dinte se letersia e kishte fajin, ARTI I SE BUKURES, qe u vishte nje drite magjie.

DASHURI NE XHAM…Koha, ikte e shkonte e njerezit, s’mbeteshin ne vend. Vec kujtimi, i rezistonte asaj. Arrestim kohe, tha ajo e deshperuar. Dinte dhimbjen me keq se plaget qe jepnin kujtimet.

Por është shumë inetersant se në filozofinë e saj na paraqitet edhe besimi dhe  mos besimi në Zot, por kemi edhe ata të cilët janë të misheruar në te, ndërsa në anën tjetër vlerat morale kanë anën pozitive.

Sipas Biblës, frika ndaj Zotit është një koncept pozitiv, një ndjenjë e thellë konsiderate ndaj krijuesit të botës e këtë e thekson në disa prej tregimeve të saja edhe autorja e tufës së tergimeve ”30 vjet lumturi”

Filed Under: Kulture Tagged With: 30 vjet lumturi, Dhurata Lezo, Sokol Demarku

Lili Cingu, vallëzim përkëtej dhe matanë Oqeanit

July 19, 2013 by dgreca

Një ndër legjendat e valles shqiptare, Lili Cingu, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, mbajtësja e Gjerdanit të Artë të Dizhonit, e mërguar për “kapriçio shqiptare” dhe e nderuar nga Parlamenti Kanadez, vallëzon përkëtej  dhe matanë oqeanit. Andej- me partenrin e kahershëm Rexhep Çeliku,- këndej me vajzat dhe djemtë e mërgimtarëve në Kanada e New York, në Tiranë do të çojë përmes një spektakli gjithë jetën dhe biografinë e saj artistike, me të ftuar trashëgimtarë të familjeve, që kërcejnë nëpër skena… Kishte dhe një ëndërr Lili; hapjen e shkollës së kulturës shqiptare në New York…

Nga Dalip Greca*

Në epilogun e mbrëmjes të së dielës të 9 nëntorit, në Festivalin e 13-të Shqiptar në New York, në gjysëmerrësirën e skenës të ndriçuar nga një fashë e hollë drite, u shfaq si një shtojzavalle, e veshur në të bardha, Lili Cingu, mjeshtrja jonë e valleve, një ndër legjendat shqiptare të Dizhonit. Nën ritmin e muzikës kërcimi solo i saj u shoqërua nga duartrokitjet e gjata të më shumë se 2800 shqiptarëve që mbushnin sallën. Ndërsa pas shfaqjeve ishin të shumtë ata që i uronin:Të lumtë Lili, paske mbetur po ajo e dikurshmja, e re në skenë, plot energji!

E takova Lilin së bashku me Gjergj Dedvukajn, në mjediset e “New Yorker-Hotel”-it, pas një vizite në redaksinë e Illyria-s. Biseda fillimisht u përqëndrua rreth mbresave të saj rreth Festivalit shqiptar të New York-ut. E ndjen veten kreanre që ishte pjesë e atij festivali, ku u manifestua kultura shqiptare, pasuria jonë folklorike, bukuria e veshjeve popullore, shpirti krijues i bijëve të mërgimtarëve, dashuria e tyre për kulturën. Ardhja e kryebashkiakut Michael Bloomberg në tubimin kulturor të shqiptarëve ishte vërtetë një vlerësim i merituar për komunitetin shqiptar, thotë Lili.

Prania e Lilit në festival, nuk ishte e rastësishme. Ajo prej kohësh bashkëpunon me komunitetin e New York-ut,  përgatit grupin e valleve pranë ansamblit me shumë emër “Bashkimi Kombëtar” të të apasionuarit  Gjergj Dedvukaj. Që në korrik ajo ka bashkëpunuar me këtë grup dhe ndjehet e kënaqur që ka gjetur këtu në zemër të New York-ut, djem dhe vajza aq pasionant për vallet e bukura shqiptare.

-Ende i kam mbresat e pashlyeshme nga Festivali gjithshqiptar i zhvilluar në Tuz të Malit të Zi,  “Rapsha 203”, – thotë Lili, e cila përgatiti grupin e valleve për atë manifestim gjithshqiptar. Duartrokitjet që mori ky grup në Tuz ishin emocionuese dhe shumë vlerësuese. Kjo tregon se diaspora jonë është për t’u lëvduar për këmbënguljen që tregon në ruajtjen e traditave, këngëve, valleve, gjuhës kombëtare. E pashë këtë në Rapsha 2003, por e pashë më mirë edhe në Festivalin e 13-të Shqiptar të New York-ut. Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e madh që jep  grupi “Bashkimi Kombëtar” dhe Gjergj Dedvukaj që e drejton atë. U bë  kohë  që unë bashkëpunoj me këtë grup. Isha edhe këtë radhë koreografe dhe kam ndjerë kënaqësi për këtë bashkëpunim të frytshëm. Nuk edi nëse diaspora jonë ia çmon si duhet kontributin që Gjergji së bashku me djemtë e vajzat e grupit i japin kësaj diaspore, por unë e kam ndjerë këtë, sidomos në Shqipëri dhe në Mal të Zi, ku ky kontribuut shihet si një vlerë kombëtare dhe i entuziazmon shumë ata matanë oqeanit. Nuk e di nëse arrihet që të vlerësohet drejt mësimi i këngës dhe valles shqipe tek ata breza që kanë lindur këtu dhe me plot pasion arrijnë të kapin ritmin e valles apo melodinë e këngës. Kjo është vërtetë një punë e mrekullueshme, një investim që nuk ka të çmuar. Emërtimi simbolik ”Bashkimi Kombëtar” për mua përmbledh në vetevete një emërtesë emocionale që ta drithëron shpirtin. Paraqitja e këtij grupi në Rapshë ngjalli emocione të fuqishme.Si tani kam parasyshë paraqitjen e grupit në Vitoje, parakalimin e tij me ato veshjet e bukura, ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme, shpirtërisht tronditëse. Ju i patë dhe vetë në skenën e Festivalit të 13-të se si gërshetoheshin brezat dhe se si përcillej kënga dhe vallja nga ata fëmijët e vegjël, që bënin të dridhej salla, e deri tek moshat e rritura, tek Veseli, që është bashkudhëtar me të 13-të festivalet e shqiptarëve këtu në New York. A nuk qe diçka mahnitëse?, i mbyll me një fjali pyetëse mbresat e saj nga “Rapsha 2003”, Lili.

Ajo nuk është ndarë shpirtërisht pavarësisht ikjes së saj në ”vitin e mbrapshtë” 1997.

Asnjëherë nuk e ka parë veten të larguar nga vendlindja, Shqipëria. Ka jetuar përherë me mirënjohjen për vendin që e lindi, ku dhe bëri aq emër. Pyetjes time se çfarë mendon për ikjen e artistëve nga Shqipëria, që ende lëngon në tranzicionin e dhimbshëm, ajo i përgjigjet:

– Nuk e di se si e konceptojnë të tjerët largimin, por artistët e kanë të veçantë përjetimin e dyfishtë të vetes me atdheun dhe vendin e ri ku emigrojnë.Për mua është normale që artistët të emigrojnë. E them këtë sepse gjendja ekonomike e justifikon ikjen. Nuk mund t’i thuash artistit rri aty nëse e do vendin, e do atdheun. Edhe ai është njeri, edhe ai ka punuar një jetë dhe nuk ka siguruar asgjë në aspektin financiar, si pjesa më e madhe e popullit. Mund të keshë shkëlqyer si artist, por shpërblimi dihet se i ç’përmasave ka qenë, thjeshtë sa për mbijetesë. E rëndësishme është që ta duash atdheun, ta respektosh, ta përfaqësosh në një farë mënyre edhe atje ku jeton, në emigracion. Për mua është e rëndësishme që në Kanada e kam përfaqësuar vendin tim. Me vallet tona, me kostumet tona kombëtare kemi bërë njerëzit që të kthejnë sytë nga ne e të interesohen për vendin tonë. Është e njëjta gjë që kemi bërë dikur, kur ansambli ynë i këngëve dhe valleve pëfaqësonte vendin jashtë shtetit. Ansambi ishte si të thuash një dëshmi jashtë izolimit se brenda atyre mureve, nën rrethim jetonte një popull me shpirt e dhunti artisti.

Lili tregon se nuk ka patur plane të emigrojë. Emigrimi i saj ka ndodhur në vitin e trazirave, në vitin 1997, ku anija shqiptare rrezikohej të mbytej në detin e zemrimit të shqiptarëve shoq me shoq. Pyetjes time se përse vendosët që të emigronit?-ajo i përgjigjet ende e pavendosur: Nuk e di. Qe një vendim i momentit, jo i paramenduar. Ma kanë bërë këtë pyetje shumë gazetarë. Më duket se dhe atyre u kam thënë se ishte një kaprico e rastit, e momentit. Isha në një turne në Toronto dhe menjëherë kam marrë vendimin që të mos kthehesha. Them se qe një vendim i çastit, nuk  them se ky vendim është i mirë, as i keq.E ndjej veten me fat që u integrova shpejt në komunitetin shqiptaro- kanadez. Komuniteti fillimisht u habit me moskthimin tim, por menjëherë ai më bëri pjesë të vetën. Unë qëndrova për t’iu përkushtuar artit të popullit tim. Menjëherë i hyra punës. Koncertet erdhën njëri pas tjetrit. U mirëprita dhe u duartrokita. Nuk e kisha mirëpritur aq shpejt suksesin, por vullneti dhe pasioni më nxorën në breg. Suksesi im nuk erdhi vetëm në komunitetin shqiptar të Torontos por edhe në komunitetet e tjera. E kam ndjerë veten krenare, kur sapo prezantohesha se isha nga Shqipëria, më thoshin o, nga Nënë Tereza. Ne shqiptarët jemi me fat se jemi të përfaqësuar aq lart në opinion botëror me një figurë të tillë të përmasave të paarritshme. Pasioni im dhe vullneti që bashkëshoqëroi atë më hapën dyert në Kanada. Them si isha jo thjesht e vlerësuar, por dhe pak e “përkëdhelur” nga emigracioni kanadez, që më krijojë hapësirë që do ta kishte zili çdo artist. E dëshmon këtë jo thjesht një diplomë vlerësimi nga Parlamenti Kanadez, të cilën unë e kam të koleksinuar në vlerësimet e mia, por mbi të gjitha, trajtimi i ngrohtë dhe pakufi, prania ime në festat kanadeze, në ditët e shënuara të komuniiteteve të tjera dhe padyshim, në festat tona kombëtare, si në ditën e shenjtë të Flamurit dhe në të tjera gëzime të bashkëkombasve.

Përvojën 30 vjeçare koreografike, Liliana ua përcjell edhe të vegjëlve, fëmijëve të lindur në Kanada dhe Amerikë ose brezave që vazhdojnë të emigrojnë në këtë anë të kontinentit. Edhe kur të vdes ndoshta do të jem duke kërcyer, duke lëvizuar duart, thekson ajo…E kam thënë njëherë në një intervistë se po të organizoheshin spektaklet e misseve në kohën tonë, padyshim që unë jo vetëm do të konkuroja, por edhe do të fitoja. Një gazetare shkroi:Liana:Sikur të isha miss! Arti të mban të ri, pra nuk ndjen plakje. Unë e ndjej veten krenare që kam gjetur edhe në Amerikë një brez të rejash dhe të rinjësh të dashuruar me vallen. Dhe ndjehem shumë e lehtësuar, shumë e lumturuar kur ata më “kopjojnë” çdo lëvizje që u mësoj. Më mrekullojnë rastet kur familjet tregohen aq të gatshme për t’i sjellë fëmijët  e tyre në grup, që të mësojnë vallet tona të bukura që kanë magjepsur gjithkënd në botë. Më mrekulloi fakti që në grupin “Bashkimi Kombëtar” pashë tri motra aq të pasionuara pas trashëgimisë tonë popullore; familja e Tom Gjergjit sjell në grup tri vajzat dhe djalin; shikoj dy motrat, Dianën dhe Tinën, që me aq pasion përpiqen të interpretojnë me kërkesa profesioniste; apo rapsodi, Vasel Dedvukaj, që për 13 vjet nuk ndahet nga skena. Ka shumë nga ata që edhe pse jetojnë larg vendit ku zhvillohen provat tregohen plot vullnet dhe asnjëherë nuk nxjerrin probleme. Ju i patë vetë në skenën e festivalit të 13-të se si këndonin e kërcenin të gjithë sikur të ishin profesionistë. Në çaste të tilla unë thosha me vete:ne si popull dimë të kërcejmë dhe të këndojmë të gjithë!

Lili zbulon planet për të ardhmen. Ajo tregon se së bashku me valltaret e këtij grupi vitin e ardhshëm do ët jetë në Festivalin Kombëtar në Shqipëri që do të zhvillohet në Gjirokastër. Tashmë “Bashkimi Kombëtar” është i njohur në Shqipëri. Shoqëria ëshët mirëpritur në Shqipëri dhe është vlerësuar nga publiku. Nuk është më sekret, thotë Lili, se vitin e ardhshëm ky grup dhe unë në përbërje të tij do të paraqitemi me kërkesa jo vetëm paraqitjeje, por edhe konkurentë për çmim.

Në verë Lili ka qenë në Tiranë dhe ka kontaktuar personalitetet e lartë  të kulturës, përfshirë dhe minsitren e kulturës, të cilën e ka njoftuar për objektivin e “Bashkimit Kombëtar” të valltarëve që ajo po përgatit. Do të jepen shfaqje edhe jashtë New York-ut.Jo vetëm kaq, por tani bëhet fjalë edhe për një shkollë për artin shqiptar. Shpresojmë që ajo të ngrihet së shpejti dhe të përfshijë të gjitha llojet e artit shqiptar, përfshirë dhe vallet; këngët, instrumentat etj. Doemos se pritet edhe një mbështetje nga biznesi, pse jo dhe nga shteti shqiptar, i cili duhet ta ndjejë peshën e nëj komuniteti të organizuar në SHBA, veçanërisht këtu në New York.

Toronto- New York, Lili e sheh veten herë atje e herë këtu, ku e ndjen veten më mirë Lili? Çfarë ëshët vallja për Lilin? Jo në kuptimin klasik, kuptimor? Thjesht shpirtëror…

– Për mua vallja është mbijetesë, për mua vallja ëshët gjithçka; më duket se kam lindur njëherësh me vallen, ndoshta dhe do të vdes së bashku me vallen. Vallja është drithërimi, është diçka që qëndron me mua dhe nuk ndahemi dot nga njera-tjetra.

– Kur u takuat me vallen…Kur e kuptuat se ishit të dashuruar me vallen?

– Që në moshën 3 vjeç, kur unë arrita të ecja lirisht, pra të ecja e të ruaja ekuilibrin, kur e pashë veten në këmbë dhe të rriturit hapnin radion, kur trasmetohej muzikë, siç më thonë ata, unë filloja e kërceja. Madje edhe kur prindërit shkonin në koncerte të ndryshme, unë mbetesha në këmbë duke kërcyer.Them se vallja ka qenë brenda meje, unë vetëm e kultivova atë, e përsosa me vullnetin tim dhe të profesorëve të mi, – thotë Lili.

Në skenë ajo është ngjitur në Pallatin e Pionierëve, ku kanë shkëndijuar thuajse të gjithë talentet e brezit të saj. Atëhere Lili nuk ishte më shumë se 6 vjeçe. Ndërsa emri i saj u publikua në afishet e kryeqytetit, këtu e 30 vjet të shkuara. Më pas emri i saj do të ishte pranë të mëdhenjëve të skenës koreografike: Besim Zekthi e Rexhep Çeliku.

Ka qenë nxënëse e mjeshtrit Gëzim Kaceli dhe e mjeshtrit të madh të valles shqiptare, Panajot Kanaçi, që i ka dhënë shqiptarëve aq shumë në këtë fushë.

-Kam qenë me fat që pata besimin e mjeshtrit Kanaci dhe jam ndjerë e sigurtë në ajër, ngaqë kam qenë në duart e sigurta të Besim Zekthit dhe të Rexhep Çelikut.

Në memorien e Lilit kanë mbetur shumë aktivitete, por mbi të gjitha, emocionet më të mëdha i mbart turneu i Francës, i ruajtur dhe në kujtesën e gjithë shqiptarëve si “Gjerdani i Artë” i Dizhonit, ku ansambli ynë u bë “heroi” i turneut  të vitit 1970. Ishin 44 shtete në atë festival botëror. Grupi i shqipeve gati fluturone.

– Mbaj mend se gazetat pariziene shkruanin me shkronja të mëdha në faqet e para; “Po fluturojnë shqipet”, ”Po vjen stuhia shqiptare”, ”Toka tundet nën këmbët e tyre”. Ndër 10 mijë spektatorët unë e pashë veten të emocionuar kur më vunë në gjoks gjerdanin e artë, – tregon Lili.

Në vitin 1986 ajo ka marrë titullin ”Artiste e Merituar” dhe pyetjes time ”nëse ndjehet e vlerësuar nga shoqëria shqiptare, deri në lartësinë e atij titulli” ajo i përgjigjet:” Ndoshta nuk mund të them se ndjehem e përkëdhelur. Për aq sa i kam dhënë vendit më takonte më shumë. Ndoshta diçka do të ndreqet, kohë ka”.

– Mos vallë ky mosvlerësim ka qenë shkak i qëndrimit tuaj në Kanada pas atij turneu në Toronto në vitin 1997?-e shtyj më tej bisedën.

-Them se ky shkak ka patur ndikimin e vet në atë vendim të çastit që ndryshoi pjesën e mbetur të jetës sime. Me atë pension aq të vogël sa më doli për 30 vjet në skenë, nuk mund ta ndjeja veten komode në Tiranë. Kisha punuar 30 vjet, isha ngjitur në skenë në vitin 1967, e mbylla karreirën zyrtare shtetërore në vitin 1997, ndërkohë që edhe 6 vjet këndej e pandarë me vallen dhe skenën përbëjnë një përvojë që unë nuk mund ta mbajë brenda vetes. Pra gjithmonë kam diçka për t’i përcjellë brezit pasues. Kam vendosur që vitin e ardhshëm të gjithë këtë përvojë ta përcjell në një recital në Tiranë, atje ku nisi karriera ime. Shpresoj se do të jetë diçka e veçantë, që të rezonojë emocione. Padyshim që nuk do të jem ajo që isha para 30 vjetësh, se atëherë isha më energjike, kisha tjetër pamje, por gjithsesi ende kam shumë për të dhënë në skenë. Sa herë shkoj në Tiranë nuk më mungojnë ofertat për të dhënë koncerte, shenjë kjo që tregon që edhe të tjerët ende presin prej meje. Pastaj dhe stafet që po merern me këtë do të dinë të dhurojnë të papritura.

Liljana Cingu si emigrante e përjeton jetën dyfish: si artiste dhe si njeri. Po ç’të veçanta ka në këto përjetime? Për të marrë një përgjigje i drejtova pyetjen:

– Çfarë i mungon Lilit njeri dhe Lilit artiste në emigracion?

– Si çdo emigranti, – thotë ajo, –  edhe mua më mungojnë shumë gjëra, vendlindja nuk mund të zëvendësohet, atje ku janë gjurmët e jetës time, fëmijëria, të afërmit, emocionet e mbetura në vendet e dashura…Unë jam artiste dhe nuk më mungon njohja dhe takimet, qoftë me ata që na kanë adhuruar në skenë, qoftë me të njohurit. Unë sa herë shkoj në Tiranë përtërihem; nuk ka hap që të mos më shoqërojnë përshëndetjet, të njohur e të panjohur. Nuk mund ta fsheh: nostalgjia është ndjenjë që më ka ngacmuar shumë për vendlindjen. Shpesh edhe kam qarë. Artisti është një masë e pafund emocionesh.

– Tani që po afron Dita e Flamurit, 28 Nëntori, ajo është e shumëkërkuar. Që me datë 23 nëntor i duhet t’u përgjigjet ftesave në Kanada; madje ka dhe komunitete të huaja që duan ta kenë në festat e tyre, ka ftesa nga New York-u, Toronto e gjithandej. Do të përpiqem të shkoj atje ku mundësia është më e madhe. Lili vlerëson shumë median e New York-ut, veçanërisht Illyria-n që, siç thotë ajo, është shumë e orientuar dhe shumë kombëtare; njeriu që e lexon këtë gazetë orientohet menjëherë; mëson se ç’ndodh këtu e ç’ndodh në hapësirën shqiptare; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi. Shqiptarët e Amerikës janë shumë më të organizuar se ata të Kanadasë. Megjithatë edhe atje kohët e fundit ka një lëvizje pozitive, ka televizion, ka një gazetë, pra ka një orientim…

Ja kështu, përmes bisedës, ne u sollëm copëza nga jeta e artistes, një ndër legjendat e valles shqiptare, Lili Cingu, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, mbajtësja e Gjerdanit të Artë të Dizhonit, e mërguar për “kapriçio shqiptare” dhe e nderuar nga Parlamenti Kanadez, e cila vallëzon ende përkëtej  dhe matanë oqeanit. Andej me partenrin e kahershëm Rexhep Çeliku, këndej me vajzat dhe djemtë e mërgimtarëve në Kanada e New York, ndërkohë që për vitin e ardhshëm do të jetë me “Bashkimin Kombëtar” në Gjirokastër;  në Tiranë do të çojë përmes një spektakli gjithë jetën dhe biografinë e saj artistike, me të ftuar trashëgimtarë të familjeveve, që kërcejnë nëpër skena… Ka dhe një ëndërr Lili; hapjen e shkollës së Kulturës shqiptare në New York…Një jetë që ia vlen të regjistrohet në shtyllat e gazetës.( Kjo interviste u botua per te paren here ne Gazeten Illyria ne New York dhe do te jete pjese e librit”Histori shqiptare nga Amerika”, qe eshte ne process redaktimi)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, kendej e matane, Lili Cingu, Oqeanit

HISTORIA PELLAZGO-ILIRE DUHET PARË ME SY PROMOVIMI, JO PËRFITIMI

July 19, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ /

Në qytetin e Helenit kishte qetësi edhe pse fluksi i turistëve është më i madh gjatë verës. Si edhe mesdita e lodhur e 5 korrikut 2013 nga vapa. Përshëndeta një grup norvegjezësh që ndiqnin me vëmëndje një cicerone që u shpjegonte detajet e ndërtimit të Amfiteatrit të Butrintit përpara skenës që ishte shndërruar në pellg të me ujë të qelbët. Si nuk jut ha dora dikujt të vinte një pompë fill pas ditës me shi apo të bënin një drenazh?

U ndjeva keq që shihja këta të huaj që çuditeshin për këtë moskujdesje të autoriteteve shqiptare që e kanë nën mbikqyrje, sepse ne mburremi që e kemi Park Kombëtar me histori të lashtë pellazge sa edhe ardhja e mërgimtarëve me Helenin në krye, në periudhën dhjetëvjeçare të Luftës së Trojës.

Tek Amfiteatri, sheshi ose skena ishte mbushur me ujë të llumur nga erërat që hidhnin rërë më shumë nga ambjenti rreth e rreth. Aty më tej ishin hedhur pa sistemim një pirg dërrasash për të ngritur dysheme për një veprimtari që do fillonte këto ditë.

Edhe më tej, në themele dhomash kuadratike kishte ujë të pistë. Parë me syrin e një të huaji këto pamje linin mbresa jo të mira. Parë me syrin e një historiani të Antikitetit alarmi është ende në veprim. A dëgjon kush? Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Monumenteve, Albanologët, Presidenti, Qeveria, Bashkia e Sarandës a Ksamilit a kushdo që mund të kujtohet se Butrinti është vlerë kombëtare sa edhe botërore!

Ujë të pijshëm nuk kishte përveçse në një frigorifer brenda Parkut. Por nuk kishte ujë për tu freskuar në vendpushime që u ishin grisur rrjetat e maskimit që përdoreshin për hije mbi çati. Koshat e plehrave ishin prej druri, por të vjetër, e të dobët. Edhe shenjat e rrugëve në qytetin e Helenit nuk ishin të qarta, me shkëlqim, po me ca shigjeta të vogla në dërrasa druri. Dhomat e tualetit nuk funksiononin, sepse nuk kishte ujë edhe pse Liqeni i Butrintit akoma nuk ishte tharë.

Pyeta rojen e hyrjes dhe u ndjeva më keq kur më tha se e paguanin 150 dollarë në muaj edhe këto kish dy muaj pa i marrë! U bëftë më mirë,- i thashë! Si mund të ruash me qytetari një pasuri kombëtare dhe botërore kur nuk paguhesh në kohë?

Hajde zullum, hajde! Shteti, institucionet, tenderat për firma e sigurimiit të objektit etj…Turp! Dhe duket sheshit.

Ne shqiptarët kemi histori po i trëmbim të huajt me mënyrën se si kujdesemi për vendet me histori siç është edhe qyteti i Helenit! Heleni dhe Çezari bënë me shumë për këtë qytet-kështjellë aq sa gjurmët janë aty të përjetshme. Ky qytet është Troja e Parë e Shqipërisë! Është toka e atdhedashurisë. Këtu filloi mbretërimi i Ri i shënjtëruar me ritet e Dodonës që ishte kryeqendra fetare e vendasve në tokën e Mollosëve që e kishte zili edhe Athina!

Vërtet duhen para për ta mirëmbajtur Parkun Kombëtar të Butrintit, por edhe njerëzit që janë në administrim të tij duhet të kuptojnë se të kujdesesh për qytetin e Helenit është më shumë promovim i historisë pellazgo-ilire se sa biznes për ruajtje dhe mirëmbajtje. Duket se shqiptarët shohin paranë ose fitimin edhe para vlerave historike të antikitetit.

Po askush nuk e vret mendjen të sjellë më shumë veprimtari në Butrint. Të sjellë shëtitje me skaf në Liqenin e Butrintit. Po edhe një çift i ri mund të vijë e të bëjë një video a foto ditën e dasmës, ashtu sikundër pozonin Heleni dhe Andromaka. Pra, ka mundësi po duhen gjetur njerëzit që e kanë pasion historinë e antikitetit tonë.Të shfaqen filma të rinj tek Amfiteatri. Të sjellë ekspozita edhe nga jashtë! Të ketë një kafene brenda parkut. Të ketë gjithçka të mirë që të gjenerojë dhe kontribute financiare për ta mirëmbajtur e zbuluar më shumë se çfarë fsheh akoma ky qytet?

Akoma më shumë të ketë promovime edhe në botën akademike perëndimore apo edhe në auditorët e universiteteve më me zë për të promovuar këtë thesar të histories dhe kulturës sonë kombëtare.

Kujt nga shqiptarëve i ka rënë rasti të vejë në Bermuda mbetet pa mend! Vërtet! Dhe mendo Bermuda nuk i afrohet kurrë Butrintit për nga historia! Atje në atë territor ishujsh ka një kulturë perëndimore që të ngjit ta vizitosh edhe kalanë që nuk ka bërë luftë. Ka një Muze Kombëtar që është dinjitoz për nga paraqitja, por jo me aq pasuri muzeale sa ka Butrinti! Ka një terren të pastër e të mirëmbajtur, sepse në Bermuda ankorohen vetëm me dy anije të mëdha me mbi 7 mijë turistë për çdo javë. Plus mijërat që vijnë me pushime.

Duhet vërtet edhe njëfarë asistence teknike nëse u mungon shqiptarëve se si duhet të administrojnë vlera të tilla. Të shkëmbejnë edhe experience me botën, pse jo?

Të rritësh interesin për ta vizituar Butrintin duhet të mendosh se ke të bësh me një vlerë që do të rishfaqet përditë. Sepse është edhe vlerë botërore dhe për më shumë tregime të vërteta të historisë dhe kulturës që ne bartim sot në Shqipëri apo edhe krijojmë në vazhdimësi duke parë edhe aspektin e historisë së rrënjëve tona pellazge. Por, duke u treguar të zhvatur dhe indiferentë edhe bota akademike apo turistët e thjeshtë do të na lënë mënjanë.

Unë do të shkoj prapë në Butrint. Se jam shqiptar. Por ndihem keq, kur bota vende-vende, nuk ka më shumë thesare se ne për nga historia, por di si ti ruajë e mirëmbajë dhe tregojë me kulturë edhe atë pak histori që ka.

Një Park Kombëtar si Butrinti, i mirëmbajtur do të sjellë patjetër edhe një qytetërim më të mirë të zonës duke e pasuruar me shërbime cilësore. Pra, edhe jeta e banorëve do të jetë më e begatë. Po kujt t’ja rithuash këtë?

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: historia, pellazgo-ilire

FOLKLORI I KËNGËS BOLENASE- FRYMA E AJRIT ËSHTË PIKË VESË

July 19, 2013 by dgreca

SHKRUAN:GËZIM LLOJDIA/

 1.

Nertesi Asllani është një poet  lab. Djepet e labëreshave që kanë përkundur trima,kanë përkundur midis  tyre edhe  poet e rapsod. Dihet se të gjithë llojet krijesave janë krijuar në mjedise misterioze, që i përkasin ekstazës shpirtërore. Mirëpo krijesat që kanë shfaqur habi,pra  shpejtësi mendore në kohët e  hershme të fëmijërisë së tyre, çuditërisht  u rritën ,aty mes halleve, mizerjes, varfërisë nga pantallonat shkurta e flokët qethur me gërshërë dhish,nga trasta e librave  te çobani magjër me llabane nga  i zoti që tërheq       për dore gomarin e zëmëruar  keqas, një ditë i takon krejt të ndryshuar, i gjen  poet,rapsod,ushtarak,arsimtar pse ishin njerëz me palcë me vlera shpirtërore me vepra të mira .Dashuria njerëzore tek kjo pjesë ka lerë vet. Fryma e ajrit është pikë vesë.

                                                               2.

Ç’janë rapsodët. Në viset ku kemi lindur ,shkoza,panja,prralli, janë vargjet e këngës. Po rapsodi cili është? Rapsodi është ai bujku që mrih pleh në të vërtetë është kopshtari që mbjell trëndafilishte. Trëndafilishta lulëzon e kompozon lulërin . Cicërimat zogjve që shpojnë veshët. Ah i madhi Zoti kur lodron ëndrra  e shpirtit. Buke misri e bërë me hi,kulloshtër nga bagëtia. Pyjet që uturijnë nga bukuria, marrëzia e çmendur e gjinkallave,velesim shpirti me trëndelinë. Manaret uratat ku shkojnë kështu të uruarat të bekuarat…Rapsodët e kësaj treve u rritën në këtë vise,me det mali me retë qumështore,me ujë stere atje ku xixëllonjat shuhen në duar,gruri aty mblidhet në  duaj. Do të kujtojë flladin që të zilepsë dhe frymëzim që merr shpirti. I gjithë ky arsenal shpirtëror pikëzohet vetëm tek ata njerëz, që shpirti i tyre uturin netëve dhe ditëve. sepse mëndja bredh sëbashku me shpirtin nëpër këtë det hapësire.

                                                            3.

Ç’është në të vërtetë kënga e Bolenës Nertesi Asllani shprehet:Kënga e Bolenës:Jehonë malesh, /aromë trëndeline,/ dallgë Shushice, /iso burimesh, dashuri e krenari njerëzore./Brenda një shkrimi të vetëm shkruan ai, është e pamundur të trajtosh në imtësi, thellësi e gjerësi vlerat estetike dhe ideore të këngës polifonike qoftë edhe të një fshati të vetëm siç është Bolena. Një studiues i huaj thotë: është një veçanti e çuditshme ku kënga e çdo fshati bile e çdo lagjeje është e dallueshme dhe e ndryshme nga njëra te tjetra. Megjithatë për këngën e Bolenës zakonisht thuhet: “shtruar Bolençe”. Me sa duket kënga ngjan me hapin e shtruar dhe fjalën e shtruar të këtij fshati.“ Bolena me emër/Me ty jam në ëndërr/  Me viset e tua Det me dallgëzime

Mali me shpërthime/  Me këngët e virua”.Më shfaqen para syve ata burra si Haris Matua, Mico Trakua, Malo Razipi, Maze Hysi, Riza Koçiu, Sejko Zeneli, Hajro Dulja,etj. Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më. Ata jetojnë e kanë mbetur të gjallë me zërin e tyre, në këngët dhe vallet e tyre, në dollitë dhe shakatë e tyre.

                                                       4.

Cila është përvoja e grupit të Bolenës.Nertesi Asllani thotë:Në vitet e para të fëminisë time kujtoj me nostalgji të veçantë, unë dhe brezi i moshës time, grupin polifonik të oficerëve të Bolenës (siç u quajt) të cilët bënë incizimet e para në Radio – Tirana.Ishte aty nga mesi i viteve 60-të. Ishte krenari e madhe për ne kur dëgjonim spikeren që thoshte në orarin e Radio-Postës së asaj kohe “Këndon grupi polifonik i Bolenës”. Grupet e tjera polifonike të Vlorës e të jugut akoma nuk ishin dëgjuar. Më vonë do ti njihnim nga afër bashkëfshatarët tanë si Ysniun, Istrefin, Reshatin, Mullahun etj.etj.Aty nga vitet 70-të, kënga e Bolenës do të merrte një hov të ri. Erdhi një brez burrash e grash me dëshirë, pasion e talent, të cilët u dalluan dhe u vlerësuan edhe nëpër festivale zonale e rrethi. Davua, Rrapua, Razipi, Dilaveri, Idajeti, Lavdoshi, Petrua, Faizi, Votimja, Sheqerja, Zana, Qenerja, Durimja, etj.etj. U bënë edhe incizimet e para në Radio-Gjirokastra, ku shumë këngë e valle u bënë “Hite” për atë kohë. E ndiej për detyrë të përmend këtu poetin e mirënjohur popullor dhe folkloristin Kujtim Mici, i cili shërbente si drejtor shkolle në Bolenë dhe njëkohësisht furnizonte me tekste dhe drejtonte në atë kohë grupin e Bolenës .

                                                              5.

Pra dhe cilat ishin temat që realizoi ky grup polifonik:Nertesi Asllani shprehet:Ndihem sa i detyruar aq dhe i privilegjuar që mu dha rasti të punoja si drejtues i shtëpisë së Kulturës Bolenë në vitet 80-të e në vazhdim. Krahas detyrave të tjera më duhej të merresha direkt me këngën e fshatit. Kënga e Bolenës vinte që nga shekujt brez pas brezi duke shoqëruar këtë popull në dasma e gëzime, por edhe nëpër halle të mëdha e dramat e kohës. Ligjërimet dhe vajet e nënave heroina shamizeza, kishin fiksuar ngjarje tragjike e trima kordhëtarë që i kishin bërë hije e dhënë emër këtij fshati nëpër breza të pa dorëzuar e gjunjëzuar përpara hasmit.Si një jehonë e largët vjen kënga e rëndë me vargje brilante kushtuar Leskoduke pallëlarë që shkuan në Stamboll te Veziri dhe mbenë andej bashkë me kokën e prerë të Ali Pashait.

“…Leskodukaj të më ziri,/Rrathë në kokë tu viri,/Pisha në thoj tu shtiri,/Me duar prapa të lidhi,/Në Stamboll brënda ti biri,/Sadik Guxhë e Birçe Trimi./Shkuan trimat, shkuan tutje,/Në Stamboll të shtatë vanë,/Pallë e larë e Leskoduke,/Vetëtin mbi supet tanë.  .”

Cilat janë disa nga rritjet  këtij grupi folklorik ndër vire?Nertesi Asllani përgjigjet:Erdhi një brez tjetër djem e vajza të talentuar që përfaqësuan me dinjitet grupin folklorik të Bolenës në vitet 80-të, si Lavdoshi, Pajtimi, Vangjeli, Mirvetja, Vitoria, Fatbardha, Petrua, Harizi, Vasili, Davua, Selmani, Eqeremi, Totua etj..Për hir të së vërtetës dua të pohoj se grupi folklorik (miks) i Bolenës në ato vite u barazua me grupet më të mira të Vlorës e gjithë Labërisë. Nisën incizimet e filmimet e para në Radio-Televizionin Shtetëror, Tiranë e Gjirokastër. Doli fitues në të gjitha konkurrimet zonale, rrethi e ato kombëtare.Në vitin 1983 grupi folklorik i vajzave të Bolenës me soliste Vitori Hosi do të shpallej laurante e F.F. Kombëtar Gjirokastër, me vallen humoristike “Plaku me plakën ç’u zunë”. “Kënga ime mal e rëndë, kënga ninull fëminije, unë notoj në det me këngë, po s’këndova plas mërzija”- thuhet diku në vargjet e një kënge .Krahas grupit të burrave, grupi i vajzave apo grave të Bolenës ka dhënë një kontribut të veçantë dhe është vlerësuar si një risi edhe nga studiues të Institutit të Folklorit. Studiuesi i Folklorit Spiro  Shituni thotë në librin e tij se “Kënga grarishte e Bolenës për nga unifikimi dhe harmonia është një perlë e vërtetë”. Në vitin 1988 në Festival Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ninulla e djepit :“Rritu se te pret martina” kënduar nga Fatbardha Hosi do të shpallej luante e këtij festivali dhe do të shkonte me numrat e zgjedhur në Koncertin qeveritar në Tiranë. Më vonë, në përbërje të ansamblit të Vlorës do të shkonte në Francë ku do të korrte një sukses të jashtëzakonshëm. Ninullat dhe logatjet në Bolenë janë një pasuri të cilat vijnë si pasojë e dramave dhe tragjedive që kanë ndodhur në shekuj. Ligjërimet e grave bolenase me zëra dhe vargje brilante janë thesare të rralla. Një vend të veçantë zë në reporterin e këngës së Bolenës edhe lirika baritore dhe ajo e dashurisë. Dua ta them brenda modestisë time se nuk mbaj mend ndonjëherë që ky grup të ketë dështuar në skenë. Në dhjetëra e dhjetëra koncerte e festivale grupi i Bolenës u shfaq me dinjitet të plotë. Ja një poezi e poetit Nertesi:

Çoban ta dëgjova zënë

Përtej në shullë

Kur i bjerje me të qarë

Natën culisë

Unë kam dalë në dritare

Se gjumi s’më zë

Desha të vija të tinë

Po nëna s’më lë

Për muhabetin që bëmë

Apo skemi gjë?

Filed Under: Kulture Tagged With: folkori bolenas, Gezim Llojdia, Nertesi Asllani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT