Këto ditë në Varshavë u shpallën resultatet e konkursit ndërkombëtar të kompozicionit i organizuar për nder të kompozitorit të madh polak të shekullit XX Witold Lutoslawski në 100 vjetorin e tij të lindjes. Juria ndërkombëtare e përbërë nga personalitete muzikore nga Amerika, Finlanda, Italia dhe Polonia, nga 160 konkurues prej 37 vendeve të botës shpalli fitues kompozitorin shqiptar Thoma Simaku, duke i akorduar atij cmimin e parë për veprën Koncert për Orkestër. Ky cmim prej 10 000 Euro jepet nga Ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë Z. Bogdan Zdrojewski. Vepra e Simakut do të ekzekutohet për herë të parë në natën finale të Festivalit Ndërkombetar ‘Vjeshta e Varshavës’ me 28 shtator 2013. Cmimi i dytë, i tretë dhe inkurajues iu dha respektivisht kompozitorëve nga Anglia, Rusia, dhe Japonia.
Simaku:“Kjo është një ngjarje tepër e rendësishme, dhe një nder i vecantë për mua, jo vetem përsa i përket përmasave ndërkombëtare të konkursit, por Lutoslawski është një figurë qëndrore ndër klasikët e shekullit XX dhe muzika e tij plot vitalitet dhe emocion të frymëzon. Gjithashtu ndjehem i gëzuar për faktin që do t’a dëgjojë vepren për herë të parë!
Këtë pjesë do t’a përshkruaja si një ‘udhëtim në kohë’, ku shprehjet antike dhe moderne, muzikore apo ekstra-muzikore, ndërthuren dhe plotësojnë njera tjetrën. Idetë muzikore janë identifikuar me grupe të vecanta orkestrale për cilesitë e tyre të fuqishme apo elegante. Por në të njejtën kohë, në brendësi të këtij instrumenti gjigant që quhet ‘Orkester’, ngjyrat e ndryshme instrumentale mpleksen me njera tjetrën dhe vazhdimisht krijojnë ‘aleanca’ tingullore, por pa e humber identitetin e tyre. Muzika e kësaj vepre përfundon me një atmosphere të tillë, ku ‘tingujt’ e frymëmarrjes njerëzore predominojnë.”
Thoma Simaku është professor i kompozicionit në Universitetin e York-ut ne Angli, dhe ka nje aktivitet mjat të pasur ndërkombetar; për më shumë se dy dekada veprat e tij janë ekzekutuar në festivalet kryesore në mbarë Evropen, në Amerikë dhe Japoni. Ai ka fituar një seri çmimesh ndërkombëtare për cilesitë ekspresive të muzikës së tij, ku intensiteti dhe modernizmi mpleksen në një menyrë unike. Vepra e tij Epitaph për Orkestër Harqesh u zgjodh nga Juria Ndërkombëtare e festivalit Ditët e Muzikës Botërore në Essen më 1995 – e para vepër në historinë e muzikës shqiptare që zgjidhej në këtë festival prestigjoz ndërkombëtar. Më vonë, veprat e tij u zgjodhën nga juritë ndërkombëtare të tetë edicioneve të tjera të ketij festivali (1999, 2000, 2001, 2003, 2004, 2005, 2006 and 2012). Muzika e Simakut është transmetuar në shumë vende, ku ndër të tjera përmenden stacione të tilla si BBC Radio 3, SWR2, Stuttgart, Deutschlandfunk, Amsterdam Radio 4, ORF (Vienë), Australian Broadcasting Corporation (ABC). Veprat e tij janë ekzekutuar nga disa prej grupeve më të njohura të muzikës bashkëkohore si Arditti Kuartet i Londrës, Diotima Quatuor i Parisit, Orkestra e Bashkimit Evropean, MusikFabrik e Koeln-it, New London Orchestra, Sinfonietta e Kopenhagës etj. Ndër çmimet e shumta përmenden Serocki International Prize, dhe Leverhulme Fellowship ne Londer. CD-ja e tij e botuar në serinë “Klasikët e Shekullit 21” të Naxos më 2008 u vlerësua mjaft nga kritika, dhe u zgjodh në listën e veprave më të mira të vitit në Amerikë. Më 2009, Simaku fitoi Cmimin ‘Kompozitor i Vitit’ nga Akademia Britanike e Kompozitorëve më veprën Soliloquy V – Flauto Acerbo, të cilën juria e cilësoi si vizionare dhe krejtësisht origjinale.