• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZOTI NUK ËSHTË QENDRA E FRIKËS POR BURIMI I DASHURISË

July 6, 2013 by dgreca

Mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti” NË HIJEN E ROZAFËS”/

Nga KRISTAQ TURTULLI/

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe patriotizmin shkodran, të klerit katolik, mysliman dhe ortodoks. Sido që fqinjët tanë tradicionalë dhe pushtuesit, u përpoqën që tre fetë ti përdornin si pisha për të ndezur zjarre dhe përvëluar Shqipërinë. Këto tre fe kanë qene në shekuj në harmoni të mrekullueshme, si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër.

Kemi lexuar dhe admiruar heroizmin e pashembullt të malësisë shqiptare që mbrojtën me thonj dhe gjak gjuhën, traditën, besën dhe fisnikërinë e lavdërueshme si rrallë në botë. Shumë kombe dhe popuj edhe pse kanë qenë shumë më të mëdhenj se populli shqiptar, në popullsi dhe hapësirë territoriale janë asimiluar, zhdukur, sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, përgjatë tallazeve të pushtimeve, luftërave dhe shfarosjeve. Ne mbijetuam, e ruajtëm gjuhën, zakonet dhe traditat e respektuara si rrallë kush. Jo vetëm kaq, por bijtë më të mirë të mërguar, mbajtëm në këmbë, çliruan dhe udhëhoqën drejt civilizimit popuj e kombe të tjera. Ne shpërndamë dije dhe përparim, fqinjët tanë si lubi donin të na zhduknin, kur nuk mundën, na morën si hakmarrje, si shpagim; legjendat, gojëdhënat, doket, zakonet tona, deri sot e gjithë ditën.

Klerikë të ndershëm të arsimuar, të përkushtuar ndaj Zotit, drejtësisë dhe atdhedashurisë. Personalitete të mendimit dhe të përparimit. Heronj të heshtur, të pajisur me kulturë perëndimore dhe civilizim. Kolosë të mendimit intelektual: Qysh me të madhin Marin Barleti, i cili i përshkroi me madhështi dhe patriotizëm heroizmin e Skënderbeut dhe qëndresës së popullit shqiptar, kundër hordhisë turke, perandorisë më të madhe të kohës. Pal Engjellin, me formulën e pagëzimit, i dha besim dhe shpresë çdo familje shqiptari, ti jepte frymë jete dhe besimi fëmijës dhe të vazhdonte qëndresën. Burimorin, origjinalin Gjon Buzuku, ‘Meshari’ i tij qëndron në majë të malit si pishtar ndriçues në memorien dhe admirimin tonë. Pjetër Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjeda. Gjeniun, akademikun, epikun e madhërishëm Patër Gjergj Fishta. Patër Antoni Arapi. Patër Ndue. Patër Gjonin dhe plot të tjerë. Të gjithë këta kanë qenë patriotë të mëdhenj, shkrimtarë të shkëlqyer, historianë, kronikanë, lëvrues të gjuhës së bukur shqipe, pishtarë dhe fanarë të përparimit dhe mendimit shqiptar.

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe qytetarizmin shkodran. Të malësisë dhe të klerit, rezistencën shpirtërore kundër komunizmit. Shkodra, ky qytet e lashtë me tradita të merituara, qëndresë e hershme e identitetit iliro- shqiptar. Shkodra, vatër e zjarrtë e demokracisë dhe progresit Shqiptar.

Qysh në fillim të ardhjes së komunistëve në pushtet u munduan ta nëpërkëmbnin Shkodrën dhe malësinë. Në kuintat e ndyra u përgatit loja e sigurimit të shtetit,që të nëpërkëmbet Shkodra, në radhë të parë duhet të nëpërkëmbet besimi i saj. Krenaria dhe feja. U gjend menjëherë alibia, duhet të fajësohen klerikët, besimi fetar dhe me pas asgjësuar, sikundër edhe ndodhi. Intelektualët më të shquar, klerikë, u përballën me dinjitet me marrëzinë e kohës dhe nuk u përkulën. Prandaj u martirizuan egër prej komunizmit. Humbën në vite dhe vite neper burgje dhe birucat, u vranë, u pushkatuan, u zhdukën pa nam e nishan. Dhe nuk u përmenden. Ndoshta dikush prej tyre tani vonë fare pak. Dhe jo aq sa e meritonin dhe sa kishin sakrifikuar.

Shumë pak prej tyre, mund ti numërosh me gishtat e dorës, me kosoren dhe lakun në qafë arritën të çanin gardhin e hekurt. Tu shpëtonin plumbave dhe qenve te tërbuar, morën arratinë, shkuan në perëndim. Por me zemër të ndezur prej mallit dhe përkushtimit të pashuar atdhetar.

Një prej tyre është pa dyshim personaliteti, patrioti dhe shqiptari i madh, me kulturë dhe inteligjencë profesor Sami Repishti. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv për të drejtat e popullit Kosovar për vetëvendosje. Akademiku Sami Repishti si rrallë kush ka dëshmuar vazhdimisht, ka ngritur zërin me dinjitet dhe pa u tërhequr përpara Kongresit Amerikan, për të drejtat e shqiptarëve dhe kosovarëve. Ai ka mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështjen shqiptare. Ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar Amerikan për shumë vite me radhë. Ai ka botuar me qindra artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe te drejtat e njeriut ne shtypin shqiptar dhe te huaj. Sami Repishti është dekoruar disa here nga qeveritë shqiptare dhe amerikane, për merita te shquara dhe për veprimtari patriotike dhe akademike.

Ish profesori i nderuar i Universitetit Adelphi, Sami Repishti tani është në moshën tetëdhjetë e tetë vjeçare. Është një histori e gjallë e dhembjes dhe së vërtetës. Një libër i hapur, dëshmitar okular, për të ndriçuar llambën e së drejtës dhe të së vërtetës. Dhe na tregon se individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, dhe fisnikërohet nga madhështia e kauzës që i shërben.

Libri me vlera njohëse, përshkruese, informative, shpirtërore dhe edukative për brezat që vijnë: ‘Në hijen e Rozafës.’Përshkruhet qysh në faqen e parë deri në faqen përmbyllëse nga një ndjenjë e fuqishme për vendin, fëmijërinë, Shkodrën fisnike dhe patriotike. Kontradiktat e thella në gjirin e shoqërisë shkodrane, brumosjen e karakterit të tij, e cila i shkaktoi aq mundnim e persekutim. Vuajtjen, mbrojtjen e integritetit kundër vasalitetit jugosllav. Dashuria e pakufishme për nënën, respektin ndaj kujtimit të babait, klerik. Për shokët, miqtë edhe pse i prangosur dhe i torturuar deri në barbari. Në ferrin dantesk, nën presionin e tmerrshëm, si të gjithë të burgosurit e tjerë, viktima të pafaj, atij iu lëkund besimi tek zoti dhe humanizmi. Por përsëri i dalluar dhe i brumosur për karakter të fortë, nuk i humbi këto elemente të rëndësishme. Mbeti njeri, shkollar, intelektual, shqiptar, patriot si rrallë të tjerë.

Sami Repishti midis shumë veprave të botuara me karakter historik dhe librit me tregime:’ Pika loti,’ tregime nga burgu. Në vitin 2004 botoi librin e tij të merituar outobiografik:’ Në hijen e Rozafës.’ Narracion i hollë,dhembje ,mundim, kundërshti, luftë për dinjitet dhe sensibilitet. ‘Në hijen e Rozafës.’nuk është thjesht një libër që tregon jetën e një individi, por është një analizë e thellë e jetës politike dhe shoqërore shqiptare në harkun kohor njëzet e pesë vjeçar, midis viteve tridhjetë deri në mbarim të vitit 1959 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha siç ishte pushtimi fashist, lufta e popullit mbarë për rezistencë kundër okupatorit. Lufta civile, vëllavrasja, si dhe ardhja e komunizmit. Mënyra e egër e vendosjen së diktaturës së proletariatit .Intelektualët, patriotët e ndershëm e kuptuan dhe e përjetuan menjëherë, se nuk ish e vërtetë çka thuhej. Komunizmi që po aplikohej në Shqipëri ish një fasadë që do ti sillte popullit veçse mjerim, prandaj e kundërshtuan, u përballën me të dhe u kryqëzuan prej saj.

Si të gjithë të rinjtë dhe Sami Repishti u gjend që në fillim në udhëkryq. Kazani ziente. Ai duhej të merrte një vendim qoftë dhe me rrezikun e jetës. Të bëhej pjesë e rrjedhës të pashmangshme ku kish mbërthye euforia dhe çmenduria. Ta kundërshtonte atë dhe të përpiqej për një mundësi më të mirë? Ai me kthjelltësi dhe ndërgjegje i tha: ‘Jo’ diktaturës dhe morri rrugën që nuk kishte fund, një lundërtar në detin e gjerë, pa brigje. Akti i tij rebel pothuajse e vrau, por e çliroi njëkohësisht shpirtërisht dhe mundësisht.

Sami Repishti paraqitet një figurë komplekse në libër. Ai është dëshmitar okular i jetës në ferrin fashit dhe komunist në Shqipëri. Jo si ‘politikan’,apo ‘personalitet’ i makro politikës shqiptare, por si student dhe i ri, i cili u ndërgjegjësua për rolin e vet, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri. Ne ato momente të vështira shohim një djalosh të ri me qëndrim të qartë, besnik i vetvetes, i jetës për të jetuar me dinjitet pa kompromis.

‘Gjatë udhës, thotë autori, takova dhe njoha ma mirë ‘njeriun,’ krijesën fisnike, të etur për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht të aftë për të zbritur poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi ma i plotë dhe vdekja e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e doja atë me pasion. Kjo dashuri për njeriun mundi dhe kërcënimin e vdekjes.

Sami Repishti lindi dhe hodhi shtat në hijen e kështjellës tremijë vjeçare së Rozafës. U ushqye dhe u frymëzua prej legjendën e dhimbshme, magjepse dhe e papërsëritëshme: Një murojë madhështore e pathyeshme ndërtuar mbi trupin e njomë të një nuseje, të një nëne që linte djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për besën, mbajtjen e fjalës dhe traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formën më të ashpër, ushqeu fantazinë e një populli, që mund dhe vdekjen. Më vonë mbretërit ilirë e kishin mbajtur dhe mbrojtur këtë kështjellë me një legjendë, dashuri nëne, bese dhe krenari si rrallë në botë: Bardhyli. Pleurati. Teuta. Agroni. Deri tek dorëzimi i mbretit Genci, i përcjellë në Romë me pranga floriri.

Në këto histori madhështore flijimesh, përpjekjesh, luftërash, qëndrese të kështjellës së Rozafës dhe qytetit të tij Shkodrës, u brumos karakteri i djaloshit të ri, birit të thjeshtë Sami Rapishti.

Në një pjesë të rëndësishme të librit autori përshkruan me dhimbje dhe revoltë pushtimin vendit prej Italisë fashiste. Si priti dhe e përjetoi populli i vuajtur Shqiptar këtë ditë të zezë. Shkodra si e gjithë Shqipëria ishte në tension e flakë. Trusninë e përjetuan dhe shkollarët, për të cilën e përshkruan dhe jetuar autori me aq patos dhe art. Himni kombëtar këndohej pa pushim. Shqetësim, dhimbje për nënën Shqipëri, gatishmërinë e të gjithëve për të shkuar dhe luftuar me armë kundër pushtuesit. Hija e rëndë e pushtimit. Por qëndrimi i popullit kundër pushtimit nuk u fashit, nuk reshtën demonstratat dhe lëvizjet mazive të organizuara. Si i gjithë populli ai vetë po ashtu dhe familja e tij u përfshinë në këtë lëvizje të madhe për liri dhe përparim.

Sami Repishti si patriot dhe intelektual i formuar, luftoi pa kompromis kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra.

Pikërisht në këtë lëvizje frontale ai u përfshi me idealizmin për një Shqipëri të vërtetë me vështrim demokratik perëndimor, duke futur brenda të gjitha trojet shqiptare të ndara padrejtësisht nga trungu i nënës Shqipëri. Ai u përball në të njëjtën kohë me komunizmin që ish ushqehej dhe shtyhej prej Jugosllavëve:

‘Me moton shkatërrimtare, o me ne, o kundra nesh.’

Sami Repishti edhe pse shumë i ri, nuk mund të pranonte një shoqëri që premtonte dhunë dhe urrejtje. Një shoqëri që nëpërkëmbte parimet morale, që ishin bazë e një qytetërimin tre mijë vjeçar. Komunistët nuk i kërkonin trojet shqiptare, as nuk e hapnin këtë kapitull. Ata kërkonin luftë pa kompromis kundër të gjithëve, pronës, fesë, duke shkulur nga rrënjët botën e vjetër, me ideologë të mëdhenj Titon dhe Stalinin dhe me militantë të brumosur me urrejtje.

Në kulmin e përfshirjes madhore të lëvizjes për çlirim, në mbledhjen e njësitit. Sami Repishti

ngihet dhe thotë:

‘Unë nuk jam komunist.’

Por ky deklarim burrëror dhe i sinqertë, nuk kaloi pa gjurmë. Pa vonesë ai e kuptoi se tashmë ishte përballë kundërshtarësh, deri tek Lili, vajzën që adhuronte aq shumë. E cila i tha:

‘Meqenëse nuk je i një mendje me ideologjinë komuniste dhe kushdo që nuk e pranon ose kundërshton këtë, është armik që duhet të urrehet dhe të luftohet pa mëshirë.’

Në këtë pështjellim njerëzor autori i thotë vajzës së zemrës:

‘Lili, ke humbur çka është fisnike tek ti, ke humbur çka është e jotja dhe vetëm e jotja…’

Sa bukur, sa njerëzore, sa e madhërishme. Samiu e kuptoi qysh në fillim zvetënimin e personalitetit të njeriut dhe ia tha me forcë dhe sinqeritet të dashurës së tij.

Interesant është gjithashtu debati me të kushëririn komunist. Ata kishin bindje të kundërta. Kushëriri kërkonte ndryshim dhe dhunë pa kompromis. Samiu i thoshte për tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendit. Në fund u ndanë të indinjuar me njëri tjetrin. Shikimi i kushëririt ishte tmerrshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, nën errësirën e natës, kushëriri u hyri në shtëpi me hap të shpejtë dhe u tha:

‘Policia fashiste më ndjek. A mund ta kaloj natën këtu tek ju?’

I ati i Samiut, hoxha Hafis Ibrahim Repishti e pranoi pa hezitim në shtëpi edhe pse e dinte që komunistët ishin ateistë. Besa e shqiptarit është më e rëndësishme se gjithçka.

Në mesnatë fashistët shkatërruan derën në kërkim të kushëririt. Nëna e Samiut e nxori nipin nga dera tjetër. Në shtëpinë e tyre filloi bastisja. Oficeri kapi të atin nga krahu dhe e shtyu me forcë në dhomën tjetër, filloi të bërtiste. Për një klerik mysliman trajtim i këtillë ishte shumë i rëndë, pësoi hemorragji cerebrale, paralizë dhe mbas disa ditësh i ati vdiq. Babai i Samiut, kleriku i ndershëm hoxha Hafis Ibrahim Repishti, sakrifikoi jetën për nipin komunist. Ai mbrojti njeriun, të nipin, jo bindjet politike, apo fetare. Por sa vlerë kish kjo për të tjerët!

Erdhi çlirimi i vendit. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme për një popull dhe komb, shoqërohej nga frika e së panjohurës. Kush janë fitimtarët, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej me aq zulmë e bujë? Mirëpo metodat e përdorura përgjatë përpjekjes për të ardhur në pushtet ishin të ashpra e diktatoriale. E liruar nga dy regjime, shoqëria shqiptare priste me padurim që të lindte më në fund një periudhë paqeje e sigurie.

Befas nëpër rrugët e shkatërruara dhe qytetet e Shqipërisë, u shfaqën si kërpudha pas shiut fqinjët e veriut të veshur me kostumin e ndihmëtarit dhe këshilluesit. Por psikologjia e masave të një qyteti si Shkodra që e kish pësuar vazhdimisht invazione nga fqinja e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të një bashkëpunimi të ngushtë me jugosllavët, praninë dhe imponimin e instruktorëve serbë dhe malazezë në të gjitha sektorët e jetës së vendit.

Autori Sami Repishti na jep me art dhe vërtetësi pamjen e Shqipërisë në vitet e para të pas çlirimit të vendit, varfërinë, euforinë, pasigurinë. Në të njëjtën kohë po ngrinte kokë organizimi i shtetit mbështetur mbi forcën e zjarrit dhe të hekurit. Kudo dëgjoheshin krisma dhe thirrje të ekzaltuar të masave. Filluan të bëheshin ekzekutime publike sipas stilit fashist. Maskarada ish e tmerrshme, rreth të pushkatuarve, grupe partizanësh dhe partizane hidhnin valle, duke kënduar këngën:

‘Lule Sofo, lule djalë.’

Ishte mënyra përhapjes së ankthit dhe frikës që realizonte ekzekutimi që u bëhej,‘bashkëpunëtorëve të armikut,’ Por njëherësh qysh në fillim, tregonte mospërfillje për shtetin ligjor si dhe mospërfillje për ndjenjat qytetare.

Çdo ditë nëpër rrugët e qytetit dëgjoheshin të ulëritura e që e përsëritnin si në kor:

‘Plumbin ballit, plumbin ballit!Vdekje tradhtarëve!’

Gjithçka ishte llogaritur më së mirë, ardhja e komunizmit në radhë të parë duhet të krijojë atmosferën e frikës. Autori na je jep të saktësi sesi klasa shoqërore shkodrane dhe të malësisë së madhe, dikur e privilegjuar dhe e fuqishme, më vonë e dërmuar prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqërore e kataklizmave të luftës, po avullohej, burgosej, zhdukej, pa lënë trashëgimtarë për zëvendësim. Boshllëku i mbetur në traditën fisnike, shekullore ishte i madh dhe i frikshëm.

Në këtë trusni, terror, që po ngrihej përpara syve të inteligjencës së mirëfilltë shkodrane, humbje vlerash të çmuara të traditës dhe kulturës, u ndje nevoja për veprim.

‘Para meje, shkruan autori, ngrihej çdo ditë ma e madhe kërcënuese’ ndërtesa’ që më zinte frymën përgatiste murimin e përjetshëm, si varri i Rozafës viktimë. Ai ishte vetëm njëzet vjet dhe në luftë të brendshme shpirtërore. Për tu fisnikëruar dhe lartësuar. Dhe gjykonte se shoqëria e re, kish vrarë me dorën e vet, ambiciet e saj morale. ‘Njeriu i ri’ që po krijohej ish i përqendruar vetëm në një pikë: ‘urrejtje.’Tek ai ishte përqendruar një ndjenjë:’ hakmarrja.’ Tek ai, gjithçka ishte e frymëzuar nga një qëllim: etja e pangopshme për pushtet.’

Ndërkohë dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në qytetin e Shkodrës. Në maj të vitit 1946 u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste e qetë por e fuqishme, krejtësisht spontane, nën vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Ndërsa më 9 shtator 1946 ndodhi‘Lëvizja e Postribës’.Këto dy ngjarje u bënë shkak të ‘spastrohej’ i gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe. Brenda një muaji qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme dhe më shumë se njëmijë e dyqind të arrestuar. Hija e rëndë e ekzekutimeve ishte kudo.

Arrestimi i autorit të librit: ‘Në hijen e Rozafës,’ ndodhi në mbasdreken e 22 tetorit 1946. E flakën në qeli. Dhe qysh në momenti e parë u përplas me dhunën e egër dhe torturën e cila i vazhdoi për shumë muaj me radhë për të pranuar fajin e pakryer. Ai e mendoi shpesh vdekjen. I mbyllur, i torturuar shumë pranë hijes së kështjellës së Rozafës. Ardhja e nënës për të vizituar në burgun e spitalit dhe dhuna e egër e njërit prej rojeve ndaj nënës së vuajtur. Lotët e nënës së gjorë binin rrëke për të takuar djalin. Autori me shpirt në dhembë i thotë rojës:

‘Unë nuk do ta shkelmoja kurrë nënën tende.’

Më në fund mbërrin gjyqi, një farsë e zakonshme, turma të eksituar që bërtasin. Gjykatësit, prokurori, vetë flasin, paraqitin akuzat e rreme dhe vetë vulosin. Heshtje prej të akuzuarve, pastaj dënimi me pesëmbëdhjetë vjet burg, shumë të tjerë me pushkatim.

Më 28 nëntor 1947 e transferojnë në burgun e madh. Solidariteti i të burgosurve , të cilët heqin kapotën nga vetja dhe ja japin më të dobëtit. Aty autori ra gjithashtu në kontakt me klerikë dhe të njerëz shquar të burgosur padrejtësisht, të cilët ndihmuan në forcimin dhe vendosmërinë e karakterit. Më vonë puna kapitëse në kampet e punës. Shpirtligësia, harbutllëku, egërsia e gardianëve dhe rojeve të burgut nuk kish kufi. Po ju jap disa shembuj:

Një oficer duke u tallur urdhëroi heqjen e mjekrës së një imami shtatëdhjetë vjeçar. Imami i ulur në gjunjë dridhej prej dhembjes e turpit dhe lotët i binin rrëke. E tallura e oficerit vazhdoi:

‘ Hoxhë, a ndjehesh më mirë tani pa mjekër?

Imami plak u përgjigj me zë që dridhej prej dëshpërimit:

‘A nuk turpëroheni prej pleqërisë sime?’

Apo shehu plak nga Luma, një burrë fisnik i pa përkulur. Por i dërmuar prej plagëve dhe torturave për tu dhënë burgosurve të tjerë shpresë dhe besim thoshte shpesh:

‘Zoti nuk është qendra e frikës siç e propagandojnë këta, por burimi i dashurisë.’

Talljet e rojeve dhe gardianëve ishin të poshtra, të papërballueshme, të tejskajshme kundër priftërinjve të përgjakur dhe të munduar. Ata duke u zgërdhirë u thoshin:

‘Ore uratë, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do ti a thyeja brinjët me këtë dru lisi, dëgjove ore?

Autori Sami Repishti takoi në burg dhe njohu nga afër klerikët e akuzuar padrejtësisht për fshehje armësh në kishë. Autori takoi gjithashtu dhe dëshmitarin okular, i cili e dinte mirë të vërtetën. E lojës së sigurimit të shtetit. Po të binte besimi, binte dhe Shkodra. Ata e akuzuan e besimin. Akusuan Shkodrën, u arrestuan bijtë më të mirë, u burgosën. Më pas të gjithë klerikët u pushkatuan dhe u flakën, humbën në rrëpirat ku frynin erëra të mëdha. Krahas punës së rëndë rraskapitëse, në baltë erë dhe të ftohtë vazhdonte tortura dhe marrëzia e rojeve.

Në protestën më të vogël:

‘Unë nuk jam kafshë pune,’ tha një i burgosur.

Ndëshkimi i sh mesjetar:

‘Je armik i poshtë o derr i derrit.’u tërbua roja dhe i vuri cigaren e ndezur në sy.

Viktima lëshoi britmë therëse dhe i tha:

‘ O, Aristidh Karrabeci. Edhe Zotin mund të harroj, por jo fytyrën dhe emrin tënd.’

Më në fund më 1 korrik 1956 Sami Repishti u lirua prej burgut. Por u përball menjëherë me vuajtjen e urinë e familjes, ata nuk kishin bukë ti nxirrnin. Varfërinë e një populli të tërë, të cilët jetonin me triska për një kile sheqer ose oriz. Si dhe propaganda e shfrenuar komuniste për mirëqenien e popullit të vet, heroik, luftarak dhe paqedashës.

Kështu ai doli nga një burg i vogël dhe u përball me burgun e madh,ku vuante një popull i tërë i indoktrinuar deri në marrëzi. Ndiqej, përgjohej ngado. Tehu i mprehtë i arrestimit të dytë rëndonte çdo minutë mbi kokën e tij. Çdo lëvizje që ndodhte në vend ose në botën matanë telave me gjemba, emri i tij ishte në listë për tu arrestua dhe ekzekutuar. Samiu ishte në dilemë të madhe. Ikja dhe mos ikja. Vetësakrifikimi dhe e drejta për të jetuar. Ai nuk ish si gjithë të tjerët. Mbasi nuk bëri asnjëherë kompromis me dinjitetin në kulmin e tmerrit, mundimit dhe të torturës. Atë e mundonte në të njëjtën kohë hakmarrja e pushtetit ndaj fatit të nënës dhe njerëzve të tij.

Me dhimbje dhe art ka përshkruar autori monologimin në varrin e të atit:

‘Kështu më deshe, besnik të vetvetes. Ti më mësove të luftoj për parime të drejta, që kërkojnë vuajtje dhe sakrificë. Të lutem babë falu për mue…’Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës dhe djalit ishte i plotë…

Gjendja e Samiut mori karakter tragjik. Çdo minutë ai ish i ndërgjegjshëm për arrestimin , burgosjen dhe ekzekutimin. Një jetë me vuajtje të padurueshme dhe të përhershme nuk është jetë. Vdekja me dinjitet është më e pranueshme. Le të goditej prej rojeve të kufirit në se zbulohej por nuk kish më kthim prapa.

Dhe ai më 23 gusht 1959 bëri arratisjen nëpërmjet lumit të Bunës.

Pse shkruaj? thotë autori në parathënien e librit. Jam viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit. Justifikon mbijetesën time. Zbulimi i dhimbjes se vuajtur e ngre viktimën në sferën e absolutes dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së‘keqes’. Drita këput vargonjtë e lidhur në errësirë. Drita sjell lirinë…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kristaq Turtulli, mendime, nen hijen e Rozafes, repishti

Vlorë, specialistët kërkojnë rishikim të listës së monumenteve të natyrës

July 5, 2013 by dgreca

Vlora është një nga qytet që gjatë sezonit veror është jo pak në vëmendjen e pushuesve por dhe të turistëve të huaj, për të cilët në këtë qytet ofrohet jo vetëm deti por dhe monumentet e natyrës. Në rrethin e Vlorës numërohen 51 monumente të natyrës, të cilat e kanë marrë këtë status për shkak të karakteristikave, që i bëjnë ato unikale në llojin e tyre. Sipas specialistit Gëzim Llojdia mes tyre përfshihen 16 rrepe shekullorë, 11 shpella, një ujëvarë, një deltë detare, një burim i kripur, dy tarraca detare, dy mbihipje toke aktive, një kanion, një lagunë, një gji, një falezë, një dunë rëre, etj. Këto objekte natyrore përbëjnë atraksione në funksion të vlerave turistike dhe janë produkt i veprimit të forcave natyrore për një kohë shumë të gjatë. Mes tyre, një pjesë të rëndësishme e zënë rrapët shekullorë, ku veçohen ato të Pilurit, Kudhësit, Palasës, Rrapi i Xhamisë, Çezmës, Kuçit, dhe Buronjave, Izvorit, Tragjasit, Drashovicës, Velçës, Smokthinës etj. Ndërkohë, në listën e monumenteve natyrore përfshihen edhe Pisha Flamur në Parkun Kombëtar të Llogorasë, drurët me kurora mjaft interesante në këtë park, të krijuara nga veprimi i korrenteve të erërave etj. Por edhe pse janë kaq të rëndësishëm monumentet e natyrës po shkojnë drejt zhdukjesh. Mjaft prej masiveve të ilqes në zonën e Zarelit, janë bërë pre e veprimeve të individëve të papërgjegjshëm dhe tashmë ato ekzistojnë vetëm në letër. Por dhe lugina e lumit të Vlorës, ruan në brendi të vet thesare të pashpallura. Ndërkohë, ka edhe shembuj të tillë sikundër shpellat prehistorike të fshatit Velçë, ende të pastudiuara dhe njëkohësisht të pavizitueshme, ashtu si edhe të pambrojtura. Sipas specialistëve, në vitet 50 të shek. XX, në këto shpella u bënë kërkime nga specialistë të njohur dhe nga të dhënat paraprake është arritur në përfundimin se kultura këtu është e periudhës së neolitit të vonë dhe përkon për nga karakteristikat dhe lashtësia me atë të Maliqit. Por nga ajo kohë nuk është zhvilluar asnjë punë studimore për këto objekte të natyrës dhe njëkohësisht edhe të historisë, të cilat mund të shndërrohen në resurse të rëndësishme të turizmit kulturor dhe natyror. Nisur nga këto, specialistët shtrojnë domosdoshmërinë e rishikimit të listës së monumenteve të natyrës, që është hartuar në vitin 2003, për shkak se mjaft prej “objekteve” të përfshira në të nuk ekzistojnë në realitet.

Atsh

 

Lista e monumenteve te natyrës rrethi i Vlorës e cila është ndërtuar në vitin 2003, por që kërkon të ketë ndryshime për dy arsye një pjesë e tyre mund ,mos u gjendet as nishani dhe e dyta për të vendosur në të objekte të tjera të natyrës tonë .
1.Qiparisi i Kambanores se Kishës se Vunoit
2.Lisat e Pilurit
3.Rrapi i Kosmarit Kudhes
4.Rrapi i Palases
5.Rrapi i Shkollës nr.1
6.Rrapi i Xhamisë
7.Rrapi i Çesmes (Mifol)
8.Ilqet i Zarelit me (0,5 ha)
9.Rrapi i Kroit te Madh
10.Rrapi Laze
11.Mbihipja e Çikes
12.Mbihipja aktive e Dukatit
13.Shkeputje e re aktive e Llogorasë
14.Tarraca detare e Kusbabait
15.Tarraca detare e ish-shtëpisë se pushimit te punëtoreve
16.Gjiri dhe shpellat e Grames
17.Bariera Koralore e grykes se Diallit
18.Falezat e Sazanit
19.Shpella e Shëngjergjit ose e Bletës
20.Shpella e Ramices
21.Shpella e Velçes
22.Shpellat e Boderit (Smokthine)
23.Shpella e Haxhi Alise (Iliriane)
24.Shpella e shkruar
25.Shpella e Bilbilenjeve
26.Shpella e Porto Palermos
27.Shpellae Pirateve (Dhërmi)
28.Shpella e Odisese (Surianit)
29.Shpella e Duk Gjonit
30.Kanioni i Gjipese
31.Bokerimat e Vunoit
32.Rrethi i Plakes (Brataj)
33.Ujevara e Ramices
34.Dunat e Nartes
35.Delta e Perroit te Palases
36.Burim i kripur i Bashajt
37.Vali i Vranishtit (burim i madh)
38.Laguna Limopuo
39.Rrepet e Buronjave Kuç
40.Pisha Flamur- Llogara
41.Rrapi Mesaplikut
42.Karthi i Terbaçit
43.Rrapi i Dukatit
44.Rrepet e Izvorit
45.Rrapi i Tragjasit te Vjeter
46.Rrapi i Shenvarvares (Velçe)
47.Rrapi i Gurrave Smokthine
48.Rrapi i Madh ne Bashaj
49.Rrepet e Drashovices
50.Ullinjte e Trubullit ne Karbunare
51.Pylli i Zvernecit –

Kortezi ATSH

Filed Under: Kulture Tagged With: ATSH, kerkojne, rishikimin e listes, se monumenteve, specialistet, te Kultures

Lamtumira e Doktorit!

July 3, 2013 by dgreca

Valëzime fletësh gjithëfare, përballje ndjenjash nga më të ndryshmet, përzierje këngësh e vaji,të cilat kurrë nuk kishin qëndruar më afër njëra tjetrës,i bënin mbështetësit e Doktorit, që ende të mos besonin se kësaj radhe vërtetë kishte ndodhur diçka e papritur,si asnjëherë tjetër deri më tani.
Ndaj që në dukje të parë, vërehej se ata dhe shqiptarët kudo,sodisnin me dhimbje dhe befasi skenën ku do të ngjitej idhulli i tyre shumëvjeçar,figura e të cilit,tanimë ishte kthyer në simbol të së mirës dhe përparimit,lirisë së lëvizjes dhe prosperitetit të vendit.
Megjithatë,siç u pa në këto zgjedhje, shumicës së votuesve nuk u kishte mjaftuar zhvillimi dhe arritjet ,madje as rrëzimi i diktaturës e heqja e torturuesve nga pushteti si dhe largimi i persekutorëve që për gjysmë shekulli u kishin qëndruar shqiptarëve mbi kokë. Ndaj, tani ai po gozhdohej pa të drejtë, si Krishti dikur, nga të paditurit dhe mosmirënjohësit e atdheut  të tij.
Kjo e mundonte secilin mbështetës por më e rëndë e dëshpëruese duhej të ishte situata për Doktorin,Luanin e mundur pas shumë kohësh, të goditur në befasi me këtë ngjarje nga e cila nuk e kishte të lehtë,që të ngrihej e ngjitej krenar dhe luftarak si dikur,në arenën e “dyluftimit”,ndoshta i lodhur edhe nga mosha, por më shumë i tronditur nga një humbje e tillë e papritur.
Ndaj,gëzimeve të dikurshme me këngë e buzëqeshje për fitoret e së kaluarës,tani u kishte ardhur fundi,këto ditë atmosferën e mbulonin lotët e ardhur rëndë dhe furishëm,si pjesë e natyrshme e jetës që nuk është gjithmonë e lehtë dhe e lumtur,në të cilën mund vetëm të festohet.
Megjithatë,luftëtari i orëve të vështira,dëshmoj edhe një herë se nuk do të dorëzohej as në këto momente,ndaj ai doli ti përshëndeste votuesit dhe tu jepte lamtumirën përfundimtare mbështetësve të tij të flakët si dhe gjithë dashamirësve të vërtetë të demokracisë, të cilët as në çastet e fundit të karrierës, nuk donin të largoheshin nga Doktori, duke e vajtuar humbjen dhe qarë me lot ndarjen.
Vaji më i madh do të shpërthente në çastet më të vështira të kësaj paraqitje, kur para mbështetësve besnik, Dr.Sali Berisha bënte të njohur largimin,me ç`rast nga qindra sy filluan të rridhnin lot dhembje e dëshpërimi, jo vetëm për humbjen por edhe për dorëheqjen e tij.
Ky burrë luftarak,karizmatik dhe i paepur -ndër vite,vërtetoi edhe një herë se nuk ishte Luan vetëm i kohëve kur fitonte, por ai u tregua Dragua i situatës edhe në humbje, si rrallë ndonjë personalitet tjetër shqiptarë deri më tani.
Krenaria prej malësori, dhe gjeni tradicional e kryengritës i tij,megjithëse në çaste të rënda për te dhe partinë që udhëhiqte,bënë që edhe në momentet kur kundërshtarët dëshironin ta shinin të përlotur, përulur e dërmuar, ai të paraqitej i fortë dhe i paepur,para publikut, duke befasuar të gjithë, dashamirë e kundërshtarë, me elanin e tij të pamposhtur prej udhëheqësi vital.
Kryeministri Berisha, ishte heroi i shumicës së shqiptarëve. Ai përgjatë gjithë angazhimit të tij politik,sa herë u ndal në fshatra dhe qytete të Shqipërisë dhe trojeve tjera etnike,tuboj me mijëra njerëz kudo shkeli këmba e tij.
Doktori u tregua gjithmonë i fortë dhe i paepur, bile më i fort se cilido personalitet tjetër në vend, duke u bërë shembull me qëndrimin e tij edhe për politikanët e ardhshëm shqiptar, si udhëheqës model i cili,pa menduar dy herë, mori mbi vete të gjitha përgjegjësitë e dështimit në zgjedhje, duke ofruar edhe dorëheqje të parevokueshme  për këto shkaqe, gjë që nuk ishte “dhunti” e njohur, deri më tani ndër politikbërësit tanë.
Ndaj edhe pas humbjeve,ai dilte prapë krenar në vendin e preferuar,ku për vite me radhë,para mijëra qytetarëve dhe simpatizantëve të tij nga i gjithë vendi dhe kombi,shumë herë kishte mbajtur fjalime të zjarrta e frenetike,prej nga i ftonte bashkëkombësit për bashkim, punë e zhvillime të përbashkëta, gjeste të cilat priteshin me dashamirësi duke u shpërndarë e përpirë me eufori, nga të gjithë bashkëkombësit kudo, brenda dhe jashtë atdheut.
Në cilin do vend ku ai foli,çdo herë shpërthyen emocione të zjarrta të cilat ndiznin zemrat e të gjithë bashkëkombësve, sidomos të atyre në trojet e pushtuara etnike, ku adrenalina vëllazërore rritej deri në pafundësi dhe forcoheshin lidhjet e afshëta kombëtare,të zbehura aq shumë dhe në mënyrë të dhunshme nga shkëputja hermetiko-komuniste, gjysmëshekullore e shqiptarëve.
Me ardhjen e Sali Berishës në pushtet edhe ndjenjat e afrimit ndërshqiptar, përjetuan një ringjallje të vërtetë, jo thjeshtë vetëm tek mbështetësit e tij si personalitet, por tek të gjithë bashkëkombësit e ndarë dhe coptuar në disa shtete.
Ndaj edhe pas numërimit të votimeve,grupet fituese,heshtnin të strukura nga frika e dështimeve të një pas njëshme, duke mos besuar ende se vërtetë,pas kaq shumë kohësh,më në fund u kishte buzëqeshur fati i madh që mu ata të fitonin nga Luani i vjetër prej të cilit ishin mësuar të njihnin vetëm humbje.
Sali Berisha u bë udhërrëfyes zhvillimi, në kohën kur atdheu i tij ishte i zhveshur nga çdo gjë dhe kishte marrë pamjen e një vendi të braktisur, pa rrugë e infrastrukturë, me mungesë pune e ushqimi, ku mbijetesa e njerëzve mundësohej prej ndihmave të huaja,të cilat vinin nga jashtë.
Dëshirën e madhe për ta parë nga afër vendin amë,edhe unë si shumë shqiptar nga trojet e shkëputura të Shqipërisë etnike,do ta realizoja në mënyrë “ilegale” në marsin e vitit 1991,duke kaluar kufirin me lejen e “Bajram Currit” siç i thonin atëherë,natën përmes maleve të pashtrikut.
Por ato që unë pashë atëherë,sot me siguri tingëllojnë të pabesueshme për shqiptarët e lindur pas atyre viteve,dhe ç`është e vërteta,nëpër të gjitha pjesët ku unë kalova, e sidomos në veri  nga Kruma deri në Shkodër,atë kohë Buka nuk ishte bukë. Ajo ishte përzierje me misër, grurë thekër dhe kashta,e cila mjerisht nuk dallonte shumë ,nga ushqimi “alternativ” që pakë kohë më përpara,Enver Hoxha u përmendte (barin) shqiptarëve,për të ruajtur sistemin e mbajtjes së tij në pushtet, komunizmin.
Para se Doktori ta rrëzonte diktaturën komuniste dhe vendoste demokracinë në vend,kishte kohë që sistemi i kuq qe  kthyer në tmerr me ngjyrë të huaj,i cili për gati gjysmë shekulli u sillej vërdallë mbi krye dhe sikur donte tu merrte shpirtin shqiptarëve dhe Shqipërisë me skamje e varfëri të pafund.
Mbyllja hermetike, gjysmë- shekullore dhe izolimi total i Shqipërisë nga e gjithë bota, bënë që vendi të mos ketë zhvillim ekonomik dhe ndihet mungesa e gjithçkaje deri te ushqimi më i thjeshtë që ndikonte për të keq sidomos nëpër fshatra,ku fëmijët ishin të zverdhur tërësisht, kurse veshja e shqiptarëve, më tepër se e mjerueshme.
Pamja, ndjenjat dhe sjellja e popullit ,kishin ndryshuar shumë nga ato që tregonin baballarët tanë,për vëllezërit e gjakut tonë të ndarë me kufij,ku shpresa e humbur, kishte mbuluar çdo gjë kombëtare, ndërsa shqiptarët ëndërronin vetëm të mbushnin barkun me ushqim ,pa guxuar të përmendnin ndryshime dhe jetë më të mirë.
Edhe kamionët e ndihmave me grurë që niseshin nga Durrësi,vinin duke u shitur gjatë rrugës, për të mbetur të përgjysmuar nëse jo gati tërësisht të zbrazur,derisa arrinin në vendin e destinuar për shpërndarje.
Kështu që, udhërrëfyesit të Demokracisë dhe bashkë- rrugëtarëve të tij,jo vetëm se u kthehej në frikë e dhimbje- shpresa, por u turbullohej edhe shikimi sa herë e shihnin atdheun në gjendjen në të cilën e kishin sjellë komunistët, të cilët kishin arritur deri aty,sa një popull të tërë ta përulnin në lypsar, nga varfëria dhe mjerimi.
Ndaj, mu në vitet më të rënda, kur shumica e dëshpëruar mbyllte sytë për të lënë atdheun dhe ikur nga sytë këmbët duke u hedhur edhe në ujërat e detit të gjerë, në të cilin qindra e ndoshta mijëra shqiptar gjetën vdekjen, dhe s`u kthyen më kurrë në atdhe, Doktor Sali Berisha me gjithë vështirësitë nga të cilat shumë kush tmerrohej,pa asnjë hezitim mori përsipër dhe arriti t`a nxirrte atdheun nga balta,gjë që atë kohë nuk mundej as guxonte secili edhe po të donte me gjithë dëshirën më të madhe që mund ta kishte,për ta bërë këtë punë.

Nga varfëria dhe krimet e komunizmit edhe Dielli sikur ishte errësuar dhe nuk ndrinte më si dikur në Shqipëri. Atëbotë retë e rënda të frikës dhe pasigurisë për të mbajtur shpirtin gjallë, në zemrat e shumëvuajtura të shqiptarëve kishin zbehë tej mase dashurin dhe besimin e mundësisë së të jetuarit në atdhe,ndaj ata të tmerruar ishin vënë në rrugën e ikjes dhe donin të largoheshin sa më parë nga nëma që i kishte kapluar.

Ndaj,me të drejtë heroi i dikurshëm i shpëtimit të vendit,i cili i siguroi stabilitet e të ardhme Shqipërisë,edhe në situatën e humbjes- shpaloste me krenari fjalimin e përgatitur,duke shikuar turmën e njerëzve drejtë në sy,para të cilëve numëronte arritjet e shumta qysh kur kishte marrë udhëheqjen e vendit, që nga gjendja në të cilën e nisi dhe deri sa e përfundoi, e cila tani ndryshon shumë-për të mirë.
Përlotjet e mëhershme që mund të ishin nga gëzimi i arritjeve dhe fitoreve të korrura me të drejtë,tani si asnjëherë tjetër ndryshonin,këta ishin lotë të rëndë të humbjes dhe lamtumirës së Sali Berishës, pas 23 vitesh pune e përpjekje,në drejtimin dhe arritjet e gjithanshme me sukses të një vendi si Shqipëria, të cilës dikur nuk i mungonte vetëm demokracia dhe shprehja e fjalës së lirë, por çdo gjë e domosdoshme për mbijetesën e njeriut, që nga rrobat,puna,rrugët e deri te ushqimi.
Kryeministri i vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë, pak pas orës 20, të ditës së mërkurë,më 26 Qershor të vitit 2013,datë kjo e cila do të mbahet mend gjatë, do hyjë në histori,dhe mbetet e pa harruar në zemrat e shumë shqiptarëve, doli krenar dhe dinjitoz ashtu siç i ka hije një politikani trim dhe të paepur kombëtar, icili përkundër lotëve dhe thirrjeve të simpatizantëve,”Berisha në zemrat tona” dhe “mos ik”, “mos ik”,deklaroi me vendosmëri se merrte të gjitha përgjegjësit mbi vete për humbjen dhe nuk mund të plotësonte dëshirat e shumë dashamirësve për mbetje,sepse kishte vendosur që përfundimisht të dorëhiqej nga udhëheqja e PD-së.
Me këto fjalë ai përloti jo vetëm bashkëpunëtorët e ngushtë dhe zëdhënësen simpatike të PD-s,Erleta Mëhilli por shumë shqiptarë si në sallën ku fliste edhe jashtë sajë, në Shqipëri, Kosovë,Çamëri, Iliridë, Preshevë e Malësi, dhe në krejt diasporën tonë kombëtare anë e mbanë botës, ku ka shqiptar.
Ky ishte moment më i vështirë për cilindo që kishte bashkëjetuar arritjet e Shqipërisë,por që mbante mend edhe prapambetjen si dhe shkatërrimin e saj nga sistemi sllavo-komunist, të cilin Berisha e rrëzoi në vitet e 90-ta. Dy gjendje këto, që ndryshonin shumë, mu si nata me ditën.
Berisha ishte ai që me tepër mund, punë e përpjekje vendosi Demokracinë dhe sistemin e lirë zgjedhor në vend, solli përparimin e shqiptarëve, zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe heqjen e vizave për bashkëqytetarët në Evropë.
Në anën tjetër, pas zgjedhjeve,grupi i fituesve të rastësishëm, i rënë në orgji dhe ekstazë-gjatë një ekskursioni, dëshmonte origjinën duke bërë zanatin me Def e dalldi jevge, në autobusin e cërgashëve, pjesëtar të të cilit,vetëm pak kohë më parë, gjatë fushatës elektorale, deklaronin pa fije turpi as dinjiteti njerëzor,para kamerave televizive,se po tallnin bythën me popullin,por që tani fituan votat dhe duan të udhëheqin me Shqipërinë.

Në këtë mënyrë, para syve të 7-8 milion shqiptarëve, pas 23 viteve të punës dhe përpjekjeve të gjithanshme Politiko-ekonomike dhe zhvillimore, për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar, Doktor Sali Berisha,po përfundonte karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme.
Natyrisht për mbështetësit dhe ata që e njihnin Shqipërinë e parademokracisë, ndarja ishte më e vështirë seç mendohej, ngase arritjet më të mëdha të të gjitha viteve të pas Pavarësisë, mbajnë vulën e emrit të tij, të cilat bashkë me ecjen dhe përparimin,kanë zënë vend përjetësisht në zemrat e çdo shqiptari që përjetoi kohët e vështira nën vuajtjet komuniste, para se të vinte  Sali Berishës në Pushtet.
Ndaj me të drejtë edhe reagimet e shumë personazheve publike pas dorëheqjes së Dr. Sali Berishës, ishin emocionale dhe prekëse për të gjithë. Këtu më poshtë po vë pjesë nga reagimet e disa personaliteteve:

Elton Deda,
Edhe pse unë i dhashë suport Edi Ramës,
Ti ishe shpresa jonë e parë për moskthimin e komunistëve.

Çiljeta Xhilaga,
Kisha kohë që nuk derdhja lot…Më ka prekur shumë dorheqja e doktorit.

Ardit Gjebrea,
Një gjest i cili tregon qytetari e përgjegjësi dhe hodhi poshtë paragjykimet ndaj një lideri historik.

Klevis Bega – Kastro Zizo:
Pa diskutim që je në histori Z.Berisha. Burrnia me fisnikërinë të mbuluan qenien sot.

Ermal Mamaqi,
Sali Berisha superman! Për çdo gjë ke bërë mirënjohje, respekt, nderim….

Aldon Lipe,
Populli shqiptar i ka merituar udhëheqësit që ka zgjedhur. Por shpeshherë edhe nuk meriton ndonjë prej tyre.

Rigels Rajku,
Mr.Sali Berisha  Momente emocionuese, e mbylli si burrat… Malësor i vërtetë.

Inida Gjata – Zhaku,
do na mungosh o doktor!

Eni Koçi:
Sali Berisha,je dhe do të mbetesh krenaria dhe nderi i gjithë shqiptarëve.

Afërdita Dreshaj,
I madhi mbetet i madh tërë jetën… Ne do të të kujtojmë, sepse bëre realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve, bashkove Shqipërinë me Kosovën.

Rosela Gjylbegu,
Respekt dhe mirënjohje…

Julian Deda,
Nga statuset e ndryshme në “Facebook”, po vë re se të gjithë e duan Doktorin.Derisa të rrosh do të përulem para teje, para emrit tënd. Betohem që ky popull do t’ju kërkojë prapë, por do jetë vonë për ata që të shitën për një copë bukë. Faleminderit Doktor!

Bleona Qereti:
Je i madh Sali Berisha!

Pra, përkundër humbjes së këtyre zgjedhjeve, shumë bashkëkombës nuk harruan asnjëherë se Doktori erdhi kur shqiptarët e kthyer në gjysmë skllevër nga sistemi totalitar në atdheun e tyre,të lodhur nga vrasjet, tortura dhe shtypja, shihnin me nostalgji nga kufijtë e fqinjëve dhe brigjet e kaltërta të detit pas të cilave e mendonin lirinë,një jetë pa brenga dhe gjetjen e lumturisë, kur edhe hija e tyre, sikur donte të ikte në rrugë të pakthim.

Ata edhe tani e kujtojnë se si ai me ndihmën e studentëve arriti ta rrëzonte komunizmin dhe tu sillte shqiptarëve lirinë e prosperitetin,zhvillimin dhe mundësin e jetesës në vendin e tyre, për të cilat  Doktori kontribuoi shumë, dhe punoi me entuziazëm e pasion, gjatë gjithë udhëheqjes së tij.
Shqiptarët ende e mbajnë mend se si Sali Berisha nuk u ndal asnjëherë për Shqipërinë të cilën e ngriti dhe ndërtoi shpejt në të gjitha cepet e saj.Si e rregulloi atë me infrastrukturë bashkëkohore sipas standardeve të kohës dhe stolisi me rrugë, fabrika e shkolla të reja si dhe pallate marramendëse,në të cilat edhe Poeti më skeptik,tani nuk ligështohet më, por ulet plot kënaqësi, këmbë-kryq dhe u këndon me shumë krenari arritjeve sublime të atdheut, duke mos harruar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve kudo në Evropë.
Ndaj,edhe është e kuptueshme për të gjithë se mu për shkaqet e lartcekura, mbrëmja e 26 qershorit nuk ishte e thjeshtë as e lehtë për shqiptarët,që pas 23 vitesh,të largohej nga udhëheqja një talent i lindur proevropian dhe njeriu simbol i përmbysjes së komunizmit i cili i dha shumë vendit dhe arriti atje ku asnjëherë nuk mundën të arrinin të tjerët.
Madje,Doktori pati fatin e madh që karrierën e tij ta përfundoi edhe me një fitore të ndritur për Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve,siç ishte projektit TAP; për të cilin ai u përpoq dhe loboi deri në momentet e fundit të qeverisjes,me të gjitha mundësitë.
Pra ky pojekti i famshëm për transportin e gazit (TAP) nga Azerbajxhani,sipas shkrimeve të shtypit, përfshin mëse 206 km.gjatësi, në brendësi të territorit tokësor të Shqipërisë,nga Korça e Berati deri në Fier dhe rreth 60 km. territor ujorë,në pjesën shqiptare të detit,prej nga ai kalon drejt Italisë i cili jo vetëm se është me shumë rëndësi për zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit,por pritet ti punësoj edhe mbi 20 mijë punëtorë dhe specialist shqiptar.
Ndaj, edhe pse shumë politikan, pas përfundimit të karrierës nga “yje” të imponuar nëpër kohë dhe situata, përfundojnë në fingij të shuar, të cilët vetëm mund t`ia djegin pabesisht dorën,secilit që provon,t`ua heqë hirin e padukësisë së tyre, Doktori i bënë dritë vendit dhe kombit me veprat e tij.
Sali Berisha,ishte dhe mbeti njeri i shpresës së shqiptarëve dhe lokomotiva e zhvillimit të Shqipërisë i cili me të drejtë – do të nderohet me pietet të lartë edhe në të ardhmen dhe kujtohet gjatë nga të gjithë shqiptarët,arritjet e të cilit do t`i çmojë lartë koha dhe vlerësoj me respekt historia në të ardhmen.
Ajo për çka, me të drejtë mund të kritikohet Sali Berisha, dhe me të cilën ai vërtetë u mbeti borxh shqiptarëve, është mos realizimi i rrjetit të lidhjes së përçuesve të lartë energjetik ndërmjet dy vendeve tona, as në katër vitet e fundit të qeverisjes së tij,për transferimin e rrymës elektrike,Kosovë-Shqipëri.
Megjithatë puna e bërë gjatë qeverisjes së tij vlerësohet lartë,kurse në citimin e tij, ish ministri i Brendshëm, z.Flamur Noka*, arritjet e z.Sali Berisha,i numëron në këtë mënyrë:

***
Lider qe solli demokracinë në vend.
Lider që ngriti flamurin tonë përkrah vendeve të tjera të NATO-s.
Lider që bëri Shqipërinë më të sigurt në rajon.
Lider që bashkoi popullin shqiptare nëpërmjet Rrugës së Kombit.
Lider që bashkoi shumë familje shqiptare më liberalizimin e vizave.
Lider që rriti zhvillimin ekonomik në Shqipëri.
Lider që rriti cilësinë e jetesës së shqiptarëve.
Lider që solli 24 orë drita, ujë dhe pa paguar ne ato i kishim.
Lider që ngriti ndjeshëm turizmin shqiptar
Lider që bashkoi Elbasanin me Tiranën
Lider që u tradhtua nga të mirat që i bëri këtij populli
Lider që kurrë nuk do të harrohet
Lider si ty nuk vjen më Sali Berisha
Ne ty të duam , ti je lideri ynë”.
Duke i pasur parasysh këto dhe shumë fakte tjera,si përfundim- populli dhe bashkëkombësit kudo, duhet ti shprehin falënderim të thellë Doktorit. Ai punoi shumë për Shqipërinë,pranoi zgjedhjet,nuk kërkoi hapje kutish as rinumërim votash,nuk ftoi njerëzit të vriten në demonstrata për të bërë të tjerët fajtor dhe kthyer Shqipërinë në arenë lufte,siç ishte bërë zakon dhe provuar disa herë gjatë viteve të qeverisjes së tij, nga ata që tani thuhet se fituan, nuk fajësoi as kënd për mossuksesin e koalicionit dhe partisë së tij në zgjedhje, mori të gjitha përgjegjësit e humbjes mbi vete, ofroi dorëheqjen si burrat dhe përfundoi karrierën në mënyrën më njerëzore. Ndaj,shqiptarët në të gjitha trojet,i janë dhe do ti mbeten përherë mirënjohës për të gjitha sa ka bërë për ta. Shëndet e  gjithë të mirat dhe jetë të gjatë e të lumtur në pension, Doktor.

Lamtumirë Sali Berisha!

Gani Qarri     Cyrih, 30 Qershor 2013

 

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Gani Qarri, Lamtumirea e doktorit, mosmirenjohja e Sovranit, raca shqiptare 2

DOMENICO MUSTILLI ARKEOLOGU ITALIAN MBROJTI PROBLEMIN E PËRKATËSISË ETNIKE TË BANORËVE TË EPIRIT

July 3, 2013 by dgreca

Shkruan: GËZIM LLOJDIA*

 Sinteza e Fabrizio Vistoli në biografinë  e Mustilli/

Emrin e Domenico Mustillit, arkeologut italian,mbrojtësi i problemit të përkatësisë etnike të banorëve të Epirit të titulluar :“Gli Illiri nell’Epiro” (Ilirët në Epir), botuar nga Akademia e Italisë në përmbledhjen me titull “Le terre albanesi redente”, Romë 1941,shpesh  e ndesh  nga raportimet  dhe gjurmimet, që ka kryer misioni arkeologjik italian në Shqipëri.

Fabrizio Vistoli sjell shkurtimisht biografin  e D.Mustillit të përshkruar te:”Fjalor biografik i Italisht – Volume 77.

Ai ka lindur në Napoli,thotë F.Vistoli,më 3 dhjetor 1899 nga prindërit Leonardo dhe Maria Testa . Anëtar i një familjeje të lashtë katolike me origjinë nga Ravello, pjesëtarë  në Luftën  e Parë Botërore ku  fituan  Kryqin e Trimërisë Ushtarake dhe Kryqin e Meritës së luftës.

Ai u kthye për  studimet në Universitetin e Napolit. Aty ai kishte studentët e tjerë mes të cilëve , Paola Montuoro, Olga Elia dhe Dominic Zancani. Mësohet se Mustilli  u diplomua në dhjetor të vitit 1924, në arkeologjinë klasike, me një tezë përgatitur nën drejtimin e Giulio Emanuele Rizzo. Zgjedhja e një teme të pikturës vazo greke, si dhe predikimet e tij për qeramikën e lashtë dhe përgjithësisht të  botës klasike duket se kanë origjinën nga një rrjedh kujtimesh historike dhe artistike e Sant’Agata de ‘Goti (Benevento ). Shtëpi stërgjyshore dhe sidomos nga koleksioni i  madh i vazove  greke vënë së bashku  në ruajtje nga një paraardhës në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe ruajtur me kujdes nga një xhaxha atëror.

Student i Shkollës Arkeologjike italiane të Athinës (vitet 1926-28), ai mori pjesë në hulumtim, në ishullin e Lemnos drejtuara nga Alessandro Della Seta. Këtu ndeshet me çështjen e vështirë të gërmimeve në nekropolin e parë, Hephaisti ku ka përgatitur disa të dhëna  të dendura informative rreth ‘etruskëve (‘ qytetërimit lokal) .

Vite më vonë, në kujtesën e madhe u shfaq Shkolla Arkeologjik e Athinës dhe të misioneve italiane në Lindje ( vitet 1932-1933).Rrugëtimi i tij vijon kështu: Kthehet  në Itali, ai u vendos në Romë, ku G.E.Rizzo, i cili u zhvendos nga Napoli, e kishte favorizuar (nëntor 1928)me  emërimin si asistent të  përhershëm në Departamentin e Arkeologjisë në Universitet. Vitet romake u pikëzuar me një numër të madh të përpjekjeve shkencore dhe një hulumtim të ethshme, të cilat dëmtuan shëndetin nervor, por edhe nga një seri e arritjeve  të  shquara profesionale, disa prej të cilave janë në origjinën e reputacionit dhe nderim në të cilën ishte gjithmonë i rrethuar më vonë, emrin i tij.

Në të njëjtën kohë, që përkojnë punimet për ndërtimin e kampusit,ku  mbikëqyri riorganizimin sistematik të  grumbullimit të pasur së Urbis studim, në lidhje me atë kohë u zhvendos nga vendndodhja e vjetër  e bujtinë e S. Michele në mjedise të reja brenda ndërtesës së Fakultetit të letrave.

Ky aktivitet i dha llogari në një artikull të botuar në shqyrtimin e arteve  në vitin 1936 .Pas shtatë vitesh si asistentë së  bashku me  Rizzo dhe pasi ka marrë diplomë në arkeologji dhe historinë e artit të lashtë (28 nëntor 1933), në korrik të 1935, ai fitoi konkursin për një vend në rolin e inspektorit të  Monumenteve , galeritë dhe gërmimet arkeologjike, që hyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Mbikëqyrjen napolitane të Amedeo Maiuri, i cili në atë kohë përbënte një palestër të jashtëzakonshme, për një arkeolog militant të gatshëm.

Gjatë tre viteve të ardhshme ka  ushtruar funksionet e kontrollit dhe mbrojtjes së lashtë  në faqet e shumta të Campania (Pompei dhe Herkulani) dhe botoi disa shkrime të rëndësishme në revistat antichistica, duke përfshirë edhe ato të lidhura me dy veprave me interes të jashtëzakonshëm në ato zbulime (Apolloni ,zbuluar në vitin 1930 në ujërat e Gjirit të Salerno dhe busti madhështor të perandorit Augustus zbuluar në  Fondet në vitin 1936), në të cilën ai u kthye më vonë me punim  më të gjerë.

Nga 1 dhjetori 1938, menjëherë pas martesës me Anna De Marco në Romë, nga e cila ai nuk kishte fëmijë, ai e la postin e tij si pasojë e emërimit inspektues si profesor i jashtëzakonshëm (dhe pastaj nga viti 1941), arkeologjisë dhe historisë greke dhe Romane në Universitetin e Napolit, ku për një vit ai mbajti emërimin palethnology.

Aktivitetet arsimore të përditshme, të ushtruara në Romë  pas vdekjes së Rizzo, nuk e kanë penguar atë, që të vazhdojë punën e tij shkencore me zjarr dhe  me të vërtetë ka ndihmuar për të zgjeruar fushën.

Pas vdekjes së Pirro Marconi, i cili e kishte paraprirë atë edhe në karrigen universitare, Mustilli ka drejtuar në mes të viteve 1938 dhe 1941, Misionin arkeologjik italian në Shqipëri.

Aktivitet intensiv dhe të frytshme në vendin ballkanik janë dëshmi jo vetëm për rezultatet e hulumtimit të kryer në akropolin e Butrintit, në zonën e Zadarit dhe malet Acroceraunians, sidomos renditen të  pasura në  shkrime dhe monografi, që merren me tema, që lidhen me të kaluarën e  rajoneve  me pamje nga  bregu lindor i Adriatikut.

Duke studiuar Shqipërinë e lashtë, Mustilli kishte për të përsëritur përballjen me problemet e arkeologjisë prehistorike dhe kjo ishte pikërisht, disiplina për të tërhequr dhe mbajtur interesat e veta afatgjata  në mënyrë për ta  nxitur atë, për të dhënë një pamje të saktë, sidomos për trajnimin e studentëve të tij të rinj në vëllimin e parë :Një Histori Universale e Vallard-i botuar në vitin 1959.

Megjithatë, hulumtimet e  tjera ishin më të pëlqyeshëm, veçanërisht ato të aparatit paraprak shkencor përbëhet nga  të dhëna historike mbi individualin  monumental  duke synuar që të thellojë problemet kritike dhe Eksegjetik të pazgjidhura. Kështu ai e mori në detyrën e ardhshme  shqyrtimin kritik, fjalimet përkujtimore, shkrimet dhe enciklopedi e rastit, një lloj shumë  e veçantë e studimit të orientimit shkencor, u përqendrua në topografi historike e Campania greko-romake dhe qytetërimit të lashtë e Sicilisë dhe Magna Graecia.

Në këtë zonë gjurmohen, midis të tjerash, ese origjinale në shenjtëroren Hera Argive (1941, 1943), dyqanet artizanale të Pompeit (1950), i ashtuquajturi Villa i Papyri në Herculaneum pseudourbana (1956), në Qytetin Messapia përmendur nga Straboni (1957), kujtimet e para në rrënojat e Paestum (1959), dhe jo më pak, lidhjet kulturore, që bashkoi rajonin jugor të gadishullit italian dikur kolonizuar nga grekët ,Sicilinë dhe ‘ Italinë veriore (studimi përfshinë vitet 1963, 1966).

Nga ky grup i interesave konkrete për sektorin jugor të lashtë  dhe origjinën e angazhimin të  saj në themel në vitet 1956-1957, Qendra e Studimeve të Universitetit të Napolit,  ku ishte rektor Ernesto Pontieri, si dhe mbështetja dhe pjesëmarrja e vazhdueshme nga viti 1961në  konferenca vjetore të Institutit të Historisë dhe Arkeologjisë të Greqisë së lashtë (ISAMG) e Tarantos.

Ai vdiq papritmas në Napoli, në 20 shkurt 1966. Me mendje të hapur, Mustilli iu përkushtua me pasion punës në  përhapjen e njohurive të mësuar dhe ka  ndjekur me interes të veçantë, sidomos në pjesën e fundit të jetës së tij, arritjet dhe përparimet në teknologji të cilat erdhën gradualisht duke bërë hetim në dispozicionin arkeologjik. Ai ishte anëtar i akademive të ndryshme dhe e emëruan atë për të mbajtur pozita e përgjegjësi të lartë në kuadër të Komitetit Kombëtar për Shkencat historike, filozofike dhe filologjike të Këshillit Kombëtar, të Kërkimit dhe të Këshillit ,të Lartë për Antikitetet dhe Arteve të Bukura.

Vlerësimi i historianit Kristo Frashëri

Lidhur me qëndrimet  arkeologut italian Mustilli,historiani Kristo Frashëri shkruan: Autori i tretë, i cili e trajton gjithashtu në mënyrë dinjitoze problemin e përkatësisë etnike të banorëve të Epirit është historiani dhe arkeologu i njohur italian Domenico Mustilli. Ai e trajton këtë problem në një punim italisht të titulluar “Gli Illiri nell’Epiro” (Ilirët në Epir), botuar nga Akademia e Italisë në përmbledhjen me titull “Le terre albanesi redente”, Romë 1941.
Problemin e banorëve të lashtë të Epirit, D. Mustilli e trajton që nga kohët parahistorike. Ai pohon se gjetjet arkeologjike që kanë dalë në dritë tregojnë se treva e Epirit ka qenë e banuar para se të shfaqeshin grekët në histori. Ai vë në dukje se Epiri pësoi një dyndje popullatash në epokën e Bronzit, e cila karakterizohet nga qeramika e pikturuar. Kjo qeramikë, – thekson ai, – nuk ka lidhje fare me kulturën arkaike greke .Për sa i përket fillimeve të epokës së Hekurit, ai vinte në dukje se nuk kishte të dhëna që të provonin praninë e banorëve grekë në këtë trevë. Duke u mbështetur në të dhënat arkeologjike që njiheshin në kohën e tij, ai pohonte se gjurmët më të hershme të pranisë greke në Epir i takojnë periudhës helenistike. Nuk e mohonte faktin se në Dodonë ishin zbuluar objekte të kulturës helenike, si statueta, fragmente skulpturash arkaike, të cilat i takojnë shekullit VI, madje edhe një fibul e tipit aisatik e shekullit VII. Por këto nuk qenë prodhime vendëse. Ato tregojnë marrëdhëniet që kishte Dodona me botën greke. Nga ana tjetër, vazhdon D. Mustilli, në truallin e Epirit janë zbuluar objekte arkeologjike që tregojnë lidhje kulturore me qytetërimin e veriut, pra me viset ilire (një shpatë e tipit krejtësisht verior dhe një sëpatë e tipit hallshtatianë e pranuar edhe nga arkeologë të tjerë). Veç kësaj, vazhdon ai, edhe në Orestidë, e cila bënte pjesë herë në Epir, herë në Maqedoninë Perëndimore, mungojnë gati krejtësisht dëshmitë arkeologjike për kohën pas epokës së Bronzit dhe para shfaqjes së objekteve të qytetërimit dhe të industrisë greke. Vetëm ndonjë enë korinthiane zbuluar këtu, – nënvizon D. Mustilli, formon urën ndërmjet epokës së Bronzit dhe kohës helenistike. Varre arkaike u gjetën pranë Cotylionit dhe kishin kufoma me skelet dhe të djegura me urnë e me enë bronzi. Më tej ai shkruan: Në Epir “mungojnë pra, elemente për të ndriçuar gjendjen pas kohës së Bronzit. Mund të themi vetëm se gërmimet e deritanishme (pra deri në vitin 1941 – K.F.) provojnë në një mënyrë mjaft të qartë importimin (pra jo prodhimin në vend – K.F.) të objekteve nga Greqia në Epir që nga shekulli VII p.e.s., ndoshta edhe nga një kohë më e hershme”.D. Mustilli thotë se dëshmitë për të provuar se banorët epirotë qenë grekë janë shumë të cekëta, kurse teza e kundërt se nuk qenë grekë është mjaft e bazuar. Ai sjell si dëshmi Thukididin, i cili i quan molosët barbarë (I 68; II 80). Po ashtu edhe Straboni (VII, 321). Nuk mund të dyshohet, shkruan historiani italian, se etolët qenë grekë, por territori i tyre pati një imigrim të fortë nga veriu, saqë Filipi në bisedimet për paqe me romakët, para Kinaskefalit pohonte se pjesa më e madhe e etolëve nuk janë grekë (Polibi XVIII 5,8; Livi XXXII, 34). Për Filipin, vazhdon D. Mustilli, nuk ishin grekë as amfilokët, as agrejtë që banonin në verilindje të euritanëve, as apodotët që banonin në luginën e Dafnos.Arkeologu italian vë në dukje se në shekujt e mëvonshëm në Epir vihet re ndikimi i kulturës greke. Ai sjell si shembull fortifikimet e shekullit V p.e.s. të Finiqit dhe të disa ndërtesave të tjera të mëvonshme. Po kështu edhe në Butrint. E njëjta gjë ndodh edhe në Dodonë, ku u ndërtua një faltore madhështore dhe kur u shfaqën mbishkrimet greqishte. Këtu, thotë arkeologu italian, shtrohet pyetja: “Si mund të pajtohet prania që nga shekulli V e gjurmëve helene me mungesën e tyre të plotë para shekullit V”? Pyetja e dytë që shtrohet, sipas tij, është kjo: “Si mund të pajtohet prania pas shekullit V e kulturës materiale greke me të dhënat gjuhësore, të cilat pohojnë në mënyrë të padyshimtë praninë në Epir të elementit ilir”? Nga këto dy pyetje, arkeologu italian shtron për zgjidhje problemin: “Kush ishin këta ilirë? Në çfarë objektesh, në çfarë manifestimesh konkretizohet qytetërimi i tyre nga pikëpamja arkeologjike”? Arkeologu gjen kështu rastin që të kundërshtojë pikëpamjen e përhapur në kohën e tij – pikëpamje të cilën, siç u pa, po e shfrytëzon në mënyrë spekulative Hammondi, – mbi përhapjen e popullsisë së Lausitzit në Epir. Është e vërtetë, pohon ai, se gjurmë mjaft të sigurta të bartësve të qytetërimit të Lausitzit duken në Maqedoni gjatë luginës së Vardarit (Aksiosi antik). Është gjithashtu e njohur pikëpamja se nga përzierja e shtegtarëve të rinj me banorët e mëparshëm u mbrujt qytetërimi maqedon i fillimit të epokës së Hekurit. Vendbanimi i Verrias buzë Haliakmonit tregon përhapjen nga Perëndimi, pohon D. Mustilli në drejtim të Epirit të këtij qytetërimi maqedon të kohës së Hekurit. Megjithatë, deri tani ai ngul këmbë se në Epir nuk janë zbuluar gjurmë të popullit të Lausitzit, pavarësisht se ndonjë element i këtij qytetërimi ka depërtuar edhe më në jug, në krahinat greke. Përkundrazi, sipas D. Mustillit, përveçse në Korkyra ku sundonin liburnët, prania e ilirëve është vërtetuar edhe nga emri Hylloi, i identifikuar në vendin e quajtur sot Chalkiopulos. Deri sot, përfundon ai, nuk kanë dalë objekte arkeologjike që të provojnë praninë e popullit të Lausitzit, qoftë në epokën e Bronzit, qoftë në atë të fillimit të Hekurit. Gjurmë të kulturës ilire gjejmë edhe në Epir. Mjafton të thuhet se në Dodonë nuk mungojnë objekte që provojnë prejardhjen e tyre nga veriu.

*Master.Anetar i Akademisë Evropiane et Arteve

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspedita italiane, Fabrizio Vistoli, Gezim Llojdia

XHEBRO GJIKA, BARD I SPIKATUR I HUMORIT DHE KRIJIMTARISË POPULLORE

July 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Albert  R. HABAZAJ/

Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Labërisë së Brendshme të Vlorës, klasifikohet ndër ata persona të veçantë, të cilëve, s’ka nevojë t’u përmendësh as ditëlindje, as ditëvdekje, sepse është emri i tyre, gjurma e tyre, lënë brezave, që i bën të pavdekshëm. Si shumë tërbaçiotë të tjerë, edhe Xhebro Gjika, mori pjesë dhe u plagos në Epopenë Legjendare të 20 – ës. Në nderim të  93 vjetorit të Luftës së Vlorës, Tërbaçi ka kujtuar e kujton Selman Hysenin, Selam Habazin, Selman Alikon, Islam Harizin, Beqir Selimin, Xhebro Gjikën, Laze Malon, Halim Xhelon, Murat Tërbaçin, Arshi Xhelilin, Sinan Mullahun, Muço Delon, Gani Iliaz Habazaj, shehitët Qamil Mezini, Sali Gjika etj. Në Luftën Antifashiste Nacional – Çlirimtare Xhebro Gjika mori pjesë me armë në dorë, si tërë blloku tërbaçiot, u plagos rëndë e u internua në kampet e Zemunit në Jugosllavi….Historia e Tërbaçit nuk është vetëm histori e luftërave dhe e krismave të mëdha. Ajo, po aq, është edhe histori e penës, e poezisë dhe e folklorit të madh. Rapsodi popullor, atdhetari me emër, Xhebro Gjika s’i përket vetëm Tërbaçit, Labërisë dhe Vlorës; ai është figurë e përmasave kombëtare në fushën e krijimtarisë popullore. Këngët e tij janë kënduar e këndohen me ëndje në trevën tonë; ato janë botuar në almanakët folklorikë “Buçet kënga labe” qysh në vitet ’70 të shek. kaluar; më 1979 shtëpia botuese “Naim Frashëri” Tiranë, nën redaktimin serioz të Pandeli Koçit, i botoi një pjesë të krijimtarisë së tij në vëllimin poetik “Zemra më këndon”. Edhe broshura e thjeshtë e Hamit Gjikës është një shënjë respekti për emrin e xha Xhebros. Bukur portretin e tij e ka gdhendur studiuesi i njohur, Prof. Bardhosh Gaçe, në punimin shkencor “Rapsodi Xhebro Gjika”, botuar më 1997 po nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”: Xha Xhebrua, siç e thërriste me dashuri populli -shkruan studiuesi – është një ndër ata këngëtarë të talentuar e zemërzjarrtë që kënduan e luftuan me pushkë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Si këngëtar krah për krah rapsodëve  më të shquar ai ka zënë vend të merituar në historinë e folkloristikës shqiptare”. E veçantë është vepra e tij për lirinë e Atdheut, lufta ndaj bishës naziste dhe qëndrimi i paepur në kampet e Beogradit, janë legjendë e pashoqe për brezat. Xhebro Gjika për ne është liria dhe kënga. “ Këto këng’ kush i ka shkruar/- thotë diku – Xhebro Gjika  nga Tërbaçi/ Çuditem si kam shpëtuar/ m’u si nga thonjt’ e lugatit” … Kënga e këtij artisti të madh është si furtunë në pllajat e Labërisë. Ai, me emrin e tij, i ka zbardhur faqen Tërbaçit. Bashkë me xha Maton e Selim Hasanin, xha Xhebrua është krijuesi folklorik më me popullaritet. Ja ç’vlerësim bën rapsodi Feti Brahimi për bardin tonë: “Xhebro Gjika  e xha Selimi,/ si një yll përkrah një ylli, /si Stogoi e si Çipini ”. Kush i thotë vetes rapsod popullor, apo çdo poet i Labërisë duhet t’i ketë në tavolinën e tij të punës këngët e xha Xhebros. Këngët e tij janë si Kurani dhe Bibla e poezisë labe. Gurra popullore e Tërbaçit ëshët e pashtershme, e kristaltë, me ujë bore e borë Çike. Po ashtu, Puçe Velikua, Sinan Mullahu, Sinan Abazi, Arshi Xhelili, Hamdi Hodo e Sinan Gjondeda na kanë  një thesar të  çmuar për pasqyrimin e shpirtit të madh të popullit në vargjet e tyre. Dragoi i këngës së Madhe të Tërbaçit, Kujtim Mici i vlerëson pararendësit si bujqit që hodhën farë/ dhe korrën pranverë…Kënga e Xhebro Gjikës është një himn për njeriun që lufton me jetën, sepse vetëm aty gjen kuptimin ekzistenca e tij. Vargjet e tij të rapsodisë “Tërbaçi”, botuar së pari në Almanakun Folklorik” Buçet kënga labe”, Vlorë, nëntor 1972, fq .47 – 50, unë do t’i quaja kodin moral të çdo tërbaçioti, të çdo labi, të çdo shqiptari, si dhe një mesazh për brezat:“Çoku ngjante më të rrallë / gabonte ndonjë njeri/ e keshëm zakon të vendit/ s’e jepnim në qeveri, besa – besë, burri-burrit/ ia bënim gjyqin aty…” Kush poet nuk do ta kishte zili lirikën e tij dashurore: “Kur më shkon si kaçandone/ tinë të plakesh harrone!…”. Dhe kritikë e studiues do të ndiheshin të pafuqishëm për një kritikë letrare të këtyre margaritarëve të xha Xhebros, i cili është një gurrë ku pijnë poetët, burim që nuk shteron se ka lirikën humorin, jetën dhe veprën e tij shembullore. I thotë bukur Pelivan Bajrami i njohur, në këngën e tij poetike: “Gurra labe – Xhebro Gjika/ ujë bore, ujë nga Çika /s’ngopemi të pijmë përdita!” Xhebro Gjika është shpallur “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Ai s’di gjë, e s’na dëgjon, se ka ikur, ka ca punë…Ai s’ka patur nevojë për dekorata e dafina lavdie, sepse derdhi gjak për Shqipëri e këndoi për Liri. Labëria ka nevojë për emrin e tij, se i bën nder. Shqipëria i jep nder atij dhe gojëbiblilëve si ai dhe, ata shpirtgurgullues si ujëvarat alpine të pranverës shqiptare, i bëjnë dritë e nder me vargjet e tyre – thesar shpirtëror i kombit të vendit të shqipeve, siç na quajnë studiuesit e huaj. Besoj se i bëhet një shërbim i çmuar edhe kulturës kombëtare, sepse vlerësohet një bard i veçantë, një rapsod i formatit të madh si një nga  zërat më përfaqësues, më të plotë, më të fuqishëm të brezit të tij. Xhebro Gjika është Kurorë dafine në mbarë folklorin e Labërisë. Jeta e xha Xhebros është një punë heroike, ndërkohë që ai klasifikohet personalitet i kulturës popullore. Trashëgimia që zotërojmë  nga Xhebro Gjika, pa llogaritur humbjet e rrudhjet, është e begatë edhe falë energjive krijuese të tij.  Xhebro Gjika është shprehja më e spikatur e intelektit, humorit, tabanit popullor të Tërbaçit, duke u bërë një simbol, një sintezë e kësaj treve; është pasqyra më e mirë, më e bukur, e vitryteve më reale të tërbaçiotëve. Figura e Xhebro Gjikës gjendet në çdo fis, në çdo familje tërbaçiote. Historia e Xhebro Gjikës është pjesë, grimcëz e historisë së Tërbaçit, sepse asgjë nuk lind në vend bosh dhe, Tërbaçi përfshin një komunitet, që ka lënë gjurmë, si pjesë e së tërës labe e shqiptare; përfshin një bashkësi sociale me personalitete, me data, me ngjarje të mëdha, krahas të tjerëve. Duhet të kuptojmë që një popull pa figura të shquara, me një të kaluar anonime, s’ka si të ketë përmasë të së nesërmes. Në konstelacionin e yjeve i ndritshëm është pavdekësuar Xhebro Gjika.Vazhdimësia e virtyteve dhe e vlerave të xha Xhebros shprehet shumë qartë te pasardhësit e tij.

           *)  sekretar i Shoqatës “Labëria” për Vlorën dhe kryetar i Shoqatës “Tërbaçi”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Xhebro Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 448
  • 449
  • 450
  • 451
  • 452
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT