• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GURI MADHI- IMPULSE EKSPRESIONISTE E POETIKE QË SJELLIN SENSIBILITET ARTISTIK

February 4, 2013 by dgreca

Nga Blerim LUZHA/PRISHTINE/ Veprën madhështore “Dorëzimi i armëve” e kam parë për herë të parë në Galerinë e Arteve me l971, u mahnita dhe  kisha dëshirë ta njihja autorin e saj. Të madhin Guri Madhi e kam njohur pas tetë vitesh (kur e kisha ekspozitën përsonale në Tiranë). Madje pata fat të madh dhe çaste të paharrueshme, kur e kam shoqëruar disa ditë në vitin 1980, që pat ardhë me Kujtim Buzën për të pikturuar vendet historike të Kosovës. Pastaj ata së bashku realizua një ekspozitë fantastike, në disa qytete… 

“Maleve të larta u duhen miliona vite që të bëhen aq, edhe kur janë të kredhur në mjergull, nuk do të thotë se janë zhdukur. Kur mjergulla largohet nën efektin e faktorëve të ndryshëm apo të mbretit Diell, malet shkelqejnë më tepër me bukurinë dhe madhështinë e tyre. Po kështu ndodh dhe me artistët e mëdhenj të llojit të Guri Madhit. Atyre nuk u duhen miliona vite për tu bërë aq të fuqishëm, por brenda atij caku jetësor që u është dhënë, u duhet ta shumëfishojnë punën dhe përpjekjet e tyre në qindra vite. Talenti u jep këtyre njerëzve vetëm një avantazh të vogël, ndërsa puna e tyre titanike i bën të shquhen nga të tjerët madje edhe kanakaret e shoqërisë. Ndryshimet e epokave, artistët si Guri Madhi i bëjnë të rishfaqen më fuqishëm, me të gjitha vlerat e tyre”.(N Tozaj)

Piktori i njohur Guri Madhi lindi më 15 maj të vitit 1921, në qytetin e Korçes. Shkollën fillore e kryen në vendlindje. Si fëmij tregoi interesim për vizatim, vazhdimisht ishte me laps në dorë dhe letër duke vizatuar. Ai arrijti të tërheq vemenjen e piktorit të njohur Spiro Xega i cili e pranon në studion e tij, ku ai mori njohuritë e fillrstare për piktorin e ardhshëm. Gjatë pushimeve Guri i ndihmonte babait që kishte një restorant, ku shpesh herë ai vizatonte përpara tij, në trotuar. Fëmijtë mblidheshin rreth tij, dhe e admironin për talentin që kishte. Babai duke e parë interesimin e Gurit për vizatim, e veçanrisht me rekomondimin e Spiro Xegës i cili ndikon që pas mbarimit të shkollës fillore, të regjistrohet në Shkollën e Mesme Industriale në vendlindje. Kjo shkollë tregoi interes për talentin e Gurit dhe e ndimonte duke i dhënë materiale pune (letra ngjyra etj.), si dhe e stimulonin me çmime.  

Me qenë se Familja e tij ishte në gjendje të vështirë ekonomike, ai e ndërpret shkollimin dhe detyrohet të punësohet si piktor reklamash dhe afishesh, në kinematë e qytetit (“Lux”dhe “Majestik”). Kjo punë Gurit i dha edhe mësimet e para në kompozicion.

Në vitin 1944 Guri Madhi punon në Shtëpinë e Kulturës  në Korçë si piktor, ndërsa më 1947 në Teatrin e Qytetit si ndimës skenografije dhe më vonë si skenograf e koleg i piktorit të madh korçar Vangjush Mio. Aty ai debuton edhe si aktor ku interpreton shumë role kryesore, në disa drama (“Platon Kreiot”,”Nën gështenjat  e Pragës”, ”Kopraci” etj.).

Më l950 Guri Madhi studion për pikturë në Akademinë e Arteve “Rjepin”, në Shën Petërsburg (Leningrad në ish BRSS), në Atelien e prof. Joganson i cili në at kohë ishte president i Akademisë së Arteve në Moskë, Gjatë studimeve ai arriti rezultate të konsiderueshme.

Më 26 qershor 1956 mbrojti diplomën me kompozicionin “Bajram Curri në shpellën e Dragobisë”, I frymëzuar nga elegjia e Fan Nolit “Dir drago i Dragobisë”, kompozicon ky që u mirëprit me entuziazëm   nga profesorët  e akademisë, duke u vlersuar si një ndër tablot më të mira të studenteve. Kjo tablo u ekspozua në shumë vende të ish BRSS, por edhe në botë, në ekspozitat e studentëve të huaj të Akademisë Rjepin.

Në këte pikturë me dimenzione të mëdhe, autori ka përdor figuracionin kompozicional rrethor, ku në qendër paraqet Luanin e Dragobisë të veshur në të bardha, i cili me dorën e djathtë mban dylbitë, që simbolikisht paraqesin  idetë largpamëse të patriotit shqiptar Bajram Curri, kurse në dorën tjetër mban armën, që tregon se nuk ishte vetëm udhëheqës, por edhe njeri i aksionit. Edhe përsonazhet tjera të kuadrit janë pikturuar në mënyrë reale, të cilat artisti i ka realizuar pas shumë etydeve, që i ka bërë në Tropojë (duke qëndruar mbi tre muaj). Bashkëluftëtarët e kësaj kryengritjeje janë trajtuar me mjeshtri, ata janë në gjendje gadishmërije dhe vetëm presin urdhërin  e udhëheqësit të tyre, gjë kjo që këte kryevepër e bën tejet dramatike. Koloriti është i pasur, ku dominon ngjyra e përhimtë me të gjitha nuansat e sajë, posaqërisht në sfond ku parqitën luftëtarët, duke u shkrirë në shkambijtë e Dragobisë.

Penelatat e artistit në shumë tablo e posaqërisht në kompozicionin e Bajram Currit dhe disa portreteve, na kujtojnë veprat e njohura të Rembrantit.

Kur kthehet në atdhe emrohet inspektor i arteve pranë Ministrisë së Kulturës, ndërsa më vonë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Në vitin l961 është ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve).

Piktori Guri Madhi për dhjetë vite (1964-1974) kaloi një periudhë të vështirë…Ai u transferua në Gjirokastër si piktor i garnizonit ushtarak (1967-1968). Është kjo koha kur ai vuajti shpirtërisht, mirëpo me ndihmën e miqve dhe familjes e tejkalon këte krizë, duke konsideruar si gjë normale (për kohen) dhe nisë jetën e qetë, për të rifilluar krijimtarinë edhe më me përkushtim. Pas një kohe në një plenum partie Enver Hoxha lëvdoi pikturat historike të Guri Madhit, andaj “shokët” e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e kthejnë në Tiranë ku është i pa punë (1968), pastaj emrohet si piktor-ilustrator në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore “H. Shijaku” në Tiranë.

Artisti Guri Madhi gjatë krijimtarisë së tij, si piktor ka relizuar afro 400 tablo në vaj, pastaj me qindra etyde dhe vizatime, me përmbajtje dhe ndërthurje  nga më të ndryshme, si janë ato historike, sociale, portrete, natyra të qeta dhe peizazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë.

Më l974 kalon si piktor në krijimtari të lirë. Tani  ate e angazhojnë që të realizoi dy tablo me dimenzione të mëdhe “Reforma agrare”(1974) dhe “Mbledhja e Moskës”(1974). Ishin këto porosi që kalonin në komisione për diskutime, kontrolla, verejtje e sugjerime, që nga fillimi i punës në skica e deri te korigjimet në sallat ekspozuese.

Me 1983 pensionohet, por njëkohësisht është edhe pedagog i jashtëm i lëndës së pikturës, pranë Akademisë së Arteve.

Piktura e titulluar ”Portreti i nënës”(l952), pronë e Galerisë së Arteve në Tiranë, është një studim ku artisti paraqet nënën e tij, i frymëzuar për njeriun më të dashur. Ajo është e vendosur në gjysmëprofil, ka një shikim nostalgjk, duart i ka të lidhura dhe mban një shami të bardhë që është i vetmi kontrast i kësaj pëlhure me ngjyra të  qeta.

“Dorëzimi i armëve” (1953) pronë e Galerisë së Arteve në Tiranë, është një kryevepër  arti, e realizuar me mjeshtri figurative dhe fuqi kreative, për ta bërë të pavdekshme këte epokë historike të kombit. Kjo tablo kompoziconale është ndër veprat më të suksesshme të artit shqiptar. Guri Madhi imagjinatën e tij e ka futur në veprim krijues, duke e pikturuar simbolin e lirisë dhe shpartallimin e turqve osman. Në kompozicionin e kësaj pikture historike mbretron  shprehja reale e veshur me petkun historik. Ideja qendrore e kësaj vepre është fituesi dhe humbësi. Skenderbeu në kalë, me bashkëluftëtarët e tij në një log të betejes së përfunduar, i shikojnë armiqtë e tyre duke i dorëzuar armët, të thyer moralisht. Janë të njohura dhe tablotë “Demostrata e Korçes”(1959), “Gratë e Kurveleshit” (l965),”Lufta e Mezhgoranit” (1968), “Lufton Idriz Seferi” ( ky kompozicion diagonal  i realizuar me1981 paraqet heroin kosovar duke luftuar me shokët e tij), si dhe shumë vepra tjera kompozicionale

Në muajt e fundit të jetës së babait të tij, ai i realizoi një portret “Baba i piktorit“(1986). Në këte tablo Guri paraqet shikimin e babait drejtuar nga ai. Është me rëndësi të themi se si në këte tablo, poashtu dhe në ate të nënës, autori nuk paraqet detaje të lumturisë… Ndoshta është arsyeja e pikëllimit, se ai nuk ishte i pranishëm në vdekjen e të dy prindërve.

Piktori gjithë jetën e tij kishte dëshirë të punonte i lirë. E admironte surealizmin e më së shumti i pëlqente Pikaso, Matisi dhe piktorët meksikan.

Në vitet e fundit pikturoi për shpirtin e  vet (jashtë rregullave dhe klisheve të asaj kohe), kështu që realizoi shumë natyra të qeta, portrete, piktura simbolike dhe peizazhe në mënyrë  ekspresioniste.

Ndonëse ishte 60 vjeçar ndihej i ri, fatkeqsisht vdiq në kulmin e krijimtarisë së tij, kur ishte në një fazë që mund të provonte të gjitha llojet e artit, sepse e njihte mirë artin botëror. Për këto njohuri meritë kishte vllau i tij i cili e furnizonte me revista (arti) frençeze dhe ruse.

 Ai qëndroi larg jetës shoqërore të atij mbienti, duke besuar se po mbijetonte veprimtarinë artistike, andaj tërhiqet në studion e tij, për të ruajtur interpretmin e tij origjinal në pikturë. Duke pikturuar tablo me tema historike, artisti gjendej para situatave absurde (koomisioneve vlerësuese – tavolinave me beze të kuqe), për të cilat nuk ishte i pregaditur artisti Guri Madhi, andaj ai atyre u përgjigj vetëm me pikturën e vet…  

Në fund të viteve shtatëdhjetë dhe në fillim të viteve tetëdhjetë, Guri realizoi afro pesëdhjetë tablo të cilat tani ishin në frymën e ekspresionizmit. Këto vepra paraqesin portrete të zakonshme të malsorëve dhe të luftëtarëve, pastaj natyra të qeta, enteriere dhe peizazhe.

Të kësaj periudhe janë pikturat “Autoportreti” (1986)dhe “Portreti i Abdurahim Buzës” (1986) i cili paraqet piktorin plak në profil para kavaletit në studion e tij më l986. Në sfond të kësaj pikture, artisti paraqet në mënyrë bashkëkohore  tablotë e vogla të vendosura në mur.

“Aida”(1986) është portret i realizuar në një apo dy seansa, në hormoni e kolorit të ndezur dhe të ndritshëm. Ajo është një mësuese e re, e fejuara e djalit të tij. Artisti u frymëzua për ta  pikturuar, kur ajo erdhi dhe solli një tufë lule për 7 marsin e vitit 1986. Këte çast gëzimi ai e bëri të pavdekshëm, për të treguar zotësinë edhe per vepra të relizuara në frymën e re bashkëkohore. Aida është në vajzë e bukur, e çiltër dhe gëzimplote, ndërkaq sytë e sajë të kaltërtë tregojnë lumturinë dhe seriozitetin e kësaj krijese. Portreti është vendosur në amfas e me duar mban tufën e luleve, që ajo solli. Pikturën e përshkon një atmosferë impresionuese me ngjyra të hedhura mjeshtrisht, ndërkaq sfondi është paraqitur i qetë dhe me kolorit të artë.

”Pranvera”(1987) është njera nga pikturat më të fuqishme të Guri Madhit. Tabloja paraqet një vajzë të re të bukur, por njëkohësisht të thuash monumentale e gracioze, por, megjithate, përmban kuptim të ri të hapsirës, të formuar nën frymëzimin e Matisit. Aftësia e artistit për analizën psikologjike dhe përqëndrimi i tij, me vrull shpirtëror, dhe me lëvizjet vringlluese të brushës, të hedh ngjyrat e shumëllojshme në pëlhurën e kësaj vepre. Prapavija është realizuar me penelata dhe të hedhura të pasura të ngjyrave të trazuara, vlera këto që kan vu  gur-themelin e pikturës bashkëkohore të Shqipërisë.

Në disa peizazhe…

Vdes nga një sëmundje e papritur më 13 Qershor l988. Për vdekjen e artistit të madh, biri i tij Pandi shprehet “Ne nuk e dimë akoma se si ka vdekur, dimë vetëm që është gjetur i vdekur, nuk e dimë si ka ndodhur.  Ai at kohë iku për tu operuar nga tivoidët (në Budapest) dhe nuk u shoqërua nga asnjë pjestar i familjes, se atëhere nuk u lejonin të sëmurëve të shkonin jashtë me ndonjë familjar“.

Guri Madhi ishte një ndër artistët më të shquar të Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX-të, që me punën e tij të pandërprerë ka mundur të shprehë vetveteen në kushtet e vështira, për krijimin artistik të regjimit politik të kohës. Ishte pikrisht Madhi i vetmi artist shqiptar që u përjashtua  nga partia (1976) dhe pas nënd vitesh u  bë Artist i Popullit – rast unikal.Në disa peizazhe vërejmë impulse ekspresioniste e poetike duke sjellur senzibilitet autentik si në permbajtje, ritëm dhe ngjyra, andaj është ky peizazhi i artistit që shprehet me fjalor të qiltër piktural.”Peizazh nga Prizreni”(1970) dhe “Peizazh nga Kamza” (l988) janë vepra të rfealizuara mjeshtrisht dhe me përkushtim në një apo dy seansa me ngjyra vaji.Tabloja “Plazhi” (1987) paraqet një çift të porsadashuruarëve, të cilët janë nën një çadër të plazhit. Në sfond në mënyrë diskrete-thjeshtë dhe me mjeshtri është pikturuar mali, deti dhe rëra.

 ”Karakteristikat e tij më të mira shpirtërore, Guri i manifestonte në tablotë e tij. Kur shihja pikturat e tij, më bente përshtypje spontaniteti i penelateve të tij, por që gjithmonë ndertonin forma. Guri ishte kolorist i lindur. Jeta e artistit të vertetë nuk shuhet kurrë, ajo vazhdon me jetën artistike të veprave dhe me kënaqësin që na japin”. (Sali Shijaku, Piktor i Popullit). 

Opusi i veprave të Madhit, prek në zemër dhe në shpirt, jo vetëm njohësit e artit por edhe auditorin e gjërë. Ai është njohës i mirë i pikësynimit të ngjyrës e njëherit njeh mirëfilli efektin e saj. Artisti e objektivizon kolorin në tablotë e tij, të ngrohtë, të ftohtë apo në nuansa valeristike, duke e gjetur dhe  studjuar me pasion. Këto ngjyra fillojnë të ngjallen, kur ato i hellë të krijuar një formë të mrekullueshme artistike. Kështu pra forma e saj është në funksion të drejtëpërdrejtë të permbajtjes.(Botoi DIELLI, Janar 2013)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Blerim Luzha, Imazhet e Guri Madhit

“MOS ME SHIKO ME PERBUZJE”!

February 4, 2013 by dgreca

Një ekspozitë e suksesshme e artistëve nga Kosova në Bukuresht/

 Nga Baki Ymeri/

Aleksi nga Vlora, Luan Topçiu nga Poradeci (ministër-këshilltar i ambasadës sonë në Bukuresht, një thesar i pashtershëm i kulturës artistike dhe letrare shqiptare), Ambasadori Sami Shiba, miku i madh i shqiptarëve, Zoti Gjergj Bukura, dhe Xhemajl Mustafa nga Sllatina e Vitisë, na ftuan më 25 janar për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së fotografive me titull “Mos më shiko me përbuzje”, e realizuar nga fotografi Artan Korenica në bashkëveprim me producentet Blerta Bashollin dhe Armond Morinën, në Muzeun e Fshatarit Rumun në Bukuresht, në një godinë të vjetër impozante që gjendet përballë selisë së Qeverisë. Në sallë një numër impresionues pjesëmarrësish dhe massmedia rumune, pjestarë të komunitetit shqiptar dhe dashamirë të mëdhenj të Shqipërisë.

Ekspozita respektive përfshin gjithsejt 40 fotografi të komuniteteve rome, egjiptiane dhe ashkali nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Fotografi Artan Korenica filloi realizimin e projektit qysh një vit më parë, i inspiruar nga ngjarje të vërteta të diskriminimit të komuniteteve të lartëpërmendura. Ai ndjeu obligim që përmes punës së tij artistike të bëjë një hap të vogël kundër diskriminimit të njerëzve. Ekspozita qëndroi e hapur prej 25 janar 2013 deri më 1 shkurt 2013, e prezantuar në massmedian dhe televizionin e Bukureshtit. Përveç shoqatave të pavarura, kulturore, tregtare e turistike, shpresojmë se Ministritë e Republikës së Kosovës do të ndërlidhen drejtëpërsëdrejti me autoritetet rumune, që në ardhmëri të organizohen edhe ekspozita tjera, lansime librash dhe afirmimi i kulturës shqiptare në Rumani dhe i asaj rumune në Kosovë.

Zonja Blerta Basholli shprehu dëshirën dhe shpresën që shteti rumun ta njohë Kosovën. Shtypi i Bukureshtit i dha një publicitet të denjë kësaj ekspozite, duke e cilësuar si një eveniment të shkëlqyer, ku artisti ka arritur të kapë të gjitha përrallat që ëndërronte të na i rrëfejë përmes fotografive. Artan Korenica u lind në Gjakovë (1978), filloi të punojë si fotograf qysh ne shkollen e mesme, dhe pasi u vendos në Prishtinë (2000), u pregadit profesionalisht në fushë të fotografisë, duke realizuar disa filme, reportazhe dhe videoklipe, kohëve të fundit duke vepruar në linjën Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën a hapjes, Zonja Blerta Basholli theksoi me fjalë të tjera faktin se takimet e këtilla që reflektojnë art, kulturë dhe miqësi, janë të domosdoshme për ta njohur njëri-tjetrin, para takimeve ndërshtetërore dhe njohjes zyrtare të Kosovës. Këtë manifestim e nderoi edhe prezenca e liderit historik të komunitetit shqiptar të këtij vendi, Dr. Xhelku Maksuti, si dhe përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare që kanë respekt ndaj gjithë shqiptarëve, ngado që janë.

Vlen të përmendet fakti se British Council në Prishtinë, Ambasada e Norvegjisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë përkrahur projektin dhe hapjen e kësaj ekspozite në Rumani, Në kuadër të kësaj përkrahjeje, ekspozita respektive do të hapet edhe në dy vende të tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, përkatësisht në Greqi dhe Bosnjë. Realizimi i projektit “Mos më shiko me perbuzje”, fillimisht eshte mundesuar nga SOROS ne Kosove, Departamenti i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe Fondacionet per Shoqeri te Hapur – Me kontributin e Programit per kulture dhe art te Budapestit.

Me këtë rast u shpërndanë ekzemplarë të revistave Shqiptari dhe Kosova, të botuara përmes përkrahjes së Ministrive të Diasporës dhe asaj të Kulturës, që funksionojnë pranë Qeverisë së Kosovës. Kontribut të veçantë për mikpritjen e mysafirëve tanë, përveç sponsorëve dhe diplomatëve tanë, dha edhe Xhemal Mustafa me origjinë nga Kosova, që banon në zonën Bëneasa, atje ku dikurë delnin në piknik boboshtarët dhe drenovarët me Asdrenin në ballë, pronar i një kafeneje impozante me fotografi të Gjergj Kastriotit dhe Nënës Terezë, bashkëshortja e të cilit është femra e parë rumune që ka vizituar kompleksin e Adem Jasharit në Kosovë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: artstre nga Kosova, Baki Ymeri, Bukuresht, ekspozite

KUJTESE-ME 4 SHKURT U NDA NGA JETA NE LAS VEGAS POETI AVNI MULAJ

February 4, 2013 by dgreca

Tre vjet të shkuara, me 4 shkurt 2010, u nda nga jeta në Lasvegas poeti dhe dramaturgu Avni Mulaj. Po e risjellim si homazh kujtese dhe nderimi përcjelljen që i bëri studuesi dhe përkthyesi Pirro Dollani, marrë nga arkivi i gazetës Dielli si dhe cikel poezish te po atij numri!I perjetshëm  kujtimi dhe vepra e poetit!(Dielli)/

 LUM AI PER KUJTIMIN QE LA PAS!

Nga Pirro Dollani/

 Askush nuk do të dëshironte të fliste në një tubim të tillë, askush! Dhe aq më pak kur objekt i kësaj fjale të përmortshme është miku ynë, babai, vëllai, bashkëshorti, njeriu dhe poeti Avni Mulaj! Vdekja është gjithnjë tragjike, madje kur është e parakohshme dhe kur merr njerëz të tillë si Avniu, ajo bëhet edhe më e papërballueshme. Eshtë kjo arsyeja, që pa i mbyllur sytë mirë, disa gazeta, revista këtu në Amerikë dhe Shqipëri filluan të botojnë artikuj mbi vdekjen e tij nën tituj të ndryshëm: Revista online “Bota Sot” me datë 4 shkurt, pikërisht ditën që Avniu u nda prej nesh, njoftoi lajmin nën titullin “Vdes dramaturgu Avni Mulaj.”

Revista “Voice of Albanians –Zëri i Shpiptarëve” po me date 4 Shkurt, botoi shkrimin me titull “Vdiq në Las Vegas “Poeti dhe dramaturgu i njohur shqiptar.”

Revista poetiko-letrare POETEKA, që botohot në Shqipëri, dhe shpërndahet në disa universitete të ndryshme të botës, në numrin e saj që sapo doli, i ka kushtuar 10 faqe krijimtarisë së Avniut me titull:Homazh për Avniun.

Edhe reagimi i miqve dhe i qarqeve letraro-artistike ka qenë i menjëhershëm. Nga shumë miq të mi, që janë njëherazi edhe miq të Avniut, kam marrë me dhjetëra mesazhe, dhe pikërisht pak çaste mbas vdekjes së tij. Më lejoni t’ju citoj disa prej tyre:

Poeti Arjan Leka, njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës POETEKA, më shkruan kështu për të: “Avniu ishte njeriu që kurrë nuk deshi të binte në sy!”

Shkrimtari Viktor Canosinaj: “Mbaj mend që më ka lexuar vëllimin e parë me poezi dhe ishte njeri tepër pozitiv. Pikërisht këta njerëz Zoti nuk i lë të jetojnë gjatë. Mister.”

Poeti Rudolf Marku shkruan kështu: “Lajmi për Avniun është tronditës. Një Poet dhe një Mik më pak, në këtë botë do të thotë më shumë banalitet dhe ligësi.”

Aktori Mirush Kabashi shkruam: “I qoftë i lehtë dheu; dhe i lumi ai për kujtimin që la!”

Mesazhe të kësaj natyre kanë cuar, edhe shumë shkrimtarë e artistë të tjerë, ndërmjet tyre, gazetari Dalip Greca, poetja Luljeta Lleshanaku, regjisori Saimir Kumbaro, shkrimtarët Zija Cela, Gjergj Vlashi, Moikom Zeqo, Met Dervishi, Hajg Zahariaj, Petraq Risto, etj. Por më lejoni të përmend edhe një herë fjalët lapidare të Mirush Kabashit: “dhe i lumi ai për kujtimin që la!!!” Vërtet: i lumi Avni për kujtimin që po lë!”

Këtë mëngjes më zgjoi zilja e telefonit. Ishte shkrimtari Pëllumb Kulla nga Nju Jorku. Mbasi më ngushëlloi edhe mua si shok e mik i Avniut dhe i Teutës, shtoi “më vjen keq që nuk mund të jem aty pranë Avniut, por të lutem thuaji Teutës, Ervinit e Sidit që në orën 10 të Nju Jorkut, që është ora 1 me të Las Vegasit, miqtë e tij këtu në Nju Jork,  të gjithë ne, do të jemi zemër e mendje aty me ju.”

C’magji kishte Avniu që njerëzit e cmojnë dhe e duan kaq shumë? Përvec talentit poetik e aftësisë për të kapur nuancat më të holla të ndjesisë njerëzore, ai kishte edhe një shpirt kaq bujar, delikat e njerëzor, e ishte kaq paqësor saqë po të ishte Presidenti i Shqipërisë, pa dyshim partitë politike në Shqipëri e Kosovë do t’i shihnim duke u puthur me njëra-tjetrën! Kur punonte në teatrin e Durrësit si libretist, ai ishte debulesa e aktoreve të bukura.  Dhe kur Avniu nuk ua varte, ato shkonin ankoheshin tek Teuta për indiferentizmin që tregonte ndaj tyre. Do të thoni ju pse nuk ua varte? Sepse Avniu zemrën ua kishte dhënë dy dashurive: Poezisë dhe Teutës! (Njerëzit që e njohin Avniun me mirë sesa unë, thonë që përvec këtyre dy dashurive, Avniu kishte edhe pikturën e shahun! Ai ishte një piktor e shahist i shkëlqyer!)  Ja si shkruan në një poezi që i ka kushtuar Teutës, një poezi që ka vetëm tri vargje, por që nga ngarkesa emocionale ka peshën e një poeme dashurie:

 

Mrekullitë mbeten gjithmonë Shtatë,

Për shkak të ligjit të rotacionit,

Teuta, mrekullia ime e tetë, konstante!

Në një poezi tjetër dashurie, këtu jam i paaftë të them nëse ia ka kushtuar Teutës, Poezisë, Pikturës, Shahut, apo ndonjë tjetre, psh. Frides “së shkretë” që qysh prej 10 vjetësh Avniu e mbajti me shpresa (ndoshta gënjeshtra!!!) se do t’i bënte një vjershë. Poezia mban titullin:

 

Për të gjithë kafazet

 

Pse kërkon të më mbyllësh në kafaz e dashur

Kafaz me shufra hekuri të rëndë

Më kot e ke, unë hekurat i zbus

Dal jashtë dhe ti prap brenda më gjen.

 

Si poet Avniu ka botuar 7 libra me poezi dhe ka shkruar 2 drama, njëra nga të cilat “Gërsheti i Luftrave” që i kushtohet Shote Galicës, eshtë shfaqur shumë herë në Televizionin shqiptar. Avniu bë i njohur si poet i talentuar qysh me veprën e parë poetike “Valbona e Kaltër” që e botoi kur ishte 24 vjec. Përmes librit të tij, Valbona u bë simboli i bukurisë shqiptare, simbol i natyrës dhe i shpirtit njerëzor. Pas këtij botimi emri Valbona u bë shumë popullor, brenda e jashtë vendit.

 

Edhe pse Avniu ka qenë i rrethuar gjithnjë nga dashuria e miqve, e shokëve, dhe e lexuesve të tij, përsëri durrsakët, sidomos djemuria e dikurshme, janë njëcikë prishaqejf dhe të prekur në sedër që ky djalosh simpatik, ashtu sic në legjendat e lashta shqiptare e si në eposin e kreshnikëve, zbret nga bjeshkët e kaltra, kapton nëntë male e fusha, nëntë lumenj, liqene e ujëvare e zbret në Durrës e u rrëmben durrsakeve vajzën më të bukur, pikërisht atë që mban edhe emrin e mbretëreshës ilire, Teuta.

 

Për Avniun mund të flasësh pa fund, jo vetëm për jetën, por edhe për qëndrimin stoik gjatë sëmundjes së flamosur që e ndau prej nesh. Ai iku nga kjo jetë ashtu i qetë, pa u ankuar, pa bezdisur askënd. Pikërisht ashtu sic edhe jetoi cdo sekondë të jetës së tij. Por a iku vërtet?. . .

Një pjesë e tij vërtet do të iki, por shpirti, zemra, ndjenjat, emocionet, zëri e fjalët e tij, dashurinë për jetën, miqtë, Teutën, Ervinin, Sidin, për Shqipërinë dhe Kosovën që aq shumë e donte, do të mbesin gjithnjë me ne. Ja, mjafton të zgjatim dorën e të hapim librat e tij, “ai do të zbresë e do jetë përherë me ne.”

“Lum ai për kujtimin që po lë pas!” Las Vegas, 6 shkurt 2010

 

Avni Mulaj

SERUM

 

Pikë pikë

Kur asidentalisht ndalon

Një bip alarmon ajrin

 

Vena  e njerëzimit

Kërkon ndihmë.

 

 

DITË NË SPITALIN SUNRISE

 

Krevat i ngushtë plot butona, sinjale

Si shtrat topi kundërajror.

 

 

 

DHOMË PACIENTI NË SPITALIN SUNRISE

 

Gjithë kohës dera gjysëm hapur

lëvizje bluzash të bardha

Karroca me kazanë gjellësh

Barrela emergjence, nën carcaf: njeriu

S`duket asgjë prej tij, veç forma

Dikur dikush bërtiti fort:

A keni derë në shtëpinë tuaj?

 

 

 

LULE TË FRESKËTA TE KOMODINA

 

Bob Shuman, më gjeti në gjumë

La te komodina dy-tri lule të freskëta

Dhe një urim  me shkrim dore

Mbi një kartolinë të improvizuar

Me një copë kartoni.

 

 

 

 

 

 

 

 

MALL PËR DURRËSIN

 

Ika larg s’di si ika

Një udhë tjetër digu larg

Me ty në mendje Durrës

Hepohem, kreshpohem sa s’bi.

 

Kur befas ti më mban-

Vegim I vagullt lumturues

Endërr, zgjëndërr drejtpeshues.

 

Kur të kthehem

 

Si nga dëshirë e ëmbël për të vdekur

Le të shtrihem në supeduart – vig.

 

Gjithkund u mbajta fort, s’rashë,

Aty symbyllur le të bie.

 

 

LEJOME

(Kosovës time të lirë)

 

Mbi kokën e lartë krenare

Të vë kurorën e lirisë-

Lejomë.

 

Martirëve panumër

T’u bie në gjunjë

Lejomë

 

Lejomë

të vdes e të ringjallem

Në gazmendin e sharkive

 

Të mbaj plisin tënd të bardhë

Të krenohem me ty

Lejomë

 

Të mbaj zemrën tënde

Mes duarsh pishtar

Të çoj shekujve lajmin e fitores

 

Lejomë!

E DESHA NJE VATER

 

E desha një vatër me Diell, si Dielli

Frymë Perëndie që s’e le të shuhet,

Flakë që rritën në qiell prej shkëndijash,

Duar-zemra pleksur, trazuar si urët.

 

Një vatër fjale shqipe të magjishme,

Një vatër urtësie prej Rilindasish,

Një vatër besëlidhje gjaku, vëllazërimi,

Ideali kombëtar- yll i zjarrtë që ndrit.

 

Një vatër korifejsh-maj’ e lavdisë,

Një Nol, një Fishtë, një Konicë, një Kadare,

Një vatër –tempull i mirësisë, shënjtërisë,

Një Nënë Terezë-gjith mrekullia mbi dhe.

 

Një vatër gjith rrethore Dibre, Çamërie, Kosove,

Sofër përplot shtruar në gosti natyre,

Vargmale, lumenj, detra, liqene përrallore,

Katër stinë-tablo pikture të përkryer.

 

E desha një vatër ku të mos ndjehem vetëm

Rrezet t’i nis me shpejtësinë e dritës,

Një vatër-flakadan-një shekulli termetesh

Si “Vatra”- shqipja jonë e Amerikës.

 

Disa nga titujt e veprave të poetit Avni Mulaj

  • Valbona e kaltër                                         poezi 1974
  • Orët e mia                                                   poezi 1976
  • Currila                                                                  poezi 1978
  • Sirena të qytetit tim                                              poezi 1984
  • Gërsheti luftrave                                         dramё   1985
  • Serish galicët                                                        dramё    1998
  • Versionet e botёve                                                poezi      2003
  • Njeriu shkurtabiq me dërrasën e gjatë mbi sup             poezi      2008
  • Flamujt e kopshtit                                                poezi     2009

 Veç titujve të sipërshënuar krijimtaria e tij poetike është botuar periodikisht në

“Zëri i Rinisë”, Studenti”, “Drita”, “Nëntori”, “Albania e Vogël”, “Poeteka”, “Dielli”, “Illyria” etj.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Avni Mulaj, dalip greca, Pirro Dollani

NE PRAG TE DITELINDJES, 104 VJETORIT TE DIELLIT- GJURMIME MBI LETËRSINË SHQIPE TEK «DIELLI»

February 3, 2013 by dgreca

Nga Sevdai Kastrati/

Kam kënaqësi të veçantë që mund të marrë pjesë në këtë përvjetor të rëndësishëm: përvjetorin e njëqint të gazetës Dielli. E quajmë këtë përvjetor të rëndësishëm sepse është përvjetor i jashtëzakonshëm i gazetës me jetëgjatësinë më të madhe në gjuhën shqipe: ju përshëndes dhe ju falënderoj që më ftuat.

Kur flas për gazetën Dielli unë jam i vetëdijshëm se flas për njërën nga gazetat më të rëndësishme të botës shqiptare. Them kështu, sepse në gazetën Dielli janë botuar poezitë, prozat, dramat, polemikat, ligjërimet, kritikat letrare, gjuhësore dhe politike, letërkëmbimet, shkrimet historike që kanë të bëjnë për Shqipërinë në veçanti dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi prej krijuesve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Dielli është gazeta e parë që i kushton një rëndësi përkthimeve, duke sjellur në gjuhën shqipe disa nga veprat më të njohura të letërsisë botërore.

Pa dyshim, gazeta Dielli është bërë shkollë për shqiptarët e Amerikës, tribunë e lirë për shprehejen e mendimeve, mburojë për të drejtat kombëtare, i ka përkrahur dhe mbrojtur të shtypurit, e ka çmaskuar natyrën ballkanike dhe orientale të politikanëve shqiptarë (për këtë është ndaluar të futet në Shqipëri), i ka luftuar shtypësit dhe tiranët (hiq një periudhë të shkurtër kur vihet në shërbim të regjimive monarkiste dhe komuniste), e ka mbajtur të ndezur kandilin kombëtar shqiptar në Amerikë.

 

Në këtë kumtesë dëshiroj të flas sot para jush mbi një vështrim të letërsisë shqipe te Dielli prej 1909 deri më 1971, pra rreth poezisë, prozës dhe dramaturgjisë.

Ndonëse Dielli në fillim ishte i përqëndruar kryesishit në përkthime të letërsisë botërore, si  tregime, novela, komedi të autorëve më të dëgjuar të Evropës dhe Amerikës e, që në fund të vitit parashikonte t’i botonte në një vëllim të veçantë. Edhe pse një botim i tillë s’u bë ndonjëherë.

Megjithëse letërsia shqipe ka një shtrirje të gjatë kohore te gazeta “Dielli”, ku poetë, prozatorë e dramaturgë i takojnë periudhave të ndryshme kohore: romantizmit, mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit, letërsisë sociale dhe letërsisë së sotme. Për dallim nga metoda e realizmit socialist që mbizotëronte në Shqipëri, letërsia shqipe në diasporë u zhvillua pa censurë e pa trysni politike.

Dy vjershat e para do të botohen në Dielli i përkasin vitit 1910, pra më 29 prill, në numrin e 57, Kënga e Abecesë prej Ali Maksutit  që demaskon propagandën për të shkruar gjuhën shqipe me alfabetin arab dhe vjersha kushtim  Shoqërisë «Mbarësi» të Luarasit prej Spiro Nini Luarsait. Në një shënim të Faik Konicës thuhet: DIELLI tha që në krye se nuk boton vjersha, dhe s’ka botuar gjer më sot. Po me që u dhamë fjalë ca pajtimtarëve, dalim nga regulla një herë dhe botojmë dy copë, të cilat kanë tri të mira që na i porositnë: 1) Flasin për të ngjara të ditës, dhe të tila vjersha boton ç’do gazetë politike (Frënq’ i quajnë këto les pièces de circonstance); 2) Janë të shkurta; 3) Kanë masë të dreqtë. Në marçim edhe të tjera vjersha që i mbushin këto të tri pika, ndofta munt të dalim prapë jashtë regullës.

Gjatë këtij viti do të botohen dy vjersha të tjera me frymë romantike, një nga këto është një vjershë portret që i kushtohet Faik Konicës.

Më 1912 botohet Kushtrimi – Ora e Shqypniis nga poeti kombëtar Gjergj Fishta, një vjershë profetike dhe  Kryengritja e Shqypniis prej Kambardhit (pseudonim i Risto Siliqit).

Vjersha e Fan S. Nolit Thomsoni dhe kuçedra do të botohet më 1915, si dhe vjershat e Ramiz Harxhit me pseudonimet Dullga dhe Top’ i Dullgës, Loni Logori, Kristo Floqi, Asdreni, Murat Toptani etj. Me ardhjen e Faik Konicës në Boston më 1921 gazeta Dielli bëhet vërtet një gazetë serioze dhe me një rëndësi të veçantë për letërsinë.

Derisa në kolonitë e tjera shqiptare do të vijnë duke u zvogëluar gjithënjë e më dukshëm numri i gazetave e i revistave, saqë edhe do të pushojnë fare, gazeta Dielli do të jetë e hapur për të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Evropë : Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Odise Paskali, Lame Kodra, Llambi Gjergo, arbëreshi Agostine Ribecco e të tjerë e, që do t’i botojnë krijimet e tyre poetike.

Një zë i veçantë në satirë është, pa dyshim, Merko Koroni. Është poet me dhunti krijuese, veçse i pa vënë re nga kritika letrare. Pothuajse të gjithë vjershat e tij janë të botuara në faqet e gazetës Dielli.

Një nga tingëllimat më të mira në letërsinë shqipe është Helena e Trojës i Faik Konicës. E shkruar më 1916 dhe e botuar më 1937, kur e shkroi ishte 41 vjeç e jo siç pohon Jup Kastrati 61 vjeç (Jup Kastrati: Faik Konica, New York, 1995, f. 426).

Në tingëllim tjetër i Faik Konicës është shkruar me 3 qershor 1938, me titullin Diplomati e, që ka satirë, sarkazmë, ironi dhe tallje.

Në vitet ’40 ribotohen vjershat e Fan S. Nolit: Hymni i flamurit, Anës lumenjve të Babilonisë, Kënga e Kirenarit, Krishti me Kamçikun, Moisiu në mal, Rent, or Marathonomak, Shën Pjetri në Mangall si dhe krijimet e reja poetike Plak topall, dhe ashik dhe Sofokliu dhe Ferid Asllani nën pseudonimin Bajram Domsdova.

Në vitet 50 shquhen Constantina Christ dhe Stefan Thanasi. Ky i fundit s’ka shkruar shumë gjithsej 8 vjersha, por kjo s’do të thotë se nuk është poet. Në historinë e letërsisë përmenden si vjershtorë që kanë shkruar vetëm dy-tri vjersha, dhe nuk përmend fare të tjerë që kanë shkruar me qindra. Thuhet se, ka pasur vjershëtor që është pranuar si anëtarë në Akademinë Frënge vetëm për një vjershë, për një tingëllim, por ama të përsosur.

Stefan Thanasi i larguar nga Shqipëria para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, sigurisht si emigrant ekonomik, siç ishin pothuajse shumica dërmuese e Shqipërisë së Jugut ai do të shkruajë një nga vjershat më emocionuese për nënën me titullin Mëmës t’ime. Në të gjejmë gëzimin, hidhërimin dhe frikën e nënës për birin e saj që nga ditët e djepit e deri në ditët e mërgimit:

 

…Bir or bir i nënës, ti po më largohesh

Oh! buzët më dridhen, zëmra më coptohet

 

apo porosia e nënës:

 

Pa ty, bir i nënës, mbetem si e mjerë,

Mos harro të kthehesh, të të shoh dhe nj’ herë.

 

Kurse në vargjet pasuese poeti shpreh sesa e domosdoshme është prania e nënës në lumturinë e njeriut dhe sa e dhimbshme është mungesa e saj:

 

 

Malli më ka marë, mëma im’ e dashur,

Gjatë kësaj kohe si nuk paskam plasur?

 

Malli i nënës ishte plagë e hapur për një pjesë të madhe të shqiptarëve në Amerikë. Jo vetëm për ata emigrantë ekonomikë, por edhe për ata refugjatët politikë. Për këta të fundit edhe më keq, sepse nënat e tyre do ta kalojnë jetën në internime.

Shqiptarët e Amerikës deri para ardhjes së komunistëve në pushtet kishin lidhje pronësore me atdheun, por me mbylljen e Shqipërisë ata i shkëputën të gjitha lidhjet pronësore, ashtu sikur arbëreshët dikur, sado jo edhe lidhjet shpirtërore.

 

Në vitet 60 dhe 70 botohen poezitë e Fan S. Nolit, Arshi Pipës, Vex-it, Bardhit, Demo Labit, Agron Himariotit, Nick Kreshpanit, Bilal Xhaferit (i cili e lufton tiraninë komuniste), Nexhat Peshkëpia etj.

 

E rëndësishme është gazeta Dielli edhe se i përket botimit të poezive në dorëshkrim të Faik Konicës (gjithsej 5, Drit’ e shpirtit tim, Fitova moj zëmbër, Një të dashur kush ka gjetur prej tyre dy janë në anglishte In memory of a young girl dhe To a revolutionary leader) dhe të  Andon Zako Çajupit (gjithsej dy Hymni kombëtar, Faik Konica dhe një variant Hymni shqiptar). Ky i fundit do të shkruaj një himn, ashtu siç shkruanin pothuajse shumica e poetëve të Rilindjes Kombëtare. Ia dërgon për botim gazetës Dielli miku dhe bashkëfshatari i tij Sofakli Çapi. Vjersha Hymni kombëtar është e panjohur për lexuesit dhe studiuesit e Çajupit. Nuk është përfshirë në veprat e tij as në Prishtinë, e së fundi (në përgatitje të Jorgo Bulës) as në Tiranë.

E shkruar ndoshta më 1913-1914, të njëjtën kohë me vjershën Mbretit të Shqipërisë që është botuar në revistën Zgjimi të Korçës (1914, nr. 5, f. 232-235) ku  thuhet:

 

Mos u gëzo, moj Janinë,

Sot për sot jemi të ndarë;

Po Shqiptarët do vinë

Se s’lënë gjaknë pa marrë.

 

Në vjershën Hymni kombetar Andon Zako Çajupi do të përkujtojë se kufijtë e 1913-ës kanë lënë jashtë shtetit shqiptar gjysmën e trojeve etnike:

 

Zot, kufit’ e Shqipërisë

Nukë janë tek u-shtuan,

Se armiqt’ e drejtësisë

Shumë vise zotuan.

Po me pahir nuk mbahen

Se nga Shqipëria s’ndahen;

Kur të vemi t’i shpëtojmë

Si dragonj do të luftojmë!

 

apo në vargjet pasuse:

 

Një meleun shqipëtarë

Sot ndënë zgjedhë rënkojnë,

Dhe na presin duke qarë,

T’u-vemi, që të shpëtojnë.

 

ndërsa për fqinjët tanë thotë:

 

Sot gjitonët s’na nderojnë

Shitiren sikur s’na peshojnë,

Po një ditë, çpejt a vonë,

Kur t’u-vemi, do të shonë!

 

dhe në fund jep kushtrimin:

 

Si lum’ i Vardarit

Gjaku le të rrjedhë!

Zverk’ i shqiptarit

Nuk duron zgjedhë.

 

Sa i përket prozës do të ndalem shkurtimisht në prozën e Faik Konicës. Proza E bija e mbretit edhe trëndafijtë «Dielli»,  1910, 4 shkurt, nr. 45, f. 1, pastaj prozën historike Jeta e Skënder Beut. Jup Kastrati pohon se është shkruar nga 8 gushti 1912 deri më 17 nëntor 1918 (Kastrati 1995). I të njëjtit mendim është edhe Nasho Jorgaqi (Konica, vepra V, 2001, f. 434). Ky është një shembull se si marrin të dhënat nga fjalët e të tjerëve, pa i parë shkrimet origjinale. Në të vërtetë është botuar në nëntë vazhdime nga 8 gushti – 17 tetor 1912. Dielli», Boston Mass, 1912, 8 gusht, nr. 161, f. 2, 3; 15 gusht, nr. 162, f. 2, 3; 22 gusht, nr. 163, f. 2, 3; 29 gusht, nr. 164, f. 2, 3; 5 vieshtë [shtator], nr. 165, f. 2, 3; 12 vieshtë [shtator], nr 166, f. 2; 19 vieshtë [shtator], nr. 167, f. 2; 26 vieshtë [shtator], nr. 168, f. 2; 17 vieshtë II [tetor], nr. 171, f. 2. Tregimi Katër pralla nga Zullulandi, prej të cilave është botuar vetëm një me titullin Një ambasadë e Zulluve në Paris  (11 mars 1922), ndonëse tregim për një popull tjetër, në të vërtetë ka të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kurse proza ese Shqipëra si u-duk është një vepër që duhet të lexohet dhe të rilexohet, sepse është shumë aktuale. Faik Konica kishte ndërmend të shkruante mbi zotrit e çifligjeve, dhe mbi ata njerës që i vënë rëndësi më tepër diplomës se sa zotësisë së njohurive.

 

Në Dielli janë botuar nga letërsia botërore romanet: Myshteret e Parisit (1920) prej Eugene Sue, i përkthyer prej Andon Frashërit; Kapedani i Jeniçerëve ose Skënderbeu (1922-1923) prej James M. Ludlow, i përkthyer prej A[ndon] S. Frashërit;  Arthyr Gordon Pym (1923-1924) prej Edgar Allan Poit;  Bota me 2000 A.D.(1930) prej Edward Ballamy, i përkthyer prej Aqile Tasit kurse nga letërsia shqipe dy romanet e Foqion Postolit Për mprojtjen e atdheut dhe Lulja e kujtimit; romani  i Faik Konicës Dr. Gjëlpëra zbulon rënjet e dramës së Mamurrasit (1924) si dhe fragmente të romanit Ra Berati  (1971) të Bilal Xhaferit.

Sa i përket dramaturgjisë është botuar më  1911-1912 drama Fe dhe kombësi  prej Kristo Floqit, dramë me 4 akte dhe 4 pamje; XOXA, ZOI M.: Kurora shqiptare (1923) prej Zoi M. Xoxa, dramë me pesë akte, Tri njolla të mërgimit (1935) prej Nelo Drizari, dramë me një punë dhe një pamje. Ëndrat e punëmirës dhe shpresat e shoshës (1935) prej Hito Sadikut, si dhe Për mbrojtjen e atdheut (1957-1958) prej Peter R. Priftit.  Dramë me tre akte. (Bazuar në novelën “Për mprojtjen e atdheut” prej F. Postolit).  Komeditë Tregëtari i Vlorës(1909-1910) prej Chamfortit, komedi në një akt dhe në prozë. E adaptoj shqip Faik be’ Konitsa; Martesa me pahir (1910) prej Molierit, komedi në një akt dhe në prozë. E adaptoj shqip F. S. N.; Dhëndër me pahir  dhe Merre t’a marrim (1912) prej K. Floqit, komedi me një pamje.

Pra siç shihet në gazetën Dielli botohen veprat e krijuesve më të shquar të saj, si Faik Konica dhe Fan S. Noli e që kanë një ndikim të madh në letërsinë shqipe.

Në fund do të doja të përfundoj duke përmendur dialogun e Fan S. Nolit me një minstër të qeverisë komuniste për dërgimin e trupit të Faik Konicës në Shqipëri: «Dërgojeni po deshtë, po trupi i tij do të dalë përpara Gjykatores së Popullit që të gjykohet në bëri mirë apo keq për Shqipërinë» thotë ministri dhe përgjigjia e Fan S. Nolit: «Po, zoti ministër, i vdekuri s’ka gojë që të mbrojë veten përpara gjykatores!»

*Kumtese e mbajtur me rastin e 100 vjetorit te gazetes Dielli, qershor 2009

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjurmime, mbi pervjetorin e Diellit, Sevdai Kastrati

BEN AFFLECK FITON ME PENGJET NE IRAN

February 3, 2013 by dgreca

Ben Affleck ka fituar çmimin më të lartë të Shoqatës së Regjisorëve të Amerikës për filmin e tij Argo, lidhur me krizën e pengjeve në Iran. /
Çmimi i regjisorëve të Hollivudit shihet si rritje e gjasëve që filmi i Affleckut, ta fitoj, poashtu Çmimin Oskar për filmin më të mirë.
Regjisorët që e fitojnë çmimin e kolegëve zakonisht e fitojnë edhe Çmimin Oskar për regji, por sivjet Akademia e Filmit, e Arteve dhe e Shkencës, nuk e ka nominuar Ben Affleckun për kategorinë e regjisë për Oskar.
Filmi Argo, në të cilin Affleck, pos që është regjisor, e luan edhe rolin e një operativisti të agjencisë CIA, që përpiqet t’i shpëtojë gjashtë amerikanë gjatë revolucionit në Iran, me ç’rast ishte shkatërruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara, tashmë i ka fituar të gjitha çmimet kryesore të filmit prej se është nominuar për Çmimin Oskar në disa kategori.
Ceremonia e dhënies së çmimeve Oskar mbahet më 24 shkurt.

Filed Under: Kulture Tagged With: ben Affleck

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 498
  • 499
  • 500
  • 501
  • 502
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT