Tre vjet të shkuara, me 4 shkurt 2010, u nda nga jeta në Lasvegas poeti dhe dramaturgu Avni Mulaj. Po e risjellim si homazh kujtese dhe nderimi përcjelljen që i bëri studuesi dhe përkthyesi Pirro Dollani, marrë nga arkivi i gazetës Dielli si dhe cikel poezish te po atij numri!I perjetshëm kujtimi dhe vepra e poetit!(Dielli)/
LUM AI PER KUJTIMIN QE LA PAS!
Nga Pirro Dollani/
Askush nuk do të dëshironte të fliste në një tubim të tillë, askush! Dhe aq më pak kur objekt i kësaj fjale të përmortshme është miku ynë, babai, vëllai, bashkëshorti, njeriu dhe poeti Avni Mulaj! Vdekja është gjithnjë tragjike, madje kur është e parakohshme dhe kur merr njerëz të tillë si Avniu, ajo bëhet edhe më e papërballueshme. Eshtë kjo arsyeja, që pa i mbyllur sytë mirë, disa gazeta, revista këtu në Amerikë dhe Shqipëri filluan të botojnë artikuj mbi vdekjen e tij nën tituj të ndryshëm: Revista online “Bota Sot” me datë 4 shkurt, pikërisht ditën që Avniu u nda prej nesh, njoftoi lajmin nën titullin “Vdes dramaturgu Avni Mulaj.”
Revista “Voice of Albanians –Zëri i Shpiptarëve” po me date 4 Shkurt, botoi shkrimin me titull “Vdiq në Las Vegas “Poeti dhe dramaturgu i njohur shqiptar.”
Revista poetiko-letrare POETEKA, që botohot në Shqipëri, dhe shpërndahet në disa universitete të ndryshme të botës, në numrin e saj që sapo doli, i ka kushtuar 10 faqe krijimtarisë së Avniut me titull:Homazh për Avniun.
Edhe reagimi i miqve dhe i qarqeve letraro-artistike ka qenë i menjëhershëm. Nga shumë miq të mi, që janë njëherazi edhe miq të Avniut, kam marrë me dhjetëra mesazhe, dhe pikërisht pak çaste mbas vdekjes së tij. Më lejoni t’ju citoj disa prej tyre:
Poeti Arjan Leka, njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës POETEKA, më shkruan kështu për të: “Avniu ishte njeriu që kurrë nuk deshi të binte në sy!”
Shkrimtari Viktor Canosinaj: “Mbaj mend që më ka lexuar vëllimin e parë me poezi dhe ishte njeri tepër pozitiv. Pikërisht këta njerëz Zoti nuk i lë të jetojnë gjatë. Mister.”
Poeti Rudolf Marku shkruan kështu: “Lajmi për Avniun është tronditës. Një Poet dhe një Mik më pak, në këtë botë do të thotë më shumë banalitet dhe ligësi.”
Aktori Mirush Kabashi shkruam: “I qoftë i lehtë dheu; dhe i lumi ai për kujtimin që la!”
Mesazhe të kësaj natyre kanë cuar, edhe shumë shkrimtarë e artistë të tjerë, ndërmjet tyre, gazetari Dalip Greca, poetja Luljeta Lleshanaku, regjisori Saimir Kumbaro, shkrimtarët Zija Cela, Gjergj Vlashi, Moikom Zeqo, Met Dervishi, Hajg Zahariaj, Petraq Risto, etj. Por më lejoni të përmend edhe një herë fjalët lapidare të Mirush Kabashit: “dhe i lumi ai për kujtimin që la!!!” Vërtet: i lumi Avni për kujtimin që po lë!”
Këtë mëngjes më zgjoi zilja e telefonit. Ishte shkrimtari Pëllumb Kulla nga Nju Jorku. Mbasi më ngushëlloi edhe mua si shok e mik i Avniut dhe i Teutës, shtoi “më vjen keq që nuk mund të jem aty pranë Avniut, por të lutem thuaji Teutës, Ervinit e Sidit që në orën 10 të Nju Jorkut, që është ora 1 me të Las Vegasit, miqtë e tij këtu në Nju Jork, të gjithë ne, do të jemi zemër e mendje aty me ju.”
C’magji kishte Avniu që njerëzit e cmojnë dhe e duan kaq shumë? Përvec talentit poetik e aftësisë për të kapur nuancat më të holla të ndjesisë njerëzore, ai kishte edhe një shpirt kaq bujar, delikat e njerëzor, e ishte kaq paqësor saqë po të ishte Presidenti i Shqipërisë, pa dyshim partitë politike në Shqipëri e Kosovë do t’i shihnim duke u puthur me njëra-tjetrën! Kur punonte në teatrin e Durrësit si libretist, ai ishte debulesa e aktoreve të bukura. Dhe kur Avniu nuk ua varte, ato shkonin ankoheshin tek Teuta për indiferentizmin që tregonte ndaj tyre. Do të thoni ju pse nuk ua varte? Sepse Avniu zemrën ua kishte dhënë dy dashurive: Poezisë dhe Teutës! (Njerëzit që e njohin Avniun me mirë sesa unë, thonë që përvec këtyre dy dashurive, Avniu kishte edhe pikturën e shahun! Ai ishte një piktor e shahist i shkëlqyer!) Ja si shkruan në një poezi që i ka kushtuar Teutës, një poezi që ka vetëm tri vargje, por që nga ngarkesa emocionale ka peshën e një poeme dashurie:
Mrekullitë mbeten gjithmonë Shtatë,
Për shkak të ligjit të rotacionit,
Teuta, mrekullia ime e tetë, konstante!
Në një poezi tjetër dashurie, këtu jam i paaftë të them nëse ia ka kushtuar Teutës, Poezisë, Pikturës, Shahut, apo ndonjë tjetre, psh. Frides “së shkretë” që qysh prej 10 vjetësh Avniu e mbajti me shpresa (ndoshta gënjeshtra!!!) se do t’i bënte një vjershë. Poezia mban titullin:
Për të gjithë kafazet
Pse kërkon të më mbyllësh në kafaz e dashur
Kafaz me shufra hekuri të rëndë
Më kot e ke, unë hekurat i zbus
Dal jashtë dhe ti prap brenda më gjen.
Si poet Avniu ka botuar 7 libra me poezi dhe ka shkruar 2 drama, njëra nga të cilat “Gërsheti i Luftrave” që i kushtohet Shote Galicës, eshtë shfaqur shumë herë në Televizionin shqiptar. Avniu bë i njohur si poet i talentuar qysh me veprën e parë poetike “Valbona e Kaltër” që e botoi kur ishte 24 vjec. Përmes librit të tij, Valbona u bë simboli i bukurisë shqiptare, simbol i natyrës dhe i shpirtit njerëzor. Pas këtij botimi emri Valbona u bë shumë popullor, brenda e jashtë vendit.
Edhe pse Avniu ka qenë i rrethuar gjithnjë nga dashuria e miqve, e shokëve, dhe e lexuesve të tij, përsëri durrsakët, sidomos djemuria e dikurshme, janë njëcikë prishaqejf dhe të prekur në sedër që ky djalosh simpatik, ashtu sic në legjendat e lashta shqiptare e si në eposin e kreshnikëve, zbret nga bjeshkët e kaltra, kapton nëntë male e fusha, nëntë lumenj, liqene e ujëvare e zbret në Durrës e u rrëmben durrsakeve vajzën më të bukur, pikërisht atë që mban edhe emrin e mbretëreshës ilire, Teuta.
Për Avniun mund të flasësh pa fund, jo vetëm për jetën, por edhe për qëndrimin stoik gjatë sëmundjes së flamosur që e ndau prej nesh. Ai iku nga kjo jetë ashtu i qetë, pa u ankuar, pa bezdisur askënd. Pikërisht ashtu sic edhe jetoi cdo sekondë të jetës së tij. Por a iku vërtet?. . .
Një pjesë e tij vërtet do të iki, por shpirti, zemra, ndjenjat, emocionet, zëri e fjalët e tij, dashurinë për jetën, miqtë, Teutën, Ervinin, Sidin, për Shqipërinë dhe Kosovën që aq shumë e donte, do të mbesin gjithnjë me ne. Ja, mjafton të zgjatim dorën e të hapim librat e tij, “ai do të zbresë e do jetë përherë me ne.”
“Lum ai për kujtimin që po lë pas!” Las Vegas, 6 shkurt 2010
Avni Mulaj
SERUM
Pikë pikë
Kur asidentalisht ndalon
Një bip alarmon ajrin
Vena e njerëzimit
Kërkon ndihmë.
DITË NË SPITALIN SUNRISE
Krevat i ngushtë plot butona, sinjale
Si shtrat topi kundërajror.
DHOMË PACIENTI NË SPITALIN SUNRISE
Gjithë kohës dera gjysëm hapur
lëvizje bluzash të bardha
Karroca me kazanë gjellësh
Barrela emergjence, nën carcaf: njeriu
S`duket asgjë prej tij, veç forma
Dikur dikush bërtiti fort:
A keni derë në shtëpinë tuaj?
LULE TË FRESKËTA TE KOMODINA
Bob Shuman, më gjeti në gjumë
La te komodina dy-tri lule të freskëta
Dhe një urim me shkrim dore
Mbi një kartolinë të improvizuar
Me një copë kartoni.
MALL PËR DURRËSIN
Ika larg s’di si ika
Një udhë tjetër digu larg
Me ty në mendje Durrës
Hepohem, kreshpohem sa s’bi.
Kur befas ti më mban-
Vegim I vagullt lumturues
Endërr, zgjëndërr drejtpeshues.
Kur të kthehem
Si nga dëshirë e ëmbël për të vdekur
Le të shtrihem në supeduart – vig.
Gjithkund u mbajta fort, s’rashë,
Aty symbyllur le të bie.
LEJOME
(Kosovës time të lirë)
Mbi kokën e lartë krenare
Të vë kurorën e lirisë-
Lejomë.
Martirëve panumër
T’u bie në gjunjë
Lejomë
Lejomë
të vdes e të ringjallem
Në gazmendin e sharkive
Të mbaj plisin tënd të bardhë
Të krenohem me ty
Lejomë
Të mbaj zemrën tënde
Mes duarsh pishtar
Të çoj shekujve lajmin e fitores
Lejomë!
E DESHA NJE VATER
E desha një vatër me Diell, si Dielli
Frymë Perëndie që s’e le të shuhet,
Flakë që rritën në qiell prej shkëndijash,
Duar-zemra pleksur, trazuar si urët.
Një vatër fjale shqipe të magjishme,
Një vatër urtësie prej Rilindasish,
Një vatër besëlidhje gjaku, vëllazërimi,
Ideali kombëtar- yll i zjarrtë që ndrit.
Një vatër korifejsh-maj’ e lavdisë,
Një Nol, një Fishtë, një Konicë, një Kadare,
Një vatër –tempull i mirësisë, shënjtërisë,
Një Nënë Terezë-gjith mrekullia mbi dhe.
Një vatër gjith rrethore Dibre, Çamërie, Kosove,
Sofër përplot shtruar në gosti natyre,
Vargmale, lumenj, detra, liqene përrallore,
Katër stinë-tablo pikture të përkryer.
E desha një vatër ku të mos ndjehem vetëm
Rrezet t’i nis me shpejtësinë e dritës,
Një vatër-flakadan-një shekulli termetesh
Si “Vatra”- shqipja jonë e Amerikës.
Disa nga titujt e veprave të poetit Avni Mulaj
- Valbona e kaltër poezi 1974
- Orët e mia poezi 1976
- Currila poezi 1978
- Sirena të qytetit tim poezi 1984
- Gërsheti luftrave dramё 1985
- Serish galicët dramё 1998
- Versionet e botёve poezi 2003
- Njeriu shkurtabiq me dërrasën e gjatë mbi sup poezi 2008
- Flamujt e kopshtit poezi 2009
Veç titujve të sipërshënuar krijimtaria e tij poetike është botuar periodikisht në
“Zëri i Rinisë”, Studenti”, “Drita”, “Nëntori”, “Albania e Vogël”, “Poeteka”, “Dielli”, “Illyria” etj.