• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vështrim nga Larg- Përse ndodh kështu?

May 2, 2018 by dgreca

1 Pirro Mani

Pirro Dollani/ Las Vegas/

Në komunizëm u mësuam me poshtërimin, burgimet, torturimet nëpër qeli, internimet, vrasjet në kufi e brenda hekurave të burgjeve për fajin e rëndë se shkruanim poezi, u mësuam me radhat për bukë, u mësuam me 10 kokrra vezë e 450 gram mish të grirë në muaj, paçka se një familje mund të përbëhej prej 10 veta, me një gjel deti çdo prag viti të ri, dhe me autorizim për fruta për familjet ku udhëheqësit lokalë e qëndrorë do të shkonin të bënin vizita për 5 Majin.

U mësuam me drejtues injorantë, analfabetë, sharlatan e shpirtkazëm që nga brigadier më i thjeshtë e deri atje në “bironë politike”: me palrat, me lenkat, me pilot e milot!

U mësuam të duartorkisnim e të brohoritnim sa më shumë për udhëheqësit e shquar, madje edhe kur njerëzit e familjes na i kishin internuar, burgosur, shtruar nëpër çmendira apo pushkatuar për krimin e rënda se “kishin shkelur normat e Partisë”.

U mësuam që kur të “grabisnim” diçka për të mbajtur shpirtin gjallë, qoftë edhe 3-4 patate në arë, apo një lakër a dy qepë, të mos ia thoshim askujt, ta mbanim të fshehtë, mundësisht edhe nga gruaja, nga motra e vëllai dhe as mos ta flisnim me vete, se muret kishin veshë. Sepse edhe për 3-4 patate e pësoje më keq se Zhan Val Zhani. Por tani në periudhën postkomuniste askush nuk “grabit” më 3-4 patate, një lakër apo dy qepë, por mijëra, miliona para. Dhe këta që vjedhin nuk janë njerëz të thjeshtë, por pushtetarë, drejtues të organeve të drejtësisë, lidera partie, deputetë! Dhe ajo që e bën të çuditshëm shoqërinë postkomuniste shqiptare është fakti që këta hajdutë në vend që t’i fshehin gjërat e blera me paret e vjedhura, si makina disa milionëshe, ora që kushtojnë sa rroga 5-vjeçare e tyre, etj. këta trima shkojnë me to nëpër zyra, në parlament, në takime me popullin. Me paratë e vjedhura ndërtojnë vila me mure të lartë, jo një por disa, në vende të ndryshme të vendit. Kur sheh “sarajet” e këtyre pushtetarve tanë, ato “vilat” e ish-lidërve komunistëtë sot të duken si geto. Kur ra komunizmi dhe lexomin te RD-ja se lenkat, pilot, palrat kishin nga 2 banjo, habiteshim e thoshim me vete: po me bark janë këta të flamosur që na paskan nga dy banjo? Ndërsa tani, s’na bën përshtypje kur lexojmë në shtyp se këta pushtetarë, politikanë, gjyqtarë, etj. kanë jo nga një shtëpi, por nga disa shtëpi, pallate, makina luksoze, miliona para në banka të ndryshme, etj., etj.

Gjatë këtyre 27 viteve u mësuam edhe me fyerjet, sharjet, ulërimat, grushtet jo vetën në rrugë, por kudo, deri atje lart në Parlament. Parlamenti ngjason me një arenë ku janë mbledhur gangsterë adoleshentë, njerëz histerikë e çilimij që vetëm shahen. Si çdo grupim gangsterësh edhe këta kanë fanellat (më fal, “flamurët”) e tyre. Ca mbajnë flamurë vishnje, ca blu, të tjerë mbajnë copëra rreckash të shkëputura nga këto dy flamurë. Dhe as skuqen e as nuk zverdhen fare edhe kur mbarë një popull i shikon nga ekranet e televizorit. Pasi, pavarësisht formimit të tyre gjysmak, të cunguar e pa moral një gjë ata e dinë mirë: se ky nuk është turpi i tyre, por TURPI ynë. Po, po Yni: i çdo shqiptari që ka votuar e voton për njerëz të tillë. I çdo shqiptari që rend pas mitingjeve të tyre e brohorit për ta! Ata nuk erdhën nga hëna, ne i votuam. Madje me votime me “standarte demokratike”.

Vetëm po të bësh një përqasje të thjeshtë ndërmjet “demokracisë” në periudhën e komunizmit, me këtë “demokracinë” e sotme njëzeteshtatë-vjeçare, vërejmë se do të ishim të “lumtur” nëse në kohën e tanishme, procedurat për zgjedhjen e kandidaturave, psh. për deputet të afroheshin të paktën FORMALISHT me procedurat “demokratike” që zbatoheshin nga diktatura. Por fatkeqësisht, mënyra sesi bëhet seleksionimi për zgjedhjen e kandidatëve brenda partive nuk është aspak demokratike, për të mos thënë që nuk gjen as më të voglin element demokratik. P. sh.: në komunizëm kandidatët për në Kuvendin Popullor zgjidheshin nga organizatat e partisë në rrethe (sado formal që ishte ky proces) dhe pastaj shpalleshin emrat e tyre për çdo zonë elektorale. Pastaj, kandidatët bënin takime me popullin e zonës së tyre, kështuqë votuesit e kishin të qartë se për kë votonin, pavarësisht se nuk kishte ASNJË RËNDËSI nëse votoje për Fuatin, Prengën, apo traktoristin Ibrahim, pasi roli i tyre deputetëve të ardhshëm do të ishte vetëm që të ngrinin dorën sa herë u kërkohej kjo gjë.

Po tani në këtë periudhë demokratike, si procedohet? Kryetarët e partive (nënkupto: tiranucët,) bëjnë lista rendore sipas midesë së tyre. Natyrisht, zgjedhin ata individë që do t’i mbështesin edhe kur kryetarët të bëjnë nga një. . . P- të madhe! Askush s’e hap gojën e të vërë në dukje se po shkelen statutet e partive e standartet demokratike, sepse kanë frikë që u fshihet emri nga lista e kandidatëve. Madje, anëtarët e partive duhet të duartrokasin tiranucin, edhe kur vendos në krye të listës idiotë, servilë, gjysmë-analfabetë, hajdutë, vrasës, trafikantë! Dhe kur ndonjë deputet i partisë del jashtë vargjeve që Partia i ka caktuar t’i recitojë në Parlament, ky deputet rrezikon mos të zgjidhet më. Dhe ditën e votimit, ne si popull, (duke qenë gjysmë shekulli nën diktaturë) jemi mësuar ta përkulim kurrizin deri te këmbët e qelbura jo të kryetarit të partisë, por të çdo anëtari fanatik e shkojmë me atë entuziazmin bolshevik të trashëguar nga koha e Diktaturës dhe hedhim votën tonë jo për një individ të caktuar, me mish e gjak, por për ca “iniciale të vdekura” që përfaqësojnë kufomat e dekompozuar të partive që kanë vite që kanë vdekur. Në fletat e votimit nuk ka emra njerëzish konkretë. Vendin e emrave të kandidatëve që do të votohen janë zëvendësuar mes inicialet PS, PD, LSI, PR, dhe K-R! Dhe ne si popull me kulturë demokratike pranojmë të votojmë, pa pasur as më të voglën ide se cili njeri (lexo: hajdut, rrugaç, gjysmëanalfabet, mafjoz do t’na përfaqësojë në instancat më të larta të Pushtetit!) Dhe pikërisht, ky është MËKATI ynë, e njëkohësisht TURPI ynë! Prandaj këta gangsterë adoleshentë tallen me ne, me mbarë një popull, pasi e dinë se çdo katër vjet, ne do të shkojmë të votojmë jo për njerëz konkretë, që i njohim, por për lista të përpiluara plotësisht nga kryetarët e partive! Ngaqë edhe liderit “demokratë” që kanë jetuar nën diktaturë, janë të pavetëdijshmëm që edhe pse flasim e bërtasin për demoraci, japing një kontribut konkret në ndërtimin e një shoqërie autokratike, ku kryetari i Partisë është monarku.

Po përse ndodh kështu? Të vjen keq ta pohosh, por një nga arsyet është se të gjithë, pakashumë, jemi, pinjollë të atij “NJERIU TË RI” të krijuar nga Diktatura gjatë gjysmë shekulli. Pavarësisht se komunizmi fizikisht ka ngodhur, por të menduarit si komunist jeton e lulëzon në mendjen e shumë e shumë shqipëtarëve, veçanërisht të “liderave” të partive, pavarësisht se ç’ngjyrë kanë flamurët e tyre. Pa qenë nevoja të shtojmë edhe një arsye tjetër se përse ndodh kështue: sepse në krye të çdo partie politike, do të gjesh ish-sigurimsa, ish-persekutorë të kohës së komunizmit, sharlatanë dhe bij të atyre prindërve që mbanin pozita kyçe në regjimin diktatorial.

Filed Under: Analiza Tagged With: Përse ndodh kështu?, Pirro Dollani

Aktakuze ndaj Kryeministrit izraelit dhe realiteti Demo-autokratik shqiptar

February 14, 2018 by dgreca

1 pirro

Nga Pirro Dollani/

Policia izraelite  ka bere nje AKTAKUZE ndaj Kryeministrit Benjamin Netanjahu se ka pranuar nje dhurate prej 300,000 dollaresh nga nje çift milioneresh. Keshtu ndodh kur ke te besh me nje Shtet ku mbi ligjin s’eshte askush! Politikanet shqiptare, nga te gjithe krahet e ngjyrat, do te fyeshin po t’u dhuronte ndonje multi – milioner $300,00 dollare!!! (Dhe kane te drejte te fyhen: ata s’jane lypesa!) Ata VJEDHIN diten me diell, kerkojne rryshfete, dite e nate, shesin vendet e punes: (kaq mije euro nese do te behesh kryetar bashkie, don te behesh drejtor hipoteke, kushton dyfishi, degjo: te kushton me pak nese do te behesh drejtor dogane, apo do ambasadore ne Paris? si nuk di frengjisht, shko tek Kristali dhe merr nje Master per frengjishten, deshiron te behesh Drejtor Spitali? cfare specialiteti ke? Zetorisit! Po pse bertet e duartroket? Me eshte bere zakon se bertas e duartrokas ne çdo miting te parties tone. OK! Do te caktojme shef policie ne garde! Si the, don te behesh drejtor gjimnazi? Ç’arsim ke? Kam 8-vjeçare, por kam blere nje diplome Masteri. Ne keto kushte, na fal, por kushton kaq e aq, etj.etj.) Sepse nuk ka si shpjegohet qe politikanet e sotem qe dolen nga diktatura me pantallona doku e me fustane basme te kombinateve STALIN e MAO CE DUN (tani vetem nje pale çizme e tyre kushton 2000 euro), kishin biçikleta te sajuara (tani kane makina, jo nje, por disa dhe nga me te shtrenjtat, ata dhe femijet e tyre qe s’e dine se ç’do te thote “pune”), disa prej tyre ishin fatlume se kishin nga nje dhome e kuzhine neper pallatet me fabrikate, ndersa pjesa tjeter nga keta politikanet e sotem, te mençur, te shkolluar deri ne kufijte e gjysmeanalfabeteve jetonin 7-8 veta ne nje dhome e kuzhine apo erdhen nga krahina te largeta te Shqiperise ne Tirane, me xhepat bosh qe s’kishin as shami per te fshire qurret, por i fshihnin mbi dokun e pantallonave (tani vishen me Gucci, Stanley Korshak, mbajne ne dore ora Tiffany, kane jo nga nje, por nga disa shtepi e vila disamilionashe ne vendet me piktoreske te Shqiperise.)
Dikur hajnat hapnin gropa ku fshihnin parate e vjedhura, tani, ne Demo-AUTOKRACINE shqiptare s’u ben syri terr, me parate e vjedhura, ryshfetet, gjobat qe u vene tregtareve kane ndertuar vila e pallate luksoze disakateshe! Dhe organet e prokurorise, hetuesise, personeli i Krimeve te Renda, ecin poshte ketyre ndertesave me syte hapur per te kapur ndonje te mjere qe ka vjedhur nje cope buke per te mbajtur shpirtin e tij dhe te femijeve si nje Zhan Valzhan shqiptar I shekullit XXI. Rendni, rendni pas atij te mjeri, se ju jeni te verber, nuk i shihni keto PIRAMIDE, zbatoni ligjin mbi te mjerin, madje i pritni duart e kembet qe mos te vjedhe me! DERI KUR KESHTU?

 

Filed Under: Politike Tagged With: Aktakuze ndaj Kryeministrit izraelit dhe realiteti, Demo-autokratik, Pirro Dollani, shqiptar

Paradoks qeveritar: Emigrantët të vërtetojnë çdo 7 muaj në se janë gjallë

September 2, 2017 by dgreca

Shqipëria, vendi ku emigranti emërtohet GJALLESË dmth-në KAFSHË dhe i duhet të provojë çdo 7 muaj që ende s’ka vdekur/

pirro-dollani-dielli.al_-600x400

Nga Pirro Dollani/

Në këtë realitetin tonë të çmendur, ku karreristë, arrivistë, injorantë, hajna, sigurimsa dhe enversta janë konvertuar në burra shteti, deputetë, ministra, priftërinj, hoxhallarë; në këtë realitetin ku analfabetët hartojnë tekste, hajdutët kodet morale, ku edhe nëpunësi më i thjeshtë të trajton sikur të jesh kriminel kur shkon për të marrë një shkresë të thjeshtë dhe ta nxjerr shpirtin deri sa të hapësh kuletën e t’i japësh bakshish; në këtë shëndetësi tonën kur shkon te mjeku dhe i thua më dhëmb gjoksi, ai të shikon, së pari, duart nëse “ke gjë apo janë bosh”. Ti shkon të vizitohesh në poliklinikë dhe mjeku të thotë, “hajde mbasdite në klinikën time private që të vizitohesh”, pasi nuk i mjafton ai bakshish që i jep nën dorë atje në institucionin shtetëror ku paguhet për punën që bën; ti shkon të marrësh pensionin në bankën që ke kërkuar që pensioni të kalojë, që të kesh mundësi të paguash edhe dritat e ujin kur je larg shtëpisë, por arkëtari të thotë: “llogaria juaj bankare është bllokuar, pasi kanë kaluar 6 muaj nga dita që nuk keni bërë asnjë veprim me bankën, si rrjedhim, as dritat e as uji s’janë paguar”. Dhe ty o njeri, që mund të jesh ndoshta emigrant, nëse nuk do që të bllokohet llogaria bankare, të duhet që brenda 6 muajsh të vish nga Amerika, Australia, Zelanda e Re, Hëna a Marsi për të marrë jo ndonjë shpërblim apo dhuratë nga shteti, por pensionin tënd, atë përqindje qesharake të kontributit 30-40 vjeçarë që ke bërë gjatë jetës tënde si punonjës! Me atë të ashtuquajtur pension “që s’je në gjendje të jetosh as 4 ditë!” Sipas rregullave e procedurave që ky shtet “demokratik” ka nxjerrë për “t’ua lehtësuar jetën njerëzve” nëse kanë tejkaluar 6 muaj nga dita që janë paraqitur për herë të fundit në bankë, atyre u duhet të plotësojnë një shkresë që të vërtetojnë se janë gjallë.(!?!) Ty o  njeri, që nuk jeton në këtë vend të çuditshëm, të duket shaka, dhe i thua punonjësit të bankës “që s’më sheh që jam i gjallë e jam ndë jetë dhe i tregon Kartën e Identitetit.” Por punonjësi i bankës qetësisht të thotë se duhet të plotësosh shkresën me titull: “Deklaratë e Gjallesës së Pensionistëve”( (!?!) Deklaratë e gjallesës?!? Për këtë palo shtet, ti o emigrant nuk je as NJERI, por GJALLESË, dmth-në “KAFSHË”! Sipas “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” kuptimi i fjalës “gjallesë” është: “Qenie e gjallë që lëviz, gjë e gjallë, kafshë,”. Pra, ky shtet jo vetëm që të konsideron “kafshë”, por edhe të vdekur!!! Dhe ti je i detyruar që po kaluan 6 muaj pa tërhequr pensionin tënd nga banka e Shqipërisë, duhet të provosh se je gjallë. Dhe prova se je gjallë e jo fantazmë edhe pse shfaqesh në bankë me kartën e identitetit në dorë, është që të ulesh e plotësosh “Deklaratën e Gjallesës së Pensionisteve”, këtë shkresë IDIOTESKE, si vetë mendja e atyre që e ka shpikur!!! Pastaj nis pritja e gjatë e munduese me ditë, javë që Sigurimet Shoqërore të ç’bllokojnë llogarinë tënde bankare, për të marrë ato thërrime parash, ose më saktë, për të marrë atë përqindje të vogël të kontributit që ke bërë për 30-40 vjet në punë.(Autorit të këtij shkrimi iu desh të priste afro 3 muaj, pasi plotësoi Deklaratën fyese të Gjallesës!) Këto rregulla absurde, munduese e torturuese nëpër të cilën i duhet të kalojë çdo ditë qytetari i thjeshtë janë shumë më tronditëse se sa peripecitë që heq “njeriu i zi” në romanin “Procesi” i Franz Kafkës. Madje, as Franz Kafka nuk mund të përfytyronte skena të tilla poshtëruese, që për shoqërinë tonë shqiptare janë bërë kaq normale, saqë edhe kur dikush i vë në dukje në media, ka plot njerëz që jetojnë në Shqipëri e që kalojnë çdo ditë nëpër këtë realitet absurd, të flasin si në kohën e diktaturës: “ju që vini nga kurbeti, po na e nxini realitetin”, por ti lumturohesh se të paktën në fund të fjalës mungon epiteti “socialist”, epitet që këta njerëz e kanë të shenjtë dhe e mbajnë, siç mbahen gjërat e shenjta: brenda gjoksit të tyre. Në të vërtetë s’ka më “zi e nxi” sesa ky realitet me këto rregulla e procedura kafkiane! Është përtej absurdes që jo vetëm t’i bllokosh çdo 7 muaj llogarinë bankare një emigranti, që ndoshta vjen në atdheun e tij vetëm për ca ditë për t’u çmallur me vendin, familjen, miqtë dhe t’i kërkosh që për të tërhequr paratë e tij nga banka, ai duhet të provojë që s’ka vdekur dhe, për këtë, i duhet të sorrollatet me ditë, javë për të tërhequr paratë e tij, paçka se shfaqet me mish, gjak e frymë para punonjësit të bankës! Me lejoni të jap një shembull nga Amerika, vendi ku jetoj prej 23 vitesh. Ka me mijëra amerikanë që jetojnë prej dhjetëra vitesh jashtë Amerikës, në Evropë, në Amerikën Latine, etj. dhe pensioni prej dekadash u derdhet rregullisht drejtpërdrejt në bankë, pa u kthyer fare në Amerikë, apo pa provuar qoftë edhe në distancë se ata “janë gjallë e janë ndë jetë”. Kështu veprohet në vende që janë qindramilionëshe, p.sh. në Amerikë ka mbi 320 milionë banorë, ndërsa në Shqipëri, që është më e vogël se lagjja më e vogël e një qyteti si Nju Jorku”, të duhet të provosh se “je një gjallesë, dmth-në një kafshë dhe që ende nuk ke vdekur”(!?!). Dhe kur, tani,s në shekullin XXI ku nëpërmjet Internetit punonjësit e administratës mund të gjejnë në çast información të hollësishëm për çdo individ, qoftë edhe në cepin më të  largët të botës. Pse duhet të keqtrajtohet kështu çdo qytetar i Shqipërisë dhe veçanërisht ata që janë larg, emigrantët, që sipas vetë kryeministrit Edi Rama, në një bisedë me popullin më 27 dhjetor 2016 thotë shprehimisht kështu:  “Emigracioni e ka shpëtuar Shqipërinë e pas rënies së diktaturës, pa emigrantët dhe kontributet e tyre në ekonominë familjare e kombëtare, vendi ynë s’do kishte  qëndruar dot në këmbë. Po ashtu, si kudo në vend tjetër, në kohëra të ndryshme, emigracioni e ka ndihmuar Shqipërinë të jetë më e ditur e më e pasur në eksperienca. . .” Nëse vërtet mendon se është kështu Z. Kryeministër, përse administrata juaj i trajton emigrantët sikur të jenë “gjallesa, dmth-në “kafshë” dhe të vdekura” dhe u duhet të ecin nëpër ferrin e proçedurave tuaja absurde për të kryer një veprim të thjeshtë bankar?

Filed Under: Politike Tagged With: çdo 7 muaj, në se janë gjallë, Paradoks qeveritar: Emigrantët, Pirro Dollani

“Check-ups” falas, por jo për ata që mbushin moshën 65 e lart!

July 10, 2017 by dgreca

1-pirro-dollani

Nga Pirro Dollani/

Sot në mëngjes, duke pirë kafenë me ca miq të mi mësova një gjë të re: ky PALO shtet nuk u siguron më “check-ups” falas qytetarëve që mbushin moshën 65 vjeç. Fillimisht, nuk u besova veshëve kur njëri nga miqtë e pohoi këtë. I thashë bashkëfolësit se një gjë e tillë nuk mund të ishte e saktë, pasi është antihumane, poshtëruese, fyese e diskriminuese, jo vetëm ndaj kësaj kategorie njerëzisht, por edhe ndaj gjithë popullsisë. Këta njerëz mbasi kanë punuar një jetë të tërë tani i “flakin” në pension me ca pagesa qesharake që s’u del për gjë tjetër, veçse për të paguar ujin dhe dritat. Dhe mbasi paguajnë ato, u mbetet të mbushin barkun me rrenat, mashtrimet, premtimet e politikanëve tanë sharlatanë, të të gjithë ngjyrave. Unë ngulja këmbë se ajo që tha miku im s’mund të ishte veçse një thashetheme, pasi një gjë e tillë ngjasonte me qëndrimin e Hitlerit ndaj foshnjave që lindnin me defekte. Edhe qëndrimi ndaj kësaj kategorie njerëzish që kanë mbushur 65 vjeç e lart ka po të njëjtën bazë logjike me atë të kohës së Hitlerit. Shqip, ky qëndrim përkthehet kështu: “zonjë a zotni, tani që mbushe 65 vjeç, shteti nuk kujdeset më për ty! Për shtetin tonë demokratik dhe human ju konsideroheni të vdekur. Të qënurit gjallë është një aksident! S’kemi aq para sa të shpenzojmë edhe për të vdekurit!!!” Me këto mendime në kokë, nxitoja që të arrija sa më parë në shtëpi. Sapo mbërrita, hapa kompjuterin dhe shkova drejt te faqja e KRYEMINISTRISË. Sapo faqja u hap, në krye të saj shkruhej me shkronja të mëdha:

Check-Up falas, hapi madhor drejt mbulimit universal në shëndetësi.

Më vinte t’i bërtisja që nga brenda shtëpisë atij mikut tim: Gënjeshtar! Gënjeshtar! Se ja ku është, që në krye e zeza mbi të bardhë: “Check-up falas!” Dhe vazhdova ta lëçitja gjithë kënaqësi atë faqe të Kryeministrisë, kur papritur ngeca te një fjali, si ajo qerrja që papritur i bie rrota mbi një gropë. Hops! Tërhoqa frenat! Ndalo, i thashë vetes, lexoje me kujdes. Dhe si ai filloristi, nuk lashë rrokje pa e lexuar dy-tre herë. Në përfundim, ja se ç’shkruhej aty: “Programi kombëtar i kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, në grupmoshën 40–65 vjeç, fton 900 mijë shqiptarë, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.”

Pra, “check-ups vetëm për grupmoshën 40-65! “Hasta la vista” ju 65-vjeçarë! Ky shtet human juve ju jep dy mundësi. Zgjedhja është e lirë, se jetojmë në një vend demokratik: 1. “Ose merrni rrugën për varreza, dhe këtë bëjeni sa më shpejt që të shkoni në një botë shumë më të mirë se sa ky ferr ku jetoni tani 2. Ose ndiqni mbrapa fëmijët tuaj kur arratisen nga ky vend. Cilëndo rrugë që të ndiqni, do t’ju bie shumë më mirë, se sa të jetoni në këtë mizerabilitet.”

Ndokush, mund të thotë se autori e ka nxirë një çikë si shumë, këtë “realitetin tonë bolsheviko-demokratik.” Ndoshta, por për ta kuptuar më mirë ç’ka lexuat deri tani, më lejoni ta mbyll me një ngjarje të zakonshme në ditët tona. Çdoherë që vij në Shqipëri kam dëshirë të pi kafe me një shokun tim, mësues gjimnazi të dy, ai madje, arriti të bëhej drejtor. Dy-tre vite të shkuara seç takoheshim 2-3 herë gjatë periudhës 4 mujore që unë qëndroj në Shqipëri. Por tani, rrallë e shoh, dhe pothuaj nuk pi fare kafe me të. Nganjëherë, mendoja se ndoshta nuk kishte dëshirë, paçka se kemi qenë shumë miq me njëri-tjetrin. Para ca ditësh e takova rastësisht aty para Vollgës, dhe i thashë: “S’ke ku të më ikësh tani! Hajde të pimë një kafe.” Ai nguroi pak, pastaj u përgjigj se duhej të ikte se kishte një punë. Mbasi ngulmova, ai, gati me lot në sy, shpërtheu: “Nuk vij, jo se nuk dua, por me vjen zor që ti të paguash përsëri! Kam pranuar një herë, dy herë etj., por s’mund të pranoj gjithnjë. Më vjen zor, se 18.000 lekë pension që marr në muaj, s’më dalin të jetoj 3-4 ditë, mbasi paguaj, ujin, dritat, telefonin, televizorin, etj.! Një jetë të tërë në punë, vazhdonte miku im, dhe vetëm150 dollarë pension në muaj!!! Në një kohë që çmimet janë sikur të jetosh përtej detit. E si mos të kem nostalgji, mall për kohën në periudhën e komunizmit? Atëhere dilje në pension dhe me pensionin ndihmoje edhe fëmijët që s’kishin dalë në jetë, ndërsa tani s’mban as veten tënde dot me bukë.” Mbeta si i ngrirë. S’dija ç’të thosha. i shtrëngova dorën pa e vështruar në sy, dhe eca rrugës me sytë që më mjegulloheshin nga lotët.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Check-ups” falas, moshën 65 e lart!, Pirro Dollani, por jo për ata, që mbushin

Mbresa për romanin “MALL I KALTËR” i Viktor Canosinaj

June 10, 2017 by dgreca

Nga Pirro Dollani/

Mall i kalter- V. CanosinajSapo përfundova së lexuari romanin “MALL i KALTËR, shkruar nga miku im, romancieri i talentuar, Viktor Canosinaj! Romani mbi motivet e jetës së piktorit të madh Ibrahim Kodra është një nga ato libra që lexuesi me padurim pret të mbarojë faqen për të kaluar te tjetra. Ajo që të bie menjëherë në sy është përgatitja paraprake që autori ka bërë për të shkruar këtë roman. Cilësi kjo e shkrimtarëve profesionistë e seriozë ndaj vetes dhe lexuesve të tyre. Romani “Mall i Kaltër” është një libër mjaft informues, është një histori poetike e rrugës së pikturës nga antikiteti deri në artin modern të kohës. Canosinaj tregohet mjeshtër në “ndërtimin e suspense-s”! Vepra ka një strukturë kompozicionale të veçantë. Dy janë elementet kryesorë: digresionet e shpeshta dhe rrëfimi është në vetë të dytë. Besoj se nuk është lehtë të shkruash një roman në vetë të dytë, ku personazhi Kodra rrëfen për fëmijën Kodra, një mënyrë që mendoj se i ka dhënë dorë autorit për të zhbiruar edhe më thellë në shpirtin e atij jetimi nga një fshat i vogël, i cili më vonë do të arrijë majat e artit të pikturës. I tërë romani, 343 faqëshe, është një këngë e bukur, prekëse për mallin, dashurinë e atë që të mungon. Malli, kujtimet, dashuria janë lajtmotivi që përshkon tërë elementët e kësaj vepre letrare. S’di pse m’u kujtuan këtu fjalët e poetit të madh anglez William Wordsworth, që thotë se “kujtimet e mbajnë gjallë njeriun”. Një rrëfim elegant, që rrjedh me një gjuhë sa e drejtpërdrejtë, aq edhe e figurshme e poetike. Leksiku i qëmtuar me aq kujdes, aq i pasur e me një erëmim shqipërie, saqë çdo shkrimtar duhet ta ketë zili. Fjalët në fjali janë si ato ngjyrat e fijeve të endura në ato qilima që përshkruan autori në roman. Të pashlyeshme nga mendja janë bisedat e Kodrës së ri me skulptorin Paskali në studion e tij. Sa i gjetur e domethënës është “detaji” që çdo herë kur i riu Kodra i hynte në studion e skulptorit Paskali, do ta gjente atë duke punuar mbi bustin e Ketit, gruas së tij, të asaj italiane të bukur, veprës “më të shkëlqyer që kishte nxjerrë nga duart”, që, si të thuash, ishte si një kompesim për atë kompromis që mjeshtri kishte qënë i detyruar të bënte në jetë duke “përjetësuar” me artin e tij ndonjë diktator. Por kjo ishte vetëm dukja: ajo që mbeti ishte busti i bukur i së shoqes! Një meritë e Canosinajt është skalitja e një mori figurësh, si të babait të Kodrës, të nënës së vdekur që i ngjasonte me shtojzavallen që Kodra fëmijë kishte takuar dikur në pyll, të njerkës, të zonjës Stefani, Norës, Karmelës, etj.

Ky roman, është një trillim letrar mbështetur në çaste nga jeta e mjeshtrit Ibrahim Kodra, e përfshin një periudhë kohore prej mëse gjysmë shekulli, por i tërë rrëfimi letrar ndodh brenda një caku kohor pak më shumë se dy orësh.

Pa dyshim, romani “Mall i Kaltër” është një vepër që do të pritet me shumë interes nga lexuesit.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: i Viktor Canosinaj, mbresa, për romanin “MALL I KALTËR”, Pirro Dollani

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET
  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT