• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIJIMTARI-Një Mall i Pashuar

December 27, 2012 by dgreca

Vilhelme Vranari Haxhiraj*/

  “Jeta është një nga mrekullitë e Universit, që i është dhuruar botës humane nga Hyu. Veçse për ata që nuk e kuptojnë sa duhet dhe si duhet trajtuar, ajo ngelet e huaj si herioglifet kineze, që i përkasin vetëm gjuhës së atij kombi. Madje jeta nganjëherë ngelet e padeshifruar për cilindo qytetar të botës që nuk është në gjendje t’i lexojë hapat e kohës dhe bëmat e saj. Po kështu përherë do të jetë e huaj edhe dashuria që nuk konceptohet si duhet nga kushdo. Kjo ndodh shpesh, si me meshkujt, edhe me femrat që e shqiptojnë dhe e ndiejnë gabimisht këtë ndjenjë sublime. Dashuria ka gjuhën e vetë për çdo individ. Ndaj është ndjenjë e veçantë, individuale, privacioni i së cilës i përket vetëm një personi. Si jetën edhe dashurinë duhet të dishë t’i shqiptosh, që më pas ato të mos shndërrohen në diçka të huaj dhe të palexueshme, gjë që të çon drejt mosnjohjes të së vërtetës. Në raste të tilla, nga njohja e pamjaftueshme, arrin të mos jesh në gjendje të zbërthesh të errëtat e qenies sate, që jetojnë diku thellë në xhepat apo labirintet e fshehta të ndërgjegjes dhe shpirtit. Të dish të lexosh jetën apo të deshifrosh gjuhën e dashurisë, pa u ndikuar nga asnjë rrethanë, do të thotë të kesh fituar pavarësinë vetjake që ka të bëjë me…” –mendime të tilla më gëlonin, që padashje shkuan tek ajo ndjesi që i dhemb më shumë njeriut. Për të kemi vuajtur edhe vuajmë ende, pasi jemi lidhur pazgjidhmërisht me hallka zinxhirësh skllavërie me gjithçka që na rrethon. Në këtë mënyrë na mungon liria personale, gjë që na ka vendosur nën vartësi të një realiteti të mohuar nga vetëndërgjegja… Kjo më bëri të shkoj më tej…  

  “Liria vetjake është hyjnore. Në këtë përcaktim nuk nisem se ajo arrihet me urdhër të Zotit, por e di mirë se diçka mbinjerëzore, që është shumë më e thellë dhe kushton shumë më shtrenjtë se liria kombëtare. Duke mposhtur veten, ajo qëndron më lart se vet qenia e tij. Madje është kjo pavarësi e ndërgjegjes që ndikon fuqimisht në formimin individual dhe atdhetar të njeriut. Pa e ditur se çdokush qëndron vetë mbi tokë me tru në kokë, i cili mbështet e udhëheq individin për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja. Liria e individit është stisur dhe është sunduese e një personi, vetëm duke u mbështetur mbi këmbët e veta, pa e bindur vetveten se jeta individuale nuk urdhërohet, nuk kontrollohet, nuk drejtohet nga kurrëkush. Atëherë në se mendon të kundërtën, cilido jeton me një ndërgjegje të ndërvarur. Njerëzit e formuar ndërgjegjësisht, kur nuk e njohin lirinë vetjake, shpesh herë gabojnë duke ngatërruar keqas të drejtat individuale, me detyrat dhe përgjegjësitë. Por duke mos mohuar të drejtat ose liritë e tij, ai që kryen të gjitha detyrat apo përgjegjësitë si fëmijë, si bashkëshort, si prind dhe si pjesë e komunitetit, duke zbatuar të gjitha normat e kohës, mendoj se është njeri i arrirë, ose me norma siç quhet ndryshe. Në shoqërinë tonë me shumë mendësi nga e shkuara e largët apo e afërt, pse jo dhe nga e sotmja, liria individuale është e kufizuar. Vetëm liria vetjake e çon këdo drejt gjetjes dhe vendosjes të së vërtetës. Nëse mungon një gjë e tillë, njeriu është skllav i papjekurisë dhe varfërisë së tij individuale. Jo vetëm që ngelet i ndërvarur, por gjithmonë do të jetë pa dinjitet dhe pa personalitet. Gjithçka që i përket ndërgjegjes së atij individi, i cili mendon dhe vepron lirisht, besoj se ka fituar lirinë vetjake, e cila është hyjnore… E këtë këndvështrim të botës ta jep vetëm dija,” -kjo gjë më shkoi ndërmend, kur sapo kisha përfunduar së lexuari një ngjarje rrëqethëse, që më gozhdoi në vend dhe më bëri të mendoj për lirinë vetjake.

Sot janë të gjitha mundësitë të zhbirosh dhe të njohësh jetë personalitetesh botërore, të cilët këtë lloj pavarësie dhe lirie e kanë fituar me shumë mund dhe djersë. Shpesh kanë flijuar edhe jetën, vetëm për të fituar një të drejtë që u takon me ligj dhe me zakon. Pasi e dimë se njeriu lind bashkë me lirinë për të qenë i tillë në rrugëtimin e tij të gjatë dhe të vështirë… që e ka emrin jetë. Një nga mjetet për ta njohur botën humane në të gjitha stadet e zhvillimit të saj, është interneti, i cili i përket kohës moderne. Si për mua dhe për gjithë botën njerëzore, ky lloj komunikimi është bërë një nga mjetet më të mira, më të përsosura dhe tejet të domosdoshme. Shkenca, veçanërisht gjatë shekullit të fundit, ka bërë mrekullira në të gjitha fushat e jetës, por kjo është nga më të përkryerat në lidhje me zhdukjen e nocionit kohë dhe hapësirë mes shteteve apo individëve. Veçse nuk duhet të harrojmë se veç të mirave, zbatimet e më të rejave të shkencës, kanë edhe pasojat negative në raportet mbi të cilat është ndërtuar dhe lëviz universi. Me aq sa di mendosj se janë ndikime me pasoja shkatërrimtare.

Gjithësesi, duke zhdukur kufijtë ndarës mes reales dhe ireales, komunikimi virtual i cili nuk njeh distancë, kohë apo hapësirë, është tregues për vlerat e internetit që janë të pallogaritshme. Përmes virtuales në një farë mase, nuk e ndjen mungesën e njerëzve të afërt e më të dashur, në çfarëdo largësie të ndodhen. Sikur ata të jenë edhe banorë të planetit të kuq, përsëri është interneti ai që të lidh e të bën të kalosh çaste të gëzueshme dhe jeta vazhdon rrjedhën e saj me gjithë ata që të do zemra. Ata marrin pjesë në gëzimet e tua dhe shpesh herë, duke i vrojtuar mirë, u lexon edhe mendimet. Kam arritur në një përfundim të tillë sepse prej vitesh jetoj larg vendlindjes. Interneti është mjeti që nuk më le të shkëputem prej tokës Amë apo më bënë të mos e ndiej mungesën e familjarëve, të njohurve, miqve dhe më e bukura, pasi përmes tij kam krijuar njohje, si dhe lidhje të reja. Një mëngjes ndërsa i hodha një sy postës elektronike, më tërhoqi vëmendjen një mesazh, ku një mike më shkruante: “Nëse dëshironi të shlodheni sadopak nga puna juaj studimore, lexoni…”

Në çast, nuk di nëse u gëzova apo u hidhërova. Edhe pse prisja diçka tjetër…, një lajm me rëndësi për punën që bëj, i hodha një sy shpejt e shpejt këtij mesazhi. Pa e kuptuar fare, u thellova në të dhe nisa ta lexoj me ëndje. Pasi e mbarova së lexuari edhe fjalën e fundit, ngela i shokuar. Nuk di sa kohë u gozhdova me vështrimin në një pikë të hapësirës boshe. Di se nga ai tregim rrëqethës, që më tronditi pa masë, ku brenda dy a tri faqeve flitej për një jetë…një jetë të sapofilluar, të cilën padrejtësisht ia kishin prerë në mes. Me vetdijen e çastut të turbullt, por tejet i ndërgjegjësuar, mendoja …

Një dashuri dhe një jetë ishin mohuar deri në mosekzistencë. Në atë rrëfim denoncohej një tragjedi rrëqethëse. Ajo ngjarje e cila më çoi larg, shumë larg si në kohë edhe në hapësirë…ishte si krisma e pushkës gjatë një premiere teatrale, ku shikuesi traumatizohet dhe kontrollon kurmin e vet se mos ishte ai viktima. Askush nuk është në gjendje atë çast të përcaktojë, se është vërtet zhurma e plumbit, apo pjesë e skenarit në atë akt dramatik që shfaqet në skenë. Ajo tragjedi që përjetova hamendësisht përmes leximit, ngjasonte me shkrepjen e vetëtimës në zhgunin si napë e hedhur krahëve të stërzgjatur të natës së rrëqethur.

Terri i zhytur në vorbullën e reve të errëta, ku mungesa e yjeve dhe e hënës, bije në sy si një pengesë depërtuese apo analitike. Pasi janë pikërisht ato trupa qiellorë, pjesë përbërse e galaksisë, të cilat të krijojnë mundësinë e vetme që të shohësh autorin e krimit, mes territ që të ofron koha bastarde. Ajo tragjedi nuk di se sa kohë më shkaktoi pagjumësinë e netëve vetmitare, të netëve të pafjetura. Nga ana tjetër ajo gjëmë që i përkiste një kohe të largët, m’u duk sikur më prishi ekuilibret brenda qenies sime, tashmë të vendosura prej vitesh. Dhembja e një malli të patreguar më pushtoi të gjithin, më përfshiu trupin, mendjen, shpirtin dhe çdo ndijim. Atë çast besova se në jetë gjithçka që lind, është në ndryshim të vazhdueshëm, porse kurrë nuk mund të zhduket. Ndjenja është si qenia që rritet, zhvillohet, ndryshon formë, ndodh që edhe mund të vdesë, por nuk largohet pa lënë pas gjurmët e së shkuarës. Dhe ja ti e sheh të gjallë të munguarën, e rijeton ndjenjën të freskët, të përtërirë si dikur…Vështron rreth vehtes, sheh shembëlltyrën tënde në pasqyrë dhe beson se ajo që shkoi është aty pranë, madje gëlon në ecejaket e përditësië bashkë me ty.

*1- Frgamente nga “Një Mall i pashuar”, novelë(Vijon)

Filed Under: Kulture Tagged With: fragment novele, Vilhelme Vranari

SOFRA POETIKE E DIELLIT: LUGA IME LEGJENDARE

December 27, 2012 by dgreca

Nga Vullnet Mato/

Qëkur ngjita moshën për armë,/
deri tani vonë, kur jetës i zbres,/
isha dhe mbeta përjetësisht ushtar, /
me lugën time legjendare në brez./

Luftëtar garde i Batos së lashtë,/
pas çdo beteje të fituar me gjak,/
lugën e uritur kruaja në trastë,/
por nuk u ngjesha kurrë në bark./

Roje i Pirros burrëror të Epirit,/
përpara goditjes në kokë me tullë,/
lugën e futja në torbën prej liri,/
një herë në ditë te gaveta me qull./

Adjutant i Aleksandrit të madh,/
kryshpatar në krejt Maqedoninë,/
lëpija kockat e tepruara në darkë,/
kur kopileshat lakuriq ngrinin sininë. /

Teuta iliriane më mbante pas kalit,/
korrier sekret për pergamene dashurie,/
por lugën ma linte, në pikën e hallit,/
veç kur më shihte në gjendje vilanie./

Skënderbeu më kish mprehës shpate, /
pas kthimit nga lufta në kështjellë,/
urdhëronte sejmenët, pas mesnate,/
të më mbushnin gavetën me gjellë./

Mbreti Zog nga Burgajeti i Matit, /
më pati xhandar të pallatit në Sauk./
Ditë e natë me dyfekun pas shtatit,/
vetëm makarona italie haja me lugë./

Krah Mehmetit në brigadën e pare/
marshova nga Jugu në Çermenikë./

Ndërkohë Shtabi rrugën kish marrë, /
për mua mbeti vetëm gjak dhie në thikë./

Enveri gjëmëmadh, gjysmë shekull,/
më mbajti vigjilent te dera e bllokut,/
më vuri triskën, për të mos vdekur, /
sa të bëheshin gjithë bunkerët rrotull./

Kur kalasë Lindore i mbeti hiri,/
më nxorën në ballë të protestimit,/
duke më premtuar një lugë floriri,/
në tenxheren plot të Perëndimit. /

Por atëherë lugën time legjendare,/
ma nxorën në një pension skandal./
Dhe prapë gjithë qeveritë shqiptare,/
lugën në brez ma lanë gjer në funeral./

Filed Under: Kulture Tagged With: Luga ime legjendare, Vullnet Mato

DUHET TE KESHE ENERGJI TE MADHE PER TE SHKRUAR

December 27, 2012 by dgreca

Vite mërgimesh në Irlandë, qëndrime në Spanjë dhe tani shumë artistë të famshëm si Depardiei po largohen nga Franca dhe nga taksat e saj, ndërsa Michel Houellebecq po kthehet në Paris. Sigurisht –thotë ai- jo për të dhënë një ndihmë patriotike për politikën. Motivi është personal : kisha dëshirë të flisja frëngjisht në jetën e çdo dite, pasi arrita një nivel të mjaftueshëm të gjuhës angleze. Po kthehem jo për militantizëm. Poeti 56 vjeçar po rifillon nga e para në vendlindjen e tij, në Francë dhe me dashurinë e tij të parë, poezinë. Libri im i ardhshëm do të dalë në pranverë dhe do të jetë një përmbledhje me vargje. Është gati në të mbaruar, me rreth një qind faqe. Që prej dhjetë vjetësh që nuk botoja poezi –vazhdon ai. Një lamtumirë tjetër për gjininë e romanin pas Rothit? Jo, asgjë përfundimtare, nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen. Dikur J.M. Coetzee tha një gjë shumë të drejtë: që të shkruash një roman i ngjan një atlasi që mban mbi shpatulla botën. Është 72 vjet dhe ndoshta nuk ka më forcë. Ndoshta edhe Rothi ndjen të njëjtën gjë. Ka gjasa që të më ndodhë edhe mua, por romani nuk ka vdekur. Thjesht duhet të kesh energji të madhe për të shkruar. Pas veprave Letra dhe Territori ishte zhdukur, një largim prej botës disi shqetësues kur një vit më parë nuk u paraqit në takimin e promovimit të romanit në Hagë, Amsterdam dhe Bruksel. E prisnin, por nuk erdhi. Panik në Paris, zëra për rrëmbim, më pas se alarmi ishte fals. Ishte mirë, pa telefon, as email, në jug të Spanjës. Çfarë bëri në këto muaj? Udhëtova, fotografova, shkrova-përgjigjet. Jashtëtokësor i ulur në letërsinë franceze 20 vjet më parë, një lloj shkrimtari rokstar, prandaj ishte i dashur dhe i urryer, një rast kurioz i një foleje që bëhet i njohur që shet deri dhe një milionë kopje në të gjithë botën. Pak poezi zjgënjyese, kështu i përcakton ai vargjet më të fundit. Përballem me temat e mia të zakonshme, vuajtja dhe vetmia. Disa janë poezi të shkruara kohë më parë të pabotuara, sepse nuk ishin të përshtatshme në përmbledhjet e mëparshme. Por motivi që vendosa t’i botoja është se pjesa më e madhe janë krijime të reja. Vargje më të shkurtëra sesa zakonisht, të shkruara kudo në Paris gjatë udhëtimit të gjata me makinë në Francë apo Irlandë. Kërkojnë më pak punë sesa romani, por kështu ndryshon edhe gjini. Nuk ka një rend të përcaktuar. Manifesti poetik i tij përmblidhet në vargjet Në Kërkim të lumturisë të shkruara në debutimet e tij, urrjetje për të tjerët, përbuzje për vetveten dhe përzjerrje e gjithçkaje, sinteza, si të bëhesh poet dhe të çmësohesh të jetosh. Por tash poeti duket se e ka mësuar zanatin e jetës. Doli nga frazat e tij të fundit të mbylljes, po kthehet në atdheun e vet, në një shtëpi që sheh çatitë dhe qiellin e Parisit, i trajton me dashuri bashkëbiseduesit. Për autorin që ka shkruar se Bota është një vuajtje e shpalosur apo Zbrazëtia dridhet nga dhimbja deri tek të jesh në një parosizmi të pështirë, Micheli është sot një burrë që buzëqesh shpesh. E ka kuptuar dhe themeluesja e Art Pressit Caterinë Millet dhe shkrimtare intensive e bestsellerëve që në dhjetë vjet ka shitur 2 milionë kopje të librit Jeta seksuale  që paraqet një anteprima të një filmi prej 10 minutash me skenar të shkrimtarit Houellebecq dhe i nxjerrë nga vargjet e veprës Në kërkim të lumturisë, me dëshmi të shumë përsonave që thonë se mbijetojnë sesa jetojnë. Shkrimtares Millet i duket njeri me dhembshuri, larg famës si njeri i lig. Joshoqëror, por jo i lig – saktëson ai. Dhembshuria më bën të shkruaj dhe që do të më kishte bërë një psikiatër të mirë. Njerëzit ndajnë shumë biseda me mua, kanë ndjesinë se më flasin pa i gjykuar. Jam lexues i Shopenhauerit dhe mendoj se dhembshuria është e vetmja përgjigje. Pra mizantropi Houellebecq nuk u përgjigjet mesazheve, por bisedon me shumë prej tyre që ndihen në limite dhe që i dërgojnë tekste, fragmente dhe vepra vizuale si fotografi. Nuk kam frikë të mbetem i mbërthyer në lidhje të vështira, këta persona janë të kënaqur nga vëmendja që u kushtoj, për faktin se i lexoj apo i shoh gjërat e tyre dhe më pas u përgjigjem. Vargjet e mia kanë një sukses të madh në spitalet psiqike. E ndiej se ka një marrëdhënie me të braktisurit. (vazhdon)

 

Houellebecq : Unë tashmë i kam lexuar të gjitha ose gati të gjitha

 

Disa prej librave të tij janë bërë dhe po bëhen skenarë për filma në Europë dhe ai më i fundit nga një treshe hollandeze. Sigurisht është një shfaqje disi dëshpëruese, shpresoj të gjej financuesit – thotë Houellebecq, si gjithmonë me ironi. Nëse vargjet e vjetra dalin nga fillesa e origjinës, ka vuajtje, poezitë e reja nuk flasin më për urrjetje ndaj të tjerëve dhe përbuzje për veten, sepse dhembshuria ndërkohë është bërë rrugë, por problemi është po ai i çudisë që gjendesh në këtë botë. Në disa vargje të tij lexojmë : Vdiq më i pastri, çdo gëzim u gjymtua, gjoksi është si i zbrazët, mjaftojnë disa sekonda që të zhdukësh botën. Libri i ri premton të nxjerrë jehonën e autorit në origjinë, ai që shkroi mrekullisht për Lovecraftin dhe vizionin e përbashkët të një universi të reduktuar në “grumbull dinak të qelizave bazë” .

Një figurë tranzicioni drejt kaosit i destinuar që të triumfojë. Do ta ndiejmë mungesën e fytyrës tjetër të Mishelit, atë të vëzhguesit të shoqërisë. Midis miteve të tij është Balzaku që i përdori romanet për të përshkruar botën bashkëkohore dhe ndonjëherë si profet t’i paraprinte së ardhmes: shtrirje e logjikës kapitaliste dhe liberale në raportet seksuale dhe sentimentale, kapërcimin e njeriut në sajë të gjenetikës, terrorizmin islamik, refuzimin e pleqërisë, klonimin deri tek përshkrimi i Francës si një hibrid i çuditshëm me galeritë e artit dhe parqe lojrash për turistë të pasur të vendeve që tashmë janë afirmuar.

Në Bibliotekën kombëtare, Art Press-i ekspozon disa fotografi të bëra nga vetë shkrimtari : Nuk kam pretendime të mëdha, por fotografia luan një rol në jetën time. P.sh kur shkruaj një roman, ulem përballë murit dhe vendos para meje imazhet e vendeve në të cilat ambientohet historia: është një mjet që më ndihmon. Disa syresh i bëra verën e kaluar në Bulonjë sur Mer dhe janë një zgjerim i vepërs Letra dhe Territori. Flasin për transformimin e Francës në një lloj muzeu nga njëra anë dhe dominimi i fushave nga ana tjetër. Më pas foto diodash në autostrada deri tek imazhet tipike të autorit mes shtëpive dhe pemëve, apo markete me parkim etj. Mishelit i pëlqen vendi ku vendosi të kthehet, duhet marrë në konsideratë se tre vjet më parë i paraprinte rënies, duke e parë si një park lojrash. Çfarë efekti të ngjall? Më duket se Franca këmbëngul që ta refuzojë fatin e vet, edhe pse unë besoj se s’ka më shpëtim. Prodhimi botëror po organizohet dhe fatmirësisht vendet e pasura joshen nga ajo që u ofrojmë si artizanati, turizmi, kuzhina. Italia ndodhet në të njëjtën situatë. Unë nuk kam preference, por ndoshta duhet pranuar realiteti dhe ta braktis idenë se vetëm industria është veprimtari fisnike dhe vendimtare për të ardhmen e një vendi. Për qeverinë dhe presidentin më popullor në Francë se në atdhe, shkrimtari është disi skeptik. Nuk ka besim tek presidenti, denoncon paradoksin e një vendi gjithmonë e më djathtas që ka një president të majtë. Unë nuk votoj në zgjedhje, vetëm në referendume, e kam si parim, por çudia e situatës është e dukshme. Nuk pajtohet edhe me arsyet e betejave ndaj Google dhe Amazonit me anë të ministrit të Kulturës. Cili është problemi? Mbijetesa e botuesve tradicionalë? Nuk më duken të kërcënuar. Libri dixhital në Francë është një dështim total, askush nuk e ble lexuesin e ebook-ut. Një tekno-entuziast si ju nuk e ka një Kindle? Jo, versioni tablet është një produkt i neveritshëm, nuk krahasohet me librin në letër. Nuk lexohet mirë, jam një klient i Amazonit. Po e gjithë retorika romantike mbi libraritë e vogla që nuk duhet të zhduken? Nuk e di, kufizohem të vërej se për lexues të fortë si mua, Amamzoni është i pazëvendësueshëm. Unë tashmë i kam lexuar të gjitha ose gati të gjitha, kur shkoj në një librari tradicionale nuk më tërheq më asgjë dhe nuk gjej atë që kërkoj. Supermerkatot e mëdha të kulturës do të sillnin homologimin përmes bestsellerësve? E kundërta. Në Amazon gjej gjërat e rralla. Ai vëren rreziqet e abuzimit të shkeljeve të syrit, referimeve, ironisë dhe shkallën e dytë në shfaqjet artistike dhe në komunikimin mes personave : gjithçka zhvillohet si shprehje e drejtpërdrejtë e një ndjenje, emocioni, ideje se është e pamundur, sepse është shumë vulgare. Gjithçka duhet të kalojë përmes filtrit deformues të ironisë dhe ndarjes. Sipas Mishelit nuk kuptohet asgjë dhe humori i qëndrueshëm del si heshtje tragjike. Prandaj si patrioti më pak i tillë ndaj shkrimtarëve të tjerë francezë, mund të flaës gjatë për poezinë, dhembshurinë, psikiatrinë, Francën, presidentin dhe supërmerkatet. Me të njëjtën çiltërsi dhe zero ironi.

Përgatiti Arjan Th. Kallço

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Michel Houellebecq

PARA SHTATORES SË KRYETRIMIT ADEM JASHARI…

December 27, 2012 by dgreca

Nga: MURAT  GECAJ/ Këto ditë janë festë, në Tiranë dhe në qytete tjerë të Shqipërisë, por edhe më gjerë, në Kosovë e trojet tjera shqiptare dhe në disaporë. Vërej se udhët gumëzhijnë e janë të mbushura plot. Njerëzit lëvizin të qetë, dikush më këmbë dhe të tjerë me makina.  Bashkëkombësit tanë, kudo që  jetojnë e punojnë, i shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre edhe përmes urimeve. Në ditët e festave, tashmë, ato praktikohen në rrugë e me mjete të ndryshme. Ka nga ata, që e parapëlqejnë të shkojnë fizikisht dhe të takohen me familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Disa të tjerë përdorin telefonin e shtëpisë ose celularin,i cili edhe  ka oferta të  përshtatshme, për ta realizuar një gjë të tillë. Është kjo një praktikë e mirë, që i lidhë, o afron dhe i miqëson njerëzit tanë.

Kaloj nëpër kryeqytetin Tiranë dhe ndalem para shtatores së Hasan Prishtinës, në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk ka shumë ditë, që u përurua dhe ende ka këtu  kurora  e buqeta me lule. Njerëz të ndryshëm ndalen e fiksojnë  fotografi, që t’i kenë kujtim. Sjell ndërmend, se pikërisht në ditët e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, aty isha bashkë me një grup kolegësh e miqësh, të cilët kishin udhatuar me autobus që nga Suedia, në Kosovë, Vlorë e kthim.  Aty bëmë së bashku disa fotografi…Më tej, udhëtoj nëpër “Rrugën e Durrësit”. Pa shkuar ende te Sheshi “Rilindja” (njihej më parë, “Zogu i Zi”), ndalem  para një shtatoreje të bukur, e cila të fton ta nderosh dhe ta respektosh. Ndoshta, nuk duhet ta shkruaj këtë gjë, por unë nuk e di emrin e autorit të saj. Prandaj i kërkoj atij falje dhe e përgëzoj për punimin e bukur, që ka bërë. Pra, ndiej kënaqësi, kur e shikoj, me atë shprehjen e saj krenare, burrërore e trimërore. Eshtë shtatorja e kryetrimit Adem  Jashari, komandantit legjendar të UÇK-së, para kujtimit dhe veprës të të cilit përulemi të gjithë. Armët i ka ngjeshur dhe vështrimin e mban larg, drejt Kosovës martire…Ndërkaq, nxjerr aparatin fofografik dhe e shkrepi për disa poza.

Ndërkaq, në kujtesë sjell vizitën, që kam bërë në Kullën e Jasharjve, në Prekaz të Drenicës, në fundvitin 2000. Kam dëgjuar asaj here për sakrificat mbinjerëzore të kësaj familjeje heroike, nga e cila u flijuan mbi 20 veta, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë respekti të veçantë për atë trung të rrallë familjar, aty bëra një fofografi me bacën Rifat, vëllain e Adem Jasharit dhe me djalin e tij, Lulëzimin. Unë e di, se ata kanë sa e sa fofografi të tilla, me vizitorë të shumtë. Ndërsa për mua ajo ka mbetur gjithnjë e paharruar dhe e kam fiksuar në disa botime të mijat.

Por, kur qendroj  në heshtje para shtatores së Adem Jasharit, sjell në kujtesë edhe vizitën time disaditore në Kosovë, në korrikun e atij viti. Me bashkëshorten time dhe  i shoqëruar nga miku nga Deçani, Qerim Pepshi, bëmë vizita në disa qytete e fshatra. Ishim edhe në Gjakovë e Pejë, Prizren e Prishtinë, në Gllogjan e Novoselë etj. Kudo gjetëm gjurmët e heroizmit masiv të popullit kosovar, në përleshje me pushtuesit gjakatarë serbë. Bëmë një vizitë edhe në shtëpinë e komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ku u takuam me babanë e tij. Por ishim edhe në zonën e Junikut, ku kishte bërë vizitë diplomati i shquar amerikan,  Riçard Hollbruk. Kudo na ranë në sy varre, mbuluar me kurora dhe lule të freskëta. Ishin në nderim të atyre, që e dhanë jetën e tyre të re, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha ato mbresa unë i përmblodha në librin, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000).

Ndërsa meditoj për ato, që shkrova më sipër, kujtesa më shkon te gjithë të rënët, në luftërat shumëvjeçare  për mbrojtjen e vatanit, të tokës së shenjtë të të parëve tanë. Se vërtet është e natyrshme të festojmë së bashku, por dhe të mos harrojmë sakrificat mbinjerëzore, që na është dashur të bëjmë  gjatë historisë, për liri e pavarësi. Se është fakt i njohur, që populli ynë gjithnjë ka qenë paqësor dhe jo sulmues e agresiv ndaj të tjerëve, pra as ndaj fqinjëve tanë. Ndërsa të huajtë na kanë rënë në qafë me pa të drejtë. Me forcë e diplomacy të padrejtë, ata na i kanë copëtuar e marrë nga trungu amtar, disa pjesë të tokave tona dhe, gjoja, me to kanë krijuar “minishtete”. Ndërsa  tani atyre u duket e habitshme, kur ne kërkojmë bashkimin e Kombit Shqiptar, ashtu si të gjithë kombet e tjerë, në Ballkan e më gjerë. Sepse ky ishte një ideal i kahershëm i rilindësve tanë dhe platformë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por edhe e Qeverisë së parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Me këtë mendim, në shpirt e në zemër, ranë kryetrimi Adem Jashari dhe pjesëtarët e familjes së nderuar të tij; u flijuan edhe trimat e tjerë të Kosovës, që  ajo të ishte e lirë dhe e pavarur.

Historinë tonë të lavdishme, ne e kemi dhe duhet ta kemi kurdoherë në mendje e në zemër. Për atë është shkruar në sa e sa libra, ruhet në muze dhe përjetësohet në lapidarë e shtatore të atdhetarëve e të luftëtarëve tanë, të mendjes e të pushkës. Prandaj, lipset të jemi krenarë dhe t’ua transmetojmë brezave pasardhës, si gjënë më të shenjtë, duke ua treguar luftën, përpjekjet dhe gjakun e derdhur për mbijetesë. Me këto ideale të larta, ne duhet të ecim të bashkuar përpara, duke ruajtur lirinë e pavarësinë, duke e begatuar e përparuar çdo pëllëmbë të tokës amtare shqiptare. Kështu do të hyjmë  me ballin lart në Bashkësinë Europiane, të nderuar dhe të respektuar nga shtete aleate e mike, me ShBA në krye.

Tiranë, 25 dhjetor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Jashari, Murat Gecaj, para Shttaores

OLYMPIA GARGANO-IMAZHI I SHQIPËRISË NË LETËRSINË EVROPIANE PËR SHEKUJ XIX – XX

December 27, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
Olympia Gargano ka  bërë dy vjet më parë pjesë të aspiraturës në Universitetin e Nice Sophia Antipolis – France studimin :Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX – XX .Kryesisht Gargano është përqëndruar tek Edit Durham.Tek gazeta Vlora botova një shkrim për shoqëruesin e Edit Durhamit nga Tepelena në Vlorë.Të dhënat i morra rreth 20 vite më parë në vendlindjen e shoqëruesit të miss Durhamit,në  Mezhgoran të Tepelenës.Olimpia Gargano më dërgoi një mesazh për ta pasur këtë shkrim mbasi ajo punonte temën e saj në Universitetin e Nicës Sophia Antipolis – France .Olympias.G ja dërgova këtë matërial ndërkaq i kërkova që të më niste pjesë nga studimi i saj për shqiptarët,kryesisht:” Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX – XX “,të cilën ajo ma dërgoi në gjuhën frënge ku ajo mbroi aspiraturën në universitetin e dëgjuar francez. Universiteti i Nicës Sophia Antipolis ku mbrojti temën për Shqipërinë O.Gargano,është një universitet francez multidisiplinare, i themeluar në vitin 1965, gjendet në Nice të Alpes Maritimes. Ka rreth 26.000 studentë, duke përfshirë 1.300 studentëve të diplomuar dhe gati 20% të huajt, është përhapur mbi disa kampuset dhe njësitë trajnimi dhe hulumtimi. Ka mbi 1300 mësues, lektorë dhe instruktorët. Universiteti i Nicës përbëhet nga tetë fakulteteve (UFR), një IUT, një PSI, një Universitetit Politeknik dhe një Hum.
Kush është Olympia Gargano
Lindur në Ravello në bregdetin Amalfi, me një diplomë në Classics, me specializim në gjuhësi dhe Master italiane në mësim të gjuhës italiane për të huajt.E përkthyese (nga anglisht,frëngjisht, gjermanisht),ka përkthyer vepra të reja nga udhëtarët e huaj në Italinë jugore . Profesorë e gjuhës italiane dhe latine në shkolla të larta,u angazhua  në një projekt kërkimor për imazhin e Shqipërisë të letërsisë moderne dhe bashkëkohore evropiane në  Universitetin Nice Sophia Antipolis – France.
Aktualisht Punon te Ministrisë e Shërbimeve Publike arsim. Njeh këto gjuhë të huaja:italisht, anglisht,gjermanisht ,greqishten e vjetër ,latinisht,frëngjisht. Ka studiuar Université de Nice Sophia Antipolis Doctorant · Littérature compare-Letteratura Comparatadottoranda. Università degli studi di Napoli L’Orientale
Ja disa pjesë të kësaj kumtese që Olimpia Gargano ja ka kushtuar letrave shqipe.Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX – XX shkruan ajo. Tregimet e udhëtimit në Ballkan thotë O.Gargano,është një subjekt ende pak të hulumtuar mes provave letrare e udhëtime në Evropë, në mesin e tyre, shumë më pak të njohura janë librat e udhëtimit në Shqipëri, një vend të cilit njohurit dhe hapje me jashtë ishin bllokuar për gati 50 vjet të regjimit totalitar,deri në fillim të viteve 1990. Projektin tim hulumtimi ka për qëllim të hapë koordinatat e imazhit të Shqipërisë në kontekstin e kulturës evropiane, sidomos të literaturës në italisht, frëngjisht dhe anglisht. Në fillim të shekullit të njëzetë, Shqipëria mbetet një nga vendet më pak të njohura evropiane. Deri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, udhëtarët të cilët kishin kaluar ishin kryesisht tregtarët dhe diplomatët në rrugën e tyre në Konstandinopojë përgjatë rrugës Via Egnatia një, kanali i lashtë i komunikimit, i cili ishte ndërtuar nga romakët gjatë shekullit të II p.e.s si zgjerimi ideal të Ëay Appian, duke çuar nga Roma në Brindisi.
Via Egnatia që niset në Durrës, gjendet në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, në Stamboll, duke kaluar nëpër Shqipëri , Maqedonia, Bullgari dhe Turqi. Ajo ishte vetëm në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë , si rezultat i popullaritetit të “Tour Grand”, që udhëtarët evropiane filluan të konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion për të vizituar. Ndër udhëtarët e parë që i ka kushtuar atij veprat letrare, ishte François Pouqueville dhe Lord Bajroni. Në udhëtimin e tij për nga Morea në Kostandinopojë, në Shqipëri, dhe në shumë pjesë të tjera të Perandorisë Osmane, botuar në 1805, ishte Pouqueville që zbuloi thesaret arkeologjike ,që lidhen me traditën klasike. Në anën e anglezeve, “zbulimi” i Shqipërisë në letërsinë moderne është për shkak të Lord Bajroni, i cili bëri skenarin e aventurat e heroit të tij në shtegtimin e Çajld Haroldit.
“Sot, ka tanika një prodhim shumë të pasur letrare në letërsinë Evropiane për shekuj  XIX- XX  e cila është objekt i hulumtimit tim. Një prej autorëve që do të veproj në mënyrë specifike në projektin tim është angleze Edith Durham, e cili në fillim të shekullit ‘20 udhëtoi për në Shqipëri vetëm. Shtyrë për të udhëtuar nga mjeku isaj , i cili e këshilloi atë, që të lëvizë nga koha në kohë për të mbështetur më mirë detyrat e ndihmës për nënën e saj të sëmurë, znj Durham, artiste dhe shkrimtare, udhëtoi në Adriatik në vitin 1900. Gjatë turneut të saj të parë, ajo vizitoi Cetinje (Mal i Zi) dhe në Shqipëri: ajo ishte fillimi i një dashuri që zgjati gjatë gjithë jetës. Për 20 vjet, Edith Durham kaloi në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, ka vizituar vende dhe njerëz me përvojë, dhe u bë një partizan më të pasionuar të pavarësisë së Shqipërisë. Kujtime udhëtimesh e e saj , në Shqipëri (1909), është ende një nga burimet e njohurive dhe frymëzim më të pasur letrare për të gjithë ata që janë përfshirë në kulturën dhe traditat shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Olympia gargano

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 517
  • 518
  • 519
  • 520
  • 521
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT