• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edward Lear, britaniku që hodhi në telajo mrekullinë magjepsëse të natyrës, vendeve dhe veshjeve shqiptare

May 13, 2024 by s p

Albert Vataj/

Më 29 janar 1888 – Ne Sanremo, Itali vdiq anglezi Edward Lear artist, ilustrues, autor, poet, piktor i punësuar për të udhëtuar e vizatuar zogj e kafshë, peisazhe, njerëz e veshje, shtëpi, kështjella në rajonin e Mesdheut; si fushë veprimi Lear zgjodhi Shqipërinë e Greqinë, dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij. Lear ishte i njohur si autor me pseudonimin më të gjatë; Prizzikalo Kattefello Ablegorabalus Ableborinto (akush nuk mund të thotë se nga u nis Edward për krijimin e shprehjeve të tilla që tingëllojnë paksa ballkanikë. Edward Lear lindi në një fshat afër Londrës më 12 maj 1812, i 20-i mes 21 vëllezërve e motrave. Endërra e ti ishte ilustrumi i një libri me poezi nga “poeti laureat i Anglisë dhe Irlandës”, Alfred Tennyson. Gjatë viteve të fundit të jetës, Lear u vendos në një fshat afër Sanremos, Itali, ku edhe vdiq më 1888. Në pllakën e varrit të tij janë gdhendur disa vargje rreth malit Tomor, që Alfred Tennyson i shkroi kur lexoi librin e Learit Mbi udhëtimet në Greqi e Shqipëri.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte koha kur Europa zbuloi Shqipërinë. Ishte pikërisht atëherë që udhëtarët e huaj filluan të depërtojnë në këndin më të largët e më të panjohur të Europës, që historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon) e përshkruante si “një vend në fushëpamje të Italisë por më pak i njohur se thellësitë e Amerikës.” Udhëtarët e parë europianë udhëtuan në drejtim të veriut, nga Greqia për në vendin ku sundonte Ali Pashë Tepelena. Ndër ta ishin diplomati Fransua Pukëvil (François Pouqueville) në vitin 1806, arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse) në vitin 1809, dhe mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812-1813. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre shkuan përtej tokave të Ali Pashës, që sot shtrihen në pjesën veriperëndimore të Greqisë dhe në Shqipërinë jugore.

Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ndoshta ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri, ndonëse kjo ndodhi në mënyrë disi të rastësishme. Në shtator të vitit 1848, kur po shkonte në Greqi dhe mbërriti në Selanik, ku e kishte lënë të takohej me shokun e tij të udhëtimeve Çarlz Çërç (Charles Church), atje shpërtheu një epidemi kolere. E vetmja mënyrë për të dalë nga Selaniku dhe për të shmangur një karantinë të gjatë, ishte që të shkonte drejt veriut, drejt një territori të panjohur, përmes viseve të pashkelura shqiptare. Dhe Liri guximtar pikërisht këtë bëri. Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga Manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri dhe Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze. R.E.

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Edward Lear nuk është se ka ndonjë emër legjendë në historinë e pikturës, në botën e artit britanik dhe atë botëror. Por është një artist i mirë i peizazhit dhe i përshkrimeve të udhëtimit. Ai shquhet për delikatesën shprehëse dhe saktësinë e komunikimit përmes pikturave, të cilat na përcjellin me një vërtetësi dhe ngrohtësi jetën dhe peisazhin e Shqipërisë së shekullit XIX. Edward Lear në rrugën e tij për në Lindje qëndroi shumë në Ballkan dhe jo vetëm kaq, por na ka lënë mrekulli përshkrimi dhe një pasqyrë të episodeve nga veprimtarua jetësore e shqiptarëve nga të gjithë trevat.

Kujtojmë se në atë shekull referencat e studiuesve tanë shkruajnë për një lulëzim të Shqipërisë dhe sesi shumë nga qytetet po bënin tregti fitimprurëse në të katër anëtar e Evropës dhe pak më gjerë. Megjithatë niveli në masë social-ekonomik i popullsisë është katastrofal. Sëmundjet, mungesa e kulturës, padija, mungesa e higjienës janë gati proverbiale. Tregon sesi trajtohen gratë si kafshë barre në Himarë, padijen e thellë ngado ku shkon, pisllëkun dhe mënyrën gati primitive të jetesës.

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Edhe me këtë përshkrim, për fat Edward Lear nuk e nxin peizazhin shpirtëror të shqiptarëve. Duhet thënë se peizazhi natyror, që ai e ka pikturuar si askush tjetër, duhet t’i ketë lënë shumë mbresë sepse është pak shpotitës me episodet që gjen me shqiptarët.

***

Edward Lear lindi më 12 maj 1812 – 29 janar 1888, në Highgate Londër dhe ishte fëmija e 20-të i një agjenti burse, vdiq në San Remo, ishte piktor, poet dhe udhëpërshkrues anglez nga Britania e Madhe. I refuzuar nga e ëma, ai u rrit nga motra e vet Ann, që ishte 21 vjet më e madhe. Ai vuante nga epilepsia, të cilën Lear e quante “Djalli” dhe, që 6 vjeç, ishte i prirë për ndryshime të befta humori si dhe periudha depresioni që i quante “të frikshme”. I edukuar nga motrat Ann dhe Sara, dha shenja për prirje artistike që në moshë të re. Për shkak të dështimit të të atit në karrierë dhe pamundësisë së këtij për të mbajtur familjen Lear u detyrua të fitonte mjetet e jetesës që nga mesi i vitit 1820. Në 1848, Lear nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij mori një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes zonave të perandorisë që konsideroheshin “të egra”. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Pas disa ditësh u kthye në Tiranë dhe vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë.

100 piktura për Shqipërinë

Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851) Lear-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Edwardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Edward Lear in Greece (Edward Lear në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Edwardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Edward Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Edward Lear në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliria). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

“Shqipëria, sa e ngatërruar për të huajin”!…

Fragment nga “Ditarët e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri” të Edward Lear, 1848

Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët, Tesprotët etj. kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e njësive administrative turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të korkolepsura, sa në fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shashtisës, nëse nuk do i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Udhëtimi nëpër Çamëri vazhdon….!

Zbritja e një qafe mali në Sul, mendimet e mia pushtoheshin nga peizazhi mahnitës, këto mendime lidhnin luftërat e njerëzve të cilët në mënyrë heroike luftuan për pavarsinë e tyre.

Grykat e frikëshme të Sulit nuk mund të përshkruhen më mirë se në fjalët e Kolonel Martin Leake: “Një përroskë e thellë, formuar nga bashkimi i dy maleve të mëdha të Sulit dhe Zikuratit, një nga grykat më të errta e më të thella në mbarë rajonin,dy anët e maleve të mbuluara me lisa e me pisha, rruga mund të kalohej vetëm në këmbë…!

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Mbaja veten me shpresë, derisa unë ia dola dhe shpëtova nga lugina e lumit Akeron, normal që do ja dal të paktën ti kaloje edhe keto shpate të thepisura Suliote. Këtu afër, në një majë, Ali Pasha ndërtoi një kështjellë,shpresoj që të kalojë natën aty brenda mureve të saj. Pak kështjella mund të konkurojnë në kujtesën time,për nga egërsia e kësaj kështjelle të Suli-Kastros,vetëm shkretëtirat e Sinait, mund të krahasohen me këtë pamje piktoreske e të çuditshme. Do më pëlqente të qëndroja më gjatë e ti studioja më nga afër këto shtëpi hijerënda të Çamërisë (Tzamouria).

Më pas shoqëruesi im mori drejt Pargës, ku gjetëm një shtëpi shumë të mirë,e mund të rehatoheshim disi nga vapa përvëluese e mesit të zhegut. Pasdite,afër mbrëmjes kam bërë vizatime të shumta nga të dyja anët e kepit të Pargës, edhe pse çdo pikë këndvështrimi ishte e bukur. Binte në sy një peizazh shqiptarë,kishte më shumë një karakter kalabrez të bregdetit. Por, në dritën e mbrëmjes ku dukeshin lezetshëm ndërtesat e vjetra,ku nën këmbët e shkëmbinjve valët murmurisnin,dukej sikur degët e ullinjve pëshpërisnin mbi kokën time. Në dritën e gjithë kësaj, unë ndjeva në ankth, si do mund të largohem nga Parga. Pamja qe më shfaqej para syve, me turbullonte,në isha duke parë ëndër, apo në realitet, dhe unë uroja me gjithë zemër,për të pasur një shans të dytë për ta parë sërisht Pargën e bukur. Kështjella e Pargës ka pasur një rëndësi tepër të rëndësishme për Korfuzin,dhe krahasohej nga venecianet si “Syte dhe veshet e Korfuzit”

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Paramythia, së shpejti filluam të zbresim në fushat e gjelbërta e të gjera të këtij qyteti të lashtë, vihej re në veri të qytetit kështjella e gurte e mbështetur pas maleve dhe shpateve me forma të magjishme,poshtë kësaj kështjelle janë të shpërndara vendbanimet e grupuara piktoreske të përzier a me selvi dhe të gjitha llojet e pemëve, viheshin re ndërtimet e kishave dhe xhamive me gurë të punuar bukur. Para se të largohej nga qyteti, Edward Lear pikturoi një vajzë shqiptare nga Paramithia të cilën e portretizoi bukur me penelin e tij, po ashtu në kujtimet e tij ai nuk harroi të përshkruante bukurinë dhe hijeshinë e vajzës nga Çamëria….!

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

EPITAFI I VARRIT TË EDWARD LEAR DHE TOMORRI

Gati 170 vjet më parë, piktori i madh anglez, Edward Lear, duke vështruar malin e Tomorrit nga Qafa e Kërrabës, pasi ul paletën me anë të së cilës kish hedhur në telajo impresionin e çastit të pamjes që i dilte përpara, shkruan në ditarin e tij:

“Ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”.

Dhe vërtet piktura në vaj që realizoi Edward Lear për Tomorrin nga ai impresion nga Kërraba, është një nga kryeveprat e tij. Poeti i shquar anglez, Alfred Tenison, mik i ngushtë i piktorit, i befasuar dhe i frymëzuar nga kjo pikturë, krijoi një poezi monumentale, katër vargjet e së cilës u vendosën në fund të tablosë, dhe më vonë si epitaf mbi varrin e Edward Learit: Tomorr e Athos, fron magjie,/ Vjen hije largët gjer te ne,/Një laps e një penel i bie,/ E ndiej si të isha vetë atje…

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Tomorri vërtet është një nga malet më të bukur të Shqipërisë, që i rri fushës së Myzeqesë dhe gjithë natyrës përreth si një monark i vërtet, sundimtar i fushës dhe i luginave të lumenjve të Osumit, Shkumbinit, Devollit e deri në Vjosë. Një detaj i tillë artistik nuk i ka shpëtuar vëzhguesit të kujdesshëm, poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, kur shkruan: “Mjegulla u var, /mali s’duket më,/ fusha ka mbetur/ pa zot e pa zë…

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

Për veprimtarinë shkencore kushtuar akademikut albanolog Mario Roques

May 11, 2024 by s p

Akademia e Shkencave të Shqipërisë/

Më datën 10.5.2024, në sallën “Akademikët” u mbajt tryeza shkencore kushtuar filologut dhe albanologut frëng Mario Roques(1875-1961), si bashkëpunim mes Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Seksionit të Shkencave Sjoqërore dhe Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Shaban Sinani mbajti fjalën e hapjes së kësaj tryeze shkencore, duke nënvizuar më së pari rëndësinë e përkujtimit të kontributeve të filologut Mario Roques në disa fusha themelore të gjurmimeve albanologjike, ndër të cilat dallohen pikërisht hulumtimet mbi tekstet më të hershme shqipe dhe çështje të dokumentimit shkrimor të tyre. Për vetë formimin kompleks dhe njohjen e disa disiplinave studimore, me arritjet e tij Roques nxit një perspektivë të gjerë trajtesash, duke spikatur jo pak dhe me gjurmimet mbi tekstet e vjetra shqipe, reflektuar dhe në veprën me të njëjtin titull që pa dritën e botimit në vitin 1932, pothuaj në një kohë të afërt me botimin fotomekanik të “Dicionarit latinisht-shqip” të Frang Bardhit, botuar për herë të parë në vitin 1635 nga Tipografia e Kongregacionit të Propaganda Fide-s.

Formimi i veçantë i studiuesit Mario Roques dhe historiku i kontributeve specialistike të studiuesve francezë që janë interesuar për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare qenë argumente të trajtuara gjerësisht dhe me një arsenal të dhënash të pasura nga prof. dr. Tomorr Plangarica (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë), i cili mbajti referimin me titull “Mario Roques – vijues i një tradite dhe nismëtar i një tjetre (shqyrtimet filologjike dhe mësimdhënia e shqipes në Francë”. Personaliteti kompleks i filologut frëng Mario Roques u ilustrua me një sërë të dhënash mbi angazhimet e tij në fushë të kërkimit shkencor e të mësimdhënies universitare, por dhe në komisione e redaksi shkencore të cilat mbajtën gjatë në përbërje të tyre emrin e tij.

Për kontributin e studiuesit frëng Roques në lidhje me tekstet e vjetra shqipe dhe domosdoshmërinë e vështrimit filologjik të tyre foli gjerësisht prof. dr. Anila Omari (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë), e cila u ndal në disa aspekte të trajtesave të tij në këtë drejtim. Grafemat speciale që gjurmohen në tekstet e e librit të parë të njohur deri më sot të shkruar në gjuhën shqipe dhe që janë të ndryshme nga ato të alfabetit latin, ekzemplarët e veprave të letërsisë së vjetër shqipe të shekullit XVII dhe njohja e historikut të tyre (në veçanti përpilimet e Pjetër Budit), ndikimet nga kultura të tjera shkrimore dhe vendi i mundshëm i shtypjes së “Mesharit” të Gjon Buzukut, në dritë dhe të arritjeve më të fundit nga studiues që njohin e konsiderojnë dhe pikëpamjet e M. Roques, u trajtuan hollësisht nga prof. dr. Anila Omari.

Prof. dr. Mimoza Priku (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”) u ndal në trajtimin e kontributit të albanologut Mario Roques në vështrimet e studiuesve shkodranë, duke nënvizuar në veçanti reflektimet e F. Fishtës, W. Kamsit (njëherësh dhe përkthyes i parathënies së plotë të M. Roques në hyrje të botimit fotomekanik të “Dicionarit latinisht-shqip” të F. Bardhit që daton në vitin 1932), M. Camajt, T. Osmanit etj. Përkujtimi i emrit të W. Kamsit në këtë kumtesë, njëherësh kultivues i fondeve të albanologjisë në bibliotekat e qytetit të Shkodrës u lidh ngushtë dhe me kujdesin e tij që të sillte sa më të plotë ndihmesat e M. Roques dhe në veprën e përkthyer disa vite më parë, pikërisht “Gjurmime mbi tekstet e vjetra shqipe”, Botime Françeskane, Shkodër, 2011.

Prof. asoc. dr. Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) mbajti referimin me titull “Mario Roques (1875-1961), magister et philologus omnium temporum”, duke nënvizuar disa momente të rëndësishme të rrugëtimit të tij profesional, të lidhura me lindjen e interesave ndaj filologjisë, leksikologjisë, studimeve mbi tekstet mesjetare, historisë së shkrimeve të vjetra në disa gjuhë të Europës. Artikuj të veçantë në të cilat ai trajton dhe çështje të njohjes së një gjeografie të shpërndarjes së ekzemplarëve të veprave më të rëndësishme të letërsisë së shkruar shqipe (trajtuar dhe në veprën e mirënjohur “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris, 1932), por dhe vepra të plota të shkruara prej tij u përmendën në këtë trajtesë, bashkë me interpretime komemorative të përpiluara nga viti 1961 nga dishepuj e kolegë të tij (Jean Frappier, Félix Lecoy, Alfred Merlin, Maurice Delbouille etj.), me të njëjtat interesa studimi e kërkimi.

Mario Roques ka hyrë në traditën e studimeve shqiptare për një sërë sprovash dhe trajtesash studimore në të cilat ai bën fjalë për tekstet e vjetra shqipe dhe evidentimin e modeleve librore mes të cilave njihen këto të fundit. Emri i tij është i pranishëm në vëllime enciklopedike të rëndësishme në disa gjuhë, në të cilat nënvizohet pikërisht kompleksiteti i interesave të tij studimore dhe ndërthurja metodologjike e vështrimeve shkencore mbi një sërë fushash. Burimet letrare më të hershme në gjuhën frënge, provencalishtja, latinishtja vulgare, gjuhët romane (ndër të cilat dhe rumanishtja), gjuha shqipe dhe dëshmimi shkrimor i saj më i hershëm, korpuset leksikore për të cilat ruajti deri në fund një interes të madh (në veçanti “Novum Glossarium”), periodikët shkencorë për të cilët u kujdes në vijimësi (në veçanti revista “Romania”), shkrimet e shumta përkujtimore në nder të tij u përmendën në këtë veprimtari të sotme shkencore, të iniciuar si bashkëpunim mes Seksionit Shkencor të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjke dhe Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

Nga vjen fjala “algoritëm”?

May 10, 2024 by s p

Rafael Floqi/

Algoritmet janë bërë integrale në jetën tonë. Nga aplikacionet e mediave sociale te Netflix, algoritmet mësojnë preferencat tuaja dhe i japin përparësi përmbajtjes që ju shfaqet. Google Maps dhe inteligjenca artificiale nuk janë asgjë pa algoritme.

Pra, të gjithë kemi dëgjuar për to, por nga vjen fjala “algoritëm”? Mbi 1000 vjet përpara internetit dhe aplikacioneve të smartfonëve, shkencëtari persian dhe polimatematikanit Muhammad ibn Musa al-Khwarizmi shpiku konceptin e algoritmeve. Në fakt, vetë fjala vjen nga versioni i latinizuar i emrit të tij, “algorithmi”. Dhe, siç mund të dyshoni, është gjithashtu e lidhur me algjebrën.

Al-Khwarizmi jetoi nga viti 780 deri në vitin 850 të erës sonë, gjatë Epokës së Artë Islame. Ai konsiderohet “babai i algjebrës”, dhe për disa, “gjyshi i shkencës kompjuterike”.

Megjithatë, pak detaje dihen për jetën e tij. Shumë nga veprat e tij origjinale në arabisht i kanë humbur kohës. Besohet se al-Khwarizmi ka lindur në rajonin Khwarazm në jug të Detit Aral në Uzbekistanin e sotëm. Ai jetoi gjatë Kalifatit Abasid, i cili ishte një kohë e përparimit të jashtëzakonshëm shkencor në Perandorinë Islame.

Al-Khwarizmi dha një kontribut të rëndësishëm në matematikë, gjeografi, astronomi dhe trigonometri. Për të ndihmuar në sigurimin e një harte më të saktë të botës, ai korrigjoi librin klasik të hartografisë së Aleksandri Ptolemeut, Gjeografia.

Ai prodhoi llogaritje për gjurmimin e lëvizjes së Diellit, Hënës dhe planetëve. Ai gjithashtu shkroi për funksionet trigonometrike dhe prodhoi tabelën e parë të tangjentëve.

Nuk ka imazhe se si dukej al-Khwarizmi, por në vitin 1983 Bashkimi Sovjetik nxori një pullë për nder të ditëlindjes së tij 1200. Wikimedia Commons

Al-Khuarizmi ishte një dijetar në Shtëpinë e Urtësisë (Bejt al-Hikmah) në Bagdad. Në këtë qendër intelektuale, studiuesit po përkthenin njohuri nga e gjithë bota në arabisht, duke e sintetizuar atë për të bërë përparim domethënës në një sërë disiplinash. Kjo përfshinte matematikën, një fushë e lidhur thellësisht me Islamin.

“Babai i algjebrës”

El-Khuarizmi ishte një burrë i shumanshëm dhe fetar. Shkrimet e tij shkencore filluan me kushtimin ndaj Allahut dhe Profetit Muhamed. Dhe një nga projektet kryesore që matematikanët islamikë ndërmorën në Shtëpinë e Urtësisë ishte zhvillimi i algjebrës.

Rreth vitit 830 të erës sonë, kalifi al-Ma’mun e inkurajoi al-Khuarizmiun të shkruante një traktat mbi algjebrën, Al-Jabr (ose Libri Përmbledhës mbi Llogaritjen me Përfundim dhe Balancim). Kjo u bë vepra e tij më e rëndësishme.

Në këtë pikë, “algjebra” ekzistonte për qindra vjet, por al-Khwarizmi ishte i pari që shkroi një libër përfundimtar mbi të. Puna e tij ishte menduar të ishte një mjet praktik mësimor. Përkthimi i saj latinisht ishte baza për tekstet shkollore të algjebrës në universitetet evropiane deri në shekullin e 16-të.

Në pjesën e parë, ai prezantoi konceptet dhe rregullat e algjebrës dhe metodat për llogaritjen e vëllimeve dhe sipërfaqeve të formave. Në pjesën e dytë ai dha probleme të jetës reale dhe përpunoi zgjidhje, si rastet e trashëgimisë, ndarjen e tokës dhe llogaritjet për tregti.

Al-Khwarizmi nuk përdori shënime matematikore moderne me numra dhe simbole. Në vend të kësaj, ai shkroi në prozë të thjeshtë dhe përdori diagrame gjeometrike:

Katër rrënjë janë të barabarta me njëzet, pastaj një rrënjë është e barabartë me pesë dhe katrori që do të formohet prej saj është njëzet e pesë. Në shënimin e ditëve moderne do të shkruanim kështu:

4x = 20, x = 5, x2 = 25

Gjyshi i shkencave kompjuterike

Shkrimet matematikore të Al-Khwarizmi-t prezantuan numrat hindu-arabë tek matematikanët perëndimorë. Këto janë dhjetë simbolet që përdorim sot: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 0.

Numrat hindu-arabë janë të rëndësishëm për historinë e informatikës sepse përdorin numrin zero dhe një sistem dhjetor me bazë dhjetë. E rëndësishmja, ky është sistemi numerik që mbështet teknologjinë moderne informatike.

Arti i llogaritjes së problemeve matematikore të Al-Khuarizmit hodhi themelet për konceptin e algoritmeve. Ai dha shpjegimet e para të detajuara për përdorimin e shënimeve dhjetore për të kryer katër operacionet bazë (mbledhje, zbritje, shumëzim, pjesëtim) ??dhe llogaritjen e thyesave. Një ilustrim mesjetar që tregon një person duke përdorur një numërator në njërën anë dhe duke manipuluar simbolet nga ana tjetër.

Kontrasti midis llogaritjeve algoritmike dhe llogaritjeve të numëratorit, siç tregohet në Margarita Philosophica (1517). Biblioteka Shtetërore e Bavarisë

Kjo ishte një metodë llogaritëse më efikase sesa përdorimi i numëratorit. Për të zgjidhur një ekuacion matematikor, al-Khuarizmi lëvizi sistematikisht nëpër një sekuencë hapash për të gjetur përgjigjen. Ky është koncepti themelor i një algoritmi.

Algoritëm, një term latin mesjetar i emëruar pas al-Khwarizmi, i referohet rregullave për kryerjen e aritmetikës duke përdorur sistemin numerik hindu-arab. I përkthyer në latinisht, libri i al-Khwarizmi-t mbi numrat hindu u titullua Algorithmi de Numero Indorum.

Në fillim të shekullit të 20-të, fjala algoritëm hyri në përkufizimin dhe përdorimin e saj aktual: “një procedurë për zgjidhjen e një problemi matematikor në një numër të kufizuar hapash; një procedurë hap pas hapi për zgjidhjen e një problemi”.

Muhamed ibn Musa al-Khwarizmi luajti një rol qendror në zhvillimin e matematikës dhe shkencës kompjuterike siç i njohim ne sot.

Herën tjetër kur të përdorni ndonjë teknologji dixhitale – nga burimi juaj i mediave sociale tek llogaria juaj bankare në internet tek aplikacioni juaj Spotify – mbani mend se asgjë nuk do të ishte e mundur pa punën pioniere të një matematikani të lashtë persian.

Filed Under: Kulture

Kumti i përkthimit në botën shqiptare

May 8, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi

In memoriam për Prof Skënder Luarasin

Për vite me radhë shqiptarët u ushqyen mendërisht dhe estetikisht me veprat e letërsisë klasike që sillnin një aromë tjetër në bregun e ashpër të Adriatikut që nuk kish njohur në masën e duhur ose aspak as Rilindjen Evropiane, as Iluminizëm as Revolucion Industrial. Në përpjekjen e tyre për tu përshtatur me një botë që kish ndryshuar dhe vazhdonte të ndryshonte me shpejtësi marramendëse që nga momenti që ata kishin dashur t’i bashkëngjiteshin, kishte çoroditje se kujtonin se kishin gjetur rrugën (koha më vonë e tregoi se s’qe ajo e duhura), kishte utopi se do ndërtonin diçka të re (bota kish vite që ndërtonte gjëra të tilla), kishte iluzion se do viheshin në ballë të botës (botës i ishin dashur shumë vjet për të qenë aty ku ishte) por kishte dhe etje për kulturë dhe këtu bota mund t’i ndihmonte. Në vitin 1955, Skënder Luarasi përfundoi përkthimin e poemës “Shtegtimet e Child Haroldit” të Lord Bajron, ku Kanto II rrëfen për udhëtimin në Shqipëri dhe Greqi në 1809. Një nga pjesët kryesore të Kanto II është takimi i Lord Bajronit alias Child Harold me Ali Pashë Tepelenën. Përshkrimin e këtij takimi e gjejmë dhe tek letra dërguar së ëmës në tetor 1809 nga Preveza. Mes të tjerash Lord Bajron shkruan se… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin . Tre vjet më vonë në 1812, Lord Bajron botoi Canto II , ku rrëfeu poetikisht takimin me Ali Pashë Tepelenën.

Në një qoshk të shtruar me mermer, ku kroi

Me ujë rrjedhës që nga mesi i trollit

Gurgullon freski plot andë, dhe divani

I butë dhe epshor fton mysafirët t’ulen

Rri pshet’Aliu, burrë luftërash mizor;

Po tash kur ëmbëlsia rrezet hedh

Në ballin e nderuar t’atij plaku,

Nëpër tiparet nuk i duken gjurmat

E kobit që fsheh brenda dhe njollos me turp.

…Po kobet q’heshtin zërin e mëshirës,

Dhe s’i kanë hije kujt, sidomos plakut

I kanë vënë damkën e egërsirës.

Gjaku do gjak, e kush në gjak e nis

Do ta mbarojë jetën ca më keq me gjak.

Çfarë i kumtonte Bajroni, Ali Pashës ndërsa shkroi strofkën 62 të Kantos II, sidomos kupletin e fundit, në vitin 1812? A po i parashikonte të ardhmen se do përfundonte si viktimat e tij, i gjakosur mes kujtimit të viktimave të veta? Dhjetë vjet më vonë në 1822 Ali Pashë Tepelena do vritej jo vetëm nga hordhitë otomane por edhe nga vetmia dhe braktisja e miqve të tij më të mirë. Po Skënder Luarasi që e përkthente e botonte këtë strofkë e kuplet në vitin 1956, çfarë i kumtonte lexuesve shqiptarë? Po diktatorit Hoxha që e kishte Bajronin një nga shkrimtarët e vet më të preferuar? Kupleti i sjellë me mjeshtëri në shqip nga Luarasi shprehte thelbin e diktaturës në Shqipëri që në themelet e saj dhjetë më parë se të përkthehej kjo poemë, ishte ndërtuar mbi terror e viktima. Ashpërsitë e sjelljes së Ali Pashë Tepelenës ndaj bashkëatdhetarëve të vet shpesh herë krahasoheshin me ashpërsitë e luftës së klasave nga komunistët shqiptarë. Vet figura e Enver Hoxhës shpesh herë shikohej si një projeksion i figurës së Ali Pashë Tepelenës, përsa i përket krimeve dhe tmerreve ndaj kundërshtarëve politikë.

Përmes letërsisë klasike brezi i ri i shqiptarëve mund të mësonte më tepër se mbledhjet e mërzitshme e të stërgjatura të AGITROP-it komunist për të ardhmen e shoqërisë komuniste. Sfidë e madhe për një poet si Bajroni, për një vepër si “Child Harold” dhe për një letërsi klasike e përkthyer në shqip aq mjeshtërisht nga i paharruari Prof. Skënder Luarasi!

Filed Under: Kulture

Si sot 57 vjet më parë u shua mjeshtri i rrëfenjës shqipe Mitrush Kuteli

May 4, 2024 by s p

Bledi Filipi/

Mitrush Kuteli, i cilësuar nga kritika shqiptare si rrëfimtari i njohur në prozë, në të gjithë veprën e tij letrare dëshmoi njohjen e thellë të jetës shpirtërore të njeriut, duke e parë atë gjithnjë të ballafaquar me jetën, vdekjen dhe dashurinë. (R.Elsie, 2002)

Mitrush KUTELI (Dhimitër Pasko, 1907-1967)

Shkrimtar, ekonomist, kritik letrar, përkthyes e folklorist. Lindi në Pogradec. Kreu shkollën e mesme tregtare rumune të Selanikut dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Akademinë e Shken-cave Ekonomike të Bukureshtit (1931), ku mori dhe titullin doktor i shkencave ekonomike (1934). Në Rumani punoi si nëpunës e drejtor banke dhe shkroi e botoi disa vepra për probleme ekonomike e financiare të Shqipërisë e Ballkanit (1932-1938). Më 1942 u kthye në Shqipëri. Më 1944 së bashku me V. Kokonën, S. Spassen e N. Hakiun nxorën në Tiranë të përdyjavshmen Revista letrare. Fill pas Çlirimit punoi në Bankën e Shtetit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Në vitet 1947-1949 bëri dy vjet burg politik. Më pas punoi si përkthyes në Sh.B. Naim Frashëri. Vdiq në Tiranë, më 4 maj 1967.

Veprimtarinë letrare e nisi nga fundi i viteve 20 në gazetën “Shqipëria e re” të Kostancës. Bëri emër si tregimtar me përmbledhjet “Netë shqiptare” (1938), “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943), “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” (1944), “Dashuria e barbarit Artan” (1943-1945). Po në këto vite botoi përmbledhjen folklorike “Këngë e britma nga qyteti i djegur” (1944), si dhe vëllimin poetik “Sulm e lot’ dhe librin me pamflete “Havadan më havadan”. Pas Çlirimit botoi librat për fëmijë “Pylli i gështenjave” (1958),” Xinxifillua” (1962) dhe “Tregime të moçme shqiptare” (1965) – një përmbledhje baladash e legjendash popullore të ritreguara në mënyrë mjeshtërore, si dhe përmbledhjen poetike “Baltë nga kjo tokë” (1973).

Nisi të botojë fragmente nga romani “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” që doli i plotë pas vdekjes (1983), si dhe novela “E madhe është gjëma e mëkatit” (1996). Me stilin e tij të veçantë dhe mënyrën origjinale të rrëfimit krijoi shkollë të tregimit shqiptar, duke lëvruar kryesisht tipin e rrëfenjës.

Tema zotëruese e prozës së Kutelit është ajo sociale e patriotike; e kaluara historike e paraqitur herë në përmasa hiperbolike legjendare e herë me ngjyra karnavaleske, vihet shpesh në dialog me të tashmen, duke përzier kohët e rrëfimit.

Vendin kryesor në prozën e tij e zënë përfaqësuesit e vegjëlisë së fshatit e të qytetit, që luftojnë për mbrojtjen e tokës dhe të nderit, mërgimtarë që vuajnë në dhe të huaj, kaçakë e trima të çartur që rebelohen kundër padrejtësive shoqërore, trimëritë dhe doket e ashpra, poezia e fëmijërisë dhe malli për një të kaluar ëndërrimtare, natyra magje-psëse, jeta e qytetit të lindjes dhe e krahinave përreth, të paraqitura shpesh përmes një etnografizmi piktoresk. Dashuria njerëzore deri në dhembje dhe zvetënimi moral deri në humbje, i japin një thellësi filozofike dhe një përmasë universale prozës së Kutelit.

Proza e Kutelit. është realiste, që të kujton realizmin magjik, me personazhe gjysmë reale dhe gjysmë fantastike, përshkruar nga një humor i vetvetishëm dhe e mbrujtur sipas modelit të ligjërimit popullor, me gjuhë të gjallë e të larmishme. Lehtësia e kalimit nga rrafshi përshkrimor-tregimtar në rrafshin e dialogut, ritmi i shtruar dhe stili baladesk i të rrëfyerit, i bëjnë rrëfimet e tij një tip të veçantë proze, ku kufijtë midis ligjërimit të rrëfimtarit dhe ligjërimit të personazhit thuajse janë fshirë.

Kuteli është dalluar dhe si kritik letrar sidomos me studimet për F. Nolin e L. Poradecin dhe për folklorin. Përmbledhja e tij me titull Shënime letrare (1944) është libri i parë në historinë e kritikës letrare shqiptare. Dy dhjetëvjeçarët e fundit M.K. iu përkushtua përkthimeve në gjuhën shqipe të veprave të letërsisë botërore klasike e bashkëkohore, nga autorë si M. Gorki, N. Gogol, A. S. Pushkin, M. Shohollov, I. Turgeniev, M. Sadoveanu, P. Eluar, P. Neruda e të tjerë.

POEM KOSOVAR

KËNGA E PARË:

QËNDRIMI

Jam shqiptar

e kosovar:

Zot e krenar,

-Zot e bujar-

mbi këtë Dhe,

që e kam fe

e përmbi fe:

e kam Vatan!

E kam Atdhe!

Që gjysh stërgjysh,

që brez pas brez,

që gjithëmonë!

Ti shkja thërret

ti shkja bërtet,

deri lart në retë:

se jam barbar.

Jo, s’jam!

si bërtet ti,

si buçet ti,

ti, Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,

lirinë e dua,-

e s’dua

zot

mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,

kur s’kish kufi

as fqinjëri,

as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi

ish Iliri:

kur nga një det në tjatrin det

isha zot vetë!

Unë jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën fushë

e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem

-dem baba dem-

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri

(Bibl.: Elsie, 2002; FESh II, 2008; LSh 20807)

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT