AVNI ALCANI/
Rreth vitit 2010 në mediat shqiptare u përhap lajmi i rikthimit të Gëzim Hidrit, mjeshtër i mozaikut, i cili kishte filluar një mozaik të madh, kushtuar miliarderit të madh rus, Roman Abramoviç. Lajmi ishte i bujshëm, pasi Abramoviçi në atë kohë ishte shumë i njohur, jo vetëm për pasuritë e tij kolosale që zotëronte, por dhe për faktin se ishte Presidenti i “Çelsit”, Klubit më të famshëm anglez të futbollit.
Emri “Gëzim Hidri” ishte shumë i dëgjuar për mua, pasi kisha njohur me këtë emër një djalë nga Librazhdi, por fytyra e këtij Gëzimi që shkruanin mediat nuk më përngjasonte me bashkëqytetarin tim. Gëzimi që kisha njohur unë ishte një djalosh simpatik me flokët të gjata e kaçurrela-kaçurella të dendura, si të futbollistit holandez Frank Rijkaard. Disa nga gazetat kishin rrëmuar thellë në biografinë e tij, duke dëshmuar se ai ishte nga Librazhdi. Nuk mund të mos e them se jam çuditur pa masë me bashkëqytetarin tim, si dhe për suksesin e tij. Brënda meje kisha dy ndjenja: e para, admirimin që ai ishte djalë nga Librazhdi dhe, e dyta, që kishte realizuar një mozaik të jashtëzakonshëm, kushtuar manjatit rus, Abramoviç.
Por kush është Gëzim Hidri dhe cili ka qenë rrugëtimi i tij në fushën e artit?
Gëzim Hidri lindi në qytetin e Librazhdit më 17 mars 1969. Shkollën 8-vjeçare e kreu në qytetin e lindjes. Që në moshë të vogël ai kishte filluar të vizatonte, duke rënë në sy të babait të tij, i cili ishte një mjeshtër i punimit të drurit. Babai e inkurajonte djalin e tij për ta zhvilluar më tej talentin në pikturë. Me mbarimin e shkollës 8-vjeçare, Gëzimi ndjek për katër vjet mësimet për pikturë pranë shkollës së mesme artistike “Onufri” në Elbasan. Pas përfundimit të saj, në vitin 1987 ndjek studimet e larta në Akedaminë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën e pikturës monumentale, nën drejtimin e pedagogëve Hasan Nallbani, Sali Shijaku dhe Gazmend Leka. Në shkurtin e vitit 1991 merr pjesë në grevën e urisë të qytetit të “Studenti”, për heqjen e emrit të diktatorit E. Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Për këtë shkak ai përndiqet nga organet e ish Sigurimit të Shtetit dhe kjo e detyroi atë që, në vitin 1991, të arratisej në Greqi.
Në vendin fqinj fillon karrierën si piktor, skulptor dhe mozaikbërës. Ishte një prift grek ai i cili e ndihmoi dhe e bëri të njohur në vendin ku banonte. Ai i dha mundësinë e disa porosive (punimeve), që Gëzimi i realizoi me shumë sukses. Nga viti 1994 dhe deri në vitin 1998 ishte profesor në “Shkollën e Arteve Grama”, në specialitetet si skulpturë dhe arkitekturë, për përgatitjen e studentëve në universitet. Nga viti 1998-2000 punon pranë kompanisë “Lithos”, ku drejton punimet në profilin e mozaikut, me dekoracione dhe motive nga arti klasik i Greqisë së lashtë (antike).
Në vitin 2000 Gëzimi vendosi të emigrojë në Mbretërinë e Bashkuar (Angli), ku punoi për restaurimin dhe rinovimin e kishave ortodokse greke. Në Angli ai iu përkushtua edhe fushës së gdhendjes së mermerit dhe hapi atelienë e tij, të quajtur “Orbit Marble & Granit”.
Në vitin 2008, pas tetë vjetësh mërgimi në Angli, u rikthye në vendlindjen e tij, në Librazhd, dhe filloi të punonte mozaikë me gurët natyrorë të gjetura në brigjet e lumit Shkumbin. Fatmirësisht prurjet e lumit Shkumbin kanë gurë të ngjyrave të shumëllojshme dhe të mrekullueshme, të cilat janë një “minierë ari” për mozaiçistët. Fillimisht Gëzimi iu përkushtua tërësisht punës së mozaikut, duke rinisur portretin e Presidentit të Klubit anglez të futbollit “Çelsi”, Roman Abramoviç, i cili i ka përmasat: 1,40 m e gjate dhe 2,60 m e gjerë. Puna për këtë mozaik, kishte filluar në vitin 2006, kur ai ishte në Londër, por që nuk e përfundoi për shkak të largimit të tij. Portreti i Abramoviçit tërhoqi vemendjen e disa prej medjave kryesore të vendit, të cilat publikuan punën fantastike dhe të magjishme të Gëzimit, e cila ndërtohej dita-ditës, duke i ngjarë në mënyrë të mahnitshme Abramoviçit.
Një tjetrër sukses i Gëzimit ishte realizimi i Projektit të mozaikut “Flamuri i Marigosë”, kushtuar 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Mozaiku u realizua njëqind për qind me gurë të mbledhur në trevat e Librazhdit dhe u vendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë, ku ndodhet edhe sot. Kur autiritetet e Bashkisë së Tiranës kërkuar që ta shpërblenin për “Flamurin”, mjeshtri Hidri iu përgjigj: “Flamurin për 100-Vjetorin e Pavarësisë ia dhurova kombit jo Bashkisë. Në momenti që unë e shes “Flamurin” s’jam më shqiptar, se kam shitur gjakun dhe sakrificen e atyre burrave të luftës, të mëndjes dhe të penës, për të ruajtur ADN-ë e shqiptarizmit”. Flamuri i tij, thotë Hidri, ruan një sekret: “Flamuri, është i gjithi i punuar me gurë, me mozaik. Është 2012 milimetra ose 2 metra e 012 centimetra gjatësia, 1200 milimetra gjerësia. Pra jemi në vitin 2012, i thonë 1200 muaj që plotësojnë një shekull dhe kështu, kam punuar në një realizim artistik dhe historik. Një flamur i pakufizuar në natyrën artistike dhe i lënë hapur për 100-vjetorin tjetër që kushdo skulptor që do të punojë mozaikun të bëjë përfundimin e tij. Valëvitja e tij do të jetë origjinale” (Gazeta “Telegraf”, datë 5 nëntor 2012).
Në vitin 2017 Gëzim Hidri hapi një ekspozitë personale në oborrin e Presidencës në Tiranë, me veprat e tij më të zgjedhura në mozaikë, gurë etj. Një vit më pas, në datat 14-18 shtator 2018, merr pjesë në Bienalen “Homo Faber” (Venecia), me një nga veprat e tij të artit në gur, duke përfaqësuar Shqipërin në këtë Bienale.
Në periferi të qytetit të Librazhdit Gëzim Hidri ka ndërtuar një atelie arti, që e ka kthyer në një biznes shumë të suksesshëm, në të cilën krijon veprat e tij të artit në pikturë, mozaikë dhe gdhëndje guri, si skulptura, vepra arti me gurë konglomerat, portrete, vazo, bazorelieve me figura dhe me motive të ndryshme etj. Veç veprave të mirëfillta artistike, ai krijon objekte arti që shërbejnë si aksesorë arkitektonike për ambienbte të brëndëshme e të jashtme banimi, si dyer dhe dritare dekorative, korniza guri, çezma monumentale guri, mure dekorative, tavolina guri, oxhaqe, lavamanë, shatërvanë, memoriale etj., duke u shërbyer me artin e tij qytetarëve librazhdas dhe më gjërë. Në një nga parqet më të reja të qytetit të Librazhdit, Gëzim Hidri ka realizuar një skulpturë parku në gur, e cila është një abstraksion i bukur artistik. Skulptura është e vendosur në ambientet e këtij parku.
Atelieja e tij, e cila është kthyer në një vënd të vizitueshëm, pret çdo ditë vizitorë të ndryshëm. Atë e kanë vizituar disa nga personalitetet më të larta të Shtetit shqiptar, personalitete nga diaspora, nga trevat shqiptare jashtë kufijve të atdheut, personalitete të huaja, si ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, artistja e shquar shqiptare me famë botërore, Eliza Dushku etj.
Artisti Gëzim Hidri mban titullin “Mjeshtr i Madh”, i dhënë në vitin 2013 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani.
Mozaiku i Roman Abramoviçit Në Bienalen e Venecias Mozaiku i “Flamurit” në Tiranë
Skulpturë parku në qytetin e Librazhdit Shatërvani me mozaik
Me aktoren Eliza Dushku Në Presidencë duke marrë titullin: “Mjeshtër i Madh”