Nga Kristaq BALLI
“Fotot janë autobiografia jonë, një mënyrë për të treguar cilët jemi” – Jan Phillips, artiste.
Ashtu si në ikonografi edhe në historinë e fotografisë shqiptare, një plejadë fotografësh nga Dardha e Korçës që fillon me Jani Zengon, bashkëkohës i të parit të Marubëve, Pietro, e më tej me fotografë të tjerë si Pero Kaçauni, Thimi Raci, apo të tjerë më të rinj, gjithë-gjithë rreth trembëdhjetë, njëri pas gjurmëve të tjetrit, përbëjnë një fenomen të rrallë e autentik vazhdimësie profesionale, kulturore e artistike që, veç të tjerave, kanë regjistruar pa ndërprerje kronologjike, madje edhe në emigracion, evolucionin historik, ekonomik, shoqëror, etnokulturor, fetar, gjithë traditat e zakonet e jetës materiale e shpirtërore, pra biografinë, identitetin jo vetëm të Dardhës, por edhe të krahinës përreth. Në rastin e fotografëve të Dardhës ka një fenomen interesant: tek krijimtaria e të gjithëve bije në sy tendenca e fotografisë progresive, zhvillimore, kulturore, optimiste, i bukurisë estetike të skenave masive, të festave, organizimeve, piknikëve, shfaqjeve teatrale, apo ballove të vallzimit me muzikë perëndimore, me serenata, kitara, mandolina, argëtim e alegri shpirtërore prej qejfllinjsh të çartur, që e “tejkalonte” shpesh edhe jetën shpirtërore të qyteteve mesjetarë shqiptarë . Pse? Përgjigjen e jep, me gjasa, mënyra dhe origjinaliteti specifik i krijimit, organizimit dhe zhvillimit historik, ekonomik, social, kulturor e turistik të këtij vendbanimi jo shumë të vjetër (rreth mesit të shek XVII), por që evoluoi me hapa të shpejtë për arsye të veçanta gjeo-demografike, shpirtërore dhe sigurisht, mbi të gjitha të disa vetive humane që lidhen me traditën e karakterin shumë punëdashës, pasionant e sakrifikues të banorëve të saj ndaj vetes, familjes, por edhe komunitetit dhe sidomos prosperitetit të vendbanimit të tyre. Dardha e ka zanafillën e vet kryesisht si strehë e një sërë familjesh e fisesh të krishtera që mohuan ndryshimin e besimit të tyre fetar dhe asimilimin dhe preferuan të linin vendbanimet e tyre të vjetra. Pozicioni i thellë gjeografik dhe natyror malor i Dardhës, shërbeu si një lloj fortese mbrojtjeje për këta puritanë ortodoksë, që duke parandjerë dhe provuar se islamizimi dhe otomanizimi nuk ishte oferta më e arsyeshme për origjinën, traditën dhe besimin e tyre, me hir a pahir, preferuan të lenë me dhimbje vendbanimet e tyre të mëhershme e të shtegtojnë për të krijuar një fole të re ku të ndjenin së pakti lirinë e tyre shpirtërore. Fillimisht nga krahina periferike dhe më vonë nga vise të tjera të Shqipërisë, këta banorë i afronte dhe miqësonte përkatësia fetare dhe normat e saj morale, të cilat i solidarizuan duke krijuar një harmoni, mikpritje, bashkëjetesë, mirëkuptim, afinitet shoqëror e miqësor. Më pas jeta do ndiqte ligjet e saj natyrale, u krijuan marrëdhënie të reja nga martesat midis fiseve të ndryshme, e cila mbeti edhe një traditë shekullore e këtij komuniteti (madje edhe sot), ndërkohë që të tjerë “zogj shtegtarë” mirëpriteshin nga më të hershmit dhe, kështu, Dardha u mbipopullua dhe u rrit e u zhvillua shpejt e paqësisht, por edhe duke krijuar gradualisht një problem jetik, pra atë të mbijetesës. Edhe pse me me pasuri, vlera e bukuri të vyera natyrore e klimatike në mes të pyjeve, livadheve e ujrave të bollshme, resurset e saj natyrore sidomos për blektorinë e më shumë për bujqësnë u bënë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat jetike të popullsisë. Kjo mungesë u bë shkaku kryesor i një zgjidhjeje të re e të, që do t’i detyronte burrat dardharë të nisnin një mënyrë tjetër mbijetese, emigrimin sezonal (dimëror) fillimisht në viset jugperëndimore të Shqipërisë e, më pas në vendet e tjera si Greqia, Turqia, Rumania, Serbia, Egjipti, Rusia, etj., me profesionin e tyre të njohur si përpunues të lëndës drusore (“e pret si me sëpatën e dardharit!”) dhe prodhimit të qymyrit të drurit. Paskëtaj, në fillim të shek. XX filloi një tjetër emigracion ekonomik, në SHBA, të cilin dardharët e aplikuan gjerësisht, aq sa ishin të rralla familjet në Dardhë që të mos kishin një burrë në Amerikë.
E bëra këtë digresion për të argumentuar se emigrimi masiv edhe pse në fillim ishte një tablo bardhezi, i rëndë, i vështirë, me dhimbje, sakrifica e plagë të pashlyeshme familjare e shoqërore nga njera anë, nga ana tjetër, sidomos pasi emigrantët u organizuan në organizata e shoqëri fshatarake që tentonin bamirësinë dhe mirëqënien e familjeve, por edhe të vendlindjes së tyre, pati edhe një impakt përcaktues pozitiv në progresin dhe emancipimin e jetës familjare e komunitare, si dhe në rinovimin urban e arkitektonik të fshatit. Krahas ndihmës financiare e materiale që emigrantët dërgonin për familjet e tyre, ata dërgonin në mënyrë të organizuar fonde dhe kontribute të përbashkëta për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, ndërtesave sociale, shkollore e fetare, punishteve artizanale, tregtare, hoteliere, etj. Bashkë me to penetronte edhe një frymë e re jetese materiale e shpirtërore perëndimore, që emigrantët e sillnin bashkë me “”sëndyqet” e tyre me aromë amerikane. Të gjitha këto, të cilat i dhanë fshatit një fytyrë dhe imazh të ri zhvillimi, e shndrruan atë thuajse në një qendër urbane, qytetare jo vetëm për banorët e saj, por me rezonancë në të gjithë krahinën përreth, madje të njohur e të lakmuar edhe nga një elitë turistike të kamurish që e preferonin atë për të kaluar pushimet në mënyrë shumë aktive. Kështu, në vitet ’10-’20 të shekullit të kaluar Dardha ishte një qytezë urbane me rreth 450 shtëpi e 2.000 banorë e ku funksiononin thuajse të gjitha profesionet, zejtaria, bujqësia e blektoria si dhe marrëdhëniet e shkëmbimet reciproke tregtare, kulturore, arsimore me rajonin e Korçës, Devollit, si dhe me zonat kufitare të Greqisë, si Urupishti (Argos Orestikon) dhe Kosturi prej nga varej dikur administrativisht ajo në kuadrin e Perandorisë Otomane. Harta (Fig. Pirro Thomo) e paraqitur jep me saktësi të gjitha objektet “paraindustriale”, zejet, punishtet e prodhimit e shërbimeve, si dërstilat, batánet, rrobaqepsitë, kasapët, ëmbëltoret, kovaçët, teneqexhinjtë, mobilieritë, kujunxhinjtë, orëndreqësit, këpucarët, restorantet, kafenetë, hanet, hotelet, furrat, dyqanet, si dhe objektet shoqërore si komuna, shkolla, kishat, etj. Sigurisht nuk do të mungonte edhe fotografi, i cili (të cilët), qysh në vitin 1862 ka qënë jo vetëm profesionisti që i shërbente komunitetit, por edhe bashkudhëtari, dëshmitari e pasqyruesi viziv i evoluimit historik, ekonomik, social e natyror të Dardhës përgjatë gjithë jetës së saj, deri në ditët e sotme. Historia e fotografëve dardharë dhe e mijra fotove të tyre është një kapitull më vete dhe tepër i rëndësishëm jo vetëm për Dardhën, por për githë Historinë e Fotografisë Shqiptare. Fotot e këtij shkrimi i përkasin vetëm një fotografi, Thimi Racit, i cili ka lënë një fototekë shumë të pasur, të larmishme e të vyer midis viteve 1910 – 1960 (shih Robert Elsie, Qerim Vrioni). Ai ka lëvruar pothuajse të gjitha zhanret e fotografisë si peizazhin, fotografinë e kompozuar, portretin, eventet e rëndësishme historike, etnokulturën, arsimin, fotot familjare, fotot masive, piknikët, dasmat, funeralet, etj. Midis tyre, këtë herë kemi zgjedhur një foto e cila për përmbajtjen dhe mesazhin e saj përbën një tablo simbolike për Dardhën, për nivelin e lartë të progresit ekonomik, social, arsimor, kulturor e turistik. Fotoja titullohet “Shkollë Qëndismesh Singer.” Ajo është realizuar më 1 Qershor 1927. Qëllimi i shkrepjes së saj është reklamimi i makinave të famshme qepëse e qëndisëse amerikane “Singer” që kishin filluar të importoheshin e shiteshin në atë kohë kryesisht në juglindje të Shqipërisë dhe përdoreshin nga rrobaqepësat profesionistë, si dhe për përdorim shtëpiak zakonisht nga gratë e qytetit. Kompania amerikane “Singer” ishte një korporatë amerikane e prodhimit të makinave qepëse e themeluar më 1851 në New York si I.M. Singer & Co. nga Isaac Meritt Singer dhe avokati Edward Clark, e cila u konfirmua si prodhuesja dhe eksportuesja më e madhe në botë e këtyre paisjeve teknologjike e shtëpiake.
Por, pse, eksportuesit e famshëm amerikanë zgjodhën në Shqipëri pikërisht Dardhën për të reklamuar e promovuar makinat e tyre qepëse? Çelësin e kësaj enigme e jep në disa dimensione figurative e simbolike fotografia “Shkollë Qëndismesh Singer” e fotografit dardhar Thimi Raci: Dihet që Dardha është një vendbanim i vendosur në pozicion gjeografik e natyror të vështirë malor (1450 m. mbi nivelin e detit) me një klimë të shëndetshme, por të ashpër e të ftohtë sidomos në vjeshtë e në dimër. Nevoja për t’iu përshtatur kësaj klime si dhe tipareve antropologjike, humane, fizike e psikomorale të banorëve të Dardhës i detyroi dhe mësoi t’i kundërvihen asaj duke dizenjuar, stilizuar e prodhuar veshje që të përballonin këto kushte klimatike. Sigurisht leshi i dhive, të cilët ata mbarështonin ishte lënda e parë më e përshtatshme ekzistuese që ata mund të përdornin. Dhe jo vetëm për veshje, por edhe për shtroje, mbulesa, velenxe e plafka për mjediset e tyre të banimit. Kështu, për prodhimin e tyre çdo familje kishte “punishten” e saj që përbëhej nga një furkë, një drugë, një qerthull e mundësisht një avlëmend (që quheshe ndryshe “vegël”), ndërsa disa banorë kishin ndërtuar përgjatë përrenjve të fshatit dërstilat dhe batánet e tyre për përpunimin e produkteve të leshta e të shajakta për të gjitha familjet dhe rajonin përreth. Njëheresh disa punishte të vogla rrobaqepësish përbënin fazën e fundit të performimit të veshjeve tradicionale. Sigurisht, paisja kryesore e një rrobaqepësi është makina qepëse, që do të thotë se në Dardhë (po jo vetëm) makina qepëse kishte hyrë shumë më herët se sa viti i fotografisë, pra 1927-ta.
Gërshetimi, difuzioni, por edhe një lloj “konkurence” etnokulturore e familjeve, apo fiseve të ardhura nga vise të ndryshme në Dardhë, e mpiksur jo vetëm nga nevoja utilitare, por edhe nga shija estetike që përsosej bashkë me progresin e shpejtë ekonomik dhe shpirtëror e kulturor të Dardhës, po unifikonin elementët më funksionalë e më të bukur të disa lloj veshjeve tradicionale e autoktone për të gjitha moshat, gjinitë dhe stinët e vitit. Sigurisht prevalonte ai që do të quhej më tej kostumi i grave dardhare e që do të fitonte të drejtën e qytetarisë si një prej perlave të kostumografisë tradicionale shqiptare e modeluar dhe e prodhuar bashkarisht nga mjeshtret e Dardhës. Ky kostum sa origjinal, ekzotik e modern, i organizuar e i kuruar përsosmërisht si një perfeksion i modelit stilistik elegant, i aksesorëve të tij që nga shamia e flokëve e deri tek çorapet, kombinimit të ngjyrave ku dominon së shumti e kuqja dhe e zeza, e estetizimit dhe raporteve fantastike të linjave trupore, i elementëve dhe detajeve zbukurimore me qëndisje filigrami, gajtanësh, flloshësh shumëngjyrësh e ornamente artistike shumë organike si zinxhirë, qostekë, gjerdanë, etj., i harmonisë pamore me natyrën dhe klimën e bëri Dardhën etnokulturalisht edhe më të njohur. Krahas të tjerash kostumi i grave të Dardhës ka edhe një specifikë origjinale, pasi ai u krijua nga një komunitet fillimisht heterogjen, i cili duke bashkëjetuar brez pas brezi në organizim, miqësi e kolektivitet shembullor, shkëmbeu dhe bashkoi traditat e zakonet duke u vetasimiluar e shndrruar në një amalgamë solide etnie me fizionomi humane e sociale të unifikuar, të përbashkuar, e cila shprehet edhe në realizimin e këtij kostumi unikal. Më tej ky kostum u bë jo vetëm një traditë e patjetërueshme dhe e vazhdueshme në të gjitha kohrat, por ajo do të përhapj edhe nëpër gjithë krahinën përreth, por epiqendra e prodhimit të tij do të mbetej Dardha. Kostumi i grave të Dardhës (që njihet edhe me emrin “Xibuni”) mori një kuptim figurativ për vetë Dardhën. Ai u bë një simbol festiv e ceremonial, por edhe një vlerë e veçantë materiale e kulturore për çdo familje dardhare. Para martesës, çdo vajzë përgatiste kostumin e saj vetiak dhe e merrte atë domosdoshmërisht në pajë. Edhe vajzat e vogla, madje edhe gratë e moshuara kishin variantet e tyre të kostumit tradicional në përputhje me moshën. Pra, nuk kishte shtëpi a familje që të mos zotëronte një apo disa kostume të tilla. Këtë e pasqyrojnë më së miri edhe fotot masive të fotografit Thimi Raci, lentja e të cilit ka fiksuar shumë foto ku dhjetra gra dardhare, të veshura me kostumet e tyre luajnë tek Sheshi i Valleve vallen e kënduar, po ashtu autentike dardhare të grave, “ O, Njëzetepesë Gërsheta”, etj.
Por, një prej faktorëve të rëndësishëm pozitivë në prosperitetin ekonomik e kulturor të Dardhës u bë emigrimi ekonomik, veçanërisht ai në SHBA, në fillim të shek. XX e më tej, për arsyet që u përmendën më lart e që e ndihmuan e shpejtuan rritjen e nivelit material, financiar e social-kulturor të banorëve të banorëve e vetë fshatit. Kështu me të ardhurat e tyre u ndërtuan shumë shtëpi të reja me tipare arkitekturore e mjedisore qytetare të cilat shpesh u arreduan edhe me paisje e orendi shtëpiake amerikane, rrugët dhe sheshet e fshatit u shtruan me kalldrëm e kanalizime, u ndërtuan shumë objekte publike, ekonomike e sociale si kisha (1839), shkolla e re (1924), ndërtesat e komunës, postkomanda rruga automobilistike Korçë Dardhë (1930) e një sërë objektesh zejtarie, tregtie e hotelerie që paraprinë bumin turistik, i cili do ta veçonte Dardhën si një oaz të lakmuar natyror, klimaterik, turistik por edhe kulture e emancipimi ekonomik. Nga SHBA disa emigrantë dërguan edhe veturat e para “Ford” të cilat shërbyen si taksi për të transportuar turistët. Këta faktorë, të marrë së bashku, gradualisht kishin paraprirë edhe krijimin e një situate progresi shoqëror e familjar, e cila i kishte premisat edhe në vetë karakterin, vetëdijën, psikologjinë e prirjen kolektive të kësaj bashkësie për të urbanizuar e liberalizuar çdo aspekt të jetës së tyre, për të krijuar një model të qytetëruar jetese e stili perëndimor. Krahas vetive e karakterit të tyre prej punëdashësish të etur, dardharët njihen për natyrën e tyre të hapur, të çiltër, miqësore, mikpritëse, solidare, gazmore, “liberale”, prej qejfllinjsh e kavalierësh të çartur (“qyngje Bostoni”), që sajonin me shkak apo pa shkak organizime argëtimi si piknikë, ballo vallzimi, festime pagane apo fetare, shfaqje teatrale, etj. ku muzika dhe serenata, mishi i pjekur në hell dhe rakia e kumbullës e zier dy herë krijonin atmosferën e një jete komunitare kompakte e vëllazërore. Nuk kishte shtëpi ku të mos gjendej një kitarë apo mandolinë dhe të gjithë djemtë e burrat luanin në to, ashtu siç edhe dinin të këndonin bukur, duke i dhënë Dardhës një dimension të lakmueshëm kulturor . Sa u takon grave (dhe vajzave, sigurisht), ato ishin “strumbullari” i shtëpisë, shumica e të cilave, me burrat në kurbet, duhej të kujdeseshin për familjen, rritjen dhe edukimin e fëmijëve, si dhe punët e rëndomta ditore të stinës. Një lloj matriarkati familjar ishte bërë e drejtë qytetarie për to dhe ju kishte atribuar autoritetin, pavarësinë dhe lirinë për vendimmarrje e pjesëmarrje edhe në jetën e përbashkët të fshatit, në marrëdhëniet reciproke komunitare, duke ju krijuar kështu një terren të përshtatshëm kozmopolitizmi, integrimi dhe emancipimi kulturor. Një tregues i këtij fenomeni përbën edhe fakti që në Dardhë është çelur shkolla e parë e vajzave që në vitin 1768 (Enciklopedia greke “Megali Eleniqi Encikopedia PIRSOS, Vëll. X E. Gërma A, f. 450), e cila përbënte një prerogativë domethënëse jo vetëm për shpirtin arsimdashës të dardharëve, por, në përgjithësi për botëkuptimin përparimtar ndaj rolit vendimtar progresiv të vajzave e grave në jetën ekonomike, familjare e shoqërore të vendbanimit të tyre. Në vitin 1924 emigrantët dardharë ndërtuan në vendlindjen e tyre një prej shkollave më të mëdha e më moderne për kohën në Shqipëri, e cila, sot, është shpallur monument culture dhe është shndrruar në muzeun më të bukur foto-historik të vendeve turistike në Shqipëri. Edhe një fakt: në sajë të kësaj atmosfere lirie e emancipimi arsimor e social-kulturor, nga Dardha janë afirmuar shumë personalitete gra në fusha të ndryshme të veprimtarive krijuese kulturore, si Nume Peci (mjeshtrja e kostumit dardhar), Androniqi, Sofia e Thomaidha Zengo (të parat ikonografe e piktore laike shqiptare), Olimbia Nassi (e para muzikante pjaniste shqiptare), Rozi Çeku Theohari (shkrimtare dhe humaniste), Arsinoi Bino (shkrimtare), Valentina (skulptore) dhe Vasilika(obstetre) Balli, etj.
Por, le të kthehemi sërish tek fotografia “Shkollë Qëndismesh Singer”. Fotografi dardhar Thimi Raci dhe përfaqësuesit e kompanisë “Singer” në Shqipëri, të cilët qëndruan në Dardhë një muaj për të kryer kursin e qëndisjes me gra dhe vajza dardhare, e njihnin “famën” e saj, atmosferën, banorët dhe vlerat e tiparet e tyre, veçanërisht të grave e vajzave të shkolluara e që vinin nga familje ku kishin hyrë më herët paisje “industriale” amerikane, madje edhe makina qepëse “Singer” të një gjenerate më të vjetër (Që punonin me dorë. Fotografinë e një prej tyre e trashëgojmë nga artistja artizane duarartë Nume Peci, e cila ka realizuar rreth 200 kostume dardhare). Ishin ato gra e vajza që njiheshin për kostumet e tyre të bukura, të prodhuara aty, por edhe për nivelin e tyre të qytetëruar social e kulturor. Fotografia është konceptuar si epilog i këtij eveniment. Amerikanët ishin konsultuar imtësisht me fotografin, projektuan bashkarisht kompozimin dhe e kuruan atë me detaje shumë shprehëse. “Sheshi i xhirimit” u zgjodh oborri para shkollës, e cila duket në sfond, jo rastësisht dhe në dritaret e së cilës janë vendosur simbolet e kompanisë në gjuhën shqipe. Janë 13-14 vajza e gra të reja dardhare të ulura prapa makinave “Singer” të gjeneratës së dytë, më të përparuara, të prodhuara për të punuar me këmbë dhe mbi to janë vendosur qëndismat e bukura, perde apo mbulesa të modeluara nga kursantet. Anash, në të dy skajet e fotos qëndrojnë mëkëmbë dy prej përfaqësuesve të kompanisë, prezenca e të cilëve krijon situatën e kujdestarisë dhe reklamimit dinjitoz të një prodhimi amerikan artizanal e industrial me famë botërore për atë kohë. Enigma që nuk “lexohet apo kuptohet” nga shikuesi, i cili nuk e di historinë dhe vendin e realizimit të kësaj fotoje, por që përbën edhe thelbin social të saj, është pikërisht impakti kulturor befasues kur mëson se shkrepja është bërë në një fshat malor, në Dardhë. Pra nga Amerika, në Dardhë! Përse? Një sërë arsyesh u përmendën; e fundit që mund të cilësoj është ekspozimi tejet përparimtar, qytetërues, estetik kur sheh mënyrën e paraqitjes të personazheve: vajza dhe gra të reja të civilizuara në pamje qytetare, të kuruara dhe të veshura sipas modës perëndimore të asaj kohe, burra të veshur shik me kostume, jelekë e kollare, qëndisma me modele të kohës, pra një mizansenë që flet me gjuhën e progresit e kulturës urbane. Nga ana tjetër, banorët e Dardhës, veçanërisht vajzat dhe gratë kishin aftësinë që veç dhuntive dhe përvojës të tyre rikrijuese shekullore për t’i kompozuar, prodhuar dhe veshur kostumet tradicionale në çdo rast që ishte normë e rregull festiv komunitar, apo familjar ato dinin, gjithashtu të shfaqeshin edhe shumë moderne, si qytetare e zonja të përkora të klasit të parë, që ua kalonin madje edhe atyre të qytetit. Kësisoj, zgjedhja që kompania amerikane “Singer” kishte bërë për të promovuar makinat e qepëse në një vend ku me ato makina (fillimisht të gjeneratës së parë, të dërguara më herët me shumicë nga Amerika prej emigrantëve dardharë) qepeshin kostumet e mrekullueshme dardhare, jo vetëm përligjte plotësisht synimin e saj, por merrte edhe një konotacion simbolik për vetë Dardhën, pasi e paraqiste dhe ballafaqonte atë denjësisht me pjesën më të bukur e më të përparuar të Shqipërisë. Pa harruar, gjithashu, që kjo foto e suksesshme e mjeshtrit Raci, nëpërmjet rrjeteve dhe mediave ndërkombëtare reklamuese të kompanisë “Singer” bëri “xhiron e botës”, ç’ka ishte, pa dyshim, edhe qëllimi i saj kryesor për vetë kompaninë. Dhe shpërblimi për suksesin e kësaj reklame u bë gjesti filantropik i kompanisë që të gjitha makinat qepëse e qëndisëse të paraqitura në foto iu dhuruan secilës prej vajzave e grave dardhare që qëndrojnë pas tyre.
Dua t’i përmbyll përsiatjet e mia duke perifrazuar fotografen e shquar bashkëkohore amerikane Sally Mann: “Fotot hapin dyert e së kaluarës, por ofrojnë edhe një dritare për të ardhmen”. Në kontekst të saj, fotoja “Shkollë qëndismesh Singer”, ashtu si e gjithë krijimtaria e një prej fotografëve më prodhimtarë e më të sukseshëm dardharë e shqiptarë të dekadave të para të shek. XX, sidomos në fushën historike e etnokulturore, Thimi Raci, përfaqëson një prej shembujve pozitive të shumtë të një bashkësie komunitare që e filloi jetesën e saj me “një sëpatë e një sharrë” proverbiale por që, në sajë të fuqisë e dashurisë ekzistenciale e mbijetsës, me punë e sakrifica, arriti që të evoluojë për një kohë relativisht jo dhe aq të gjatë, por me ritme e progresion gjeometrik zhvillimi, në një prej vendbanimeve më të përpruara, më të emancipuara e më të qytetëruara në Shqipëri. Sigurisht, plejada e vijueshme e fotografëve dardharë që fillon me Papa Jani Zengon (1832-1912), Pero Kaçaunin(1880-1900), Thimi Racin (1886-1966) e që vazhdon edhe sot me fotoreporterë e fotografë të dalluar si Niko Stefani, Alqi Golloshi, Leon Çika, etj, të cilët i kanë ndjekur hap-pas hapi këto situata historike, shoqërore, kulturore, natyrore e turistike shpërfaqin, gjithashtu, një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për Dardhën në veçanti, por për gjithë Historinë e Fotografisë Shqiptare në funksion të tablove më përgjithësuese të jetës materiale e shpirtërore të shqiptarëve.
■■■■