• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lule për mësueset e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në Diasporë në Ditën e Shenjtë të Mësuesit

March 13, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Dita e 7 Marsit, Dita e Mësuesit është një ditë e shenjtë kombëtare. Dhe për këtë shenjtërim të kësaj dite ku mijëra martirë dhanë jetën në mbrojtje të Gjuhës Shqipe nga hordhitë turke, greke, sllavo maqedonase malazeze dhe pushtues të huaj, si Bord i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në bashkëpunim me të gjitha mësueset e vlerësojmë shumë seriozisht dhe me kulturë.

Këtë ditë të 7 Marsit e kemi festuar për 17 vjet me radhë në shkollat publike amerikane me një program festiv të detajuar nga mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online. Këtë ditë të shenjtë s’mund ta ngatërrojmë me ditët e tjera ndaj dhe e festojmë madhërisht dhe realisht duke iu mësuar nxënësve SHQIP, historinë e lavdishme të Kombit tonë, burrat e ndritur që dhanë jetën duke shkuar deri në ditët e sotme përfshirë dhe sa e rëndësishme është puna e “Alba Life” për këtë Mision Kombëtar.

Të gjitha mësueset ndihen krenare për këtë bashkëpunim të ngushtë me Alba Life dhe duket se kanë bërë betimin e mësuesit që nuk do t’i ndahen kurrë këtij Misioni të shenjtë.

Plot shqiptarë iu bashkuan kësaj feste, ndonëse numrin e vendosëm ta kishim të kufizuar për shumë arsye. Ishte kënaqësi t’i takoje, të bisedoje të merrje mirënjohjen prej pjesëmarrësve dhe këto motive janë vetëm frymëzim për të gjithë ne. Mjediset lluksoze të Hilton Garden në Staten Island ishin zbukuruar me dekorimet nga duararta Venera Hoxha Iseni prind dhe mike e Alba Life”.

Programin e hapi Dr. Valbona Zylo Watkins e cila I uroi të gjithë pjesëmarrësit: Gëzuar Ditën e Shenjtë të Mësuesit Familja e Madhe “Alba Life”! Gëzuar gjithë mësuesit në botë! Gëzuar gjithë gratë, nënat dhe gjyshet në botë!

Kjo ditë festive është më shumë se një faleminderit për mësuesit e Familjes së Madhe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online për punën e tyre të palodhur. E pamundur sot për këto vite marramendëse të punës së palodhur, plot profesionalizëm, të përkushtuar dhe tejet atdhetare të mësueseve, të sjellë gjithë mundin dhe përkushtimin për 17 vitet. Alba Life falënderon cilëndo, kokë më kokë për punën e tyre në këto 17 vite duke përfunduar me mësueset e vitit akademik mësimor 2023-2024.

Zonjusha Edona Gjidiaj asistente pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx moderoi programin. Ajo tha se gjithë kjo punë marramendëse është në saje të themeluesëve Qemal Zylo dhe gjithë familjes së tij në bashkëpunim plot dashuri dhe përkushtim me mësueset e këtyre shkollave.

Le të ftojmë Inxhinier Qemal Zylo i cili është themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë New Yorkun dhe në Online. Për punën e tij atdhetare intelektuale mban titullin Urdhri i Flamurit dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Përshëndetje nga z. Qemal Zylo

Më lejoni të falënderoj Senatoren Jessica Scarcella-Spanton për vleresimin e madh me proklamate mirënjohjeje që i ka bërë Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe gjithë mësueseve.

Çdo 7 Mars ne kemi nderuar e vazhdojmë të nderojmë nëpër shkollat tona “Alba Life” gjithë Martirët që dhanë jetën për Gjuhën Shqipe!

Sot kujtojmë, 7 Marsin e vitit 1887 ku u hap Mësonjëtorja e parë shqipe në qytetin e Korçës e në nderim të kësaj shkolle 7 Marsi është quajtur: “Dita Kombëtare e Mësuesit”.

Mësuesit e shkollave “Alba Life” kanë nderuar me punë konkrete dhe mësim shumë professional edhe këtu në Diasporë, prandaj ju keni mirënjohjen time dhe të familjes si themelues e drejtues i Shkollave Shqipe “Alba Life” në NY.

Shkolla Shqipe “Alba Life” ështe histori suksesi dhe kjo fal përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj për t’ju mësuar nxënësve Gjuhën Shqipe, historinë dhe kulturën Shqiptare. . Në vitet 2020-2021 në kohën e pandemisë ishte e para shkollë në Diasporë që filloi mësimin në Online me nxënës nga disa shtete të Amerikës, Kanadasë dhe Europës.

Këtë vit mësimor 2023-2024 vazhdon rregullisht mësimin në10 klasa në gjithë lagjet e NY-ut e në Online po ashtu.

Përdorimi i metodave më të përparuara didaktike të bazuara në tekstet e miratuara nga Shqipëria dhe Kosova dhe profesionalizmi i mësueseve të Shkollës Shqipe “Alba Life” kanë bërë që të ketë interesim dhe të sensibilizojë opinionin mbarë shqiptar për mos humbjen e Gjuhës Shqipe nga fëmijët që lindin dhe rriten këtu në Diasporë.

Më lejoni të falënderoj të gjitha mësueset e nderuara për bashkëpunimin në këtë mision kombëtar prej 17 vjet resht dhe t’ju uroj Gëzuar 7 Marsin – Ditën Kombëtare të Mësuesit.

Në mënyrë të vecantë desha të falënderoj mësueset e këtij viti mësimor si: Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Gashi, Rozeta Hyseni, Vjollca Skënderi, Erinda Isufaj, Helena Lubonja Ujkaj, Albana Lazri e mësuesen nëonline Gresila Basha si dhe asistenten Aida Hajri. Po ashtu dua të falënderoj edhe bashkëthemeluesen Kozeta Zylo dhe Dr. Valbona Zylo Watkins që është edhe Drejtore e procesit mësimor, pa përkushtimin e të cilave nuk do të kishim rezultatet që kemi. Falënderoj të gjithë nxënësit e shkollave “Alba Life”, që janë e ardhmja e Komunitetit Shqiptar dhe pse jo që prej tyre mund të ketë edhe ndonjë që do vazhdojë stafetën si mësues në shkollën shqipe “Alba Life. Në këtë vit kemi praktikuar të marrim si assistente të mësuesëve ish nxënësit tanë si: Edona Gjidiaj, Erlinda Shala, Kaltrina Mushkolaj, Blenda Shehu e Sarah Bandilli që janë këtu në sallë e le ti përshëndesim me një duartrokitje.

Po ashtu falëndëroj prindërit e tyre për bashkepunimin në këtë mision të përbashkët e dashamirësit e mbështetësit tanë që janë në sallë e midis tyre Dr. Bari e Ilka Ceka doktorë të 27 mijë pacientëve për ardhjen dhe mbështetjet e tyre gjeneroze, përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Skënderbej, z. Bashkim Shehu, Gëzim Lamçaj, gjeneral Asllan Bushati, z. Mhill Velaj Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, znj. Melinda Gjeloshi n/Kryetare e Shoqatës së Anës së Malit, Biznesmenët e nderuar Deme Balidemaj, Uran Blakaj, Mhill Gjuraj, miqtë e mi të familjes Përparim Likollari dhe Agim Pira. Një falënderim i veçantë për prindëit e mësuese Vlera Thaqit që marrin pjesë dhe me një mbështetje gjeneroze për Shkollën “Alba Life”. Mirënjohjet tona për shumë të nderuar të tjerë që me pjesëmarrjen e tyre shprehin respekt për mësueset dhe gjithë stafin e shkollës sonë. Falënderoj të gjithe stafin e TV “Alba Life” e midis tyre bashkëpunëtorët e hershëm, drejtorin e programit, mjeshtrin Amir Suka, kameramnin Agron Ceka, si dhe gazetarin Valon Gërbeshi.

Një falënderim shumë të vecantë për këngetarët Valbona Peraj e Hajro Ceka që do të na argëtojnë sot së bashku me DJ Hermes.

Gëzuar edhe një herë 7 Marsin këtë ditë të shenjtë të Mesuesit!

Programi festiv

Nxënësit brilantë të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island Laura dhe Ryan Leka intepretuan poezinë “Mësueses” dhe Abetarja ime. Nxënësja e shkëlqyer Jerina Hyseni në Brooklyn intepretoi Gjyshit tim mësues! Krenari!

Ggrupi artistik intepretoi “Vallja e Tropojës” nga asistentet Edona Gjidiaj, Erlinda Shala, Kaltrina Shala dhe Blenda Shehu.

Të gjithë nxënësit që kishin ardhur në këtë festë vallëzuan së bashku me këngë me motive nga Jugu.

Dr. Valbona Zylo Watkins prezantoi zonjushen Vanesa Limani shefen e kabinetit të Senatores së shtetit të Nju Jorkut Jessica Scarcella-Spanton. Zonjusha Limani një vajzë plot kulturë në emër të Senatores Jessica Scarcella-Spanton vlerësoi me proklamatë Shkollën Shqipe Alba Life Ambasador i Kombit. Gjithashtu shpërndau çertifikaata mirënjohje për të gjitha mësueset e Shkollave Shqipe Alba Life për vitin akademik 2023-2024.

Zoti Qemali Zylo iu dhuroi në shenjë mirënjohje dhe respekti si për 17 vjet me radhë nga një buqetë me lule të larmishme të gjitha mësueseve të licensuara nga shteti amë dhe shumë prej tyre punojnë në shkollat publike amerikane në Nju Jork. Ato janë: Entela Muda, Elona Shkreta, Aida Hajri asistente, Rozeta Hyseni, Fatlinda Gashi, Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Albana Lazri. Zoti Zylo vlerësoi me certifikata mirënjohjeje asistentet si: Aida Hajri, Edona Gjidiaj, Erlinda Shala, Kaltrina Mushkolaj, Blenda Shehu dhe Sarah Bandilli.

Me duartrokitje u mirëpritën kur në skenë u ftuan të gjitha mësueset pjesëmarrëse në këtë festë, mësuese që kanë qenë qenë për vite me radhë në shtetin amë, Kosovë dhe në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë. Ato ishin: Violeta Balla, ardhur nga Micigami, Lavdije Misku, Violeta Likollari, Mine Pira, Azbije dhe Nexhat Sela bashkëshortët gjenerozë, Zef Ujkaj, Mhill Velaj, Damzi, Gëzim Lamcaj Gëzim Belli, Ariti Gjini, Prend Qetta me bashkëshorten e tij mësuese, Drita Lumaj, Gëzim Lamçaj. Z. Zylo iu dhuroi nga një trëndafil të kuq në dorë në shenjë mirënjohje.

Me plot emocion dhe duartrokitje u mirëprit artistja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu e cila intepretoi Valsin e lumturisë në përkushtim të çifit Zylo duke i ftuar ata në pistën e vallëzimit.

Para kamerave përshëndeti z. Nazmi Salihu i cili ka Noli Show. Ai shprehu mirënjohjen për TV “Alba Life” i cili tha se u bën burim frymëzimi dhe për hapjen e show-t tim në TV në Connecticut.

Të gjithë pjesëmarrësit u argëtuan, kënduan dhe hodhën vallet e bukura të traditës nën interpretimin e yjeve të këngës si Dëshira Ahmeti Kërliu, Valbona Peraj dhe Hajro Ceka si dhe nën tingujt e DJ Hermes.

10 mars, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: Kulture

#SiSot, më 12 mars të vitit 1891, lindi juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj

March 12, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Shquhet si reformuesi i arsimit shqiptar në kabinetin e Ahmet Zogut të vitit 1933. Studimet i kreu në Itali, për t’u kthyer më pas në atdhe me dy doktorata, njërën në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letërsisë. Me t’u vendosur në Shqipëri, Ivanaj u angazhu në drejtim të arsimit dhe të publicistikës. Në vitin 1932, u bë pjesë e politikës dhe e jetës parlamentare.

Projektligji i 11 prillit 1933 që u quajt “Reforma Ivanaj”, u sulmua jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë subjekt gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si rrjedhojë e kyçjes së shkollave fetare në vend.

Pushtimi italian do të sillte largimin e Ivanajt nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme. Në vitin 1945 do të rikthehej në tokën mëmë, pas garancisë së qeverisë së re për pushimin e procesit gjyqësor kundrejt tij. Emri i tij, si pjesë e listës së intelektualëve, do të përfshihej në listat e sigurimit të kohës. Si rezultat, “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.

U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpuntor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, humbi jetën në burg. Bashkëlidhur, kërkesa drejtuar Masonerisë Italiane, ku ndër të tjera Ivanaj ankohet për shkollat në veri që kanë rënë në dorë të Klerit. Po ashtu, dorëheqja e Ivanaj si ministër Arsimi drejtuar kryeministrit, pas 30 gushtit të vitit 1935.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MirashIvanaj

#FototekaAQSH

#AQSH

Filed Under: Kulture

Shuhet kantautori dhe profesori arbëresh Alfio Moccia

March 11, 2024 by s p

Ornela Radovicka
Qëndra Albanologjike kërkime mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga A. Bellushi 1980

Me daten 10 Mars 2024 ne Kozence, Kalabri u nda nga jeta, arbereshi Alfio Moccia. Alfio Moccia, ishte Arberesh qe jo vetem deshi Arberine, por me muziken e tij, ai bashkonte gjakun arberor kudo qe ishte! Sot, bota Arbërore humbi njërin prej bijëve më të rëndësishme, arbëreshin, profesorin Alfio Moccia. Ai lindi ne San Benedetto Ullano. Alfio Moccia, pasi mbaroi sudimet në Liceun Klasik në Kalabri vazhdoi studimet e tij të larta në Universitetin e Romës. Alfio kurrë nuk harroi rrënjët e tij, e mbi të gjitha gjakun dhe gjuhën arbëreshe! Gjuhën ma mësoi mëma – thotë Ai- Mësues nuk kishim. Mësuesit ishin mëmat tona. Ato na edukuan dhe na dhanë dashurinë për botën arbëreshe. Me kalimin e viteve perfeksionova gjuhën shqipe, dhe tani të flas si gjuhën shqipe, por edhe varjantin arbërisht që për ne arbëreshët është shumë e rëndësishme.

Alfio, punoi si profesor, dhe kohën e tij ia dedikoi muzikës arbëreshe, këngëve arbëreshe, historikut të saj si dhe figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbe. Me zërin e tij, me kitaren e tij, Alfion e shikoje në sheshet e Arbërisë, në rrugët e gjitonisë, duke kënduar; Skënderbegu me natë, Katundi arbërsh, Doja të puthja etje. Në 1981, Alfio merr pjesë në Festivalin e këngës arbëreshe etje.

Për të gjithë ata që e njohën nga afër, mendoj se ai u lë gjiurmë fisnike, një mendim pozitiv për përvojën e tij njerëzore dhe artistike dhe një kujtim të bukur për atë që mundi të thoshte dhe të bënte jo vetëm me muzikën, por edhe me kulturën dhe për dukuritë sociale.

Ironia e tij ishte e këndëshme siç lexohet edhe në këto rreshta me të cilat i drejtohej birit të tij Rocco Marco Moccia: “Mendoj se kjo foto e profilit tim daton në shekullin e kaluar dhe ai xhongleri i cirkut i djalit tim Marco e vendosi qëllimisht në profilin tim për të më bërë të reflektoj për… kemi frikë se po kalon dhe për atë principi i parë i famshëm i kimisë, i njohur edhe si parimi i Lavoisier-it për të cilin “asgje krijohet dhe asgje asgje shkërkohet; por gjithçka shndërrohet!”!

Serioziteti i Alfio Mocci lexohet në rreshtat në vijim, ndersa Ai shprehet : “Përgjegjësitë e mia pothuajse gjithmonë i kanë takuar vlerat dhe parimet e formimit tim njerëzor, kulturor dhe profesional. Zgjedhjet e mia edukative dhe sjelljet e mia kanë pasur gjithmonë në qendër të riun, klasën, formimin etik dhe shoqëror të fëmijëve, i cili gjithmonë ka marrë përparësi mbi mësimin e lëndës sime.Dhe sot, tani në pension, mund të them se nuk jam penduar kurrë për zgjedhjet e mia.. dhe më posht vazhdon: Muzika popullore dhe kantautorët…duhet të luajnë “live” dhe mundësisht me instrumente tradicionale duke e shoqëruar duke kënduar…

Shumë miq kanë shkruar sot për humbjen e këtij biri të Arbërisë,sepse Alfio ishte mik i të gjithëve.
Me muzikën e tij ai bashkonte botën arbëreshe kudo qe ata jane.
Artiste, intelektuale, miq,shoke, te aferm, si te botes arberore dhe asaj shqiptare kane shkruar ngushellimet e tyre per humbjen e Alfios, midis tyre po permend edhe Përfaqësuesit e dy federatave arbereshe: Federazione Associazioni Arbereshe si dhe Uniarb, Federata keto te cilat mbajne gjalle boten Arbereshe, dhe Alfio ishte pjese e pandare e tyre. Ja, si jane shprehur përfaqësuesit e ketyre dy federata mbi humjen e Alfio Moccës. Presidenti i Federatës Arbëreshe FAA Zoti Damiano Guagliardi, i cili shkruan: Mbi këtë ditë pikëlluese është shprehur kështu:” Nuk ka ngushëllim të madh tek unë. Alfio është distancuar nga ne me trupin dhe zërin e tij, me ironinë dhe mirësinë e tij, por Alfio do të jetë një njeri i paharruar për Arbërinë e tij. Ishte njeriu që na bënte për vete me këngën e tij të thjeshtë që ZGJONI SHPIRTIN ARBERESH. Alfio, do të na mungosh shumë-përfundon ai.

Ndërsa presidenti UniArb, PROF
Italo Elmo midis të tjerave shkruan:Idashur Alfio tashme i përket parajsës.Vdekja e një miku është gjithmonë një nga sprovat më të vështira për t’u përballur. Pas një humbjeje të tillë është normale të ndjejmë dhimbje dhe trishtim. I ruaj si thesar kujtimet e mira dhe lutem që Zoti t’i japë atij lumturi të përjetshme.Hubmja juaj ka lënë një boshllëk të paplotësueshëm. Ky është një moment i dhimbshëm për të gjithë arbëreshët. Ngushëllime gruas së e tij Adele, fëmijët e tij dhe të gjithë të afërmit e tij afër dhe larg. Shpirti juaj do të ngelet i gjallë nëpërmjetë jehonës së këngëve tuaj, tingujve të kitarës, fjalëve e teksteve shkruar në arbërisht për t’u transmetuar brezave të rinj.

Po e përfundoj këtë artikull duke rikujtuar fjalët e Alfio Mocës shprehur si një testament mbi urimin e tij për Vitin e Ri disa kohë më parë: Pas Motit “i keq”- shkrante Alfio- mendoj linde gjithmonë “Dielli”. Me këto mendime dhe këto lëvizje shpirti, iu uroj që të gjithë ta shohin botën me habi dhe admirim: t’i dhurosh të gjithëve një buzëqeshje nuk kushton asgjë, se të mbush me qetësi. Me këto ndjenja iu uroj të gjithë miqve të mi më të sinqertë, një vazhdim të mbarë të rrugëtimit të tyre jo vetëm për këtë vit të ri , por edhe për të gjitha vitet që do të na dhurohen! Mos harrojmë gjuhën, traditën, zakonet tona arbërore PERSHENDETJE TE GJITHEVE, Alfio Moccia!

Lamtumirë Alfio,Ju si bir i Arbërsë punuat me mish e me shpirt për Arbërinë!
(Në vijim po përcjellim në arbërisht poezinë e kant autorit Alfio Moccia)

SOT U ZGJOVA
Sot u zgjova e gjithenjeherje u hapa syte nje mjegullez e zeze shkrohej mbi kete jete!
E zjarri shuet e nde mal nge ka me dru, e del nje diell ce mua me ngrohen me!

E gjegja thene nje fjale si “la liberta'”, ca njerez e therresin edhe “civilta'”!

La civilta’ neng eshte nje diell i zi,
nd’arberesh qjo fjale therrjet “dashuri’

U neng harronj,dua te luftonj!
Vehem e kendonj,per pa hare!
Duan t’me presin gjuhen time…edhe me gje,duan t’me pine gjakun tim,o duan se u fje!

Duan se u ke t’mbitem vet nder detin e lirise, duan se u ke t’pres rrenjat e dashurise.
E peseqind vjet si nje lume shkuan
e ki mullir i vjeter edhe sot bjuan!

Shurben nate e dite nde mal nde shesht,shurben vet nje djerset e neve arbereshe.

U neng harronj…
Dua te luftonj…
U qeva njera sot si prush nen hi
e ngroha shokun tim ce nd’ane me rri.

E per ca njerez jam si drize nder sy, se duan t’me bjejin zemren e u neng rri!
E njera ce trendofila lelezon,
arbreshi e gjuha e tij nde jete rron!
Me shoket u luftonj me shume fuqi, me Shqiperine nder zemeren e nder sy!
U neng harronj
dua te llufto.
Alfio Moccia,1983.

Filed Under: Kulture

Pse Pjetër Budi na shfaqet njëherësh si humanist i madh dhe iluminist thellësisht kombëtar

March 8, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

“Nëse themi që Budi e parapriu iluminizmin europian, flasim për një element mendimi, nuk nënkuptojmë filozofinë e formalizuar në traktate të shkruara. Pjetër Budi i ngjan më tepër atij njeriu të urtë si Sokrati. Ai tregoi plagët e kombit të tij pa i përzjerë ato me fenë edhe pse ishte një fetar i bindur. Mjerimi dhe padituria, mungesa e shkollave dhe problemi i gjuhës. Kjo ashtë diagnoza që Budi jep për vendin e tij.”

Ai vendos në themel të botëkuptimit të vet rolin e gjuhës në jetën dhe emancipimin e kombit. E çfaqi këtë bindje edhe kur u kërkonte klerikëve të ndihmonin më shumë për të mësuar fëmijët, sidomos në shkrimin e gjuhës amtare. Pohimi i tij mbi Zotin që lyp gjuhën amtare si mjet të komunikimit me besimtarin, përbën një hap të madh në jetën fetare të popullit. Ai do të lutej në gjuhën e vet e jo në latinishten që edhe besimtarët italianë nuk e njihnin. Duke u kërkuar klerikëve që të bënin meshat në shqip, ai i jep liturgjisë së zbatuar një karakter më njerëzor, pikërisht sepse bëhet më e kuptueshme, pra minimizon natyrën dogmatike të saj. Do të jetë ky një parim i madh iluminist që zë fill në Angli kah gjysmës së dytë të shekullit XVII. Budi, pra, duke pёrdorur gjuhёn amtare nё tё gjitha shёrbimet liturgjike, krijon mundёsinё qё ajo tё mos vyshket, por tё pasurohet edhe me pikëpamjen fetare tё jetёs sё njeriut. Gjuha, mjeti universal i marrëveshjes njerëzore, ndriçon edhe tё kuptuarit dhe pёrvetёsimin e dijes. Pёr kёtё arsye, edhe nё kёtё këndvёshtrim ai na shfaqet njëherësh si humanist i madh dhe iluminist shumё i hershёm e thellësisht kombëtar.

Photo: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS

March 7, 2024 by s p

“7 Marsi” – Dita e Mësuesit/

Zgjimi i identitetit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes ndër shqiptarët në këtë periudhë ishte i lidhur ngushtë jo vetëm me veprimtarinë politike dhe botuese, por edhe me përpjekjet për shkollë në gjuhën shqipe.

Të tria sferat kulturore në të cilat ndahej Shqipëria, kishin sjellë me vete sisteme të ndryshme shkollash fillore të huaja. Shqiptarët e fesë islame mund të shkonin vetëm në medresetë në gjuhën turke, ku mësohej teologji dhe arabishtja.

Shqiptarët e fesë katolike nuk kishin fare shkolla, para se të ngriheshin institucionet arsimore, që ishin kryesisht italiane, nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër dhe përreth saj në mesin e shekullit XIX. Këtu bën pjesë edhe një shkollë françeskane e ngritur në vitin 1855 si dhe Kolegjia Papnore e hapur nga jezuitët më 1859. Këtyre duhet shtuar edhe Kolegji i Shën Françesko Saverit, i njohur me emrin Kolegja Saveriane, që u hap në Shkodër më 1877. Në fillim të shekullit XX ky institucion, i drejtuar nga jezuitët pati mbi 400 nxënës.

Shqiptarët e fesë ortodokse në jug të Shqipërisë kishin mundësi të hynin në shkollat me bazë gjuhën greke.

Pra, deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, mësimi në Shqipëri jepej në gjuhë të huaja, rrethanë kjo që e bëri të pamundur shkollimin e masave të popullsisë.

Porta e Lartë i shihte arsimimin dhe librat në gjuhën shqipe si veprimtari subversive dhe e gjykonte të arsyeshme të ndalonte të gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur kësisoj gjithë Shqipërinë në padije dhe errësirë të thellë. Edhe ndonjë shkollë në gjuhën shqipe, që kishte mundur të hapej, ishte mbyllur menjëherë.

Edhe kisha ortodokse greke në Shqipërinë e jugut e shihte veprimtarinë kulturore shqiptare si rrezik për monopolin e saj mbi shkollën. Madje ajo kërcënonte me shkishërim cilindo që pranonte alfabetin shqip, e madje në raste të caktuara, për të ruajtur statusin e vet, nuk iu resht as vrasjeve.

Në këto kushte të rënda, ideologët e lëvizjes së zgjimit kombëtar të Rilindjes në fund të shekullit XIX ia kushtuan një pjesë të mirë të energjive të tyre luftës dhe përpjekjeve për shkollat në gjuhën shqipe. Vetëm nëpërmjet këtyre shkollave shqiptarët do të mund të mësonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre shqipe dhe do të kapërcenin prapambetjen e së kaluarës.

Lufta për shkolla në gjuhën shqipe ishte në të vërtetë një luftë e dyanshme, si kundër Portës së Lartë që e kishte nxjerrë shkollimin shqip jashtë ligjit, ashtu edhe kundër kishës ortodokse greke, e cila e ndiente se do të humbiste autoritetin e saj mbi grigjën shqiptare nëse lejohej shkollimi në gjuhën shqipe. Në këtë pikë Patrikana ortodokse dhe autoritet osmane në brigjet e Bosforit ishin në pajtim të plotë.

Një nga mësuesit e parë shqiptarë të periudhës së zgjimit kombëtar ishte Petro Nini Luarasi (1865-1911). Ky ishte në pararojë të lëvizjes për çeljen e shkollave shqipe. Një tjetër figurë e shquar e arsimit dhe e kulturës shqiptare është Papa Kristo Negovani (1875-1905), i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Më 12 shkurt 1905 u masakrua nga banditët e hierarkisë ortodokse greke, bashkë me pesë shqiptarë të tjerë, midis tyre eshë i vëllai.

Ndër edukatorë të tjerë të shquar shqiptarë të kësaj kohe është familja Qiriazi ose Kyrias nga Manastiri. Nga kjo familje shquhen Gjerasim Qiriazi (1858-1894), vëllai i tij Gjergj Qiriazi (1868-1912), motrat e tyre Sevasti Qiriazi – Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970).

Me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney), Gjeraqimit iu dha mundësia të studiojë në kolegjin amerikan në Samokov të Bullgarisë. Në këtë kolegj ndoqi shkollimin edhe i vëllai Gjergji. Më 1908 Gjergji ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Naim Frashëri i dha mundësi Sevasti Qiriazi – Dakos të studionte në kolegjin amerikan me emër Robert College në Stamboll dhe të luante një roj veprues në arsimimin e femrave shqiptare. Ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Edhe Parashqevi Qiriazi, e njohur edhe me emrin Paraskevi D. Kirias studioi në Robert College në Stamboll. Mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 si përfaqësuese e bashkësisë shqiptaro-amerikane.

Figurë e shquar e arsimit katolik në periudhën e Rilindjes qe Anton Xanoni (1862-1915). Njihej edhe me emrin Ndoc Zanoni. Në zgrip të shekullit ushtroi ndikim në zhvillimin e gegërishtes. Vjen nga një familje jezuite. Më 1883 kreu shkollimin në Valencia të Spanjës.

Mati Logoreci (1867-1941) ishte edukator dhe botues Në Monfalkone afër Triestes bëri shkollë për mësues. Më 1 maj 1889 hapi një shkollë në Prizren, e para shkollë shqipe në Kosovë.

Arsimimin e katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, nën kujdesin e Kultusprotektoratit, e drejtonte konsullata austro-hungareze.

* * *

Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës, i themeluar në vitin 1886, një vit më vonë, përkatësisht në fillim të vitit 1887 vendosi të krijonte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa patriotët e Korçës dhe të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisje, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashëri (1850-1904) dhe bilbili i gjuhës shqipe – Naim Frashëri, pas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë turke, shkëputën prej saj lejen, në emrin e Pandeli Sotirit (1843-1891) për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë.

Pandeli Sotiri ishte veprimtar i shkollës shqipe, dëshmor i Rilindjes Kombëtare. Lindi në fshatin Selckë të Lunxhërisë (Gjirokastër). Në Normalen greke të Qestoratit pati mësues atdhetarin Koto Hoxhi (1824-1895) i cili u mësonte nxënësve fshehurazi shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Pandeli Sotiri studimet e larta për mjekësi i kreu në Vjenë. Mori pjesë në themelimin e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” (1879-1891) në Stamboll dhe u zgjodh anëtar i kryesisë s saj. Bashkë me publicistin rilindës Jani Vreto (1822-1900) ndihmoi për formimin e degëve të “Shoqërisë së Stambollit” në kolonitë shqiptare të Bukureshtit, të Egjiptit etj. Jani Vreto ishte adhurues i kulturës helene. Për këtë arsye Faik Konica (1875-1942) e quajti grekoman. Pandeli Sotiri drejtoi revistën kulturore, arsimore e letrare “Drita-Dituria” (1884-1885). Emri i tij është i lidhur ngushtë me shkollën e parë kombëtare shqipe Mësonjëtorja Shqipe e Korçës si drejtor i parë i saj dhe mësimdhënës i lëndëve: aritmetikë, histori, gjeografi, mësim natyre dhe gjuhë frënge. Ishte një ndër nismëtarët e themelimit të “Shoqërisë së Mësimit Shqip” (1888) në Korçë. U vra pabesisht në Stamboll nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare, nga agjentët grekomanë.

* * *

MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS – Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel në Korçë shkolla e parë kombëtare dhe laike shqiptare, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga patrioti i mërguar korçar Mandi Tërpo.

Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ishte një shkollë fillore me fizionomi të plotë kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Shkolla u hap në kushtet e pushtimit osman, me nismën e një grupi rilindësish dhe me mbështetjen e masave patriotike korçare dhe atyre të mërgimit. Mësimi jepej falas për nxënësit meshkuj dhe femra të çdo lloj besimi fetar apo shtrese shoqërore. Nxënësit mësonin shkrim e këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, aritmetikë, gjeografi dhe histori të botës dhe të Shqipërisë etj. Drejtuesit a saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar.

Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të mëmëdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës nuk varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua dhe u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit.

Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887 veprimtari i Rilindjes Kombëtare, veçanërisht i arsimit në gjuhën shqipe Thimi Vasil Marko (Korçë, 1855 – Korçë, 1922) i shkruante publicistit Visar Dodanit (rreth v. 1857-1939) në Bukuresht: “Dëshira jonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që mbollëm këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Përpjekjet e faqezinjve grekomanë dështuan.”

Drejtuesit e saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naimi e Samiu dhe që ishin shtypur e dërguar falas nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.

Përveç Pandeli Sotirit që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar si veprimtari i Rilindjes Kombëtare Thanas Sina (1859-1934), Petro Nini Luarasi (1865-1911), atdhetari i Rilindjes Kombëtare Naum Dhimitër Naçi (1871-1927) i njohur si Nuçi Naçi, veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit shqiptar Thoma Avrami (1869-1943) etj. Th. Avrami, si delegat i Korçës, mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Në vitet 1911-1912 drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës.

Në pranverë të vitit 1891, pas Pandeli Sotirit, drejtimin e shkollës shqipe në Korçë e mori Petro Nini Luarasi. Njëherazi, ai ndihmoi edhe financimin e shkollave të tjera në Shqipërinë e jugut. P. N. Luarasi ishte edhe zëvendëskryetar i kongresit të dytë të Manastirit, më 1-6 prill 1910, në të cilin u zgjodh përfundimisht debati për alfabetin e shqipes. Vdiq në Gostivisht më 17 gusht 1911. Sipas të dhënave të caktuara, e helmoi kleri grek, në bashkëpunim me xhandarët vendës.

* * *

Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm ndër atdhetarët e mbarë vendit dhe u bë nxitje për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, Leskovik, Ersekë, etj. Shkrimi shqip filloi të mësohej edhe në mjaft fshatra. Shkollën shqipe në Pogradec e hapi vëllai i Pandeli Sotirit – mësuesi Koço Sotiri (1847-1909) më 14 mars 1887. Më 1889, shkolla shqipe u hap edhe në Prizren.

Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes, qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj.

* * *

Po në këtë kohë u themelua në Korçë Shoqëria e Mësimit Shqip në krye me Alo Dishnicën. Kjo shoqëri kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e aktivistëve, të shpërndarë në krahina të ndryshme të Shqipërisë, për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve dhe për shtypjen e teksteve shkollore.

* * *

Kundër shkollës shqipe të Korçës shpërthyen valë të furishme kundërshtimi nga qarqet antishqiptare greke. Propaganda fetare, shpifjet, shantazhet, frikësimet dhe shtrëngimet kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës kombëtare shqipe, qenë mjetet e zakonshme të agjenturave greke dhe të autoriteteve osmane. Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra dhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra më 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Por, atdhetarët shqiptarë, mbarë populli shqiptar, të etshëm për dritë e dituri, kurrë nuk u përulën para trysnisë së forcave obskurantiste mesjetare që synonin t’i mbanin shqiptarët në errësirë.

* * *

Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës veproi 15 vjet, duke përballuar vështirësitë dhe pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe nga disa klerikë antikombëtarë. Në prag të shekullit XX ajo u bë me gjashtë klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë, u bënë veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirimin kombëtar, në rrugën e pandalshme të kombit shqiptar drejt integrimit në familjen perëndimore.

* * *

Shkolla e vashave në Korçë – Hapja e të parës shkollë shqipe, të njohur zyrtarisht, në Korçë më 1887, e frymëzoi Gjeraqimin dhe të motrat Sevasti e Parashqevi, të hapnin një shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900) dhe të misionarëve amerikanë e anglezë, ato morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetot 1991 hapën të parën shkollë shqiptare të vashave në Korçë.

Mësuese të para të kësaj shkolle ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, e lindur në Manastir, Polikseni Luarasi dhe Parashqevi Qiriazi. Polikseni Luarasi, e lindur në Korçë në vitin 1880, ishte e para mësuese që dilte nga bankat e shkollës së parë shqipe për vashat në Korçë. Njëherazi, ajo është edhe e para tipografe femër në Shqipëri.

* * *

Prej vitit 1960, “7 Marsi” festohet si ditë e mësuesve dhe e nxënësve, si përkujtim i themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Në këtë festë vlerësohen traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit dhe të gjithë punonjësve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri, si veprimtarë dhe ndërtues aktivë të një shoqërie të përparuar. Kjo ditë festohet me nderim çdo vit në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.

Festohet pra në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe ndër çamë. E feston edhe diaspora shqiptare në Evropë, në ShBA etj.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT