• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË ULESH MBI QEPALLË PËR T’I PËRKUNDUR ENGJËJT

July 10, 2023 by s p

Nga Shefqet Dibrani/

Rreth librit me poezi “Një fjongo dielli nga New Yorku” me autore Kozeta Zylo

NJË KETRUSH

Nga dëshira e pritjes së zjarrtë,

Po skuqen gjethet e pemëve,

Në këtë stinë vjeshte!

Një ketrush qëndron në majë,

Për të parë ardhjen tënde!  Faqe 112.

Këze Kozeta Zylo, ka lindur në Mezhgoran të Tepelenës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin ALEKSANDËR XHUVANI në Elbasan. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Tiranë. Për një kohë ka punuar mësuese e Letërsisë Shqipe dhe asaj Botërore në gjimnazet e Tiranës. Ishte aktiviste në proceset për rënien e komunizmit në Shqipëri dhe njëra nga themelueset e Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Në vitet 1994-1995, ishte Sekretare e Përgjithshme e kësaj Partie, kurse në të njëjten kohë drejtoi edhe gazetën ORA E SHQIPËRISË, organ i demokristianëve shqiptarë. Në këtë gazetë, gjatë asaj kohe, ka botuar një sërë artikujsh publicistik.

Në shkurt të vitit 1997, pas shpërthimit të trazirave social-politike në Shqipëri, ajo emigroi në ShBA (New York). Fillimisht vazhdoi kualifikimet profesionale, pastaj ka punuar si Këshilltare e studentëve në disa kolegje, e më pas edhe në Bordin për Edukim të qytetit në New York. Dallohet për veprimtarinë e saj në mjaftë fusha, ajo ka bashkëpunuar me gazeta e televizione të shumta, qofshin ato të komunitetit të atjeshëm ose në Shqipëri.

Kozeta e Qemal Zylo, janë pronarë të TV “Alba Life“ New York, si dhe themelues të shkollës shqipe “Alba Life”. Në kuadër të kësaj shkolle Kozeta ka organizuar festivale, manifestime e spektakle të shumta kulturore e artistike si dhe ka organizuar edhe simpoziumin për çështjen e Kosovës.

Karshi këtyre aktivitetetve, Këze Kozeta Zylo ka botuar keto libra: Monumenti i Lotit (poezi) 2005, Pranverë pa Mimoza (poezi) 2006, Mjellmat po të vijnë (poezi) 2008, Një fjongo dielli nga New Yorku (poezi) 2010, Refleksione shpirtërore (kritikë, esse, reportazhe) 2010, Kujtimet si fletëz libri, (poezi) 2015, Diaspora si krah shqiponje (reportazhe, esse, kritikë letrare) 2015, Albatare dhe Abetare (libër me poezi për fëmijë).

Për punën dhe angazhimin e saj ka marrë titullin nga Presidenti i Shiqpërisë “Kalorës i Urdhrit Të Flamurit”, Ambasadorë të Kombit, mirënjohje dhe çertifikata nderimi, qoftë nga komuniteti Shqiptar në Amerikë, por disa sish edhe në Shqipëri.

Këze Kozeta Zylo, bashkë me burrin Qemail Zylo dhe dy vajzat e saj jetojnë në New York / ShBA.

LIBRI…

Libri, NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, i Këze Kozeta Zylos, ndahet në pesë cikle: ATDHEU; NËNËS SIME; LËNDINAT E PRILLIT; HAIKE dhe ELEGJI. Këto cikle kompletojnë tërësinë tematike dhe motivore, kurse mozaiku i përgjithshëm ka dalë mjaft mirë i konceptuar, në të cilën ndërthuren motive e përkushtime të shumta që kompletojnë artistikisht, mjaft mirë mozaikun e përmbledhjes poetike NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU.

KOSOVA…

Jo rastësisht poetesha me origjinë nga Labëria e hap librin me poezinë “Prishtina, filz shpirti”, në të cilën shprehet se “Kur të putha sytë e shpirtit/ Nga qielli i kaltërt i Nju Jorkut/ Një filiz në zemër mbiu/ E vaditëm, bashkë së toku“. Emocioni lirik zhvillohet edhe më tej në vargjet vijuese: “Kur të erdha pranë Prishtinë/ Trëndafila kudo çova/ Lulet bozhur në gji i ruajta/ Amerikës ia dhurova“. Përmes këtij përkushtimi lirik, poetesha i shpreh mirënjohje Amerikës për çlirimin e Kosovës, dhe për emancipimin demokratik të saj, prandaj: “Je bërë folezë thellë gjoksit/ Cicëron në gjuhën shqipe/ Folmë Nënë Loke, të tund dheun/ Se Kosova është toka ime“; (faqe 8.) Në vijim, tërë epika e lavdisë zhvillohet, NË KËSHTJELLËN ADEM JASHARI, siç shprehet veta ajo, kur “Nga frëngjitë mijëra dritëza/ Flakë po skuqnin si bozhurë“ ndërsa “baladat si vetëtima“, përmbyllin epikën e lavdisë me vargjet: “Kudo ku rriten trima gjithë nur/ Jan prej Kosove, nuk tremben kurrë“,

(poezia NË KËSHTJELLËN ADEM JASHARI, faqe 11-12.) 

Motivin e epikës legjendare, poetesha e ka bartur edhe në pozi të tjera, më e veçantë është poezia BAC U KRY!, në të cilën poetesha shkruan: “Herë u bëra Zanë e Malit,/ herë nënë Loke me xhubletë/…/ Për Kombin tim të ngre flamurin,/ Me Kosovë mish e thua”, (poezia BAC U KRY!, faqe 22-23.)

PËRMBI VARG

Mbeta, mbeta përmbi varg,

Si metaforë e blertë pranvere,

Po të mos kisha farë poeti,

Çdo gërmë do fshihej midis reve…! Faqe 44.

Jo vetëm poezia PËRMBI VARG, të cilën e solla këtu, por brenda ciklit të poezive me përkushtime për Atdheun, përkatësisht figurave të ndritura që bënë shumë ose u sakrifikuan nëpër kohëra, poezi tejet krakteristike është ajo me titull “VALBONA…”, me nëntekst të bijes, d.m.th. e pagëzuar me këtë emër, toponim i Lumit dhe Krahinës, me të njëjtin emër, duke e ndërlidhur ndjenjën dhe përkushtimin artistik me zonën në fjalë, e cila është e virgjër dhe perlë etnike e Alpeve shqiptare, ku bashkë me epikën legjendare mjaft të bujshme përbëjnë historiografinë e tërë krahinës, madje edhe të Atdheut etnik të poeteshës. Për të pasur simbolikën edhe më të fuqishme, poezisë parë nga prizmi metaforik, disa epitete ia atribuon vajzës së vet. E kur jemi te shqyrtimi kritik i kësaj poezie, ajo që bie në sy është shënimi sqarues i vënë në fund të poezisë në të cilin thuhet: “Këtë poezi ja kushtoj bijes time Valbona, me emër aq të bukur, të Lumit VALBONA në Tropojë, i cili më frymëzoi për ta pagëzuar fëmijën time të parë.” Pastaj ajo shton: “Ne e vizituam Lumin Valbona deri në burimin e saj, në Grykën e Dragobisë, në gusht të vitit 1985. Për ne do të ngelet një kujtim i paharruar, mikpritja e njerëzve dhe bukuria magjepsëse e Alpeve dhe Lumit Valbona në Tropojë”, (faqe 36.) 

Sipas këtij dedikimi, poezia merr kuptim dhe simbolikë, për të cilat edhe lexuesi bindet se kjo poezi do të ngelte e mangët, (jo mjaftueshëm e kuptueshme), dhe jo aq e vlerësuar pa këtë shënim sqarues, i cili në këto raste është i domosdoshëm, madje shembull si duhet sqaruar, dhe të dëshmohet me veprim konkret, mënyra sa e si duhet dashuruar e vlerësuar një Zonë të Atdheut e cila është e bekuar nga Zoti! Nga vetë poezia shihet se poetesha, paska marrë shpërblimin e pritur, kur e bija me sukses ka mbrojtur në Amerikë gradën akademike doktore e shkencave në fushën e kritikës letrare për letërsinë spanjolle.

NJË FLLAD PRANVERE

Petale lulesh, binin,

Butë-butë, mbi fije bari,

E një fllad pranvere i mbështolli,

Për të veshur fëmijët jetimë!  Faqe 49.

Për bukuritë e Gjirokastrës flet poezia me të njëjtin emër, ndërsa emblemë kulturore e këtij qyteti mbetet “Shekspiri shqiptar, Kadare“, (faqe 37), epitet unikal për shkrimtarin me renome botërore Ismail Kadare. Po aq e realizuar është edhe poezia kushtuar Korçës, nga e cila po i shkëputim vargjet: “Dhe ndalem unë nën muzgun blu/ Tek Korça lule, pa vyshkur kurrë/ Ç’xixëllonja shpirti derdhen këtu/ Një gërshetë hëne gjoksit jua thur“, (poezia KORÇËS, faqe 38.) Janë emocionuese edhe vargjet: “Do të marr një fjongo qielli/ Që t’ja lidhë foshnjës në djep/ Dritë t’i bej botës ku jemi/ Det dhe Vlorë cep më cep“, (poezia VLORËS, PRINCESHË ME KURORË ULLIRI, faqe 39-40.) Të këtij niveli janë edhe poezitë: “Hej Çamëri”; “Për ty Kosovë, për ty Rugovë”; e ndonjë tjetër. 

VENDLINDJA 

Mezhgorani i Tepelenës, është vendlindja e Kozeta Zylos, dhe kjo kuptohet nga gjithë ato poezi që ia kushton vendlindjes, bëmave të asaj zone dhe përjetësimi që ua bënë personalitetetve të shquara, të artit e kulturës, arsimit dhe arritjeve të shumta të qytetarëve nga vendlindja e saj. Ndonjërin nga personalitetet që i hasim në këtë përmbledhje poetike, e ka lidhur puna ose shërbimi në Mezhgoran të Tepelenës, e ndonjërin edhe aspekt gjenetik siç është rasti i Sejfulla Malëshova, i cili një pjesë të fëmijërisë e kaloi në këtë fshat, pasi nëna e tij ishte me origjinë nga Mezhgorani i Tepelenës. Po ashtu në këto anë rritet edhe lulja me emrin “Lule mëllaga”, dhe sipas poeteshës, “Ato çelin nga dashuria e nënës sime/ Dhe shpirtëzojnë sendet që s’preken më”, (poezia LULE MËLLAGAT, faqe 55.) Pa dyshim, elementi idilik për vendlindjen përbën një simbiozë karakteristike e cila përjetohet në këtë poezi të shkurtër të cilën po e sjellim të plotë:

KARAFIL MEZHGORANI

Karafil mezhgorani,

Aromë sjell kudo që mbin,

Vals gjethesh gjer te retë, 

Muzikë e ëmbël, më përpin! 

Faqe 31.

Ndër poezitë e realizuara që kanë për motiv vendlindjen janë poezitë: “Feim bej Mezhgorani”; “Shkollës së parë shqipe në Mezhgoran”; “Tepelenë”; “Normailistëve të Mezhgoranit”; “Vatranëve të Mezhgoranit”; “Prof. Sejfulla Malëshovës”; “Doktor Përparim (Mezhgoran) Tepelenës”; “Trëndafila Mezhgorani”; “Tepelenës sime”; “Arrëz e madhe, palcë burimi”; “Karafil Mezhgorani”; “Një mësuesi…!”; “Senatore e diasporës”, etj. I tërë ky opus, përbënë spektër të rrallë poetik dhe të pa përsëritshëm nga aspekti i ndjenjës dhe përjetimit për vendlindjen e saj. Këtij cikli do t’ia shtoja edhe një tufë emrash të cilët poetesha i ka sjellë nga një botim i gazetës DIELLI 1912, gazetë të cilën e kanë udhëhequr korifejtë e letrave shqipe Noli dhe Konica, (faqe 17.)

Karshi poezive kushtuar Mezhgoranit, shkëlqen edhe cikli NËNËS SIME, që përbëhet me vetëm katër poezi emblematike kushtuar nënës së vetë e cila: “Në të ndarë një fjalë s’më the,/ më le peng, fijëzat e shpirtit,/ me to thura një folezë,/ strehën më hyjnore të vitit…”, (poezia STREHA HYJNORE, faqe 53.)

LIRIKAT

Me një stil të vetin që në brendësi ka brishtësi, me shprehje të thjeshta, sidomos qasja dhe preokupimi janë vlerë e realizuar mirë. Një përpjekje gjer në sakrifikim duket të jetë hapësira gjeokgrafike, kurse Kosova, për poeteshën është preokupim parësor.

Poezia e Këze Kozeta Zylo, është një poezi që të tërheq, kudo shpreh shqetësim lirik që ka të bëjë me motivin që trajton, veçmas përballë subjektit që i kushton poezinë. Përveç hapësirës etnike, si rrallë tjetër, në poezinë e saj gjejmë shënime sqaruese për subjektin duke i dhënë kuptim e saktësim përkushtimit poetik, pasi janë disa personalitete të cilët për gjithësecilin lexues nuk janë të njohur, prandaj këto sqarime plotësuese bëjnë për t’u kuptuar si duhet motivi pse poetesha me kaq dashuri ka shkruar poezinë përkatëse, që i kushtohen personit ose heroit të saj epik ose lirik.

Nga i gjithë libri, cikli me lirika përfaqëson denjësisht, intelektualisht dhe poetikisht unin e saj krijues, vë në pah më mirë e më dukshëm prirjen për të shkruar poezi duke e bërë poeteshen më të afërt, më të dashur dhe më të admiruar nga lexuesi dhe ndjekësit e saj. Andaj i tërë fokusi i vlerës poetike përqëndrohet pikërisht te poezia lirike, ndërsa ciklet e tjera kompletojnë mozaikun e motive dhe dëshmojnë edhe për opusin e saj lirik, duke i dhënë sharm estetik poezisë e cila si lirikë dhe tematikë qëndron mirë, dhe mirë është kompletuar në ligjerimet lirike, pa lënduar motivet epike dhe motivin elegjiak të ndërthurur në brendësinë e këtij libri.

NJË CEP TË BUZËS

Sa herë vdes e ngjallesh prapë,

Ti e ëmbla dashuri,

Çuditërisht ti helm kurrë s’ke,

Veç me afsh më ndjell në gji!

…

Herë butë-butë, herë trazuar,

Në puthjet tona, çmenduri,

Një cep të buzës ke kafshuar,

Marrosem unë, marrosesh ti! 

Faqe 59.

Nga kjo ndjenjë qoftë vetëm hipotetike, mesazhin e dashurisë e bëjnë të sinqertë vargjet: “Më varej Hëna mbi qerpik,/ lot të florinjtë seç pikonte”. Ky indikacioni lirik shpreh përkushtim, sigurisht edhe epshi lirik: “mbi gjoksin tim papushim,/ pranvërë dhe vjeshtë pikturonte”, (poezia TË BLERTAT FJALË, faqe 68.) Ky motiv që vjen pas këtyre vargjeve e bënë poezinë lirike të saj më artistike, shpesh e liriuar nga paragjykimet por gjithnjë mendimi i saj është artikuluar brenda kodit pedagogjik, profesion të cilin poetesha e ka ushtruar tërë jetën. Shikuar nga ky prizëm edhe poezitë e Kozetës kanë mesazhin e dashurisë e të atdhedashurisë, duke përfshirë brenda opusit të saj tërë hapësirën etnike të saj.

REGËTIN PA FAJ

M’i rrëmbyen yjet e qiellit,

Ëndrrat e zjarrta,

Dhe stolisën gushën e hënës,

Me një zinxhir të artë!

Dashuria ime,

Me petale të purpurta,

U çmend pas puthjeve,

Puthjeve të gjakta,

Dhe zemrës, që regëtin pa faj! 

Faqe 73.

Poezia është e shkruar me shprehje të bukura, sepse ajo “Zogut ia mori këngën, e atij shpirtin e zjarrtë”, (e modifikuar), andaj kanë edhe mesazh të caktuar sa lirik po aq patriotik, ndërsa në esencën e saj ka një lirizëm të stërholluar: “Provova të të flas, dhe pse asnjë lajm,/ zogut i mora këngën, ty shpirtin e zjarrtë! /…/ Mendova çfarë s’mendova, gjithçka në shpirtin tim,/ S’mjafton të mendosh, se çmendesh Princi im!”, (poezia S’MJAFTON TË MENDOSH…, faqe 76.) ose në disa vargje ka një idilikë, si figurë estetike mirë e realizuar: “Me këto vargje mblodha ditët,/ Dy prej tyre i struka thellë,/ Se zjarri i shpirtit kur përflakët,/ Bashkë me yjet ndrin në qiell”, (poezia DY PREJ TYRE, faqe 81.)

Brenda këtij cikli ka poezi e strofa poezish lirike, po ashtu ka mendim lirik që e arsyetojnë angazhimin e poeteshës edhe në këtë fushë. Për shijen time do t‘i kisha cekur edhe poezitë: “Si shkumë qumështi”; “Hëna varej mbi qerpik”; “Pshërtimat”; “Shpirt, sa më dukesh i bukur”; “Puthjen që më dhe mbrëmë”; “Cipa e shpirtit”; “Në gjirin e hënës”; “Cigani i zeshkët”; “Loto shpirti im loto”; “Si mjellmë”; “Sërish”, e ndonjë tjetër.

HAIKE

Cikli HAIKE, përbëhet nga 6 poezi të shkurtra; “Çmendje hyjnore”; “U bëfsha hi”; “U kthefsha zog”; “Dashuri e çmendur”; “Sytë e tu” dhe “Hëna djersiu”. Cikli Haike, vërtetë është një tip poezie ndryshe, mjaftë karakteristik, kurse poezitë janë të veçanta. Poezitë e këtij cikli përbëhen nga tre vargje dhe të gjitha kanë mesazh të fuqishëm dhe me porosi të çartë. P.sh.: “Vdeksha, që t’i them varrit sa të dua!”, (poezia DASHURI E ÇMENDUR…, faqe 117.) Jo vetëm si lirikë me simbolikë meditative por poezia dhe vargu në brendësi të vet përmbajnë mesazhe të forta filozofike. Po aq të përjetuara janë edhe shtatë elegjitë që përmbyllin librin NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, të Këze Kozeta Zylos.

Dhjetor 2010. (E përpunuar, më 2023)

St Gallen, Zvicër

Filed Under: LETERSI Tagged With: Keze Kozeta Zylo

BILL KLINTON HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

July 7, 2023 by s p

C:\Users\Home\Downloads\Xhema3 (1).jpg

                                 Xhemail Peci

BILL KLINTON

HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

                                     “Jetojnë vetëm ata që luftojnë, vetëm ata,

                                                             që shpirt e mendje mbushur nga një qëllim i kanë, ata,

                                                  që fatí i çon të ngjiten në shkëmbinj të thepisur,

                                                                që ecin t’munduar e mbërthyer nga një mendim i ndritur,

                                                duke u rrëzëllyer në sy, çdo cast, ditë dhe natë;

                                                             o ndonjë mendimin i shenjtë, o ndonjë dashuri e lartë”.

                                                                                                                                 Viktor Hygo                                                                     

1.

Ata erdhën ballëlartë dhe gjoksshpalosur në flakët e luftërave dhe të betejave, 

mes shpresave, mes lutjeve, mes ankthit, mes kujës, pritjeve dhe përgjërimeve,

të qindra, mijëra dhe milionave, që zgjatur i kishin duart për mëshirë kah qielli,

ata rendën dhe marshuan me ligjin e drejtësisë njerëzore në duar si vetë dielli,

mes rrebesheve të kohës e mes stuhive dhe dallgëve të oqeaneve kreshpëruar,

ballëlartë e kryelartë rendën dhe erdhën ata e zjarrin e fjalëve mbanin qëruar,

ata që besonin në ligjet e drejtësisë hyjnore, në thirjet e tyre gjithëvëllazërore,

ata që mes sfidave dhe rreziqeve gjakonin për të sjellur tej barazinë njerëzore.

Të papërkulur ishin ata përballë Scillës dhe Haridbës, përballë zjarrit dhe litarit,

mes shqotave dhe suferinave vinin ata dhe çanin përmes kudhrës dhe çekanit,

ata si Prometheu i lashtë në mitologjinë antike, mbollën e sollën farën e lirisë,

në misionin e tyre të shenjtë, më pranë njerëzve e sollën bekimin e perëndisë;

Ata që si flakën e Prometheut, në botën e kërcënuar padrejtësisë edhe smirës,

flakadanë lirie mbollën e sollën n’botën e kërcënuar prej të ligës dhe shëllirës,

ata – promethejtë e ri që e hodhën farën e barazisë bashkë me idenë e së mirës,

si promethejtë – misionarët e vizionarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata ecnin dhe rendin me hapa viganësh dhe frymëzimin nga e kaluar e merrnin, 

mes popullit, me popullin e për popullin ishin ata, e tej me hapa prej levendësh,

dhe fjalët si oshëtimë e shekujve, korifejtë e ri të shpresës së re pamje titanësh,

e sfidë u bënin padrejtësive të mëdha, që si dikur Bastiljës grilave dhe hekurave,

ndrynin popujt e vegjël por me zemër të madhe lirie-vuajtur krimet e gjilotinave,

të cilët historia oh sa tinëzisht atyre ua kish kthyer shpinën mes aq padrejtësive,

të cilët diplomacia e fshehtë i tallte edhe aq fort i përbuzte profkave e qesëndive,

e të cilëve fati kurrë nuk u buzëqeshte dot prej nëperkave, hileve edhe sehireve,

që hisen e diellit zënë ua kishin aq egërsisht-si përbindshat e mitologjive antike,

e ansambletë e mjekrrave të thinjura të diplomacisë hipokrite në kurthet cinike-

të shekujve të kaluar sa nuk i shpallnin të mallkuar nëpër konferencat djallëzore,

se me hapat e shekujve rendnin dhe vinin ata, errësirën e gjatë duke e ndriçuar,

me dritën e diellit vinin ata e me librat e tyre në duar bartnin tej fjalën e bekuar,

që të mos kishte më as skllevër, dhe as bij skllevërish, e kurrë më të nënshtruar.

Dhe u ngritën atje lart, u ngjitën sipër piadestalit nën urdhërat e veprimit hyjnor,

sa shumë popuj liridashës ata sot i mbajnë në zemër dhe librat e tyre nëpër dorë:

Xhorxh Uashingtoni dhe Linkolni, Udrou Uilsoni e Xhon F. Kenedi, e Nestor

i urtë e me ballët lartësuar Klintoni njerëzimit i vie si himn dhe lirisë i vë kurorë,

këta promethej të ri të vizionit njerëzor, vigajtë e mendjes dhe kalorësit e lirisë, 

këta korifej të paqes e sogjetarë amshimi, lart Panteonit, sytë drejt ardhmërisë, 

dhe sa herë që kah ata dhe kah veprat e tyre e kthen prore mendjen njerëzimi,

u falet përunjësiht, në shenjë të thellë respekti, mirënjohje, nderimi e admirimi.

7.

  “Amerika s’pyet asgjë për vetvete, përpos për të drejtën që e ka për të pyetur për njerëzimin”                                                                                      (Udrou Uilson) 

Poemë është emri i tij. Poemë që krahët i shtrinë qiejve dhe kontinenteve, shtigjeve të pafundshme të paqes dhe dashurisë mes popujve. Urë në mes dy shekujve është emri i tij, legjendë e gjallë që shpresat i ngjallë, urnë e eshkë e unor me strall. Këngë lirie e sogjetar amshimi është emri i tij, mes qiellit dhe tokës, mes ëndrrës dhe shpresës, fanar lirie është Ai. 

Ogur i bardhë është Ai, misionar dhe vizionar i paqes, këngë e lashtë lahutash, plis i bardhë drejt qiellit e këngë shekujsh është emri i tij. 

Urë që lidh brigjet e Adriatikut me brigjet e Atlantikut, është Ai. 

Flamur që valvitet në horizontet e ardhmësisë së kombeve tona, është Ai. 

Poemë lirie është emri i tij, himn për njerëzimin është emri i tij. 

Ai, burri i kombit e burri i botës, që tok me Uashingtonin, Linklonin dhe Uilsonin, lirinë, të vërtetën dhe drejtësinë – një i ngritën lart me perëndinë. 

Vallë, kush si Ai, zërin e një kombi të vogël dëgjoi, një komb i vogël në numër por aq i lashtë në gjakimin e tij për liri; qëkur Dom Ndre Mjeda shkroi me flatrat e fjalëve shqipe, ankthin e të gjithë brezave dhe gjeneratave: 

Të lumtë, o Uashington! U zhvillat qiella…Lirin’ e keni ju! Na hekra kena…

17.

                          “Zoti është dashuri”. Bill Klinton: Jeta ime. Kapitulli 50, fq, 846

Kur shpresa si një ëndërr e venitur, bashkë me lotët të ardhmen zë dhe fton,

e kur agimi zbardh si një ëndërr e bardhë-mbështjellur zë edhe zbardhëllon,

në krahët e fluturave rrijnë agsholet ku një emër zemrat peshë nderimit çon,

emblemë e bardhë me vulë të kohës, libër i hapur si një meteor: Bill Klinton.

Kur koha flet me zërin e vet dhe kur ëndrra vie dhe bëhet bardhësi e dashuri,

kur zemrat mbushen jetë e hov e vrull të ri, e kur qiellit yjet në flakërim fton,

aureolë e paqes shfaqet sipërfaqes e gjithë madhështi ngjitet lart në kaltërsi,

epokë në vete që shekujt mbrujnë denjësisht n’histori emrin e tij:Bill Klinton.

Kur e djeshmja i flet zëshëm të sotmes dhe e sotmja zë e nis të përshpërisë,

fillin e vet me fjalë fluturake e nis thellësive të kohës tek lashtësive mburon,

kur kokën e kthen nga e kaluara, e sotmja vetveten si Nositi zë e zogjtë i nis,

në gjakimin sa fisnik dhe njerëzor për paqen e për të ardhmen: Bill Klinton.

Kur paralaksë e dashurisë paqja zë e shfaqet madhnisht si një himn njerëzie,

kur vie nga thellësite e shekujve si një promemorje që përherë veten naltson,

kur rri si përmendore e si një vepër vigane në sfidë të të gjitha padrejtësive,

kujtesa kombëtare himne i thur edhe përjetësisht ate e nderon: Bill Klinton.

Kur shfaqet re e zezë në qiellin kuqezi ndër shekujt shkabës sonë t’përgjakur,

kur shami e valles e tingujt e lodrës hyjnite ilire sërish mëton qiellit që t’i fton,

kur tufët e kuqe të opingave mbajnë vetëtimat në ritmin e tyre iso e përflakur,

kësulë e bardhë ngritet krenare drejt qiellit tek denjësisht naltson: Bill Klinton.

Kur errësirë e shekujve ecën tinëzisht në majet e stërholla të vet gishtërinjve,

e kur kohët ziliqare tok me netët tinzare sulen trungut ilir: prapë tek kafshon,

kur hidhet e përdridhet kufirit-tek përvidhet hija e lashtë e atyre gjarpërinjve,

nëpër këngët e lahutave e në veprat e artistëve ai tok me ne rron: Bill Klinton.

Kur paqja rri e brishtë si një sorkadhe e trembur keq në hapësirat ballkanike,

e kur pëllumbat e paqes prapë i trazojnë sa herë qe urrrejtja errësirën e fton,

kur ikonat mesjetare e hijenat hileqare kurthe u ngrejnë ideve euro-atlantike,

në pëllëmbët e duarve edhe në gjurmët e kohës prapë zë e vie ai: Bill Klinton.

Kur mijëvjeçarëve zë e u bën sfidë shekulli i ri që paqen ai ia fali plot dhunti,

kur varganit të kohës si në një vargmal vigan i shkëlqen firma si konstelacion,

kur si një rrufepritës në mes të vetëtimave edhe rrufeve bie fjala e madhe e ti’

paralaksë dashurie paqja, e konstelacion yjesh që prore flakëron: Bill Klinton.

Kur rafalet këpusin prapë lulet e kur lulëkuqet në gjak sërish vijnë e na mbijnë,

kur korbat bien mbi shqiponjat e kur terrin agu prapë n’zbardhëllim zë e zbon,

kur Dardaninë si diell dardanësh fatosat e kombit sërish dijnë që ta përtërijnë,

koha mba plisin e bardhë mbi vetull dhe zemra gjithmonë nderon: Bill Klinton.

Kur shamibardhat mermerin mbi kurmet e dëshmorëve larë me lotët e puthin,

kur lotët pikojnë faqeve, e dhembja e çanë gurin në ofshamën që nuk mbaron,

kur eshka fton strallin e kur zjarrin si flakadan e nxjerr si llavë përmbi prushin,

stendat e muzeut krahanor, me shkronjat e emrit të tij na mbushen: Bill Klinton.

Kur nis me zë përjtësie e kur fjala në yllësinë e saj i vie sikur shenjë pavdekësie,

kur bie agimi përmbi dheun e të parëve si nje diell që përmbi ballë zë e vezullon,

kur breznitë orëmira e ngrejnë përmbi breznitë orëzeza veçse një flamur lavdie,

himn për njerëzimin e Nestor i urtë që koha me shekujt vetë bekon: Bill Klinton.

Filed Under: LETERSI

Në Ditën e Pavarësisë së SHBA prezantohet libri “United States of America and Albania – 1914-1961: State Department Papers”

July 5, 2023 by s p

Nga Kastriot FRASHËRI, Studiues, Avokat/

“United States of America and Albania – 1914-1961: State Department Papers” është libri më i ri që erdhi në gjuhën angleze pikërisht në pragun e 100-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm për studiuesit por edhe për politikëbërësit shqiptarë si një përmbledhje  me dokumente të Departamentit të Shtetit të SHBA për Shqipërinë të një harku kohor të gjatë prej vitit 1914 deri në vitin 1961 dhe natyrshëm është rezultat i përpjekjeve të mundimshme të studiuesit të mirënjohur dhe autorit Bejtullah Destani. Themi përpjekje të mundimshme të autorit pasi, si çdo herë, jemi përpjekur të dy së bashku vitin e kaluar për ta botuar në Tiranë por e patëm të pamundur të gjenim një financim modest për botimin e kësaj vepre me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare historike me qëllim për të dokumentuar këto lidhje midis dy vendeve tona pikërisht nga ata të cilët sot kanë rrëmbyer dhe mbajnë të shtërnguar fort në dorë flamurin e patriotizmit për tu dukur si pramerikanët më të mëdhenj të globit, por që për fat të mirë falë dashamirësisë dhe mbështetjes financiare të një shqiptari të mirë përtej kufijve të këtij vendi u botua nga “Olymp Publishing House” – Prishtina në bashkëpunim me “Centre for Albanian Studies London”, UK. 

Dokumentet e paraqitura në këtë vëllim me 565 faqe të përgatitur si një përmbledhje dokumentesh historike janë nxjerrë nga fondi arkivor i Departamentit të Shtetit në Washington DC dhe janë botuar në origjinal dhe natyrisht i përkasin çështjeve ekskluzive të politikës së jashtme që ka ndjekur Departamenti Amerikan i Shtetit që mbulojnë dhe që kanë të bëjnë me Shqipërinë apo situatën në Ballkan dhe Europë, sa herë që ngjarjet kanë të bëjnë me interesat shqiptare. Ky libër paraqitet para lexuesit me një parathënie nga studiesi Ilir Ikonomi, i cili  ka vlerësuar se “Përzgjedhja sjell një perspektivë të re për ata studiues që aspirojnë të studiojnë politikat dhe qëndrimet e qeverisë së SHBA-së ndaj kombit të vogël ballkanik gjatë një periudhe relativisht të gjatë kohore”. Në këtë këndvështrim kjo përmbledhje dokumentesh historikë sjell një panoramë të thellë zhvillimesh, sikundër e theksova më sipër jo vetëm për ata studiues që aspirojnë të studiojnë politikat dhe qëndrimet e qeverisë së SHBA ndaj Shqipërisë në një periudhe të gjatë kohore që vijojnë me momente kritike të saj pas shpalljes së pavarësisë, Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore dhe zhvillimet më pas të cilat dihet se krijuan domosdoshmërisht lindjen e një rendi të ri botëror.

Nga dosjet e para arkivore që ndodhen në Departamentin e Shtetit të renditira kronologjikisht në këtë përmbledhje janë ato dokumente që kanë të bëjnë me Luftën e Parë Botërore, kur Shqipëria kundër vullnetit të saj shërbeu si fushë beteje për palët ndërluftuese dhe për më tepër që kjo bëri që vendi të shkojë drejt një kaosi shoqëror, rrjedhoje kjo edhe e mungesës së eksperiencës së vetëqeverisjes dhe për të vijuar më tej me përpjekjet diplomatike jo vetëm të faktorit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit, ku Shqipëria gjendej në një situatë politike të brendëshme të dobët edhe në arenën ndërkombëtare.

Në dokumentet që paraqiten për periudhën e Konferencës së Parisit 1919-1920, spikat roli i Presidentit Woodrow Wilson me përpjekjet e tij për të arritur një formulë që do të siguronte përfundimisht pavarësinë e Shqipërisë brenda kufijve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1913 në përputhje me parimet e tij të njohura për të drejtën e vetëvendosjes së kombeve të vogla. Dokumentet e Departamentit të Shtetit të ekspozuara në këtë vëllim paraqesin një pamje të plotë të diskutimeve në Paris, ku Fuqitë e Mëdha diskutuan planet e tyre për Shqipërinë e pasluftës dhe për më tepër ka vlerë vendimi që të përfshinin çështjen shqiptare në çështjen më të madhe, të njohur si “Çështja e Adriatikut”, një lëvizje kjo që e bënte edhe më të vështirë pozitën e tyre.

Një nga pikat më kulmore të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona që përbën një zhvillim të ri në pozitën e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë është dhe procesi i njohjes së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në korrik 1922 dhe  padyshim edhe rruga se si janë projektuar interesat ekonomike Amerikane në Shqipëri që mesa konstatohet lehtësisht një dualitet me ato të Mbretërisë së Bashkuar, janë dokumente autentike që i japin një pamje shumëdimensionale koleksionit të përzgjedhur për botim.  Këto dokumente përfshijnë komunikime dhe raporte zyrtare ndërinstitucionale pa anashkaluar edhe ato në lidhje me naftën shqiptare ku amerikanët tregohen vigjilentë ndaj kësaj çështje të ekonomisë shqiptare.  

Po ashtu, ky vëllimi përmban dokumente që lidhen edhe me ngjarjet e trazuara të vitit 1924 në Shqipëri, dhe ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut.  Periudha e qeverisjes së Zogut, duke filluar nga viti 1925, karakterizohet nga një numër raportesh diplomatikë që kanë të bëjnë kryesisht me interesat ekonomike amerikane, veçanërisht me çështjen e naftës dhe dhënies së konçesionit të saj nga Shqipëria.

Në dokumentet e përmbledhura gjenden edhe një numër traktatesh të rëndësishme të nënshkruara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të udhëhequr nga Mbreti Zog, duke përfshirë shtetësinë dhe ekstradimin etj, si dhe diskutimet e kryera që çuan në këto marrëveshje.

Dokumentet amerikane mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore janë relativisht pak të njohura për studiuesit shqiptarë të historisë.  Këto dokumente përfaqësojnë raporte interesante për forcat që ndërliftuese në front që luftojnë brenda Shqipërisë, për luftën e nacionalistëve me komunistët dhe për marrëdhëniet e tyre me misionet e SHBA dhe Britanisë. Pjesë e këtij vëllimi janë edhe disa komunikime që përshkruajnë pikëpamjet e Mbretit Zog për situatën në Europë pak vite para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria kishte hyrë në marrëdhënie financiare vasaliteti me qeverinë e Romës. Vlen të qartësojmë se, megjithëse, pushtimi italian i Shqipërisë nuk është pjesë e këtyre dokumenteve, theksojmë se diplomatët amerikanë vazhduan të ndiqnin nga afër luftën italo-greke të viteve 1940-1941, të cilën Roma zyrtare duke përfituar nga traktati i njëanshëm i pushtimit shqiptaro-italian e përdori Shqipërinë si bazë ushtarake të saj.  Këto zhvillime politike ose ndërshtetërore pasqyrohen përmes komunikimeve të Departamentit të Shtetit me përfaqësuesit e tij në Romë dhe në Athinë.

Duke ndjekur një renditje kohore mund të themi se pjesë e konsiderueshme e këtyre dokumenteve që gjenden në këtë vëllim i përkasin zhvillimeve ndërkombëtare menjëherë pas luftës së Dytë Botërore, kur Departamenti i Shtetit refuzoi të njohë qeverinë e Enver Hoxhës.  Ndonëse në maj 1945 ai dërgoi një mision diplomatik në Shqipëri për të vlerësuar situatën përpara se të ndërmerte ndonjë veprim konkret.  Raportet e diplomatëve amerikanë  J. E. Jacobs dhe G.D. Henderson, si dhe udhëzimet e dhëna atyre nga Departamenti i Shtetit për çështjen e njohjes janë janë plot detaje dhe të ndjera edhe sot për të kuptuar politikën e ndjekur nga qeveria amerikane deri ditën që misioni u detyrua të largohet në nëntor 1946, kur Enver Hoxha refuzoi të pranonte kushtet e SHBA që lidheshin kryesisht me kërkesën që qeveria shqiptare të njihte traktatet e nënshkruara me Shtetet e Bashkuara para pushtimit italian të 7 prillit 1939. Përpos këtyre raporteve duhet të them që ky libër përmban gjithashtu një larmi artikujsh të tjerë në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje si dhe situatën jo vetëm në Shqipëri por edhe në të ashtuquajturin “Kampin Socialist” në të cilin bënim pjesë edhe ne të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik. Vlen të evidentojmë faktin se nga këto dokumente të paraqitira në këtë libër të cilat nuk janë botuar më parë deri në vitin 1961, nuk rezulton se qeveria e Shqipërisë të kishte shprehur ndonjë interes për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë botimi i këtij vëllimi në një moment të rëndësishëm historik që kulmon me 100 -vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona tregon edhe një herë rëndësinë që paraqesin këto marrëdhënie për elitën intelektuale të Shqipërisë për të cilën një meritë të padiskutueshme ka edhe studiuesi i mirënjohur z. Destani dhe “Centre For Albanian Studies in London” që ai drejton; Albanian Institute of National Affairs dhe faktorë të tjerë personalitetesh të nderuar dhe me kontribute të rëndësishme tej e këndej Atlantikut dhe në hapësirën Europiane që plotësojnë këtë rreth të gjerë dijetarësh brenda dhe jashtë Shqipërisë. 

P.S: Sapo isha duke përfunduar këto rradhë për këtë risi kaq të bukur dokumentare që vjen për historiografinë shqiptare nga mediat mësova se Presidenti Clinton (1993-2001) paska mbëritur për vizitë në Tiranë i ftuar nga kryeministri Rama ku ai do të qëndrojë dy ditë për të shijuar mikëpritjen shqipare… Sigurisht Presidenti Bill Clinton është i nderuar në mbarë hapësirën shqipare dhe meriton të pritet si hero pa asnjë hezitim. Do të dëshiroja që duke përfituar nga rasti në emër të autorit dhe botuesve ti dhuroja me respekt në ndonjë nga takimet e zhvilluara për nder të tij një kopje të këtij libri të veçantë i cili mer një vlerë akoma më kuptimplote të dashurisë shqiptaro-amerikane për një prej farkëtuesve të saj, pikërisht Atij, Presidentit të 42 të Shteteve të Bashkuara, por kjo sot është e pamundur të realizohet pasi në rendin feudal të Tiranës vështirë të depërtohet nëse nuk ke një kontakt të afërt se numra telefoni kontakti institucional të detyrueshëm këto vështirë se mund të gjesh të afishuara në faqet e internetit të institucioneve tona demokratike të një pushteti që ndonëse thuhet se buron nga populli, i përket vetëm të parit… Në një shtet serioz kjo nuk ndodh! Është detyrë e Protokollit të Shtetit të gjejë njerëzit e duhur dhe jo të bëjë show siç ndodh rëndom në këtë shtet-teatral vetëm për përfitime personale. Nuk mund të privatizohet! Kështu dyert për atë pjesën gri mbeten të mbyllura edhe për projekte të tjera kombëtare po të përmendim këtu faktin që ne kemi gati për botim edhe dokumente të tjera të rëndësishme përfshirë edhe historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me OKB që natyrisht pasurojnë historinë e Shqipërisë por që falë kësaj Kleptocracy sunduese nuk dalin në dritë ndonëse agallarët e këtij pushteti u mburën një vit të tërë me faktin që kryesonin Këshillin e Sigurimit të OKB dhe në anën tjetër nuk hapën asnjë derë komunikimi ndërkulturor (sqaroj se jam marë personalisht vjet në këtë kohë pothuajse një muaj derisa u dorëzova me telefonata dhe ecejake sa në MPJ, në Ministrinë e Kulturës apo andej nga godina e qeverisë mos gjeja një kontakt që ti binte në vesh të madhit që të urdhëronte të botohej ky libër, madje i ofronim të bënte dhe parathënien po të dëshironte ai, apo ministrja e jashtme, pa llogaritur këtu edhe mundësinë që të hapte botimi i këtij libri si një suvenir që mund ti dhuronte për homologët e tij kur të shkonte të fliste në New York në selinë e OKB) për tu ofruar një buqetë të bukur historike partnerëve të tyre dhe vendeve mike të Shqipërisë për të cilët ata duhet të krenohen me atë që kanë bërë para ardhësit e tyre në momente të vështira për vendin e shqiponjave, për të cilin ne duhet t’u jemi përjetë mirënjohës.

Filed Under: LETERSI

NË MAQEDONINË E VERIUT, GJUHA SHQIPE NUK ËSHTË BËRË ZYRTARE

July 1, 2023 by s p

Skender Karaçica/

Në vend të debatit

(Rreth shkrimit analitik shkencor të Dr.Aristotel Spiro: A duhet të rishikojmë drejtshkrimin, botuar në gazetën “Epoka e Re” Prishtinë, Korrik 2023).

Për gjendjen e (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën etnike në RVM-së në Tiranën zyrtare, herë pas herë, po bëhen shkarje e gafe edhe në rrafshin politik, diplomatik dhe shkencor për të ashtuquajturën “zgjidhja e çështjes shqiptare” në këto hapësira të shtetit multietnik në Ballkan.

Pse Tirana zyrtare nuk është në dijeni se si është zgjidhur çështja shqiptare në hapësirën etnike përmes aktit më të lartë juridik të Kushtetutës së RVM-së kur e kur populli shqiptar si popull i dytë shumicë me 40 përqind të përberjes kombëtare të popullit shqiptar, ende është në rrafshin kushtetues të këtij vendi vetëm si pakicë kombëtare dhe jo shtetformues.

Dr.Aristotel Spiro, profesor i gjuhës shqipe (Tiranë) në shkrimin e tij analitik dhe me taban shkencor: A duhet të rishikojmë drejtshkrimin? (botuar në gazetën “Epoka e Re” Prishtinë, korrik 2023) ndër të tjera shkruan: Shqipja është tashmë gjuhë zyrtare në tri shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut.

Përkitazi me konstatimin e profesor Arsitotel Spiro për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, kjo nuk vlen në hapësirën etnike për shqiptarët në RVM-së ndonëse pushtetet në ketë vend multietnik dhe populli shqiptar si popull i dytë shumicë, ende nuk e ka marrë hisën e vet kushtetuese (lexo:shtetformues por ka mbetur me statusin e popullit pakicë-SK) dhe gjuha shqipe nuk është bër zyrtare.

Në shkrimet e rrafshit kërkimor-shkencor dhe dr.Aristotel Spiro duhet të jenë në dijeni se çfarë është e vërtetë kur e kur flitet për gjuhën shqipe në hapësirën etnike në Ballkan jashtë kufinjve të shtetit shqiptar.

Dr.Aristotel Spiro, në frymën dashamirëse dhe si kolegë të gjuhës shqipe, po ua them zëshëm se gjuha shqipe në hapësirën shqiptare në RVM-së (ende) nuk është bër zyrtare. Për hirë të së vërtetës shih “Ligjin për 20 përqindshin) për përdorimin e gjuhëve për pakicat (lexo: shqiptare në RVM-së-SK) dhe do të bindeni se gjuha shqipe ka mbetur nën juridiksionin ligjor të popullit pakicë dhe jo shtetformues.

Tirana zyrtare duhet të jetë më e informuar sipas Kushtetutës të shtetit shqiptar për çështjen shqiptare jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe, në ketë rrafsh edhe institucionet shkencore, kulturore dhe të botës së dijes duhet të jenë më të informuar në vijën zyrtare të shtetit shqiptar dhe mos të bëjnë gafe.

Prishtinë, më 1 korrik 2023

Filed Under: LETERSI

KEQARDHJE DHE HUMOR I ZI I POETIT ME HEROINËN E TIJ

June 29, 2023 by s p

(SPROVË MBI POEZINË “ZONJA LU” TË ALI ASLLANIT)

Sadik Bejko

1. Një zonjë e bukur e viteve 1930

Poeti këtë poezi e botoi për herë të parë në vitet ’60 tek përmbledhja me poezi “Vidi, vidi pëllumbeshë”. Nuk e ribotoi prapë te përmbledhja e mëpasshme “Kur merr zjarr rufeja”, Tiranë 1966. Përse? Edhe në ato vite të quajtura të socializmit, një poezi e të vërtetave të tilla nuk duhet të merrej seriozisht. Mund të pranohej si poezi humoristike, si tallje me një grua të pacipë, për më tepër ajo trajtonte ngjarje që kishin ndodhur diku prapa botës, në Kinën e së shkuarës. Kështu nën velin e shakasë dhe të asgjëje më shumë, poezia “Zonja Lu” edhe kur botohej, duhet të mbetej në hije, të kalonte në heshtje,. Kjo arrihej me dashjen e autorit të saj, që shkruante e nuk botonte në kohë, por më shumë “me dashjen” e shoqërisë sonë që nuk kishte stomak t’i gëlltiste të vërtetat e saj të hidhura, të vërtetat mbi njeriun dhe mbi vetveten.

Parë nga mendësitë e së sotmes, nga relativizmi ynë deri në shprishje i marrëdhënieve tradicionale martesore, kjo poezi nuk sjell gjë të re. Por poezia është shkruar në vitet ’30, atëherë kur thuhej se gruaja shqiptare martohej vetëm një herë: me burrin dhe pastaj (për herë të dytë) me qivurin. Mbase për këtë arsye autori është treguar i kujdesshëm; ngjarje që mund të kenë ndodhur përpara syve të tij, i ka çuar në Kinën e largët, në një hapësirë e në një kohë të papërcaktuar, vetëm të marrë me mend.

Nga biografët e poetit ka të dhëna se prototipi real i Zonjës Lu, një e ve me emrin e vërtetë Lulushe K. a Lulëzime, ka qenë një zonjëz që bënte pjesë në rrethin e afërt familjar të vetë autorit. Ishte e re dhe vërtet e bukur: “Iu afrova… një flori, mrekulli, një bukuri”.

Subjekti i kësaj poezie është si më poshtë. Poeti i madh kinez Lu dhe e shoqja e tij duheshin shumë. Dashuria e tyre e kishte kaluar provën e jetës. Po prova më e fundme, vdekja e njërit nga bashkëshortët, ç’mund të sjellë? Përkundër betimeve të gruas, që në rast vdekjeje të të shoqit, ajo do të vriste veten, apo do të mbetej e ve për tërë jetën, poeti Lu i kërkon së shoqes që ajo t’i mbetet besnike deri në ditën që do të thahet balta përsipër varrit të tij. “Vetëm prit e ki durim, sa të thahet varri im”. Poeti Lu vdes. Zonja Lu tenton të vetëvritet, por e ndalojnë. Pas kësaj ajo e ndan mendjen që të mbetej një e ve e devotshme për tërë jetën.

2. Sa t ‘më thahet balta e varrit

Dhe këtu fillon poezia. Vihet re diçka e pazakontë. Gruaja e ve, Zonja Lu, fillon të shkojë shpesh e më shpesh te varri i burrit të vdekur. Të gjallët shkojnë te të vdekurit, te varret e të afërmve të tyre për të bërë ritet, pra në ditë të caktuara, ose shkojnë kur e ndiejnë që i shtyn për atje një nevojë e brendshme e shpjegueshme a e pashpjegueshme. Në rastin e parë, shkohet në varreza për të respektuar kujtimin e të vdekurit, për të zbrazur lotët e dhembjes, në rastin e dytë, njerëzit shkojnë atje për veten e tyre, shkojnë në varreza nga që nuk i kanë punët mirë përbrenda vetes.

Zonja Lu i shpeshton vizitat në varreza, por jo vetëm kaq: ajo atje i bënte veri varrit të burrit. I bënte fresk me erashkë. “Që t’i bësh veri një varri, është punë e një të marri” vëren autori. Mos është marrosur Zonja Lu? “Dorë e saja vente vinte, bën veri e bën veri”.

Zonjën Lu nuk e shqetëson më kujtimi a respektimi i të vdekurit, varri është problemi i saj tani. “Varri është i freskët, është i njomë e është i ri”. “Që të thahet shpejt e shpejt, Zonja Lu i bën veri”. Zonja Lu cdo ditë bën një punë prej të marri: e përkulur mbi varr, rreh të thajë baltën e njomë të tij.

Çfarë ka ndodhur? Dy ditë pas vdekjes së burrit, ndërsa ajo shkonte në varreza për të qarë, një burrë i ri dhe i pashëm shpejt ia prishi mendjen:

Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh, një bukurrosh

e i thotë zonjës Lu: ti shëndosh e un’ shëndosh!

Zonjës Lu kjo e papritur i bie në kokë. Sa më shpejt duhet të hidhet në krahët e këtij burri të ri. Ajo është nga ato gratë e vendosura që i arrijnë dëshirat, që veprojnë t’i realizojnë ato.

I duhet që të shmangë vetëm mbetjen peng te një fjalë e dhënë burrit të saj të vdekur. “… zonja ësht’ besnike, ka dhën’ fjalën, ka bërë bé”. Burrit që vdiq, poetit Lu, ajo i ka premtuar se do të mbetet e ve, përjetë, ose, së paku, do të jetë e tillë deri sa atij t’i thahet balta e varrit. Ky është kushti që i ka vënë poeti i madh Lu. “…Luja ime, është e shkurtër jetë e shkret \ vetëm prit e ki durim, sa të thahet varri im”.

Ky është një detyrim. Zonja Lu ka përpara një varr të freskët, një tog me baltë të njomë, që duhet ta thajë. Asgjë më shumë.

Në vend që ta lajë me lotë të nxehtë, do që ta thajë me një erashkë baltën e njomë para saj.

Fillimisht të ndalemi te idioma “ të bësh veri” që do të thotë të bësh fresk kur je në vapë, ose të thash diçka që është e njomë, e lagur, siç thajmë flokët me tharëse. Idioma tjetër, prit sa të më thahet varri, është pak më e komplikuar. Poeti Lu e dinte se po të vdiste në muajt e verës, varri pas dy ditësh do të ishte i tharë. Po të vdiste në muajt me lagështi, duhet të pritej deri sa të kthehej dielli, që balta e varrit të thahej vetiu. Idioma “sa të më thahet varri”, do të thotë, më prit një periudhë kohore që zgjat sa një stinë, prit sa të thahet kujtimi im jo balta ime, dmth sa të harrohet vdekja ime. Kjo mund të nënkuptonte dhe një vit kohë, dhe disa vjet. Ky kusht “kinez” ngjan me një kurth. “Sa të më thahet varri” nuk ka të bëjë me baltën. Kushti kërkon atë kohë të mjaftueshme, atë largësi të respektueshme nga kujtimi i dikujt që e kemi patur ndër njerëzit tanë më të dashur.

Te tragjedia Hamlet e Shekspirit, hasim në shpërthime dramatike për atë që sa pa u ftohur gjellët funerale të vdekjes së mbretit, u shtruan gjellët e festës së martesës së gruas së tij Gertrudës, mbretëreshës së Danimarkës me kunatin e saj. “Se oh, se oh, u shua, \ i drunjti kalë u harrua”, shpërthen në sarkazmë Hamleti. Nuk paskemi pasur një mbret të vdekur, po një kalë të drunjtë që u thye dhe shpejt e flakim tutje, pa asnjë lëndim.

Ali Asllani, butë, pa lëndime në dukje, na përcjell me nota humori, jo një mbretëreshë, po një grua të bukur, që nuk do të mbetet e ve, që po kapërcen mbi vdekjen e të shoqit për gëzimet që i premton tashmë një burrë tjetër.

3. Një grua e vogël, një njeri i rendit të tretë?

Në estetikën klasiciste por edhe në mendimin kritik të mëvonshëm deri te Tolstoi, përflitej termi “njeriu i vogël”, “njeriu i rendit të tretë”. Tragjikja, sublimja, e madhërishmja u përkisnin njerëzve të rendeve të larta. Njeriut të rendit të tretë i përkiste komikja, e shëmtuara, e ulta. Më tej realizmi, si drejtim artistik, zbuloi tragjiken dhe te njeriu i rendit të tretë.

Mos vallë zonja Lu bën pjesë te ky “njeriu i vogël”? Një zonjë që nuk është e denjë për tragjedi.

Hanko Halla e poemës me të njëjtin titull është tragjike e njëherësh komike, por kryesisht tragjike; ajo vuan e mbetet peng në moskuptimet e kohëve dhe të brezave. Zonja Lu nuk është as tragjike, as komike. Ajo është një grua e mbushur me dashuri dhe me përkëdheli të ëmbla. Duke qenë e bukur dhe nga një shtresë e mirë shoqërore, atë jeta e ka përkëdhelur. Vdekja e papritur e burrit të saj, një “Poet i madh i vendit, \ që peshohej këngë e tija me dërheme të ergjendit”, fillimisht e vë në situatën dramatike të vetëvrasjes. Por shpejt ajo e merr veten. Përballë sheh një tog me baltë, të cilin duhet ta thajë, për të ecur më tej me një martesë të re, të njomë mbi thatësirën e botës tokësore. Poezia sjell ndjenja, gjendje, të ngjara tokësore. Vdekjet si çdo gjë tjetër, përsëriten dhe lënë një varr prapa tyre. Ata që mbesin gjallë, vazhdojnë jetën. I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurit. Vetëm kaq.

Zonja Lu, gruaja që i bën fresk me erashkë varrit të burrit të vdekur, është një nga imazhet më të rralla në krejt poezinë shqipe.

Si poezi me subjekt, me personazh qendror një grua, me situata që shtjellohen gjatë rrëfimit poetik, me një notë humori që ashpërsohet e ngjyroset me tonet e së errëtës, Zonja Lu disi afrohet me poemën “Hanko Halla”, kryeveprën e autorit.

Cili është faji i kësaj gruaje që satirizohet në poezi? Ali Asllani e paraqet atë si një grua pak lozonjare, por ai nuk moralizon. Heroina e tij tundohet nga një djalë i bukur dhe do që ai të zërë vendin e të vdekurit në shtratin e saj. Nuk bëhet fjalë për dashuri. Bëhet fjalë për joshje të ndërsjellë, për premtime të ëmbla, për shijimin e së hijshmes. “Ti e un’ një çift i ëmbël, çift i ëmbël, çift me shije, \ çift o çift që s’ka të dytë, si dy kokërrza qershije”, këto i thotë djaloshi. Zonja Lu si një fëmijë nuk pret sa t’i shijojë… “kokrrat e qershisë”.

Nuk besoj se këto që ndien zonja Lu janë të fajshme. As autori nuk e thotë. Autoi vetëm habitet, por me shumë elegancë gati sa nuk thotë që i pëlqen kjo që i del para syve: një mrekulli, një bukuri, një grua e gjallë, vitale.

Sado heshti buzë e kuqe, foli syri i saj i zi… \ dorë e saja s’kish të lodhur: bën veri e bën veri

Zonja Lu “gaboi” vetëm kur e mori fjalë për fjalë “tharjen e varrit”. Kushti “sa t’më thahet balta e varrit”, në dukje ngjan me një shaka. Po ky kusht kaq i pafaj dhe i parëndësishëm bëhet shtysa më boshtore e krejt poezisë, si në vazhdimin e saj rrëfimor, edhe në zbulimin më të plotë të personazhit. Zoti Lu si burrë dhe si poet e dinte që me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, tjetri që mbetet i gjallë, është i zgjidhur nga detyrimet për dashuri dhe për besnikëri. Dashuria, besnikëria janë dukuri të kësaj bote, nuk kanë punë me botën tjetër. Poeti Lu (Ali Asllani) e di se sa të paqëndrueshme janë lidhjet njerëzore. Përmasa e njerëzores i bën ato të tilla: të brishta, të thyeshme.

4. Humor i zi: thahet vallë varri me një erashkë?

Zonja Lu nuk gaboi që u marros pas një tjetri, vetëm dy ditë pasi i vdiq burri. Kjo ishte natyra e saj. Nga të dhënat e biografëve vjen kumti që Lulushe K., zonja Lu e jetës reale, pas një jave nga vdekja i tha së ëmës: pëlqej një burrë tjetër dhe nuk pres sa të martohem me të. Lulushja e Vlorës u martua pas dy-tre muajsh nga vdekja e burrit, pa pyetur për mospëlqimet e njerëzve të afërm. Këta të afërm nuk ia falën, nuk i folën përjetë. Por zonja Lulushe K. iu dha kënaqësive të jetës, i shkeli rregullat e sjelljes së mirë në shoqëri, deri dhe lidhjet me të afërmit e saj.

Ali Asllani e ndëshkoi atë me shkruarjen e kësaj poezie. E vuri me një erashkë në dorë sipër një varri të njomë. Gjë që nuk ka ndodhur, por si situatë tragjikomike e fantazuar është e një forcë artistike të pashoqe. Njëherësh duke ndjerë keqardhje për të, ai e fshehu këtë poezi në sirtar, sikur të ndruhej nga publikimi i saj. Mbase e botoi kur prototipi i zonjës Lu, nuk ishte më në jetë. Nuk ishin më as familjarët e tjerë që mund të fyheshin. Nuk i shkonte një zotërie si ai, që me një poezi të tillë, të lëndonte kujtimin e të afërmve, kujtimin e heroinës së tij.

Patriarkalizmi i kohës së Hanko Hallës në vitet ’30 po shthurej, por jo deri në atë masë sa shoqëria e asaj kohe t’i pranonte ashiqare e me plot gojën shkëputjet me të kaluarën. Shoqëria e mirë kërkonte respektimin e klisheve zakonore.

Megjithatë autori nuk i fsheh te vertetat; na ka vënë përballë një zonjë Lu të papërmbajtur, që nuk pret sa të hidhet në krahët e të gjallit. Një zonjë Lu që përtej betimeve shtijanike dhe veprimeve sa për sy e faqe, i vihet punës që ta thajë varrin me pahir. Poezia e stërzmadhon gjer në sarkazmë, gjer në një situatë të humorit të zi gjestin e Zonjës Lu. Thahet varri me një erashkë?

Me kë tallet kësisoj kjo poezi? Me patriarkalizmin? Me zonjën Lu? Me natyrën e njeriut? Me fatkeqësinë e vdekjes që e vë njeriun para provave të tilla, sa ai zbulon lakuriq vetveten? Mos vallë tallet dhe me varrin që e përdhosin me tharjen dhunshëm të baltës së tij, në vend që të bënin të kundërtën, ta ngrohnin me shiun e lotëve. Mos po përdhosim vdekjen, atë që duhet ta respektojmë? Mbase autori tallet nga pak me të gjitha këto më lart.

Imazhi është vërtet çmeritës: një grua që gjasme qan burrin, po që nuk I pritet as sa t’i thahet varri.

Histori të tilla ishin të rënda për t’u thënë me zë të lartë edhe deri tani vonë.

Mbase autori me këtë poezi na thotë se martesa është një shfaqje konvencionale dhe dashuria në martesë një teatralitet i ndjenjës. Edhe disa nga veprimet e betimet tona janë teatrale. Nuk janë të vërteta. Të vërteta themelore janë jeta, vdekja, gjaku i nxehtë i njeriut dhe dheu i varrit që e mbulon atë. Të tjerat janë relative.

5. Zonja Lu ndër poezi të tjera dashurore të autorit

Zonja Lu zë një vend të veçantë në krejt poezinë e Ali Asllanit. Pasuria e lirikës së tij dashurore na ka zbuluar ndjenjat e së bukurës, të dhimbjes, të përgjërimit e të gëzimit dashuror në një poezi të së lartës, të sublimes e të së përjetshmes. “Zonja Lu” vjen si kontrapunkt i poezive të tjera të dashurisë të autorit, i poezive të përgjërimeve, të përkushtimeve, të lektisjeve, të turbullirave dhe të pështjellimeve shpirtërore, në atë dhënien me mish e me shpirt pas së bukurës. Derisa kjo e bukur është e përkohshme si edhe jeta, pse mos të jemi edhe ne të tillë: përkohësisht të dhemshuruar, të përgjëruar, të nxehtë dhe të turbulluar deri në marramendjen dhe përhumbjen më të thellë të mundshme? Një përkohësi e së përjetshmes. Një e përjetshme e përkohshme e harxhuar dhe kurrë e përmbushur.

Prapë mund të thuhet se zonja Lu është njeriu tjetër, jo njeriu i thellësive të mëdha të lirikës së Ali Asllanit. Zonja Lu është njeriu i vogël, ajo që estetët e dikurshëm e quanin njeriu i rendit të tretë. Te ky njeri lakuriqësitë tona janë të shprehura më ashiqare. Përballë një varri dhe një dashurie të shfaqur, ne tashmë e dimë se kë zgjedhim. Dhe njeriu i rendit të tretë a njeriu i rendit të parë kanë se ç’të gjejnë te kjo Zonja Lu. Kanë seç të gjejnë në veten e tyre: të varrosin sa më parë atë që vdiq, për të përqafuar të gjallin që na premtohet. S’kanë nga t’ia mbajnë.

“…Zonja Lu i bën veri”. Imazhi është konkret, i zhveshur, i prekshëm. Ky imazh përfundimtar na jep të gjithëve një fshikullimë të fortë, një flakërimë, për të na thënë se jemi gati të shkelim jo më mbi premtimet, po dhe mbi varrin, për të arritur synimet e gjakut e të ndjenjave tona. Autori këtu është një realist i ashpër. Humori bëhet i zi dhe cinizmi, sado i butë dhe i fshehur, i zhvesh dhe i hedh tej maskat tona të mjera.

Përshkallëzimi poetik nëpër nyjet e subjektit është degradues dhe çon nga humori përqeshës dhe jo nga dramatika dhe tragjikja.

6. Universaliteti i kumteve

Pjesa e dytë e poezisë shpjegon dhe përgjërimet boshe dashurore të pjesës së parë. Natyra e marrëdhënieve burrë-grua është teatrale, por një teatralitet i luajtur bukur, se njerëzit më tepër se sa ndjenja të thella shprehin imitimin, shkërbimin e ndjenjave të tilla brenda një lidhjeje konvencionale siç është martesa. Zonja Lu është e tillë në Shqipërinë e viteve ’30, në Kinën e lashtë dhe në Shqipërinë e sotme. Poezia kështu merr një përmasë universaliteti dhe thellësie në zbulimin e natyrës njerëzore. Sadoqë Ali Asllani duke i hedhur ngjarjet në Kinë, u mundua t’i fshehë, t’i transferojë gjetkë fajet, kjo ishte, kjo është Shqipëria. Universale në përjetimet e njeriut të saj si kushdo tjetër në botë dhe provinciale në fshehjen e këtij universaliteti. Meskine në hipokrizinë e saj dhe prapë universale në shfaqjet e ndjesive të së njerëzishmes \ të së panjerëzishme, të asaj që quhet jetë.

Ngjan se i biem shumë në qafë Zonjës Lu, përpëlitjeve të saj në marrëdhëniet me martesën, me jetën dhe me vdekjen. Janë përpëlitje dhe hipokrizi që të gjithë i luajmë, ndonëse pa e kuptuar se po i luajmë. Jemi shumë të sinqertë në lojën tonë. Madje fyhemi po të na thuash që luajmë, që nuk jemi realë. Në këtë pikë zonja e bukur dhe e ëmbël Lu është mrekullia vetë. Është më e sinqerta nga të gjithë dhe në mënyrën se si e vizaton autori, është më e pafajshmja. Në çdo moment ajo është vetvetja. Kur betohet se do të vrasë veten, nëse humbet burrin, është e sinqertë. Sapo ndodh vdekja, ajo vërtet merr thikën të vrasë veten. E pengojnë të bëjë vetvrasje dhe aty ajo kujtohet për premtimin e dytë: të mbetet përgjithmonë vejushë. Edhe këtë herë ajo e ka me gjithë mend. I shfaqet një burrë i ri dhe i bukur dhe ajo kujtohet për kushtin e vetëm dhe të vockël: tharjen e varrit. Ashtu bën: duhet të thahet varri, pa të bashkohet me të riun. Ai gjesti i saj që bën veri për të tharë varrin sa më shpejt, nuk është fort i honepsshëm moralisht, por në gjithçka ajo e respekton ish-burrin. Pra, ajo është brenda vetes në të gjitha rastet. Një grua si Zonja Lu vetëm kështu mund të veprojë. Edhe me burrin e ri do të jetë po kaq e sinqertë. Do t’i betohet me gjithë shpirt për dashuri ashtu si burrit të parë. Edhe me një të tretë të mundshëm po e tillë do të jetë. Siç thamë, Ali Asllani nuk moraizon. Ai vetëm e paraqet ashtu si është personazhin e tij.

7. Freskia e gjuhës, e ritmit, e rrëfimit

Edhe në këtë poezi Ali Asllani është poet i përshkrimeve të gjalla dhe shqisore. Disa nga vargjet më mbresëlënëse e shprehin këtë: “Ti e un’ një çift i ëmbël, çift i ëmbël, çift me shije, / çift o çift që s’ka të dytë, si dy kokërrza qershie”. Zonja Lu do të vetëvritet “ta bëjë copa-copa mishtë… me biçakun e fildishtë”.

Përsëritja, krahasimet, rima, ritmi i gjallë dhe fluturues, imazhet goditëse, idiomat nga gjuha e folur, ironia si edhe në këtë poezi, janë nga tiparet më të ngulëta të poetikës së Ali Asllanit.

Poezia “Zonja Lu” krijon një personazh të paharruar. Ajo nuk i arrin lartësitë e poemës “Hanko Halla”, po mbetet ndër poezitë e tij që përherë do të tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës.

Është një zonjë e re që do të thajë, varrin, vdekjen. “… zonja Lu i bën veri, bën veri.”

Me këto fjalë fillon dhe me këtë varg mbyllet poezia “Zonja Lu” e Ali Asllanit.

Shënim: citimet janë nga poezia Zonja Lu, në librin “Vidi vidi pëllumbeshë”, TOENA, Tiranë 1999

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT