• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalёkalimi /“The Password”

October 1, 2022 by s p

Nga Iris Halili/

Më duhej të hapja një llogari, mbrёmё. Jo bankare, jo, por mё duhej tё hapja njё llogari nё rrjetin virtual, njё website, të cilin kisha muaj pa e përdorur e qё ishte bllokuar mё keq se kasafortat bankare. Kujtoja se bllokun e vogël ku mbaj në kujtesë fjalёkalimet, e kisha vënë në vendin e vet, por, nё tё vёrtetё, nuk e gjeta. Filloi sekёlldia dhe ankthi. E mbledh veten shpejt. Bëj të kujtoj fjalёkalimin, për dreq, hiç, sёrish. Dhe kokёçarja filloi nga e para: krijo fjalёkalim të ri, emёr tё ri pёrdoruesi e kështu me radhë, derisa i thirra mendjes e kuptova se, padashur, isha bёrё edhe unё pre e ritualit tё kohës që jetojmë.

S’bёn dot njё hap pa fjalёkalimet në ditët e sotme. Shumë punëve mund t’u shmangesh, por atyre jo. Paradoksi më i madh është se, sa më shumë rritet transparenca e personit tonë në publik falë googlizmit, mediave sociale, GPS-sё, algoritmeve etj., aq më shumë shtohet numri i fjalёkalimeve qё duhet tё mbahen mend. Aq e vërtetë është kjo, sa në SHBA, si për çdo gjë tjetёr, i kanë dedikuar ditën botërore edhe fjalёkalimit, që i bie të jetë e enjtja e tretë e Majit. Duhet t’u gëzohemi kёtyre fjalёve që na ruajnë nga piratёt e rrjetit, apo duhet më shumë t’i pёrçmojmё, pasi na bëjnё tё futemi nëpёr ca kasaforta me shumë kode, por me dyer tё shqyera?

Një ndër pёrvojat që brezi ynë s’e kishte provuar deri kur i kapërceu të 30-at, ishte përdorimi i kodeve tё fshehta. Ne u lindëm e u rritëm pa kode, pa fjalёkalime, se bota jonë nuk ishte e futur nё një valixhe, s’ishte figurё e vogёl, e fiksuar, apo e levizshme nё njё ekran kompjuterik, siç ёshtё tani. Të vegjël, ne kishim vetëm një sekret dhe ky ishte çelësi i shtëpisё që na varej në qafë me spango, por edhe ky ishte njё sekret qё e dinte gjithë familja. Sot, fëmijët kanë fjalё-kode, gjoja të kontrolluara nga prindërit, por shpesh rolet pёrleshen me njёra-tjetrёn dhe kontrolli humbet.

Nuk numёrohen fjalёt qё na duhet tё shpikim e pastaj t’i mbajmё mend, pёr tё kaluar fjalёkalim. Japim e marrim me kёtё gjetje tё re teknologjike e më në fund mendojmё se e kemi gjetur zgjidhjen. A nuk është më mirë tё kemi një fjalёkalim për të gjitha llogaritë?! Të paktën, kёshtu, e mbajmë mend përmendësh. Por, befas, një llogari bllokohet dhe na duhet që të kërkojmё tjetёr fjalёkalim. Këtu fillojnë ngatërresat, harresat dhe çastet që gjithmonë na bëjnë të humbim kontrollin. Shpesh, madje shumë shpesh, ato krijojnë efekte emocionale, sa herë që zёri jo njerёzor i kompjuterit na thotё: “fjalёkalimi juaj s’ёshtё i saktё”, apo “s’ёshtё i sigurt”, “ёshtё shumё i shkurtёr”, “mos je gjё robot?”, etj., etj.

Ndonjëherë mendoj se fjalёkalimi është kthyer në simbolin dhe ironinё më të arrirë të kohëve tona dhe ai padyshim ka një efekt në tru, domethёnё, kur e krijojmë apo e ndërthurim, nuk ka rastësira. Kjo, pasi, bashkë me tё, na duket sikur risjellim nё kujtesё: pёrvoja, dëshira, mall, lutje, humor, data. Përmes shumë fjalёkalimeve që harrohen, apo ndërrohen pa u ngulitur ende në kujtesë, apo ato tё tjerat që sapokrijohen edhe harrohen nё atё çast, janë edhe disa kode tё fshehta që i mbetën kohës. Ashtu, gjoja rastësisht, kёto kode, as nuk i harrojmë e as nuk i ndryshojmë. Për te mos folur më pas për fjalëkalimet që i përdor gjithë familja dhe që ia kujtojmë njëri-tjetrit sa herë ndonjëri nga ne ndihet në siklet!

Në kohën që jetojmë duket sikur edhe marrëdhëniet shoqёrore janë fjalёkalime më vete; tani i krijojmë e mё pas i ndryshojmë. Njerёzit janë bërë të gjithë si fjalёkalimet qё hyjnë e dalin në jetën tonё dhe, befas, harrohen si të mos i kesh njohur mё parё. Ёshtë koha e fjalёkalimeve që na ka bёrë të tillë, apo ne, padashur, kemi krijuar botёn tonё tё ndёrlikuar qё ka nevojё pёr dryna?!

Sёrish, kompjuteri mё thotё se duhet tё vёrtetoj qё s’jam robot pёr tё marr kёtё përgjigje.

Filed Under: LETERSI

O ZOT I FJALËS SHQIPE

September 30, 2022 by s p

ARISTOTEL SPIRO/

ose LE TA MBROJMË PËRKTHIMIN NGA SHQIPËRIMI!

(LUTJE PËRKTHYESIT)

O Zot i Fjalës Shqipe,

O Perëndi Ligjërate!

Shpëtona kumtet e largëta prej gjuhësh të pakuptueshme!

Përkthimin mbroje nga tundimi i shqipërimit!

Bëhu shtrat që të shoh përmes teje mrekullitë e mendjes njerëzore,

çka shtrihet përtej gjuhës amtare.

Bëhu ti monument mbi piedestale veprash të përbotshme,

veç kurrë piedestal narcizist shqipërimi.

O shqipërues,

në qofsh i zoti të shprehësh shqip çdo fjalë e frazë të huaj,

shqipen nderoje duke i dhënë dashuri shkrimit të bujtur,

bëna të ngjitemi bashkë shtigjesh të panjohura mendimi.

Shpëtoje veten nga tundimi i krenarisë ligjëruese;

përmbaje dalldinë,

shelbona nga egoizmi i shqipëruesit,

bëhu më në fund i vërtetë

bëhu përkthyes

dhe t’u falshin mëkatet e vogla kuptimore,

sikundër ti ua fale përkthyesve të gjuhës sonë shtegtare.

o Zot i Fjalës Shqipe,

o Perëndi Ligjërate!

30 shtator 2022

Filed Under: LETERSI

Poeti Cana që zbërthen me kode gjuhën e bilbilit

September 27, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Bilbilit kush ja di gjuhën,

Të më thotë mua dy fjalë!

T’i këndoj mikes së zemrës,

T’ja them, t’a kërrejë mallë!

Poeti Danel Cana me penën e tij ka sjellë para publikut një sërë librash me poezi, publicistike, fabula, roman. Do të ndalem në poezitë e tij lirike, që janë dhe perëndesha e frymëzimit tim për të shkruar këtë ese rreth krijimtarise së tij brilante. Në majën e dritës së krijimtarisë hedh si vetëtimë përflakëse për vashën flokë bukur si tëndë. Vargu krahasues me sevdanë e sevdave e bën poetin t’i çahet zemra më dysh për bukurinë mahnitëse të vashes dhe t’I thurr vargje me metafora sa syri t’i djersisë.

Dhe ja si i këndon në poezinë: “Flokë bukura si tëndë”: Flokë bukura si tëndë/ Veron një kope e tërë/ Kur i shoh mbetem pa mëndë/ Aty gjumi të më zërë.

Mjeshtërisht di të perdorë artin popullor dhe të sjellë koloritin lokal të trevës së Vagalatit, Tepelenë prej nga është poeti si: Trupi yt porsi lastarë/ Si purteka e lajthisë/ Aty syri të djersisë/ Të ti prek pak ato sisë/ Si gjëmbat e kulumbrisë.

Duke lexuar këtë lirikë të arrirë Danel Cana të kujton poetin e shquar Ali Asllanin i cili në poezinë “ Pyeta valët vogëlushe” shkruan: Pyeta valët vogëlushe/ mu si krahët e një gushe/ përmbi supe nga një shkumë/ kush më pak e kush më shumë/ venë e vinë e shkojnë e shkasën/ dhe përhera për ty flasën.

Poeti Cana sjellë pranë ne lexuesve reflektim drithërues, duke u zhuritur në mallin për vendlindjen atë që na kanë lenë amanet të parët tanë urtësinë dhe dashurinë për trojet. Ai shkruan: “Tepelenë sa të dua/ o vëndi ku puthen retë/ Erë edhe stuhi të bëhen/ të maten me Bilbilejtë/ Vend i trimave të sertë/ që shkëlqyen histories”.

Poeti Cana është patriot, atdhetar me zemër të zjarrtë që edhe pse i mërguar pena i shkruan për Shqipërinë, Vlorën legjendare, Vlorën e Flamurit, Vlorën e Atit të Pavarësisë së Kombit. Le ta lexojme: “Veshur rroba nusërie/ O Vlora ime me derte/ Buzë Jonit Fanar ishe/ Fanar në histori mbete”!

Poezitë e tij sjellin shqetësimin qytetar, shqetësimin e një shqiptari që shpesh Europa, liderët e saj kanë dashur ta largojne edhe pse vendi ynë është në zemër të Europës, është histori e saj. Poeti Cana thotë se vetë Zeusi, Perënditë e Olimpit janë përulur për Pellazgët, kulturën, gjuhën e tyre ndaj ai shkruan: “Vetë Zeusi u përkul/ Të puthi gushën dhe gjinë/ Magjepsur ish’ pas bukurisë/ Të fali dashurinë/ Ti bijë e bukur e Telefesës, copë e zemrës tij/ Mbi ty Evropë e hodhi dritën dhe gjithë Pellazgjinë”!

Metaforat e tij pikturojnë portrete të një jete të jetuar apo në imagjinate të përkushtuar për të qenë sa me i vërtetë me vehten.

Dhimbjet e tij filluar me Vagalatin piktoresk nga natyra, por në harresë nga shteti janë dhimbje dhe klithje universale poetike që zgjojnë të përgjumurit e kujtesës dhe ngre një shkallare vuajtjesh që e pamundur t’i kapësh dot dhe as t’i zbresësh në tokë…

Intuita e tij poetike shfaqet me një harmonizim si në tingëllimin kuptimor, leksikor e fonetik.

Arti në këto poezi ka muzikalitetin dhe mjaltëzimin e sensualitetit femëror. Vargjet janë gjithë reflekse ujëvarash, janë këngë burimesh që pikojnë nga gjinjtë e maleve hijerëndë të Tepelenës.

Burimet janë dritë, janë këngë, shuajnë etjen, ndezin zemrat dhe frymëzojnë poetët si Cana.

Unë i kam lexuar me vemendje poezitë dhe shijova emocionin e sinqertë dhe nuk u mbyta në zhguallin e artit nën klishetë moderniste të akullta, dogmatike dhe moralizime.

Poezia e Canaj doemos që ka ndikime dhe prej poezisë popullore, prej artit të aristokrateve të fjalës që e sjellë poezinë e tij prej kozmocentrizmit në homocentrizëm.

Ai ngre në art kultin e vendlindjes, të familjes, të nënës fisnike mezhgoranase etj. Poezia e tij është shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, dhe i fjalës së bukur.

Shqetesimet i sjellë natyrshëm në art, por dhe me një Mea Culpa se nëse do të kishte gjë në dorë, do të kishte sjellë ndryshimin.

Me mjaft elegancë dhe dashuri ka sjellë respektin dhe delikatesën e Vasilliqisë, zonjës së bukur të Ali Pashë Tepelenës e cila i qëndroi besnike deri në fund të jetës së tij. Tronditja e saj kur pa kokën e prerë të Aliut të saj nga turqit drithëroi çdo pasha dhe shkrimtar në Europe, doemos dhe poetin Cana i cili e përshkruan si më poshtë: “Kapedane sypatrëmbur/ nuse Epiriote/ Në kamare vendos lule/ rrotull asaj koke/ Përmbi ty, o Mjekërr Artë/ Kapedani im/ Nuk e zë vëndin në zemër/ më i miri trim/ Lehtë përmbi ball vendosi/ një monedhë prej Ari/ Zakon i të parëve tanë, traditë shqiptari”.

Poeti Cana është një lirik i kohës dhe vazhdon pa u ndalur për të zbërthyer vetëm me kode gjuhen e bilbilit dhe bilbilat nuk i zëvendëson asnjë zog, sepse këtë privilegj e kanë vetëm poetët e vërtetë. Metaforat e përdorura që duket sikur shkruhen dhe këndohen me fyellin e brinjve bëhen simfoni: “Melodi si erë të bëhem/ Të fluturoj ku të dua/ Bashkë me vesën e mëngjesit/ Të rri mbi buzët e tua!”

Poezitç kanç një harmonizim dhe një përshtatje të bukur leksikore dhe fonetike duke u përshtatur artistikisht me muzikalitetin që vihen në shërbim të mesazheve qiellore dhe tokësore. Ato sjellin si dritaret me kanate me pamje nga pemët e gjelbërta, dritëzimin në çdo skaj, dhe të lëbyrin sytë nga dielli që ngroh fshehurazi një guguftu si: “T’më përkëdhelësh me ëndje/ Melodi si erë të bëhem/ Të fluturoj ku të dua/ Bashkë me vesën e mëngjesit/ Të rri mbi buzët e tua”!

Tematika e poezive të tij janë më së shumti meditative-filozofike, erotike dhe atdhetare.

Poezia atdhetare e Canaj është klorofili dhe ushqimi i jetës. Lidhja e pashmangshme me vendlindjen, e bën dhe më human dhe natyrshëm më krenar për Kombin,

Në poezitë e tij shpesh ndjen se futesh në një laborator ku ndizen proceset kimike dhe mundohesh të spjegosh misteret që sjellin figurat artistike.

Ato kanë fuqi të padukshme, fuqinë e penës që di t’i zbërthejë vetëm poeti këto mistere poetike thjesht pakuptuar.

Poezitë e tij janë si shkëndijëza ashtu siç do tëshkruante Ali Asllani për poetët e vërtetë në librat e tyre si: Sikur një gur stërrall/ Në gji zjarrin e ka ngjall/ Qoftë në lum e qoft në det/ Zjarr i tija nuk humbet!

Poeti Cana zbërthen me kode ethshëm në poezitë e tij gjuhën e bilbilit, gjuhën e zogjve që fluturojnë të lirë në hapësirat qiellore, Liri që e ëndërrojnë të gjitha qeniet njerëzore.

Vazhdo të këndosh si bilbil, Poet, dhe ne do të lexojme gjithmonë!

26 Shtator, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: LETERSI Tagged With: Keze Kozeta Zylo

NUK MUND TË RECEPTOHET FISHTA ME RECEPTORËT E FIKUR…

September 24, 2022 by s p

Frano Kulli/

Debati për drejtshkrimin e shqipes, siç ajo është shkruar deri në vitin 1972 apo simbas gjuhës së njësuar atë të vulosurën në kongresin që u pagëzua me emrin i drejtshkrimit, ngjitet shpesh në skenë e kështu, me një intensitet të rritur po ndodh këto kohë. Ngjan edhe si një lojë dhe prandaj vetvetishëm zen vend fjala skenë, si fjala që shquan objektin e vendlojës së teatrit qysh mbas kohëve të vjetra. Diskutimet a debati për  drejtshkrimin, ardhë në këtë skenë valë-valë simbas ernave që e kanë sjellë, ka nisë e është bitisë nëpër të njëjtat hulli, duke mos u ndalë asnjëherë e me vendosë ndoj pikë mbi i, por duke e shtratifikue në atë mënyrë debatin, sigurisht mbështetë mbi të përkundërtat, të cilat herë-herë edhe i stisin, që gjërat të mbesin pezull. Me synimin e qartë e të menduar mirë që pezullía rrin aty për të shërbyer radhën pasuese, kur t’ju vijnë nevoja strategëve të kësaj krijese të mendimit e shkëmbimit të fjalëve të shkruara të quajtur debat. Atyre që në fund të fundit e sundojnë këtë krijesë, debatin pra, përderisa e hapin dhe e mbyllin si me buton, kur ju duhet e kur ju intereson. Atyre që edhe emrin e pagëzimit të veprës së vet gjuhë e njësuar , me një rrëshqitje të pabujëshme po kryeneçe e zëvëndësuan me fjalën pa kurrfarë ngjyre e shije për të përkufizuar një organizëm të gjallë si gjuha, me emrin standard. Tash tridhjetë vjet kështu, së paku, qyshse liria e fjalës e shkapërderdhun e e keqpërdorun deri në kufijtë e të papërgjegjëshmes, nuk ngjit e jehona e saj, gjithsesi qoftë, shkon jo ma shumë se tri ditë. 

 Zgjedhja për ta futë debatin në hullinë e ekstremeve, ku prapë e gjithherë është forca e pushtetit të trashëguar si palë e parë ndërdebatuese vjen si një zgjedhje anashkaluese; si e tillë ajo nuk synon kurrë thelbin e problemit e aq më shumë ndonjë zgjidhje të tij. Si në, thuajse gjithçka ndër ne; njësoj si në “debatin” për ditën e çlirimit, që në tridhjetë vjet shkon “e lagu s’e lagu”, pa çèk askërkund atë që do të përbënte thelbin, që finishi i luftës për çlirim prej pushtuesit solli lirim a shtërngim, demokraci e liri a diktaturë e dhunë. 

Këmbëngulja e të atashuarve nostalgjikë në kongresin e ’72-shit e të tjerëve idhtarë të tij mbeti gati heretike për të mos prekur e ndryshuar asgjë, asgjë prej produktit të tij, madje edhe norma, trajta a shembuj që, të futura dhunshëm kërcasin fort, sot e gjithë ditën… Më vjen ndër mend një batutë, gati anektodike e asaj kohe: pasi kongresi u mbyll e standarti u ligjërua, Paulin Selimi, pastë dritë, shkrimtari brilant i humorit, student asokohe , ndërmjet shokësh paska pasë thanë: Tash e mbrapa, shokut tem Tonin Çobani më duhet me i thirrë Tonin Çobëri…(Thua vetëm për të qeshur). Po le të kthehmi tek argumenti ynë i këtij shkrimi. Ish pedagogja e re e tyre, shkrimtarja dhe studjuesja Klara Kodra, në shkrimin e saj të fundit “Receptimi i veprës së Fishtës dhe  gjuha e njësuar letrare veçon (thekson): “Nuk kam ndërmend të bie në një skajshmëri tjetër, duke e lartësuar toskërishten mbi gegërishten. Përkundrazi dëshëroj të kujtoj, siç kam bërë edhe në një artikull tjetër para disa viteve, që ka qenë pikërisht një poet i shquar i veriut, Ndre Mjeda që pohonte: “Geg e toskë, Malci, jallia/ janë një komb m’u da, s’duron/ Fund e majë nji â Shqypnia/ Dhe nji gjuhë të gjithë na bashkon” duke u ngritur mbi përçarjet krahinore”. Po, ashtu është, profesore e nderuar, një e vërtetë mikluese, kjo që ju citoni, përposë të tjerëve edhe për dashamirët e përdoruesit e dialektit gegë. Unë kam qenë “kollomoq shtalb”, nxënës i klasave të ulëta, para ’72,  kur mësuesit e mij  me shpirt e pasion, zotni Pjerini e ma vonë zotni Rudolfi më kanë mëkue mua e fëmijët e brezit tim me pjalmin e bylbylit të Mjedës e kangët e pakëndueme të Migjenit. E ndër shpiat tona, nën za, si fjollë e melodi kanë rrjedhë lirikat e  Mrizit te Zanave dhe kangë nga epi i Lahutës…

Por, krejt ndryshe kanë qenë punët atëhere në kohëshkrimin e në gjalljen e Fishtës. Gjuhëtari ynë më i shquar E. Çabej do të shkruante: Fishta arriti të ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”  

Kurse Faik Konica”At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm” . Edhe një tjetër jugor, gjirokastrit i juaji, prof. e nderuar, Lefter Dilo, shkrimtar i ri asokohe, jo vetëm s’e kishte vështirë të kuptueshëm Fishtën e gegnishten, por qe i mahnitur pas artit të tij dhe kjo mahni na vjen e pohuar prej vetë atij, një vit mbasi poeti qe largue në amshim. Kurse sa i përket plakjes së gjuhës së Fishtës dhe mungesa e receptimit të veprës së tij sot për këtë shkak, gjë për të cilën edhe ju shprehni njëfarë jodakortësie, mendoj se është preteksti më keqdashës, por dhe argumenti më infantil gjithashtu, i atyre që e injektojnë në publik. Ma së pari, se arti shkrimor i kualitetit të lartë është “anticorrozioni” më i fortë e më i sigurtë edhe i gjuhës së shkruar dhe, Fishta ka qenë kryesuesi në kohën e vet. I themelimit të gjuhës së shkruar të njësuar, por në rend të parë edhe i lëmimit të saj, po ashtu. Kjo është e gjithpranuar, gati aksiomatike. I vetmjaftueshëm për sa sipër do të ishte edhe nji “testamenti” i tij, nëse do ta çmojshim si të tillë një dëshmi që na vjen prej At Viktor Volajt, një linguist par exellenxe e vërsnik i Fishtës, amanet të cilin autori i 40 vjetve krijimtari, prej së cilës qe kthyer gati në mit, ia len gjuhtarit, 2 muaj para vdekjes: “N’ortografi u p’shteta mbi njato kritere, mbas të cillash, dy muej para deket qortuem bashkë me poetin trembdhet kangët e para të “Lahutës…”. Ndersa me ndrrime të vogla qi bani aty k’tu i zhduku edhe disa trajta nendialektale të Zadrimës, si: kjoshna per kjoshim, jena per jemi, etj. si edhe trajtat e sikopueme, kur se lypte nevoja, tue kenë mendimi ne nji botim definitiv me i zhduk ato trajta nendialektale qi nuk kishin nji arsye të posaçme shprehjeje”.  

Në bashkëkohësi me té janë gjendur edhe parakë  të letërsisë si Mjeda, por dhe Migjeni, gjithashtu. Duke mos pasë fatin e eklipsit të gjatë terratisës, që i ndodhi Fishtës, të dy ata mbetën ma familjarë tek tek lexuesi i tyre, nëse flasim deri në fundin e viteve ’90. Po prej atëherë kanë kaluar jo ma pak se tri dekada. Prej atij fillimi e deri sot kanë ndodhë plot gjana që e shërbejnë mirë e bukur receptimin e Fishtës. Qysh prej vitit 2012 e këndej është botue e plotë vepra e tij, e përgaditur prej nji redaksie me njohësit më të mirë të saj, ndër to Dr.Tonin Çobani (vëll.5, 6) e prof. i gjuhës Tefë Topalli (vëll. 7, 8 dhe 4 – Epika), në pasthënie të së cilës u përcaktuan kriteret gjuhësore që do të zbatoheshin nga originali në botim të veprës së Poetit. U ftuan dhe të tjerë, si profesorët : Hamit Boriçi,  S. Çapaliku, Nd. Zef Toma. Kështu, opusi i veprës fishtjane, në të gjitha gjinitë, u pajis me aparatin shpjegues leksikor e frazeologjik – çka do të thotë afrim i gjuhës së Poetit me lexuesin e sotëm. Edhe një tjetër botim i plotë, gjithashtu ku përfshihet edhe epistolari i tij i përkthyer e përgatitur nga Vinçens Marku, prof. në Universitetin e Shkodres. Po, së fundi edhe një Fjalor i veprës së Fishtës, (përgaditur nga Frano Kulli,2021) një çelës i përshtatshëm leximi mendoj, por edhe një prurje e munguar në leksikografinë shqipe brenda e jashtë, të gjitha gjinden sot në libraritë e Shqipërisë e andej ku flitet shqip; në Shqipëri, po edhe në Kosovë, Maqedoni e në Mal të Zi. Vetëm në…Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk janë, e nderuara prof. Klara. As në Fakultetin e Letërsisë. Madje atje ka pasë gjithherë një refuzim frenetik, i përcjellë tinëzisht vetëm me heshtje a fjalë refuzuese kulisash. Nuk është hera e parë që gjuha e Fishtes, jo vetëm një herë vihet në krahasim me standardin gjuhësor të vendosur e të konsoliduar para një gjysë shekulli, vlerësuar në shumicë asokohe si shenjë e përparuar e kulturës dhe filologjisë sonë. Në mënyrë të tërthortë, gati arrihet deri aty që të rekomandohet mosleximi e anashkalimi i tij për këtë “shkak”. Gjë që nuk ka ndodhë me asnjë prej shkrimtarëve tanë të traditës. Me dijen time, asnjë studim krahasues me standardin nuk kemi për gjuhën e shkruar të Naimit, as për F.Postolin, Ali Asllanin më vonë, as për Koliqin, Haxhiademin, për Migjenin a për Mjedën; gjithashtu, as për një raport gjuhe mes krijimtarisë së Nolit e Konicës – përveçse për stilin e tyre të paarritshëm.   

Ndaj, më ndjeni e nderuar t’ju them se kumti juaj: ” Receptimi i Fishtës nga brezi i sotëm është një problem më vete; mendoj se tekstet e Poetit duhen shoqëruar me shënime dhe natyrisht të interpretohen drejt nga mësuesit dhe pedagogët, duke aktivizuar studentët në rolin e lexuesve bashkëveprues.” është një e vërtetë e përpjesëshme. Ndoshta vetëm për mungesën e informacionit të sipërthënë. E vërteta e plotë do të ishte vetëm: “ Receptimi i Fishtës nga brezi i sotëm është një problem më vete”. Por kjo nuk lidhet aspak me vështirësi të receptimit.Vështirësitë janë vetëm stisje, që vijnë prej andej ku Fishta dhe vepra e Fishtës çmohen si “mish i huaj”  e nuk lejohet të jenë. Dhe nuk ka arsye e nuk mund të gjinden për këtë kundërshti sistemike, e cila tani vjen në forma të kamufluara, përposë “urtisë” së arsyetuar  në kohë të Perandorisë osmane: “nuk don pasha kallabllek“… Dhe këtu e keqja e papranueshme nuk ndalet vetëm te Fishta…Edhe “ena akademike” e Mjedës është me kapak të mbyllun. Njëri prej studiuesve të censhëm të tij, Kolë Ashta, ka pasë hartue një fjalor të veprës së Mjedës. Fjalori me shkrim dore (shih faximilet), një kopje është në arkivën e Akademisë së Shkencave. Se qyshkur nuk e di. Po, di që Kolë Ashta ka vdekë në vitin 1997 dhe, me siguri punimi ka qenë dorzue atje në gjallje të studiuesit, kaherë fort, besoj. Një fjalor me 5676 zëra, bashkë me rimarin e poetit…Se sa lëndë e vlefshme do të ishte ajo edhe për një receptim të ri të poetit, por po kaq edhe për vetë leksikun e gjuhës shqipe dhe pasurimin e saj, kjo nuk don mend as kalem. E megjithatë ai flen aty, në arkivë e ndërsa ngrihen komisione mbas komisionesh për hartime fjalorësh…

E keqja pra, direkt po edhe terthorazi lidhet me drejtshkrimin dhe ata që e përdorin paprekshmëninë e tij sa herë që t’ju vijë nevoja. E idhtarëve, tashma të motnuem…nevoja ju vjen shpesh. Ndonjëra syresh këshillon me thënien e Nanë Terezës së Shejtë: “Në vend që të ankohesh për errësirën, më mirë ndiz një qiri”. Bukur fort. Po sa qira ka ndezë, ajo apo ai, e shumta e tyre në vitet e shumta që kanë aty, ku me të vërtetë duhet e mund të ishin ndezë shumë qira, në vend se të mjeroheshin në roje të paprekshmënisë së standardit ?… 

Më pak se një vit ma parë, prof. Gjovalin Shkurtaj ka botuar “Fjalor Leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”. Një prurje me të vërtetë madhore në njohjen e leksikografisë dhe frazeologjisë së shqipes. Që posë të tjerash, do të mund t’ia saktësojë njërës prej kolegeve, profesores së nderuar Donika Omari, pohimin se “nuk ka penguar sot dialekti shkodran që veprat e at Zef Pllumit të arrijnë tirazhe të larta botimi” e t’ia bëjë me dije se dialekti gegë, përreth të folmes së qytetit e rrethinave, ka përplot nëndialekte e të folme, që vetëm të mos shpërfilleshin e do të zinin vend bukur mirë në “asetet” leksigografike të shqipes. Po ka më se një dekadë që Mehmet Elezi, i vetëm ka botuar “Fjalor i gjuhës shqipe, një prurje leksikore e njëvëllimshme me atë që ka bërë akademia në 50 vjet; me 41 mijë fjalë e 5 mijë shprehje që nuk gjinden  në të parin. A duhej të ishte ai objekt i dobishëm i diskutimit akademik ? Po pse jo të ishte objet studimi shkrimtaria në gegnisht e akademik Ardian Ndrecës ? E vetmjaftueshme, mendoj unë konseguenca e pabujë e tij, po përmbi këtë, kompetenca që unë e mendoj shembullore. Shkrimtaria e Primo Shllakut gjithashtu (për efekt të linjës së arsyetimit po lë mënjanë debatin aktiv që ai udhëheq) , po edhe shkrimtaria fort e mirëpritun edhe e dhjetra autorëve të tjerë që shkruajnë në gegnisht. E lexohen në Shqipëri, po edhe përkthehen, gjithashtu.

C:\Users\User\Desktop\FJALORI\Kolë AshtaFjalori i Mjedë -Hyrja\(1).jpg
C:\Users\User\Desktop\FJALORI\Kolë AshtaFjalori i Mjedë -Hyrja\(2).jpg
C:\Users\User\Desktop\FJALORI\Kolë AshtaFjalori i Mjedë -Hyrja\(3).jpg

Faqe nga Dorëshkrimi i Kolë Ashtës:

Kriteret teknike për përpilimin e fjalorit të nxjerrun nga shkrimet e Mjedës

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frano Kulli

Udha e mbarë Lazër Stani!

September 17, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

U largua nga Shqipëria një nga shkrimtarët  më të mirë shqiptar, mjeshtër i tregimit dhe fjalës shqipe, njeriu i ditur dhe i mirë Lazër Stani! Do na mungosh aq shumë o Lazër! Zëri yt, buzëqeshja jote e veçantë, ironia e hollë si fija e flokut, këshillat e mendimet plot vlerë, thjeshtësia dhe eleganca e lindur, kafja dhe rakia 60 lekëshe te klubi i lagjes, mezja te bulmetorja dhe pendesa e përherëshme të nesërmen se dje e tepruam, (pimë shumë,) që përsëritej me Galipin tonë fisnik dhe Flamurin artist,  kush e di nëse do të ndodhë më. Do na mungojnë  diskutimet për shoqërinë shqiptare të molepsur nga e keqja dhe veset, për politikën, e për këtë shtet karagjoz që ngritëm këto tridhjetë vjet. 

Shumë boshllëk krijon largimi i një miku e të mbulon trishtimi. Se janë kaq të pakët e vazhdojnë të mbeten edhe më pak duke u larguar çdo ditë. Nuk të lanë rrugë tjetër i dashur Lazër veç largimit. Nuk të lanë të punoje megjithëse shoqëria ka aq nevojë për njerëz si ty, sidomos kultura, historia dhe letërsia shqiptare. Qysh nga viti 1992 punësimi yt qe “problem.” Ishe i papranueshëm se kudo që shkoje thoshje atë që mendoje dhe rrezatoje dituri e drejtësi. Nuk e pranon dot shoqëria e sotme njeriun si ty. Je nga shkrimtarët më të mirë në këto tridhjetë vite ( për mua më i miri) por duke qenë antikonformist i lindur asnjëherë njerëzit në pushtet nuk të donin afër. Pushtetarët e sotëm të heqin nga puna nëse nuk bindesh, shkruan e firmos gjithçka që të japin. Osh e branë u hoqe kur në qeveri ishin blutë por nuk e gjunjëzove. Po të kuqtë as që donin t’ia dinin. Të flakën nga puna me një letër të pistë pa kuptim. Po ti si njeri plot vlera nuk hape gjyq duke thënë: nuk i dua paratë e tyre. Njerëz potencial si ty, pushtetarët e sotëm nuk i kanë fare në listat e të gjallëve. Edhe në televizionin shqiptar, edhe në ministritë e arsimit e të kulturës edhe në drejtoritë e librit, për ty  njeriun plot kulturë, tregimtar i shkëlqyer dhe vizionar (ashtu si për Bardhyl London, mikun tonë të paharruar) nuk u gjend një vend pune qoftë dhe inspektor i thjeshtë. Sot ministritë e drejtoritë e librit, kulturës e historisë gëlojnë nga të paaftët, nga të paditurit, intrigantët, patronazhistët dhe të pakulturuarit. Kishe një libër të ri nëpër duar që unë të përgjërohesha ta botoje. Dikur ti më dhe atë përgjigjen klasike, të ngjashme me Konicën kur e pyeti Noli, që pse nuk i mbledh shkrimet e boton një libër. Ti mu përgjigje: Ja e botova more Gëzim, po kush do ta lexojë? Sot libri lexohet fare pak ose aspak dhe kjo është nga dramat më të rënda të shoqërisë shqiptare.…

 Udha e mbarë miku im, shkrimtari që rrezaton në letërsinë shqiptare, Lazër Stani! Diell tu bëftë andej nga do të shkosh në Amerikën e largët. Po dije, se pa ty dhe të tjerë si ty, vendi i shqiponjave shkretohet e varfërohet çdo ditë. Zoti e di nëse do takohemi sërish! Udha e mbarë…  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja, lazer Stani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • …
  • 291
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT