• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIMET ME JEVTUSHENKON, POETIN NË FRONTIN PËRBALLË

July 20, 2022 by s p

“…nuk ka Rusi të Putinit, por të Pushkinit…” tha ai

Nga VISAR ZHITI

Sot poeti i njohur Evgeni Jevtushenko do të ishte 90 vjeç. E kemi takuar, kam përkthyer poezi të tij që kur isha student, kam patur letër-këmbim me të dhe së fundmi kam botuar një libër, “Si na erdhi ai, i ndaluari…” ku nëpërmjet tij rrëfej si u rrit gjenerata ime, ç’lexonte fshehurazi në diktaturë dhe si, dënimet tona, desha t’i shpjegoj tim biri, Atjonit, poetin sovjetiko-rus, Evgeni Jevtushenko, poezinë e tij, ndikimet tek ne, etj, ndërsa ishte ai që më tregoi mua me një fjali pyetëse, madje duke buzëqeshur atë dhe në tërësi poetin e Realizmit Socialist:

“…ishte interesant, por dhe narcis… mos janë ca si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi?”

U takuan vetëm një herë në Lugano në Zvicër dhe unë ndryshova krejt librin dhe optikën, natyrisht që tregoja dhe jetën e tij, që lindi në 18 korrik 1932 në

një qytet të vogël në Siberi, në Zima, rajoni i Irkutskit, etj, por më interesoi kompleksiteti i tij, që poezia e tij ishte e lidhur dhe me Shqipërinë, jo vetëm pse erdhi dhe në Shqipëri dhe ka poezi për Shqipërinë, etj.

Gjatë kohës që sundonte realizmi socialist, ai përflitej në qarqet tona letrare dhe nga lexuesi i poezisë si një mit i kuq, kritikohej dhe adhurohej fshehurazi, madje dhe imitohej, pa patur asnjë libër të botuar tek ne, përveçse dy poezive të hershme të tij, të përkthyera nga Drago Siliqi, në një antologji të madhe të poezisë ruso-sovjetike, që do të ndalohej në po atë vit që doli, sepse u prishën marrëdhëniet politike dhe diplomatike midis Shqipërisë, vendit më të vogël të kampit socialist dhe Bashkimit Sovjetik, vendit më të madh, superfuqi botërore.

Edhe kjo ngjarje gjeti jehonë në poezinë e Jevtushenkos, shpotínë dhe goditjen, ndërsa në letrat shqipe do të ishte temë qendrore dhe e madhe, heroike, madje e të gjitha arteve.

Jevtushenko së pari do ta shihnim personazh në një nga romanet më të bukur të Kadaresë, “Muzgu i perëndive të stepës”, estravagant dhe pa ideale, me një si simpati të fshehur për një shok shkolle në Institutin “Gorkij” të Moskës.

Pastaj u përhap me bujë dhe frikë se Jevtushenko kishte shkruar një poezi, “Trashëgimtarët e Stalinit”, kundër Enver Hoxhës. Kërshëria për poezinë e tij u shtua rrezikshëm.

Ne, studentë në atë kohe, letrarët e rinj siç quheshin, poetë, etj, kërkonim të lexonim ndonjë të tij, qoftë një poezi a strofë a varg, që edhe gjendeshin në gazetat dhe revistat letrare, ku ai shahej si poet revizionist, në shërbim të klikës së Kremlinit.

Dhe ne u rritëm dhe u formuam me kulturën e sharjes në letërsi.

Poezinë e parë të tij, fshehurazi, ma dha poeti Rudol Marku, isha student, kishte përkthyer një lirikë të mrekullueshme dashurie. U përhap ndër ne. Kujtoj kur më arrestuan dhe në hetuesi netëve më ulërinin në qeli, i lidhur me pranga, që pse kisha lexuar librin “Molla” (Jablloko) të Jevtushenkos, që në fakt nuk e kisha gjetur dhe s’e kisha parë kurrë, por ca poezi të tij, në një revistë sovjetike, që na e kishte dhënë dorazi një e njohura jonë në Bibliotekën e Shkodrës. Në fakt i përktheva ashtu me fjalor, nga dëshira e madhe, ua dhashë shokëve dhe miqve të ngushtë, se ashtu bënim, i jepnim njëri-tjetrit përkthime të fshehta, mbushnim fletoret.

Edhe sot më vijnë ulërimat e hetuesit pas mesnate: pse e ke lexuar armikun Jevtueshenko, ai ka shkruar poezi kundër Shqipërisë dhe Enver Hoxhës…

Do ia tregoja këtë fakt Jevtushenkos vetë, kur do ta takoja në Milano, në vitin 2008, se na pranuan antarë të PEN Clubit Italian në të njëjtën ditë. Ai u entuziazmua që unë isha burgosur dhe për poezinë e tij, lajmëroi dhe të shoqen, që t’ia tregoja dhe asaj, shkëmbyem dhe libra me autograf dhe unë i thashë dhe për poezinë që kisha bërë me mend i burgosur, që i kushtohej atij.

Dhe ai më dha dhe poezitë që kishte shkruar për Shqipërinë, me trishtim dhe dashuri dhe poemën që kishte shkruar në vilën e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehut, të cilin e “vetëvranë”.

– A të doli fantazma e tij? – e pyeta.

Në takimin në publik në Milano, kujtoj që një grua ngrihet nga salla në librarinë “Mondadori” dhe i thotë Jevtushenkos:

– Na folë pak për Rusinë e Putinit.

Dhe ai shungëlloi:

– Zonjë, nuk ka Rusi të Putinit, por të Pushkinit… Rusia është e Dostojevskit, e Gogolit, e Pasternakut, e Eseninit, e Sollzhenicinit, e Mandelshtamit… e im… e shokëve të mij. Tani që vendi i tij ka sulmuar Ukrainën e ai s’është, më vjen i fortë zëri i tij.

Jevtushenko ishte kundër, por jo kundërshtar, sipas studiuesve. Ishte rebel me poezinë e tij politike, të cilën, pas rënies se komunizmit, do ta quante “poezi e mbrojtjes së drejtave të njeriut”. U bë e famshme poema e tij “Baby Yar”, e shkruar në 1961, ku denonconte masakrën naziste të vitit 1941, e shoqëuar me antisemitizmin sovjetik, me persekutime nga bolshevikët ndaj hebrenjve në Babi Jar, në rrethina të Kievit në Ukrainë, ku tani janë ushtarët rusë që shkatërrojnë dhe vrasin.

Ç’do të thoshte sot Jevtueshnko për luftën e çmendur në Ukrainë?

Kami dhe një tjetër poezi të tij “Pragën çajnë tanket” e vitit 1968, që del kundër pushtimit të Çekosllovakisë nga çizmja staliniste e ushtrive sovjetike në krye të forcave të Traktatit të Varshavës.

Edhe në 1989, kur Jelsini dërgoi tanket në Çeçeni, Jevtushenko e denoncoi dhe nuk pranoi një çmim prej tij. Kujtoj data të tjera:

1991 – viziton Shqipërinë, ndërkohë shoku i shkollës së tij, shkrimtari shqiptar me njohje botërore, Ismail Kadare, kishte kërkuar azil politik në Francë.

1993- Jevtushenko shkon në SHBA, në Universitetet në Oklahoma e Nju-Jork, jep leksione për poetët rusë dhe europianë dhe historinë botërore të kinematografisë. Pranimi i tij në Akademinë Amerikane do të ngjallte polemika, poeti i pëzënë nga Bashkimi Sovjetik pas burgut të tij, Josip Brodskij do ta quante Jevtushenkon “Disident i emëruar”.

Pas tetorit të vitit 2007 Jevtushenko e ndan jetën e tij mes dy vendeve, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në 1 prill 2017 ndërron jetë dhe trupin e tij e çojnë të prehet në amëshim në Rusi

Dhe mua m’u desh të shkruaj për dukurinë Jevtushenko në librin ese që tregova, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, që shkak u bë ajo thënia e Atjonit, tim biri, që u njoh me Jevtushenkon në Lugano, në Zvicër, ishte bashkë me mamin, Edën, i kishte marrë me vete miku ynë, poeti Sebastiano Grasso, presidenti i PEN Clubit italian, ndërsa unë isha në Moskë, e tregoj në gjysmën e dytë të librit.

Gjithë kohës në Lugano Atjoni mbante për krahu Jevtushenkon që çalonte, kishte operuar njërën këmbë, e kishte prerë. Në fakt çalonte Realizmi socialist, shkruajta në libër. M’u desh kjo metaforë.

Jemi para gjyqit të së ardhmes. Por sot është datëlindjen e Jevtushenkos, 90 vjetori i tij dhe dua të dëshmoj poezinë…

EVGENI JEVTUSHENKO

12 POEZI

DASHTË QIELLI

Dashtë Qielli u vjen pamja verbanëve

e gungaçët shpinat drejtojnë.

Dashtë Qielli bëhemi ca Zot, pak fare,

të jesh pak, pak s’të kryqëzojnë.

Dashtë Qielli të mos i ngjitemi pushtetit,

heronjve të rremë jo dhe jo.

Të pasur të bëhemi, por jo të vjedhim,

natyrisht nëse mundet kjo.

Dashtë Qielli të bëhemi dhelpra plakë,

që s’bie në ato gracka me shkopinj,

mos qofshim viktima, as xhelatë,

lypsa kurrë, as zotërinj.

Dashtë Qielli sa më pak plagosje

në përleshjet që vetëm të çmëndin,

sa më shumë vënde dhe përsosje,

pa u dashur ta humbësh tëndin.

Dashtë Qielli që toka e pamatë

gjurmët t’mos na i hajë gjithkund.

Dashtë Qielli të na duan gratë

dhe kur të jemi në fund.

Dashtë Qielli të heshtin gënjeshtarët,

zë hyu të ndjejmë në thirrjet e pafajshme,

që Krishtin të dallojmë tek të gjallët

në fytyrat e burrave dhe të grave.

Të mos mbartim si kryqin pabesitë

dhe si mjeranë të biem përdhe,

të mos jemi dyshues çdo ditë,

dashtë Qielli qoftë Zoti në ne.

Dashtë Qielli të gjithën për të gjithë

ta kemi sa më shpejt, pa u fyer prej saj.

Po, po, të gjithën, por veç zgjidh

nga ato që s’të turpërojnë pastaj.

1990

BABY IAR

S’ka fare monument mbi Babi Yar,

As gur varri të ashpër në atë thepisje.

I tmerruar sot,

sa i vjetër jam,

Sa e gjithë raca hebraike.

Si izrealit të lashtë

veten shoh

Në Egjiptin e lashtë endem, iki

Në kryq vdes me gozhdët në kockë,

Edhe sot jam me tortura shpirti.

Dhe Dreyfusi*

gjithashtu jam unë

Nga filistinët dënuar,

shitur,

pas hekurave jam

nën dhunë,

I pështyrë,

me gurë

goditur.

Dhe në Bruksel më kanë sharë,

Me çadrat hedhur, i çarë…

Tani jam

një djalë në Białystok* *.

Gjak në dysheme.

Gjaku rrjedh në stol.

Zotërit e barit dhe lokalit tok

Turfullojnë erë qepë dhe alkool.

Çizmet më shkelën… Fytyrën ma nxinë,

Në masakër t’u përgjërohem banditëve.

Me talljen:

“çifutë vrisni, shpëtoni Rusinë”,

Sa keq ma rrahën nënën time!

O Populli im!

E madhja

Rusi!

Me internacionalen brenda trupit.

Duart shpesh ke zhytur në ligësi,

Nën emrin e pastër klithmat e turpit.

Unë e di mirësinë e tokës time.

Por poshtërsinë

nuk di ku ta fus,

Që antisemitët pa pike përgjegjesie

Fshihen në “Bashkimin e Popullit Rus”.

Shikomëni që jam

dhe Anna Franku

E tejdukshme

si degëz e brishtë në prill.

Dhe unë dua.

pa fraza tanku,

Sy më sy të shihemi

me ëndje dhe trill.

Kaq pak të shohim,

më dhemb ky shpirt,

Qiellin na ndaluan, na ndaluan

gjethet,.

Por prapë kemi mjaft,

ne njerëzisht

Përqafohemi në dhomën e errët.

“Mos u tremb!”

“Po ata erdhën!”

“Janë zërat e pranverës së hershme.

Më jep një puthje.”

“Po shqyejnë derën?”

“Shhhht. është akulli që po plasaritet.”

Bari i egër shushurin mbi Babi Yar.

Pemët shohin me frikë

sikur kalojnë gjyqtarë

Këtu heshtur mashtrohemi.

Kapelja në dorë

Flokët befas bëhen

të bardhë bore.

Bërtas dhe unë, pa tingull qaj

Për mijëra e mijëra

në gropë hedhur. .

Unë jam çdo plak,

i pushkatuar

në pllajë,

Unë jam

çdo fëmijë

këtu i djegur

S’ka fibra trupi im

ta harrojë këtë,

“Internacionalja”

të mos gjëmojë më kot,

Deri sa t’varroset e t’mos dëgjohet më

Antisemiti i fundit

në këtë tokë.

S’ka gjak hebre të mos jetë gjaku im.

Urrej me shpirt të pashpirtët në jetë

Si një hebre çdo antisemit.

Dhe kjo më bën

një rus të vërtetë.

________________________

*) Alfred Dreyfus, oficer francez, i shkarkuar padrejtësisht nga shërbimi

në 1894 për shkak të akuzave të sajuara dhe nxitur nga antisemitizmi

* *) Belostok: vendi i masakrave të para dhe më të dhunshmet. (Shënimt

janë nxjerrë nga përkthimi anglisht)

SHQIPËRI,

ÇDO TË BËJMË ME LIRINË E MADHE?

Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe,

me këtë grua tradhtare të ndërgjegjes?

Në qorrsokak të dytë,

me këngën fitimtare,

liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes?

Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht,

me kapitalizëm po na ndjellin të fortët.

Do ta gënjejnë Rusinë

dhe Shqipërinë sërisht

dhe sërisht do të rrjedhin të hidhur lotët?

1991

PRAGËN ÇAJNË TANKET

Pragën çajnë tanket

nën gjak agimi të nxehtë.

Çajnë “Të vërtetën”* tanket,

që s’është gazetë.

Tanket çajnë përpjekjen

klikave për t’mos ju përulur,

të çarë e ndjejnë veten

ushtarët në tank ulur.

Zot, ç’turp po fusin,

Zot, ç’nuk po shëmbin!

Çajnë tanket Jan Husin,**

Pushkinin, Petëfin.***

Tanket çajnë varret

dhe të atyre pa lindur.

Kapse zyrash, rruzaret

u shndërruan në zinxhirë.

A jam armik i Rusisë?

unë jo! – Të tjerë të nxitur

me tanket e ligësisë

ku s’ndërhyjnë të shpifur.

Mundet si më parë të jetoj,

tani që këto tanke – zdrukthe

shpresat me presë sheshojnë,

tanke të familjes ruse?!

Unë, para se të zhdukem,

– si do quhem, s’ka rëndësi, –

pasardhësve u lutem

të më zbatojnë një porosi.

Sipër meje, pa qarë,

të vërtetën të shkruajnë me gjak:

“Shkrimtar rus. I vrarë

nga tanket ruse në Pragë”.

Shkruar në 23 gusht 1968 –

botuar në 1990

________________________

*) E vërteta – rusisht “Pravda”. Emëri i një gazete të përditëshme, më e shitura në Bashkim Sovjetik.

**) Jan Hus – hero kombëtar i popullit çek. Lindi në Husinec në 1371, kreu studimet e larta në Pragë dhe në 1401 bëhet dekan i universitetit ku studioi. Në 1400 u emërua prift. Punoi për edukimin e kombit duke këmbëngulur në detyrën e mbrojtjes së vendit nga ndërhyrjet e huaja. Iu përkushtua veçanërisht dhe gjuhës çeke. Ai u bë simbol i krenarisë kombëtare dhe i shpresës për të ardhmen. Ndihmoi njerëzit e Bohemisë e të Moravës për pavarësinë shpirtërore nën zgjedhën e huaj. Vdiq në turrën e druve në 1415. (Shën. nga botimi italisht si dhe një pjesë e shën. e mëposhtëme) ***) Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837). Nismëtar i letërsisë së re ruse, themelues i gjuhës letrare ruse, poet i madh, shkëlqeu në të gjitha gjinitë letrare. Qe pranë dekabristëve, dy herë emigroi. Vdiq në duel për motive nderi.

Sandor Petëf (1832–1849). Poet revulocionar demokratik hungarez. Udhëhoqi kryengritjen e Pestit, gjatë revolucionit të 1848-49. Pati ndikim të madh në poezinë hungareze..

PËR KRIJIMTARINË

(nga revista “Junost” 12/1959)

Nuk ka rëndësi

në ke ti studiues,

por ka rëndësi

në ke ti pasues.

Fjala jote e ç’do të kushtonte,

nëse në të, me etjen e zgjimit,

nuk fshihet fara e së ardhmes –

mundësia e shenjtë e vazhdimit?!

Krijo, artist, me guxim, digju

dhe fol!

Dhe do të shfaqet Fjala,

e thjeshtë dhe e madhe si mollë,

me fillimin e mollëve brënda.

PAGJUMËSIA SHQIPTARE

-“Mua më duket sikur në varr ka telefon, Stalini direktivat Enver Hoxhës ia dërgon”. –

Trashëgimtarët e Stalinit, 1962

Unë fle në shtratin e Mehmet Shehut-

kryeministrit të Enver Hoxhës.

Vila e nomenklaturës s’është hedhur

si ashklat tej nga revoltat e kohës.

Mbijetoi vila.

Ashtu si më parë,

por s’dihet për kë dhe përse.

Unë, si patriarku partiak shqiptar,

në shtratin dopio jam zhytur të fle.

Idealet komuniste ku janë,

në ç’vrimë të zezë përpirëse?

Mbi trupin e ngrirë kallkan

një mal jorganesh kapitaliste.

Ne – dy vende me boshin në piedestale,

të shitoreve-bosh, ne – dy vënde.

Rusia u bë Shqipëri e stërmadhe,

me demokracinë timon të rëndë.

Pa qeshur,

me një rusishte të ftohtë,

një vëlla thatiq nga Shqipëria më thotë:

“Sovietpoetët – pa breg.

Shqiptarpoetët – pa brekë.”

Mbi shtratin e Mehmet Shehut

është pulti i shërbimit, që ti, Enver,

mbase e shpike, rri ngrehur,

sajuar me të

një revolver.

Vërtet vrau veten ai,

apo

me urdhër e vranë? Po…

sa e ulët kjo epokë e ideve të mëdha!

Të mos dish është turp.

Vuajtje – të dish gjithçka.

Përplaset mbi dritare si mizë dimri,

ai plumbth i nxjerrë nga tëmthi.

Baseni është krejt i ndotur

nga palmat e pështira.

Drejt meje vështrojnë “kallashnikovët”.

Dhe emrat e lodhur të ushtarëve –

në drurët tropikalë të gdhëndur kot.

Dhe, pasi shoh fytyrat fshatare,

mendoj: politikan a bëhem dot?

Është krim të vrasësh,

mëkat – të vetëvritesh

dhe absurde –

të lejosh të të vrasin.

Shtrat i sfilitur nga gjum’ i ndërprerë,

në zgrip përpiqet të thotë diçka.

E shenja e revoles në tastierë

prapë nëpërmënd natën pagjumë,

është gati plumbthi i shtrenjtë,

të shërbejë, ja, dhe tek unë.

E fantazma kryeministrore

me vdekjen e vet e papajtuar prore,

fshehtanake e sekretit mundues,

avitet në shtratin lëngues

dhe ka vendosur

gjithçka ta tregojë.

E pse? T’më shtojë ankthe,

shqetësime?

Ka kaq vjet që unë s’i duroj

sekretet e mia,

heshtjen time.

1991-2004

SHQIPTARKA

Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,

katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.

The se të quajnë Aksinjë,

“Po Melehovi të është shfaqur?”

“Ende s’e kam, – psherëtive lehtë, –

s’e dua shpellar, e dua poet”.

E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë

një vajzkë kështu, e tëra perrí,

që burrin të mos e dojë bankier,

plot me para, por me poezi.

Jeta vetë ecën dhe vonë a herët

do vijnë vajza me intelekt të fortë.

Ato s’do martohen kurrë me skllevër,

Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.

Etje parash e egër do jetë tretur

tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri

dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj

i shenjti mall i madh për poezi.

Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë

mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë

si balle divash të rënë,

nëndhé rroposur, në errësirë,

për të mos u ngritur kurrë më.

Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.

MOS U ZHDUK

Mos u zhduk… duke u zhdukur nga mua,

e çmishëruar vetvetes iu zhduke.

Vetja kështu u tradhtua

me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… të zhdukesh është lehtë.

Të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.

Vdekja të tërheq shumë thellë,

të vdesësh nuk është urtësi.

Mos u zhduk… harro hijen e tretë.

S’ka të tretë. Dy janë dashurive.

Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,

kur gjaku na thërret për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,

fajtorë s’jemi dhe as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti të falim

në mosdashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk… të zhdukesh është çast,

por si do takohesh ndër shekuj?

Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë

dhe unë? – veç fëmijve të qeshur.

Mos u zhduk… japma dorën tënde,

në të jam i shkruar, besoji sekretit!

Dashuria e fundit – sa e tmerrshme!

s’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.

MONOLOGU I NJERIUT TË PASNESËRM

As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie, njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.

Pa parti Noja me atë arkën e tij,

Globi shtyn errësirërat pa parti.

Por Djalli, me pikpamje djalliste,

shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!

Në zemër të mollës futi krimbin, –

krim(b)* dhe gjarpër një ishin,-

politikën – profesion me prejardhje djallëzore,

që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.

Politika shpiku policinë,

Politika shpiku kryetarët.

Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,

jo partitë dhe nënndarjet.

Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,

ku është partia e familjes, e fëmijëve?

Partia e syve të skuqur ku është vallë,

në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?

Por një ditë, një ditë, një ditë,

për stërnipërit tanë të gjitha partitë

do të kujtohen si një gjë e tejshkuar

si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.

Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,

pa çalamanë moralë në pushtet,

e gjitha një e asnjë parti,

veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.

Shkruar në 1972.

Botuar për herë parë në 1991

___________________________

*) Lojë e përkthimit. Për këtë poezi janë marrë për bazë dy variante

të botimit të saj në Itali.

**) Aushvic – kamp nazist internimesh në Poloni, Songmi – lokalitet

në Vietnamin e Jugut, shkatërruar nga amerikanët, Gulagu: Magadan – lokalitet

siberian i internimeve.

MILINGONA AFGANE

Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane.

Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane.

Prej ditësh vdekja s’e ka rruar. Ç’mundim të ecësh…

Dhe i mërmërit milingona me zë të imët, vdekës:

“Ti s’e di tamam se nga rende për ato plagë.

Vetëm di se diku, afër vendit Iran.

Nga u shfaqe ashtu kundër nesh me armë,

ti që së pari këtu dëgjove fjalën ‘islam’?

Atdheut tonë të zbathur halleplot,

ç’do t’i jepje ti apo rreshtin e kotë?

Njëzetë milionë të vdekur s’mjaftojnë ende

për të mbërritur në këtë gjëndje?”

Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane.

Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane,

që do të donte të lutej ashtu ortodoksisht të ngrihej djali, të bëhej me shpirt.

Në atdhe, në veri, me vejusha e jetima,

pak kanë mbetur milingona të tilla.

Shkruar më 1983.

Botuar për herë të parë më1990

MES FRIKËS DHE TURPIT

Hë pra, shqiponjë dykrenore,

për ku po fluturojmë mes reve,

drejt ç’lavdie të re poshtëruese

mbi torturën çeçene?

Nëpër frikë dhe turp, aty

mbi majat varg,

njëra tjetrën s’e shohin dot në sy

dy kokat e shqiponjës lart.

Pëndët ndërkaq kush t’i flakte

sipër pluhurit dhe shkrumbit?

Jo, nuk qe zgjedhje zhgabe

mes frikës dhe turpit.

23 dhjetor 1994

KËRKESA E FUNDIT

L. Evstratova

Shkëlqesive e atyre që s’janë shkëlqesë,

ç’gjëra t’u kërkoj? Ja, kështu pra,

s’kemi më nevojë për udhëheqës.

E kemi një, por në kryq, ah!

Dhe duke nxitur qeshjen e ndokujt,

ka plot që qeshjen e kanë harruar,

ende do t’i kërkoj gjithkujt:

që unë të mos jem i munguar.

Dhe lutem me zë të mekur,

i humbur mes gjithë të humburve,

trëmbem nëse kam për t’u tretur

si një rreze e vogël aurore

në ditën dritë-derdhur.

I kaplluar barërave shkëlqimisht,

gjithandej mërmëris me mall:

“Nuk do të vuaj sigurish,

kur nuk do të jem gjallë.”

Asgjë nuk kam që të bëj thirrje,

as piedestal, as i dekoruar,

por ja që ka dhe përjashtime:

që unë s’kam për të munguar.

Si aromë e fletores së vjetër të poezisë

me petalet e jaseminit të tharë.

Më e tmerrshmja e të gjithave – humbja e bukurisë,

edhe për botën – llahtar!

Ç’mëkat vdekës të vdekurit të harrosh.

Vdekje, nëse në paqe njerëzit janë lëshuar,

lëri të gjithë të jetojnë e të shpjegosh

që unë s’do të kem të munguar.

_________________

Përktheu Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

LETËRSIA SI FOTOGRAFI

July 18, 2022 by s p

Ernest Marku/

“Pritja” e Rudolf  Markut asht nji imitim letrar i imazhit fotografik. Kontakti i parë i vertetë me Botën, na vjen nëpërmjet shikimit. Ajo që ka parë ai fëmijë i vogël, imazhi i parë që e ka goditë ma fort, do të na shoqërojë gjithë jetën; dhe këtë autori, jo vetëm që e di mjaft mirë, por edhe arrin ta transmetojë mjeshtërisht te lexuesi. Pritja nuk asht pasojë e nji premtimi, përkundrazi, ajo asht peng e fotos që e magjepsi, asht liri që zgjedh të prangoset. Ai imazh asht nji kurth, ndonëse një kurth i ambël; ajo që ka pritur, tash pret prej teje.

Qyteti i tij i lindjes, personazhit-narrator, si kujtime fëminie, i vjen nëpërmjet figurave të gjysëm të çmendurve; dikush fliste me Hënën, dikush tjetër vallëzonte me Erën, ndonjë tjetër andrronte të shkonte në Diell, të tjerë pijetarë e ngrohnin ambjentin me lëkundjet e tyre; por asnji kujtim pa figurë, asnjë ide e pamaterializueme; askush nuk e meriton të bahet pjesë e Nostalgjisë së tij, nëse nuk asht, ose tepër i bukur, ose tepër i shëmtuem, ose gjysëm i çmendun, i ç’ekuilibruem, i panatyrshëm, i deformuem nga pija, andrra, dashuria apo mosbindja. Pushteti ka pamjen e nji spiuni të shpifun, të nji polici debil dhe të pagdhendun, pamjen e një vrime çelësi, të pëshpëritjeve mbas krahëve, të syve ziliqarë; por kurrë pamjen e tij burimore.

Kapitulli i dytë, e kthen Botën në nji fshat të vogël, ku rasti asht mbreti i saj dhe e ardhmja, pasojë e zgjedhjeve tona. Këtu narracioni kalon në vetë të tretë. Personazhet janë në kërkim të s’andrruemes dhe nuk duan t’ia dinë fare se ç’ndodh tjetër në Botë, nuk u intereson politika, as idetë sociale, biles nuk janë as kureshtarë. Ata lëvizin pranë rrezikut, si akrobatët në tel, veçse me sy mbyllun. Ata nuk shohin Botën, por Dashurinë. Mirëpo… nëse ata e refuzojnë realitetin, asht realiteti ai që i godet ata. Ai shfaqet herë si nji patrullë policie, herë si nji shpi e braktisun, herë si gjak i pamarrun, herë si nji bombardim ajror dhe herë si një tel i ndryshkun që të shtrëngon duert.

Asht kapitulli i parë, ai që e ban të pashmanshëm kapitullin e tretë; fatalitetit nuk i shmangesh dot. Buletini i luftës ban fjalë për pula, për uri, për grepa, për dhelpra, për zjarr bubulak dhe për një palë dylbi, si trofe i falun nga nji ushtri e kapitullueme. Pikërisht në nji amalgamë të tillë përjetimesh po ngjizet e ardhmja, të cilën, personazhet e Markut, as e kuptojnë, as ia kanë frikën, ndonëse ajo u ka xanë pritë. Nuk ka rrugë të mesme, kush ka pula asht ballist, kuse barktharët janë e ardhmja; joshja prej aromës së mishit të pulës së pjekur, asht “e vetmja forcë lëvizëse që e çon shoqërinë përpara”. E ardhmja asht e zymtë, por autori i len personazhet të verbër.

Realiteti nuk vonon të godasë; nji gja e tillë paralajmërohet qysh në fund të kapitullit të parë, të kthen në kohë dhe të ushqen me nji shpresë të rreme në fund të kapitullit të tretë; për me shpërthye në kapitullin e pestë me gjithë egërsinë tij, ashtu siç u paralajmërue plot sarkazëm në kapitullin e katërt. Ajo që asht njerëzore dhe që vlerësohet nga bashkëvuajtësit, kthehet si akuzë në duart e pushtetarëve të rij, të pangopun dhe të paskrupullt në babëzinë e tyne. Ata nuk e durojnë dot dlirësinë, humanizmin e integritetin; ata njohin vetëm nji gja: të drejtën e pakufishme të fituesit. Ata nuk e kuptojnë dot faljen, pse e dinë se nuk do ta fitojnë kurrë qetësinë e shpirtit. Si të tillë, nuk i kuptojnë dhe nuk i durojnë dot françeskanët; i vrasin ata dhe ky krim, u hap atyne horizontet për krime të reja: tashmë ata mund të bajnë gjithshka.

Pikërisht ajo rrethanë që të shpëton herën e parë, të kthehet në argument për me të fundosë pas arrestimit të dytë, si pasojë e ndryshimit të konjukturës politike. Nëse e mira fundoset thellë e më thellë, e keqja nuk njeh kufij në paturpësinë e saj. Idhulli i paskrupullt e xhelat, që të ndihmoi të rrjeshtoheshe sa ma nalt në hirearkinë e lukunisë së ujqve të babëzitun; kur i rrëshket kamba, kthehet në objekt sulmi e baltosjeje edhe prej teje; dhe pse jo, edhe me fakte që të fajësonë ty dhe ku vetë ai të ishte ba krah dikur. Autori na jep vetëm nji shpresë në këtë pyll të errët të së keqes: Njani prej vrasësve, e rigjen natyrën e vet njerëzore, pikërisht te kodet zakonore të të parëve të tij; ndonëse kjo gja e fundos edhe atë.

Roza nuk asht e pregaditun për nji botë të tillë, po nuk asht as e gatshme me braktisë Martinin. Ajo asht gjermane, por tashma, nuk e lidh asgja me Gjermaninë. Nuk përfitoi ndonji gja kur kombi i saj ish në Zenit, kurse tani po bahej gati që të vuante Nadirin, në vendin ma të papërshtatshëm në Botë. Ka vetëm nji moment dobësie, që ka lidhje me Fatin dhe me zgjedhjen e saj, si për të na dëshmue se nuk ishte dashuria ndjenja ma e fuqishme, që e bante të paaftë për të braktisur të dashurin në fatkeqësinë e tij. Nuk asht vuejtja ajo që i ban njerëzit egoistë, euforia dhe pasunia po. Ajo sillet rrugëve të këtij qyteti shqiptar, ku e solli fati dhe dashuria e saj, duke përthithun gjithë aromën e luleve të rrugëve dhe të oborreve, ban shtatë kilometra vajtje e po aq në kthim, vetëm për me ndie shijen e hidhun të kripës së detit; këshillon fshatarët me të cilët bashkndan jetën e qytezës, që të mos e mbajnë pulën e gjallë me kokë poshtë, pasi edhe ajo merr frymë si ne e vuan; dhe… pret. Pret të shohë dëgjuesit e heshtun, që i binden për pak kohë; por sa hedhin disa hapa të shpejtë, e kapin sërish pulën e sapoblerë përkambësh dhe me kokë poshtë, ashtu siç e kanë kapë gjithnji, brez mbas brezi… Pret atë ditë të vetme të vitit, që i lejohet të takojë Martinin në Burg. Pret e nuk ankohet. Të këqijtë, nuk e meritojnë të shohin lotët e saj. Ajo asht e fortë, ajo asht Zana mbrojtëse e fëmijëve. Vetëm kur takon njerëz, vetëm kur gjen nji sup që strehon nji shpirt njeriu, vetëm atëhere ajo ngashërehet, lahet në lot…

Ndodh nji përdhunim. Më saktë, dy. Dy përdhunime, nji lindje e padëshirueme dhe nji adaptim. Më në fund Roza ka nji krijesë për t’u kujdesë, nji bashkudhëtare në vuajtje, por edhe nji krah drejt përjetësisë. Edhe pse aludimet e mia si lexues, për përqasje me personazhe të jetës reale që diç më thonë në kujtesë, dhe që më flasin për të kundërtën; nuk e di pse kam nji ndjesi që autori apo personazhi historik i letrarizuar, e kanë shpikur atë përdhunimin e dytë, si një tentativë për të shpëtuar njerëzoren, si një mjet të fundit për të mos u çmendur krejtësisht, si një element etik për të mos u pështirosur plotësisht nga e vërteta e jeta… Adoptimi, trashaluqja e befotrofit, njeriu i pushtetshëm që i trembet skandalit, por që nuk asht pendue dhe që nuk do t’ja dijë për fëmijën e tij; janë të vetmet truke që i shërbejnë arsyes për me gjetë shtegun, shpirtit për mos me humbë lidhjen me të bukurën dhe për me gjetë forcë e me vazhdue.

anAutori-personazh dhe Roza, janë lidhur pazgjishmërisht me njani-tjetrin; nga njëra anë me imazhin e parë të bukur të Botës dhe nga ana tjetër me Pritjen, pritjen që pret të shpërblehet me përjetësinë nëpërmjet letërsisë. Shkambijtë e naltë që rrethojnë nga tri anë atë ishullin kroat, nuk janë tjetër veçse vasha që duen me vazhdue me pritë përjetësisht. Roza ndalet te varri i Shubertit dhe vendos lule, si për me dashtë me vendosë lidhjen e vonueme me Gjermaninë e saj; tashma asht Martini ai që e pret në Botën Tjetër, po ajo nuk asht gati të shkojë… Diç e mundon… Takimi me Papën, e ndihmon për me kuptue superioritetin e atij që fal, por as kjo nuk i mjafton… Vjen rrotull Botës po nuk e sheh atë, vështrimi i saj mrekullohet vetëm nga Dashuria. Ajo nuk ka ma kohë dhe vetëm kjo e trishton; nuk ka brenga për zgjedhjet e saj, nuk ndjehet e pendueme… Vetëm, nuk asht gati me ikë.

Dhe për kët roman të mrekullueshëm të Rudolf Markut, nuk u tha asnji fjalë në panairin e sivjetshëm të librit. Jo vetëm kaq, po “Pritjen” mund ta gjeje vetëm nën banak. Nuk e di, nuk dua të di… Me shijen e kësaj perle letrare në shpirt e në mendje, nuk analizoj dot.

Filed Under: LETERSI Tagged With: ernest marku

Dita e fundit e dy të dënuarve me vdekje – 17 korrik 1977

July 17, 2022 by s p

Nga Bedri BLLOSHMI/

Të dielën e 17 korrikut familja erdhi për takim por unë s’doja të dilja. E çfarë t’u thoja? 35 ditët pas vendimit i kisha kaluar në një dëshpërim që s’thuhet. S`më ndihmonte asnjë shpresë. Thonë se njeriut i dhimbset mbi të gjitha koka e vet, por kjo, në atë rast, për mua s’vlente. Kisha një dhimbshuri kaq të madhe për Vilin, pasi qysh në vegjëli e kisha pasur idhull. Dhe marazi më i madh, po e përsëris, ishte që do t`i pritej në mes pasioni për të shkruar e për të lexuar, të cilit i sakrifikonte edhe gjumin. Nga ana tjetër, sapo kishte krijuar familje, madje një muaj pas arrestimit ishte bërë me vajzë.

Çfarë t`i dëshiroja po të shpëtonte, veç burgut 25 vjeçar që më priste mua, nën shkopinjt e gomës e duke shtyrë vagona në galeri? Isha tërësisht i asgjësuar nga kjo mynxyrë që na kishte rënë kaq papritur. Dhe çudi, ndjeja mall për jetën e mjeruar që posa kishim lënë pas. Për ato biseda mes tij e xhaxhait, për fjalën e tyre të pjekur, së cilës i bashkohesha duke iu gëzuar që ishim bashkë në mbrëmje. Ah, si mundën e ma morën këtë vëlla? Si ia punuan Gencit të gjorë atje në zyrë? Me çfarë e droguan apo mashtruan, të pabesët? A me të dyja bashkë? Përplasja kokën ndër duar, dhe vetëm shokët e hallit të përbashkët që kisha pranë, me fjalë të ngrohta, më jepnin një arsye për t`i rezistuar vuajtjes së madhe.

Gjyqi ishte me dyer të mbylluara. Familjarëve tanë u ishte mohuar prania. Dera për ta ishte e mbyllur. Në sallë ishin të pranishëm vetëm sigurimsat dhe antarë partie. Të gjithë me ftesa në dorë. Mendoja se, edhe takimi do të ishte një poshtërim tjetër për mua, me ata që do vëzhgonin dhe mund të ndërhynin, prandaj refuzova të dilja në takim. Por, shokët e dhomës me detyruan që t’i takoja; diçka t’iu shpjegoja ose të paktën t’i shikoja edhe një herë. Në dhomë ishin tre burra, të cilët kishin qenë edhe më përpara brenda me babain dhe xhaxhain tim, e tani po riburgoseshin si të ridënuar. Më thonin që familja ka nevojë për kurajo, prandaj dil takoi, mos i lër në dëshpërim.

Kështu dola, në dhomën e ndriçuar dobët dhe u pamë, por me hekurat që na ndanin. Pashë fytyrën e mamasë dhe të motrës, dhe mbrapa tyre ishte kryetari i degës Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri dhe Nevruz Hamiti si dhe disa civilë-rrozga të tjerë. Nga ana ime, prapa krahëve, kisha nja tre a katër policë. Mamaja dhe motra vetëm qanin. Në hapësirën mes hekurave, më merrnin duart, m’i fërkonin, m’i afronin në faqe e, i puthnin. Më në fund, mamaja e mbytur në lot, foli: “Ç’është kjo hata që na gjeti o bir? Erdhëm në gjyq dhe na përzunë. Mbas ca ditësh dëgjuam në fshat, se ishit dënuar të tre me vdekje, pushkatim. U kërkova këtyre të takoj përpara Vilsonin, që t’i jepja sihariqin që është bërë me vajzë”.

Më pushtonte kokën mbas vetes por ç`e do, fytyra ime haste në hekura e jo në gjoksin e mamasë time. Aty ja ktheva: “Mos u mërzisni dhe ti mos shpreso se do ta takosh Vilsonin, sepse ai është mbas kurrizit tim, i lidhur kokë e këmbë, dhe këta, sa të ikni ju, shumë shpejt do ta shuajnë”. Gjatë takimit, isha më shumë i egërsuar se sa i dhembshur, prej prezencës së atyre mbrapa, duke vazhduar pa mëshirë: “Dhe ti mjaft lotove para këtyre, se këta atë duan, të të shohin duke qarë e të kënaqen se ja arritën qëllimit. Ikni shikoni hallet tuaja, mbani veten e qëndroni të fortë, tani do të jetoni me fatin tonë!”. Mamaja psherëtiu mes lotëve dhe më tha: “Mos fol ashtu Bedri. Ai s’ka bërë asgjë të keqe, vetëm libra e libra lexonte, ah, mos kanë faj ato librat e shkretë? Se asgjë të keqe s`ka bërë…” I thashë për të fundit herë: “Mama, mbase prandaj është këtu ku është, se s’ka bërë asgjë”. Në çast kryetari i degës ndërpreu takimin, dhe unë iu ktheva kurrizin menjëherë…

Në mbrëmje, në dhomën ku isha unë, kur po dilnim për në banjo, erdhi Selim Caka (shefi i hetuesisë). Të gjithë lëvizën vendit, kurse unë vazhdova të rrija ulur siç isha, pa luajtur asnjë gisht. Ai m’u drejtua: “Ti kulak, çke që s’ngrihesh në këmbë?” Unë vazhdoja të qëndroja ulur. Ai ulëriti dhe, unë, përsëri ashtu ulur, i kthehem: “Në këmbë çohem kur të kem frikë … ose respekt. Për ty, as njërën as tjetrin nuk e kam.”

“Mirë, – më tha, – erdhi përgjigja nga Gjykata e Lartë, ti e ke dënimin aq sa ta dhamë ne, 25 vjet njëher për njëherë. Në atë moment, e vetmja gjë që nuk më interesonte ishte vetja ime, ndaj e pyeta për vendimin e Gencit dhe Vilsonit.

“Jo, – më tha, – për ata, asnjë ndryshim.” Më pas, mori një të dënuar dhe ia çoi Gencit në birucë. Mesa kuptova ia çuan për t`i treguar bisedën time me shefin e hetuesisë. U dëgjua një zhurmë dhe, disa çaste më vonë, dëgjova policin që i tha në telefon dikujt: “Thërrisni urgjentisht mjekun”, si duket Gencit i kish’ rënë të fikët nga lënia në fuqi e vendimit me vdekje. Ndërkohë në dhomë, policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë.

18 Korrik 1977

Mbas të fiktit, i hapa sytë me shumë vështirësi, më dhimbte gjithë trupi; koka sa nuk po më pëlciste, kyçet e duarve dhe të këmbëve nuk i ndjeja. Në birucën që më kishin çuar, për të mos dëgjuar për të fundit herë zërin e dy të dënuarve, Rustem Dashi po më rrinte tek koka i shqetësuar. Jemi nga i njëjti fshat dhe të dënuar bashkë. Lëviza me zor dhe munda të mbështetesha në mur. E dija se, Rustemi kishte qenë në birucë në 30 ditët e fundit me Vilsonin. Isha i shqetësuar të dija se çfarë amaneti mund të kishte lënë Vilsoni dhe çfarë ka përjetuar në momentet e fundit kur erdhën ta merrnin. Nuk prita dot derisa e takova Rustemin. Ai u përlot. “Bedri, të rrish shtrirë 35 ditë lidhur kokë e këmbë është shumë e vështirë. Trupi të bëhet plagë, duart më keq; nga era e rëndë e helmetës në kokë, trullosesh. Djersa i rridhte mbi plagë, prej vapës përvëlonjëse. Dorën e majtë e kishte gati të nxirë nga prangat, qysh prej hetuesisë në Tiranë. Kërkonin ta dërgonin në Belgjikë me mision te daja juaj. Këtë më tha. Disa herë, kishte ardhur vetë Kadri Hazbiu në birucë, por Vilsoni nuk pranoi asnjëherë.”

“Rustem, këto i di se kam folur në mur me Vilsonin dhe Gencin; unë dua çastet e fundit, kur e morën nga biruca.” Rustemi më tregoi: “Atë natë nuk hëngri edhe pse iu luta, pasi i kishte ardhur ushqim nga familja. Ha pak Vili nga dora e mamasë tënde e mos u mërzit, s`dihet çfarë ka vendosur Zoti, – i thashë. Ai ma preu jo, më tha se do të hante më vonë. Dhe kështu, e ktheva me kurriz nga dera. Rrinte i heshtur, i mpirë. Pas ca orësh u dëgjua fishkëllima e hekurave të derës së korridorit. Unë kisha filluar të dremitja por sa i dëgjova që erdhën, brofa në këmbë. Korridori zhurmonte nga hapat e tyre; në fillim hapën derën e Gencit. U dëgjua zhurma e prangave. Mendova se i kishte ardhur falja dhe po e zgjidhnin.

U mbyll biruca e tij e, u hap dera përballë. Aty vetëm heshtje; as fjalë, as lëvizje, asgjë! Pas pak hapat u drejtuan nga ne, hapet biruca jonë dhe me vete u binda se erdhi falja. dera doli shefi i hetuesisë, Selimi. Brenda u futën dy policë. Kryetari i Degës, Merdar Hasa nuk hyri, qëndroi në korridor, i shoqëruar nga disa civilë. U ngrita në këmbë dhe u tërhoqa pas murit. “Zgjoje”, më thërret polici. “Nuk po fle”, i thashë unë. Atëhere foli Vilsoni. “Rustem, më kthe pak. E mora vesh pse kanë ardhur, sot mbushen 35 ditë, dhe kështu sot më mbarojnë torturat së qëndruari shtrirë i prangosur kokë e këmbë”.

Axhemi (përgjegjësi i policëve) me çelës në dorë, ia hoqi prangat e këmbëve, ia hoqi dhe zinxhirin që bashkonte këmbët me duart. E ngritën në këmbë, i vendosën një litar tek prangat e duarve dhe ia kaluan rreth trupit. Unë vetëm dridhesha. Cepin tjetër të litarit e mbante dikush tjetër. “Hajde”, thirri një nga ata. I mora xhaketën dhe ia hodha krahëve. Vilsoni bëri një gjysëm hapi, u ndal e, u kthye nga unë: ‘Rustem, – më thotë me atë zërin e tij burrëror, – ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq ditë. Do të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu.

Ti e pe gjyqin si u bë e, si vajti. Unë s`kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova. Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky qe fati im. Nuk e zgjodha unë. Lamtumirë Rustem’. Unë shtanga i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme ndërsa veshët e mi gumëzhinin papushim: ‘Rustem ma bëj hallall…thuaju….që nuk i kam turpëruar… Diana të shohë punën e saj… me vajzën… që s`e kishte parë me sy. Kishin kaluar ca kohë me këto zëra në vesh, kur papritur hapet biruca për të marrë mëngjesin. Nuk më hahej. I lutem policit që të më largonte nga ajo birucë, nuk rrija dot më. Më nxorrën duke lënë pas Vilsonin me fjalët e tij, batanijen dhe tasin e supës në cep të birucës.”

Me njerën dorë Rustemi mbante cigaren e me tjetrën fshinte lotët që i rridhnin mbi faqe; dhe, unë, që e dëgjoja, kisha dalldisur fare nga kjo botë. Rustemi më tregoi se kishte qenë 5 ditë në birucë me Gencin. Ishte i llahtarisur ngase nuk kishte parë asnjëherë një njeri të lidhur kokë e këmbë ashtu si Gencin. “Edhe pse ishte i tronditur, Gencit i thashë: ‘çfarë the ashtu në gjyq, pse e bëre këtë?’ Ai ishte i lotuar dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. Kërkoi nja dy a tri herë rojes t’i sillnin shefin e hetuesisë, Selim Cakën, por ai nuk u duk asnjëherë. Këto fjalë m’i tha me lot në sy”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bedri Blloshmi

STATUTET E KATEDRALES SË DRISHTIT: NJË MONUMENT I PAÇMUAR PALEOGRAFIK I MESJETËS SHQIPTARE 

July 16, 2022 by s p

Dr. Etleva LALA

Budapest

Statutet mesjetare dhe rëndësia e tyre

Pas Incidentit të Kanosës në vitin 1077, e Drejta Kanonike u nda përfundimisht nga e Drejta Romake dhe Civile në Evropën Perëndimore. E Drejta Kanonike vazhdoi të mbetej e njejtë në gjithë Perëndimin, me disa ndryshime të vogla, kurse e Drejta Romake u zhvillua në mënyrë të paparë më parë. Tri drejtimet kryesore në të cilat u zhvillua kjo e drejtë mund të përmblidhen në 1. Statutet e qyteteve, 2. Ligjet mbretërore, 3. E drejta kanunore. 

Ndërkohë që ligjet mbretërore që filluan me Magna Carta në Angli në vitin 1215 dhe me Goldene Bulle në Hungari në vitin 1222, gradualisht ndryshuan të gjithë fytyrën politike të Evropës Perëndimore, e drejta kanunore, që filloi të shkruhej që në vitin 1220-1230 nga Eike von Repgow në gjuhën gjermane me emrin Sachsenspiegel, dhe që u pasua me shumë Spiegel të tjera, ndryshoi të gjithë jetën sociale dhe kulturore të Evropës. Në këtë shkrim do të merremi vetëm me statutet e qyteteve, sepse statutet janë ato që u bënë përgjegjëse për krijimin e shumë superfuqive në Evropën mesjetare, siç ishte Republika e Venedikut, Republika e Gjenovës, Republika Raguzës si dhe për forcimin e identitetit lokal të qyteteve që konkurronin me njëri-tjetrin në bazë të statuteve, duke i bërë ata të zhvilloheshin në mënyrë të paprecedentë. 

Statutet si rregulla të drejtësisë, të cilat i nxjerr një pushtet autonom për territorin, fushëveprimin dhe qytetarët e tij, janë burime shumë të rëndësishme historike. Ato janë tërësi normash të shkruara apo akte normative të kodifikuara që rregullojnë jetën e brendshme të qyteteve mesjetare, marrëdhëniet e tyre si qytete-komuna autonome me subjektet e tyre, por edhe raportet e kishës me qytetin dhe komunën si dhe raportet hierarkike brenda kishës në një territor të caktuar siç është kryeipeshkvia ose ipeshkvia. Duke shërbyer si referencë për vetë qytetarët dhe për të huajt, statutet krijuan norma që sollën paqe, stabilitet, identitet si dhe pushtet edhe për njerëzit që në raste të tjera do të ishin të padukshëm në shoqërinë ku jetonin. 

Mbi bazën e statuteve zgjidhen dhe veprojnë të gjitha organet e brendshme drejtuese të komunës dhe të kishës, që kryejnë detyra të caktuara me karakter legjislativ, administrativ, gjyqësor dhe po mbi bazën e tyre jepen normat përkatëse juridike penale, civile, procedurale, doganore, tregtare, të pronësisë, të punës, jetës familjare, marrëdhënieve bashkëshortore, të prindërve me fëmijët, deri te normat mbi dhunën dhe sjelljet e moralit.

Shënimet e para për statutet e komunave në territoret shqiptare i hasim në qytetet-komuna përgjatë bregdetit Adriatik, që janë një vazhdimësi e statuteve të komunave dhe qyteteve dalmatine. Në krijimin e statuteve të qyteteve shqiptare dhe atyre të katedraleve, një rol vendimtar, që është edhe veçori dalluese nga statutet e ngjashme të krijuara në Evropë, ka luajtur e drejta zakonore vendase, që shfaqet në shumë institute juridike të përbashkëta.

Termi statutum në fillim përdorej për një vendim të vetëm me karakter legjislativ, i cili zakonisht kishte përdorim të gjerë dhe për një kohë të gjatë. Më vonë me këtë emër filloi të njihet tërësia e këtyre vendimeve si një korpus organik, Termi statutum, vazhdon të përdoret akoma në tekstet juridike, por vetëm me kuptimin “përcaktim ligjor, juridik, rend, rregull” duke qëndruar kështu shumë pranë fjalës latine “constitutio.” Në fillim të shek. XII përdorimi i fjalës “statuta” kufizohet vetëm në qarqe të caktuara dhe sidomos në gjuhën e përdorur për mbretin dhe për kishën megjithëse shfaqen edhe statutet e qytetit (statuta civitatis). 

Nëse në fillimet e tyre këto rregulla renditeshin në mënyrë fragmentare dhe kronologjike sipas datave, me kalimin e kohës dhe me rritjen e eksperiencës renditja filloi të bëhej sipas principeve më të mira sistemuese. Ato u ndanë në pjesë dhe sektorë të ndryshëm në libra, kapituj, etj., sipas kritereve të përmbajtjes. Kushtetuta dhe administrimi i komunës, e drejta civile dhe penale, mbikqyrja e sigurisë në qytet dhe në vend, marrëdhëniet tregtare etj. të gjitha këto ishin tani forma të veçanta dhe secila u zhvillua në një mënyrë të veçantë, sipas karakteristikave dhe specifikave të komunave apo katedraleve përkatëse. 

Historiku i gjetjes dhe vendndodhjes së dorëshkrimit “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis”

Statutet e Katedrales së Drishtit, titulli i plotë i të cilave në latinisht është Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis, sot gjenden në Kopenhagë, në Bibliotekën Mbretërore Daneze (Det Kongelige Bibliotek, Håndskriftsafdelingen, København,) në sektorin e dorëshkrimeve me signaturën Ny kgl. S. 1822. Ai u rigjet nga studiuesi i mesjetës, Musa Ahmeti, në vitin 2005.

Përpara se të gjendeshin këto statute, dispononim vetëm të dhëna fragmentare për vendndodhjen e sotme të tyre, të dhëna këto të marra nga shënimet e albanologut kroat Milan Shuflaj. Sipas tij, dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, i përshkruar në mënyrë shumë sipërfa-qësore, por me titull të plotë: Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis. Meqenëse dorëshkrimi nuk u shit, K. W. Hiersemann-i i përsëriti shënimet e vitit 1915 në katologun 477 për vitin 1920, fasc. 7, nën numrin 33, duke mos shtuar asgjë më shumë. 

Milan Shuflaj jo vetëm që ka qenë i pari që tërhoqi vëmendjen e botës shkencore për ekzistencën, vlerën dhe rëndësinë e këtij dorëshkrimi, por edhe i pari që tregoi për përmbajtjen dhe vendndodhjen e tij, në atë kohë, pra deri në vitin 1920. Për këto të fundit, M. Shuflaj jo vetëm që kishte njoftuar Ivan Bojniçiqi në vitin 1916, por edhe ishte përpjekur me të gjitha forcat të gjente një blerës në pamundësi për ta blerë vetë dorëshkrimin e vyer. Shuflaj i ishte drejtuar banit kroat, Rauhit, që ta blente atë për Bibliotekën Universitare të Zagrebit, por blerja nuk ishte realizuar. Ai e kishte provuar përsëri përmes Thalloczy-t që Akademija Vjeneze ose ajo e Budapestit ta blenin atë, por pa sukses. Ndërsa Shuflaj po këmbëngulte që dorëshkrimi të blihej me çdo kusht [ai i ishte drejtuar edhe Akademisë Serbe të Shkencave në Beograd për ndihmë], pa pritur në vitin 1920, ai njoftohet, se një blerës anonim e kishte blerë dorëshkrimin për shumën marramendëse prej 2.000 markash, aq sa ia kishte vënë çmimin antikuari gjerman. Një gjë e tillë e shqetësoi shumë, ngaqë kishte pasur shpresë që një ditë do ta botonte vetë këtë burim me vlera të jashtëzakonshme për mesjetën e qyteteve shqiptare. 

Përmes albanologut Henrik Bariq, në vitin 1924, Shuflaj arriti të siguronte emrin e blerësit, danezit Sir Thomas Phillipps. Së bashku me kolegët e tij, Viktor Novakun dhe Henrik Bariqin, i luten albanologun danez, Holger Pedersenin, që të ndërmjetësonte te Sir Thomas Phillipps për të siguruar një kopje të fotografuar të tërë dorëshkrimit. Më në fund, në vitin 1925, arrin kopja e dorëshkrimit, e cila megjithatë nuk ishte e plotë.

Shuflaj, së bashku me Novakun, iu vunë menjëherë për përgatitjen për botim të dorëshkrimit, me gjithë mangësitë që kishte. Si i tillë botohet në Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju në Beograd në vitin 1927. Edhe pse i botuar, ai mbetet pothuajse i panjohur dhe i pashfrytëzuar fare nga studiuesit dhe historianët shqiptarë dhe të huaj për arsye të ndryshme, edhe pse Novak e inkorporon në librin e tij të paleografisë latine si një ekzemplar i rrallë i stilit humanik/gotik. (Shih Viktor Novak, Latinska Paleografija, botuar në Beograd në vitin 1959 nga shtëpia botuese Naučna Knjiga. Në vitin 1972, botohet në formë të shkurtuar në gjuhën shqipe dhe me ndërhyrje të shumta në revistën: Gjurmime Albanologjike, seria e shkencave historike të Prishtinës. 

Për të saktësuar dhe plotësuar historikun e ardhjes së dorëshkrimt të Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis në Bibliotekën Mbretërore Daneze, kemi pasur edhe ndihmën dashamirëse dhe të pakursyer të albanologëve dr. Noel Malcolm dhe dr. Robert Elsie. Përmes këtij të fundit, dr. N. Malcolm, na dërgoi informacione shumë të vlefshme për historinë e lëvizjes së dorëshkrimit. Nga hulumtimet e tij në bibliotekat britanike, Malcolm kishte arritur në konkluzionin që pohimi se dorëshkrimi i ishte shitur nga Hiersemann zotërisë “danez” Thomas Phillipps ishte i gabuar. z. Thomas Phillipps (1792-1872) ishte një koleksionist i famshëm anglez dorëshkrimesh dhe librash. 

Koleksioni i Thomas Phillipps ishte kolosal dhe pjesët më të mëdha të këtij koleksioni vazhduan të shiten nga trashëgimtarët e tij edhe shumë kohë pas vdekjes së tij. Pasi N. Malcolm kërkoi në shumë nga katalogët për shitje të këtij koleksionisti, gjeti informacionin që vijon: në katalogun për shitje të Sothebys të quajtur Bibliotheca Phillippica: Catalogue of a Further Portion of the (…) Manuscripts & Autograph Letters of the late Sir Thomas Phillipps (Katalog i një pjese të mëtejshme të (…) dorëshkrimeve dhe letrave autografe të z. Thomas Phillipps të mëvonshëm (Londër, 1913), për një shitje prej katër ditësh (19-23 maj 1913) zëri në faqen 168 për koleksionin 826 (shitur më 22 maj) është shkruar: “Illyria: Statuta Pauli Angeli Archiepiscopi Dyrrhachiensis et Illyrice (sic!) Regionis Judicis et Comissarii, dorëshkrim original i shekullit XV në vellum, me miniature, në inicial, të Pal Engjëllit në rrobën e ipeshkvit. Folio. XV shek.” Biblioteka Bodleiane, Oxford, ka një fotokopje të kopjes me komente të këtij katalogu, në të cilin komentuesi ka vënë emrat e blerësve dhe gjithashtu edhe numrat e dorëshkrimeve në katalogun origjinal të printuar të bibliotekës së Phillipps-it. Në këtë rast, blerësi ishte Hiersemann dhe çmimi ishte 4 paund e 15 shilinga. Në katalogun origjinal të Phillipps-it, numri i këtij artikulli ishte 7308. N. Malcolm na tërhoqi vëmendjen edhe në një ribotim modern të këtij katalogu A. N. L. Munby, ed., The Phillipps Manuscripts: catalogus librorum manuscriptorum in bibliotheca D. Thomae Phillipps, Bt. impressum typis medio-montanis 1837-1871 (London, 1968). Zëri këtu (në faqen 111) është si vijon: “Pauli Angeli Statuta sm f. V. s. XV [d.m.th. fletë e vogël, vellum, saeculi XV], 1468”. Eshtë në një grup dorëshkrimesh nën titullin (f. 107) “Thorpe MSS, 1833. From Guilford, Naylor, Shaw, Mason, Allard, Monteil, and other Collections”. 

Me fjalë të tjera, dorëshkrimi ishte sjellë nga ndërmjetësi Thomas Thorpe në vitin 1833, dhe vinte nga një prej atyre koleksioneve, dhe jo nga koleksioni i Lord Guilford-it: artikujt nga koleksioni i tij janë shënuar me ‘G’ në katalog. Fraza “…and other Collections” (dhe koleksione të tjera) e ka bërë N. Malcolm të mendojë që kërkimet tona duhet të përqendrohen tek koleksionistët e tjerë të përmendur në listë, për të mësuar historinë e vërtetë të lëvizjes së këtij dorëshkrimi.

Përshkrimi fizik i dorëshkrimit 

Në Bibliotekën Mbretërore Daneze, Det Kongelige Bibliotek, Håndskriftsafdelingen, København, në sektorin e dorëshkrimeve, dorëshkrimi ruhet në një kuti kartoni, ngjyrë jeshile dhe është i lidhur me kopertina kartoni të forta, ngjyrë kafe të errët, ndërsa kurrizi është prej pergameni të bardhë. 

Gjashtë faqet e para dhe të fundit janë boshe, përkatësisht janë faqe që u takojnë kopertinave kur është bërë lidhja e re në fund të shek. XIX. Dorëshkrimi është në pergamen të butë, fin dhe i tëri në gjuhën latine. Kopertina është diçka më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme. 

Dorëshkrimi origjinal në pergamen ka dy lloj faqosjesh. Njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr. 1r dhe vazhdon deri në nr. 18 dhe faqosjen e dytë, poshtë në djathtë, që fillon nga nr. 9r dhe përfundon në nr. 26v. Të dyja faqosjet janë të kohës së dorëshkrimit. Mesa duket, ky dorëshkrim ka qenë pjesë e një apo më shumë dorëshkrimeve tjera të lidhura së bashku. 

Në f. 1r (faqosja e vjetër 9r) brenda nistores “P” të praruar në flori, me dekorime shumë të bukura përreth, është një portet i kryeipeshkvit Pal Engjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë i veshur me rrobat e kryeipeshkvit. Mitra e bardhë, e ndarë me një vijë të kuqe nga balli lart, ka një lakim të vogël, majtas. Në ballë është vetëm një hark i vogël që shërben si bazament për fillimin e vijës. Jakat e veladonit janë jeshile. Menjëherë poshtë jakave është petku i hedhur mbi supe i cili ka ngjyrë vjollce. Nga gryka deri në fund të kraharorit, petku ka formën e shkronjës “V.” Petku është i hedhur mbi supe dhe mbi duar. Brendia e petkut është jeshile. Veladoni poshtë petku është blu dhe i arrin deri te gjunjët. Poshtë veladonit, nga gjunjët deri te këpucët është një petk i bardhë. Në dorën e djathtë, kryeipeshkvi mban shkopin baritor, i cili është i bardhë dhe ka kokën e rrumbullakët, ngjyrë gri. Dora e majtë është ngritur në pozicion lart, ashtu si kur bëhet bekimi. Sfondi është gjithkund blu i errët, ndërsa portreti rrethohet nga një rreth eliptik ngjyrë vjollce.

Në të gjitha faqet e dorëshkrimit ka iniciale të dekoruara. I tërë dorëshkrimi ka 66 iniciale. Zakonisht në iniciale janë përdorur tre ngjyra: e kuqja, kafeja dhe bluja e mbyllur! 

Në f. 4r-v; 5r-v; 6v; 7v; 8r-v; 9v; ka shënime në hapësirën anësore të faqeve, marginave, menjëherë në vazhdim të tekstit me ngjyrë të kuqe. Shënimet në margina shkojnë gjithmonë në drejtim të fundit të faqes. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së Engjëllorëve, e cila lexohet me vështirësi sepse është shumë e zverdhur. Kopertina e fundit e dorëshkrimit është mjaft e dëmtuar. Në të ka disa rreshta me shënime në fund të faqes, por janë shumë të dëmtuara nga koha dhe leximi i tyre është pothuajse i parealizueshëm. 

Dorëshkrimi ka gjithsej 922 rreshta: 32 faqe kanë nga 27 rreshta, dy faqe nga 26 rreshta [f. 14v dhe 17v] dhe një faqe 6 rreshta [f. 18r], me 53 kapituj dhe dimensione: 17.5 x 25.7 cm.

Koha dhe rrethanat e krijimit të dorëshkrimit

Dorëshkrimi është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys me 12 janar 1468, i cili bën gjithashtu përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464, nga libri i noterit dhe kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros, që njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit. Gjon Mauro kishte vdekur tashmë në vitin 1468.

Variantin e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët nga Drishti, të cilët ishin të ditur, të shkolluar, dhe njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën. Për zakonet e lashta të katedrales së Drishtit flet vetë teksti në mënyrë eksplicite: laudabilem consuetudinem antiquorum nostrorum immitantesi (kap. 2); pastaj: antiquissimam constuetudinem imminantes (kap. 39) dhe antiquissima et observata consuetudine (kap. 44) si dhe secundum morem et consuetudinem antiquorum (kap. 46). Pra, përveç përvojës, njohurive dhe njohjes së situatës së përgjithshme, kanonikët nga Drishti, kishin si shembull edhe këto statute të lashta a maioribus nostris quasdam constitutiones traditas [f. 2v], që datonin të paktën nga viti 1397. 

Sipas të dhënave të tjera arkivore, mësohet se ky statut ishte “edituar” në vitin 1456, kur papa Kalisti III, i kishte dhënë autorizimin ipeshkvit të Sapës Gjergjit [ishte ipeshkv në Sapë gjatë viteve: 1440-459] për një veprim të tillë, ipsique capitulum et canonici nonnulla statuta ediderunt. Shkaku se pse ky editim nuk u njoh zyrtarisht, ishte vdekja e papës Kalisti III. Ndërkohë, në vitin 1459, vdiq edhe ipeshkvi i Sapës Gjergji, kështu që papa Piu II, pas një lutjeje me shkrim të bërë nga katedralja e Drishtit në vitin 1463, emëron dy persona autoritarë për të verifikuar dhe nëse ka nevojë për të plotësuar statutin ekzistues të Katedrales së Drishtit. Këta ishin, kryeipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli dhe kryediakoni i Shkodrës, emri i të cilit nuk na bëhet e njohur në statute, por që sipas Hierarchia Catholica të Eubelit (vëll. II, f. 256) ai duhet të jetë domenikani Manuel (1451-1465). 

Pas një pune të kujdesshme, të kryeipeshkvit dhe kryediakonit, më 21 nëntor të vitit 1464, në manastirin benediktin të shën Theodori de Elohiero bëhet njohja zyrtare e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis në prani të “zotit at Nikollë Lalemit, abatit të manastirit në fjalë dhe në praninë e zotit Gjergj Topia dhe të burrave të nderuar, zotit Pjetër, rektorit të shën Demetrij de Plumsis dhe të zotit Gjin, rektorit të shën Venere de Managastis dhe në prani të dëshmitarëve dhe të të ftuarve të tjerë edhe të rogatëve…”

Përmbajtja e dorëshkrimit

Që nga themelimi i komunave-qytete, kisha ishte drejtuese e segmenteve kryesore të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror. Një gjë të tillë e dëshmojnë statutet ekzistuese, por edhe burimet historike dokumentare të kohës të në të cilat vërehet pushteti dhe ndikimi i “dorës së fortë“ jo vetëm në përditshmëri, por deri në detajet më të imta të jetës, të cilat kontrolloheshin në forma të ndryshme, ndërsa  në  këtë rast përmes Statuteve, sepse luftoheshin në mënyra të ndryshme faktorët negativë dhe të dëmshëm për individin dhe shoqërinë dhe në të njëjtën kohe ishte ajo, pra kisha, e cila ofronte kujdesej, mbrojte dhe bashkim në gjirin e saj.

Pothuajse në të gjitha statutet e njohura deri me sot, vërehet roli dhe ndikimi i madh i kishës gjatë mesjetës, sepse pa përjashtim, normat e para të statuteve fillojnë me rregullat e kishës, obligimet, rolin dhe vendin që ka kisha në shoqërinë komunë-qytet. Ky veprim është i pranishëm edhe për faktin se kisha ishte promotore pothuajse e të gjitha segmenteve të jetës, qofshin ato laike apo kishtare, si në aspektin ekonomik, tregtar, politik, diplomatik, social, shëndetësor, kulturor etj, pra ishte boshti i zhvillimit dhe marrëdhënieve të njeriut në shoqërinë mesjetare, qoftë me individin qoftë me pushtetin.

Kushtetuta që zyrtarizoi katedralja e Drishtit, më 12 janar të vitit 1468, nuk ishte tjetër veçse përmbledhja e rregullave që ishin në fuqi prej një kohe të gjatë. Duke qenë se këto statute bazohen në një shkallë të lartë tek zakonet e vjetra ekzistuese antiquissima et observata consuetudine (kap. 44) duke i hedhur në letër ato që tashmë ishin praktikë e përditshme në shoqërinë shqiptare secundum morem et consuetudinem antiquorum (kap. 46), statutet fillojnë me një normë zakonore që duhet të ketë qenë shumë e përhapur në traditën e lashtë shqiptare si është ajo e respektit të ndërsjellë të brezave dhe pikërisht me “Në ç’mënyrë të rinjtë duhet të respektojnë pleqtë dhe në ç’mënyrë pleqtë duhet t’i duan të rinjtë…” [kap. I] duke theksuar kështu që në fillim vlerat tradicionale dhe rëndësinë që ata u jepnin këtyre vlerave vendore.

Në kapitujt në vijim përcaktohet mënyra e zgjedhjes së rektorit dhe prokuratorit [kap. II], saktësohen detyrat dhe përgjegjësit e rektorit [kap. IV], kanonikëve [kap. VII, VIII, IX, XLIV], rregulli për diskutim në kapitull dhe respekti ndaj pleqve [kap. XVII], ruajtja dhe përdorimi i vulës; dokumenteve dhe privilegjeve [kap. XX], gjobat për vjedhje dhe mashtrim [kap. XXIII], përfaqësimi i kanonikëve dhe të deleguarit e tyre në bisedime ose marrëveshje të ndryshme [kap. XXIV], dënimet për rrahje [kap. XXIX], shqyrtimi i ankesave të ndryshme nga qytetarët, por edhe nga kanonikët [kap. XXX-XXXIII], në rast të mungesës së normës statutore, të veprohet sipas drejtësisë dhe ndershmërisë, duke pasur gjithmonë parasysh frikën e Zotit [kap. XXXV], dënimet e konkubinatit [kap. XXXVI], ndërsa kap. XLI, flet për ndihmën dhe mbështetjen e studiuesve dhe atyre që shkojnë studime, kurse kap. LI, trajton “Mosmarrëveshjet rreth respektimit të statuteve”, etj.

Familjet fisnike të përfaqësuara në radhët e kanonikëve si Kalanci, Prekasi, Beli, Çezani, Kelanti, Pishiragu, Hungari, Jonima, Suma, Sakati, Golemi, Xaoni, Kazeli, Merti, Mazioti, Engjëlli, Frangu, etj. e zotëronin tashmë prej kohësh ekonominë dhe politikën e qytetit. Administrimi dhe drejtimi i abacive dhe i dioqezave-ipeshkvive e kryeipeshkvive shqiptare bëhej nga rrethi i ngushtë i klerikëve të lartë vendas, po kështu edhe rrethin e ngushtë të kanonikëve e përbënin vendasit, kryesisht nga familjet e kamura fisnike. Familjet e shumta të përfaqësuara në rradhët e kanonikëve si Hungaro, Summa, Prekali dhe Zaon zotëronin jo vetëm ekonominë dhe politikën në qytetin në hyrje të universit malor shqiptaro-verior, por edhe të dy pushtetet atë kishtar dhe laik, të bashkuar në personin e ipeshkvit. 

Edhe në Durrës katedralja ishte një qendër e pushtetit, sepse përcaktonte zgjedhjen e kryeipeshkvit, e princit kishtar më të rëndësishëm të Shqipërisë së mesme dhe jugore, rreth mesit të shekullit të 15-të edhe udhëheqës shpirtëror e mendor i kryedioqezës së tij. Kryedhjakët në Tivar, por veçanërisht në Durrës, radhiteshin ndër personalitetet më të rëndesishëm të qytetit. Durrsaku kishte udhëhequr deri rreth 1350-ës gjatë sundimit ortodoks një komunë katolike, por e ruajti pozicionin e tij edhe pas vendosjes së një kryeipeshkvi katolik. Kryedhjaku ishte shkalla e fundit në rrugën për titullin e ipeshkvit ose të kryeipeshkvit. Kryedhjaku dhe patrici nga shtëpia e Vladëve në Ulqin është vetëm një shembull (1406). Kryedhjaku i Ulqinit ishte i dërguar i princit të Balshajve, Gjergj II në Dubrovnik (1403). Kolegu i tij shkodran merrte pjesë njëkohësisht në tregtinë e kripës.

Të huajt nuk ishin të mirëpritur në Drisht, sidomos në shekullin e katërmbëdhjetë, por edhe më vonë. Në shekullin e pesëmbëdhjetë të huajt me funksione në qytetet shqiptare u zëvendësuan plotësisht nga klerikët vendas. Kjo shpjegon edhe faktin që në katedralen dhe komunën e Shkodrës kemi shqiptarë si Progonin, ipeshkv të qytetit në vitin 1402, Gjergj Pelinin, abat të Rotecit dhe Pal Engjëllin, kryeipeshkv të Durrësit. Të gjithë këta rridhnin nga fisnikëria vendase e Drishtit, Shkodrës dhe Tivarit dhe janë shembuj të dukshëm për kontrollin e patriciatit vendas mbi kishën katolike në hapësirën shqiptare edhe gjatë sundimit venedikas.

Me një fjalë, Statutet janë ligje në të cilat është saktësuar, përkatësish është rregulluar ose sanksionuar, e drejta e individëve dhe shoqërisë si tërësi si dhe marrëdhëniet e tyre të përbashkëta apo ato të veçanta. Nëse i shikojmë si strukturë, Statutet janë të ndarë në libra, të cilat në brendi të tyre janë të ndara pastaj në kapituj. Çdo libër në vetvete përmban rregulla të përcaktuara saktë të një fushe përkatëse të drejtësisë, derisa kapitujt me terminologjinë praktike të sotme mund ti quajmë nenet përkatëse të një ligji të caktuar. Përveç fazës së parë të krijimit të Statutit, (zyrtarizimit të tij të parë), kemi edhe pjesët shtesë të Statuteve, të cilat zëvendësojnë një normë përkatëse ose reformojnë atë që ka filluar të “vjetrohet“ apo “tejkalohet.“ 

Është e sigurt se Statuti, në vetvete, nuk mund të kishte rregulla të cilat do të mbulonin të gjithë veprimtarinë shoqërore, por në këto raste, kur mungonte ndonjë rregull, atëherë aplikohej analogjia e rasteve të ngjashme qoftë nga e drejta zakonore vendore, ose ajo e ndonjë statuti të komunave fqinje, por, jo rrallë aplikohej edhe e drejta romake ose ajo bizantine, e njohur dhe e praktikuar për shekuj me radhë në këto troje.

Konteksti gjeografik dhe historik i statuteve të Katedrales së Drishtit

Nuk është çudi që i vetmi statut katedraleje nga brigjet e Adriatikut na vjen nga qyteti i Drishtit. Drishti njihej si qytet me një karakter të fuqishëm katolik dhe me një ndërgjegjshmëri të lartë qytetare. Ka shumë elementë që kanë ndikuar në krenarinë e lartë të Drishtit. Shumë studiues janë rrekur t’i marrin ato një nga një në analizë dhe të vënë theksin në këtë apo atë element. 

Vetë emri i Drishtit ka tërhequr vëmendjen e madhe të gjuhëtarëve të cilët duke kërkuar përmendjen e parë të emrit të Drishtit dhe prejardhjen e tij, e kanë konsideruar atë si një provë të rëndësishme që vërteton vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve. 

Karakteristikë për vazhdimësi iliro-shqiptare, në qytetin e Drishtit është edhe arkitektura e qytetit. Ndryshe nga qytetet bizantine, që kanë mure rrethuese dhe akropol, në të cilin banonte aristokracia dhe nëpunësit e administratës shkencore, Drishti dhe qytetet e tjera mesjetare shqiptare të ngjashme nuk e kanë një strukturë të tillë të qytetit dhe as teknikën e ndërtimit të mureve mbrojtëse tipike bizantine. Për këtë, një rol të madh ka luajtur sigurisht, autonomia administrative e këtyre qyteteve, por për të drejtën qytetare në mesjetën e hershme, tani për tani ne kemi vetëm një përfytyrim të zbehtë.

Megjithatë nuk është vetëm lashtësia e këtij vendbanimi, por edhe elementi i tij katolik ato që e bëjnë atë karakteristik. Përsa i përket kohës së krijimit të ipeshkvisë së Drishtit, Shuflaj e vendos atë në të ashtuquajturën shtresë e dytë të krijimit të ipeshkvive në shqiptare, secundäre Schicht, shtresë kjo e krijuar si rezultat i migrimit të madh të popujve. Në dokumentet e shkruara, ipeshkvia e Drishtit përmendet për herë të parë më 16 maj 743, kur mesa duket ishte nën juridiksionin e kryeipeshkvit të Dubrovnikut, në atë kohë të njohur me emrin Epitauritane. 

Përsa i përket arkitekturës kishtare të Drishtit, Aleksander Meksi është i mendimit se fillimet e këtyre ndërtimeve i takojnë kohës së sundimit të perandorit Jan Cimiskes (969-976). Në atë kohë, Drishti përmendet si ipeshkvi në varësi të Durrësit. Meksi është i mendimit se në këtë qytet duhet të ketë ekzistuar që herët një domus episcopalis ose ndryshe i njohur edhe si palatium episcopatus, ndërtesë kjo e njohur si rregull në të gjitha qytetet ipeshkvnore. Përmendja e parë në dokumente e një domus episcopalis në Drisht daton nga viti 1251. Në vitin 1397 përmendet përsëri një domus episcopalis, dhe Meksi mendon se sa herë përmendet ky term, bëhet fjalë për katedralen e qytetit. 

Qyteti i Drishtit duhet të ketë pasur shumë kisha, siç mund të dokumentohet në tekstet e shkruara. Kështu p.sh. që në vitin 1353 kemi të përmendur katedralen e Shën Mërisë, e cila edhe në vitin 1553 mendohej të ishte pikturuar nga Shën Luka i famshëm i gjithë hapësirës së Adriatikut. Krahas katedrales së Shën Mërisë, në Drisht gjejmë të përmendur edhe kishën e Shën Stefanit, e madje që prej vitit 1290. Katedralja e Shën Gjergjit ishte gjithashtu e famshme dhe kisha e shën Françeskut përmendet shpesh (1353, 1368), (1404). Kisha Sancta Maria Veteris (1403) dhe kisha e Shën Shelbuemit (1399), si dhe kisha e Shën Prendës janë vetëm disa të tjera për të mos i përmendur të gjitha.  

Duke qenë se kapitulli i Drishtit, ashtu si ai i Tivarit ishte i ndarë në kolegje, mendohet që të gjithë jetonin në një kuri të përbashkët që quhej kanonikë. Përderisa në vitin 1400 përmenden canonisi de sancta Maria dhe canonisi de san Zorzi kjo do të thotë që në këtë kuri (canonica) bënin pjesë klerikë nga të gjitha kishat e qytetit, që mesa duket zgjidheshin kanonikë me anë të shumicës së votave. 

Vlera dhe rëndësia e statuteve të Katedrales së Drishtit

Dorëshkrimi “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” është tepër i rrallë dhe unik, sepse përmban kapitujt e një katedraleje, respekti-visht ato të Katedrales së Drishtit. Si i tillë, pra si statut katedraleje, ai është i vetmi që është zbuluar deri më sot në qytetet e bregdetit Adriatik, dhe për këtë arsye ka një vlerë të jashtëzakonshme për historinë e krishterimit, në aspektin e një ndërthurje ideale të jetës shekullare me atë fetare në  një aparat të tillë normativ.

Krahas Këshillit të Madh, i cili kishte autoritetin ekskluziv për të ngritur qytetarët e thjeshtë në sërën e fisnikërisë, edhe katedralja kishte një peshë mjaft të madhe për të shtuar numrin e fisnikëve, sepse nëpërmjet zgjedhjes kanonike në radhët e larta të institucioneve fetare mund të vinin edhe njerëz të thjeshtë që pastaj shndërroheshin në fisnikë. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore se përse në territoret shqiptare kishte shumë që vendosnin të bëheshin klerikë, për të shërbyer pastaj në funksione të rëndësishme fetare në gjithë Dalmacinë e më gjerë deri në Hungari, ku ata automatikisht pranoheshin në radhët e fisnikërisë së lartë vendase.

Krahas ipeshkëve, katedralet e qytetit, shpesh të ndara në shumë kolegjiume, ishin një faktor tjetër shumë i rëndësishëm i pushtetit. Komuna e Drishtit administrohej në mënyrë të mirëfilltë nga ata. Kanonikët e katedrales ushtronin detyra qytetare si atë të noterit dhe të mbledhësit të taksave. Ata shkonin edhe si të dërguar të bashkëqytetarëve të tyre jashtë vendit me funksione diplomatike. Nga këto të fundit, për t’u përmendur janë rastet e Gjon, Ndre dhe Pal Gazulit, Martin Muzakës, Pal Engjëllit, Gjergj Pelinit, Paganinos, Andrea Sumës që në kohën e Skënderbeut shërbenin edhe si ambasadorë. 

Me zgjedhjen e ipeshkëve ata kishin ndikim të drejtpërdrejtë në politikë. Nëpërmjet rikonfirmimit dhe zyrtarizimit që u bëhej rregullave antike, pasi ato u plotësuan dhe iu përshtatën rrethanave të reja politike, ekonomike dhe zhvillimeve të përgjithshme sociale, statutet e katedrales së Drishtit të vitit 1468 u përgjigjeshin më mirë këtyre nevojave organizative dhe administrative. 

Statutet e qyteteve-komuna dhe të katedraleve shqiptare janë një dëshmi që vërtetojnë edhe një herë ekzistencën e qyteteve-komuna shqiptare, të botës qytetare në kompleksin mesdhetar, zhvillimin e tyre dhe ngjashmëritë me qytetet-komunat e tjera të Evropës si dhe zhvillimin e të drejtës kanonike kishtare, e cila ishte mjaft specifike sepse ruante në vetvete rregullat zyrtare të kishës duke i përshtatur ato sipas të drejtës dhe traditës vendëse. 

Qytetet-komuna me komunitetet e tyre janë ndër manifestimet më të suksesshme të zhvillimit të Evropës mesjetare. Këto forma të jetës dhe kulturës qytetare u krijuan përgjatë brigjeve të Adriatikut. Rregullimi i jetës sociale brenda komunës, por edhe marrëdhëniet e komunës me botën tjetër përreth saj janë disa nga proceset që kanë sjellë deri te zhvillimet e hovshme të këtyre njësive të vogla administrative, por të rëndësishme për njohjen dhe kupti-min e drejte të zhvillimit të mesjetës përgjatë brigjeve të Adriatikut. Fillimi i rregullimit të marrëdhënieve shoqërore përmes Statuteve mendohet si fillimi i krijimit të shoqërive të reja komunale si pasojë e zhvillimeve të përgjithshme të shoqërisë mesjetare të kohës.

Debati për Statutet e qyteteve-komuna bregdetare në përgjithësi dhe atyre shqiptare në veçanti, është njëkohësisht edhe debat për fillimin e njohjes së historisë së të drejtës së kodifikuar zyrtare në territoret e sotme shqiptare. Këto statute mesjetare në përgjithësi janë shumë më të gjëra dhe të detajuara se sa statutet e sotme, dhe një gjë e tillë pamundëson krahasimet e mundshme të këtyre statuteve të krijuara në kohë të ndryshme, por në hapësirë territoriale të njëjtë. Me statutet e qyteteve-komuna mesjetare janë rregulluar pothuajse të gjitha marrëdhëniet juridike relevante, me përjashtim të atyre që kishin të bënin me të drejtën zakonore, e cila ishte me ndikim të fortë edhe në këto qytete-komuna, por veçanërisht në hinterland. Megjithatë duhet theksuar se e drejta zakonore vendore që rregullonte marrëdhëniet brenda-komunitare shpesh shërbenin si pikënisje për statute të reja, sepse ato rregulla aplikoheshin në jetën e përditshme, por kishte edhe raste, kur këto rregulla, liheshin anash qëllimisht për shkak se konsideroheshin si të panevojshme ose edhe pengese për zhvillime të reja ekonomike, tregtare dhe kulturore. 

Historikisht, numri më i madh i statuteve të qytet-komunave, është i njohur në brigjet e Adriatikut pas ndikimit të madh venedikas në këto territore, i cili u manifestua si në jetën politike e ekonomike ashtu edhe në atë kulturore, sociale e fetare. Faktikisht ne shqiptarët, sot kemi në duar vetëm dy Statute, atë Shkodrës dhe këtë që botojmë ne, të Katedrales së Qytetit të Drishtit, edhe pse është i njohur fakti se në dorëshkrimet e Milan Šufflay-t që ruhen në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, gjenden dorëshkrime komplete ose fragmentare të disa statuteve të qyteteve-komuna shqiptare, të cilat nuk janë botuar deri me sot. Në këto dorëshkrime të pabotuara të Milan Šufflay-t, gjenden të dhëna me shumë interes, të cilat pothuajse çdo herë janë të mbështetura në burime arkivore, të shoqëruara me literaturë të bollshme, por dhe me studime dhe komente të shumta nga vetë Šufflay. 

Edhe studimet e botuara janë me interes të veçantë. Milan Šufflay, në studimin e tij “Kulturne struje na srednovječnon Jadranu” të botuar në vitin 1923, e ribotuar në vitin 1999, shprehimisht shkruan: “Ka gjurmë të sigurta, të Statuteve të Tivarit, Ulqinit, dhe Durrësit, ndërsa na është ruajtur Statuti i qytetit të Drishtit, i cili në shekullin e XIV, ishte nën jurisdikcionin e ipeshkvit. Këto statute, pra edhe ai tre gjuhësh, greqisht, latinisht e shqip, i Durrësit, janë shkruar gjithashtu latinisht.”

Nga ana paleografike, Statuti i Drishtit është një momument unik i mesjetës shqiptare. Ai konsiderohet si dorëshkrimi më i vjetër i stilit humaniko-gotik në bregdetin e Adriatikut perëndimor. Dorëshkrimi ka shumë elemente të gotikut, si p.sh. shkurtesat dhe elementet e morfologjisë gotike, të cilat vërehen kryesisht te inicialet dhe më së shumti te titujt dhe nëntitujt e kapitujve të dorëshkrimit. Kjo është gjë shumë e rrallë dhe ndër rastet e vetme ku kombinohet humaniku me gotikun, pasi në këtë periudhë ndarja e tyre ishte bërë prej kohësh. Një pjesë e këtij kodiku është në humanistikën kursive, sidomos në margina. Në disa raste kjo formë e shkrimit që haset te kodiku i statuteve të Drishtit konsiderohet nga specialistët e paleografisë si i fundit të stilit karolin të shek. XV dhe kalimi në stilin gotik-humanistik të po këtij shekulli. Ata e kanë quajtur littera antiqua horum temporum , të cilin paleografët italianë e quajnë ndyshe edhe si lectere antice nuove. Te paleografia bashkëkohore gjermane njihet si Die Schrift der Ranaissance, Die Ranaissanceschriften, Die humanistische Schriften, Ranaissance-minuscel, die Humanisteschrift, ndërkohë që sipas paleografëve italianë scrittura romana del rinascimento, scrittura umanistica, umanistica. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Etleva Lala

PUSHKATIMI I DY POETËVE PARA 45 VJETËVE…

July 16, 2022 by s p

NË NDERIM TË MARTIRËVE, VILSONIT DHE GENCIT,

Nga Visar Zhiti

I pushkatuan para 45 vjetësh, si sot, në 17 korrik 1977… Dy të rinj nga një fshat i Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, – shih, dhe emrat i kanë si në balada, familjarë të dashur, i shkulën nga gjiri i familjes, Vilsoni 29 vjeç, la gruan dhe vajzën, Genci 36 vjeç, la djalin dhe vajzën… edhe sot do të ishin… me libra shumë… por janë, më të dashur se kurrë, martirë.

Na lanë poezinë e tyre si testament dhe heroizmin. Në burgologjinë time “Ferri i çarë” tregohet pushkatimi, një madhështi rrëqethëse, një flakë e pashuar, që buron dritë…

Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë. Zbritën nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat” dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori i rrethit, mjeku… Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa… Përroi i Firarit, tamam vend djajsh. Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga makinat. Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre që ishin përballë, skuadrës së pushkatimit. Se ata s’do t’i shihnim më ata drurë përreth, as botën, njerëzit e tyre. Nuk mendoheshe dot më shumë, këputej çdo mendim, s’e dije ç’ishe e ç’ishin ata që do të pushkatoheshin. Vilsoni dhe Genci. Anash rrinin drejtuesit e kësaj ceremonie vrastare, të tmerrshme, të pashembullt. Si në detyrë, si në punë. Urdhri paraprak ishte që të qëllonin vetëm mbi Genc Lekën. Nga fare afër. – Zjarr! Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij. Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin e tij. Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë. – E shikon shokun tënd? – u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit. – Kështu do të biesh edhe ti, por prano. Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe të… – Kam thënë jo, mbaroni shpejt, – foli dënesshëm Vilsoni. – Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret. – Më mirë baltë sesa me ju, – u duk sikur u përgjigj vetë balta. – Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat… – Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër! – Jooo, – ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, – me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj! – dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e fundit, para se të nxirrte frymën e fundit. – Vrasës… më vrisni… se edhe ju… kriminelë… – Zjarr! – u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef, dhe batareja e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është vetë vdekja.

* * *

Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas. Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit. …

Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT