• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luigj Çekaj si shenjt i poezisë

January 11, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/


Shqipëri!Të gjithë jetën time unë kam vuajtur bashkë me ty.E megjithatë po të kem mundësi të shpëtoja a tëkthehesha në dragua,E deklaroj solemnisht se unë qysh tani,Do të hyja i gjallë në gurin e themeleve të pavdekshme të tua.
Në Qëndrën “Nënë Tereza” në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut u promovuan librat e poetit penëndritur Luigj Çekaj, pas vdekjes. Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me president shkrimtarin Adnan Memeti dhe kryetar z.Mhill Velaj. Gjithmonë kur ndodhem pranë kësaj qendre të thjeshtë si vetë emrin që mban të shenjtores shqiptare Nënë Tereza përjetoj emocione dhe kënaqësi të papërshkrueshme, ngase aty vlerësohen njerëz të penës, të artit, atdhetarë të elitës së Kombit si pak vjet më parë me At Gjergj Fishtën ku kishja nderin të ishja moderatore e atij aktiviteti shumë të rëndësishëm. Ja kështu ndodhi dhe me të dielën e dytë të Janarit 2022 ku shkrimtarët së bashku me familjen e nderuar të poetit, bashkëshorten e tij fisnike Violeta Çekaj, vajzat e bukura dhe të mençura Enkolana, Justina qe siç i quan ai janë dy trëndafila drite në ballkon, çdo natë, si dhe djali i tij Terensi organizuan përkujtimoren në nderim të poetit Çekaj pas vdekjes. Aktivitetin e moderoi z.Mhill Velaj i cili e hapi duke ftuar pjesëmarrësit të mbanin një minutë heshtje në përkujtim të poetit Çekaj. Në panelin e aktivitetit z.Velaj ftoi shkrimtarë, kritikë dhe gazetarë të zinin vendet si: Adnan Mehmeti, Fran Shkreli, Dalip Greca, Kozeta Zylo dhe Pal Ndrecaj. Shpesh më dukej sikur ishja nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës. Sidoqoftë vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t’ju zhveshë poeteve fisnikërinë edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.Të ftuar nga shoqata dhe familja e tij si dhe e nderuar të mbaja kumtesë, ne kishim pasur fatin ta kishim mik të dy me Qemalin dhe t’i lexojmë me endje poezitë e tij ne botën e lirë, por mjerisht jo në kohën e akullt, kur dritën e mbyllnin nën gur morti…Cuditërisht sa herë shikoja portretin e Nënë Terezës në atë sallë aq të ngrohtë dhe modeste, përpara më dilte nënëmira e poetit. Pena e tij pikon mall dhe dashuri për vendin e tij, nënën e shtrenjtë që i puth ballin fisnik kur takohet me të dhe ja si shkruan: “Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema”…Është dashuri hyjnore e birit për nënën që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.Me të drejtë shkrimtari Memeti tha se: ai la një pasuri të madhe për shoqatën, letërsinë dhe Kombin. Ai kishte një shqipe të kulluar dhe tejet artistike, duhet kujtuar se z.Luigj Çekaj ka qenë që në themelimin e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro amerikanë si dhe sekretar i shoqatës do të pohonte shkrimtari Velaj. Shkrimtari dhe kritiku Pal Ndrecaj do të thoshte në diskutimin e tij se poezia e Luigj Çekaj është një poezi moderne. Dom Pjetër Popaj famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” e bekoi këtë veprimtari letrare dhe tha për poetin Çekaj se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe plot kulturë, e donte artin dhe poezinë, ndërkohe ka punuar për revistën Kuvendi si organ i Kishës Katolike shqiptare. Z. Pashko Camaj n/kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në emër të saj dhe kryetarit z.Elmi Berisha i dorëzoi bashkëshortes së tij znj.Violeta dhe familjarëve cmimin e mirënjohjes për një bashkëpunim të ngushtë me Diellin dhe Vatrën me rastin e 110 vjetorit të themelimit të saj. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe arteve në New York Prof.Skënder Kodra i ka propozuar Bashkisë së Shkodrës për ta bërë qytetar nderi. Z.Fran Shkreli ish drejtori i Zërit të Amerikës e vlerësoi lart poetin Luigj Çekaj dhe tha se ndër vite ka qenë redaktor i revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Poeti Cekaj është me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga fshati Bzhetë, nga rrjedh edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes si në vargjet: Atje ku/ Te muri, në vend të lahutës/ bimë vjerrëse varen/ Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.Kur Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte arratisur në Jugosllavi, dhe qëndroi për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes time në fshatin Amull. Kur i ati i Luigjit, vendoset në Amerikë, Luigjin e vogël, në moshën 2-3 vjeçare e njollosin me damkën e armikut. Z.Dalip Greca ish editori i gazetes “Dielli” në fjalën e tij midis të tjerash tha se kam qenë i privilegjuar që për 23 vite të takohesha të shtunave dhe të diskutonim për letërsinë, artin, historinë. Sot shikoj fëmijët e tij të rritur dhe bashkëshorten e tij Violetën që na priste me bujari dhe fisnikëri në shtëpinë e tyre. Ai pohoi se vetëm me dy vëllime poetike të poetit do të ishin të denja për cdo antologji, por poeti Çekaj vazhdoi më tej duke na dhuruar vepra të tjera shumë të arrira. Z.Greca tha se ishte një mjeshtër i përpunimit të fjalës së bukur artistike. DjaliiI tij Terensi lexoi poezinë “Amaneti i gjyshes sime”, ndërsja e bija e tij Enkolana lexoi poezinë kushtuar bashkëshortetes së tij Violetës. Në emër të familjes përshëndeti vëllai i Luigjit John Çekaj i cili falënderoi të gjithë të pranishmit që nderonin veprën e vëllait të tij dhe tha se ndihej krenar për një vella poet, atdhetar dhe njeri si Luigj Çekaj. Shumë emocionante ishte dhe punimi artistik, portreti në pikturë i poetit Luigj Çekaj realizuar mjeshtërisht nga artisti Astrit Tota. Ai përmes emocioneve tha se e kam sjellë ashtu sic ishte të gjallë në Bronx, duke ecur, menduar dhe krijuar. Në pamundësi për të ardhur përshëndetje erdhen nga Dr.Gjeke Marinaj shkrimtar i kalibrit botëror, Mark Shkreli kryredaktor i reveistës Kuvendi, Niko Spathari shkrimtar dhe studjues i mirënjohur, shkrimtarja Dr. Yllka Filipi si dhe studiuesja e letërsisë, Dr. Arjeta Ferlushkaj.Për të pranishmit familja shtroi një kokteil në perkujtim të të dashurit të tyre të paharruar Luigj Cekaj.Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent Qemal Zylo si dhe nga TV “Kultura Shqiptare” me themelues dhe producent z.Adem Belliu.Ne atë të diel te ndritshme Poeti Çekaj dukej gati një shenjt, ecte dhe vetëm ecte duke predikuar fjalën më hyjnore në botë, fjalën shqipe. Dhe fjala e tij e bukur do të jetojë përjetësisht në veprat që na la.
9 Janar, 2022Bronx, New York

Filed Under: LETERSI

Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946

January 8, 2022 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI/

Studimi i Romeo Gurakuqit “Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946”, në përpjekjet për të ndriçuar njërën ndër ngjarjet më domethënëse të kthesave historike nëpër të cilat kaloi bota shqiptare në fillim të shekullit të kaluar, ku lufta antifashiste, në njërën anë, anuloi realitetet politike që solli ardhja e fashizmit dhe, në tjetrën anë, ideologjia komuniste përcaktoi fatin shtetëror dhe politik të Shqipërisë po edhe të shqiptarëve jashtë kufijve të saj shtetëror (në Jugosllavinë titiste) në kuadër të diktaturës komuniste. Studimi i Gurakuqit, në këtë kontekst fiton kredibilitet shkencor ngaqë thyen kornizat e dy stereotipeve që historiografisë institucionale shqiptare që për mbi gjysmë shekulli ia kanë përcaktuar kriteret si dhe metodologjinë bashkë me limitet e trajtimit. I pari, është ai ideologjik, i mbështetur mbi diktaturën komuniste si rend shoqëror që për gjysmë shekulli Shqipërinë e mbajti në kuadër të sistemit komunist, të njohur si botë lindore në raport me botën e lirë perëndimore, ku bipolariteti blokist e bëri pjesë të “luftës së ftohtë” pasojat e së cilës dihen. Ndërsa kriteri i dytë, gjithnjë i lidhur me të parin, ndikoi që parja e luftës antifashiste në Shqipëri si pjesë e Frontit të Përgjithshëm Antifashist botëror nga viti 1941-1945, të shihet vetëm në planin global, pra në atë rrethin botëror të konfrontimit të Fuqive të Boshtit me të tjerat, ku bënin pjesë SHBA-të bashkë me Bashkimin Sovjetik, një front jashtë skemave ideologjie ndonëse me rivalitet fillimisht të fshehur e më vonë edhe të hapur pasi që Stalini “hisen” nga fronti antifashist, me mashtrimin e “ e të drejtës së popujve për vetëvendosje” pas fitores antifashiste, e ktheu në “të drejtë” të “deklarimit përbrenda sistemit ideologjik” që BRSS-së i mundësuan hegjemoni mbi shtetet e sistemi komunist në përmasa botërore. Ky kundrim, jo vetëm që anashkaloi realitetet që solli lufta e dytë botërore (shkatërrimin e Jugosllavisë së Versajës, e cilësuar deri në vitin 1940 nga vetë Kominterna “si burg popujsh që duhet të shkatërrohet”) dhe krijimin e shtetit të pavarur kroat dhe bashkimit të një pjese të tokave të okupuara shqiptare nga Serbia në vitin 1912 në kuadër të “Shqipërisë së Madhe” nën ombrellën e imperisë italiane të Musolinit, por në përputhje me sferat e reja të interesit, që vendosi fronti antifashist botëror (kryesisht SHBA-të, BRSS-ja dhe Britania e Madhe) në Jaltë dhe konferencën e Parisit më 1945, riktheu Jugosllavinë, por tash si federatë që Tito e themeloi në vitin 1943,me çka u përcaktua edhe fati i Kosovës për të vazhduar robërinë në rrethanat e një shteti sllavo-komunist, paçka që vetë komunistët shqiptarë të Kosovës, në Bujan, në konferencën e KNÇ-së, nga 31 dhjetori 1943 deri më 2 janar 1944 aprovuan një rezolutë ku shprehej QENDRIM (por jo ndonjë vendim decidiv, siç thuhet) për të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje, që kondicionalisht duhej të shqyrtohej pasi që të ketë përfunduar lufta antifashist dhe me kusht që në Shqipëri dhe Jugosllavi të fitojë fronti antifashist.Mbi këto dy kritere kemi edhe patologjinë e historiografisë institucionale shqiptare dhe pasojat e saj që në njëfarë forme vazhdojnë edhe sot e githëditën, ngaqë lufta nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi u pasqyrua si një “çlirim”, ndërsa vendosja e rendit komunist – fitore e madhe e revolucionit popullore, që solli në pushtet luftën e klasave, që për pasojë pati edhe diferencimin shoqëror-politik të luftës dhe të pasluftës mbi anatemën, në njërën anë të “çlirimtarëve”, pra komunistëve pushtetarë dhe në tjetrën anë, atë të “klasës reaksionare”, “kuislingëve”, bashkëpunëtorëve të fashizmit, e të tjera, që u futën në kategorinë e “kundërrevolucionarëve” dhe u gjykuan me ligjet e revolucionit në format ma brutale, nga likuidimi, burgosjet si dhe mbajtjen nën anatemën e përjetshme të “armiqve” që përfshiu ata dhe familjet e tyre!Anatema e “kuislingëve” dhe “bashkëpunëtorëve të fashizmit” pati pasoja të rënda edhe për Kosovën, ngaqë në bashkëpunim dhe marrëveshje të ngushtë midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë veçmas nga shtatori i vitit 1944 kur u kërkua që aradhet partizane shqiptare dhe jugosllave bashkarisht të “çlirojnë” Kosovën nga forcat fashite dhe ato patriotike që përthekonte Qeveria e Shqipërisë e formuar në tetor 1943, përcaktoi fatin nën Jugosllavinë e Titos, ku rendi komunist i hapte dyert rikthimit të projekteve antishqiptare të hegjemonizmit serb nga memorandumet e njohura (atij të Çubrilloviqit nga viti 1938 dhe të vitit 1944). Në këtë kohë, në emër të “luftës kundër kundërrevolucionit”, që u bë nën vendosjen e administratës ushtarake në janar të vitit 1945, praktikisht filloi gjenocidi i tretë me radhë ndaj shqiptarëve me pasoja të rënda, ngaqë nga armët e partizanëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, në frontet e Sremit, në masakrën e Tivari dhe në luftimet e Drenicës dhe gjetiu, gjetën vdekjen mbi 55 mijë shqiptarë, të gjithë të anatemuar si “kundërrevolucionarë”! Anatemë, kjo që për fat të keq, nga historiografia ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë në botimin dyvëllimësh të “Historisë së Popullit Shqiptarë” (1953 të ribotuar në Prishtinë më 1969), për mbi një gjysmë shekulli, u trajtua si “fitore komunistëve ndaj kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit”, ndërsa përpjekja e forcave patriotike në luftë kundër ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës , siç ishte NDSH-ja dhe të tjerët të shkapërderdhura në pritje të intervenimit anglo-amerikan, u quajtën “kundërrevolucionar” dhe u likuiduan në mënyrë më brutale.Studimi i Gurakuqit, në një opus voluminoz, paraqet anamnezën e këtij zhvillimi historik dhe pasojat shoqërore-politike, duke nxjerrë në pah raportet jashtë kundrimit bardh-zi. Pasqyrimi i kësaj problematike mbi kriteret objektive-shkencore, doemos inkorporon edhe qasjen e rishqyrtimit po edhe të rishkrimit të historisë nga kjo kohë, që në njëfarë mënyre, paraqet edhe gurthemelin e vendosje së gjithëmbarshme të kësaj problematike në opusin e rishqyrtimit dhe të rishkrimit të historisë në kohë dhe në hapësirë. Edhe pse studimi i Romeo Gurakuqit meriton një trajtim të gjithanshëm, ku secili kapitull dhe secila etapë që merr në shqyrtim autori, mund të diskutohen nga pikëpamja e plotësimit po edhe të ridefinimeve që janë edhe të natyrshme, megjithatë, mund të thuhet se autori me këtë libër tashmë ka vu në dioptrinë e pakapërcyeshme të rishqyrtimit tematik të çështjeve disa, siç janë Fronti Antifashist botëror në planin global dhe po ashtu, atë të realiteteve që solli lufta antifashiste në planin shqiptar, veçmas pas rrënimit të Jugosllavisë së Versajës, jo vetëm në planin shtetëror, po edhe në atë të pasojave të tyre, siç ishte lufta civile si dhe zhvillimet pas përfundimit të saj kur çlirimi mori kuptimin e diktaturës dhe të represionit e ku vendosja e komunizmit në Shqipëri nuk shihet si fitore, por si një ndërprerje e një evolucioni historik të një populli, edhe ashtu të penguar në rrugën e zhvillimit.Në fund të kësaj pamje të shkurtër të këtij studimi të rëndësishëm dhe, për nga qasja serioze të vetmit deri më tani në historiografinë tonë, duhet theksuar se në kapitullin XXXIII, i kushtohet hapësirë bukur e madhe edhe Kosovës, mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, 1943-1945, ku përqendrimi bie të bashkimi i tokave të liruara nga viti 1941 si dhe shfaqjes së Shtetit Shqiptar të nëntorit të vitit 1943, për të vazhduar pastaj me luftën antifashiste në Kosovë, si pjesë e luftës antifashiste të Jugosllavisë , ndonëse me tretman “autonom”, që do të përfundojë me pajtimin ideologjik të komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllav që ato që u thanë në Bujan në vitin 1943/44, rreth vetëvendosjes të kthehen në “vetëvendosje ideologjike”, pra që Kosova të mbetet nën Serbi si provincë!Trajtimi i kësaj problematike nga autori, përcillet edhe me disa lapsuse dhe mangësui nga mungesa e dokumenteve autentike të LNÇ-së nga arkivat e Kosovës dhe ato të Jugosllavisë si dhe të disa autorëve meritorë jugosllav (Dedijerit), po edhe të atyre nga Kosova (Dr Ali Hadri e të tjerë),që pasqyrojnë evolucionin politik të frontit antifashist në Kosovë nga korniza jugosllave, siç ishte deri në mbledhjen e Sharit të tetorit të vitit 1943, kur do të ndryshohet emërtimi Këshillat Antifashiste të Kosovës e Metohisë në Këshillat Antifashiste të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, emërtime këto që do të pasqyrohen edhe në gjithë organizimin (atë të aradheve partizane si dhe të strukturës partiake). Ndryshimi i emërtimit nga Kosovë e Metohi (Kosmet) në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, nuk është formal, por esencial, meqë ndryshon diskursin nga ai i trajtimit hegjemonist serbomadh, ku Kosova dhe Metohia shihen pjesë e historisë shpirtërore dhe kishtare serbe, ndërsa ai Kosovë dhe Rrafsh i Dukagjinit, që do të anulohet në Konferencën e Prizrenit në korrik 1945 për t’u kthyer në Kosmet, do të përcjell edhe aspektin politik, kur Kosova, si provincë do të aneksohet nga Serbia si Kosmet, emërtim ky që do të mbetet në fuqi deri në vitin 1968 kur me amendamentet kushtetuese kthehet emërtimi Kosovë, që do ta ketë edhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, e që, në vitin 1989, Millosheviqi me dhunë do ta kthejë Kosovë e Metohi (Kosmet), emërtim ky që edhe sot e gjithëditën, ndonëse Kosova është shpallur shtet i pavarur më 2008, vazhdon të mbahet në Kushtetutën e Serbisë….

Filed Under: LETERSI

Historia e një libri dhe studimet mbi tekstet e tij

January 6, 2022 by s p

Nga Evalda PACI/

Me një vepër komplekse si Meshari (1555) studimet mbi historinë e librit në gjuhën shqipe iniciojnë një rrugëtim të mirëfilltë drejt kërkimit të një sërë faktorësh që do të ndikonin drejtpërdrejt në zhvillimet përkatëse gjatë shekullit XVI, me përhapjen e pakthyeshme të kulturës së shtypshkrimit dhe nevojën për të disponuar tekste liturgjike të përmbajtura në botime sintetike e të përshtatshme për kohën.Një prej arsyeve për të cilat ndërmendet një libër i tillë, i gjendur pothuaj dy shekuj pasi ishte përpiluar dhe në kushte të një dëmtimi të qartë fizik, është pikërisht dhe përmbajtja e tij, evokuese e një konfigurimi të veçantë dhe unik, që sigurisht u bë dhe objekt i reformimit përmbajtësor të ndërmarrë prej Koncilit të Trentit (1545-1563).Ky konfigurim tekstor që përmbahet në librin e Gjon Buzukut ka bërë të mundur të gjejmë në të veçori ndërtimore që kanë të bëjnë me Oficen e Zojës, Psalmet, në veçanti ato pendestare, Litanitë e shenjtënve, pjesë nga Rituali dhe Breviari, për t’ua lënë vendin më tej pjesës që mbizotëron në libër (Mesharit) e që përmban tekste biblike nga Besëlidhja e Vjetër e ajo e Re, por dhe nga Apokalipsi dhe Aktet e Apostujve. Një ndërtim i tillë i veprës mbetet një argument objektiv në pikëpamje të shqyrtimit të reflektimit të ndikimeve përkatëse që janë supozuar dhe vite më parë, ndërkohë që analizohej dhe përkatësia e veprës, në kushte të një klime të krijuar nga Reforma dhe Kundërreforma. Ky diskutim bëri të përfshiheshin dhe studiues të historisë së asaj periudhe, në veçanti historianë që falë njohjes së një dokumentacioni arkivor mbi shekuj si Pesëqinda apo Gjashtëqinda, bënë të mundur të përfshihej në interesat e studimit dhe vetë konteksti historik që shoqëronte një problematikë të tillë.Në pamje të parë, vërehen përkime të qarta me modele që qarkullonin në atë kohë, ndërkohë që një traditë e konsoliduar prej disa shekujsh e vinte dhe Oficen në një shkallë të qartë njohjeje dhe njëkohësisht dhe funksionale në shërbim të praktikës së liturgjisë së përditshme. Tekste të njëjta apo të ngjashme në përbërje të Ofices, por më tej dhe në atë pjesë të librit që përkon me Mesharin, në disa raste me tipare të ndryshme në ndërtimin e fjalisë apo përdorimin e ndërtimeve gjuhësore bën të mendosh për disponim nga ana e autorit të disa varianteve tekstore dhe më tej për një përdorim praktik të tyre në proces të ushtrimit të liturgjisë së përditshme.Ndërtime të caktuara gjuhësore dëshmojnë që në këto tekste kishte gjetur vend dhe gjuha popullore, ndërkohë që nuk mungojnë as elemente të një leksiku më të specializuar, që dhe pse i papërpunuar në disa pasazhe të veprës, dëshmon faktin që ndërkohë dhe regjistrat terminologjikë të liturgjisë ishin në përpunim e sipër dhe në lidhje me të tillë libra. Shkalla e lëmimit gjuhësor dhe e gjetjes së termave të përshtatshëm në introduktimin e pasazheve kryesore në vepër ndryshon nga një pjesë e librit në tjetrën, ndërkohë që emërtesa të posaçme në përbërje të tij bëjnë të mundur të gjinden përkime me realizime të ngjashme të asaj kohe, por dhe të ndonjë shekulli më parë.Duke u gjendur modelet e sipërcituara të përfshira dhe të renditura brenda një libri të vetëm, përforcohet ideja që vepra në fjalë kishte funksion shërbyes në përditshmërinë e praktikës liturgjike, ndërkohë që nuk kanë munguar as hipoteza për vendin konkret në të cilin duhet të ketë qenë një instrument i vlefshëm në shërbesat fetare me gjasë të shpjeguara në gjuhën shqipe.Hulumtimet rreth librit dhe historisë së tij nuk mund të mos shoqëroheshin me kërkime të tjera që kanë të bëjnë me tipografitë që përgjatë atij shekulli njohin një lulëzim në veprimtarinë e tyre botuese, por dhe mbi editorët që përveç ndjekjes së proceseve të përgatitjes së librave që duheshin shtypur, paraqiteshin dhe si njohës të mirë të kulturës librore dhe historikut të përpilimit të kësombllave.Të tilla detaje mund të jenë më të qarta në lidhje me veprat e Marin Barletit, përpiluar së pari në gjuhën latine, duke qenë se dihet më shumë për qerthujt kulturorë në të cilët ky i fundit bënte pjesë dhe për mbështetjen që pati pasur në kohë të realizimit të veprave të veta mbi bëmat e Gjergj Kastriotit dhe Rrethimin e Shkodrës. Të dhënat mbi intelektualët me të cilët njihej autori ynë dhe përfshirja e tyre në botën librore e qarqet kulturore të kohës janë vënë në shërbim të kërkimeve mbi tipografë e editorë që mund të kishin rol dhe në shtypjen e librit të Gjon Buzukut, më të parit libër që njohim deri më sot të shkruar në gjuhën shqipe.Vëzhgimet në lidhje me vendin e botimit, por dhe shtypshkronjën përkatëse që realizoi Mesharin u përqendruan natyrshëm në arealin venecian, pa përjashtuar dhe indicet që mund të deduktoheshin nga të tjerë parametra jashtëgjuhësorë, por që ndihmonin gjithashtu në zbardhjen e historisë së librit më të ndërmendur në studimet shqiptare, kryesisht në ato mbi letërsinë e vjetër shqipe dhe veprat themelore që e përfaqësojnë atë. Një areal i tillë vijon të konsiderohet një vatër e rëndësishme në shumë pikëpamje, aq më tepër që në të operuan dhe tipografë e editorë të cilët vinin dhe nga lokalitete të tjera të Gadishullit Italik, për të gjetur në Venedik një mjedis favorizues në pikëpamje të ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Si njohës të sprovuar të librit si medium, të tilla personazhe vijojnë të plotësojnë dhe sot faqe të botimeve enciklopedike e studimore mbi historinë e shtypit përgjatë shekullit XVI e më tej, ndërkohë që pikërisht një formim i tillë në fushë të kulturës së bibliofilisë, por dhe të librave më të veçantë duket e reflektuar dhe në pikëpamje të përmbajtjes së librit të Gjon Buzukut.Vetë zbulimi i tij me gjasë rreth vitit 1743 përkon me një periudhë që shënon një kulmim të natyrshëm në veprimtarinë baritore të një prelati të shquar të historisë së kombit, emri i të cilit figuron dhe në cilësi autoriale mbi një variant doktrinar sa konciz, aq dhe të vlefshëm për të shpënë më tej vëzhgimet mbi historikun e receptimit të doktrinës së kërshtenë në viset arbërore në shekujt që e pasojnë Pesëqindën. Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) e cilëson librin si të vjetëruar e të dëmtuar, duke bërë me dije dhe gjendjen fizike të atij ekzemplari, për të cilin as në këtë moment të zbulimit nuk thuhen detaje konkrete mbi vendin ku duhet të ketë parë dritën e botimit. Në të vërtetë, ky moment shënon një hap të rëndësishëm në njohjen e librit shqip, por dhe dokumentohet falë letërkëmbimit të prelatit tonë me eprorë të Seminarit arbëresh të Palermos, në veçanti me Atë Gjergj Guzzetën (1682-1756), të cilit i dërgon dhe fragmente të kopjuara me dorë prej teksteve të Mesharit.Këto variante tekstore të sjella nga dora e Imzot Kazazit përbëjnë dhe një shtysë të mirë për të njohur terminologjinë me të cilën ky i fundit emërton pjesët përbërëse të librit, të cilin në tërësi e quan Meshar duke ditur krejt mirë që në të përfshiheshin dhe modele të tjera librore, mjaft të njohura në praktikën liturgjike kishtare romane.Nuk do të mungojnë as më vonë raste të shfaqjes së një interesimi të qartë nga ana e klerikëve arbëreshë për librin në fjalë, interesim që gjen shtysë dhe në faktet e sipërcituara, që dëshmojnë dhe për një ndërkëmbim të qartë mes njerëzish të letrave në të mirë të njohjes së historisë së librit liturgjik në gjuhën shqipe.Në trajtesat e Eqrem Çabejt do të mund të gjindet i detajuar një historik i posaçëm në të cilin përshkruhet interesi i Imzot Skiroit ndaj librit dhe teksteve të tij, sprovat pas rizbulimit nga ana e tij për ta botuar pjesë-pjesë në revista shkencore të kohës, përpjekjet e Atë Justin Rrotës O.F.M. për ta sjellë në kopje fotografike në Shqipëri dhe më tej, për të bërë të kuptueshme disa pjesë të rëndësishme nga përmbajtja, shkrimet e Joklit në të përkohshmen Hylli i Dritës mbi këtë ekzemplar dhe problematikat që paraqet mosnjohja e vendit të botimit etj.Pjesët hyrëse të librit përbëjnë ndër të tjera dhe mundësi konkrete për të kryer qasje me realizime të së njëjtës kohë dhe që përdoreshin në areale të afërta në pikëpamje gjeografike, por dhe përkatësisë si provinca në të cilat njihej ndikimi i kishës së Romës. Litanitë e Shenjtërve zgjuan që në krye të herës interesimin e filologut frëng Mario Roques (1875-1961), në atë kohë (1932 v.) i angazhuar qartë në pikëpamje të evidentimit të kësombllave e ekzemplarëve të veprave të letërsisë së vjetër shqipe në biblioteka e arkiva, por dhe të parashtrimit të kritereve filologjike të botimit të tyre.Analizimi që filologu frëng u bën pjesëve që dallohen e pasojnë njëra-tjetrën në përmbajtjen e librit të cilit i mungonin faqet e para që me gjasë do të duhej të përmbanin indice që dhe sot e kësaj dite kërkohen për t’u sqaruar, përbën dhe një prej trajtesave më të mira mbi të dhe krejt kontekstin në të cilin duhet përfshirë në cilësinë e një ekzemplari që flet shumë për rrethanat e përhapjes së librit në Pesëqindën e më tej.Si pjesë e pandarë e këtyre përpjekjeve për ta njohur më nga afër historikun e kësaj vepre, duke filluar nga dekadat e para të shekullit të kaluar, kontribuojnë Imzot Pal Schirò, Gaetano Petrotta, Atë Justin Rrota O.F.M., Eqrem Çabej, Norbert Jokl, Mario Roques, Injac Zamputi, të gjithë pararendës të një tradite që do të vijonte të bëhej më solide në drejtim të arritjeve konkrete në studimin dhe njohjen e librit të Gjon Buzukut.Sjellja prej tyre e teksteve nga libri do të reflektohet në të përkohshmet më në zë të kohës, përfshirë ato me vështrim të qartë nga gjuhësia e krahasuar, historike dhe indoevropiane. Një kulmim të qartë disa dekada më vonë do ta shënojnë botimet e plota të librit, të realizuara përkatësisht në vitin 1958 (nga N.Ressuli) dhe 1968 (nga E.Çabej), në dy variante që përbëjnë një lëndë të mirë për t’u studiuar nga filologët dhe studiuesit e teksteve të vjetra shqipe.Realizimi i këtyre botimeve kritike solli në vëmendje rëndësinë që merr në këto rasa disiplina e tekstologjisë dhe ajo e filologjisë së tekstit, duke qenë se riprodhimi i një vepre të tillë përbën mbi të gjitha përzgjedhjen e kritereve të mirëfillta që janë premisë për ta bërë botimin shkencërisht të realizuar, pa cenuar integritetin përmbajtësor të tij.Një punim shkencor që sheh dritën e botimit në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar e që ka për autor Martin Camajn (Il “Messale” di Gjon Buzuku, contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat) do të risjellë në vëmendje të studiuesve domosdosmërinë e vështrimit kompleks mbi veprën dhe pjesët që e ndërtojnë, aspektet grafematike që lidhen me receptimin e sistemit fonik të kohës, por dhe me të shkruarit si kulturë, ndikimet e mundshme nga gjuhë të tjera që autori mund t’i kishte njohur, por mbi të gjitha ndikime nga tradita të afërta, fakt ky që përbën dhe një nga linjat më të realizuara prej tij. Prania e disa shenjave grafike të ndryshme nga ato të alfabetit latin qe një fakt i vënë në dukje që në krye të herës nga studiuesit e veprës, përfshirë filologun Mario Roques, i cili analizon çdo detaj që mund të shpjerë dhe në përkime të mundshme me arealin më të afërt gjeografik, atë kroat e dalmatin.Botimet kritike e filologjike të realizuara në shekullin e kaluar janë një hap i rëndësishëm drejt studimit të thelluar të librit e ndërkohë bëjnë të mundur dhe përvijimin e punimeve mbi tekstet e tij, ndërkohë që nuk kanë munguar kërkime mbi shtypshkronjën në të cilën u realizua botimi i tij dhe editorin që bëri të mundur konkretizimin e tij. Të dhënat që u ofruan nga Lucia Nadin vitet e fundit e që përqendrohen në kërkime mbi tipografi të arealit veneto-padovan paraqiten konkrete e bindëse dhe mbi të gjitha përafrojnë mes tyre botime që kanë të përbashkëta tipare teknografike të qarta, përfshirë figurat e simbole të tjera ikonografike që janë tipike për shekullin në të cilin Meshari pa dritën e botimit.Me librin e Gjon Buzukut u pasurua historia e shkrimit shqip dhe studimet mbi letërsinë e vjetër shqipe, por plotësohet dhe panorama dokumentare mbi historinë e kishës shqiptare në shekuj që lidhen me promovimin e shtypshkrimit dhe kulturës së librit të shkruar. Dhe në rastin e librit të Gjon Buzukut, është e pashmangshme që kërkimet të orientohen ndaj zhvillimesh dhe risish të ndodhura në vendet tej Adriatikut, me gjasë në ato vise që u bënë dhe vatra të promovimit të kulturës tipografike dhe të editorisë në shekujt XVI-XVII.Për ta parë më tej Mesharin si pjesë të pandarë të hulumtimeve albanologjike, le të mbajmë parasysh së pari trajtesat e shumta që u përpiluan mbi të dhe historikun përkatës që me vetë mungesën e indiceve të domosdoshme e bën më të madhe kërshërinë për të ditur më shumë rreth rrethanave konkrete që mundësuan daljen në dritë të shtypit të tij; le të kemi parasysh dhe studimet e pasura në lëmë të dialektologjisë historike dhe leksikut historik të shqipes, historinë e letërsisë së vjetër shqipe dhe atë të botimeve doktrinare në gjuhën shqipe, që marrin shtysë prej ekzistencës së këtij ekzemplari unik, dhe prej atyre elementeve që vijojnë të rimerren dhe më tej, në botime më sintetike, por të ngjashme për nga tematika dhe destinacioni.Më së fundi, theksojmë lidhjen e natyrshme që krijohet me zhvillimet në arealet tej Adriatikut në pikëpamje të kulturës së shtypshkrimit dhe botimeve të librave me destinacion lokalitete a komunitete ku flitej e kultivohej gjuha shqipe.Një linjë e tillë natyrshëm hedh dritë dhe mbi shkëmbime konkrete që duke pasur shtysë çështje të studimit të historikut të një libri si ai i Gjon Buzukut, përbën një premisë njohjeje dhe për të tjera rrethana dhe argumente studimi.

Filed Under: LETERSI

PROMOVOHET VEPRA E POETIT LUIGJ ÇEKAJ (POST MORTUM) NË 1 VJETORIN E NDARJES NGA JETA*

January 2, 2022 by s p

*Mëhill Velaj – Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë fjalimi në ditën e lamtumirës së poetit Luigj Çekaj.

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në emrin tim personal dhe të familjes sime, shpreh ngushëllimet më të përzëmërta e të sinqerta familjes Cekaj, për humbjen e babait, bashkëshortit shembullor dhe gjyshit fisnik, i shpreh ngushëllimet komunitetit shqiptaro-amerikan, Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Shoqatës Atdhetare “Rrënjët” për humbjen dhe ikjen në amshim të patriotit, atdhetarit, shkrimtarit veteran ndër breza. Për dekada me radhë Luigj Cekaj ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, shqiptar dhe patriot i devotshëm, në komunitetin shqiptaro-amerikan, Vec kësaj, Luigj Cekaj është shkrimtar e poet mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, poet i dhimbjes e dashurisë të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. Andaj i shpreh ngushëllimet e ngrohta e të sinqerta edhe komunitetit të shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve brenda e jashtë Shoqatës, kudo në Diasporë, miqve dhe gjithë të dashurve që e rrethonin, për humbjen e njeriut dhe mikut të tyre. Me rastin e 20-Vjetorit te themelimit SHSHSHA, nuk do jenë në mesin tone se iken në amshim; Agron Fico, Dedë Elezaj dhe kesaj kolone te heshtjes po i bashkangjitet dhe Luigj ÇEKAJ. Ne sot po i japim Lamtumirën poetit dhe shkrimtarit Luigj Cekaj, Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, qysh prej themelimit të saj. Dhe në mbledhjen e parë të themelimit të Shoqatës u vendos që shkrimtari dhe poeti Luigj Cekaj të zgjedhet Sekretar i saj, detyrë që kreu denjësisht për disa mandate. Poeti Luigj CEKAJ ishte atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë, që ia kishte rrëmbyer zemrën dhe mendjen, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike dhe shpirtërore, por me modestinë e një heroi të heshtur, ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur në ameshim. Për Luigjin gjatë këtyre ditëve kanë shkruar shumë krijues të SHSHSHA-së dhe dashamires si; Ekolana ÇEKAJ-Mundija(Vajza e te ndjerit), Don Pjeter Popaj, Gjeke Marinaj, Adnan Memeti, Gjeto Turmalaj, Dalip Greca, Keze Zylo, Mark Koliqi Shkreli etj,etj.. Poeti Luigj Cekaj, ishte ai djaloshi shkodran, që në moshë ende të njomë u përball me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetën “Besa”, Shkodër. Emigroi në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, gjithashtu punoi në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës. Veprat e botuara të Shkrimtarit e Poetit Luigj Cekaj; “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998. “Unë vij nga Shkodra”, publicistikë, 2004. “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, poezi, 2010. Lamtumirë mik, patriot, koleg, atdhetar, poeti martir i Demokracisë, Shqiptar i Fismë dhe i Devotshëm. Po e lexoj një poezi; Ndër Sytë e POETIT (Dedikuar Poetit Luigj CEKAJ që u nda nga jeta 5 Janar 2021) Nga Mëhill Velaj Ndër sytë e poetit endet një engjëll i bardhë, Që rri zgjuar dhe flet me gjuhën e hyjnisë, Jashtë errësirë, era fishkëllen e çmeendur, Vajton për zemrën e poetit, Që mbytet nga heshtja, Ndërsa nata lexon mijëra fjalë, Me gjuhën e engjujve të lashtë që veç poetët i kuptojnë! Ndër sytë e poetit endet shpirti binjak, Herë shfaqet si simbiozë, herë zhduket, Herë shfaqet i mjegulluar nga lëngimi i plagëve në tokën mëmë, Kroi i lotëve shterri fjalët, Shpirti i poetit gjen prehje në fluturimin hyjnor!

*Mëhill Velaj Stamford, CT USA 6 Janar 2021 Prehu në PAQE! Të qoftë dheu i lehtë! I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!

Filed Under: LETERSI

JETA DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE E AVDI KELMENDIT

December 26, 2021 by s p

(21 dhjetor 1951-18 janar 1996) – Në 70 vjetorin e lindjes e 26 vjetorin e vdekjes.

Shkruan : Ismail Gashi-Sllovia/


Vetëm ai popull që veprimtarët atdhetarë, dëshmorët e martirët dhe idealet e tyre i nderon dhe i mbanë në kujtesë të përhershme. Vetëm ai popull ka vlera pozitive për të kaluarën e vetë të lavdishme kombëtare e historike, dhe ka të sigurtë rrugëtim të ndritshëm në të ardhmen. Nga këto pozicione fizike, matriale, krijuese e shpirtërore, Sot në 70 vjetorin e lindjes, e 26-të vjetorin e ndarjes fizike nga bota e të gjallëve, përkujtojmë Avdi Kelmendin. Edhe në këtë përvjetor jubilar përkujtojmë jetën dhe nderojmë veprimtarinë e tij atdhetare.
Avdiu ishte një hallkë e vargonit të atdhetarëve rezistent shqiptarë, të cilët luftuan kundër okupuesit serb në kohëra të serta e rrethana të vështira. Secili nga atdhetarët nga e kaluara jone e lavdishme, përkundër shtresimeve rënduese politike brendashqiptare të kohës, të cilat ishin pengesë e parë dhe mjafte e rrezikshme per ta tejkaluar. Atdhetarët shqiptar në Kosovë, kanë bërë përpjekje e sakrificë të mundimshme, çdo njëri prej tyre ka dhënë mund e ndjersë, ose ka derdhur gjak, apo edhe ka shtruar jetën e tij në rrugën e lirisë. Kjo sakrificë është dëshmi historike e të drejtës sonë kombetare, politike e njerëzore për jetë e liri. Sot ne këtë përvjetor jubilar, përkujtojmë vetëm njërin nga ata, Avdi Kelmendin dhe brezin e Tij të rezistencës kundër sunduesit komunist jugosllav.
Avdiu u lind më 21 dhjetor 1951 në Rinas, ish-Ribar i Vogël. Aty kreu katër klasat e para të mësimeve fillestare, për të vazhduar shkollimin e ciklit e lartë të fillores në Lypjan. Këtu Avdiu kishte fat të ketë kujdestar, arsimtarin e atdhetarin e njohur Hilmi Rakovica. Mësimet e mesme i vazhdoi në Normalen e Ferizajt. Mjedis që mundësoi ngritjen arsimore dhe kontaktin me literaturë kombëtare. Avdiu, shkruan miku i tij i djalërisë, Shefqet Rexhepi, “ishte një i ri i urtë, i dhënë me pasion pas mësimeve, i afërt, korrekt dhe i sinqertë ndaj shokëve. Gjithnjë me vullnet për komunikim të prajshëm me shokë, adhuronte muzikën dhe sportin”. Avdi Kelmendi në moshën 17 vjeçare, u dallua ndër më të zëshmit në organizim dhe pjesëmarrje aktive në Demonstratat e 27 nëntorit 1968. Me iniciativën e mësimdhënësve, ai nga Normalja kaloi në Gjimnaz, ku kreu maturën me sukses shembullor, dhe regjistroi studimet në degën e kimisë në Universitetin e Kosovës. Avdiu pati jetë relativisht të shkurtër të cilën e zhvilloi me shpejtësi rrufeje, paralelisht mbaroi studimet, u martua, krijoi familje të mrekullueshme dhe punoi në gjimnazin e Lypjanit. Kudo që qëndroi e kudo që punoi, shpejtë zgjeroi rrethin e veprimtarëve për çështjen kombëtare. Në arsim u dallua mësimdhënës shembullor, i afërt me kolegët dhe i dashur për nxënës. Në fabrikën “Minex” të Ferizajt veçohet udhëheqës i sinqertë dhe ekspert cilësor. Ndërsa, gjatë Pajtimit të gjaqeve dhe punës në Partinë Fshatare, zgjeroi dhe dëshmoi në zbatim praktik veprimtarinë atdhetare e politike në të gjitha mjediset e Kosovës.
Avdiu, “ky Sokol djalë”, siç shprehej për te Isa Demaj. Ishte më i ri nga ne, Por, ishte praktik e operuesi shembullor në veprime. Ai, që nxënës ishte lidhur me veprimtari atdhetare. Më vonë, ne jeten praktike, zgjeroi hapësira të reja në Mitrovicë, Vushtrri, Therandë, Gjakovë e më gjerë. Avdiu pjekurinë politike e mori nga literatura atdhetare e historike dhe nga shembulli praktik i patriotëve shqiptarë, si nga atdhetarët e NDSH-së, si: Adem Gllavica, Gjon Sereqi, Ajet Gërguri, Ilaz Agushi, Hysen Terpeza, Idriz Gjilani, Sali Rexha, Kadri Beba, e të tjerë. Ai vazhdimisht lidhte kohët me ngjarjet, e rolin e individit e vendoste në raport me rrethanat historike. Andaj, Avdiu, si edhe veprimtarët atdhetarë të tjerë nga ky mjedis e më gjerë, nuk dolën nga stralli, por dolën nga zjarri i traditës historike. Tek Avdiu, vihet re gatishmëria për lëvizje dhe aftësia për të vënë shpejt kontakte. Kjo kategori atdhetarësh, ka diçka të veçantë, diçka si formë vepruese për njohje e afrim të shpejtë. Ai inspirohej, formësohej e mbushej forcë nga veprat atdhetare të Bacë Adem Demaçit, Simbolit të Rezistencës, shembullit të veprimtarit atdhetar Metush Krasniqit, Prelatit të atdhetarisë; e sakrificës, Fazli Grajçevcit, mësuesit, poetit, e martirizuesit për çështjen kombëtare; Mësuesit të tij Hilmi Rakovicës, e të Isa Demaj, strategut ideal të Avdiut, që me ndjenjë atdhetarie ndezi forcat rinore në Lypjan e rrethinë. Atij i shkonte leximi i literaturës atdhetare dhe ngritja e debateve për çështjen kombëtare. Sepse, thoshte ai. Këto procese ngrisin niveli intelektual dhe pjekurinë për veprime konkrete politike e kombëtare. Madje, Avdiu e “provokonte” dialogun deri në nxjerrjen e një mendimi të pjekur.
Sipas preferencave të Isa Demajt, organizonim takime e ndeja, jo vetëm me kolegët mësimdhënës në Lypjan, nga të cilët ishte krijuar një bërthamë e fuqishme veprimi, e oganizuar nga LNCKVTSHJ ne drejtimin e Metush Krasniqit, Kryetar i Komitetit Qendror te kesaj Levizjeje, Ne Lypjan diku kah prilli i 1979, me proferencen e Isa Demajt e Shefeqet Jasharit-Streci, dhe nismes se Avdi kelemendit, Sabri Maxhunit-Novoselles e Ramadan Pllanes, imiciit praktik te Avdi Kelmendit. Ne Lypjan formohet Komiteti Qarkor ku moren angazhim: Ismail Gashi, Beqir Lecin, Banush Bytyçin, Qemail Aliun, Refik Ymeri, Muhamet Ademaj, Ilaz Zeqirin e të tjerë. Por, në takime e angazhime te Levizjes ishin edhe shoket e Avdiut nga studimet, Sherif e Abdurrahman Konjufca. Kjo formë veprimi ishte thelluar edhe ne mejdise fashtare te kesaj hapesire shqiptare me celula veprimtaresh nga nivelet studentore e rinise revulucionare, Organizimi i celulave te Levizjes u shtri edhe ne organizimin e takimeve të ngjashme me grupe nxënësish e ish-nxënësish të dalluar. Ndër ta dalloheshin Rabit Konjufca, Muhamet Ademi, Islam Miftari, Ali Zejnullahu, Aziz Hyseni, Ekrem Llugiqi, Ali Hajdini, Isuf Kelmendi e të tjerë.
Avdiu asnjëherë nuk u shkëput nga veprimet kombëtare. Ishte ndër organizatorët e LNCKVTSHJ për shprehjen e revoltës shqiptare, kundër vizites së Titos më 1979, që njëkohësisht ishte vizita e tij e fundit në Kosovë. Revolta mori shtirje thuaja në mbarë Kosovën dhe kishte qëllim te shpreh pakënaqësinë e popullit shqiptarë kundër sistemit komunist. Për këtë revoltë, pushtetarët komunist sllav dhe kuadrot shqiptare, te cilat ende verbërisht i shërbenin këtij sistemi, ndëshkuan me arrestime të shumta rininë dhe inteligjencën e shqiptare. Me arrestime, tortura policore u tajtuan mbi katerqind te rinj intelektual, student e rini atdhetare shqiptare, Me dënime me burgim të rëndë, në maj 1980 u dënuan keta pjesëtarët te Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi Avdiu, Isa Demaj, Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Abdyl Lahu, Skënder Jashari, Sylejman Quqalla e Hysen Gërvalla. Por, fatmirësisht nga konspiracionit i qindra veprimtareve te arrestuar nga arestimit e turtures policore i shpëtoi Lideri i Levizjes Metush Krasniqi, Ndersa Jusuf Gërvalla e Sabri Novosella, ju larguan kapjes nga UDB-ja. Keto ngjarje ndikuan në përshpejtimin e Pranverës së Madhe të 1981, ngjarje të cilat u rritën në masë e cilësi, dhe furishëm goditën me grushtin rrënues themelet e sistemit të dobësuar totalitar komunist Jugosllav. Pranvera e madhe 1981, edhe brenda vetë shqiptarëve rrafshoi shtresimet politike nga e kaluara komuniste.
Atë mot Avdiu gjendej në vuajtjen e dënimit, nga ndien këtë vrull të madh kombëtar, ai përtëritet fizikisht e forcohet shpirtërisht. Prapa grilave të burgosurit politik shqiptarë, përmes leximit, bisedave tematike, shkrepnin ide për lëvizjen e popullit për liri e pavarësi, Sepse, vazhdimi i përshkallëzuar i proceseve kërkonte përvojë e bashkërenditje. Por, paraprakisht duhej herrur nga trualli i kombit dukuritë negative, që të huajt i kishin mbjellë si mish dhie në qenien tonë kombëtare.
Avdiu pas kthimit nga burgjet serbe, erdhi edhe më i fortë. Shpejt dhe në hollësi, u njoh me ngjarjet e 1981, me veprimtarët dhe kërkesat që ende nuk ishin përmbushur. Që nga ditët e para të 1990, parandjeu frymëmarrjen shpirtërore të popullit, ndiente situatat e krijuara dhe vëzhgonte me vëmendje të përkushtuar zhvillimin e proceseve. Veproi në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve. Më 2 shkurt 1990, në varrimin të dëshmorit Xhevdet Breznica, Avdiu me bashkëveprimtarë të tjerë. Ne nderim te deshmorit Xhevdet Braznica dhe ne pranin e mija pjesemarresve ne varrim, kreu pajtimin e dy familjeve te hasmuara ne Dobraje te Madhe. Këtu ai shprehu ashpër revoltën e pakënaqësisë shqiptare ndaj pushtuesit vrastar serb.
Ndërsa, me fillimin e proceset demokratike, krijimin e partive politike, Avdiu Kelmendi zgjidhet Kryetar i Partisë Fshatare-Dega në Lypjan. Gjithnjë në angazhim të ruajtjes së unitetit mes shqiptarëve dhe subjekteve partiake, për Nje mandat sipas rendit, udhëhoqi Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare për trevën e Lypjanit. Avdiu natyrshëm për çdo front, që kërkonte populli, ishte luftëtar i orëve të para.
Nga lindja e Avdiut kanë kaluar 70 vjet, ndërsa nga ndarja e tij fizike,vdekja e Tij ne Beograd me, 18 janar 1996, jemi larguar tash 26 vjet. As njëra e as tjetra periudhë kohore, nuk është e madhe për historinë e një populli. Megjithatë, për kaq kohë, veprimet politike e ushtarake në Kosovë, sollën një realitet krejtësisht tjetër. Këtë mot të uruar e kurorëzoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila të pamundshmen e aspiruar 20 shekuj, e bëri realitet. Kemi bindje, se shpirti i gjithë atdhetarëve do ta ketë ndier këtë ndryshim të mrekullueshëm, do ta ketë dëgjuar zërin e tytave të luftëtarëve të lirisë.
Avdiu dhe atdhetarët të tjerë, nga varri dëgjuan krismat e pushkëve legjendare të Adem e Hamëz Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Zahir Pajazitit e Edmond Hoxhës, Agim Ramadanit e Luan Haradinajt, Ismet Jasharit e Mujë Krasniqit e qindra e mija luftëtarëve të lirisë. Dëshmorët dhe martirët e kombit, do kenë ndier kthimin dhe pamjen madhështor të shqiptarëve nga golgota. Kthimit monumental, pas fitores madhore të Lirisë së kërkuar, më shumë se një shekull. Shpirti i gjithë veprimtarëve atdhetarë edhe i Avdiut, është qetësuar vetëm pas, 17 shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë për të cilën është bërë shumë mund, është derdhur shumë djersë e gjak, dhe në rrugen e lirisë janë shtruar shumë jetëra shqiptare. Vetëm tash në Republikën e Kosovës së lirë, demokratike e sovrane Avdiu dhe veprimtarët tjerë atdhetarë pushojnë të qet, vetëm tash kur atdheu i tyre është i lirë dhe populli i tyre jeton në liri.
Liria e Kosovës dhe shtetësia integruese, tash e njohur ndërkombëtarisht, përfundimisht qetësuan varrin dhe shpirtin e Avdiut, ashtu siç qetësuan gjithë shpirtrat e dëshmorëve e martirëve të rënë për liri. Njëkohësisht, qetësuan shpirtrat e patriotëve të gjithë brezave e kohëve, atdhetarëve të vdekur për liri të Kosovës. Sepse, Shpirti i dëshmorëve, martirëve dhe gjithë veprimtarëve atdhetarë, qetësohet vetëm atëherë. Kur toka dhe populli i tyre jetojnë të lirë, dhe vetëm atëherë, kur ndërgjegjja e të gjallëve, i qon në vend amanetet e tyre.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT