DIPLOMA UNIVERSITARE
Ajo, si të mos kishte dëgjuar se ç’foli e ëma, klikoi mbi kompjuter dhe figura u zhduk menjëherë. Në ekran, u dukën disa shkronja, që të ëmës iu dukën shumë të vogla për t’i lexuar, ndoshta edhe pse ishte pa syze.
– S’po kuptoj se ç’po ndodh me ty; e ke lidhur jetën vetëm me këtë të uruar kompjuter. Epo edhe kështu nuk bëhet, ngrysu, gdhiu, ti vetëm kompjuter e ke mendjen!
Vajza i dha një shtytje kokës prapa duke e rotulluar, si për të treguar lodhjen e saj, fërkoi tëmthin e majtë me gishtin tregues të dorës, pastaj, si e përgjumur, hapi gojën dhe vuri dorën para saj.
– Mama! Do shkoj në shkollë, në universitet. – Ktheu kokën nga e ëma që po rrinte në këmbë në anën e djathtë të saj. Në fytyrë iu dallua një shprehje gëzimi.
E ëma, si të mos e kishte dëgjuar mirë se ç’i tha e bija, e pyeti: – Ç’farë the? Shkollë, universitet?! – Fytyra e saj menjëherë mori shprehje habie
– Po! – iu përgjigj e bija. Lëvizi karriken rrotulluese pak majtas dhe përsëri u kthye nga e ëma.
– Unë, me kë do rri në shtëpi, nëse ikën ti në universitet? – tha e ëma dhe mblodhi buzët e habitur. Pastaj, duke i dhënë kokës një lëvizje majtas djathtas në shenjë mohimi, foli e habitur: – Universitet!? Nuk ke moshë ti moj bijë tani për në universitet! Shkolla ka kohën dhe vaktin e saj. Ti edhe shkollën e mesme atje, në Shqipëri… – nuk e vazhdoi mendimin ta thoshte deri në fund, ndërsa me vete po thoshte: “Ti edhe shkollën e mesme, me të shtytur, si i thonë fjalës, e more.
– Mama, disa herë t’a kam thënë dhe ti je vetë e ndërgjegjshme, jemi në Amerikë këtu dhe… – i dha flokëve të saja ngjyrë gështenjë një lëvizje me dorë, duke i hedhur prapa kurrizit.
Ajo ishte një vajzë që i kishte kaluar të 30-tat. Jetonte vetëm me të ëmën. Në Sh.B.A. kishin ardhur si fituese të llotarisë amerikane për të qenë banore e përhershme e Amerikës. Në rininë e saj, kishte pasur histori të ndryshme dashurie dhe gjithmonë kishte dalë e zhgënjyer, jo për fajin e saj, siç e thoshte edhe ajo vetë, por nga mentaliteti konservator i meshkujve…
Për të kaluarën e saj, që e kishte hedhur pas krahëve, nuk donte t’ia dinte.
Sapo erdhën në Amerikë, të dyja, nënë e bijë, për të përballuar vështirësitë e fillimit të një jete të re e të panjohur në emigracion, ishin regjistruar në një shkollë me program mësimor dy javor, për përkujdesjen e të moshuarve. Nga ajo shkollë dy javore ishin pajisur edhe me dëshmi kualifikimi, e cila i ndihmoi edhe në gjetjen e menjëhershme të punës.
E ëma ishte e kënaqur me punën që bënte, jo vetëm se paguhej mirë, por i ishte mundësuar edhe fjetja në shtëpinë e të moshuarës së sëmurë.
Në të njëjtin pozicion pune si e ëma ishte edhe e bija, por se ajo, në mbrëmje vinte të flinte në apartamentin e tyre të marë me qira.
Puna e të ëmës nuk zgjati më shumë se tre vjetë; e moshuara ndëroi jetë.
Vajzës i ishte mërzitur puna dhe, si për t’a larguar atë mërzitje, pjesën e mbetur të kohës së lirë e kalonte në kompjuter.
Atë ditë, kur u ul para kompjuterit, midis mesazheve të shumtë në e-mail, i kishte ardhur edhe një mesazh nga një adresë e panjohur.
E klikoi për të lexuar se ç’shkruhej në atë mesazh; nga një universitet jashtë shtetit ku ato banonin, e njoftonin të regjistrohej në atë shkollë e të vazhdonte studimet on-line dhe ajo mund të zgjidhte një nga ato diploma gradimi: bachelor, masters degree, professor doktor.
Iu duk e çuditshme, por edhe një ndjengë gëzimi jetoi në ato çaste. “Si m’a kanë gjetur adresën e e-mail-it!” – mendoi.
E lexoi disa herë atë ç’farë ishte shkruar, plotësimin e formularit dhe të dhënat e tjera. U dyzua pak kur lexoi shumën e majme që duhej për të paguar shkollën, por, mendimi se do pajisej me një diplomë universitare amerikane, si e vetmja mundësi për të ecur në jetë, e qetësoi.
Për të qenë më e qartë me atë ç’farë i kishte ardhur, mendoi të bisedonte direkt me shkollën, sipas numrit të shënuar.
Zëri tjetër matanë telefonit, e mirëpriti kërkesën e saj për t’u regjistruar si studente on-line në atë universitet, madje, ai zë, iu duk i ëmbël dhe e folura e gruas iu duk me kulturë…
Vajza e pranoi edhe pagesën e shkollës.
– Mësimi do jetë on-line, vetëm se, për të qenë korrekte me rregullat e shkollës, duhet të paraqitesh në shkollë në ç’do fundsezoni – i tha zëri matanë telefonit.
– J’u lutem, j’u lutem shumë! Diploma më intereson edhe nëse nuk e kam mundësinë të paraqitem në shkollë…
Ç’do gjë u qartësua…
Pas ceremonisë përshëndetëse, falenderimit dhe urimit në punën e re të gjithë studentët të veshur me uniformën e diplomimit, u shpërndanë të gëzuar, duke mbajtur në duar diplomën universitare dhe ëndrën e gjetjes së punës.
Të dyja, nënë e bijë, menduan të shtrojnë një darkë familjare, ku të ftuar do ishin miqtë dhe shokët e tyre më të afërm.
Në një cep të dhomës, që ishte regulluar bukur, qendronte e varur fotografia e saj në ditën e diplomimit.
Pak e nga pak, dhoma e pritjes u mbush me të ardhurit, fytyrat e tyre ishin të qeshura.
Më të qeshura, dukeshin fytyrat e nënës dhe të bijës.
Disa nga miqtë e ardhur, nuk nguruan të shprehnin habi me veten e tyre.
Kishte trokitur në shumë dyer zyrash dhe kompani të ndryshme. E kishin mirëpritur në takimin e parë dhe, kur kishin parë diplomën e shkollës on-line, nuk e kishin vazhduar më bisedën.
Asaj vetëm i premtuan, duke e përcjellë me fjalët refren: “Po j’u shënojmë numrin tuaj të telefonit dhe, mundësia e parë që do na krijohet për punë do t’ju thërrasim vetë”.
Për t’a bërë bindës atë fakt, diplomën e fotokopjonin në sy të vajzës, e fusnin në sirtarë dhe për t’a hedhur më vonë në koshin e plehrave.
Ajo pritje e gjatë, asaj nuk po i pëlqente edhe pse mundohej të mos e shprehte shqetësimin në sy të së ëmës, ndërsa, vetë e ëma kishte kohë që po e brehte meraku dhe shqetësimi i mosgjetjes së punës.
Edhe vajza vetë e dinte mirë, që ajo diplomë universitare online nuk kishte shumë vlerë dhe mundësi gjetje pune.
Mendoi të kthehej në Shqipëri, si e vetmja mundësi për t’u punësuar. “E kam armën e fortë tani; kam diplomën nga një universitet amerikan” – dhe buzëqeshi me kënaqësi.
Iu kujtua një e njohura e saj para pak kohësh, që kishte mbaruar shkollën dhe ishte diplomuar on-line si edhe ajo. Ishte kthyer në Shqipëri dhe menjëherë ishte punësuar, madje edhe në administratën e lartë shtetërore.
KLITHJA E NDËRGJEGJES DHE AMANETI I NJË KOMBI
Nga Blerina Ҫizmja/
Një libër që përcjell fuqishëm dhe me realizëm kujtesën e krimeve, trishtimin e pasluftës dhe njëkohësisht, zhgënjimin e një populli që aq shumë e aspiroi lirinë… Gjithçka ndërthuret harmonishëm nëpërmjet ngjarjeve dhe tipareve të personazheve, të cilat lidhen mes tyre në një pikë a në tjetrën, për të plotësuar tablonë e Kosovës së pasluftës.
Një libër që këlthet nga dhimbja, por më shumë nga dëshira për t’iu kthyer ndërgjegjësimit se nuk është kjo ajo çka aq shumë aspiruan luftëtarët për liri; një popull i tërë i masakruar në emër të urrejtjes etnike, por që kurrë nuk e humbi shpresën për një të nesërme më të mirë. Me gjithë dhimbjen që shoqëron në çdo hap fatet e personazheve, çdonjëri prej të cilëve ka shumë për të thënë qoftë edhe me heshtjen e tij, libri të lë një shije optimizmi dhe force për të vazhduar, duke ndryshuar.
Sepse, siç u thotë njëri ndër personazhet e skalitura mjeshtërisht, nxënësve të tij: “Juve ju mbartet amaneti për ta kompensuar kohën e humbur të dijes, shkencës dhe kulturës me angazhim të dhjetëfishtë, sikurse bënë paraardhësit për lirinë. Dhe, nëse ju nuk e përfillni këtë amanet, do t’ju ndjekë edhe në varr mallkimi i paraardhësve dhe pasardhësve”.
Një libër që do t’ju mbetet gjatë në kujtesë, duke ju bindur se të gjitha personazhet e tij i keni takuar në jetë, i keni njohur nga afër dhe i keni dashur, si t’i kishit të afërmit tuaj.
Nëpër misteret e ditarit poetik të Adnan Mehmetit
NGA DR. YLLKA FILIPI/Ditari poetik i Adnan Mehmetit i mbushur me udhëtime në Tokën e Premtuar, është një mozaik kulturor shumëngjyrësh, dekriptues i natyrës, detit, qiellit dhe tokës, për t’i dhënë substancë kuriozitetit të qenies humane përmes syrit zhbirues të shkrimtarit e poetit që depërton në histori, antikitet e trashëgimi kulturore dhe horizontit të pritjes duke hyrë si në ëndërr, në shtëpi të mermerta; breza magjikë me filigranë ari, brigje shkëmbore apo shpella ku burojnë ujërat hyjnore, aty ku prehen poetët, dehur në magji të gjelbër, festa dionisiake, homazhe, pikëllime, frikë, katastrofa natyrore e buzëqeshje që rrjedh që nga legjendat nën lupën poetike, magji e mrekulli natyrore të cilat poeti nuk i prekë me këmbë, por me shpirt. Ky libër është një ftesë për çdo kureshtar të përjetësisë dhe misticizmit të natyrës.
…
“VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR NË NJË LIBËR
– tregime nga Visar Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti -/….LIBRI SHPERNDAHET SOT, NE DITELINDJEN E ATJONIT, QE SOT DO TE ISHTE 21 VJEC….
“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”. I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave. Gjuha metaforike e Zhiti që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.
NË KOPERTINË E PASME lexojmë:
“Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze.
Pikërisht këtë sjell dhe ky libër, ku, ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.
Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.
“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.
Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.
FATI I LIBRIT:
“Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…
Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.
Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”
Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti. Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon:
“E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht…. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”
Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.
Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.
KANË THËNË
për Visarin shkrimtar:
Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij… Robert Elsie
…ai është Shkrimtar nga ata që ka fare pak, nga ata që fjalën e kanë krah, fluturojnë me të në ferr e parajsë, pa u tretur nga flakët, pa u verbuar nga drita.
Marisa Kërbizi
…ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën…
Kevin Higgins
për Atjonin piktor:
Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.
Giampaolo Mattei
Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.
Gëzim Qendro
Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
Gëzim Tafa
_________________
Përgatiti “Botuesi”
- « Previous Page
- 1
- …
- 239
- 240
- 241
- 242
- 243
- …
- 300
- Next Page »
