• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pjetër Budi, poeti i parë i letrave shqipe

January 29, 2025 by s p

Behar Gjoka/

“Si për nga risia e temave dhe gjinive, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues frymëgjatë të poezisë letrare shqipe, por njëherazi edhe e të parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare-kombëtare të pasionuar” Selman Riza

Dija letrare bashkëkohore, e larme si fushëveprimi dhe që vazhdueshëm tenton përhershmërinë e pambarimtë, kodifikuar si shqyrtim tekstologjik, sidomos duke thelluar vatrat stilistike dhe gjuhësore, mundëson detyrimisht edhe rishqyrtimin dhe rivlerësimin e arealit letrar të gjuhës shqipe. Veçse, në rastin e letrave shqipe, që kanë njohur vonesat dhe frenimet jashtë dhe brendaletrare, jo vetëm si nivel ngacmueshmërie, është një detyrim

specifik dhe dobisjellës.

Them kështu, veças sepse periudhat letrare, autorët dhe veprat e tyre, për një kohë relativisht të gjatë, janë lexuar me syze ideologjike të një momenti të caktuar, pra si përkohësi e vetëkufizuar. Shihet qartë që ky lloj leximi, dyfish i mangët, ka më tepër gjasa të jetë konsumuar tanimë. Në realitetin e ofruar, kryesisht, duke u nisur nga leximi jashëtekstor, janë të prekshme treguesit se ky lloj leximi është formatuar si i tillë qysh në zanafillë. Pikërisht, nisur nga përdorimi i këtyre rrafsheve, kjo ka bërë që të mbulohen, enkas, me pluhur harrimor jo pak fakte të mirëqëna letrare. Për të mbërritur gjer në rrethin vicioz, ku papërjashtimisht, s’ka mbetur autor i së kaluarës pa iu gjetur ndonjë “cen”, ose siç formulohej dikur, prania e “kufizimeve ideore”.

Megjithatë, krejt mrekullisht, faktologjia letrare e shqipes, pavarësisht rrudhjes dhe rrezbitjes së herëhershme, tashmë e kundruar edhe nëpër lenten prizmatike të vetëdijes teorike dhe shqyrtimore, prapëseprapë do të nxirrte në dritë vlera të njëmendta letrare. Vetvetiu, kuptohet qartë, se procesi kompleks rivlerësues i periudhave të hershme, veçanërisht i letërsisë së shekujve 16 dhe 17-të, që rëndom emërtohet si letërsi e vjetër ose biblike, do të jap rezultatet e veta.

Bindja e tillë, përveçse në tekstet e trashëguara prej aso kohe, lidhet me nivelin e ngritur të shkencës letrare moderne, që pafundësisht nxit idenë e shqyrtimeve shumëplanore.

Për të tejkëqyrur dhe kapur gjurmët letrare të asaj periudhe, patjetër të krijimtarisë së shkrimtarëve katolikë dhe veriore e më gjerë, që tëhuajtën nga Bibla dhe e vunë në shërbim të krishtërimit, motivet kryesore të shkrimtarisë, do të ndihmonte artikulimi sugjerues i Benedeto Kroçes, se “… ne nuk ngurojmë të shkojmë

për ta vizituar poezinë aty ku gjendet apo aty ku fshihet…” (1998 :48), në librin “Poezia Antike dhe Moderne”.

Formatimi kësodorshëm është i vlertë për të gjithë hartografinë letrare të shqipes, gjithëkohore dhe gjithëhapsinore. Por sa i përket krijimtarisë së kuartetit viriak dhe, sidomos veprës poetike të Budit

dhe Bogdanit do të ishte si një ujdhesë përndritëse, për të kërkuar dhe gjetur spovat e poetikës së pranishme.

PRIJATAR I POEZISË SHQIPE

Lëvruesit e parë të vjershërimit, sipas dokumentave, kryesisht në trajta sporadike, janë Gjon Buzuku dhe Luk Matrenga. Me Budin puna qëndron ndryshe, kryekreje, sepse ai arriti të botonte libra poetikë, të përkthyera ase si përshtatje, por edhe origjinale. Ky fakt ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më seriozë, ndonëse po ashtu ka vijuar ndërdyshja formatuese, qysh më herët, se a janë vetjake apo të përkthyera vjershat e tij. Niveli shqyrtimor në trajtimin e poezisë budiane, të përcaktimeve të vlershmërisë së saj, ka njohur ngritje në dhjetevjeçarët e fundit, sidomos me tre akte themelore të sendërgjuara në këtë ndërkohë.

Së pari: Transliterimi i gjithë krijimtarisë së Budit, poezi dhe prozë, përkatësisht i librave “Doktrina e Kërshtenë”, “Pasqyra e të Rrëfyemit”, “Rituali Roman”, si dhe botimi i tyre në vitin 1985 prej studiuesit danez Gunar Svane. Gjithashtu, ky autor, bashkë me tejshkrimin e krijimtarisë së Budit, ka hedhur dhe gjykime të

vlerta sa i përket vlershmërisë së poezisë dhe prozës.

Së dyti: Botimi i poezisë së shtrirë në të tre librat e Budit, në vitin1986 nga studiuesi Rexhep Ismaili. Fytyrëzimi i plotë, patjetër i transliteruar, por njëkohshëm duke ruajtur edhe frontespicin origjinal shkrimor, i Budit si poet është një prurje e paçmuar per kulturën dhe letërsinë shqipe. Mandej, bashkëshoqërimi i poezisë së plotë të Budit edhe me një hyrje të gjatë, në caget e një studimi plotëror për jetën e autorit, mbi natyrën e poezisë së lëvruar apo shenjëzimet letrare, në prozën e tij, pra, si një poetikë budiane.

Së treti: Botimi i një studimi të plotë, në vitin 1995, nga studiuesi dhe pedagogu i letërsisë shqipe në Shkup, Zeqirja Neziri, rreth poezive të DOKTRINËS. Përfundimet e nxjerra prej tij në rrafshet tematike, zhanrore dhe të figurshmërisë, e zbulojnë të freskët parafytyrën poetike budiane. Gjithashtu, po te ky libër, me

vlera identifikuese, janë edhe formulimet autoriale se poezia e Budit i përket barokut religjoz dhe se poezia e tij, rezonon natyrshëm me poezinë mesjetare perëndimore.

Sjellja ngjatë e krijimtarisë poetike budiane, si dhe përcaktimet e shënuara mbi të, nxisin kërshërinë, por jo vetëm atë, për t’iu qasur si tanësi apo edhe në aspekte më të ngushta, specifike, gjithsesi e shoqëruar edhe me formatimet teorike bashkëkohore. Kështu ideja e formuluar prej T. Todorovit, se: “Ekzistojnë disa vlerësime

stereotipe që u vishen veprave letrare të Mesjetës, të cilat janë shumë të ndryshme: disa nga këto vepra janë shkruar me një stil “të zbukuruar”, disa të tjera me një mënyrë “naive” ose “të padjallëzuar”. Veprat letrare të Mesjetës i kanë gjykuar “interesante” jo si të tilla, por për aq sa ajo pasqyron tipare të jetës shoqërore (domëthënë atë e kanë gjykuar në perspektivën e historisë shoqërore, jo të historisë letrare), për aq sa ajo përmban të dhëna…”(2000:54), sugjeruar në librin “Poetika e Prozës”, që e zgjeron ndjeshëm gamën e qëmtimeve dhe të riformulimit të vlershmërisë së letërsisë. Vetëkuptohet që Budi, prapa vellos fetare, trajtoi jo pak motive, natyrisht si alegori e tërthortë, përmes stilemash poetike zgjoi admirimin e shqiptarëve për gjuhën shqipe dhe çeli hullinë e vetëdijes atdhetare.

Mjafton edhe fakti i thjeshtë që prej tij trashëgojmë një pasuri poetike në rreth tre mijë e dyqind vargjesh, gjithsesi të përftuara si kangë biblike (litani), e që padyshim prekin edhe ndjesitë emocionale. Aq më tepër që pjesa dërrmuese është realizuar nëpërmjet kadencave ritmike, konceptimeve poetike të vetëdijshme, si dhe figurshmërisë së lazdruar. Për të krijuar bindjen se ai është i pari poet i letërsisë sonë, me vetëdije artistike të shenjuar, është e nevojshme të thellohet depërtimi nëpër rrafshet tekstore të materies poetike. Ky proces shpeshtjellues kryhet vetëm nëpërmjet leximit të vjershave, të cilat do të duhet të vendosen në kontekst të

rrethanave krijuese, si dhe të atyre rrethanave ekzistenciale si poezi e kënduar për dobi të sakramenteve fetare.

Kryerja e këtij operacioni, përpos tjerash, paraqet vështirësi edhe për atë ç’ka sugjeron, që prej shumë kohësh T. S. Elot-i, tek shprehet: “…një shije të prapë të leximit rreth veprave artistike në vend se tëedukojmë shijen” (1982:36), në librin me Esse të zgjedhura.

Sai përket letërsisë së shekujve XVI dhe XVII dhe, përgjithësisht autorëve të periudhës së parë të letrave shqipe, është pranuar dhe pohuar, sidomos rëndësia e saj si fakt gjuhësor dhe historik. Kështu,lexohen ato, kështu mund të pajisemi me opinion në vendDhimitër Shuteriqi, në të përmuajshmen letrare, artistike,

shoqërore, politike, “Nëntori”, Nr. 12., e formulon qartë këtë aspekt, tek thekson: “Shkenca e ka çmuar atë letërsi kryesisht për vlerat gjuhësore dhe historiko – gjuhësore të saj, duke u ndalur pak në vlerat estetike që ajo ka, dhe në rolin e tyre në artin tonë të fjalës” (1989: 28).

Deri para pak kohësh, po edhe tani, në jo pak mjedise kjo periudhë nistore dhe tepër e vlertë, është heshtur si fakt letrar. Kuptohet vetevetiu se shija e prapë e leximit, sipas Eliotit, pra, duke i bërë verifikim social faktologjisë letrare, ka krijuar vakum dhe hendek përndarës ndërmjet periudhave të artshkrimit. Po ashtu,

po kjo shije e prapë e leximit, ka mënjanuar, pothuajse, si arketip letrar dhe krijimtarinë letrare, prozë dhe poezi, të Pjetër Budit, njërit prej lajmëtarëve të qytetërimit shqiptar. Më shumë sesa debatet, diskurset e stërholluara mbi këtë çeshtje, merr vlerë qasja në këndet tekstologjike të autorit. Rimarrja nëpërmjet leximit real, pra tekstologjik, më teper se borxh i pakthyer shkrimtarit, është një rrekje për të riformuluar panteonin letrar në gjuhën shqipe në kufijtë ndërkohor.

Lajtmotivi shtytës, pothuaj në të gjithë vargënimin e Budit, është nevoja për të kryer shërbesat fetare, patjetër në gjuhën shqipe, veçse të përcjellura me gjuhën e poezisë, herë-herë, tentojnë dhe arrijnë të shkëputen nga prirja utilitare dhe, jo rrallë kapin edhe caqe interesante, gjithnjë duke qëndruar brenda qerthullit të dyzuar,

poezi dhe rit fetar i kënduar, si një frymë motorike që ka ekzistuar në letrat shqipe kryesisht mesjetare, por edhe pas saj, si përfshirëse e shtjellave të kohës. Prandaj, ndriçimi i anëve interesante, gjellojnë nëpër tekstet e Budit, e vlen përpjekjen e sipërmarrë duk etentuar disa pikësynime:

Së pari: Leximi tërësor i krijimtarisë poetike, por edhe asaj në prozë, domethenë i të gjithë lëndës së vjershëruar, që gjendet në të tri librat, posaçërisht në DOKTRINËN, PASQYRËN dhe RITUALIN, tashmë si njësi unike.

Së dyti: Leximi i poezisë budiane, tanimë si fakt letrar, që ngërthen dukuri dhe faktologji konceptimi dhe figurshmërie.

Së treti: Leximi i pranisë së frymës poetike të autorit të parë në letrat shqipe ndërkohore.

Kuptohet që secili prej këtyre pikësynimeve, të parashtruara hapur, është paraparë në kontekst të alternativës së leximit, si një akt me disa rrafshe, që mundësohet nga natyra ndërkomunikuese e teksteve letrare. Poezia e Budit, gjithnjë brenda mbishtresimit fetar, vibrues, në sematikën që përfshin, mbase padashje, mbulon dhe pështjell shqetësimet e kohës së tij, sidomos shqetësimet e krijuesit, e mbi të gjitha poezia autoriale, që figuron ujdhesën e parë rrezëlluese, shenjon dhe paraqet parafytyrën tronditëse të plagëve të pafundme të trojeve arbërore, të përndara për të vuajtur.

Madje, në ndonjë rast, impenjimi shkrimor ngritet gjer në pika kulmore, si nër vargjet:

“Ku janë ata pleq bujarë

qi qenë përpara ne

e ata trima sqimatarë

të çpejtë si rrufe?

Ku janë ata letërorë

turtë e dies të dëgjuom

të bardha posi vdorë

letrat tue kënduom?”

(DOKTRINA.1986:73)

ku krejt qartë dhe shkoqur pyetjet retorike si figurshmëri, toni dhembshurak si ndjesi, nëpërkëmbja e krenarisë së vdarun, zbulohet drama dyfishe:

• e atdheut që lëngon në kthetrat e pushtuesit,

• paksa më e prekshme si ndjenjë, e poetit si njeri.

Mbase dhimbja personale ka shpirtëzuar edhe të parën, natyrisht, si përjetim që ka sjellë këmba e pushtuesit. Prandaj, poeti me “pavetëdije” sublime, i lutet vetes, iu përlutet dhe përgjërohet njerëzve që e rrethojnë, atyre që kanë veshë për të dëgjuar por edhe atyre që kanë sy për me pa. Ai u drejtohet përmes klithmës që rrok tashmërinë e poetit, por që mrekullishëm, statura e vargjeve, mesazhi përtejkohor, mbështjell ardhmërinë këndejkohore. Këtu dhe tjetërkund, në poezi dhe në prozë, Budi u përshpirtet njerëzve që kanë shpirt dhe mendje. Ky rezonim kreativ, moral dhe afektiv, transhendent për adresimin dhe formatimin shprehës, hyn në akord fare natyrshëm me fatin e kombit, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

Ndërsa, episodet e marra nga Bibla, siç është përshkrimi i vrasjes së Abelit nga Kaini, përveç dramatizimit, dëshmojnë dhe për rravgime poetike, ku, larg retorikës, kemi shprehje të ngjeshura që zbulojnë aktin gjakatar përmes shkallëzimeve të njëpasnjëshme. Fakti se dorasi, ai që kryen veprën makabre, kujton që këtë krim

e kryen në fshehtësinë ma të madhe, kur realisht, pikërisht në ро ato çaste po e vëzhgon mbarë qiella, formëzon kontrastin më të bukur artistik dhe me disa shtresëzime njëherit.

Mbase, veçmas poetin në këto përfundime logjike të paqëllimta, gjithsesi endur nën ombrellën qëllimore, ku adresimi i këtillë, që nëpërmjet fokusimit të pasazhit biblik të aludojë plagën më të egër dhe shumëshekullore, vëllavrasjen, kësaj murtaje nga më të hidhurat, që mbillte vdekjen në trojet tona. Mbillte dhe po mbjell vdekjen,

në jug e veri, si një kukudh i keq, frikëndjellës, fatkob e pa një grimë idealiteti. Këtij makthi dhe kobi të zi, poeti i del krejt ballazi, me thirrje prekëse dhe shpresësjellëse, sidomos në vargjet:

“Shokëtë, fqinjëtë ti doni,

ambëlz tue argëtuom,

Gjanë taj shpenzoni

atyne me u ndihmuom.

Mos vidhni, mos kusëroni,

posi disa janë msuom

po tuajtë pa kujtoni

kush ka me na gëzuom.”

(DOKTRINA,1986:255)

Siç duket këto vargje, në kuptim të drejtëpërdrejtë, përcjellin porosi morale, aq të nevojshme për qenien njerëzore në çdo kohë, por artikulimi shestues dhe tingullor, bën që vetvetiu të kapërcehen kufijtë e një sentence thjeshtë fetare, dhe për më tepër të shpërndajë jehonë edhe përtej kohës shkrimore. Poezia ka si subjekt një episod nga jeta e Arbërisë, që në konceptin e Budit, ashtu si dhe të shkrimtarëve të tjerë të hershmërisë, shënon njësi përfaqësuese unike dhe tërësore.

Ajo, pra Arbëria, njëkohshëm shenjon atdheun, shenjon edhe vetëdijen atdhetare, duke u bazuar tek njësia e gjuhës, si materia e parë dhe themelore unitare. Fakti tjetër, domethënës dhe shenjëzues, që ky pasazh nuk haset në librin e Belerminos, i jep të tjera përmasa vetëdijes tërësore autoriale, padyshim edhe poetikës së realizuar

me vetëdije letrare.

Andaj, me bindje të kthjellët, mund të themi se vargjet e kësaj vjershe janë krejtësisht origjinale, të krijuara prej Budit me nuancime të qarta didaktike, përftuar si një klithmënajë gjithëkohore,përfshirëse dhe qarkuese, për ta rifutur edhe shqiptarin në shtigjet e qytetërimit.

Fjala poetike, përgjithësisht në vjershërimin e tij, si një artefakt letrar simbiozik, sentencë fetare dhe krijim letrar, plazmuar me natyrshmëri dhe organicitet, ide dhe dhimbca trishtuese, përmallim dhe shtysë, si dëshirë e shprehur për ndryshim, duke rrokur kështu disa shtresëzime domethënie:

Në radhë të parë: Ai, pra, poeti dhe prifti, pothuaj në nivel të barabitur, tek predikon me bukurinë e fjalës së gjuhës shqipe, rreket dhe ia arrin të sendërtojë vargënimine vetë, kryesisht si një teksturë sinkrete, poezi dhe këngëtim, çka e paraqet edhe më hyjnor famulltarin tek flet poetikisht.

Në radhë të dytë: Shqipen e bukur, gjuhën plot ngjyra dhe muzikalitet tronditës, me tharm natyral letrar, Budi dhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë së shekujve XVI dhe XVII-të, e shkëputën prej pelenave të mjegullta, duke e bërë mjet komunikimi të kishës, formë kumtuese të kulturës dhe të letërsisë.

Në radhë të tretë: Mesazhet e pranishme, gjithnjë prekëse dhe shkulmuese, drithëruese dhe njerëzore, adresohen hapur në palcën e qenies. Prandaj ato shestime, si mbishtresim i kapshëm, kanë

edhe fuqinë e ngacmimit të shpresave dhe ëndrrave, aspiratave dhe dëshirave flakëruese, aq shumë dobiprurëse për humanitetin si formante komunitare dhe individuale.

Në radhë të katërt: Një gjuhë, në kryeherë, zakonisht shpërfaqet në trajtën e folur, patjetër si forma e parë dhe thelbësore e saj, por artikulimi në nivel shkrimor e, sidomos kur shërben si gjuhë kulture dhe arti, poezi a prozë, asohere ajo gjuhë fiton pavdekësi si dukuri.

Këto shtresëzime, thuajse të pranishme në të gjithë vargëzimin e Budit, madje si një kod, gati i përputhur, ndërmjet artefaktit gjuhësor dhe letrar, janë potencuar, përpos të tjerash, edhe prej adresimit autorial të trefishuar!

Filed Under: LETERSI

Një pasdite me Kadarenë

January 28, 2025 by s p

Nga Ermir Nika/

Fjalë të ngrira në eter

Episode të hedhura në fletë të shpërndara ditari

Ne ndiqnim ritualin tonë sa herë takoheshim. Përgjatë gjithë viteve të miqësisë sonë kisha vënë re se ai i kushtonte një rëndësi të veçantë çdo takimi me miq, të njohur, me lexues që dëshironin ta njihnin nga afër ose edhe thjesht t’i merrnin nënshkrimin te librat. Rrallë herë mund të kujtoj ndonjë rast kur biseda jonë nuk trazohej nga ndërhyrjet e befta të dashamirësve të tij. Tryeza e Kadaresë ruante gjithmonë të njëjtën pamje; filxhanin e kafes gati në të mbaruar, shishen e përgjysmuar të ujit, hapësirën më të madhe e zinte shtypi i ditës, ndonjë dorëshkrim i ngacmuar me korrigjime dhe plotësime të tekstit me bojë të kuqe, si edhe librat që nënshkruante gati çdo ditë me rapidografin që e nxirrte nga xhepi i brendshëm i xhaketës.

Këto kohë, pas largimit të tij për në amshim, jo pa pështjellim gjej shtegun e fshehtë për t’iu shmangur idesë se kjo skenografi e ndërtuar për vite me radhë tashmë ka rënë. Nuk mundem më ta gjej as në bar “Juvenilja” dhe as në vilën e tij buzë detit, në Qerret të Kavajës.

Tashmë e kërkoj me sytë e mendjes. Por nuk është fort e lehtë të pranosh që e shkuara është e vetmja materie e kujtesës. Me gjasë, është pikërisht kjo hapësirë që njeriu nuk e mat dot as me fjalë, as me periudha, sepse gjithçka fundoset veçse aty! Gjithmonë kam besuar si një fëmijë kryeneç se e kaluara rikthehet në forma të tjera, por mbase për këtë mbeten vetëm kujtimet si e vetmja lundër që i risjell dhe i largon nga brigjet e prekura nga ecejaket rutinore.

Ende i përmbahem bindjes se tek unë nuk ka mbërritur ende koha të hedh kujtime, sa kohë ato i kam të renditura në kujtesë, të vetmen vendprehje nga ku i jap shumë interpretime dukurive që kam përjetuar. Por ja, nganjëherë më ngjan se ndonjë fletë kapitulli e atyre çka kam përjetuar, shkëputet dhe si somnambul zbardh dhe risjell atë trupëzim që duket se është mumifikuar diku brenda meje. Edhe miqtë e kolegët shpesh e më shpesh më nxisin të shkruaj për shumë shkrimtarë, poetë e prozatorë, në veçanti për emblemat e letërsisë sonë, për etapat ku ka kaluar jo pa mundim jeta dhe krijimtaria e tyre, për ngjarje që i kanë ndarë me mua apo që i kemi përjetuar bashkë. E në këtë pikë më kujtohet përherë gjesti i Kadaresë, dora që dukej sikur shkruante në ajër pak para se të ndaheshim:

– Mos harro, shkruaji këto që më rrëfeve! Duhet të mbeten, sepse je shkrimtar dhe, mbi të gjitha, ke patur një rol; ke qenë protagonist në shumë ngjarje. Ti je takuar dhe ke folur me shumë shkrimtarë dhe e nesërmja ngrihet e patundur vetëm mbi të vërtetën!

– Patjetër, – i përgjigjesha teksa dëgjoja këto këshilla nga shkrimtari që admiroja më shumë, – do ta bëj një ditë.

– Ti dhe kushdo që mund të ishte në vendin tënd, e keni për detyrë të mos i lini të vdesin e të harrohen.

Dhe ashtu ndaheshim, duke tundur duart në ajër si vetmja shenjë se do të rishiheshim sërish, jo fort larg: “Do të takohemi sapo të kthehemi nga Parisi” – një nga frazat përmbyllëse. Dhe largohej për t’u rikthyer.

Por tanimë ikjet e tij kanë mbetur pa kthim. Të vetmet udhë ritakimesh me të kanë mbetur librat dhe kujtimet, që i ndërtoj gjatë ditës dhe, pa kujtuar, më duket sikur më shemben brenda natës. Nganjëherë mendoj se më trembin rrëpirat e krijuara në kaq shumë vite, ku zukatin ditët e kaluara. Dikur do të më duhet t’i ngre me krejt fuqinë në lartësinë e dritës. Por ndonjëherë më bëhet sikur dorëzohem dhe nuk mundem t’i jap përgjigje kësaj dileme që më ngarkon prej vitesh: pse i jam shmangur dhe vijoj t’i shmangem këtij graviteti që të degdis në një hon, i cili të krijon një lloj gjendje ankthi dhe frike përzier bashkë? Mbase më është dobësuar paksa forca për ta ribërë edhe njëherë atë të kaluar që më transformoi në një qenie të ngurtë.

Sot më shpërtheu një lot, që shkroi diçka mbi faqen time. Nuk u përmbajtja dot. Më duket sikur kam shkelur një betim ose, më mirë të them, një pakt me veten. Dikush që deshifron hieroglifët, shoh se ndërtoi një peizazh me atë që lexoi në fytyrën time.

Peneli përshkroi atë pasdite qershori, në verandën e vilës së Ismailit dhe Helenës, buzë detit Adriatik. Aty gjithmonë krijohej një mjedis tepër i ngrohtë dhe çdokush që e kalonte atë prag, ndihej jo thjesht si i afërt me familjen Kadare, por si i afërmi i tyre. Mikpritja ç’tendoste çdo parafytyrim apo paragjykim të bartur nga njerëz të rastësishëm, që hera-herës tentonin të krijonin legjenda urbane dhe prireshin të merrnin protagonizmin në jetën artistike dhe sociale të Ismail Kadaresë.

Kuptoj se asnjë takim nuk më ka humbur brenda vetes. Shpesh ndalem tek ajo pasdite e nxehtë, kur u nisa ta takoja çiftin Kadare në vilën buzë detit, ku veronin deri në pragun e vjeshtës. Një tipar i pandryshueshëm që Ismaili e respektonte dhe e kërkonte tek gjithkush ishte korrektësia, aq sa nganjëherë ora e tij e përpiktë më përngjante me kronometrin e trajnerit tim të atletikës, i cili, mbi të gjitha, më mësoi të isha gjithmonë në vendin dhe në kohën e duhur. Këtë veti të fituar nga koha kur ushtrohesha si atlet pranë klubit sportiv “17 Nëntori”, mundohem ta ruaj edhe sot, kur udhëtimet janë bërë gjithmonë e më të gjata dhe qëndresat më të shkurtra dhe, për rrjedhojë, rikthimet gjithmonë e më të pamundura.

Kështu, arrita në kohën e duhur edhe atë ditë. Dashamirësinë e përhershme të çfitit Kadare s’e zbehu as vapa kryeneçe. Në sy nuk u lexohej asnjë shenjë lodhjeje nga të ftuarit e shumtë që u shkonin me aq qejf në vilë.

Asgjë nuk lëvizte atë pasdite të nxehtë; as perdet, as lulet, asnjë fije bari, përveç akrepave të orës. Kur drita nisi të zbehej dhe muzgu po i shndërronte portretet e njerëzve në hije, Ismaili propozoi të shëtisnim buzë detit. Në fakt, ky ishte rituali i tij i zakonshëm. Ecte me hapa të rregull dhe mbante gati të njëjtin ritëm mbi rërën e shkrifët. Helena, përherë krah tij, herëdokur hidhte vështrimin tej në horizont e dukej sikur fotografonte çdo çast me përqendrimin e saj romantik.

Bisedat tona ndiqnin ritmin e hapave. Nga mënyra si fliste, më dukej se jo rrallë herë Ismaili përshkruante ndonjë kapitull të veprës në dorëshkrim. Dialogu me të shpesh kishte alegoritma dhe kuptohet vetvetiu se nxirrnim përfundime. Pak e nga pak çdo dilemë apo përsiatje, në fund të bisedës dukej sikur rendte drejt zgjidhjes, që në thelb nënkuptonte të vërtetën. Prej tyre m’u rrëzuan, ashtu si librat në raftin e sipërm të bibliotekës, këto momente përjetimi në atë rrugëtim jo fort të gjatë, por të shtrirë në kohë.

– Sot është e gabuar ideja se letërsia shqipe në botë përfaqësohet vetëm nga një autor. Krejtësisht e gabuar. E kam ndjekur aq sa kam mundur ecurinë e botimeve të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj dhe, me sa kam vënë re, bëhen diku 12 apo 13 autorë që janë botuar në vende të ndryshme të Europës. Pse thonë pastaj që botohet vetëm Kadareja?! Kjo është një marrëzi e madhe, që duhet të marrë fund. Shqipëria, në periudha të caktuara, i ka patur shkrimtarët në nivel të krahasueshëm me autorët e rëndësishëm europianë, – më tha dikur.

Kadaresë, në natyrën e tij, ishte tepër e rrallë t’i dalloje një tipar entuziazmi, por për atë që pohonte, kuptohej se vinte nga një analizë e thellë që kryente brenda vetes. Por entuziazmi më kaploi mua për temën që u hap dhe nuk doja që të kalonte pa e shtjelluar. Me kërshëri e pyeta se cilët ishin ata autorë shqiptarë

– Barleti, – m’u përgjigj. – Shkroi në latinisht, ashtu si elita e autorëve europianë të kohës. Atij i janë referuar një pjesë e madhe e autorëve që janë marrë me temën rreth Perandorisë Otomane dhe kryesish mbi Skënderbeun. Pjetër Budi mbetet po aq i rëndësishëm, sipas meje. Ai ka vargje të nivelit shekspirian. Por të mos harrojmë që i përkasin të njëjtës periudhë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme.

– Është e habitshme, – ndërhyri për një çast Helena. – Janë kaq e kaq vlera me të cilat kultura shqiptare është e krahasueshme me ato europiane dhe ndërkohë kaq të panjohura ende nga studiuesit në tërësi.

– Po edhe më vonë, – e ngau më tej bisedën Ismaili, – kemi të njëjtin fenomen. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për Mesjetën. Kështu ndodhi me Lasgushin, Migjenin e jo pak të tjerë, të cilët ecën në të njëjtën frymë me shkrimtarët më të njohur të kohës. Madje edhe sot. Ja unë sapo lexova dy vëllimet e Visar Zhitit, ku përshkruante vitet e burgut dhe për mua janë më të arrira se kujtimet e Sollzhenicinit për persekutimin e tij në Siberi. Pse të hezitojmë t’i pranojmë këto gjëra, sa kohë janë të botuara?

E ndali për pak bisedën dhe e zgjati vështrimin nga bregu, ku nuk dukeshin më as kalimtarë, as vozitës me varka, por vetëm vija e fikur e horizontit. Hodhi ca hapa në heshtje e mandej vazhdoi:

– Historia e shkrimtarëve shqiptarë është nga më të çuditshmet, mbase edhe nga më tragjiket që mund të ketë letërsia e një kombi. Cili vend apo cila letërsi mund të ketë vuajtur një përndjekje të tillë për shekuj me radhë… kujt i është ndaluar gjuha, më pas mendimi e më keq akoma në komunizëm, iu anatemua edhe fjala? E kuptoni ç’do të thotë kjo për një komb?! Kjo në vetvete është asgjësimi i vetë kombit! Dhe përsëri letërsia shqipe u shkrua nga ata autorë që morën parasysh edhe persekutimin e çdo forme, deri edhe vdekjen. Më thuaj, – m’u drejtua, – a ka në botë letërsi që ka mbijetuar në këto kushte?

Unë heshta pa ia ndarë për asnjë moment shikimin portretit të tij, që trazohej vetëm nga drita e hënës së plotë.

– Unë, nuk di, – thashë pas një hopi.

– As unë. Ja pse letërsia shqipe, që u lëvrua në kushte nga më të paimagjinueshmet, bile nga më ç’njerëzoret, për mua mbetet një nga më të mrekullueshmet në botë, madje nga më heroiket, sepse vazhdimësia e saj është mbështetur në martirizimin e shkrimtarëve të saj, të çdo periudhe, veçanërisht në atë otomane e më pas në atë totalitariste.

Nisëm të hidhnim hapat e kthimit. Ndonëse ishim zhytur në tis, ndieja se brenda meje ishte ndriçuar dhe fashitur një nga pasiguritë më të mëdha, vendi dhe roli ynë gati i padukshëm në muzeun e papërfunduar të qytetërimit europian. Duke menduar, mbeta pak prapa. Heshtjen e nderë e depërtoi sërish zëri i tij:

– Eja Ermir, eja futemi brenda. Nuk e kuptoj pse e ke këtë mani të qëndrosh gjithmonë pas e të të rrahë era. A nuk e ndien që u ftoh? Dhe era në errësirë është gjithmonë e pabesë.

Më tepër se me zë, m’u bë se iu përgjigja me zhurmën e hapave, që teksa largoheshim, përpiheshin nga trazimi i dallgëve. Ato na ndiqnin dhe mbulonin çdo gjurmë që i patëm lënë si kujtim rërës, atë pasdite të rënë vere, mbi Adriatik.

Filed Under: LETERSI

GJEOGRAFIA SHPlRTËRORE NË VEPRËN E BESNIK MUSTAFAJT

January 26, 2025 by s p

Jusuf BUXHOVI/

Gjeografia shpirtërore shqiptare nuk është kartografi, por identitet historik. Është një pikturë e madhe me një tablo identitare, të cilën koha dhe rrethanat shoqërore dhe politike nga lashtësia e deri te koha jonë e kanë kthyer në mozaik. Kjo ka ndodhë në antikitet, ka ndodhë në mesjetë, ka ndodhë gjatë Perandorisë Osmane dhe veçmas pas shembjes së saj. Kështu, mozaiku i kujtesës sonë historike nga viti 1913, është kthyer në një kartografi politike, ku Shqipëria Londineze, si shtet shfaqet e përgjysmuar, ndërsa Kosova, Maqedonia dhe Çamëri, të cilat, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te pavarësia kanë qenë qendra e saj kulturore dhe politike, me mbetjen të pushtuar në Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, kthehen në pakica fetare, që i priste asimilimi ose shpërngulja për në Turqi, siç ndodhi me një pjesë të mirë të tyre.

Nga këndvështrimi i sotëm shtrohet pyetja se çfarë përgjigje i dhanë shqiptarët e ndarë kartografisë së re politike nga vitet 1913-1914, gjatë luftës së parë botërore, gjatë luftës së dytë botërore dhe pas luftës së dytë botërore, nga viti 1945-1991 në rrethanat kur midis dy luftërave botërore (1916-1918) dhe gjatë luftës së dytë botërore (1941-1944) pati intermexo kohore të bashkimeve të përsëritshme, të cilave u dha fund fitorja e komunizmit në Shqipëri dhe në Jugosllavinë e Titos?

Nëse anashkalohen rrethanat midis dy luftërave botërore, të cilat me ndryshimet e mëdha të gjendjeve ishin të pamjaftueshme për çfarëdo konsolidimi politik, shoqëror dhe kulturor, megjithatë ato që solli fundi i luftës së dytë botërore, pra komunizmi në Shqipëri, mund të thuhet se ishte ideologjia, ajo që gjeografinë shpirtërore, me metodën e realizmit socialist në krijimtari veçmas në letërsi e zhveshi nga çfarëdo fryme kombëtare. Heroi i ri pozitiv ishte në funksion të krijimit të njeriut të ri socialist, me kujtesë të fshirë, një monstum! Kjo e qëlloi më së shumti letërsinë e traditës dhe gjithë ato vlera që krijoi mendësia e Rilindjes kombëtare. Kështu, krijimtaria u vu fund e krye në shërbim të doktrinave ideologjike.

Në Kosovë, hiq periudhën kur shovinizmi serb nga viti 1945-1966, shfrytëzoi parullën e vëllazërim-bashkimit, për të vazhduar planet e njohura nga platforma e Çubrilloviqit për asimilimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, nga viti 1966 kur bie pushteti policor i Rankoviqit, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 dhe ato të vitit 1974 kur fitohet statusi i njësisë federative, për ndryshim nga Shqipëria komuniste, ku shkrimtarët që nuk i përmbaheshin metodës socrealiste internoheshin në kampe pune edhe vareshin (i fundit u var në Kukës poeti Havzi Nela në vitin 1988), pra krijimtaria artistike, veçmas letërsia, në saje të asaj se Jugosllavia në vitin 1949 përjashtoi metodën e socrealizmit në art dhe krijimtari, i kthehet identiteti kulturor dhe historik shqiptar.

Në veprat letrare të shkrimtarëve të brezit të mesëm dhe atij të ri zuri vend të theksuar tematizimi i historisë nga antikiteti, mesjeta dhe koha jonë gjithnjë e parë si tërësi dhe me vazhdimësi së cilë planet hegjemoniste serbe ia mohonin. Duke u ndërlidhur me veprat e Martin Camajt “Nji fyll ndër male” dhe “Kanga e vërrinit” si dhe romanin antologjik për të rijnë të Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha”, që paraqesin hyrje poetike në histori në përputhje me gjeografinë shpirtërore , shfaqen vepra të rëndësishme që dëshmojnë formacionet shoqërore dhe politike në thellësitë e saj me principata e deri te mbretëritë. Të tilla janë “Trilogjia ilire” te Ymer Shkrelit, “Trungu ilir” i Sabri Hamitit, “Akrostiku i Skënderbeut” i Beqir Musliut, drama e Tekin Dërvishit “Zhvarrosja e Pjetër Bogdanit”, romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”, “Udhëzimet për kapërcimet e dertit” të Mehmet Krajës si dhe vepra të tjera që plotësonin gjeografinë shpirtërore shqiptare.

Metoda socrealiste në Shqipëri me letërsi të shumtën me vepra të propagandës politike, pa ndonjë vlerë letrare, në njërën anë dhe në tjetrën anë, veprat e shkrimtarëve të Kosovës që rikthejnë identitetin tonë historik dhe shpirtëror në letërsi, paraqesin një absurd historik, ku raportet politike dhe shtetërore që krijoi Konferenca e Londrës me ndarjen shqiptare, që i konfirmoi edhe Konferenca e Parisit e viti 1919 dhe ajo e vitit 1945, të qendrës (Kosovës – periferi) dhe të shtetit të përgjysmuar shqiptar – qendër, kulturalisht “periferinë” – Kosovën ta kthejë në qendër shpirtërore shqiptare, ndërsa shtetin shqiptar komunist, ta kthejë në pjesë të kartografisë ideologjike të kartës politike të botës komuniste që shtrihej nga Moska deri në Pekin, Kubë dhe Afrikë!

Ky absurditet historik, megjithatë, së paku politikisht, mori fund në vitin 1991 me ndryshimet politike në Shqipëri dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, kur bie edhe qendra kryesore prej nga artit dhe kulturës për afër një shekulli iu caktuan recetat socrealiste, që rrënuan vlerat shpirtërore dhe ato kulturore të popujve që u pushtuan nga sistemi komunist.

Me këto ndryshime, arti dhe kultura në Shqipëri hoqi tiraninë e metodës së socrealizmit, por kjo nuk mjaftoi që saora që kartografinë ideologjike ta kthejë në gjeografi shpirtërore në përputhje me identitetin historik.

Megjithatë, viteve të fundit, disa nga shkrimtarët e brezit të rinj kanë filluar t’i qasen me përkushtim kësaj. Ndër ta dallohet Besnik Musftaj me dy nga veprat e tij: ”Fati i marrë” dhe “Një roman i papërfunduar”.

Si shkrimtar që vjen nga Tropoja, të cilën kufiri i vitit 1913, me ndarjen nga Gjakova dhe Kosova, ia prenë damarët ekzistencial, por edhe i krijon shkëputje nga një identitet i përbashkët kulturo së cilës i ka takuar, përpiqet që ta pasqyrojë fatkeqësinë që sjell ndarja e kufirit, përafërsisht me kundrimin që kishte vepra e H. Salihut në vitete e shtatëdhjeta. Në këto vepra Mustafaj, sjell kujtesën e shkëputur historike, duke e ndërlidhur me realitetin e ri jetësor, me ç’rast konceptit të Shqipërisë politike, i kthehet ai i dimensionit etnik historik. Në këtë veprim Mustafaj ndërlidhet me omonimet, patronimet, toponimet, mitet dhe gjithë ato vlera të treaditës që shkojnë edhe deri te simbolet e kozmogomisë, që ruhen në atë që Mis Durham e quan “Shqipëri e Epërme”.

Në këtë mënyrë, mund të thuhet se veprat e Mustafajt letërsisë sonë ia hapin rrugën që të rikuperojë, po qe se kjo është e mundur, plagët e thella që botës shqiptare ia shkaktuan konferenca londineze dhe dy të Parisit, e mbi të gjitha koncepti ideologjik i metodës së socrealizmit, që Shqipërinë e ktheu në një Gullak politik, ndërsa kulturalisht, me doktrinën e shtetit ateist, e barazoi me Kmerët e kuq!

(Theksime nga fjala e lexuar në Takimin me shkrimtarin Besnik Mustafaj organizuar nga shoqata “Tropoja” në Tiranë)

Filed Under: LETERSI

Prof. Beqir Krasniqi – Bajraktari, in memoriam…

January 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Emin Kabashi

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Këshilltar shkencor/

Bashkëbisedimi ka filluar që herët, për të mos thënë që në djep. Herë duke dëgjuar se çka flitej, herë tjetër duke parë me sytë e fëmijës ngjarjet që ndodhnin në familje, dhe së fundi duke u marrë me studimin e historisë. Do të thotë, një përvojë jetësore dhe studimore, që i ka mundësuar autorit të trajtojë gjithë ato ngjarje me peshë në historinë tonë kombëtare, qoftë vetëm në kuadër të Bajrakut të Vranocit, qoftë edhe vetëm në jetën e familjes së tij. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit se në shkrimet e profesorit të historisë, Beqir Krasniqit-Bajraktarit, shumësia e temave që janë trajtuar, edhe si dëgjime të rrëfimeve gojore, herë tjetër si shkrime të veprave historike, janë trajtuar tema të periudhave të ndryshme kohore, si dhe tema të që kanë rëndësi të ndryshme për rrjedhën e historisë së popullit shqiptar.

Tërësia e jetës së një populli është histori

Kjo është njëra anë e veprimtarisë me të cilën është marrë, Beqir Krasniqi-Bajraktari, ngase në dorëshkrimet e tij ka lënë një dorë vështrimesh edhe për çështje të studimeve etnografike, gjë që shpalojnë një anë tjetër të vlerës së shkrimeve të tij në përgjithësi. Po ashtu, autori ka lënë edhe një varg shkrimesh, që mund të konsiderohen të natyrës së folklorit, ose thënë më saktë, të kujtesës popullore, e cila me mençurinë karakteristike, ka vënë në lojë aq shumë dukuri të jetës shoqërore, aq shumë mangësi të jetës së njeriut, si dhe aq shumë vese e vlera njerëzore, sa me zhdërvjelltësinë e tyre tregimtare i kanë përballuar kohës dhe kanë ardhur deri në brezin tonë, pra edhe të autorit, si vlerë e përgjithshme shoqërore. Arti i tyre i ka përballuar pluhurit të kohës, qoftë përmes aktit të rrëfimit në popull, qoftë përmes mënyrë së ruajtjes se kësaj vlere, që shpalon aq mirë disa nga anët karakteristike të jetë së njeriut tonë nëpër kohë dhe periudha të ndryshme të jetës në shoqërinë tonë.

Autori, profesor i historisë, në jetën e tij, ka edukuar breza të tërë nxënësish edhe të nivelit të shkollës fillore, edhe të nivelit të shkollës së mesme. Ai nuk ka lënë shumë të dhëna për këtë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së tij, ose edhe nëse ka pasur shënime të tilla i ka djegur dhe i ka shndërruar në hi pushtuesi serb, andaj ishte ngritur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër këtij pushtuese, që të çlirohej Kosova dhe të jetonte i lirë populli i saj. Ky pushtues, ashtu siç kishte rrënuar dhe shkatërruar muzeun e tij të vogël të shkollës në Baranin e Ulët, të cilin e kishte ngritur për vite të tëra, kishte shkatërruar edhe ato dëshmi shkrimore që kishte lënë autori, qoftë për veprimtarinë e tij edukative, qoftë për veprimtarinë e tij, në ato komisione të kuvendit komunal të Pejës.

Përditshmëria e jetës dhe shkrimi i historisë

Gjatë kohës sa ka qenë anëtar i këtyre komisioneve, ai ka ndihmuar shkollimin e të rinjve dhe të rejave të kësaj ane, qoftë duke ndikuar që të marrin bursë, qoftë duke ndikua që të regjistrohen në fakultetet dhe shkolla të larta, për të cilat kishte nevojë ajo anë e Kosovës, por qoftë edhe duke ndikuar për shkollimin e femrës shqiptare të kësaj ane. Sipas shënimeve që ka lënë profesori i historisë, Beqir Krasniqi-Bajraktari, por edhe sipas dëshmive që kanë dhënë bashkëpunëtorët e tij, kur flasin për ngritjen e atij muzeu të vogël të shkollës, thuhet se ajo vërtetë ishte një përpjekje e vogël e karakterit muzeor, por ishte e madhe si mundësi për mbledhjen e dëshmive të kohës, për të cilat njeriu ndonjëherë nuk kishte shumë informacion për vlerat e atyre gjetjeve.

Dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e profesorit, kur flasin për shkatërrimin e atij muzeu të shkollës së Baranit të Ulët nga forcat pushtuese serbe, sjellin në kujtesë vlerën e atyre gjetjeve, rëndësinë për shpjegimin e proceseve historike të jetës së popullit para nxënësve dhe kalimtarëve të rastit, si dhe për lashtësinë e pranisë së popullit shqiptar në këto anë të Kosovës. Qoftë, edhe vetëm përpjekja për të ngritur një muze, ku do të ekspozoheshin gjetjet e periudhave të ndryshme kohore, që me gjuhën e arkeologjisë kanë folur për lashtësinë e jetës në këto anë, është e mjaftueshme për ta përmendur, për ta kujtuar dhe për ta admiruar profesorin e historisë, Beqir Krasniqin-Bajraktarin.

Një jetë duke folur për historinë

Duke u marrë tërë jetën me edukimin e nxënësve, duke shpjeguar historinë dhe gjeografinë para tyre, ai kishte mundësi të shihte edhe konkretisht ndryshimin në mes asaj historia, që ia kishin treguar në odën e familjes, nga ajo histori që shkruhej në tekstet shkollore të historisë dhe që duhej shpjeguar nxënësve, sipas plan programeve shkollore të periudhave të ndryshme të zhvillimit të arsimit në Kosovës. Prandaj, profesori Beqir Krasniqi-Bajraktari, më qartë se të tjerët, jo vetëm e kishte hetuar dhe e kishte ndjerë në kurriz peshën e robërisë, por e kishte prekur me dorë dhe e kishte shfletuar nëpër libra deformimin e ngjarjeve historike, për të mos thënë shtrembërimin e së vërtetës historike të jetës së popullit shqiptar. Mund të thuhet, se kjo vetëdije është e pranishme në të gjitha shkrimet e tij për ngjarje të ndryshme historike, siç është shumë e pranishme edhe e dhëna se rrëfimi i ngjarjeve historike, të shumtën e herëve ishte më i saktë në kujtesën e popullit, se sa në studimet e historisë, sidomos të atyre ngjarjeve ku flitej për qëndresën dhe luftërat e popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm.

Përfundim

Kjo është vlera madhore e punës së tij, që është bërë përpjekje edhe të shpalohet nëpër kapitujt e kësaj monografie, gjë që shpresoj të jetë arritur një bashkëbisedim i mirëfilltë në mes realitetit historik që kishte karakterizuar një ngjarje të caktuar historike dhe peshës së shkrimeve që ka lënë autori i tyre, profesori i historisë, Beqir Krasniqi-Bajraktari. Nëse gjatë shkrimit të monografisë për punën krijuese të profesorit Beqir Krasniqi-Bajraktari, që përveç pak shkrimeve të botuara në revista dhe gazeta të kohës, pjesën më të madhe e ka lënë në dorëshkrim, është arritur të bashkëbisedohet natyrshëm, pa u shmangur nga thelbi i dorëshkrimeve të tij, atëherë autori i monografisë bën gjumë të qetë, ngase me ndërgjegje nuk ka shmangur asnjë vlerë të shkrimeve të tij për ngjarje të ndryshme historike.

Filed Under: LETERSI

NJË LIMONADË QË TRANSFORMOHET NË BITTER

January 20, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

(Romani “Stinë epindemie” i Fatos Kongoli, Toena, 2020)

Një roman që fillon dhe mbaron si një histori familjare, një format i kursyer në përmasa dhe numër faqesh, që e bën joshës dhe lehtësisht të asimilueshëm në faqet e para. Por mjaftojnë vetëm dhjetë faqe, derisa shfaqet Xhoda i Marrë, që të formësohet përshtypja e parë: Prof. Dr. Shaban Demiraj në leksionet e veta për kursin pasuniversitar të gjuhës shqipe hapte shumë paranteza, madje edhe paranteza brenda parantezave. Këtë gjë bën pak a shumë edhe Kongoli  me shprehje të tipit “afro tridhjetë vjet më parë”, “këto shënime, që po nis të hedh sot…”, “ndërlikimet e mia lidhen me atë që në qytezë u quajt lagjja e Ardhacakëve… Por më parë, diçka për marrëdhëniet e mia për këtë të fundit”, “me që ra fjala”, “me këtë rast” dhe kulmon me “dëshiroj të bëj një sqarim, në formë paranteze…” Për rrjedhojë, autori i fillon gjashtë herë kapitujt me inkuadrimin kohor: Mars 2020 për t’u rikthyer në bashkëkohësi. 

Romani ka një kornizë kohore të saktë dhe të vërtetë, fillon më 8 mars 2020 me një telefonatë që shtyn festën e ditëlindjes së 70-vjeçarit, së bashku me surprizën që premtohet vazhdimisht, por që nuk përmbushet asnjëherë brenda kohës romanore, – është shpallur kufizimi dhe ndalimi i lëvizjeve, rrjedhojë e shpërthimit të pandemisë. Te ai kufizim, sa i kushtëzuar nga paniku, aq edhe absurd, kanë ndodhur gjëra të çuditshme, njëra prej të cilave vjen te thyerja e rregullave dhe shpërthimi i Thesar Lumit: “Po mua që jetoj i vetëm, që s’ka kush më gjendet, mos do të vijë ndonjë ministër, apo ndonjë zonjë ministreshë, të m’i bëjë pazaret?”

Katër kapituj janë përkohësisht të  mjaftueshëm për të prezantuar personazhet e veprës, pastaj ka një kthim pas në kohë, saktësisht më 7 dhjetor të vitit që kishte një njësh dhe tri nënta i cili do t’ia linte vendin vitit me një dysh dhe tri zero, ndryshim që pritej të sillte ngjarje të jashtëzakonshme, përfshi edhe përmbysjen e botës, kohë kur fillon njohja e Thesar Lumit me pianisten Nertila.

Fillimi i shkrimit të kujtimeve, të cilat Thesari i quan testament, krijon një paralele që e përshkon veprën deri në fund me një alternim të rrëfimit në vetën e parë dhe të tretë, kurse dëgjimi i “Sonatës së hënës” kthehet në një refren pritjeje për të ringjitur kulaçin e thyer familjar.  Atëherë kur duket sikur jemi futur në mjedisin e një drame familjare, mbyllja e detyruar brenda mureve të banesës i jep një rol të ri dritares nga ku duket lagjja e Ardhacakëve, atje ku ndodhet kafe-bilardo “Tymi”, pronari i së cilës është Dhurimi. Fillon e zbehet linja e parë e subjektit për të ndriçuar një linjë të dytë, e cila, edhe pse autori që në fillim deklaron se çdo gjashmëri me persona, mjedise dhe ngjarje është e rastit, mua më kujton Astirin e kryeqytetit. Një thashethemnajë për prishjen e banesave për t’i hapur udhë superstradës, është indicja e një drame për shumë familjarë që kanë bërë investimin madhor të jetës së tyre, por protesta e tyre thyhet për shkak të indiferencës së shoqërisë. Autori bëhet ironik kur tregon se në ngjarjet e lagjes së Ardhacakëve për shumë muaj u përfshinë politika, zyrtarë të lartë, partiakë e shtetërorë, mediet e shkruara, mediet televizive, gazetarë, juristë, studiues e analistë. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare aty ishte shfaqur edhe Mister Timoni, që më kujton Kryeministrin me thirrjet e përsëritura “na jepni mundësi që ta kemi vetë timonin.” Pas zgjedhjeve del afera e autostradës, 2 km të së cilës do të ndërtoheshin për 40 milionë euro. Thesari konstaton se “askujt nuk i bëhej vonë për hallin e protestuesve” dhe pasohet nga sarkazma “banorët le të protestonin  sa të kishin qejf, ama duke qëndruar në trotuar, jo në rrugë.” Megjithkëtë, pasqyrimi i ngjarjeve, duke mos patur asnjë lidhje me familjen e Thesar Lumit, duket më shumë si një saldim që nuk ta kënaq vështrimin.

Një linjë e re subjekti hapet me ardhjen e Sonjës nga emigracioni për të takuar shkrimtarin Katos Fongoli, (që unë s’di pse e lexoj Fatos Kongoli), dhe për të shkuar në S. ku janë varret e prindërve të saj. Kanë kaluar dyzet vjet nga vdekja e tyre dhe ajo gjendet përpara një kontrasti të fortë: rruga ka mbetur siç ka qenë, por varreza është zhvendosur dhe varret e prindërve të saj kanë humbur nën themelet e fabrikës së qumështit ngritur mbi ta. Kjo ndërhyrje e dhunshme në atë që përbën traditë, do të marrë përmasa edhe më të mëdha duke sjellë brutalisht atë që quhet masakër urbane dhe që personazhet e shohin te rrafshimi i kafe “Kursal” dhe i bashkisë së dikurshme të kryeqytetit.

Sonja mbart me vete edhe dramën e vet të kaluar që ka lidhje me jetën në Bllok, me internimin dhe vdekjen aksidentale të burrit. Në vend të shkrimtarit ajo takon njeriun real që pati shërbyer si model për heroin e veprës së vet dhe që në rininë e hershme kanë patur një raport intim. Këtu fillon intriga që është e domosdoshme për një vepër letrare, e cila zbulon njëkohësisht aftësinë e shkrimtarit për të gërshetuar jetën familjare me problemet e shoqërisë. Pas një qëndrimi dy-tre ditor, Sonja largohet sërish në Hollandë me deklarimin e hidhur: “Erdha këtu me iluzionin se do të gjeja ndonjë gjurmë fëmijërie… Mirëpo këtu nuk ka mbetur asgjë, gjithçka është prishur. Këto dy ditë jam ndier e huaj në vendin tim.”

Ndoshta autori do ketë ndonjë përvojë jo të këndshme me policinë sepse aksioni i saj për të nxjerrë banorët ardhacakë nga shtëpitë e tyre, fillimi i tij në orët e hershme të mëngjesit, konceptimi luftarak, dhuna, përçarja e demonstruesve kalojnë përmes një filtri sarkastik, e ironizon policinë si krah i armatosur i shtetit me ca ndërkallje të përsëritura në kllapa: (Vallë, ta dinte policia këtë fakt?), (Këtë fakt, policia, me siguri duhej ta dinte, përderisa…) duke u lartuar deri në grotesk: “mendoja se ai dreq Gazi…ishte një terrorist i rrezikshëm”, do plotësohet më vonë “i shquar për oratorinë e tij lënduese ndaj autoriteteve” dhe Thesari që shikon policët nga dritarja dhe mërmërit: “Bravo, djema, bravo!” Përplasjet e dhunshme të policisë me banorët shkaktojnë trandje shpirtërore edhe te punonjësit e rendit, prandaj do të doja të gjeja edhe këtu një polic si Arben Guja i tregimit surealist “Kapelja” të Mehmet Elezit, botuar te gazeta “ExLibris” e datës 17 qershor 2023. Për ta zbutur këtë qasje të pakëndshme, bitter, Kongoli sjell policin Ylli që logjika e çon drejt kompromisit dhe e kalon me shprehjen ngushëlluese “nuk ka pyll pa derra.”

Linja e katërt është ajo e oligarkisë së përfolur që vjen nëpërmjet figurës së Arsen Mjaltit, atij djalit që kishte qenë “ndër nxënësit më të prapë të qytezës”, që u rrit si pronar i hotelit “Kondor” dhe përfundoi si deputet, pasi e kërkojnë “të përfshihet në politikë sepse janë pjekur kushtet… Ç’më ka hipur të futem në politikë? E thjeshtë, miku im, politika është biznesi më fitimprurës.” Mirënjohja që ruan Thesar Lumi ndaj tij është një pelerinë mbrojtëse për të mos i parë oligarkët si armiq, por si pjesë e këtij realiteti problematik.

Mesazhi më i rëndësishëm që përcjell autori është ftesa e opinionit publik për t’u shkundur nga indiferenca dhe për t’u ngritur kundër autoritarizmit të identifikuar me dhunën policore, kundër padrejtësive dhe korrupsionit shtetëror. Artistikisht kjo është realizuar me figurën e Thesar Lumit që fillon si spektator i ngjarjeve te lagjja e Ardhacakëve, vazhdon me pjesëmarrjen aktive në protestë për shkak “të heshtjes bërtitëse të Prokurorisë, indiferencës së publikut të gjerë” dhe, duke thirrur “Lironi djemtë tanë!” kulmon me arrestimin dhe futjen në birucë duke i thënë vetes: “Derdimen, je person me rrezikshmëri të lartë.” Ai kthehet në burizan të opinionit të shëndoshë publik kur shpërthen: “Lapangjozë! Keni 30 vjet që vini dhe ikni nga pushteti, e njerëzit po kështu, herë me ujë, herë pa ujë, herë me drita, herë pa drita… Mirë na e bëni, qindin të na punoni, përderisa ky milet di të lehë vetëm si puna ime… mjafton të recitoni me raste fushatash, dhe jo vetëm, të njëjtat premtime mashtruese, që nuk i mbajtët kurrë!” Në paraburgim ndodh më e pabesueshmja: hetues është i biri ish-hetuesit pervers sybardhë A.P. që deklaron “Jemi dhe do të jemi gjallë, kurdoherë!” Pra, vazhdojnë të drejtojnë pasardhësit e Bllokut.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT