• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfimet…

September 11, 2025 by s p

Agim Baçi/

“Dy janë këshilltarët e Njeriut- Libri që flet dhe Vdekja që hesht”, thuhet në një nga shprehjet e shenjta. Të dy këto këshilltarë nuk mund të rrinin më fort pranë njëri-tjetrit se sa te përshkrimi i vitit të mbrapshtë, 1997, kur askush nuk ishte armiku deri sa në mënyrë të beftë ngjaje ti vetë me të…Odise Kote, Enkel Demi dhe Ahmet Prençi rrëfejnë të tre në një fill, për t’iu përgjigjur pyetjes- Çfarë na ruan dhe mban në një çmenduri ku befas bëhesh armik, i panjohur, kundërshtar me atë që ke fqinj, bashkëfshatar, apo edhe koleg?

Edhe pse të tre të ndryshëm në stilin e rrëfimit, në qasjen e asaj që e humbëm në marrëzi, të tre autorët hapin një dritare të fortë – edhe pse një dritare e zezë-, por që gjithsesi duhet ta shohim pa e fshehur se ishim ne në atë hapësirë, pjesa jonë më e madhe e shoqërisë, e politikës, e institucioneve, e qytetarëve, pa e fshehur që ishim ne autorë dhe konsumatorë të çmendurisë sonë.

Rrëfimi të “Agonia” e Odise Kotes nis me gjurmimin e një legjende, pa besuar se mbijetesa është një legjendë e përhershme në çdo kaos. Ashtu siç nevoja për zbulimin e një ushtari amerikan të humbur pranë Gramshit në Luftën e Dytë Botërore, me të cilën nis rrëfimi i romanit “I rënë nga qielli” i Tom Kukës sjell fuqinë e vdekjes edhe atëherë kur ajo duket më e thjeshta, më e afërta, si në ditët e çmendura të Marsit 1997, ku fshati apo qyteti përbri ishte më larg se çdo vend i botës.. Për të ardhur në rrëfimet e drejtëpërdrejta të Ahmet Premçit “në emër të gjakut”, rrëfime si në një sallë kirurgjie, madje pa asnjë “narkozë mes fjalësh”, por thjesht ashtu në asht, drejt e në thelbin e çmendurisë sonë.

“Robi e zotëron kafshën, por kurrë nuk mëson prej saj”, shkruan Tom Kuka që në fillim të rrëfimit, një rrëfim që ka një refren të vetëm “Vend i çuditshëm Shqipëria”, duke vënë gishtin në marrëzinë që krijojmë me duart tona, duke shembur gjithçka, a thua se është e “të huajit”, e atij që do të na vërë duart në fyt. Krijimi i rrëfimeve paralele, mes kaosit në rrugë dhe këmbënguljes për të gjetur të vdekurin e një kohe të shkuar, ngjan si një paradoks përballë vdekjes që ka pushtuar rrugët e rrugicat. E nëse një nga personazhet e romanit të Kukës është i pushtuar nga një ëndërr që vijon ta ketë frikë që nga koha e luftës, ku e shkuara vijon të jetë po aq e fortë sa e tashmja, për Poshin e Humbëtirës gjithçka është “veç një plumb më shumë” gjersa ata, më të pamenduarit, ja plotësojnë fjalëkryqin e ditëve me fjalën “vdekje”. Dhe paradoksi i vetëm mbetet vetëm një- kur harron fuqinë e vdekjes, është gati e pamundur të shijosh ngjyrat e jetës. Dhe trekëndëshi Zeka- Hetemi-Poshi janë trekëndëshi ku plotësohet ky fjalëkryq pikëpyetjesh mbi atë që nuk e humbim dot edhe kur na janë zënë sytë nga e tashmja e çmendur.

Ndërkohë që te “Agonia”, ajo që nis me Shkëmbin e Nuses dhe legjendën e ngrirjes së krushqve, përballet më pas me ngrirjen e logjikës dhe vërshimin e kaosit, ku fëmijë e të rritur kanë veçse një zbavitje- të gjuajnë me plumba pa llogaritur se jetën e kujt mbyllin ashtu, në kotësi. Në rrëfimin “Agonia”, Kote është futur nën lëkurën e ish gazetarit, personazhit Bojken Kostani, dhe rrëfen jo vetëm marrojsen shoqërore, por edhe kotësinë e institucioneve, të cilat bien si të jenë piramida prej letre që mund t’i marrë era më e lehtë që fryn. E megjithatë, në mes të çmendurisë, ajo që mbijeton është dashuria, ku gjermania Keti Braumfisher vjen në Shqipërinë e kaosit për Bojkenin, duke lënë një gisht e një unazë, si një peng i legjendës për të cilën nisën uhdëtimin e parë.

Ndërsa në tregimet dhe novelat e Ahmet Prençit, në përmbledhjen “Në emër të gjakut”, kemi të bëjmë më paralajmërmimin e vetë autorit, se do ndeshemi “me një ulërimë të shuar në letër”. Nuk e ka shkruar menjëherë pasi ka kaluar “marrëzia 1997”, por duket se nuk mund ta mbante përgjithmonë brenda vetes atë përballje të tijën me “me atë që vjen nga gjaku”. E mes gjithë zallamahisë, në “Pallatin presidencial që nuk ra”, është një pyetje e një 18-vjeçari, më i riu ndër ata që po qëndron, i cili i drejtohet komandantit, Vulllnetit- “Komandant… nëse vdesim… a do e marrë vesh njeri?”. Një pyetje që i thotë thuajse të gjitha, jo thjesht nga e pakuptueshmja që po ndodh, por nga fuqia për të ditur kuptimin e vdekjes, për të ditur “pse-të e marrëzisë”. Madje, edhe më drejtëpërdrejtë janë sytë e Lorit, qenit besnik që kish mbrojtur një fëmijë nga ujku, që pyesin në tregimin me të njëjtin titull “Pse më vrave?”…

…Ne ja ngulëm për disa kohë sytë humnerës, pa i besuar asaj që porosit Niçe, që nëse ndodh për një kohë të gjatë, edhe humnera na i ngul sytë ne. Të tre autorët kanë mundur të sjellin në mënyra të ndryshme një të përbashkët- sado e lehtë të duket vdekja, ajo ka peshën e fortë të të pakrahasueshmes, dhe flet përmes të tjerëve, duke qenë një peshë e papërballueshme. Dhe letërsia do jetë ajo që do e risjellë fuqinë e marrëzisë për të kuptuar.. Jetën.

Filed Under: LETERSI

MURI I VISARIT NË SALERNO

September 8, 2025 by s p

Nga Eda Zhiti/

Është një mur tashmë që ka emrin e Visar Zhitit në një qytet në Itali, në Salerno. Pse, si ndodhi, ku pikërisht? Mos ndokush që kaloi andej, nxori ngjyrat që mund të ketë patur me vete, spërkati murin, la mjë grafitt dhe iku?

Po e rrëfej se si është.

Në fillim dy fjalë për Salernon e bukur, gjëndet në jug të Italisë, në bregun perëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në Kampania, rreth 50 km larg Napolit. Edhe Salerno njihet për peizazhet e tij mesdhetare, të mrekullueshme, për kulturën dhe historinë që në kohët e perandorisë romake. Aty është themeluar Shkolla Salernitana, më e vjetra në Europë. Qyteti sheh me fytyrën nga deti Tirren, i kaltër dhe i thellë, që duket sikur sjell me dallgët dhe erërat rrëfime të lashta, këngë të marinarëve mesdhetarë dhe frymë dashurie që ngjiten në rrugicat e ngushta e në muret e vjetra.

Këtu do të ndalim. Sa shumë poezi ka nëpër ato mure, vargje dhe ngjyra gjithkund.

Është një projekt magjepsës i qytetit, – do të thosha, – i mbështetur nga Fondacioni “Alfonso Gatti”, i poetit të tyre, ndër më të rëndësishmit në poezinë italiane të shekullit XX, zë kryesor i hermetizmitI dhe projekti quhet “Muri d’Autore” 2025, Mure autorësh 2025, një bashkëjetesë mes artit urban dhe poezisë.

Muret e qytetit janë shndërruar në faqe librash të hapura. Poezia është bërë pjesë e jetës së përditshme. Ti ecën rrugëve dhe rrugicave të Salernos dhe lexon poezi mureve, duke u krijuar kështu një dialog mes fjalës dhe figurës, kujtesës dhe së tashmes. Mure që flasin. Na kujton ato graffitet spontane, me bojëra të shpejta dhe të trazuara, shenja anonime si e folura me ngut, fryma e rrugës, një klithmë rinore si nga instinkti, nga protesta, nga dashuria e fshehur që do të shpërthejë mbi gurë, një energji e lirë, e pasistemuar, që shpesh përpiqet të lërë gjurmë në një botë ku gjithçka fshihet shpejt.

Po diçka duhet ruajtur. Dhe doli nisma “Muri d’Autore 2025”. Një komitet i përbërë nga poetë, artistë dhe anëtarë të Fondacionit, duke u bazuar në rëndësinë e veprave dhe lidhjeve të mundshme me qytetin e Salernos bën përzgjedhjen. Poetë si Ungaretti e Montale dhe patjetër shoku i tyre Alfonso Gatto, por dhe Alda Merini, Italo Calvino, Nazım Hikmet, Pier Paolo Pasolini, Pablo Neruda, Pino Daniele, Francesco De Gregori dhe Rocco Hunt, etj, janë aty për të pasqyruar tematika universale si dashuria, natyra, identiteti dhe kujtimet, duke i dhënë një dimension të ri hapësirave urbane. Kështu, qyteti shndërrohet në një ekspozitë të hapur. Çdo kalimtar bëhet lexues. Çdo mur një poezi. Lagjja – antologji…

Është piktori me emër arti Pinogreen, që e sheh kudo me furça dhe penele e kovat me bojëra, ndanë muresh, skelave, shkallëve, më gjunjë, i shtrirë, që punon pa u ndalur, i njohur tashmë për stilin e tij unik dhe teknikën e pikturës me letra dhe ngjyra të forta, të ndritshme për të krijuar kompozita që bashkojnë tekstin poetik me elemente vizuale të natyrës dhe jetës së përditshme. Një shembull i veçantë është murali “Occhiveri”, i realizuar me përdorimin e qelqit të ricikluar, që pasqyron angazhimin për mjedisin dhe bukurinë e thjeshtë të jetës.

Ai vizaton vargjet duke krijuar një lidhje të ngushtë mes fjalës dhe vizualitetit. që kanë pasuruar jetën artistike të qytetit. Poezia në Salerno ka dalë nga faqet e librave dhe është shndërruar në një pjesë të gjallë të peizazhit urban. E mbetur përherë mureve…Në qendrën historike të Salernos në “Rione Fornelle” është Muri i Visar Zhitit. Aty kanë qenë shkruar vargjet e tij

Ty prapë të erdhi koha të mendosh, o zemër!

Në italisht:

E daccapo

e’ giunta l’epoca di pensare

o cuore!

Gjendet në librat me poezi të Visarit, të botuara në Itali, dy gjuhësh, shqip dhe italisht, të përkthyera mjeshtërisht nga Prof. Elio Miracco, “Confessione senza altari”/ “Rrëfim pa altare”, “Diana Edizioni” 2012 dhe në “Strade che scorrono dalle mie mani”/ Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, botuar vitin që shkoi, në 2024 nga “puntoacapo” dhe libri mori çmimin e njohur për poezi “Camaiore”.

Nga një perspektivë letrare, ky varg i Zhitit pasqyron një gjuhë të thjeshtë por të fuqishme, ku emocionet e mëdha përshkohen me një intensitet të përmbledhur. Aty bashkohen elegancën poetike me një angazhim qytetar dhe artistic, sipas kritikëve, një manifestim i së bukurës që del jashtë librit dhe bëhet pjesë e përditshmërisë urbane. Poezia në mur herën e parë kishte formën e një dallge, me shkronjat e dorës me zbukurime lulesh, gjethe e arabeska. Kur ngjisje shkallët e asaj shtëpie në Salerno, vargjet e Visari përballë kangjelave të hekurta të dukej sikur donin të çonin dhe më lart.

Tani është shkruar me të kuqe si gjaku dhe poezia ka formën e zemrës. Stilistikisht përdorimi i harqeve dhe vijave të rrjedhshme të shkronjave krijojn një ndjesi pulsimi dhe pasioni, duke i dhënë vargut një energji vizuale që harmonizohet me temën e zemrës dhe të mendimit me zemër.

Në sfond, dritat dhe hijet e shkallëve dhe bimët e vendosura shtojnë një ndjesi intime dhe mikpritëse, aq karakteristike në lagjet e brendshme italiane. Zemra e vizatuar me vargun e Visar Zhitit, rreh në të njëjtën kohë me rrahjen e detit mbi breg. Është si të thuash: poezia dhe deti janë dy gjuhë të ndryshme të së njëjtës ndjesi, njëra shkruhet me fjalë e ngjyra, tjetra me ujë dhe shkumë.

Valët sjellin e marrin njerëz, kujtime, mall dhe plagë. Në këtë kuptim, poezia e Visar Zhitit merr një rezonancë të veçantë mbi murin e qytetit mesdhetar: ajo bëhet një zë i mërgimit, por edhe i kthimit përmes artit. Zemra e vizatuar me vargun brenda dhe me emrin Visar Zhiti në anë si kapilar:e të kuq, është shenjë dhe lidhje dashurie, që rreh njëkohësisht në dy vende, në atdhe dhe ku mund të ndodhet nëpër botë. Për kalimtarin e zakonshëm zemra është një kujtesë e thellë e copëtimit dhe e bashkimit të brendshëm, një “homeland” që bartet brenda vetes.

Poezia muret i bën të ndjejnë, ndërsa muret e zemrave t’i mbushë me mendim. Po edhe mendimi ka gjak… Mure e Salernos duket kështu sikur kanë zemër dhe e kthejnë poezinë në një regëtimë që nuk njeh kohë.

Filed Under: LETERSI

IDENTITETI KRIJUES I PASHKO VASËS

September 4, 2025 by s p

Prof.Dr.Fatbardha (Fishta) Hoxha/

Në 200-vjetorin e lindjes se Pashko Vases (1825-1892)

Personaliteti dhe vepra e Pashko Vasës i takon fillimeve dhe kulmeve të kohës historike të Rilindjes dhe të kohës së romantizmit. Dihet se jeta fizike e tij u shtri në mes të viteve 1825–1892 dhe jeta krijuese në mes të viteve 1850–1890, pra 40 vite kontribute të shumanshme që i japin atij jo vetëm atributet e njërit nga më të shquarit projektues dhe prijës i Rilindjes Kombëtare, por edhe dimensionin e bashkëthemeluesit të romantizmit shqiptar. Qasja ndaj kontributeve të tij është përpjekje për të ridimensionuar veprën e tij të shkruar e të botuar.
Përdorëm termin identitet krijues, duke ditur se ky term është përdorur nga Aristoteli në antikitet lidhur me sasinë, cilësinë dhe specifikën, është shqyrtuar më pas në kohët e reja, në Anglinë e shek. 17 dhe në Francë në shekullin e kaluar, lidhur më shumë me identitetin nacional që tashmë konceptohet si një proces fluid apo liquid, që nuk mund të fotografohet, përveç te filmohët. Në rastin tonë ne nuk përjashtojmë kuptimin e identitetit kombëtar, por e shohim si pasuri në të gjithë dinamikën e tij edhe në regjistrin gjuhësor letrar e artistik duke ruajtur në qendër të arsyetimit dhe të argumentit këtë kuptim të identitetit: “të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë me vetveten.”

Pashko Vasa me kontributet e tij të rralla jo vetëm që e mundëson, por edhe e përlligj një vështrim të tillë edhe pse për të është shkruar dhe folur. Ai nuk është as përjashtuar, as anatemuari siç ka ndodhur me të tjerë personalitete, është publikuar pavarësisht se vonë dhe përgjithësisht, është vlerësuar drejt dhe jomirëkuptuar dhe keq i interpretuar në disa anë. Pra kjo do të thotë se nuk është zbuluar tërësisht. Edhe pse ka kaluar afërsisht një shekull e gjysmë dhe koha duhej të kapërcente shumë arritje të tyre, si vizionarë dhe talente të pazakonët që ishin ato kanë ende çfarë t’u thonë kohëve të sotme të globalizmit dhe të diversitetit kulturor për çfarë edhe kontribuan.

Por çfarë e bën Pashko Vasën të veçantë dhe të njëjtë me vetveten. Në fillim rrugëtimi i tij si njeri dhe artist i fjalës dhe si erudit, në Shkodrën e tetëqindës ku, siç thuhet, larg çdo prove, se mund të ketë ndjekur ndonjë shkollë të huaj, por më shumë ka vepruar si autodidakt. Ajo që e bën më siguri është kontakti me Evropën teksa u punësua në moshë të re në nënkonsullatën angleze në Shkodër. Por vendimtar në fatin e tij ka qenë takimi me luftëtarë refugjatë italianë që aso kohe strehoheshin në Shkodër. I pajisur me dhunti jo të zakonta prej natyre ai kërkon t’i japë kuptim jetës së vet, pikërisht në atë moshë, kur njeriu joshet nga veprimet e guximshme dhe nuk pyet për pasojat. Vitet 1847–1848 e gjejnë në llogoret e luftës për liri dhe bashkim kombëtar në Gadishullin Apenin.

Përveç përvojave për t’u admiruar lufta e vë përballë sfidave dhe intrigave që e bëjnë të provojë edhe burgun politik. Paradoksalisht ai largohet dhunshëm nga trojet italiane, i duhet të çajë në jetë jo pa vështirësi duke përpunuar një taktikë shumë më të rafinuar, duke pranuar marrëveshjen, kompromisin në një metropol siç është Stambolli i atij shekulli, mundësinë për të menduar e vënë në jetë një strategji sa mendjehapur e efikase në dobi të kombit të vet. Kjo vetëdije e kristaltë interesash atdhetare e vë atë jo rastësisht në shkrimin e memorandumeve, në themelimin në 1878 të “Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” në ngritjen e “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” dhe si bashkautor i Alfabetes së Stambollit më 1879.

Ai bëhet një nga ideatorët dhe udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit në vitet 1878–1881. Ndërkohë nga një mërgimtar i zakoshëm ai ngjit shkallët e karrierës administrative në qeverinë osmane, në Ministrinë e Jashtme, në Konsullatën Turke në Angli, me mision në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë dhe në fund të jetës guvernator i Libanit, të cilat janë rezultat jo vetëm i aftësive, por edhe i kompromiseve që i dhanë shansin të kontaktonte me botën nga Lindja në Perëndim, të përvetësonte si rrallëkush gjuhë, kultura, qytetërime, çfarë i dhanë identitetit të tij karakter kompleks dhe të integruar. Por edhe pse në lëvizje të përhershme zyrtare, ai asnjëherë nuk shmangu, por i dha shprehje identitetit të origjinës të cilit i blatoi aq shumë energji, çfarë e provojnë veprat e tij. Me veprat e botuara në disa metropole, çfarë nuk kishte ndodhur më ndonjë krijues tjetër shqipetar, ai mori atributin e shkrimtarit shumëgjuhësh që e bën atë të veçantë në rolin dhënës në hapësirën evropiane.

Sa më i ditur, sa më i kulturuar të jetë individi, pavarësisht nga gjuha nga vjen ajo kulturë, dituri, tek ai zgjohet edhe më shumë vetëdija e identitetit të origjinës që përthyhet në akte kulturore, diturore siç ndodhi dhe me veprën krijuese të Pashko Vasës. Rregulli universal i pritshmërive dhe prurjeve që sjell një kulturë solide, e gjerë dhe e thellë e bashkuar me talentin edhe pse e fituar në gjuhë dhe në dhé të huaj do ta bënte Pashko Vasën, që veç bir i Shqipërisë, të ishte pjesë e elitave kozmopolite të metropolit të Perandorisë, shtetar dhe funksionar Osman, qytetar i atdheut të vet dhe i botës.
Edhe pse ky është një fenomen jo i panjohur më parë që nga humanistët shqiptarë, arbëreshët, kjo marrëdhënie midis identiteteve të ndryshme tek Pashko Vasa, spikat në personalitetin, shtron çështjen e një leximi të ri. Formati i tij i shquar si romantik nga të parët në letërsinë shqiptare formësoi një produkt letrar të botuar e të qarkulluar në tre monopole kozmopolite, si Stambolli, Londra dhe Parisi. Ai boton veprat e tij në këtë trekëndësh në italisht, në shqip dhe në frëngjisht. Ai është ndër të vetmit romantikë shqiptarë që vepra e tij e botuar ka një horizont pritjeje evropiane. Këtë e arrinte një personalitet me një identitet të integruar dhe me vizion global, që do t’i jepte dritë identitetit të origjinës, lirisë së individit dhe të atdheut, afirmimit të së drejtës natyrore të tyre.

Pikërisht këtu qëndron risia e veprës së tij. Vepra “Burgimi im” botuar në italisht shënon më së miri stilin elegant, me çiltërsinë e rrëfimit dhe të afirmimit të shpirtit libertin epirotas që ai qartësisht e pohon në vepër edhe pse ngjarjet që përshkruan janë sa të çmuara aq edhe të dhimbshme.

Identiteti i tij krijues si romantik spikati veçanërisht në rreth 40 poezi që shënojnë të parin vëllim poetik me lirika të romantizmit shqiptar, ndonëse të shkruara në italisht nën titullin “Roze dhe spine” dhe të botuara më 1873 në Stamboll. Janë lirikat më të mirëfillta romantike ku merr jetë siç ndodh jo rrallë në praktikën e frymëzimit romantik autoportreti i subjektit lirik me shumë elemente personale lehtësisht të identifikueshme, që poeti nuk kujdeset fare të mos i zbulojë. Ato janë shfrime ndjesish të thella të cilat i shkaktojnë gjendje tragjike shpirtërore që autori provoi në jetë. Nga tërësia e tyre poetike ai ka zbuluar brishtësinë e ndjesive dhe të jetës humane që i japin në një shkrirje ambivalente gëzimin dhe hidhërimin, dashurinë dhe humbjen e saj, jetën dhe vdekjen. Dhe ka mjaftuar, një dhe vetëm një poezi në shqip që ta lartësojë Pashko Vasën në majat e poezisë shqipe.
E krijuar në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, poezia “Mori Shqypni e mjera Shqypni” vjen në një kohë me poezitë “N’armē Shqypni” të Filip Shirokës “Shqipëri, moj dashuri”, “Shqipëri moj e përndarë” te Thimi Mitkos, “Shqipëria” të Naim Frashërit dhe të tjera, por asnjë prej tyre si kjo poezi e Pashko Vasës nuk pati pritjen dhe jehonën e saj. Me 72 vargjet e saj ajo u bë manifest poetik i Lidhjes së Prizrenit dhe një nga krijimet më të fuqishme e më të njohura të romantizmit shqiptar.

E klasifikuar herë si ode herë si poezi programatike, aty janë derdhur mrekullisht bukur e befasishëm dashuria dhe dhimbja, krenaria dhe nostalgjia, kritika dhe shpresa, e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja. Vargjet e saj kryesisht pesërrokëshe të dyzuar i japin asaj harmoni e ritëm marcial. Mendimi dhe emocionaliteti poetik i përftuar nga lëvizja e idesë përmes kontrasteve të forta që formon struktura solide në poezi, të panjohura më herët në poezinë shqipe i dhanë asaj atë pritje e miratim të gjerë kombëtar.
Është e drejtë të theksohet se identiteti krijues i Pashko Vasës plazmoi edhe në këtë poezi ndryshe, nga ç’është thënë apo keqkuptuar, ajo tejshkohet nga fryma e harmonisë dhe e tolerancës. Interpretimin e shrembëruar në raportet e besimit me kombin e sfidon figura e at Leonardit tek romani i vetëm i autorit “Bardha e Temalit” (skena të jetës shqiptare), që është mbështjellë me dashuri njerëzore e cila përfton paqe, mirëkuptim, dialog të ndërsjellë dhe rol veprues në lëvizjen patriotike.

Identiteti krijues i Pashko Vasës është përvijuar edhe në romanin në fjalë. Ai solli i pari në letërsinë shqiptare gjininë e vështirë dhe komplekse, eposin e kohëve moderne siç e cilësonte Ralf Foks, këtë kulturisje jo të lehtë pikërisht në atë fund shekulli (1890) që evropianët e konsideronin si shekulli i romanit. Bardha që është pikënisje e frymëzimit të tij me tragjizmin dhe siluetën e saj, të kujton simotrat e saj evropiane, zonjën Bavari të Flloberit, Anën e Tolstoit, Norën e Ibsenit.

Ajo do të hynte në arealin letrar të Parisit, ku dhe u botua vepra, i njohur jo vetëm si kryeqytet i politikës dhe i artit, por edhe i lëvizjes feministe. Ende nuk dimë për pritjen që pati romani që Pashko Vasa e botoi në fund të jetës dhe që me të drejtë konsiderohet si kryevepra e tij dhe një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare. Janë me shumë interes vëzhgimet e teknikave të romanit krahasuar me romanet e Dumasë, Skotit, Manzonit, Hygojt e të tjerë në të gjithë parametrat me linjat, gjerësinë e afreskut social psikologjik, personazhet, çfarë do të sillte një vlerësim më të plotë të kontributeve në zhvillimet e romantizmit shqiptar ku Pashko Vasa shfaqet si bashkëthemelues i tij krahas De Radës dhe Naimit.

BIBLIOGRAFI:

1. Jup Kastrati, Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare, Shkodër, 1963, f. 71–121.
2. ILP i Shkodrës, Pashko Vasa – Luigj Gurakuqi, Shkodër, 1877, f. 64–112.
3. Vehbi Bala, Pashko Vasa (portret – monografi), Tiranë, 1979.
4. Grup autorësh, Letërsi shqipe, vëll. II, botim IGJL, Tiranë, 1959.
5. Grup autorësh, Historia e letërsisë shqiptare nga fillimet deri në 1939, botimi ASH të RSH, Tiranë, 1983.
6. Pashko Vasa, Vepra letrare,1,2, Tiranë, 1987.
7. Zije Xholi, Mendimtarë të Rilindjes Kombëtare, Tiranë, 1987.
8. Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë–Pejë, 1997, f. 193–199.
9. Jorgo Bulo, Magjia dhe magjistarët e fjalës, Tiranë, 1998, f. 125–135.
10. Grup autorësh, Letërsi shqiptare, 2, Tiranë, 2000, f. 108–126.
11. Sabri Hamiti, Letërsia filobiblike dhe romantike, 7, Prishtinë, 2002, f. 244–305.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Prof.Dr.Fatbardha (Fishta) Hoxha

NJË MIKSIM I POEZISË DHE PROZËS SË MARTIN CAMAJT

September 1, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

Në alfabetin fenikas shkronja A lexohet alef dhe do të thotë buall. Edhe forma e kokës së buallit, e stilizuar, i ngjan shkronjës A. Kjo shkronjë lidhet edhe me njeriun e parë të Zotit sepse Adamit i fillon emri po me këtë shkronjë.

E kisha ndeshur mbiemrin Mekshi në Pishkash të Librazhdit, por duhej të lexoja Camajn që të zbuloja se mekshi qenka bebja i buallicës. Sakaq kthehem në vendlindje, sepse im gjysh mbarështonte buaj dhe buallica dhe çdo vit bënte kurban një buall njëvjeçar në vendin e shenjtë të Inonishtit. Nuk e di në se kjo kishte lidhje thjesht me bektashinjtë, apo shkonte edhe më thellë në kohë me vetofrimin e buallit si ushqim për njerëzit. Nga Devolli hidhem në Shkodër ku poeti kërkon origjinën e malësorëve të Veriut te bualli që gdhend gurin, bashkë me poetin i bien me not lumit të kohës që rezonon me lumenjtë e antikitetit. Fillon e formësohet një legjendë që niset nga thesari mitologjik i vlerësuar si kafsha më e shenjtë në tokë. Këtu fillon e flatron poezia. Poeti ka bërë këtë zgjedhje, jo vetëm se e gjen atë edhe si emër mali në rrafshin lokal, por edhe te simbolika e buallit si manifestim i dëshirave tona, si element i tokës si planet, simbol i trimërisë mirësisë, forcës dhe respektit. Kau dhe bualli ishin një fis pastaj u ndanë: kau mori kodrat, bualli ujërat.

  Mekshi mundet me qenë djalë fis/gurgdhendës ose/ shoku i atij që i bie lumit m’not/për dritë të hanës/ e s’i shtrydhet kamba gjak/ tue ecë shtatë male zdathë/dhe mbasi të pushojë shiu/ylberi me dorë të vet i ven/shtatë ngjyra mbi krye. (f.62)

Pastaj vjen çasti i shpalosjes së forcës që shkon plotësisht me elementët legjendarë dhe që në kushte natyrore është sa për dy qe së bashku:

Si e lidhën me krye për lis/ buelli priti e priti/ kur ku po i bie tuni spatës në ballë./ Dy burra i shtinë dy shtylla/ ndër kambë/ dhe i treti i lidhi herdhet për drugë./Vetima e marsit i plasi ndër sy,/ këputi leqe, rrxoi lisin,/theu shtylla, vrau njerëz e iku. (f.65)

Fundi i legjendës:

Plasi vetima në Malin e Thatë…/Buellin tim e mori bri më bri/kokrra e zjarmit nën mriz./Erdhi era tym lëkure të djegun/ e shkrum ashti ndër gur/ dhe askush s’e hangri mishin/ e vramë rrufeje në Qytetin e Ri/ e askund. (f.79)

 Tregimi “VENDI QË I PËRNGJANTE NJË ZGJONI BLETËSH” dhe novela “JESMINË”, Vepra 10, Onufri 2010

E vërteta mund të jetë jo vetëm e hidhur, por edhe e papranueshme. Ca më tepër kur vjen nga jashtë. Mund të shoqërohet edhe me reagim agresiv. Mund të jetë një përvojë vetjake e autorit. “Pesëdheta veta që ushtrojshin tregtinë, hoxha, prifti, njizet a tridhjet nëpunës të vendosun në kazermën e vjetër të ushtrisë, malsorët që zbritshin tue ngrehë lopë, dele, dhi e mushq të ngarkuem te një grumbull banesash që e qujshin pazar, a përbëjnë një qytet?

Mësuesi i ri që po hante bukë në kafe, i pyetur në praninë e “njerzve mâ të dalluem t’atij vendi”, për herë të parë tha se nuk meritonte të quhej qytet. Reagimi i vendasve – izolim i plotë. Herën e dytë, si njeri me personalitet përsëriti se nuk mund të quhet qytet kurrën e kurrës sepse kishte “mâ shumë gjela se sahata.” (f.24)

Përballë banesës ku është strehuar mësuesi ndodhet një shtëpi dykatëshe, me ballkon, rrethuar me lule dhe një oborr plot me zgjoje bletësh. Soditja e mësuesit tërheq vëmendjen e bletërritësit, por është Jesmina 12-vjeçare ajo që bën prezantimin e mësuesit. Në çdo rast tjetër kaq do të mjaftonte që prindi ta ftonte mësuesin në shtëpi, por kjo s’ndodhi. Dhe nuk është vetëm reaksioni i banorëve ndaj deklaratës së mësuesit, por edhe fakti që përtej perdeve të ballkonit fshihet një grua e bukur që bletërritësi e ka robëruar me xhelozi, mësuesi nuk e ka parë atë, por kjo nuk i ndalon banorët të thonë se mësuesi nuk sodit bletët, po gruan e bletarit. 

Goditja e madhe për mësuesin vjen nga gruaja ku ishte strehuar: “Të gjithëve na ka gëzue lajmi se ti ke shti lutje me u transferue.” (f.33) Mësuesi jo vetëm që nuk kishte kërkuar transferim, por kishte punuar me korrektesë për shkak të reagimit negativ të vendasve. Të tjerë kishin kërkuar largimin e tij duke e vënë para faktit. Nuk arrin as të sigurojë vajtjen e Jesminës në darkën e fundit para largimit.

Këto janë plintat mbi të cilat ngrihet tregimi, po raporti i nëpunësit me vendbanimin ku shërben është universal. Në Shqipërinë socialiste ky raport ishte ngurtësuar në slloganin “të punojmë atje ku ka nevojë atdheu”, madje edhe kërkesat për vazhdimin e shkollës së lartë orientoheshin drejt përfshirjes së saj në pjesën përmbyllëse. Për mua atdheu pati nevojë të punoja 13 vjet larg vendlindjes duke shkuar nga një faqe mali te tjetra. Të tjerë e shikonin fshatin nga dritaret e autobuzit ose trenit. Kushtet e fjetjes dhe cilësia e ushqimit ishin në skajet e së keqes, por, po të guxoje e të flisje hapur si mësuesi i Camajt, jo vetëm mund të humbisje të drejtën e ushtrimit të profesionit, por mund të përfundoje edhe në Spaç.

Nuk dimë se ç’ndodhi me mësuesin “e dëbuar”, por vetëm fakti i një transferimi të pakonsultuar, shkakton një lëndim aq të madh sa autori i rikthehet edhe një herë kësaj ndodhie duke e zgjeruar si novelë dhe duke vendosur në titull vogëlushen e pafajshme. Novela nuk sjell të reja në subjektin që lidhet me mësuesin dhe shkollën, përveç kujtimeve të fëmijërisë. Nuk ka as vazhdimësi përtej transferimit përveç një kërshërie ndaj gruas së bukur që mbetet vetëm si hije përtej perdeve.

Në këto vite të tranzicionit ka një ndryshim rrënjësor në raportin nëpunës – vendi i punës, me një rrjedhje të frikshme të krahut të punës dhe forcave intelektuale jashtë Shqipërisë. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është fanatizmi me të cilin vendasit mbrojnë identitetin e kërcënuar nga ardhacakët, mbrojnë provincializmin e tyre me një reaksion shpërfillës ndaj përparimit.

Filed Under: LETERSI

NJË ISHULL NË KUJTESË, DHE IKJET…KARTELA NGA REALIZMI I DËNUAR

August 30, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti

Itali. Bregu i bukur në qytetin e Napolit. Kam shëtitur andej dhe kam ndalur të shikoj ishujt e famshëm. Ischia, Capri. Procita, ku ka qenë burgu i fëmijëve dhe unë kam shkruar një poezi të trishte. Po unë kërkoja më përtej, edhe në kohë. Ja, sikur tretej midis qiellit dhe detit, vegim i zbehtë i kaltëryer, por dhe tronditës: Ventotene. Ishull që është dhe në kujtesën e shqiptarëve, madje dhe në këngë.  “Ventotene” …ku fryn shumë erë… veee-ntoo… eeee si iso… Sa shumë shqiptarë u mbyllën në atë ishull. Rastësi? Jo. Ishte thirrja. Pushtuesi fashist aty degdiste kundërshtarët më të rrezikshëm. Kamp internimesh që s’kishte nevojë për tela me gjëmba, ishte i rrethuar me ujanën. Patriotë, luftëtarë, personalitete të spikatura kanë në fatin e tyre, më saktë në fatalitetin, bashkarisht dhe këtë “ishull”, ku, si të thuash u takohen rrugët dhe bëmat prej heronjsh, përpjekjet që atdheu të mos mbetej në pushtim, por as që të kalonte në perandorinë komuniste si në një tjetër katastrofë, kur të mbaronte lufta, se ajo do të mbaronte një ditë, ndërkohë të tjerë e donin këtë kalim, e kishin ideal, duke e parë si shpëtimin. Në këtë ishull janë kryqëzuar fate, që sikur iknin me erërat, humbnin nëpër ca shkulme e vorbulla të mëdha, jo në ato të detit. Ç’ka ndodhur me të mbyllurit tanë atje, cilët ishin, nga i merrnin dhe pse e ç’bëhej më pas, kur shkuleshin prej andej? Pse sa më shumë të luftoje për idealin, për lirinë, për atdheun, aq më pak fitoje ideal, liri, atdhe, ndonjëherë dhe duke i humbur ato përgjithmonë. Madje edhe jetën.  Orakulli i erës së atij ishulli sikur bëri disa paralajmërime alarmante, që e paraprinë historinë e së ardhmes.

NJË VETËVRASJE SI PROFECI: PEDAGOGU SAFET BUTKA (1901 – 1943)

Ishte në Ventotene. …Bir i luftëtarit patriot, mitikut Sali Butka. Pasi shkollohet në Austri, do të jetë arsimtari i disa gjimnazeve të vendit, reformator në edukim, studiues në pedagogji, autor shkrimesh problemore si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perendimit” etj., dhe mbiquhet “Pestaloci i Shqipërisë”. Nismëtar në sjelljen e eshtrave në atdhe të poetit kombëtar, Naimit, u prin intelektualëve dhe studentëve në demonstratat e para kundër fashizmit dhe pushtimit më 1939. E arrestojnë dhe e burgosin në Tiranë dhe më pas internohet në ishullin Ventotene, e mbajnë për tre vjet së bashku me intelektualë të tjerë bashkatdhetarë antifashistë. Kthehet në atdhe për të vazhduar detyrën, të luftojë kundër pushtuesit. Bashkohet me Mit’hat Frashërin e nacionalistët e tjerë. Është në krye të Ballit Kombëtar. Por kur kjo luftë ndërron kah e bëhet vëllavrasëse, luftë civile, ai tronditet së tepërmi ashtu si toka nga tërmetet. Kjo çmenduri kolektive, që ia çoroditte konceptet, donte një çmenduri tjetër, të mençur, që të frenohej sa do pak, një protestë dhe apel ndërgjegjes kombëtare. Një theror. Dhe zgjodhi veten. E vret… Dhe ishte 42 vjeç, me grua dhe fëmijë. Kështu kishte bërë dhe shkrimtari Stefan Cvajg. E kishte njohur në Austri? Lufta për liri do të kthehej në fitore tjetër. Gjithsesi ajo krismë e vetmuar arme do të jehonte në kujtesën kolektive, që secili do ta ndiente brenda vetes si një akuzë mes gjëmimeve të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore.

VRASJA SI RIVALITET: EUROPIANISTI ZAI FUNDO (1899 -1944)

…e vrasin partizanët me të ardhur nga Ventotene, ku e kishin internuar fashistët si luftëtar kundër pushtimit. E morën zvarrë dhe e vunë pas një muri andej nga Kukësi. E pushkatuan dhe urdhri, siç u zbulua më pas, kishte ardhur nga lart, nga diktatori i ardhshem, Enver Hoxha. Apo më shumë nga lart, nga Beogradi a Moska. Nga Stalini drejt për së drejti…

Korçari Zai Fundo, pasi mbaron liceun francez në Selanik, studion në Paris, në Sorbonë për drejtësi dhe kthehet në atdhe të bëjë juristin. Pas vrasjes së Avni Rustemit, zgjidhet ai kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” dhe drejton gazetën po me këtë emer. Me të rënë Qeveria e Fan Nolit në 1924 ikën në mërgim, në Itali, pastaj në Austri, në Gjermani, prapë në Francë dhe kalon në Bashkim Sovjetik. Diplomohet për filozofi në Moskë, jep leksione në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern. Do të jetë dhe punonjës i ambasadadës ruse në Berlin…

E braktis ideologjinë komuniste që “ia kalon dhe Satanait për nga ligësitë”, i shkruan Imzot Fan Nolit dhe del hapur kundër regjimit pervers të Stalinit (fjalët e tij) dhe Kominterni e dënon me vdekje. Kur Shqipëria pushtohet nga Italia, në 1939, kthehet në atdhe, që ta luftojë fashizmin, ndërkaq punon si mësues gjimnazi. E pushojnë nga puna dhe e internojnë si veprimtar i Ballit Kombëtar në Ventotene. Atje, krahas me bashkatdhetarët e internuar, do të bashkëpunojë me personalitetet italiane si Sandro Pertini, gazetar dhe Presidenti i ardhshëm  i Italisë apo me politikanin Altriero Spineli, federalist Europian, një nga etërit e themelimit të Bashkimit Europiani, i cili në autobiografinë e tij “Si jam përpjekur të bëhem i ditur”, do të shkruante dhe për Zai Fundon, ja disa pjesë: “…ishte autoritar… me një përvojë politike të gjatë dhe komplekse… besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja jo pak e gjuhëve, përkushtimi politik i Zai Fundos ishte përtej Shqipërisë dhe, kur Dimitrovi u arrestua pas djegies së Reichstag-ut, Fundoja ishte në Berlin si bashkëpunëtor i tij. Iku, se mos e arrestonin… dhe shkoi… në Moskë… Më vonë i shkëputi marrëdhëniet edhe me Internacionalen, teksa përndiqej prej saj…  ai, i edukuar në një atmosferë kulturore liberale… në Ventotene… shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur me flokët bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht… …kur u lirua… kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë se kush ishte duke u thënë që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton.” “Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”. Të them që jam dhe unë dhe nuk jam vetëm, shpresoj? Faleminderit për këtë thirrje për kujtesë, kaq prekëse, njerëzore po aq, që vjen nga internimet e largëta bashkë me erën. Rrugës së kujtesës po eci, në kujtesën e së ardhmes. Dhe e di, përfytyrimi i një Ballkani bashkë, i një Evrope të Bashkuar, është tjetër gjë nga projektet uzurpuese të një perandorie komuniste. Një njeri që ëndërroi ashtu, duket sikur e vrasin çdo ditë…

IKJET

Teksa mbaronte Lufta e Dytë Botërore, bisha nazi-fashiste e Boshtit Gjermani, Japoni dhe Itali po sprapsej gjithnjë e më shumë duke iu afruar strofullës nga doli dhe fitorja e aleatëve, e shteteve të Europës dhe e Bashkimit Sovjetik dhe mbështeja jetike e SHBA, dukej e sigurtë. Po kështu u krijua dhe Aleanca e Madhe e Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA. Shqipëria për fat kishte marrë anën e duhur të historisë, me aleatët..Fitimtarët shqiptarë i besonin mizorisht kauzës së tyre (a mizorisë si kauzë) dhe ende pa ardhur në pushtet, kur po afronte dita e tyre, shtuan sulmet ndaj pushtuesit të huaj dhe raprezaljet ndaj vendasve, gjithçka ta mposhtnin me hekur dhe gjak që ishte kundër tyre e që mund të ishte më pas, front, parti, ide, vepra, njerëz të veçantë, grupe. Shpërthyen ikjet. Dhe do të vazhdonin. Panik dhe pasiguri për të sotmen dhe ende më shumë për të nesërmen. Po iknin patriotë, burra të shquar, mendimtarë, shkrimtarë, ikte një pjesë e tronditëse e historisë. Që të shpëtonin kokën dhe që të vazhdonin qëndresën dhe përpjekjet ndryshe, nga jashtë, në të mirë të atdheut.

PËR TA VAZHDUAR LUFTËN NGA JASHTË: MIT’HAT FRASHËRI (1880 – 1949)

Do të ikte…I biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Poetit Kombëtar Naimit dhe i ideologut të Rilindjes, Samiut. Lider dhe vetë, politikan, historian dhe shkrimtar. E urrente luftën e armatosur, donte qëndresën e mënçur. Luftëtar i pavarësisë në krah të Ismail Qemalit, ministër i punëve botore i qeverisë së parë. Gjatë Luftës së Parë Botëroe e internojnë, ikën në Zvicër,  kthehet, bashkohet me kryengritjet shqiptare, boton revista shqiptare, pikërisht kjo ishte lufta që donte. Kur Shqipëria pushtohet nga fashistët, nis veprimtarinë politike, bashkon nacionalistët, në Dekalogun e Ballit Kombëtar, kundërshtar i komunistëve, merr pjesë në Marrëveshjen e Mukjes për ta luftuar pushtuesin së bashku, ikën në Itali, kur tradhtohet çështja e po e marrnin pushtetin ata që do të vendosnin diktaturën në atdhe. Organizon shqiptarët jashtë, “Shqipëria e lirë” ishte programi i tyre, shkon në Nju Jork për këtë punë dhe vdes papritur atje. Apo e helmuan? Djajtë e kuq arrijnë ç’duan e ç’urrejnë…Fundi i rrugëtimit të Mit’hat Frashërit ishte SHBA. Si për t’u thënë shqiptarëve: shikoni këtej, larg, por ja, aleati ynë i sigurtë. Nga këtej shpëtuam pa u copëtuar…

MUSTAFA MERLIKA-KRUJA (1887 – 1958)

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip. Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi. Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”. 

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.” Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi. Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…Themeltar në letrat…

ERNEST KOLIQI (1903 – 1975)

Do të ikte……mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të  shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës.  Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje. Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale….vijon në numrin e ardhshëm.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit
  • Kërkohet një Kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së
  • Mira Murati, krenari për femrat shqiptare
  • Nga Cancuni në Zvernec e Sazan
  • Senator Bob Dole, një përkujtim e mirënjohje në ditëlindjen e tij
  • PASLUFTAT E MIA
  • Shqiptarët mahnitës në pikturat e ushtarak austriakut, Rudolf Otto von Ottenfeld
  • Shoqata Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia ju fton në Festivalin e Dytë të Ushqimit Shqiptar
  • Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi XI-Albani
  • Politika në trojet shqiptare
  • Institucionet shtetërore të Kosovës dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT