• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poezia dhe Piktura: Estetika e Figurës tek Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu

August 22, 2025 by s p

Studim letrar nga Rafael Floqi

Mihai Eminescu - Wikipedia

________________________________________

Hyrje

Që nga antikiteti, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga nyjet më të rëndësishme të estetikës. Horaci me shprehjen “ut pictura poesis” e vendosi artin e fjalës përkrah artit vizual, ndërsa Gotthold Ephraim Lessing, me veprën Laokoonti, bëri dallimin mes kufijve të poezisë dhe pikturës. Gjatë romantizmit, këto dy arte u afruan sërish, duke u parë si pasqyra të shpirtit dhe të natyrës. Poezia e Lasgush Poradecit dhe e Mihai Eminescut ofron një shembull të ndërthurjes së fjalës poetike me figurën pamore dhe muzikore.

Në romantizëm, nocioni i “pikturimit me fjalë” u bë një ideal letrar, ndërsa arti vizual shpesh shihej si poezi e heshtur.

Në këtë kontekst, vepra e Lasgush Poradecit, një nga poetët më të mëdhenj të Shqipërisë, është shembulli më i plotë i këtij dialogu estetik. Poezia e tij, e përqendruar mbi Liqenin e Ohrit dhe natyrën shqiptare, funksionon si një pikturë lirike, ku ngjyrat, dritat dhe reflektimet shndërrohen në simbole shpirtërore. Por Lasgushi nuk është vetëm një poet i natyrës; ai është një poet-piktor, i cili arrin të ngjizë metafizikën e jetës në forma vizuale. Në këtë kuptim, ai lidhet ngushtë me Mihai Eminescu-n, poetin kombëtar të Rumanisë, të cilin Lasgushi e njohu gjatë viteve të studimit në Bukuresht dhe e admiroi si një model poetik. Eminescu, ashtu si Lasgushi, përdor natyrën si pasqyrë të shpirtit dhe kozmosin si hapësirë metafizike të njeriut.

Një kryeshenjë e kësaj përvoje përbën doktoratura që Lasgushi realizoi për poezinë e Emineskut. Kësisoj, një lidhje për t’u analizuar është raporti që ka ekzistuar midis tyre në mjaft rrafshe. Në studimin e vet mbi Emineskun, Mitrush Kuteli hedh mjaft dritë jo vetëm mbi poetin dhe filozofinë e tij, por dhe mbi raportin që Lasgushi kishte me Emineskun. “Melankolija, skepticizmi, pesimizmi…janë motivet nëpër të cilat ai kthehet fort dendur”, (Kuteli) thekson autori, duke përcaktuar njëherësh edhe burimet e këtij botëkuptimi: “vuajtjet e jetës së vet, pesimizmi i trashëguar, përmbi të cilin u pat shtuar leximi i librave të shenjta budiste dhe leximi i veprave të Shopenhauerit” (po aty).

Një itenerar të tillë mund të ketë ndjekur edhe raporti midis filozofit dhe poetit shqiptar. Edhe Lasgushi ka vuajtur që në moshë shumë të re, që në gjimnaz, nga një sëmundje e rëndë që nuk iu nda përgjatë gjithë jetës, duke e limituar shumë fizikisht.

Po njëlloj, edhe Lasgushi duhet të kategorizohet në perspektivën e këtyre caqeve. Dihet që ai ka ndikim. Ka ndikim nga poetët shqiptarë. Ka ndikim nga Eminesku, por edhe nga poetët gjermanë. Por nuk është i ngjashëm në të vërtetë me askënd.

Ai është ai, poeti, me kodin e tij të përjetshëm e të padeshifruar. Ndaj, ndikimet te Lasgushi duhen konsideruar si diçka endemike, jo si një proces mutacioni. Përkundrazi, ai asimilon, transformon dhe prodhon sipas stilit të tij. mendon, plazmon, dhe në fund këndon sipas shpirtit të tij, që nuk mund t’ia “disputojë askush”. Janë të gjitha këto atributet e famshëm shopenhauerianë të gjeniut dhe idesë që qëndron në themel të teorisë së tij të artit.

Po, Lasgush Poradeci ka pasur një lidhje të ngushtë me artin e vizatimit dhe ka kontribuar në zhvillimin e tij në Shqipëri. Ai ka studiuar për tre vjet në Akademinë e Arteve të Bukura, ku ka zhvilluar aftësitë e tij si piktor. Megjithatë, ai nuk e ka ndjekur këtë profesion në mënyrë të vazhdueshme, duke u përqendruar më shumë në poezinë e tij. Lasgushi nuk ishte vetëm poet, por edhe piktor i talentuar, bashkëpunëtor me Odhise Paskalin dhe Vangjush Mion, duke kontribuar në zhvillimin e një tradite figurative shqiptare. Ai kultivoi vizatimin dhe e shihte poezinë si një tablo të gjallë, një dimension që e afron atë me Emineskun, i cili në poezitë e tij krijon tablo të natyrës plot dritëhije, ngjyra dhe muzikë. Një moment i veçantë në lidhjen e tij me artin është angazhimi në mësimdhënie në Shkollën e Vizatimit, ku ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e artistëve të rinj. 

Ky studim synon të shqyrtojë marrëdhënien reciproke mes poezisë dhe pikturës dhe muzikës përmes krijimtarisë së Lasgush Poradecit, në dialog me traditën estetike europiane dhe shembullin paralel të Mihai Eminescu-t, duke përfshirë edhe ndikime të panteizmit dhe krahasime me Wordsworth dhe Rilke dhe me muzikën.

Poezia si pikturë: Lasgushi dhe fuqia e figurës vizuale

Në vargjet e Lasgush Poradecit, natyra nuk përshkruhet thjesht si një sfond i jashtëm, por vizatohet si një tablo e gjallë, ku elementët marrin dimensione estetike dhe shpirtërore. Po të marrim poezinë Vallja e yjeve, shembull i pastër i këtij procesi:

“Liqeni qeshi nëpër hënë,

Yjet u hodhën valle mbi valë.”

Ky imazh është vizual dhe dinamik njëkohësisht: liqeni është i gjallë, qesh; hëna është dritë që pasqyrohet; yjet janë subjekte të animuara që vallëzojnë mbi sipërfaqen e ujit. Kjo është një pikturë lëvizjeje, e ngjan me brushat e impresionistëve, ku reflektimi i dritës mbi sipërfaqe është thelbi i tablosë.

Në poezinë Poradeci im, vendlindja përshkruhet si një peizazh i brendshëm:

“Në shpirt më ngjallet vendi im,

Me mal e fushë, me liqen e lumë…”

Kompozimi është pikturor: plan i parë (liqeni), plan i dytë (fusha dhe lumi), plan i tretë (mali). Është një tablo e ndërtuar me sens hapësinor të qartë, por në të njëjtën kohë një peizazh i shpirtit – figura e brendshme e poetit. Këto shembuj tregojnë se Lasgushi përdor gjuhën si një kanavacë, ku fjala është brushë dhe tingulli është ngjyrë.

Poezia është një përzierje e bukurisë natyrore dhe reflektimit të brendshëm, ku imazhet vizuale dhe emocionet janë të lidhura ngushtë. Ajo i bashkon magjinë e vjeshtës, perëndimin e diellit, dhe ndjesinë e frymëzimit artistik. Ka një ndjesi të qetësisë dhe bukurisë së fshehtë që të fton të meditosh mbi kalimin e kohës dhe ndikimin e natyrës mbi shpirtin.

Marrëdhënia mes poezisë dhe pikturës, nga Horaci deri te moderniteti, mbetet një çështje themelore e estetikës. Lasgush Poradeci është shembulli më i lartë i këtij raporti në Shqipëri: një “piktor me fjalë”, që krijon tablo të ndriçuara ku liqeni, yjet dhe hëna flasin një gjuhë poetike. Mihai Eminescu është paraleli i tij rumun: një poet i kozmosit, që vizaton universin dhe e kthen atë në simbol të fatit njerëzor.

Në dialogun Lasgush–Eminescu, poezia dhe piktura nuk janë forma rivale, por motra që ushqejnë njëra-tjetrën: poezia pikturon në kohë, piktura poetizon në hapësirë. Panteizmi, ekfrasis dhe ndjeshmëria vizuale bëjnë që arti të bëjë të dukshme atë që nuk shihet dhe t’i japë zë asaj që nuk flet.

Që nga antikiteti, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga nyjet kryesore të estetikes së figurës. Të dyja format e artit synojnë të kapin jo vetëm bukurinë vizuale, por edhe thellësinë e emocioneve dhe filozofinë e botës. Ky studim synon të krahasojë estetikën e figurës në poezinë e Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut, duke e ilustruar marrëdhënien e tyre me pikturën si formë artistike.

Analiza e figurës në poezinë e Poradecit dhe Eminescut

Poezia e Poradecit, për shembull:

“Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Ay ndaj fundesh u përflak

Posi me zjarr e me flori.”

këtu përdoren figura të fuqishme vizuale dhe ngjyrash, që krijojnë një përjetim të gjallë të natyrës. Ndërsa Eminescu shpesh përdor simbole që lidhin natyrën me mendime metafizike: yjet, drita dhe hije shërbejnë për të reflektuar gjendje emocionale dhe filozofike.

Marrëdhënia poezi–pikturë

Të dy poetët krijojnë figura që mund të interpretohen edhe vizualisht, si një pikturë në fjalë. Për Poradecin, liqeri dhe pylli janë tablo që transmetojnë ngrohtësi dhe magji, ndërsa te Eminescu, elementet e natyrës shpesh shfaqen si skena teatrale ku ndodhen mendime dhe ndjenja njerëzore. Në këtë kuptim, poezia shërben si një “pikturë e gjallë”, ku secila figurë ka ngjyrat dhe ritmin e saj.

Krahasimi i teknikave letrare

Simbolika: Eminescu përdor simbole më abstrakte; Poradeci simbolizon duke përdorur detaje konkrete dhe vizuale. Ritmi dhe tingulli: Të dy krijojnë një muzikë të brendshme të fjalës, por ritmi i Poradecit është më i qartë dhe melodik, duke i afruar poezisë tonalitetin e një tabloje. Ngjyrat dhe emocionet: Në Poradeci, ngjyrat janë të ndritshme dhe të prekshme; te Eminescu, ngjyrat janë të koduara metaforikisht dhe shërbejnë për të nxjerrë në pah ndjenja të thella.

Piktura si poezi e heshtur

Piktura në traditën shqiptare shpesh shfaqet si poezi e heshtur. Ikonat e Onufrit, me të kuqen e famshme dhe ndriçimet hyjnore, janë shembuj të artit vizual që funksionon si poezi metafizike. Një ikonë nuk është thjesht figurë, por një gjuhë simbolike që komunikon me shikuesin.

Në këtë prizëm, vargjet e Lasgushit shpesh kanë një ndriçim ikonografik: hëna, ylli, dielli nuk janë vetëm elementë natyrorë, por simbole që ndriçojnë dimensionin shpirtëror. Poezia dhe piktura bëhen dy gjuhë paralele që flasin për të njëjtin realitet të padukshëm.

Ekfrasis dhe estetika e natyrës

Ekfrasis është forma e pastër e lidhjes mes fjalës dhe figurës (Keats me Ode on a Grecian Urn, Rilke me Archaic Torso of Apollo). Lasgushi dhe Eminescu zhvillojnë një ekfrasis të veçantë: ekfrasis-in e natyrës. Peizazhet e tyre nuk janë thjesht përshkrime, por vepra arti që kthehen në simbole të përjetshme.

Në Frymë e Jetës, Lasgushi sheh shpirtin e vet si një fletë të bardhë që lundron mbi valë nën dritën e hënës.

Në Mai am un singur dor, Eminescu e shkrin veten me detin në qetësinë e mbrëmjes.

Në të dy rastet, natyra bëhet vepër arti ekfrastike: piktura bëhet poezi dhe poezia bëhet pikturë.

Filed Under: LETERSI

BALZAKU, OSE “GJENIU QË I NGJAN ÇDOKUJT, DHE ATIJ ASKUSH”

August 20, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

 175 vjetori i vdekjes.

Janë fjalët e vetë atij, për të cilin po marr guximin të shkruaj

   Nuk besoj se ka shqiptar që ka shkuar ndonjëherë në Paris dhe të mos ketë pritur të takojë në ndonjë qosh rruge, park e kafene, një burrë të bëshëm, me tipare të theksuara ezmere, flokë pak të gjatë, krehur me vizë anash, mustaqe e shikim të butë babaxhani, që quhet Honore Balzak (Honore de Balzac). Po ashtu, askujt nuk i besohet se ai është larguar qysh në 18 gusht të vitit 1850 nga ai vend që me penën e tij i dha famë dhe e bëri të njohur anë e kënd rruzullit, duke lënë pas hijen e ndritur të një gjeniu me 92 vepra të jashtëzakonshme dhe mermerin e busteve të tij. Koha kur ai jetoi (lindi në 20 maj të 1799 në Tur (Tours), ishte e ngarkuar me ngjarje që përgjithësisht synonin shndërrimin e shoqërisë franceze të asaj kohe e rënduar disi edhe nga zvetënimi moral, korrupsioni dhe etja për fitime. Revolucioni i vitit 1789 që kishte nisur me pushtimin e Bastijës, shpalljen e Republikës së Parë dhe çuarjen në gijotinë të mbretit, që u pasua me diktaturën jakobine, u zëvendësuan nga pushteti i Napoleon Bonapartit, i cili e hodhi shpejt shikimin përtej Francës. Burbonët e rikthyer pas turpërimit të Bonapartit në 18 qershor të 1815 në betejën e Vaterlos, qëndruan plot pesëmbëdhjetë vjet dhe në 1830, Revolucioni i Korrikut solli mbretërimin konstitucional të Lui Filipit. Balzaku e pati jetën e shkurtër dhe e jetoi Republikën e Dytë vetëm nja dy vjet. Pra ishte një periudhë e ngjeshur me ngjarje dhe me njerëz të lodhur e të zhgënjyer nga pritshmëria e revolucioneve. Për pasojë, kutohet se edhe karakteret e tyre ishin në një krizë të thellë. Gjallërimi dhe përhapja e ideve të majta, dha ndërkohë një farë shprese, gjë që u pasqyrua edhe në art e letërsi me atë që u quajt realizëm dhe që ishte parë te Rilindja me Bokaçion, Rablen, Servantesin, Lope de Vegan e Shekspirin me shokë. Balzaku, pa frikë duhet rreshtuar në krye të atyre shkrimtarëve që ndoqën parimet e realizmit kritik, që duke u marrë me demaskimin e fenomeneve negative, nxitën te lexuesit frymën e protestës kundër të keqes. Në themel të tij, ky realizëm kritik, pati përhapjen e idealeve pozitive si atdhedashuria, nevoja e lirisë dhe çelja e perspektivës për jetë më të mirë. Por trashëgimia letrare e atij vendi ishte mësuar me shije të tjera letrare, si dramat e poezitë, ndaj dalja në skenë e Balzakut si romancier, ishte diçka e re. Megjithatë, për atë popull qe fat, dalja e një talenti të tillë, i cili me veprën e tij madhore edhe e orientoi lexuesin nga ky zhanër, për të mos thënë se romanet e tij priteshin me padurim, sidomos për të vërtetat që mbartnin brenda tyre. Ja pse edhe shkrimtari tjetër francez i atyre viteve, Sharl Bodëler (Charles Boudelaire), e quante vizionar të mrekullueshëm dhe shumë të tjerë, baba të romanit. Babai i tij quhej Fransua Balssa (që më pas ju mbush mendja ta bënte Balzak), dhe kishte shërbyer në ushtri me detyrën e intendentit, kurse e ëma, plot tridhjetë vjet më e re se ai ishte një bishtpërdredhur që i dha Balzakut një vëlla të jashtëligjshëm që quhej Anri. Kishte dhe dy motra, Laurën dhe Lorencën, shumë pak më të vogla se ai. Gjendjen ekonomike se familje e kishin të mirë, pasi i ati që ishte me origjinë nga fshati, bëri prokopi gjatë rrëmujave të revolucionit. Nga mosha tetë vjeçare, djaloshi shkoi për gjashtë vjet në shkollë në Vandome, dhe më pas në kolegj në Tur. Kur më 1814, familjarisht shkuan në Paris, ai kreu studimet e larta në Universitet në degën e Jurisprudencës. Si u diplomua, punoi për ca kohë në një zyrë avokatie, por mendjen e kishte te krijimtaria letrare. U vendos siç ishte zakoni në një dhomë të lagjes Bastija dhe gjeti një botues të quajtur August Le Poitevin. Shkroi një dramë me titullin “Kromuell”, por ajo kaloi pa u vënë re. Në bashkëpunim me mikun botues, nisi krijimet e para si “Trashëgimtari i Birag”, “Famullitari te Ardenët”, “Argou pirati” etj. të cilat i botoi me pseudonime. Nuk ishin kushedi çfarë, megjithatë ai nuk ngurronte të shprehej se do ta pushtonte botën me penë, si Napoleoni me shpatë. Dhe e bëri! Është koha kur njihet dhe tërheq vëmendjen e një gruaje më të madhe në moshë, të quajtur L`or de Bernit e cila nuk ja kurseu asnjëherë përkrahjen. Dhe si për t`ia shpërblyer miqësinë, ndihmën dhe mundet edhe dashurinë, Balzaku një vit para vdekjes së saj botoi librin që ja kushtoi, “Zambaku në luginë” (1835). Gjithmonë në sjelljen dhe stilin e të veshurit, kishte një farë snobizmi, madje thuhet se pasi vdiq, megjithë borxhet që pati, i gjetën në garderobë treqind jelekë. Kjo qe dhe arsyeja përse i shtoi mbiemrit të tij atë dë – në. Po ashtu, nisi të frekuentonte edhe sallonet mondane të kryeqytetit, ku ra në dashuri me markezen de Castri, dhe duke ditur se kjo lloj jete kërkonte para, ju fut, por pa sukses biznesit. Kështu, tentoi aty nga viti 1825 të bëhej vetë tipograf, por nuk ia doli, të vinte në shfrytëzim një minierë argjendi në Sardenjë, por kot, dhe u mor me tregtinë e drurit në Poloni, ku gjithashtu dështoi. Ndofta, ky qe fat i madh për letërsinë, pasi i la kohë që të shkruante nëntëdhjetëedy libra. Kishte dhe një fiksim pas mobilieve antike, ku shpenzonte shuma të mëdha. Kurse për të shkruar, punonte kryesisht natën, deri edhe 10 orë, duke qëndruar në këmbë dhe duke rufitur pa fund filxhanët e kafesë. Kishte parimin “Për të qenë zotëria i dijes, duhet të jesh skllavi i punës”. E tërhiqnin gratë, dhe ato e vlerësonin për mendjen e tij të pazakontë dhe sidomos mendimet e tij rreth tyre dhe martesës, të shprehura te libri i tij “Fiziologjia e martesës”, kryesisht me shkrime të vogla për zbavitje. Por, akoma më shumë tërhoqi vëmendjen e tyre romani “Lëkura e shagrenit”, që e shkroi kur ishte gazetar te “Letra mbi Parisin”, ku ato në filozofinë e tij gjetën nevojën e trajtimit njerëzor të tyre. Për të shprehur konsideratat e tyre, nga të gjitha anët, shkrimtarit i vinin letra mirënjohjeje dhe ky qe rasti kur simpatinë e saj e shprehu në 1832 dhe kontesha polake Eva Hanskaja që nënshkruante “E huaja”. Ajo ishte një grua e martuar që jetonte në Ukrainë dhe që e vazhdoi korrespondencën me Balzakun për tetëmbëdhjetë vjet me radhë, gjersa u bashkuan. Në një dhjetë vjetësh (1830 – 40), krijoi ndër të tjera figurat e tre B – ve të mëdha; Gobsekun, Grandenë dhe Gorionë, respektivisht te romanet e tij “Fajdexhiu Gobsek” (31), “Evgjeni Grande” (33), dhe “Xha Gorio” (34). Punon me vullnet titanik, dhe të çudit fakti se ai lidhte kontrata me botuesit dhe ua dërgonte romanet me fashikuj për gazetat. Duhet të ishe Balzak që ta bëje një gjë të tillë, pasi dihet se proçesi i botimit të një romani, kërkon që ta shohësh e rishohësh, ta shoshitësh e ndreqësh, ta korrigjosh e plotësosh atë. Veç këtyre që përmendëm, romane të rëndësishme të këtij autori fenomenal, janë edhe “Mjeku i fshatit” (33), “Koloneli Shaber” (33), “Iluzione të humbura” (37 – 43), “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizanave” (39 – 43), “Kushërira Beti’ (46), “Iluzionet e humbura” (37 – 43), “Kushëriri Pons” (47), “Fajdexhiu”, “Fshatarët” etj. Për gjithë këtë veprimtari letrare, pra për botimin e paparë të dy deri tre romaneve në vit, në vitin 1839, Honore Balzaku zgjidhet Kryetar i Shoqërisë së Shkrimtarëve. Tematika realiste e zgjedhur prej tij të trondit si me tematikën që trajton, ashtu edhe me forcën përshkruese të karaktereve që të mbesin të pashlyera në mendje. Kështu, mund të përmendim romanin “Xha Gorio” që mbahet nga kritike si kulmi i talentit të tij që përshkruan si rrallëkush psikologjinë e babait të ngujuar në hotelin “Voker” (Vauquer Maison), dashurinë që ai ka për bijat e tij Delfina e Anastasia, të martuara, njëra me kontin De Resto dhe tjetra me baronin De Nysingen, dhe indiferecën e pabesueshme të tyre, që e kanë për turp të pranojnë në shtëpi babanë jo aristokrat. Vajzat që i rrëmbejnë gjithçka, e lënë të atin të vdesë në mjerim dhe për ta varrosur nuk denjojnë të shkojnë vetë, por çojnë karrocat e tyre. Çfarë ironie e karaktereve njerëzore, çfarë mosmirënjohjeje, çfarë shembulli për të treguar se deri ku të çon lakmia dhe ambicia për emër, lavdi e pasuri. Po sa bukur na e jep ky mjeshtër studentin Rastinjak i cili ka virtyte, por duar – duar edhe ai i afrohet të keqes, se fundja në të tillë kohë jeton, dhe e ka të vështirë të dalë jashtë saj. Dhe si për të mos e flakur tej të mirën, Balzaku ne jep portretin e shokut të tij Bajshonit i cili i ruan deri në fund vlerat njerëzore. Në krijimtarinë e këtij autori madhështor gjejmë qindra e qindra personazhe, mbi dymijëepesëqind të tillë, tipa e karaktere nga më të çuditshmet dhe secili me profilin dhe veçoritë e veta. Ka aty oborrtarë, nëpunës të lartë, pasanikë, varfanjakë, kryeneçë, servilë, dinjitozë, të pakrupullt, të papunë të të gjitha regjimeve nga kaloi Franca e asaj kohe. Besimi për “Liri, Barazi, Vëllazëri”, mesa duket kishte qenë vetëm një dëshirë, një ëndërr, një utopi. Por iluzionet humbën. Humbën, por lanë pas një galeri të pafund personazhesh, të cilët mjeshtri Balzak i përmblodhi te vepra madhore “Komedia njerëzore”, të cilën mund ta quante edhe “Tragjedia njerëzore” apo “Tragjikomedia njerëzore” (La comedie humaine), dhe që ndahet në jetë private, jetë në provincë dhe jetë parisiane. Sidoqoftë, pavarësisht larmisë së temave apo gjendjeve e qëndrimeve të heronjve të saj, në këtë kryevepër, aq sa ndeshim neverinë për vesin e të keqen, aq dhe konstatojmë vlerësimin për virtytin e të mirën. Se fundja, sipas autorit, gjithçka është pasojë e rregullimit jo të drejtë të shoqërisë, ku i fuqishmi, i pasuruari në rrugë të pandershme, i pushtetshmi, shpesh triumfon dhe e nëpërkëmb të varfrin, të dobtin, të ndershmin edhe pse ky i fundit mund të jetë i mençuar a i ditur. Ja pse e gjithë vepra e këtij autori nga më të mëdhenjtë që njerëzimi ka nxjerrë, merr vlera të veçanta edhe në ditët tona, dhe sidomos për ne shqiptarët, për situatat sociale, politike dhe ekonomike që po kalojmë. Ndofta, prandaj dhe ne kur ndodh të shkojmë në Paris, e kërkojmë atë që kishte punuar aq shumë, sa edhe vetë e kishte kuptuar, kur thosh se “Puna e shumtë e ha të zotin”. I raskapitur nga kjo punë titanike, ai vdiq sapo kishte kapërcyer të pesëdhjetat, atë vit kur lindi një tjetër mjeshtër i madh i penës franceze, Gi de Mopasani (Guy de Maupassant), kur nuk kishte shumë që ishte kthyer nga ceremonia e martesës me konteshën polake, që çuditërisht e deshi akoma më shumë se gratë e Francës.*

*Letërkëmbimi i tij me konteshën Evelina Hanska me titullin “Lettre a madame Hanska” u botua në vitin 1968.    

Filed Under: LETERSI

MARTIN CAMAJ, DY SHKUNGULLIMA TË PËRMASAVE LEGJENDARE

August 18, 2025 by s p

Kosta Nake/

(Novelat “Pishtarët e natës” dhe “Shkundullima” të Martin Camajt, Vepra 3, Onufri 2010)

“Pishtarët e natës”

Është një prerje kohore e malësorit prej fillimit të shekullit të kaluar deri në lëvizjet patriotike për pavarësi që kalojnë vetëm tangent rërë bjeshkës, pa ndryshuar rrjedhën e jetës buzë Drinit. Është një vepër që tregon lidhjen e fortë të njeriut me tokën si burimi më i sigurt i ekzistencës dhe i vazhdimësisë së jetës. Vepra fokusohet te Nika që ndahet jo vetëm nga vëllazëria, por edhe nga familja e vet për të rrëmbyer tokë nga shkëmbi, për të shfrytëzuar gjuetinë si mjet financiar të ndryshimit të madh: zgjerimit të ligjshëm të pronës nëpërmjet blerjes. Nika mishëron dyzimin e malësorit që beson në qeniet mitologjike e njëkohësisht ka besim në ndjekjen e riteve të besimit në një zot të vetëm. Ai beson në ekzistencën e orëve dhe të zanave, nuk u përmend as emrin, përdor eufemizma për to, nga ana tjetër e sfidon besimin se Fundina është e pushtuar nga orë e zana, atje hap e zgjeron toka, e kthen në vend të banueshëm nga njerëzit, megjithëse vetëm ai mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në një vend të tillë. Dimri gjithmonë e bën dyshues dhe bestytës, gjatë kësaj periudhe jeton me frikën e qenieve të mbinatyrshme.

Nika e parandjen vdekjen. Ai sfidon frikën për të gjuajtur, pasi sipas besimit popullor që në kafshë gjendet dhe shpirti i qenieve të mbinatyrshme, ka përfituar prej gjuetisë të mirat materiale dhe ka arritur të shtojë pasurinë, e ka arritur të blejë toka të reja, t’i sigurojë familjes të ardhmen. Por e di që e gjithë kjo që do t’i kushtojë. E vetmja gjë që nuk shkel mbi paragjykimet është sepse nuk ua zbulon bijëve sekretet e gjuetisë. Gjithsesi, gjuetia është e ndaluar, prandaj dhe vdekja i vjen prej saj.

Nika u ngjan kreshnikëve: “dy metra i gjatë, hija e tij përzihej me hijet e lisave e të currave, me sy shigjetë që në dritën e qiriut e të zjarmit shkëlqenin si krena gjarpijsh mes vetullave të trasha.” Ai mallkon me shprehje të hiperbolizuara karakteristike të eposit, shpërthime të vrullshme që mbartin zemërimin e njeriut dhe përcillet përmes zërit që ngjall frikë tek njerëzit dhe natyra: “…nuk shante, por nemte e truente tue thirrë gjamë e vetëtimë që t’i gjuente me kokërr të vet, me rrëfenë, e të çfaroste çdo send të gjallë që i shkelte dhenë.” “Fjalët e tij burrnore tmerronin shtazë e njerëz dhe depërtonin jehonë në jehonë prej shkambit në shkamb dhe shuheshin tue ra në pushim larg gjije e humnere, përkueshëm, si petk i mbajtun prej të njëjtit trup, sepse andej pari shungullonin vetëm zani i Nikës e bubullima e motit të keq, ndërrueshëm simbas rastit e kohës.”

Portretizimi i Nikës realizohet edhe përmes hiperbolizimit të thashethemeve për të, pasi Nika ka kohë që ka krijuar distancën kohore dhe hapësinore me të tjerët, aq sa gruaja dhe fëmijët fillojnë të zgjojnë përfytyrimin e njeriut të jashtëzakonshëm që ka lidhje me Orë e Zana. “Ata kallzuen edhe për mrekullinë e pishtarëve të natës dhe për Nikën, burrë gjigant, i veshun në lëkura e sukuj zhgunash, me një za që mbushte me shungullimë lugina e bjeshkë; gjithçka kallëzohej bindshëm se ai paska punë edhe me Orë e Zana.” Lena u krijon të bijve përfytyrimin e njeriut që duhej respektuar e pasur drojë prej tij: “Fliste ashtu sikur Nika të ishte zoti i ernave…”, si Lena, të bijtë dhe të afërmit fillojnë të kenë hijen e dyshimit, në këtë mënyrë thuren legjendat rreth tij.

Portretizimi i Nikës plotësohet me besimin i tij në qeniet e mbinatyrshme, në bestytnitë si gjahtar, në ankthin e vetmisë, në dëshirën për të qenë me një grua, qoftë kjo dhe zanë. Duhani që kultivon dhe përdor Nika është pjesë e ritualit mikpritës. Ai paragjykohet pasi nuk njeh me emra nipat, mbesat, gjakun e tij dhe nga ana tjetër mikpritja e tij nuk ka humbur asgjë nga madhështia primitive, nga besa, nderi, bujaria. Kjo mikpritje paksa paradoksale shërben si urë lidhëse me botën. Ai luhatet mes frikës dhe guximit për të jetuar e punuar vetëm, ky dyzim e ka bërë akoma më të afërt me të mbinatyrshmen.

Nika e parandjen vdekjen, atij i përsëritet e njëjta ëndërr: vrasja dhe ringjallja e një ujku. Frika e tij lidhet me besimin se kafshët janë bartëse të shpirtit të qenieve të mbinatyrshme. Gjithë pasurinë e tij ai e ka siguruar përmes gjuetisë, të cilën ia pohon vetëm të shoqes. Vdekja e Nikës shihet si përmbushje e ëndrrës paralajmëruese. Jeta dhe vdekja e Nikës janë rindërtimi dhe portretizimi arkaik i malësorit që jeton mes natyrës më shumë se mes njerëzve, që gjithçka e mëson rreth vatrës së zjarrit, nga miqtë që u bie rruga, siguron jetesën me tokën dhe egërsirat e malit, që ëndërron për fuqinë e mbinatyrshme, parandjen të ardhmen, ruan e përçon traditën, kur vdes vishet me rrobat më të mirat, vajtohet me gjamë e fjalët më të zgjedhura, dita e vdekjes bëhet ngjarja më e rëndësishme se e gjithë historia e jetës së tij.

Mjaft interesante është figura e Lenës, bashkëshortes së Nikës që ka një zhvillim në rritje. Nga bashkëshorte që duron dhunën fizike të burrit, ajo kthehet në një kultivuese të traditës patriarkale tek fëmijët e vet dhe kulmon me një behar dashurie në moshën 40-vjeçare, pasi ka përballuar thashethemet që mund ta bënin xhelozinë vrastare, pasi ka ndjerë pushtetin e vet në Gurrë, pjesërisht të deleguar prej Nikës që më shumë punon e jeton në Fundinë. Dëshira e saj për të patur një fëmijë tjetër, kur të tjerët tashmë janë rritur, është një lloj emancipimi i brendshëm shpirtëror që materializohet me ato eceejaket mes Gurrës e Fundinës me pishtarët që i kanë dhënë emrin novelës dhe me atë përkujdesjen e shtuar ndaj burrit e shprehur te këmisha e përgatitur me qëndisma për të.

“Shkundullima”

Inxhinieri arbëresh Vitoi kthehet në fshatin e lindjes që po braktiset nga të rinjtë. “Katundësit e kishin ndie veten të fyem nga fjalët e mërgimtarëve kundër Vinoit, kinse të gjithë ata që qenkan të zotët e vetes e lankan vendlindjen, dënue me qenë e banueme vetëm prej pleqsh, grash e fëmijësh.” (f.159)

Kaq më mjaftoi për të krijuar një përqasje me fshatin shqiptar të ditëve tona. Shtëpitë e braktisura kanë filluar të mbulohen me danga lëmyshku e bari, të tjera të rrënohen dhe inxhinierit i rekomandojnë të bëjë një shtëpi të re jashtë fshatit në vend të rimëkëmbë të vjetrën. Mirëpo Vitoi ndreqjen e shtëpisë së vjetër e shikon si çlirim të ndërgjegjes pas pendesës së braktisjes. Ai vjen vetëm për dy muaj, por miqësia me Ntonen e bën të qëndrojë tetë muaj dhe të hedhë idenë e ndërtimit e urës mbi Përroin e Thatë. “Kuptimi i të mirave që binte ura u gdhend thellë në ndërgjegjen e popujve të lashtë.” (f.130) Kjo ide e shkund fshatin dhe novela mund të ishte titulluar “Ura” për simbolikën e saj.

Së pari, fshati është treguar konservues si vetëdijë e mbrojtjes së identitetit arbëresh, ata kanë sheshin e fshatit me emrin Skanderbeg. Ura do të ishte një hapje kontakti me të tjerët dhe asfalti do të sillte zhvillim ekonomik dhe mund ta kthente në qendër atraktive për turistët. Nga ana tjetër kjo do të sillte rrezikun e asimilimit.

Së dyti, fshatrat fqinje nuk donin një përparim ekonomik dhe kulturor të popullatës arbëreshe. Ndoshta edhe për shkak të refraktarizmit arbëresh të sintetizuar në fjalët e Ntones: “Na jemi të gjithë njerëz të qetë, por sikur ndokush të përpiqet me na nxjerrë me rranjë këndej, do të shihje si egërsohemi na!” (f.169)

Së treti, edhe brenda fshatit ka qëndrime të ndryshme. Ata që kanë mbetur në fshat, gjenerata e vjetër me në krye kryetarin e komunës, e shikojnë me smirë këtë projekt dhe e mbajnë të kyçur për familjet e tyre, prandaj Vitoit i duhet ta zgjasë qëndrimin në pritje të ardhjes së studentëve, pasi “përvoja e kishte mësue se vetëm të rijët i pranojnë risijet krejt natyrshëm, pa paragjykime, instiktivisht tue pasë gjithnjë parasysh të mirën e ardhmërisë së tyre (f.128). Në ato rrethana iu desh ta fillojë duke e shpalosur projektin te nxënësit e shkollës. Himni i tokës që shpaloset te novela “Pishtarët e natës”, rimerret edhe këtu në deklarimin e Vitoit: “Dhenat nuk shiten. Mbaje mend! Çdo nismë ashtë aventurë: industria, ndërtimi i pëllasëve apo i urave. Ajo që mbetet ashtë toka!” (f.152)

Ideja e ndërtimit të urës zhvendoset përkohësisht me forcimin e miqësisë së Vitoit me Ntonen që kurorëzohet me bashkëjetesë. Ntonia bëhet kështu përfaqësuesja e së resë që duke qenë edhe mësuese, u bën ballë thashethënave dhe përpjekjeve të emtës Mara, e cila është njëkohësisht tezja e Vitoit, për t’i ndarë dy të rinjtë. “Katundi u mësue me dashnorët e vet, pa ta mbrendë do të ishte ndie thatina e vorfnisë shpirtnore, andaj sosën edhe thashethanat.” (f.168)

Qetia e fshatit prishet edhe nga zbulimi i të fshehtave që mbante brenda. Ntonia mëson se i ati, pas vdekjes së gruas, paskej patur marrëdhënie me dadon Marë, mëndeshën e saj. Vëllai i Ntones, antipodi i Vitoit, mohuesi i vendlindjes, vjen natën dhe merr nga shtëpia objekte të çmuara që lidhen me historinë e familjes.

Vitoi, pas idesë për ndërtimin e urës dhe bashkëjetesës me Ntonen, shihet me pakënaqësi edhe për dëmin që sjell si gjahtar “po e qet fare egërsinë!” (f.161)

Komunitetit arbëresh i shtohet edhe lypësi i verbër Lorku me qenin e tij, bartësi i lajmeve brenda arbëreshëve.

Ngjarja merr një kthesë të papritur. Vitoi shkon të qortojë tezen Mara që ishte treguar e padrejtë me Ntonen dhe “parandjeu se diçka e tmerrshme strukej edhe mbas dritës së syve të saj, si një hije që hidhej prej një lande të mistershme mbi katund…” (f.171)

Të nesërmen Vitoi shkel me këmbët e veta trasenë e ardhshme që do të lidhë fshatin me detin dhe ndodh shkundullima, një lloj cunami në tokë dhe në det që mund të përqaset pjesërisht vetëm me vërshimet e Drinit. Pikërisht këtu Camaj m’i rrëzon të gjitha pritshmëritë, kjo shkundullimë që mund t’i referohet një dukurie reale natyrore, edhe pse e paralajmëruar në sytë e plakës Marë, më vjen si një deus ex machina që i jep fund qëndresës identitare. Vala e detit godet edhe katundin arbëresh duke shkaktuar viktima, Mara digjet bashkë me shtëpinë ku ka rënë zjarri, Ntonia e mbetur pa strehë, shkon të kryeqendrën e krahinës, Vitoi nuk merr asnjë përgjigje prej saj dhe pas tetë muajsh largohet “i vendosun të prejë çdo urë me vend të vet, pa i thanë kujt lamtumirë.”(f.184)

E megjithatë zezona e përgjithshme rrezaton ngrohtësi në komunitetin arbëresh. Tragjedia në rrafsh vetjak, mbushet me dritë në rrafshin komunitar, banorët që “s’kishin kah t’ia mbajnë”, vendosën të ndërtojnë një katund modern dhe sot, mbas shumë motesh, në katolinat turistike shihet edhe ura mbi Përroin e Thatë.

Filed Under: LETERSI

Prirja antropologjike në romanin e Luan Ramës “Gruaja që vinte nga mjegulla”

August 13, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Shtëpia Botuese “Emal” njoftoi sot se sapo ka dalë nga shtypi romani në anglisht i shkrimtarit Luan Rama “The women Who Came from the Fog”, “Gruaja që vinte nga mjegulla”, i botuar më herët në gjuhën shqipe nga “Albas” në vitin 2023, dhe në italisht nga Montabone Editore (viti 2025). Për shkrimin e këtij romani, autori është mbështetur në një ngjarje të vërtetë. Është historia e një ushtari italian, Savianit, i plagosur gjatë Luftës së Dytë Botërore në malet shqiptare e më pas i harruar… Në rininë e tij, ishte student i konservatorit të Milanos, tenor. Një ditë, rreth viteve ’90, e dashura e tij e dikurshme, Laura, lexon rastësisht një artikull në gazetë, ku flitej për një ushtar italian i mbetur në Shqipëri gjatë kohës së luftës, e që këndonte arie. Ajo përjeton një çast reflektimi dhe trazimi të brendshëm kur dëgjon në televizor për zbarkimin e emigrantëve shqiptarë në Brindisi. Dhe niset drejt së panjohurës, në kërkim të dashurisë së rinisë së saj.

Romani është prezantuar pak muaj me parë në librarinë më të vjetër tê Italisë, « Boça », në Galerinë « Vittorio Emmanuele » të Milanos, ku gjeti një pritje mjaft të ngrohtë si dhe në Asyi, në Piemonte tê Italisë.

Ja çfarë shkruan kritikja italiane e Milanos, Annitta Di Mineo për këtë libër: Është rrëfimi i një dashurie të ndërprerë për shkak të luftës (Luftës së Dytë Botërore), pas dekadash rishfaqet me dëshirën për të ditur dhe dëshirën për të kërkuar një përgjigje për atë që na hiqet, sepse ne i detyrohemi të kaluarës sonë. Një udhëtim për të vënë rregull në një të kaluar që mbeti e pezulluar, pa marrë asnjë reagim. Dashuria mes dy studentëve të rinj të këngës së Konservatorit “Giuseppe Verdi” në Milano, të ndërprerë nga çmenduria e një konflikti, nuk lejoi zhvillimin e ndjenjave të tyre, sepse djali u thirr në armë, duke e lënë të dashurën e tij në Itali me premtimin e rikthimit.

****

Kam pasur fatin ta lexoj këtë roman të shkrimtarit të mirënjohur dhe mikut të dashur, Luan Rama, pikërisht në vitin 2023, kur u botua nga “Albas”. Një vepër e shkruar plot frymëzim e poezi, një meditim për rolin e artit dhe artistit në shoqëri. Çdo histori e natyrshme, është e përkryer. Edhe këtu kemi të bëjmë me një histori të vërtetë. Diku vetë shkrimtari është shprehur se ky roman është një himn për muzikën, pasi muzika nuk vdes kurrë. Pra ky libër është ngadhnjim i artit, me fuqinë për të rindërtuar shpirtin e shkatërruar. Shkrimtari ndjek të njëjtin pikësynim, sikurse antropologët në rendin hapësinor: t’i japin fund njëherë e përgjithmonë asaj ideje, njëkohësisht egocentrike dhe naïve, sipas së cilës njeriu është i tëri i ngujuar vetëm në njërën nga format historike dhe gjeografike të qënies së tij. Duke iu kundërvënë vazhdimësisë së rreme të kohës njerëzore, duket qartë prirja antropologjike e autorit për të ribashkuar dhe rindërtuar atë që është shpërbërë nga koha.

Autori ka vënë në thelbin e kësaj vepre raportin e artit me jetën. Njeriu, artisti, i pandarë nga situatat dhe rrethanat e jetës. Ky është një problem i madh filozofik, por edhe estetik. Arti vendos paqen mes natyrës sonë tokësore dhe asaj shpirtërore, hedh një urë ideali në jetë. Secili artist e ka për detyrë të hapë një rrugë sa më të gjerë që të mundë për ngazëllimin njerëzor. Pavarësisht se lumturia është si shtojzovalle, e dukshme së largu, por zhduket kur i avitesh. Ndërsa dhimbja dhe mundimet janë reale; nuk kanë nevojë për ndërmjetim, paraqiten pa shkaktuar iluzione dhe pa u vonuar.

Gjithçka në këtë vepër ndodh domosdoshmërisht dhe protagonistja kryesore, Laura, di të përshtatet menjëherë ndaj nevojës së pashmangshme. Momentet e trazimit të saj, rrethanat psikologjike, janë tërësisht të përligjura. Autori, me të drejtë, motivon këtë shtysë intime, që vepron nën udhëheqjen e ëndërrave të pavetëdijshme, që i japin jetës atë njëjtësi dhe atë koherencë dramatike, që kurrë nuk mund të arrihet vetëm me forcat njohëse të mendjes, të cilat shpesh janë të paqëndrueshme dhe të dyshimta. Një artist që është thirrur të kryejë vepra të caktuara dhe të rëndësishme, i ndjek idealet e tij së brendshmi dhe fshehtësisht, i gatshëm të presë, siç presin bletët ndërtimin e zgjoit.

Luan Rama, si shkrimtar, është gjithnjë i vetëdijshëm për rolin që ka arti dhe artisti në shoqëri, për lidhjet e ngushta që duhet të ekzistojnë mes estetikës, artit dhe marrëdhënieve njerëzore. Arti ka fuqinë të të detyrojë të veprosh sipas parimeve abstrakte dhe kjo bëhet e mundur vetëm pas shumë përvoje dhe jo kurdoherë. Madje, për artin, edhe vetë parimet nuk janë gjithmonë të mjaftueshme, por vijnë si rezultat i ndjeshmërisë, inteligjencës dhe vullnetit.

Dikush mund ta cilësonte këtë roman një vepër romantike, por sipas mendimit tim, kemi të bëjmë me një roman realist me një aureolë magjike, ku vërehet ermimi i trashendencës, identifikimi me nivelin e thellë të teksteve dhe, si e tillë, në kundërvënie me nivelet më sipërfaqësore, ku të gjithë përbërësit semio-narrativë janë në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Romani shquhet për një semantikë tekstuale, ku teksti nuk është as objekt, as imazh apo sekuencë tingujsh, por janë tekstet ato që, me plotësinë e tyre, ndërtojnë kompozicionin dhe hierarkinë semike të njësive më të vogla.

Është e vështirë të përcaktosh kufijtë e socio-semantikës në këtë tekst. Ligjërimi zakonisht përballet me tekste sinkretike, ku kuptimi global del nga shuma e ligjërimeve të ndryshme, imazhit, muzikës, fjalës etj. Kapërcimi nga e ndjeshmja tek e tejndjeshmja, është një karakteristikë e kësaj vepre, që dallohet qartë. Libri i shmanget çdo shpjegimi racional, ndërsa realizimi i tablove të tij (kinematografike) zotëron tërë fushën e përfytyrimit.

* * *

Një fragment nga romani:

Ah, kujtimet… Ato ditë të vitit 1990, në Milano bënte ftohtë. Po kthehej vonë në shtëpi e megjithatë kujtimet e ndiqnin çdo çast. Ishte koha tjetër që tashmë i përplasej në sy, në shpirt, në gjithë qenien e saj. Një imazh i shpejtë iu shfaq para syve në disa sekonda. Pastaj u shua, u zbeh, u venit… Ishte ajo, në shi, prindërit që e kishin gjetur diku rrugëve, të lagur qull dhe që po e ngjisnin drejt shkallëve të shtëpisë. Tavani i errët lëvizte ngadalë, rrotullohej si një disk planetar. Një imazh i dhembshëm. Pastaj ajo nën një mbulesë, në shtrat, e futur brenda, mbuluar krejtësisht, por me sytë hapur, të përhumbur.

“Gjithë bota përmblidhej në atë tavan të bardhë dhe unë imagjinoja se një forcë e çuditshme, një fuqi gati hyjnore më ngrinte ashtu nga krevati, të shtrirë, dhe më shtynte drejt tavanit, të cilin e përshkoja pa e prekur dhe ngjitesha drejt qiellit, në një qiell plot yje, sikur t’i përkisja një bote krejt tjetër, jo asaj poshtë, jo zisë së madhe të shpirtit. E ndieja veten të çliruar, të lirë, pa peshë, sikur të isha në një botë engjëjsh… I ëmbli im! Kohë më vonë takova një shokun tonë të konservatorit të muzikës, tëndin gjithashtu, Leonen që studionte kompozicion. Të kujtohet ai djalosh hokatar me quka? Një ditë ai më bindi të ngjitesha në skenë. Donte të më ndihmonte, të më nxirrte nga ai pus i thellë ku isha zhytur. Jetoja me errësirën, heshtjen dhe imazhin e atij shpërthimi që të kishte mbuluar ty, ashtu pa zhurmë, si në një film pa zë. Leone më zgjati dorën dhe unë u ngrita. Do këndoja një duet të Xhildës… ‘Rigoletto’. E kujtoj gjithnjë. Si mund ta harroj?

“Emër që do më kujtojë gjithnjë / shijet e dashurisë / Dëshira ime do të fluturojë gjithnjë drejt tij / Duke menduar përherë për të / Dhe më së fundi, fryma ime e fundit / Për ty do të jetë i dashuri im!…”

Këmbët më dridheshin dhe zemra më rrihte fort. Mbaj mend që dritat e sallës u fikën dhe muzika filloi. Njerëzit në sallë prisnin, ndërsa unë ktheva kokën pas, prisja të vije edhe ti në skenë… Por ti nuk erdhe dhe unë nuk arrija dot të këndoja. Diçka më shtrëngonte fort në grykë. Të prisja ty, si mund të këndoja pa ty?! Kështu, papritmas, ika dhe e lashë skenën. Të gjithë u habitën. Leone më ndoqi pas dhe më mori në krahë. Më dukej sikur isha në krahët e tu. Nuk di si ndodhi. Të nesërmen ndodheshim në plazhin e braktisur. U dehëm, u puthëm. Isha veçse një vajzë e mjerë, e humbur, e braktisur nga fati, nga jeta. Kaluam një natë në hotel dhe të nesërmen ai kërkoi të martohej me mua. Por, çuditërisht, të nesërmen unë ika me vrap dhe nuk desha ta takoja më. Si mund të martohesha me të?! Po ti Alberto? Atë natë kur isha në shtrat me të, një çast, kur Leone flinte, unë i pëshpërita: “Alberto”!… Kujtoja se ishe ti. Kujtoja se kisha bërë dashuri me ty, Alberto, me hijen tënde. Kjo gjë më tmerroi. E kuptova se nuk mund të jetoja me të. Puthja më e ëmbël më sillte buzët e tua, Alberto. Dhe ika, duke e lënë atë në shtrat, ashtu, tek flinte… Ika si një e marrë!”

Filed Under: LETERSI

DONJA MARIA E POETIT KUBAN NICOLÁS GUILLEN DHE SHQIPËRIA NË ANËN TJETËR

August 12, 2025 by s p

– Sot në Exlibris –

Nga Visar Zhiti

NDODH QË DHE POEZIA NDRYSHON:

Shohim nëpër anketa dhe intervista të bëhet dhe pyetja për librat që të kanë ndryshuar jetën dhe përgjigje nga më të ndryshmet, të bukura dhe me të papritura, por unë them se ka dhe poezi me ndikim të fuqishëm, që sjellin ndryshime jo vetëm brenda teje, por edhe jashtë, mund të ndryshojnë dhe ngjarje dhe rrjedhën e tyre…

​Dhe ajo poezi mund të jetë nga andej ku s’pritet, e thjeshtë, madje mund të jetë dhe përkthim.

​Kam një të tillë, që më ka ndihmuar. Dhe unë kam poetë të mi, që më kanë bërë të ndjej shumë, më duket se dhe më kanë formuar së brendshmi me poezinë e tyre të madhe.

Dua të kujtoj njërën, disi e veçantë, që më duket se më ndihmoi shmangien e një kërcënimi, që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve. Më ndodhi kur më kishin arrestuar dikur. E kam treguar dhe në burgologjinë time “Rrugët e Ferrit”:

NË QELI:

…Dhe ti kërkon libra në qeli, tallej njeriu tjetër i qelisë. S’lejohen. Po sikur të na pushkatojnë? – thoshte.

Pse, ç’ke bërë ti?

Doja të arratisesha në Kosovë… Por më kapën, m’u hodh qeni i kufirit, më nguli dhëmbët.

Të ka lënë shenja? – u dëshpërova unë. – Do ndonjë copë këmishë ta lidhësh?

Jo, jo, u zverdh ai. Copë e kam, ma shqeu qeni. S’ka shaka me këta! Prano edhe ti që doje të arratiseshe.

Por unë s’kam dashur.

Kurrë? – pyeste ai. E pamundur, përgjigjej vetë. – Po ç’ke bërë? Këta s’të kapin kot.

Do të sqarohet, – thosha unë dhe s’duroja pa sharë: Bastardët. Dhe, kur më erdhën sërish ushqime nga shtëpia, copat e byrekut, që isha i sigurt se qenë lagur dhe me lotët e nënës sime, i ndava me të. Edhe ai i ndau të vetat me mua, vetëm herën e parë. Ushqimet e tij ishin si të blera, kuleç nga ata pesëlekëshit. Edhe dysheku i tij dukej si i reparteve ushtarake. Herë pas here kishte qejf të vishte pardesynë time dhe të shëtiste me të nëpër birucë. Si në qytet, thoshte.

Dhe s’ma linte fshesën në mëngjes, jo ti, jo, se je intelektual. Unë gjeja rast dhe përsëritja poezitë e mia, me frikën se mos nxirrja zë, kur lëvizja buzët. Po flas me vete, e ç’të keqe ka? Bibliotekën e padukshme e kisha lënë atje…

​Tjetri e kishte mbaruar xhiron e tij. Ia shihja hijen në mur, me veshët e mëdhenj. Mi i stërmadh, shumë minj bashkë. Por… Shumria, i thosha, fshati nga je ti, ka kuptimin Shën Meri. Bukur, ë?

Ti në burg s’do të rrish me mua, por me të tjerë, – brengosej ai, – me intelektualë. Njeh ndonjërin?

Jo. Pastaj, se ç’më shkrepi, i recitova një poezi, për një nënë, Donja Maria, ë, ngjan me Shumria, e gjora s’dinte gjë për djalin spiun, “që ia paguante policia”…

Jotja është? – U tmerrova. – Jo, jo, e një poeti kuban.

Kurban? Ku e ke parë?

Asgjëkundi. E ka përkthyer Petro Marko, e ke dëgjuar? Ka luftuar në Spanjë… E ç’të vazhdoja? Quhet Nikolas Gilen, – thashë.

Kush?

Ai poeti. Ia thashë, që ta dinte që s’ishte poezi imja.

Po ti shkruan? – më pyeti befas.

Kam shkruar.

Këtu?

Ndala. Mos kisha folur natën? Kur unë bëja gjumë të çartur, ai flinte i qetë. Po aq i qetë vinte nga hetuesitë, ndonjëherë edhe i ngrënë, sepse binte erë hudhër e sallam, kurse unë kthehesha i rraskapitur, i verdhë, si pa gjak, më thoshte ai, si i porsanëpërmendur nga një të fikët i rëndë.

​H. H. ishte provokatori që më kishin futur në qeli dhe unë i flisja për poezinë. Vetëmbrojtje? Por dhe sulm. Unë për poezitë isha arrestuar. Mos po e rëndoja veten? Dhe për çudi, i recitova poezinë “Donja Maria”:

​​​​E gjora Donja Maria,

​​​​E mjera që s’di gjë,

​​​​Djali i saj – gjarpër pa zë,

​​​​Paguhet nga policia.

​​​​Dje si dhelpra me hile

​​​​Vinte rrotull shtëpisë time.

​​​​Më hodhi ca shikime,

Ish veshur me rrova civile.

E mjera Donja Maria,

Një zonjë tepër e nderuar,

Për djalin s’e ka kuptuar,

Që e paguan policia.

​E di ende përmendësh, e shkruajta tani pa e patur librin ndër duar, shumë gjëra më kanë humbur nga kontrollet dhe konfiskimet, është poezi e poetit kuban Nicolas Guillen, marrë nga libri i tij “Kitarra kubane”, përkthyer në shqip nga poeti dhe shkrimtari ynë Petro Marko.

E kisha gjetur atë libër kur isha gjimnazist në Lushnjën e vogël, ndërkohë ishte ndaluar, sepse miqësia politike e Shqipërisë së Enver Hoxhës me Kubën e Fidel Kastros nuk zgjati shumë, qe ftohur fare, se ata, kubanët, ishin me Bashkimin Sovjetik, ai dhe i mbështeste dhe ndihmonte revolucionin e tyre, marksizëm-leninizmin, kurse Shqipëria ishte fare e vogël, mjerisht e varfër dhe qe ndarë nga kampi socialist, duke shkuar më keq, qe lidhur me Kinën e Mao Ce Dunit e të revolucionit kulturor, ndryshe diktatori Hoxha s’rrinte dot në pushtet.

​Ndoshta atë periudhë të paktë miqësie shfrytëzoi Petro Marko dhe përktheu nga spanjishtja një poet kuban, ia kërkuan sigurisht, por bëri poetin guximtar, gjeti poezi të shkëputura nga vargonjtë e Realizmit Socialist, të çlirëta, gjithë kumbime të artit të Amerikës Latine.

​Ndodhte që biblioteka në provincë e harronte listën e librave të ndaluar a bënte sikur me të njohurit e vet, ndërkaq libra të tillë çoheshin në fabrikën e letrës për t’u ricikluar në letër.

Mbaj mend dhe 4-5 kubanë, që kishin ardhur për specializim në bujqësi, kështu thuhej, mësonin të prashisnin dhe pasdite rrinin te një lulishte e vogël para hotelit të vetëm që kishte qyteti, “Myzeqeja”, mblidheshin kalamajtë përreth tyre dhe thoshin me zë të lartë: Kuba si, janki no!

Ata qeshnin, njëri guxoi e bërtiti si me të tallur: Kuba no, janki si!

S’e di a e denoncuan?…

Mes tyre ishte dhe një zezak i gjatë e i hollë, ia kërkova adresën dhe unë, e mbaj mend, quhej Nadividat, shkruaji që tani, po të duash, një letër motrës time Dalia në Havana, tha, se përgjigjet, etj, etj.

​Bëri bujë në Lushnjë që Sekretari i Parë i Partisë, shoku Q. M. u caktua në një delegacion qeveritar që të shkonte në Kubë. Nuk e di pse u gëzuam dhe ne, kalamajtë e lagjes. Kur u kthye, bëri një takim me intelektualët e Lushnjës, ku ishte dhe im atë me të gjithë estradën ku ai punonte. Sekretari i Parë u foli për mrekullinë kubane nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, ku krahas kasolleve, kishte vetura dhe grataçiele dhe tregoi për betejën në Plazhin Zhiron (Playa El Girón) në Gjirin e Derrave (Bahia de Cochinos), ku zbarkuan emigrantë kubanë të mbështetur nga CIA për të përmbysur regjimin e Fidel Kastros. Përpjekja dështoi. Revolucioni kuban kishte fituar kundër imperializmit amerikan. Plazhistët, ashtu siç ishin me rroba banjoje, ishin hedhur në sulm, e kishin goditur armikun me çadrat e plazhit, me këpucë kokës dhe në muze dokumentohet kjo luftë me fotografi e armë e avionin e rrëzuar, etj.

​Asosacion idesh. Një avion tjetër amerikan është në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, që forcat tona ajrore syshqiponja e rrethuan në qiellin tonë dhe e detyruan të ulet, të zenë rob. Ka dhe një poemë për këtë akt heroik…

Mbas rënies së komunizmit dolën të dhënat se ai avion i vogël kishte ngatërruar aeroport nga shkaku i mjegullës, po fluturonte për në Napoli dhe u ul ulur vetë në Rinas, kur aeroporti kishte nisur të ndërtohej nga të burgosurit politikë. U botuan dhe ç’kishte thënë piloti amerikan në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që e kishin trajtuar mirë duke i dhënë leje të ikte, por pa aeroplanin.

​E kam shkruar këtë histori dhe në burgologjinë time “Rrugët e ferrit”. Ndërsa në Vlorë është një copëz plazhi që u quajt “Zhiron” dhe ndoshta të rinjtë s’e dinë përse. Ndonjë dhe e shpjegon me fjalën e zakonshme shqipe “xhiro”, që do të thotë “vjen rrotull”, kur dhe xhiro është huazuar dhe vjen nga italishtja.

Atëgere si gjimnazist ia kisha shtuar bibliotekës time edhe një libër tjetër të ndaluar, “Kitarra kubane” dhe ia dhashë dhe shokut tim, Sherif Bali, ishte nja dy klasë më lart se unë në gjimnaz, shkruante lirika të mrekullueshme eseniniane, ishte ndër ata të paktët që i besonte vëllai im më i madh, Ilirjani, prej tij dhe unë. Na pëlqeu aq shumë poeti kuban, mësuam poezi të tij përmendësh, ia thoshim njëri-tjetrit…

​Kërkoj sot të di më shumë për atë poet…

​POETI I KITARËS KUBANE

Nicolás Cristóbal Guillén Batista, lindi më 10 korrik 1902 në Camagüey, Kubë dhe vdiq më 16 korrik 1989 në Havanë, atë vit kur do të shëbej Muri i Berlinit dhe do të binte komunizmi në Europën Lindore.

Rridhte nga një familje me prejardhje afrikano-evropiane, babai i tij ishte një gazetar liberal, u vra nga forcat qeveritare në 1917.

Nicolás Guillen boton “Sóngoro Cosongo” (1931), “West Indies Ltd” (1934)… Në vitet ’30 (shekulli i kaluar) u arrestua si kundërshtar i regjimit të Gerardo Machado. U përjashtua gjatë regjimit të Batista-s në vitet ’50 dhe qëndroi në ekzil për disa vite në Amerikën Latine dhe Europë.

U kthye pas revolucionit të 1959, u bë anëtar i Partisë Komuniste të Kubës dhe u rreshtua plotësisht përkrah Fidel Kastros.

U emërua Poet Kombëtar i Kubës në 1961 dhe u bë president i Unionit Kombëtar të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kubës (UNEAC) .

Botoi më vonë “El gran zoo” (1967) .

Nicolas Guillen do të bëhej figura kryesore e poezisë afro-kubaneze (poesía negra), duke kombinuar ritme muzikore nga “son” me onomatopoetikat dhe dialogun popullor për të përshkruar mënyrën e jetës së komunitetit…

Mori mbështetje të madhe shtetërore, përfshirë botime, çmime dhe përfaqësime ndërkombëtare si poet dhe “zë i popullit revolucionar”.

Është fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Botev” (1976), Çmimit për Paqe Lenin/Stalin (1954), – mjerë paqja si Donja Maria e poezisë tij me këto emra çmimesh kështu, – them unë. Mori dhe Çmimin Kombëtar për Letërsinë e Kubës (1983), etj.

Guillén simbolizon përzierjen kulturore kubaneze dhe luftën kundër racizmit dhe pabarazisë. Ai solli në letërsi klithmën, ritmet dhe narrativat e diasporës afrikane në Kubë. Veprat e tij vazhdojnë të studiohën dhe të përkthehen në më shumë se 20 gjuhë, etj, etj.

* * *

Kur isha student në Shkodër, një herë me Profesorin tim, të urtin Vehbi Bala, ra fjala për Nicolas Guillen dhe ai më tregoi se kishte qenë bashkë me të në Rumani, në një festival poezie në Bukuresht. I kishin venë bashkë në një veturë dhe ai, Guillen-i, kishte nxjerrë makinën e shkrimit nga çanta, të vogël, dhe po i rrihte tastat shpejt e shpejt me gishtrinj, po shkruante direkt dhe bisedonte, një artikull për Vehbi Balën, që u botua në Kubën e tij, po më tregonte Profesori, një faqe gazete dhe titulli i shkrimit, mbaj mend që kishte dhe fjalën zemër.

Si i kishin shkrimtarët makinat e shkrimit në Kubë, me autorizim si ata pak shkrimtarë që i kishin me leje në Shqipëri? Të regjistruara në Degën e Punëve të Brendshme se mos shtypnin gjëra të ndaluara, – larg qoftë, trakte e shpërndaheshin fshehurazi… se dhe kishte ndodhur…

A kishte dalë libri i tij shqip atëhere? A i tha Profesori Vehbi Bala poetit Kuban Nicolas Guillen që e kishte përkthyer Petro Marko, një revolucionar, që kishte marrë pjesë dhe në Luftën Civile të Spanjës, që në çdo vend që kishte shkuar e çdo regjim e fuste në burg? Që herë pas here i ndaloheshin veprat në atdhe nga regjimi, më keq se në Kubë? E Guillen a i tha se ishin të zhgënjyer nga komunizmi apo kjo u ndodhte vetëm atyre që përndiqeshin prej tij? Jo, jo…

Çfarë, duhej pritur radha?

E KUBA?

​Është ishulli më i madh në Karaibe, 110.860 km katrorë, – sa 4 herë Shqipëria jonë, – afër brigjeve të Floridës, mes Gjirit të Meksikës, që ka sugjerime të quhet Gjiri i Amerikës si një reagim kundër Meksikës për çështje të emigracionit gjatë Presidencës Trump.

​Si një hardhucë të blertë, – e quan ishullin e Kubës poeti Guillen.

Ka 11.2 milionë banorë, – kaq a më shumë është diaspora shqiptare nëpër botë, – kryeqyteti është Havana. Rimon dhe me Tirana. Kuba ka ende regjim socialist një partiak me Partinë Komuniste në pushtet dhe kryetari i partisë është dhe presidenti i vedit. Zgjedhjet janë të kontrolluara dhe nuk lejohet parti tjetër si në Shqipërinë diktatoriale.

​Marrëdhëniet e Kubës me SHBA mbetetn të tensionuara që nga revolucioni i 1959 me ligjin e embargos në fuqi, të përkeqësuara sërish me administratën Trump.

​Mbaj mend që në librin “Kitarra Kubana” nuk flitet mirë për SHBA e jankit.

Dhe në Kubë në vitet ’60 dhe ’70 u vendos një kontroll i rreptë mbi letërsinë dhe artet. “Brenda revolucionit – gjithçka; jashtë revolucionit – asgjë”, – tha Fidel Kastro gjatë atij fjalimit të famshëm “Palabras a los intelectuales” (“Fjala për intelektualët”) në 1961 përpara një grupi shkrimtarësh, artistësh në Bibliotekën Kombëtare.

​Si Fjala e Enver Hoxhës në Pleniumin IV të PPSH për letërsinë dhe artin në Shqipëri (1973). ​​

Edhe në Kubë kushdo që shkruan, pikturon, kompozon duke menduar ndryshe nga ç’do partia, rrezikon të shpallet armik i popullit ose kontrarevolucionar. Deviatorët akuzohen si në Shqipëri për “dekadencë borgjeze” ose “influenca perëndimore” dhe merren masa kësisoj: ​​​

– Izolim shoqëror, përndjekje mediatike, ndalime udhëtimi. (Edhe Shqipëria i kishte…)

– Ndalim botimi, internim ose burg. (Si te ne…)

– Punë të detyruar në kampet e famshme UMAP: Unidades Militares de Ayuda a la Producción. (Në Shqipëri ishin shumë më të rënda burgu i Burrelit, Këneta e Maliqit, Tepelena, Grabiani, Spaçi, Qafë-Bari, etj.)

Poeti Kombëtar, Nicolás Guillén, nuk ka pasur probleme me regjimin komunist kuban, përkundrazi, ai u la të bëhej një figurinë qendrore e kulturës zyrtare revolucionare. Kështu dhe në Shqipëri, se diktaturat ngjajnë, letërsitë e tyre jo dhe aq…

Ndërkaq kolegë të Nicolas Guillen si:

1. Poeti dhe eseist Heberto Padilla u arrestua në vitin 1971, pasi botoi librin Fuera del juego (“Jashtë lojës”) që kritikon sistemin. Shkaktoi një tronditje të madhe në botën letrare dhe u njoh ndërkomtarisht si rast. ​Shumë intelektualë të njohur botërorë, Jean-Paul Sartre, Mario Vargas Llosa, Susan Sontag, Octavio Paz, etj, protestuan kundër regjimit kuban.

2. Reinaldo Arenas (1943–1990), shkrimtar homoseksual, opozitar i regjimit, u persekutua për vite të tëra. U arrestua dhe u dënua me burg. Ai u arratis nga Kuba më 1980 gjatë eksodit të Marielit dhe botoi kujtimet e tij tronditëse Antes que anochezca (“Para se të bjerë nata”), dëshmi të censurës, represionit dhe homofobisë në Kubë.

3. Guillermo Cabrera Infante, një nga shkrimtarët më të njohur kubanë në mërgim. Fillimisht mbështeti revolucionin, por më pas u kthye kundër regjimit dhe jetoi në Londër për dekada, ku botoi vepra si “Tres Tristes Tigres”. Ishte i ndaluar në Kubë.

Me burgosje shkrimtarësh e pushkatime poetësh Shqipëria ia kalon jo vetëm Kubës, por…

Sociologë e politologë ndajnë mendimin që në Shqipëri censura ishte më e rreptë dhe më sistematike nën Enver Hoxhën, ku edhe shkrimi i një poezie: “e dyshimtë”, mund të çonte menjëherë në 10 vite burg, etj, etj.

Po le të kthehemi te ajo poezia e Nicolas Guillen, që çuditërisht u botua dhe në Shqipëri:

PËR NËNËN E BASHKËPUNËTORIT…

​

Dhe gjeta origjinalin

“Doña María”:

¡Ay, pobre doña María,

ella que no sabe nada!

Su hijo, el de la piel manchada,

a sueldo en la policía.

Ayer, taimado y sutil,

rondando anduvo mi casa.

¡Pasa! – pensé al verle – ¡Pasa!*

(Iba de traje civil.)

Señora tan respetada,

la pobre doña María,

con un hijo policía,

y ella que no sabe nada.

Vazhdon të më pëlqejë përkthimi i Petro Markos, ka muzikalitet, dëshpërim, imazh, pafajësi dhe keqardhje për nënën e atij që është bashkëpunëtor i policisë sekrete, spiunit dhe ka shtuar fjalët ‘gjarpër’ e ‘dhelpër’ për të, sigurisht është mllefi i tij për ata që e ndiqnin gjatë diktaturës, një denoncim artistik i atëhershëm, aq mundej dhe besoj dhe autori e ka tejkaluar atë poezi në vendin e tij si të ishte për kohën para revolucionit, gjatë regjimeve antipopullore.

Ta ketë patur me spiunët e Realizmit Socialist? Do t’më pëlqente, prandaj…. Po edhe atë do ta kenë denoncuar kolegë, ndonjë nga shokët do t’i ketë çuar letër dhe Fidel Kastros… Do t’i kenë urryer dhe poezinë, tirazhin e librave…

Por më intereson tani dhimbja për nënën e spiunin, Marien e gjorë që nuk di gjë, e ndjej dhe unë, një mëshirë e tillë ishte e ndaluar, natyrisht në kah të kundërt atëhere, se mund të mësonim kështu zbutjen e luftës së klasave, kur ajo ashpërsohej gjithnjë e më shumë, e kisha ndjerë fort mbi kurrizin tim…

Dhe u arrit kulmi dramatik, unë arrestohem për poezitë e mia, kur isha mësues në një fshat të Kukësit dhe në qeli më futën një provokator, të cilit i flisja për poezinë.

Hetuesi më lemeristë netëve, më pyeste për shokë të mi poetë… kujtoja nënat e tyre… dhimbja dhe vuajtja po më shembnin… hetuesi ngulmonte mizorisht, ndër të tjera donte bashkëpunimin tim, se do të kisha lehtësira, do të dënohesha më pak… Dhe Hyji i poezisë sikur më tha që t’ia recitoja në qeli provokatorit tim H. H. “Donja Maria”-n e Nikola Gilenit, neverinë dhe urrejtjen time për spiunët…

Besoj poezia bëri kthesën. Se provokatori i raportoi hetuesit dhe ai do më thoshte pas ca ditësh: Ne kishim menduar një gjë të mirë për ty, por ti s’e meriton… dhe u la kjo çështje, të paktën për gjatë kohës së hetuesisë.

E kam shkruar se siç thoshin ata që partizanët ia merrnin armët armikut dhe me to e luftonin atë, ne shpesh kemi qendruar dhe jemi përpjekur t’u përgjigjemi duke përdorur dhe armët e tyre”, poezitë që ata botonin, ata libra që më pas edhe i ndalonin apo i grinin duke i bërë letër të bardhë sërish si harresa.

Burgu do të kishte halle edhe më të mëdha e tmerre të tjera, po edhe pasburgu ende në diktaturë, përndjekjet, braktisjet, asnjë e drejtë, dhuna prapë, kërkesa për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, se tani, sipas tyre, do të isha dobësuar më shumë, do të doja një punë që ta përballoja, jo gjithmonë punëtor krahu dhe do të ëndërroja të botoja poezi, por pa lejen e tyre s’bëhej dhe unë vazhdoja dhe refuzoja, jo, le të bëhej ç’të bëhej, qoftë dhe në burg prapë le të më çonin… dhe ajo “Donja Maria” – e gjora poezi… – më nxirte para fytyrën e nënës, e të gjitha nënave…

Nëna është poezia që e ndryshon jetën!

`

* * *

​

Tani dhe Nicolas Guillen dhe Petro Marko janë në jetën tjetër. Ndoshta ndodh të takohen në kopshtet qiellore, shumë miq e shokë mund të jenë në Purgator e një pjesë në Ferr. Takohen si të mundin, flasin për poezinë, por dhe për komunizmin mbase, që ka rënë e s’ka rënë. Si është Kuba, është zbutur? Shkëlqen ende ylli Guillen? Shqipëria ka ndryshuar shumë së jashtmi, ata që bënë diktaturën, janë shndërruar në demokratë, po ndërtojmë kapitalizmin duke shëmbur të vjetrën, si ngrehina, po edhe të renë, po i doli para… Gjithsesi Petro Markon po e çmojmë më shumë.

Fëmijët shqiptarë të “Donja Marieve” shqiptare? Janë më mirë seç ishin, janë pasuruar, merren me biznes, kanë shkuar jashtë shtetit, Romë, Paris, Londër, Vjenë, New York… bëjnë pushime buzë oqeanit në plazh dhe shohin me nostalgji nga ishulli që s’duket, Kuba, në fakt në ishullin politik që kanë brenda vetes së tyre.

Dhe ndjeva dëshirën ta përkthej dhe unë tani poezinë e Guillen-it, “Donja Maria”, m’u gjend, më ndihmoi, të vazhdojmë bisedën:

ZONJA MARIA

(përkthim imi)

Ah, e urta zonja Marie,

s’di gjë ajo, e vrerosur,

I biri – lëkurë njollosur,

u bë spiun policie.

​​

Dje erdhi në shtëpinë time,

Pa librat, ç’kisha shkruar.

Shkofsh ku ke për të shkuar!

(Ish veshur me rroba civile)

​​ Grua shumë e respektuar,

Por gjë s’di Zonja Marie,

Të birin, agjent policie,

Fshehtas e kanë dekoruar.

Nuk e pata dot mllefin brilant të Petro Markos, as kafshët që s’i ka origjinali i poezisë dhe shtova librat dhe një dekoratë. Përkthimi sipas kohës…

—————————

Faleminderit

dhe mirënjohës

ExLibris

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT