• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Ndritësit e Kombit”, një dritare akademike mbi kujtesën kombëtare

August 5, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
(Ekspert i së drejtës publike)/

Dija si akt rezistence dhe ndërgjegjësimi kombëtar

Në një kontekst kulturor të fragmentuar, ku po vërehet një rënie shqetësuese e përkujdesjes institucionale ndaj kujtesës historike dhe një tendencë për trivializimin e vlerave thelbësore të arsimit kombëtar, botimi i monografisë “Ndritësit e Kombit” nga Prof. Dr. Nijazi Halili paraqet një akt vetëdijeje shkencore dhe qytetarie të përbashkët. Kjo vepër nuk përbën vetëm një monografi në kuptimin klasik, por një arkitekturë konceptuale e kujtesës kolektive, që vendos dijen në shërbim të qëndrueshmërisë identitare dhe emancipimit kombëtar.

Ky botim përbën një ndërhyrje epistemologjike të strukturuar, që sfidon harresën dhe riartikolon rolin transformues të mësuesit shqiptar — jo vetëm si bartës dijeje, por si agjent i formimit të vetëdijes politike, sociale dhe kulturore të kombit.

Vepër me vlera të shumëfishta shkencore, historike dhe didaktike
Monografia mbështetet në një bazë të fortë hulumtimi arkivor, analizë kritike dhe qasje ndërdisiplinare, që e bën veprën një kontribut të veçantë në studimet mbi historinë e arsimit shqiptar. Tri shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet kjo vepër janë:

-Koherenca epistemologjike që lidh historinë, arsimin dhe kulturën në një mozaik të artikuluar të përvojës kombëtare;

-Hulumtimi burimor i thelluar, që zbërthen figurat më pak të njohura të sistemit arsimor si faktorë të qëndrueshmërisë kulturore;

-Arkitektura konceptuale që krijon një platformë reflektuese për lidhjen e së kaluarës me sfidat e së tashmes dhe vizionin e së ardhmes.

Përmes një gjuhe të qartë dhe ngjeshur konceptualisht, autori na fton të rishqyrtojmë marrëdhënien midis mësuesit dhe shtetformimit, duke pozicionuar mësuesin jo si funksionar teknik të dijes, por si shtyllë të subjektivitetit kombëtar në periudha kritike historike.

Dimensioni kolektiv i autorësisë akademike

Vepra është rezultat i një mobilizimi intelektual dhe institucional të jashtëzakonshëm. Në të përfshihen personalitete të shquara nga të gjitha trojet shqiptare, që përfaqësojnë një pluralitet mendimesh akademike duke konverguar në një projekt të përbashkët kujtese kolektive.

-Redaktim shkencor: Prof. Dr. Arsim Bajrami — garantues i cilësisë shkencore dhe integritetit konceptual.

-Recensentë: Prof. Dr. Ismet Salihu, Prof. Dr. Fejzulla Berisha, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prof. Dr. Zimri Elezi — emra të njohur në akademinë shqiptare.

-Konceptualizim diplomatik dhe ideor: Prof. Dr. Lisen Bashkurti — me eksperiencë të gjatë në diplomacinë kulturore dhe akademike.

-Këshilli redaktues: Akademike Aurela Anastasi, Akademik Frashër Demaj, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Sadik Haxhiu, Prof. Dr. Bekim Baliqi, Prof. Dr. Agim Zogaj, Prof. Dr. Zenun Halili, Prof. Dr. Salihe Salihu, Prof. Dr. Besfort Rrecaj.

-Realizimi teknik dhe estetik: Prof. Shefkije Qeriqi-Halili (lektoratë gjuhësore), Mr. Dibran Fylli (dizajn grafik), BA Veli Kajtazi (formatim profesional).

Një testament për brezat e dijes

Monografia nuk kufizohet në retrospektivë, por shtrihet teleologjikisht drejt së ardhmes, duke artikuluar një thirrje urgjente për brezat e rinj shqiptarë që të ndjekin modelin e dijes si akt emancipues dhe të shmangin krizën e identitetit postmodern.

Në thelb, kjo është një manifest për rikthimin e respektit ndaj figurës së mësuesit si bartës i mendimit kritik dhe i vetëdijes kombëtare, si dhe një apel për një model të ri formimi qytetar, i mbështetur në trashëgiminë arsimore si kapital shoqëror i pazëvendësueshëm.

Monument tekstual i arsimit kombëtar shqiptar

Monografia “Ndritësit e Kombit” duhet trajtuar si një monument dokumentar i mendimit pedagogjik dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ajo tejkalon funksionin thjesht deskriptiv dhe shndërrohet në një vepër referencë për bibliotekat akademike, institucionet arsimore dhe politikëbërësit në fushën e edukimit.

1. Kontekstualizimi i autorit dhe veprës

Prof. Dr. Nijazi Halili sjell në këtë monografi një vizion të integruar ndërmjet analizës historike, reflektimit filozofik dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Përmes portreteve të ndërtuara me rigorozitet akademik, autori restauroi figurat kyçe të historisë së arsimit shqiptar, duke i kthyer ato në pikë referimi për formimin identitar dhe kulturor.

2. Përmbajtja dhe organizimi tematik

Vepra organizohet në kapituj konceptualë, ku përfshihen tema si:

-“Shteti dhe drejtësia”

-“Qeverisja, komuniteti dhe shteti”

-“Përse realiteti ynë vazhdon të pengojë dhe të persekutojë”

Në çdo kapitull, autori ndërthur teorinë klasike dhe moderne me përvojën historike shqiptare, duke ofruar një sintezë që ndihmon lexuesin të kuptojë dinamikën e formimit institucional dhe kulturor të kombit.

3. Qasja teorike dhe epistemologjia

Halili referon me kompetencë autorë si Kant, Weber dhe Mill, duke i përdorur jo thjesht si autoritete distancuese, por si kornizë për artikulimin e përvojës kombëtare shqiptare. Kjo i jep veprës një dimension transversal teorik, duke tejkaluar kufijtë kronologjikë dhe gjeografikë të studimit.

4. Vlerësim kritik shkencor

Përparësitë kryesore:

-Koherencë midis analizës historike dhe kontekstualizimit teorik;

-Qasje reflektive dhe interpretative, jo vetëm përshkruese;

-Strukturë e qartë dhe ndërtim i vetëdijshëm akademik.

5. Relevanca

Monografia përbën një kontribut të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm për studimet arsimore dhe identitare shqiptare, duke qenë një shtyllë e arkitekturës së mendimit pedagogjik shqiptar. Rekomandohet për përfshirje në programet akademike të historisë, arsimit dhe shkencave sociopolitike në të gjitha nivelet.

Filed Under: LETERSI

Apoteoza e poetit Agron Tufa

August 4, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Agron Tufa është jo vetëm një shkrimtar origjinal, por edhe i veçantë. Vepra e tij është, gjithashtu, origjinale dhe e veçantë, sepse e tillë ishin jeta, bota, interesat dhe prirja shoqërore e tij.Të veçanta kanë qenë, sidomos marrëdhëniet e tij me rendin shoqëror të komunizmit, por edhe të postkomunizmit. Para shndërrimeve demokratike ishte një nga të deklasuarit, domethënë familja e tij ishte “damkosur” politikisht, fyer moralisht. Dhe vetë Agroni i ndarë dhe i larguar prej të tjerëve qysh në fëmijëri dhe adoleshencë, i përcaktuar për punë fizike, me shumë të drejta njerëzore të mohuara e, mbi të gjitha, i ishte mohuar e drejta e shkollës së lartë dhe e letërsisë. Por edhe shteti post komunist, për shumë vite, në episode të rëndësishme të jetës së tij, u tregua i padrejtë, i verbër, kërcënues dhe rrufelëshues, duke e detyruar shkrimtarin të kërkojë azil politik në Zvicër në dhjetor të vitit 2019. Mirëpo këtu fillon paradoksi midis dhuntive njerëzore dhe shtrëngimit të shtetit. Natyra njerëzore është ajo që, fatmirësisht, administron talentin, dhuntitë dhe virtytet dhe i shpërndan me spontaneitetin e vet, pra me dashamirësinë më të madhe.

Kështu, Agron Tufës ylli i fatit i dha talentin e spikatur, intelektin e mprehtë, ndjenjat mjaft të holla, durimin dhe këmbënguljen e madhe, mirësjelljen qytetare, fisnikërinë, principalitetin dhe konsekuencën krijuese që, në shumë shkrimtarë, nuk përputhen as me talentin as me veprën. Shenjat kronotopike të biografisë së autorit, kanë kuptimin e shenjave në krijimtarinë e tij të begatë. Veprat e tij të botuara në kohë të ndryshme kanë qenë nga befasitë letrare më të shënuara, duke krijuar figura me ngarkesë kuptimore dhe emocionale, që mishërojnë njeriun e lirë, të panënshtrueshëm dhe të patjetërsueshëm. Përmendim vepra si: “Dueli”, “Ngjizja e papërlyeme”, “Aty te portat ske”, “Gurit të varrit rrëfej”, “Tenxherja”, “Mërkuna e zezë”, “Fabula Rasa”, “Zonja asnjeri dhe zoti askurkush”, “Kur këndonin gjelat e tretë”, “Kafsha apo fantazma”, “Thembra e Akcilit”, “Avangardë engjëjsh”, “Kuja e Minemozinës”, “Nga hiri i të vdekurve”, “Paqja e përgjakur e Adamit”, “Njeriu buzë lumit”, “Arratia e fundit e Balatazar Ketës”, e të tjera. Poezitë janë këngë burimore të zërit njerëzor, që shijohen në mënyrë simfonike, ndërsa veprat në prozë spikasin jo vetëm për nga struktura koherente, dramaciteti dhe konflikti madhor provokues, por edhe nga dashuria për gjuhën, ndjeshmëria e nuancave kuptimore dhe tingullore, rindërtimi historik dhe empatia, meditimet, përshkrimet, reminishencat dhe nxehtësia e imagjinatës.

Janë shkruar shumë opinione për ngrehinën e madhe të veprave të këtij autori, ndaj më duhet të shtoj vetëm pak gjëra: Tufa, në veprat e tij, ka dhënë një masë të re për të matur thellësinë e shpirtit shqiptar, misterin e padepërtueshëm të tij. Tragjizmi është indi zanafillor dhe lënda kryesore e krijimtarisë së tij, përfituar prej vetë qënies dhe prirjes së brendshme, prej subjektit të tij krijues, ku në thelb qëndron humanizmi, përkatësisht misioni shoqëror i të gjithëve, të drejtat njerëzore, identiteti i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Është një humanizëm konkret, i mishëruar në karakterin, veprimtaritë dhe bëmat e individëve të njëmendtë.

Krijimtaria e A. Tufës është përherë një luftë dashurie. Po marr në analizë të shkurtër vetëm një krijim. Rastësisht, hasa në një poezi të shkurtër, të shkruar së fundi dhe publikuar në facebook, ku shtangesh nga një gulç spazmatik drithërues dhe një vuajtje e thellë shpirtërore, që rrallë e kam ndeshur në poezinë tonë.

Poezia titullohet “Kënga e skllevërve” dhe shkruar në vitin 2024, pra në një kontekst kohor aktual, por që ndërthur kohë të ndryshme asosiativisht, në pikëpamje të shqiptimit të mendimeve dhe të ndjenjave. Apoteoza e poetit është apoteoza e vetë jetës dhe krijimit, në një epokë trishtimi psiko-intelektual, ku nuk përcaktohet shkaktari shoqëror dhe ku autokoshienca vetësore është e ndërvarur nga koshienca kolektive, e cila gjithmonë ka të drejtën të ruajë domenin e së drejtës në të drejtën adekuate të qytetarisë, që pothuaj shfytyrëzohet arbitrarisht nga presionet e antipodeve që posedojnë të gjitha atributet pushtetolegjitimuese të pjellës së vet – shoqërisë. Dhe kjo përplasje e pashmangshme midis këtyre “dy forcave” me kohë, krijon krisje në koshiencën adekuate të një kombi.

Shoqëria shqiptare gjithmonë ka vuajtur nga nocionet e sajuara nga ideatorët “sediçentë”. Ja disa vargje të poezisë “Kënga e skllevërve”:

“Veç tundim pranga dhe zinxhirë,

por skllevër mbesim, sikur qemë.

Ç’na duhet botë më e mirë,

kur më e keqe s’ka me qenë?”

A ka bazë historike – shoqërore ky konstatim, apo është ky një spekulacion me nocionin e “atdheut”, mbi bazën e një mendësie infantile (jofekonde) të njerëzve në gjumësinë iluzive-ëndërrandjellëse-të një miklimi banal drejt trilleve të metafizikës regresiste, që e lënë këtë popull në klloçitje të vetvetes, jashtë botës së qytetëruar perëndimore? Kjo nuk sqarohet dot me një tekst poetik.

Këtë përmasë kolektive vlerësimi, të “dënuar me ndjesinë e skllavit”, autori e sjell si përvojë estetike, duke ndërtuar një konfigurim shqisor, të veshur me vlera kolektive që abstragohen nga vlerat funksionale.

Këtu ndeshemi me një kontekstualizëm të fortë të problemit estetik të dinamikës së brendshme të njeriu shqiptar që, ndryshe nga arti që kultivon, nuk është domen i lirisë, por jashtëzakonisht i kompleksuar në prozodinë e vet historike.

***

Agron Tufa (1967) është poet, prozator, përkthyes dhe studiues; fitues i disa çmimeve letrare, mes të cilëve “Pena e Argjendtë” për romanin më të mirë (“Fabula Rasa”, 2005), “Çmimi i Madh Letrar Kombëtar” për gjithë veprën letrare (2009), etj Është përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm rusë të shekullit XX, si: Ana Ahmatova, Marina Cvetajeva, Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Evgenij Zamjatin, Boris pasternak, Danjill Harms, Olga Sjedakova, Esenini etj. Vepra e tij në prozë e poezi është përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Filed Under: LETERSI

Uliksi rikthehet në Itakë!

August 2, 2025 by s p

Dr. Ilir Shyta/

Shënime që të burojnë nga leximi i librit “Porosia e Kullës” të Pashko Camajt.

A keni parë rrathët bashkëqendrorë që krijon rënia e lirë e një guri në sipërfaqen e një liqeni, deti apo oqeani? Kështu do ta përshkruaja, unë personalisht, jetën e Pashko Camajt, autorit të librit “Porosia e Kullës”. Jeta e tij janë rrathët e përhapura në luftën njerëzore për ekzistencë në Mal të Zi, fillimisht në kullë, e më pas drejt tokës së premtuar, mes sakrificash për punësim, shkollim, humanizëm dhe triumf. Gjithë jeta e Pashko Camajt, e përhapur sipas këtyre rrathëve ujorë, rrëfehet në këtë libër.

“Deri atëherë, unë isha vetëm një guralec i vogël – një guralec që do të hidhej në ujë dhe spërkatja e tij e vogël do të zhdukej shpejt. Nuk e dija se ajo spërkatje e vogël do të ishte vetëm fillimi i valëzimeve të pafundme, të cilat do të rrethonin spërkatjen fillestare. Këto valëzime kishin për qëllim të përhapeshin gjithandej, duke u bërë pjesë e detit të pafund në dukje. Tanimë isha i gatshëm të bëja xhiron mbi shpinën e valës dhe të shkoja me të kudo që të më çonte.”

Në këtë shtegtim, gjithmonë sipas autorit të librit, guri i rëndë peshon në vendin e vet. Këtë herë si amanet për të mos e harruar tokën e të parëve, kullën e prindërve, trashëgimin e gjysh-stërgjyshërve…

“A ishte i gabuar vendimi im për të lënë vendlindjen time, shtëpinë time? Të parët e mi, të cilët për shumë breza, deri në gjashtëmbëdhjetë sa mund të numëroj, kanë jetuar në të njëjtën shtëpi dhe kanë punuar në të njëjtën tokë. A përfundoi trashëgimia e tyre, për mua dhe vendlindjen time, me largimin tim -a kam mëkatuar ndaj tyre?”. Meqenëse tashmë kisha vendosur të përqafoja udhëtimin tonë, kjo pyetje ishte po aq e rëndësishme sa edhe vetë destinacioni.” -pyet Pashko Camaj. Përgjigje që e marrim në fund nga kapitulli “Trashëgimia e shpirtit”.

Në fakt, që në thurrinën hapse të këtyre shënimeve, ne, deri diku kuptojmë triumfin e autorit të tyre. Një happy end plot zikzake, sikundër fijet e makaronave që përmenden në libër, sakrifica këto që paralajmërohen në krye të herës së shënimeve të botuara. Bibla shkruan: saktësisht Dhjata e Vjetër që unë e njoh mirë, (pasi jam marrë gjerësisht me fatin e Nol-Samsonit dhe skelet dramën “Israelitë e filistinë”), sqaron në (Zanafilla 12:1-20) “Zoti i tha Abrahamit: Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.” Në këtë sens do të shtoja që mjerisht, kullat tona (shtëpitë tona) që u qëndruan me shekuj luftërave për liri kombëtare vijojnë të mbeten bosh, ndërkohë që vazhdon zbrazja biblike e Shqipërisë. Libri me kujtime është një dedikim për grupmoshat e ndryshme, më së shumti do të thoja është një dedikim për rininë tonë, që ajo të bëjë më të mirën për vendin dhe botën e huaj, ku dëshiron të integrohet.

Në këtë rrëfim autori është vetë Uliksi apo Odisea modern i kohëve. Uliksi mbreti i Itakës dhe udhëtimi i tij në shtëpi pas rënies së Trojës. Udhëtimi i Odiseut për të arritur në Itakë pas luftës së Trojës që zgjati dhjetë vjet, është njëlloj si udhëtimi i Pashko Camajt, që zgjat 28 vjet për të arritur në kullën e vendlindjes. Në këtë kontekst kemi ekzistëncën e një njeriu, saktësisht kemi metoniminë e tij për të prekur tokën e prmetuar, përmes shumë peripecish, që nga bagazhi i një veture amerikane e deri te avioni që ulet triumfues në zemër të Amerikës, në Detroit. Është kjo tabloja jetike dhe artistike, që jepet plot aventura të njëpasnjëshme përmes enumeracionit tregues, por të gjallë në libër. “Ndërsa bagazhi mbyllej mbi ne, përmes vrimave të shpuara në ulësen e pasme dhe në anën e brendshme të bagazhit të madh të makinës depërtonin rrezet e dritës së dobësuar të diellit, si për të na thënë: “Mos u shqetësoni, unë jam këtu me ju.” E mbajta për dore motrën time binjake, duke u përpjekur të ngushëlloja veten, po aq sa atë, se ky udhëtim do të përfundojë së shpejti. Makina filloi të lëvizë ngadalë, kështu që ne ndiem çdo përplasje dhe gropë në rrugët e Tijuanës. Ishim rrugës për të kaluar në San Diego, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do ta di kurrë saktësisht se sa zgjati udhëtimi, por të qenët i mbyllur në bagazhin e errët të një makine e bëri të më dukej si një përjetësi. Dridhjet e automjetit në lëvizje më përgjumën dhe kur ndihesha si në gjysmëndërr, mendja ime u kthye në ngjarjet e javës së kaluar.”

Guximi shtrohet si kryefjalë çelës në faqet e këtij botimi. Ndërsa ish-presidenti amerikan Barak Obama e quan një guxim të tillë, guxim për të shpresuar, do të shtoja, se këtu, në këto reshta, guximi është forcë jo vetëm për të ëndërruar pozitivisht, por edhe për të realizuar ëndrrat në Amerikë. “Vazhdova t’i thosha vetes: “Mos shiko prapa; vetëm përpara.” Në vendin tim të ri, më linin përshtypje jo vetëm atraksionet e mëdha, rrugët e hapura dhe lëndinat e rregulluara mjeshtërisht, por edhe gjërat e vogla që ishin shumë të dukshme, në kontrast me botën që kisha njohur më parë dhe që e kisha lënë”. Në fund kemi mjekun specialist, saktësiht kërkuesin shkencor që na bën krenarë ne racën shqiptare mbi një tezë në thelb të së cilës janë mostrat e gjakut shqiptar dhe jo vetëm m etë cilën mori gradën Doktor i Shëndetit Publik. Amerika ishte dhe është aty ku çdo gjë është e mundur, nënvizon autori në shënime. “…më 12 shtator 2013, pothuajse, saktësisht, njëzet e tetë vjet pasi kisha kaluar, pa ceremoni, kufirin jugor të SHBA-së, i mbyllur në plot aventura një bagazh të një makine amerikane, paraqita disertacionin tim para departamentit të Shkollës së Shëndetit Publik të Kolumbias, pedagogëve, kolegëve dhe anëtarëve të familjes sime. Mbrojta tezën dhe mora gradën Doktor i Shëndetit Publik. Me këtë u kurorëzua ekspedita ime prej dy dekadash, e filluar në City University of New York dhe që për mua ishte më shumë se një diplomë, më shumë se qershia mbi tortë. Ishte vërtetimi i të gjithë punës sime të palodhur dhe i këmbënguljes në kërkim të një jete të re. Ishte diçka që i vlente të gjitha sakrificat e bëra. Më në fund, ishte afirmimi i një ëndrre unike amerikane, një ëndrre që filloi me vendimin tim për t’u larguar nga vendlindja”.

Pashko Camaj gjithë jëtën guxon! Guxon për t’i dhënë makinës, kur nuk i ka dhënë kurrë asaj, por veçse traktorit, guxon të mësojë not që të mos mbytet, guxon dhe triumfon në tokën amerikane, duke mos harruar vatanin e tij, shtëpinë e tij, kullën e të parëve. Përmes kujtesës së momenteve kryesore të së kaluarës, në shkrimësi, i vjen ndërmend amaneti i gjyshit të tij. Ai i kishte porositur të bijtë se për kullën nuk vdiset, për kullën jetohet. Madje u kishte thënë, derisa ata po përballeshin me dilemën e madhe, se kjo kullë nuk guxon të shuhet, se kjo kullë do të japë burra që do t’i njohë kombi. “Kjo asht porosia ime, kjo asht porosia e kullës, o bijtë e mi”, – ishin fjalët e tij të fundit brenda kullës, ku Pashk Camaj qëndron sa realisht aq edhe metaforikisht”. Pak a shumë kemi mbijetesë simbolike, njëlloj si tek “Kulla” e Anton Pashkut. Një mbyllje momoriale kjo e librit të Pashk Camajt, e cila vjen njëherazi edhe si mesazh i autorit të kujtimeve që ndahen në dy pjesë dhe përmbajnë 18 rrëfime me titullin utilitar “Porosia e kullës”, një botim fantastik i shtëpisë botuese “Onufri”. Veçoj këtu që edhe fotografitë e librit të ndërthurrura mestij, i bëjnë të gjallë personazhet kryesore, të cilët frymojnë fizikisht dhe artistikisht në këtë botim prangues, gjatë gjithë leximit të tij nga fillimi në fund. Je sikur në një film artistik, kur përshkrimet e lexuara i lidh me pamjet e tyre nëpër fotografi… Sëfundmi dy fjalë edhe për shqipen e përdorur në libër, pas përkthimit korrekt dhe plot figuracion të shqipëruesit Nikollë Camaj, njëherazi edhe vëllai i autorit. Shqipja e tij rrjedh nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull dhe të bën që librin ta lexosh me një frymë.

Filed Under: LETERSI

Momenti i botimit të epistularit*

July 31, 2025 by s p

Fondacioni “Jup Kastrati” (FJK), me sjelljen para lexuesve e studiuesve të ndryshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të epistularit midis prof. Jup Kastratit dhe At Justin Rrotës, O.F.M., që shtrihet në periudhën 12 tetor 1951 deri me 2 shkurt 1964, hap serinë e botimit të disa vëllimeve të tilla, si pjesë përbërëse e një kolane të veçantë me titull “Jup Kastrati – nga epistulari, letra të zgjedhura” (titulli i sugjeruar po prej tij), brenda kolanës “Opera Omnia” të prof. Jup Kastratit, e parashikuar të botohet nga familja.

Ky botim i sotëm vjen në respektim të vullnetit dhe të kërkesave të babait tonë, lënë si në testamentin e datës 02.10.1996, mbartur dhe paraqitur në vendimin e lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë testamentare ashtu dhe të porosive testamentare të tij, të lëna me shkrim dhe të regjistruara me video, me 27 dhjetor 1998.

Në porositë testamentare të datës 27 dhjetor 1998, shkruhet e thuhet që hapja e arkivit personal do të bëhej vetëm nga ne, vajzat e tij, “… me rastin e 100-vjetorit të lindjes sime, (d.m.th. më 15 prill 2024)…”. Më poshtë ai shkruan që: “Posedoj një epistular shumë të pasur, me rreth 5,000 (pesë mijë) letra… Pasi të keni rregulluar në këtë mënyrë shkencore gjithë epistularin tim të begatë, atëherë, zgjidhni, ju vetë, letrat më të bukura, më interesante dhe me vlerë.”

Nëpërmjet botimit të këtij letërkëmbimi dhe të atyre që do ta pasojnë, del qartë që te prof. Jup Kastrati spikasin, përveç të tjerave, saktësia, skrupuloziteti në punë dhe, mbi të gjitha, karakteristika e tij themelore: ithtar i kulturës të të shkruarit, gjë e cila bëri të mundur krijimin jo vetëm të një arkivi personal tejet të pasur, që zë fill që në fëmijëri e vazhdoi deri në ditën e fundit të jetës së tij, por edhe të një arkivi të dokumentimit të kulturës kombëtare e shkodrane, duke u bërë kësodore kujtesë e thellë e historisë së qytetërimit shqiptar.

Fatmira Kastrati (Sykja)

Diana J. Kastrati

*Pjesë nga hyrja e veprës “Epistular”.

Filed Under: LETERSI

TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU

July 29, 2025 by s p

Begzad Baliu/

Ditë më parë studiuesi me vendbanim në Suedi përuroi dy veprat më të reja të tij Ullmar Qvick albanolog plus, dhe Ullmar Qvick (91 År/Vjet // 91 Dikter / Poezi). Ndryshe nga shumë studiues të cilët vinë nga anë të largëta të botës dhe përurojnë vepra letrare, publicistike e shkencore, kryesisht në Prishtinë dhe në hapësirat akademike e shkencore të saj, studiuesi Fetah Bahtiri zgjodhi vendlindjen, Mitrovicën dhe institucionet kulturore të saj. Veprat e tij i përuroi në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, pikërisht në ditën e lindjes së albanologut Ullmar Kvick, kur ai më 13 qershor i mbushi 91 vjet. Përurimet e këtilla zakonisht, sado që bëjnë shumë bujë, në këtë kohë dinamike internetike ato sikur zbehen e harrohen vetëm pas pak ditësh ashtu sikur zbehen e harrohen nga zhvillimet politike, pothuajse të gjitha ngjarjet kulturore, artistike e shkencore në jetën tonë.

I përgatitur dhe i botuar vetëm pak kohë pas organizimit të përurimit, ky vëllim ka përmbledhur gjithë atmosferën e tij dhe sigurisht do ta ruaj e konsultohet gjatë, për aq sa do të ruhet e shkruhet edhe për autorin e saj Fetah Bahtirin dhe subjektin shkencor të tij Ullmar Qvick.

Vepra hapet me një falënderim të veçantë për veprimtarët e shquar të kësaj ane Fazli Hajrizi e Halit Barani, pa ndihmën e të cilëve, nuk do të realizohej kjo veprimtari, në përmasat që është realizuar, si dhe vazhdon me përbërës të tjerë të rëndësishëm paravajtës për përurimin që kaloi në përmasa të një simpoziumi shkencor. Boshtin qendror të vëllimit e zënë kumtesat për veprat, shkruar nga prof. dr. Adem Zejnullahu, me titull Shqiptarët në ligjërimin poetik të Ullmar Kvikut, kumtesa e prof. Fazli Hajrizit, me titull Një vepër përmendore për mikun e shqiptarëve, Ullmar Qvick; kumtesa e prof. dr. Begzad Baliut, me titull Ullmar Qvick – personalitet i shquar i kulturës shqiptare; si dhe kumtesa e prof. Çerkin Ibishit, Dy dokumentarë xhevahire për një mik besnik të shqiptarëve.

Në vazhdim janë botuar një numër përshëndetjesh, që më parë se sa përshëndetje, në të vërtetë janë vlerësime të veçanta, diskutime dhe madje çështje problemore për veprën, autorin dhe albanologjinë. Fjala është për tekstet e prof. msc. Mursel Ibrahimit, Hysen Ibrahimit, Fetah Bahtirit, Bajram Muharremit, Xhavit Çitakut, Rrahman Rrahmanit, Rizah Sheqirit, Avni H. Pasomës etj., ndërsa kryet e vendit e zë përshëndetja e albanologut dhe personalitetit të shquar të kulturës shqiptare Ullmar Qvick, me titull përcaktues, ”Unë nuk kam jetuar kot”, i cili sikur e kurorëzon jo vetëm jetën e tij po edhe përpjekjet e studiuesit Fetah Bahtirit dhe gjithë atyre që u angazhuan në atë përurim, që më shumë se sa i tij është i të gjithë atyre që kontribuuan për realizimin e suksesshëm të tij. Ky vëllim i kumtesave, vlerësimeve, diskutimeve e përshëndetjeve është shoqëruar edhe me fotografi çasti e nderimi për të gjithë të pranishmit, me të cilat është krijuar një pamje mjaft e plotë dhe shumëfish e përjetuar nga të pranishëm e nga lexues të mëvonshëm.

Fetah Bahtiri, “Ullmar Qvick: “UNË NUK KAM JETUAR KOT”, Prishtinë, 2025, f. 81.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT