• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË UDHËTIM PANORAMIK NË LEGJENDAT E VEPRËS POETIKE TË CAMAJT

August 11, 2025 by s p

Kosta Nake/

Udhëtimeve të mia u kanë munguar ngjitjet në bjeshkët e Veriut dhe shkelja poetikisht ndër to është sa joshëse në vështrim panoramik aq dhe lehtësuese në kursimin e sforcimeve fizike. Vitin e kaluar kundrova një copëz Drini nga lartësitë e kalasë së Rozafës, kryelumi ynë që mbledh rreth vetes njerëz e ndodhi, ai që shpërndan madhështinë e vet me zemërgjerësi në të dy anët e shtratit të vet. Camaj në rininë e vet ka qenë udhëtar dhe misionar në ato vise.

“Erdhacaku vetëm

ndezi zjarmin e u ndry mbrendë

mori letër e pendë

e shkroi kangën e parë.” (Ai që i bie fyellit në hanë, f.160). Kemi përjetuar disa herë shkarkime të frikshme të ujërave në kaskadën e Drinit dhe kjo i bën më të prekshme legjendat:

“Dri, pse m’i more shpitë e bâme n’ranë?” (Grue e pjekun, f.158)

“Lokja n’gurgllimet e tingujve

të valëve drinore ndien fjalët e gjakut të vjetër

të marrun prej urave druni.” (E bija e grues apo urat mbi Dri, f.159).

Malet hijerëndë ndajnë pushtetin me lumin dhe një paralelizëm i gjatë mes botës së kafshëve dhe shoqërisë njerëzore sjell ashpërsinë e natyrës dhe erën e gjakut.

“Rrinë dy korba mbi pyrg:

nji këqyr Drinin e tjetri malin.

…Për nën korba dy bij kryezotash.”

Shpendi i dytë e vrau të parin. Kryezoti i dytë

“N’vend të thojve kish kthetra në duer

e me to i nxori frymën

vëllaut t’ vet në gjumë.

…mandej ktheu e ndenji n’shkamb

qyqe vetëm nji shekull.” (Dy korba, f.164)

Një nga shkaqet e vëllavrasjes ilustrohet me katundin Djepëz ku dy vëllezër “ndashin ujin ndër dy vija/secili për arë të vet”. Ara e vëllait të vogël po digjej nga vapa sepse ndarja e vadës nuk ishte e drejtë. Një detaj i zgjedhur për sasinë e ujit që merrte secili: Pepa, vëllai i madh, këput katër fije bari dhe i lëshon në ujë; tri fije kalojnë nga vija e Vocit – vëllait të vogël. Voci lëshon dy fije dushku dhe të dyja i shkojnë atij. Sakaq fillon grindja. Voci rrëmben shpatën e varur te lisi, kurse Pepa rrëmben sëpatën. Pepa e vret vëllain e vogël dhe ngjitet natën në bjeshkë.

“Nesër nade pa ra dielli

npër shkambije deri n’lum

lypshin korbat diçka

t’humbun n’terr, natën. (Vada, f.177)

Vëllavrasja është vetëm një kthinë në domenin e madh të gjakmarrjes. Në njërën prej legjendave Lum Brimzi i kërkon gruas të ndezë zjarrin se po vjen një mik. E njeh të huajin që vjen “prej dhenash fort larg” se është lypës gjaku dhe i tregon për vetmitarin te shpella. Të nesërmen

“tue ra dielli mbi borë

…flakroi shpata

e krisma e saj ushtoi deri poshtë.” (Vrasja e vetmitarit, f.175)

Bjeshkët kthehen në skenë për të takuar legjendën me historinë nëpërmjet figurës së heroit tonë kombëtar dhe për të mos e humbur tiparet e veta, e paraqet vetëm hijen e tij.

“Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,

por andej lumit hija i eci mbi lisa me qindra vjet

për rrugë tue shkue për Kru.” (Hija e Gjergj Kastriotit, f.172)

Epizmi i atyre anëve të befason me lirizmin që sjell këqyrja dhe joshja e femrës dhe sakrifica që duhet bërë për të fituar dashurinë e saj. Elementë të hershëm të legjendës ndeshim aty ku marrëdhëniet i kapërcejnë kufijtë njerëzorë si tek rasti i gjarprit që donte

“tambël për me nxjerrë

në gjijt e Ledjes vashë

deri sa helmi idhshëm

i kulloi npër dhambë

si nji fjalë mallkimi

e iu ngri gjaku Ledjes. (Ledja, f.190)

Një joshje vështirësisht e përballueshme për poetin janë gjijtë e femrave, kroje ujëbardhë e jetëdhënës.

“Mbramë te votra me prush prej bungut

kam ndiemun erën e gjijve të plotë

e nuk dij pse thëngjill u bana të digjem.” (Burri e lumi, f.156)

“Burri i huej, ai hyni në mkat

e ngrohu shpirt e korp

n’gryckat e teshave t’mija.” (Mjellma e nusja, f.157)

Përmasat e legjendës rriten kur shohim trimin hipur në kalë “në tesha të bardha zadrimore” dhe përgjigja që i jep plakës: “Jam dashnue në nji femën/që i ka syt si krah korbi nën diell.” Kalorsi i kërkon gjogut t’i ngjitet shkëmbit thikë për të shkuar te shtëpia ku ishte gruaja “guri i paçmueshëm në qelq.” Në mëngjes dëgjohet vajtimi i plakës për kalorsin që ishte rrëzuar në Drin së bashku me gjogun. (Kalorsi, f.181)

Tragjike është edhe dashuria e Vonit me Herën. E rrëmbeu djali vashën, po

“pas mesnate ra shi

e shkrepi vetima në lis

e vranë zotat Vonin.”

Po befasia i kalon të gjitha pritshmëritë sepse në vend të vajtimit

“Në mëngjes herët

Mbi gur vetëm, vetëm

Hera po terte flokët

edhe lidhte gërshetat

ma e bukur se kurr.” (Dita e pranveravet, f.185)

Një flirt i ndodh edhe Skënderbeut.

“Grueja i pruni Gjergjit

venë të kuqe e ‘i rrotull djathë,

fier t’njomë e gjij të bardhë.” (Grueja e Skanderbegu, f.173).

Rrjedhë ndryshe ka legjenda e rrëmbimit që ka në pikënisje burrin shpërfillës ndaj gruas Lule. Ai punon gjithë ditën larg dhe vetëm muzgu e sjell në shtëpi. Në mungesë të tij, te Lulja shkon një çakall që ha dhe pi si njeri. Kur Lulja i kërkon të shoqit të ngjitet në bjeshkë për të parë lulet e borës dhe ai i përgjigjet se dera e shtëpisë duhej të rrijë hapur gjithë ditën, çakalli e merr Lulen dhe zhduken. (Lulja e borës, f.218). Camaj risjell në vargje edhe legjenda të njohura të animizimit si ajo e liqenit të Prespës ku burri kthehet në peshk të argjendtë, kurse nusja në mjellmë, varianti i kthimit të motrës në qokth nga hidhërimi për vëllain e humbur, legjenda e Gjerit të Vogël që del të sfidojë sqapin, por Ora e kthen në bjeshkë, Syka që merr mësime nga qyqja dhe kthehet në vajtojcë.

Filed Under: LETERSI

Winston Churchill dhe Shqipëria

August 10, 2025 by s p

Nga Roland Qafoku/

I kam shijuar këto pushime edhe për një arsye më shumë. Për leximin e biografisë së plotë nëpërmjet trilogjisë “The last lion” (Luani i fundit) të figurës së Winston Churchill, botim i vitit 1988 nga “Dell Publishing”. Dy herë kryeministër; herën e parë nga 1940 deri në 1945; Herën e dytë nga 1951 deri në 1955, për 62 vjet anëtar i parlamentit, disa herë ministër, anëtar i Partisë Konsevatore dhe anëtar edhe i Partisë Liberale, i diplomuar si ushtarak në “Royal Military Colledge” dhe shërbeu si oficer në disa detyra në front, historian, piktor dhe autor i disa librave, padyshim që ai është figura më emblematike e Britanisë dhe jo vetëm e shekullit të 20-të. Autori i kësaj trilogjie, William Manchester, një gazetar amerikan, solli historinë e plotë të jetës së Churchill: Vëllimi i parë, nga lindja në 1874 deri në 1932 me nëntitullin “Vizioni për lavdi”; Vëllimi i dytë që i kushtohet përgatitjes dhe nisjes së Luftës së Dytë Botërore nga 1932 deri në 1940 me nëntitull “I vetëm” dhe vëllimi i tretë nga 1940 deri në 1965 me nëntitullin “Mbrojtësi i mbretërisë” të cilin e përfundoi Paul Reid pas vdekjes së ëilliam Manchester. Për ta siguruar këtë xhevahir në bibliotekën time i jam shumë mirënjohës mikes time në SHBA Rajmonda Moisiu për të cilën nuk më mjaftojnë fjalët falenderuese.

Libri është njëherësh jo vetëm historiane e detajtuar e jetës së Winston Churchill por edhe hostoria e Britanisë së Madhe në këto vite. Ajo që e karakterizon këtë biografi tërësisht shkencore por e thjeshtuar në të shkruar është sjellja për lexuesin i një oqeani faktesh, interpretimi i tyre, kontaktet dhe intervistat e tij me vetë Churchill por edhe me personazhe të tjerë që e kanë njohur dhe bashkëpunuar me të. Kjo trilogji është edhe një model se si shkruhet një biografi. Larg skemave dhe klisheve të disa historianëve që ne jemi mësuar ti kemi në Shqipëri, apo të dikujt që boton e boton pa fund, por në libra nuk ka së paku një intervistë me një personazh dhe personalitet për ngjarjen që trajton. Duke shkëlqyer si në gazetari dhe në histori, ëilliam Manchester ka treguar mjeshtëri në këtë drejtim duke lënë për brezat pasardhës një pasuri me vlerën e një thesari.

Pjesa më e rëndësishme e librit për një lexues shqiptar sigurisht është ajo që lidhet me Shqipërinë. Jam befasuar se vetëm në Vëllimin e dytë, Shqipëria është përmendur 14 herë në pasazhe dhe paragrafë të gjatë. Për ta kuptuar më mirë rëndësinë e vendit tonë në raport me figurën e Winston Churchill, mjafton të vërejmë se Jugosllavia brenda të cilës ishin 6 republika që më pas u bënë shtet, është përmendur 9 herë. Në fakt ka shumë versione dhe deri në debate se cili ka qenë roli i britanikëve dhe personalisht Winston Churchill në Shqipëri në këtë kohë. Ka aludime derin në tradhëti ndaj shqiptarëve dhe deri deri në një premtim sipas të cilit Churchill-i i premtoi Greqisë që do ti jepte Jugun e Shqipërisë pas përfundimit të Luftës.

Për të qenë sa më të saktë dhe korrekt me këto teza dhe hipoteza, unë kam nxjerr nga libri disa pasazhe që lidhen me rolin e Churchill-it me Shqipërinë. Si fillim, atmosfera përpara pushtimit të Shqipërisë nga Italia ndjehej dhe dihej shumë mirë në Londër.

Në faqen 385 shkruhet:

“Benito Mussolini po mobilizohej për një pushtim të Shqipërisë, ndërkohë që Adolph Hitler-i kishte deklaruar se Gjermania do ta mbështeste Duçen: Në të vërtetë, është e qartë se diktatori gjerman nuk mund të përballonte të shihte rënien e kolegut të tij italian”.

Por çfarë dinte konkretisht Winston Churchill për këtë pushtim dhe çfarë bëri ai dhe Britania?

Në faqen 408 shkruhet:

“Mbrëmjen para se Duçe të niste aventurën e tij në Shqipëri, Winston Churchill kishte darkuar në Cherkeley, shtëpinë e Beavebrook në fshat pranë Leatherhead. Ndërsa miqtë e tij po luanin tavëll, ai i ishte afruar për të biseduar me një prej mysafirëve – Arthur Christiansen, gazetar dhe redaktor i gazetës ‘Daily Express’. Churchill dukej në siklet dhe, siç e shkroi Christiansen në kujtimet e tij, dukej sikur “po i rrotullonte fjalët rreth qiellzës së tij dhe po i lëpinte ato para se të shqiptonte”. Ai pyeti: “Ku është Flota Britanike sonte? Po rri pezull në Gjirin e Napolit. Pa dyshim – ah – Komandanti i anijeve britanike në Napoli është – ah – duke u argëtuar në breg, padyshim me urdhër të – ah – vetë Musolinit në klubin e jahteve të Napolit.” Pas kësaj sjellja e Winstonit ndryshoi: Ai u vërenjt, përtypi puron dhe pastaj gromëziu: “Po ku duhet të jetë Flota Britanike sonte? Në anën tjetër të atij vendi të quajtur Itali, në Detin Adriatik, jo në Detin Mesdhe, për ta bërë të pamundur përdhunimin e Shqipërisë”.

Pushtimi i Shqipërisë krijoi një situatë jo të lehtë në Britani.

Në faqen 420 shkruhet:

“Përpara debatit parlamentar për Shqipërinë, më 13 prill, Kryeministri (Neville Chamberlain) thirri Winstonin “me shpresën për ta mbajtur Dhomën sa më të bashkuar të jetë e mundur”. Në debat, Churchill mbështeti garancinë e Chamberlain për Rumaninë dhe Greqinë dhe tha se priste “marrëveshje edhe më efektive me Turqinë”. Nëse do të arrihej një ‘plan i shkëlqyer; i aleancave të detyrueshme, tha ai, ‘edhe tani, në orën e fundit’, bota mund të kursehej ‘nga pasojat më të rënda’. Në të njëjtën kohë, ai pyeste veten se si Qeveria e Madhërisë së Tij mund të merrte angazhime kaq të gjera kur mbrojtja e Britanisë ishte kaq e dobët, – si mund të flisnin kaq me zë të lartë kur fuqia juaj është shumë e vogël. Të paktën, argumentoi ai, Parlamentit duhet t’i kërkohet të miratojë rekrutimin e të rinjve britanikë. Pse qeveria kishte heshtur për këtë çështje urgjente? Ai nuk mund ta kuptonte pse qeveria kishte heshtur për çështjen më urgjente. Pas kësaj pyeti: Si mund ta durojmë të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë të rehatshme dhe të lehtë këtu në shtëpi, të pavullnetshëm as ta quajmë botën ‘detyrim’, të pavullnetshëm as të marrim masat e nevojshme me anë të të cilave ushtria që kemi premtuar mund të rekrutohen dhe pajisen vetëm me pajisje.”

Çudia është se interesimi i Britanisë për Shqipërinë kalonte nga Greqia. Këtu nis një situatë shumë e ndërlikuar. Por autori William Manchester ka kuptuar gjithçka në dëm të Shqipërisë nga e cila përfitonte Greqia. Ja dhe fakti që ai paraqet.

Në faqen 428 shkruhet:

“Që nga rënia e Shqipërisë, për shembull, qeveria në Athinë kishte ndaluar botimin e çdo artikulli që kritikonte fashizmin ose nazizmin – kjo pavarësisht garancisë së Britanisë për kufijtë e Greqisë.”

Por indiferenca ndaj Shqipërisë ishte masive. Gati po luhej Koncerti i Dytë i fuqive evropiane. Por me një ndryshim: Dy fuqi pushtonin territore, të tjerët rrinin dhe vështronin.

Në faqen 488 shkruhet:

“Ai (Winston Churchill) përmendi pushtimet e Austrisë, Çekosllovakisë, Abisinisë dhe Shqipërisë, duke vënë në dukje se Duçe dhe Fyhrer i quanin ato çlirime dhe komentoi: Nuk është çudi që ka një heshtje të tillë nga të gjithë fqinjët e Gjermanisë dhe Italisë, ndërkohë që pyesin veten se cili do të ‘çlirohet’ më pas.”

Akoma më me vlerë janë edhe fotografitë në libër. Në një prej tyre paraqitete një karikaturë e kohës në qendër të së cilës është Churchil me një letër në sqetull ku shkruhet: Nuk kam frikë nga Hitleri dhe ka si titull: Silleni atë përsëri – është shansi juaj i fundit.

Ndërsa në diciturë shkruhet:

“Në pranverën e vitit 1939, diktatorët kishin pushtuar Evropën; Memel (Rajon në Lituani), Shqipëria dhe ajo që kishte mbetur nga Çekosllovakia e pavarur, ranë në duart e Hitlerit dhe Musolinit. Tani pjesa më e madhe e medias britanike dha alarmin.”

Mjafton këto pasazhe për të kuptuar se ende trajtimi i Luftës së Dytë Botërore në historinë e Shqipërisë ka ende mangësi. Kjo trilogji duhet të kthehet në një referencë e rëndësishme për çdo tezë dhe hipotezë. Për ata që bëjnë studime të thelluara dhe profesionale. Jo prej atyre që nxjerrin konkluzione dhe pastaj shkruajnë tekstin. Për të mos folur për ata që nuk bëjnë asgjë dhe komentojnë për çdo gjë.

Filed Under: LETERSI

REFLEKTIM MBI LIBRIN “ALBANESEN  UND  DIE  GROSSMÄCHTEN”, ME AUTOR DR. VLADAN GEORGEVITCH

August 9, 2025 by s p

Nga Mihallaq Qirjo/

   Libri “Albanesen und die Grossmächten” (“Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”), botuar në vitin 1913 nga ish-kryeministri serb Dr. Vladan Georgevitch, është një ndër shembujt më të rëndë të propagandës antishqiptare që historia e Ballkanit njeh. I shkruar në kohën e Konferencës së Londrës, në prag të formimit të shtetit shqiptar, ai paraqet një përpjekje sistematike të autorit për të delegjitimuar ekzistencën e kombit shqiptar dhe për të justifikuar aneksimin e territoreve shqiptare nga Serbia.
Duke lexuar këtë libër, kuptova më thellë edhe mesazhin simbolik të novelës “Krushqit janë të ngrirë” të Ismail Kadaresë. Akulli në marrëdhëniet shqiptaro-serbe ka qenë gjithmonë i trashë dhe i pathyeshëm. Georgevitch është përfaqësues tipik i politikës serbe të kohës, një qasje që, fatkeqësisht, nuk ka ndryshuar ndjeshëm as sot. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, propagandat agresive, nostalgjia për dominim, madje dhe mohimi i së kaluarës, janë vazhdimësi e të njëjtit qëndrim.
  Në veprën e tij, autori,  ish-kryeministër i Serbisë gjatë viteve përkatëse, ndërton një narrativë historike që synon të legjitimojë pretendimet territoriale të shtetit serb mbi trojet shqiptare. Duke u nisur nga dyndjet e fiseve sllave në Ballkan rreth vitit 650, ai përpiqet të vendosë serbët jo vetëm në territoret që ata banojnë sot, por edhe në një hapësirë më të gjerë, që përfshin Kosovën dhe pjesë të Shqipërisë së veriut dhe të mesme, deri në lumin Shkumbin. Autori argumenton se gjatë një periudhe shtatëqindvjeçare, shqiptarët që banonin në këto territore u sllavizuan,  përkatësisht, u serbizuan, duke lënë të nënkuptohet një asimilim të gjerë kulturor dhe etnik. Ai pranon, megjithatë, se në disa zona të thella malore, të izoluara dhe të pazhvilluara sipas tij, arritën të mbijetojnë bashkësi shqiptare të paasimiluara. Në vijim, autori trajton periudhën pesëshekullore të sundimit osman, me theks të veçantë në veriun e Shqipërisë. 

   Që në hyrje të veprës së tij, autori përpiqet të fitojë besueshmërinë e lexuesit duke theksuar se informacionet mbi shqiptarët i mbështet kryesisht në burime të huaja, të konsideruara të paanshme. Ai i referohet veçanërisht disa studiuesve dhe udhëtarëve të huaj austro-hungarezë, si G. von Hahn, Baron Nopcsa, Dr. Karl Steinmetz dhe Dr. Siebertz, por përmend gjithashtu edhe burime italiane e franceze. Në këtë mënyrë, synon të distancohet nga çdo ndikim apo frymëzim që mund të perceptohet si i motivuar nga interesat serbe. 

   Pjesa më e madhe e veprës, mbi dy të tretat e saj, i kushtohet argumentimit pse shqiptarët, sipas autorit, nuk duhet të kenë një shtet të tyre. Ai përpiqet të argumentojë gjerësisht mungesën e elementëve përbërës të një kombi të mirëfilltë dhe, rrjedhimisht, mohon të drejtën e shqiptarëve për të krijuar një shtet kombëtar. Autori thekson se shqiptarët nuk përbëjnë një popull të bashkuar, por një grup fisesh të izoluara, pa jetë komunitare të mirëfilltë. Sipas tij, organizimi i jetës në mënyrë të shpërndarë dhe klanore tregon për mungesën e vetëdijes kombëtare dhe për pamundësinë e ndërtimit të një shteti funksional. Një nga shtyllat e argumentit të tij është mungesa e një gjuhe të unifikuar. Ai pohon se veriu dhe jugu i Shqipërisë flasin në mënyrë aq të ndryshme saqë komunikimi mes tyre kërkon përkthim. Sipas autorit, gjuha shqipe ka qenë historikisht e pashkruar dhe vetëm pas Kongresit të Manastirit (1908) u krijua një alfabet i përbashkët. Ai shkon më tej, duke pretenduar se fjalori i shqipes është i përbërë në pjesën dërrmuese nga fjalë të huaja: rreth 4000 fjalë sllave, 2000 greke, 1000 turke, dhe vetëm 400 fjalë të mirëfillta shqipe. Autori mohon ekzistencën e një historie të shkruar, një kulture të formësuar apo një folklori të pasur shqiptar. Ai pohon se shqiptarët nuk kanë këngë apo legjenda, përveç ndonjë proverbi që, sipas tij, reflekton dhunë dhe barbarizëm. Duke iu referuar jetesës së shqiptarëve, ai përmend Kanunin e Lekë Dukagjinit si sistemin rregullator të jetës shoqërore, të cilin e përshkruan si të egër dhe të prapambetur. Thekson se gjakmarrja dhe diskriminimi i gruas janë elementë thelbësorë të këtij sistemi, duke penguar zhvillimin e ndjenjës së bashkësisë dhe funksionimin normal të familjes, si njësi bazë e çdo kombi të zhvilluar.

   Në vështrimin e autorit, krijimi i një shteti shqiptar është një gabim i rëndë i Fuqive të Mëdha, veçanërisht në kuadër të Konferencës së Londrës. Ai shpreh shqetësimin se në zemër të Europës do të formohet një shtet mysliman, çka sipas tij përbën një kërcënim për identitetin e krishterë të kontinentit. Gjithashtu, ai mohon pretendimet se Serbia është një fuqi pushtuese në raport me trojet shqiptare. Sipas tij, këto territore kanë qenë historikisht serbe, të uzurpuara më vonë nga shqiptarët, veçanërisht pas lëvizjeve demografike të shekullit XVII. Ai pohon se Shkodra ka qenë pjesë e trashëgimisë historike serbe, ndërsa shqiptarët kanë jetuar të izoluar në malësitë e Mirditës, Matit, Dibrës, Dukagjinit dhe Kelmendit. Sipas autorit, gjatë periudhës së sundimit osman dhe në veçanti gjatë shekullit të fundit të tij, shqiptarët u rreshtuan në anën e Perandorisë Osmane dhe luftuan kundër përpjekjeve për pavarësi të popujve të tjerë të Ballkanit. Ai e interpreton këtë si mungesë të vetëdijes kombëtare dhe si një faktor tjetër që justifikon mohimin e të drejtës për një shtet të tyre. Ky përshkrim përfaqëson një qëndrim ekstremisht negativ, që synon të mohojë identitetin kombëtar shqiptar përmes një sërë argumentesh që shpesh janë të njëanshme, të deformuara ose të ndikuara nga ideologji politike e gjeopolitike të kohës.

   Kapitulli i fundit i librit përpiqet të shpjegojë qëndrimin e Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës. Duke ndjekur një linjë të qartë të historisë politike të kohës, autori mundohet të justifikojë dhe të shtyjë përpara planin e aneksimit të territoreve shqiptare nga Serbia dhe Greqia – një projekt që, sipas tij, do të ndihmonte edhe interesat e Austro-Hungarisë dhe Italisë për dominim në Ballkan veçanërisht në bregdetin lindor të Adriatikut. Sipas këtij këndvështrimi, një ndarje e tillë e territoreve shqiptare do të siguronte stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm për Gadishullin Ballkanik. Megjithatë, kjo zgjidhje nuk përfaqësonte interesat e mirëfillta të vetë serbëve, pasi autori konkludon se Austro-Hungaria kishte për qëllim eliminimin e shtetit serb, ndërsa Italia synonte të shtrinte pushtetin e saj përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut.

   Ajo që lë një shije të hidhur pas leximit të këtij libri është urrejtja e përhapur dhe e paarsyeshme ndaj shqiptarëve, një urrejtje që nuk është thjesht e pamotivuar, por e mbështetur mbi keqpërdorim të burimeve të huaja, shtrembërim të fakteve dhe interpretime të qëllimshme jashtë kontekstit. Nëse sot shohim një refuzim kokëfortë të pavarësisë së Kosovës, dëbime, mohime identiteti e deri te përpjekje për asgjësim, ky qëndrim ka rrënjë të thella dhe historike.

Nëse autori e ka përkushtuar gjithë energjinë dhe mendjen e tij për të denigruar shqiptarët, për t’i mohuar si popull, si etni dhe si banorë autoktonë të trojeve të tyre mijëravjeçare, atëherë ne kemi detyrimin të rrëzojmë ‘argumentet’ e tij, paragjykimet e tij të egra, kontradiktat dhe urrejtjen e verbër që përçon në çdo faqe. Autori bie në kundërshtim me vetveten: shqiptarët, në një rast, cilësohen si “malësorë me bisht” (faqe 4), dhe vetëm pak faqe më tej (faqe 27), përshkruhen si antropologjikisht të ngjashëm me serbët e malazezët. Kjo nuk është thjesht mungesë koherence, por një paradoks që vjen nga dëshira për t’i poshtëruar shqiptarët, pavarësisht të vërtetave.

Mohimi i ekzistencës së gjuhës shqipe është një tjetër absurditet që rrëzohet lehtësisht. Gjuha shqipe është një degë e parë e familjes indoevropiane, e dokumentuar dhe e njohur shkencërisht, ndërsa serbishtja bën pjesë në degën sllave, që është në nivel më të ulët të klasifikimit historik-gjuhësor. Pretendimi se nuk mund të krijohet një shtet shqiptar për shkak të mungesës së “traditës shtetërore” është një tjetër përpjekje për të zhvlerësuar të kaluarën. Historia shqiptare rrënjoset thellë në lashtësi, te ilirët, paraardhësit tanë, që përbënin mbretëri të strukturuara dhe të fuqishme, të krahasueshme me poliset greke dhe perandorinë romake. Në mesjetë, principatat shqiptare ishin pjesë e strukturave feudale të kohës. Në vitin 1444, Skënderbeu bashkoi princat shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, bërthama e shtetit shqiptar të mëvonshëm. Përpjekja për të mohuar kulturën shqiptare është tjetër absurditet. Legjendat e Kostandinit dhe Doruntinës, të Mujit e Halilit, e kalasë së Rozafës, këngët polifonike të Labërisë, janë dëshmi e një kulture të gjallë, të trashëguar brez pas brezi, me vlera universale dhe unikalitet të spikatur. Edhe ngjashmëritë mes legjendave të popujve fqinj nuk janë prova për mungesë kulture, por pasqyrim i shkëmbimeve kulturore në rajon. Autori përpiqet të identifikojë shqiptarët vetëm përmes fesë myslimane, duke paraqitur shtetin shqiptar si një “shtet muhamedan në mes të Europës”. Por e vërteta është se shqiptarët përbëhen nga dy besime kryesore – islami dhe krishtërimi, të cilat kanë bashkëjetuar në paqe për shekuj me radhë, duke ndërtuar një identitet unik e gjithëpërfshirës.

   Për të denigruar shqiptarët, autori thekson pjesëmarrjen e tyre në strukturat e Perandorisë Osmane. Por harron se kjo ka ndodhur me të gjithë popujt e pushtuar – serbë, grekë, bullgarë. Si shqiptarët, ashtu edhe serbët dhe grekët kanë pasur përfaqësues në nivelet më të larta të administratës osmane. Ironikisht, ndërsa Skënderbeu për 25 vjet u bë mbrojtësi legjendar i Perëndimit të krishterë nga osmanët, mbretërit serbë lidhnin aleanca me sulltanin. 

   Pretendimi serb se shqiptarët e Kosovës janë “pushtues” të trojeve serbe është një mohim flagrant i historisë. Dardanët,  paraardhësit e shqiptarëve të Kosovës,  jetonin në ato troje shumë përpara ngulimeve sllave në shekullin e 7-të. Mohimi i këtij fakti nuk është vetëm naivitet, por një përpjekje për të rishkruar historinë në mënyrë të qëllimshme.

   Vendimet e Konferencës së Londrës në vitin 1913 ishin të rënda për shqiptarët. Kosovës, Çamërisë, viseve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi iu mohua e drejta për të qenë pjesë e shtetit shqiptar. Edhe sot, dëgjohen zëra që ankohen se Serbia nuk ka marrë “çfarë i takon historikisht”, duke harruar se pretendimi i tyre ishte të mos ekzistonte fare Shqipëria. 

   Qëndrimi ekstrem antishqiptar i shprehur në këtë libër është pjesë e një vazhdimësie të dhimbshme që shtrihet nga viti 1913 e deri në ditët tona. Serbia e ka sunduar Kosovën për dekada, por nuk arriti kurrë të asimilojë shqiptarët. Përkundrazi, çdo përpjekje për bashkëjetesë është shoqëruar me shtypje, mohime dhe përçmim. Edhe sot, me gjithë ndryshimet në arenën ndërkombëtare, fryma politike në Serbi nuk ka ndryshuar. Ajo mbetet e mbushur me po të njëjtat ndjenja armiqësore ndaj shqiptarëve. Udhëheqësit e sotëm të Serbisë karakterizohen nga i  njëjti zell antishqiptar si autori i librit. Me gjithë dëshirën tonë për një të ardhme më të mirë, realiteti shpesh mbetet i ngrirë në të njëjtat ndjenja të vjetra të urrejtjes.

Filed Under: LETERSI

UNIVERSI POETIK DHE KËNDVËSHTRIME TË POETIT

August 8, 2025 by s p

Pol Milo/

Në festivalet poetike është gjithmonë fat të takosh dhe të bisedosh me një studiues, përkthyes dhe njohës të thelluar të fushës letrare dhe gjuhësisë. Ky është pikërisht rasti kur njeh nga afër Kosta Naken, kritik letrar, përkthyes dhe njëkohësisht një poet me një zë të veçantë në poezinë shqipe. Por ajo që e bën takimin akoma më të veçantë është njohja me veprën e tij poetike, e cila përfaqëson një shtresë të thellë reflektimi dhe imagjinate. Lirika e Kostës shpaloset si një pllajë e gjerë në majë mali, nga ku syri sheh përtej: fusha, lugina, kodra, horizonte, e deri te yjet kozmikë që ndriçojnë sfondet e padukshme të universit. Këto sfonde të fshehura hapen në poezinë e tij si porta të një misteri poetik, që tërheqin lexuesin me një magjepsje të butë, por edhe të fortë, që nuk shuhet lehtë.

Kosta Naken mund ta takosh si njeri, por takimi i vërtetë me të ndodh nëpërmjet shkrimeve, përkthimeve dhe poezisë së tij. Libri “Aortë zemre” është dëshmi e këtij takimi shpirtëror: një përplasje tingujsh, yjesh, melodish dhe peizazhesh që nuk i përkasin vetëm tokës, por gjithësisë. Struktura e librit ndahet në tre pjesë: “Magjepsur nga gjithësia”, “Robëruar nga dashuria” dhe “Tronditur nga njerëzia”, duke krijuar një gjeometri poetike të mirëmenduar. Edhe vetë titulli “Aortë zemre” është një metaforë e fuqishme: qendra e ndjenjës, kanali që lidh brendësinë më intime me gjithë trupin, ashtu si poezia lidh botën e brendshme të poetit me universin e lexuesit. Aorta është rruga e jetës, por edhe rruga e poezisë.

Kjo strukturë në formë spirale nis nga përjetimi metafizik (gjithësia), kalon në intimitetin emocional (dashuria), dhe zbret në realitetin tokësor (njerëzia). Kjo është një udhë poetike dhe filozofike që përngjan me ciklin klasik të mendimit: gjithësia si horizont lartësor (mendim, ide), dashuria si qendër e ndjenjës (zemra, emocionet), dhe njerëzia si terren i përbashkët, ku kuptimi përplaset me jetën konkrete.

Poezia “Deti” nga pjesa “Magjepsur nga gjithësia” është një metaforë e thirrjes së pavetëdijshme dhe dëshirës ekzistenciale, ku elementët natyrorë, si deti, hëna, drita, bashkohen me ndjeshmërinë njerëzore. “Dritën e fut si peshqit në varg” është një imazh i fortë dhe surreal, konkret dhe njëkohësisht që përfton dimensionin poetik të perceptimit. “Mbytem në detin e dëshirave të tua” është një metaforë e njohur, por e vendosur me saktësi për të rikonfiguruar përjetimin dashuror si fundosje ekzistenciale. Në pjesën e dytë “Robëruar nga dashuria” poezia noton në detin e dashurisë, i krijuar tashmë që në pjesën e parë. Në poezinë “Magjepsja e pare”, thuhet:

“S’kërkova sytë prej femre tjetër

Që asaj dite kur të pashë ty…”

një deklaratë absolute besnikërie ndjesore dhe emocionale, që nga çasti i parë i magjepsjes, askush tjetër s’e ka zëvendësuar atë përjetim, duke vijuar:

“Renda me duart mbështetur pas murit,

Futurova lart përmbi retë e bardha,

Qiellin ta zbrisja me forcën e burrit…” një kthesë e imagjinatës erotike, ku nuk guxon të afrohesh fizikisht, por projektohet lart, mbi rè.

Në pjesën e tretë “Tronditur nga njerëzia”, pas ngritjes mbi rè, dhe mbi detin e krijuar në dy pjesët e para, vjen një ngjitje tejet kozmike. Poezia “Mendimi” sjell një filozofi ku poeti vendos veten jo më si njeri i ndjesisë, por si i përhumbur mes ideve. Ai e sheh veten si kërkues të mendimit të vërtetë, por gjithçka mbetet e pakapshme drejt madhështisë intelektuale. Me tone skeptike por të vetëdijshëm për kufijtë e arsyes dhe të përjetimit filozofik, thotë:

“Kushdo mbledh mendimet e tij në zbrazëti

Si në një shkollë ku mësohet dituria e heshtjes

Përpiqem të kuptoj filozofët e mëdhenj

Por sa keq që kap vetëm skrapin

Mbetur mes mendimeve të çmuara.”

Kjo frazë që tingëllon si përmbledhje e tërë përvojës së mendimit njerëzor.

Në poezinë “Kthim nga universi”, thuhet:

“Fluturova me krahë më shpejt se era,

nën retë e pluhurit kozmik dhe yjet e rinisë.”

Kjo është një lëvizje shpirtërore, një udhëtim që tejkalon dimensionet fizike dhe hyn në sferën e shpirtërores së pafundme. Kjo lëvizje ngjan me përshkrimet e Paskalit mbi zbrazëtinë e pafundme të universit dhe vetminë e njeriut përballë tij, ku thotë se: “Heshtja e përjetshme e këtyre hapësirave të pafundme më tmerron.” Por kjo heshtje vjen duke u përballuar me një përpjekje për t’i dhënë kuptim, për ta mbushur zbrazëtinë me prani poetike:

“Universi më kishte përpirë, por zëri im mbeti.”

Ku zëri, fjala, mendimi, janë mënyra për të ndriçuar zbrazëtinë dhe për ta kthyer atë në një kozmos të ndjeshëm poetik. Dy poezitë, “Jeta në vështrimin A” dhe “Jeta në vështrimin B”, formojnë një diptik poetik me tension dualist, ku poeti shqyrton dy mënyra të kundërta, aspak përjashtuese, të perceptimit të jetës. Këto dy poezi ofrojnë një pasqyrë filozofike e metafizike mbi përjetimin e ekzistencës njerëzore në raport me përmasat e padukshme që e rrethojnë.

Jeta në vështrimin A:

“Jeta ime me ëndrra dhe hije,

Si një lundër e vetmuar në det:

Asnjë far s’ndrit përpara,

Asnjë breg s’duket prapa,

Vela është grisur, direku është thyer,

Rremat pluskojnë tej, timoni është kalbur,

Si lundërtar i lodhur ulem dhe ofshaj,

Dallga e zemëruar rrokulliset ndanë saj.

Jeta nuk kthehet pas,

As nuk vonohet me të djeshmen,

Kur jeta ish e ëmbël dhe unë s’e dija pse,

E pambarim ësht’ jeta,

Më ngre si dallgë mua

A i ngjan ndriçimit mëngjesor,

Apo është e madhe për vështrimin njerëzor?” (f.150)

Jeta në vështrimin B:

“Jeta është për mua si kënga për laureshën.

Një gjethe që fluturon në krahët e erës…

Një plazh që e njeh duke notuar më thellë,

Një ndriçim mëngjesor që kërkon kthimin nga lindja,

Një vështrim njerëzor pa të cilin s’ka botë,

Ngjyrat dhe hijet si një e tërë e pandarë,

Nëpërkëmbjet e errësirës dhe vetëdija e pakufi

Janë mendimet, dhembjet, gëzimet e përpjekjes,

Një kacafytje lufte mes jetës dhe vdekjes.” (f.151)

Në të njëjtin univers poetik përfshihet edhe poezia “Lufta që s’e prisja”, ku poeti përplaset me realitetin brutal të luftës moderne. Këtu ndërthuren lajmi, tragjedia, ironia dhe filozofia, me një ton të ftohtë, por reflektiv, që vendos figurën e poetit në raport të drejtpërdrejtë me botën.

Poezia e Kosta Nakes vjen si një kozmologji e përjetimit njerëzor, ku universi është një sfond dhe një pasqyrë për vështrimin poetik. Duke lëvizur mes madhështisë së hapësirës dhe intimitetit të kujtimit, ai krijon një lirikë filozofike dhe ndjesore, që mund të lexohet si një hartë e shpirtit modern. Universi i tij nuk është thjesht jashtë, ai është brenda syve, brenda fjalës, dhe brenda dhembjes. Kjo përqasje e bën poezinë e tij jo vetëm të bukur, por edhe të domosdoshme për të kuptuar dhe për të interpretuar njeriun që kërkon kuptimin në universin tokësor dhe përtej.

(Përsiatje mbi librin me titull “Aortë Zemre” të Kosta Nakes, 2024)

Filed Under: LETERSI

“MËNGJESET E BOSTONIT”

August 6, 2025 by s p

Në botimin e një libri ndjej se ka gjithmonë probleme.

Të gjesh dikë që shkruan një parathënie më duket mision më i vështirë se ai i gjetjes së një oazi në Sahara. Të jesh një burrë i vërtetë nuk është çështje fjalësh por veprash. Është i vetmi personazh që kam shprehur kundërshti në ide në ndonjë rast dhe i vetmi që pranoi të shkruaj. Këtu qëndron lartësia e tij dhe unë jam një person që i nderoj shumë vlerat njerëzore.

Është Robert Martiko që më shkruan parathënien e dytë në vëllimin e ri me poezi “MËNGJESET E BOSTONIT”.

Pasi humbi gjithçka në ruletë, Dostojevski bëri një bast të fundit: ai vuri bast me një botues grabitqar se mund të dorëzonte një roman brenda një afati të shkurtër, ose do të humbiste të drejtat e botimit për të gjitha veprat e kaluara dhe të ardhshme. Kjo është historia se si Dostojevski e shkroi Kumarxhiun në vetëm 26 ditë.

Por Rexhep Shahu, botuesi i “Mëngjeset e Bostonit” është një shëmbull i shkëlqyer i bashkëpunimit në botimin e librit tim, e kundërta e botuesit të Dostojevskit.

Jo vetëm Kadare ka pasur një redaktore të rreptë dhe të shkëlqyer, por edhe unë kam fatin të kem një të tillë si Thomaidha Tanuçi.

Pjesë e kopertinës janë edhe kritikat dashamirëse dhe vlerësuese të Ilir Resnjes dhe Drita Ademit. Falenderim nga zemra gjithashtu.

Kopertina e bukur dhe e veçantë e librit është puna plot vlera e artistes së qytetit tim Farie Bisha.

Suksesin tim e ndaj me këta personazhe që kisha fatin të “vizatoja” librin tim të ri “MËNGJESET E BOSTONIT”.

Më poshtë parathënie nga Robert Martiko, një “Soren Kierkegaard” shqiptar.

PËRBRENDA EPOKËS QË NUK DËGJON: POEZIA SI NDËRGJEGJE QË REFUZON TË HESHTË

Ka poetë që ndërtojnë botë. Dhe ka poetë që kuptojnë çarjet e botës – ata që, si me stetoskopin e shpirtit, dëgjojnë ritmet e padukshme të një epoke që rrëshqet drejt harresës. Kastriot Fetahu është një nga të veçantët e kësaj kategorie të dytë: ai nuk e bën fjalën stoli, por mjet për të zbuluar të vërteta që zakonisht fshihen pas heshtjes kolektive. Në një kohë ku fjala gjithnjë e më shumë humbet peshën, ndërsa shpejtësia e imazheve na rrëmben kujtesën, poezia e tij shfaqet si një akt përballimi— një përpjekje për të gdhendur në ndjeshmëri atë që shoqëria moderne përpiqet të fshehë në harresë: pasigurinë ekzistenciale, shterimin shpirtëror, mungesën e thellësisë dhe dështimin e njeriut për të gjetur vetveten.

Te poezia “Beat Generation”, autori nuk merr pjesë në nostalgji për një brez, por shpalos një protestë të thellë ndaj boshllëkut moral, ideologjive të zbrazëta dhe kujtesës kolektive. Vargjet e tij janë një rrufe ndaj atyre që “e kanë injektuar varfërinë e shpirtit” dhe kanë braktisur filozofinë, letërsinë, dhe vetë jetën mendore, duke u kthyer në “gazela që votojnë për luanët”. Kjo poezi është anti-manifesti i të ndërgjegjshmit, i atij që ka parë nga afër shkatërrimin e idealit dhe nuk mund ta heshtë.

Në kontrast, poezia “Në Mëngjesin e Bostonit” është më e butë, por po aq goditëse. Nuk flitet thjesht për një mëngjes emigranti në një qytet të huaj, por për një përvojë të zbrazëtisë së bukur, ku gjithçka është moderne, e qetë, e sistemuar, por shpirti nuk gjendet. Kjo poezi përçon melankolinë e një njeriu të zhvendosur jo vetëm në hapësirë, por në kuptim. Bostonit i mungon ora e brendshme e poetit, ndërsa ai sheh veten të reflektuar në xhamin e tramvajit — si një siluetë që nuk është më e tij.

Ndërsa poezia “Retro”” është një rikthim në kohë, jo për t’u kthyer, por për të kuptuar se si forma e jetës ndërton thelbin e njeriut, përtej çdo ideologjie. Është poezia e kujtesës individuale, e ndjesive të vogla që dikur ishin gjithçka — monedha në telefonin publik, zëri i nënës, dashuria e parë, një birrë me miqtë në të shtunën e vetmisë. Poeti këtu nuk stilizon nostalgji, por e shndërron atë në dokument njerëzor, në dëshmi të një jete që ka ndodhur në trup, jo vetëm në mendje.

Në poezinë “Karusel”, gjithçka rrotullohet, por qendra është e palëvizshme. Është poezia e dashurisë, por jo si ndjenjë romantike — si formë përqendrimi të ekzistencës, si simbol i përhershëm i asaj që ndalon shpërbërjen në banalitetin e jetës së përditshme. Ai që dashuron është i përfshirë në një cikël të pandalshëm, por e di se pa një “gral” të brendshëm, rrotullimi është i kotë, i padrejtë dhe absurd.

“MEDIA” është ndoshta më e zymta nga vëllimi poetik i Kastriotit. Në vargjet e saj shprehet ideja se fjala e vërtetë është vrarë nga komunikimi masiv. Në këtë tekst, gazetaria, shtypi, dhe transmetimi janë kthyer në kanale pa shpirt, ku gënjeshtra, zbrazëtia dhe dhuna simbolike fshihen pas “ngjyrës së zezë në letër të bardhë”. Është një poemë për krizën e perceptimit kolektiv, për heshtjen si armë politike, për format e reja të mashtrimit që kalojnë përmes sinjaleve, imazheve, valëve — jo përmes fjalës së ndjeshme.

Është karakteristike se Kastrioti, në çka shkruan, nuk ndjek një rrëfim linear, as një ideologji poetike të caktuar. Por bashkon në to një përvojë të thellë shpirtërore, estetike dhe filozofike, që në thelb shtron të njëjtën pyetje: Çfarë ndodh me njeriun kur humb kontaktin me vetveten, me kujtesën dhe me të vërtetën e heshtur që e bën jetën të vlefshme?

Ky autor nuk është poet i fjalës së bukur, por i zhveshjes së saj nga zbukurimi, derisa të dalë ajo grimcë drite që na mban gjallë në mendime, edhe kur rrotullohemi në karusel, edhe kur pinim birrë në një qytet socialist, edhe kur ecim në Boston me mendjen e mbetur te gjethet e borzilokut.

Ky autor nuk është filozof në kuptimin teknik të fjalës, por poezia e tij zë vend aty ku filozofia e vërtetë fillon — në pyetjen themelore për përjetimin. Ai nuk argumenton, por përfton ndjesinë e së vërtetës si një përvojë e drejtpërdrejtë, jo si rezultat i mendimit logjik. Në këtë kuptim, ai ndjek natyrshëm, ndonëse në mënyrë intuitive, linjën fenomenologjike të Edmund Husserl-it dhe intuitën e kohës së Henri Bergson-it.

Kastriot Fetahu është i rrallë jo për temat që zgjedh, por për shikimin që i hedh realitetit: ai nuk ofron zgjidhje, nuk është didaktik, por vë përballë lexuesit mungesën e zgjidhjes, si një thirrje për ndërgjegje. Fjalët e tij nuk duan të bëhen dogmë, por shenjë se ende ka njerëz që e ndjejnë dhimbjen e kohës, që nuk e pranojnë rrjedhën pa i kërkuar kuptim.

Në një epokë ku “epoletat e heshtjes janë më të zhurmshme se fjalët”, ky poet dëshmon se poezia është ende forma më e lartë e reflektimit njerëzor, dhe se epoka – sado e shurdhër të duket – dëgjon. Dhe një ditë, ndoshta, do të kujtojë ata që folën ndryshe. Në një epokë që nuk do të dëgjojë, ai pëshpërit. Dhe poezia e tij bëhet provë se ende mund të ketë të vërteta që nisin nga brenda — dhe për këtë arsye, mbijetojnë.

Në përfundim, autori mund të konsiderohet një poet fenomenolog sepse ndjek të njëjtin itinerar të ndjeshmërisë: një shikim që nuk nxiton, një përqendrim mbi thelbin e dukurive, një intuitë përkohësie që nuk është mekanike por përjetimore. Dhe, mbi të gjitha, një besim i heshtur se edhe nëse epoka nuk dëgjon, poezia i flet asaj nga përbrenda.

Poezia e këtij autori është një akt qëndrese i brendshëm: nuk kërkon zhurmë, as duartrokitje, por mbetet si një ndriçim i fshehtë në një epokë që ka zgjedhur të mos dëgjojë. Jo ngaqë nuk mundet, por sepse e ka mësuar veten të jetojë në sipërfaqe, duke i shpërfillur rrënjët. E pikërisht aty futet poeti, si një lloj ndërgjegjeje që nuk ka për qëllim të predikojë, por të dëshmojë.

Në këtë frymë, autori nuk pretendon të ndryshojë botën, por të mos lejojë që bota të kalojë pa u ndjerë. Poezia e Kastriotit është rezistencë, jo revoltë; është gjurmë, jo shenjë tregu; është kujtesë në një epokë që nuk kujton — një përpjekje e heshtur për të mbetur njeri, edhe kur gjithçka të fton të jesh veç reflektim.

Në këtë mënyrë, ky poet pranë figurës së dëshmitarit, nuk shpik universin, por ndriçon brendësinë, siç ndodh kur një dritë e vogël në një dhomë të errët tregon format që gjithmonë kanë qenë aty, por s’i ka parë askush. Dhe kjo është fuqia e tij: nuk jep përgjigje — por ngul fjalën si një gjilpërë në ndërgjegje.

Sepse poezia, kur refuzon të heshtë, është forma më e thellë e dëgjimit.

Të lexosh poezitë e Kastriot Fetahut, nuk është thjesht një ndjesi që të krijon çasti i leximit, por pa e kuptuar as vetë, ndodhesh në një botë të thellë mendimi artistik, ndërtuar me metafora në mënyrën më të spikatur. Nuk kam hasur në botën shqiptare kurrë një krijues/ poet, me një botë kaq të madhe. Kam përshtypjen se Kastrioti ka lindur jo vetëm poet, por edhe njohës i madh i letërsisë botërore, dhe jo vetëm. Them me bindje të plotë se poezia e Kastriotit zë vend në majat e letërsisë.

Drita Ademi

Zvicër

“Mëngjeset e Bostonit” është një libër ku spikat vargu metaforik, informacioni kulturor, mendimi filozofik. Edhe pse ndihet fryma e poezisë anglosaksone e kryesisht e Bukovskit, sidomos në poezinë intime, autori ka konsoliduar stilin dhe individualitetin e tij, të dallueshëm prej disa autorëve të tjerë te ne dhe diasporë.

Ilir RESNJA

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT