• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ribotohet vepra studimore e intelektualëve të Malësisë së Gjakovës, Dodë Progni dhe Zef Doda, “Nikaj-Mërturi, Vështrim Historik (Ribotim), Geer 2024

August 30, 2025 by s p

Ky libër prej kohësh e kishte mbaruar tirazhin, për shkak të rëndësisë që prezanton, ai u ribotua nga pasardhësit e autorëve, z. Adrian Progni dhe Av. Sokol Dedndreaj .

Më poshtë një pjesë e shkëputur nga libri me autor :

Zef Dodë Dedndreaj

VITET E REGJIMIT KOMUNIST

Gjendja e rëndë ekonomike e krahinës

​Çlirimi i Shqipërisë e gjeti Nikaj-Mërturin në gjendje të vajtueshme ekonomike. Tmerret e luftës ishin ndjerë deri këtu. Gjithë djemtë e rinj qenë përfshirë në milici e ushtri. Të tjerët pas partive politike e angarish. Gjithë ato toka mbetën djerrë e tufat e bagëtive u shitën për bukën e gojës. Gjithë ato vite qenë ngjarje rrënqethëse që rëndonin mbi popullin e munduar. Vetëm gratë mbollën e korrën pa meshkuj. Lufta ishte vërtetë mjerim dhe shkatërrim për të gjithë. Kështu, siç qe kjo krahinë e izoluar, s’arrinte asnjëherë të qartësohej për ato që ndodhnin rreth e rrotull. Këtë zonë, çlirimi e gjeti të këputur, me strese pa gjë brenda. Fillimi i atij dimri 1944-1945 po vinte vërtet i trishtuar. Askush nuk kishte ta ndihmonte shokun, andaj kur janë keq të gjithë, eshtë mjerimi i vërtetë.

​Në ditët e para të dhjetorit 1945, një grupim i përbërë nga rreth 2000 forca nacionaliste, nga Mirdita, Dibra e Shkodra të udhëhequra nga Mark Gjon Markaj, Alush Leshanaku, Hasan Isufi, Halil Alia, etj., kaluan Dukagjinin dhe erdhën në Nikaj-Mertur. Në këto malësi të veriut, ata mendonin se mund te organizonin ndonjë qëndresë disa ditore, për t’u dhënë shkak anglo-amerikanëve të zbrisnin në vendin tonë dhe të evitonin vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Pasi qëndruan dy ditë në krahinë, ata iu drejtuan vaut të Fierzës për të kaluar në Iballe. Kolona e gjatë e këtyre forcave nuk arriti të kalojë Drinin dhe u drejtuan nëpër Geghysen, Gri, Lumi i Valbonës, Arvej. Në zonën e Krasniqes, këto forca hasën në rezistencë të armatosur prej popullit të kësaj krahine, të organizuar nga komandat e vendit dhe këshillat nacional-çlirimtare që ishin në atë kohë. Pas luftimeve që u zhvilluan, nga shkëmbi i Rajës deri në T’pla, shumica e këtyre forcave ishin shpartalluar. Halil Alia u vra, ndërsa pjesa që mbeti me Mark Gjon Markaj, A. Leshanakun dhe H. Isufin u drejtuan për në krahinën e Kukësit.

Masat represive dhe emigrimi politik

​Siç vërtetoi koha dhe ngjarjet e zhvilluara, Nikaj-Mërturi me Dukagjinin u gjenden në shënjestër të hakmarrjes politike të diktaturës që po nxirrte krye.

​Kjo zonë vërtetë nuk u afrua asnjëherë shpirtërisht me idealet e komunizmit për arsyet që dihen e që janë thënë. Kjo nuk do të thotë që ishin tradhtarë të kombit. Komunizmi i trembte, me ato që kishin mësuar prej vitesh. Ata nuk mund të pranonin të zhvisheshin nga idealet e tyre të traditës së besimit, të familjes, për të marrë një emër të pa fisëm, që njeh vetëm gjuhën e kërbaçit e të përuljes së dinjitetit njerëzor. Vetëm për këto arsye u ngritën në prag të çlirimit të parët në Shqipëri me armë në dorë (17-25 nëntor) kundër komunizmit. Pra, në një mënyrë gjithë këta malësorë qenë kundërshtarë politikë dhe për këtë mbahej mëria për t’i ndëshkuar në masë. Ishte një mëri e gjatë që ruhej brenda urrejtjes politike që nga koha e luftës, kur në këtë trevë nuk arriti asnjëherë Partia Komuniste të gjente atë mbështetje që i duhej. Në gjithë Dukagjinin vetëm një celulë partie, në Pepsumaj të Shoshit pat krijuar bërthamën politike, por që për tre vjet mbeti e izoluar, pa mbështetje të popullit. Këto ishin shkaqet e njohura që kjo zonë kishte filluar të ndjente hakmarrjen komuniste.

​Shumë malësorë, qysh ditën e parë morën arratinë nëpër male. U bënë banorë të shpellave. Ishte gjë e trishtë, por edhe e turpshme ta festoje fitoren e çlirimit si kaçak shpellash në borë e cikmë. Partia me atë shpirt jotolerant, kur duhej t’i falte kundërshtarët politikë i kërcënonte me hakmarrje, burgje, tortura, persekutime dhe format më të rënda të luftës klasore mbi gjithë familjen e farefisin, deri në pesë breza. Kështu qe filluar hakmarrja e egër. Ishte ajo psikozë tiranësh që edhe ata nga më të egrit i janë trembur përherë popullit, i cili nuk vdes kurrë në tokën që i ka dhënë gji si foshnjë.

​Pas thirrjes për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, mbetën me dhjetëra kaçakë ta shtynin dimrin e egër nëpër male. Këta ishin nacionalistët antikomunistë, me bajraktare e pari që kishin rrokur armët që në luftën e Qafë Kolçit. Nuk kishte tmerr më të madh se sa të jetosh gjallë gjithë një dimër shpellave, duke pritur gjithë ato rrethime vandale, duke iu rezistuar gjithë atyre përpjekjeve që përfundonin me gjak mbi ata të ndëshkuar që po vdisnin edhe nga uria. Gjithë këto masakra makabre u bënë legjendë për një popull malësor që po vuante hakmarrjen e çmendur, me mizori që ushtrohej me kryeneçësi nga qeveria e komunistëve.

​Dukagjini me fillimin e pranverës qe mbushur me forca të tjera terrorizuese dhe me disa brigada komplete që lanë zë të kobshëm. Me shpejtësi të rrufeshme qenë ngritur gjithë ato komanda me partizanë vendas me reparte shëtitëse, si dhe një forcë tjetër vullnetare që komandohej nga qendra e rrethit Kodër Shëngjergj. Por tani kishin filluar të vinin edhe forca të divizionit të Mbrojtjes së Popullit e aktivistë të sigurimit të shtetit. Gjithë këto forca për të gjunjëzuar një popull të varfër, por patriot, vuante nga uria e nga hallet që e kishin mbuluar kryekëput.  Këtu do të vinin edhe ata që bënin politikën, flisnin si engjej, premtonin parajsën që do të vinte jo nga zoti, por nga komunizmi.

​Për qeverisjen e krahinës, në krye të këshillave nacionalçlirimtare dolën ata që nuk kishin jetuar kurrë si njerëz, ata që s’kishin mbathur kurrë një palë opinga. Si rrjedhojë, ashtu siç erdhën në krye të masave, ashtu do të vinin edhe “sukseset e një përparimi” fatal. Kryetarë të tillë këshillash i jepnin shtetasit më shumë se çfarë kërkonin, angari, ushtarë, detyrime, ndërsa hallet zgjidheshin me gram.

​Edhe ashtu siç qe katandisur, ky popull o tregua heroik. Ai ndihmoi kaçakët e malit për ta kaluar dimrin e mundimeve, duke pasur kokën në torbë e kërbaçin te koka. Ai do të fshihte me kujdes edhe shumë partizanë, të dezertuar nga repartet e ndryshme të vendit. Ai do të ndihmonte gjithe ato familje që kalonin fatkeqësi apo që kishin mbetur pa meshkuj e krahë pune brenda.

​Kur shpresohej se ishin larë hesapet dhe pritej t’i viheshin punës, po qe se donin të rronin, papritur natën e 5 marsit 1945, erdhi brigada e XI-të Sulmuese prej 4 batalionesh, që vinte me urdhër special nga Divizioni II i Shkodrës, për një operacion ndëshkimor në disa zona të Shqipërisë Veri-lindore. Pasi kishin përshkuar zonën e Shllakut, Dushmanit e Toplanës, u derdhën nëpër Nikaj-Mertur si llavë. Populli u zu ngushtë si mos më keq. Të dalë nga dimri i rëndë u duhej të ushqenin 4 batalione për 15 ditë me radhë, të ngriheshin e të shkriheshin orë e çast nga raprezaljet që s’dinin sa kohë do të zgjasnin, sa herë do të prisnin nëpër shtëpitë e tyre kontrolle për armë të fshehura apo sa herë do të thirreshin për t’u pyetur për gjëra të rrezikshme, duke i kërcënuar e torturuar me kërbaç, vezë të ziera në sqetull e këmbë të rrahura me rrip pushke.

​Kjo qe situata në Nikaj-Mertur për 15 ditët e marsit. Me Brigadën kishte ardhur vetë komandanti i Divizionit Ndreko Risi i cili e vuri selinë e tij në shtëpinë e Mark Nikut në Lekbibaj.

​Falenderim e respekt për këtë burrë fisi që ndërhyri aq herë me guxim të shpëtonte me shpirt viktimat. Shtabi i brigadës XI-të Sulmuese qe vendosur në Shëngjergj në Shtëpinë e Ndue Sokol Zenelit. Kohë me aq telashe, vështirë se mund të gjeje. Që të nesërmen e ardhjes së Batalionit të 1, në fshatin Salcë do t’i dilte flaka shtëpisë së kryetarit të Ballit Gjelosh Nosh Progni, i cili po atë mbrëmje, u arrestua, u dërgua për pushkatim por, arriti t’u ikte nga duart.

​Në pak ditë u grumbulluan me dhjetëra armë të nxjerra “me hu” dhe u dërguan në depon e Kodër Shëngjergjit. Në Nikaj-Mertur gjatë kësaj kohe, vepronin disa çeta nacionaliste antikomuniste. Ndër këto, më e njohura ishte çeta e Nik Sokolit e cila ndiqej nga forcat e ndjekjes dhe që ra disa herë në përpjekje me to. Kjo në vitin 1946 përbëhej nga 18 vetë, midis të cilëve ishin, Mark Tunxhi, Gjelosh Noshi, Pjetër Mehmeti, Shpend Sadiku, Fran Ukshini, Mark Sadiku, Zef Binaku, etj. Për hakmarrje politike u pushkatuan që ditën e dytë të ardhjes së operacionit, Smal Qerimi i Kapitit, në oborr të shtëpisë së vet kur doli t’i priste si miq. Po atë natë do të merrej në shtëpinë e vet Halil Çuni i Lekbibajve dhe do të pushkatohej në përrua të Ndërzhushit. Tre ditë më vonë, pas torturash satanike do të pushkatohej pasi të binte në gropë Isuf Sejdia i Shëngjergjit. Po sa të tjerë mbetën të gjymtuar e të lënduar nëpër dy qendrat e hetuesisë së Brigadës së operacionit, ku pati edhe gra të rrahura e të shkulura flokësh. Ky qe fati i asaj zone gjatë operacionit në shtetrrethim. Kjo qe trauma më e madhe e deri atëhershme. Dukej se për ta ende s’kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. E megjithatë, ajo zonë atyre ditëve do të dëgjonte gjithë ato konferenca politike ku flitej me afsh edukues para këtyre të martirizuarve. Po ky operacion do t’i jepte fshesën gjithë zonës, në ditën e fundit të tij duke mbledhur popullin për çdo fshat dhe duke nxjerrë me gisht gjithë djemtë që kishin mbetur në shtëpitë e tyre për t’i përfshirë ushtarë të detyruar. Kjo qe përshëndeja e fundit me atë popull fatkeq që mbeti thuajse vetëm me gra.

​Edhe pas operacionit ndëshkimor to Brigadës XI-të Sulmuese, masat respresive nuk do të pushonin. Në pranverë të vitit 1946, qe dukur se ngritja e komisionit të pajtimit te gjaqeve, me burrat e vendit, sipas traditës, do të ishte një kthesë që ndillte paqe e mirëkuptim. U pajtuan gjithë ato gjaqe që në mbarë Dukagjinin dhe Nikaj-Mërturin. Në votimet e 2 dhjetorit 1945, për deputetët e parë të Asamblesë Kushtetuese, qe shpallë rezultati 100%, në një kohë kur kishte shumë kundërshtarë politik brenda popullit votues. Edhe zona e Nikaj-Mërturi votoi profesor Kolë Prelën, një intelektual nga Dukagjini, me reputacion e kulturë, i vetmi që ngriti celulën e Partisë në Pepsumaj të Shoshit. Qënia e këtij përfaqësues i popullit ishte nje avantazh për zonën e për gjithë Dukagjinin. Ai mund të bënte shumë punë për ta ndihmuar, pasi nuk i mungonte vullneti dhe dashuria për këto male, Për Kolë Prelën, filluan të dyshonin si nacionalist dhe nuk qenë matur shumë t’i hiqnin mandatin, ta burgosnin dhe ta pushkatonin me grupin e deputetëve. Dukagjini mori një plagë të rëndë, por nuk guxoi të shprehte as indinjatën më të vogël për birin e vet. Partia kishte qëlluar në shenjë në dëm të nacionalistëve. Dukagjini përsëri mbetej i padëshirueshëm për Partinë. Lufta do të vazhdonte për sa kohë që nuk do të gjunjëzoheshin. Në vitin 1946, në rrugë djallëzore, Partia kishte përgatitur listat e zeza për arrestimet urgjente të nacionalistëve.

Së pari, u arrestua kreu i organizatës së frontit për rrethin e Dukagjinit, ish-strehuesi i celulës së Partisë gjatë luftës dhe gjak (fis) i Kolë Prelës, Gjelosh Lushi, i cili, i akuzuar për tradhëti, pa asnjë bazë u pushkatua pas një gjyqi të shkurtër me dyer të mbyllura. Fill pas kësaj do të arrestohej kapiten Gjon Vata nga Breg Lumi i Shalës, duke pësuar të njëjtin fat, vdekjen pas torturash mizore. Tani radha ruhej për dy bajraktarët e Shalës e Shoshit, Kolë Ndou me gjithë nip, e Lulash Gjeloshi, djali i të cilit qe pushkatuar dy muaj më parë me grupin e fretërve në Shkodër.

​Atë ditë pranvere patrullat e shërbimit rendën me vrap që në mëngjes të arrestonin gjithë grupin brenda një ore të caktuar: Kolë Ndoun, Prelë Markun, Zef Nikën, Lulash Gjeloshin, Lek Vojvodën e Gjon Sokolin e Salcës. Arrestimet nuk patën sukses. Prel Marku, nipi i bajraktarit, ish-anëtari i Gjykatës së Rrethit, u shpëtoi duke u arratisur midis breshërisë së plumbave. Bajraktari i Shoshit u arratis rrugës në pyll të Shoshit, pasi nipi i tij, Bek Delia, vrau tre partizanët e patrullës. Lek Vojvoda, ish-oficer me akademi u arratis edhe ky në pyll të Shoshit duke i ikur nga duart nën/shefit të sigurimit Xhemal Selimi. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në gjithë Shqipërinë. Në Dukagjin nuk ndihej e sigurt Partia. Tani gjashtë burra të tjerë të bajraktarit të Shoshit, të dalë në mal duke lënë pas gratë e fëmijët dhe shtëpinë e djegur kishin vendosur të bënin rezistencë deri në vdekje.

​`Të arrestuarit e tjerë, pas torturash, u dënuan shpejt e shpejt: Kol Ndou me burgim të përjetshëm, Zef Nika me pushkatim, por përsëri burgu i Kodër Shëngjergjit priste kurbanë të rinj. Atje do të torturoheshin për vdekje Sokol Pali i Rajës dhe Zog Mala i Mollës së Shoshit. Të dy vdiqën brenda qelisë dhe të dy i hodhën në përroin e kishës, ku pas ca kohe i kishte nxjerrë stuhia nga rëra që i kishte mbuluar. Në atë burg do të shkonte edhe Sylë Martini i Markajve të Mërturit, një nacionalist e derë patriotësh, që u torturua si Krishti e vdiq para turmës së popullit të Dukagjinit nga plumbat e xhelatit Xhemal Selimi. Këto represione të tmerrshme çuan në rritjen e numrit të të arratisurve politikë nacionalistë dhe grupimeve që luftonin dhëmb për dhëmb me komunistët. Këto masa ekstreme çuan në prishje të qetësisë publike dhe rënie ekonomike, e cila u izolua me kufizime të kohës në punë, ku secili detyrohej të kthehej me orar në shtëpi. Ishte kohë kur secili përballej me halle, me dhimbje, me strese. Ushtarakë të të gjithë armëve do të takoje në rrugë, në mal, pas derës së shtëpisë duke përgjuar. Çdo krismë pushke alarmonte gjithë popullin që detyrohej të rendte në ndihmë të forcave të ndjekjes.

​Kështu ndodhi në Curraj Epërm, në vitin 1947, kur çeta e Nik Sokolit qe strehuar në mes të fshatit në një stan dushku. Spiunët kishin informuar. Kur arritën forcat e ndjekjes pas tri orë rrugë, e gjetën stanin në rrethim nga pushkatarë civilë. Lufta nisi ndaj të errur dhe çeta nuk dorëzohej. Forcat e ndjekjes i vunë zjarrin çatisë, kasollja mori flakë dhe çeta u detyrua të dilte nën rrebeshin e plumbave. Në oborr mbeti i vrarë Pjetër Mehmeti.

​Pjetër Mehmeti, i biri i Mehmet Shpendit të Shalës, ashtu si paraardhësit e tij, ishte burrë trim, atdhetar i flakët dhe besnik i idealeve të nacionalizmit shqiptar. Në Nikaj-Mërtur, ku punonte si tregtar, kishte shumë miq e shokë, burra të njohur të kësaj krahine si: Mark Tunxhi, Gjelosh N. Progni, Mark Shytani, Shpend Sadik Bushati, etj.

​Në vitin 1942, bëhet anëtar i Partisë “Balli Kombëtar” dhe që nga ajo kohë, sekretar i kësaj Partie për Nikaj-Mërturin. Punoi me të gjitha forcat për propagandimin e programit (dekalogut) të Ballit dhe për shtimin e radhëve të Partisë me elementë nacionalistë. Ishte njëri nga organizatorët dhe luftëtarët më të dalluar të qëndresës antikomuniste të Nikaj-Mërturit, në nëntor 1944. Si antikomunist i vendosur që ishte, u bë njëri nga kundërshtarët më të rreptë të regjimit komunist që u vendos në Shqipëri. Për të mos rënë në duart e komunistëve, në vitin 1944 doli malit dhe në vitin 1946, me 18 antikomunistët më të njohur të krahinës, formuan çetën antikomuniste të komanduar nga Nik Sokoli. Gjatë gjithë 18 muajve, që qëndroi në çetë, ra disa herë në përpjekje me forcat komuniste të ndjekjes. Në përpjekjen e Qafës së Kolçit, shtator 1946, me guximin e trimërinë që e karakterizonte, u turr drejt kundërshtarëve me bomba në duar, çau rrethimin prej 200-300 forcash komuniste, duke shpëtuar çetën nga asgjësimi. Ai kishte dhënë besën e burrave se “i gjallë nuk do të binte në duart e komunistëve”. Dhe këtë besë e mbajti.

​Në vitin 1947, çeta e tradhëtuar nga të pabesët, u gjend e rrethuar në Curraj të Epërm. Në përpjekje për të dalë nga rrethimi, mori disa plumba në gjoks. Në çastin e vdekjes, gjeti forca për t’i thënë mitralierit dhe shokut të tij të çetës, Mark Sadiku: “ Merri dokumentat që kam në xhep! Ec përpara! Dhe mos e ndal mitralozin se unë po vdes pa ra në dorë të komunistëve.”

​Gjatë gjithë vitit 1946, zona e Nikaj-Mërturit mbeti në shtetrrethim. Askush nuk mund të largohej nga fshati i tij pa lejen e këshillit popullor. Askush nuk guxonte të lëvizte natën pa pishë, as të ujiste arën e bukës, as të kërkonte bagëtinë e humbur, as për halle të tjera. Jeta qe paralizuar si në kohë lufte. Vetëm forcat e ndjekjes mund të lëviznin ngado e kurdo. Gjithë ditën flinin malit dhe gjithë natën ruanin pritave. Propaganda qesharake, se sakrifikonin kështu për të ruajtur qetësinë e popullit, ishte vetëm një bllof. Nuk i thuhet babait se ta vramë djalin që të kesh siguri jete. Absurditet i neveritshëm. Nuk i thuhet popullit se i qëruam klerikët për t’u shpëtuar nga Zoti. Katër kisha meshe kishte Nikaj-Mërturi me katër fretër, nga të cilët dy u pushkatuan dhe dy u dënuan me nga 20 vjet burg. Askush nuk guxoi të festonte një natë feste shenjtori. Përgjimtarët e natës ta çonin rrezikun në shtëpi. Ishte koha e larjes se hesapeve. Po me cilin laheshin këto hesape? Me atë ajkë të kombit, që me djersë dhe sakrifica të mëdha, mësuan e studiuan nëpër universitetet e Europës, për t’u kthyer një ditë në Atdhe, t’i jepnin vendit kulturë e përparim. Jo pa qëllim qenë ngritur në poste drejtuese analfabetët, jo pa qëllim i qe dhënë komanda klasës punëtore të mbyste inteligjencën, ta fundoste në llucë gjer në gju, kurse ata gajaseshin së talluri me ta. Nga depot i morën armët dhe i fshehën tinës pas altarit të shenjtë, pastaj shkuan e i gjetën vetë ku i kishin vënë. Për këtë “faj”, 6 fretër të pafajshëm do të burgoseshin dhe do të diskreditoheshin institucionet fetare. Me këtë rrugë mashtruese shkuan edhe shumë të tjerë që u pushkatuan pas pretendimit se nuk i dorëzuan armët. Procesi i armëve mbeti procesi më i gjatë e më i ndërlikuar. Ajo plagë nuk diti të mbyllet kurrë. Në kujtimet e hidhura do të mbetej operacioni masiv i Dukagjinit dhe i Nikaj- Mërturit në fund të vitit 1946.

Me 18 shtator të vitit 1946 komunistët mblodhën gjithë burrat e krahinës së Nikaj-Merturtit, te Kodra e Bek Selimit, në Lekbibaj. Të rrethuar me forca të shumta ushtarake, që mbanin në duar pushkë, automatikë dhe mitraloza, mbi burrat u bë një presion psikologjik i rëndë. Kishin apo nuk kishin armë, atyre u kërkohej dorëzimi i tyre. Në këtë tubim, në mënyrë çnjerëzore u soll Majori Musa Daci dhe xhelati Xhemal Selimi. Ata morën disa nga malësorët dhe i pushkatuan. Fetë Sadik Gjolin nga Palçi dhe Uke Çunin nga Tetajt i pushkatuan përpara syve të gjithë pjesëmarrësve. Disa të tjerë i dërguan prapa një kodre dhe pasi i terrorizuan me breshëri automatiku, i dërguan në burg. Fetë Sadiku dhe Mark Çuni ranë si trimat përpara burrave të Nikaj-Mërturit, që u ziente gjaku i urrejtjes kundër komunizmit. Kështu e njohu Nikaj-Mërturi komunizmin. Ato ngjarje makabre mbetën përgjithmonë në kujtesën e popullit të Nikaj-Mërturit.

​Ngjarjet politike të vitit 1948, ndërprerja e marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, pati pasoja edhe në Nikaj-Mërtur. Nga njëra anë u rrit presioni mbi popullsinë, shumë fshatarë u akuzuan, u përndoqën dhe u burgosën për lidhje me kaçakët dhe, nga ana tjetër, u krijuan shanset që çetat antikomuniste, të cilat qëndronin maleve, të kalonin kufirin për t’u strehuar në Jugosllavi. Megjithëse propaganda komuniste kërcënonte se, shkelja e kufirit do të quhej tradhti kundër atdheut, arratisjet filluan kudo. Në Nikaj- Mërtur, të parët që u arratisën përtej kufirit ishin çetat nacionaliste të Nik Sokolit dhe Mark Tunxhit, të cilat kishin qëndruar në mal që nga viti 1946. Më pas numri i të arratisurve do të rritej nga viti në vit. Gjatë viteve 1949-1960 u arratisën një numër i madh malësorësh të pakënaqur nga regjimi. Midis tyre ishin: Gjon Balë Progni, Marash Tush Progni, Bub Matosh Dedndreaj, Pal Cekë Dedndreaj, Mirash Ukë Dedndreaj, Zef Deli Lekndreaj, Ndue Noshi, nga Salca; Zef Binak Geci dhe Zojë Geci nga Palçi; Zef Sadria, Zef Kadria, Ndue Qerimi, Kadri Ceca, Pjetër Zmali, nga Gjonpepaj; Nik Sokoli, Zef Zogu, Ramë Sokoli, Dike Bnakja, Gjelosh Nika, nga Bëtosha; Mark Tunxhi, Dedë Qerimi, nga Shëngjergji; Kolë Ademi, Ndue Ademi, Mark Ademi, Zojë Ademja, Mark Çuni, Gjelosh Çuni, Prelë Ademi, Ndue Adem Geci, nga Curraj Epërm, Gjelosh Çuni, Mirash Ndou, nga Tetaj: Mark Alia, Shpend Sadiku, Nike Delia, nga Lekbibaj: Marash Kola, nga Poraj: Pashk Ademi, Pjetër Kukaj, File Zmalja, nga Raja.

​Kundër familjeve të të arratisurve, u morën masa të ashpra dhe represive, sekuestrimi i pasurisë dhe internimet e të gjitha familjeve të të arratisurve, pa kursyer as nënat me fëmijët e vegjël e deri tek plaka, Sut Makja e Salcës, që kur e nisën për rrugë kishte mbushur plot 80 vjet. Në këtë vazhdë internimesh do të përfshihej edhe bajraktari i Mërturit, Tunxh Miftari, në moshën 85 vjeçare, i cili qe dërguar në Tepelenë bashkë me gruan e djalit të arratisur dhe dy nipat e vegjël.

Filed Under: LETERSI

Ali Podrimja, poeti që e ktheu dhimbjen në këngë dhe lirinë në varg

August 28, 2025 by s p

Albert Vataj/

Sot, në ditëlindjen e Ali Podrimjes, kujtojmë poetin që ktheu dhimbjen në këngë dhe heshtjen në kushtrim.

Ai çliroi poezinë shqipe nga prangat e rregullave, duke i dhënë vargut lirinë që i mungonte atdheut të tij.

Në çdo fjalë të tij ndjehet gjaku i Kosovës, në çdo metaforë jehon një popull që jetonte me vdekjen, por vdiste për të jetuar ëndrrën e lirisë.

Poezia e tij nuk mbyllet me jetën, por ndizet si flakadan në amshim, për të na kujtuar se fjala është arma më e fortë e shpirtit.

Ali Podrimja mbetet poeti i zashmërisë së trajtave të epjes së shpirtit. Zëri dhe pena, zemra dhe poezia e tij, u shndërruan në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir qe dhe mbeti, deri në frymën e fundit, tharmi i këngës që Podrimja dinte ta këndonte edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrrën e tij. Ai kushtroi me zë shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dhuroi krahët e atij zogu të plagosur, të ngritur në kungim rënkues.

Podrimja na kujton se e rreshtoi kumtin e tij për të çliruar poezinë shqipe nga disa rregulla tradicionale, si vargu i thurur, apo përmbajtjet apologjike e brohoritëse të poezisë së pasluftës. Ai kreu një përpjekje titanike duke vendosur parime të reja krijuese: vargun e lirë, shqiptimin metaforik, gjuhën e ironisë, efikase për të shprehur zonat më të errëta dhe të fshehta të natyrës njerëzore. Synimi i tij për t’u strehuar pas reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxori në plan të parë mesazhin, dhe më pas atë pjesë të vlerës artistike që arrihej përmes ritmit dhe euforisë.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, u pranua dhe u vlerësua për koloritin e saj të veçantë, për botën shpirtërore me individualitet të formuar e të dallueshëm. Botimin e parë e bëri në vitin 1957, në revistën letrare Jeta e Re, kur ishte ende gjimnazist. Rrethanat e vështira politike të viteve ’60 dhe tragjeditë familjare më pas, lanë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e tij. Humbja e djalit, Lumit, u sublimua në veprën e tij më të bukur, Lum Lumi.

Poezia e Podrimjes e ngjiti poezinë shqipe në një nivel të ri respekti, duke e bërë të pranohej e të përkthehej në shumë gjuhë të botës. Vargu i tij karakterizohej nga thjeshtësia, rima e padukshme dhe simbolet e papritura. Në gjithë rrugëtimin e tij krijues, Podrimja i dha zë asaj që i gufonte në shpirt, duke e qartësuar rrugën e një poeti të madh. Ai nuk nguroi kurrë ta thoshte fjalën e vet dhe të ishte aty ku sofra e poezisë kishte shtruar zemrat dhe metaforat. Sot, kur ai mungon në këto sofra, kumti i tij, që u ngjiz me tharmin e një shpirti të paepur do të mbetet i gjallë në amshim, duke ushqyer thirrjet për liri, dashuri dhe devocion.

Filed Under: LETERSI

Poezia dhe Piktura: Estetika e Figurës tek Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu

August 27, 2025 by s p

Studim letrar nga Rafael Floqi

Pjesa II

Mihai Eminescu - Wikipedia

Panteizmi si mjet ilustrimi

Panteizmi është perceptimi që sheh shpirtin hyjnor në të gjithë natyrën. Në poezinë e peizazhit, ai: Ndërthur natyrën me shpirtin, ku liqeni, mali ose qielli nuk janë thjesht objekte, por simbol i shpirtit dhe i pafundësisë. Krijon unitet estetik: natyra dhe njeriu nuk janë të ndara, dhe lexuesi e ndjen peizazhin. Intensifikon metaforën: një liqen mund të “qeshë”, një pyll mund të “flasë”.

Lasgushi: Liqeni i Ohrit dhe kodrat përreth përshkruhen me ndjeshmëri panteiste.

“Liqeni qeshi nëpër hënë,

Yjet u hodhën valle mbi valë.”

Eminescu: Tek Lacul, liqeni dhe pylli shndërrohen në hapësira kozmike që flasin me ndjenjat dhe reflektimet e poetit.

Dialogu Lasgush–Eminescu

Ngjashmëritë mes tyre: Natyrë e personifikuar: Liqeni që “qesh” te Lasgushi; ylli që “zbret” te Eminescu. Reflektim metafizik: Natyra është pasqyrë e shpirtit.

Struktura piktorike: përdorimi i dritës, ujit, yjeve për të ngritur tablo lirike.

Dallimi: Lasgushi vizaton hapësira të kufizuara (liqeni, mali, fusha), ndërsa Eminescu vizaton kozmosin dhe pafundësinë. Por të dy shndërrojnë peizazhin në ikonë poetike. Po ashtu Wordsworth: Natyrën e sheh si pasqyrë të shpirtit dhe vend reflektimi moral. Peizazhi dhe ndjenja ndërthuren si te Lasgushi. Kështu, Lasgushi dhe Eminescu lidhen me traditën europiane të poetëve vizualë, duke e zgjeruar konceptin e poezisë si pikturë dhe pikturës si poezi.

Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Ay ndaj fundesh u perflak

Posi me zjarr e me flori.

posi me flake u ndes e kroj,

E vetetiti plot magji,

E ylli i ditës perëndoj

Në qetësi dhe dashuri

Tashi po shuhet nene mal

Qytet’i ngrysur ne zi.

Po ndizen yjte dal-nga-dal

Plot bukuri! plot fshehtesi!

Në këtë çast perëndimor,

Ndaj po me dehen syte e mi,

Kuptoj si shpirtin vjershetor

M’a frymezon nja mall i ri.

1. Struktura dhe ritmi

Poezia është e ndarë në katër strofa, secila me katër rreshta.

Ka një ritëm të lirë, pa skemë fikse metrike, që i jep një ndjesi spontane dhe meditimi natyror.

Përdorimi i përsëritjeve të figurave natyrore (zjarr, flakë, yje, liqer) krijon një ritëm vizual dhe emocional.

2. Imazhet dhe simbolika

“Mi zall të pyllit vjeshtarak” – fillimi ngre një imazh të natyrës në vjeshtë; vjeshta shpesh simbolizon kalimin e kohës, reflektimin dhe ndjesinë e largimit ose humbjes.

“Dremit liqeri pa kufi” – liqeri i qetë dhe i pafund sjell ndjesinë e pafundësisë dhe të brendshmeve të shpirtit poetik.

“Posi me zjarr e me flori” – flaka dhe flori janë metafora të pasionit, ndriçimit dhe bukurisë së natyrës në perëndim.

“E ylli i ditës perëndoj” – simbolizon fundin e një cikli, përfundimin e diçkaje dhe qetësinë që pason.

3. Ndjenja dhe gjendja shpirtërore

Poezia kalon nga vëmendja për natyrën në një reflektim të brendshëm. Poetja/poeti përjeton një ndjesi “malli i ri”, që lidhet me frymëzimin e shpirtit.4. Lidhja mes natyrës dhe shpirtit

Poezia e përdor natyrën si pasqyrë të shpirtit. Çdo fenomen natyror (zjarr, flakë, yje) reflekton emocionet e brendshme.

Mbarim Vjeshte

Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë 

Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me deborë 

Iku rënd’ e i përmallshëmë, dhe me sqep të ri të fortë 

Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë… 

Pra, më s’duket shpes’i fatit prapa bujqësh dhe plorësh, 

Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe maloresh; 

Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë, 

Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë. 

Dher-i i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë, 

Fryn veriu në pyll të thatë me zemrim e me fërtymë, 

E si shtohet cingërima… Ja! Se ku dinak dh’i voçrr… 

Nëpër gardh-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr !… 

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë, 

Kur bariste dal-nga-dale, – posi dhëndër me kurorë!… 

E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar, 

Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!..

Natyra ka qenë gjithmonë një burim i pashtershëm frymëzimi për poetët. Ajo jo vetëm pasqyron bukurinë fizike të botës, por shpesh shërben si pasqyrë e ndjenjave dhe përjetimeve të brendshme të individit. Poezia e tregon qartë lidhjen midis natyrës dhe shpirtit të poetit: natyra është pasqyrë e emocioneve, burim reflektimi dhe frymëzimi, ndërsa ndriçimi i yjeve, flaka e perëndimit, dhe qetësia e liqerit lidhen ngushtë me ndjesitë e brendshme.

Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu jetuan në periudha të ndryshme, por të dy u ndikuan nga romantizmi dhe një përkushtim i thellë ndaj natyrës. Eminescu shpesh përqendrohet në simbole metafizike dhe nostalgji të kohës së shkuar, ndërsa Poradeci shfaq një përqendrim më të fortë në peizazhin dhe emocionin e drejtpërdrejtë. Krahasimi i tyre lejon të kuptohet se si perceptimi i natyrës dhe emocioneve ndikonte në mënyrën se si figura artistike bëhet simbol i përjetësisë.

Poezia si art sinkretik , Poezia “Poradeci”

PORADECI 

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir  

Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.  

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,  

Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:  

Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…  

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…  

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…  

Zotëroj më katër anë errësira…  

Po tashi:  

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,  

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

Kjo poezi e Lasgush Poradecit është një peizazh poetik, ku fjala bëhet njëkohësisht pikturë dhe muzikë. Po ta analizojmë në këtë prizëm:

1. Poezia si Peizazh Lirik

Lasgushi ndërton një peizazh të gjallë, i cili nuk është thjesht fotografi e natyrës, por një gjendje emocionale. Liqeri i Pogradecit shfaqet në muzg si një hapësirë e pafundme, ku drita shuhet ngadalë. Poezia është një përthithje e qetësisë, melankolisë dhe intimitetit me natyrën.

“Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije…” – ky varg është tipik pejzazhi romantik: natyra është e përthyer nga një ndjenjë e brendshme, një projektim i shpirtit të poetit mbi hapësirën.

2. Poezia si Pikturë

Lasgushi e koncepton peizazhin si një tablo impresioniste. Ai nuk përshkruan me detaje të mprehta, por me ngjyra të vagëlluara dhe kontraste të buta:

 “pluhúrë si një hije” – drita shpërndahet si mjegull në një kanavacë të gjerë.

 “shkrumb’ i natës që po bije” – pikturë me tone të zeza, si brushë e Turner-it kur pikturonte muzgjet dhe stuhitë.

 “shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë” – një detaj i vetëm, i gjallë, që sjell dramën në një hapësirë ndryshe të qetë.

Në këtë aspekt, Lasgushi është më pranë Claude Monet sesa një peizazhist realist: ai e sheh natyrën në vagëllim, në shpërhapje ngjyrash, jo në vijëzime të sakta. Tabloja nuk është statike, por një lëvizje e dritës.

3. Poezia si Muzikë

Vargu i Lasgushit rrjedh me një melodi të brendshme. Ka një ritëm të ngadalshëm, njësoj si një nokturn i Chopin-it apo si një prelud i Debussy-t:

Zgjedhja e zanoreve të mbyllura (i, u) jep një tonalitet të heshtur, të butë.

Ritmi i vargjeve të gjata ngjason me valët e liqerit që prehen në muzg.

Poezia përfundon me Drinin plak – një “akord bas” që mbyll simfoninë e natës.

Këtu Lasgushi bën atë që quhet muzikalizim i peizazhit: natyra nuk shihet, por edhe dëgjohet, përjetohet si një harmoni tingujsh.

Krahasimi me Mihai Emineskun

Eminesku, i cili për Lasgushin ishte “Poeti i Madh i Përjetësisë”, krijon shpesh peizazhe të natyrës ku qielli, uji dhe muzgjet shndërrohen në simbole metafizike. Krahasimi më i qartë është me poezinë “Luceafărul” (Ylli i Mbrëmjes) dhe “Mai am un singur dor” (Kam edhe një dëshirë të vetme).

Të dy poetët shohin në natyrë një pafundësi kozmike: te Lasgushi është liqeri pa kufi, te Eminesku është deti dhe qielli i yllëzuar. Ngjyrat e muzgut te të dy janë melankolike, vagëlluese, metafizike.

Muzikaliteti i vargut është thelbësor: Eminesku përdor një ritëm himnor, ndërsa Lasgushi një ritëm elegjiak, më të brendshëm. Dallimet, Eminesku priret drejt metafizikës kozmike: yjet, përjetësia, pafundësia e kohës. Lasgushi është më tokësor e intim: për të, liqeri, mali dhe katundi janë vend i shpirtit të vet, një përjetësi e brendshme shqiptare.

Eminesku vizaton madhështinë e universit, Lasgushi përthith qetësinë e jetës së përditshme, por e transfiguron në përjetësi.  

Pra, mund të themi: Lasgushi është Eminesku i Liqerit, ndërsa Eminesku është Lasgushi i Yjeve.

Konkluzion 

Poezi – Pikturë – Muzikë në Sintezë

Poezia është një tablo impresioniste që vizaton muzgje të vagëlluara. Është njëkohësisht një kompozim muzikor, ku ritmi i vargjeve ngjan me një prelud të heshtur.  Është një gjendje shpirtërore universale, ku lexuesi sheh, dëgjon dhe ndien njëkohësisht.

Lasgushi arrin atë që arti i madh synon gjithmonë: bashkimin e shqisave, ku fjala bëhet ngjyrë dhe tingull. Ai është poet-piktor-muzikant, dhe pikërisht për këtë, peizazhi i tij poetik e tejkalon natyrën për të hyrë në përjetësinë estetike.

Studimi krahasues tregon se, megjithëse Poradeci dhe Eminescu ndajnë interesin për figurën dhe natyrën, qasjet e tyre artistike janë të ndryshme. Poradeci e afron lexuesin direkt me pamje të gjalla dhe ndjenja të prekshme, ndërsa Eminescu ofron një reflektim metafizik mbi të njëjtën natyrë. Poezia e fundit e Poradecit, “Liqeri vjeshtarak”, e demonstron më qartë se si figura, ngjyrat dhe muzikaliteti mund të krijojnë një tablo poetike të gjallë. Ky krahasim nënvizon se lidhja midis poezisë dhe pikturës nuk është vetëm metaforike, por funksionon si një urë estetike për të kuptuar emocionet dhe simbolikën në artin letrar

Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu jetuan në periudha të ndryshme, por të dy u ndikuan nga romantizmi dhe një përkushtim i thellë ndaj natyrës. Eminescu shpesh përqendrohet në simbole metafizike dhe nostalgji të kohës së shkuar, ndërsa Poradeci shfaq një përqendrim më të fortë në peizazhin dhe emocionin e drejtpërdrejtë. Krahasimi i tyre lejon të kuptohet se si perceptimi i natyrës dhe emocioneve ndikonte në mënyrën se si figura artistike bëhet simbol i përjetësisë. Të dy poetët krijojnë figura që mund të interpretohen edhe vizualisht. Për Poradecin, liqeri dhe pylli janë tablo që transmetojnë ngrohtësi dhe magji, ndërsa te Eminescu, elementet e natyrës shpesh shfaqen si skena teatrale ku ndodhen mendime dhe ndjenja njerëzore. Në këtë kuptim, poezia shërben si një “pikturë e gjallë”, ku secila figurë ka ngjyrat dhe ritmin e saj.

Poezia e Lasgushit është një art i trefishtë: fjalë, figurë dhe muzikë. Çdo varg mund të shihet si një brushë që prek telajon e shpirtit, duke lënë gjurmë tingujsh dhe ngjyrash. Muzikaliteti i vargjeve të tij lidhet ngushtë me traditën popullore shqiptare dhe me ritmin e natyrës, duke krijuar një poet unik që ndërthur universalen me kombëtaren, filozofiken me estetikën.

Studimi krahasues tregon se, megjithëse Poradeci dhe Eminescu ndajnë interesin për figurën dhe natyrën, qasjet e tyre artistike janë të ndryshme. Poradeci e afron lexuesin direkt me pamje të gjalla dhe ndjenja të prekshme, ndërsa Eminescu ofron një reflektim metafizik mbi të njëjtën natyrë. Ky krahasim nënvizon se lidhja midis poezisë dhe pikturës nuk është vetëm metaforike, por funksionon si një urë estetike për të kuptuar emocionet dhe simbolikën në artin letrar.

 Gjithësesi, përveç këtyre treguesve të tërthortë, prova më e sigurtë dhe më e rëndësishme në pohimin e këtij pozicionimi ndaj filozofisë është disertacioni për doktoraturën i poetit me titull “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore atdhetare”, ku ai merret me studimin e veprës së kryepoetit rumun Mihail Eminesku.

Sa si shkruan një studiues i njohur rumun për të: “Monografia për Emineskun me të cilin poeti Lasgush Poradeci mbrojti doktoratën e vet në Universitetin e Grazit, na çudit të gjithëve me përmasat e shtrirjes, me thellësine e gjykimit e të analizave, me njohjen e thellë të letërsisë rumune e evropiane, me aftësinë për të vënë në dukje lidhjet e Emineskut me kulturën e folklorin rumun e me poezinë e filozofinë gjermane dhe botërore. 

Ndërsa Moikom Zeqo, një tjetër autor që e ka njohur shumë më nga afër poetin, sqaron se “Lasgushi e ka shënjuar vetë të shkruajë për Emineskun, sepse Eminesku është poeti ku ai shihte vetveten si poet” (Moikom Zeqo), ndërsa në fund të studimit mbi doktoraturën e tij, ai përcakton: “Eminesku është i rëndësishëm për Lasgushin, jo thjesht se ai e ka studiuar atë. Eminesku është një mentor shpirtëror i Lasgushit që në rininë e hershme. 

Studimi krahasues i Lasgushit dhe Emineskut tregon se poezia është një formë arti që shkon përtej kufijve të gjuhës dhe kombit. Të dy poetët krijojnë një art ku fjala bëhet figurë, figura bëhet muzikë, dhe muzika shndërrohet në emocion universal. Poezia shfaqet si pikturë e shpirtit dhe melodi e pavdekshme.

Filed Under: LETERSI

“DJELLA” DHE NJË PËRKITJE DUKURISH NDËR BREZA

August 23, 2025 by s p

KOSTA NAKE/



Në fillim të viteve ’70 dëgjova për herë të parë për shkrimtarin Martin Camaj, në fillim të viteve ’90, kur dyert u hapën për të mohuarit, ai mbylli sytë pa arritur të ngjitej fizikisht në skenën shqiptare. U deshën të kalonin edhe 30 vite që të merrja për herë të parë në dorë një nga veprat e tij, romanin “Djella”. Parandjenja e parë ishte një përballje jo e lehtë me gegërishten, por isha gabuar, prisja të hyja në disa mjedise epike të gurta e të heshtura, por gjeta një mjedis lirik me karaktere që më befasuan me mprehtësinë e tyre, kisha planifikuar një lexim që mund të shkonte një javë, por e lexova brenda një gjysmë dite.

Romani më krijoi imazhin e një dashurie të parë që edhe pas 65 vitesh flet me gjuhën e së sotmes, një pleksje e rrëfimit me meditimin, e prozës me poezinë. Mësuesi Bardh Qerreti dhe fshati Ndërsanë, sjellin një prerje disamujore të jetës shqiptare e cila mëton të mbajë gjallë burrninë kur ka aq shumë sëmundje dhe varfëri, sa që mësuesi vetëm mund të bëjë udhëtarin dhe jo misionarin, kur e vetmja gjë pozitive është këmbëngulja e fshatarit për të ruajtur tokën nga tjetërsimi. Gjithsesi Camaj bën një vlerësim mbresëlënës: “Një kandil bishtuk ndezë në fushën e errët, natën, bân mâ dritë se një hyll i largët. Kandili me dritë të vogël qenka mësuesi.” (f.31). Poetikisht kjo është sjellë kështu: “Mësues n’katund â punë e dlirë e naltë me gdhendun njerëz për dit të mdha.” (f.47) Kurse në mendësinë popullore ka një deformim që ka filluar të ngrejë krye edhe sot në një prizëm të ri. Ja ç’i thotë Curri mësuesit: “Ju të shkolluemit kujtoni se na të pashkollët aq sa dimë flasim.” Dhe më tej reflektimi i Bardhit: “Simbas tij ai, jo unë, në trutë të veta ruente edhe dijen e të parëve. Kurse na tue lexue sende tjera, i kishim harr.” (f.77)

Bardhi vendos tre lidhje të ndryshme: me Shpresën, Djellën dhe Sosen, një trinom me natyra të ndryshme. Me Shpresën – një fejesë pa dashuri që përfundon me divorc. Me Djellën një dashuri pa propozim, maturia intelektuale e lë në baltë dhe Djellën që ndriçon Ndërsanën, e merr malësori Curri që është më i shpejtë e këmbëngulës. Me Sosen është një marrëdhënie seksuale pa ndjenjë, prandaj dhe jetëshkurtër.

Mjedisi legjendar mund të bëjë të mendosh se këtu kanë ndaluar akrepat e kohës, por bisedat e shkurtra të mësuesit me Djellën dhe Currin dhe takimi i tij me plakun e urtë te Kodra e Hardhisë zbulojnë karaktere të fortë e të mençur që hedhin dritë mbi identitetin e malësorit dhe qëndresën përballë joshjes për braktisjen e trojeve. “Një pjesë të tokave e kam mbas kësaj maje. Shkoj e vij dy herë në ditë këndej pari…Kështu e ndiej veten, i lidhun për pronat e mia. Nëse dikush vjen e ma merr këtë tokë një ditë. Do t’i grryej të dy sytë me këta thoj.” (f.93-94) I skalitur bukur në galerinë e portreteve është ai i bariut. (f.122)

Lëvizja nga fshati në qytet dhe nga mali në fushë është një lëvizje demografike që u përsërit në këto vite të tranzicionit politik dhe ekonomik. Kalimthi ceket edhe lëvizja përtej kufijve kombëtarë: “Në anën tjetër të malit njeriu e ndjen veten të huej dhe e shijon vetminë si askush në këtë botë; vetmia bâhet shoqe e jetës dhe kështu atje mbas malit jetohet mâ mirë. I hueji mundet me folë gjithditën me vetvete e askush s’e pyet se çka e pse ai flet në një gjuhë të huej, dmth në gjuhën e vet amtare.” (f.71)

Hendeku i brezave zbulohet qartë e trishtueshëm te biseda atë e bir. Babai kërkon t’i qëndrojë strikt traditës: “Unë kam vjetët, ti ke shkollën, ti për mue je im birë, unë për ty malok.” (f.51) Biri që jetën e ndan mes fshatit dhe qytetit: “Çdo send që lëviz këtu mbrendë duhet të marrë frymë si ju, në të njëjtin ritëm, por i vetmi pinjuell që ju lindi e u rrnoi, dalë ngadalë tue u rritë, prej djalit u shndërrue në dashamirë, prej dashamirit në një të njoftun të largët dhe, për mos me u bâ anmik, tash del e tret dikah.” (f.52)

Ndryshe nga sa mund të pritej, Djella është një hap më parë nga vajzat malësore përderisa shkon lirshëm për të mbushur ujë dhe mund t’u përgjigjet meshkujve të panjohur. Madje ajo bën një deklaratë të fortë: “Edhe unë kam një korp, s’jam vorbë me zie groshën në të.” (f.107)
Interesant është vlerësimi i padyshimtë i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe analiza e gjakmarrjes në vështrimin e Currit: zanka fill për ngatrresa grash, fjala që u lëshueke goje pa mendue, mirëqenia ekonomike i tërbueke njerëzit. (f.75)

Brenda kësaj kornize përfshihet edhe mendësia shqiptare për armët që sillet nëpërmjet plakut Shin: “Mo’ Zo’ se çka na ka gjetë! Kur i bishim malit me to në krah e ngjeshë për bel, edhe toka u dridhte nën kambët tona, veshë në xhamadana ari e tirq të lehtë, bardhë si endja e kumbullës. Sall nuk fluturoshim se gjâ pa bâ nuk lëshim, more burrë!” (f.114) Vitet e tranzicionit kanë “rivendosur” këtë dinjitet të humbur për gjysmë shekulli.

Romani merr një nuancë policore kur sjell interpretime të ndryshme për vdekjen e Currit duke u përdorur si mjet për të përmbyllur subjektin, kurse rolin e epilogut e merr një bisedë mes Bardh Qerretit dhe kolegut në hije, Blerim Bushli.
*
Në fund të çdo kapitulli Bardhi mësues ekspozon edhe fytyrën e vet prej poeti. Poezitë janë monokolone me varg të lirë, por me një ngarkesë të madhe figurative. Me një vështrim tërësor të materialit poetik që shoqëron kapitujt, mund të veçojmë disa karakteristika të tij:
Së pari, vargjet janë kryesisht refleksione për ngjarjet dhe jo një metamorfozë e tyre.
Së dyti, poezitë ndërtohen mbi paralelizmin figurativ të një dukurie të natyrës apo të një peizazhi me gjendjen shpirtërore të poetit apo me marrëdhëniet e tij me të tjerët. Leksiku i natyrës fokusohet te mali, pishnaja, plepi, dushku, blini, kallami, ahet, shkëmbinjtë e thepisun, gjembi, bari, trëndafili, kullumbria, bregu, këneta, etj.
Së treti, Camaj është poeti i metaforave të bukura që janë fryt i përthyerjes së përvojës në tinguj e ngjyra dhe shpesh herë krahasimet janë bashkëshoqërueset e tyre.

Ja një përmbledhje e kësaj pasurie artistike: Më gëzoni si gjethi i njomë në puhi, më shikoni si hana nëpër rrema, nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë si bima prej fare në pranverë. (f.33)
Gacat e votrës m’i dinë fshehtësistë në tru si bleta në terr të zgjonit, – në fund të shpirtit ndiej një za që harpën e kangës s’fortë mos ta var kurr në gemb. (f.37)
Shkrumb ma bani etja gjuhën, krah gjingalle në vapë, – vetmia e lugjeve në terr më ndjek si send i gjallë me trup e mish. (f.41)
Ndieva mushtin tue vlue ndër druj dhe gjijtë e dheut tue u fry nën kambë. (f.44)
Plepi ka mbetë i thatë si shtizë, – me fletzën e dushkut na ço n’ajër, moj erë. (f.52)
Fëtyrën e shkambijve të thepisun e pruna në sy, krizmën e erës ndër aha e pruna në veshë, filli i kallambit në breg dikë po pret në muzgun e lodhun e shkret. (f.58-59)
Nji mall m’këputi, ore vëlla, si këputet krandja në flakë, si këputet fjala në dhimbë, nji mall më randon në shpirt si molla e madhe në gemb. (f.72)
Në pusin e ujit në oborr lahet ylberi që u zhye mâ parë n’lloç dhe unë mbes para tij nji shkop i puthun në dy syt. (f.78)
Djellë, ti hyne si blerimi në sy, gjak i ngrohtë ndër dej. Mos ik, syni me blerim nuk ngihet, as zemra me gjak e ngrohje. (f.81)
Zemra rri ngujue e plasun, si zog pa fletë, – me muzg vjen gzimi e me erën e barit malli i netve që ikën. (f.97-98)
Nji re ka mbetë në qiellin e hapët barkë e vetmueme në det, nji shkamb në shpirt. (f.133)

Filed Under: LETERSI

Poezia dhe Piktura: Estetika e Figurës tek Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu

August 22, 2025 by s p

Studim letrar nga Rafael Floqi

Mihai Eminescu - Wikipedia

________________________________________

Hyrje

Që nga antikiteti, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga nyjet më të rëndësishme të estetikës. Horaci me shprehjen “ut pictura poesis” e vendosi artin e fjalës përkrah artit vizual, ndërsa Gotthold Ephraim Lessing, me veprën Laokoonti, bëri dallimin mes kufijve të poezisë dhe pikturës. Gjatë romantizmit, këto dy arte u afruan sërish, duke u parë si pasqyra të shpirtit dhe të natyrës. Poezia e Lasgush Poradecit dhe e Mihai Eminescut ofron një shembull të ndërthurjes së fjalës poetike me figurën pamore dhe muzikore.

Në romantizëm, nocioni i “pikturimit me fjalë” u bë një ideal letrar, ndërsa arti vizual shpesh shihej si poezi e heshtur.

Në këtë kontekst, vepra e Lasgush Poradecit, një nga poetët më të mëdhenj të Shqipërisë, është shembulli më i plotë i këtij dialogu estetik. Poezia e tij, e përqendruar mbi Liqenin e Ohrit dhe natyrën shqiptare, funksionon si një pikturë lirike, ku ngjyrat, dritat dhe reflektimet shndërrohen në simbole shpirtërore. Por Lasgushi nuk është vetëm një poet i natyrës; ai është një poet-piktor, i cili arrin të ngjizë metafizikën e jetës në forma vizuale. Në këtë kuptim, ai lidhet ngushtë me Mihai Eminescu-n, poetin kombëtar të Rumanisë, të cilin Lasgushi e njohu gjatë viteve të studimit në Bukuresht dhe e admiroi si një model poetik. Eminescu, ashtu si Lasgushi, përdor natyrën si pasqyrë të shpirtit dhe kozmosin si hapësirë metafizike të njeriut.

Një kryeshenjë e kësaj përvoje përbën doktoratura që Lasgushi realizoi për poezinë e Emineskut. Kësisoj, një lidhje për t’u analizuar është raporti që ka ekzistuar midis tyre në mjaft rrafshe. Në studimin e vet mbi Emineskun, Mitrush Kuteli hedh mjaft dritë jo vetëm mbi poetin dhe filozofinë e tij, por dhe mbi raportin që Lasgushi kishte me Emineskun. “Melankolija, skepticizmi, pesimizmi…janë motivet nëpër të cilat ai kthehet fort dendur”, (Kuteli) thekson autori, duke përcaktuar njëherësh edhe burimet e këtij botëkuptimi: “vuajtjet e jetës së vet, pesimizmi i trashëguar, përmbi të cilin u pat shtuar leximi i librave të shenjta budiste dhe leximi i veprave të Shopenhauerit” (po aty).

Një itenerar të tillë mund të ketë ndjekur edhe raporti midis filozofit dhe poetit shqiptar. Edhe Lasgushi ka vuajtur që në moshë shumë të re, që në gjimnaz, nga një sëmundje e rëndë që nuk iu nda përgjatë gjithë jetës, duke e limituar shumë fizikisht.

Po njëlloj, edhe Lasgushi duhet të kategorizohet në perspektivën e këtyre caqeve. Dihet që ai ka ndikim. Ka ndikim nga poetët shqiptarë. Ka ndikim nga Eminesku, por edhe nga poetët gjermanë. Por nuk është i ngjashëm në të vërtetë me askënd.

Ai është ai, poeti, me kodin e tij të përjetshëm e të padeshifruar. Ndaj, ndikimet te Lasgushi duhen konsideruar si diçka endemike, jo si një proces mutacioni. Përkundrazi, ai asimilon, transformon dhe prodhon sipas stilit të tij. mendon, plazmon, dhe në fund këndon sipas shpirtit të tij, që nuk mund t’ia “disputojë askush”. Janë të gjitha këto atributet e famshëm shopenhauerianë të gjeniut dhe idesë që qëndron në themel të teorisë së tij të artit.

Po, Lasgush Poradeci ka pasur një lidhje të ngushtë me artin e vizatimit dhe ka kontribuar në zhvillimin e tij në Shqipëri. Ai ka studiuar për tre vjet në Akademinë e Arteve të Bukura, ku ka zhvilluar aftësitë e tij si piktor. Megjithatë, ai nuk e ka ndjekur këtë profesion në mënyrë të vazhdueshme, duke u përqendruar më shumë në poezinë e tij. Lasgushi nuk ishte vetëm poet, por edhe piktor i talentuar, bashkëpunëtor me Odhise Paskalin dhe Vangjush Mion, duke kontribuar në zhvillimin e një tradite figurative shqiptare. Ai kultivoi vizatimin dhe e shihte poezinë si një tablo të gjallë, një dimension që e afron atë me Emineskun, i cili në poezitë e tij krijon tablo të natyrës plot dritëhije, ngjyra dhe muzikë. Një moment i veçantë në lidhjen e tij me artin është angazhimi në mësimdhënie në Shkollën e Vizatimit, ku ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e artistëve të rinj. 

Ky studim synon të shqyrtojë marrëdhënien reciproke mes poezisë dhe pikturës dhe muzikës përmes krijimtarisë së Lasgush Poradecit, në dialog me traditën estetike europiane dhe shembullin paralel të Mihai Eminescu-t, duke përfshirë edhe ndikime të panteizmit dhe krahasime me Wordsworth dhe Rilke dhe me muzikën.

Poezia si pikturë: Lasgushi dhe fuqia e figurës vizuale

Në vargjet e Lasgush Poradecit, natyra nuk përshkruhet thjesht si një sfond i jashtëm, por vizatohet si një tablo e gjallë, ku elementët marrin dimensione estetike dhe shpirtërore. Po të marrim poezinë Vallja e yjeve, shembull i pastër i këtij procesi:

“Liqeni qeshi nëpër hënë,

Yjet u hodhën valle mbi valë.”

Ky imazh është vizual dhe dinamik njëkohësisht: liqeni është i gjallë, qesh; hëna është dritë që pasqyrohet; yjet janë subjekte të animuara që vallëzojnë mbi sipërfaqen e ujit. Kjo është një pikturë lëvizjeje, e ngjan me brushat e impresionistëve, ku reflektimi i dritës mbi sipërfaqe është thelbi i tablosë.

Në poezinë Poradeci im, vendlindja përshkruhet si një peizazh i brendshëm:

“Në shpirt më ngjallet vendi im,

Me mal e fushë, me liqen e lumë…”

Kompozimi është pikturor: plan i parë (liqeni), plan i dytë (fusha dhe lumi), plan i tretë (mali). Është një tablo e ndërtuar me sens hapësinor të qartë, por në të njëjtën kohë një peizazh i shpirtit – figura e brendshme e poetit. Këto shembuj tregojnë se Lasgushi përdor gjuhën si një kanavacë, ku fjala është brushë dhe tingulli është ngjyrë.

Poezia është një përzierje e bukurisë natyrore dhe reflektimit të brendshëm, ku imazhet vizuale dhe emocionet janë të lidhura ngushtë. Ajo i bashkon magjinë e vjeshtës, perëndimin e diellit, dhe ndjesinë e frymëzimit artistik. Ka një ndjesi të qetësisë dhe bukurisë së fshehtë që të fton të meditosh mbi kalimin e kohës dhe ndikimin e natyrës mbi shpirtin.

Marrëdhënia mes poezisë dhe pikturës, nga Horaci deri te moderniteti, mbetet një çështje themelore e estetikës. Lasgush Poradeci është shembulli më i lartë i këtij raporti në Shqipëri: një “piktor me fjalë”, që krijon tablo të ndriçuara ku liqeni, yjet dhe hëna flasin një gjuhë poetike. Mihai Eminescu është paraleli i tij rumun: një poet i kozmosit, që vizaton universin dhe e kthen atë në simbol të fatit njerëzor.

Në dialogun Lasgush–Eminescu, poezia dhe piktura nuk janë forma rivale, por motra që ushqejnë njëra-tjetrën: poezia pikturon në kohë, piktura poetizon në hapësirë. Panteizmi, ekfrasis dhe ndjeshmëria vizuale bëjnë që arti të bëjë të dukshme atë që nuk shihet dhe t’i japë zë asaj që nuk flet.

Që nga antikiteti, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga nyjet kryesore të estetikes së figurës. Të dyja format e artit synojnë të kapin jo vetëm bukurinë vizuale, por edhe thellësinë e emocioneve dhe filozofinë e botës. Ky studim synon të krahasojë estetikën e figurës në poezinë e Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut, duke e ilustruar marrëdhënien e tyre me pikturën si formë artistike.

Analiza e figurës në poezinë e Poradecit dhe Eminescut

Poezia e Poradecit, për shembull:

“Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Ay ndaj fundesh u përflak

Posi me zjarr e me flori.”

këtu përdoren figura të fuqishme vizuale dhe ngjyrash, që krijojnë një përjetim të gjallë të natyrës. Ndërsa Eminescu shpesh përdor simbole që lidhin natyrën me mendime metafizike: yjet, drita dhe hije shërbejnë për të reflektuar gjendje emocionale dhe filozofike.

Marrëdhënia poezi–pikturë

Të dy poetët krijojnë figura që mund të interpretohen edhe vizualisht, si një pikturë në fjalë. Për Poradecin, liqeri dhe pylli janë tablo që transmetojnë ngrohtësi dhe magji, ndërsa te Eminescu, elementet e natyrës shpesh shfaqen si skena teatrale ku ndodhen mendime dhe ndjenja njerëzore. Në këtë kuptim, poezia shërben si një “pikturë e gjallë”, ku secila figurë ka ngjyrat dhe ritmin e saj.

Krahasimi i teknikave letrare

Simbolika: Eminescu përdor simbole më abstrakte; Poradeci simbolizon duke përdorur detaje konkrete dhe vizuale. Ritmi dhe tingulli: Të dy krijojnë një muzikë të brendshme të fjalës, por ritmi i Poradecit është më i qartë dhe melodik, duke i afruar poezisë tonalitetin e një tabloje. Ngjyrat dhe emocionet: Në Poradeci, ngjyrat janë të ndritshme dhe të prekshme; te Eminescu, ngjyrat janë të koduara metaforikisht dhe shërbejnë për të nxjerrë në pah ndjenja të thella.

Piktura si poezi e heshtur

Piktura në traditën shqiptare shpesh shfaqet si poezi e heshtur. Ikonat e Onufrit, me të kuqen e famshme dhe ndriçimet hyjnore, janë shembuj të artit vizual që funksionon si poezi metafizike. Një ikonë nuk është thjesht figurë, por një gjuhë simbolike që komunikon me shikuesin.

Në këtë prizëm, vargjet e Lasgushit shpesh kanë një ndriçim ikonografik: hëna, ylli, dielli nuk janë vetëm elementë natyrorë, por simbole që ndriçojnë dimensionin shpirtëror. Poezia dhe piktura bëhen dy gjuhë paralele që flasin për të njëjtin realitet të padukshëm.

Ekfrasis dhe estetika e natyrës

Ekfrasis është forma e pastër e lidhjes mes fjalës dhe figurës (Keats me Ode on a Grecian Urn, Rilke me Archaic Torso of Apollo). Lasgushi dhe Eminescu zhvillojnë një ekfrasis të veçantë: ekfrasis-in e natyrës. Peizazhet e tyre nuk janë thjesht përshkrime, por vepra arti që kthehen në simbole të përjetshme.

Në Frymë e Jetës, Lasgushi sheh shpirtin e vet si një fletë të bardhë që lundron mbi valë nën dritën e hënës.

Në Mai am un singur dor, Eminescu e shkrin veten me detin në qetësinë e mbrëmjes.

Në të dy rastet, natyra bëhet vepër arti ekfrastike: piktura bëhet poezi dhe poezia bëhet pikturë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit
  • Kërkohet një Kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së
  • Mira Murati, krenari për femrat shqiptare
  • Nga Cancuni në Zvernec e Sazan
  • Senator Bob Dole, një përkujtim e mirënjohje në ditëlindjen e tij
  • PASLUFTAT E MIA
  • Shqiptarët mahnitës në pikturat e ushtarak austriakut, Rudolf Otto von Ottenfeld
  • Shoqata Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia ju fton në Festivalin e Dytë të Ushqimit Shqiptar
  • Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi XI-Albani
  • Politika në trojet shqiptare
  • Institucionet shtetërore të Kosovës dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT