
Prof. Romeo Gurakuqi/
Sot në mëngjes degjova tezat e djeshme të zotit Kryeminister dhe ndjehem i trishtuar nga niveli i leximit, kuptimit dhe analizimit të shoqerisë së vendit që ai qeveris, përpjekja e paramenduar per ta kanalizuar ligjerimin tërësisht në një hapesire jo reale, por te efektshme me turbullue një pjesë të shoqërisë, që i bie shkurt. Tezat që u shpalosën dje mund të përmblidhen si më poshtë vijon:
“Qytetarët protestojnë sepse ne kemi pasur sukses” – “Problemi është hendeku midis arritjeve tona dhe mënyrës si i përjetojnë qytetarët ato”
“Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht për mirë”
“Abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e atyre abuzimeve që mbeten.”
“Pritshmëritë janë rritur sepse ne e kemi çuar shoqërinë përpara.” – “Pritshmëritë e qytetarëve janë rritur sepse qeveria ka pasur sukses.”
“Flamingot” kanë të drejtë të kërkojnë më shumë” – “Qeveria nuk është në konflikt me flamingot, por është aleate e tyre”
“Revolta nuk është kundër qeverisë, por kundër administratës” – Sjellja e administratës ka derdhur kupën e durimit””
“Protesta u devijua nga aktorë politikë dhe ekstremistë” – “Sorrat dhe korbat” kërkojnë përçarje dhe dhunë”
“Problemi nuk është modeli i qeverisjes, por mënyra si ai zbatohet” – Ndaj: Dokumenti “Besa” është përgjigjja ndaj mesazhit të qytetarëve: ZGJIDHJA MAGJIKE E PROBLEME STRUKTURORE TE SISTEMIT POLITIK DHE KUSHTETUES SE SHQIPERISE.
Nuk degjuam asnjë fjalë për reformën politike dhe kushtetuese të një shteti që ka dështuar në vijimësi në tranzicion të bëhet mirëfilli demokratik dhe në shërbim të qytetarit;
Asnjë fjalë për problemin numër një, atë të transferimit të parave të rrjedhura nga fondet publike drejt parajsave fiskale prej Personave të Angazhuar Politikisht, krereve të naltë të administratës ligjzbatuese dhe të Drejtësisë;
Asnjë germë për pastrimin e parave të të lartpërmendurve (PEP) dhe krimit të organizuar;
Heshtje e plotë për korrupsionin madhor që vazhdon të militojë i pashqetësuar në Parlament dhe aq më pak për atë të voglin e drejtprucëve të departamenteve të bashkive, që kërkojne përulje për çdo tenderim dhe vizita për çdo proçedurë;
Asnjë thirrjemendjeje për kërkim falje dhe kompensim në Theth për krimin e vitit 2025 dhe harresë e plotë për baterdinë grabitëse në Baks- Rrjoll;
Asnjë përmendje për korigjimin racional, mbi bazat e Shqipnisë tradicionale, të ndarjes territoriale të vendit, reformen e sistemit zgjedhor, financimin e partive politike, çmontimin e sistemit fashist të patronazhimit etj.
Asnjë thirrjemendjeje për shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe Ligjit mbi Investitoret Strategjikë të përzgjedhun tanësisht prej femijëve të filtruar politikisht nga Kasta Puniste.
As edhe një përmendje për reformen e IAL-ve, Kërkimit Shkencor dhe për rivendosjen e strukturave drejtuese universitare dhe akademike mbi drejtimin e atyre qe merren realisht me shkence të krahasueshme ndërkombëtarisht.
Dhe lista mund të jete shumë më e gjatë se kaq.
Mbi të gjitha zoti Kryeminstër shmangu tërësisht problemin më akut të shoqerisë sone: zgjidhjen përmes rrugëve institucionale të krizës së rëndë aktuale, duke i lënë edhe më tej mundësi sorrave të pasdaranëve, të ndërhyjnë në sferën albanianiste dhe europianiste të Protestës se Ligjshme të Popullit me ndjesi kombetariste dhe liridashëse.
Po ta analizosh nga pikëpamja e logjikës dhe e teorisë së argumentimit, nuk kemi të bëjmë vetëm një sofizëm në ligjërim, por një kombinim të disa sofizmave dhe teknikave retorike, duke krijuar shkakësi e rreme, përgjithësim të nxituar, d.mth. kalime jologjike, që nuk justifikohen për njerëzit që mendojnë, përfundime qe nuk rrjedhin domosdoshmërisht nga premisat, zhvendosje të përgjegjësisë ndër aktorë dytesore ose tretësorë, përzgjidhje jo sistemike e fakteve, d.mth. të vetem e atyre fakteve që mbështesin narrativën sofiste dhe irracionale. Edhe kur i përdor sentencat e Tocquevill-it për të mbështetur shpjegimin e tij të pashpjegueshëm, e bën vetëm për të krijuar përshtypjen se vetë Autoriteti Filozofik i lartpërmendur i provon tezat dhe zbulimet e tij te ardhuna per shkak te nje reflektimi makiavelist.
Sipas nesh kemi të bëjmë me një argumentim të shkëputun nga realiteti i Shqipërisë së sotme:
nuk merr parasysh një vend që, pas më shumë se 13 viteve qeverisjeje, përballet me një tkurrje të vazhdueshme demografike, me një shpopullim masiv dhe me largimin e brezit më aktiv e më të arsimuar; se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një shoqëri të dominuar nga pensionistët, me një rini numerikisht të reduktuar dhe shpesh të zhytur në mungesë shprese për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet. Ndërkohë, boshllëqet e krijuara në tregun e punës po mbushen gjithnjë e më shumë nga emigrantë të ardhur nga vende me zhvillim më të ulët, ndërsa radhët e të rinjve shqiptarë që largohen me bindjen se nuk do të kthehen më, vazhdojnë të zgjaten drejt shifrave te frikshme.
Në të njëjtën kohë, ky argumentim anashkalon padrejtësitë që përjeton një pjesë e konsiderueshme e elitës intelektuale dhe profesionale, e cila shpesh ndihet e përjashtuar tërësisht nga sistemi i meritës dhe e nënshtruar ndaj një administrimi të centralizuar njerëzish të politikisht të përfshirë ne matrapazlleqe partish, ku besnikëria politike perceptohet se shpërblehet më shumë se profesionalizmi.
Po aq larg realitetit është edhe narrativa e një zhvillimi ekonomik të shpërndarë në mënyrë të barabartë në territor. Diskriminimi i hapur i Veriut të Shqipërisë, në investime, përfaqësi politike, administrative, diplomatike dhe akademike mbetet një plagë qe frenon zhvillimin simetrik të vendit dhe qenien një atdhe më i drejtë. Përkundrazi, ai neglizhon jo vetem këto por edhe faktin që debati publik sot dominohet nga shqetësimet për përqendrimin e kontratave dhe fondeve publike në një numër të kufizuar grupesh ekonomike, ndërsa fitimet e krijuara prej tyre, nuk riinvestohen në ekonominë shqiptare, por transferohen jashtë vendit, përfshirë juridiksione me regjim fiskal më të favorshëm.
Në këtë kontekst, interpretimi i pakënaqësisë qytetare si pasojë e suksesit të qeverisjes nuk përputhet me përvojën që një pjesë e madhe e shqiptarëve perceptojnë dhe jetojnë çdo ditë.
Thanun shkurt, mesazhi i Kryeministrit të Shqipërisë është i kjartë: asnjë zgjidhje politike dhe institucionale e krizës; me gjasa, pas ndonje kohë, disa makiazhe të karrocës, ndonjë kokë turku dhe disa përmirësime, por asgjë që do cënojë pushtetin e grupit krahinor operativ të PS.
Duke parë përgjumjen e SPAK me drejtimin e ri, që ka ndërruar qasjen ndaj mbrojtjes së Shtetit dhe Publikut, linja e re politike e vazhdimësisë së mazhorancës së ngjyrosur me makiavelizëm ngjan të jetë e realizueshme.
Altin Duman nuk ben me nëna, ndaj ardhmeninë e vendit në paqe, drejtësi e ndershmëri nuk ka kush e mbron më në institucion e Mbrojtjes së Shtwtit dhe Publikut.