

Dr. Paulin Marku/
Emigracioni shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka fillesat në fund të shekullit të XIX. Për dekada me radhë shqiptarët kanë qenë pjesë e këtij procesi të vështirë po aq edhe të dhimbshëm të hemorragjisë së vazhdueshme të largimeve nga vendlindja. Shkaqet dhe arsyet e largimit të shqiptarëve janë të ndryshme, si: politike, persekutime, gjakmarrje, pasiguria e jetës, probleme ekonomike, fetare, social-kulturore etj. Një rast i atillë i këtyre ngjarjeve është edhe libri “Udhës së Mërgimtarit”, me autor, Prend Ndoja, i cili i jep lexuesit një panoramë të përgjithshëm që nga vendlindja, vështirësitë e mërgimtarit dhe të sfidave të jetës në emigracion.
Gjatë kalimit të viteve, njeriu reflekton duke iu rikthyer respektivës së kohës, kujton vuajtjet e shumta me plot sakrifica që hasen gjatë udhëtimit dhe problematikat në emigrim. Njerëzit i shprehin në forma të ndryshme: ditare, romane e tregime apo me poezi e këngë kushtuar atdheut e emigracionit nëpër botë. Kur lexojmë libra me përshkrime për emigracionin, shpeshherë e gjejmë veten duke na kujtuar vuajtjet dhe sakrificat e jetesës në emigracion. Libri “Udhës së Mërgimtarit”, me autor, Prend Ndoja sjell para opinionit publik një panoramë të gjerë reflektimesh dhe përshkrimesh të një emigranti shqiptar. Autori i këtij libri përshkruan me detaje sfidat e kalvarit të mërgimtarit, me persekutime dhe rreziqe që nga vendlindja dhe përballjet me vështirësitë e jetës në emigracion.
Prend Ndoja pasi ka kryer studimet e larta në degën gjuhë – letërsi shqipe në Kosovë mori rrugët e emigrimit. Në librin e tij përshkruan arsyet e emigrimit, problematikat e ndryshme në vendlindje dhe kalvarit të vuajtjeve gjatë rrugëtimit për në Amerikë. Gjatë leximit të librit mësojmë se ai u largua nga vendlindja në një moshe krejt të re, ai ishte një aktivist i njohur në shoqëri, ku evidentohet veprimtaria e tij si organizator e pjesëmarrës në demonstrata të ndryshme kundër pushtetit jugosllav. Per këto arsye ai ishte shoqëruar e arrestuar nga policia dhe kishte patur përndjekje të vazhdueshme nga autoritetet. Në kushte e rrethana të vështira për sigurinë e jetës së tij, ai vendos të largohet nga vendlindja në vitin 1986 për të emigruar në SHBA. Në vend të hyrjes, autori përdor një shprehje domethënëse “lisi përballë erërave”, duke shprehur stuhitë dhe mendimin e tij nëpërmjet argumenteve rreth situatës në Kosovë. Ai shfaqet i emocionuar edhe kur bën përshkrimin e krahinës së tij duke analizuar me detaje nga agimi i mëngjesit e deri në bukuritë natyrore, relievin e kësaj krahine dhe jetën në komunitet nisur nga fëmijëria e deri në ditën që vendos të largohet përfundimisht nga Beci i Gjakovës. Libri është i ndarë në katër kapituj me përshkrime dhe interpretime herë në veten e parë dhe herë në veten e tret të autorit. Secili kapitull mbart emocione, vuajtje, sakrifica mbushur me sfida të jetës që përjeton një emigrant përballë ëndrrës amerikane. Prend Ndoja nuk la pas veprimtarinë patriotike, të cilën e përshkruan në libër aktivitetin atdhetar për çështje kombëtare, në shërbim të lirisë së Kosovës. Ai ishte mbështetës i protestave, kontribuues me ndihma ekonomike për bashkëkombësit për kauzën e çlirimit të Kosovës. Në këtë libër më tërhoqi vëmendjen se si autori kujton e analizon me detaje vendin e tij, traditën, terrenin siç ai pohon ne libër se “ky është vendi i të korrave, i dramave dhe i stuhive të mëdha. Padrejtësitë nën pushtimin serb ishin të shumta, dhe ato shtoheshin gjithnjë e me shumë kundër shqiptarëve që kundërshtonin e protestonin për lirinë e tyre. Prend Ndoja shprehet në librin e tij, Kosova është një vend i mrekullueshëm e me bukuri mahnitëse që e karakterizojnë, me nëntokë të pasur, e me fusha te pafundme por nga ana tjetër me rreziqe të mëdha që pushtuesit kishin bere të pamundurën jetesën për të mbajtur nen sundim Kosovën duke shkaktuar dëme të mëdha për shekuj me radhe kombit shqiptar. Emocion i fortë në këtë libër është edhe momenti kur ai duhet t’ju beje me dije familjes për largimin e detyruar dhe mënyra se si nëna e tij me një fytyrë të mpirë vështronte te birin me zërin qe i dridhej dhe fjalët i ishin lidhur nga dhimbja dhe frika e të ardhmes së djalit të saj. Ndarja me familjen mes përqafimesh e lotësh, vështrimi i nenës së tij përshkruhet me emocione të forta, ku mijëra emigrant e gjejnë veten të mbytur në udhën e mërgimtarit. Fjalët e nënës ishin, “Ti shko bir por këtë vend mos e harro kurrë”. Në libër Prend Ndoja përshkruan me dhimbje momentin e largimit nga familja, shoqërimin nga vëllezërit, Marjani, Skënderi dhe shokët. Përshkrimi i udhëtimit nga Beogradi ne Amsterdam, e pastaj për në Meksikë janë sfida të vështira për të arritur në destinacionin e dëshiruar, në tokën amerikane. Një ëndërr shprese për miliona njerëzve nëpër botë.
Në librin e tij, autori përcjell kujtime të shumta të familjareve, miqve dhe veçanërisht të shokëve prej rinisë. Ai arrin të përshkruajë dhe të hedh dritë plot emocione duke u shprehur edhe në veten e tretë, si “Sokoli djali simbol i rinise kosovare” me shumë ngjarje e shume fragmente te tjera në emigracion. Optimizmi tij që e karakterizon, besim plote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në autoritet e saj, për të janë dritë shprese si për popullin amerikan ashtu edhe për popujt e shtypur dhe të pafajshëm. Hapësirë të veçantë i dedikon lëvizjeve te viteve 1990 në Kosovë dhe protestave i të panumërta për liri deri në momentin kur fitoi e drejta e një populli të etur për Liri e Pavarësi. Ëndërra shekullore për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës janë pjesë të pandara në kujtimet e Prend Ndojës. Ai arrin të përshkruaj në librin e tij çdo lëvizje atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë Kosove. Edhe pse larg në mërgim zemra e tij rreh për një Kosove të lirë e demokratike me vizion Euro-Atlantik. Në këtë libër i kushtohet hapësirë e konsiderueshme identitetit kombëtar, vlerave të familjes, miqësisë, natyrës, objekteve të kultit dhe besim në Zot. Prend Ndoja arrin të pasqyroje një ndërthurje midis jetës e natyrës, vlerave njerëzore humane, si dhe përshkruan jetën e një mërgimtar të realizuar në familje. Krahas punës së tij dhe arritjeve në Amerikë, ai është një veprimtar patriot me kontribute të vazhdueshme, pa reshtur, si në vendlindje ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prend Ndoja, përveçse është një vatran dhe atdhetar, ai është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontributin e tij me plot pasion e ndjenja atdhedashurie në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare.