• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hekuran Halili, poeti i dhimbjes çame

November 10, 2024 by s p

Arben Iliazi/

U poq ulliri i avllisë sime, ulliri lopsiot,
por më shumë se vaj , kokrrat nxjerrin lot…

Hekuran Halili është poeti që ka ndërtuar më së miri, në krijimtarinë e tij të larmë, tipologjinë  e shpirtit çam, i përngjashëm me Adem Demaçin, simbolin e humanizmit dhe rezistencës në Kosovë. 

Një njeri i tejndjeshëm, veprimtar dhe themelues i shoqatës Çamëria, në 34 vjet Halili ka lënë gjurmët e një shpirti të veçantë në krijimet e tij në poezi dhe në prozë, me një frymëzim demoniak, me një shpirt drithërues, pa dalë nga vetvetja dhe duke tejkaluar vetveten, duke dhënë mesazhe të fuqishme njerëzore dhe humane. Po ta njohësh nga afër Hekurani është një njeri me cilësi të larta dhe me energji krijuese të pashtershme. Krijimet e tij janë një pikëtakim i bukur liriko-epik, me gjetje interesante, me shpërthime të papritura, në një paqetësi mes fatit tragjik, që ka shoqëruar popullsisnë Çame, dhe shpirtit të trazuar të vetë poetit: 

“ O muzg, as errësirë e plotë, as dritë dritërimi,/ Ti më ringjall të gjitha trishtimet, të gjitha dhimbjet, /Gjithë shpirtrat e të vrarëve të mi gjithashtu, /Në tisin tënd të argjënd, shoh Çamërinë time /Që rend kohrave e viteve si e marrë,/ Për gjithë padrejtësitë e Botës që i janë bërë.” (Vargje të muzgëta).

Poezitë e Hekuran Halilit përshkohen nga një afsh i nxehtë dhe nga drithërima e ndjenjave, duke dalë jashtë hijes së ndjesisë, herë me një gjuhë të thjeshtë plot dritë, herë me flakë shpërthyese, që krijojnë një art të mahnitshëm:

Kam parë shtëpi braktisur nga njerzit,

Qanin, u ishin nxirë dhe gurët e avllisë,

Në heshtjen trishuese prisnin te zotët e tyre,

M’u dhimbsën deri tek fjala Çamëri…

(Braktisje e shterime)

Nuk ka art të nivelit të lartë pa frymëzim dhe çdo frymëzim buron nga një pavetëdije që qëndron përtej të qënurit dhe qënësisë, nga një dije e cila qëndron shumë më lart se shpirti i kthjellët i poetit. Poeti Halili, i dalldisur në vetvete nga tepria e vrullit vetiak, hyjnisht të privuar nga ndjenja e humbjes së atdheut dhe shtëpisë të tij në Çamëri, është një krijues i cili, me frymëzim të rrallë e vullnet tokësor, frenon me humanizëm forcën demoniake të urrejtjes dhe hakmarrjes dhe e drejton krijimtarinë nga falja dhe pendesa, që duhet të vijë kundrejt tragjedisë çame. Askund nuk ngrenë krye demonët e urrejtjes për popullin grek, por vetëm shpalosen vuajtjet e thella shpirtërore, duke i ujitur me dashuri e shpresë dhe pikërisht këtu lind arti i vërtetë.

Si ekzaltues i ndjenjë së humanizmit dhe kombësisë, H. Halili ka marrë vlerësime të larta artistike nga shumë adhurues të poezisë së tij, si dhe nga studiues e autorë të njohur. Qendra e unit të tij është njëherësh qendra shpirtërore e populit çam, vazhdimisht aktive, e njësuar me botën mbarëshqiptare, me thelbin e qënësisë shqiptare.

Halili e njeh mirë botën e gjërave për të cilat shkruan, duke u dhënë formë të qëndrueshme edhe gjërave më të paqarta e pa formë, në kaosin e ndjenjave, duke u nisur nga instikti i tij i ruajtjes së vlerave kombëtare, që te autori perceptohen si profetike dhe simbolike.

Hekuran Halili e jeton jetën si një hero i mbijetuar nga gjenocidi, me një ankth ekzistencial, që shpërthen herë pas here dhe dërgon mesazhe kumbuese, me një përfytyrim fisnik. Në krijimtarinë e tij të pasur, që përmblidhet në disa libra, veç poezive elegjiake, edhe poezitë idilike dhe ato ku i këndon natyrës së vendlindjes, të kujtojnë me ëmbëlsi peizazhin e humbur të atdheut. Poeti në çdo rast, edhe në kujtimet e tij, sjell përherë vetëm përfytyrim të ëmbël, shpresë dhe nostalgji.

Jeta e prindërve të tij pas kthimit nga Çamëria, fëmijëria e poetit në Konispol, kanë lënë gjurmë të dhimbshme, që autori i rrëfen me zemër në dorë, me një melankoli të padukshem ndjesie, duke i përkëdhelur vargjet si një plage, që nuk shërohet asnjëherë dhe mbetet e përjetshem. 

Vallë, ç’kanatë shpirti kohërave kam lënë pa mbyllur,

Ku kam heshtur, kur duhej folur, i ngrati!

(Fëmijëria ime)

Buzë humnerash përrenjsh  brigjengrënë,

ku ullinjtë shekullorë zgjatin duart,

të”mbahen” nga unë,

rri varur fëmijëria ime,

si një trastë ëndrrash e kujtimesh,

(Erërat e kujtimeve)

Malli është një motiv çudibërës në arsenalin e tij poetik, me parandjenja, kujtime, ëndërra, me shpirt të plagosur, nga pezmatimi që fjala e tij nuk troket kurrë në vesh të diplomacive dhe atyre që merren me të drejtat e njeriut. Hekuran Halili, duke qëndruar ballë për ballë me jetën, beson të hyjnorja, te e drejta, që për të është pafundësisht e huaj dhe plot parandjenja ankthi të heshtur.

Të gjitha udhët tona , 

në tokë , qiell e shpirt,

na shpien në Çamëri…

(Pritja) 

Forca shpirtërore, sekreti për të ruajtur veten krejtësisht të papërlyer, dëshira për tu dhënë me gjith shpirt vetëm pas asaj që përfshin gjithçka në jetë, është forca e vërtetë dhe frytëdhënëse e këtij poeti të përvuajtur, që erdhi te poezia me zemër e shpirt, dhe jo me shkollë letërsie apo leksione filozofie.

Kumtet e Hekuarn Halilit mbartin një forcë shpirtërore të mahnitsheme dhe vijojnë të jehojnë me vendosmëri në qiellin e fatit të tij. Ato rrëfejnë për një qetësi të habitshme shpirtërore, të ruajtura nga përlyerja dhe urrejta, si një zjarr i shenjtë, që nuk zhgënjen kurrë. Misionin e tij poetik e kombëtar Halili e mbron të pacënuar, plot dëlirësi dhe ndrojtje dhe vjershat e tij përherë njohin sukses të madh, pas fjalëve të përvuajtura për të vërtetën dhe jo pas fantazmave pa kuptim.

Hekuran Halili, kokëulur, me një modesti dhe butësi të jashtëzakonshme, i gatshëm për të vuajtur edhe për një gjë të paduksshme, i prekshëm ndaj plagëve të shumta, i lejon vetes të shkatërrohet për idealin kombëtar. Ai i bindet vetëm misionit të tij, me vetëdijen më të lartë kombëtare. I beson vetëm thirrjes së padukshme dhe jo suksesit.

Hekuran Halili nuk resht së krijuari përjetësinë  e çdo dite dhe brenge në jetën tokësore. Prandaj fëshfërijnë solemne vargjet e tij.

PELLAZGU I KRESHMOIT" (MITE – LEGJENDA ...
Revista ÇAMËRIA: September 2020
Kur poezia vjen e pakohё dhe nё pakufi
KONCEPTI I LIRISË SI QËLLIM DHE KREDO E PËRHERSHME – Hejza
Himn për njeriun | Komuniteti Kulturor ...
Perralla shqip, poezi, fabula - YouTube

Filed Under: LETERSI

CODEX ASHB. 1167 NGA BIBLIOTECA MEDICEA LAURENTIANA TË FIRENCES DHE FORMULA E PAGËZMIT 08 Nëntor 1462

November 8, 2024 by s p

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Me rastin e 562 vjetorit të shkrimit të Forumulës së Pagëzimit

Përkundër faktit se dorëshkrimi i Kodikut Ashb 1167 i Bibliotekës Medicea Laureziana të Firencës është studiuar, konsultuar e lexuar, duke kaluar nëpër duar të shumta të të interesuarve, mikrofilmuar, printuar në letër, apo si fotografi në dimensione të ndryshme;  si dhe është skanuar, dorëshkrim i plotë i Kodikut, nuk është botuar asnjëherë në tërësi, deri më sot, përveç se në mënyrë fragmentare. Nga ky Kodik është botuar vetëm një dokument, përkatësisht dokumenti i parë: ku është “Formula e Pagëzimit.” Të 25 dokumentet e tjera, nuk janë botuar asnjëherë  as në latinisht e as të përkthyera në shqip. Shqipatri i parë që ka pasur në dorë Dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, sipas regjistrave zyrtarë nga Biblioteca Medicea Laureziana e Firencës është Át Agustin Ashiku, në vitin 1934, për t’u pasuar nga Át Justin Rrota në vitin 1939.  Kopjen e parë të mikrofilmuar dhe të stampuar si fotografi, të tërë kodikut, e ka porositur Namik Resuli në vitin 1954. Kopjen e parë të mikrofilmuar në diapozitiv e ka sjellë në Tiranë Bujar Hoxha më 19 qershor të vitit 1967. Kjo kopje ruhet edhe sot e kësaj dite në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë. Këtë kopje e ka shfrytëzuar për botimim të faksimileve edhe Kristo Frashëri në vitin 2005 dhe Ledi Shamku-Shkreli në vitin 2009. Të dy këta studiues kanë botuar vetëm faksimilet e dokumentit të parë, “Konstitucioneve” ku gjendet edhe Formula e Pagëzimit. Asnjëri nga këta nuk ka botuar transkriptimin në gjuhën latine, ndërkohë që Kristo Frashëri boton përkthimin në gjuhën shqipe të bërë nga Fatjon Balliu. Kopjen e parë të riprodhura në formë dixhitale – (të skanuar), të punuar nga stafi i “Laboratorit të Bibliotekës Laurenciane” të Firencës, e ka porositur autorja e këti libri, (siq mund të vërehet edhe do regjistri i emrave dhe faksimilet e dokumentave zyrtare të Bibliotekës), Etleva Lala, me nr. 467/2003.

Të shkruash për historinë është privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Në dorëshkrimin e tij, Lufta e Shkodrës,  Marin Barleti thotë që mosbalancimi i fakteve të përshkruara mund të çojë lehtësisht në keqinterpretime nga lexuesit. Kjo frike e mosbalancimit të fakteve ishte një ndër frikërat më të mëdha të Barletit, të atij, që në mesjetën e vonë do të bëhej ndoshta best-selleri më i mirë i kohës së tij. Vepra e tij u përkthye në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një monument i pazëvendësueshëm edhe sot e kësaj dite.

Hinc enim impietatis crimine damnari verebar, si postulanti patriae, quod iustum honestumque fuerat denegassem, inde temeritatis insimulari si rem tam preclaram adorsus et que longe me doctiorem scriptorem deposcere videretur audaculo quodam impetu aggressus in medio ipso cursu deficerem.

Në këtë paragraf, Barleti thotë që nga njëra anë kishte frikë se mos dënohehej me krimin e indiferencës, nëse do të kishte refuzuar thirrjen e atdheut për të shkruar historinë e tij, dhe nga ana tjetër kishte frikën e drejtë dhe të ndershme që duke nxituar të plotësonte këtë thirrje po merrte përsipër një kauzë kaq të rëndë sa lehtësisht mund të rrëzonte edhe shkrimtar më të ditur e më me përvojë se ai. Ai thotë se kishte frikë që duke bërë një hap tepër të guximshëm, do të dështonte në të njëjtën kohë. E megjithatë ne të gjithë i jemi mirënjohës sot Barletit që e mori guximin dhe shkroi, sepse vepra e tij na ka shërbyer dhe vazhdon të na shërbejë edhe sot e kësaj dite si një dritare e pazëvendësueshme në realitetin e asaj bote.

500 vite pas Barletit, në ditët tona është provuar ajo që shkruante Barleti. Vështirësia e të shkruarit të historisë qëndron jo vetëm në balancimin e ngjarjeve dhe të informacioneve, ashtu siç i mendon historiani, por edhe në faktin se historiani në hulumtimin e tij duhet të përdorë nga njëra anë vëzhgimin e drejtpërdrejtë të objektit, dhe nga ana tjetër duhet të jetë në gjendje të kuptojë dhe të deshifrojë edhe filtrat e atyre që e kanë krijuar dhe përdorur objektin, gjë që automatikisht e bën atë vëzhgues të rendit të dytë.

Nikola Jorga është i pari që bëri të njohur ekzistencën e Kodikut të Ashburnhamit me numër 1167. Edhe pse ky zbulim ndodhi para më shumë se 100 vjetësh, ai akoma nuk është botuar i plotë deri më sot. “Formula e Pagëzimit” që gjendet në të, është monumenti më i rëndësishëm i gjuhës dhe kulturës shqipe, duke qenë se përmban fjalët e para të shkruara në shqip, e megjithatë, kodiku i plotë nuk është botuar akoma as sot e kësaj dite.

Sigurisht që ka shumë studime të bëra enkas për formulën e pagëzimit. Studiues të fushave të ndryshme, janë përpjekur të hedhin sa më shumë dritë mbi gjuhën shqipe të asaj kohe duke u bazuar në këtë formulë, por studimet për një nga objektet e këtij dorëshkrimi, nuk mund të zëvendësojnë tërësinë e kodikut në fjalë. Botimi i plotë i dorëshkrimit ku gjendet formula është jashtëzakonisht mundëson të kuptuarit e kontekstit dhe të gjithçkaje që ka të bëjë me formulën e pagëzimit.

Në studimin tonë japim dy dimensione të kodikut ku gjendet Formula e Pagëzimit: nga njëra anë të përshkruajmë kodikun si objekt të ardhur nga mesjeta deri në ditët e sotme dhe si i tillë i papërsëritshëm dhe nga ana tjetër jemi përpjekur që përmbajtjen e tij ta bëjmë të lexueshme, të kapshme dhe të afërt për lexuesit. Këtu kemi parasysh jo vetëm lexuesit e specializuar, të cilëve u ofrojmë edhe faksimilet dhe transkriptimin e tekstit latin, por edhe lexuesin e thjeshtë, që dëshiron të dijë se çfarë shkruhej dhe për kë shkruhej në mesjetë në trojet shqiptare. Shpresojmë që përkthimi i tekstit në shqip të ndihmojë të gjithë të interesuarit për të kuptuar sado pak botën e shqiptarëve në mesjetë.

Dimensionet e Kodikut janë 14.2 x 21.8 cm. Trashësia e Kodikut është 1 cm, ndërsa dimensionet e tekstit të shkruar në pergamen janë: 9.2 x 15. cm. 

Vula e rrumbullakët e Biblioteca Medicea Laurentiana e Firences [R. BIBLIOTECA MED. LAURE. FIRENZE,) në dorëshkrim është e vendosur gjashtë herë: në fillim të Kodikut, në faqen e parë të letrës para pergamenit, pastaj në pergamen, në f. 1r, 2r, 33r, 37r. Në të djathtë të vulës, poshtë, është shënuar edhe numri 216601 me laps plumbi dhe f. 40v.  

Signatura/vendodhja e kodikut është e shënuar në kapakun e jashtëm dy herë dhe tre herë në brendësi. Në brendësi është shënuar në faqen e parë prej letre, pastaj në f. 1r të pergamenit dhe në faqen e parë të letrës në fund, pas mbarimit të pergamenit. 

Gjuha e dorëshkrimit është latinishte mesjetare, përveç dy rreshtave në shqip që janë në faqen 4r.

Gjendja e dorëshkrimit është shumë e mirë me përjashtim të faqes 5r-v, e cila është e dëmtuar në fund, djathtas, dhe i është grisur një copë e vogël me dimensione: 8 x 9 mm.

Letra e përdorur në fillim dhe në fund të Kodikur Ashb 1167, nuk ka shenja filigrani. 

Edhe pse kaq i famshëm në të gjitha trojet shqiptare, kodiku ku gjendet Formula e Pagëzimit jo vetëm që nuk është botuar kurrë i plotë deri më sot, por as përshkrimi i tij fizik, nuk është bërë me saktësi dhe korrektësi, shenjë kjo neglizhence për objektet e pakta, me vlera shumë të veçanta, që na janë ruajtur nga mesjeta. Edhe sikur të mos kishte fare rëndësi përmbajtja, vetë kodiku si objekt është është i prodhuar në një kohë që nuk kthehet kurrë më dhe si i tillë ka një vlerë të jashtëzakonshme. 

Duke qenë se shumë informacione për të si objekt mungojnë, shpesh jo vetëm studiuesit, linguistët, historianët, por lexuesit mendojnë që është fjala për një kodik, që duhet të jetë një libër me përmasa të mëdha, gjë që është zhgënjyese kur vënë re që në fakt ai është një “libërth i vogël,” që ndoshta ishte praktik për t’u mbajtur në xhep apo në ndonjë çantë të vogël udhëtimi. Disa përshkrime përmbajtësore që janë bërë, nuk e zëvendësojnë kurrsesi përshkrimin e objektit fizik, që në fund të fundit, sjell në vëmendjen tonë një artifakt mesjetar, me rëndësinë e vet si i tillë, kështu që si i tillë mbart një vlerë të shtuar. 

Kodiku ka kopertina të forta lëkure ngjyrë kafe, të cilat janë nga koha e krijimit të tij, përkatësisht nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, dhe jo më vonë se viti 1512. Të dyja kopertinat kanë dekorime floreale. Përveç dekorimeve të tjera, në mes të dy kopertinave, në qendër, është një shqiponjë e vogël dykrenare, e cila vërehet vetëm po të shikohet me kujdes. I pari që e ka vërejtur deri me sot këtë shqiponjë është Lulëzim Lajqi, të cilin e falenderojmë për tërheqjen e vëmendjes në këtë element kaq të rëndësishëm. 

Në kurriz të kodikut është shënuar numri 1167 lart dhe poshtë, në një etiketë të kuqe, që është zverdhur nga koha. Kodiku ka 43 fletë (86 faqe). 6 faqe janë letre: tre në fillim (e para është ngjitur në pjesën e brendshme të kapakut të kopertinës) dhe tre në fund (e fundit, e ngjitur gjithashtu në kapakun e kopertinës). 80 faqet e tjera janë në pergamen, nga të cilat 71 faqe janë të mbushura me tekst. Faqet boshe janë 9 nga ato të pergamenit.

Dorëshkrimi ka gjithsej 1562 rreshta tekst. Sipas faqeve numrat e rreshtave duken kështu: një faqe ka 13 rreshta tekst dhe dy faqe të tjera kanë nga 17 rreshta. Me 18 rreshta është vetëm një faqe, ndërkohë që tre faqe kanë nga 19 rreshta. Pesë faqe kanë nga 20 rreshta secila dhe tetë faqe kanë nga 21 rreshta. Me 22 rreshta secila janë tre faqe. Pjesa më e madhe e faqeve, respektivisht 43 faqe kanë nga 23 rreshta secila. Dy faqe kanë 24 rreshta dhe një faqe ka 25 rreshta. 

Dorëshkrimi në 69 faqe është shkruar me stilin humanistik-kancelaresk-minuskulë italiane e fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Një faqe është e shkruar me stilin gotik (f. 20v) dhe në një faqe tjetër është shkruar, po me stilin humanistik (f. 33r, rreshti i fundit), por nga një dorë tjetër e faqeve të tjera.  Kjo do të thotë, se në dorëshkrim kanë shkruar tre duar të ndryshme. Për stilin e parë, përkatësisht për 69 faqe, jemi të sigurtë se i ka shkruar Simon Dromasys, ndërsa për dy faqet e tjera, nuk kemi njohuri se kush mund t’i ketë shkruar. Në dorëshkrim ka 53 iniciale/nistore. Nga këto vetëm njëra është e dekoruar te f. 20v, ku është shkrimi i stilit gotik.

Në dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, janë të përshkruara 26 dokumente si tërësi, fragmente, përmbledhje apo regesta. Studiuesit që janë marrë me Kodikun Ashb 1167 kanë dhënë numra të ndryshëm dokumentesh deri më sot. Disa nga studiuesit që kanë shkruar për këtë çështje janë Namik Resuli, Át Zef Valentini, Kristo Frashëri, Ledi Shamku-Shkreli, Aurel Plasari, Musa Ahmeti, etj. Në kapitullin e përshkrimit përmbajtësor, do flasim me hollësi për studimet e tyre. Po ashtu edhe për përmbajtjen e dokumentave të përshkruara, nuk ka një qëndrim të përbashkët të tyre, sepse studiuesit kanë shënuar tituj apo përmbajtje sipas dëshirës së tyre, duke mos respektuar dokumentet në dorëshkrimin e Kodikut.

Dorëshkrimi i Kodikut Ashb 1167 është përfunduar së shkruari më 14 qershor të 1503, sipas të dhënave që gjejmë në dokumentin njëzet e tre, f. 35v. Po kështu të njejtin shënim e gjejmë edhe në Këshillin e të Dhjetëve me datë 14 qershor 1503 [Item in eodem Consilio Decem, die 14. Junii 1503. similiter].

Ata që kanë shkruar për këtë Kodik, janë përqendruar në dokumentin e parë të tij që fillon me fjalët: Paulus Angelus, miseratione divina, archiepiscopus Durachiensis et Illiricae regionis. Ad perpetuam rei memoriam” (Pal Engjelli, me mëshirë Hyjnore kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij), që gjendet në  faqet 2r-9v.

Përkundër faktit se dorëshkrimi i Kodikut Ashb 1167 i Bibliotekës Medicea Laureziana të Firencës është studiuar, konsultuar e lexuar, duke kaluar nëpër duar të shumta të të interesuarve, mikrofilmuar, printuar në letër, apo si fotografi në dimensione të ndryshme;  si dhe është skanuar, dorëshkrim i plotë i Kodikut, nuk është botuar asnjëherë në tërësi, deri më sot, përveç se në mënyrë fragmentare. Nga ky Kodik është botuar vetëm një dokument, përkatësisht dokumenti i parë: ku është “Formula e Pagëzimit.” Të 25 dokumentet e tjera, nuk janë botuar asnjëherë  as në latinisht e as të përkthyera në shqip. 

Shqipatri i parë që ka pasur në dorë Dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, sipas regjistrave zyrtarë nga Biblioteca Medicea Laureziana e Firencës është Át Agustin Ashiku, në vitin 1934, për t’u pasuar nga Át Justin Rrota në vitin 1939.  

Kopjen e parë të mikrofilmuar dhe të stampuar si fotografi, të tërë kodikut, e ka porositur Namik Resuli në vitin 1954. 

Kopjen e parë të mikrofilmuar në diapozitiv e ka sjellë në Tiranë Bujar Hoxha më 19 qershor të vitit 1967. Kjo kopje ruhet edhe sot e kësaj dite në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë. Këtë kopje e ka shfrytëzuar për botimim të faksimileve edhe Kristo Frashëri në vitin 2005 dhe Ledi Shamku-Shkreli në vitin 2009. Të dy këta studiues kanë botuar vetëm faksimilet e dokumentit të parë, “Konstitucioneve” ku gjendet edhe Formula e Pagëzimit. Asnjëri nga këta nuk ka botuar transkriptimin në gjuhën latine, ndërkohë që Kristo Frashëri boton përkthimin në gjuhën shqipe të bërë nga Fatjon Balliu. 

Kopjen e parë të riprodhura në formë dixhitale – (të skanuar), të punuar nga stafi i “Laboratorit të Bibliotekës Laurenciane” të Firencës, e ka porositur autorja e këti libri, (siq mund të vërehet edhe do regjistri i emrave dhe faksimilet e dokumentave zyrtare të Bibliotekës), Etleva Lala, me nr. 467/2003.

Filed Under: LETERSI

“Drama e moskuptimit” në poezinë e Irena Dragotit

November 6, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Përkas në letra me dy gjysma atdheu;

udhëtoj mes tyre, me varkën e syve;

Në netë mallëngjimi ajo shpesh më mbytet…

Symbyllaz ndaj stinët ,por gjithmonë bën dimër;

yjet mezi shihen, vonon perëndimi…

Kështu shkruan së fundi poetja shqiptare Irena Dragoti, e cila jeton prej kohësh në Michigan. Në letërsinë e sukseshme shqipe që kultivohet në SHBA ka spikatur së fundmi zëri i kësaj krijuese moderne. Irena Dragoti sjell në mënyrë origjinale dhe me një ndjeshmëri të mrekullueshme dualitetin e tmerrshëm afektiv të dashurisë me urrejtjen. Në thelbin e poezisë së saj, që shijohen si një liker i fortë, ekziston drama e moskuptimit. Ka një konflikt apologjik mes ndjenjave dhe ideve, pa misticizëm dhe pa tone idealizuese, ku shpaloset bota e brendshme e një femre, me gjithë ndjesinë e imazheve dhe ndjenjat sublime në konceptimin e së bukurës, e shtrirë mbi zonat më të paeksplorueshme të shpirtit. Kjo ndjesi arrin majat në vargje si:

“Jam një e huaj që kërrus aromat

sjellë nga toka ime.

Të huaj kam shtëpinë dhe gjumin e pakët,

si udhëtim vajtje-ardhje e bëj çdo natë.

Ndaj shihmëni pa mëri;

Nuk dua të hyj në zemër të kujtesës,

as tju gdhend të ardhmen”. 

(Të tjerat m’i jep Atdheu )

Këto sugjestione e këto akorde, brenda një kornize estetike metafizike, ravijëzojnë një filozofi të veçantë për natyrën dhe marrëdhëniet njerëzore, që kanë të bëjnë me gjendjen e qënieve njerëzore, me ekzistencën reale të secilit person, me provokacionet me të cilat arsyeja është e detyruar në çdo rast t’i nënshtrohet jetës. Në poezinë  e Irena Dragotit e sundon mosdëshira për të mos maskuar kontradiktat dhe hendeqet e jetës, mohimi i ngushëllimeve sentimentale, përçmimi për çdo lloj patetizmi. 

“Ndërtoni burgje
brenda shpirtit,
me kujtimet.
Pa harruar tiranët
që përdhunuan mendje,
shpirtra, trupa,
që rrënuan kulte.
Që më shumë se jetë,
kufoma numëruan.
Mos lejoni…
të ngrenë përmendore nderi,
në të sotmen,
për hir të dashurisë sublime me të shkuarën”.

(Mos lejoni)

Irena Dragoti nuk flet nën vello; në poezinë  e saj nuk ka asnjë lloj kamuflimi dhe përçmimi, por vargjet rrëfejnë për një nevojë ekzistenciale për të komunikuar me masën e qënieve njerëzore, me turmën e padukshme dhe të hallakatur në lëmshin e raporteve të panumërta.

“Koha u djerr….

dhe njerëzit…

por mëshira lakohet shtigjeve;

huton rrudhat mbi mollëzat e mendjes,

pa e sosur luftën për mbijetesë

Mëshirona, o Zot!

Bëj që ulliri i mbjellë para kohe, në oborr

të hapë rrënjët e lëmoshës dhe faljes

e të të takojmë Ty, si pendim

edhe njëherë”.

 (“Mëshirë”)

Në poezinë e saj Dragoti kërkon të gjejë këndshikimin më të përshtatshëm, në të cilin drita dhe dritëhija gërshetohen në mënyrë të ndërsjelltë dhe nëpërmjet kontrasteve. Autorja përdor krahasimin, metaforën dhe hiperbolën, pa ndonjë sforcim të veçantë, të cilat janë përcaktuese në procesin e saj krijues, duke shkaktuar ndriçime të papritura e reflekse të befasishme. Psikologe për nga pasioni, me vullnetin për t’i dhënë formë krijimit, autorja e nxit artin e vet vetëm në atë drejtim ku ndjehet më mirë, e shtyn drejt atyre figuarave me të cilat ndiehet e lidhur shpirtërisht, pa u përpjekur të përshkruajë gjithë botën shpirtërore të njeriut, e cila është e pafundme. 

Ja çfarë shkruan në poezinë “Mëshira”:

“Dikur e takoja mëshirën si frymë

të hyj në portën e mëkateve.

E humbja…

kur shqyheshin dritaret, nga fjala 

që buza s’e mban..

E gjeja lakuriq…

si nevojë përdëllitëse çlirimi,

kur shpirti i lodhur, kish përçartje.

Sot, e pres si rritje

e ul në sofër fisnikësh, të thyejë urinë;

për të mos fikur lutjet.”

Edhe pse kureshtare, autorja ndihet e tërhequr pikërisht nga rrafshi i dikotomisë, që e çon drejt abstragimeve artistike, të cilat nuk qëndrojnë pezull, por ndërtojnë ngrehinën e një mesazhi të qartë filozofik e përmbajtësor. Edhe në rastet kur i mëshon një mesazhi të fuqishëm poetja nuk ka nevojë të dalë jashtë vetvetes dhe përtej vetvetes, me teprim e dalldi, e bindur se kështu dëmton peshën specifike të kumteve të saj estetike e folozofike. Poezia e I. Dragotit është përherë një luftë dashurie dhe lirie. Një krijimtari e ekzaltuar, me një shkëlqim drithërues, gulçuese e spazmatike, me harlisjen dhe ankthin e shpirtit, që ka vënë artin mbi jetën, poezinë mbi realitetin.

“Toka është shumë e vogël për dashurinë.
Dashuria, në tokë nuk merr frymë… nuk ka zë”, thotë autorja.

Sa e vështirë është për njeriun të gjejë lirinë! Por I. Dragoti e ka gjetur prej kohësh.

“Poezia ime është liria ime”, thotë poetja, dhe kjo është alter ego-ja e krijimtarisë së saj. “Kurrë nuk jam mbytur nga dallgë zilie/ një shkronjë do mbetem, në fletë lirie”. (Të tjerat m’i jep atdheu)

Ja si shprehet autorja në një ese të botuar në gazetën “Dielli, në 30 maj 2024: A je gati të mbytesh si një gur në fund liqeni, pra vetflijosh paqen tënde, a të shpërndash rrathë negativiteti e rreziku, njerëzve që do më shumë, apo t’i bëhesh hije vetes? A je gati të endesh në qiej mizantropikë, plot reteorika të rreme dhe tangencialitetit të vlerave letrare? A je gati të përplasesh me mure kështjellash letrare pa dyer të vërteta? A je gati të kuptosh se poezia nuk është profesion i marrë me qera për të jetuar? Poezia është pëllëmbë, për të shtrënguar si prekje e munguar, njeriun brenda nesh. Pyete veten a ke takuar këtë njeri”?

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Filed Under: LETERSI

“Gjumë në shtëpinë e pritjes”

November 2, 2024 by s p

Dr. Sadik Bejko/

“Gjumë në shtëpinë e pritjes” është një roman “i shkurtër” i Thanas Dinos, botuar nga botuesi “Nereida”, Jani Malo. Flitet se autori këtë roman e ka një gur tjetër në mozaikun e tij romanor të titulluar ‘Biblioteka e Jugut’. Dmth është një kolanë në prozë për ngjarje e të ndodhura në Jug të Shqipërisë me qendër Gjirokastrën. Në qendër të romanit “Gjumë…” është një ngjarje e 18 nëntorit 1943, masakra e nacionalistëve gjirokastritë nga partizanët komunistë. Parë nga sot autori e letrarizon atë masakër që realisht ka ndodhur dhe fle “e zgjuar” në ndërgjegjen e Gjirokastrës. Terror i kuq komunist i shkoqur. I ashpër. I përgjakshëm, i pamëshirë, shembullor, spektakolar. Provë force pa asnjë maskë. Pa asnjë shkak.

Këtu po i largohem romanit. Më 18 nëntor 1943 llahataria e pashembullt ra mbi gjirokastritët e fisëm. Mbi familjet më të zgjedhura të qytetit. Në qytet nuk ishte pushtuesi gjerman. As ballistët. Erdhën partizanët.

Ngjarja është filmike. Shtabi partizan i vendosur në Gjimnazin e qytetit natën rrëmben njerëz nga shtrati, gjysmë të veshur, dhe pas disa minutash pyetje u komunikon se gjyqi partizan i ka dënuar me vdekje. I ekzekutojnë aty për aty. 15 gjirokastritë. Fëmijë që bien me ulërimë mbi kufomën e prindve të përgjakur dhe i vrasin njëri mbi tjetrin. I vihet zjarri shtëpinë së Kalove. Kalon plak, Boçon, e kanë vrarë ballas. Tare Kalua, i biri, sportist, profesor në gjimnazin e qytetit, varet me litar t’i shpëtojë shtëpisë në flakë. E vrasin.

Avokat Emin Kokalari, në tmer për të shpëtur kokën, futet në një kotec. Biri i tij është partizan. Ai është një avokat me emër pa pjesëmarrje në luftë. Shegerti, pastrues i dyqanit, sekretari i tij është anëtari i Qarkorit partizan të Gjirokastrës, Haki Toska, më vonë anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Hakiu, fukara, nga shtresat më të këputura të qytetit kishte gjetur një punëdhënës si avokat Emini për të çuar bukë në shtëpi. Por në ditë të keqe, të zezë, shërbëtori e tradhton zotninë e tij. Dhe se i jepte bukë, dhe se i biri i avokatit ishte në krahun e tij, ishte partizan, Emin Kokalarin gjyqi partizan pa prova, pa dëshmitarë e pushkaton.

Pra… kjo qenka një luftë ndryshe. Një luftë e re. Lufta e klasave. Jo lufta për atdhe kundër pushtuesit.

Te kjo lloj “lufte” e re përqendrohet romani i Thanas Dinos. Nuk është humaniteti, atdhetarizmi feja e re e komunizmit. Është kundërhumanizmi. Vra bamirësinë, sjelljen fisnike, vra zotërinjtë e qytetit, kolonat ku mbahet qytetaria, zhvishu nga lidhjet humane, deri dhe nga lidhjet e gjakut, shnjerëzohu… në emër të idealit të ri, të së kuqes së komunizmit.

Thanasi i thotë më butë, më indirekt këto ide që thashë më lart. Por lexohen te romani i tij.

Tani në muajin nëntor ne do dëgjojmë tamtamet bajate të përsëritura të idolatrisë së dëshmorëve tanë që na sollën lirinë. Por për ta kemi thënë e stërthënë vetëm gjysmën e së.vërtetës. Këta shegertë të përvuajtur komunistë si Haki Toska i ngjyen duart me gjakun e zotërinjve të tyre zemërmirë, që më pas ata vetë të bëhen pashallarë të kuq të një pushteti të pamëshirë.

Më në fund, dua të shtoj se si njohës i koloritit gjuhësor e idiomatik të pasur të së folmeve të Jugut e vaçan të Gjirokastrës, e kam shijuar stilin e gjuhën e romanit të Thanasit. Më pëlqen racionaliteti, ngjeshja e qëllimshme e përshkrimeve, e frazës, e së thënës. Kjo anë e formës do vështrim më profesional …

Prapë e them… Thanasi sa e zgjon nga gjumi temën e masakrës së ndodhur në Gjirokastër në vjeshtën e vitit 1943. Ajo mbetet e gjallë më tragjike, më e përzishme e gjëmshme në ndërgjegjen e kohëve dhe më thellë nga ç’ thuhet në këtë roman.

Filed Under: LETERSI

“ANTOLOGJIA E POEZIVE MË TË BUKURA TË BOTËS”

November 1, 2024 by s p

Rudolf Marku/

Qëllimi i kësaj përmbledhjeje është sjellja në një libër të vetëm i disa prej poezive që më kanë pëlqyer më tepër, gjatë leximit të poezisë botërore, përgjatë shumë viteve. Struktura e këtij libri nuk është as tematike, dhe as gjeografike. Është një përmbledhje e poezive që i kanë shfaqur rezistencë dhe qëndrueshmëri kohës, falë kanoneve të veta estetike me të cilat këto poezi janë shkruar, prej emrave më të njohur të Poezisë, që prej 3000 vitesh më parë e deri më sot.

Qëllimi im është t’iu ofroj lexuesve kënaqësinë e leximit poetik, në kuptimin e thjeshtë, dhe, njëherësh kompleks, të konceptit kënaqësi leximi.

Libri është një katalog poetik që përfshin krijimet që nga fillimet e shkrimit, Mesopotami dhe Rigvedat e Tibetit, deri në kohërat tona. Poezia e shekullit të XX zë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim.

Në planin personal, ky libër është një ndalesë gjatë udhëtimit tim gjysmë shekullor në peizazhet e fushave, vargmaleve, honeve dhe greminave, njëkohësisht të frikshme dhe joshëse, të Poezisë Botërore. Një peizash, pjesë të rëndësishme të së cilit kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj edhe poezinë e shkruar në gjuhën Shqipe.

Përmbledhja përfshin tetëdhjtë e dy poetë, dhjetë prej tyre Nobelistë, dhe përmban njëqind e dyzet e pesë poezi.

Kam bindjen se ky libër përfaqëson disa nga arritjet më të mira të poezisë në botë, poezi e cila nuk kërkon të vetëspjegohet para kritikëve skeptikë dhe para lexuesve, përse është e tillë; një poezi që ka kurajon të vetëquhet poezi, ngase kanonet estetike përputhen me gjithë krijimtarinë më të mirë poetike në tërësi; por dhe duke qenë poezi që nderon përparësinë e komunikimit me lexuesin – sa kohë që jemi krijesa të gjuhës – dhe që është pjesë e tërësishme e vlerave të shpirtit Njerëzor! Libri është i treti me përkthime poetike që botoj këtë vit- 2024- krahas librave të Safos dhe Katulit, botuar nga Shtëpia Botuese e respektuar ‘Dukagjini’, Kosovë.

Ndërsa ‘Antologjia’ e Poezive më të bukura të Botës’ është botuar nga Mediaprint, një emër që shquhet për botimet me elegancë dhe sqimë profesionale, nën kujdesin e të palodhshmes dhe te pagabueshmes Elda Vela, redaktorve Katjusha Pogaçe dhe Silvana Farruku, dhe të Graphic Design të Elsi Kondos.

Libri mund të gjëndet në Librarinë Adrion dhe në shumë librari të tjera të Kryeqytetit.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT