• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“QYTETI PA REKLAMA” RIKTHIM TE KADAREJA I PAVDEKSHËM

July 3, 2024 by s p

Kosta Nake/

Përgjithësisht zhgënjehem në leximin e dytë të një vepre letrare, edhe kur për të ka patur një vlerësim të gjithëpranuar, kurse “Qytetin pa reklama” lexova me kërshërinë e herës së parë, madje kam vënë re edhe gjëra që më kishin kaluar jashtë vëmendjes. I shkruar në moshën 23-vjeçare, romani duket sikur është shkruar posaçërisht për rininë me ato faqet e ndjeshme ku përzihet seksi dhe dashuria. Më shumë se kaq, do ta quaja një muze ku rinia e sotme të zbulojë një tjetër qasje ndaj dashurisë dhe marrëdhënieve seksuale. Ditët e shkurtra të dashurisë mes mësuesit Gjon Kurti dhe gjimnazistes Stela Mezini janë nga më të bukurat e romanit, po aq sa është e hidhur edhe ndarja, pikërisht atëherë kur dukej sikur jeta për Gjonin po merrte kuptim edhe larg kryeqytetit. Bëhet dyfish e hidhur, kur hapja e rrugës për karrierë bëhet nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve historikë ose letrarë. Vdekja e Mërkurit shfrytëzohet si instrument për të përligjur prishjen e papritur mes Gjonit dhe Stelës. Romanca dhe aventura me ca nota sentimentalizmi janë një karem i mirë për të peshkuar në të dy anët e fashës rinore për pak onanizëm.

Portreti më i plotë dhe më i fokusuar është ai i Stela Mezinit që skicohet gradualisht sipas shfaqjes së tij në sytë e mësuesit. Fillon me zërin e ëmbël kur i përgjigjet apelit dhe me kordelen e bardhë në flokë. Rimerret në vështrimin e motrës së saj, Dianës: sytë e saj butësisht të errët, gjinjtë e rrumbullakët, format e belit dhe të këmbëve, qafa e bardhë e lëmuar. Portretet e tjera nuk detajohen që në shfaqjen e tyre të parë, janë të kursyer dhe plotësohen aty-këtu sipas rrethanave që i bëjnë të dukshme.

Autori paraqet dy portrete të njëpasnjëshëm duke i krahasuar siç bën me Mentorin dhe Evgjenin: Mentori: i kishte syzet të trasha dhe sytë i dukeshin shumë të vegjël, me trupin të shkurtër, të mbushur, me fytyrë babaxhane, por inteligjente, që i thyente syzat çdo muaj nga pakujdesia. Evgjeni: i gjatë dhe i thatë, me gropa në fytyra.

Toni sarkastik për qytetin zbulohet edhe te aludimi për veten “Më kot e pritën vendësit e N. djalin e tyre. Ai jo vetëm që nuk u kthye, por në ca shkrime të tij qe tallur paturpësisht me qyetin lindor.

Në leximin tim të dytë rivlerësova deklarimin e Gjon Kurtit: “Njerëzit çajnë rrugët në jetë në mënyra të ndryshme. Shumica e bëjnë karrierën në mënyrë të pandershme, disa e fillojnë, madje me krime, disa me mashtrime, disa duke dërrmuar të tjerët.” (f.112) Ka një debat me Evgjenin që e konsideron falsifikim dhe tallje me historinë përpilimin e një dokumenti të tillë, për dobinë apo dëmin e tij. Ai e siguron transferimin nga provinca që nuk e donte dhe rikthimin në kryeqytet pikërisht duke sajuar një dokument të rremë.

E habitshme është futja e ca thumbave për shoqërinë e kohës: Filmi rifillon nga që nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv erdhi me vonesë në kinema. Linguistët hahen si gjelat me njëri-tjetrin dhe, për të dalë fjalët e tyre, janë gati t’i nxjerrin sytë gjuhës shqipe. Thumbohet kryetari i Akademisë së Shkencave që kërkon të imponohet me mendimin e tij vetjak se toskërishtja është shkruar përpara gegërishtes dhe ironizohet me shprehjen “me të mëdhenjtë duhet ta kemi gjithmonë mirë.” Përqeshet ateizmi i shtetit shqiptar kur dokumenti i sajuar duhet të paraqitet si laik. Kulmi arrihet kur pretendohet të bëhet aluzion për luftën e klasave dhe kur ironizohet me mendimin “Do të rrinte këtu në provincë t’i shërbente vendit të tij, atje ku e kishte dërguar partia.”

PËRSËRITJA SI TIPAR STILISTIK

Përsëritja si rimarrje e togfjalëshave dhe fjalive të njëjta, shërben si shprehje artistike për të vënë në pah, për të përcjellë veçanti në një gjendje emocionale a psikologjike. Përsëritja nuk është pronë ekskluzive e poezisë, ajo mund të përdoret mjeshtërisht edhe në prozë.

Te romani “Qyteti pa reklama” pas marrëdhënies seksuale me Luiza Angonin, Gjon Kurti dyshon se mund të jetë prekur nga sifilizi. Përballja psikologjike me këtë sëmundje jepet përmes pesë përsëritjeve: “Vetëm të mos jetë sifiliz”, “Po sikur vërtet të ishte sifiliz?”, “Ah, skur të mos ishte sifiliz.” “Ah, skur të mos ishte sifiliz.”

Do vinte Stela Mezini në dhomën e Gjonit pas mesnate? Kjo pasiguri sillet rreth formulës “Kur pret diçka në tension, ajo vjen vetëm atëherë kur e humbet shpresën.” Rimerret shtatë herë: “ai po mendonte ta humbte shpresën”, “ai s’mund ta humbte dot shpresën,” “kur arrinte ta mbyste shpresën”, “tani e humba shpresën”, “kur, befas, lindte shpresa”, “sikur ta humbte fare shpresën”, “po ta humbte fare shpresën.”

Vetmia futet dhjetë herë në ingranazhin bluarës të meditimit duke thithur edhe nuancat “vetë”, “i vetëm”: “Gjoni ndjeu vetmi. Ai ndjeu vetmi, jo se ishte i vetëm, por sepse e mori malli për kohën kur s’ishte i vetëm. Të vetmuarit e vërtetë nuk vuajnë nga vetmia. Gjoni s’kishte qenë kurrë i vetëm…Ai nuk e dinte se cila vetmi do të ishte më e tmerrshme: e natës apo e ditës. Por edhe vetmia e ditës nuk durohej. Vetëm hante bukë në restorant, pinte vetëm cigaret e tij, por edhe cigaret e tij s’i pinte më kush, veç atij vetë.”

Përjetimi nga Gjoni i vdekjes së Mërkurit bëhet si kontrast i atij që ndodhet në varr me peshën e baltës dhe mjedisit me njerëz dhe me tym: “Në tavernë kishte shumë njerëz…Edhe tym kishte shumë. Tymi qëndronte lart në tavan sikur s’donte të përzihej me njerëzit. Megjithatë tymi prodhohej nga njerëzit. Sa zhurmë dhe njerëz kishte përreth. Dhe me tym.”

Zhgënjimi i Stelës nga Gjoni i dehur vjen përmes mungesës së përqafimit dhe mëdyshjes është-s”është: “Ai gjithmonë hidhej dhe e përqafonte atje…Ai duhej të hidhej ta përqafonte atje…Ai nuk ishte. Si nuk ishte? S’kishte mundësi të mos ishte. Kjo ishte dhoma e tij dhe ai duhej të ishte. Jo, ai mund të mos ishte, megjithëse kjo ishte dhoma e tij.”

Përsëritja mund të vihet në funksion të qasjes së autorit ndaj sjelljes së karaktereve. Te novela “Ditë kafenesh” kjo i shërben aventurës së dy të studentëve që fillon dhe mbaron si e tillë. Vargun e parë të përsëritjes e përbën fjalia “vendosëm t’i vinim pikë punës me femrat” e cila rimerret me trajtën e anasjelltë “megjithëse punës me femrat i kishim vënë pikë” dhe trajtës fillestare “vendosëm t’i vinim pikë punës me femrat”, vazhdon me trajtën e anasjelltë “megjithëse punës me femrat i kishim vënë pikë”; ndryshon pakëz si trajtë përmbyllëse “kur i vumë pikë punës me femrat” dhe përmbyset duke kaluar në formën kushtore “në qoftë se i kishim vënë pikë punës me femrat.”

Vargu i dytë i përsëritjeve lidhet me titullin e novelës kur vrulli i kërkimit të dokumentave të çmuara të së kaluarës zhvlerësohet dhe çdo herë rrugët e tyre përfundojnë në kafene, menjëherë pas largimit nga shtëpia e xhaxhait të shokut. Madje në një çast të dy vargjet bëjnë masë kur autori në të njëjtën faqe ku i vë pikë punës me femrat, thotë “menduam që, më në fund, po i vëmë pikë jetës së kafeneve.”

Vargun e tretë të përsëritjes e përbën togfjalëshi “person i panjohur” vendosur në gojën e xhaxhit të shokut si shprehje e qëndrimit refraktar ndaj nismave të gjeneratës së re dhe që e përdor si shtrojë për akuzat që u bëhen studentëve nga opinion që formësohet dhe ushqehet nga kafenet. “Ti erdhe këtu me një person të panjohur për mua dhe unë që në fillim, sikur e ndjeva që ardhja juaj kishte një qëllim të dyfishtë”, “Ju erdhët këtu, ti dhe shoku yt, person i panjohur për mua, me qëllime të errëta.” “Ti dhe shoku yt, person i panjohur për mua, e filluat tërë këtë fushatë të dyshimtë natën, në qytetin tone të ndershëm.”

Filed Under: LETERSI

Fjala e tij u bëftë dritë për kombin!

July 2, 2024 by s p

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është sot në zi, pasi mëngjesin e trishtë të kësaj të hëne të 1 korrikut, shuhet zemra e kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare. Kalorësi i Madh i Legjionit të Nderit të Kombit, kandidati i çmimit Nobel për letërsinë, akademiku dhe eksploruesi më i madh i historisë, artit, kulturës ballkanike dhe identitetit shqiptar, përfaqësuesi më i devotshëm i përkthyer në më se 45-gjuhë të botës, ndahet sot fizikisht nga ne, për të udhëtuar në përjetësi. Në kapërcyellin e më tepër se 6- dekadave krijimtari intensive Ismail Kadare u bë zëri universal i një kombi të lashtë, duke i mbijetuar totalitarizmit nëpërmjet alegorive politike, parabolave, asosacioneve dhe analogjive historike krijuar e sjellë në realitete të tjera paralele falë horizontit të tejskajshëm të mendjes e talentit të tij. Jo vetëm letërsia shqiptare, por sidomos letërsia botërore humbën sot fizikisht shkrimtarin më të devotshëm Ismail Kadare, për të skalitur tani e tutje përmendoren e veprës së tij në pavdekësi.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve.

Fjala e tij u bëftë dritë për kombin!

Kryesia e SHSHSHA

New York, 1 korrik 2024

Filed Under: LETERSI

Ismail Kadare mbi Krimin në Ballkan

July 1, 2024 by s p

Çerçiz Loloçi/

Në mesvitin e 1999-ës, së bashku me publicistin Agim Neza, botuam në shqip një libër modest “Holokaust – Dosja pa koment për krimet e Millosheviçit” me kopertinë një foto tronditëse: Masakra e Reçakut, mbështetur nga Sadik Llapashtica. Ndoshta ishte ndër të parët libra, pa ndonjë pretendim të madh, që pati gjithsesi një tirazh të konsiderueshëm, disa ribotime të njëpasnjëshme dhe, përpos tyre, u përkthye në gjuhët kryesore të OKB-së e shtegtoi me mënyrën e vet në mjaft kancelari jo vetëm perëndimore.

Përmbledhja e dëshmive barte rrëfimet e kosovarëve, të luftëtarëve të dy krahëve politikë, të militarëve dhe ushtarakëve serbë si dhe të dhëna e dokumente të agjencive euro-atlantike. Pak javë më vonë, nën kujdesin e poetit Besnik Mustafaj dhe me mbështetjen e një fondacioni gjerman, në gazetën “Albania” vazhdoi një rubrikë e përditshme me dëshmi krimesh të makinës shtetërore serbe ndaj popullisë së pafajshme kosovare; një angazhim të tillë pati edhe poetja Elsa Ballauri me shoqatën e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; akoma më vonë u botuan edhe libra, almanakë, albume, periodikë dhe broshura të tjera me të njëjtën temë.

Libri shumë shpejt humbi edhe autorësinë për shkak se u ribotua ilegalisht, ju hoqën dhe ju shtuan pjesë të tjera, ju ndryshua titulli dhe kopertina. Në atë periudhë shtypi më i zëshëm perëndimor, agjencitë e lajmeve nga të gjitha skajet e botës e kishin Kosovën lajmin e parë dhe pikërisht në këtë periudhë kemi edhe një angazhim të drejtpërdrejtë të kolosit të letrave tona, Ismail Kadare. Megjithëse autori ka botuar një pjesë fare të vogël të këtyre përpjekjeve, janë të panumërta korrespedencat me personalitetet më të mëdha të skenës euroatlantike, janë disa pjesëmarrje dhe referime në takime ndërkombëtare që investohen për letërsinë dhe paqen, veç intervistave dhe opinioneve në media me ndikim në politikën dhe diplomacinë botërore.

Libri i Kadaresë “Mbi Krimin në Ballkan – Letërkëmbim i zymtë” (Onufri, 2011) është ilustrim i këtyre përpjekjeve. Ai është konceptuar në tri pjesë: korrespodenca e autorit gjatë periudhës 1978 -2011, një intervistë me kryeredaktorin e gazetës “Shqip” dhe pjesa e tretë përmban faqe ditari dhe shkrime të ndryshme. Kadare analizon në këtë libër përshkallëzimin e krimit serb, dilemat e ndërkombëtarëve për të ndërhyrë ushtarakisht apo jo, qëndrimin indiferent të klasës politikë shqiptare. Në këtë libër, Kadare shkruan ndër të tjera se heshtja botërore për krimet serbe ndaj popujve tjerë në Ballkan e ka bërë Beogradin të përfitojë nga kjo heshtje.

Kryeletra e librit është ajo e shkrimtarit Vuk Drashkoviç, drejtuar I.K. në qershor 1987 ku i bëhet thirrje për të dënuar irredentizmin kosovar, krimet historike që gjoja kosovarët u kanë bërë serbëve. Duke analizuar këtë letër, Kadare pohon se ajo është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës; ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët. Pas kësaj letre vijojnë katër të tjera që Kadare ua drejton presidentëve Bush, Miteran, Havel dhe Papës Gjon Pali II, prej 11 deri me 15 shtator 1991. Prej tyre kuptohet fare lehtë gjendja e shqetësuar e shkrimtarit për fatin e mëtutjeshëm të Kosovës duke apeluar për një veprim më të shpejtë ndërkombëtar në mbrojtje të saj.

Një pesë të rëndësishme të librit e zë intervista e autorit. Në të ai shpjegon se “problemi i krimit vazhdon të jetë në thelbin e historisë së Ballkanit, në dy dhjetëvjeçarët e fundit”. Libri sa ka denoncimin e tij, aq edhe rreket për të bërë pajtimin në Ballkan. Sipas autorit “Bota, ashtu siç njeh krime të mëdha, ashtu njeh edhe pajtime të mëdha. Por këto të fundit, kërkojnë shpesh burrëri më të madhe, se lufta. Unë besoj në mundësinë e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve”. Interesante janë shpjegimet e Kadarese edhe për marrëdhëniet me intelektualë dhe shkrimtarë të tjerë serbë. Sipas tij “Pas Danilo Kishit, më të madhit shkrimtar të gjallë të Jugosllavisë, që e kam njohur dhe takuar disa herë, ndër shkrimtarët serbë, më i njohuri ka qenë Milorad Paviç, autori i “Fjalorit të Khazarëve”… Më i çuditshmi dhe i ngjajshëm me një personazh të Dostojevskit, ka qenë Miodrag Bulatoviç, nacionalist i shpallur… Një çast, duke m’i ngulur sytë, më tha: tregohu i sinqertë, Kadare dhe pranoje se ka së paku dhjetë vila të fshehta në bjeshkët shqiptare, ku përpunohen planet për shkatërrimin e Serbisë. I thashë se nuk besoja një gjë të tillë, kurse me vete mendova, s’do të ishte keq të kishte qoftë edhe një të vetme, ku të përpunohej strategjia shqiptare…”. Pjesë interesante të intervistës së Kadaresë janë edhe ato që flasin për qëndrimin e shkrimtarëve francezë si Patrick Besson, Bernard Levi, Regis Debrais dhe Julien Gracq në këtë konflikt… Franca kishte zbuluar befas se miti romantik i “djepit serb”, kishte fshehur për një kohë të gjatë, një tjetër të vërtetë të trishtueshme: krimin”. Madje Zhak Shirak në përgjigje të letrës i shkruante Kadaresë “se mund të përdoren armët, që të heshtin armët…”.

Jo më pak të rëndësishme në intervistën e librit janë përgjigjet e Kadresë për ndërhyrjen e tij në konferencën e Rambujesë, për sjelljen ndaj kombit dhe qëndrimin ndaj Nënë Terezës, për harmoninë fetare, për strukjen e intelektualëve shqiptarë etj. Ndërsa për raportin e Dik Martit autori nënvizon ndër të tjera: “Ne kishim dosjet tona ngjethëse, të cilat për turpin tonë, nuk i kemi bërë të ditura. Do të mjaftonte shifra prej 800 foshnjash shqiptare nën pesë vjeç të therur si berrat, një pjesë në sytë e prindërve, që bota të kuptonte se në cilën anë ishte e drejta. Këtë fakt nuk e ka dhënë ndonjë politikan, analist, a filozof shqiptar, por gazetari serb Miroslav Filipoviç. E ka shpallur në shtypin anglez dhe francez në vitin 2000 dhe ka bërë burg për këtë. Ndoshta gabohem, por emrin e këtij gazetari hero nuk e kam ndeshur në shtypin shqiptar. Në qoftë kështu, merret me mend shkaku: ky gazetar e ka vënë në skajim të vështirë ndërgjegjen tonë. Dhe s’është vetëm kjo. Eshtë dosja e të zhdukurve. Eshtë dosja tjetër e rreth 20.000 grave e vajzave të përdhunuara, shpesh herë në sytë e familjarëve, sipas humanistes shqiptare nga Kosova, Veprore Shehu, e cila disa javë përpara, ankohej gjithashtu për heshtjen e turpshme.

Ne s’kishim përse të hutoheshim as nga Carla del Ponte, as nga Dick Marty. Mjaftonte që në peshoren e drejtësisë të viheshin foshnjat e vrara dhe gratë e përdhunuara, që anën tjetër të peshores të mos e trondiste dot asgjë. Por ne s’e kemi bërë këtë sepse, qofshin politikanë apo akademikë, e kemi mendjen, për turpin tonë të pafund, kundër njëri-tjetrit…”.

Filed Under: LETERSI

“ANJEZA NUK U ZGJUA” E PREÇ ZOGAJT, BINOMI LUX&SEX I NOMENKLATURËS DIKTATORIALE

July 1, 2024 by s p

Kosta Nake/

Preç Zogaj vjen me një roman klasik dhe një batalion personazhesh të rreshtuar në një subjekt linear, me plot ndalesa analitike për të sjellë çdo argument të mundshëm, në përputhje me qasjen e tij të njohur prej analisti, për një temë që, edhe pse është vendosur në një kornizë të përcaktuar kohore, është universale, rrok gjithë hapësirën globale dhe lexuesi me përvojat e veta zbulon zgjatimet e saj edhe tek e tashmja, edhe tek e ardhmja. Vajza dhe gruaja është krijesa e lindur për të qenë e bukur në sytë e djalit dhe të burrit, për të qenë joshëse në atë masë që çon domodoshmërisht në ruajtjen dhe shtimin e racës njerëzore, por natyra ose Zoti nuk e shpërndan bukurinë në masë të barabartë, disa i përzgjedh për të shkëlqyer, pse jo dhe për t’i verbuar ata që nuk e përballojnë dot me shikimin e tyre. Pikërisht këtu fillon problemi që, sipas shumë veprave artistike, ka përcaktuar rrjedhat e historisë botërore duke filluar që Semiramida e Babilonisë dhe Helena e Trojës dhe duke vazhduar me një gjerdan çiftesh të dashuruar që kanë ushqyer me ndjenja të bukura lexuesit nëpër shekuj. Qindrat e kryeveprave dhe mijërat e subjekteve konvergojnë në një hulli: e bukura i përket më të fortit duke kaluar nga forca fizike te forca e pushtetit.

E veçanta e romanit të Zogajt është se edhe një fshat i zakonshëm si Patalana mund t’i japë shoqërisë shqiptare një të Bukur të Dheut si Anjeza Jakaj me tipare fizike të përkryera, por edhe një vajzë krenare me një botë të pasur, e aftë për t’u përballur në tregun e vlerave. Pika e lidhjes së subjektit shënohet me përzgjedhjen e Anjezës për t’i dhënë lule Udhëheqësit komunist që do vizitojë zonën, akt i fiksuar në fotografi që e nxjerr bukuroshen nga mjedisi i ngushtë te një vëmendje më e gjerë publike.

Cilët ishin të fortët e Shqipërisë socialiste që mund ta kthenin Anjezën në pronë erotike të tyre? Ishin fëmijët e pushtetarëve të lartë. Tashmë që avllitë e oborrit sulltanor, të quajtur Bllok, kanë rënë, shumë histori dashurie kanë dalë në shesh. Ky roman është një ilustrim artistik i asaj që prodhonte Blloku apo bota e njerëzve të nomeklaturës.

E etur për të realizuar ëndrrën si aktore, Anjeza humb dashurinë e parë dhe bie në grackën e rrjetës së “bamirësve” që përcaktojnë fituesit e konkurseve. Tragjedia e Anjezës qëndron në faktin se ajo ishte fituese për shkak të përgatitjes së vet, por “bamirësit” investimin e tyre e rimarrin në trajtën e favoreve seksuale që e depersonalizojnë dhe e viktimizojnë fituesen. “Bamirës” të tillë jo vetëm shkelin mbi dashurinë e të tjerëve, në këtë rast mbi lidhjen e David Gjikës me Anjezën, por edhe i zhvendosin dhe i bëjnë të pavlefshme përpjekjet e tyre për qëndresë. Romani fillon si një romancë e bukur duke sfiduar zakonet vendore dhe përfundon si tragjedi për shkak të përdhunimit, akt barbar që mund të sjellë shtazani dhe mëmësi të padëshiruar, prandaj dhe Anjeza, e goditur pa mëshirë në themelet e krenarisë së vet, zgjedh të bjerë në një gjumë barnash për të mos u zgjuar më.

Jeta dhe vdekja e Anjezës, fati dhe destini i saj përcaktohen nga mjedisi shoqëror, prandaj linja e dashurisë dhe ambicjeve artistike ndërthuren natyrshëm me problematikat e jetës së fshatit Patalanë dhe qytetit të Lezhës, duke i dhënë përparësi marrëdhënieve mes të rinjve, si humbja e Marta Ballgjinit dhe misteri i vdekjes së saj, paralelizmi mes Rudinit të Turgenievit dhe David Gjikës, lidhja e Ilirit dhe Maries, virgjëria dhe zhvirgjërimi, nevojat e rinisë për të dalë nga jeta e vakët e fshatit, pengesat e punësimit në sektorin shtetëror dhe kthimi i ikanakëve, kriteri i fortë biografik i përzgjedhjes së njerëzve për arsimin e lartë, shpërndarja e përgjegjësive për dështimet ekonomike, liberalizimi i qeverisjes në fund të viteve ’80, etj.

Është meritë e shkrimtarit që marrëdhëniet erotike i ka parë gjerësisht edhe me sytë e femrës, në një raport të komplikuar midis nevojës dhe rrezikut, midis pëlqimit dhe dashurisë, midis traditës dhe përparimit, midis ndihmës dhe mashtrimit.

Përtej romanit, përzgjedhja dhe përdhunimi është një problem i mprehtë edhe i shoqërisë shqiptare të tranzicionit, madje dy dhjetëvjeçarët e parë pas ndryshimit të sistemit politik, e kthyen prostitucionin në një nga burimet e pasurimit të shpejtë për tregëtarët e seksit me eksportim dhe importim të mishit të bardhë, me drama dhe tragjedi tronditëse. Në ditët e sotme, kur ka shenja të forcimit të shtetit, përzgjedhja dhe përdhunimi ka kaluar në organizime mafioze, por edhe në trajtën e përfitimeve seksuale për shkak të pozitës administrative dhe favoreve që burojnë prej saj.

Tema e zgjedhur e ka vënë autorin para një sfide të vështirë të skenave seksuale dhe erotike me fjalorin përkatës, ai e ka shkelur vijën e kuqe, pa arritur te niveli terminologjik i Edmond Tupes dhe Agron Tufës. Analisti i vetëpërmbajtur i paneleve televizive vjen me po atë kostum sjelljeje edhe si rrëfyes para lexuesve të vet.

Duke qenë se mjedisi i ngjarjeve është kryesisht fshatar, lexuesi shpesh do të shohë se rrëfyesi ndryshon regjistrin duke iu dorëzuar shpirtit poetik kur ndodhet para natyrës.

Filed Under: LETERSI

ARDHJA E ROMANIT TË PARË SHQIP DUKE TEJKALUAR KOMPLEKSIN E EDIPIT

June 29, 2024 by s p

– “Marcia” e Dom Ndoc Nikajt shtyn kufijtë –

Nga Visar Zhiti

Drita kishte fillue me zbardh e dilli me shndrit… Kështu nis romani i parë shqip, kjo është fjalia e parë e tij, e shkruar në shekullin XIX, kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Otomane dhe gjuha shqipe kishte qenë e ndaluar në atë perandori dhe shkronjat e saj ishin mallkuar… Po për ç’dritë bëhej fjalë ashtu, për lirinë e pritur me shekuj, ç’po zbardhte, gjuha e letërsisë shqipe, që do të ngrihej e do të bëhej e gjallë, romani shqiptar që do të arrinte majat dhe njohjen botërore?

* * *

Mbas 132 vjetësh harrim, sapo (ri)doli vepra “Marcia” e shkrimtarit Dom Ndoc Nikaj, e shenjuar si romani i parë shqiptar, por i shmangur si i tillë në Historitë e reja të Letërsisë, që hartonte regjimi dhe arësyet kanë qenë vetë romani, përmbajtja e tij kristiano-europiane dhe autori, që megjithëse i quajtur si ati i romanit shqiptar, pati një jetë të trazuar e dramatike, vdiq në burgun e fitimtarëve të pas Luftës II Botërore dhe kështu duheshin harruar si ai dhe vepra dhe Europa…

Pra, shkaku i vërtetë ka qenë pushteti diktatorial i komunistëve shqiptarë, Realizmi Socialist që ata vendosën me forcë si e vetmja metodë letrare, që do t:e duhej të ushtrohej në Shqipërinë e çliruar, por jo të shqiptarëve…

Sjellja e këtij romani shënjues, pra, është një sfidë dhe një vetëqortim emancipues, një ngjarje jo vetëm letrare e kulturore, një akt shoqëror me rëndësi dhe shpresë ecurie.

“PLASJE HAREJE NË SHPIRT”

Qysh herët, për shkrimtarin tjetër themeltar, Ernest Koliqi, (edhe ai me vepër të ndaluar dhe i dënuar me vdekje nga regjimi i dikurshëm), leximi i Dom Ndoc Nikajt do ishte “një plasje hareje në shpirt”.

Me sa poezi është thënë, me ç’duf e ç’pikëllim…

SI NJË MESHË NË KATEDRALE

APO NË LETRAT SHQIPE

Prej kësaj “hareje”, nxitoj të them se romani “Marcia”, më i hershmi dhe më i riu ndërkaq, u përurua këto ditë në qytetin e Dom Ndoc Nikajt, në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” në Katedrale, në ditën e 160 vjetorit të lindjes së tij, duke i ngjarë kështu një meshe të munguar gjatë në letrat shqipe.

Dhe më duhet të ndërmend tani se Katedralja, ku Dom Ndoc Nikaj ka qenë aq shpesh, në fillimet si seminarist, i gjallë dhe i vdekur, si shpirt më pas, nisi të ndërtohej, kur romancieri i parë s’kishte lindur ende dhe mbaroi kur ai do të ishte 6 vjeç dhe, kur do t’i avitej nëpër mendje romani “Marcia”, në Katedrale u vendosën 3 kambanat, që erdhën nga Venecia në vitin 1890.

Dy vjet më pas, kumboi romani i parë në gjuhën shqipe. Dhe krijuesi i tij do të ishte vetëm 28 vjeç. Vepra u shtyp në Shkodër. Shqiptarët e përpinë librin.

Romani i parë – si një katedrale tjetër e re…

* * *

Shtëpia Botuese “Onufri”, e mirënjohur për prurjet në letrat shqipe, sa bashkëkohore po aq dhe klasike e të traditës, është ajo që na solli romanin “Marcia”.

Theksohet në botim se përgatitësi është shkrimtari Andreas Dushi, gjë që duhej veçuar, jo vetëm pse ai e gjurmoi së fundmi romanin “Marcia” të vitit 1892, e gjeti dhe na e solli duke e pajisur me parathënien e tij korrekte e të kursyer, me shpjegimin e fjalëve anakronike të tekstit, tërheqin vëmendjen hulumtimet për zanafillën e romanit, në është përkthim dhe nga ku, kur tashmë ai është një realitet gjuhësor shqip dhe një realitet i ri letrar.

Përveçse një pune që do të duhej të ishte bërë me kohë dhe çuditërisht nuk bëhej, që pritej dhe vononte dëshpërimisht pakuptueshëm, dalja e “Marcia”-s është dhe si një mrekulli, sipas meje.

MREKULLIA…

Rivjen romani i parë shqiptar, për herë të parë mbas botimit të tij të hershëm dhe të harruar para dy shekujsh, – shkruajta unë për kopertinën e botimit.

“Marcia” i Dom Ndoc Nikajt është një narrativë plot mistikë, ku gërshetohen historikja me fantastiken, kujtesa baladeske, sa jona, po aq dhe ballkanike, (fjala është për konstruktin shpirtëror të shkrimtarit tonë,) me ato hebraike, kapërcimet nga bota reale në atë hyjnore, me personazhe biblikë, varrosjet për së gjalli si dukuri e qendresës së jetës, por dhe e qytetit të tij. (Shkodrës si frymë dhe Romës, ku zhvillohen ngjarjet e romanit…).

Po ky shkrimtar një vit pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1913) do të botonte romanin tjetër “Shkodra e rrethueme” në formë ditari, që në Historinë e Letërsisë Shqipe do të njihej si romani i parë shqiptar.

Pse kjo zhvendosje? Apo do të duhej që romani i parë i letrave tona të ishte patjeter me subjekt patriotik, kur vetë gjuha është patriotizmi më i madh. Apo nga që romanicieri ynë i parë vdiq në burg në moshë të thyer, i dënuar nga diktatura e fitimtarëve të pas Luftës II Botërore.

Kompleksi i Edipit të letrave të mëpastajme shqipe, atëvrasja e rëndë e romanit të parë shqiptar dhe autorit të tij, kërkonte një qortim. Dhe ora erdhi.

Dhe shënimi im mbyllet, e përsëris:

Është shkrimtari i ri Andreas Dushi, i cili u shfaq në letrat shqipe me roman që 18 vjeç, që kryen këtë akt, ai sjell romanin më të vjetër shqiptar duke e shtyrë kështu fillesën e tij një shekull më tej, në të XIX dhe nëpërmjet Botimeve “Onufri” u arrit mrekullia.

Dua ta vazhdoj se kjo është forcë e mëtejshme e kujtesës kolektive, e kërkimit të rrënjëve, ato lëvizin, – siç e thotë dhe Ernest Koliqi që në titull të një drame të tij, është vizion, në fund të fundit gëzim, po aq sa i përbashkët i njerëzve të letrave, po aq dhe familjar, dua të them se duhet te jetë i çdo familjeje që flet shqip. Siç duket dhe si joshje duke formëzuar kështu më mirë idenë dhe simbolikën, libri i porsadalë ka për redaktore jo rastësisht një pedagoge, Luljeta Dushi, nënën e përgatitësit të botimit.

NË SHTJELLËN E ROMANIT

E përsëris prapë, nisja do të ishte profetike: Drita kishte fillue me zbardh e dilli me shndrit… Ngjajnë me vargjet e eposit fjalët e para të romanit të parë, që unë i lexoj si ogure.

Janë 13 krerë në roman… si 12 apostujt me Krishin në mes si frymë, jo si personazh… Dhe e tillë është dhe fryma e romanit. E parë kjo nga sot, duket si një porosi europianizuese ndaj vendit që lëngonte fundin e një perandorie, që e shkëputi Shqipërinë nga Europa, familja e saj e natyrshme, për 500 vjet. Edhe Naim Frashëri, që do te bëhej poeti kombëtar, kështu shkruante: …o dritë e uruar,/ që lind nga perëndon…

Kur është botuar romani, Naimi ishte gjallë dhe sigurisht do të ketë marrë vesh atje në Stamboll, ku jetonte dhe punonte në drejtoritë perandorake të mbikëqyrjes së kulturës, se edhe ai librat e vet i botonte jashtë, në Bukuresht.

Ngjarjet e romanit të parë në shqip zgjodhën të jenë në Romë, besoj jo rastësisht dhe si kohë zgjodhën, me qëllim patjetër, atë të paskryeqëzimit të Krishtit, kur mbartësit dhe përhapësit e një besimi të ri dhe ideve të reja, që do të ndryshonin botën përndiqeshin, persekutoheshin rëndë, dënoheshin me vdekje mizore.

Protagonistja e romanit, Marcia, një vajzë pagane, që shërbente në tempull, është e detyruar të ikë, se përndiqej i vëllai i saj, përndjekja në fis do të shtohej më pas hatashëm në diktaturat e Lindjes, dhe kështu Marcia nis një jetë prej të përndjekure, të fshehtë, të nëndheshme, me vuajtje, që mua më kujton nëntokën e galerave të burgjeve tona, të Spaçit e të Qafë-Barit.

Marcia dënohet me varrosje për së gjalli në një shpellë, në terrin e katakombeve, ku e shpëtojnë miqtë, gjithmonë fshehurazi. Edhe atëherë kishte shumë që të braktisnin, por do të shtoheshin vonshëm, duke patur dhe një doktrinë mbrapsht, “politika në plan të parë”.

Dhe kështu Marcia e gjen veten mes të krishterëve klandestinë, që e kthejnë dhe atë në të krishtere, me besimin te një Krijues i vetëm, me birin e Zotit, Krishtin, dhënë njerëzve me Biblën e Re, atë të dashurisë. Marcian e pagëzon fshehurazi papa i fshehur Klementi.

Mbi të gjitha kjo është një thirrje humane “për dashni t’madhe për njerz” (fq. 50). “Beso, duj dhe shpresó” (fq. 53). Dhe më pas:

“Nji gjak i dlir e i kullúm do t’a lajn kët tok t’përlyeme me gjith far t’zezash për para se t’temelohet kjo bina e ré” (fq. 55)

Kreu i mëpastajmë është “Dy popujt”. Autori na thotë se ka dy Roma, ajo perandorakja, zyrtarja, sunduesja dhe një tjetër “t’asaj Rome… jo me shpat sikurse deri at her por me gjýq e me dashtuni” (fq. 58) Me gjyq: kupto drejtësinë e munguar. Dhe: “Dashtnija shkonte tuj i’u shtue n’zemër e féja tuj ngul rráj për dit e ma fort” (fq. 58.)

Por do të vinin kohëra të djallit, që do të sillnin urrejtjen në qendër dhe luftën e klasave, pra mes njerëzve, Luftë civile në kohë paqeje, e kam quajtur.

Marcia me shoqe do të jenë murgeshat e para, motrat e mëshirës, “Nënë Terezat” e bamirësië.

Në fund të romanit ato shkojnë t’u shërbejnë të burgosurve dhe Marcia në burg gjen befas të vëllanë, Severin, i dënuar si misionar i Krishtit. Teksa e torturonin, e motra i gjendet, i mjekon plagët dhe kur e pyesin se cila ishte: “Jam motra e martirit”, – thotë dhe ajo përfundon keq, e hedhin mes luanëve në Koloseun e famshëm, atje ku sot vijnë turistë nga e gjithë bota, e vizitojnë dhe bëjnë foto të lumtur.

“Marcia o kshtenimi n’filles t’vet” mund të quhet dhe romani i martirëve. Në parathënien e tij Andreas Dushi shpjegon: “E gjithë vepra në vetvete përcjell frymën e gëzimit të martirëve dhe dëshirën e të krishterëve për ta pasur atë hir: vdekjen për fenë e tyre. Ky është mesazhi që Nikaj synon të tejçojë edhe në Shqipëri, çka si një lloj profecie, ndodh të jetëzohet me martirët shqiptarë gjysëm shekulli më vonë.”

Mes tyre, martir, do të jetë dhe Dom Ndoc Nikaj. Në atë lloj burgu, ku Marcia gjeti të vëllanë, Shqipëria diktatoriale dhe e pafe, do të mbyllte Shkrimtarin e saj të romanit të parë për ta humbur përgjithmonë.

Kreu i fundit i romanit është “Luftimi i mbamë”, pra ka dhe një luftë të fundit me harresën, të harrimit të padrejtësive, të së keqes.

Kjo na takon neve, të gjallëve të sotshëm, për të nxjerrë Dom Ndoc Nikajn nga dhëmbët dhe kthetrat diktatoriale të harresës së qëllimtë dhe hungërimave të Realizmi socialist, që po e shqyenin. Ai ishte i mbuluar me gjakun e romaneve të tij.

* * *

Do desha të them se romani “Marcia” lexohet me ëndje dhe të trondit, me skena mbresëlënëse, ku përzihet masivja me vetanaken dhe bota e brendshme me qytetin, aq shumë Romë, në ndryshueshmërinë e tij thelbësore si ndryshime të botëkuptimit dhe të kuptimit të botës, po dhe me copëza Shkodre, kështu më duket, si me copëza të theyra pasqyre a gdhendje në dru, me një florë si humane, me personazhe spikatës, silueta dramash, që flasin shkurt dhe zgjedhshëm, e folmja shkodrane kumbon shpirtërisht, me shfletimet biblike, edhe pse ka shumë turqizma, që ndoshta në një botim të mëpastajmë mund të zevendësohen, gjithmonë me gjuhën e autorit dhe te qytetit të tij. Krerët si “Deka” apo “T’ngjallmet”, “Hapsi” (Burgu), etj, më kanë lënë mbresa të pashlyeshme dhe në tërësi i shoh si faqe të shkëlqyera të letërsisë tonë të traditës.

Rëndësia e këtij romani është e pa zhbëshme më, me një estetikë shembullore, e ardhur nga larg

KARTELA DOM NDOC NIKAJ

Në vazhdim të atyre që e kujtonin, të përpjekjeve për ta risjellë të plotë dhe me madhështi shkrimtarin tonë Dom Ndoc Nikaj, edhe unë u jam bashkuar, aq sa mundej, për ta trajtuar në shkrimet e mia, në sprovën “Panteoni i nëndheshëm”, (2010) dhe më tej në “Kartela të Realizmit të denuar” (2020).

Po risjell nga kartela e tij në plotësim të shkrimit tim:

Dom Ndoc Nikaj

(1864 -1951)

Shkrimtari plak, ai që kishte shkruar romanin e parë të letërsisë shqipe, kur gjuha shqipe ishte ende e ndaluar nga qeveria e pushtuesit turk, që do të mbyllte sytë në burg. E arrestuan në moshën 82-vjeçare, më 1946, me akuzën se donte të përmbyste me dhunë pushtetin e porsavendosur të komunistëve.

Ndoc Nikaj mësimet e para i mori te franceskanët në vendlindje, në Shkodër, pastaj në Kolegjin e Jezuitëve dhe u bë meshtar. Fare i ri nisi të shkruante letërsi, vepra fetare, shkencore, histori e politikë e kushtrime lirie. Iu përkushtua çlirimit kombëtar, bashkëpunoi me Konicën, shkroi libra shkollorë, madje dhe e arrestuan, por bëri 46 ditë burg dhe prapë vazhdoi misionin që i kishte caktuar Zoti.

[…]

Babai i romanit shqiptar, Ndoc Nikaj, ka dhe 7 romane të tjera të pabotuara, edhe drama etj. Ai është pararendësi i Mihal Gramenos, Foqion Postolit, Mit’hat Frashërit, Ernest Koliqit, “Balzaku ynë” e kanë quajtur… dhe guxuan dhe e arrestuan atin, në pleqërinë e tij të bardhë. Të zezë, thuaj. Plaku-perëndi, më duket! Vunë prangat mbi ato duar që duhej t’i puthnin. Sikur donin të dënonin ashtu së paku dhe ata 500 vjet punë të klerit katolik shqiptar. Ai, martir në qeli. E kishte menduar varrin, por jo burgun nga bijtë e tij. I pa, i duroi dhe 5 vjet. Teksa shekulli kaloi mesin e vet, Ai kaloi në botën e të vdekurve.

Dhe krijimtaria që la, është e begatë, por ende e pabotuar, mund të jenë dhe nja 30 tituj të tjerë që presin. Po ku janë rrugët dhe sheshet me statujën e tij? Qelia ku e mbyllën, të bëhet muzé. Pse kanë druajtje t’i afrohen ikonës së tij supreme? Ngaqë një atdhe ka dënuar atin e romanit të vet?…

Ndoc Nikaj është i pavarr, por edhe vepra e tij.

KOMPLEKSI I EDIPIT NË LETRAT SHQIPE

– në vend të mbylljes –

Shpesh janë goditur dhe shembur pararendësit në letrat shqipe, themeltarët, është vrarë tradita identitare, etj.

“Meshari” i Gjon Buzukut apo “Kanuni” i Lek Dukagjinit apo dhe poemat pranë tyre janë parë si antikitete, vlera muzeale, edhe si vjetërsira dhe jo si “rrënjë që lëvizin”, burime jete, që arrijnë të sotmen duke e shenjuar për të ardhmen tonë.

Nëse poetit kombëtar, Naim Frashëri, i shmangej një pjesë e krijimtarisë, ajo mistike dhe fetare, madje dhe erotike, si me “kufizime ideore”, ndërsa poetit tjetër Kombëtar, At’ Gjergj Fishta, i ndalohej vepra e tërë, madje dhe eshtrat e tij hidheshin në lumin Drin, si në përndjekjet që u bëheshin të krishterëve, të treguara në romanin “Marcia”, Shqipëria diktatoriale gjithmonë ka denuar prijëtarët apo themeluesit, Ernest Koliqi i ikur ishte dënuar me vdekje, shkrimtari Mitrush Kuteli, nderkoh:e dhe autori i parë të një libri me kritika, u burgos, shkrimtarë nga Kleri, sidomos atij katolik, u pushkatuan dhe u burgosën, gazetarë, poete, Profesor Arshi Pipa, drejtori i parë Radio-Tiranës, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Bubani, ndërrohej opera e parë shqiptare me një tjetër, romani i parë me nj;e titull tjetër, etj..

Në burg vdiq tragjediani i parë shqiptar, Et’hem Haxhaidemi ashtu si dhe Dom Ndoc Nikaj.

Kompleksi i Edipit i letrave shqipe, jo në letrat shqipe, atëvrasja është një dukuri e rëndë dhe prej kësaj frike, është kaluar dhe në të kundër, në birvrasje. Janë vrarë bijtë si poetët Trifon Xhagjika, Vilson Blloshme e Genc Leka, është varur Havzi Nelaj, varja e fundit në të gjithë Europën Lindore.

Ndërkaq është ndjerë dhe dukuria e ringjalljes në letrat shqipe, jo të menjëhershme, erdhi një “letërsi tjetër” nga ajo e ndaluara apo nga mërgimi i detyruar si Konica apo Martin Camaj dhe pari një prurje të dëshpërimisht të begatë nga burgjet dhe internimet.

Meritojnë studime të veçanta dhe të posaçme.

Riardhja e parë pas 132 vjetësh botim të “Marcia”-s sjell një ndryshim me rëndësi, besim në tejkalimin e Kompleksit të Edipit të letërsisë tonë, ndërkaq, siç e thamë, jo vetëm e shtyn romanin e parë në Historinë e Letërsisë Shqipe një shekull më tej, – dhe kjo u arrit me romancierin më të ri, simbolikë dhe shpresë e re, – por tregon që në zanafillën e tij romani shqiptar është me rrënjë në kulturën perëndimore, me atë frymë kristiane, të shenjtë e humane – kolonë kryesore në formimin e ndërgjegjes së Europës së Bashkuar, pra letrat shqipe kështu do të ishin letërsi Europiane, me dramën e tyre, po aq dhe universale.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT