• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MREKULLIA E ROMANIT TË PARË SHQIPTAR

June 16, 2024 by s p

Visar Zhiti/

Rivjen romani i parë shqiptar, për herë të parë mbas botimit të tij të hershëm dhe të harruar para dy shekujsh. “Marcia” i Dom Ndoc Nikajt është një narrativë plot mistikë, ku gërshetohen historikja me fantastiken, kujtesa baladeske, sa jona, po aq dhe ballkanike, me ato hebraike, kapërcimet nga bota reale në atë hyjnore, me personazhe biblikë, varrosjet për së gjalli si dukuri e qendresës së jetës, por dhe e qytetit të tij.

Po ky shkrimtar një vit pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë do të botonte romanin tjetër “Shkodra e rrethueme” në formë ditari, që në Historinë e Letërsisë Shqipe do të njihej si romani i parë shqiptar.

Pse kjo zhvendosje? Apo do të duhej që romani i parë i letrave tona të ishte patjeter me subjekt patriotik, kur vetë gjuha është patriotizmi më i madh. Apo nga që romanicieri ynë i parë vdiq në burg në moshë të thyer, i dënuar nga diktatura e fitimtarëve të pas Luftës II Botërore.

Kompleksi i Edipit të letrave të mëpastajme shqipe, atëvrasja e rëndë e romanit të parë shqiptar dhe autorit të tij, kërkonte një qortim.​ Dhe ora erdhi.​​​​​ ​​

Është shkrimtari i ri Andreas Dushi, i cili u shfaq në letrat shqipe me roman që 18 vjeç, që kryen këtë akt, ai sjell romanin më të vjetër shqiptar duke e shtyrë kështu fillesën e tij një shekull më tej, në të XIX dhe nëpërmjet Botimeve “Onufri” u arrit mrekullia.

Filed Under: LETERSI

MENTOR QUKU: SI E NJOHA UNË

June 14, 2024 by s p

Prof. Begzad BALIU/

IN MEMORIAMI I DEKADËS SË PARË

Jemi mbledhur ta kujtojmë një dekadë të ikjes në amshim të babait, mikut, studiuesit, intelektualit, edukatorit dhe personalitetit të shquar të botës shqiptare, Mentor Qukun. Jemi bashkuar sot të kujtojmë ato veçori intelektuale e qytetare, me të cilat ai si rrallë të tjerë ka ditur ta stolis biografinë e tij, kohën e tij, institucionet ku ka punuar, Shkodrën e tij dhe hapësirën etnike, për të cilën është angazhuar shumë me jetën dhe veprën e tij, i nderuari studiuesi ynë Mentor Quku.

Po takohemi sot të kujtojmë mësuesin, intelektualin, studiuesin e përkushtuar në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij edhe pse e di, që më parë se, duke kujtuar Mentor Qukun, ne kujtojmë formimin e tij prej edukatori, përkushtimin e tij prej studiuesi, rolin e tij prej organizatori të Seminarit “Shkodra në shekuj”, me të cilën krijoi kolanën më të madhe shkencore të një qyteti të etnisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë studiuesin e pazakonshëm të një shkkrimtari shqiptar, Ndre Mjedës.

Le të thuhet këtu, se këto janë edhe referencat për të cilat jemi njohur dhe për të cilat jemi angazhuar gjatë një periudhe prej rreth dy dekadash dhe për të cilat ende nuk jemi ndarë, sepse jemi njohur duke u angazhuar për bashkimin e studiuesive rreth kolanës “Shkodra në shekuj”, për të cilën unë fillimisht isha vetëm një i ftuar, bashkë me gruan time, pastaj organizator i studiuesve nga Kosova, që do të merrnin pjesë në Seminar dhe së fundi edhe ideator i disa prej temave me interes për Enciklopedinë e Shkodrës.

Sot po e theksoj faktin se ne ende nuk jemi ndarë, pavarësisht se ai është larguar prej një dekade, sepse reflektimi i njohjes sonë është sforcuar gjatë kohës sa kemi vazhduar të punojmë rreth kolanës për Ndre Mjedën, në të cilën unë fillimisht isha vetëm recensent i vëllimeve të para në shtypin ditor e shkencor, pastaj autor i parathënive të vëllimeve në vazhdim, për të vazhduar si hulumtues i teksteve të botuara në shtypin e Prishtinës për Mjedën, plotësues i bibliografisë së Mjedës dhe si fundi ideator i projekteve sintetike për Kolonën e Mjedës, njëri prej të cilëve, për Poezinë, shpresoj të betohet gjatë këtij viti, ndërsa shpresoj se kështu do të veprohet edhe me kritikën e përzgjedhur letrare, në kontekstin historik, krijues dhe publicistik.

I. ‘’TAKOHEMI NË KUFI -KUFIRI MOS QOFTË!’

Me Mentor Qukun jam njohur fillimisht diku në prill të vitit 2000, kur ai erdhi në Institutin Albanologjik të Prishtinës të bënte ftesën për ata që do të merrnin pjesë në Seminarin “Shkodra në Shekuj”. Megjithëse, drejtuesit e Institutit i kishin premtuar pjesëmarrjen e disa studiuesve, në tetor të atij viti, pra në muaj para mbajtjes së Seminarit ai kishte vetëm dy tituj kumtesash, e asnjë më shumë. Në mesin e tetorit të vitit 2000, më vjen një letër nga Profesor Jup Kastrati, i cili më kërkonte të ndihmoja organizimin e studiuesve nga Kosova. Ma kishte dërguar numrin e telefonit të Mentor Qukut, por kushtet e një asistenti të atëhershëm nuk ishin të bisedonte me telefonin e postës së madhe, me një drejtor që telefonin e kishte në tavolinën e pushtetarit, prandaj shpejt komunikimin e kalova përmes internetit. Për dy muaj dërgova 46 kumtesa me 56 autorë e bashkautorë. Studiuesit i organizova me një autobus deri në kufirin Kosovë-Shqipëri, atëherë i kontrolluar nga Kombet e Bashkuara, ndërsa aty na priste autobusi i seminarit. Mbaj mend se si në mesazhin e fundit në internet (sikurisht duke mos pasur kohë për shkak të ngarkesave të mëdha që kishte) më kishte shkruar: Takohemi në kufi ora 9; ndërsa unë duke dashur të kurseja shpenzimet e një asistenti në kafe-internet, i shkruaja: “Takohemi në kufi, kufiri mos qoftë!”

Për herë të dytë e kam njohur kur ai erdhi në Institutin Albanologjik për të përuruar vëllimet e para të botuara për Ndre Mjedën, që në të vërtetë ishin vëllimet ku ishin trajtuar temat për lirinë dhe albanologjinë. Nuk isha në pozitën, që të flas në një institucion kaq të lartë, e megjithatë e kisha pozitën që të shkruaj për revistat shkencore, sidomos për veprën mbi kontributin e Ndre Mjedës për albanologjinë, ndërkohë që unë shkruajta jo vetëm për revistat shkencore të kohës po edhe një sintezë shkencore për pikëpamjet linguistike të Ndre Mjedës, duke u mbëlshtetur edhe në veprën e Mentor Qukut.

Nga viti 2006 e deri në vitin 2014 kam shkruar shumë recensione, artikuj dhe parathënie për veprat e Mentor Qukut kushtuar Mjedës, ndërsa në vitin 2012 kam paralajmëruar vëllimin “Rilindja e Mjedës (Kërkime në kolanën e veprave të Mentor Qukut për Ndre Mjedën), të cilin nuk e kam botuar deri tani, në pritje të përmbylljes së kolanës Mjeda. Këtu po i sjell disa veçori të kësaj vepreje të papërmbyllur.

II. THEMELUESI I MJEDOLOGJISË

Duke shkruar recensionin e vëllimit të parë (Mjeda 1, Rinia: 1866-1888, Tiranë, 2004), të botuar në Kolanën MJEDA të studiuesit Mentor Quku, dhe duke parë projektin e tërësishëm të kësaj Kolane, e cila më tej jo vetëm është zgjeruar, por ka marrë përmasa të tjera kërkimi e vlerësimi, kisha vënë re me kënaqësi se si brenda dijes së albanologjisë po themelohej një disiplinë e re: mjedologjia, në përmasën që dijet e tjera simotra europiane kishin themeluar vite më parë, si: homerologji, shekspirologji etj. Prandaj recensionin tim të parë e kisha quajtur “Nga Ndre Mjeda te mjedologjia”.

Kisha vënë re jo pa dëshpërim se dijen që nuk kishim mundur ta themelonim për bardët e Rilindjes Kombëtare, Jeronim de Radën e Naim Frashërin, për Shkrimtarin nacional Gjergj Fishtën, apo shkrimtarin më të madh të gjysmës së dytë të shekullit XX Ismail Kadarenë, ja po e themelonim për një studiues, për njërin prej poetëve të gjysmës së parë të shekullit XX: Ndre Mjedën. Kështu, për rilindësin e madh Jeronim de Radën, ishin shkruar vëllime të tëra në gjuhën shqipe dhe në gjuhën italiane, e megjithatë një dije a një katedër akademike për studimin e veprës së tij nuk arrihej të ngrihej. Ndonëse për atin e shqiptarizmës, Naim Frashërin, ishin shkruar disa dhjetëra vepra e qindra artikuj shkencorë e publicistikë dhe në emër të tij ishte ngritur ideali i institucioneve shkollore në hapësirën shqiptare, e megjithatë nuk arritëm dot të themelojmë një katedër akademike a një institut nacional në emër të të cilit do të studiohej vepra e tij dhe njëra prej vlerave më të rëndësishme të identitetit nacional: gjuha shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për Gjergj Fishtën, në emrin e jetës dhe veprës së të cilit janë të lidhura shumë bëma në atdheut tonë, e megjithatë nuk kemi arritur ende të ndërtojmë një institucion, i cili do të merrej ekskluzivisht me jetën dhe veprën e tij, si dhe temën e madhe të idealeve të tij: për fe e atme!

Pse mund të flitet këtu për dijen mbi Ndre Mjedën dhe veprën e tij, që po e quajmë disiplinë shkencore: mjedologji, dhe pse për institucionin e saj. Sepse për të themeluar një disiplinë shkencore është e nevojshme të ndërtohet edhe metoda e studimit të saj, e për të institucionalizuar një disiplinë shkencore duhet krijuar institucioni i veçantë i studimit të saj. Këto parime themeluesi të kësaj dijeje i ka përgatitur dhe sistemuar një kohë të gjatë, madje edhe atëherë kur nuk i besonte së nesërmes së tij. Mirëpo shpresa e mbante të bënte qoftë edhe punën e një murgu sepse përpara kishte Yllin e tij polar: Ndre Mjedën dhe misionin e tij. Pra, projekti i studiuesit Mentor Quku në biografinë e Ndre Mjedës i kalon caqet e një kërkimi për jetën dhe veprën e tij dhe kjo është arsyeja pse mund të flitet për një institucionalizim të kësaj dijeje.

Në qendër të ridimensionimit të kërkimeve të tij për Ndre Mjedën, studiuesi Mentor Quku nga aspekti metodologjik ka vënë metodën gjithëpërfshirëse të shtrirë në hapësirën e lëvizjes së tij dhe kronologjinë e moshës së tij, edhe pse nga njëra vepër në tjetrën, sigurisht për shkaqe kohe dhe mundësie financiare, jo gjithmonë ka mundur të ju përmbahet këtyre parimeve: jeta – misioni – shoqëria – (identiteti); fëmijëria – rinia – pleqëria – (identiteti); vepra: alfabeti – poezia – gjuha – letërsia-(identietit).

Në të vërtetë, në studimet historike, përkatësisht albanologjike, e brenda saj historiko-gjuhësore dhe historiko-letrare, asnjëherë nuk kanë munguar veprat me shtrirje përgjithësuese për autorë a vepra letrare, por asnjëherë deri më tash për autorë, vepra dhe perceptime të tyre në përmasën shteruese, si kjo për Ndre Mjedën. Deri më tash jo njëherë janë shkruar vepra për veçantitë e disa prej krijuesve, por asnjëherë për të gjitha të veçantat e një krijuesi, si kjo për Ndre Mjedën.

I gjithë kërkimi i tij për të ndërtuar veprën jetësore dhe mendore të Ndre Mjedës është strukturuar në tri linja a parime dhe në disa referenca themelore: a) kronologjinë e jetës (formimi jetësor); b) përmasën e shtrirjes së aktiviteteve shkencore dhe letrare; dhe c) krijimin e referencës bartëse të kësaj periudhe dhe këtij aktiviteti (albanologu, alfabeti, identiteti, gjuhëtari, Liria, albumi, bashkëkohësit), të cilat me një emër do të mund të quheshin referenca identitare të tij.

Po kështu mund të thuhet edhe për parimet që ka ndjekur autori në institucionalizimin e veprës së tij. Kërkimet e tij nisin me themelimin e dosjeve për gjithë pasurinë materiale e shpirtërore të tij, me prezantimin sintetik të dijes, përkatësisht mendimit shkencor të tij, themelimin e bibliotekës së tij dhe më në fund themelimit të institucionit të tij. Nëse dosje të tilla kemi pasur edhe më parë, ato i kishim në përmasa të shkrimit të një vepre shkencore, po jo edhe në përmasa të kërkimeve shteruese, me synim formimin e një dosjeje unike për personalitete dhe kontribute të tyre në kulturën dhe shkencën nacionale. Dosja e Ndre Mjedës, e përgatitur nga studiuesi Mentor Quku i tejkalon caqet e një kërkimi personal: ajo përfshinë dokumentaritetin e jetës së Ndre Mjedës nga fotografitë dhe dorëshkrimet deri te dëshmitë autentike të bashkëkohësve për bëmat e tij; ajo ndërtohet nga tekstet personale me vlerësime të bashkëkohësve të tij deri te dokumentet institucionale të komunikimit me te; ajo e nxjerr Ndre Mjedën edhe nga përmasa e poetit edhe nga veladoni i priftit kryengritës ashtu sikur jemi mësuar ta njohim për më se një shekull; ajo e nxjerr Ndre Mjedën nga prifti i përkushtuar për hapësirën krishtare dhe e vë në plan të parë intelektualin e përkushtuar për hapësirën etnike shqiptare; ajo i vendos përmasat e humanitetit shpirtëror të meshtarit, përtej rrëfimit biblik dhe e vë në planë të parë përmasën semantike të gjuhëtarit përtej ndjenjës letrare brenda poezisë së tij.

Sado nuk është thënë më parë në mënyrë të prerë në studimet historiko-letrare, Ndre Mjedës edhe më parë i është njohur vlera e mjeshtrit të vargut. Në të vërtetë, në studimet historiko-letrare Ndre Mjedës i njihej vlera letrare e gjuhësore e mjeshtërisë së vargut letrar, por jo në përmasën e shqiptarësisë së gjuhës së Naim Frashërit dhe jo në përmasën epike të gjuhës së Gjergj Fishtës. Studiuesit Mentor Quku i takon merita në këtë drejtim, për shkak se para vlerësimit të mjeshtrit të vargut vuri dijen e tij teorike përkatësisht konceptet e tij për alfabetin, si dhe dijen e tij për etimologjinë dhe semantikën e fjalësit të saj. Duke i njohur këto dy parime teorike dhe historike Mjeda e bëri gjuhën e tij bazë të fuqishme të ndërtimit përkatësisht strukturimit të vargut të tij. Deri më tash parimet e dijes së ndërtimit të vargut letrar të tij ndërtoheshin mbi dijen për vargun klasik greko-romak dhe njohjet e tij për teoritë letrar të kohës. Kështu Mentor Quku këtë koncept e barti nga njohja për letërsinë, si dije e përgjithshme, në njohjen për gjuhën si dije e veçantë.

Në këtë rrjedhë mjeshtri ynë ka bërë disa përmbysje që e zhvendosin vendin e Ndre Mjedës në historinë e qytetërimit letrar. Poeti i mirë dhe prifti kryengritës tash e tutje nuk është më pak i rëndësishëm për alfabetin e gjuhës; për gjuhësinë shqiptare – përkatësisht etimologjinë e saj; për historinë e gjuhës shqipe – përkatësisht vendin e formimit të popullit shqiptar dhe gjuhës së tij; që bashkërisht do të mbulonin dijen mbi mjedologjinë.

Më në fund, a nuk mjafton vetëm ndikimi gjuhësor mbi letërsinë, si një nga parimet e Ndre Mjedës, të identifikohej me mjedologjinë si dije. E kjo tashmë nuk është vetëm në interes të studimit të veprës përgjithësisht apo poezisë veçanërisht të Ndre Mjedës, po edhe studimit të një numri shkrimtarësh pararendës dhe pasardhës të tij. Ndikimet janë parë edhe më parë, por vendosja e tyre në historinë e letrave tona ka munguar.

A nuk mjaftojnë të gjitha këto vlera materiale dhe diturore të bëhen objekt studimi brenda një institucioni, si ky, që tashmë po themelohet nga bardi i tij, studiuesi Mentor Quku.

III. KOLANA E PAPËRMBYLLUR E MJEDËS

Të nderuar të pranishëm, duke e përmbyllur fjalën time, po i rikthehem edhe njëherë njohjes përkatësisht ditëve të fundit të komunikimit me studiuesin Mentor Quku, në kontkest pothuajse gjithnjë të përgatitjes dhe botimit të Kolanës Mjeda, një komunikimim shumë i dendur por, ndryshe nga komunikimi që kisha me, bie fjala, Profesor Jup Kastratin, me letra të gjata deri në 15 faqe, letërkëmbimi me Mentor Qukun nuk ka pasur asnjëherë më shumë se 15 rreshta. Po e shkëputi një nga ato: “Begzad, kam gati librin për Mjedën Albumi. Është një vëllim me fotografi e dokumente. Më duhet një Parathënie e gjatë. Shumë e gjatë. Si di ti.”

Për veprën e parafundit “Përzgjedhje” nuk më njoftoi. Ma dërgoi vetëm veprën e botuar. Nuk më kishte folur asnjëherë për gjendjen shëndetsore. Nuk e prisja. Kishim biseduar për një vëllim me proza dhe një tjetër me poezi. I kisha thënë një ide që do të ishte mirë të botoheshin, një poezi një studim përcjellës dhe për këtë i kisha dhënë shembullin e Profesor Agim Vincës. Por ai kishte frikë se për një vëllim poezish nuk ishte problem të siguroheshin tekstet kritike si përcjellëse të tyre, por ishte problem tëp gjendeshin vlerësime të prozave. Po kështu kishim diskutuar edhe për studimet gjuhësore.

Një vëllim më vete me shumë tekste antologjike e kishim ideuar për Mjedën në syrin e kritikës, ndërsa një vëllim më vete për të cilin “unë nuk mund ta ndihmoja” ishte vëllimi me fjalime politike të Ndre Mjedës, si dhe dokumente në Parlamentin shqiptar, të cilat i kishte përgatitur Ndre Mjeda. Tani që kishim dy vëllime bibliografike: Bibliografinë e studimeve për Ndre Mjedën dhe Bibliografinë e botimeve të Ndre Mjedës, nuk do të kishim shumë vështirësi për gjetjen dhe përgatitjen e teksteve. Vepra e parafundit do të ishte vëllimi i parathënieve, recensioneve dhe vlerësimeve të të gjitha veprave, ndërsa e fundit do të ishte vepra ime “Rilindja e Mjedës (Kërkime në kolanën e veprave të Mentor Qukut për Ndre Mjedën), e cila do të ishte sintezë shkencore e gjithë Kolanës.

Të nderuar të pranishëm!

Desha të them që botimi për Kolanen Mjeda i projektuar nga Mentor Quku, nuk është përmbyllur ende. Desha të them që komunikimi im me Mentor Qukun nuk është përmbyllur, veç se tani bëhet në anë të kundërt, përmes veprës së Mjedës.

Filed Under: LETERSI

FATI KOKËPRERË I NJË SHQIPËRIE GJYSMËSHEKULLORE

June 13, 2024 by s p

Kosta Nako/

Në strehën e librave m’u shfaq romani i panjohur “Sy”, por e mora menjëherë në dorë nga emri i autorit – Ardian Kyçyku, të cilin e kam njohur për herë të parë nga mesi i viteve ’90 me audio nëpërmjet Radio Tiranës, në emisionin e përjavshëm të Demir Gjergjit “Fjala si fillim, fjala si flijim”. Ishte me plot ide të reja për letërsinë në një kohë kur të tjerët nuk ishin shkëputur nga metoda e realizmit socialist, ose ngaqë nuk mundeshin, ose sepse nuk dinin ku të shkonin. Nga ajo bisedë mësova edhe planin e tij për të shkuar në Rumani. U futa në bisedë duke e vlerësuar Ardianin për ato që kish thënë, njëkohësisht shpreha keqardhjen për largimin e tij, me parandjenjën se do të ishte një ikje pa kthim. Tashmë kjo ka ndodhur dhe suprizohem tek lexoj konsideratën e shkrimtarit të moçëm Vasile Andru se Kyçyku është një nga tre shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës rumune.

Duke qenë libri i vetëm që kam lexuar nga Ardian Kyçyku, nuk guxoj të përcaktoj një shkallë hierarkie të këtij libri në botimet e tij të shumta, vetëm në shqip janë rreth 20, por mund të them se është e para vepër letrare e shkruar në një mënyrë të tillë që lexohet, por nuk mund të ritregohet. Grotesku dhe surealizmi më bënë ta perceptoj si një pamflet politik me purteka fshikulluese dhe shigjeta dërrmuese. Ngjarjet vijnë me tërsëllëmë që në faqen e parë me tri detaje që organizojnë kompozicionin e veprës: një re që s’dihet si u ngjiz, ca peshq që kërcejnë për të kapur diçka prej saj dhe një sy prej qelqi që magjepset nga pamja.

Pason një atmosferë meditimi për vdekjen si qasja më e natyrshme, por kufiri thyhet kur kufitarët kapin tre peshkatarë që donin të arratiseshin, të tre pa kokë. Pesë breshëri zbrazen mbi kufomat e ftohura dhe vetëm dy qëllojnë në shenjë sepse kishte një zot që i mbronte nga përdhosja. Në një mjedis të dehurish, të dhënat që nuk mund të nxirreshin nga kokat, në spital i kërkohet Doktorit dhe Xhabirit t’i nxirnin nga barqet. Sakaq shfaqen personazhet: Jaho Myneveri i dosjeve për qytetarët, shoku Themistokli – figura më e rëndësishme e rrethit, poetuci Haki Ujera me portretin e shpifur që gëlltiste poshtërimet me buzëqeshje; Misto Fotografi shoqëruar me inventarin e pasur të arkivit të tij; dijetari e mendjelarti Afrim Katrahura që e kishte marrë nofkën pasi kishte veshur këmishën e forcës në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe tani i duhej të zbulonte qelqin për njëlbinë gjithëpamëse e gjithëdëgjuese; gurëthyesi Koço Puthja që nga spitali përfundon te “Bunkeri” për t’i mbytur hallet me ponç; shoku Bexhet – Sekretari i Parë i Rrethit që u jep lejë familjarëve t’i qajnë të vrarët që s’ishin as tradhëtarë, as dëshmorë, thjesht të rënë. Sikur të mos mjaftonin tollovitë e brendshme, duhej të vazhdonte vallja në gojën e ujkut që ndryshonte qimen herë pas here: jugosllav, rus, kinez.

Rrëfimi kalon herë-herë përmes vështrimit të syrit të vetëm të Ilirit, syri tjetër i ka plasur nga goditja e shkopit të gomës, por thuhet se ia kishte gërditur një korb duke shtyrë në minierë vagonin me mineral. Që ta ruajë syrin që i ka mbetur, i kërkohet të bëhet bashkëpunëtor i sigurimit për të mirën e atdheut. Është syri gjithëpamës e gjithëdëgjues.

Fillimisht ndodhemi në një sistem diktatorial ku përftohet një rreth vicioz i jetës, me përsëritje identike ku ndryshojnë vetëm emrat e personazheve. Mund ta ilustrojmë këtë me martesën e Afërditës me Agimin e Zukut të Vdekjeve në lokalin “Familjari” dhe e Verës së Afërditës me Bashkimin e Hasanit në po atë lokal, po ajo meny që mbyllet me shprehjet “Jua shpërblefshim në gëzime!”, “Në shtëpinë tuaj!”, “Në kokën tënde!”. Në bashin e tryezës, pranë krushqve, janë po ato figura të nderuara ku veçohet shoku Themi me të shoqen – Melihanë, i cili hap dasmën dhe dollia e parë është “për komandantin tonë legjendar, për prijësin e popullit tonë”, dollia e dytë “për Partinë tonë të Punës, që e paçim sa malet!”

Te dasma e dytë komandanti legjendar ka vdekur, prandaj në dolli futet shoku Ramis. Në të dy dasmat vihet re mungesa e instrumentave muzikorë, por gjendet një zgjidhje, në të dyja digjet shamia e beqarit. Pastaj skena e pjelljes, kutërbimi, ndërhyrja e suksesshme e Afrim Katrahurës me djegien e fijeve të shkrepses.

Sukses të plotë ka krijimi i shoqatës “Mbrojtja e Kufijve të Shenjtë dhe e Udhëheqësve” me rastin e ditëlindjes së Udhëheqësit Legjendar. Pas vdekjes së udhëheqësit, Jaho Myneveri i dosjeve niset drejt klonit. “Kur e mori plumbi i parë, pamja u gjysmua ose u dyfishua. Plumbat qenkeshin sy. Dhe shqoi disa dhjetëra kufitarë … që nguteshin ta mbushnin me sy… Pastaj një sy më i madh se të tjerët…i çeli vrikthi në lule të ballit.” Ai u shpall poliagjent “Që i humbtë fara e farefisi, jarebi!”

Ndryshimi i sistemit lajmërohet me hapjen e të ashtuquajturave Depo të Kinezit “të cilat ishin depo në fuqi të disatë, sepse kishin brenda mureve edhe pjesë nga depot e turkut, italianit, grekut, frëngut, gjermanit, jugosllavit, rusit, arabëve, etj.” Vijon një inventar marramendës i artikujve që përmbajnë ato. Koço Puthja dhe Agimi i Zukut mbushën dymbëdhjetë qivurë me gjëra me vlerë dhe i varrosën si apostuj duke u vënë shenjë sipër. Pastaj llojet e makinave të transportit dhe njerëzit e ngarkuar me një inventar tjetër të pafund.

Se si ishte brumosur njeriu i ri e tregoi shoqëria shqiptare e tranzicionit transformimin domethënës të Haki Ujerës që çau ferrën për të shpëtuar kryeveprat poetike. “Iku Haki dhe u kthye pas ca kohe Alberto…Kish ikur Alberto dhe u kthye për disa ditë si Hans. Pastaj iku Hans e u kthye Habib. Iku Habib e u kthye Alqiviadh…Pastaj iku Alqiviadh e i kthye John.”

Ndryshon sistemi dhe nga rrethi kalohet në një spirale, fillon e shquhet ndryshimi si te dasma e Koço Stërputhjes me Fluturën. Tani dasmën e nderojnë mysafirë të largët si shoku Milivoje Grbiç, shoku Vollodja Mihajlloviç Shukashvili dhe shoku Go Mo Neng. Vjen menyja e njohur. Pas menysë ofiqarët e shquar vendas. Por në të tri dasmat kryedasmori është po ai: Shoku Themi(stokli), i cili me ndryshimin e sistemit kthehet në zoti Bëri. Tani dollia e tij është për demokracinë, për popullin dhe politizohet kur shpërthejnë thirrjet “Rroftë zoti Tanas Thano! Poshtë horrat dhe hajdutët e Bahri Selishës!” Refreni i mungesës së sazeve, djegia e shamisë së beqarit.

Pas Depove të Kinezit shpërthehen depot e armëve me inventarin e tyre dhe vjen një përshesh me emra të vërtetë dhe të sajuar në një enumeracion që kthehet në një shtresëzim shoqëror si Nëntorajt, Gomonajt, Doganajt, Hashashajt, Skafarët, Bananajt, Kallashajt, etj. që krijuan sferat e veta korruptive. Zoti Themi mendon se ka ardhur koha që të bëjë biznes me dosjet dhe përsëri do të vijë Agimi i Zukut të Vdekjes me dymbëdhjetë qivurë për t’i varrosur dokumentat si apostuj. Shpjegimi i enigmës fillestare vjen nëpërmjet Ilirit: “…peshkatarët a pasunarët a kufitarët i kishin kokat në vend, vetëm mjegullat e mëngjesit, coprat e reve, apo varfëria, pengjet e pafund të jetë sonë, nguteshin të mos ua shihnin.”

Një përsëritje e gjërave në përmasa tronditëse jo vetëm nën diktaturë por edhe në demokraci, me një shtrirje deri te ngjarjet transformuese të Kosovës, te synimet e pafshira greke të aneksimit të trojeve shqiptare sipas formulës “ku kam një të vrarë, është toka ime”, një fshirje e qëllimtë e kufijve midis ëndrrës dhe realitetit për të arritur te një mbyllje që i përngjan faqes së parë të veprës.

(Romani “SY” i Ardian-Christian Kyçykut, Tiranë 2007)

Filed Under: LETERSI

“Adriatic Press” dhe “Vatra” promovuan librin e Emrije Krosit: “Letërsia e Pranguar e Sami Repishtit”

June 10, 2024 by s p

Adnan Mehmeti/

Në botën e botimeve, takimet dhe miqësitë shpesh krijojnë lidhje të fuqishme dhe të qëndrueshme. Një shembull i tillë është miqësia ime me Emi Krosin, një autore dhe intelektuale e respektuar me të cilën kam pasur privilegjin të bashkëpunoj prej shumë vitesh në Tiranë. Ky takim i sotëm do të ndajë emocionet e promovimit të librit të saj të fundit për Sami Repishtin në Amerikë.

Emi Krosi është një zë i fuqishëm në botën e letrave shqipe, e njohur për angazhimin e saj të thellë në fushën e kritikës. Gjatë viteve, ajo ka ndarë me mua dhe lexuesit pasionin dhe përkushtimin e saj për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore. Kjo miqësi dhe bashkëpunim i gjatë më ka lejuar të njoh nga afër punën e saj dhe ta vlerësoj si një studiuese të veçantë.

Libri i saj i fundit, “Letërsia e pranguar e Sami Repishtit”, është një testament i përkushtimit të saj ndaj historisë dhe kulturës shqiptare. Sami Repishti, një personalitet i shquar në mërgatën shqiptare në Amerikë, ndër të tjera, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndërkombëtare për çështjet shqiptare.

Udhëtimi i Emi Krosit në Amerikë për promovimin e këtij libri është një moment i veçantë që reflekton suksesin dhe përkushtimin e saj të palodhur. Ndërsa ajo prezanton veprën e saj para një audience të re dhe të ndryshme, unë ndihem i emocionuar për arritjen e saj.

Në përfundim, dua t’i uroj Emi Krosit çdo sukses në këtë nismë të rëndësishme. Jam i bindur se promovimi i këtij libri në Amerikë do të jetë një hap i madh përpara në karrierën e saj dhe do të ndihmojë në përhapjen e njohurive për Sami Repishtin dhe çështjet shqiptare në një nivel më të gjerë.

Profesor Repishti, personalitet i njohur

Dëshira jonë ishte që në mesin tonë të kishim profesorin e nderuar. Për shkak të moshës së thyer, vitin tjetër do të festojmë 100-vjetorin e lindjes së tij, gjë që e bën të pamundur pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje. Edhe Emi më sugjeroi nga Tirana, kur e mori vizën: “Sigurohu që të vijë profesori.”

Pavarësisht sfidave që lidhen me moshën e tij, prania e profesorit është gjithmonë një nder dhe burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë ne. Ndërkohë që flasim për këtë ngjarje të rëndësishme, ndjejmë thellësisht mungesën e tij sot, por ngushëllohemi nga trashëgimia e tij e pasur intelektuale dhe kulturore. Kjo trashëgimi do të vazhdojë të ndikojë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Shtëpia botuese “Adriatic Press” në shërbim të librit shqip

Shtëpia botuese “Adriatic Press” me shumë përkushtim është duke vazhduar botimet e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Ajo ka depërtuar në bibliotekat e shumicës së autorëve. Ky zgjerim i veprimtarisë së “Adriatic Press” reflekton një angazhim të vazhdueshëm për të promovuar letërsinë dhe kulturën shqiptare në mbarë botën. Shtrirja e saj në SHBA dhe Kanada dhe tani edhe përtej Atlantikut, është një dëshmi e suksesit dhe përkushtimit të saj për të sjellë zërat e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë tek një audiencë ndërkombëtare. Kjo arritje është një moment krenarie jo vetëm për “Adriatic Press”, por edhe për të gjithë komunitetin e shkrimtarëve dhe lexuesve që mbështesin këtë mision të rëndësishëm kulturor.

Ndërkohë që shohim përpara drejt të ardhmes, është e qartë se “Adriatic Press” do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe promovimin e trashëgimisë letrare shqiptare në Amerikë. Urime dhe suksese në këtë rrugëtim të mrekullueshëm!

(Fjala e mbajtur gjatë promovimit të librit, organizuar në selinë e “Vatrës” në Bronx)

Filed Under: LETERSI

Çfarë është jeta?

June 8, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

E vështirë të përcaktohet. Mund të thuash që jeta lëviz. Por edhe zjarri. Mund të thuash që jeta evoluon. Por një virus kompjuterik mund të zhvillohet. Jeta riprodhohet—por a do të thotë kjo se mushkat (të cilat janë sterile) nuk janë të gjalla? A e shihni se sa e vështirë është të përcaktohet jeta.

Shkencëtarët ende nuk kanë një përkufizim për jetën, për të cilin mund të bien dakord.

Në librin e tij “What is Life?” fituesi britanik i çmimit Nobel në Fiziologji ose Mjekësi, Paul Nurse zhvilloi tre parime për të përcaktuar jetën: (1) jeta ka aftësinë të evoluojë përmes seleksionimit natyror; (2) format e jetës janë të kufizuara; (3) format e jetës janë makina kimike, fizike dhe informative.

Nurse e huazoi titullin nga një libër i mëparshëm me të njëjtin titull i fizikanit austriak, fitues i çmimit Nobel, Erwin Schrodinger. Në të, Schrodinger përshkroi aspektet fizike që duhet të ketë një qelizë e gjallë. Kjo shërbeu si frymëzim për biologun amerikan James Watson dhe fizikanin britanik Francis Crick më 1953, të cilët më vonë zbuluan strukturën e ADN-së.

NASA përdor një përkufizim të ngjashëm në kërkimin e saj për jetën në kozmos: “Jeta është një sistem kimik i vetëqëndrueshëm i aftë për evolucionin darvinian.” Por një diskutim i gjallë vazhdon mes shkencëtarëve se si të përcaktohet më së miri se çfarë është jeta dhe si ta gjejmë atë diku tjetër.

Në vitin 1952, dy shkencëtarë amerikanë në Universitetin e Çikagos, Stanley Miller dhe Harold Urey, demonstruan se energjia nga rrufeja mund të kishte krijuar molekula organike në një Tokë të re. Për ta vërtetuar këtë, ata mbushën një enë qelqi me dioksid karboni, metan dhe avull uji – përbërësit e propozuar të atmosferës së lashtë të Tokës – dhe kaluan një shkëndijë përmes përzierjes së gazit, duke imituar rrufenë. Ky eksperiment rezultoi në material organik kafe në muret e brendshme të kontejnerit dhe rezultatet janë përsëritur në shumë laboratorë në të gjithë botën, duke përfshirë në Cornell nga Carl Sagan.

A është kjo se si filloi jeta në Tokë, nga materiali organik i prodhuar nga stuhitë e rrufesë? Nuk e kemi ende përgjigjen. Dhe ka vende të tjera, më befasuese ku shkencëtarët kanë gjetur materiale organike. Meteoritet që shpërndanë pjesën më të madhe të ujit të Tokë përmbajnë gjithashtu lëndë organike; një shumëllojshmëri e madhe e molekulave organike, si aminoacidet, sheqernat dhe acidet yndyrore, udhëtuan nëpër hapësirë ​​në këta lajmëtarë të lashtë.

Kjo pyetje themelore është ende një fushë kërkimi. Së pari, jeta ka nevojë për ujë. Së dyti, ajo ka nevojë për një sipërfaqe të fortë ku kimikatet mund të ngjiten së bashku dhe të formojnë lidhje dhe struktura. Këto dy kërkesa mund të gjenden në fundin shkëmbor të një pellgu ose në dyshemenë e oqeanit ose ndoshta edhe në fundin e akullt të një pellgu në një shtresë akulli.

Kështu jeta i shpëtoi fuqisë gjithnjë e më holluese të oqeaneve dhe filloi miliarda vjet eksplorim për të pushtuar botën.

Qelizat në brigjet e liqenit Thetis, Australia Perëndimore, janë gjurmët e para fosile direkte të jetës në Tokë. Shkencëtarët po bëjnë përparime të rëndësishme në kërkimin e tyre.

Por ka një problem thelbësor: shkencëtarët nuk mund të krijojnë ende jetën në laborator. Tani për tani, një sukses i tillë i përket imagjinatës së shkrimtarëve vizionarë si Mary Shelley dhe personazhit të saj, Dr. Frankenstein. Ka shumë arsye pse të bësh jetën në laborator është tepër sfiduese. Sa kohë duhet të prisim që jeta të fillojë (dhjetë minuta, një vit, dhjetë mijë vjet, një milion vjet)?

Ne e dimë përafërsisht se si ishte sipërfaqja e Tokës rreth tre miliardë e gjysmë vjet më parë – pikërisht atëherë kur shkëmbinjtë regjistruan fosilet e formave të para të njohura të jetës. Ndërsa e dimë se sipërfaqja e Tokës ishte e ngrohtë dhe e mbuluar me ujë të lëngshëm, ne nuk e dimë nëse këto kushte ishin ato që i duheshin jetës për të filluar. Ndoshta jeta filloi përpara se një procesverbal i saj të bëhej i shkruar në gur. Dhe ne nuk e dimë nëse filloi pothuajse kudo në të njëjtën kohë ose nëse filloi në një vend të vogël dhe u përhap në të gjithë globin. Jeta mund të ketë filluar në fund të oqeanit, ku uji i nxehtë rrjedh nga fundi i oqeanit në një pjesë të ngrirë dhe të thellë të oqeanit nën presion të lartë, që mund të kenë siguruar sipërfaqen për formimin e strukturave të ngjashme me qelizat. Dallimet e mprehta të temperaturës mund të përqendrojnë kimikate dhe mund të kenë qenë të mjaftueshme për të krijuar struktura të ngjashme me paraqelizën. Nëse jeta do të fillonte kështu, nuk do të kishte psur nevojë as për rrezet e diellit, as për ajrin. Nuk do t’i interesonte nëse sipërfaqja e planetit ishte e ngrirë e fortë apo e bukur dhe e ngrohtë. A është fundi i oqeanit ku filloi jeta në Tokë?

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT