Behar Gjoka/
Me mjaft interes për këtë gjendje amorfe është shtjellimi tjetër, po kaq thelbësor sa i përket zhanrit: “Romani (si gjithë kultura) gjendet gjithmonë e më tepër në duart e medias. Këta (njerëzit e medias), duke qenë agjentë të njësimit të historisë planetare, zmadhojnë dhe kanalizojnë procesin e reduktimit; shpërndajnë në mbarë botën konceptet e tyre të thjeshtëzimit dhe klishetë e qenies së prekshme, të pranuar nga numër i madh, nga të gjithë, nga mbarë njerëzimi…” , siç thekson Milan Kundera te libri “Arti i romanit”, një përcaktim teorik dhe praktik i marrëdhënies së medias me letërsinë, të marrëdhënies së deformuar, e pranishme në median e shkruar dhe vizive, në përgjithësi, e po kaq me romanin, në veçanti. Rrezbitja monotone, në një molo të ngushtuar në marrëdhënien e letërsisë me median, nuk ndodhi menjëherë, por ishte një proces i ngadaltë, tepër i shtrirë në kohë, që mori përsipër emrin e poetëve, prozatorëve, përkthyesve, pra emrin e shkrimtarëve të një kohë, në shumicën e herëve pa lexuar tekstet e prezantuara.