• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“THE INTERNATIONAL BEST POETSAND TRANSLATORS PRIZES 2023…”

December 1, 2023 by s p

– THE DAILY GLOBAL NATION –

Gazeta Ndẽrkombētare e Pavarur, “The daily global nation” nē 29 nẽntor, nē rubrikēn “Letērsia botērore” (World Literature) boton “Çmimet pēr poetēt dhe pērkthyesit mē tẽ mirē ndērkombētare 2023, nē Kinē.”

Sipas gazetẽs: “Juria pērbēhej nga poetë, përkthyes dhe studiues të nderuar nga 18 vende, duke përfshirë Italinë, SHBA-në, Poloninë, Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Emiratet Arabe, Rumaninē, Suedinē, Indinē, Francen, Spanjēn, Kinēn, Shqipërinē, Greqinē, Gjermaninē, Argjentinēn, Izraelin, Japoninẽ, Danimarkēn dhe, pasi juria zhvilloi tre raunde votimi gjatë një periudhe prej dy muajsh, resultoi në katërmbëdhjetë fitues të përbërë nga poetë dhe përkthyes nga trembëdhjetë vende të ndryshme. Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për 18 gjyqtarët ndërkombëtarë për përkushtimin e tyre profesional dhe të shprehim urimet tona më të ngrohta për të gjithë fituesit e merituar!”

Mes fituesve nga bota ēshtẽ dhe Visar Zhiti. Gazeta ka botuar nga njē poezi nẽ gjuhēn angleze nga secili fitues dhe nga Visar Zhiti ēshtē zgjedhur poezia “Atē natē nē kryeqytet”, qẽ ēshtẽ botuar nē librin e tij tẽ parē, “Kujtesa e ajrit”, Tiranē 1993 dhe mē pas nē gjuhēn angleze nē librin “The condemned apple”, 2005, SHBA. Poezia gjithashtu ēshtē dhe nē librin, qē doli kētē vit, dy gjuhēsh, anglisht dhe kinezçe, “The gathering light”, 聚集光, Kinē 2023.

Po e sjellim poezinē nē gjuhēn e poetit.

Visar Zhiti

ATË NATË NË KRYEQYTET

Ishte natë,

me të vërtetë ishte natë,

natë e një stine të egër

dhe emri yt Pranvera ende

s’kishte ardhur,

rrinte drojtur në rrugë

si një sorkadhe e hutuar

mes tankeve,

kishte tanke vërtet

dhe statuja të rrëzuara

dhe zemrat kishin mbetur bosh

si pedestalet

me mermer të rrjepur.

Po në këtë botë ishe dhe ti.

O Zot, sa mirë që je dhe ti

në këtë botë

dhe unë të ndjej si ky skelet peme

që ndjen vërshimin fosforeshent

të kësaj hëne të madhe,

të madhe dhe të gjallë,

e ndjeshme si ty,

si mendimet e tua.

E si të mos të përqafoja? Rruga

ishte me plot ushtarë

me armë të zeza.

Kisha frikë për ty,

nuk doja që ti të shikoje

ushtarë të egërsuar,

ushtarë kundra nesh

e megjithatë jo të huaj.

(E pse, kështu do të ishin gjithmonë

sfondet e ngjarjeve të mia?)

Në sytë e tyre të putha

që ata të ndjenin mëkatin e armëve

dhe të përcolla deri në shtëpi

përtej shtetrrethimit,

por jo përtej zemrës.

—————————————

Nga libri “Kujtesa e ajrit”,

Tiranē 1993.

Filed Under: LETERSI

DY SHKRIMTARËT PETRO MARKO DHE ISUF LUZAJ dhe bijtë e tyre poetë…

November 26, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti

Fate po aq sa të ngjashëm, të ndryshëm po aq… luftëtarë të dy…

Është një datë, që i sjell në kujtesën kolektive më fort se ditët e tjera.

25 nëntor – dita kur Petro Marko lindi,

25 nëntor – dita kur Isuf Luzaj ndërroi jetë.

Moshatarë të vitit 1913, pra kanë dhe 110 vjetorin të dy…

Petroja është nga Bregu i Vlorës, Dhërmiu dhe Isufi nga Kanina e Vlorës.

Të dy e donin atdheun, patriotë dhe luftuan të dy me armë në dorë kundër pushtuesit, – do t’u thosha nxënësve si mësues, – por liritë i patën të ndryshme…

Petroja u lidh me partizanët fitimtarë dhe pësoi burgun e tyre, Isufi me humbësit e Ballit Kombëtar dhe u detyrua t’i ikë persekutimit, mërgoi në Amerikë…

A ishin njohur, takuar? Besoj se po…

Librat e Petro Markos, mirëpriteshin nga lexuesi, por dhe nga kritika e Realizmit Socialist, ndërsa regjimi i ndalonte shpesh e më shpesh…

Librat e Isuf Luzajt nuk mund të futeshin në Shqipërinë e mbyllur si burg, ashtu si autori i tyre, ato ishin të dënuara…

Ndërkaq edhe djali i Petro Markos edhe djali i Isuf Luzajt do të ishin poetë, njëri në burg dhe tjetri në internim.

Jamarber Marko, pasi lirohet, por mbas rënies së perandorisë komuniste do të botonte një përmbjedhje me poezi hermetike, që do vlerësoheshin dhe do të futeshin antologjive.

Dalan Luzaj do ta kalonte jetën internimeve, por pasi diktatura komuniste u shpërbë dhe Shqipëria u hap, ai iku, erdhi te i ati në Chicago SHBA, ka botuar shumë libra me poezi, lirika të dhimbjes dhe vuajtjes, dëshmi të një jete në dy kohë dhe dy vende…

A i përkujtojnë sot Petro Markon dhe Isuf Luzajn? Tirana ku Petroja jetoi dhe punoi si shkrimtar? Po shqiptarët në Chicago, ku Isufi pati shtëpinë e fundit dhe librat?

Në nderim të tyre, që i dhanë aq shumë letrave shqipe, po dhe të bijve të tyre poetë, “të letërsisë tjetër” që u martirizua, po sjell shënime nga libri im “Kartela të Realizmit të dënuar”:

Jamarbër Marko

(1951- 2010)

Petro Marko

(1913- 1991)

Jamarbër Markon e njoha mbas burgut. Poet i një metafore tronditëse. Biri i shkrimtarit të shquar…

Ati, Petro Marko ishte autor që e studionim në shkollë dhe papritur e ndalonin veprën e tij dhe ajo na bëhej më e dashur. E shikon nga larg me adhurim, madje dhe e kam takuar njëhere, isha me tim atë që njiheshin…

Shkrimtar luftëtar, i burgosur nga çdo regjim në çdo epokë të jetës së tij. Që e burrëronin dhe e bënin më të bukur…

Kur është gazetar i ri në Tiranë, me të shpërthyer Lufta e Spanjës, shkon vullnetar atje, njihet dhe me Heminguejin, kështu thoshte, e me shkrimtarë të tjerë në luftë. ​

Kudo që do të ndodhet nëpër Evropë, lufton me fashizmin.

Dhe kthehet në Shqipërinë e pushtuar dhe e burgosin…E çojnë larg. Në Ventotene? Jo, më poshtë dhe më larg në një ishull tjetër në Sicili, në Ustika, për të cilin do të botojë më vonë romanin “Një natë me dy agime”.

Çajnë burgun e Ustikës dhe bashkohet me partizanët italianë, hidhet në zonat e çliruara të Italisë, bashkon shqiptarët e mbetur andej… Kthehet në Shqipërinë e çliruar, rebel si përherë, ngrihet kundër diktatit të Beogradit ndaj vendit tonë dhe shumë shpejt e arrestojnë.

Saturni po hante bijtë e vet. Nis në burg romanin “Hasta la vista”, e nxjerrin nga burgu, e rehabilitojnë, përfundon romanin dhe e boton. Pasojnë vepra të tjera, që shpesh ia ndalojnë, se “ka qenë në burg, është i dyshimtë”, por bëhet i dashur për lexuesin me pasionin e tij prej poeti plot dufe lirie.

Shumëçka e ka treguar tronditshëm në librin “Retë dhe gurët- Intervistë me vetveten”.

Më nëpërmendet, kur në qeli i sjellin profesor Zuberin, një nga gjeologët më të mëdhenj të botës, të cilin dikur e kishte thirrur dhe Lenini për të zbuluar puset e Bakusë, madje atje i kishin ngritur dhe një bust. Dhe tani e kanë katandisur në një grumbull të gjakosur leckash. Kurse Petro Markon e mbajnë varur pas dritares me zinxhirët në qafë. Hapet dera dhe një çizme e rëndë partizani bie egër mbi fytyrën profesor Zuberit, e vrasin në qeli, sepse “nuk ka gjetur rezerva floriri në nëntokën shqiptare”.

Goditja tjetër më e rëndë që merr në jetë shkrimtari i njohur Petro Marko, siç e thotë edhe vetë në kujtimde, është burgosja e të birit, Jamarbër Marko, poet dhe ai, për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe shtetit.

Trashëgohet dënimi. Lirohet dhe Jamarbëri, por nuk i shpëton përndjekjes, ai nuk mund të botojë dot gjë…

Petro Marko vdes i drobitur dhe i zhgënjyer në prag të rënies së perandorisë komuniste, për të cilën dhe luftoi, “me pushkë dhe me penë”, siç thuhej, kishte lindur një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por pa parë kurrë ndonjë agim të dytë.

Gjithsesi ai mbetet një nga shkrimtarët më interesantë shqiptarë të shekullit XX.

​Jamarbër Marko do të botonte poezitë e veta pak para vdekjes së vet, i drobitur dhe i shkatërruar nga burgu…

Shkrimtari Isuf Luzaj

(1913 – 2000)

…shet tokën e vet me ullinj në Vlorë për të studiuar jashtë vendit, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku do të mbrojë dy doktoratura, në filozofi e në letërsi.

Në atdhe punon në Normalen e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës. Përmbledhja e parë poetike e tij “Rrëfime” nuk arrin të shpërndahet, e ndalin edhe autorin nga shkaku i poezisë “Neroni”.

Si kundërshtar aktiv, e shpërngulin në Itali në ishullin e të dënuarve, Ventotene. Me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, lirohet nga burgu dhe rikthehet për t’u bashkuar me nacionalistët, që luftonin për çlirim, por kur kishte nisur vëllavrasja dhe pabesitë.

Pasi humbin, me të mbaruar lufta, ikën duke lënë familjen, por në Itali e dënojnë, akuza: dyshime për vrasje e një gjenerali italian gjatë luftës.

Me ndihmën e Sandro Pertinit. Presidenti i ardhshëm i Italisë, me të cilin ishin njohur në Ventotene, punon në Bibliotekën e Vatikanit.

Fati i tij që në Argjentinë kërkohej një profesor filozofie me diplomën e Sorbonës. Do të njihej me shkrimtarin Jorge L. Borges. Mbas 18 vjetësh punë atje, e ftojnë në SHBA, ku e zgjedhin kryetar të Ballit Kombëtar në Kongresin e Nju-Jorkut.

Isuf Luzaj, krahas titullit “Professor emeritus”, merr edhe dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia jep vetë Presidenti Regan. Mban leksione në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshirë, Indiana etj. Emërohet titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinoisit.

Ka lënë në dorëshkrim edhe 32 vëllime, poezi, filozofi, histori, ditarë, romane etj., të gjitha të panjohura në atdhe, por edhe të dënuara të gjitha.

​Poeti Dalan Luzaj,

(jemi pranë në Chicago)

​Në kopertinën e pasme të njërit prej librave të Dalanit është dhe kjo thënie imja:

“Duke u lidhur me poezinë, Dalan Luzaj duket sikur i ka dhënë kuptimin që do të donte, jetës së tij.

Nën diktaturë, larg, për poetë me fatin si të tij, poezitë ishin si fasha të fshehta për plagët, ndërsa tani i shërbejnë mallittë të ikurit në liri, kujtesës më të vështirë, asaj gjuhësore tëshpirtit.

Strofa të rregullta, rima e metafora, të gjitha për të mbushurpoemën e një mungese të dhimbëshme.”

Filed Under: LETERSI

Embrioni i modernes: prozat poetike të Lumo Skëndos dhe pragu i guximit më tepër

November 25, 2023 by s p

Nessuna descrizione della foto disponibile.

Eris Rusi/

Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë

Kushtet historike të fillimit të shek. XX në vendin tonë, ishin specifike dhe të veçanta në funksion të çështjes kombëtare, duke u shoqëruar me përpjekjen që padija dhe varfëria intelektuale e kushtëzuar nga jeta nën perandorinë osmane, të zëvendësohej gradualisht nga një lehtësim i dritshëm i jetës shpirtërore të vendit përmes kulturës dhe letërsisë. 

Duhet të themi që ishin vërtet në minorancë njerëzit e fillim shekullit XX në Shqipëri që lexonin poema apo romane. Pjesa tjetër e vendit ishte e mpakur në leksikun e vet të varfër, që keqësohej akoma më tepër nga jeta e rrëmujshme, e paqëndrueshme politike e vendit, si dhe nga hapësirat e vështira ekonomike. Si pjesë të përmirësimit të situatës  intelektualët dhe krijuesit e kohës konsideruan orientimin e vëmendjes kah letërsia, tek botimi i periodikëve, në rilindjen e një sensi të brendshëm, fisnik sa dhe njerëzor, për të kulturuar jetën e vendit. Veç në këtë mënyrë, do të arrihej të shihej përtej, do të mund të kapej çdo sinjal rrugëzgjidhje dhe kapërcimi i vështirësive, megjithëse krijimet letrare reflektonin frymën e kohët, ekstremitetin e gjendjes shoqërore shqiptare si dhe mangësitë, vështirësitë apo të metat e kritikueshme të kulturës sonë të frenuar dhe të pazhvilluar si duhej. 

Letërsia mori funksionin didaktik, udhërrëfyes dhe përçues të dritës dhe rilindjes, e si një metaforë e jetës, erdhi duke kapur formën e të nevojshmes, të së domosdoshmes në dimensionin e mëvetësisë shqiptare. Aty ku deri dje vonohej të shihej vegimi i trishtë i jetës së fshehur të thellësive, i varfërisë shpirtërore, i barbarisë dhe i zakoneve arkaike, të paqytetëruara, barbare, letërsia nisi të zbulojë dhe të nxjerrë në dritë secilën prej këtyre të metave, duke ofruar edhe pasionin, edhe ndjenjën, edhe lartësimin e të mirës dhe të bukurës në vetvete.

Në këtë pikë, na duhet të përmendim sërish një aksiomë të artit letrar, që fantastikja dhe realiteti nuk janë dy universe paralele dhe të dallueshme nga njëri-tjetri. E aq më shumë nuk mund të shihen si dy botë të kundërta, në një garë se kush do të fitojë në fund. Fantazia e mirëfilltë, në fakt, nuk duhet ta shohim kurrë si një vendstrehim për ata që ndjehen të zhgënjyer nga realiteti. Apo që duan me çdo kush t’i arratisen realitetit. Botët fantastike, për të qenë të gjalla, duhet të ushqehen me të dyja duart nga realiteti, nga dramat, vështirësitë, të pamundurat dhe zymtësitë e tij. 

Si ka mundësi atëherë që është kaq e vështirë të gjejmë këtë notim brenda fantastikes në pjesën e parë të shekullit XX? Për krijuesit e kohës, realiteti nuk përmbyllej në vetvete: “i gjithi është këtu…” Përkundrazi, në çdo spirale shprese, shihej mundësia që limitet e realitetit të shtyheshin më tej, kjo falë forcës tunduese të fjalës së shkruar. A nuk kishte vallë terren më të mirë për letërsinë fantastike, sesa Shqipëria e sapo dalë nga një izolim dhe robëri shekullore turke, ende e panjohur, si një tokë e virgjër fantazish, përplot mister për t’u zbuluar në të gjitha sfumaturat dhe luhatjet e saj?

Mund të ngremë si qëndrim faktin që letërsia shqiptare ishte mbrapa ritmit me të cilin ishte zhvilluar letërsia evropiane, e për më tepër ishte e angazhuar në procesin e identitetit kombëtar, ku dhe pavarësia e Shqipërisë edhi shumë më vonë se vendet e tjera ballkanike. Por nga ana tjetër krijuesit e kësaj letërsie kishin kontakt të vazhdueshëm, e njihnin dhe ushqeheshin me atë që ishte letërsi e kohës, evropiane dhe botërore. Përse zgjedhin të mos rrezikojnë sa duhet në terrenin e fantastikes, në përputhje me ndryshimet dhe rrjedhën krejtësisht të re që po merrnin shkollat letrare në Evropë? 

I. Proza poetike e Lumo Skëndos

Në këtë pikë, mund të sjellim rastin e Lumo Skëndos, i cili ofron interes studimi sidomos me prozat e tij poetike, ku ngrihet imagjinata, përfytyrimi i së mrekullueshmes dhe ndjesia fantastike, por kjo e lokalizuar dhe e jo e përhapur në të gjitha krijimet e përmbledhjes në prozë “Hi dhe shpuzë”

Sikundër shprehet në parathënien e librit studiuesi Nasho Jorgaqi:

“Lumo Skëndo u shfaq në jetën shqiptare në dekadën e fundit të Rilindjes, kur ë qiellin e letërsisë sonë po ngjitej plejada e Faik Konicës, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës me shokë. Ishte ky brez i ri letrarësh dhe veprimtarësh atdhetarë që duke mos e ndarë artin nga dituritë dhe duke u njohur atyre rolin militant në kauzën e çlirimit të atdheut, synoi dhe punoi për një emancipim të gjithanshëm të jetës shpirtërore të kombit”. (Skwndo 1995: 4)

Pra kjo është një përmbledhje e emrave që frymonin letërsinë në fillim të shekullit të XX. angazhimi dhe përpjekjet në rrafshin kombëtar, bëjnë që nga kritika çdo lloj qasje që i largohet këtij prizmi nacionalist, të shikohet si një luhatje e çastit, si një dalje nga rrjedha që duhet të kishte letërsia e kohës, për t’u rikthyer me të shpejtë në reshtin e reales dhe të vërtetësisë ideore të përshkrimit dhe ilustrimit të kohës. 

Vijon më tej Nasho Jorgaqi:

“[…]Në këtë aspekt u bënë përpjekje të frytshme për të kapërcyer kufijtë e një letërsie poetike e cila kish krijuar vepra të shkëlqyera, për të dalë në një terren pak a shumë djerrë siç është proza. Duke qenë e një stadi fillestar nga ana artistike, si një prozë diturake-historike-publicistike, me vlera njohëse dhe edukative, ajo nuk i përmbushte nevojat e një letërsie kombëtare siç ndodhte me poezinë shqipe bashkëkohore”.(Skëndo 1995: 5)

Në një farë mënyre njihet dobësia miturake e prozës shqiptare në fillimet e saj, për të patur një identitet të mirëpërcaktuar që në publikimet e para. Mund të mos jemi dakord me përcaktimin “terren i djerrë”, referuar prozës në tërësinë e saj, meqenëse emocionet e përftuara, fantazia, por dhe kombinimi i retorikës metaforike në rastin e prozave poetike, jo vetëm që nuk na ofron modele të rëndomta e të varfra në formë dhe përmbajtje, por më së shumti na bën të hamendësojmë se përse nuk u rrezikua më tepër në zgjerimin e këtyre formave të prozës poetike, në krijime më të plota dhe të guximshme. 

“Hi dhe shpuzë” përmban 15 proza poetike, 2 novela dhe gjashtë kujtime, të shkruara brenda një periudhe gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Prozat poetike i përkasin kryesisht kohës së rinisë së autorit, i cili ishte mbrujtur me frymën e të qenit larg Shqipërisë (Lumo Skëndo u largua nga Shqipëria tre vjeç dhe u rikthye në moshën 29 vjeçare). 

Pra ka një rrugëtim emotiv që lidhet edhe me impulsin, përfytyrimin dhe ndjesinë e përshpejtuar të një moshë kur gjithçka është e mundur. Përtej sfondit patriotik, në do të ndalemi te proza “Plaku i Ylynecit”:

“Plaku i Ylynecit është një tregim alegorik me prirje të qarta filozofike që i paraqet lexuesit për të nxjerrë kuptimin konkret dhe idetë që rreh të japë autori[…] ai pothuajse nuk ka subjekt. Gjithë ajo që zhvillohet para të hapet si një tablo sa reale aq dhe ireale, sa e vërtetë aq dhe fantastike. Edhe pse bëhet fjalë për një vend të njohur të Shqipërisë së jugut, siç është shkëmbi i Ylynecit, ajo shënon vetëm pikënisjen, lokalizimin formal të ngjarjes që shtjellohet më pas.” (Skëndo 1995: 5)

Cilët elementë të letërsisë fantastike mund të dallojmë në këtë rrëfim? Sabri Hamiti në “Letërsia moderne shqiptare” gjen një Shqipëri reale dhe ideale të autorit. Plaku i Ylynecit “rrok temën e Shqipërisë,po tani në ballafaqim me tiraninë e kohës dhe të përjetësisë; nuk ka vetëm identifikim me dashurinë atdhetare, por dhe me drojën. Kërkuesi i së vërtetës, këtu autori, njeh dhe shpalos mjediset reale; ndërsa plaku që është koha, shpalos një realitet të vetin të përhershëm dhe agresiv. Fjalët e Plakut (Kohës) e shpien dëshmitarin nga realja në pamjet fantazmagorike të botëve që ndahen me një teh: në një anë katastrofa njerëzore, ndërsa në anën tjetër lulëzimi i jetës. Ferri e Parajsa”. (Hamiti 2002: 98)

Rrëfimi i Skëndos, i shkëputur nga përmbledhja “Hi dhe shpuzë” hapet me një panoramë të rrallë e të bukur të natyrës shqiptare, përballë së cilës narratori harron të flasë dhe magjepset nga hijeshia që lodron në vështrimin e tij:

“[…]kur arritmë ne ur’ e Ilias Lamesë, pa dashur qëndrova: më dukesh se e kisha përpara meje një prej ato tabllove të rralla të moçme që figurojnë me një pamje piktoreske.[…]Edhe shikova, dhe prapë e shikova ujët e thellë më të mëngjër, urën e vogël anë lumit dhe grykën e gjerë më të djathtë.”

Ky përshkrim ilustron përshtypjen e thellë që natyra lë tek njeriu, edhe në kushtet e një realizmi të imtësishëm, magjepsja mund të vijë papritmas nga pamjet që shfaqen përpara syve të udhëtarit. Momenti kur nis e valëzohet realja me irealen, akoma nuk ka mbërritur, por kemi një përshkallëzim rritës të emocionit, të misterit dhe të asaj pritshmërie që ka nevojë për një përgjigje, kjo e dhënë përmes ndryshimit të sfondit dhe panoramës që sa vjen e bëhet me e ngushtë, më e mistershme, gati-gati e frikshme:

“[…]dhe udha po gjarpëronte, herë tërthor, herë më të djathtë, herë më të mëngjër, herë thikë, këmbët duke u rëndësuar gjithnjë”.

 Në pjesën teorike të punimit, treguam që thelbi i thelbi i fantastikes qëndron në veçantinë e hezitimit ndërmjet të çuditshmes dhe të mrekullueshmes, i provuar nga një qenie e cila njeh vetëm ligjet natyrale përballë një ngjarjeje në dukje të mbinatyrshme. Kalimtare, fantastikja ekziston vetëm në hapësirën e shkurtër të këtij hezitimi i cili shfaq papritur, por aq natyrshëm sa nuk a vend për habi dhe ngjarja fantastike trajtohet si të ishte njëlloj e mirëfilltë me realitetin. Ndaj, fillimisht, autori na jep realen që ngjason me të mrekullueshmen, aq e veçantë dhe e paimitueshme ngjan:

“Pranë mejë një mur i gurtë, si i bërë prej njerëz të një tjatër kohe,të një tjatër botë[…]përpara meje ishte shkëmbi i Ylynecit! Një pirg i trashë, i madh, madhështor, me një bukuri t’egër e të çuditshme.”

Dhe papritmas ndodh kthesa fantastike, e cila bën që të shtangë dhe të hezitojë veç për një çast protagonisti, pastaj duke e marrë për të mirëqenë atë që po sheh, i bën vetes pyetje nga më të zakonshmet dhe normalet:

“Përnjëherësh shkëmbi u hap dhe goj’ e zez’ e një dere mbeti e çelur. S’dinja ku isha, kisha mbetur në habi, kur një plak doli nga shkëmbi. Kish mjekër të bardhë si dëborë mali, syt’e kaltër si ujët e Vjosës. Sa vjeç do qe? A ish gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë apo njëqind? Apo dyzetë? Se nën flokë të bardhë, kish fytyrën e një djaloshi, plot shpirt e shëndet në faqet e tij. 

Si një nga tiparet e fantastikes në letërsi, kemi ndërprerjen e koherencës universale, nga një ngjarje e paparashikueshme dhe e papritur që depërton në tekst. Na mundësohet të shohim botën e mundshme, pasi kemi kaluar shtegun e botës reale dhe kjo në vend që të shkaktojë çoroditje tek lexuesi, i jep tekstit shumësi kuptimesh dhe interpretimesh. Personazhi i mbinatyrshëm prezantohet si të jetë një nga njerëzit e zakonshëm të kësaj bote, është me një gjallëri natyrale dhe zgjat dorën të shtrëngojë përzemërsisht protagonistin. Kjo e zbut habinë, e mbulon mahnitjen, por njëkohësisht vë përballë botën reale dhe botën e mundshme si simetri e jetës dhe e vdekjes:

“[…] Edhe nga fundi i napës pashë këmbët e çelnikta – po të vogla e të bukura – të plakut, me thonj prej rame! Më dukesh se ëndërronja, po s’isha fare i çuditur. – Ç’ka aty brenda? – pyeta. – Do të shohësh? Eja!

Edhe më zuri për dore: m’u duk se një frymë, një dredhje gjallimi më rendi në dejet. Kur u qasmë te dera një mjegull e errët, një tym i hidhur më zuri sytë dhe më dogji gurmazë. Po plaku më preku me dorë, dhe atë çast m’u kthjelluan sytë. Vështrova dhe pashë gjëra të tmerruara! Poshtë, atje poshtë, fare thellë, shkëmbit kish një shpellë të gjerë, të hapur si një gojë skëterre.[…] Një pluhur i mugët po mbulonte këtë shpellë të vdekjes dhe mbi një kullë gjysmë të rrëzuar pashë një huruvejkë me sy të mëdhenj të rrumbullaktë. Plaku më tha: “Kanë rrojtur, tani më s’janë.”

Ajo çka shfaqet para syve të protagonistit është një ilustrim i nëndheshëm i botës së përtejme, i të humburës, i së shkuarës, i të djeshmes së afërt dhe të largët. Është kujtim dhe përjetësi, pluhur dhe harresë, por edhe vendqëndrim për të mbledhur mendimet e për të nxjerrë uniken e çdo jete mbi tokë. 

Jemi brenda një rrëfimi të mirëfilltë fantastik, e në vijim shohim se respektohen edhe disa elementë të tjerë të hulumtimit fantastik:

  • kushtëzimi sensorial, emotiv dhe intelektual përballë fenomeneve të pashpjegueshme;
  • përkohësia dhe përjetësia nën petkun e fatit dhe fatalitetit;
  • çkodimi i domethënieve tokësore dhe hyjnore 
  • hezitimi ndërmjet një shpjegimi racional e realist dhe pranimit të mbinatyrshmes

Në lidhje me kushtëzimin sensorial dhe emotiv, ne e shohim se si pushtohet krejtësisht arsyeja dhe racionalja e protagonistit nga shfaqja e papritur e personazhit misterioz nga brenda shkëmbit. Gjithçka që ai flet ngjan me një kumt, është një e vërtetë e madhe, si një orakull lashtësish plaku vjen që të zbulojë të vërtetën e këtij vendi dhe të këtyre njerëzve. 

Së dyti, pamja e ofruar është therëse, gati surrealiste, por njëherazi e tmerrshme, e hidhur dhe cinike: jeta që shkon e nuk kthehet më pas, pluhuri që zë pluhurin dhe ekzistenca që rrokullisen në honet e thepisura të së djeshmes. A nuk është ky vizioni universal i mënyrës si shkojnë gjërat në këtë botë? A nuk ndodhemi përballë shfaqjes krejt papritur të Hadesit të nëndheshëm, të nëntokës Danteske, ku përzjehen dhe ngatërrohen e shkuara e patjetërsuar, me të tashmen e pasigurt? 

E gjithë kjo atmosferë e tensionuar, nxit më tepër depërtimin në brendinë e tekstit. E pashpjegueshmja merr zanafillën nga mistikja e përjetësisë. 

II. Realizmi i mrekullueshëm si pararendës i realizmit magjik

Është e nevojshme të shpjegohet dhe të zbërthehet kuptimi i kësaj situate të mbinatyrshme, të realizohet një lloj zbërthimi i domethënies hyjnore dhe tokësore të fjalëve të plakut të Ylynecit. Simetria është e gjithëpranishme në tekst, krahas të shkuarës, të vdekurës dhe të harruarës, lartohet jeta, qielli i së nesërmes dhe njerëzit që frymojnë të mbushur me energji. Në këtë gjendje, ndërmjet reales dhe ireales, mes përhumbjes në ëndërrim dhe zgjimit të mprehtë të asaj çka ofron vështrimi, realizohet edhe vizioni simbolik, që përfytyrohet nga ana e protagonistit përmes prekjes së lehtë nga ana e plakut në ballin e tij:

“[…]Shikoje!- dhe më preku me dorë në ballët. Një djepe e vogël me një foshnjë të bukur. Foshnja sapo ishte zgjuar nga gjumi dhe kish hapur syçkat e bukur si dy këngoj të çkëlqyer; një dorë të butë dhe të kuqe si trëndafil, e kish shpënë në gojë. 

-A po sheh? – më pyeti Plaku. Edhe mbi djep, në krye të foshnjës, këndova me shkronja të çuditshme SH.Q.I.P.R.I.J.A.”

Gjithçka përreth ngjan e gjallë dhe reale e mund të preket dhe të ndjehet si e tillë, e megjithatë nuk të shqitet ndjesia që jemi brenda një ëndrre, e cila flet dhe bën orakullin e së nesërmes. Edhe në këtë rast, ne kemi të respektuar një parim tjetër të fantastikes: hezitimin ndërmjet një shpjegimi racional dhe realist dhe pranimit të së mbinatyrshmes. Nëse realja është ajo çka dimë, si kanë qenë dhe janë zhvilluar ngjarjet prapa në kohë, po a e mundur dhe jo kompromentuese është edhe e ardhmja, që misterin e saj kërkon ta zbulojë me finesën e dredhive, të plakut që krijon vizionet e agimit në mendjen e protagonistit. 

Çka nuk mungon, në këtë prozë, është tipari identifikues i fantastikes klasike të Tetëqindtës, tmerri që e përshkon protagonistin në një moment kur gjërat ngjajnë të qeta, në aparencë, pastaj ndryshojnë krejtësisht duke shkaktuar thyerjen e ekuilibrave të mëparshëm. Jo vetëm kaq, por kjo prishje e ekuilibrit shoqërohet edhe me një metamorfozë, pra me një ndryshim të personazhit tjetër në tekst, e s’ka si të mos na bëjë përshtypje trajtimi me mjeshtëri i këtyre mjeteve të letërsisë fantastike, nga ana e autorit:

“Shikova plakun me mirënjohje: fytyra e tij m’u duk me një ëmbëlsi të pafundme dhe plot pafajësi, si fytyr’ e kësaj foshnjeje. Edhe leshrat e mjekr’ e bardhë i bënte një brerore të ndritsh, e saj fytyre dhe atyre syve plot mirësi. 

Po, o tmerr! Ahere vura re se djepja ish vënë mbi një mur të hollë si kartë, si presë brisku.[…] Edhe Plaku më shikoi me sy t’ashpër e të ftohtë: përnjëherësh ish zhdukur ëmbëlsi e tij dhe tani kish marrë një fytyrë të keqe e të ngrirë; ahere i vura re se edhe dor’e tij që më dërrmonte krahun, ajo dorë që më ish dukur aq e bukur dhe e butë, ish prej guri dhe e ftohtë.”

Simbolika e Shqipërisë që materializohet tek fëmija i vogël i përkundur në djep, hapësira e ndërmjetme midis reales dhe fantastikes, mundëson që të bashkëjetojë bota reale me botën e fiksionit. Ajo çka e zbeh dhe e ngadalëson rrëfimin deri në fund, megjithatë, është zbulimi i një pjese të enigmës: plaku misterioz është vetë Koha, që rrjedh në mënyrë të pandalshme, që nuk njeh hapësirë dhe është ciklike, që ka lindur me botën e do të vazhdojë pas saj. Ajo që mbetet, është misteri i foshnjës së vogël, i vendit të porsa dalë nën dritën e pavarësisë, që e pret një fat sa misterioz, aq edhe i padepërtueshëm. 

Në prezantimin final të plakut të Ylynecit, ne shohim të pështjellohen dhe të tjetërsohen në forma dhe me emra të ndryshëm, universi, koha, hapësira, nga legjionet e njëtrajtshme e të paidentifikueshme romake, deri në personazhet e përveçëm historikë si Ali pashë Tepelena apo Tafil Buzi. Kjo bashkëjetesë është sa interesante, aq dhe fantastike. Plaku-Kohë e krahason veten me lumin Vjosë, e ujërat e lumit janë si rrjedha e kohës, asnjëherë e njëtrajtshme, me misterin e futur thellë brenda saj. 

Nën këtë dritë, mund ta klasifikojmë këtë novelë brenda “Realizmit të mrekullueshëm”, që si lloj letrar ndërmjetëson realitetin me dimensionin fantastik, duke u bërë paraprijës i realizmit magjik në letërsi. Në ndihmë për këtë klasifikim, na Vjen qëndrimi i David Roas i cili mbi këtë dimension, shprehet:

“[…] “Realizmi i mrekullueshëm” mundëson bashkekzistencën jo problematike të reales me të mbinatyrshmen, në një botë të ngjashme me tonën. Kjo situatë përftohet përmes një procesi natyralizimi (ngjashmërie) dhe persuadimi (bindjeje) […] Realizmi i mrekullueshëm mbështetet mbi një strategji themelore: të denatyralizojë realen dhe të natyralizojë të pazakontën, për të integruar të zakonshmen dhe të jashtëzakonshmen në një përfaqësim unik të botës”.(Roas 2001:12)

Me ketë frymë interpretimi dhe shpjegimi, mund të marrim në shqyrtim një tjetër novelë të kësaj përmbledhjeje, që është me interes për t’u parë në dritën e fantastikes, me titullin “Tmerri”. Rrëfimi është në vetën e parë dhe protagonisti, që në fillim tregon përjetimin e ankthshëm që e kap pasi ka diskutuar me miqtë e tij mbi fatkeqësitë, varfërinë dhe vrasjen që kryheshin në Shqipërinë e asaj kohe. Është sfondi mbi të cilin ngrihet përjetimi i frikshëm, në një gjendje onirike e cila e kaplon dhe e persekuton protagonistin:

“U ngrita nga shtresa, hapa finestrën: yjtë shkëlqenin me një qiell pa hënë. Nuk e di sa ndënjta përpara finestrës, por më duket se pa shkuar shumë, më zuri gjumi” (Skëndo 1995: 52).

Jemi përpara elementëve që të kujtojnë rrëfimet e frikshme fantastike të shek. XIX. Nata e frikshme, qielli pa hënë dhe gjumi që nuk vjen si qetësim, por si persekutim i prehjes. Kalohet aq lehtë dhe pa asnjë ndërmjetësim nga bota reale, në terrenin e ëndrrës. Nuk ka asnjë element shtesë që të tregojë këtë kalim, gjithçka nënkuptohet dhe bëhet në një mënyrë të natyrshme dhe gati të thjeshtë:

“ Po nxitoja dhe qeni po më ndiqte. Nxitoja me vrap të madh dhe s’guxoja të ktheja sytë nga frika se mos i shoh gojën e kuqe dhe syt’ e zjarrtë që i ndritnin në faqet e zeza.. mora një të përpjetë; dheu ish gurishte: qeni ish nja pesëdhjetë cape larg meje, po unë e ndjeja që, sa vinte, kafsh’ e egër po më qasej. Tani më dukesh sikur frym’ e tij më diqte krahët, aq e pandehnja të afruar; kisha zënë dhe të lodhem, mushkëritë më ishin ngusur, mezi mirrja frymë; po prapë vraponja me akull në zemër” (Skëndo 1995: 53).

U futëm brenda ëndrrës, por ankthi i përjetuar, tmerri që ngrin gjakun e protagonistit është real dhe i prekshëm. Në këtë bashkëjetesë të botës si është në realitet, e të mikrouniversit ndjesor që zgjohet nga ëndërrimi, kemi depërtuar në hapësirën e fantastikes, tokë e ushqyer nga ëndrrat, ku shihet drejtpërdrejt përfytyrimi i ardhur nga thellësitë e shpirtit. 

Nëse ofrojmë një krahasim me letërsinë fantastike evropiane të shek. XX, duke marrë për bazë kontributin e psikanalizës, surrealizmin, realizmin magjik dhe në përgjithësi letërsinë moderne të kohës, dalim në përfundimin se ëndrrat janë gjuha përmes së cilës flet imagjinata fantastike e krijuesit. 

Domeniko Porzio, në tekstin “Pikëpyetja fetare në veprën e Dino Buxatit”, shkruan:

“[…] nuk ka pikë dyshimi që letërsia narrative e Buxatit[…] përmban ankthin e kohës, qëllimin gnostik për ta konsideruar botën dhe realitetin si një ëndërr ku jemi të burgosur, duke ruajtur qëllimin për të futur brenda arkitekturës së të dukshmes, “grimca të vazhdueshme absurditeti” që mund të na ngushëllojnë e qetësojnë se gjithçka është e rreme” (Porzio 1972: 71).

Lexuesi, në këtë rrëfim, qetësohet deri diku nga fakti që protagonisti po ëndërron, megjithatë përjetimi i ankthit të tij është real. Dhimbja është gati fizike. Tentativa për t’i shpëtuar ndjekjes nga kafsha e egër vjen si një betejë mbijetese, ai plagoset, gjakoset, i mbahet fryma dhe ndjen mushkëritë gati t’i shpërthejnë. Ndjen këmbët që nuk i bëjnë më, vështrimi i errësohet dhe dihatja e tij është si një lutje që gjithçka të marrë fund dhe të vijë zgjimi i shumëpritur. I burgosur brenda ëndrrës së vet, nuk ndodh kështu, pasi pikërisht kur mendohet se ka kaluar rreziku, ai materializohet më i afërt se kurrë:

“[…] plag’ e ballit dhe të çjerrat e turirit po zënë të më djegin, por prapë jam i lumtur se shpëtova nga ndjekja dhe nga goj’ e kuq’ e qenit. 

Një zë në mes të ferrave më bën të kthej kokën. O tmerr! Qenin që pandehja se shpëtova soje, qenin në dhëmbët e të cilit më ishte varur jeta, tani e kam përpara! 

Më s’pata kurajo as të ikja, as të thërrisja; sytë m’u errë, laqet e këmbës m’u zgjidhë, mbeta si i ngrirë! Tani më s’shihja gjë, vetëm veshët më dëgjonin një të lehur m një zë të mbytur, dhe – sado që sytë s’më shihnin, më dukesh se qeni më skërmitte dhëmbët dhe po bëhesh gati të më hidhesh.” (Skëndo 1995: 55)

Pra si element të fantastikes, mund të cilësojmë një botë, ajo e ëndrrës, që është reale dhe e mbushur me një përndjekje të frikshme, misterioze, që vjen nga një orientim i errët, i pashkak, i pashpjegueshëm. Nuk tregohet pse nisi ndjekja, ndërsa rrëfimi merr trajtat e një ilustrimi simbolik, që i lejon tekstit të marrë një shumësi kuptimesh dhe interpretimesh të lira. 

 Në pjesën e dytë të rrëfimit, protagonisti zgjohet dhe i duket sikur ka lënë pas të errët misterioze të gjumit të natës. Por sërish ndjesia që gjërat nuk janë ashtu si duken në dritë të diellit, nuk i shqitet për asnjë çast. Një moment dëgjon të lehurën e qenit jashtë dhe përfton ndjesinë mos ëndrra vazhdon edhe në realitet. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje të qartë dhe të prerë të imagjinares dhe fantastikes në qiellin e reales. Ankthi kthehet në tmerr, e as drita e diellit nuk mund të sfidojë dhe të largojë këtë pështjellim. Pyetjet retorike janë shqetësime që nuk marrin dot përgjigje. Është e huaja, e panjohura, misteriozja, ajo që përbën kërcënim për protagonistin:

“[…] Of, sa ëndërr e ligë! Me sa gas sheh njeriu që duke hapur sytë, gjith’ajo hije e zezë fluturoi. […] Po hija akoma s’u zhduk, se prapë dëgjoj qenë që leh, dhe tani po leh me një zë të shqyer dhe të egërsuar. Ç’është kjo, ç’është ky qen? Është qeni ynë. Po pse leh, kujt i leh? […] Ngrihem, dal në ballkon dhe shtie një sy në kopsht; s’ka njeri. Qeni po leh afër portës dhe me zemërim i sulet murit[…]”(Skëndo 1995: 54).

Na ofrohet një lloj shtrirje e ireales, e botës onirike, mbi realen, atë që perceptohet nga njeriu. Qeni i ëndrrës shndërrohet në qenin e njohur të shtëpisë, e lehura është njëlloj dhe ankthi e tmerri nuk shqitet asnjë çast. Protagonisti i provon të gjitha, por nuk arrin të largojë vetes pasigurinë se diçka e keqe ka për të ndodhur. Lehjet e çartura e të egërsuara janë paralajmërim që mjegulla e errët do të lyejë muret e fatit të tij. Dhe kur nuk pritej, vjen konfirmimi që irealja, fantastikja, imagjinarja, është e pushtetshme dhe zgjatohet deri në jetën e përditshme:

“ A e mësove që mikun tonë…pardje e zunë dhe u hodhë në burg?…

Hij’ e natës s’ish akoma çdukur!” (Skëndo 1995: 55)

Kjo është mbyllja e novelës dhe na takon të vlerësojmë këtë krijim afër fantastikes, nga tensioni narrativ dhe kushtëzimi i ireales që ushtron tërheqjen e saj ndaj realitetit. Me interes, në këto dy novela të Lumo Skëndos, na duket pikëpyetja e madhe se përse autori nuk përzgjedh të vazhdojë të shkruajë këtë lloj letërsie, që i shkon për shtat stilit dhe imagjinatës krijuese të tij?

Përfundime

Para se të dalim në konkluzione paraprake, mbetet për t’u bërë një saktësim i fundit, në krahasim ndërmjet letërsisë së fillim shekullit XX në Shqipëri dhe përmasave të fantastikes në letërsinë evropiane si dhe në realizmin magjik amerikano-latin. Në këto dy platforma letrare, hibridizimi i botëve (reales dhe fantastikes) është elementi identifikues për këtë lloj letërsie, e kjo përputhet edhe me ndërhyrjen brenda të njëjtës hapësire narrative, të elementëve reale dhe elementëve të trilluar. Kombinimi mes tyre mundëson zbërthimin e tekstit dhe tregon funksionalitetin në tërësi të tij. Sikur të ndalemi te letërsia e Amerikës latine, Borgezi është shembulli më i përshtatshëm për të na ofruar orientimin e nevojshëm në këtë drejtim. 

“Universin fantazmagorik” të Borgezit, studiuesja Maria Barrenechea e cilëson si “një sferë ku kufijtë ndërmjet reales dhe fiksionin letrar nuk ekzistojnë më, janë fshirë, ku nuk kuptohet më se çfarë është imagjinare dhe çfarë është e vërtetë, ku personazhet romaneskë mund të alternohen me ata historikë dhe anasjelltas, autorët realë me apokrifët, ku jeta kopjon rregullat letrare e nga ana tjetër, ajo çka është specifikisht letrare, merr vlerë vitale, madje dhe magjike” ( Barrenechea Y Piñero 1957:54).

Pesimizmit të Todorovit, sipas të cilit “fantastikja e mirëfilltë ishte e destinuar të zhdukej në shek. XX, nisur nga zëvendësimi i saj me psikoanalizën, me humbjen e ndarjes ndërmjet reales dhe ireales, çka do të sillte për pasojë fantastikimin e përgjithshëm të botës së përfaqësuar” (Teodorv 1970:172), – mund t’i kundërpërgjigjemi duke argumentuar se nocioni i realitetit që vepron te lexuesi, përputhet vetëm minimalisht me nocionin e promovuar nga teksti letrar, i cili ushtron një lloj ndikimi mbi ndërgjegjen e lexuesit, por jo aq sa të shkundë dhe të kthejë përmbys kodin orientues në botën reale të tij. 

Edhe lexuesi më dashamirës i fantastikes, e humbet nëse vihet përballë një situate e cila e thyen paktin e leximit dhe koherencës e botës së mundshme të rrëfyer në tekst. Themi, me të drejtë, që më e rëndësishme se raporti midis fantastikes dhe binomit reale-ireale, na duket përshtatja e lexuesit, pranimi i ngjarjes së pamundur, fantastike, duke u ndjerë këtë të fundit si diçka që zgjatet tej normales, mund të jetë deri vijim i i mëtejshëm i realitetit, por pa shkaktuar trazim apo habi të thellë.

Lexuesi i sotëm mund ta gjejë plotësisht komod vetëm në këtë lloj rrugëtimi fantastik, tek shembujt e ofruar më lart. Në paraqitjen e botëve hibride, të pandara me vijë kufizuese midis reales dhe ireales, ku bota onirike ngrihet si një pështjellim metaforik i protagonist, fantastikja përvetësohet dhe ndjehet si e natyrshme e në harmoni me tekstin. Edhe kur është e detyruar që ngjarjet të zbardhen nën dritën e reales, kontradikta e brendshme e tekstit, që pasqyron trajta të fantastikes, e bën të gjallë dhe tërheqës deri në fund procesin e leximit. Sikundër mundëm të shohim, në këto novela të veçuara të Lumo Skëndos, jo vetëm autorët e periudhës mundeshin të krijonin sipas modelit bashkëkohës të fantastikes, por shfrytëzonin në maksimum potencialin gjuhësor dhe imagjinar të tyre, në krijimin e një lloji rrëfimi, të ri, por njëherësh dhe të lashtë sa letërsia, që përfshihej brenda fantastikes. 

Bibliografia

  1. Ana María Barrenechea y Emma Susana Speratti Piñero, La literatura fantástica en Argentina, México,D.F., Imprenta universitaria,1957 
  2. David Roas, La amenaza delo fantástico, in Aa.vv., Teorías delo fantastico, a cura di David Roas, Madrid, Arco, 2001
  3. Domeniko Porzio, L’interrogazione religiosa nell’opera di Dino Buzzati, Milano, 1972 
  4. Lumo Skëndo, Hi dhe shpuzë, Shtëpia botuese Albinform, Tiranë, 1995
  5. Roger Caillois,  “Nel cuore del fantastico”, Rizzoli, 2004
  6. Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqipe”, “UET-Press”, Tiranë, 2009.
  7. Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe. Tiranë, UET Press, 2008.
  8. Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqiptare, Albas, Tiranë, 2000
  9. Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqiptare, Albas, Tiranë, 2002
  10. Sabri Hamiti, Vetëdija letrare, Rilindja, Prishtinë, 1989
  11. Tzvetan Todorov, Introduction à la littérature fantastique (1970), trad. it. di Elina Klersy Imberciadori, La letteratura fantastica, Milano, Garzanti, 2000.
  12. Yves Chevrel: Letërsia e Krahasuar, “Puf”, Tiranë, 2002.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eris Rusi

“KRONIKË NË KËNGË” LIBRI MË I RI I MUSINE KOKALARIT, SHKRIMTARES SË PARË SHQIPTARE

November 24, 2023 by s p

Prof. Mimoza Karagjozi Kore/

Libri  “Kronikë në këngë”përmban pasuri folklorike të mbledhura ndër vite nga Musine Kokalari, duke na zbuluar një anë tjetër të krijimtarisë së saj, atë të hulumtueses dhe mbledhëses me besnikëri të krijimtarisë folklorike. Fenomeni Musine Kokalari vijon të na befasojë ende me krijimet e pabotuara si dhe me prurjet e mbledhura prej saj në fushën e folklorit. Po ndërsa veprat letrare u shkruan prej saj kur ishte studente në universitetin “La Sapienza” të Romës, kënga e parë folklorike e Gjirokastërs u mblodh prej Musinesë ende fëmijë, në moshën 10-vjeçare duke dëshmuar pasionin e parë të saj, dashurinë për krijimtarinë popullore. Është e habitshme se si një fëmijë kishte vetëdijen për rëndësinë dhe vlerat që bartin këngët folklorike. Me sa duket ambienti intelektual familjar, ku Musineja u rrit, e edukoi me dashurinë për kulturën, folklorin, etnografinë, e mëkoi me dashurinë për librat, muzikën, përrallat, rrëfenjat e këto fillimisht për Gjirokastërn e saj të dashur e më vonë edhe për ato nga trevat e tjera.  Musineja, burimin e parë të gjithë këtyre krijimeve folklorike që janë paraqitur në këtë botim, e gjen në bisedat e grave e tek kushdo që takonte. E vëmendshme, kureshtare, por e palëkundur në pasionin e saj iu kërkonte t’i thoshnin një këngë a rrëfenjë, të cilat menjëherë i shkruante. Ja si e përshkruan vetë të gjithë këtë proces: 

              “…Nuk lija rehat askënd, kunatën teksa bënte ndonjë punëdore apo mamanë teksa rregullonte shtëpinë. U bëra shoqe e ngushtë me pastruesen dhe bëja muhabet me rrrobalarësen. Nëse gjeja diçka të re e shkruaja menjëherë. Herë pas here më thoshin: – Kjo vajzë e bekuar shkon në shkollë të madhe dhe shkruan këto budallallëqe! Për çfarë të duhen? – Oh!, -përgjigjesha -Sigurisht që duhen, e dini se ç’thonë ca për ne? Që në vendin tonë nuk ka asgjë, as këngë, as vaje; në fakt ne kemi aq shumë. – Po qe kështu, unë do të të them pa fund. E kështu vazhdonin të më tregonin herë një këngë e herë një barsoletë apo një përrallë…dhe unë, në mbrëmje i rishikoja prapë shkrimet e mia e kënaqur. Në se kishim vizita atëhere ulesha në një cep dhe dëgjoja gjithë muhabetet. Është shumë interesante, vetëm të dëgjosh.” 

Ky pasion, në fillim spontan, u zhvillua e u bë i vetëdijshëm për një vajzë të shkolluar e cila e kuptonte se ato përbënin një thesar kulturor që nuk duhej të lihej në terrin e harresës. Qenia studente në universitetin “La Sapienza” në Romë e vuri vajzën e re midis dy botëve, asaj moderne dhe asaj të prapambetur që kishte lënë pas. Duket se kjo e dyta e tërhiqte, dashuria për të nuk tjetërsohej nga trysnia e kulturës romane, prandaj para diplomimit, kur u kthye në Tiranë, filloi të zbulojë e të mbledhë përsëri këngë e rrëfenja popullore. Ajo vijon të tregojë se:

“Shkoja në ndonjë shtëpi, në ndonjë mjedis familjar. Mamaja e përkulur mbi djep i jepte gji fëmijës. Aty afër një vajzë e rritur gjithë kohës mes katër mureve, qëndiste me mëndafsh në pëlhurë, ndërsa më recitonte këngët. Pastaj të tjera vajza rreth meje dhe secila prej tyre thoshte atë që dinte. …Në këtë shoqëri nuk mërzitesha aspak. Gjithçka ishte e thjeshtë, e qetë, e shtruar. Në kthim, tek ecja rrugëve, gjithçka më dukej e bukur…ç’bukuri edhe në shëmtim.”

Kjo dashuri për krijimet popullore, këto kërkime në mjedise familjare midis njërëzve të thjeshtë aty ku gjëllinte jeta e vërtetë, e bënë shpejt Musine Kokalarin të njohur në rrethet kulturore të asaj kohe si vëzhguese e vëmendshme e folklorit vendas. Gjeografia e prurjeve tani i përket jo vetëm Gjirokastrës, por edhe Tiranës, Vlorës, Tepelenës, Korçës, Shkodrës dhe Shkupit.

Ndjen tronditje dhe befasohesh kur mëson se puna e Musinësë për të mbledhur me saktësi shkencore folklorike këngë, tregime, përralla nuk u ndërpre as kur ishte e burgosur. Në këtë botim, gjenden shënime të Musinesë:

Shënime dhe këngë popullore nga të Leklit (1 dhjetor 1949); Legjenda, këngë tregime (Burg, Shkodër, Maj 1958)                                                           

Skëterra ku e flaku diktatura këtë vajzë të re, të talentuar nuk ia mpiu dashurinë, pasionin për të mbledhur nga të burgosurat krijimtarinë popullore edhe në ato kushte ekstremisht të rënda. Nuk e dimë a i lejoheshin shënimet, a i shkruante në fshehtësi, por është i qartë kontrasti midis vuajtjeve e torturave fizike dhe kënaqësisë shpirtërore që ndiente nga mbledhja e tyre. Ndoshta edhe kjo punë ishte një nga burimet ku gjeti forcë morale për t’i qëndruar përballë, fisnikërisht dikaturës e burgjeve.

Në shumë raste, këngët popullore kanë qenë një mjet i komunikimit dhe i qëndrueshmërisë së një populli, duke përshkruar ngjarje historike, kushte shoqërore dhe kulturore, si dhe emocione dhe ndjenja njerëzore. Musineja i mblodhi ato kryesisht nga goja e grave, gjendja shoqërore e të cilave iu caktonte vetëm detyra familjare dhe shtëpiake, e duke qenë se lëvizjet e tyre ashtu si në të gjithë Ballkanin e kësaj periudhe, e padyshim edhe në Shqipërinë e asaj kohe, ishin të pakta, gratë ruajtën mirë të folmen dialektore, këngët e ritet folklorike e për këtë arsye këto këngë ruajnë koloritin e krahinës nga vijnë. Gratë janë zërat që rrëfejnë, janë zërat e ardhur nga kohë të ndryshme, zërat e historive të humbura që rikthehen. Sot, në saj të punës së Musinesë, këto këngë vinë në këtë botim si zëra nga e kaluara që shkëpusin fragmente nga jeta, duke sjellë kështu copa nga historia e popullit tonë. 

Në vështrim së pari në këtë përmbledhje vinë këngët e epikës historike. Folklori ynë dallohet për një pasuri të madhe të epikës historike, zhanër që heroizmin e paraqet si mënyrë jetese për shqiptarët, i cili në qendër vë trimërinë, vetmohimin e heronjve popullorë si vlerë morale e një mjedisi soacialkulturor të përcaktuar mirë etnikisht. Këto këngë, në mungesë të dokumentacionit, janë ruajtur me besnikëri në kujtesën dhe ndërgjegjen popullore, janë përcjellë brez pas brezi dhe shërbejnë si kujtesë historike sot. Tematikën kryesore të këtyre këngëve e zënë përpjekjet për liri, interesat kombëtare si forcë lëvizëse drejt formimit të kombit shqiptar. Në se do të bënim një klasifikim kronologjik të këtyre këngëve, të mbledhura nga Musineja, megjithëse janë të pakta, në vështrim së pari vinë: Cikli i këngëve kundër pushtuesit turk, që me siguri i takojnë shek. XVI-XVIII; së dyti këngët për Ali Pashë Tepelenën, këngët e frymëzuara nga Lidhja e Prizrenit e ato kundër shtypjes së bejlerëve. Brenda këtij cikli dallohet kënga epike, kushtuar Çerciz Topullit dhe çetës së tij “Te rrapi në Mashkullorë”, që përbën kulmin e patjetërsuar deri më sot të këngëve epike historike të Jugut. Madje në të gjejmë dhe vargjet e panjohura më parë: 

O Çeço bëre mirë/ E dëftove trimërinë/Vajte zure Mashkullorë/Koshalla prapa t’u ngjinë

Nëpërmjet këtyre këngëve mësojmë se kur Reshit Pasha vrau Ismail Benë, gjyshin e Ismail Qemalit me të pabesë në Janinë, Tafil Buzi, një tjetër trim Labërie dërgoi haberë: Turp të keni që halldupi vrau shqiptarin dhe ju s’morët hak. Gjoleka me sedrën e trimit iu përgjigj me veprim menjëherë: 

Tafil Buzit të mi thoni /Gjoleka s’e turpëroi/Kaftanajnë e martoi/ Me të dia e qëlloi/Nëpër dizet milë shkoi.

Kjo ngjarje do ketë bërë shumë bujë dhe populli vazhdoi t‘i ngrejë këngën tjetër: “Shkoi, more shokë, shkoi„ ku me fjalë të tjera përsëritet i njëjti motiv, por ajo që bën përshtypje është se vështirësitë që kishte përpara Gjoleka, populli i përshkruan me të njëjtin figuacion edhe në këngën e dytë. Edhe pse këngë të epikës historike, entusiazmi i popullit për këtë trimëri, hipërbolizohet me të njëjtin varg të ngjashëm duke futur elemente të këngëve të epikës legjendare ku zënë vend trillimi, idealizimi, fantastikja: 

Shkoi, more shokë shkoi /shkoi Gjolekë, spanoi/  nëpër dyzetëmijë shkoi 

Këngët e këtij cikli nuk iu sillen ngjarjeve së jashtmi, por janë një zë autentik ku midis vargjeve gjen jo vetëm dëshirën e një populli për liri, përpjekjet e vetmuara e të paorganizuara mirë të trimave që veprojnë vetëm, por shpalosen dhe episode tradhtie, intriga e drama familjare, duke na dhënë të kuptojmë karakteristikat e kohës, bëmat e gjestet historike. Kështu është tragjike, por artistikisht e përshkruar bukur nga poeti popull çuarja në kalanë e Gjirokastrës së Fatimesë, gruas së djalit të Gjolekës e cila akuzohej për vrasjen e thjeshtrit, Shaqirit. Do të përbënte një fakt historik, edhe pse në përmasat e të pabesueshmes, që ndoshta gruaja e parë në vendin tonë, të jetë ekzekutuar me varje rreth viteve 1870-80. Krijuesi popullor të habit që nga njëra anë përbuz gjestin kriminal e nga ana tjetër, në çastin e ekzekutimit Fatimenë e përshkruan si një femër jashtëzakonisht të bukur, nga hiret e së cilës pashait në momentin e ekzekutimit i bie të fikët, por dhe kurajoze e cila i bie vetë karrikes me këmbë.  

Shtyu skaminë me këmbë/Pashait i ra të rëndë/Gjithë thonë kemi gra/Jo si Fato Bedija/Një pëllëmbë qafë ka

Antiteza kaq të fuqishme artistike, të dhëna në pak vargje flasin për talentin e jashtëzakonshëm të krijuesit anonim, por dhe për ndikimin shokues emocional që pati kjo ngjarje në popull. Disa prej këngëve të këtij zhanri kanë në qendër jo drejtpërdrejt figurën e Ali Pashës, por pasojat e zemërimit të tij. Në fakt kësaj figure i janë kushtuar këngë folklorike jo vetëm në Jug të vendit tonë, por dhe në Veri. Po ndërsa në Veri, në figurën e Ali Pashait, shqiptarët e robëruar por liridashës kishin identifikuar kryetrimin, te i cili kishin varur shpresat për çlirim, edhe pse ai zyrtarisht ishte një pasha i Turqisë, por që në një moment të caktuar nuk e kishte pranuar autoritetin e Sulltanit, duke shfaqur haptas qëndrimin e tij për çlirim, në këngët folklorike të Jugut, figura e A. Pashës nuk shihet vetëm si Pashai që i bëri qëndresë Turqisë, por përmendet masakra ndaj Kardhiqit e Hormovës. Ashtu si e vërteta historike, në disa trajtohet si hero e në disa si tiran, por admirimi popullor për këtë figurë nuk mungon. Ali Pashë Tepelena është një nga shqiptarët që tregoi dhe shpalosi forcën gjenuine të racës dhe gjenit kombëtar.

Kakodhiqi pse s’ka lule/ Mbajnë zi për të zotë/Për të zestë kardhiqotë…

Hakmarrja e A. Pashës ndaj Kardhiqit e Hormovës herë është shpjeguar për shkaqe familjare, e herë politike si zona konspiracioni të armiqve të Ali Pashës nën patronazhin francez, por cilidoqoftë shkaku, më 1784 Aliu do të hakmerrej ndaj Hormovës, duke djegur e shkatërruar fshatin, duke vrarë burrat dhe pjekur të gjallë Çaush Priftin, ish-ekonomatin e pronave të tij, ngjarje që përshkruhet kështu në këngë e që e njohin të gjithë në Jug, veçanërisht, vargjet e fundit: 

Ali Pasha kur qe djalë/Në Hormovë e kish inanë/Përmbi Çaush kapetanë…

Çaush prift, Çaush Hormova/Dhjamë e dyllë të pikova/Dot besënë s’ta ndrova

Si jehonë e Lidhjes së Prizrenit, në Gjirokastër u mblodh Kuvendi më 1878. Edhe për këtë ngjarje populli këndoi: 

Kurvelesh e Gegëri/Ç’na hodhe në Ergjëri/Tek Abdyl bej Frashëri…

Të këtij cikli janë dhe disa krijime ku urrejtja ndaj bejlerëve dhe agallarëve fillon të rritet e bashkë me të dhe mosbindja. 

Ju bejlerë e agallarë / Haroni kohën e parë…

Shumë nga këngët në këtë botim shoqërohen me një shpjegim të brendisë apo kontekstit historik nga vetë Musineja. Kjo i bën ato të qarta dhe kupton se pavarësisht se kanë lindur në një fshat, në kohë mynxyre, bartin universialitet për botën shqiptare.

Jo pak kwngw brenda këtij vëllimi kanë elemente humoristike. Me sa kemi vënë re, shumica e tyre i përkasin qytetit të Gjitokastrës. Kjo është e dallueshme lehtë jo vetëm për shkak të emrave, patronimeve, toponimeve, por dhe të folmes karakteristike të këtij qyteti. E qeshura sjell me vete gjithmonë një kritikë. Përpara këtij humori nuk ka tabura, persona, veprime a dukuri të paprekshme. Si vajzë e shkolluar, Musineja i ka mbledhur e shkruar, megjithësë ato prekin drejtpërdrejtë emra dhe familje konkrete gjirokastrite, vese e bëma që për ngarkesën emocionale e morale mund të “molloiseshin” në qytet nën zë. Ato janë shumë në këtë botim si: “O Muslli, mustaqezi”, “Se ç’e dredh atë mustaqe”, “Cër -cër -cër ia bën tigani”, “Kungull natë e kungull ditë”, “Moj portokale bashtesë”, “Salushia dyzet groshë”, “Cëngër mëngër cfakat- o” etj. Në këto këngë ironizohet tradhtia bashkëshortore: 

Moj Nefo, moj qafëgjatë/Ç’e keshe Diko Muratë/Që të vin natë për natë?

Shpotiten gra dembele dhe të pazonjat për punë:

Kur mer gjëlpërën e qep/ Dizet dit me një jelek…

Kritikohet autoriteti i vjerrave:

Manxuranë e penxheresë/Foli plakë gomaresë/Njëqind vjeç, e s’mund të vdesë/Ju bë havale së resë…

Të gjithë përsonazhet dhe historitë e këtyre këngëve janë shpjeguar pa drojë nga Musineja deri në detaj, ashtu siç ka qenë opinioni gjirokastrit për to. 

Në këtë botim gjen mjaft krijime lirike. Dashuria si vlerë dhe dimension kulturor i njeriut  përbën gjithashtu një nga temat themelore të poezisë popullore. Kenga popullore nuk e sheh dashurine te shkeputur nga thelbi i saj shoqeror. Në këto këngë së pari bie menjehere në sy mënyra e veçante se si populli ndërton portretin fizik të vajzës.  Ajo cilësohet si hënë,  floriri, këmbë e dorë ergjënda, ballë kollonatë, kumbull zerdeli etj. 

Në disa prej këngeve të këtij botimi, krijohet humor, sepse në vend të hireve të vajzës i vihen në dukje të metat. Kjo ndihmon për të kuptuar edhe shijen estetike të popullit, zbulon evoluimin e kanoneve etike popullore:

Moj e shkurtëra pa mes/ Qafë shute e bithë thes.

Një vend të veçantë zënë këngët rreth lodrave që përsëri duket se i takojnë qytetit të Gjirokastrës. Disa evokojnë lodra të vjetra fëmijësh, disa të tjera janë këngë që gjyshet ua thonë afer vatrës fëmijëve. Ato nuk kanë apo përcjellin ndonjë kuptim, por vetëm janë lojëra fjalësh me rimë. Fjala në këtë rast bëhet mjet loje, tingujt e saj me larminë dhe kombinimet bëhen mjet zbavitës. Gjyshet gjirokastrite, të pashkolluara sajonin të tilla këngë për të “rreshtur“ fëmijët ose për t’u hequr mendjen nga ndonjë shqetësim. Kur iu mpihej dora ato këndonin:  

Këtu mbi, këtu shkri/ Këtu shkuanë ca dhi/Këtu ka një thes me kashtë/Duallnë gjëmbat jashtë

Të gjitha zhanret e folklorit tonë gjenden në këtë botim s’mungojnë as këngët e vajit, ninullat, fabulat. Të gjitha duket sikur kompozojnë në këtë botim një teatër, realizimi praktik i të cilit ndodh në një shtëpi të thjeshtë gjirokastrite apo të një krahine tjetër të Jugut. Kjo të kujton vlerësimin kaderian për poezinë popullore: “Për shumë shekuj me radhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia arkivi, kujtesa kombëtare mesazhi i transmetuar nga brezi në brez.„ 

Të gjitha krijimet të përfshira në këtë botim nuk janë dufe të rastësishme të krijuesit popullor, por përvoja e filozofi popullore e akumuluar në shekuj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Prof. Mimoza Karagjozi Kore

U promovua libri studimor “Mitrush Kuteli në Rumani”

November 23, 2023 by s p

“Mitrush Kuteli në Rumani” quhet libri më i fundit i botuar në rumanisht dhe i promovuar ditët e fundit në Bibliotekën Publike të Qendrës Kulturore “Cela Neamțu” pranë kryeqendrës së Moldavisë së Rumanisë, Jashit. Paraqitja e librit u organizua nga Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) së bashku me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë Libri është shkruar nga shkrimtari dhe eseisti rumun Marius Chelaru.

Vëllimi studimor është botuar nga Shtëpia Botuese „Asdreni” e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR). Libri ka 430 faqe, me parathënie të Dr. Luan Topçiut. Në këtë vëllim studimor dalin në dritë gjithë artikujt dhe tekstet e botuara nga Mitrush Kuteli në rumanisht: artikuj mbi ekonominë, folklor rumun i mbledhur prej tij, artikuj të ndryshëm për problemet e Rumanisë, recensione për libra politikë dhe kulturorë, polemika, proverba shqiptare etj. Shumë prej materialeve botohen për herë të parë dhe janë mbledhur nga shtypi i kohës nga hulumtuesi rumun, Marius Chelaru. Është interesant botimi i rrëfenjës “Natë listopadhi” shkruar dhe përkthyer nga vetë Mitrush Kuteli (teksti është botuar në revistën „Dimândarea”, viti III, Nr. 25 ‐ 26, qershor‐korrik 1939, fq. 12 – 15), fakt ky i panjohur më parë.

Në gjithë biografinë e Mitrush Kutelit ka disa sinkopa, veçanërisht për vitet e qëndrimit të tij në Rumani, ku, përpos veprimtarisë në rradhët e komunitetit shqiptar, ai ka shkruar dhe në rumanisht dhe jo vetëm për shqiptarët. Këtë boshllëk në biografinë e tij letrare e plotëson ky botim i studiuesit rumun, Marius Chelaru. Tekstet e botuara dhe të interpretuara nga studiuesi rumun, duke dhënë burimin e botimit, të shoqëruar me  fotografi, të gjitha së bashku do të ndihmojnë, padyshim, studiuesit për të hedhur dritë mbi anët e panjohura, mbi dritë-hijet e personalitetit të Dimitrie Pascu-t (Mitrush Kutelit)

Promovimi i librit u moderua nga shkrimtari Cassian Maria Spiridon, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Jash. Ishin të pranishëm deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuesi i pakicës kombëtare shqiptare në Rumani, kryetari i ALAR-it, Dr. Radu-Cosmin Sãvulescu, dhe Dr. Luan Topçiu, koordinator i Qendrës Kulturore të ALAR.

Autori i librit, Marius Chelaru, është shkrimtar dhe kritik letrar, zëvendës kryeredaktor i revistës prestigjioze “Convorbiri literare” dhe kryeredaktor i revistës “Poezia” (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë). Ka botuar shumë studime dhe artikuj kushtuar letërsisë shqipe si dhe disa libra me hulumtime. Vitin e kaluar,  gjatë “Ditëve të Kulturës Shqiptare”, ALAR-i promovoi në po në Jash vëllimin imagologjik “Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin rumun deri më 1912”, 

Të pranishmit i përshëndeti deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Parlamentin e Rumanisë dhe z. Cãtãlin Lupu, kryetari i bashkisë Ciurea. Për Marius Chelaru-n dhe Mitrush Kutelin, për vlerat e veprës në fjalë, për ndihmesën që sjell ajo folën kryetari i ALAR-it, Dr. Radu Savulescu si dhe kritiku e studiuesi Dr. Luan Topçiu. Në përfundim të promovimit, fjalën e mori autori i vëllimit. Folësit vunë në dukje kontributin e Kutelit, duke iu referuan fakteve biografike dhe veprës së Mitrush Kutelit në rumanisht. Folësit iu referuan, gjithashtu, novelës „E madhe është gjëmë e mëkatit”, botuar në rumanisht nga Luan dhe Renata Topciut në revistën „Secolul XX” – organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë si dhe tregimit „Pranverë në Transilvani”, në përkthimin e Luan Topciut, botuar në faqet e revistës kulturore „Albanica”. Kuteli  u vlerësua si një figurë poliedrike, që ka luajtur një rol të madh në njohjen e letërsisë së të dy popujve. Kuteli si përkthyes ka shqipëruar autorët rumunë si Ion Creangã, Liviu Rebreanu, Mihai Sadoveanu, Mihai Eminescu etj. Dr. Luan Topçiu, në fjalën e tij u shpreh se „Studiuesi Marius Chelaru, në përçapjen e tij për të ndriçuar rolin e intelektualëve shqiptarë të Rumanisë, ka shkruar një libër të rëndësishëm për publikun në Rumani, për komunitetin e shqiptarëve të Rumanisë, por dhe për Shqipërinë dhe për studimet kushtuar Mitrush Kutelit – një shkrimtar model në forcimin e marrëdhënieve rumuno-shqiptare. Më pas e morën fjalën shkrimtarët rumunë  Vasile  Larco, V. Iosif dhe V. Diacon, të cilët vlerësuan Mitrush Kutelin si përkthyes i letërsisë rumune në gjuhën shqipe.

Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të shumtë të mediave të shkruara dhe audio-vizive, duke përfshirë ekipin e Televizionit Rumun, ekipin e kanalit televiziv TeleMoldova si dhe Radio Romania Cultural etj. Përfaqësuesit e ALAR-it si dhe autori Marius Chelaru dhanë intervista për radiot dhe kanalet e televizioneve të interesuara.

Vepra u botua nga Shtëpia Botuese “Asdreni” e ALAR-it, me mbështetjen financiare të Qeverisë Rumune.

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht, nëntor 2023

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT