Eris Rusi/
Universiteti “Fan S. Noli” Korçë
Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë
Kushtet historike të fillimit të shek. XX në vendin tonë, ishin specifike dhe të veçanta në funksion të çështjes kombëtare, duke u shoqëruar me përpjekjen që padija dhe varfëria intelektuale e kushtëzuar nga jeta nën perandorinë osmane, të zëvendësohej gradualisht nga një lehtësim i dritshëm i jetës shpirtërore të vendit përmes kulturës dhe letërsisë.
Duhet të themi që ishin vërtet në minorancë njerëzit e fillim shekullit XX në Shqipëri që lexonin poema apo romane. Pjesa tjetër e vendit ishte e mpakur në leksikun e vet të varfër, që keqësohej akoma më tepër nga jeta e rrëmujshme, e paqëndrueshme politike e vendit, si dhe nga hapësirat e vështira ekonomike. Si pjesë të përmirësimit të situatës intelektualët dhe krijuesit e kohës konsideruan orientimin e vëmendjes kah letërsia, tek botimi i periodikëve, në rilindjen e një sensi të brendshëm, fisnik sa dhe njerëzor, për të kulturuar jetën e vendit. Veç në këtë mënyrë, do të arrihej të shihej përtej, do të mund të kapej çdo sinjal rrugëzgjidhje dhe kapërcimi i vështirësive, megjithëse krijimet letrare reflektonin frymën e kohët, ekstremitetin e gjendjes shoqërore shqiptare si dhe mangësitë, vështirësitë apo të metat e kritikueshme të kulturës sonë të frenuar dhe të pazhvilluar si duhej.
Letërsia mori funksionin didaktik, udhërrëfyes dhe përçues të dritës dhe rilindjes, e si një metaforë e jetës, erdhi duke kapur formën e të nevojshmes, të së domosdoshmes në dimensionin e mëvetësisë shqiptare. Aty ku deri dje vonohej të shihej vegimi i trishtë i jetës së fshehur të thellësive, i varfërisë shpirtërore, i barbarisë dhe i zakoneve arkaike, të paqytetëruara, barbare, letërsia nisi të zbulojë dhe të nxjerrë në dritë secilën prej këtyre të metave, duke ofruar edhe pasionin, edhe ndjenjën, edhe lartësimin e të mirës dhe të bukurës në vetvete.
Në këtë pikë, na duhet të përmendim sërish një aksiomë të artit letrar, që fantastikja dhe realiteti nuk janë dy universe paralele dhe të dallueshme nga njëri-tjetri. E aq më shumë nuk mund të shihen si dy botë të kundërta, në një garë se kush do të fitojë në fund. Fantazia e mirëfilltë, në fakt, nuk duhet ta shohim kurrë si një vendstrehim për ata që ndjehen të zhgënjyer nga realiteti. Apo që duan me çdo kush t’i arratisen realitetit. Botët fantastike, për të qenë të gjalla, duhet të ushqehen me të dyja duart nga realiteti, nga dramat, vështirësitë, të pamundurat dhe zymtësitë e tij.
Si ka mundësi atëherë që është kaq e vështirë të gjejmë këtë notim brenda fantastikes në pjesën e parë të shekullit XX? Për krijuesit e kohës, realiteti nuk përmbyllej në vetvete: “i gjithi është këtu…” Përkundrazi, në çdo spirale shprese, shihej mundësia që limitet e realitetit të shtyheshin më tej, kjo falë forcës tunduese të fjalës së shkruar. A nuk kishte vallë terren më të mirë për letërsinë fantastike, sesa Shqipëria e sapo dalë nga një izolim dhe robëri shekullore turke, ende e panjohur, si një tokë e virgjër fantazish, përplot mister për t’u zbuluar në të gjitha sfumaturat dhe luhatjet e saj?
Mund të ngremë si qëndrim faktin që letërsia shqiptare ishte mbrapa ritmit me të cilin ishte zhvilluar letërsia evropiane, e për më tepër ishte e angazhuar në procesin e identitetit kombëtar, ku dhe pavarësia e Shqipërisë edhi shumë më vonë se vendet e tjera ballkanike. Por nga ana tjetër krijuesit e kësaj letërsie kishin kontakt të vazhdueshëm, e njihnin dhe ushqeheshin me atë që ishte letërsi e kohës, evropiane dhe botërore. Përse zgjedhin të mos rrezikojnë sa duhet në terrenin e fantastikes, në përputhje me ndryshimet dhe rrjedhën krejtësisht të re që po merrnin shkollat letrare në Evropë?
I. Proza poetike e Lumo Skëndos
Në këtë pikë, mund të sjellim rastin e Lumo Skëndos, i cili ofron interes studimi sidomos me prozat e tij poetike, ku ngrihet imagjinata, përfytyrimi i së mrekullueshmes dhe ndjesia fantastike, por kjo e lokalizuar dhe e jo e përhapur në të gjitha krijimet e përmbledhjes në prozë “Hi dhe shpuzë”
Sikundër shprehet në parathënien e librit studiuesi Nasho Jorgaqi:
“Lumo Skëndo u shfaq në jetën shqiptare në dekadën e fundit të Rilindjes, kur ë qiellin e letërsisë sonë po ngjitej plejada e Faik Konicës, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës me shokë. Ishte ky brez i ri letrarësh dhe veprimtarësh atdhetarë që duke mos e ndarë artin nga dituritë dhe duke u njohur atyre rolin militant në kauzën e çlirimit të atdheut, synoi dhe punoi për një emancipim të gjithanshëm të jetës shpirtërore të kombit”. (Skwndo 1995: 4)
Pra kjo është një përmbledhje e emrave që frymonin letërsinë në fillim të shekullit të XX. angazhimi dhe përpjekjet në rrafshin kombëtar, bëjnë që nga kritika çdo lloj qasje që i largohet këtij prizmi nacionalist, të shikohet si një luhatje e çastit, si një dalje nga rrjedha që duhet të kishte letërsia e kohës, për t’u rikthyer me të shpejtë në reshtin e reales dhe të vërtetësisë ideore të përshkrimit dhe ilustrimit të kohës.
Vijon më tej Nasho Jorgaqi:
“[…]Në këtë aspekt u bënë përpjekje të frytshme për të kapërcyer kufijtë e një letërsie poetike e cila kish krijuar vepra të shkëlqyera, për të dalë në një terren pak a shumë djerrë siç është proza. Duke qenë e një stadi fillestar nga ana artistike, si një prozë diturake-historike-publicistike, me vlera njohëse dhe edukative, ajo nuk i përmbushte nevojat e një letërsie kombëtare siç ndodhte me poezinë shqipe bashkëkohore”.(Skëndo 1995: 5)
Në një farë mënyre njihet dobësia miturake e prozës shqiptare në fillimet e saj, për të patur një identitet të mirëpërcaktuar që në publikimet e para. Mund të mos jemi dakord me përcaktimin “terren i djerrë”, referuar prozës në tërësinë e saj, meqenëse emocionet e përftuara, fantazia, por dhe kombinimi i retorikës metaforike në rastin e prozave poetike, jo vetëm që nuk na ofron modele të rëndomta e të varfra në formë dhe përmbajtje, por më së shumti na bën të hamendësojmë se përse nuk u rrezikua më tepër në zgjerimin e këtyre formave të prozës poetike, në krijime më të plota dhe të guximshme.
“Hi dhe shpuzë” përmban 15 proza poetike, 2 novela dhe gjashtë kujtime, të shkruara brenda një periudhe gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Prozat poetike i përkasin kryesisht kohës së rinisë së autorit, i cili ishte mbrujtur me frymën e të qenit larg Shqipërisë (Lumo Skëndo u largua nga Shqipëria tre vjeç dhe u rikthye në moshën 29 vjeçare).
Pra ka një rrugëtim emotiv që lidhet edhe me impulsin, përfytyrimin dhe ndjesinë e përshpejtuar të një moshë kur gjithçka është e mundur. Përtej sfondit patriotik, në do të ndalemi te proza “Plaku i Ylynecit”:
“Plaku i Ylynecit është një tregim alegorik me prirje të qarta filozofike që i paraqet lexuesit për të nxjerrë kuptimin konkret dhe idetë që rreh të japë autori[…] ai pothuajse nuk ka subjekt. Gjithë ajo që zhvillohet para të hapet si një tablo sa reale aq dhe ireale, sa e vërtetë aq dhe fantastike. Edhe pse bëhet fjalë për një vend të njohur të Shqipërisë së jugut, siç është shkëmbi i Ylynecit, ajo shënon vetëm pikënisjen, lokalizimin formal të ngjarjes që shtjellohet më pas.” (Skëndo 1995: 5)
Cilët elementë të letërsisë fantastike mund të dallojmë në këtë rrëfim? Sabri Hamiti në “Letërsia moderne shqiptare” gjen një Shqipëri reale dhe ideale të autorit. Plaku i Ylynecit “rrok temën e Shqipërisë,po tani në ballafaqim me tiraninë e kohës dhe të përjetësisë; nuk ka vetëm identifikim me dashurinë atdhetare, por dhe me drojën. Kërkuesi i së vërtetës, këtu autori, njeh dhe shpalos mjediset reale; ndërsa plaku që është koha, shpalos një realitet të vetin të përhershëm dhe agresiv. Fjalët e Plakut (Kohës) e shpien dëshmitarin nga realja në pamjet fantazmagorike të botëve që ndahen me një teh: në një anë katastrofa njerëzore, ndërsa në anën tjetër lulëzimi i jetës. Ferri e Parajsa”. (Hamiti 2002: 98)
Rrëfimi i Skëndos, i shkëputur nga përmbledhja “Hi dhe shpuzë” hapet me një panoramë të rrallë e të bukur të natyrës shqiptare, përballë së cilës narratori harron të flasë dhe magjepset nga hijeshia që lodron në vështrimin e tij:
“[…]kur arritmë ne ur’ e Ilias Lamesë, pa dashur qëndrova: më dukesh se e kisha përpara meje një prej ato tabllove të rralla të moçme që figurojnë me një pamje piktoreske.[…]Edhe shikova, dhe prapë e shikova ujët e thellë më të mëngjër, urën e vogël anë lumit dhe grykën e gjerë më të djathtë.”
Ky përshkrim ilustron përshtypjen e thellë që natyra lë tek njeriu, edhe në kushtet e një realizmi të imtësishëm, magjepsja mund të vijë papritmas nga pamjet që shfaqen përpara syve të udhëtarit. Momenti kur nis e valëzohet realja me irealen, akoma nuk ka mbërritur, por kemi një përshkallëzim rritës të emocionit, të misterit dhe të asaj pritshmërie që ka nevojë për një përgjigje, kjo e dhënë përmes ndryshimit të sfondit dhe panoramës që sa vjen e bëhet me e ngushtë, më e mistershme, gati-gati e frikshme:
“[…]dhe udha po gjarpëronte, herë tërthor, herë më të djathtë, herë më të mëngjër, herë thikë, këmbët duke u rëndësuar gjithnjë”.
Në pjesën teorike të punimit, treguam që thelbi i thelbi i fantastikes qëndron në veçantinë e hezitimit ndërmjet të çuditshmes dhe të mrekullueshmes, i provuar nga një qenie e cila njeh vetëm ligjet natyrale përballë një ngjarjeje në dukje të mbinatyrshme. Kalimtare, fantastikja ekziston vetëm në hapësirën e shkurtër të këtij hezitimi i cili shfaq papritur, por aq natyrshëm sa nuk a vend për habi dhe ngjarja fantastike trajtohet si të ishte njëlloj e mirëfilltë me realitetin. Ndaj, fillimisht, autori na jep realen që ngjason me të mrekullueshmen, aq e veçantë dhe e paimitueshme ngjan:
“Pranë mejë një mur i gurtë, si i bërë prej njerëz të një tjatër kohe,të një tjatër botë[…]përpara meje ishte shkëmbi i Ylynecit! Një pirg i trashë, i madh, madhështor, me një bukuri t’egër e të çuditshme.”
Dhe papritmas ndodh kthesa fantastike, e cila bën që të shtangë dhe të hezitojë veç për një çast protagonisti, pastaj duke e marrë për të mirëqenë atë që po sheh, i bën vetes pyetje nga më të zakonshmet dhe normalet:
“Përnjëherësh shkëmbi u hap dhe goj’ e zez’ e një dere mbeti e çelur. S’dinja ku isha, kisha mbetur në habi, kur një plak doli nga shkëmbi. Kish mjekër të bardhë si dëborë mali, syt’e kaltër si ujët e Vjosës. Sa vjeç do qe? A ish gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë apo njëqind? Apo dyzetë? Se nën flokë të bardhë, kish fytyrën e një djaloshi, plot shpirt e shëndet në faqet e tij.
Si një nga tiparet e fantastikes në letërsi, kemi ndërprerjen e koherencës universale, nga një ngjarje e paparashikueshme dhe e papritur që depërton në tekst. Na mundësohet të shohim botën e mundshme, pasi kemi kaluar shtegun e botës reale dhe kjo në vend që të shkaktojë çoroditje tek lexuesi, i jep tekstit shumësi kuptimesh dhe interpretimesh. Personazhi i mbinatyrshëm prezantohet si të jetë një nga njerëzit e zakonshëm të kësaj bote, është me një gjallëri natyrale dhe zgjat dorën të shtrëngojë përzemërsisht protagonistin. Kjo e zbut habinë, e mbulon mahnitjen, por njëkohësisht vë përballë botën reale dhe botën e mundshme si simetri e jetës dhe e vdekjes:
“[…] Edhe nga fundi i napës pashë këmbët e çelnikta – po të vogla e të bukura – të plakut, me thonj prej rame! Më dukesh se ëndërronja, po s’isha fare i çuditur. – Ç’ka aty brenda? – pyeta. – Do të shohësh? Eja!
Edhe më zuri për dore: m’u duk se një frymë, një dredhje gjallimi më rendi në dejet. Kur u qasmë te dera një mjegull e errët, një tym i hidhur më zuri sytë dhe më dogji gurmazë. Po plaku më preku me dorë, dhe atë çast m’u kthjelluan sytë. Vështrova dhe pashë gjëra të tmerruara! Poshtë, atje poshtë, fare thellë, shkëmbit kish një shpellë të gjerë, të hapur si një gojë skëterre.[…] Një pluhur i mugët po mbulonte këtë shpellë të vdekjes dhe mbi një kullë gjysmë të rrëzuar pashë një huruvejkë me sy të mëdhenj të rrumbullaktë. Plaku më tha: “Kanë rrojtur, tani më s’janë.”
Ajo çka shfaqet para syve të protagonistit është një ilustrim i nëndheshëm i botës së përtejme, i të humburës, i së shkuarës, i të djeshmes së afërt dhe të largët. Është kujtim dhe përjetësi, pluhur dhe harresë, por edhe vendqëndrim për të mbledhur mendimet e për të nxjerrë uniken e çdo jete mbi tokë.
Jemi brenda një rrëfimi të mirëfilltë fantastik, e në vijim shohim se respektohen edhe disa elementë të tjerë të hulumtimit fantastik:
- kushtëzimi sensorial, emotiv dhe intelektual përballë fenomeneve të pashpjegueshme;
- përkohësia dhe përjetësia nën petkun e fatit dhe fatalitetit;
- çkodimi i domethënieve tokësore dhe hyjnore
- hezitimi ndërmjet një shpjegimi racional e realist dhe pranimit të mbinatyrshmes
Në lidhje me kushtëzimin sensorial dhe emotiv, ne e shohim se si pushtohet krejtësisht arsyeja dhe racionalja e protagonistit nga shfaqja e papritur e personazhit misterioz nga brenda shkëmbit. Gjithçka që ai flet ngjan me një kumt, është një e vërtetë e madhe, si një orakull lashtësish plaku vjen që të zbulojë të vërtetën e këtij vendi dhe të këtyre njerëzve.
Së dyti, pamja e ofruar është therëse, gati surrealiste, por njëherazi e tmerrshme, e hidhur dhe cinike: jeta që shkon e nuk kthehet më pas, pluhuri që zë pluhurin dhe ekzistenca që rrokullisen në honet e thepisura të së djeshmes. A nuk është ky vizioni universal i mënyrës si shkojnë gjërat në këtë botë? A nuk ndodhemi përballë shfaqjes krejt papritur të Hadesit të nëndheshëm, të nëntokës Danteske, ku përzjehen dhe ngatërrohen e shkuara e patjetërsuar, me të tashmen e pasigurt?
E gjithë kjo atmosferë e tensionuar, nxit më tepër depërtimin në brendinë e tekstit. E pashpjegueshmja merr zanafillën nga mistikja e përjetësisë.
II. Realizmi i mrekullueshëm si pararendës i realizmit magjik
Është e nevojshme të shpjegohet dhe të zbërthehet kuptimi i kësaj situate të mbinatyrshme, të realizohet një lloj zbërthimi i domethënies hyjnore dhe tokësore të fjalëve të plakut të Ylynecit. Simetria është e gjithëpranishme në tekst, krahas të shkuarës, të vdekurës dhe të harruarës, lartohet jeta, qielli i së nesërmes dhe njerëzit që frymojnë të mbushur me energji. Në këtë gjendje, ndërmjet reales dhe ireales, mes përhumbjes në ëndërrim dhe zgjimit të mprehtë të asaj çka ofron vështrimi, realizohet edhe vizioni simbolik, që përfytyrohet nga ana e protagonistit përmes prekjes së lehtë nga ana e plakut në ballin e tij:
“[…]Shikoje!- dhe më preku me dorë në ballët. Një djepe e vogël me një foshnjë të bukur. Foshnja sapo ishte zgjuar nga gjumi dhe kish hapur syçkat e bukur si dy këngoj të çkëlqyer; një dorë të butë dhe të kuqe si trëndafil, e kish shpënë në gojë.
-A po sheh? – më pyeti Plaku. Edhe mbi djep, në krye të foshnjës, këndova me shkronja të çuditshme SH.Q.I.P.R.I.J.A.”
Gjithçka përreth ngjan e gjallë dhe reale e mund të preket dhe të ndjehet si e tillë, e megjithatë nuk të shqitet ndjesia që jemi brenda një ëndrre, e cila flet dhe bën orakullin e së nesërmes. Edhe në këtë rast, ne kemi të respektuar një parim tjetër të fantastikes: hezitimin ndërmjet një shpjegimi racional dhe realist dhe pranimit të së mbinatyrshmes. Nëse realja është ajo çka dimë, si kanë qenë dhe janë zhvilluar ngjarjet prapa në kohë, po a e mundur dhe jo kompromentuese është edhe e ardhmja, që misterin e saj kërkon ta zbulojë me finesën e dredhive, të plakut që krijon vizionet e agimit në mendjen e protagonistit.
Çka nuk mungon, në këtë prozë, është tipari identifikues i fantastikes klasike të Tetëqindtës, tmerri që e përshkon protagonistin në një moment kur gjërat ngjajnë të qeta, në aparencë, pastaj ndryshojnë krejtësisht duke shkaktuar thyerjen e ekuilibrave të mëparshëm. Jo vetëm kaq, por kjo prishje e ekuilibrit shoqërohet edhe me një metamorfozë, pra me një ndryshim të personazhit tjetër në tekst, e s’ka si të mos na bëjë përshtypje trajtimi me mjeshtëri i këtyre mjeteve të letërsisë fantastike, nga ana e autorit:
“Shikova plakun me mirënjohje: fytyra e tij m’u duk me një ëmbëlsi të pafundme dhe plot pafajësi, si fytyr’ e kësaj foshnjeje. Edhe leshrat e mjekr’ e bardhë i bënte një brerore të ndritsh, e saj fytyre dhe atyre syve plot mirësi.
Po, o tmerr! Ahere vura re se djepja ish vënë mbi një mur të hollë si kartë, si presë brisku.[…] Edhe Plaku më shikoi me sy t’ashpër e të ftohtë: përnjëherësh ish zhdukur ëmbëlsi e tij dhe tani kish marrë një fytyrë të keqe e të ngrirë; ahere i vura re se edhe dor’e tij që më dërrmonte krahun, ajo dorë që më ish dukur aq e bukur dhe e butë, ish prej guri dhe e ftohtë.”
Simbolika e Shqipërisë që materializohet tek fëmija i vogël i përkundur në djep, hapësira e ndërmjetme midis reales dhe fantastikes, mundëson që të bashkëjetojë bota reale me botën e fiksionit. Ajo çka e zbeh dhe e ngadalëson rrëfimin deri në fund, megjithatë, është zbulimi i një pjese të enigmës: plaku misterioz është vetë Koha, që rrjedh në mënyrë të pandalshme, që nuk njeh hapësirë dhe është ciklike, që ka lindur me botën e do të vazhdojë pas saj. Ajo që mbetet, është misteri i foshnjës së vogël, i vendit të porsa dalë nën dritën e pavarësisë, që e pret një fat sa misterioz, aq edhe i padepërtueshëm.
Në prezantimin final të plakut të Ylynecit, ne shohim të pështjellohen dhe të tjetërsohen në forma dhe me emra të ndryshëm, universi, koha, hapësira, nga legjionet e njëtrajtshme e të paidentifikueshme romake, deri në personazhet e përveçëm historikë si Ali pashë Tepelena apo Tafil Buzi. Kjo bashkëjetesë është sa interesante, aq dhe fantastike. Plaku-Kohë e krahason veten me lumin Vjosë, e ujërat e lumit janë si rrjedha e kohës, asnjëherë e njëtrajtshme, me misterin e futur thellë brenda saj.
Nën këtë dritë, mund ta klasifikojmë këtë novelë brenda “Realizmit të mrekullueshëm”, që si lloj letrar ndërmjetëson realitetin me dimensionin fantastik, duke u bërë paraprijës i realizmit magjik në letërsi. Në ndihmë për këtë klasifikim, na Vjen qëndrimi i David Roas i cili mbi këtë dimension, shprehet:
“[…] “Realizmi i mrekullueshëm” mundëson bashkekzistencën jo problematike të reales me të mbinatyrshmen, në një botë të ngjashme me tonën. Kjo situatë përftohet përmes një procesi natyralizimi (ngjashmërie) dhe persuadimi (bindjeje) […] Realizmi i mrekullueshëm mbështetet mbi një strategji themelore: të denatyralizojë realen dhe të natyralizojë të pazakontën, për të integruar të zakonshmen dhe të jashtëzakonshmen në një përfaqësim unik të botës”.(Roas 2001:12)
Me ketë frymë interpretimi dhe shpjegimi, mund të marrim në shqyrtim një tjetër novelë të kësaj përmbledhjeje, që është me interes për t’u parë në dritën e fantastikes, me titullin “Tmerri”. Rrëfimi është në vetën e parë dhe protagonisti, që në fillim tregon përjetimin e ankthshëm që e kap pasi ka diskutuar me miqtë e tij mbi fatkeqësitë, varfërinë dhe vrasjen që kryheshin në Shqipërinë e asaj kohe. Është sfondi mbi të cilin ngrihet përjetimi i frikshëm, në një gjendje onirike e cila e kaplon dhe e persekuton protagonistin:
“U ngrita nga shtresa, hapa finestrën: yjtë shkëlqenin me një qiell pa hënë. Nuk e di sa ndënjta përpara finestrës, por më duket se pa shkuar shumë, më zuri gjumi” (Skëndo 1995: 52).
Jemi përpara elementëve që të kujtojnë rrëfimet e frikshme fantastike të shek. XIX. Nata e frikshme, qielli pa hënë dhe gjumi që nuk vjen si qetësim, por si persekutim i prehjes. Kalohet aq lehtë dhe pa asnjë ndërmjetësim nga bota reale, në terrenin e ëndrrës. Nuk ka asnjë element shtesë që të tregojë këtë kalim, gjithçka nënkuptohet dhe bëhet në një mënyrë të natyrshme dhe gati të thjeshtë:
“ Po nxitoja dhe qeni po më ndiqte. Nxitoja me vrap të madh dhe s’guxoja të ktheja sytë nga frika se mos i shoh gojën e kuqe dhe syt’ e zjarrtë që i ndritnin në faqet e zeza.. mora një të përpjetë; dheu ish gurishte: qeni ish nja pesëdhjetë cape larg meje, po unë e ndjeja që, sa vinte, kafsh’ e egër po më qasej. Tani më dukesh sikur frym’ e tij më diqte krahët, aq e pandehnja të afruar; kisha zënë dhe të lodhem, mushkëritë më ishin ngusur, mezi mirrja frymë; po prapë vraponja me akull në zemër” (Skëndo 1995: 53).
U futëm brenda ëndrrës, por ankthi i përjetuar, tmerri që ngrin gjakun e protagonistit është real dhe i prekshëm. Në këtë bashkëjetesë të botës si është në realitet, e të mikrouniversit ndjesor që zgjohet nga ëndërrimi, kemi depërtuar në hapësirën e fantastikes, tokë e ushqyer nga ëndrrat, ku shihet drejtpërdrejt përfytyrimi i ardhur nga thellësitë e shpirtit.
Nëse ofrojmë një krahasim me letërsinë fantastike evropiane të shek. XX, duke marrë për bazë kontributin e psikanalizës, surrealizmin, realizmin magjik dhe në përgjithësi letërsinë moderne të kohës, dalim në përfundimin se ëndrrat janë gjuha përmes së cilës flet imagjinata fantastike e krijuesit.
Domeniko Porzio, në tekstin “Pikëpyetja fetare në veprën e Dino Buxatit”, shkruan:
“[…] nuk ka pikë dyshimi që letërsia narrative e Buxatit[…] përmban ankthin e kohës, qëllimin gnostik për ta konsideruar botën dhe realitetin si një ëndërr ku jemi të burgosur, duke ruajtur qëllimin për të futur brenda arkitekturës së të dukshmes, “grimca të vazhdueshme absurditeti” që mund të na ngushëllojnë e qetësojnë se gjithçka është e rreme” (Porzio 1972: 71).
Lexuesi, në këtë rrëfim, qetësohet deri diku nga fakti që protagonisti po ëndërron, megjithatë përjetimi i ankthit të tij është real. Dhimbja është gati fizike. Tentativa për t’i shpëtuar ndjekjes nga kafsha e egër vjen si një betejë mbijetese, ai plagoset, gjakoset, i mbahet fryma dhe ndjen mushkëritë gati t’i shpërthejnë. Ndjen këmbët që nuk i bëjnë më, vështrimi i errësohet dhe dihatja e tij është si një lutje që gjithçka të marrë fund dhe të vijë zgjimi i shumëpritur. I burgosur brenda ëndrrës së vet, nuk ndodh kështu, pasi pikërisht kur mendohet se ka kaluar rreziku, ai materializohet më i afërt se kurrë:
“[…] plag’ e ballit dhe të çjerrat e turirit po zënë të më djegin, por prapë jam i lumtur se shpëtova nga ndjekja dhe nga goj’ e kuq’ e qenit.
Një zë në mes të ferrave më bën të kthej kokën. O tmerr! Qenin që pandehja se shpëtova soje, qenin në dhëmbët e të cilit më ishte varur jeta, tani e kam përpara!
Më s’pata kurajo as të ikja, as të thërrisja; sytë m’u errë, laqet e këmbës m’u zgjidhë, mbeta si i ngrirë! Tani më s’shihja gjë, vetëm veshët më dëgjonin një të lehur m një zë të mbytur, dhe – sado që sytë s’më shihnin, më dukesh se qeni më skërmitte dhëmbët dhe po bëhesh gati të më hidhesh.” (Skëndo 1995: 55)
Pra si element të fantastikes, mund të cilësojmë një botë, ajo e ëndrrës, që është reale dhe e mbushur me një përndjekje të frikshme, misterioze, që vjen nga një orientim i errët, i pashkak, i pashpjegueshëm. Nuk tregohet pse nisi ndjekja, ndërsa rrëfimi merr trajtat e një ilustrimi simbolik, që i lejon tekstit të marrë një shumësi kuptimesh dhe interpretimesh të lira.
Në pjesën e dytë të rrëfimit, protagonisti zgjohet dhe i duket sikur ka lënë pas të errët misterioze të gjumit të natës. Por sërish ndjesia që gjërat nuk janë ashtu si duken në dritë të diellit, nuk i shqitet për asnjë çast. Një moment dëgjon të lehurën e qenit jashtë dhe përfton ndjesinë mos ëndrra vazhdon edhe në realitet. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje të qartë dhe të prerë të imagjinares dhe fantastikes në qiellin e reales. Ankthi kthehet në tmerr, e as drita e diellit nuk mund të sfidojë dhe të largojë këtë pështjellim. Pyetjet retorike janë shqetësime që nuk marrin dot përgjigje. Është e huaja, e panjohura, misteriozja, ajo që përbën kërcënim për protagonistin:
“[…] Of, sa ëndërr e ligë! Me sa gas sheh njeriu që duke hapur sytë, gjith’ajo hije e zezë fluturoi. […] Po hija akoma s’u zhduk, se prapë dëgjoj qenë që leh, dhe tani po leh me një zë të shqyer dhe të egërsuar. Ç’është kjo, ç’është ky qen? Është qeni ynë. Po pse leh, kujt i leh? […] Ngrihem, dal në ballkon dhe shtie një sy në kopsht; s’ka njeri. Qeni po leh afër portës dhe me zemërim i sulet murit[…]”(Skëndo 1995: 54).
Na ofrohet një lloj shtrirje e ireales, e botës onirike, mbi realen, atë që perceptohet nga njeriu. Qeni i ëndrrës shndërrohet në qenin e njohur të shtëpisë, e lehura është njëlloj dhe ankthi e tmerri nuk shqitet asnjë çast. Protagonisti i provon të gjitha, por nuk arrin të largojë vetes pasigurinë se diçka e keqe ka për të ndodhur. Lehjet e çartura e të egërsuara janë paralajmërim që mjegulla e errët do të lyejë muret e fatit të tij. Dhe kur nuk pritej, vjen konfirmimi që irealja, fantastikja, imagjinarja, është e pushtetshme dhe zgjatohet deri në jetën e përditshme:
“ A e mësove që mikun tonë…pardje e zunë dhe u hodhë në burg?…
Hij’ e natës s’ish akoma çdukur!” (Skëndo 1995: 55)
Kjo është mbyllja e novelës dhe na takon të vlerësojmë këtë krijim afër fantastikes, nga tensioni narrativ dhe kushtëzimi i ireales që ushtron tërheqjen e saj ndaj realitetit. Me interes, në këto dy novela të Lumo Skëndos, na duket pikëpyetja e madhe se përse autori nuk përzgjedh të vazhdojë të shkruajë këtë lloj letërsie, që i shkon për shtat stilit dhe imagjinatës krijuese të tij?
Përfundime
Para se të dalim në konkluzione paraprake, mbetet për t’u bërë një saktësim i fundit, në krahasim ndërmjet letërsisë së fillim shekullit XX në Shqipëri dhe përmasave të fantastikes në letërsinë evropiane si dhe në realizmin magjik amerikano-latin. Në këto dy platforma letrare, hibridizimi i botëve (reales dhe fantastikes) është elementi identifikues për këtë lloj letërsie, e kjo përputhet edhe me ndërhyrjen brenda të njëjtës hapësire narrative, të elementëve reale dhe elementëve të trilluar. Kombinimi mes tyre mundëson zbërthimin e tekstit dhe tregon funksionalitetin në tërësi të tij. Sikur të ndalemi te letërsia e Amerikës latine, Borgezi është shembulli më i përshtatshëm për të na ofruar orientimin e nevojshëm në këtë drejtim.
“Universin fantazmagorik” të Borgezit, studiuesja Maria Barrenechea e cilëson si “një sferë ku kufijtë ndërmjet reales dhe fiksionin letrar nuk ekzistojnë më, janë fshirë, ku nuk kuptohet më se çfarë është imagjinare dhe çfarë është e vërtetë, ku personazhet romaneskë mund të alternohen me ata historikë dhe anasjelltas, autorët realë me apokrifët, ku jeta kopjon rregullat letrare e nga ana tjetër, ajo çka është specifikisht letrare, merr vlerë vitale, madje dhe magjike” ( Barrenechea Y Piñero 1957:54).
Pesimizmit të Todorovit, sipas të cilit “fantastikja e mirëfilltë ishte e destinuar të zhdukej në shek. XX, nisur nga zëvendësimi i saj me psikoanalizën, me humbjen e ndarjes ndërmjet reales dhe ireales, çka do të sillte për pasojë fantastikimin e përgjithshëm të botës së përfaqësuar” (Teodorv 1970:172), – mund t’i kundërpërgjigjemi duke argumentuar se nocioni i realitetit që vepron te lexuesi, përputhet vetëm minimalisht me nocionin e promovuar nga teksti letrar, i cili ushtron një lloj ndikimi mbi ndërgjegjen e lexuesit, por jo aq sa të shkundë dhe të kthejë përmbys kodin orientues në botën reale të tij.
Edhe lexuesi më dashamirës i fantastikes, e humbet nëse vihet përballë një situate e cila e thyen paktin e leximit dhe koherencës e botës së mundshme të rrëfyer në tekst. Themi, me të drejtë, që më e rëndësishme se raporti midis fantastikes dhe binomit reale-ireale, na duket përshtatja e lexuesit, pranimi i ngjarjes së pamundur, fantastike, duke u ndjerë këtë të fundit si diçka që zgjatet tej normales, mund të jetë deri vijim i i mëtejshëm i realitetit, por pa shkaktuar trazim apo habi të thellë.
Lexuesi i sotëm mund ta gjejë plotësisht komod vetëm në këtë lloj rrugëtimi fantastik, tek shembujt e ofruar më lart. Në paraqitjen e botëve hibride, të pandara me vijë kufizuese midis reales dhe ireales, ku bota onirike ngrihet si një pështjellim metaforik i protagonist, fantastikja përvetësohet dhe ndjehet si e natyrshme e në harmoni me tekstin. Edhe kur është e detyruar që ngjarjet të zbardhen nën dritën e reales, kontradikta e brendshme e tekstit, që pasqyron trajta të fantastikes, e bën të gjallë dhe tërheqës deri në fund procesin e leximit. Sikundër mundëm të shohim, në këto novela të veçuara të Lumo Skëndos, jo vetëm autorët e periudhës mundeshin të krijonin sipas modelit bashkëkohës të fantastikes, por shfrytëzonin në maksimum potencialin gjuhësor dhe imagjinar të tyre, në krijimin e një lloji rrëfimi, të ri, por njëherësh dhe të lashtë sa letërsia, që përfshihej brenda fantastikes.
Bibliografia
- Ana María Barrenechea y Emma Susana Speratti Piñero, La literatura fantástica en Argentina, México,D.F., Imprenta universitaria,1957
- David Roas, La amenaza delo fantástico, in Aa.vv., Teorías delo fantastico, a cura di David Roas, Madrid, Arco, 2001
- Domeniko Porzio, L’interrogazione religiosa nell’opera di Dino Buzzati, Milano, 1972
- Lumo Skëndo, Hi dhe shpuzë, Shtëpia botuese Albinform, Tiranë, 1995
- Roger Caillois, “Nel cuore del fantastico”, Rizzoli, 2004
- Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqipe”, “UET-Press”, Tiranë, 2009.
- Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe. Tiranë, UET Press, 2008.
- Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqiptare, Albas, Tiranë, 2000
- Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqiptare, Albas, Tiranë, 2002
- Sabri Hamiti, Vetëdija letrare, Rilindja, Prishtinë, 1989
- Tzvetan Todorov, Introduction à la littérature fantastique (1970), trad. it. di Elina Klersy Imberciadori, La letteratura fantastica, Milano, Garzanti, 2000.
- Yves Chevrel: Letërsia e Krahasuar, “Puf”, Tiranë, 2002.