• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Psenë nuk e ka gjetur as Sterio Spasse

August 15, 2023 by s p

Dr. Sadik Bejko/

Sot është 109 vjetori i lindjes së Sterio Spases (1914-1989)

Sterjo Spasse🇦🇱📖✏️ është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve 30, me kontribute të spikatura.

Romani “Pse?”, i shkruar prej tij në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri. Roman filozofik i shkruar në gjuhën shqipe

Duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit, Spasse mbetet një prozator emblematik i atyre viteve. Edhe për sot.

Por njëherësh ai është dhe tipi i autorëve, i shkrimtarëve të viteve 1930, që me ndërrimet politike iu përshtatën kërkesave estetike të realizmit socialist, u konformuan politikisht me klimën letrare të pas vitit 1944, shkruan, por pa e humbur cilësinë dhe forcën e artit të prozës.

Në kujtimet e Ismail Kadaresë ai është shkrimtari tipik dekadent i viteve ’30. Kadareja 22 vjeç, Spasseja 44 vjeç janë për studime në Moskë. Për cilindo të këtij hendeku moshor, kolegu yt në dyfishin e moshës tënde, mund të quhet plak..

Në Moskë nga Shqipëria u vjen telegrami se “plakut” Sterio në Tiranë i ka lindur një vajzë. Ah ah… më 1958.

Më tej.

Një shkrimtare, studente e Institutit Gorki, një bukuroshe nga Ukraina me emrin Vera, ka rënë në dashuri me Sterio shqiptarin e Institutit.. Me Plakun. Me burrin 44 vjeç. Burrë i veshur me të zeza, kostum i modës së vjetër, i zi, dopjopetë, Një korb i vonuar, i trishtuar, arratisur që larg, që nga vitet ‘ 30.

Kadareja, gati çunak 22 vjeç, i ulërin Sterios: ç’ bëhet kështu me ty, more plak? Në Tiranë të ka lindur vajzë, në Moskë na paske dashnore?

Më vonë, shumë më vonë do ta kuptonte se një 44-vjeçar nuk është dhe aq plak. Siç e thotë Kadareja vetë. Në kujtimet e tij tani.

Spassja me kryeromanin e tij “Pse?” dhe proza të tjera të kohës, përfaqësonte tek ne llojin e shkrimtarëve të brezit të humbur, ata shkrimtarë që në librat e tyre jepnin personazhe pa rrugëdalje, karaktere që vdesin a vetëvriten që në rini, romane ku përshkruhen gjendje me psikologji të rënduar e me frymë pesimiste… Ndaj dhe këta shkrimtarë në botë u quajtën dekadentë.

Ky “dekadent” shqiptar ishte një kuriozitet ekzotik midis kolegëve të tij komunistë në Institutin e Shkrimtarëve Maksim Gorki, në Moskën e viteve 1958 – ’61 . Midis shkrimtarësh në moshë më të re sesa ai, midis komunistësh me tesër partie, aty ai po mësonte si të linte pesimizmin filozofik ala shopenhauer, për t’u bërë politikisht, estetikisht optimist, optimist revolucionar dhe predikues marksist…

Shumë nga shkrimtarët e institutit Gorki, dhe shkrimtaret femra, thotë Kadareja, habiteshin që kishin dhe një dekadent midis tyre, S. Spassen. Disa prej tyre në heshtje, nga larg e adhuronin dekadentin … pesimistin tonë Spasse.

Më pas, në pejsazhin kulturor të Tiranës së kohës komuniste, Spasseja do të mbahet mend si njeri shumë miqësor. Shtëpia e tij te Rruga e Kavajës, aty pas Kishës Katolike, ishte vendi ku gjeje shkrimtarë nga të gjitha moshat, nga gjithë drejtimet dhe brezat. Mikpritja, stili i thjeshtë pa distancë i Spasseve afronte dhe shkrimtarë si Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Nonda Bulkën e Petro Marko,, gjuhëtar si prof. Mahir Domi… që vinin nga vitet ’30. Me nje kafe, raki a një gotë verë, cironka të thara Prespe… gjeje aty Fatmir Gjatën, Llazar Siliqin, Nasho Jorgaqin, Dhimitër Xhuvanin, I. Kadarenë, prof. Ziahudin Kodrën, por dhe të tjerë të moshës së fëmijve të tij.

Me korpusin e romaneve të tij të fundmë, romane me temë nga historia e Rilindjes shqiptare, Sterio Spasse e përtëriu poetikën e prozës së tij, duke mbetur një prozator me kreativitet të spikatur.

Një shkrimtar dhe… njeri ky Spassja .

Shënim:

Në Tiranën e viteve ’40-’50 ai mbahej si një shkrimtar i mbijetuar i dy kohëve. Autoriteti i tij dhe më tej rritej. Mbase nga mbijetesa dhe në ato kohë e një shkrimtari me emër që vinte nga regjimi i “kaluar”. Shkrimtarët e tjerë në zë të “regjimit të kaluar, ata të kohës së Zogut, të mbretërisë”, ishin në arrati, të rrasur në burg, në miniera a në këneta.

STERJUA prapë mbetej mësues, shkrimtar.

E adhuronin dhe pa e lexuar.

Ndokujt që i hidhëruar mundohej të gjente “Pse-në” e enigmave të jetës, atij që pyeste i tronditur “”pse e pse mua më ndodhi kështu e ashtu?”, tiranasit e kohës ia kthenin me një batutë: Ti kërkon Psenë?

– Pse-në nuk e ka gjetur as Sterio Spassja.

Mundohesh kot, nuk mund ta gjesh Psenë.

Me një roman Sterio Spasse hodhi një pyetje nëpër botë, nëpër jetë, nëpër letra. Nuk dha përgjigje për pyetjen.

Por mbase për këtë mbeti i famshëm.

(Foto ne ditën e inagurimit të bustit të Sterio Spases, 14 gusht 2014, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në fshatin e lindjes në Gollomboç, në breg të liqenit të Prespës)

Filed Under: LETERSI

Një dialog i frikshëm hetuesie për Oswald Splengerin në kohën e diktaturës

August 12, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Subjekti i këtij libri të shkruar nga unë dhe të botuar nga Plejad 2022 është një histori reale tepër interesant nga koha e diktaturës. Oswald Splengeri një filozof dhe historian I madh gjerman me përmasa të shquara botërore është autor i librit “Rënia e Perëndimit” të cilin Plejad e botoi para dy vitesh.

Gjurmët e interest tim për të mësuar më shumë mbi idetë e debatuara të këtij libri të ndaluar u bënë objekt i një hetimi të frikshëm nga hetuesia e regjimit ku edhe sot pyes veten si kam shpëtuar nga akuza dhe dënimi? Ndoshta se bëhet fjalë edhe për fundin e viteve 80-të dhe diktaturës kishin filluar ti binin dhëmbët , por ndoshta dhe aftësia edhe qetësia ime që e shmanga me pak “pelivanllëk “këtë incident.Sidoqoftë kjo më ka motivuar shumë që unë të botoja dhe librin e madhme fame botërore për lexuesin shqiptar” Rënia e Perëndimit”.

Tre hetuesit më ngjanin si tre demonë të dalë nga faqet e “Ferrit” të Dante-s dhe që përdornin katër pikëpyetjet si çengela për të më varur kokëposhtë në flakët e ferrit që më dukej se hapeshin diku mes meje dhe atyre. Gojët e tyre pyesnin parreshtur për pikëpyetjet dhe mua më dukej se kravatat e tyre që ishin poshtë gojës, ishin si litarë në të cilët ishin të lidhur çengelët.

– Interesante kjo që ti punëtor miniere merresh edhe me kërkime filozofike, – më tha ai që dukej si kryesori nga tre hetuesët që më morën në pyetje.

(Demoni i parë)

– Më pëlqen të lexoj filozofi, dhe në përgjithësi mbaj shënime për leximet e mia, me përshtypjet e mia modeste, nuk merrem me kërkime, kjo është fjalë e madhe. – I ktheva përgjigje unë dhe në çastin e fundit e përmbajta veten që të mos e korrigjoja duke i thënë se Spengler-i ishte historian më tepër se filozof. Por pastaj me siguri që do të më thoshin se ku e dija unë këtë gjë, a e kisha lexuar Spengler-in, si e kisha gjetur etj.

Demoni i dytë më tha:

– Që të pëlqen filozofia dhe lexon libra filozofikë mirë bën se partia jonë kërkon që edhe punëtorët të lexojnë sa më shumë. Është e vërtetë se ka libra të vështirë dhe të lehtë, dhe ky është një libër i vështirë, por ti duket se ke dëshirë të zhbirilosh dhe kjo duket edhe nga pikëpyetjet që ke vënë. Pikëpyetja vihet atje ku ai që lexon nuk është i bindur apo nuk është.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ndricim Kulla

Vizita e Mareshallit Georgi Zhukov në Shqipëri përfundoi në Histori me Shpata

August 11, 2023 by s p

Naum Prifti/

Udhëheqësit komunistë të Shqipërisë njiheshin në gjithë botën lindore si satelitët më besnikë të Bashkimit Sovjetik. Duhet pranuar se satelitllëku kishte në qendër një individ, i cili ishte atëherë Sekretari i Parë i Partisë Komuniste dhe Kryeministër i qeverisë ruse Josif Visarionoviç Stalin. Drejtuesit shqiptarë krenoheshin për dallueshmërinë si aleatët më besnikë dhe më të devotshëm të kampit komunist. Ndryshe nga shtetet e tjera të Europës Lindore ata nuk i kishin sjellë kurrë asnjë problem Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe qeverisë së saj sepse kurdoherë ishin treguar të gatshëm të zbatonin me zell direktivat dhe udhëzimet e tyre. Kishte një lloj konkurence për të qenë më të bindshmit e “klasës” nga vendet e kampit lindor prandaj ishte me rëndësi të jashtëzakonshme ardhja në Shqipëri e një delegacion ushtarak rus të kryesuar nga Mareshalli Georgi Zhukov – heroi i Luftës Patriotike dhe një nga arkitektët e fitores mbi Gjermaninë naziste të Hitlerit. I dekoruar dhe i respektuar për meritat dhe aftësitë, Zhukovi gëzonte edhe postin e lartë të Ministrit të Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik. Dallueshëm nga ministrat e tjerë, ai nuk e solli familjen në Moskë. Për të theksuar origjinën e tij prej plebeu, familjarët e tij jetonin në vendlindje pranë maleve Ural.

Vizita në Shqipëri bëhej pas një takimi të shkurtër zyrtar në Beograd për të theksuar lidhjet e ngushta miqësore e politike me popujt sllavë. Të tilla takime të nivelit të lartë kryhen nga zyrtarë me peshë dhe sinjalizonte trajektoren në ngjitje të Mareshallit Georgi Zhukov në elitën politike ruse. Për udhëheqjen komuniste shqiptare ishte një nder i hatashëm që Mareshalli – personaliteti më i lartë zyrtar sovjetik – po shkelte në vendin tonë, pranë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, në ujërat e kaltëra e të ngrohta të Mesdheut, për të cilat rusët qysh nga koha e Pjetrit të Madh dhe Careshës Katerinë ishin të dëshiruar. Për ata Mesdheu kishte qenë një ëndërr që gjenerata sovjetike e pasluftës së dytë botërore e jetësoi.

Komunistët shqiptarë u impenjuan shumë seriozisht për t’i bërë nderet që i përkasin një personaliteti të rangut të lartë përtej sferës politike meqë grada e mareshallit në nomenklaturën ushtarake qe më sipër se ajo e gjeneralit. Veç kësaj sipas traditave tona miqtë meritojnë jo vetëm nderime por edhe dhurata me qëllim që të na kujtojnë edhe pasi largohen nga trojet tona.

Mirëpo këtu lindi një problem zgjidhja e të cilit nuk qe aspak e lehtë. Çka mund t’i falej apo dhurohej një ushtaraku nga Bashkimi Sovjetik me gradën e Mareshallit? Sigurisht jo shishe konjaku qoftë dhe nga ai i Korçës, as qese me duhan sheldije, as paketa cigaresh me filtër, as ndonjë qilim apo sixhade nuk mund t’ia falje se nuk ishte e hijshme ta ngarkoje goxha mareshall me peshë të rëndë që nuk ishin të denja as për të, as për ata që ia dhuronin. Nuk qe aspak e lehtë ta përcaktoje llojin e dhuratës. Shefat dhe zyrtarët tanë të shumësikletosur kryen një seri me konsultime me historianë, etnografë dhe njohës të traditave shqiptare. Nga çdo takim përforcohej mendimi se dhurata duhej t’i përshtatej rangut dhe pozitës së tij. Një historian me emrin Pepo, të cilin s’para e përfillnin, u kujtoi zyrtarëve se Ali Pashë Tepelena u falte miqve të huaj që vinin nga Europa për ta vizituar nga një shpatë me mill të praruar që ta kishin kujtim nga ajo vizitë. Historiani solli edhe kopje të vogla të pikturave të anglezit Eduard Lear, i cili shoqëronte Lordin Bajron në vendin tonë. U ndje një lehtësim tek të gjithë të pranishmit që kaploi shpejt zyrat e përgjegjësve dhe drejtuesve të mëdhenj partiakë ndërkohë që menjëherë nisën hulumtimet për armëtarët. Zanatçinjtë e armëve më të njohur anekënd Europës për shpatat e forta dhe të bukura ishin mjeshtrit shkodranë. Armët e punuara prej tyre nderonin atë që i mbante në brez por edhe atë që ia kishte dhuruar. Të entuziazmuar nga propozimi, historiani tha se do ishte mirë t’i falnin dy shpata për arsye estetike por edhe për ta bërë mikun të ndihej dyfish i vlerësuar. Kur ia përcollën porosinë armëtarit shkodran ai u gëzua dhe ju kërkoi 126.000 lekë. Çmimi ngjalli disa diskutime sepse qeverisë iu duk shumë i lartë. Armëbërësi i sqaroi se ajo qe vlera e arit dhe argjendit të ndërfutur në millin e shpatës dhe zbukurimet te doreza e saj, ndërsa për punën e tij ai s’po kërkonte asgjë duke e dhuruar me dëshirë mundin për një kauzë të lartë. Nëpunësit e vlerësuan këtë gjest qytetari me ndërgjegje të zhvilluar politike dhe kështu çmimi i lartë nuk u diskutua më gjatë.

Vizita dhe dhënia e dhuratës u kryen një pas një sipas nderimeve dhe protokolleve diplomatike. Përcjellja e Mareshallit Georgi Zhukov nga Tirana ndihej të kishte momente padurimi nga ana e udhëheqësve shqiptarë me oreks të shtuar për mesazhe dhe letra falënderimi nga qeveria sovjetike mbase edhe nga vetë Mareshalli . Dihet se falenderimet për mikpritjen gjatë qëndrimit në Shqipëri ishin rutinë dhe pjesë e shkëmbimeve në diplomacinë zyrtare ndërshtetërore. Ngutshmëria e zyrtarëve shqiptarë kishte më shumë të bënte me dhuratat që nuk i ishin dhënë asnjë zyrtari tjetër gjatë epokës komuniste – dy shpata të punuara artistikisht nga armëtari i njohur shkodran! Në rastin e një kuadri të lartë ushtarak dhe politik, ata me të drejtë ishin kureshtarë të mësonin se çfarë do t’i bënte më shumë përshtypje Zhukovit, gjesti i një dhurate të dyfishtë apo vetë arma, cilësia e punimit dhe e mjeshtërisë artistike të tyre.

Ndërsa aeroplani rus po i afrohej pistës së aeroportit të Vukovos dhe bagazhit të Marshallit ende nuk i ishte bërë dalja, në valët e radios u transmetua dekreti qeveritar se Zhukovi qe shkarkuar nga detyra. Ende pa shkelur në tokën ruse, ai nuk ishte as anëtar qeverie, as ministër i mbrojtjes, por veçse një ushtarak në pension. Bashkë me befasinë dhe shokimin nga ky lajm, komunistët shqiptarë pyesnin njeri-tjetrin ç’u bë me shpatat që i dhuruan. Nuk gjenin dot ngushëllim edhe për faktin se Zhukovi nuk kishte djem që do mund t’i mbanin shpatat në brez qoftë edhe për mburrje. Sipas tyre, tri vajzat e Zhukovit nuk do preferonin armë lufte por zbukurime e bizhuteri për stolisje. Ndërsa Zhukovin e degdisën në poste të largëta ushtarake, vendndodhja dhe historia e dy shpatave të çmuara shqiptare mbeti e panjohur. Ato ranë viktimë e xhelozisë së Stalinit për famën e fituar nga Shefi i Forcave Supreme të tij, heroit të Ushtrisë së Kuqe, mbrojtësit të Leningradit dhe legjendës së fitores së kushtueshme të rusëve në Stalingrad, dhe përfaqësuesit të dërguar prej tij në aktin formal të nënshkrimit të dorëzimit të Gjermanisë në vitin 1945. Vetëm pas vdekjes së Stalinit në mars 1953, udhëheqësit rusë e kthyen Zhukovin në Ministrinë e Mbrojtjes, por atëhere Shqipëria ishte larguar nga orbita ruse.Fati i shpatave mbeti një mister në kapitujt e fundit të prerjes së miqësisë shqiptaro-sovjetike.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

KONSTANTIN KRISTOFORIDHI NË PRIZMIN E NJE TRADITE ALBANOLOGJIKE

August 10, 2023 by s p

Shkruan: Begzad Baliu/

Në studimet albanologjike tash më është krijuar një traditë e mirë e botimit të përmbledhjeve letrare e studimore për krijues dhe personalitete të rëndësishme shkencore: Gjon Buzukun, Jeronim De Radën, Dora d’Istrian, Naim Frashërin, Fan Nolin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn etj. Në një seri të tërë konferencash dhe madje seminaresh të rregullta, si në: Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Serinë e Konfe¬re¬ncave të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në serinë shumënumërshe për vite të tëra të revistës “Jeta e re” (Prishtinë) etj., janë përmbledhur kumtesa kushtuar personalite¬teve vendore dhe të huaja të albanologjisë. Një përmbledhje e tillë është edhe kjo vepër me kumtesa shkencore kushtuar Konstantin Kristoforidhit.

Në konferencën kushtuar themeluesit të shqipes bashkëkohore Konstantin Kristofori¬dhit kanë marrë pjesë studiues të shumtë nga institucione të larta shkencore e arsimore të fushës së albanologjisë, si: Elbasani, Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Gjirokastra, Mynihu, Boni, Parisi, Berlini, Roma, Nju Xhersi etj. Vepra e tij bëhet objekt kërkimi e vlerësimi nga linguistë, historianë të letërsisë, pedagogë, gramatikologë, indoeuropeistë, ballka¬nologë, leksikografë, studiues të gjuhësisë krahasi¬mtare, didaktologë, arkivistë, shqipërues etj.

Vëllimi hapet me një fjalë përuruese të Rektorit të Universitetit mikpritës “A. Xhuvani”, Profesor dr. Jani Dode dhe vazhdon me një paraqitje përimtuese të gjenealogjisë së familjes Kristoforidhi nga i nipi dr. Robert Kristofer, e parë, sikur thotë ai nga perspe¬ktiva amerikane. Jetës dhe veprës së Kristoforidhit i qaset njëri prej njohësve dhe studiuesve më të përkushtuar të tij Profesor dr. Xhevat Lloshi më kumtesën e tij “Kristo¬foridhi dhe themeluesi i albanologjisë”, duke nxjerrë në dritë disa anë të panjohura të lidhjes dhe sidomos të ndihmesës që Kristoforidhi i dha Hahnit. Nëse interesimi i Hahn-it për gjuhën shqipe lidhet me domosdoshmërinë e kryerjes së misionit të tij, (i rrethuar nga shqiptarët), rezultatet e tij në fushë të albanologjisë lidhen me ndihmën që Kristoforidhi i dha në njohjen, leximin, saktësimin e fjalëve të shënuara dhe të dëgjuara nga shqipfolës me të cilët komunikonte Hahni. Të kësaj natyre janë edhe studimet krahasuese mes veprave të Kristoforidhit dhe Dozonit (Christian Gut), Xhuzepe Anxhelo Noçitit (Italo Kostante Fortinos), Ndre Mjedës (Mentor Quku), Dhiatës së re (Teuta Toska) etj.

Studime me vlerë paraqesin kumtesat e bardëve të sotëm të studimeve albanologjike: Shaban Demirajt, Jup Kastratit, Shefik Osmanit etj., të cilët merren me veprat tashmë të njohura të tij, në një mënyrë të veçantë dhe të plotësuar me elemente të tjera historike apo edhe të strukturës së brendshme të saj nga fusha e gramatikës, leksikografisë, pedagogjisë etj. Pra, kontributi i Konstantin Kristoforidhit nuk shihet vetëm nga aspekti i vlerësimit të veprave të tij të veçanta, kryesisht “Fjalorit…”, “Gramatikës…”, “Dhiatës..” etj., por edhe brenda fushave të veçanta në të cilat këto vepra kanë pasur ndikim të dukshëm. Studiues të shumtë, të prirë nga interesimet specializuese, kanë trajtuar kontributin e Kristoforidhit në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe (Mehmet Çeliku e Qemal Murati), në formimin e identitetit kombëtar (Bardhyl Demiraj), në krijimin e alfabetit të shqipes (Tomor Osmani), në krijimin e hapësirës shkencore kombëtare (Tomor Plangarica), në historinë e fjalës të gjuhës shqipe (David Luka – Petrit Kotrri), në mënyrën e përdorimit të stilit fetar (Artan Haxhi – Tefë Topalli), në lëvrimin e letërsisë (Robert Elsie, Jonida Xhyrra) dhe sidomos në fushë të letërsisë artistike për fëmijë (Astrit Bishqemi), në unifikimin e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare (Vilson Kurti); në karakterin didaktik – gjuhësor (Abdulla Ballhysa – Ali Shashaj, Njazi Kazazi), në rrafshin historik të veprës së tij (Hysen Shabani – Liman Varoshi), në sistemin diellor (Shpëtim Vyshka) etj.

Brenda studimit të strukturave gramatikore, për të cilat Kristoforidhi ka dhënë kontribute të shumta, gjurmojnë, vlerësojnë e rindërtojnë nga aspekti historik e bashkëkohor studiuesit Wilfred Fiedler, Remzi Parnaska, Bahri Beci, Latif Mulaku, Mustafa Karapinjalli, Ruzhdi Stringa, Ali Jashari, Emine Sadiku, Valter Memisha etj. Një veçori të kësaj përmbledhje paraqet teksti i Shaban Sinanit, kërkimet e të cilit në Arkivin shtetëror tregojnë se jeta dhe vepra e Konstantin Kristoforidhit janë të hapura për kërkime të reja dhe vlerësime që nxisin diskutime të reja shkencore në fushë të gramatikës, leksikografisë, përkthi¬mit dhe sidomos historisë së gjuhës e të albanolo¬gjisë përgjithësisht.

Në traditën e botimeve albanologjike vëllimi me studime kushtuar Konstantin Kristoforidhit shënon një veçori të theksuar deri më tash, për shumë arsye: për studimin bazë të veprës së Kristoforidhit dhe për pamjen historike të jetës e veprës së tij, për konceptet e reja mbi të cilat është parë një anë e veprës së tij, për fushat e reja përimtuese të mbështetura jo vetëm në strukturat gramatikore e leksikografike të veprës së tij etj. Për shkak të të gjitha këtyre elementeve dhe rrugëve të reja që kanë hapur studimet e theksuara vlerësojmë se ky vëllim paraqet një projekt referencial, si një shembull i mirë për konferencat e ardhshme kushtuar personaliteteve emblematike të albanologjisë, sikur është Konstantin Kristoforidhi.

Filed Under: LETERSI

AFORIZMA & PARADOKSE, KUR BOTA ËSHTË E RRETHUAR NGA INTELIGJENCA ARTIFICIALE, (AI)…

August 4, 2023 by s p

C:\Users\User\Desktop\365468799_310057604816882_2965795327917618770_n.jpg

Luan Laze

– ese nga Visar Zhiti –

Një libër – një paradoks i zmadhur nga shkrimtari Luan Laze, që priti sa priti dhe na u vërsul për të na treguar se ku kemi arritur, marramendshëm sa lart edhe ku, në një vend të vogël, të shtrydhur midis dy kulturave të mëdha botërore, të artit, filozofisë dhe demokracisë së drejpërdrejtë të antikitetit Grek dhe artit prapë, institucioneve të demokracisë prapë dhe drejtësisë të perandorisë Romake. Për paradoks, të dy këto kultura në epokat e lavdive së tyre, që vunë në qendër Njeriut dhe Rilindjen e tij, ishin shoqëri me skllevër.

Prej tyre njerëzimi ka trashëguar vepra të pavdekshme arti si dhe arenat e amfiteatrove dhe të koloseumeve, ku përlesheshin skllevërit me shpata në duele të përgjakura, vriteshin me njëri tjetrin nën brohërimat e spektatorëve shkallëve të mermerta, pra të popullit tjetër. Një tillë e kemi zbuluar dhe ne mu në qendër të qytetit të Durrësit. Kulmi arrihej, kur në arenë futeshin nga bodrumet nën tokë kafshët e egra, të uritura, luanët, që shqyenin me dhëmbë dhe kthetra mishin njerëzor.

Dhe vazhduan deri në ditët tona ato duele, betejat asisoj, luftërat, u bënë të përgjithshme, Lufta e Trojës… Beteja e Termopileve… e Torviollit… Rrethimi i Krujës, I pari, I dyti, I treti… Rrethimi i Stalingradit… dhe pastaj prapë nga e para,  Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore… e treta tani… dhe… dhe Inteligjenca Artificiale… gjithnjë e më të modernizuara, duke u përkryer habitshëm… por unë dua të ndal te Luan, te paradoksi i  emrit, i njerizuar, i mbretit të pyllit dhe jo vetëm, edhe i shteteve, emri Luan është vënë ndër njerëz qysh herët ndër popuj, Leo, Leone, Lev, Leopold, dhe Leopoldina, etj, etj, deri dhe te emri i heroit të antikitetit grek Leonidha, të gjithë janë në adhurim të forcës dhe madhështisë së tij, por dhe si një pakt pajtimi… por mes kujt, njeriut dhe egërsirës dhe pastaj mes njerëzve?    

  Gjithsesi unë dua të merrem me Luanin tim…

Luan Laze. Sipas asaj që ai e thotë dhe vetë në një aforizëm për emrin e tij: më vendosën këtë emër se e dinin që do të jetoja në një shoqëri kafshësh, duket vërtet si një luan në arena e reja, në qytete, rrugëve të tij, në shtëpi e zyra, në punë e klube, në biseda me të tjerët, me veten, në ëndrra e delire, ecën i shkujdesur, duke parë të tjerët shkallëve, në stadiume, teatër, partira, parlament, shkallëve të avionit, shkallëve të pallateve pa leje… ashensore karrierash… ballkone ballë për ballë, etj, etj. 

Luani sheh që kthetrat nuk janë më, por janë bërë ironi e tij, dhëmbët janë zemërimi, qortimet, tund bishtin hokatar, realiteti i ngjan një cirku, gazmor në dukje, ja dhe teli i ekuilibrit të rrezikshëm, të hungërish paqësisht duke i ngazëllyer spektatorët… Sot si dikur. Dikur si sot… 

Në fakt ky është libri, ky libër…

PO E SHFLETOJMË…

Keqkuptimi është një dhuratë për të kuptuar më mirë.

Hija e njerëzve është më interesante se vetë ata.

Shpëtoni prej atyre që keni brenda vetes, të shijoni veten.

Po! Po ç’ishte ky zell për të treguar me pakëz fjali ose dhe me një të vetme, por ama me 5000 të tilla, realitetin përreth, njerëzit që njohim dhe nuk njohim, adhurim apo kritikë apo frikë shpotitëse nga jeta, nga alienimi i shoqërisë njerëzore, mbase kështu do të thoshte studiuesi gjakftohtë, futje në vorbullat e ngjarjeve të aktualitetit, do të vazhdonte ai, ndoshta dhe mundësi për të qeshur me veten, do të shtoja, në kohën kur qeshet aq shumë me të tjerët, një vetvete tjetër? Apo të gjitha bashkë nga pak a asnjëra aq shumë?…

Shkencat sot kanë arritur zhvillime të paimagjinueshme, por jo nga ata që zbulojnë dhe shpikin, kur Inteligjenca Artificiale, AI siç quhet, pra “ai” në shqip, ai tjetri, që po na kërcënon me mençuri të hatashme, se nuk duket e largët dita që do të mund të sundohemi jo më nga vetvetja, por nga vetvetja e shpërngulur te makinat, në robotë, me mendjen të zbrazur në një elektroteknologji të skajshme, në kompjutera gjithfarëlloj, në univers pranë, por dhe larg, të futur nën lëkurën e njeriut, sepse mençuaria jonë ishte kaq shumë injorante, sa… s’e di, etj, etj. 

Luan Laze, edhe pse e kishte nisur ndryshe, si me një shaka të padëmshme, sikur donte të kalonte kohën, tani është në përballje, në vorbull, përkundruall kohës, qendrestar, pa e marrë përsipër si mison, kështu duket paradoksalisht…

 Ka 48 vjet që shkruan aforizma & paradokse, kështu thotë, i ka nisur që kur ishte ushtar i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më i gjatë emri se vetë atdheu, pra, në vitet 1976 – 78, kur Shqipëria kishte dalë nga kampi socialist, nga perandoria komuniste, dhe nuk kishte shkuar asgjëkundi, ishte vetëmbyllur, regjimi ruhej me armë, me gjyqe, tela me gjëmba, pranga, dënime shkrimtarësh dhe librash, shpëlarje trush, etj, më shumë se nga armiqtë, pra, ruhej nga mençuria… e Luani ynë vit pas viti shtonte aforizmat dhe paradokset, gjithnjë e më të rrezikshme.

Po pse s’u mjaftua me 20 sentenca, aq sa kishte moshën, kur ishte ushtar? Apo me 48, aq sa vite ka që i shkruan, fundja dhe ‘76 a ‘78 sa numri i viteve, kur i nisi? Do i jenë dukur shumë aq, po le t’i pakësonte atëhere, t’i bënte 100. Prapë shumë. Duhen më pak. Mirë pra, fiks 183 aq sa nene ka Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë. Më pak, më pak. Sa Kanuni i Lek Dukagjinit, ai ka 199 nene? Sikur t’i bëjmë 200? Apo 300, 500? 525, aq sa nene ka “Kodi i Procedurës Penale…”, se ai është më modern dhe merret drejpërsëdrejti  me sentenca e hetime e paradokse e tortura. Dhe e ndërsjellta, pothuajse me to merret dhe autori Luan Laze.

Eh, prapë duheshin pakësuar, do mjaftonin 1000, apo sa 1001 netët, ne jemi popull i lidhur me Orientin, gati orient. Jo, janë shumë, duhen më pak. Sa, 2000? 3000 atëhere… 

Jo! Nuk ka më pak se 5000 aforizma dhe paradokse, ndryshe s’del libri. Dhe meqënëse jemi shqiptarë dhe bëjmë më mirë hesapet e tjetrit, them se sikur Luani të kishte shkruar nga një në ditë, do t’i duheshin afërsisht 14 vjet pa afërsisht 100 ditë për 5.000 aforizmat dhe paradokset e tij. Në fakt janë tonat. Ai këmbëngul se ka 48 vjet që i shkruan, pra i dalin mangut dhe 34 vjet, të konveruar në sentenca, i mungojnë dhe 11.410 të tilla. Defiçiti është i dënueshëm… dikur shitëset e djathit dënoheshin me defiçite kësisoj dhe unë gjej ngjashmëri midis djathit dhe sentencave, gjersa një katedër albanalogjie në Angli merrej me gatimet e supës në Ballkan. Por le të vazhdojmë me shkencë, se:

Injoranca ka ecur perpara, ne kemi mbetur në vend.

ETIMOLOGJI DHE PAK ZANAFILLË…

(me mirëkuptim..)

Studiues të ndryshëm, hulumtues, kritikë, gjuhëtarë, shkrimtarë, mësimdhënës, astrologë, udhëtarë, gastronomë, maniakë librash, etj, por dhe lexues të zakonshëm, ndodh që i vizojnë librat, filozofikë, shkencorë, etj, po edhe ato letrarë dhe mbase më shumë këto të fundit. Edhe unë kështu lexoj zakonisht, kur libri është imi, duke i vizuar pjesët që pëlqej, mendoj se kështu do ndihmohem për t’i mbajtur mend, duke mos qenë nevoja ta rilexoj të gjithë librin që s’do të doja ta rilexoja. 

Mund të jenë disa vizime në një faqe ose mund të kalojnë faqe te tëra pa vizime.

Ato shpesh e kanë kuptimin, por edhe bukurinë në kontekstin e tyre si një detal, mbase etik, një vështim a pakëz fare ndodhi, portreti, mençuri, marrëzi më shumë, etj, janë të çmuara dhe të vyera dhe më vete si sentenca, aforizma, metafora, krahësime, neologjizma, paradokse, etj, si fjalë të urta, thënë thjesht, por jo dhe aq të urta, kam shkruar dikur.   

   Po një libër që shkruhet për të qenë i tillë, vetëm me aforizma dhe paradokse, ku duhet të mbartin nënkuptueshëm karakterin, ndodhinë, konfliktin, madje dhe humorin e beftë? Dhe e gjitha me një batutë. Duhet biblioteka, do të thoshte studiuesi, libra pa fund, vizime, vizime… si shina të gjata trenash… përvojë jete, do të thosha unë, fabula me luanë e kafshë të tjera përveç njeriut, (kafshës politike, sipas Aristotelit), vëzhgime dhe aftësi, duhet qenë dhe ca ngacës, si pa të keq, me humor… dhe i gatshëm të përballosh sherret, arenën, pra do dhe ca stërvitje në palestër, edhe në ringun e boksit, në parlement, por dhe me miqtë e ngushtë, sidomos kur janë (sh)krimtarë, (kështu e kam shkruar këtë fjalë në burgologjitë e mia.) Jo se e harrova Bibliotekën Kombëtare. Asaj tonës së fundmi edhe i ra zjarri, edhe u përmbyt nga shirat e shumtë, por jo njëkohësisht në një ditë, që uji të shuante të paktën zjarrin, por n:e vite te ndryshme, ndërkaq na siguruan që letërsia e mëparshme, sidomos ajo e Realizmit Socialist nuk pësuan gjë, veç librat e rinj të këtyre viteve, në postdiktaturë, në tranzicion. Për fat 5.000 aforizmat & paradokset e Luan Lazes nuk ishin ende libër. 

Dhe vërtet, nëse ka mbetur fjalor pa u djeguar ose të paktën pa u lagur, si I shpjegon këto dy fjalë?

aforiz/ëm,-mi emër i gjinisë mashkullore, numëri shumës: –ma(t), (po kur janë 5000?) i ligjërimit libror, thënie e shkurtër shprehëse, që përmban një mendim të përgjithësur a një mendim të nxjerrë nga jeta: libër aforizmash.   

Kaq? Si pak paradoksale, më duket?! 

paradoks,-i emër i gjinisë mashkullore; i ligjërimit libror; mendim që bie në kundërshtim me një të vërtetë të njohur a të pranuar; (paradokset e Luanit nuk bien në kundërshtim me asnjë të vërtetë dhe me të panjohurat dhe të papranuarat), ide që duket sikur nuk pranohet me arsyen e shëndoshë, por që mund të jetë e vërtetë; diçka e çuditëshme, e papritur dhe e pabesueshme: paradokset e natyrës.

Të dy emra të gjinisë mashkullore? Ç’është ky maskilizëm i hapur, harbut? Mos kisha ndërruar libër pa dashje dhe po lexoja këtë të Luan Lazes? Thashë të shikoja ndonjë tjetër në gjuhë të huaj, por pa humbur kohë, në italisht në fillim, se këtë gjuhë dime ne, gjith:e shqiptarët, kështu na duket.

aforismo s. m. [dal lat. tardo aphorismus, gr. ἀϕορισμός «distinzione, definizione», der. di ἀϕορίζω «delimitare»] (pl. -i). – Proposizione che riassume in brevi e sentenziose parole il risultato di precedenti osservazioni o che, più genericam., afferma una verità, una regola o una massima di vita pratica……….

………………………………………………………………………………………………

Mjaft! Aty aty qenka shpjegimi.

paradòsso agg. e s. m. [dal gr. παράδοξος, comp. di παρα- nel sign. di «contro» e δόξα «opinione»; come sost., dal gr. παράδοξον (neutro sostantivato), lat. paradoxum]. – 1. agg. Che va contro l’opinione o contro il modo di pensare comune, e quindi sorprende perché strano, inaspettato………………………………..

……………………………………………………………………………………………… 

Mjaft, prapë! Luani duhet të jetë i kënaqur me mua, se solla këtu dhe etimologjitë nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por, do të thosha se qoftë fjala aforizëm, qoftë fjala paradox, më mirë se në fjalorë dhe në enciklopedi, kuptohen se ç’janë në këtë libër të Luanit, ku autori nuk i ka shpjeguar fare, sepse ai i ka zbuluar ato si dukuri dhe na i paraqit si përsiatje dhe ndodhí, të tij/të atyreve/tonat/të askujt/të të gjithëve, etj, po do të shtoja se mendimi është ndodhí dhe paradoksi është vetvetja.

Po humori? Luani bën dhe humor. Si është tradita e humorit në letrat shqipe?

Rilindja Kombëtare pati dhe komeditë e saj, them për ato të shkruarat, që nga Mihal Grameno e Haki Stërmilli, Anton Xanoni e Fan Noli, nga Foqon Postoli dhe me kulmin, Anton Zako Çajupin dhe Kristo Floqin, etj, me satirat e At’ Gjergj Fishtës, më të mirat në Ballkan, sipas një studiuesi, etj, ato së bashku emancipuan, estetikisht edhe politikisht ndërgjegjen morale kolektive, aty nisi, ndoshta para tyre mund të veçojmë bejtexhiun Hasan Zyko Kamberin me bejtet e famshme “Paraja” dhe “Trahanaja”. Gjithsesi rilindasit krijuan “shekullin e ndryshimeve”.

Më pas erdhën ndryshimet e ndryshimeve, komeditë e fitimtarëve, sentencat e tyre, sllogane jo vetëm mureve, por edhe gjyqeve, komeditë po përfundonin tragjikisht si ato të aktorit Hekuran Zhiti, që s’u botuan sa ishte gjallë, se kishte qenë kundërshta i fitimtarëve, madje dhe e kishin burgosur. 

Shakaxhinjtë e përparimit, do të thoshte Imzot Fan Noli. Dhe erdhi komedia e Realizmit Socialist, “Prefekti” dhe “Karnavalet e Korçës”, shkëlqyen humoristë si Çomora e Bubani, prozatori Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Dritëro Agolli, Ruzhdi Pulaha, Pëllumb Kulla, etj, revista “Hosteni” dhe komedia “Pallati 176”, që duket si anonime, “Zonja nga qyteti”, etj, etj, filma dhe skeçe me mijëra, e grafomanë një ushtri e tërë bardhzinjsh, me leje krijuese, që nuk dinin ta ndanin letërsinë nga dashuria për Partinë, ata vetë janë komedia, ashtu si batutat e qeshura e tyre vazhdon dhe sot, e qashtër, e angazhuar, banale, fyese, pa te keq, e keqe, e pashkulshme si barishtet.

A ka ç’mund të vizosh në to? Aforizma & Paradokse?       

Dhe pse nuk ka gra shkrimtare të humorit? Apo është punë burrash dhe gratë s’bëjnë shaka me jetën? Aktori të estradave janë… 

I këtij mjedisi ishte dhe Luan Laze i ri. Shfaqet si befas, se ishin emrat e tjerë më të shquar, më të pritshëm. Ai duket se nuk vinte nga tradita e tyre, por nga moskultura e tij si ata, mendoj. Kulturë nga jo kultura. Dhe ky paradoks ndodhte vetëm në Shqipërinë tonë. 

Në këtë tokë ajo që vlen, nuk është vlerËsuar dhe ajo që vleresohet, kurrë nuk do të vlejë.

Dijetari i shquar, semiologu i madh, shkrimtari Umberto Eco, shpjegon:  

“Humbësit kanë gjithnjë njohuri më të gjera se fituesit, nëse kërkon që të fitosh duhet të dish vetëm një gjë dhe s’duhet të humbasësh kohë për t’i ditur të gjitha, kënaqësia e erudicionit është rezervuar për humbësit. Sa më shumë gjëra di ndokush, aq më shumë gjërat s’i kanë vajtur mbroth”.

BISEDË ME AUTORIN

(retrospektivë e…)

Po të kalojmë tek libri, më konkretish te autori. Ashtu si Shvejku i romanit të famshëm për brezin tim dhe të Luanit, “Ushtari i mirë Shvejk”, edhe ne nuk i ndahemi ushtrisë, kujtimeve të saj, por pa vajtur në front.   

– Një ditë afër repartit, aty në fshat, – tregon Luani i 5.000 aforizmave dhe paradokseve, – pashë tre burra, thernin një buall. I thashë një shoku nga Tirana se ky, i gjori buall, nuk e di fuqine e vet, se nuk do të kishte burrë që ta therte. Bualli është populli, mendova, por nuk fola… 

– Pse? 

– Si pse?… Më tërhiqnin humori, ironia, sarkazma.

– Si puna e therjes. Kishte mënyra plot dhe jo vetëm buaj…

– Pas dy vjershave, botuar në gazetën lokale “Adriatiku” me ndihmën e Komandantit tim Shpend Topallaj, tani shkrimtar se atëhere nuk i lejohej, se ishte përjashtuar nga partia, kur u lirova…

– Nga burgu?

– Nga ushtria, botova te “Hosteni” e “Drita” poezi, satira, paradokse. 

– Ushtarake?

– Jo, civile. Ndërkaq përkthyesi Lili Bare kërkoi të më takonte. Nuk e njihja. Me pyeti kush jam, nga jam dhe pse jam dhe i befasuar nga ato që kisha botuar me tha: Nëse t’i pëlqen ndonjë i burgosur politik, i ke vërtet të bukura. 

– Po ku do ta gjeje të burgosurin politik? Burgu s’ishte leje krijuese, që të shkoje…

– E mora si provokim. Më vonë mësova se ishte shok me Dritëroin dhe kishte vajzën në Rusi.

– Dhe?

– Siri Sulejmani, shkrimtar e mik i madh imi, me siguroi se nga Lili nuk të vjen e keqja. 

– Natyrisht. E keqja s’dihet nga vjen, se po ta dish, i ruhesh…

– Një nga ato paradokset, që i kishte mbetur në mendje, ishte: përderisa është vdekja, çfarë na duhen lindja? 

– Lindja? E kishe fjalën për Vendet Lindore, Bashkim Sovjetik, Kinë, Mongoli, Poloni, Hungari, Gjermani Lindore, Çekosllovaki, Bullgari, Jugosllavi, Shqi…

– Jo.

– Për regjimet e tyre, desha të them.

– Jo.

– Pse, nuk të pëlqen të kesh qenë disident? Është me leverdi sot. Mund të blesh dhe një dëshmi persekutimi… 

– E di. Do më japësh tënden?

– Nuk kam. Mbaruan fletët, i kishin marrë persekutorët… 

– Atje shtypja dhe unë.

– Çfarë shtypje?

– Shkrimet e mia. Në fillim ia jepja vajzës 70 vjeçare të Hilë Mosit, Rina Mosi Gjergji, gruaja e Paulin Gjergjit, këngëtar në Estradën e Tiranës. Ajo ishte një nga gratë më të zgjuara, që kam njohur. Kishte makinë shkrimi, dhuratë nga Jonuz Dini. Kur u plak shumë, ma dhuroi mua me lotë në sy. Sa herë shkoja në shtëpinë e saj, me drejtohej me të folurën shkodrane: Po ku je, mor ta marsha? Hajde, Debatiku i vogël! Sepse më shikonte që rrija me fqinjin, shokun e feminisë, Shpëtim Zani (Coli, te filmi “Debatik”). Sa herë merrja materialet e shpypura, Rina më uronte: Të rujt Zoti, mor bir, me kto gjona që shkruen! Satira është gjini që e di dhe e do Partia, i thosha. Që e di, edhe unë e di. Por që e do, këtë nuk e di, thoshte e paharruara Rinë. Ajo ishte lexuesja e parë e këtyre… Më pas botova tregime e skica, pa hequr dorë nga paradokset. Me 86′ u botuan disa te “Drita”. Midis tyre edhe ajo e buallit, unë e bëra demi.

– Mirë e bëre. Demi ishte më i lidhur me Partinë, kemi dhe heronj.

– Por më thirrën në Komitetin e Partisë, ishte viti 1989. 

– Kaq vonë? Për t’u bërë anëtar Partie?

– Jo. Më thanë: Armik, bën agjitacion e propagande, shkon në burgje e takon shokë atje, tregon barcoleta dhe bën satira kundër. 

– Të paskan lavdëruar.

– Sigurisht që i mohova. Por me që nuk ke bazë klasore për armik i pushtetit, siç më thanë aty, Partia po ta fal, por kujdes se nuk na i hedh dot… Dionis Bubani më tha se kur t’i botojmë herë tjetër, do të vendosim një okelio në krye: nga bota borgjezo-revizioniste. 

– Pra, nga Shqipëria e ardhme. 

– Ashtu u botuan shumë të tilla, midis tyre: Trimi për shokun lë kokën, frikacaku për kokën lë shokun! Me Dionisin ose Xhaxhin, si e thërrisnim, kur ndaheshim, më thoshte me humor: Unë nuk të vij dëshmitar! Kur Sami Çabej i tha Teodor Laços: thuaj atij djalit të sjellë librin për botim, ashtu bëra, se i kisha gati tregimet. Sipas rregullit të Shtëpisë Botuese më pyeti se kë doja për recenzent. I thashë njërin me mbiemër të një ene kuzhine, sepse ai në Konferencën e Talenteve të Reja në Durrës ma kërkoi vetë këtë gjë. Recenzenti tjetër ishte Profesoreshë Floresha Dado. Pas një muaji Samiu më tha se ena e kuzhinës kishte shkruar se me këtë autor, dmth me mua, duhet të merrej Ministria e Punëve të Brenshme dhe jo Lidhja e Shkrimtarëve apo botimet. Poeti Xhevahir Spahiu e kapi enën e kuzhinës e i tha: nuk të vjen turp të fusesh në burg një djalë 25 vjeçar?

– Siç dukej duhej të prisje dhe një vit e gjysmë, se mua 26 vjeç e gjysmë më arrestuan.

– Floresha për të njëjtin tregim, “Realiteti i një ëndrre” shkruante ndryshe, është i paarrirë artistikisht. Kaq. Libri është i botueshëm, thoshte. Një herë tjetër më shpëtoi Vito Koçi, e kisha mik shtëpie. Harroje këto fabul, më porositi, jo më ta çosh për botim. 

– U binde ti?

– …në artistiken “Migjeni” më kanë ardhur dy letra nga një person që kurrë nuk e njoha. Më shkruante me superlativa për ato që lexonte në “Drita” e “Hosteni”. Në fund të dy letrave shtonte: zgjuarsia që nuk kujdeset për veten, është e dëmshme! Ndoshta ishte provokim, ndoshta jo. Nuk e vrava mendjen. 

Por unë kisha miqësi me Inxhinier Ismail Farka, e di që e ke patur mik në burg, edhe persoanzh në librat e tu, ishte burrë i ditur, m’u lut një herë të mos e lavdëroja, se prej tyre e kishte pësuar…   

Ndërsa në një darkë me Dritëro Agollin, më mori Siri Sulejmani, që ai e donte shumë, pasi pinë sa deshën, Dritëroi e lëshoi gojën, pastaj u kujtua që isha dhe unë dhe u kthye nga Siriu: O mustaqe, more ky djalka, që bën ato paradokset, është i yni apo…? Në çast u përgjigja unë: Të isha juaji, do ngrihesha e do vija atje te vendi… Po me ty pse vepruan ashtu, drejt e në burg?

– Mos nuk e kisha me aq shaka. Dhe ata s’bënin shaka…

– Kjo është! Pastaj, po në atë zyrë, ku më kishin thirrur ata të Partisë, më vonë unë do të punoja si gazetar në “Sindikalisti” së bashku me bashkëvuajtësin tjetër tëndin, me ish të burgosurin e Spaçit, edhe ky persoanzh, mik i përbashkët dhe ky, Zyd Morava… Kur një vend e udhëheqin paradoksalet, marrëzia është disafish. Me këtë zhanër unë mund të them çdo mendim, urrejtje, përbuzje, dashuri. Me pëlqen filozofia… 

– Po jo ndonjë libër filozofie. 

– Saktë. Më pëlqen humori… 

– Por s’ka humoristë. Megjithëse është vetë jeta… 

– …ironia, argëtimi. Që kur isha adoleshent, kur thoshin: ejani në mbledhjen e pionerëve, apo në aksione, pastrim territori, mbledhje misrash në fermë, më kapte një e qeshur, s’e di pse, më vazhdoi dhe më pas në rini, burrë, në diktaturë, në posdiktaturë, qeshja me çdo gjë serioze, përveç fatkeqësive, pse qesh ti, më hakërreheshin dhe unë qeshja akoma më shumë. 

– Nuk përballohej ndryshe realiteti, antikomedia dhe antidram e absurdit, etj, etj. 

– Dëgjo, drama dhe komedi, madje dhe tregimi me duken të gjata për t’i dhënë këto…

– Romani I shkurt:er është më i shkurtër. Dhe të mos i shkruash fare… kjo është vepra më e mirë, e pashkruara…  

– Në 12 librat e mi me tregime, novela e roman ka thënie paradoksale. Shoh se i pëlqejnë.

– Dhe vendose të shkruash 5000 të tilla, që të mos e lodhësh lexuesin me romanin a tregimet…

– Pak a shumë kështu… Tani përtoj të shkruaj gjatë dhe e marr punën me “akord”. 

– 5000 aforizma dhe paradokse vërtet është shumë shkurt…

– Në SHBA, në superfuqinë e botës, në median shqip më botoi Dalip Greca disa prej tyre.

– Dhe ky është një paradoks. Të kujtohet një anije kozmike që nuk u nis dot atë vit?

– E ç’lidhje ka kjo me paradokset e mia?… Ne u pranuam në Shoqatën Satirike të Ballkanit, sukses ky! Në Lidhje, kur kishte ende lidhje…

– që të lidhte… 

– …erdhi Jordan Popov, Kryetari i Shoqatës, kërkoi të njihej me mua. Isha me Buxhelin, Çakulin etj. Më dha një gazetë “Satiricki Ballkan” Te faqja e parë me gërma të mëdha kishte një thënie që unë nuk e kuptoja. Është paradoks yti, me tha. “Në një vend, ku pëlqejnë aq shumë gënjeshtrën, është budallallek të bësh profesion tjetër, veç atij të politikanit” Kjo, tha, është fiks për vendet tona lindore. Më pas më tregoi se në të gjitha faqet e gazetës kishte nga tre ose katër paradokse të miat. Kujtoja se do të takoja një burrë të vjetër, më tha. Me keni parë pas 50 vitesh ashtu, ia ktheva me humor.

– Paska qenë largpamës, – thashë dhe unë. 

– Më largpamës je ti me mua, kur më botove një sasi me aforizma në gazetën “RD”.

– Desha të të bëja një dhuratë, më duket se ishe bërë gjysh atëhere dhe ishe… sa vjeç?

– 43.

– Gjyshi më i ri në Ballkan. Atëhere bëja faqen letrare në gazetë, një herë në javë. Dhe po pëlqehej. E donin, e prisnin të dielën e saj… Pikërisht atëhere ma mbyllën, se nuk kishte para gazeta, më thanë. E bëj pa pagesë, thashë, për dëshirë, se më erdhi zor të thosha “për ideal” me ata… Por, jo, porosi nga lart, duhet mbyllur. Nuk e kuptova qëllimin. 

– Paradoksal. As ke për ta gjetur pse. Por ama gjeta ç’shkruaje për mua në shënimin që paraprinte ato që kishe zgjedhur për botim: 

“Në epoka mashtrimesh dhe parodish tragjike, kur ngjyrat e ditës bëhen simbole të egra të politikës, ndër gjërat serioze mbeten ndoshta frika dhe humori. Si pjesë e qendresës intelektuale. Shkrimtari Luan Laze është ndër emrat e paktë, që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare. Ndërkohë humori, shpesh here i zi, mbush faqet e bardha të shkrimeve të Luan lazes. Sarkazma është lufta paqësore që shkrimtari i bën së keqes”.

MES ARTIFICIALËVE INTELIGJENTË…

AI – Inteligjenca Artificiale në fund të fundit është inteligjenca e perceptimit, e sintetizimit dhe e nxjerrjes së informacionit, e demonstruar nga makinat, (kompjuter, robot…), në ndryshim me inteligjencën e shfaqur nga njerëzit ose kafshët e tjera. 

Po algoritmet e shkrimtarit?  

Inteligjenca Artificiale ka sukses të jashtzakonshëm në industri e banka… në numërimin e votave, kalimin e tyre nga duhet, jo nga zgjedh… po fshesat inteligjente? Kryevepra… 

Po a do të bëjnë makinat dhe aforizma, paradokse? Edhe humor, edhe ironi? A do të zëmërohen me ne? 

Dhe kjo na duhet! Është e frikshme…

Më e frikshme se artificialët e inteligjencës? Se unë për këta e kisha fjalën… 

Lajmi se një idiot ka korrur sukses, është inkurajues.

Provoni një herë lirinë e mendjes, pastaj kërkoni atë të fjalës.

Kur mbushet kupa e mëkateve, je i falur. Vazhdo me të dytën.

Nëse politika është për faqe të zezë, imagjinoni si janë votuesit e saj.

*   *   *

…një vit pas themelimit të Inteligjencës Artificiale si disiplinë Akademike lindi Luan Laze, pra, në vitin 1957. Larg, shumë larg metropoleve të shkencës, jo vetëm në hapësirë, por më larg në kohë, në Tiranën e tiranëve, plot me mesjetë dhe dikaturë dhe distopi orwelliane, ku vazhdimisht përsëritej viti “1984”. 

  Dhe s’kish si ta dinte, as ta imagjinonte dot, jo se çfarë e priste njerëzimin, por as veten, jetimin e vogël pas 4 motrave. Ndoshta duhej të argëtohej me budallallëkun… duke gdhënur veten. Gjithë ai realitet gdhë, absurd dhe i egër dhe sa i vogël… 

Që donte të ndërtonte komunizmin me ushtën e Don Kishotit dhe me legenin e tij si mburojë, që bëri burgjet para universiteteve, se robëria ishte më e dobishme se liria, urrejtja më ushqyese shpirtërisht se dashuria, po shpirt nuk ka, thoshin, ka vetëm materie, telat me gjëmba duhen më shumë se telat e kitarave, bunkerët më shumë se apartamentet, idioti është më besnik i Partisë se intelektuali, Realizmi Socialist është metoda më e mirë artistike në botë, etj, dhe kur u shemb Muri i Berlinit dhe gjithë perandoria komuniste ra e vendi ynë u detyrua të ndryshojë dhe ata që ishin në krye apo pjesë e diktaturës, frymëzim i saj, dolën prapë në krye që të ndërtonin ashtu si diktaturën dhe demokracinë, armiqtë e pronës private, të kapitalit u bënë kapitalistë, përvetësuan alamet pronash dhe, pasi u dhanë ish të burgosurve politikë shpërblimin-e-dëmshëm, një dorë oficerash të ushtrisë së diktaturës i bënë presidentë të demokracisë, komandantët e burgjeve nisën të akuzojnë të burgosurit e tyre dhe këtë e bënin të lidhur drejtpërsëdrejti me studiot televizive nga azili politik nëpër Europë e Amerikë si të përndjekur tashmë, ndërsa dështakët e Realizmit Socialist, bardhzinjtë, mungesën e talentit ia vinin si faj regjimit të baballarëve të tyre, që i shërbyen me teprí dhe janë punësuar si analistë a kritikë të Realizmit demokratik, që arritjet më të mëdha artistike kanë sharjet, nga lehës në Lindje në lehës në Perëndim, nga militantë të baltës u kthyen në baltosës, nga dhunues – në përdhunues, etj, etj, dhe kjo mendësi e pamend, kjo mënyrë jetese pa jetë, me një autovlerësim kreshpërues, lavdëro veten ose ca të tjerë si vetja, që të ta kthejnë lëvdatën ose paratë, gjithcka brenda klanit, edhe nderi shitet si diplomat, si anëtarësimi, masteri, medaljet, gruaja, fëmijët, emërimet, tenderat, botimet, po t’i bashkosh faturat e ujit me të dritave del një përmbledhje luksoze poetike, etj, ky mediokritet idioto-general, 5000 veset, 5000 aforizmat dhe paradokset rrjedhojë e këtij areali janë, me çdenatyralizimin e individit dhe të shoqërisë, të akademizimit fals të jetës, të dijeve të rreme, artificializmit të sinqeritetit njerëzor, të dashurisë artificiale, ku e kota ka zëvendësuar të duhurën, thënë shkurt: kopertina ka më vlerë se libri…

Të gjithë vrasësit bëjnë gjumë të qetë. Edhe vrasësit e shpresës,

thotë Luani në njërën nga 5.000 aforizmat. Dhe vrasësit e shpresës janë po aq kriminalë… dhe paradoksi vazhdon në një tjetër aforizëm: 

Ky vend viktimat i ka prej dashurisë dhe lavditë prej urrejtjes.

Aleluja! Lavdi viktimave! Përtej sistemeve shoqërore dhe politikave, shkrimtari Ernest Hemingway bën një përcaktim për njeriun si i pakënaquri i përhershëm, e ka sjellë z. Artan Kafexhiu në murin e fb të tij, por mbase do t’i shkonte kështu dhe këtij libri: 

“Jepi robit çka i nevojitet e veç kur të kërkojë komforte. Ofroji komforte – do të synojë për komoditete. Ngope me luks – ai do të nisë të fiksohet në detaje qejfi. Lejoje të përqëndrohet në hobe – do t’i rritet nepsi për çmëndurira. Jepi atij çfarëdo që t’i teket – ai do të ankohet se e paskëshin mashtruar e s’ju dha çfarë ai dëshironte.”

Megjithatë një paradoks që duket ende i largët për ne. 

5000 thëniet e Luan Lazes vijnë që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe të dyfishuara, trefishuara sulen si luzmë bletësh me zukama dhe në gjysmës se parë të shekullit XXI. Me mjaltin dhe thumbin.       

Përvoja e letrave shqipe në këtë lëmí është e pakët, do të thosha, jo se nuk kanë dalë libra me fjalë të urta dhe sentenca, më shumë nga bota.

E kam një tillë, mbetur nga librat e tim eti, i botuar në Korçë në 1928, kur Shqipëria u shpall mbretëri, “Sollomoni, biri i Davidit, mbret i Izraelit”, kështu titullohet, plot me fjalë të urta, të përkthyera nga hebraishtja nga një shoqëri biblike në Angli, e çmoj shumë dhe këtë di unë si më të vjetër.

Por dhe në Prishtinë, ku Kosova ishte brenda shtetit Jugosllav, me marrëdhënie të acaruara me Shqipërinë, në Veprën e plotë të dijetarit Sami Frashëri, njëri nga librat ishte vetëm me fjalë të urta. E kam gjetur vonë…

Ndërsa në Shqipërinë Socialiste, kujtoj kur isha fëmijë, doli një libër i kuq me format xhepi, me kapak plastikë, me citate të Mao Ce Dunit, që dyndeshin për ta blerë, sidomos kooperativisët e fshatrave, se kapakët i hiqeshin dhe  përdoreshin si kuletë a portofol. 

Në posdiktaturë, kur po mbaronte shekulli e donim të fillonte demokracia që kishte filluar, studiuesi Rando Devole zgjodhi dhe përktheu dhe botoi librin “Dituria më përndjek, por unë jam më i shpejtë” me 1401 fjalë (jo dhe aq) të urta, si një test i lirisë së mendimit të atij që i lexon, e mbyllja parathënien unë.

Në 2012, dijetari dhe përkthyesi Petro Zheji nxori “Libri i aforizmave”, një studim shkencor, sa gjuhësor, po aq dhe filozofik e teologjik, pra, krejt tjetër gjë.

Në revistën elektronike “Peizazhe të fjalës” që del në New York, drejtori i saj, studiuesi dhe shkrimtari Ardian Vehbiu nxjerr herë pas here aforizma, të përkthyera nga frengjishtja, të shkrimtarit polak Stanislav Lec, “Mendime të pakrehura” i quan dhe në shënimin që vë për të, shkruan: “një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX”.

Është për t’u vlerësuar vlerësimi.     

Po kështu dhe revista elektronike “Voal” në Zvicër, e bashkëshortëve poetë Elida dhe Skënder Buçpapaj, boton aforizma nga shkrimtarë dhe personalitete të shquar të botës, etj, e mund të vazhdonim me emra të tjerë, me Shpëtim Kelmendin, p.sh., ndërsa vitin që shkoi doli një libër me sentenca dhe urtësira, “Fjalë të arta” titullohej. Vërtet ky është ari apo paradoksi i tij?

Ka dhe të tjerë… ndërkaq kanalet televizive natë e ditë transmetojnë humor, jo vetëm të emisioneve kësisoj si “Fiks fare” apo “Portokalli” e “Al Pazar”, të specializuara tashmë, por dhe humor institucional, parlamentar dhe partish, dhe të policive, të shitoreve, të shkollave, të çmendinave, të mitingjeve, agjensive, me një “Big Brother” presidencial mbi të gjitha, etj, etj, që:

Sa më shumë prekim të ardhmen, aq më nostalgji për të kaluarën…

sipas një paradoksi këtu, duke bërë që të ndjehemi në një të ardhme që iku pa ardhur dhe të përplasimi me të shkuarën që na prêt, por qëllimi im ishte tjetër, të paraqisja, madje thjesht të thosha që miku im, Luan Laze, mblodhi aforizmat dhe paradokset që ka shkruar gjatë jetës, kaotikisht siç janë realitetet tona, duke i grupuar dhe ndarë në 5 krerë, pa ndonjë kronologji, mbase sipas afërisë tematike a ndonjë rendi tjetër të papërcaktuar, le të themi p.sh., kreu I: arrivizmi, II: plogështia shpirtërore, III: konvertimet demokratike, IV: kotësia si pikësynim, V: dashuria si atavizëm a ndoshta ndryshe ose fare, ku personazhi më simpatik është idioti, jo, shejtan budallai, që ka frikë të ngjajë i zgjuar, se mosdija tashmë është dije, humori – mençuri, jo, dinakëri e përditësuar, dhe na dha këtë libër për të na argëtuar, nga që absurdi është i përzierë me jetën e copëzuar a me copëzat e një jete, jo më pak se 5000, për të mos thënë të një kohe të dërrmuar… me duart tona. 

Chicago, Roselle, verë 2023

C:\Users\User\Desktop\365398422_310067774815865_8201727552397451151_n.jpg

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT