• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IKONA EMINESCU

June 17, 2023 by s p

-përmbytje dhe çmim –

Nga Visar Zhiti

S’e di kur ka ndodhur kjo përmbytje, në ç’vend të Rumanisë ishin shembur ashtu aq çati e mure, në ç’dimër, por më tronditi dhe më magjepsi pamja, se njerëzit dhe forcat e ndihmës së shpejtë, ata duhet të ishin, të futur në ujë, teksa nxirrnin të tjerët nga rreziku dhe merrnin nga orenditë më të çmuara e më të nevojshmet, besoj, ndërkaq nja dy veta mbartnin një portret, atë të poetit të tyre, Mihai Eminescu, bardit të Kombit. Në atë apokalips ata donin ta shpëtonin nga përmbytja si të ishte njëri nga ata…
Këtë imazh të rrallë na e nisi nga Rumania miku ynë, Luan Topçiu. Po e shikonim…
Me Edën time, vjet në këtë kohë, dhe me Luanin, ishim në Craiova, në festivalin botëror të poezisë, që mban pikërisht emrin e Eminescut, me president Deaconescu Ion. Aty pamë se sa shumë e donin Poetin. Por s’kishte përmbytje, veç përmbytje poezish.
Dhe poetët e ardhur nga bota, ne, së bashku, bëmë homazhe te statujat e Eminescu-t, vumë lule dhe lexonim nga librat tanë.
Kudo në qytet ishin pllakatet e Eminescu-t, pikërisht me atë fytyrë që ishte dhe në atë korrnizën që e mbanin lart, ndër duar e tyre, njerëzit në atë përmbytjen s’di se ku, kur rrebeshi mbase s’kishte pushuar ende…
– Si sot një vit më parë festivali ta dha ty Çmimin e Madh “Mihai Eminescu”, – po më thoshte Eda sikur donte të më qetësonte.
Nëpërmendëm solemnitetin dhe ceremoninë aq të bukur, për të cilën shkruajtën gazetat, folën mediat dhe dhashë intervista në televizione… edhe unë mbaja në dorë fort statuetën e larë me ar të Eminescu-t, por tani skuqem dhe ul kryet nga turpi para asaj pamje, që s’di ku është, të asaj shtëpie të shëmbur, sigurisht në ndonjë vend të largët e të humbur, të përmbytur si mos më keq dhe njerëz atje, anonimë, të thjeshtë, që s’japin intervista, çanin nëpër ujin e turbullt, pa ndonjë alarm të dukshëm, duke mbajtur përsipër vorbullave portretin e Poetit të tyre, që ta shpëtonin nga fatkeqësia që u kishte pllakosur… Po, po, ajo ishte si një tjetër ikonë, Poeti, që u kishte dhënë shpirt dhe identitet me aq shumë bukuri dhe ata, për fat, e dinin, ua kishin thënë etërit, shkolla, era që frynte, kujtesa…ishin të ndërgjegjshëm, kishte ndodhur dikur, në një të dikurshme të gjithmontë, pra dhe në të ardhmen se ata ua thoshin dhe bijve… ja, ashtu siç mbillet toka, siç udhëtohet me trena, me ëndrra… dhe po sakrifikonin prapë ashtu siç bënin shpesh për të tjera gjëra, pa bujë, e bujshme ishte veç përmbytja… edhe festivali…
Po ai është çmimi më i madh, – po i thosha Edës, – më i shtrenjtë për një poet…
Kur të duan edhe kur s’je… dhe je më shumë se ata që janë… thellë… si në një korniza të drunjtë… të varfër… por kjo është pasuria…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

LAMTUMIRE MJESHTRIT TE LETRAVE SHQIPE Z. NAUM PRIFTI

June 17, 2023 by s p

Mjaftime Dushallari/

Janë shumë njerëz që mund të flasin dhe të shkruajnë për të nderuarin, z. Naum Prifti, i cili u nda nga jeta duke lene ne hidherim te thelle familjaret, te afermit dhe shume miq te tij. Janë kolegët e tij shkrimtarë, artistë apo studiues, që punuan dhe njohën nga afër veprën e tij shumëvjecare në Shqipëri dhe më gjerë. Janë bashkëkombasit e tij patriotë që e njohën, u aktivizuan dhe punuan krah tij në tubime të ndryshme të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe vecanërisht në organizatën e mirënjohur Pan-Shqiptare Vatra ku u zgjodh edhe sekretar i saj për shumë vite. Edhe unë kam pasur mundësinë të shpreh në shtyp mendimin tim për personalitetin e spikatur dhe vlerat e veprës letrare të z. Naum Prifti.

E kam njohur emrin e tij që kur isha nxënëse shkolle dhe lexoja veprat e tij të përfshira në antologjitë letrare. Në kohën e lirë më kënaqte leximi i librave të tij për fëmijë. E njoha personalisht Naum Priftin kur punoja në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ai, i qetë dhe pa bujë, futej në katedër ose në auditor për të marrë pjesë në ndonjë sesion shkencor apo në mbrojtjen e diplomave të studentëve, ku dëgjonte paraqitjen dhe mbrojtjen e diplomës së ndonjë studenti që drejtonte, ose ku paraqiste me profesionalizëm ndonjë recensë diplome që i ngarkohej.

Ishte Amerika që na afroi, na miqësoi dhe na njohu më shumë me njëri tjetrin. Pa i hequr asgjë atyre që kam thënë më parë për këtë personalitet të shquar të kulturës shqiptare, do të doja të shtoja disa ndjesi të miat personale dhe të familjes time, por besoj dhe të miqve që ishin pranë nesh, që kam ndjerë nga afërsia dhe miqësia që na ofroi z. Naum Prifti dhe familja e tij në vitet e para të emigrimit në Amerikë, që flasin shumë për zemrën e tij të madhe dhe mendjen e tij të hapur. Ishin vitet e përpjekjeve dhe vështirësive të shumta për të përballuar jetën dhe për t’u integruar denjësisht në jetën amerikane, që për moshën tonë nuk ishte e lehtë. Shumë intelektualë bënin punë të rëndomta, disa ropateshin me përpjekjet për të mësuar anglishten, të tjerë ishin ende të papunësuar. Edhe në ato kushte, z. Naum Prifti, që kishte ardhur në Amerikë me familjen para nesh, si një baba i kujdesshëm dhe si një intelektual i mencur, na bëri të ndiheshim përsëri intelektualë.

Takimet e para familjare ishin shumë të ngrohta sepse dhe arsyet dhe mënyra se si kishin ardhur të dy familjet tona në Amerikë ishin të njëjta. Gjithashtu, me z.Naum dhe dy vajzat e tij, që unë kam pasur fatin t’i kisha studente në degën e Letërsisë, përbënim një grup që kishim c’të bisedonim. Diskutimet për letërsinë, artin, për jetën amerikane, mbushnin bisedat tona dhe na jepnin kënaqësi të vërtetë. Do te na mungojne historite interesante dhe humori i natyrshem qe i shoqeronte perhere.

Pjesëmarrja në aktivitete të tilla si promovimet e librave me platformë gjithëkombëtare “Shekulli 21” -Mendime dhe Opinione për të Ardhmen e Shqipërisë, të librit “Kombi” – Rrugët e Bashkimit Kombëtar, për të cilët Naum Prifti ishte koordinator, redaktor dhe korrektor letrar, na bënin të ndiheshim mirë mes intelektualësh dhe na jepnin mundësinë të njihnim këndvështrime të ndryshme të botës së gjerë intelektuale shqiptare për probleme madhore të kombit si dhe për të ardhmen e tij. Dhënia e ndonjë opinioni për fushën tonë, na jepte kënaqësinë e profesionit me të cilin sikur ishim shkëputur përkohësisht.

Telefonatat e z.Naum dhe vajzave të tij për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme shoqërore dhe politike të komunitetit shqiptar, i prisnim gjithmonë me kënaqësi e gatishmëri të plotë. Njohja dhe pjesëmarrja në aktivitetet e organizatës së grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, ku fillimisht shkonim me Julikën dhe Rafaelën, ishin në ato vite dhe mbetën ende takime të dëshiruara shoqesh, kolegesh, konsulentesh, intelektualesh dhe motrash shqiptare.

Libri i ri i Naumit i botuar në vitin 2000, një përmbledhje me mite, legjenda, përralla, rapsodi, rrëfime popullore dhe fabula, i titulluar “Nëna e Diellit” u bë shkas për një takim artdashësish, për një promovim të suksesshëm në restaurantin e patriotit Bruno Selimaj. Leximi i këtij libri më bëri dhe një herë të ndalem në rrëfimet e shtruara dhe plot kolorit të tregimtarit të rrallë të letërsisë sonë.

Në ato vite, kemi pasur nderin të festojmë me familjen e tij dhe disa miq të afërm 65 vjetorin e lindjes së shkrimtarit te talentuar, Naum Priftit. Kjo festë e vogël, por e bukur familjare, na bëri të gjithëve të mendonim dhe të evidentonim dicka me vlerë nga vepra plot vlera dhe nga personaliteti i tij që e kanë bërë të ishte dhe të jetë gjithmonë njeri dhe krijues i nderuar dhe i respektuar. Natyrisht dhe ne ndiheshim mirë në një mjedis të tillë.

Me kujdesin e z. Naum kemi parë fillimisht ekspozitën e fotografit të talentuar shqiptar, Fadil Berisha ne Manhattan. Ishin këto aktivitete që na jepnin kënaqësi si intelektualë, na bënin të harronim të përditshmen, ta shihnim të ardhmen tonë më pozitivisht. Arritjet e këtyre individëve na ndihmonin të kuptonim mundësitë e pafundme që të ofron ky vend i ëndërruar nga të gjithë, vendi që i kthen ëndrrat në realitet, vendi që e bën talentin të lulëzojë.

Librat që shkëmbenim nxisnin më tej bisedat tona dhe na ushqenin njohuritë, sidomos ato rreth figurave të shquara të diasporës. Një prej të cilave është dhe monografia rreth jetës dhe veprës së vëllait të tij, Peter Priftit, patriotit, gjuhëtarit, letrarit dhe filozofit të letrave shqipe.

Edhe koha që mund të shpenzonim me z. Naum për një kafe diku, jo vetëm që nuk ishte kohë e humbur, por kthehej shpejt në moment gazmor, të këndshëm, intelektual, sidomos kur fillonim të tregonim të vërteta “me kripë apo me sheqer” nga koha e diktaturës në Shqipëri. Dhe ai gjithmonë qeshte, edhe kur dëgjonte historitë e treguara nga dikush tjetër, edhe kur tregonte vetë. Qeshte me shpirt se tregonte me shpirt, se tregonte me pasionin e krijuesit. Nuk tregoheshin barcoleta që të bëje të tjerët për të qeshur dhe vetë të mbaje qëndrim serioz. Ishin të vërtetat e kohës, të vërtetat e jetës rreth ngjarjeve dhe njerëzve realë të të gjitha kategorive. Prej atyre, ishin dhe kënaqësi që duheshin kujtuar sepse në rrethet artistike dhe intelektuale kishte dhe shume gjëra të bukura që duheshin mbajtur mënd, kishte dhe ndodhi të guximshme që dilnin nga kornizat e kohës dhe bëheshin të njohura vetëm në rrethe të ngushta të njohurish. Shumica e atyre që tregonte ishin dhe filizat apo idetë e shkrimeve të tij të arta.

Dhe ndërsa ne u përpoqëm dhe e gjetëm veten në këtë vend të madh, z. Naum Prifti vazhdoi gjithmonë të punonte dhe krijonte si “shkrimtar në profesion të lirë”. Shkruante pa pushim, edhe kur jeta e vuri në provë me fatkeqësi të rënda në familje, edhe kur pati probleme të vështira shëndetsore. Ai mbetet në kujtesën tonë si model i njeriut të punës dhe i intelektualit patriot të palodhur.

Dhe vitet kaluan pa u kuptuar derisa ne, një grup mësuesish shqiptarë, me nismën e z. Kristaq Papa, drejtues i shkollës shqipe në Astoria u mblodhëm përsëri në lokalin shqiptar “Kuq e Zi” të pronarit Kristaq Foto për të festuar 7 Marsin e vitit 2017, ditën e mësuesit dhe njëkohësisht ditëlindjen e z. Naum Prifti. Kishin kaluar plot 20 vjet. Shkrimtari 85 vjecar erdhi mes nesh më i pakët në trup, më i rezervuar në të folur, më i ngadalshëm dhe më i kujdesshëm në të ecur, por fytyra e tij ishte ende e qeshur, shkëlqimi i saj rezatonte kënaqësi e mirësi. Ajo që nuk ndryshoi kurrë te ky njeri, edhe në moshën e tretë, ishte mendja e tij e kthjellët dhe dashamirësia për të gjithe.

Edhe gjatë kohës që z.Naum ishte në spital dhe mundohej të mbijetonte, vazhdonte të shkruante dhe të mbahej aktiv. Tregimet e tij ishin te ndjera, te sinqerta, teper njerezore, art i vertete.

Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin e letrave shqipe, z Naum Prifti. Shpirti i tij pushofte ne paqe!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mjaftime Dushallari Brati, Naum Prifti

Portreti i Ali Pashait të rreptë dallohej veç për butësi

June 16, 2023 by s p

Nga libri “Udhëtime në Ishujt Jon, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj. gjatë viteve 1812-1813”. i  Henry Holland

Përgatiti dhe përktheu Rafael Floqi 

Prolog 

Sir Henry Holland, 1st Baronet, (27 tetor 1788 – 27 tetor 1873) ishte një mjek britanik dhe shkrimtar udhëtimesh. Ai kishte një praktikë të gjerë dhe ishte mjek shtëpiak i Karolinës, Princeshës së Uellsit dhe Mjek i Jashtëzakonshëm i Williamit IV dhe i Mbretëreshës Viktoria. Ai u zgjodh anëtar i Shoqërisë Mbretërore në janar 1815.  Ai zgjodh Baron në 1853. Shkencërisht, Holland dha një kontribut të hershëm në teorinë e mikrobeve të sëmundjes në esenë e tij “Mbi hipotezën e jetës së insekteve si shkaktare të sëmundjeve?” si dhe në “Shënime dhe reflektime mjekësore”, 1839. 

Por Holland e fitoi famën përmes shkrimeve të tij të udhëtimit, pasi kishte udhëtuar në Islandë dhe nëpër Ballkan dhe Gadishullin Iberik, ndërsa britanikët ishin në luftë me Francën. 

Henry Holland ishte shumë i ri për t’u pranuar në Kolegjin e Mjekëve në atë kohë, kështu që ai ndërmori disa udhëtime jashtë vendit. Në fillim të vitit 1812 ai u nis për një udhëtim 18 mujor duke vizituar Portugalinë, Spanjën, Shqipërinë Greqinë dhe Turqinë. Ai kaloi 3 muaj në një spital ushtarak në Portugali duke ndihmuar të plagosurit e Luftës së Gadishullit. Me kthimin e tij në Londër, Henry Holland zuri vend  me shpejtësi në nivelet më të larta të shoqërisë londineze, duke u bërë mik me Lordin Lansdowne, Lordin Aberdeen dhe Lordin Holland. Ai takonte shpesh, ndër të tjera, edhe  poetin e madh romantik, Lordin Bajron si dhe Sir Humphrey Davy. Ne vitin 1815 ai botoi librin me shënime udhëtimi “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, &c. during the years 1812-1813.”  “Udhëtime në Ishujt Jon, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj. gjatë viteve 1812-1813”.

Në këtë libër jepen pamje të trojeve shqiptare nën perandorinë otomane dhe pasqyrohen karakteristikat e njerëzve dhe të vendeve, nga ky libër shkëputëm një përshkrim të drejt për drejtë sa realist dhe romantik të një takimi që ky mjek i ri në atë kohë, pati në Sarajet e Janinës  me pashain e Madh Ali Pashë Tepelenën. Në këtë portret me fjalë jepet figura sa e jashtme dhe e brendshme e Pashait të madh më me saktësi si asnjë tjetër, jepen veçanti dhe karakteristikat jo vetëm fizike, por edhe veçantitë psikologjike e diplomatike të pashait të madh.  Për vetë faktin, që ky portret është një dëshmi e drejtpërdrejtë dhe e gjallë e gjithë ngjyra e pashait dhe enturazhit të tij, është një element mjaft domethënës edhe me vlerë në përshkrimin e kësaj figure të madhe të historisë sonë kombëtare. Për ta bërë disi më interesante, për stilin e artikullit të gazetës, mora lirinë të vendos disa mestituj.   

Në audiencë tek Pashai. Mes luksit dhe armëve

Shtyllat e Sarajit, në largësi të barabarta dhe me zbukurime të pasura, por pa ndonjë rregull të qartë  arkitekturor, u jepnin larmi mureve të banesës. Në këto shtylla dhe me kamare ndërmjet tyre, ishin varur armët e vezirit, jataganë, kama pushkë dhe pisqolla; të gjitha nga punimet më të mira, dhe të stolisura me bollëk me ar dhe xhevahire. Një tapet turk mbulonte dyshemenë dhe divanet që e rrethonin tërësisht dhomën, me përjashtim të skajit të poshtëm të saj. Këta ishin shumë të gjerë dhe të ngritur rreth pesëmbëdhjetë centimetra nga toka; ku qenë vënë jastëkë prej sateni të kuq, me thekë të gjatë prej dantelle ari. Mbi një vatër digjej një zjarr i madh druri, mbi të cilin ngrihej një oxhak si i dalë, ose më mirë një oxhak, në formën e një tende konike, e zbukuruar e me shumë me prarim, me figura dhe pajisje të ndryshme. Megjithatë, këto vëzhgime të vogla nuk u bënë qysh në momentin e hyrjes sonë në apartament. Të gjithë vëmendjen tonë në atë moment e pushtoi vetë personi, i Ali Pashës, figura e të cilit përbënte pjesën më interesante të tablosë. 

Ai ishte ulur sipas mënyrës turke, me këmbët e kryqëzuara poshtë, në një divan menjëherë përtej zjarrit, që qe disi më i ngritur se pjesa tjetër dhe më i pasur në dekorimet e tij. Në kokë mbante një kapuç të lartë të rrumbullakët, me ngjyrën të thellë blu në bizele dhe të rrethuar me dantella ari. Rroba e tij e jashtme ishte prej një pëlhure të verdhë, po ashtu e qëndisur shumë; dy këmishët e brendshme me vija të ndryshme me ngjyra dhe rrjedhin lirshëm nga qafa tek këmbët; duke u kufizuar vetëm në bel me një rrip të qëndisur, në të cilin ishin fiksuar një pistoletë dhe një kamë, me punime mjaft të bukura dhe delikate. 

Dorezat e këtyre armëve ishin të mbuluara me diamante, perla, dhe smeralde me përmasa dhe bukuri të mëdha të vendosura në dorezën e secilës. Në gishtat e tij, veziri mbante shumë unaza të mëdha diamanti dhe gryka e nargjilesë, nga e cila pinte duhan, ishte po aq e zbukuruar me lloje të ndryshme bizhuterish, por më shumë nga veshja e tij, binte në sy, sidoqoftë, pamja e Ali Pashës, të cilën në këtë kohë angazhuam ta vëzhgonim sinqerisht. 

Portreti i Pashait 

Është e vështirë t’i përshkruash tiparet, qoftë në detaje, qoftë në efektin e tyre të përgjithshëm, në mënyrë që të përçohet ndonjë përshtypje e veçantë në mendjen e lexuesit. Nëse do të provoja një përshkrim të tipareve të Aliut, do të flisja për fytyrën e tij si të madhe dhe të plotë; ballin jashtëzakonisht të gjerë dhe të hapur, i gjurmuar nga shumë rrudha të thella; me sy depërtues, por jo shprehës të  egërsisë; hunda e bukur dhe e formuar mirë; goja dhe pjesa e poshtme e fytyrës e fshehura, përveç kur fliste, nga mustaqet dhe mjekra e gjatë që i bie mbi gjoks. Lëkura e tij është disi më e zbardhur se ajo e zakonshme e turqve, dhe pamja e tij e përgjithshme, nuk tregon më shumë sesa mosha e tij aktuale, rreth gjashtëdhjetë ose gjashtëdhjetë e një vjeç, përveçse ndoshta nga që mjekra e tij është më e bardhë se zakonisht në atë moshë. Qafa është e shkurtër dhe e trashë, silueta e bollshme dhe e pafuqishme; shtatin e tij e pata rast ta matja më vonë, qe rreth pesë këmbë e nëntë inç. 

Karakteri i përgjithshëm dhe shprehja e fytyrës, janë pa diskutim të shkëlqyera dhe veçanërisht balli i tij është një tipar shumë i mrekullueshëm. Shumëçka nga talenti i një njeriu mund të tregohet, nga pamja e jashtme; cilësitë morale, megjithatë, mund të mos përcaktohen në mënyrë të barabartë në këtë mënyrë; qoftë dhe nga vëzhgimi i rastësishëm i të huajit, unë mund të konceptoj, nga përvoja ime, se asgjë mund të duket se fshihet veçse që ajo që është e hapur, e qetë dhe joshëse.  Më pas m’ u dhanë mundësitë t’i shikoja poshtë kësaj pamjeje të jashtme. Ndriçuar nga një sobë zjarri që digjej ashpër nën një sipërfaqe të lëmuar.

Karakteri i Aliut 

Kur hymë në banesë, veziri u përkul përpara, pa u ngritur nga kolltuku, dhe lëvizi dorën në zemër, një mënyrë e hijshme dhe dinjitoze si përshëndetje që është e zakonshme në të gjithë Lindjen. Ai na bëri shenjë të ulemi në divane në një distancë jo të madhe nga divani i tij, përkthyesi ndërkohë qëndronte përpara. Ai fillimisht e pyeti atë, nëse ne flisnim romishte, (greqishten e re) apo cilat nga gjuhë të tjera. Ndaj kësaj kërkese për të folur këtë greqishten moderne, ne ju përgjigjëm se nuk kishim dëshirë.   

Lord Bajroni e përshkruan kështu Aliun, si një njeri i luftës dhe të rreptë; megjithatë, në linjat e tij të fytyrës nuk mund të gjurmoni, veç butësi dhe më i butë është shkëlqimi i syve të tij. Përgjatë asaj fytyre të nderuar të moshuar, veprat që lidhen me të e njollosin me turp nuk shquhen. I detyruar të përgjigjej negativisht; përkthyesi shtoi, me sugjerimin e tij, se ne e kuptonim helenishten; emrin me të cilën njihet gjuha e lashtë greke në vend. Veziri, kishte vazhduar të punësonte grekë në punë, ndërsa dragomani i tij po komunikonte me ne në italisht. 

Aliu më pas shprehu në përgjithësi kënaqësinë e tij që na shihte në Janinë. Ai na pyeti se sa kohë kishim që ishim larguar nga Anglia? Ku kishim udhëtuar, dhe në çfarë, intervali? Kur kishim mbërritur në Shqipëri? Nëse ishim të kënaqur me atë që kishim parë ende në këtë vend? Si na pëlqeu pamja e Janinës? Nëse kishim përjetuar ndonjë pengesë për të arritur në këtë qytet? Dhe pyetje të tjera të natyrës së ngjashme. Megjithëse shqiptimi i greqishtes moderne ishte ende i ri dhe i çuditshëm për veshin tim, megjithatë e kuptova mjaftueshëm, për të qenë i vetëdijshëm se Colovo ia përktheu përgjigjet tona të këtyre pyetjeve me shumë qartësi dhe saktësi. 

Menjëherë pasi filloi biseda, shoqëruesit i sollën secilit prej nesh një llullë, me pipa prej qelibari, të rrethuara me diamante të vegjël; dhe pak më pas na u servir kafeja e cilësisë më të mirë që gjendej me gota porcelani, brenda atyre mbulesave të arta. Veziri vetë pinte kafe dhe duhan me intervale gjatë zhvillimit të bisedës. Interesimi që ai bëri në lidhje me udhëtimin tonë në Janinë, na dhanë mundësinë ta komplimentonim për qeverisjen e shkëlqyer të zotërimeve të tij dhe për vëmendjen që ai i kishte kushtuar përmirësimit të rrugëve. 

Nga Bajroni, tek Lufta Franko-Ruse. Pashai një diplomat i lindur 

I përmenda në përgjithësi pashait përshkrimi poetik të Bajronit për Shqipërinë, dhe interesin që kishte ngjallur në Angli dhe botimi i ardhshëm i z. Hobhouse mbi udhëtimet e tij në të njëjtin vend. Ai dukej i kënaqur me këto rrethana dhe na tha se e kujtonte Lordin Bajron. 

Më pas, ai na foli për gjendjen aktuale të Evropës; dhe me një atmosferë të zellshme dhe të theksuar ankthi, na pyeti, se cili ishte mendimi jonë i fundit, për përparimin që ushtritë franceze po bënin atëherë në Rusi dhe se çfarë të reje kishim nga ngjarjet në Spanjë. 

Në pikën e parë, ishte e qartë se informacioni që dhamë nuk ishte i ri për të, megjithëse ai nuk e tha shprehimisht këtë: mënyra e tij, ishte megjithatë, të tregonte interesin e fortë, që ndjente për këtë temë, dhe dukej sikur po kërkonte në mënyrë indirekte, për të marrë opinionet tona për një ngjarje, e cila në fund të fundit mund të ketë një rëndësi të madhe për mirëqenien e tij politike. 

Ai ishte më pak i informuar për çështjet e Spanjës; dhe ne i dhamë atij një tregim të shkurtër të betejës së Salamankës dhe hyrjes së Lord Wellington në Madrid, për të cilën ai kishte dëgjuar më parë vetëm njoftime të përgjithshme. 

Anija e pashait e marrë peng nga anglezët 

Tema tjetër e bisedës u parapri nga ai duke na pyetur, nëse kishim parë në Santa-Maura një nga korvetat e tij të armatosura, e cila ishte kapur dhe dërguar atje nga një fregatë angleze. Këtë temë ne e kishim parashikuar më parë, dhe jo krejtësisht pa paramendim. Anija në fjalë, e cila ishte një anije e madhe me 26 ose 28 topa, të cilën ne e kishim parë, në fakt, gjatë kalimit tonë nga Itaka në Korfuz. Ajo qe ndaluar në afërsi të Korfuzit nga një fregatë angleze, që kishte në bord një ngarkesë të madh drithi dhe në rrethana që e bënin të qartë, se kishte një plan për të shkelur bllokadën ndaj atij ishulli. Ndonëse ndoshta ishte i vetëdijshëm se anija ishte ligjërisht një peng, Ali Pasha shprehu indinjatën e madhe për këtë temë edhe pse i pat shkruar me shumë ngrohtësi qeverisë lokale të Santa-Maurës, ndërsa ne ishim në atë ishull, saqë na vuri në dyshim, për një moment, nëse mos do të kishte qenë më mirë ta vononim ca udhëtimin tonë për në Janinë derisa çështja të rregullohej më tej. Duke e paraqitur temën gjatë intervistës sonë me të, Veziri foli me gjallëri, por edhe me njëfarë ngrohtësie. Ai u ankua për padrejtësinë e bërë ndaj tij me kapjen e anijes, dhe mohoi të drejtën e kapjes në këtë rast të veçantë dhe pretendoi për mirësitë e tij të ndryshme që kish bërë ndaj qeverisë sonë, si dhe ndaj individëve të kombit anglez, siç duhet sipas tij, duhet ta kishin siguruar atë, kundrejt akteve të tilla armiqësore. 

Ne u përgjigjëm se si udhëtarë të thjeshtë, nuk mund të guxonim të jepnim një përgjigje, që mund të konsiderohej zyrtare, por se ne nuk dyshonim, nga njohuritë tona për disponimet e qeverisë angleze, ndaj tij dhe se, kur çështja të shpjegohej, siç duhej, marrëveshja përfundimtare, do të ishte e drejtë dhe e kënaqshme për Lartësinë e Tij. Kjo sigurisht që do të thoshte pak për të, edhe Veziri pa dyshim e kuptoi situatën si të tillë. Ai shtoi vetëm disa fjalë, dhe më pas, me një zë të lartë apo edhe me të qeshura të  zhurmshme, shprehu dëshirën e tij për ta ndryshuar temën.

Tani ai pyeti nëse ne ishim të qetë në shtëpinë që ai na kishte caktuar; dhe se shpresonte se do të qëndronim pak kohë në Janinë; dhe pyeti, nëse kishim ndonjë plan për të shkuar në Stamboll apo në Athinë? 

Duke i shpjeguar qëllimin tonë për të vizituar vendin e fundit, ai tha se ne do të kishim çdo mundësi për të kaluar nëpër zotërimet e tij, dhe na ofroi çdo shërbim tjetër, që mund të ishte në fuqinë e tij. Para se të përfundonte audicioni ynë, ai më përmendi se ishte informuar, se unë isha mjek dhe pyeti, nëse kisha studiuar mjekësi në Angli? 

Duke iu përgjigjur kësaj pyetje në mënyrë pozitive, ai shprehu dëshirën e tij, që të konsultohej me mua për ankesat e tij shëndetësore, përpara se ne të largoheshim nga Janina; një propozim për të cilin u përkula, megjithëse jo pa frikën e vështirësisë në përshkrimin e rastit të një pacienti të tillë. 

Ai na përcolli me shumë dashamirësi, pasi kishim qëndruar rreth gjysmë ore në pritjen e tij. Përkthyesi vazhdoi të qëndronte në këmbë, gjatë gjithë kohës dhe gjithashtu edhe gjashtë shoqërues që mbetën në apartament gjatë gjithë audiencës sonë. Katër prej tyre ishin të rinj shqiptarë, të gjatë dhe të pashëm, me flokë të gjatë të lëshuar dhe me veshje dhe armët e tyre të kushtueshme dhe madhështore. Dy syresh ishin zezakë, të veshur me çallma të bardha dhe gjithashtu me petka me shumë shkëlqim. Qëndrimi i vezirit në këtë intervistë ishte i sjellshëm dhe e kujdesshëm dhe pa asnjë gërricje. Nuk kishte, në fytyrën e tij, as në të folur, apatinë formale dhe të paepur që është karakteristikë e turqve si popull; por kishte më shumë gjallëri, humor dhe ndryshim shprehjeje. E qeshura e tij është shumë e çuditshme dhe toni i saj aq i thellë, sa i afrohej një gjëmimi, që pothuajse mund të trembte një vesh të pamësuar me të. Gjithsesi isha mjaft i kënaqur me rezultatin e kësaj interviste, e cila përcaktoi fillimin e lidhjes sime të gjatë dhe interesante me këtë burrë të veçantë. Një rrëfim për marrëdhënien time të mëtejshme me të, gjatë qëndrimit tonë në Janinë, do të japim në kapitullin pasardhës. 

Ne u kthyem në banesën tonë me të njëjtët kuaj që na kishin sjellë në saraj. Duke kaluar nëpër oborrin e pallatit, vura re disa nga ushtarët shqiptarë, të cilët mbanin shalle të kuqe, të mbështjellë në mënyrë të veçantë rreth kokës dhe qafës. Këta burra janë kryesisht nga rrethet e Shqipërisë veriore, në kufijtë e Maqedonisë së lashtë: ata janë përgjithësisht të gjatë dhe persona muskulor, të egër dhe të ashpër në zakonet e tyre të jetës dhe kanë reputacionin e të qenit ushtarë të shkëlqyer sipas mënyra shqiptare të luftës. Karakteri i popullit të lashtë të asaj zone na jepej nga shkrimet e Tit Livy-t ngjan jashtëzakonisht me atë të racës moderne të këtyre banorëve.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafael Floqi

Lashtësia e gjuhës shqipe, si gjuhë europiane 

June 15, 2023 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Të gërmosh për prejardhjen e gjuhës dhe popullit tënd, është një mision patriotik, kulturor, edukativ, studimor, pasi njohja e historisë, vetvetes të ndihmon  të ecësh përpara, në rrugën e së ardhmes. Është detyrë profesionale dhe morale e çdo studiuesi, shkencës shqiptare në veçanti, të kërkojnë informacione me përmbajtje për prejardhjen e gjuhës dhe popullit shqiptar. Sot, mundësitë dhe kushtet janë më të favorshme për të bërë kërkime, krahasuar me periudhën e komunizmit. Më shumë mban bota në arkivat e tyre historinë tonë, sesa vetë ne. Në bibliotekën e Vjenës ka mbi 10 mijë dokumente që flasin për shqiptarët, gjithashtu edhe në Vatikan gjen pa fund dokumente 600 vjeçare për historinë e Shqipërisë, ku shteti ynë duhet të financojë ekipe studimi për të zbuluar këto thesare. Gjuha e folur dhe e shkruar ka një rëndësi dhe domosdoshmëri të veçantë për atë popull që e përfaqëson, pasi shërben si mjet komunikimi, ndërton ura lidhëse, zgjidh shumë problematika dhe qasje të ndryshme, afron njerëzit, etj. 

Njerëzit primitivë, 10 mijë vite më parë, e kanë ndjerë të nevojshme të merren vesh me njëri-tjetrin, duke përdorur shenja dhe simbole, siç ishin hieroglifet e Egjiptit, e, më pas, gjuhët, jo të gjitha, janë zhvilluar duke pësuar ndryshime gjatë rrugës, por që e kanë ruajtur bërthamën, siç është shqipja. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të pemës së gjuhëve indoeuropiane, siç është vetë shqipja, greqishtja, indoiranishtja, italishtja, gjermanishtja, gjuhët romane, sllave, persishtja, etishtja, tokarishtja, gjuhët baltike, keltishtja. Kjo është e vërtetuar nga Franz Bopp, gjuhëtar gjerman dhe albanolog i njohur për studimet e tij në fushën e gjuhëve indoeuropiane. Fillimisht kemi një gjuhë të folur, pastaj të shkruar, dhe, se, gjuha e sotme moderne ka pësuar shumë ndryshime, me gjuhën e folur, përshembull 2 mijë vjet apo 4 mijë vjet më parë. 

Do të ishte e pamundur të kuptohej shqipja e folur në kohën e Skëndërbeut; kjo vihet re te arbëreshët e Italisë, por jo vetëm, të cilët e kanë ruajtur pak shqipen që nga koha e paraardhësve të tyre, kur kanë emigruar për t’i shpëtuar pushtimit osman, por që është shumë e vështirë të merresh vesh me ta. Sipas studiuesve, një gjuhë nuk mund të jetojë më shumë se 2 mijë vjet, më pas ajo shndërrohet në diçka tjetër. Patjetër që para shqipes moderne, kemi një protoshqipe dhe një parashqipe, por nuk mund të themi se ajo shndërrohet komplet në një diçka tjetër. Gjuhëtarë të huaj si Eric Hamp pohojnë se shqipja si pasardhëse e ilirshtes ka ardhur duke u zhvilluar, si një nga gjuhët e vjetra indoeuropiane, por që e ka ruajtur bërthamën.

Prejardhja e shqipes

Debatet mes studiuesve shqiptarë, për prejardhjen e gjuhës shqipe, janë rikthyer sërish, duke ndarë pikëpamje të kundërta. Studiuesit më të rinj mendojnë se gjuha shqipe i ka rrënjët te pellazgjishtja, ndërsa studiues që janë pjesë e Akademisë së Shkencave, pohojnë se pellazgët nuk ekzistojnë dhe se shqipja është pasardhëse e ilirshtes dhe një pjesë e gjuhës trakase. Ata thonë se shqiptarët janë popull indoeuropian, tezat për pellazgët janë antishqiptare, thashetheme, sepse pellazgët nuk kanë qenë popull indoeuropian. Diskutimet janë të shumta dhe nuk gjejnë një pikë konverguese. Është e kuptueshme që ajo periudhë është e vështirë të studiohet, pasi ilirët nuk kanë lënë dokumente të shkruara. Sipas studimeve, shkrimi është shfaqur rreth shek të 9 para erës së re. Pasi e morën shkrimin grekët nga fenikasit, ata nuk kanë regjistruar gjuhët e popujve të tjerë, pasi i quanin barbarë popujt e tjerë. Kështu është paksa e vështirë të gjesh shumë të dhëna për të përcaktuar përfundimisht prejardhjen e shqipes: nga pellazgjishtja apo ilirshtja. 

Pavarësisht debateve, vlera më e madhe e shqipes është lashtësia e saj, si gjuhë europiane. Eqerem Çabej është figura më e shquar në fushën e gjuhësisë, etnografisë, folklorit shqiptar, i cili pohonte se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, banorëve më të vjetër në Ballkan. Çabej në vitin 1976 argumentonte se rrënjët e gjuhës duhet të gjenden në një nga gjuhët e lashta të Gadishullit Ballkanik. Studiuesit e ditëve të sotme pohojnë se mbishkrimi I limnos është mbishkrim pellazgjik, në vitin 1884, dhe se Dodona pellazge është një tempull që të gjithë autorët antikë e përmendin si institucionin shpirtëror më të rëndësishëm të pellazgëve. 

Autorët e huaj

Një varg autorësh të huaj kanë shkruar për prejardhjen e gjuhën shqipe, duke pohuar se rrjedh nga pellazgjishtja përmes ilirshtes. Albanologu i njohur, Norbert Jok, në artikullin “Shkenca europiane dhe gjuha shqipe”, publikuar në revistën “Cirka”, shkruante se interesi për studimin e gjuhës shqipe ka qënë mjaft i gjallë në Europë kohë më parë se të flitej për gjuhët indo-europiane. Çifti tashmë i njohur, Albert Gjoka dhe Frida Vokopola Gjoka, kanë përkthyer një sërë autorësh të huaj, të cilët kanë shkruar për gjuhën shqipe. Përkthyesit vlerësojnë një fakt të rëndësishëm, se enciklopedia gjermane e 1880 thotë se albanët janë një nga popujt më të vjetër, gjë që mund të thuhet me siguri të plotë dhe pa më të voglin dyshim se janë pasardhës të drejtpërdejtë të pellazgëve të vjetër, gjuha e të cilëve është folur prej mijëra vjetësh. Një ndër autorët e huaj që kanë shkruar për prejardhjen e gjuhës shqipe është filozofi gjerman, Gottfried Leibniz, historiani suedez, Johann Thunmann, austriaku Gustav Mayer, francezi Eduard Shnajder, etj. 

Thunman sjell historinë e shqiptarëve, 600 vjet para krishtit e deri në kohën e Skëndërbeut dhe vendbanimet e tyre, që nga Dalmacia e deri në Peloponez. Këto studime pohojnë se shqiptarët janë një popull shumë i vjetër në Europë, i veçantë, me një autoktoni të përhershme në këto troje. Josef Ritter von Ksilanderi, në librin e tij “Gjuha e albanëve ose shkipëtarëve”, botuar në Frankfurt am Main, 1835, sjell një përmbledhje të disa prej studiuesve më të njohur europianë si dhe pikëpamjet e tyre mbi gjuhën shqipe dhe historinë e shqiptarëve. Ja çfarëshkruan ai në parathënien e librit: “Gjatë këtij shkrimi ashtu edhe në fundin e tij dëshmohet që pasardhësit e ilirëve, të cilët kanë të njëjtën origjinë me thrakët, gjenden tek shqiptarët, ku në ato vende ata do të shfaqen si rrezet e para të diellit të mëngjesit të historisë sonë”. Malte Bruni në studimin e tij, pasi vuri re se në gjuhën shqipe kishte pak fjalë në lidhje me gjuhën sllave, por më shumë me greqishten dhe gjuhën gotike, si dhe fjalë me rrënjë kelte, doli në përfundimin se: “Gjuha e ilirëve të vjetër duhet të jetë e njëjta gjuhë e shqiptarëve të rinj, origjina e së cilës arrin në kohët më të lashta, ku gjuha greke, iberike, kelte, sllave, teutonike dhe gjuha gotike, secila u zhvillua në sferën e saj”.  

Johann Severin Vater, teologu, biblisti dhe linguisti gjerman, i cili në studimin e tij “Tabelat e krahasimit mbi gjuhët europiane” shprehet: “Asnjëra nga gjuhët e popujve europianë nuk duhet të mungojë, së paku gjuha shqipe, si gjuha e banorëve të veçantë të maleve të Thrakës së dikurshme, të cilët kanë mundur të ruajnë akoma gojëdhanat e asaj kohe”. Gjithashtu, ai thotë: “Si të gjitha gjuhët e tjera të Europës edhe gjuha shqipe ose gjuha e Alpeve, apo gjuha e maleve ka pësuar ndryshime, por ndryshe nga gjuhët e fqinjëve ajo u ka qëndruar besnike traditave të tyre të vjetra”. Nga krahasimi i fjalëve të gjuhës shqipe me gjuhët e tjera, ai arriti në përfundimin se gjuha shqipe tregon më tepër ngjashmëri me gjuhët kelte të Europës perëndimore kur duhet pasur parasysh largësia e madhe e maleve të Epirit nga ato të Skocisë (vendit të Galik-Albanak-ut) dhe nga malet e Pirenejve, pra nuk kishte mundësi të huazonin fjalët e njëra-tjetrës. 

Një tjetër studjues italian, Baldaci, përshkruan historinë e Shqipërisë që nga periudhat më të lashta, që nga koha e luftrave iliro-romake. Në tetor të 1899, në Kongresin e 12 të orientalistëve në Romë, në fjalën e mbajtur prej tij, Baldaci thotë: “Nga të gjithë ata që banuan Ilirinë, i vetmi që ka mbetur deri në ditët tona është populli shqiptar. Unë ngrej zërin në mbrojtje të këtij populli, që e admirojmë që nga koha kur luftonte me romakët për të mbrojtur territorin e të parëve të tyre, që i rezistoi pushtimeve sllave dhe që si asnjë popull tjetër në atë zonë shënoi një epope të denjë kundër pushtimit osman”. “Gjuha është zjarri i shenjtë i kombit shqiptar: është zemra dhe shpirti, që ndihet edhe tek këngët e tyre, ashtu si tek këngët homerike që kanë arritur në kohët tona prej mijra vjetësh. Disa figura simbolike të Greqisë së lashtë janë të gjalla në Shqipëri, por edhe në Mal të Zi, Herzegovinë e Maqedoni dhe ato zona ku shtriheshin ilirët”. Pra, shqipja është një gjuhë e lashtë, e cila ka ngjallur interesin e autorëve të huaj për ta studiuar prejardhjen e saj. Pavarësisht kundërshtimeve, debateve, ajo që vlen të theksohet është se gjuha shqipe është një gjuhë e vjetër europiane.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eneida Jacaj

Ligjërimi kombëtar i intelektualit Xheladin Zeneli, Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar

June 14, 2023 by s p

Shkruan: Prof. Begzad Baliu/

Në vitin 1990, gjeniu i mbrojtjes së të drejtave të shqiptare në ish-Jugosllavi, Profesor Rexhep Qosja, në Fondacionin për të Drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan, mbajti kumtesën me titull Populli shqiptar në Jugosllavi është i rrezikuar. Zor të besoje aso kohe se një bashkëvendës i tij nga Ana e Malit, dy dekada më vonë, po në këtë fondacion do të mbante një kumtim të këtillë shqetësues dhe më tej të botonte një vëllim fjalimesh, reagimesh, kumtesash e polemikash me titull Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar. Në të vërtetë, megjithëse tekste të shkruara dy dekada më vonë dhe megjithëse tekste të shkruara për çështje më të kufizuara a më të veçanta të fatit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, të shqiptarëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Mal të Zi, ato shquhen, pra, për diskursin politik e kombëtar, përkatësisht ligjërimin intelektual të reagimit të tij, si dhe për pikëpamjen moderne të paraqitjes së fatit të rrezikuar të shqiptarëve e perspektivës europiane të tyre.

Në këtë rrjedhë, ishin tri arsye që e nxitën leximin e këtij vëllimi me analiza, vështrime, opinione, artikuj studimorë e divulgativë, me fjalime, kumtesa e intervista dhe me polemika e reagime mbi gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi.

E para, biografia jetësore e autorit të këtyre teksteve e lidhur ngushtë me disa prej ngjarjeve të zhvilluara në jetën politike, kulturore dhe historike të shqiptarëve në Mal të Zi. Autori i këtij vëllimi Xheladin Zeneli është një prej intelektualëve të formuar në Universitetin e Sarajevës, i cili në kapërcyell të demokracisë postkomuniste u angazhua në jetën politike të Malit të Zi, me shpresë se do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve në Mali të Zi, por i zhgënjyer prej atakimeve gjithfarëshe të këtyre proceseve ai dha dorëheqje nga pozita e deputetit të legjislacionit të parë në zgjedhjet shumëpartiake në Mal të Zi dhe më tej u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, autori i këtij vëllimi përmbushë biografinë kryengritëse të tij, që në të vërtetë është biografi e etikës së lartë dhe e përgjegjësisë nacionale ndaj kombit të tij.

E dyta, biografia intelektuale e autorit të këtyre teksteve është e lidhur ngushtë me diskutimet politike, kulturore dhe analitike të aktivitetit të diasporës shqiptare në Amerikë. Autori i këtyre teksteve Xheladin Zeneli, megjithëse u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aktivitetet e tij u bë strumbullari i shumë organizatave shqiptare atje, zëdhënësi i idealistëve të këtyre forumeve dhe dëshmitari i pranuar edhe në institucionet më të larta të Administratës Amerikane.

E treta, konceptet, termat, shprehjet dhe ligjërimi politik i tij, janë mbrujtur prej refuzimit kryengritës të vendlindjes dhe të veshur prej diskursit të krenarisë së të qenit në mbrojtje të së vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Autori i këtij vëllimi që në rastin e parë shquhet prej diskursit moral, kur e kur të strukturuar nga koncepti i etnisë, në ligjërimin e ambientit të ri do të kujdeset që të formësoj ide, çështje, koncepte me prirje pragmatiste, sikur është veç tjerash ideja e zgjedhjes së çështjes shqiptare mbi parimin e popujve historikë, të njohur tashmë ndërkombëtarisht, një ide e cila për fat të keq nuk u inicua as nuk u kërkua të realizohej me shumë interes për shqiptarët në Maqedoni.

Megjithëse të shkruara a të kumtuara në kohë dhe rrethana të ndryshme, trajtesat e këtij vëllimi paraqesin një tërësi koherente idesh, konceptesh e projektesh, prej të cilave mund të nxiten forma të rëndësishme të shqyrtimit të pozitës së popullit shqiptar në Mal të Zi, qoftë në rrafshin shtetëror, qoftë në rrafshin kombëtar a ndërkombëtar.

Në të vërtetë duke lexuar trajtesat e këtij vëllimi vura re se si dy breza veprimtarësh trajtojnë çështjen kombëtare. Brezi i Profesor Qosjes, i cili çështjen kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi e shihte mbështetur në rendin e ri, rendin e mbështetur në të drejtat dhe liritë e individit, si dhe brezi tjetër, i cili zgjedhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi e sheh brenda parimeve të së drejtës së popujve historikë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT