• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë mësues i nderuar Ceno Zyli!

October 25, 2024 by s p

Nga Qemal Zylo/

Me shumë dhimbje dhe trishtim e morëm lajmin e ikjes nga kjo botë të mësuesit të përkushtuar ndër breza Ceno Zylit. Kur dëgjon për cilindo që ndahet nga kjo botë ndjen keqardhje, por sidomos kur e ke njeriun e gjakut, je rritur me të, ke kaluar fëmijërinë dhimbja shumëfishohet nga kujtimet s’kanë të sosur. Jeta dhe profesionet e ndryshme na ndan, por Ceno Zyli mbeti tek rrënjët e forta si një lis në edukimin e brezave në Arrez të Madhe të Tepelenës, por dhe në rreth deri në Tiranën, kryeqytetin tonë historik. Ne ishim bashkë në shkollat tona aq të forta, edukuese me mësues shumë profesionistë dhe me një ndërgjegje të lartë për të na dhënë dijen dhe kulturën e gjerë. Këtë fakt e tregojnë se në shumë prej këtyre shkollave u arsimuan dhe dolën shumë intelektualë si inxhinierë, doktorë, mësues dhe në shumë profesione të tjera. Natyrisht në radhë të parë në këtë shkrim homazh çmojmë dhe vlerësojmë popullin arsimdashës të Arrëzës dhe bashkëpunimin me mësuesit e dashur. Ceno Zyli i lindur, më 12.05.1954 në fshatin Arrëz e Madhe Tepelenë ishte fëmija i parë i Xhaferrit dhe Najmesë, për të cilët kam mall për të dëgjuar këshillat e tyre dhe mikpritjen aq të ngrohtë që na servirnin. Fëmijërinë e tij e kaloi në Arrëz ku kreu shkollën fillore dhe 8-vjecare. Duke qenë fëmija i parë kishte dhe barrën e përkujdesit për më shumë për motrat dhe vëllezërit e tjerë që i donte aq shumë. Ja si shkruan vëllai i tij Ylli Zyli një ushtarak i lartë, i devotshëm, për ikjen e parakohshme të vëllait të tij:

“Sot pushoi së rrahuri zemra e vëllait tim, e shokut tim të parë, duke ma kthyer ditën e sotme në pikëllim dhe ndarje të rëndë. Ajo zemër që ende kishte shumë punë për të kryer e ende për të dashur bashkëshorten, djalin, vajzat, nipin, mbesat, ne, familjarët e tjere të saj dhe miq e shokë.

Na duhet të të lemë të shkosh e të të përcjellim vëllai im, Shpirt i shpirtit tim!

U prehsh në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi yt!

Shkollën e mesme Pedagogjike e kreu në Gjirokastër. Në vitin 1974 filloi punë si mësues në fshatin Progonat ku dhe në të njejtën kohë vazhdonte studimet e larta në Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë ku dhe u diplomua si mësues i edukimit fizik. Ceno Zyli ka punuar si mësues në disa fshatra të ndryshëm të Tepelenës si Arrëz e madhe, Marricaj, Miricë, Mezhgoran, Golem, Vagalat etj… Në vitin 1983 u emërua drejtor shkolle në Arrëz të Madhe për një periudhë 5 vjeçare.

Ceno Zyli më 1985 Martohet me mësuese Leni Gjoka, ku sollën në jetë katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, Ornela, Erisa, Fatjon dhe Algerta.

Ai punoi dhe sakrifikoi shumë, si për fëmijët e tij, por edhe për breza të shumtë duke u dhënë jo vetëm edukimin shkollor, por edhe atë të jetës.

Në kohën e demokracisë Ceno u zgjodh sekretar i komunës Lujftinjë në vitet 2003-2007. Në korrik të vitit 2007 Ceno Zyli transferohet në Tiranë familjarisht.

Në Tiranë vinte me një përvojë të madhe si mësimdhënës ndaj e ushtroi këtë preofesion duke punuar si mësues i Edukimit Fizik në disa shkolla të ndryshme si “Flabina”, Shkolla e Mesme Teknike Ekonomike Tiranë, Shkolla “Musine Kokalari”, Shkolla “Hasan Prishtina”, Shkolla “ Edith Durhami”, Shkolla “Misto Mame” etj……

Mesues Ceno Zyli e shkriu jeten e tij në arsim duke përhapur dije dhe kulturë dhe puna e tij të kujton thënien e Rilindasit të shquar Sami Frashërit i cili ka thënë: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.

Pasi u stabilizua familjarisht dhe profesionalisht, në vitin 2013 pati një fatkeqesi ku humbi shikimin, por asnjëherë nuk u demoralizua, ishte një mësues kurajoz, me vullnet të fortë, pozitiv, bamirës dhe filloi të përballonte situatat e vështira që i krijoheshin ashtu si ai ishte mësuar ndër vite.

Problemet shëndetësore iu shtuan në vitet e fundit të jetës. Edhe pse iu bënte ballë me durim, këmbëngjulje dhe optimizëm, ai humbi jetën duke lënë pas një trashëgimi të madhe ndër breza ku punoi gjithë jetën e tij për t’i arsimuar të tjerët dhe për t’ju siguruar një jetë më të mirë.

Të gjithë nxënësit e tij që kemi takuar ndër vite kanë folur fjalë miradie. Ai la pas katër fëmijë të mrekullueshëm, ku djali i vetëm jeton dhe punon në Florida bashkë me bashkëshorten e tij të cilët janë integruar plot kulturë në botën amerikane, çka na bëjnë krenar si fisi Zylaj dhe Diasporë.

Mesues Ceno Zylo do të kujtohet përgjithmonë nga brezat që mësoi dhe edukoi gjatë gjithë jetës së tij.

Ai u përcoll me respekt dhe nderime nga familja, të afërmit miqtë e shumtë për në banesën e fundit në Tiranë. Lamtumire njeriu i mirë, Mësues Ceno Zyli!

20 tetor, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: Mergata

AT GJERGJ FISHTA: SHQIPTAR JETOI GJITHË JETËN!

October 23, 2024 by s p

Në ditëlindjen e tij

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli: Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro ...

                                  23 Tetor, 1871 – 30 Dhjetor, 1940

Ja, erdhi edhe një përvjetor ditëlindjeje i At Gjergj Fishtës! Edhe kjo si të gjitha më parë – përvjetorët e lindjes dhe kalimit të tij në amshim — vjen e shkon, pa u kujtuar, pa u përmendur, zyrtarisht — dhe i harruar nga shumica, pothuaj ashtu si dikur nën regjimin komunist të Enver Hoxhës kur ishte shpallur, armik, fashist, i shitur e tradhëtar. Si rrjedhim dhe me qëllim që të mos i përmendej emri as vepra e tij. Të konsiderohej i paqenë, sikur të mos ketë ekzistuar fare! 

 Këto rreshta modest sot, le të shërbejnë vetëm si një kujtim kalimtar për lexuesin e rendomtë se me 23 Tetor, 1871 ka lindur At Gjergj Fishta, një burrë i madh i Kombit –- por i harruar dhe i abuzuar nga një diktaturë fatzezë për veten dhe për Kombin. Që për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe për rreth 35-vjet regjimesh në “demokraci”, të përbëra nga post-shërbetorë dhe nostalgjikë të atij regjimi, deri në ditët e sotëme.  

Kjo, megjithse sot, emri i Gjergj Fishtës mund të përmendet, aty këtu, ndërsa veprat e tija botohen nga individë dhe ente private, por për autoritarët politikë të “post-komunizmit” aktual dhe për akademikët e varur prej tyre, ideologjikisht dhe financiarisht– përfshir Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, po edhe atë të Kosovës — zyrtarisht, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e shumë të tjerë si këta, të njohur dhe më pak të njohur — vazhdojnë të konsiderohen ashtu si në diktaturën komuniste – tradhëtar, të shitur e armiq të Shqipërisë — të harruar dhe të abuzuar për pothuaj një shekull tanai! Apologjetët e sotëm të diktaturës komuniste në Shqipëri nuk kanë turp në fytyrë. Jo vetëm që kujtohen rregullisht në raste të nevojshme, por me fonde të shtetit shqiptar, shkrimtarëve të realizmit socialist-komunist po u rinovohen shtëpitë e tyre dhe po u dedikohen muze me vendime zyrtare dhe me pëlqimin dhe miratimin  nga shërbëtorët dhe nostalgjikët e ish-regjimit enverist – gjithnjë në pushtet dhe poste për të marrë  vendime të tilla.

Fatkeqësia e përjashtimit dhe e harresës — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë At Gjergj Fishta në Atdheun e vet — për të cilin luftoi aq shumë për të ndërtuar një Shqipëri të vërtetë dhe për bashkimin kombëtar në periudhat më të mjerueshme për të— është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. I hedhur në harresë nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat, vlerat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, ndoshta edhe për faktin se – ndryshe nga ish-regjimi komunist dhe nostalgjikët e tij,  Fishta me veprat e tija të pavdekshme, ka përjetësuar vlerat dhe traditat kombëtare të fisit të shqiptarit, për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve.  

Për fat të keq të Kombit, mashtrimet dhe tradhëtia, për pothuaj një shekull komunizëm e post-komunizëm ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, vazhdojnë. Nuk ka ndryshuar asgjë as nga “përdhunimi historik”, ndaj tij, kujtesës dhe veprës së tij: harresa e qëllimtë zyrtare dhe denigrimi historik kundër At Gjergj Fishtës, vazhdojnë. E nga kush?! 

Nga një klasë politike post-diktatoriale por me influencë në vendimarrje të tilla — nga një grup i brezit të historianëve politikë të idoktrinuar, që edhe sot kryesojnë dhe drejtojnë, ndër të tjera, Akademinë e Shkencave dhe entet e tjera kryesore akademike e kulturore, në vend.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve politike dhe akademike shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian –ndërsa nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave afatgjata kombëtare – të kësaj familje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, historikisht, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.

Nuk mund të durohem, por më duhet të shtroj pyetjen për ata që kanë pushtetin në dorë e që mund të marrin kollaj vendime në favor të figurës së Gjergj Fishtës dhe rolit të tij në historinë kombëtare. Se si mund të gënjeni duke u deklaruar si pro-perendimorë, se po, deshironi t’i bashkoheni Evropës dhe aleancave perëndimore, por njëkohësisht, vazhdoni të përjashtoni dhe të mos kujtoni At Gjergj Fishtën, shqiptarin, ndoshta më pro-perëndimor të fisit shqiptar ndër shekuj – që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Na është thenë se Shqipëria ka “shënuar një moment historik në procesin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke hapur grup-kapitullin e të negociatave në kuadër të Konferencës Ndër-qeveritare të mbajtur në Luksemburg, një javë më parë. Megjithse shpresat janë të paka dhe procesi shumë i gjatë, por nuk besoj se Shqipëria hynë në Bashkimin Evropian pa vlerat pro-perëndimore të At Gjergj Fishtës.

Për mua është e vështirë të marr me mend se pse gjithë ky inat e mllef ndaj At Gjergj Fishtës, madje edhe sot kur Shqipëria aktuale politike pretendon se jeton në një “demokraci”, ndonëse e brishtë! Përveç faktit se komunistët shqiptarë të periudhës së Enver Hoxhës dhe nostalgjikët e sotëm të komunizmit, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat kombëtare dhe dashurinë At Gjergj Fishtës për Atdheun, për Shqipërinë. Sepse, siç ka shkruar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Fishtës Karl Gurakuqi Frank Shkreli: Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rustemit | Gazeta Telegraf – “…Gjëndemi përpara dy mendësive, (sa i përket trajtimit ose keq-trajtimit të Fishtës nga autoritetet shqiptare në të kaluarën dhe tani, shënimi im) e që janë shumë larg njëra nga tjetra, sa nata me ditë: simbas edukatës së Poetit (Fishtës), të marrur në rini e simbas ambientit në të cilin është rritur: Shqipëria duhej të dilte në dritë me bashkim zemrash, me vëllazëri, me arsim e kulturë, me nderim të cilësive karakteristike shqiptare: besë, burrni, nder e fe. Kurse, Shqipëria e anës kundërshtare (e komunizmit dhe shërbëtorëve të diktaturës sot, shënim i imi), është mbështetur në mëni, në ndasi, në errësirë, në vrasje e në përçmim të gjërave më të shënjta, si histori, letërsi, gjuhë e flamur. Me fjalë tjera, kanë qitë cekën me e shburrëruar Shqipërinë, me e shfisnuar e me e bastardhuar. Është program i atyre që nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë, janë ata të shkollës së Tartufit…”, ka shkruar i ndjeri Karl Gurakuqi. 

Këta, vërtetë janë të shkollës së tartufit — hipokritë! Mirë e ka thënë Karl Gurakuqi. Kemi të bëjmë me dy pikpamje të ndryshme – si nata me ditë — sa i përket vlerave kombëtare dhe dashurisë për Atdheun. Kemi të bëjmë me doktrinën internacionaliste të komunistëve shqiptarë të cilët ishin gati të ndryshonin dhe e ndryshuan flamurin e Gjergj Kastriotit Skenderbe për qëllime ideologjike duke e hedhur në baltë, e duke i shtuar drapër e çekiq, simbolet e komunizmit ndërkombëtar. E nga ana tjetër kemi Gjergj Fishtën — siç na kujton edhe Karl Gurakuqi në shkrimin e tij me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Poetit — i cili sipas tij, me guxim të pashoq, kur Shkodra ishte e pushtuar nga fuqitë ndërkombëtare të kohës që nuk lejonin valvitjen e flamurit shqiptar, vetëm nji vit pas pavarësisë,  në kundërshtim me ta, Gjergj Fishta ka ngritur flamurin e Kombit mbi kambanën e Kishës së Franeskanëve, ndërsa nepër rrugët e Shkodrës nxorri fëmijtë e shkollës për të kënduar himnin e flamurit të përpiluar nga vet Fishta: Gjergj Fishta – Hymni I Flamurit Kombetar –  Gurakuqi kujton fjalët e Fishtës kur u predikonte fëmijve duke u thëne se, “Nuk preket toka shqiptare, se trolli ynë është i shejtë, i huaji nuk ka çka bën ndër ne kur vjen me qëllime të këqia…”, duke shprehur të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në tokën e të parëve të vet dhe për ta mbrojtur nga të gjithë të huajt me të gjitha fuqitë dhe me ndihmën e Zotit, sipas Fishtës:

Jo, po na sot këtu sundojmë;

Këtu s’ecë fjala e tjetërkuj;

Gjallë lirinë na nuk e lshojmë

S’njohim mbret e as krajl të huej!

Zoti në qiell e na mbi tokë;

Me gjithkend vëllazen e shokë,

Por secili n’cak të vet!  

Dhe më në fund në këtë përvjetor të lindjes së Gjergj Fishtës u kujtojmë të gjithë atyre që ende mund ta konsiderojnë atë “tradhëtar”, “i shitur”,  dhe epitete të tjera fyese, sidomos atyre që, “nuk po u kuqet fytyra t’a bajnë Atdheun plaçkë shkëmbimi”, sipas fjalëve të Karl Gurakuqit.  U kujtojmë atyre dhe gjithë të tjerëve se Gjergj Fishta – në këtë përvjetor të lindjes dhe gjithmonë — jetoi dhe mbeti shqiptar. Ndryshe nga ata që e kanë përjashtuar dhe këta që vazhdojnë ta përjashtojnë, ta harrojnë dhe të mos e kutojnë as në ditëlindjen e tij, për vlerat, kontributet dhe dashurinë e tij për Atdheun – Fishta, “Shqiptar jetoi gjithë jetën. I varfër leu dhe më i varfër vdiq. Nuk grumbulloi pasuri, por i la kombit pasurinë më të madhe: veprat që nuk dijnë kurrë mort!” (Karl Gurakuqi)

Gëzuar ditëlindjen, At Gjergj Fishta, Apostull i Madh i bashkimit dhe vëllazërimit shqiptar!

Filed Under: Mergata

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u takua në New York me Ritchie Torres, kryetarin e Vatrës e personalitete të shquara shqiptare në Amerikë

October 21, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani u takua në New York me Kongresistin Ritchie Torres, kryetarin e Vatrës Dr. Elmi Berisha e personalitete të shquara shqiptare në Amerikë si Harry Bajraktari, Dr. Sulejman Çelaj, Ramiz Kukaj, Halil Mula etj. E shoqëruar nga Ambadador Blerim Reka në komentin zyrtar Presidentja Osmani shkroi: “Në New York kishim një diskutim përmbajtësor me Kongresistin Ritchie Torres për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

Mirënjohës për mbështetjen e tij të palëkundur për Kosovën dhe për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara.

Faleminderit mërgatës sonë për organizimin dhe që vazhdon të luajë rol kyç në kultivimin dhe fuqizimin e vazhdueshëm të kësaj aleance. 🇽🇰🇺🇸“.

Foto: Dritan Haxhia

Filed Under: Mergata

A Tribute of Gratitude for Father Liolin at first memorial in St. George’s Cathedral, Boston

October 5, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Daughter’s of St. George hoped earnestly that the first In memoriam service of Father Liolin would be a tribute of appreciation and gratitude for their beloved pastor at the St. George Albanian Orthodox Cathedral in Boston last Sunday. He had guided in prayer, had baptized, married and did funeral services for generations of families. It was almost an instinctive reaction that the large communal family of the faithful, who he had served for 50 years, set out to host a luncheon for the immediate family, “especially Margaret, priftëresha, and the children,” said Lisa Sotir from the Daughters of St. George. “Father Liolin was our priest for decades, but he was their father and husband. They gave up so much of him to us. They’ll be in the community, so that our church would thrive,” she explained. As the teachings tell us, gratitude is a simple yet most powerful act we can do for each other.

The liturgy at Church carried special significance, as Father Juxhin (Shkurti), the new priest, delivered his first service on the heels of the ordaination just the previous week. While the timing may feel serendipitous, the decadeslong work by Father Liolin and the diocese are recognized by the community. After the liturgy, over one hundred people went downstairs in the newly renovated hall. David Kosta, Lay Chairman of the St. George Advisory Board, describes it as lovely tribute to Father Liolin.

To help with the narration of his story, the Daughters had brought dahlias, Father’s favorite, that decorated every window and table, they served lakror, another favorite of his, ethnic desserts, fruit, salads and so on. The new priftëresha Livia Shkurti had prepared the traditional grurë for the memorial. Pictures of Father were on display throughout the church halls, a video feed and photo montage with the family ran on two TV screens while, in the Reception Room played a documentary about Fan Noli and Father Liolin.

Evans Liolin, son of the family, speaking on behalf of the Liolin family, gave “a hearty thank you to all who celebrated my father on his one-year memorial at St. George Cathedral. We are equally grateful to have spent quality time with many of you, nearly a year ago. Dad loved his adoptive community as much as his biological children. Collectively, we share our father’s appreciation for the arts, music, scholarship, and excellence in all its forms. So, it is with great honor that we wish, “I përjetshëm Kujtimi” for our father. “

At one particular moment, Evans recalled how at home the Liolins would have to stop what they were doing to join Father Liolin as he led them spontaneously into “Për Shumë vjet” at meals, house gatherings, and holiday guests. At the first memorial of Father’s passing, Evans said he was overcome “by a surprisingly gentle, yet unifying rendition of “Për Shumë Vjet, sung by everyone in attendance. Bravo, St. George…!”

Filed Under: Mergata

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York

September 30, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, bënë homazhe pranë varrezave të vëllezërve Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të vrarë nga shteti i Serbisë, 25 vjet më parë.

Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezër shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbinë, që po shkonte drejt Kralevës. Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.

Duke u kthyer tek varrezat e dëshmorëve, duke i rikujtuar ata, sakrificën edhe flijimin e tyre, i mirëmbajmë vlerat e luftës që na nevojiten neve më shumë se sa dëshmorëve dhe duke e ditur prej nga vijnë, ne e dimë edhe nga po shkojmë, u shpreh kryeministri Kurti pas homazheve. Idealet e dëshmorëve duhet të shndërrohen në programe politike e qeveritare, në projekte zhvillimore, në plane të punës e në aksione si të institucioneve ashtu edhe të shoqërisë, shtoi ai.

Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”.

Bashkë me kryeministrin, në homazhe ishin edhe ambasadori Blerim Reka dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT