• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Organizata Shqiptaro Amerikane për Maqedoninë e Veriut zhvilloi një takim edhe me kongresisten Delia Ramirez nga shteti i Illinois

May 8, 2026 by s p

Në vazhdën e takimeve me Kongresin Amerikan, Organizata Shqiptaro Amerikane për Maqedoninë e Veriut zhvilloi një takim edhe me kongresisten Delia Ramirez nga shteti i Illinois, njëkohësisht anëtare e Albanian Caucus.

Biseda u përqendrua në situatën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, respektivisht në degradimin e të drejtave që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila edhe sot mbetet e pazbatuar plotësisht. Kongresistja Ramirez u njoh me faktet që dëshmojnë mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe me vizionin e organizatës sonë për tejkalimin e kësaj situate.

Ne ngritëm shqetësimet tona lidhur me ndikimin rus dhe kinez, të cilat përmes Serbisë ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, shprehëm nevojën urgjente për gjetjen e mekanizmave efektivë që garantojnë barazinë ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve.

U përmendën gjithashtu protestat e studentëve dhe moszbatimi i ligjit për gjuhët, përfshirë mohimin e së drejtës për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në fund, u diskutua nevoja për rishikimin e sistemit aktual dhe ndërtimin e një modeli që mbron identitetin dhe të drejtat gjuhësore, ul tensionet ndëretnike, fuqizon kompetencat në arsim dhe kulturë, menaxhon një pjesë të të ardhurave fiskale, ka autoritet në zhvillimin ekonomik rajonal, miraton rregullore lokale dhe ushtron kontroll mbi rendin publik në nivel vendor.

Një shtet i barabartë për të gjithë.

Filed Under: Mergata

PA BUSULL HISTORIKE – KUR “KULTURA” PËRPLASET ME KUJTESËN KOMBËTARE NË PRIZREN DHE HESHTJA E INSTITUCIONEVE NË PRISHTINË E NË TIRANË

April 29, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Jemi mësuar ta konsiderojmë Prizrenin si kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve. Jo për shkak të institucioneve, jo për shkak të pushtetit politik, por për shkak të peshës së historisë që ai mbart. Në këtë qytet Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka hedhur themelet e vetëdijes kombëtare, në këtë qytet historia nuk është thjesht e kaluara — është identitet. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-lidhja-e-prizrenit-nje-kthese-vendimtare-per-kombin/

Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në Prizren nuk është i zakonshëm. Nuk mund të jetë. Kur në një hapësirë të tillë zhvillohen aktivitete me simbolikë të diskutueshme historike, reagimi nuk është thjesht emocional — është reagim ndaj një ndjenje se po lëkundet diçka më e thellë, në këtë mes. Sepse, për të gjithë ata që jetojnë aty ose kanë vizituar atë vend, Prizreni nuk është vetëm një qytet i bukur me kalldrëme dhe monumente. Ai është një pikë referimi për atë çfarë shqiptarët kanë qenë dhe çfarë pretendojnë të jenë.

Në qendër të Prizrenit, aty ku historia shqiptare ka marrë një nga kthesat më vendimtare të saj kombëtare, zhvillimi i një parade me simbole osmane para disa ditësh, me të drejtë ka shkaktuar reagime të forta, por edhe të ndara në opinionin publik. Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht një shfaqje folklorike apo turistike, por një fyerje ndaj kujtesës historike të Kombit Shqiptar. Problemi nuk qëndron vetëm te një paradë apo një aktivitet i caktuar. Problemi është mungesa e një vije të qartë dhe standarde nga institucionet e dy shteteve shqiptare: çfarë përfaqëson sot Prizreni për shqiptarët? A është ai një skenë, ku përfaqsuesit e pushtuesve të çdo periudhë historike, mund të shfaqet pa dallim, apo një hapësirë që kërkon një filtër më të fortë të dukurive të tilla, për shkak të simbolikës që mbart?

Një qytet si Prizreni pra, kërkon përgjegjësi më të madhe nga institucionet shtetërore në Kosovë dhe në Shqipëri. Kërkon vetëdije. Kërkon kujdes. Nuk mjafton të thuash “është kulturë” apo “është trashëgimi”. Pyetja e vërtetë është: çfarë mesazhi po japin shqiptarët në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar kur zgjedhin të shfaqin, pikërisht, këtë pjesë të historisë, pikërisht, në këtë qytet dhe në këtë kohë? Nëse Prizreni është “kryeqytet shpirtëror simbolik”, siç e konsiderojnë shumica e shqiptarëve, atëherë ai duhet të trajtohet si i tillë e jo si një hapësirë neutrale ku gjithçka është e barabartë dhe e pranueshme, pa reflektim historik. Sepse në fund të fundit, një komb nuk humb historinë brenda natës. Ai e humb atë ngadalë — duke mos ditur më dhe më me shumë kujdes — se çfarë duhet të ruajë nga influencat dhe pretendimet e pushtuesve të huaj shekullorë në trojet e sotëme iliro-arbërore.

Nuk bëhet fjalë, pra, për një qytet të zakonshëm. Sepse, Prizreni është vendi ku më 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit — një moment themelor në artikulimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në përpjekjet për mbrojtjen e trojeve shqiptare, pa dallim qyteti a krahine. Prandaj, çdo aktivitet publik në këtë hapësirë nuk është thjesht spektakël; ai mbartë domethënie historike identitare pë shqiptarët. Pikërisht për këtë arsye, një pjesë e opinionit publik i sheh këto nisma, jo vetëm problematike, por edhe ofenduese ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve. Argumenti është i thjeshtë: historia nuk është neutrale. Ajo as nuk paraqitet në vakum, por në kontekste konkrete, me simbolikë dhe mesazhe që ndikojnë në mënyrën se si një komb e kupton vetveten dhe të kaluarën e vet.

Po nga ana tjetër, mbështetsit e këtyre aktiviteteve theksojnë se periudha osmane është pjesë e pandashme e historisë së qytetit dhe ka lënë gjurmë të dukshme në arkitekturë, kulturë dhe traditë. Sipas kësaj logjike, rikrijimet historike apo eventet tematike nuk janë glorifikim, por një mënyrë për të promovuar trashëgiminë dhe për të tërhequr turizëm. Por dilema nuk zgjidhet kaq lehtë. Sepse problemi nuk është vetëm çfarë shfaqet, por edhe ku dhe si shfaqet. Një aktivitet që mund të ishte i pranueshëm në një kontekst tjetër, merr një kuptim krejt tjetër kur zhvillohet në një hapësirë me ngarkesë të fortë simbolike kombëtare, siç është Prizreni, për të gjithë shqiptarët, kudo. Nëqoftse dikujt i nevojitet një kujtesë se prizreni është i të gjithë shqiptarëve, dëgjoni njëherë këngën popullore “Thërret Prizereni mori Shkodër”. Muzikën e këngës e ka punuar si kompozitor Hamëz Llapqeva, ndërsa autor i tekstit rezulton të jetë Sylë Bajrami, të dy shqiptarë nga Kosova Mix – Aurela Gace – Therret Prizreni (Kenge Moj).

Prandaj, në këtë mes, hyn në lojë një tjetër dimension i debatit e që është roli i institucioneve, si ruajtës të historisë, kulturës dhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Si Tirana ashtu edhe Prishtina janë përballur shpesh me kritika për mungesë qëndrimi të qartë në raste të tilla, si dhe për rrezikun e influencave të huaja në trojet shqiptare. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-edhe-nje-here-per-rrezikun-ruso-turk-ne-shqiperi-dhe-ne-kosove/ Në emër të “hapjes”, “diversitetit kulturor” apo “promovimit turistik”, vendimet në lidhje me dukuri të tilla, lihen të pa-artikuluara e pa standard, ndërsa publiku detyrohet t’i interpretojë vetë. Kjo heshtje zyrtare, natyrisht, krijon një boshllëk. Dhe në këtë boshllëk lindin përplasjet: njëra palë sheh në këto aktivitete një formë normalizimi dhe justifikimi të së kaluarës së pushtimeve të tokave shqiptare nga të huajt, ndërsa pala tjetër i konsideron si shprehje të një identiteti të shumëfishtë kulturor. Pa një kornizë të qartë institucionale, çdo ngjarje e tillë kthehet në krizë sado të vogël, publike.

Kjo është arsyeja pse kërkohet një qasje më e matur zyrtare. Jo mohimi i historisë, por kornizimi i saj me përgjegjësi. Për këtë janë fajtorë si Tirana ashtu edhe Prishtina. https://telegraf.al/politike/bashkia-tirane-ngre-monument-per-viktimat-e-grushtit-te-deshtuar-te-shtetit-kunder-erdoganit/ Një shtet që respekton veten nuk e fshin asnjë periudhë historike, por as nuk i trajton të gjitha njësoj. Ai vendos kufij të qartë për hapësirat simbolike në haopësirat publike, për mënyrën e përfaqësimit dhe për mesazhet që përcillen në publik. Sepse në fund të fundit, çështja nuk është vetëm për një paradë apo një aktivitet kulturor. Është për mënyrën se si një shoqëri zgjedh të kujtojë historinë e vet. Është për vijën ndarëse mes kujtesës dhe harresës. Ka momente kur një shoqëri duhet të ndalet dhe të pyesë veten: çfarë po festojmë në të vërtetë? Sepse jo çdo “aktivitet kulturor” është i pafajshëm dhe jo çdo rikrijim historik është i shkëputur nga domethënia që mbart. Dhe mbi të gjitha, mbeten pa përgjigje zyrtare, pyetjet thelbësore: a po e ruajnë shqiptarët historinë e vet, apo ata po mësohen ta relativizojnë atë, pak nga pak? Ku mbaron trashëgimia kulturore dhe ku fillon glorifikimi politik i pushtuesve historik të trojeve shqiptare?

Zhillimi i “Paradës ushtarake osmane” në Prizren këto ditë, kërkon shpjegim dhe përgjigje nga autoritetet vendore dhe qendrore të Republikës së Kosovës. Sepse pa busull historike nga autoritetet shtetërore e sidomos kur Tirana dhe Prishtina zyrtare heshtin për zhvillime të tilla në dy shtetet shqiptare atëherë, natyrisht, do vendosin të tjerët. Kur institucionet nuk flasin qartë, hapësira publike mbushet me zëra të tjerë. Dhe shpesh, këta zëra nuk udhëhiqen nga kujtesa historike as nga interest kombëtare por nga interesa të momentit — kulturore, turistike apo edhe politike.

Rasti i fundit në Prizren nuk është një incident i izoluar. Ai është simptomë e një problemi më të thellë: mungesa e një politike të qartë shtetërore për trajtimin e historisë në hapësirat publike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin

Perëndimor. Në një qytet ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çdo aktivitet me simbolikë historike nuk mund të trajtohet si argëtim i zakonshëm. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për ndalimin e historisë — por për kornizimin e saj me përgjegjësi.

Në mungesë të kësaj busulle, çdo debat bëhet emocional, çdo reagim bëhet i ashpër, dhe çdo vendim duket pastak si kompromis. Dhe atëherë lind pyetja që nuk mund të shmanget më: A po drejtohen Kosova dhe Shqipëria nga një vizion i qartë për historinë kombëtare, apo nga rrethanat politike të ditës dhe nga interesat personale dhe partiake të rastit? Sepse historia nuk është dekor. Ajo është themel. Dhe kur themeli lihet pa mbrojtje, çdo ndikim — i brendshëm apo i jashtëm – dalngadal, gjen vend për t’u bërë normë. Në fund të fundit, përgjegjësia është e atyre në Tiranë e Prishtinë të cilët do duhej të kishin vendosur me kohë këto standarde, por që për fat të keq, autoritetetet shqiptare, zgjedhin të mos vendosin standard as mos të marrin përgjegjësi.

Frank Shkreli

“Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar.” Abdyl Frashëri, ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbrojtja e trojeve shqiptare bashkimi i vilajeteve shqiptare ishte synimi i Lidhjes me qëllim për të ndaluar ndarjen e tyre nga shtetet fqinje dhe Perandoria Osmane.

Filed Under: Mergata

Emërtimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë me emrin e Kongresmenit Eliot Engel nderon mikun e madh të shqiptarëve dhe forcon miqësinë e shenjtë SHBA–Kosovë

April 29, 2026 by s p

Projektligji dypartiak i prezantuar sot nga Kongresmenët Ritchie Torres, Michael McCaul dhe Brian Mast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për ta emërtuar Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me emrin e Kongresmenit Eliot Engel është një lëvizje e duhur dhe thellësisht domethënëse.

Me punën e tij, ish-Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Kongresmeni Eliot Engel, shpëtoi dy milionë shqiptarë nga gjenocidi serb në vitet 1998–1999. Që nga fillimi i karrierës së tij në vitin 1989, për më shumë se tre dekada, ai ishte një ndër mbështetësit më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ai ishte një lider i vërtetë amerikan, i cili e vizitoi Kosovën për herë të parë në vitin 1993, në një kohë kur shumë pak njerëz e dinin se ku ndodhej Kosova. Që nga ai moment, ai qëndroi pranë popullit tonë dhe nuk e ndali kurrë mbështetjen e tij.

Emërtimi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë me emrin e Kongresmenit Engel do të kishte një peshë të thellë simbolike.

Ai i priu procesit të vitit 1996 për të hapur zyrën e Agjencisë së Informacionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë — prania e parë diplomatike e SHBA-së në Kosovën e pushtuar.

Vite më vonë, në vitin 2019, si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Kongresmeni Engel preu shiritin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-së në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Unë e mbështes fuqishëm këtë nismë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe u bëj thirrje të gjithë ligjvënësve që të bashkohen dhe ta bëjnë realitet.

Kongresmeni Engel e meriton të nderohet në këtë mënyrë. Ai mishëron përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës, ndaj lirisë, sovranitetit dhe pavarësisë së saj.

Kosova nuk ka aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara. Kosova është vendi më pro-amerikan në botë. Kjo nismë nderon miqësinë SHBA–Kosovë dhe vlerat tona të përbashkëta.

Zoti e bekoftë Kongresmenin Engel 🙏

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan 🇺🇸

Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar 🇽🇰🇦🇱

🔗 – https://ritchietorres.house.gov/…/reps-torres-meeks…

Filed Under: Mergata

Gjimnazi “Zosimea”: Inkubatori i elitës shqiptare të Rilindjes

April 27, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi

Në historinë e formimit të elitave shqiptare gjatë shekullit XIX, Gjimnazi “Zosimea” në Janinë zë një vend të veçantë dhe paradoksal. Ai nuk ishte një institucion shqiptar në kuptimin kombëtar, por një shkollë greke në gjuhë, në program dhe në orientim kulturor. Megjithatë, pikërisht ky institucion u bë një nga burimet kryesore të formimit të elitës shqiptare që do të udhëhiqte Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Ky fakt nuk është thjesht një rastësi historike, por një dëshmi e fuqisë transformuese të arsimit. Zosimea ishte një hapësirë ku kultura, ideologjia dhe identitetet ndërthureshin, duke krijuar një brez intelektualësh që, ndonëse të formuar në një traditë të huaj, do të bëheshin bartësit kryesorë të projektit kombëtar shqiptar.

Një paradoks historik

Në historinë e formimit të elitave shqiptare gjatë shekullit XIX, pak institucione arsimore kanë ushtruar një ndikim kaq të thellë dhe njëkohësisht kaq paradoksal sa Gjimnazi “Zosimea” në Janinë. Në pamje të parë, ky institucion nuk kishte asgjë shqiptare në kuptimin kombëtar—ai ishte një shkollë greke në gjuhë, në program dhe në frymëzim kulturor—por megjithatë u shndërrua në një nga burimet kryesore të formimit të elitës shqiptare që më vonë do të udhëhiqte Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Ky fenomen përfaqëson një nga paradokset më domethënëse të historisë ballkanike: një institucion i krijuar për të përhapur një identitet kulturor, kontribuon në lindjen e një identiteti tjetër, shpesh në kundërshtim me misionin e tij fillestar.

Janina dhe Iluminizmi Ballkanik

Gjimnazi “Zosimea” u themelua në vitin 1828 nga vëllezërit Zosima, tregtarë të pasur të diasporës epirote, në një kohë kur Janina ishte një nga qendrat kryesore të Iluminizmit grek dhe një nyje e rëndësishme kulturore në Perandorinë Osmane.

Në këtë pikë, pesë vëllezërit Zosima, të cilët kishin emigruar në Rusi dhe ishin bërë tregtarë të suksesshëm, vendosën të japin një kontribut të rëndësishëm, duke financuar themelimin e një institucioni të ri arsimor. Gjimnazi “Zosimea” u themelua në vitin 1828 dhe fillimisht funksionoi si një shkollë me katër klasa. Komiteti i Shkollave të Janinës, një organizatë përgjegjëse për administrimin e institucioneve arsimore të qytetit, kishte përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e Zosimeas, me mbështetjen financiare të familjes Zosima.

“Gjimnazi është themeluar nga vëllezërit Zosimea në vitin 1769.”  Shkolla u quajt Zosimea për nder të vëllezërve Zosimea me shpenzimet financiare të së cilëve edhe u themelua dhe funksionoi për një periudhë të gjatë kohore. “Zosimea” ishte e pajisur edhe me një bibliotekë të pasur si dhe më një laborator të fizikës. • Hapja e gjimnazit “ Zosimea “ në Janinë është edhe meritë e padiskutueshme e kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe e qëndrimeve të tij. Aty mësoheshin greqishtja e vjetër dhe latinishtja si dhe italishtja e frëngjishtja.

Askund më pare nuk është përmendur kjo vepër unikale e Vezirit të Janinës, e cila pati kontribute të veçanta për arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre viseve, vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra pionierë të Rilindjes dhe Pavarësisë Shqiptare, por edhe të asaj greke.

Në vitin 1833, Anastasios Sakellarios nga Zagoria, ish-nxënës i Athanasios Psalidas—një nga figurat më të rëndësishme të Iluminizmit grek dhe këshilltar i Ali Pashës—u emërua drejtor i Zosimeas. Në vitin 1840, programit arsimor të shkollës iu shtuan edhe tri klasa të tjera.

Gjatë drejtimit të Sakellarios-it, Zosimea u shndërrua në një nga shkollat më të rëndësishme në gjuhën greke në botën osmane. Për më tepër, një numër turqish dhe shqiptarësh gjithashtu ndoqën studimet në Zosimea, disa prej të cilëve u bënë figura të shquara në vendet e tyre. Numri i nxënësve arriti në 400 gjatë administrimit të Sakellarios-it. Shumica e të diplomuarve të Zosimeas ose vazhdonin studimet e tyre, kryesisht në Universitetin e Athinës, ose bëheshin mësues në një nga shkollat greke në Gadishullin Ballkanik. Në vitin 1860, për shkak të prestigjit të lartë të shkollës, Universiteti i Athinës lejonte pranimin e të diplomuarve të Zosimeas pa provime pranimi.

Në këtë kontekst, arsimi nuk ishte thjesht një proces didaktik, por një instrument transformimi shoqëror dhe kulturor. Institucione si Zosimea shërbenin si ura midis Lindjes osmane dhe Perëndimit evropian, duke përhapur ide të reja mbi racionalizmin, reformën dhe modernitetin.

E rëndësishme , ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai i përcjelljes së këtyre ideve. Pra siç shihet, ” Zosimea ” ishte një shkollë e përparuar e nivelit europian.]

Thanas Psalidha, ish mësues i drejtorit të atëhershëm i Sakellarios, ka qenë përjashtuar nga marrëdhëniet akademike, dhe në fund të jetës së vet, shkoi në Korfuz. Ndodhi kjo për shkak se idetë e tij ishin shumë përparimtare për kohën.

Idetë e Iluminizmit evropian, të ndërmjetësuara përmes arsimit në institucione si Gjimnazi “Zosimea” në Janinë, si dhe njohja e gjuhëve të huaja, veçanërisht frëngjishtes dhe italishtes, luajtën një rol vendimtar në formimin intelektual të brezit të rilindësve shqiptarë. Përmes këtyre kanaleve, nxënësit shqiptarë u ekspozuan ndaj ideve të racionalizmit, lirisë individuale, barazisë para ligjit dhe konceptit modern të shtetit-komb, që përbënin thelbin e Iluminizmit. 

Frëngjishtja, si lingua franca e diplomacisë dhe e mendimit politik evropian në shekullin XIX, u hapi atyre akses në veprat e mendimtarëve si Montesquieu, Rousseau dhe Voltaire, ndërsa italishtja shërbeu si urë lidhëse me botën kulturore dhe letrare të Italisë, ku idetë nacionaliste dhe romantike kishin marrë një zhvillim të hershëm. 

Kjo përgatitje shumëgjuhëshe nuk ishte thjesht një aftësi teknike, por një mjet për të hyrë në një univers të ri konceptual, ku kombi nuk shihej më si një bashkësi fetare apo krahinore, por si një entitet politik dhe kulturor i vetëdijshëm për identitetin dhe të drejtën e tij për vetëvendosje. Në këtë mënyrë, ndikimi i Iluminizmit dhe i gjuhëve evropiane në formimin e elitës shqiptare ishte thelbësor, pasi krijoi bazën teorike dhe kulturore mbi të cilën u ndërtua Rilindja Kombëtare Shqiptare. 

Në këtë shkollë të mesme, ku studiuan vëllezërit Frashëri, një studiues i apasionuar i jetës, veprës dhe ideve të tyre ka ndjekur gjurmët e shkollimit të tyre, siç është Profesor Zija Xholi, dhe së bashku me të, një ish-punonjës i ambasadës sonë në Greqi dhe më vonë ambasadori ynë në Turqi, Z. Jonuz Begaj…! Në sallonin e kësaj shkolle të mesme, figurat e Rilindjes Kombëtare Naimi dhe Samiu, të rinj në atë kohë, u njohën me klasikët greko-latinë të epokës së vjetër dhe me klasikët italianë dhe francezë të kohërave moderne.

Atje, në shkollën e mesme ose në konsullatën franceze të Janinës, Naimi ynë mori një kërkesë nga albanologu francez, Auguste Dozon, për të mbledhur fjalë të urta në atdheun e tij, në rajonin e Dangëllisë. 

Janina ishte një nga qendrat më të rëndësishme të Iluminizmit ballkanik dhe Zosimea u shndërrua shpejt në një institucion prestigjioz, ku studionin jo vetëm grekë, por edhe shqiptarë dhe përfaqësues të popujve të tjerë të rajonit. 

Ky karakter i hapur dhe ndërkombëtar e bëri shkollën një qendër të formimit të elitave transnacionale.

Programi arsimor dhe formimi intelektual

Programi arsimor i Zosimeas ishte i ndërtuar mbi modelin e arteve liberale dhe përfshinte një gamë të gjerë disiplinash: gjuhën dhe letërsinë greke, filozofinë, retorikën, historinë dhe gjuhët e huaja. 

Ky program synonte të krijonte një elitë të arsimuar, të aftë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të vepruar në administratë dhe diplomaci. Nxënësit dilnin nga kjo shkollë me njohuri të thella dhe me një aftësi të zhvilluar për analizë dhe argumentim.

Në këtë mënyrë, Zosimea krijoi një tip të ri intelektuali: një individ që zotëronte gjuhë të huaja, njihte kulturën evropiane dhe ishte i aftë të merrte pjesë aktive në jetën publike.

htë e rëndësishme të kuptohet se Zosimea nuk ishte një institucion neutral. Ajo ishte pjesë e një projekti kulturor që synonte përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke në Ballkan. Përmes saj, krijohej një elitë e lidhur me traditën helene dhe me Kishën Ortodokse.

Megjithatë, ndikimi i saj mbi shqiptarët nuk ishte i njëtrajtshëm. Në vend që të prodhonte vetëm një elitë të helenizuar, ajo krijoi edhe individë që filluan të reflektojnë mbi identitetin e tyre dhe të kërkojnë një rrugë të veçantë kombëtare.

Figura shqiptare të formuara në Zosimea

Një nga dëshmitë më të forta të rolit të kësaj shkolle është lista e figurave shqiptare që kanë studiuar në të. Këto figura përfaqësojnë pothuajse të gjitha fushat e jetës kombëtare: politikën, kulturën, gjuhësinë dhe administratën.

Ndër më të rëndësishmit janë:

  • ISMAIL QEMALI, arkitekti i pavarësisë shqiptare dhe një nga figurat më të rëndësishme të shtetformimit. 
  • NAIM FRASHËRI, poeti kombëtar dhe ideolog i Rilindjes. 
  • SAMI FRASHËRI, mendimtar, enciklopedist dhe reformator i shquar. 
  • ABDYL FRASHËRI….Veprimtar politik, një nga organizatorët e Lidhjes së Prizrenit. (Vëlla i Naimit dhe Samiut
  • PETRO NINI LUARASI…Mësues, publicist dhe luftëtar për shkollat shqipe. Lindi në Luaras dhe ndoqi mësimet në këtë gjimnaz.
  • JANI VRETO…Shkrimtar, përkthyes dhe një nga themeluesit e Shoqërisë patriotike të Stambollit.
  • PANDELI SOTIRI…Mësues dhe patriot, i njohur për botimin e Abetares se parë shqipe. Ishte ndër studentët e “Zosimeas”.
  • KOTO HOXHI…Mësues i shquar, nismëtar i mësimit të shqipes në jug të Shqipërisë. (Vdiq në burg për shkak të veprimtarisë kombëtare)…..
  • EQREM BEJ VLORA…Politikan, diplomat dhe historian. (E përmend “Zosimean” si një nga shkollat më të mira të kohës.). E vlerëson për disiplinën dhe nivelin e lartë të mësimdhënies dhe të dijeve.
  • IDHOMENE KOSTURI…Patriot e politikan i njohur. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në qeverinë e përkohshme shqiptare.
  •  SOTIR PECI…Lindi në Dardhë të Korçës-një nga qendrat më të njohura të arsimit dhe kulturës shqiptare ne fund të shek.. XIX. Ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar. Mori një formim të shkëlqyer klasik.(Më vonë studioi për shkenca të natyrës në Universitetin e Athinës.)
  •  THIMI MITKO….Publicist dhe mbledhës i folklorit shqiptar (Autor i veprës “Bleta shqiptare”.
  • ALI ASLLANI …poet dhe publicist
  • VANGJEL KOÇA…Publicist dhe veprimtar i fillim. shek. XX. Aktiv në shtypin dhe çështjet kombëtare dhe identitetin kombëtar.
  •  JORGJI DILO…Aktivist dhe përhapës i ideve të Rilindjes Kombëtare, Më pas bashkëpunoi me diasporën shqiptare në Bukuresht.
  • ZOTO TASHO…Mësues dhe përkrahës i shkollave shqipe në Korçë. Studioi në “Zosimea” dhe ndihmoi në përhapjen e arsimit kombëtar.

Përveç tyre, një sërë figurash të tjera kontribuuan në mënyrë të rëndësishme në jetën politike dhe kulturore:

  • HODO SOKOLI, figurë e rëndësishme e Lidhjes së Prizrenit. 
  • ABEDIN DINO, diplomat dhe politikan. 
  • QAZIM KOCULI, një nga figurat e shtetit shqiptar. 
  • SALI NIVICA, publicist dhe ideolog kombëtar. 
  • ANASTAS BYKU, një nga përfaqësuesit e hershëm të kulturës shqiptare. 
  • HASAN TAHSIN PASHA, figurë e rëndësishme ushtarake me origjinë shqiptare. 
  • DHIMITËR TUTULANI, pjesë e elitës administrative. Babai i heroinës Margarita Tutulani.
  • ELMAZ BOÇE, përfaqësues i administratës dhe elitës lokale. 

Kjo listë dëshmon se Zosimea nuk prodhoi vetëm intelektualë të izoluar, por një brez të tërë që mbulonte të gjitha fushat e jetës kombëtare shqiptare.

Roli i Gjimnazit “Zosimea” në Rilindjen Kombëtare Shqiptare

Roli i Gjimnazit “Zosimea” në Rilindjen Kombëtare Shqiptare duhet kuptuar si një proces i ndërlikuar dhe shumëplanësh. Ai nuk ndikoi drejtpërdrejt në krijimin e lëvizjes kombëtare, por krijoi kushtet që kjo lëvizje të lindte dhe të zhvillohej.

Së pari, Zosimea kontribuoi në formimin e elitës politike dhe administrative shqiptare. Nxënësit e saj u përfshinë në administratën osmane dhe fituan përvojë në menaxhimin e shtetit. Kjo përvojë u bë e vlefshme më vonë, kur ata u përfshinë në ndërtimin e institucioneve shqiptare.

Së dyti, ajo shërbeu si një kanal për përhapjen e ideve moderne evropiane. Përmes arsimit që merrnin, nxënësit u njohën me konceptet e liberalizmit, të konstitucionalizmit dhe të shtetit-komb. Këto ide u bënë baza teorike e Rilindjes Kombëtare.

Së treti, Zosimea krijoi rrjete intelektuale dhe sociale midis nxënësve të saj. Këto rrjete u shndërruan më vonë në struktura bashkëpunimi që ndihmuan në organizimin e lëvizjes kombëtare. Në këtë mënyrë, roli i saj nuk ishte i dukshëm në sipërfaqe, por ishte thelbësor në thellësi.

Thënie nga nxënësit shqiptarë të gjimnazit 


Gjashtë vëllezërit Frashëri nxënës të gjimnazit “Zosimea “, dalë më 1865

Sami Frashëri në enciklopedinë e tij me titull “Kamus al – alam” të botuar në Stamboll, këtë institucion edukativo – arsimor na e paraqet si “shkollë idedije e përsosur, speciale për grekët, e cila quhet Zosimea,”

Ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle, Jani Vreto lidhur me këtë Gjimnaz thotë: “Vetëm kur shkova në Gjimnazin “Zosimea” u njoha me historinë e Kastriotëve dhe të parëve tanë“. Pikërisht në bankat e kësaj shkollë Vreto e shkroi poemën “Istori e Skenderbeut”.

Nxënës tjetër i kësaj shkolle ishte edhe poeti Ali Asllani. Ai lidhur me shkollën në fjalë mes tjerash shkruan: “Të ndihmuar edhe nga mësimet ne na u ngjall një dëshirë aguridhe për një farë lirie patriotike sipas kohës.

Në librin me titull “Kujtime“ Ismail Qemali, duke evokuar vitet e tij të studimeve në Gjimnazin “Zosimea“ mes tjerash shkruan: “Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të veçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës por edhe nga profesorët

Paradoksi i ndikimit

Zosimea përfaqëson një paradoks historik: një institucion i krijuar për të përhapur një kulturë të caktuar, kontribuon në lindjen e një identiteti tjetër. 

Ky paradoks shpjegohet me natyrën e arsimit modern, i cili nuk transmeton vetëm dije, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike. Nxënësit e Zosimeas nuk ishin thjesht përfitues të një kulture të huaj, por edhe interpretë të saj. Në këtë proces, ata filluan të kërkojnë një identitet të tyre dhe të ndërtojnë një projekt kombëtar shqiptar.

Gjimnazi “Zosimea” nuk ishte një shkollë shqiptare në kuptimin kombëtar. Ai ishte një institucion i kulturës greke dhe i Iluminizmit ballkanik. Megjithatë, pikërisht ky karakter e bëri atë një faktor të rëndësishëm në formimin e elitës shqiptare.

Siç thekson Nathalie Clayer, shkollat greke të Perandorisë Osmane, ku përfshihej edhe Gjimnazi ‘Zosimea’ i Janinës, ““Institucione si gjimnazi i Zosimesë në Janinë kontribuuan në formimin e një elite të re ballkanike, ku shumë shqiptarë u edukuan me idetë e Iluminizmit dhe më pas u bënë aktorë të rëndësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.” — Aux origines du nationalisme albanais”

Ai krijoi një brez intelektualësh që, të pajisur me dije dhe ide moderne, do të luanin një rol vendimtar në lindjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Gjimnazi Zosimea në Janinë përbënte një nga qendrat më të rëndësishme të formimit intelektual në Ballkan, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi elitën shqiptare. Siç vëren Nathalie Clayer, “shkolla e Zosimesë luajti një rol thelbësor në formimin e një elite të arsimuar ballkanike”, ndërsa Stavro Skendi thekson se ajo ishte “instrumentale në formimin intelektual të shumë udhëheqësve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare”.

Në këtë kuptim, Zosimea mbetet një nga gurët themelorë, edhe pse indirekt, në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Vetë fjala Zosima në greqisht (emër) do të thotë “jetë / e jetuar / vitalitet” pra dhe Zosimea (shkolla)  e emërtuar sipas një familjeje, emri i së cilës vetë do të thotë “jetë” 

Pra në këtë kuptim në mënyrë simbolike me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, ajo përputhet bukur si metaforë, (si një “shkollë e jetës” që prodhoi një vetëdije të gjallë kombëtare).

Bibliografia :

M. V. Sakellariou, Epirus: 4000 Years of Greek History and Civilization (Athens, 1997). 

      Eftihia Nachmias, Yannina: A Journey to the Past (New York, 2003). 

      George A. Vassiadis, The Syllogos Movement (Athens, 2007). 

       BOA (Başbakanlık Osmanlı Arşivi), dokumente mbi arsimin dhe administratën osmane. 

       Ismail Qemali, Kujtime (Stamboll: 1920). 

       Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899). 

https://www.scribd.com/presentation/646343716/Gjimnazi-Zosimea

Filed Under: Mergata

Kujtojmë në datën e ndarjes nga jeta poetin dhe përkthyesin e njohur Robert Shvarc

April 25, 2026 by s p

#AShSh

#RobertShvarc

#InMemoriam

Më 25 prill 2003 u nda nga jeta Robert Shvarc, përkthyes i njohur, poet dhe studiues. Shvarci lindi në Sarajevë më 10 dhjetor 1932, nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani. Ai e dashuronte dhe e lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, të cilën nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Atij i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtër i Madh”. Ky titull iu akordua pak kohë pas marrjes së një tjetër vlerësimi, atij të “Qytetar Nderi” i Tiranës, dhënë me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një moment i rëndësishëm ishte viti 1995, kur ai u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i Meritës Gjermane”. Duhet theksuar se Shvarci ishte ndër të parët përfaqësues të kulturës shqiptare që u vlerësua me këtë titull në fushën e përkthimit.

Pas këtyre vlerësimeve qëndron një veprimtari e pasur me një numër të madh librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton të hapësh kopertinat e shumë librave për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre veprave, ndër më të spikaturat, mund të përmenden: “Tre shokë”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës” dhe “Obelisku i zi” nga Erih Maria Remark; “Çifutja e Toledos” dhe “Françesko Goja” nga Lion Fojtvanger; si dhe drama të Bertolt Brehtit: “Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Ditët e Komunës”, “Arturo Ui”, “Pushkët e nënës Karrar”, “Opera për tre grosh” dhe “Baali”. Nga Heinrich Heine: “Gjermania, përrallë dimri”; nga Gëte dhe Shileri: poezi dhe balada.

Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj.

www.akad.gov.al

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT